22.5 C
Tirana
E martë, 26 Gusht, 2025

Defekti serioz, avioni që transportonte kancelaren Merkel kryen ulje të detyruar

Pas një orë fluturimi në drejtim të Argjentinës për të marrë pjesë në punimet e samitit të G20-s, avioni qeveritar A340 “Konrad Adenauer” me kancelaren, Angela Merkel u desh të ndalej të enjten në mbrëmje (30.11) në aeroportin e Kölnit. Sipas informacioneve të mediave ka pasur një kolaps të plotë të sistemit të komunikacionit, që konsiderohet si “emergjencë e rrezikshme”. Prandaj pilotët kishin vendosur të ndërprisnin menjëherë fluturimin. “Der Spiegel” shkruan, se vetëm përmes telefonit satelitor ishte mundësuar që ekuipazhi në bord të komunikonte me qendrën drejtuese për të kryer zbritjen në aeroportin e Kölnit.
Situata ka qenë kaq kritike, saqë për vështirësitë në fluturim është njoftuar menjëherë edhe ministrja e Mbrojtjes, Ursula von der Leyen. Edhe dpa raporton se ishtë shkëputur tërësisht lidhja e nevojshme që duhet për komunikimin elektronik.
Kancelarja gjermane po ashtu konfirmoi se ka pasur “një defekt serioz”. Por ajo u shpreh të premten në mëngjes me fjalë shumë të mira për kapitenin dhe ekipin e tij. “Kam pasur një ekip shumë shumë të shkëlqyer”. Komandon e ka pasur “kapiteni më me përvojë”.
Tani dihet që delegacioni gjerman, ku merr pjesë edhe ministri i Financave, Olaf Scholz nuk do të jetë në kohën e duhur në hapjen e samitit të G20-s në Argjentinë. Zëdhënësi i qeverisë gjermane, Steffen Seibert u shpreh, se një fluturim i mëtejshëm i drejtpërdrejtë me një avion tjetër nuk është i mundur, fluturimi do të kryhet deri në Madrid me avion zyrtar, pastaj me linja deri në Buenos Aires. Kancelarja do të përpiqet të jetë prezente në programin e mbrëmjes së krerëve të shteteve dhe qeverive të G20-s.

Në Kinë po lindin foshnje me gjene të redaktuara

Shkencëtari kinez, i cili pretendon të jetë i pari në botë që ka redaktuar kodin gjenetik të një çifti fëmijësh binjakë të lindur kohët e fundit, për t’i bërë ato rezistente ndaj virusit HIV, ka mbrojtur punën e tij dhe thotë se do të bëjë të njëjtën gjë për një shtatzani tjetër të mundshme.
Por siguria që ai ka dhënë që eksperimenti do të analizohet nga një revistë shkencore, nuk i ka zbutur shqetësimet në rritje. Studimi i He Jiankuit, që u bë publik befasisht pak përpara një takimi ndërkombëtar mbi ndryshimin e gjeneve në Hong Kong, ka nxitur një sërë pyetjesh në lidhje me sigurinë dhe etikën e eksperimentit, si dhe financimin e tij.
Një grup prej më shumë se 120 shkencëtarësh kinezë, të cilët ngritën zërin kundër tij gjatë javës, është rritur. Në një deklaratë të lëshuar të enjten, e cila tani është nënshkruar nga më shumë se 300 shkencëtarë si në Kinë dhe jashtë saj, kërkohen përgjigje ndaj 10 pyetjeve kyçe, duke përfshirë atë që është çështja vërtetë e eksperimentit? Nga vijnë financimet dhe kush do të garantojë të drejtat e dy vajzave – të njohura si Lulu dhe Nana – për t’u kujdesur?
“Ne jo vetëm që duhet të pyesim a ishte eksperimenti i realizuar me të vërtetë për të ndihmuar çiftet e përfshira? Apo thjesht u përdorën si minj laboratori për të përmbushur ambicien personale të He Jiankuit, ose interesat potencialisht të mëdha të këtij lloj biznesi?”, shtron pyetje deklarata.
Gjatë një sesioni të pyetje-përgjigje në Hong Kong të mërkurën në takimin e Dytë Ndërkombëtar mbi Redaktimin e Gjenomit Njerëzor, He Jiankui tha se interesat e familjeve dhe foshnjave ishin shqetësimi i tij kryesor. Ai tha gjithashtu se kërkimi ishte kryesisht i vetëfinancuar, një kërkesë që shkencëtarët e tjerë kinezë e gjejnë të vështirë ta besojnë.

“Të gjithë shpenzimet e kujdesit mjekësor të pacientëve u paguan nga unë dhe një sasi e vogël e kostos së sekuencave të gjeneve u mbulua nga personeli në Universitetin Jugor për Shkencë dhe Teknologji”, tha ai.
Ky Universitet tha se zoti He është larguar nga posti i tij që prej muajit shkurt.
Në deklaratën e tyre, shkencëtarët vlerësuan se një eksperiment i tillë me kostot e stafit dhe të fekondimit në epruvetë, si dhe eksperimentet paraprake me majmunë, duhet të kenë kushtuar miliona dollarë.
Shkencëtarët shprehën gjithashtu shqetësimin se ky kërkim nuk do të vendoste vetëm një përparësi të rrezikshme, por është kundër ligjit kinez dhe një konsensusi ndërkombëtar lidhur me redaktimin e gjeneve.
“Ne kërkojmë që këto pyetje të marrin një hetim të shpejtë, rigoroz gjithëpërfshirës dhe me përgjigje”, thuhet në deklaratë. “Nëse kalon pa ndëshkim, ky rast do të dërgojë mesazhin e gabuar se kushdo me ambicie dhe fonde, ashtu si zoti He, mund të kryejë eksperimente të tilla të errëta”.
Pjesëmarrësit në Takimin mbi Redaktimin e Gjeneve Njerëzore në Hong Kong lëshuan një deklaratë të fortë të enjten, duke e quajtur eksperimentin e kolegut të tyre, “thellësisht shqetësues” dhe “të papërgjegjshëm”.
Komisioni organizues i takimit tha: “Edhe nëse modifikimet janë verifikuar, procedura ishte e papërgjegjshme dhe nuk pajtohet me normat ndërkombëtare”.
Në komentet të mërkurën, biologu David Baltimore, fitues i çmimit Nobel gjithashtu ndau shqetësimin e tij. Zoti Baltimore është kryetari i konferencës.
“Mendoj se eksperimenti i zotit He nuk ka qenë një proces transparent, ne e zbuluam këtë vetëm pasi ndodhi dhe pas lindjes së fëmijëve,” tha ai, duke folur përpara sesionit të pyetje-përgjigjeve për zoti He. “Unë mendoj se ka pasur një dështim të kontrollit dhe disiplinës nga ana e komunitetit shkencor për shkak të mungesës së transparencës”.

Pyetja e madhe që vjen më pas është se si autoritetet kineze do të merren me këtë incident dhe me zotit He. Komisioni Kombëtar Shëndetësor i Kinës dhe Ministria e Shkencës dhe e Teknologjisë e kanë bërë të qartë se dënimi do të jetë në përputhje me ligjin.
Avokatët në Kinë, megjithatë, kanë filluar të vënë në dukje mangësitë ligjore që ekzistojnë dhe mund të pengojnë përpjekjet për të ndërmarrë veprime ligjore. Në një blog në internet, avokati me bazë në Guangzhou, Zhou Xiaoyun vuri në dukje se ndërsa ka rregulla administrative për modifikimet e gjeneve, klauzola të tilla nuk mund të gjendeshin në ligjin penal.
Avokati Zhou sugjeron se në këtë rast, një hetim në nivel kombëtar duhet të ndërmerret për të gjithë ata që janë përfshirë.
“Një ligj penal duhet të vendoset shpejt për të ndaluar eksperimentimin për redaktimin e gjeneve të njeriut. Sidoqoftë, duke qenë se kutia e Pandorës tashmë është hapur, masa të tilla për të korrigjuar problemin do të vonojnë paksa ndikimin e ligjit”, tha ai.
Deri më tani, Komisioni Shëndetësor i Provincës Guangdong dhe qytetit Shenzhen, si dhe Universiteti Jugor i Shkencës dhe Teknologjisë, ku zoti He është profesor asistent, kanë ngritur një hetim rreth këtij rasti.
Sipas të dhënave klinike, zotit He ka mare një vështrim etik për hulumtimet e tij nga një spital në Shenzhen, por kjo strukturë mohon të jetë mbledhur ndonjëherë në takim për të diskutuar punën e tij.
Chen Hsin-fu, një gjinekolog në Spitalin Universitar Kombëtar të Tajvanit në Taipei, tha se ndërsa është e vështirë të thuhet se si autoritetet në Kinë do të trajtojnë në fund çështjen, ai pret që disa masa dënimi të jepen.
“Është e qartë se rasti ka ekspozuar të dyja mangësitë morale dhe shkencore, dhe nëse pretendimet e tij janë të vërteta, kujdesi afatgjatë i këtyre dy foshnjave do të jetë një shqetësim dhe problem i madh, sepse mund të dalin disa probleme të papritura”, tha Dr. Chen.

Kriza e Ukrainës, Trump anullon takimin me Putinin

Presidenti amerikan Donald Trump anuloi papritur të enjten një takim me Presidentin rus Vladimir Putin të planifikuar të mbahej në Argjentinë, për shkak të mosmiratimit të tij mbi trajtimin që po i bën Rusia, Ukrainës, duke krijuar paqartësi të reja mbi lidhjet SHBA-Rusi.
“Bazuar në faktin se anijet dhe marinarët nuk janë kthyer në Ukrainë, kam vendosur se do të ishte më mirë për të gjitha palët e interesuara për të anuluar planin tim të paracaktuar për t’u takuar në Argjentinë me Presidentin Vladimir Putin”. Po shoh përpara drejt një takimi kuptimplotë, sapo kjo situatë të jetë zgjidhur! “shkruante zoti Trump në një postim në twitter.
Postimi i presidentit nga bordi i avionit e Air Force One, pak minuta nga nisja drejt Buenos Aires, për takimin e grupit të G 20-ës, ishte i papritur. Rreth një orë më parë, ai u kishte thënë gazetarëve se ndoshta do të takohej me zotin Putin, duke shtuar se ishte “një periudhë shumë e mirë për të zhvilluar takimin”.
Zoti Trump tha gjithashtu se gjatë udhëtimit drejt Argjentinës do të merrte një raport përfundimtar rreth tensioneve në rajon pas konfiskimit nga Rusia të anijeve ukrainase pranë Krimesë të dielën.
Ndërkohë Presidenti i Ukrainës Petro Poroshenko u ka kërkuar aleatëve të NATO-s të dërgojnë anije detare në Detin Azov për të ndihmuar vendin e tij si dhe “të ofrojnë siguri” në mesin e tensioneve të krijuara me Rusinë.
Komentet e zotit Poroshenko u botuan të enjten në gazetën gjermane Bild. Po të enjten, Presidenti turk Rexhep Tajip Erdogan tha se ai mund të luante një rol ndërmjetës mes Ukrainës dhe Rusisë. Zoti Erdogan ka zhvilluar biseda telefonike me udhëheqësit e të dy vendeve dhe tha se do të vazhdojë të diskutojë çështjen me Presidentin rus Vladimir Putin dhe Presidentin amerikan Donald Trump gjatë takimit të G-20 që mbahet në Argjentinë.
Të dielën forcat ruse kapën tre anije ukrainase dhe ekipet e tyre ndërsa po kalonin përmes ngushticës Kerç drejt portit Mariupol-i në Ukrainë, që ndodhet në detin Azov.
I dërguari i posaçëm i SHBA për Ukrainën Kurt Volker, u tha gazetarëve në Berlin të mërkurën se beson atë që kanë raportuar autoritetet në Kiev, se anijet ishin brenda rregullave detare botërore.

“I pakuptimtë pa Messin”, Del Bosque godet “Topin e Artë”

Në një intervistë për “El Larguero” të “Cadena SER”, Vicente del Bosque tregoi habinë e tij për listën e kandidatëve të “Topit të Artë”. Ai dha mendimin e tij edhe për “divorcin e bardhë” midis Isco dhe trajnerit Solari.
“Unë nuk besoj te “Topi i Artë”, por kam shumë habi se si Lionel Messi nuk është në mesin e tre finalistëve të këtij çmimi për këtë vit. Ai mungon aq shumë, sa nuk e kuptoj”, – tha ish-trajneri i Spanjës.
Sa i përket rastit “Isco”, ai u shpreh, gjithashtu, mjaft qartë: “Trajneri duhet të përmbushë detyrën e tij dhe lojtari të jetë gati. Kur luan dhe jo nuk e vendos ai, por trajneri. Isco duhet të dijë se si të sillet në mënyrë shembullore brenda një grupi”.
Për ndryshimin e trajnerit të Real Madridit pak pas fillimit të sezonit, legjenda e trajningut spanjoll shtoi: “Vendosja e një trajneri në mes të sezonit është gjithmonë një problem i madh, është shumë keq në përgjithësi. Eshtë një gabim i madh, kur bëhet fjalë për t’i besuar trajnerit”.
Del Bosque nuk hyri në momentin e keq të të dyve, por theksoi se “Real Madridi në vitet e fundit është mbështetur te Modric dhe Kroos”. Ai përshëndeti drejtimin e trajnerit të ri të kombëtares spanjolle: “Ne jemi në duar të mira me Luis Enrique. Sigurisht, me shkarkimin e Lopetegui, askush nuk fitoi. Mundësia për të shkuar te Real Madridi rezultoi e pavlefshme për të dyja palët”.

“Unaza e Re”/ Ish-ministri tregon hapat ligjore që duhen ndjekur

Prej 27 ditësh banorët e Unazës së Re protestojnë në mbrojtje të banesave dhe bizneseve të tyre, që preken nga projekti i Unazës së Madhe të Tiranës.
Kjo situatë ka tensionuar edhe klimën politike, pasi në mbështetje të këtyre banorëve ka dalë edhe opozita, e cila ka paraqituar dhe fakte sipas saj se ky është një projekt korruptiv.
Në këtë debat me akuza dhe kundërakuza që po zhvillohet, Ylli Manjani përmes një sqarimi në ‘Facebook’ jep disa udhëzime mbi procesin që duhet ndjekur për të ndërtuar një vepër publike e infrastructurës.
Duke shpjeguar bazën ligjore, Manjani tregon dhe hapat që duhen ndjekur në ndërtimin e veprave të tilla.
“Cilido që kërkon të kuptojë se çka ndodhur apo çpo ndodh te Unaza dhe jo vetëm, i sugjeroj të përdorë këtë metodologji. Pra të kërkojë informacion për secilin hap dhe pastaj të konkludojë”, shkruan Manjani.
Postimi i plotë i Manjanit
Një udhëzues që mund të ndihmojë debatin publik.
———————
Ndoshta ndihmon disi debatin publik sqarimi i procesit publik që duhet ndjekur, për të ndërtuar një vepër publike e infrastrukturës (rrugë, ujësjellës, vepra energjitike).
Po tentoj ti përgjigjem pyetjeve: cfarë duhet bërë që një vepër publike të ndërtohet sipas rregullave? Cila është procedura?
Pë të përcaktuar një proces të rregullt që duhet ndjekur, duhen parë në kompleks më së shumti këto ligje:
Ligji për Administrimin e Buxhetit; ligji për Prokurimet Publike;
ligji për shpronësimet;
ligjet sektoriale të infrastrukturës;
Ligji për Koncensionet
aktet nënligjore në zbatim dhe
Kodi i Procedurave Administrative.

Këto ligje në tërësinë e tyre kërkojnë nga administrata publike që për çdo vendim që marrin apo për çdo vepër infrastrukturore që ndërtojnë, të respektojnë parimet e Ligjshmërisë; përgjegjshmërisë; eficencës; transparencës e llogaridhënies.
Sipas kësaj baze ligjore që një vepër publike e infrastrukturë të ndërtohet duhet të ndiqen këto hapa:
Kryerja e një studimi fizibiliteti. Në këtë fazë mblidhen të dhëna dhe renditen arësyet, idetë e alternativat përse duhet vepra publike (rrugë, ujsjellës etj). Studimi i fizibilitetit ndihmon vendimmarrjen e shtetit për të përcaktuar eshe sa prioritare është kjo vepër në raport me të tjerat.
2. Hartimi i projektit. Bazuar në konkluzionet e studimit të fizibilitetit, por edhe nga analiza të leversisshmërisë, cilësisë dhe jetgjatësisë së vepres, hartohet projekti teknik. Administrata miraton variantin më leversisshëm dhe pas konsultimeve me komunitetin ku projekti propozohet të zbatohet.
3. Buxhetimi. Projekti paraqitet për financim në ministrinë e Financave, e cila e shtron për miratim në komitetin e planifikimit strategjik, sipas përparsive që projekti meriton. Në vijim futet në projekt buxhetin e shtetit të viteve pasardhëse.
4. Tenderimi për përzgjedhjen e kompanive që do bëjnë zbatimin si dhe e kompanisë supervizore. Në këtë fazë synohet të përzgjidhet jo vetëm oferta më e mirë por eshe kompania më e mirë që ka përvojë në punimet që kërkohet.
5. Aplikimi për lejet e nevojshme. Leje ndërtimi (zhvillimi infrastrukture), leje mjedisi e disa leje të tjera specifike sipas natyrës së projektit.
6. Paralelisht me aplikimin për leje nisin edhe procedurat e shpronësimit pasi të jetë bërë publik projekti zyrtar i miratuar, me kostot përkatëse.

7. Pas lejeve dhe shpronësimeve fillon zbatimi i kontratës për realizimin e veprës.
Këto janë hapat që ndërmerren. Për këto hapa, pavarësisht se puna bëhet nga kompani private, agjensia publike përkatëse (ARrSH psh) është përgjegjëse para ligjit për secilin prej këtyre hapave.
Administrata publike, pra qeveria është përgjegjëse sepse administron para dhe produkt publik. Produkt publik konsiderohet edhe një projekt apo studim i dhuruar, që nga çasti që ai miratohet nga Agjensia. Kjo e fundit edhe mund të mos e pranojë nëse projekti nuk është me leverdi për publikun.
Pra kushdo që do të analizojë se si e përse një vepër publike u ndërtua kështu apo ashtu, shtrenjtë apo lirë duhet të analizojë me radhë këto hapa, një e nga një.
Gjithashtu, edhe nëse vepra publike vendoset të ndërtohet dhe administrohet me koncension apo PPP, të njëjtat hapa duhen ndjekur.
Cilido që kërkon të kuptojë se çka ndodhur apo çpo ndodh te Unaza dhe jo vetëm, i sugjeroj të përdorë këtë metodologji. Pra të kërkojë informacion për secilin hap dhe pastaj të konkludojë.

Drogë dhe armë, ja kush janë anëtarët e bandës shqiptare të arrestuar në Itali

Policia italiane ka zhvilluar një operacion të madh në agim të ditës së sotme në krahinat e Chieti, Genoa, Campobasa dhe Foggia, njoftojnë mediat italiane dhe së fundmi, ka zbardhur emrat e të arrestuarve.
Operacioni i ndihmuar nga helikopetër dhe qentë antidrogë dërguan në burg 20 persona, kryesisht shqiptarë dhe më pas rumunë dhe italianë, të gjithë anëtarë të një organizate kriminale në zonën e Vastese, të akuzuar për trafik lëndësh narkotike dhe mbajtës të armëve. Policia italiane është e mendimit se ky operacion i dha një goditje të fortë trafikut të drogës. më poshtë, emrat dhe fotot e të arrestuarëve.

Rrëfehet djali, tregon pse Zidane iku nga Real Madridi dhe kur do të kthehet

I qetë dhe i rezervuar, djali i legjendës Zinedine Zidane, flet për “AS”. Te Real Madridi, Enzo Zidane ka ndarë dhomat e zhveshjes me babain e tij, si trajner, ndërsa tashmë po luan si mesfushor me klubin e Majadahonda.
-Pse keni vendosur të vini në Majadahonda?
Unë isha duke kërkuar për një trajner që të më besonte, që të më jepte një mundësi. Kam folur me disa, para se të vendosja. Ditën kur fola me Antonio Iriondo, kam vënë re një ndjenjë të mirë dhe gjithçka që ai më tha, përshtatej me atë që doja.
-Në Madrid ke familjen tënde. A të nxiti ajo që të vije këtu?
Jo, ishte diçka e imja. Ajo që po kërkoja ishte më e mira për mua, në aspektin e futbollit. Më shkon për shtat që klubi im i ri ndodhet në Madrid, jam i kënaqur këtu. Por, gjëja më e rëndësishme ishte futbolli.
-Si është situata në dhomat e zhveshjes dhe si po punon me Antonio Iriondo?
Kemi një atmosferë shumë të mirë dhe një grup të mrekullueshëm lojtarësh. Ne të gjithë merremi vesh mjaft mirë dhe kjo është parë në fushë. Me Antonio, ne punojmë shumë dhe flasim gjatë për futbollin.
-Çfarë objektivash i keni vendosur vetes këtë sezon?
Si gjithmonë, të përmirësohem dhe të bëhem një futbollist më i mirë. Dua ta ndihmoj sa më shumë ekipin.

-A mendoni se largimi nga Real Madridi ishte diçka e mirë, që të vazhdoni të rriteni?
Të gjitha përvojat janë të mira për një lojtar. Momentet që jetonim në Madrid ishin shumë të bukura dhe, që atëherë, kam mësuar shumë. Kam kaluar nëpër faza të komplikuara, si gjatë kohës sime te Alaves dhe zviceranët e Lausanne. Ato eksperienca më kanë ndihmuar shumë.
-Si e mbani mend kohën tuaj në Madrid?
Kam kujtime shumë të këndshme atje. Kam qenë në gjendje t’i ndjek aty të gjitha fazat e rritjes, nga 8 vjeç në Castilla, deri te debutimi me ekipin e parë. Kjo është ajo, për të cilën të gjithë ëndërrojnë. Unë kam qenë në gjendje të përmbush shumë ëndrra atje dhe tani kam për ta bërë këtë në vende të tjera.
-Si ishte ndarja e dhomës së zhveshjes me babanë tuaj?
Në fillim ishte pak e çuditshme, por më pas u mësuam. Ndodhi kështu pothuajse për dy vite e gjysmë, një marrëdhënie midis lojtarit dhe trajnerit. Por, në shtëpi, raporti ndryshonte tërësisht, silleshim si babai me të birin.
-Ata flisnit për futbollin në shtëpi?
Jo shumë. Ne kemi biseduar për futbollin mjaftueshëm në fushën e blertë.

-A do ta shohim babain tuaj të trajnojë një ekip përsëri?
Ne të gjithë e dimë se babai im e do futbollin dhe e pëlqen zanatin e trajnerit. Me siguri, së shpejti do të kthehet. Është vendimi i tij. Tani është duke shfrytëzuar mundësinë e të pushuarit, sepse ka shumë nevojë. Në fund të fundit, të drejtosh Real Madridin është shumë mirë, por një mision i vështirë, me shumë punë.
-Si e shihni largimin e Cristiano Ronaldos nga Real Madridi?
Askush nuk e priste. Unë personalisht as e mendoja. Ai vendosi të largohet dhe po bën shumë mirë te Juventusi. Të gjithëve u mungon, por Real Madridi është shumë i madh. Edhe pa Cristianon, nuk dyshoj se do të përshtatet dhe do të bëjë gjëra të mëdha.
-Kush mendon se duhet ta fitojë “Topin e Artë”?
Luka Modric. Për mua është shembull. Eshtë lojtari im i preferuar. Ai është një djalë i pabesueshëm dhe e meriton këtë çmim për atë që ka dhënë në futboll gjatë gjithë këtyre viteve, në të cilët ka fituar tre Champions. Përveç kësaj, ai ka zhvilluar një Botëror të madh në Rusi, kësaj vere.
-Si është Enzo Zidane?
Një djalë i qetë, që i pëlqen të jetë me familjen e tij dhe që e do futbollin.

-Një kujtim nga futbolli?
Debutimi në “Santiago Bernabéu”.
-Një sport, përveç futbollit?
Më pëlqejnë pothuajse të gjitha sportet. Me vëllezërit e mi luajmë basketboll, ose merremi me vozitje.
-Të gjithë vëllezërit tuaj janë futbollistë. Aa mund të thoni se e keni në AND këtë sport?
E vërteta është se të gjithë dhe me të vërtetë kënaqemi duke luajtur futboll. Ne po bëjmë shumë mirë dhe shpresojmë të vazhdojmë kështu.
-Një hobi?
Kinemaja.
-Një libër?
Një nga Andre Agassi.
-Një film apo serial?
Suit.
-Ushqim francez apo spanjoll?
Unë do të them spanjoll, në mënyrë që ata të mos çmenden.
-Trajneri?
Për mua gjithmonë do të jetë babai im.
-Një stadium?
“Santiago Bernabeu”.
-Një partner?
Nuk mund të nxjerr në pah vetëm një, sepse të gjithë kolegët e mi më kanë trajtuar shumë mirë.
-Idhulli?
Babai im.
-Një formacion ideal?
Keylor Navas; Marcelo, Ramos, Varane, Carvajal; Toni Kroos, Modriç, Kanté; Cristiano, Messi dhe Benzema.

Transaksioni i Donika Prelës, kreu i Prokurorisë kapet në pastrim parash?

Drejtuesja e Prokurorisë për Krime të Rënda, Donika Prela, rrezikon seriozisht karrierën e saj përballë Vetingut, për shkak të një transaksioni të dyshimtë financiar që ka realizuar në vitin 2014, duke arkëtuar plotë 3 milionë lekë të reja me një “goditje” të vetme.
Në Shkurt të vitit 2014, kur Prela ishte prokurore e Njësisë Anti-korrupsion në Prokurorinë e Durrësit, blen një shtëpi me 59.2 m2 në këtë qytet, me vlerë 1.4 milionë lekë (të reja). Praktikisht, prokurorja Prela e ka blerë këtë apartament me çmim 23 mijë lekë të reja për metër katror. Kjo vlerë është disa herë më e vogël se sa çmimet e referencës, të përcaktuara nga Këshilli i Ministrave për shitjen e apartamenteve në Durrës.
Në Udhëzimin nr. 1, dt. 8.5.2013 “Për miratimin e kostos mesatare të ndërtimit të banesave…”, Këshilli i Ministrave përcaktonte se vlera mesatare e shitjes së apartamenteve në Qarkun e Durrësit varion nga 74 mijë lekë në qytetin Durrës, deri në 41 mijë lekë në zonën e Sukthit. Donila Prela deklaron se apartamenti i blerë prej saj për 1.4 milionë lekë është në qytetin e Durrësit, konkretisht në Lagjen 13, Plazh, pra aty ky çmimi i referencës ka qenë 74 mijë lekë/m2, ndërkohë që prokurorja duket se ka rezultuar me fat, pasi ka blerë apartament për një vlerë 3 herë më të vogël se sa normalja.
Çmimi, i cili është dukshëm anomalisht i ulët për vlerën e apartamenteve në Durrës në vitin 2014, gjithësesi, nuk është i vetmi problem i Donika Prelës me këtë apartament.
Vetëm 10 muaj më pas, konkretisht në Dhjetor 2014, Donika Prela e shet këtë apartament për një vlerë 3 herë më të lartë, saktësisht 4 milion lekë (të reja). Pra, në Shkurt 2014 bleu apartamentin për vetëm 1.4 milionë lekë dhe e shiti në Dhjetor të të njëjtit vit, në vlerën 4 milion lekë, duke arkëtuar plot 2.6 milionë lekë të reja.
Këto të dhëna janë deklaruar nga vetë prokurorja Donika Prela në deklaratën e pasurisë së vitit 2014, të dorëzuar në Inspektoratin e Lartë të Deklarimin e Kontrollit të Pasurive dhe Konfliktit të Interesave (ILDKPKI).

“Boldneës.al” verifikoi deklarimet e prokurores Prela ndër vite, të cilat gjenden të publikuara në portalin “Opendata.al”, nga ku rezultoi se veprimet për blerjen dhe më pas shitjen brenda vitit 2014, lidhen me të njëjtin apartament, me sipërfaqe 59.2 m2, me adresë, Lagja 13, Plazh Durrës.
E gjithë shuma e përfituar nga shitja e apartamentit është depozituar në një bankë të nivelit të dytë në llogarinë e bashkëshortit të prokurores, Vangjel Prela.
Donika Prela aktualisht është nën verifikim nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit (KPK). Në një njoftim zyrtar të muajit Mars 2018, KPK njoftoi se ka nisur procedurat e rivlerësimit për disa subjekte, ndër të tjerët edhe për Donika Prelën, në atë kohë Drejtuese e Prokurorisë së Durrësit.
Në bazë të vendimeve të zbardhura deri më tani nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, rezulton se për pjesën më të madhe të subjekteve janë kryer verifikime edhe lidhur me dyshimet e mundshme për pastrim parash.
Drejtoria e Parandalimit të Pastrimit të Parave, në faqen e saj zyrtare të internetit, përshkruan mënyrat klasike se si realizohet pastrami i parave. Skema realizohet në tre faza; krijimin e parave në forma të paligjshme (korrupsion, etj), më pas realizimin e transaksioneve të ndryshme për të vështirësuar zbulimin e burimit real të parave (shit-blerje pronash, etj.) dhe faza e fundit është “ri-integrimi” i parave të pista, pra përfshirja e tyre në sistemin ligjor (bankar), me qëllim pastrimin e tyre (hapja e depozitave bankare, etj).
Duke iu referuar skemës klasike të pastrimit të parave, është e lehtë të dallohen disa elementë ngjashmërie me transaksionet e kryera nga Donika Prela dhe bashkëshorti i saj për blerjen lirë dhe më pas shitjen me vlerë 3 herë më të lartë të apartamentit në Durrës, brenda një kohë shumë të shkurtër, rreth 10-mujore. Shuma e përfituar nga transaksioni është depozituar në llogari bankare.
Donika Prela, zv.drejtuese në Prokurorinë e Durrësit deri në fund të vitit 2017, njohu një rritje të menjëhershme në karrierë, pas zgjedhjes të mikeshës së saj, Arta Marku, si Prokurore e Përgjithshme e Përkohshme.
Në Janar 2018, Arta Marku e caktoi Donika Prelën në detyrën e drejtueses së Prokurorisë së Durrësit, nëpërmjet një procedure anti-ligjore. Rreth 5 muaj më pas, në Maj 2018, po nëpërmjet një procedure anti-ligjore, Arta Marku e cakton Donika Prelën në pozicionin e Drejtueses së Prokurorisë për Krime të Rënda, detyrë që vijon ta kryejë ende.

“Boldnews.al”

Vjedhje e padëgjuar/Veliaj i jep tenderin qindramilionësh administratorit të vet në Dajt

Një tender në kushtet e konfliktit të interesit dhe me pikëpyetje të mëdha mbi ligjshmërinë e tij është zhvilluar së fundmi nga Bashkia e Tiranës për rikonstruksionin e shkollës së mesme të bashkuar “Ymer Lala” në Surrel, zonë ku ngrys ditët kryeministri Edi Rama
Tenderi, me vlerë 450 milionë lekë (të vjetra) është fituar nga kompania “Dajti Park 2007”, e administruar nga ish-kryetari jetëgjatë socialist i komunës Dajt dhe sot administrator i Njësisë Dajt, Kujtim Qefalia, njëkohësisht edhe vëllai i deputetit të Partisë Socialiste, Xhemal Qefalia.
Njoftimi i fituesit është shpallur në Buletinin e Prokurimit Publik, dt. 26 Nëntor 2018, nga të dhënat e të cilit konstatohen parregullsi në kushtet e abuzimit skandaloz me ligjin.
Së pari, fituesi i tenderit është në kushtet e konfliktit të interesit. Shkolla e mesme e Surrelit përfshihet në territorin e Njësisë Dajt, i cili administrohet nga Kujtim Qefalia dhe që është nën juridiksionin e Bashkisë Tiranë.
Në nenin 21 të ligjit për “Parandalimin e konfliktit të interesave…”, parashikohet shprehimisht që zyrtarët e nivelit drejtues të pushtetit vendor, ku përfshihen edhe drejtuesit e njësive vendore të Tiranës, nuk mund të përfitojnë kontrata publike nga institucionet ku ata ushtrojnë funksionet apo kanë varësinë. Pra, në rastin konkret, Kujtim Qefalia kishte ndalim ligjor për t’u përfshirë në tenderat e zhvilluar nga Bashkia e Tiranës. Por, pavarësisht këtij ndalimi, as ai dhe as Erion Veliaj nuk janë frenuar për të zhvilluar tenderin dhe për t’u shpallur fitues Qefalia.
Por konflikti i interesave nuk është i vetmi problem në tenderin për rikonstruksionin e shkollës së Surrelit. Nga të dhënat e publikuara prej Agjencisë së Prokurimit Publik, rezulton se kompania “Dajti Park 2007” është shpallur fituese, megjithëse ka paraqitur ofertën më të lartë në tender.
Në këtë prokurorim publik, të zhvilluar në 12 Nëntor 2018, kanë marrë pjesë edhe disa kompani të tjera, të cilat kanë paraqitur oferta më të ulta për të ofruar shërbimin e tyre. Pra, Bashkia e Tiranës mund të kursente fonde publike, nëse do të kishte shpallur fitues një prej kompanive që mund të realizonte rikonstruksionin e shkollës për një vlerë më të ulët.
Por Bashkia e Tiranës, në kundërshtim të hapur me ligjin, ka vendosur që fondi prej 450 milionësh të arkëtohet në llogaritë e “shokut politik”, Kujtim Qefalia.

“Boldnews.al”

Çfarë duhet të hani kur jeni me grip

Fatmirësisht, ka shumë gjëra që mund t’i bëni, madje edhe atëherë kur nuk ndiheni mirë. Ekzistojnë ushqime të cilat do të lehtësojnë disa nga simptomat e ftohjes ose gripit.
Përgatitja e shujtave të shëndetshme mund të jetë shumë më e vështirë kur jeni të sëmurë. Me siguri do të jeni shumë të lodhur për të përgatitur vetë shujtat. Ilaçet mund të përkeqësojnë shijen e ushqimit.
Dhimbja dhe iritimi i fytit vështirësojnë konsumimin e ushqimit. Të përzierat, që janë një nga efektet anësore më të shpeshta të ilaçeve të ndryshme, definitivisht nuk do ta nxisin apetitin tuaj.
Ekzistojnë ushqime të cilat do të lehtësojnë disa nga simptomat e ftohjes ose gripit.
Humbja e apetitit. – Hani më shumë shujta të vogla më shpesh se kur jeni të shëndetshëm. Mbani mend që sytë luajnë rol të madh në nxitjen e apetitit. Nëse para jush është pjatë e cila është e stërmbushur, me siguri nuk do të duket tërheqëse nëse nuk mund ta hani. Ndajeni ushqimin në shujta të vogla sepse kështu do të hani më shumë. Hani ushqimet siç janë frutat arrore, jogurti ose pemët dhe perimet e freskëta.
Buzët e thata dhe vështirësitë në gëlltitje. – Shmangni ushqimet që kërkojnë shumë përtypje. Shujtat mund t’i përgatisni në mikser ose si supë. Nëse keni probleme me përtypjen, këshillohuni me mjekun i cili do t’ju rekomandojë ushqimet ose ilaçin i cili do të reduktojë irritimin e fytit. Nëse i keni buzët e thata, thithni bonbona të forta nga pemët e citrusit të cilat do të nxisin lirimin e pështymës.
Të përzierat. – Hani më shumë shujta dhe hani ngadalë. Bonbonet e forta, peperminti dhe xhenxhefili mund të lehtësojnë të përzierat. Nëse të përzierat nuk ndalen, konsultohuni me mjekun sepse ekziston mundësia që shkaku i përzierave është ilaçi të cilin e konsumoni.
Lodhja. – Me siguri nuk do të keni vullnet e as energji për përgatitjen e shujtës. Zgjidhni ushqimet që mund t’i hani të freskëta. Hani ushqime të shëndetshme siç janë frutat arrore, pemët, perimet, vezët e ziera mirë, drithërat e plota dhe jogurti. Shujtën më të madhe në ditë hani atëherë kur vëreni që keni më së paku energji.

Diarreja. – Diarreja është efekt i shpeshtë anësor i ilaçeve të ndryshme. Hani ushqim të butë dhe pini shumë ujë, sepse diarreja mund të shkaktojë dehidrim. Për ta kthyer nivelin normal të elektroliteve në trup, pini pije energjetike të përzierë me ujë.
Kapsllëku. – Ilaçet kundër dhimbjeve shpesh shkaktojnë kapsllëk. Për ta parandaluar hani ushqim të pasur me fibra, siç janë drithërat e plota, kajsitë, kumbullat dhe mollët. Lëvizni sa më shumë që mundeni, sepse me lëvizje do të nxitni punën e zorrëve.
Humbja e padëshirueshme e kilogramëve. – Nëse humbni kilogramë pa dëshirë, duhet të shtoni konsumimin e kalorive. Nëse do ta keni më lehtë, hani ushqime që ju pëlqejnë, duke përfshirë edhe ushqimet me shumë kalori. Hani më shpesh dhe konsumoni ushqim i cili është burim i shkëlqyeshëm i energjisë siç janë farat, drithërat e plota, djathi dhe vezët e ziera mirë.
Ju mungojnë nutrientët. – Nëse nuk ushqeheni në mënyrë të duhur dhe të balancuar, mundësia që trupit tuaj t’i mungojnë vitaminat dhe mineralet është e madhe. Derisa trupit tuaj i mungojnë nutrientët e rëndësishëm, ai nuk do të mund të luftojë kundër sëmundjeve. Këshillohuni me mjekun tuaj për marrjen e shtesave të cilat mund të përmirësojnë veprimin e disa ilaçeve