Protestuesit me jelekë të verdhë u mblodhën sërish sot rreth Champs-Elysees në Paris, në demonstratën e tretë kundër rritjes së çmimit të karburantit.
Ka pasur përleshje me policinë, të pranishëm masivisht nëpër rrugët e shkatërruara nga protestuesit të shtunën e kaluar. Champs-Elysees është mbyllur për makinat, por i hapur për këmbësorët. Për protestën nuk ishte kërkuar leje.
Autoritetet e rendit në Francë kanë hedhur gaz lotjesjellës dhe ujë në drejtim të protestuesve në Paris, të cilët tentuan të thyejnë kordonin në sheshin Champs Elysee.
Pas 3 orësh përleshje mes jelekverdhëve dhe forcave të rendit, numri i arrestimeve në zonën e Champs-Elysees ka shkuar në 33. Nga Bastija po vijnë drejt zonës së Champs-Elysee – rreth 200-300 jelekverdhë të tjerë, të cilët kanë parakaluar në mënyrë paqësore dhe pa zhurmë përgjatë “Rue de Rivoli”.
Në ditën e tretë të mobilizimit, pas të parës më 17 nëntor me “objektivin e parë: masa për të rritur fuqinë blerëse dhe menjëherë, sepse shumë francezë nuk arrijnë në fund të muajit. I dyti: zvogëlimi i hendekut midis qeverisë dhe qytetarëve. Duam kuvende dhe referendume në mënyrë që të gjithë të mund të shprehen”. Këtë e thotë në një intervistë për “Il Corriere della Sera”, Julien Terrier, një nga tetë delegatët e jelekëve të verdhë.
Një javë më parë, mijëra protestues, të cilët janë pa lider, janë organizuar përmes rrjeteve sociale dhe kanë kthyer Champs Elyseenë në zonë lufte me policinë.
“Jemi të brengosur se grupe të vogla të protestuesve që nuk i takojnë ‘jelekëve të verdhë’ do të infiltrohen për të luftuar me forcat e sigurisë”, tha Denis Jacob, sekretar gjeneral i Policisë.
Autoritetet deklaruan se rreth 5,000 forca të shtuara policore do të qendrojnë në rruget e Parisit për të kontrolluar protestën.
Parisi në flakë sërish nga protestat kundër rritjes së çmimit të karburantit!
Klithama e një gruaje: “Nëse ma shembin shtëpinë do të rri poshtë mureve të mia, le të më bjerë sipër”
Nga Grida Duma
Forca e njeriut për të rezistuar në ditë të vështira është shenjë e mbinjerëzores.Banorët e zonës së ashtuquajtur Astir kanë dhjetra mëngjese që presin ditën pa gjumë e kur errësira bie kanë forcën të të shpjegojnë se si i kanë dokumentat e shtëpive, se sa vite kanë paguar taksa, se si i kanë shlyer detyrimet e legalizimeve me miliona lekë, se si e kanë blerë truallin me “letra” pronarit që i shfaqej.
Është e pakoment se si kanë forcë të mbajnë mendjen dhe të logjikojnë, kur gjithë jeta mund t’i shembet para syve. Të shpjegojnë me detaje që me aq sa mundësi i është dhënë kanë kryer çdo detyrim që i është kërkuar nga shteti madje edhe dy herë, por sërish mbetën të paragjykuar vetëm sepse po të respektohej e drejta e tyre rilindja nuk do të përfitonte dot nga prona e tyre.
Njëra prej grave tha që, “nëse ma prishin shtëpinë do rri poshtë mureve të mia dhe le të më bjerë sipër shtëpia ime se sa të më groposë vuajtja që mbeta në rrugë pas 17 vjetësh”.
Kushdo që do ta relativizojë drejtësinë në zonën e Astirit le të mbajë rëndesën e ndërgjegjies që po zgjedh të mos shohë faktet në të gjithë të vërtetën e vet.
Shqipëria e gjitha është e mbushur me mbivendosje pronash, me mbivendosje premtimesh fushate me “bojë” për legalizime falas, si kanë dëgjuar tek “Astiri” për që për ironi po bëhet e njohur me emërtimin e një kompanie boje.
Po ashtu kudo nëpër Shqipëri mund të gjesh adoleshentë që kanë hyrë në rrjete kanabisi; mund edha ta relativizosh fajin e të thuash këta 15 vjeçarë janë fajtorë; por mundet edhe të vendosësh të shohësh! Të shohësh fajtorët dhe shkaktarët e vërtetë, ata që i lanë vetëm këtë mundësi.
Bllokohet në Itali gomonia me 1.5 ton drogë nga Shqipëria
Një gomone rreth 15 metra e gjatë, e pajisur me dy motorë të fuqishëm, që vinte nga Shqipëria me 1.5 ton drogë është kapur në bregun Torre Cane në Itali.
Mediat italiane raportojnë për rreth 1.5 ton marijuanë të sekuestruar në këtë gomone të ndaluar të premten në mbrëmje.
Në pranga përfunduan dy të rinj nga Brindizi, rreth të 20-ave dhe të pa punë, të cilët u kapën teksa shkarkonin drogën nga anija.
Dy kontrabandistët u përpoqën t’i shpëtojnë policisë duke u larguar me një një varkë, por të ndodhur mes shkëmbinjve u “mbërthyen” nga autoritetet italiane.
Operacioni zgjati gjatë gjithë natës së djeshme ku u sekuestruan 1.5 ton drogë në 80 paketime plastike.
Sipas mediave italiane kjo është një sasi e jashtëzakonshme, vlera e së cilët po të shitej do të arrinte në 14 mln euro.
Bari Today shkruan se droga kishte si destinacion shitjen në sheshet e qytetit të Barit.
Basha për Xhorxh Bush: Shqiptarët do ti jenë përjetë mirënjohës
Kreu i Opozitës Lulzim Basha ka përcjellë pas vdekjes së ish Presidentit Amerikan Bush një mesazh ngushëllimi për familjen e tij.
“Mendimet e lutjet e mija janë me familjen Bush dhe popullin amerikan”, shkruan Basha. “Shqiptarët do ti jenë përjetë mirënjohës për mbështetjen vendimtare për demokracinë në Shqipëri dhe sigurinë në Kosovë”.
Ja postimi i plotë i Bashës:
Lajm i hidhur ndarja nga jeta e ish Presidentit të SHBA George H.W. Bush. Shqiptarët do ti jenë përjetë mirënjohës për mbështetjen vendimtare për demokracinë në Shqipëri dhe sigurinë në Kosovë.
Mendimet e lutjet e mija janë me familjen Bush dhe popullin amerikan. U prehtë në paqe!
Gjatë një periudhe të re që filloi më 20 janar 1989, Presidenti Bush u gjend në krye të superfuqisë së vetme të mbetur në botë. Muri i Berlinit ra; Bashkimi Sovjetik pushoi së ekzistuari; blloku komunist në Europën Lindore u shkatërrua; Lufta e Ftohtë kishte marrë fund.
Diplomacia e tij e fuqishme por e përmbajtur ndihmoi që këto ngjarje të kalonin në paqe dhe harmoni në skenën botërore.
Në dhjetor 1992, George H. W. Bush nxori të ashtuquajturin “paralajmërim të Krishtlindjeve”, një letër drejtur udhëheqësit të Serbisë Sllobodan Millosheviç, në të cilën thuhej se në rast të një konflikti në Kosovë të shkaktuar nga veprimi serb, SHBA do të jenë gati të përdorin forcën ushtarake.
Pavarësia e Kosovës u realizua nën presidencën e djalit të tij George W. Bush në shkurt 2008.
Ndahet nga jeta Xhorxh Bush, Presidenti që i vendosi ‘vijën e kuqe’ Serbisë për Kosovën
George H.W. Bush, presidenti i 41-të i Shteteve të Bashkuara vdiq në moshën 94 vjeçare, sipas një njoftimi të familjes.
Ai ishte babai i Presidentit të 43-të amerikan, George W. Bush.
Në vitin 2012, ai njoftoi se vuante nga parkinsoni vaskular, një sëmundje që i kufizoi lëvizjet e tij fizike. Bashkëshortja e tij prej 73 vjetësh, Barbara Bush, vdiq më 17 prill të këtij viti.
Për dekada të tëra, George Herbert Walker Bush shërbeu si një figurë e njohur në skenën ndërkombëtare , duke filluar nga roli si i dërguari i SHBA në Pekin, pastaj për tetë vite si nënpresident dhe më pas si President nga viti 1989 deri në 1993.
George H.W. Bush ishte veterani i fundit i Luftës së Dytë Botërore që shërbente si president.
Ai luajti një rol të rëndësishëm në udhëheqjen e vendit dhe botës për të dalë nga Lufta e Ftohtë që zgjati katër dekada gjatë së cilës globi jetoi nën kërcënimin e një konflikti bërthamor.
George H.W. Bush pasoi në Zyrën Ovale një figurë madhore të politikës amerikane siç ishte Presidenti Ronald Reagan, një rival i tij i dikurshëm.
Gjatë një periudhe të re që filloi më 20 janar 1989, Presidenti Bush u gjend në krye të superfuqisë së vetme të mbetur në botë. Muri i Berlinit ra; Bashkimi Sovjetik pushoi së ekzistuari; blloku komunist në Europën Lindore u shkatërrua; Lufta e Ftohtë kishte marrë fund.
Diplomacia e tij e fuqishme por e përmbajtur ndihmoi që këto ngjarje të kalonin në paqe dhe harmoni në skenën botërore.
Në dhjetor 1992, George H. W. Bush nxori të ashtuquajturin “paralajmërim të Krishtlindjeve”, një letër drejtur udhëheqësit të Serbisë Sllobodan Millosheviç, në të cilën thuhej se në rast të një konflikti në Kosovë të shkaktuar nga veprimi serb, SHBA do të jenë gati të përdorin forcën ushtarake.
Pavarësia e Kosovës u realizua nën presidencën e djalit të tij George W. Bush në shkurt 2008.
Revolta kundër taksave të larta, pas Parisit i vihet flaka policisë në Bruksel
Në Bruksel policia belge hodhi ujë dhe gaz lotsjellës për të shpërndarë protestuesit të frymëzuar nga lëvizja kundër taksave që përfshiu Francën, e quajtur “jelekët e verdhë”, të cilët hodhën gurë në drejtim të zyrës së kryeministrit.
Policia kreu me dhjetëra arrestime. Protestuesit shkatërruan së paku dy furgona policie. Ajo që nisi si një protestë paqësore, por e paautorizuar, e pa udhëhequr nga askush, por e reklamuar gjerësisht në mediat sociale u shdërrua në dhunë kur njerëz të maskuar apo me kapuç, u përpoqën të kalojnë kordonin e policisë.
Për tre orë, turma njerëzisht të cilët ankoheshin për çmimin e karburantit dhe uljen e standardeve të jetesës, ndërprenë trafikun e automjeteve duke ecur në rrugë.
Policia njoftoi se kishte arrestuar rreth 60 vetë përpara se të shpërthente dhuna, kryesisht për bllokimin e rrugëve apo pasi mbanin me vetë fishekzjarre të mëdhenj.
Shumë prej personave të maskuar, hodhën gurë, fishekzjarre si dhe tabelat e sinjalistikës rrugore në drejtim të policisë që reagoi duke hedhur ujë e gaz lotsjellës.
Trazirat zgjatën rreth një orë përpara se policia të arrestonte disa demonstrues, ndërsa pjesa tjetër e turmës u shpërnda. Policia tha se numri i përgjithshëm i protestuesve ishte rreth 500 vetë.
Kryemadhi: Rama ngatërron edhe ‘mallin’, problemet me të i zgjidh vetë, bam, bam, bam…
Drejtuesja e LSI, Kryemadhi ka deklaruar nga studio e “Zonë e Lirë” se ajo nuk e merr seriozisht Ramën kur kërëcnon për zhvillimet në rajon duke ju referuar deklaratave të tij nga Peja, por shtoi se në këtë rast mund të marrë seriozisht ata që mund të konsiderohen burra shteti , por jo Ramën: Unë mund të marr seriozisht Berishën kur flet apo kërcënon për zhvillimet në rajon. Në të tilla raste e shikoj disa herë deklaratën e tij sepse ai vërtet e bën atë që thotë, por nuk mund të marrë seriozisht ato që thotë Rama”, tha Kryemadhi.
Drejtuesja e LSI u shpreh se Rama i bën deklarata të tilla nga Kosova sa herë është në vshtirësi politike në Shqipëri.
Kryemadhi ka qenë mjaft kritike me Ramën dhe projektet e tij korruptive duke deklaruar se është i pangopur në vjedhje. Ajo nuk ka lënë pa shigjetuar edhe sjelljet e Ramës’ “Ai ngatarron edhe mallin. Shkon në lokale me shishe uji me vete se nuk i dihet çfarë i ndodh”, tha Kryemadhi.
Në lidhje me pyetjen e gazetarit Çani nëse e ka frikë Ramën se ai e padit në Gjykatë, Kryemadhi i dha një përgjigje të fortë: Ti kujton se unë kam frikë Ramën dhe mendon se do t’i zgiidh problemet me të në gjykatë? Unë i zgjidh problemet me të si të dojë ai dhe ku të dojë ai, bam, bam, bam…”u shpreh Kryemadhi.
Kryemadhi: Rama, si prostitutë e keqpërdorur, nuk ja varin për kërcënimet në Rajon
Kryetarja e LSI, Monika Kryemadhi ka shpërthyer me tone të forta ndaj shfaqjeve të rreme të Ramës me të ashtuquajtuart kërcënime për bashkim me Kosovën si dhe sulmeve ndaj BE. Kryemadhi, e ftuar në emisionin “Zonë e Lirë” tha se, nuk e merr seriozisht Ramën. Kryemadhi teksa e cilësoi kryeministrin si një prostitutë tha se është e paprecedentë që Rama ka qëndrim ndryshe me ministrat e kabinetit të tij qeveritarë, si Ahmetaj dhe Bushati.
Pyetjes së gazetarit Çani nëse Rama po bën lojën e Putin dhe të Erdogan duke i shkelur syrin atyre Kryemadhi i dha një përgjigje të fortë: “Rama vdes t’i shkelë syrin atyre, por është si puna asaj prostitutës së keqpërdorur që nuk e marrin seriozisht”.
Më tej, Kryemadhi shton se ajo me Presidentin e vendit Ilir Metën ndan vetëm shtratin ndryshe nga Bushati dhe Rama.
“Rama është si puna e prostitutës,është shumë e shpërdoruar. Kemi me një kryeministër që është dakord për taksën ndaj Serbisë, ndërsa ministri i EKonomisë thotë se nuk është dakord. Unë vërtet ndaj shtratin me Ilir Metën, por idealizmin me LSI-së nuk endaj me të ndërsa Ditmir Bushati dhe Edi Ramën nuk është çështje shtrati”, u shpreh ajo.
Kryemadhi ka treguar detaje në lidhje me veprimet e Edi Ramës. “‘Edi Rama është paranojak, kudo ku shkon merr shishet e veta me ujë. Merr ushqimin me vete sepse ka frikë. Ai kudo ku shkon ka paranojë se mos i ndodh ndonjë gjë’, është shprehur kryetarja e LSI-së, Monika Kryemadhi.
Kryemadhi: Berisha është burrë shteti dhe gjithmonë kur e thotë diçka ai e çon deri në fund
Kryetarja e Lëvizjes Socialiste për Integrim, Monika Kryemadhi, ka sulmuar ashpër kryeministrin Edi Rama pas deklaratës së tij në Pejë, se Kosova dhe Shqipëria do të bashkohen deri në vitin 2015.
Sipas saj, “Edi Rama në politikën e jashtme ka qenë gjithmonë i dështuar e qesharak.
Më tej ajo tha se, nuk e ka marrë kurrë seriozisht Edi Ramën për deklaratat e tij nacionaliste, pasi sipas saj ai e bën këtë vetëm për të tërhequr vëmendjen.
Më tej ajo tha se ndryshe do të ishte nëse një deklaratë të tillë do e bënte ish-kryeministri Berisha, pasi sipas saj ai atë që e thotë e çon deri në fund.
“Edi Ramën e marr seriozisht, vetëm për kontrastin e ngjyrave në pikturë. Sa i përket deklaratave të tij nacionaliste, asnjëherë nuk e kam marrë seriozisht, madje askush nuk e marr seriozisht. Ai bën deklarata nacionaliste kur do të tërheqë vëmendjen.
Nëse do ta përmendte diçka të tillë Sali Berisha, po, atëherë do të thoja pa ta shoh edhe një herë se çfarë ka thënë Sali Berisha. Sali Berisha është burrë shteti dhe gjithmonë kur e thotë diçka ai e çon deri në fund këtë”, tha Kryemadhi.
Kryemadhi ka dhënë mendimin e saj në lidhje me faktin nëse Edi Rama do ta kandidojë Erion Veliajn për herë të dytë në Tiranë apo jo. Sipas Kryemadhit, Rama nuk do ta kandidojë më Erion Veliajn në Tiranë.
Kryetarja e LSI-së tha se e ka këtë mendim të saj, pasi nëse Veliaj do të kandidonte sërish për Tiranë, do ta kishte shumë më të lehtë që të marrë drejtimin e PS-së. Për Kryemadhin, në PS situata është shumë e rëndë për shkak të implementimit të sektit Rilindja në parti.
Unaza e Madhe, Kryemadhi: Rezistenca, e vetmja mënyrë kundër Ramës
Kryetarja e Lëvizjes Socialiste për Integrim, Monika Kryemadhi, mbrëmjen e sotme kërkoi mbështetjen e qytetarëve të thjeshtë për banorët e Unazës së Re, lidhur me protestën që këta të fundit po bëjnë në mbrojtje të banesave dhe bizneseve të tyre.
Kryemadhi u shpreh në emisionin “Zonë e Lirë”, se nuk është kundër rrugës, por qytetarët duhet të dëmshpërblehen.
“Rruga ku ndërtohet, të sqarojnë kush është pronari i tokës? Të publikohet harta. Jemi dakord për rrugën, por banorët të dëmshpërblehen. Mes banorëve, janë dhe 150 familje të përmbytura nga Liqeni i Fierzës. Vetëm nga energjia që ka prodhuar Hidrocentrali i Fierzës, do mjaftonte për blerjen e apartamenteve për strehimin e tyre.
Edi Rama do ta ketë të vështirë. Edi Rama është ne cep. Qendresa duhet te vazhdojë. Duhet suporti edhe i shumë qytetarëve të tjerë, të cilët do të jenë gjithashtu viktima të planeve gllabëruese të Edi Rames. Të gjithë njerëzit e duan rrugën. Por 40 milionë euro që do hidhen nuk do ta zgjidhin çështjen e trafikut”, tha Kryemadhi.
Kryemadhi është pyetur mbi rolin e Edi Ramës si kryeministër, ndërsa Monika Kryemadhi ka shpërthyer në akuza ndaj tij, duke e cilësuar si marionetë të grupeve kriminale ndërkombëtare në Shqipëri.
Kryemadhi: Rama është dorëzuar e rekrutuar në grupet kriminale dhe e ka zbatuar këtë plan në Shqipëri.
Çani: E zëmë se është e vërtetë kjo që the. Të duket gjë e vogël edhe sikur të jetë kështu? Duhet të jesh i aftë që të kapesh nga i vend, që të përdoresh nga krimi ndërkombëtar.
Kryemadhi: Duhet të jesh i aftë ose i dobët.
Tre gazetarët e kërcënuar, Reporterët pa Kufij publikon raportin
Reporterët pa Kufijn kanë bërë publik mbrëmjen e djeshme raportin për vitin 2018.
Në këtë raport për herë të parë janë përfshirë edhe 3 gazetarë shqiptarë, si të kërcënuar nga krimi dhe politika.
Sipas raportit të Reporterëve pa Kufinj media në Shqipëri është nën presionin e mafias dhe të politikës.
Raporti i vitit 2018 flet për krimin e organizuar që ka shtuar kërcënimet ndaj gazetarëve dhe mediave. Gjithashtu problem është edhe ndërhyrjet politike.
Në raportin e këtij vitit përmenden rastet e tre gazetarëve shqiptarë, Alida Tota, Klodiana Lala dhe Basir Çollaku.
Në rastin e gazetares Alida Tota që u largua nga puna pas përplasjes për një kronikë për kryebashkiakun e Tiranës Erion Veliaj, për vrasjen e punëtorit adoleshent, Ardit Gjoklaj në vendgrumbullimin e plehrave në Sharrë.
Ndërsa flitet për sulmin me armë në shtëpinë e prindërve të gazetares Klodiana Lala, si kërcënim i pastër i krimit të organizuar.
Gazetari Basir Çollaku përmendet për intervistën e marrë Dritan Zaganit dhe faktin se denoncoi një lidhje shtetërore me krimin dhe trafikun e drogës.
Pushteti i pamundur i burokracisë europiane
Eurokracia është sistemi qarkullues i institucioneve hibride, që nuk duhet as të ekzistojnë, por megjithatë ekzistojnë. Gardianët e proceseve burokratike, të shtyrë nga vlera të pranuara, bëjnë politikë duke administruar një jo-shtet, dhomë kompensimi midis shteteve anëtare.
Rond – Point Schuman, një rrethrrotullim plot trafik dhe kaotik pak kilometra në jug të qendrës së Brukselit, është zemra e gjallë e një kryeqyteti sui generis. Në ato pak kilometra katrore që e rrethojnë gjendet pjesa më e madhe e selive të institucioneve që qeverisen dhe vërtiten rreth Bashkimit Europian, një gjigand rregullues që nuk është as shtet federal, as organizatë ndërkombëtare. Bëhet fjalë për kryeqytetin, rast më shumë unik sesa i rrallë në botë, i një burokracie të formuar e të realizuar pa shtet. Këtu gjenden funksionarët europianë që nga palate thuajse të njëjtë qeverisin, si masters of the universe, një bllok ekonomik aktualisht i tronditur nga goditje politike. Nga kjo burokraci, kryeqyteti i saj, i mbiquajtur Euroflluskë, ka marrë në dukje të gjitha tiparet dhe duket se i përfaqëson në mënyrë plastike karakteristikat: i hirtë, sidomos nëqoftëse vizitohet në një prej ditëve të shpeshta me shi; kaotik, i populluar nga njerëz të gjithë njëlloj, edhe ato të veshur me gri apo blu, dhe me shikueshmërinë e paralizuar nga dite të alternuara prej ndonjë manifestimi apo proteste. Mbi të gjitha, i mërzitshëm. Me pak fjalë, një vizitori kalimtar ky cep i vogël i Brukselit mund t’i kujtojë në të gjitha dhe për të gjitha Bashkimin Europian në imazhin e tij më të zakonshëm: një vend pasionesh të trishtuara, ku procedura triumfon ndaj strategjisë.
Pikërisht për këtë dukje të saj, burokracia europiane shpesh është keqkuptuar apo nënvlerësuar nga opinionet publike kombëtare. Një karakterizim i tillë ka sit ë gjithë stereotipet një themel të vërtete: vetë statusi i përzier i Bashkimit Europian, bazuar mbi një funksionalitet të ngurtë, ia kufizon veprimet e forta në disa fusha, kryesisht rregullimin ekonomik dhe funksionimin e tregut, duke u lënë shteteve anëtare element të tjerë vendimtarë për kontrollin e hapësirës, si mbrojtja dhe identiteti. Ashtu si Bashkimit Europian i mungojnë në fakt kërkesat e shtetësisë, edhe veta burokracia që i përcakton funksionimin është e çalë: për këtë arësye flasim për një burokraci pa shtet.
Megjithatë, nëpërmjet depërtimit të saj në nyjet e «fuqisë rregulluese europiane», kjo burokraci ruan një influencë qendrore mbi aktivitetet e shteteve anëtare. Për këtë arësye është e rëndësishme të analizohet sesi funksionon dhe sesi merr vendimet. Kështu, me një vëzhgim më të thelluar, kuadri nga i hirtë nis e mbushet me ngjyra: ashtu si qyteti që e mirëpret, eurokracia (siç quhet në terma lehtësisht përçmues) është larg nga të qenit një masë homogjene; përkundrazi, rreth rrethrrotullimit Schuman asistohet në një diversitet interesash, stilesh personale, nivelesh arsimimi dhe formimi kulturor të panjohura për shumë burokraci kombëtare. Johomogjenitet befasues, por që fsheh midis rudhave të tij përgjigjen ndaj një kontradikte të dukshme: atë midis një institucioni të konsideruar elefantian dhe i paaftë të vendosë dhe një burokracie e parë si e plotfuqishme. Është pikërisht midis këtyre rudhave që duhet parë për të kuptuar kufijtë që përkufizojnë pushtetin e burokracisë europiane.
Shkaku i parë i heterogjenitetit të burokracisë europiane ka të bëjë me arkitekturën institucionale dhe lidhet me fill të dyfishtë me vetë strukturën e institucioneve. Në fillim, ai i Bashkimit Europian është një sistem vendimmarrës i kundërt me centralizimin dhe që synon në shpërndarjen e pushteteve midis sa më shumë qendrave të pushtetit që është e mundur. Për t’u kufizuar vetëm tek institucionet e ndodhura në Bruksel, nëse iniciativa legjislative mbetet në dorën e Komisionit Europian, miratimi i projektligjeve ndahet midis Parlamentit Europian dhe Këshillit Europian, të ndarë në working groups dhe komisione parlamentare që duhet të mbajnë bashkë interesa të ndryshme politike dhe kombëtare. Veç kësaj, për sa i kufizuar nga traktatet, ky sistem institucional është faktikisht në evolucion të vazhdueshëm: institucionet europiane janë zhvilluar në një process kompleksiteti në rritje, duke i tejkaluar synimet fillestare e themeluesve të tij. Natyrisht, kjo strukturë institucionale pasqyrohet në atë që e qeveris. Elita e ngushtë e burokratëve e imagjinuar nga Jean Monnet si motor i Komunitetit të Çelikut dhe Qymyrit fillestar – lidhur me të cilin politikani francez arriti të thotë se «nëse në një moment të caktuar të historisë do të jemi më shumë se disa qindra, do të dështonim me turp» – që duhej t’u ofronte thjesht koordinim ministrive kombëtare, shumë shpejt është zëvendësuar nga një ushtri prej rreth 40000 burokratësh me prejardhje të ndryshme që merren me ligjërimin e argumentave më të ndryshëm, nga tregëtia tek shëndetësia, deri tek fondet për bujqësinë. Secili prej tri institucioneve kryesore varet nga puna e përditshme e funksionarëve të dalluar jo vetëm nga specializimet, zyrat, por edhe nga qasja ndaj punës: po të duam ta thjeshtëzojmë edhe më, nëse funksionarët e Komisionit Europian mund të kujtojnë më nga afër klasën e «mandarinëve» që i ngjitet rëndon burokracisë europiane, ata të Parlamentit Europian kanë një profil më shumë të përkushtuar ndaj ndërmjetësimit dhe «publikut».
Për arësye institucionale u bashkangjiten çështje më praktike të përzgjedhjes së grupit drejtues. Ideali me frymëzim francez i funksionarit të përjetshëm, shumë i arësimuar dhe i mbrojtur nga ndryshimet që të mund të administrojë në mënyrën më të mirë të mundshme, mbetet akoma rregulli i artë i përzgjedhjes së grupit drejtues të Bashkimit Europian nëpërmjet concours kompetitivë të organizuar çdo vit nga Zyra Europiane për Përzgjedhjen e Personelit (EPSO). Megjithatë, me këtë ideal bashkëjetojnë shumë mënyra të tjera përzgjedhjeje: punonjës me kontratë, të zgjedhur mbi bazën e dijes së tyre për tema specifike, u bashkangjiten funksionarëve kombëtarë, të dërguar nga ministritë për të ndjekur dosjet europiane dhe për të injektuar në decision making një perspektivë me interes kombëtar, përveç agjentëve të brendshëm të punësuar që të realizojnë një detyrë të përkohshme dhe të kufizuar. Nuk janë të rralla as rastet e revolving doors, ku funksionarët peshkohen nga bota e privates apo e lobimit dhe anasjelltas. Në krah dhe paralelisht me format zyrtare të punësimit dhe të karrierë, komponentja kombëtare nuk mungon që ta shprehë peshën e saj. emërimet, sidomos në nivelet drejtuese, shpesh duhet të respektojnë një ekuilibër të caktuar midis shteteve të ndryshme anëtare. Aq sa tipologjitë e përzgjedhjes dhe të kurrikulumit të funksionarëve janë shumëfishuar sidomos pas zgjerimeve të 2004 e të 2007. Së fundi, promovimet dhe ngritjet në karrierë mund të rezultojnë të lidhura me lojëra pushteti. Edhe pse rastet flagrante të favorizimeve – si promovimi Martin Selmayr, ish shef kabineti i Presidentit të Komisionit Europian Jean-Claude Juncker, në Sekretar i Përgjithshëm – janë në fakt të rralla, në korridoret brukselase ekziston një dhënie që e paraqet mirë sesi edhe normat më të ngurta fillojnë e bëhen fleksibël: «Asnjë përjashtim nga rregulli nuk është i mundur, deri kur të mos bëhet papritmas e mundur».
Pasoja e parë është se evolucioni institucional i Bashkimit Europian, praktika e rafinuar në vite dhe ndikueshmëria e preferencave kombëtare kanë kontribuar që të gjenerohet një administratë hibride, që vë bashkë karakteristika modelesh të ndryshme burokratike. Një model i parë është me frymëzim «kontinental», me funksionarë karriere jo të zgjedhur që përfaqësonë një klasë sociale të dallueshme dhe të privilegjuar. Ndarja e ngurtë e institucioneve europiane në Drejtori të Përgjithshme e Njësi dhe formalizmi i ecjeve të karrierës të bazuara mbi kohën e shërbimit janë mbeturina të përvojës në burokracitë më tradicionale «ëeberiane» të shteteve europiane, si ajo franceze. Aq sa ta shtyjnë Sabino Cassese t’i përshkruajë rregullat e funksionimit të Komisionit Europian si «një rrugë e mesme midis një ministri francez dhe ministrit gjerman të Ekonomisë».
Këtij i është shtuar shpejt një model i dytë, ai i organizatave ndërkombëtare, i mirëpërfaqësuar nga një administratë multikombëtare dhe me përfitime ekstraterritorialiteti, në të cilën paraqitet problemi i proporcionalitetit mbi bazë kombëtare. Së fundi, kompleksiteti në rritje dhe shumëfishimi i kompetencave me shtrirje të ndryshueshme e kanë bërë në fakt administratën europiane të ngjashme me atë amerikane: një sistem burokratik ku pushteti vendimmarrësh është shpërndarë midis insittucioneve të ndryshme dhe politikëbërja realizohet nëpërmjet negociatave të vazhdueshme midis grupeve të interesit, komisioneve të Kongresit dhe agjencive ekzekutive. Siç thekson Guy Peters, pa nevojë që të kërkohen paralele të tepruara midis sistemit federal amerikan dhe Bashkimit Europian, «pasoja e parashikueshme e ndarjes organizative midis Komisionit, Parlamentit dhe Këshillit është një segmentim vendimmarrës, pikërisht si në Shtetet e Bashkuara». E gjitha kjo bën që të jetë e vështirë të identifikohet një «eurokrat tip». Mungesa e një rrugëtimi të vetëm të përcaktuar karakterizon një institucion fleksibël dhe kaleidoskopik.
Kjo nuk do të thotë se nuk ekziston as një vetëdije e caktuar klasore midis burokratëve europianë, as një ndarje e vlerave bazë plotësisht «europiane». Përkundrazi, bëhet fjalë për një karakter që nuk është i kufizuar vetëm tek buokratët, por i shtrirë në thuajse totalitetin e banorëve të Euroflluskës, që përgjithësisht ndajnë të njëjtin rrugëtim profesional dhe kurrikulum akademik: pjesa dërrmuese e profesionistëve që punojnë në selitë europiane ka dalë nga ndonjë shkollë elitare, si anglezet Oxford e Cambridge dhe francezja Sciences Po. Mbi të gjithë spikat Kolegji i Europës në Bruges, institucion i lindur me ambicien e formimit të klasës drejtuese të kontinentit, që mbush radhët e të gjitha organizatave publike dhe private të qytetit. Kështu që herët a vonë, «thuajse kushdo që gjendet duke punuar për disa kohë në këtë qytet», thotë një lobist, «nis të ndajë një përbashkësi të caktuar mbi vlerat themelore». Një identitet mendimi dhe karakteri që shpesh ngre më shumë se një kritikë mbi mungesën e diversitetit të Euroflluskës. Por që i mundëson këmbënguljen, duke i bërë faktikisht institucionet europiane diçka me formim të ndryshëm respektivisht shteteve të veçanta anëtare që e përbëjnë.
I gjithë ky diversitet në homogjenitet, për të bërë një kalk të motorit të Bashkimit Europian, natyrisht që ka pasoja mbi mënyrën sesi merren vendimet. Parimi që udhëheq systemin vendimmarrës të institucioneve europiane është përhapja maksimale e pushtetit: horizontalisht, midis institucioneve të ndryshme që e përbëjnël vertikalisht, midis nivelit europian, kombëtar dhe lokal, në bazë të parimit të subvencionoueshmërisë; dhe për tema, ku për çdo çështje kërkohet të ndërmjetësohet midis përfaqësuesve më të ndryshëm të interesave dhe të pozicioneve. Europa funksionon në mënyrë transkombëtare, në një shkëmbim të bazuar mbi një sistem me rrjete më shumë sesa hierarkik. Të njëjtit funksionarë mund të kenë me homologët e tyre një marrëdhënie variabël, bashkëpunimi lidhur me një dosje dhe konkurrence lidhur me një tjetër. Kjo skemë, fillimisht e menduar dhe e dhënë nga shtetet anëtare mbi disa çështje për të kufizuar rrezikun që të konsolidohej një kundërpushtet qendror, me kohë ka përfunduar për të frustruar edhe ambiciet e tyre për kontroll: duke shumëfishuar deri në të pabesueshme qendrat e pushtetit, e pengon çdo fraksion që ta mbajë për një kohë të gjatë. Kështu, Brukseli gri, kryeqyteti rregullues, bëhet teatër politike të pastër.
Në fakt, pavarësisht se në kartën e traktateve rolet e institucioneve janë në fakt të përcaktuara, në praktikë mungesa e një qendra të saktë nevralgjike bën që lidhur me çdo vendim të rinovohet në mënyrë konstante loka politike dhe kërkimi i influencës, duke kërkuar që t’i pritet deri në ekstrem trajektorja kushtetuese, në një luhatje të vazhdueshme midis konsocativizmit dhe konkurrencës. Sipas temës që diskutohet radhë pas radhe dhe të kujt ndodhet në pozicion avantazhi, mund të jenë Komisioni, Këshilli, Parlamenti apo shtete të caktuara anëtare që diktojnë. Dhe nuk është e thënë që se sot Parlamenti Europian të duket në avantazh, të nesërmen situate të mos ndryshojë. Selia e pushtetit, mënyrë konstante në lëvizje, varet herëpasëhere nga disa ndryshore: nga kompetenca (ekskluzive apo konkurruese) tek forca dhe përgatitja lidhur me dosjet, deri tek ekuilibrat kombëtarë. Një shembull i kësaj qasjeje të vazhdueshme transkombëtare është sa ka ndodhur lidhur me Brexit. Përplasja institucionale lidhur me atë se kush duhet t’i drejtonte negociatat për bashkimin Europian ka përfunduar me fitoren e Komisionit dhe të Michel Barnier ndaj Guy Verhofstadt, përfaqësues i Parlamentit. Dhe nëse zakonisht konfliktet institucionale mbesin të kufizuara brenda perimetrit të rrethrrotullimit Schuman, herëpasëhere dalin detaje që të bëjnë të kuptosh rëndësinë e asaj që ëhstë në lojë. Rasti i fundit i konkluzioneve të miniSamitit të Këshillit Europian lidhur me emigrimet i fundqershorit, të përgatitura fund e krye nga Komisioni Europian dhe të rrjedhura në mënyrë opportune mediave kundër dëshirës së drejtuesve, e demonstron qartë.
Në këtë kontekst, burokracia shërben njëherazi si ngjitës dhe si sistem qarkullues. E kudondodhur, ajo mundëson funksionimin e makinës vendimmarrëse brenda institucioneve, i mban shpinën drejt dhe i pengon lëkundjet. Tradicionalisht, burokratët europianë – edhe nga vetë ata – konsiderohen si administratotë dhe ekzekutues të thjeshtë të së drejtës të Bashkimit Europian. Në projektin ideal europian, ata duhet thuajse të arrijnë utopinë e «administrimit pa mandate politik». Të administrojnë, jo të qeverisin. Realiteti është më kompleks. Siç thekson Sophie Vanhoonacker, Profesore e Qeverisjes Administrative në Maastricht University, «nëqoftëse vendimi mbi linjat për t’u ndërmarrë është prerogativë e liderëve politikë, përqëndrimi mbi ta nuk është i mjaftueshëm për të kuptuar dinamikat dhe mekanizmat në formulimin dhe në ekzekutimin e politikave». Falë centralitetit të tyre, burokratët janë të pajisur me një diskrecionalitet që shpesh përkon me aftësinë për të bllokuar, modifikuar apo filtruar ligjet.
Në Brukselin kaotik, ku pushteti për nga natyra e tij është i pakapshëm dhe meteorik, rrjeti i marrëdhënieve dhe ekspertiza lidhur me dosjet që është pasuria e burokracive të ndryshme europiane u mundëson atyre që të përfaqësojnë «zemrën e vërtetë të institucioneve». Duke u zëvendësuar një vullnet politik mungues apo i paaftë për t’u imponuar. Një pushtet për të imponuar axhendën aq energjik që në vitet e fundit, ku Komisioni Europian me Jean-Claude Juncker ka kërkuar të ketë një rol më politik, duke provuar që të imponohet – me sukses të kufizuar – si një «qeveri në pelena», nuk ka ardhur duke u zvogëluar, përkundrazi.
Nëqoftëse adresa politike njihet se është në duart e kabineteve të komisarëve, ata nuk janë pa influencë ndaj shërbimeve të tyre, që ruajnë monopolin mbi problemet vendimmarrëse. Aq më shumë që është praktikë e zakonshme për komisarët që t’ua besojnë role të dorës së parë në kabinetet e tyre funksionarëve të karrierës, ekspertë të korridoreve brukselase. Në një qytet praktikisht të imunizuar nga spoils system, për të peshuar disi dhe për të lënë një shenjë të çfarëdoshme, komisari me emërim politik duhet të kapet me të dyja duart pas gardianëve të proceseve. Është ligji i hekurt i burokracisë pa shtet: dikur në Bruksel, që të peshojë, çdo politikan kombëtar duhet të besojë njerëzve të vetëm që njohin rregullat e lojës, funksionarëve.
Natyrisht, edhe në këtë rast këndvështrimet nuk mund të jenë univokë dhe përfundimtarë. Pushteti diskrecional i shërbyesve civilë europianë nuk është i njëjtë në të gjitha situata. Influence ndryshon shumë sipas lëndëve të trajtuara, por edhe të prestigjit të shërbimeve të veçanta apo shfaqjes së krizave të papritura. Mbi të gjitha, pesha politike e disa komisarëve apo liderëve mund të kontribuojë në spostimin e gjilpërës së peshores ose të paktën të krijojë ekuilibra të rinj. Rastet thuajse të kundërta e dy drejtorive të përgjithshme më të rëndësishme e prestigjioze të Komisionit Europian, Dg Trade dhe Dg Comp, e demonstrojnë. Politika tregëtare, thelbësore në kuadrin e instrumentave të politikës së jashtme të Bashkimit Europian, është një prej kompetencave ekskluzive të Bashkimit Europian që ka rëndësi të madhe në nivel politik. Dg Trade, që ka përgjegjësinë e politikave tregëtare, është një simbol i përkryer i predominimit të burokracisë: një ent hierarkik dhe nivelor që ndjek procedura të paracaktuara në mënyrë efikase me mandate të Komisionit Europian, i përshkuar nga konsensusi mbi rolin pozitiv e tregut të lirë dhe brenda të cilit funksionarët gëzojnë një prestigj thuajse të paarritur nga drejtoritë e tjera.
Megjithatë, pavarësisht se temavt e trajtuara nga Dg Trade janë kryesisht politike dhe strategjike, funksioni i saj si makinë e kolauduar tenton që ta përjashtojë influencën politike. Me rrezikun e gjetjes së papërgatitur përballë krizave të legjitimitetit, si në rastin e CETA-s, Marrëveshjes së Tregëtisë së Lirë me Kanadanë, ratifikimi i së cilës është ngadalësuar nga kundërshtimi i Valonisë. E ngjashme me Dg Trade është Dg Comp, Drejtoria e Përgjithshme përgjegjëse për politikën e konkurrencës. Edhe ajo përbëhet nga funksionarë ekspertë, për më tepër me formim të fortë ekonomik apo ligjor të markës anglosaksone, të strukturuara në mënyrë hierarkike dhe me një ndjenjë të fortë elite. Megjithatë, gjatë viteve të fundit, Dg Comp ka pasur një parabolë krejtësisht të ndryshme nga homologia e saj: rëndësia politike e saj është rritur falë aktivizmit të komisares, danezes Margrethe Vestager, dhe vëmendjes së madhe mediatike të ngritur nga vendimet kundër praktikave të dyshimta fiskale të kolosëve amerikanë të Rrjetit, si Google dhe Apple. Në këtë rast, komisarja ka arritur në një farë mënyre që ta kanalizojë aktivitetin e shërbimit të saj, duke ia orientuar veprimin në mënyrë politike dhe strategjike, duke i dhënë një lloj aktivizmi global në kuadër të politikës industriale europiane.
Shembujt e sipërcituar konfirmojnë dy karakteristika tashmë të shfaqura të burokracisë europiane. Si gjë të parë, modeli i institucioneve europiane bazohet vetëm në letër mbi një burokraci europiane, të markës «weberiane». Në realitet, proceset vendimmarrëse dhe influence e faktorëve të ndryshëm praktikë parashikojnë që çdo situatë të menaxhohet sipas rregullash të ndryshme. Larg nga të qenit një institucion i qëndrueshëm dhe i përfunduar, Bashkimi Europian është në transformim të shpejtë dhe konstant; një institucion hibrid dhe kaleidoskopik, që përmban modele dhe instrumenta vendimmarrëse të ndryshme. Veç kësaj, në praktikë ekzistojnë ndjenja përkatësie të ndryshme shërbimi në shërbim: në rastin e Komisionit Europian, të cituarat Trade dhe Comp rezultojnë midis drejtorive të përgjithshme me krenari dhe ndjenjë misioni më të madh, pikërisht pse merren me lënde ekskluzive me një traditë të gjatë suksesesh. Një prestigj që drejtoritë e tjera nuk e posedojnë. Pikërisht ky diversitet ekstrem – kjo është pika e dytë – bën që të jetë e pamundur të identifikohet një «padron i Europës» i vërtetë. Për vetë natyrën e tij si ent i bazuar mbi kompromisin, Bashkimi Europian parashikon pole të ndryshme pushteti dhe e përjashton centralizmin. Bashkimi Europian e ka institucionalizuar kompleksitetin. Për pasojë, edhe burokracia europiane, që është sistemi qarkullues i Bashkimit Europian, përshtatet dhe transformohet, duke marrë forma të ndryshme për tema të ndryshme. Ndërmjetësimi i vazhdueshëm i interesave të kundërta dhe statusi i saj si administratë publike multikombëtare duket se u japin të drejtë shumë kritikëve që e shikojnë si një karrocë të madhe joefikase dhe të paaftë që të vendosë. Megjithatë, në fakte institucionet europiane kanë demonstruar një influencë në përcaktimin e politikave të shteteve anëtare që mund të rezultojë e mahnitshme, aq sa ta bëjë Edward Page, Profesorin e London School of Economics, ta quajë «histori suksesi të pamundur».
Për sa i vështirë të matet me efikasitet prodhimi legjislativ, institucionet europianë mesatarisht janë në linjë me shtetet kombëtare: në vitin 2017 kanë miratuar më shumë se 2000 midis direktivave, rregullimeve dhe teksteve të tjera legjislative. Edhe pse e dhëna shpesh e cituar se 80% e ligjeve kombëtare janë shkruar në Bruksel është ekzagjerim, ndikueshmëria e vendimeve europiane mbetet shumë e fortë mbi shtetet anëtare. Së fundi, falë të ashtuquajturit «Brussels effect», rregullimi i Bashkimit Europian aplikohet me të gjitha efektet edhe jashtë kufijve nga vended he kompani që kanë raporte tregëtare me tregun e përbashkët. Sekreti në themel të këtij efikasitetit të papritur duket se është fakti që burokracia europiane vepron pavarësisht sistemit vendimmarrës kompleks dhe plot labirinte, por pikërisht falë tij: për si është strukturuar gjatë dekadave Bashkimi Europian, burokracia europiane duket se shërbën si dhomë kompensimi e instancave të ndryshme kombëtare, ekonomike dhe sociale. Në fakt, burokracia europiane nuk mund të funksionojë e vetme, por mbështetet mbi nivelet e ndryshme më të ulëta administrative, duke shërbyer si «ngjitës europeist» midis tyre. Me rezultatin që, duke përmbledhur në brendësinë e saj të gjithë kompleksitetin dhe diversitetin e Bashkimit Europian, elita burokratike europiane arrin që të reduktojë në procedura dhe në mbledhje të pafundme negociimi paketat potenciale dhe të çojë përpara europianizimin e së drejtës të brendshme e shteteve anëtare.
Një pjesë e mirë e këtij suksesi në këtë detyrë duket se i detyrohet pavarësisë së saj. Për mënyrën sesi është zhvilluar dhe shtresëzuar në vite, burokracia brukselase ka arritur në fakt mrekullisht të ndërtojë një ndjenjë të veten identitare dhe të vlerave pastërtisht europiane, që nuk buron nga shtetësitë e veçanta. Siç thekson Vanhoonacker, «burokracia europiane rezulton në fakt e imunizuar nga influence e shteteve anëtare, përtej kanaleve të institucionalizuara të prirura ndaj negociatës». Kjo i detyrohet kompleksitetit ekstrem të makinës institucionale. Por një rol themelor e kanë ideologjia dhe ndjenja e përkatësisë transkombëtare e ndarë nga elita burokratike. «Institucionet europiane kanë një aftësi të fortë tërheqëse», vazhdon Vanhoonacker. «Megjithëse me diferencat e tyre, të gjithë funksionarët përfundojnë duke ndarë vlerat europiane. Kjo ndodh edhe për funksionarët e vendeve që kanë hyrë së vonshmi, të Europës Qendrore dhe Lindore. Nuk janë hasur diferenca substanciale në ndjenjën e tyre të përkatësisë europiane». Një «socializim» që është i dukshëm edhe kundrejt SNE-së, funksionarët kombëtarë e shkëputur nga ministritë me objektivin e injektimit të interesit kombëtar në dosjet europiane, që, në të kundërt, përfundojnë edhe ata duke u «europianizuar» pak e nga pak: «Europianizimi i SNE-së është një fenomen i përhapur dhe i rëndësishëm».
Gjatë viteve të fundit, burokracia europiane duket se ka përjetuar emergjenca të vazhdueshme, që kanë para pjesë të influencës dhe të pushtetit vendimmarrës t’u kthehen krerëve të shteteve e të qeverive të grumbulluar në Këshillin Europian. Në mënyrë të veçantë, krizat që kanë të bëjnë me tema ngushtësisht të lidhura me identitetin dhe interesin kombëtar, si emigracioni apo taksat, i kanë nxjerrë lakuriq dobësitë e Bashkimit Europian. Thjesht, limitet janë të dukshme. Kur urgjenca kalon nga çështjet teknike ekonomike në çështje identitare, burokracia europiane nuk i ka mjetet as për të ndikuar, as për t’i imponuar idealet e saj jashtë kufijve të ngushtë të Euroflluskës – nuk ekziston një ndjenjë kombëtare europiane, ekziston vetëm një burokraci që ia pasqyron vlerat. Veç kësaj, metoda me rrjet dhe konsociative, e përsosur për negociata komplekse dhe me natyrë teknike, mezi arrin që t’u rezistojë shkëputjeve përpara të fast democracy. Kështu, në çështjet e identitetit dhe të përkatësisë i është lënë fushë e lirë triumfit të metodës transkombëtare. Pavarësisht kësaj, është ende herët për t’u afirmuar se roli i burokracisë europiane si zemra e gjallë e institucioneve po perëndon ose për t’i imagjinuar në fakt evolucionin dhe përshtatshmërinë. Nga gjithçka përshkruhet, Brukseli duket përfaqësimi plastic. Kryeqytet i një shteti pa komb, atdhe i surrealizmit të përjetuar dhe të bërë sistem, ku asgjë nuk duket se mund të funksionojë, e megjithatë funksionon, qyteti belg është i përkryer për të qenë kryeqyteti i një «burokracie pa shtet», sistem qeverisjeje sui generis që nuk duhet të ekzistojë, por megjithatë ekziston. Magritte, i lindur në rrethinat e Brukselit, do të kishte mundur ta pikturonte Pallatin Berlaymont, duke i vënë poshtë shënimin: «Ceci n’est pas un État».
(nga Limes)
Përgatiti
ARMIN TIRANA