16.5 C
Tirana
E martë, 26 Gusht, 2025

Pakti Rama-Vuçiç për Kosovën njësoj si Pakti Ribbentrop-Molotov për Poloninë!

Enver Bytyçi

Pakti midis ish-kryeministrit të Serbisë, Aleksandër Vuçiç dhe kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama, e lidhur para dy vjetëve në Nish për ndarjen e Kosovës është një marrëveshje për pushtimin e shtetit më të ri në botë, Kosovës, midis dy shteteve ballkanike në armiqësi historike me njëri-tjetrin e në miqësira të përtërira midis bijëve dhe etërve të 8 nëntorit 1941! Si e tillë kjo marrëveshje është e ngjashme me me Paktin Robbentrop-Molotov të 24 gushtit 1939. Po cilat janë ngjashmëritë?
Thelbi i të dy marrëveshjeve është një ndarje e re e territoreve. Pakti gjermano-sovjetik i njihte Bashkimit Sovjetik të drejtën që të rikthente në territorin e saj disa zona, të cilat me vendimet e Versajës iu shkëputën Moskës. Viktima e parë dhe kryesore do të ishte Polonia. Sipas paktit Ribbentrop-Molotov, kufiri ndarës i zonave të pushtimit midis Gjermanisë dhe Bashkimit Sovjetik do të shtrihej në brendësi të Polonisë përgjatë lumenjve Narev, Vaishzelund dhe San. Në marrëveshjen Rama-Vuçiq ndodh e njëjta gjë.
Vetëm se viktima e radhës nuk është më Polonia, është Kosova. Nëse marrëveshja e 1939-es revokon vendimet e Versajes, marrëveshja Rama-Vuçiq revokon vendimet e Grupit e vitit 2004 të Kontaktit për Kosovën, kur u vendos që Martti Ahtisaari në bisedimet për statusin e Kosovës të ruante disa kritere: Kriterin e ruajtjes së tërësisë territoriale të saj si dhe kriterin që Kosova të mos bashkohej me Shqipërinë e të kishte një status jo më pak se autonomia e vitit 1974.
Pakti Ribbentrop-Molotov u mbajt sekret. Po ashtu pakti Rama-Vuçiq eshte i njohur vetem per Hashim Thaçin dhe Baton Haxhiun! Fatmiresisht e zbuloi para pak ditesh kryeministri Haradinaj,dhe ia beri te njohur opinionit publik. Ndërkohë sipas marrëveshjes Rama-Vuçiq ky vendim i Grupit të Kontaktit zhvleftëson e bashkë me të zhvleftësohet dhe dokumenti ndërkombëtar i presidentit Ahtisaari për statusin e shtetit të pavarur të Kosovës.

Ndërkohë kufiri midis Shqipërisë dhe Serbisë vendoset në rrjedhën e lumit Ibër, duke devijuar në lindje të këtij lumi për ta shtënë në sferën e pushtimit serb Trepçen dhe rrethinat e saj.
Ndërsa Shqipëria do të pushtojë territoret që ajo parapëlqen më shumë, fushat e Dukagjinit dhe alpet e Kosovës. Një javë pas Paktit Ribbentrop-Molotov, më 1 shtator 1939, Gjermania sulomi Poloninë, datë e cila shënon edhe fillimin e Luftës së Dytë Botërore. Polonia u pushtua, ndërsa më 29 shtator 1939 u nënshkrua Pakti i mossulmimit midis Gjermanisë dhe Bashkimit Sovjetik. Edhe në rastin e marrëveshjes Rama-Vuçiq ushtria serbe do të hyjë në territorin e Kosovës vetëm një javë pas nënshkrimit të saj prej kolaboracionistit të Prishtinës Hashim Thaçi dhe skenaristit të ndarjes së Kosovës, Aleksandër Vuçiq.
Ndërsa Shqipëria do të bëjë sehir, derisa trupat ushtarake serbe të rehatohen e më pas do të nënshkruhet një marrëveshje e dytë midis dy liderëve, Rama e Vuçiq, duke predikuar njësoj si Hitleri e Milosheviçi, paqen ballkanike! Marrëveshja e dytë do të përcaktojë kufijtë midis Serbisë dhe Shqipërisë, shtete këto që do të realizojnë përfundimisht fshirjen nga harta politike të shtetit të Kosovës. Pushtimi serbo-shqiptar i Kosovës do të jetë epilogu i marrëveshjes së përbashkët Rama-Vuçiq.
Ndërsa agresioni serb kundër popujve të tjerë në Ballkan do të marrë dimensione të reja. Serbia do të vihet në rolin e Gjermanisë hitleriane, ndërkohë që Shqipëria do të luftojë për mbijetesën e vet, duke pësuar fatin e Bashkimit Sovjetik. Nëse bindemi se pakti Ribbentrop-Molotov ngjan me paktin Rama-Vuçiq, atëherë nuk do ta kemi të vështirë të kuptojmë edhe pasojat e këtij pakti midis Tiranës zyrtare dhe Beogradit.
Tiranë, më 30.11.2018

Pas publikimit të lajmit nga Berisha, reagon bashkëshortja e punëtorit që humbi krahun: Prokuroria s’na ka marrë në pyetje

Bashkëshortja e 48-vjeçarit Ali Gropa, punonjësi i Albpetrol i cili humbi krahun e tij në punë, në një intervistë për Fax News u shpreh se askush nuk nga prokuroria nuk është interesuar për këtë ngjarje.
Tefta Gropa, tregon e tronditur se bashkëshorti i saj ka prerë dorën komplet, ndërkohë që shton se kompania ka mbuluar shpenzimet e spitalit.
Po ashtu ajo rrëfen se gjendja e bashkëshortit të saj është shumë e rënduar psikologjikisht dhe nuk është në gjendje që të komunikojë.
“Dora i është prerë komplet, nuk kishte mundësi për ta rikthyer në gjendjen e mëparshme. Deri më sot nuk kam gjë kundër tyre. Kompania është interesuar, por dorën nuk ja kthen njeri. U aksidentua në punë, shokët e dërguan në spital me mjete rrethanore.
Fillimisht e çuan në spitalin e Vlorës dhe më pas në Tiranë. Shpenzimet i mbuloi kompania. Nuk jam në gjendje të flas sepse e kam mendjen tek halli që më ka rënë. Jam e tronditur nuk flas dot. Jo nuk ka ardhur asnjë prokuror apo polic. Ato të kompanisë janë të interesuar. Bashkëshorti nuk është në gjendje të komunikojë. Ai është keq. Atij i dalin lotët nga halli që i ra. Kam dy vajza dhe i kemi sytë nga ai, mbante familjen”, u shpreh Tefta Gropa.
Ndërkohë vajza e Ali Gropës shprehet se ngjarjen e ka marrë vesh nga i ati, dhe po sipas saj askush nga firma nuk është interesuar për to.
“Më mori babi në telefon dhe më thotë se e humba dorën, e preva. Jo nuk ka ardhur asnjë person nga firma”, shprehet e tronditur vajza tij.
Më herët sot, ish-kryeministri Sali Berisha, ka publikuar një denoncim të qytetarit digjital, i cili këtë herë zbulon një tjetër skandal i cili po mbahet i fshehur nga instancat shtetërore.
Në mesazhin e tij qytetari shkruan se një familjari i tij ka humbur krahun gjatë orarit të punës në kompaninë Albpetrol, por pavarësisht kësaj asnjë prokuror dhe asnjë polici nuk e ka hetuar si ngjarje.
Sipas denoncuesit edhe mjekët e spitalit të traumës nuk e kanë cilësuar si aksident në punë në kartelën e të plagosurit.

Pas baxhanakut, arrestohet edhe kushëriri i deputetit të Ramës

Doganieri i arrestuar sot në Kapshticë për “Shpërdorim detyre” është kushëri i deputetit të PS-së, Ilir Xhakolli.
Ai u prangos pasi lejoi kalimin e 4 mjeteve me mall të dyshuar kontrabandë, pa ushtruar kontrollin përkatës. Lulzim Kodra, 59 vjeç, banues në Sovjan Maliq, është djali i tezes së deputetit të PS në Pogradec, Ilir Xhakolli.
Gjithashtu janë arrestuar edhe 3 shtetas të tjerë si dhe 1 shpallet në kërkim, për veprën penale “Kontrabanda me mallra të tjera”, shtetasit me inicialet: R. Sh., 29 vjeç, K. M 23 vjeç, P. V, 45 vjeç, si edhe u shpall në kërkim shtetasi G. M., 29 vjeç, banues në Bilisht Devoll.
Shtetasit e mësipërm, janë kapur në Bilisht, me mjetet e tyre respektive në të cilat iu gjetën të ngarkuara mallra të dyshuara kontrabandë (fruta të thata) të cilat kanë kaluar nga Pika e Kalimit Kufitar të Kapshticës ku shtetasi L. K., dyshohet të ketë shpërdoruar detyrën duke mos zbatuar procedurat e kontrollit të këtyre mjeteve.
Materialet për hetime të mëtejshme i kaluan Prokurorisë të Rrethit Gjyqësor Korçë për veprat penale bazuar në nenet 248 e 174 të Kodit Penal.
Ndërkohë rreth dy javë më parë, pasi policia sekuestroi 2100 goma në Doganën e Qafë Thanës, midis 9 personave të arrestuar, ishin edhe 5 doganierë, njeri prej të cilëve, Stefan Hila 50 vjeç, është baxhanaku po i deputetit të PS-së, Ilir Xhagolli.

Zbulohet polici tjetër i ‘maskuar’ si protestues i Unazës së Re që mori pjesë në takimin me Veliajn

Një natë më parë deputetja e Partisë Demokratike Albana Vokshi zbuloi identitetin e dy prej efektivëve të Policisë Bashkiake, i cili u paraqit si protestues në takimin e Veliajt me banorët e Unazës së Re, sot Nisma #thurje ka publikuar identitetin e një tjetër efektivi.
Teksa publikon dy fotot të tij, një si protestues e një si polic bashkiak, “Nisma #Thurje” shkruan:
“Ky është Koli. Te foto lart luan rolin e banorit të shqetësuar të Unazës së Re kurse te foto poshtë pret radhën për t’i dhënë dorën shefit gjatë takimit në policinë bashkiake ku edhe merr rrogën.
Kolin me taksat tona e paguajmë dy herë. Një herë si polic bashkiak dhe pastaj si aktor në filmat që xhiron €rioni për të mashtruar qytetarët që e kanë votuar.
Neveri!”
Kujtojmë se disa ditë më parë, Veliaj mbajti një takim me disa banorë të Unazës së Re, por që PD dhe protestuesit thanë se ai ishte mashtrim, pasi asnjë prej tyre nuk ka qenë në takim dhe ata nuk janë prej banorëve, por është një tentativë për të përçarë banorët dhe manipuluar të vërtetën.

Tenori i njohur: Mirela Kumbaro vetëm sa shtyn ditët e saj, do të përballet me drejtësinë për shkeljet ligjore

Problemet në jetën artistike për artistët po tregojnë që Ministria e Kulturës deri tani më politikat që ka ndjekur nuk ka ndryshuar qëndrim në favor të tyre. Në reagimet e tyre ata herë pas here pohojnë se problemet ligjore nuk kanë gjetur ende zgjidhje. Kryetari i Sindikatës së Artistëve të TKOBAP, tenori Rudi Sata tregon në këtë intervistë se dhe takimi i fundit që u zhvillua në Ministrinë e Kulturës ishte pa rezultat. Sipas tij përgjegjësia bie mbi Ministrinë e Kulturës. Të gjendur në këtë situata ku ata herë pas here i janë drejtuar ministres së Kulturës për problemet me institucionet, kodin e punës, shpërblimin artistik, statusin e artistit, rritje të pagave, etj, tenori Sata shprehet se nuk është treguar vëmendje. Tenori tregon se nuk shpresojnë as në strategjinë e 2019 që ka pohuar Ministria e Kulturës dhe shton se në pesë vite nuk u bë asgjë.

-Ju jeni shprehur herë pas here për problemet në jetën artistike dhe ato ligjore për komunitetin artistik prej vitesh. U zhvillua edhe një takim në Ministri të Kulturës, por ju pohuat pa rezultat. Çfarë ka ndodhur?
Takimi i fundit për problemet tona ka qenë në Ministrinë e Kulturës pas një sërë kërkesash si sindikatë për dialog, uljen në tryezë të rrumbullakët, për të vendosur dhe gjetur alternativat më të mira si për institucionin ashtu dhe për artistët. Pranuan që ne të takoheshim dhe takimi u bë me zëvendësministren e Kulturës. Pas atij takimi, unë e deklarova që ishte një takim i dështuar. Jo se ne nuk e prisnim këtë, por thjesht e bënë formale për të thënë që ju kërkuat takim dhe ne po ju dëgjojmë, por ishte kot. Projektligji që ata kanë hedhur është po i njëjti avaz, glorifikimi i pushtetit absolut të titullarëve në institucione. Nuk përmbush asnjë standard dhe kriter të BE. E kam thënë me forcë që kushti për t’u ulur në tryezën e rrumbullakët dhe bërë reformë është vetëm hartimi dhe marrja e modeleve evropiane, por ata nuk duan.

-Sipas jush pse nuk duan?
Nga gjithë ajo strategji që unë kam bërë doli lakuriqësia e kësaj qeverie, që këta përveçse janë të paaftë për të bërë reforma janë hipokritë dhe të ligj. Mund të mos jesh i ditur dhe i paaftë për të bërë reforma, por kur të ofrohet një ligj i gatshëm mere bëje, një ligj që plotëson standartet evropiane, që unë ia kam bërë me dije. Kam folur në media, ia kam dërguar titullares së TOB me e-mail dhe normal duke qenë hierarki me ministrinë janë në dijeni. Këta nuk duan. Kemi një qeveri diktatoriale, që ka instaluar një sistem dhunues, dhe nuk duan modelet europiane, sepse nëse këto implementohen nuk janë më padronë. Ne kërkuam ligj të ri sipas modelit europian, statusin e artistit, kërkuam në atë takim në ministri rrëzimin e rregullores së brendshme të institucionit, kërkuam ndarje pushtetesh dhe autonomi institucionale, por ata nuk i duan. Kërkuam që të vendoset një datë kur fillon sezoni dhe mbaron, e shkruar në rregullore dhe kontratë. Kërkuam të trajtohen ditët e punës, dhe këtë kemi vite që e kërkojmë dhe është një tjetër shkelje. Nuk mundet një rregullore e brendshme të prevalojë mbi dispozitat ligjore. Ne i kemi bërë kërkesë dhe titullares së institucionit tonë të ulemi në tryezë për të diskutuar për problemet. Madje ne kemi thënë herë pas here, që bordi artistik të jetë me përfaqësues të barabartë nga institucioni dhe komuniteti artistik, nëse përshembull janë tetë anëtarë, 4 nga institucioni dhe 4 nga komuniteti artistik. Në Ministri të Kulturës nuk dinë se çfarë bëjnë, njëri i bie gozhdës dhe tjetri patkoit.

-Pse?
Kam respekt për sekretarin e përgjithshëm të Ministrisë së Kulturës, Oltjon Muzaka. Ai si sekretar e ka bërë punën e tij si jurist, ka thënë të zbatohet kontrata kolektive e punës, por këta se bënë. Unë do ti bëj thirrje të drejtpërdrejtë sekretarit të përgjithshëm të ministrisë, që ai ose duhet të lërë atë vend të punës nëse këta se dëgjojnë, ose të bashkohet me artistët. Ai ka çuar një shkresë ligjore, që thotë të zbatohet kontrata kolektive, por ne na u zbatua kontrata individuale sërish. I bëj thirrje sekretarit të përgjithshëm të ministrisë të verifikojë kontratat individuale që janë bërë për artistët. Ne kemi firmosur kontrata dhe artistët nuk kanë asnjë kopje në xhep. Kur unë firmos kontratën duhet ta kem në xhep, të ketë numrin e protokollit dhe firmën e titullarit të institucionit. Sekretari i ka çuar një direktivë institucioneve dhe ata se kanë dëgjuar. Por kontrata e re është bërë pa dijeninë e sindikatës dhe janë shtuar nene, por që janë në interesin e tyre.

-Ju jeni kryetar i Sindikatës së Artistëve të TKOBAP dhe keni kohë që pohoni problemet me ligjin e artit, çfarë do të bëni në vijim?
Do të përgatisim një pyetësor për artistët dhe do t’ia shpërndajmë atyre, me pyetjet si a duan status të artistit, rregullore sipas standarteve europiane, doni të drejta të barabarta me homologët e Europës, etj, dhe nëse janë dakord unë do të bëj një konferencë për shtyp bashkë me artistët. Dhe në rast se ministria nuk ulet në tryezë me ne për të firmosur aktmarrëveshjen, që deri tani nuk kanë pranuar, atëherë unë do ta ndjek penalisht institucionin, ministren e Kulturës në Gjykatën Administrative për shkelje të kodit të punës. Deri më sot procedurat ligjore që kanë bërë janë në shkelje ligjore të të drejtave të punëmarrësit dhe të dispozitës ligjore, që është kodi i punës. Unë do ta kap çështjen në themel në Gjykatën Administrative si sindikatë. Ne jemi duke punuar për këtë ide, që do ta çojmë në gjykatë. Unë këtë ide do t’ia hedh bordit të sindikatës së pavarur të artistëve dhe do të marrim një vendim kolegjial, por që për mua këto institucione që nesër duhet të shkojnë para drejtësisë.

-Sa ju kanë përkrahur deri komuniteti artistik?
Sa kohë kjo bazë ligjore është bërë në interes të punëdhënësit, punëmarrësi është pengu i punëdhënësit. Dhe normalisht që punëmarrësi nuk mund të ketë këllqe të përballet me punëdhënësin, por kjo jo se ndikon 100 përqind të një artist, sepse të dalësh dhe të thuash duam status të artistit nuk të pushon njeri nga puna, të dalësh të thuash që dua rritje të pagës nuk të pushon njeri nga puna, të kërkosh standarte europiane nuk të pushon njeri nga puna. Por këto teori që nuk del artisti të flasë se e pushojnë nga puna justifikojnë atë që është i paburrëruar. Pikërisht pse artistët janë në kushtet që lë për të dëshiruar dhe me probleme jeta artistike dhe ligjore duhet të reagojnë, që kjo situatë të ndryshojë.

-Buxhetet e pakta si ndikojnë në jetën artistike?
Unë kam thënë ishalla nuk shtohet buxheti sepse vidhet, këtë e kam thënë dhe në parlament. Me këto ligje dhe kanibalizëm ligjor që kemi ne, buxheti shtohet për t’u abuzuar. Unë e kam thënë dhe më parë, neni 7, neni 10 dhe 11 janë më të tmerrshmet në ligjin 10352, që tregon hapur që këtu ka abuzime. Ministrja e Kulturës të na rrojë sa malet, e kam thënë dhe vijoj është Kumbaro ministrja më e dështuar. Arrogante dhe e paaftë. Ministrja Kumbaro bën atë që i thotë mentori i saj. Me këto që ka bërë në Ministri të Kulturës atë e shemb vetëm forca e artistit, që të dalë atje para dhe ti bllokojë zyrën. Unë jam i gatshëm ta bëj këtë. Komuniteti artistik të shkojë para Ministrisë së Kulturës dhe të thotë duam të drejta të barabarta, duam status të artistit, duam rritje të pagave, etj. A keni parë ndonjë protestë të artistëve?

-Po artistët kanë zhvilluar protestë lidhur me teatrin…
Çfarë bënë? Nuk erdhën të gjithë ata që janë me të drejtë rroge, një pjesë, dhe të tjerët që janë jashtë institucioneve.

-Shpërblimi artistik një tjetër kërkesë që duhet nuk ka gjetur zgjidhje?
Paradoksi është, që ligji e përmban shpërblimin artistik për figurën artistike, por nuk jepet. Unë pyes kur do jepet? Tjetër problem nuk kemi dieta për artistët. Pse i çojnë artistët në rrethe kur nuk jepen dieta? Kjo është shkelje ligjore.

-Kjo bëhet për të shkuar pranë publikut me shfaqje dhe në zona të tjera larg Tiranës…
Po shumë mirë që bëhet, por shteti është shtet dhe ka rregulla. Kanë miliona euro për 1 km rrugë dhe nuk kanë për 1 mijë lekë të reja në ditë dietë për një artist. Ministrja shtyn ditët e saj, ajo që ka thënë do ta bëjmë në 2019 strategjinë e madhe, por them: O pika strategjisë së saj. Unë se kuptoj, ajo dhe një ditë para fundit të mandatit të dytë po këtë do të thotë, më lini dhe një mandat se do ta bëj strategjinë. Por 5 vjet deri tani çfarë bëri si ministre? Çfarë politikash bëri në art dhe kulturë për të pasur zhvillim? Ministrja e Kulturës as më shumë dhe as më pak bën direktivat. Edhe TOB e bënë për punë të tyre, sepse shtohen paratë atje ndërtohet. Por kur ti nuk ke njeriun, sepse e kë të dhunuar, është bërë lëpirës, ka frikë, çfarë na duhet një institucion i bukur kur artisti nuk ka dinjitet? Unë jam i bindur që artistët do të dalin në protestë nëse vazhdon kjo situatë. Ose do ta dalin të protestojnë për rrogën, statusin, buxhetin, ligjet sipas BE, dhe nëse se bëjnë këtë dhe justifikohen që ne kemi frikë, unë do ti pyes po në Kosovë a kishin frikë? Jo vetëm qeveria mëkatare, por dhe ne si shoqëri kemi përgjegjësi, që duhet të marri rol dhe të kuptojë që ka shumë rëndësi dhe peshë në jetën aktive të kombit. Më keq akoma kam marr vesh nga burime jozyrtare që në 2019 mund të ndërhyjnë në strukturë. Ne kërkojmë ndryshime në ligj dhe statusin, por jo në strukturë sepse nëse i teket të thonë nga 100 veta që është trupa të rrinë 80. Pse po i bëjnë këto kontratat 1, apo 1 vit e gjysmë? Nisma ime është të mbrojtje të të drejtave dhe dinjitetin tonë. Ministres Kumbaro i them reflektim sa nuk është vonë.
Intervistoi: Julia Vrapi

Paralajmërimi: Shqipëria në prag të luftës civile!

Deputetja e LSI, Nora Malaj ka qenë shumë e ashpër sonte, ndërsa ka akuzuar qeverinë se po e çon vendin drejt një lufte civile, me ndarjen e banorëve në veri e jug, në “të ardhur” dhe “autoktonë”.
Denoncimin e saj, deputetja e bëri në një intervistë për Syri News.
Sipas Malajt, qeveria sillet me indiferentizëm ndaj banorëve të Unazës së re, e cila nuk i konsideron ata.
Për Nora Malajn, banorët trajtohen si kavie nga qeveria, ndërsa numëron katër vatrat e zjarrit të hapur nga qeveria…
“Pjesa më e keqe e pjesës qeverisëse, është të konsideruarit sikur ata banorë nuk ekzistojnë.
Qeveria nuk mund të jetë indiferente dhe inaktive. Ajo nuk ka bërë transparencën financiare të këtij projekti.
Askush nuk është kundër këtij projekti. Qeveria i trajton banorët si kaivie, shembulli më i mirë është ai drejtorit të Ujësjellësit të Sarandës që ju hoqi ujin banorëve për disa ditë, për ti vënë në provë.
Qeveria ka hapur katër vatra zjarri: minatorët që i ka përditë para kryeministrisë; protesta e taksës së Rrugës së Kombit; protesta e Teatrit Kombëtar; protesta e Unazës së Re.
Qeveria është e paditur, e paqartë dhe e kapur nga krimi. I trajton dhe i ndan banorët si ‘të ardhur’ dhe ‘autoktonë’. Me këtë ndarje, Shqipëria është në prag të luftës civile”, u shpreh Nora Malaj.

Zbardhet skandali/ ‘Biba X’, përfituesja e 18 milionë eurove nga Unaza e Re, nën sekuestro nga Përmbarimi

Partia Demokratike ka denoncuar një tjetër fakt skandaloz lidhur me projektin e Unazës së: ‘Kompania Biba X, përfituese e 18 milionë eurove nga Projekti i Unazës së Re është vënë sërish nën sekuestro nga Përmbarimi”, deklaroi sot zëdhënësja e PD, Ina Zhupa. 
“Edi Rama e ka thelluar edhe më shumë paligjshmërinë me Unazën e Re, kur ka vendosur të nisë shembjen e disa godinave tek rrethrrotullimi i Shqiponjës, duke përdorur një kompani që është nën sekuestro nga përmbarimi, tha Zhupa. Historia e sekuestros për kompaninë Biba X, që ka marrë tenderin korruptiv të Unazës së Re, bashkë me një kompani fantazëm, pa pronarë të identifikuar, është përsëritur.
Për ironi, kompania që, bashkë me Inspektoriatin e Ndërtimit, shemb godina tek sheshi “Shqiponja”, është nën sekuestro nga vetë IKMT-ja.
Dokumenti që po publikojmë sot mban datën 14 Nëntor dhe tregon se Përmbarimi ka vendosur në sekuestro me ekzekutim të detyrueshëm të gjitha asetet e kompanisë Biba X; konkretisht në kuotat ligjore të kompanisë, pasuritë e luajtshme dhe të paluajtshme, kantiere aktive të ndërtimit, llogari bankare etj.

Situata është sa absurde, aq edhe jo ligjore. Një kompani që ka çdo pasuri nën sekuestro dhe pasuritë e saj mund të dalin në ankand, nuk mund të kryejë punë publike. Në vend që të përfitojë 18 milionë euro nga buxheti I shtetit, kompania e paracaktuar nga Edi Rama për aferën korruptive të Unazës së Re, duhet të paguajë detyrimet që i ka shtetit, në këtë rast Inspektoriatit të Ndërtimit, me të cilin po prish godinat.
Kompania Biba X ishte nën sekuestro edhe në kohën e pjesëmarrjes në tenderin korruptiv dhe të paracaktuar për ndërtimin e 2.2 kilometrave të Unazës së Re.
Partia Demokratike ka sjellë fakte se i gjithë Projekti i Unazës së Re është i paligjshëm, korruptiv dhe në shkelje të plotë të vendimit të qeverisë për projektimin dhe ndërtimin e rrugëve.
Projekti 40 milionë euro është tenderuar pa studim fizibiliteti, pa vlerësim të ndikimit në mjedis, pa analizë kostoje/përfitimi, pa vlerësim shpronësimesh.
Partia Demokratike i kërkon prokurorisë të dëgjojë zërin e banorëve dhe të marrë menjëherë në shqyrtim kallëzimin e tyre penal. Çdo zyrtar i përfshirë në këtë aferë gjigande korruptive duhet të përgjigjet para ligjit!”

Deklarata e fortë e deputetes: “Mos kini më durim dhe as mëshirë për Edi Ramën, simbolin e shkatërrimit”!

Në protestën e sotme të banorëve të Unazës së Re, në mbështetje të tyre kanë qenë edhe deputetët të opozitës. Një nga ato ishte edhe deputetja e LSI, Kejdi Mehmetaj, e cila nga protesta në Unazën e Re, u shpreh se, Edi Rama është simboli i shkatërrimit dhe i dhunës.
Ajo ftoi gjithë banorët e zonës të mbështesin protestën, duke paralajmëruar, se pas këtyre banorëve e kanë radhën të tjerë banorë e të tjera shtëpi për t’u prishur, nën pretekstin e ‘zgjatimit të rrugës”.
Prononcimi i deputetes së LSI, Kejdi Mehmetaj nga protesta në Unazën e Re
Siç e shikoni banorët janë sot më të shqetësuar se kurrë. Siç e shikoni janë të rrethuar gjithandej me oficerë të policisë. Marrin në mënyrë të vazhdueshme sinjale, presione, nga institucionet shtetërore, nga Bashkia e Tiranës duke u trembur se natën mund t’i lënë pa drita, natën mund ti nxjerrin nga shtëpitë, natën mund ti lënë pa ujë dhe janë gjithë kohës në vigjilencë sepse çatia e shtëpive të tyre, mund të prishet edhe kur janë në gjumë. Ky është moment që duhet të reagojmë dhe banorët e kësaj zone mos ti lëmë vetëm.
Asnjë banori të Shqipërisë dhe në asnjë vend të botës nuk mund t’i mohohet e drejta e tij themelore për të pasur çati mbi kokë. Dhe këtë po e bën Edi Rama për të përfituar milionat e eurove nga rruga korruptive që po tenton të bëjë këtu në Unazën e Re.

Janë me përllogaritje mbi 20 milion euro që mendohet që janë nga taksat tona, nga taksat e shqiptarëve, fundi i të cilëve nuk dihet se ku do të shkojë dhe për këtë aferë të tmerrshme korruptive, Edi Rama është i gatshëm që shpirtin e tij t’ia shesë djallit dhe qytetarët e këtij vendi i nxjerr në rrugë në këtë të ftohtë, në prag të Vitit të Ri. Në vend që të festonin me familjet e tyre, përkundrazi do të ngelen rrugëve dhe nuk janë vetëm banorët e Unazës së Re. Sot fadromat po vihen përballë shtëpive të tyre, ndërkohë që është duke shkuar përballë banorëve që ndodhen në zgjatimin e Bulevardit të ri, por më besoni do të jetë pastaj edhe në banorët e tjerë të zgjatimit të kësaj rruge dhe përballë shtëpive të banorëve të gjithë Shqipërisë.
Mos e lejoni më këtë njeri, mos kini më mëshirë për këtë njeri, mos kini më durim dhe as mëshirë për Edi Ramën që është kthyer tashmë në simbol të shkatërrimit dhe të dhunës, por ti bashkohen të gjithë qytetarët shqiptarë kësaj proteste, sepse protesta për banorët e Unazës së Re, është protestë për familjet tona, për shtëpitë tona dhe për të drejtat tona themelore.

Basha me protestuesit tek Unaza e Re publikon tre fakte tronditëse të korrupsionit galopant

Kreu i opozitës, Lulzim Basha i është ribashkuar sot banorëve të Unazës së Re që janë duke protestuar kundër shkatërrimit të banesave të tyre nga Rama e Veliaj, pa asnjë lloj dëmshpërblimi.
Duke folur për gazetarët e pranishëm, Basha ka bërë publike edhe fakte të reja në lidhje me korrupsionin në këtë projekt korruptiv.
‘Tre fakte kanë dalë këtu;
Korrupsion me prokurorim,
Korrupsion me hartimin e projektit,
Korrupsion me pronat e qytetarëve.
Ditë pas dite, si media edhe opozita kanë zbardhur fakte tronditëse për mënyrën se si janë përfshirë këto kompani.
Këtu po vidhet me një dorë miliona euro, 20-30 milionë euro po vidhen këtu.
Janë paratë e shqiptarëve që po vidhen, nuk janë paratë e këtyre qytetarëve që po protestojnë këtu.
Këta banorë po nxirren nga shtëpitë e tyre, përpara festave.
U bënë 4 javë që këta qytetarë protestojnë, ne nuk i braktisim, ata janë të braktisur nga qeveria.
Ky projekt nuk është për zhvillimin e Tiranës, por për mbushjen e xhepave të agati të Surrelit’, tha kreu i PD gjatë fjalës së tij.

LIVE – Në mbështetje të banorëve që protestojnë për të mbrojtur shtëpitë e tyre nga projekti korruptiv i qeverisë.

Gepostet von Lulzim Basha am Freitag, 30. November 2018

80 të zhdukur vetëm në Vlorë, asnjë reagim nga policia, shteti në duart e mafias

Deputeti i Partisë Demokratike, Ervin Salianji ka akuzuar kryeministrin Edi Rama dhe qeverinë për rritjen e krimit në Shqipëri.
Në një deklaratë për mediat, Salianji tha se, rezultojnë deri tani 80 qytetarë të zhdukur në Vlorë, ndërkohë që shteti nuk ka bërë asnjë reagim.
Duke ju referuar statistikave, Salianji theksoi se kjo është alarmante dhe situata në vend duhet ndryshuar menjëherë. Më tej Salianji tha se vetëm përmes vettingut në politikë o të largohen kriminelët.
Deklarata e plotë
5 vjet më parë, kur shumica e njerëzve e kishin të pamundur ta besonin, ndërsa pakica bënte si e habitur, Partia Demokratike nisi denoncimet e kanabizimit të Shqipërisë si projekt politik i Edi Ramës për të bashkëqeverisur me krimin.
Që atëherë, paralajmëruam se kultivimi dhe trafikimi i drogës me mbështetje të fortë politike nga Ministri i Brendshëm dhe Kryeministri, përveç të tjerave, do të kishte pasoja të rënda për sigurinë dhe jetën e qytetarëve.
Fatkeqësisht, çdo denoncim i Partisë Demokratike është provuar si i vërtetë. Kanabisi shitet nëpër shkolla si të ishte çaj mali, për pazare të prishura droge, bandat janë vrarë me njëra-tjetrën, kanë ekzekutuar rivalët në mes të qytetit, kanë zhdukur kundërshtarët në mes të ditës.
Dy muaj më parë, Kretari i Partisë Demokratike, denoncoi nga Vlora rrëmbimin dhe zhdukjen e dhjetëra personave, të dyshuar si të ekzekutuar në heshtje nga mafia e drogës në zonën elektorale të kryeministrit të vendit.
Çfarë bëri Edi Rama?
Përqeshi opozitën dhe mbuloi realitetin e tmerrshëm që sundon në Vlorë: Njerëzit rrëmbehen dhe zhduken pa lënë gjurmë, ndërsa policia nuk bën asnjë përpjekje për të hetuar aktet mafioze.

Por tani e vërteta nuk mund të mbulohet më! Emisioni Top Story zbuloi shifrat dhe dëshmitë tronditëse për të zhdukurit e trafikut të drogës në Vlorë. Prokuroria pohoi zyrtarisht numrin 80 të të zhdukurve në 3 vjet. 80 të zhdukur është vetëm numri i denoncimeve që familjarët kanë bërë në polici për të afërmit e tyre.
Dëshmitë e familjarëve për emisionin Top Story, faktojnë përfshirjen e policisë jo vetëm në lehtësimin e trafikut, por dhe në dekonspirimin dhe kërcënimin e familjarëve të të zhdukurve.
Kjo është kambana e alarmit të një shteti që përfundimisht ka rënë në duart e krimit.
“Sa herë shkoja në polici për të denoncuar zhdukjen e djalit, më merrnin në celular dhe më thoshin, pse ke shkuar në polici? –dëshmon babai i kërcënuar i Mario Metushit, zhdukur në 16 qershor 2017, duke lënë të kuptohet se policia lajmëronte bandat për veprimet e tij.
Përfshirja e policisë i ka bërë mijëra të rinj të besojnë se yrakjo është rruga e duhur për tu pasuruar në mënyrë të shpejtë më ndihmën e shtetit dhe i ka kthyer në pre të bandave kriminale.
Dëshmia e Vëllait të Leonard Mehmetit, një tjetër i zhdukur, dëshmon që Leonardi kishte miqësi me Jaeld Çelën ish drejtor i policisë Vlorë dhe Ervin Dalipaj, asokohe drejtues policie nën Tahirin.
Sot njëri është në kërkim, tjetri i ekzekutuar në Sukth.
Qamil Maze u gjet i mbytur dhe me tutje nje gomone me 1.2 ton kanabis.
Ardian Likaj babai i tre fëmijëve, u gjet i dekompozuar, ndërsa u denoncua si i zhdukur nga bashkëshortja. Tre muaj më pas prokuroria dhe policia e shpallën të mbytur pavarësisht dëshmive të familjarëve.

Vrasje me çekiç, rrëmbime, ekzekutime në mes të qytetit, shpërthime me tritol, qytete në kontroll të bandave. Njerëz që kanë frikë të dalin nga banesa dhe rrinë të ngujuar.
Qindra familje te tjera me fëmijët në rrezik të përditshëm.
Ajo çka i bashkon këto dëshmi është një tjetër fakt i rëndë; familjarët i bëjnë të gjithë denoncimet në Policinë e Fierit, sepse deklarojnë se jo vetëm nuk kanë besim por kanë frikë të shkojnë në Policinë e Vlorës.
Dëshmitë e familjareve tregojnë se të afërmit e tyre ishin të përfshirë në trafik droge, por lidhja e bandave me drejtuesit e lartë të policisë ka ndaluar hetimet.
Ky është realiteti i botës së errët kriminale me policinë bashkëpunëtore në fshehje vrasje dhe krim pikërisht në zonën elektorale të KM Rama.
Kjo është situata në shumicën e qyteteve të Shqipërisë, ku krimi ka marrë revansh ndaj shtetit, sepse bashkëpunëtor kryesor ka kryeministrin e vendit Edi Rama.
Vendi është në emergjencë kombëtare, prandaj është jetik ndarja e politikës nga krimi nëpërmjet vetingut të politikanëve, duke nisur që nga kreu i qeverisë.
Partia Demokratike garanton qytetarët se ne do t’i shtypim me forcën e ligjit bandat dhe kriminelet! Ne do të kthejmë rendin dhe sigurinë! Do të bëjmë gjithçka për rihapjen e hetimeve për zhdukjen e 80 personave për të vënë në vend drejtësinë e munguar!
Partia Demokratike ka vullnetin për të çuar para drejtësisë çdo zyrtar që ka shërbyer si garant apo bashkëpunëtor i krimit, qoftë ai Kryeministër, ministër, drejtor policie apo polic i thjeshtë.