29.5 C
Tirana
E martë, 26 Gusht, 2025

Deputetja e LSI-Ramës: Je më i keq se nazistët! A lihet kjo nënë shtatzënë në mes të katër rrugëve?

Deputetët e LSI-së kanë qenë sërish mbrëmjen e sotme në mbështetje të banorëve të Unazës së re të cilët janë në ditën e 26 të protestë në mbrojtje të shtëpive të tyre. Duke folur për mediat, deputetja e LSI-së, Silva Caka është shprehur se popullit duhet të çlirohet sa më shpejt nga Edi Rama. Caka foli për arrestimin e 2 banorëve të Astirit, ku u shpreh se arrestimet janë të pabaza dhe me urdhërin e Edi Ramës.
Pjesë nga fjala e deputetes Silva Caka
Mirëmbrëma, të gjithëve siç besoj e dini për aq kohë sa e keni ndjekur këtë protestë në çdo ditë të saj. Protesta tashmë ka hyrë në ditën e 26 të saj dhe nuk kemi ende asnjë reagim nga qeveria për të patur një komunikim midis qeverisë apo edhe bashkisë me qytetarët e Unzës së Re.
Marr shkas nga ajo që ka ndodhur sot, me 2 arrestime të reja, të cilat ashtu siç i përmendi edhe kolegu im i Partisë Demokratike, nuk ka ende një arsye për arrestimin e tyre që dëshmojnë edhe njëherë arrogancën e qeverisë dhe mbi të gjitha vdekjen e drejtësisë dhe të reformës në drejtësi në Shqipëri dhe e kemi thënë me kohë që reforma në drejtësi do të sillte pikërisht këto pasoja sepse jemi shumë të bindur që edhe ato djem, që janë arrestuar dhe kanë marrë masën e sigurisë me burg, si Dori apo edhe si djalit tjetër që i janë thyer gishtat, edhe sot 2 zotërinjtë që janë arrestuar sigurisht do të marrin dënim ashtu sipas urdhrave të Edi Ramës.

Unë kam vetëm një pyetje për Edi Ramën, a lihet kjo nënë shtatzëne në mes të katër rrugëve dhe pa e futur në shtëpi, duke i shembur shtëpinë, a lihet një vajzë e re që pritet të bëhet nënë në mes të katër rrugëve dhe ti i premton që do t’ia prishësh shtëpinë dhe nuk do ti japësh asnjë lloj dëmshpërblim, këtë mund ta bëjë vetëm një njeri që është më i keq se pushtuesit.
Fatmirësisht, ne sot jemi në një datë historike, sepse para shumë vitesh ne jemi çliruar nga pushtimi nazist, por mesa duket ai që është më i keq se nazistët është një njeri i cili votohet nga populli dhe që e drejton popullin.
Kështu që është emergjencë kombëtare të çlirohemi një orë dhe më përpara nga ky njeri dhe më këtë rast unë do doja shumë që të uroja të gjithë shqiptarëve Gëzuar Festat dhe mbi të gjitha në këtë ditë të shenjtë ti ndërgjegjësojë të gjithë sidomos banorët e Unazës së Re që kanë treguar një shenjë të jashtëzakonshme solidariteti dhe jo vetëm solidariteti por edhe qëndrese dhe duke ju uruar festat ju bëj thirrje të gjithë shqiptarëve është edhe njëherë e nevojshme që të çlirohemi nga pushtuesit.

Deputeti thirrje Ramës: Hiq dorë nga arrestimet, çdo banor që do arrestosh, 1 mijë të tjerë do të shtohen

Partia Demokratike ka denoncuar arrestimet më të fundit të protestuesve, nga Policia e Tiranës, sipas deputetit të PD-së Klevis Balliu, këto arrestime janë presion, për të trembur protestuesit.
Duke paralajmëruar kryeministrin se, “nuk do t’ia arrijë t’ju bëjë presion protestuesve sepse për çdo banor të kësaj unaze që ata do të arrestojnë, 1 mijë të tjerë do të shtohen”, Balliu i bën apel Edi Ramës, kur deklaron se, “Hiq dorë nga presione me arrestime protestuesish, por eja zgjidh problemin”.
Deklarata e plotë e deputetit Klevis Balliu
Policia e Shtetit nën urdhrat e Edvin Kristaq Ramës, ka nxjerrë fletë arrestin për Kujtim Yllin, një burrë të moshuar rreth 70 vjeç të cilët këta sot padrejtësisht e kanë lënë Kujtimin në qelitë e rajonit numër 2, për aq sa kemi informacion, pasi edhe informacion që kemi se për çfarë është shoqëruar Kujtimi Ylli nuk është na është dhënë edhe pse kemi shkuar në dy rajone të ndryshme.
Edhe në rajonin numër 6 edhe në rajonin numër 2. Këto arrestime bëhen vetëm për një arsye, për të trembur qytetarët e Unazës së Re, për ti bërë presion atyre dhe familjarëve të tyre që ata të mos dalin të protestojnë për shtëpitë e tyre.

Nuk ia kanë arritur dhe nuk do t’ia arrijnë sepse për çdo banor të kësaj unaze që ata do të arrestojnë, 1 mijë të tjerë do të shtohen. Arrestimi ka ardhur si pasojë e rrëzimit të disa hekurave të një biznesmeni Salillari.
Të shembësh hekurat e Salillarit qenka krim i madh por të vrasësh, të presësh e të merresh me drogë nuk qenka aq problem sepse kemi me qindra vrasës që enden të lirë, kemi me qindra narkotrafikantë ende të lirë dhe disa prej tyre janë bërë edhe deputetë në Parlamentin Shqiptar. Ndërkohë që të protestosh për pronën tënde që e ke ndërtuar me djersë, me gjak, në rrugë të ligjshme, pasi ke paguar taksat e shtetit u fuske në burg. Edi Rama dhe gjithë kupola kriminale e ashtuquajtur Rilindje ta harrojë që do ti bëjë presion qytetarëve. Këtu me vete kam zonjën Njuna, nusen e djalit të kujtimit dhe vëllanë e tij, z. Aziz Ylli, dhe bashkë me këta jam këtu për tu garantuar atyre dhe çdo protestuesi këtu që Partia Demokratike e ka mbështetur bashkë me LSI këtë protestë, do të vazhdojë ta mbështesë këtë protestë deri në ditën e fundit. Dhe një mesazh për Edi Ramën nga banorët e Unazës së Re që me këto lëvizje amatoreske nuk bën dot presion por hajde këtu dhe zgjidhi problemin këtyre qytetarëve sepse këtu nuk vendos as ti, as Erion Veliaj. Koha e bandave ka mbaruar dhe ka ardhur koha e qytetarëve. Hapi veshët dhe dëgjo qytetarët se ndryshe do të pijë e zeza.

Revolta/ Banorët bllokojnë rrugën te Unaza e Re, mesazh Veliajt: Edhe 10 vite këtu do të protestojmë

Banorët e zonës së Astirit, tashmë prej 26 ditësh po protestojnë kundër shembjes së banesave të tyre, të cilat do të shkatërrohen në kuadër të ndërtimit të projektit për Unazën e Re.
Një nga banorët shprehet se protesta do të vijojë deri sa të dëmshpërblehen 100% në vlerën e tregut. “Protestat do të vazhdojnë. Falenderojmë të gjithë qytetarët për mbështetjen masive. Kjo është dita e 26-të e protestave. Fakte të reja ka që projekti është korruptiv. Mos të vijë t’i prishë ato shtëpi në mes të dimrit. 15 banesat sociale nuk mjaftojnë për banorët në Unazën e Re. Nuk kërkojmë lëmoshë kërkojmë të drejtën tonë”, u shpreh ai.
Një protestues tha se ka votur gjithmonë për PS-në, por tani nuk do të votojë më. ‘Erion nuk jam unë frikacak, nuk jam burracak. Kam 30 vite që jetoj këtu. Ne e kemi bërë Unazën e re dhe i kemi dhënë emrin. Ai më thotë mua të të çoj me qira në Shkozë. Kë të çojë ai atje në Shkozë, se nuk dua të prish gojën.
Unë jam i majtë dhe ia kam dhënë votën PS-së gjithmonë, por nuk votojmë më. Kemi 1 muaj këtu, e jo një muaj, por 10 vite ne këtu do të jemi.
Kam punuar 5 vite në emigracion dhe nuk i investova lekët atje, por i investova në Shqipëri. Askush nuk ka zënë tokë këtu, të gjithë e kemi blerë tokën këtu’, tha banori i Unazë së re.

Një nga familjarët e Kujtim Yllit, njërit prej banorëve të Astirit të arrestuar nga policia, u shpreh se ato nuk e dinë akuzën.
“Akuzën nuk e di, sepse nuk e morrëm vesh përgjigjen. Por këtë e dinë ato që marrin urdhra nga lart. Gjë të gabuar nuk ka bërë sepse ka protestuer për shtëpinë e tij”,u shpreh një nga familjarët e Kujtim Yllit i cili është arrestuar sot nga policia.
Të pranishëm në protestë për të mbështetur banorët janë dhe deputetët e opozitës Endrit Braimllari, Silva Caka dhe Klevis Balliu.
Ndërkohë bëhet e ditur se në zonë janë të pranishëm efektivë të Forcave të Ndërhyrjes së Shpejtë dhe njësisë “Shqiponja”.
Këto dy njësi të policisë po bëjnë patrullime në zonë, për të parandaluar ndonjë incident të mundshëm.
Ndërkohë kujtojmë se një natë më parë, banorët hoqën blloqet e betonit të vendosura nga kompania që do të zbarojë projektin, si dhe shemben murin rrethues tek rrethrrotullimi para atij të sheshit “Shqiponja”, ku kompania ka filluar punimet.

Unaza e Re, PD thirrje Prokurorisë: Çdo zyrtar i këtij korrupsioni gjigand duhet të përgjigjet para ligjit!

Partia Demokratike i bëri thirrje Prokurorisë të dëgjojë zërin e banorëve të Unazës s Re dhe të marrë menjëherë në shqyrtim kallëzimin e tyre penal. “Çdo zyrtar i përfshirë në këtë aferë gjigande korruptive duhet të përgjigjet para ligjit!”, deklaroi Gazment Bardhi, këshilltari ligjor i PD para medias.
“Projekti 40 milionë euro i Unazës së Re është aq korruptiv dhe i paligjshëm, tha Bardhi, saqë shumë zyrtarë të lartë duhet të ishin sot në burg, duke u hetuar për korrupsion dhe shpërdorim detyre.
Projekti është në paligjshmëri të plotë, sepse me miratimin e Edi Ramës dhe të Erion Veliajt, qeveria ka anashkaluar procedurat kyçe të realizimit të një projekti madhor publik, siç përcaktohet në vendimin nr 628 të Këshillit të Ministrave, të 15 korrikut 2015.
VKM nr. 628 përcakton rregullat për projektimin dhe ndërtimin e rrugëve, ku më kryesori është studimi i fizibilitetit, ai që orienton qeverinë, nëse një projekt është i dobishëm dhe nëse kosto justifikon përfitimin.
Në nxitim për të grabitur 40 milionë euro, qeveria nuk ka zbatuar VKM nr 628 për të bërë analizën e kostos dhe përfitimeve, ku përfshihet si detyrim ligjor edhe vlera e shpronësimeve.
Për shkak të shkeljes së ligjit, sot, askush nuk e di sa kushton realisht projekti i Unazës së Re. 40 milionë euro është vetëm vlera që Edi Rama ka vendosur të ndajë me 3 kompani të paracaktuara për ndërtimin e 2.2 kilometrave rrugë.
Ligji përcakton se për të shkuar deri tek tenderimi i një vepre si kjo e Unazës së Re duhet të realizohen disa vlerësime.

Projekti 40 milionë euro është tenderuar: Pa studim fizibililiteti, pa vlerësim të ndikimit në mjedis, pa analizë kostoje dhe përfitimi, pa vlerësim shpronësimësh.
Procedurat janë kapërcyer qëllimisht për të fryrë faturën e ndërtimit dhe për të shmangur shpronësimet. Paligjshmëria e projektit 40 milionë euro të Edi Ramës nuk ndalet vetëm tek anashkalimi i disa procedurave kyçe, që fshehin vlerën reale të projektit.
Nën presionin e protestave të qytetarëve dhe opozitës, qeveria ka pranuar se projektimi i veprës tek Unaza e Re është dhuratë, është sponsorizim nga një kompani private. Ky është një tjetër veprim i paligjshëm me projektin 40 milion euro.
Ligji i sponsorizimeve, që në nenin e parë të tij, ndalon sponsorizimet për institucionet shtetërore në fushën e ndërtimit të rrugëve. Por, përsa kohë, projektet tenderohen për të vjedhur, shkelja e ligjit është një normalitet për qeverinë e Edi Ramës.
Siç paracaktoi në tenderin korruptiv kompanitë me të cilat do të ndajë 40 milionë eurot tek Unaza e Re, duke pranuar një dhuratë, një sponsorizim të paligjshëm, Edi Rama ka paracaktuar edhe supervizorin e punimeve, që pritet të jetë vetë kompania dhuruese e projektit të paligjshëm 40 milionë euro.
Partia Demokratike i bën thirrje prokurorisë të dëgjojë zërin e banorëve dhe të marrë menjëherë në shqyrtim kallëzimin e tyre penal. Çdo zyrtar i përfshirë në këtë aferë gjigande korruptive duhet të përgjigjet para ligjit!’

Avokati i Popullit kërkon policët që i thyen gishtat 18-vjeçarit në komisariat

Avokati i Popullit njoftoi se pasi ka monitoruar protestën e banorëve tek Unaza e Re dhe sjelljen e policisë ndaj tyre, ka nisur nje hetim ndaj rastit të Daniel Dobrajt, 18-vjeçarit të akuzuar se i këputi gishtat me kapsollë, polices Ina Muku.
Daniel Dobraj ka deklaruar se është dhunuar nga Policia me shqelma, i janë shembur dy gishtat e mesit. Ndaj Avokati i popullit ka vendosur të marrë në pyetje pas tij edhe babanë e tij si dhe policët që kanë ushtruar dhunë. Në këtë hetim janë kërkuar edhe pamjet filmike të asaj skene.
Ja si e përshkruan avokati i Popullit, situatën në raport:
“…Shtetasi D.D. (Daniel Dobraj) i cili ishte ndaluar në datën 23.11.2018, deklaroi se, në datën 22.11.2018 kishte marrë pjesë në protestë sepse edhe familja e tij prekej nga projekti i Unazës së Re.
Pasi ka mbaruar protesta, rreth orës 12:15, në afërsi të Hotel “Plaza” ishte rrethuar nga një grup policësh civilë të cilët e kanë dhunuar atë duke e goditur me shqelma në pjesën e të ndenjurave dhe në gishtat e dorës së djathtë.
Sipas tij, nga goditja e marrë i ishin shembur dy gishta të dorës së djathtë, ai tregues dhe i mesit. Me ndërhyrjen e disa protestuesve ai ka mundur t’u shpëtojë policëve dhe pasi ka hipur në një taksi është larguar dhe është fshehur për 24 orë.
Gjithashtu ai pretendoi se në momentin që ishte kapur nga punonjësit e policisë tek Qendra tregtare “Globe” ishte goditur me shqelm në brinjën e djathtë nga një polic civil.

Sipas tij, edhe gjatë rrugës në makinën e policisë dhe në momentin që e kanë zbritur nga automjeti në oborrin e DVP Tiranë ishte dhunuar nga policiët duke u goditur me grushta dhe shpulla në kokë e në trup, por sipas tij nuk kishte asnjë gjurmë të dukshme për shkak të profesionalizmit të tyre.
Grupi i inspektimit të Avokatit të Popullit ka konstatuar se përveç shenjave të një lëndimi të dukshëm në dorën e të miturit D.D. nuk ka pasur raportim tjetër prej dy të miturve për ndonjë shenjë tjetër të dukshme në trup. Janë verifikuar regjistrat mjekësorë dhe është vërtetuar se vizita mjekësore e të miturve është kryer me një vonesë prej dy orësh.
Në këto kushte, pasi janë përpiluar procesverbalet të cilat janë nënshkruar prej të miturve të ndaluar, është vazhduar me hetimin. Për të bërë një hetim administrativ të plotë, objektiv dhe profesional nga Avokati i Popullit në datën 27.11.2018 i është bërë kërkesë Institutit të Mjekësisë Ligjore Tiranë për ekspertimin mjekoligjor të të dy shtetasve P.A. dhe D.D.
Ndërkohë po në datën 27.11.2018 i është bërë një kërkesë DVP Tiranë për dërgimin e një CD-je me pamjet filmike të regjistruara nga sistemi i monitorimit të DVP Tiranë, duke përfshirë edhe filmimet në oborrin dhe korridorin e godinës së këtij organi.
Përveç sa më sipër, nga ekspertët e AP do të pyeten i ati i shtetasit D,D. dhe punonjësit e policisë që kanë bërë shoqërimin e shtetasit D.D. në DVP Tiranë. Dhe pas këqyrjes së CD me pamjet filmike do të identifikohen dhe pyeten edhe punonjësit e policisë që mund të kenë ushtruar dhunë ndaj personave të cituar më sipër”.

Zbulohet skema e “21 janarit”, si urdhëronte Rama banditët e tij të sulmonin policinë

Kreu i grupit parlamentar të LSI-së, Petrit Vasili, ka lëshuar akuza të ashpra kundër kryeministrit Edi Rama.
Në një postim në rrjetet sociale Vasili shkruan se, “ky qe sot qan e qurrepset per respektin qe gjoja ka per policine, ne 21 janar te 2011 e dhunonte si kriminel policine me drunj hunj e molotov bile perdorte edhe flamurin kombetar si mjet lufte, pasi i tille anti flamur eshte”.
“Kryeministri dje dhunues i policisë dhe i flamurit, sot qan si krokodil për të.
Historia e ketij kryeministri eshte banalisht historia e nje genjeshtari ordiner maniak te karriges se pushtetit, sepse pa te cilen eshte me pak se hiçgje.
Ky qe sot qan e qurrepset per respektin qe gjoja ka per policine, ne 21 janar te 2011 e dhunonte si kriminel policine me drunj hunj e molotov bile perdorte edhe flamurin kombetar si mjet lufte,pasi i tille anti flamur eshte” , ka shkruar ai në postimin e tij.
Më tej Vasili është shprehur se sapo erdhi në pushtet Rama, uli në detyrë policin që mbrojti flamurin në kulmin e dhunës së urdhëruar nga kryeministri.
“Sapo erdhi në pushtet po ky kryeministër në vend që të ngrinte, përkundrazi e uli në detyrë Amarildo Yzeirin, policin simbol që mbrojti flamurin në kulmin e dhunës së urdhëruar nga ky mashtrues që është sot në krye të qeverisë”, ka nënvizuar ai më tej.
Krahas këtij postimi Vasili ka publikuar edhe një video, në të cilën shikohet se si qëllohet policia me drunj gjatë protestës së 21 janarit.
“Ndaj shiheni videon dhe ju perseris,refuzoni te degjoni nje mashtrues kryeminister qe genjeshtren e ka te vetmin dimension te vertete te tij”, përfundon kreu i grupit parlamentar të LSI-së.

Berisha-Mesiç: Argatët e Beogradit në Prishtinë kanë marrë në dorë flamurin e Serbisë së Madhe

Ish-Kryeministri Sali Berisha, ka pritur sot në një takim mikun e madh të shqiptarëve, ish-presidentin e Kroacisë, Stipe Mesiç.
Pas takimit Berisha dhe Mesiç dhanë një prononcim për mediat, ku theksuan se në fokus të bisedës ishte projekti antishqiptar i Vuçiç për Serbinë e Madhe.
Ish-Kryeministri Berisha tha se, njohu presidentin Mesiç me qëllimet e Vuçiç për Serbinë e madhe, projekt i vjetër i Millosheviçit.
Gjithashtu ish-kryeministri theksoi se i tregoi Mesiç se pjesë për zbatimin e këtij projekti janë bërë dhe disa politikanë kosovarë dhe shqiptarë.
‘Sot një nga miqtë më të shquar të Kombit shqiptar ish-presidentin e Kroacisë, Stipe Mesiç, për të cilin mund të them se është jo vetëm një kroat i madh por dhe një shqiptar i madh. Diskutuam gjerësisht për zhvillimet në rajon, veçanërisht për përpjekjet e Aleksandër Vuçiç për krijimin e Serbisë së Madhe. Deklaratat e tij në Kosovën e Veriut se Serbia do bëhet më e madhe. Veprimet e argatëve të Beogradit në Prishtinë që kanë marrë në dorë flamurin e Serbisë së Madhe, si dhe faktin që në Kosovë këta argat nuk i mbështet askush tjetër përveç listës serbe dhe dy tre argatë të tjerë. Por Kaosi që krijojnë është jo i vogël, bizare dhe e paimagjinueshme për mua është deklarata e kreut të qeverisë shqiptare, i cili u tha dje shqiptarëve 36 ditë pas vizitës dhe deklaratave të Vuçiçit në Kosovën e veriut se Serbia do të bëhet më e madhe, identike me deklarata e Millosheviçit në Gazimestan, dhe ky tani del e thotë se unë e kam mik atë, thotë se është një mik shumë i mirë dhe jam krenar që e kam mik.

Një njeri që zbaton një projekt antishqiptar, një projekt fund e krye kundër paqes, dhe parimeve europiane të demokracisë bashkëpunimit dhe lirisë. Ne kishim një kuptim të plotë me presidentin Mesiç për çështjet që diskutuam’, deklaroi Berisha.
Ndërkohë ish-presidenti Mesiç deklaroi se projekti i Serbisë së madhe nuk ka për tu realizuar kurrë, duke kujtuar se për pavarësinë e Kosovës dhanë jetën 100 mijë shqiptarë.
‘Unë kam kënaqësinë e veçantë kur vij në Shqipëri dhe takoj presidentin Berisha. Më vjen shumë mirë sepse shumë herë takohemi dhe në konferenca ndërkombëtare. Gjithmonë i ka mbrojtur interesat e kombit të vet dhe asnjëherë nuk ka qenë kundër të tjerëve. Më vjen shumë mirë që sot kuptova dhe u njoha me kërkesat që janë aktuale për shkëmbimin e territoreve. Unë mendoj se dihet se shqiptarët i kanë institucionet e veta. Kosova është e pavarur ka institucionet e saj. Edhe unë besoj se asgjë nuk do të ndodhë që në serbi të realizohen dëshirat e Millosheviçit dhe as të Titos. Politika e Millosheviçit solli luftën e Jugosllavisë. Në luftën e fundit që ndodhi mbi 100 mijë dëshmorë ranë, fajtori kryesor ishte Millosheviçi. Katastrofë do të ishte nëse do të vazhdonin edhe sot politikën e Millosheviçit’, deklaroi Mesiç.

sb

Prononcimi qe mbajta se bashku me ish presidentin Kroat Stipe Mesiç pas takimit qe zhvilluam. Mesiç eshte jo vetem nje kroat i madh por dhe nje shqiptar i madh. Diskutuam per problemet ne rajon vecanerisht per perpjekjet e Vuçiç per krijimin e Serbise se Madhe. Me poshte deklarata e plote! sb

Gepostet von Sali Berisha am Donnerstag, 29. November 2018

Biznesmeni nis çmontimin e hotelit tek “Astiri” pasi deputetja e Ramës i dha dje lejen e legalizimit

Edhe pse janë prerë një pjesë e pemëve anës rrugës dhe janë shkulur shumica e shtyllave të ndriçimit, shumica e banorëve të Astirit vijojnë të qëndrojnë të vendosur kundër prishjes së shtëpive të tyre.
Ata kanë protestuar tashmë prej 26 ditësh pasi janë kundër vendimit të qeverisë për projektin e unazës së madhe, sa kohë që ata nuk marrin dëmshpërblimet.
Burime për Fax Neës bëjnë me dije se një prej bizneseve në këtë zonë është ‘dorëzuar’ duke pranuar kontratën e bërë me ARRSH-në dhe ka nisur çmontimin e hotelit.
Të njëjtat burime thonë se ky biznes është vizituar dje nga ana e deputetes Blerina Gjylameti, dhe duket se ka pranuar ofertën e dhënë.
Deputetja e PS-së pavarësisht kërkesave të vazhdueshme të banorëve, nuk ka pranuar që t’i takojë ata, mirëpo duket se ka shkuar në kohë për të mbyllur kontratat.
Banorët e tjerë thonë se nga ana e Veliajt, Gjylametit dhe të tjerë përfaqësuesve të tjerë të qeverisë po synojnë që t’i përçajnë ata, në mënyrë që ta kenë më të lehtë prishjen e banesave.
Banorët po ashtu thonë se biznesmeni ka pranuar ofertën pasi dje është pajisur me lejen e legalizimit, edhe pse thuhet se ky proces është pezulluar për zonën në fjalë.

Vrasja tek ish-Blloku, merret në pyetje këngëtarja Elvana Gjata

Këngëtarja e njohur Elvana Gjata, ka dhënë dëshminë e saj në drejtorinë e Policisë, 56 ditë nga vrasja në zonën e Bllokut në kryeqytet. Burime për ‘BalkanWeb konfirmuan se këngëtarja Gjata ka mbërritur në Rinas mbrëmjen e 22 nëntorit, në orën 00:30. Të njëjtat burime saktësuan se këngëtarja Gjata ka udhëtuar përmes linjës ajrore nga Vjena në Tiranë.
Mësohet se këngëtarja Gjata ka dhënë dëshminë e saj në drejtorinë e policisë mëngjes e ditës së premte. Elvana Gjata u shpall në kërkim policor pas vrasjes së ndodhur në zonën e bllokut, për zbardhjen e ngjarjes nevojitej edhe dëshmia e saj. Në përfundim të afatit të kërkimit policor, njoftimi për Gjatën është dërguar në të gjitha pikat kufitare në mënyrë që nëse paraqitej, këngëtarja do të shoqërohej për t’u marrë në pyetje.
Në dosjen e Prokurorisë, e cila ngrinte të gjithë dinamikën e ngjarjes në zonën e ish-Bllokut, thuhet se ditën e vrasjes Elvana Gjata është takuar me të fejuarin e saj jashtë lokal ‘Monopol’, për të shkëmbyer një çelës shtëpie. Dëshmi të cilën këngëtarja Elvana Gjata besohet të ketë dhënë mëngjesin e 23 nëntorit pranë drejtorisë së policisë në Tiranë. Sakaq burimet saktësuan për ‘BalkanWeb’ se marrjes në pyetje këngëtarja Elvana Gjata është lënë e lirë dhe mund të jetë larguar sërish nga Shqipëria.
Ndërkohë hetimet për vrasjen në Bllok, në të cilën mbeti i vrarë 28 vjecari Fabian Gaxha si edhe u plagosën dy të tjerë, Ervis Martinaj dhe Eljo Hato, kanë marrë një tjetër rrjedhë. Pavarësisht se këngëtarja Elvana Gjata u konsiderua si mollë sherri, hetimet janë shtrirë në prishjen e pazareve të drogës mes të fejuarit të saj Ervin Matës, si edhe një biznesmeni tjetër i shpallur në kërkim nga Policia, Eldi Dizdari. Sipas informacioneve nga shërbimet partnere rezulton se Mata nuk i është përgjigjur Dizdarit për një ngarkesë të konsiderueshme droge, gjë që e ka tensionuar raportet mes tyre. Ka qenë Dizdari që i ka thënë Matës se për borxhin duhet të sqarohet me Ervis Martinaj.

Një thesar për historinë, telegrami austriak, si u shpall pavarësia në Vlorë

Ilir IKONOMI

Po ju paraqes origjinalin e një telegrami të shtypur në makinë shkrimi që mendoj se është dokumenti i pakontestueshëm se si u shpall pavarësia në Vlorë në orën 4 pasdite të datës 28 nëntor 1912. E kam nxjerrë nga arkivi i pasur i Vjenës, një thesar për historinë shqiptare.
Telegrami prej 7 faqesh është shkruar nga konsulli austriak në Vlorë, Ëenzel Lejhanec, dhe i dërgohet ministrit të jashtëm austriak për t’i dhënë lajmin se Ismail Qemali e ka shpallur Shqipërinë të pavarur.
Është një dokument i njohur nga historianët dhe i përkthyer prej kohësh në shqip, por duke patur parasysh saktësinë me të cilën austriakët regjistronin dhe raportonin gjithçka ndodhte në Shqipëri, mendoj se ky telegram është nënvlerësuar për nga rëndësia. Aq sa vitet e fundit kanë qarkulluar legjenda sikur pavarësia ka qenë shpallur jo në Vlorë.
Në librin e tij me dokumente historike, Lef Nosi regjistron shpalljen e “pavarësive lokale”, duke filluar nga Tirana më 26 nëntor e në disa qytete të tjera, si Elbasani, Durrësi, Berati, Lushnja, Kavaja dhe Peqini, ngjarje që e elektrizuan atmosferën në favor të mëvetësisë.
Do të ishte naive që, nga telegramet në librin e Lef Nosit, të arrihej në përfundimin se pavarësia na qenka shpallur në Tiranë, Lushnje, Peqin, Durrës etj. Për ironi, vetë Lef Nosi, mbledhës i këtyre telegrameve, është njëri ndër ata që firmosën pavarësinë në Vlorë.
Duke lënë mënjanë shakatë, është vërtet për të ardhur keq që nuk kemi fotografi nga shpallja e pavarësisë në Vlorë. As edhe një. Prandaj telegrami që shihni këtu dhe që në formën origjinale publikohet për herë të parë, na ndihmon të krijojmë një përfytyrim pak a shumë të saktë për këtë ngjarje, e cila padyshim meriton të quhet historike.
Ja disa pjesë nga telegrami:
“Kuvendi Kombëtar i jashtëzakonshëm u mblodh në orën 2 pasdreke, në shtëpinë e ish-kryetarit të bashkisë, Xhemil bej Vlora. Pas shqyrtimit e pranimit të mandateve të delegatëve, Kuvendi dëgjoi Ismail Qemal beun, i cili duke përshkruar shkurt situatën, theksoi nevojën e marrjes së një vendimi të shpejtë për ruajtjen e interesave të vendit.
Kuvendi vendosi njëzëri shpalljen e pavarësisë së të gjithë Shqipërisë dhe njoftimin pa humbur kohë të Fuqive të Mëdha dhe të shteteve ndërluftuese.
Njëkohësisht, Ismail Qemal beu u zgjodh kryetar i qeverisë së përkohshme dhe u ngarkua me formimin e kabinetit, përkatësisht të komitetit ekzekutiv.
Sipas propozimit të Veli Efendiut nga Gjirokastra, imzot Kaçorri, famullitar i Durrësi, i cili kryesonte Asamblenë Kombëtare në krah të Ismail Qemalit, u miratua me brohoritje si zëvendës i tij.
Më pas, aty afër orës 4 pasdreke, tek dera e shtëpisë së Xhemil beut, u ngrit flamuri kombëtar, një shkabë dy krenare e zezë, në një fushë të kuqe. Shpallja e pavarësisë së Shqipërisë iu njoftua popullit që priste jashtë, i cili e priti me gëzim dhe entuziazëm.
Pastaj një turmë njerëzish përshkoi rrugët e qytetit, duke kënduar dhe brohoritur. Njerëzit qëndruan përpara konsullatës sonë dhe shpërthyen në brohoritje të stuhishme duke thirrur “Rroft Shqypënija” “Rroft Austrija”, thirrje që u shoqëruan me duartrokitje.
Unë falënderova kolonën nga dritarja, duke tundur kapelën dhe thirrur “Rroft Shqypënija”.
Pastaj kolona marshoi para konsullatës italiane, ku u bënë manifestime të ngjashme. Edhe konsulli De Facendis u shfaq në dritare dhe falënderoi duke thirrur tri herë “E viva l’Albania”.
Para nënkonsullatës ruse nuk u bë asnjë manifestim. Flitet se u dëgjuan vetëm disa thirrje aty-këtu: “Rroftë drejtësia”.