Sot protesta ka hyrë në ditën e 24-t, e thuajse ka nisur që në orët e para të mëngjesit dhe nuk është ndërprerë për asnjë moment.
Përgjatë gjithë ditës ka qenë e bllokuar vetëm një kah i rrugës, ndërsa në orën 5 janë bllokuar të dyja.
Shiu nuk i ka ndalur banorët të dalin me karrige nga shtëpia të ulen në mes të rrugës.
Heqja e shtyllave të ndriçimit është hapi i parë për ndërtimin e projektit.
Banorët vazhdojnë me të njëjtat thirrje, “Nuk na përçani dot”, “Jug, veri jemi një” e “do t’i mbrojmë shtëpitë me gjak”.
“Drejtuesit e automjeteve kanë fikur automjetet dhe nuk u bien borive. Ndërkohë, një prej protestuesve pohoi se, banorët do të qëndrojnë edhe gjatë natës në rrugë. “Do vazhdojmë të qëndrojmë edhe gjatë natës këtu. Do përshkallëzojmë protestën me çadra në rrugë. Nuk tërhiqemi, jemi të vdekur në rrugë të madhe. Shtëpitë na i skualifikoi shteti”, tha ajo.
Protesta e organizuar për nesër nga banorët do të jetë pa afat. Madje ata do të ngrejnë edhe çadra, si formë qëndresë kundër vendimit të shembjeve të shtëpive, në kuadër të ndërtimit të projektit të Unazës së Madhe.
Kujtojmë që banorët u kanë nisur edhe një letër kryeprokurores Marku, ku i cilësojnë si kriminale veprimet e zyrtarëve në Ministrinë e Infrastrukturës, Bashksisë së Tiranës, Autoritetit Rrugor dhe ALUIZNI-t. Letra, që u firmos mbrëmë gjatë protestës në mbrojtje të shtëpive nga prishja pa dëmshpërblim, synon të vërë në lëvizje organin e akuzës për të ndaluar atë që banorët e quajnë “dëbim me forcë”. Banorët i shpjegojnë me detaje kryeprokurores veprimet dhe mosveprimet e organeve shtetërore që nga shenjimi me kryq i shtëpive nga persona të paidentifikuar deri tek lajmërimi me gojë se banesat e tyre do të prishen për shkak të një projekti të panjohur më parë.
“Prishja e banesave dhe marrja e truallit, pa na ofruar më parë një dëmshpërblim të drejtë të dëmit që na shkaktohet, përbën veprim arbitrar të autoriteteve publike, që cenon të drejtën tonë të pronës.”- thuhet në letrën e banorëve për Arta Markun.
Banorët e Astirit paralajmërojnë përshkallëzim të protestës: “Çadra dhe qëndresë pa afat”!
SHBA dënon Rusinë për shkelje të sovranitetit të Ukrainës
Parlamenti i Ukrainës miratoi dje kërkesën e Presidentit Petro Poroshenko për të vendosur ligjin e luftës në vend, pas një incidenti të së dielës, në të cilin Rusia kapi tre anije të Ukrainës dhe ekuipazhet e tyre.
Po të hënën, ambasadorja e SHBA në Organizatën e Kombeve të Bashkuara Nikki Haley dënoi Rusinë për “shkeljen skandaloze të territorit sovran të Ukrainës”.
Në një takim urgjent të Këshillit të Sigurimit, zonja Haley e quajti konfiskimin e anijeve si “një akt arrogant që duhet të dënohet nga bashkësia ndërkombëtare”.
Rusia gjuajti kundër dy anijeve të Ukrainës dhe përplasi një anije të tretë të dielën në Detin e Zi, duke i kapur anijet dhe duke i akuzuar për hyrje të paligjshme në ujërat e saj territoriale.
Presidenti Poroshenko e zbuti versionin e mëparshëm të një projektdekreti për të propozuar ligjin e luftës me një kohëzgjatje prej 30 ditësh – një lëshim i dukshëm ky ndaj rivalëve – gjë që do të lejonte që zgjedhjet të thirreshin sipas planit, në dhjetor.
Zoti Poroshenko tha të hënën se synonte të deklaronte ligjin e luftës “për të forcuar aftësitë mbrojtëse të Ukrainës mes agresionit në rritje dhe të një veprimi të ftohtë agresioni nga ana e Federatës Ruse”. Ai shtoi se Ukraina ka në plan “të vazhdojë t’u përmbahet të gjitha detyrimeve ndërkombëtare”.
Zoti Poroshenko po kërkon që Rusia të lirojë menjëherë detarët dhe anijet e Ukrainës.
Ministri i Jashtëm rus Sergei Lavrov akuzoi Ukrainën për shkelje të normave ndërkombëtare me “metoda të rrezikshme që krijuan kërcënime dhe rreziqe për lëvizjen normale të anijeve në zonë”.
Kreu i NATO-s Jens Stoltenberg gjithashtu i bëri thirrje Rusisë të hënën për të liruar anijet e marinës ukrainase duke thënë se “nuk ka asnjë justifikim” për veprimet e Moskës.
“Ajo që pamë dje ishte shumë serioze,” tha zoti Stoltenberg pas një takimi urgjent të aleancës ushtarake perëndimore të mbajtur mbi Ukrainën me kërkesë të posaçme.
MARRËDHËNIE TË ACARUARA
Rusia ndërkohë shpërfilli thirrjet perëndimore për të liruar tre anijet ukrainase. Ministri i Jashtëm rus, Lavrov akuzoi Ukrainën se po provokon, duke shkelur parimet kyçe të ligjit ndërkombëtar.
“Ka shkelje të vazhdueshme të ligjit ndërkombëtar humanitar në Ukrainë, edhe pa ligjin e luftës: bombardime të zonave të banuara dhe infrastrukturës sociale, vrasje të civilëve. Dhe me shpalljen e ligjit të luftës mendoj se këta radikalë nacionalistë do të ndjehen krejtësisht të lirë të veprojnë. U bëjmë thirrje mbështetësve perëndimorë të Kievit, të qetësojnë ata që po përpiqen të sigurojnë avantazhe politike nga histeria ushtarake për shkak të zgjedhjeve që po afrohen apo ngjarjeve të tjera në vend”, tha ai.
Incidenti i së dielës filloi kur një rimorkiator ukrainas po shoqëronte dy anije të marinës nga porti i Odesës në Detin e Zi për në portin ukrainas në Mariupol, në Detin Azov nëpërmjet ngushticës Kerç.
Ngushtica Kerç, është kalimi i vetëm ndërmjet dy deteve.
Një traktat i viti 2003, i përcakton Detin Azov dhe ngushticën Kerç, si ujëra të përbashkëta territoriale.
Rusia tha se anijet ukrainase shkelën në ujërat e saj territoriale dhe akuzoi Ukrainës se nuk e ka informuar që anijet po planifikonin të lundronin nëpërmjet ngushticës – pohime këto që u hodhën poshtë nga Ukraina.
Marrëdhëniet midis Rusisë dhe Ukrainës janë përkeqësuar që kur Moska aneksoi gadishullin e Krimesë dhe nxiti një konflikt separatist pro-rus në Ukrainën lindore në vitin 2014.
Loja me bllofin e Ramës në Kosovë dhe Ramushi
Bledi KASMI
Në Kosovë luajti kartën e fundit të tij për të shpëtuar pushtetin. I gjendur në vështirësi brenda vendit nga kriza politike dhe revoltat e gjithanshme të një zemërimi masiv popullor, Rama kë përpiluar me kujdes një vizite me tone nacionaliste në Pejë që nisi me mbledhjen e dy qeverive në një sallë gjigande dhe që u pasua me mesazhet politike.
Ka pozuar bashkë me Haradinajn duke vendosur duart mbi flamurin kombëtar, ka folur për bashkim dhe madje ka vendosur edhe afate. Pastaj ka sulmuar Bashkimin Europian që nuk i hap negociatat e anëtarësimit të Shqipërisë që sipas tij i ka plotësuar të gjitha kriteret duke qenë vendi më i korruptuar dhe më i kriminalizuari në Europë.
Po përse zgjodhi Kosovën?
Thjesht për ti dhënë jehonë ndërkombëtare axhendës së tij politike të mbijetesës në Shqipëri. Ai po kërkon të përdorë Kosovën si mburojë politike ndaj një izolimi ndërkombëtar duke i kërcënuar ata se në rast se nuk e marrin seriozisht, atëhere ai mund të avancojë në axhendën e rakorduar me Serbinë dhe Rusinë për ndryshimin e kufijve dhe krijimiin e shteteve etnikisht të pastra gjë që do të sillte pasoja zinxhir në të gjithë Ballkanin. Kjo është karta të cilën ai e ka luajtur me lobime të fuqishme ndërkombëtare gjatë gjithë këtyre viteve duke u thënë ndërkombëtarëve se më e rëndësishme për ta duhet të jetë stabilokracia në rajon se demokracia.
Pra, ai po kërkon një kartabiankë të re për të shtypur liritë e qytetarëve në Shqipëri duke i plaçkitur dhe marrë peng me krimin dhe mbi të gjitha ta lejojnë që suprimojë zgjedhjet e lira dhe ti japin përfundimisht drejtësinë në duar këtij të çmenduri.
Dhe këtë po e bën duke i kërcënuar të tremburit në rradhët e ndërkombëtarëve që ose duhet ta lenë të pushtetërojë si do ai vetë ose si i çmendur që është mund të hidhet në erë duke marrë me vete edhe Ramushin.
E gjitha është një bllof i madh i Ramës. Pas kësaj vizite të Ramës në Kosovë dhe fotos me simbolin e shqiponjës të ministrave të dy qeverive, ajo që duhet të kuptoni është se Rama po luan kartën e fundit të tij nacionaliste, jo si një nacionalist i vërtetë , por si një maskara që ka kuptuar se është tani vetëm një kufomë politike dhe po kërkon me çdo kusht dhe me çdo mjet të shpëtojë pushtetin e vet personal.
Ajo që nuk kuptohet është se pse hyn Ramushi në këtë lojë që Rama e bën për të shpëtuar prapanicën e vet dhe prej të cilës nuk ka asnjë përfitim as vetë Ramushi dhe as Kosova? Përgjigjen e kësaj pyetje mund ta japësh edhe në gjuhën popullore, por është më mirë me receta politike.
Thjesht dikush duhet t’ia shpjegojë Ramushit lojrat politike të Ramës që jo vetëm nuk e ndihmojnë, por e marrin dhe atë me vete në fatin e zi të homologut të Tiranës.
Putin kërkon ndihmën e Merkelit për Ukrainën
Grindja mes Rusisë dhe Ukrainës zien sërish, bashkësia ndërkombëtare në kërkim të një përgjigjeje. Të hënën Merkel telefonoi me presidentin Putin, ku diskutohet analizimi i incidentit nga ekspertët. Ukraina ndjehet e kërcënuar nga Rusia dhe ka shpallur të hënën (26.11)ligjin e luftës. Ndërkohë të hënën vonë në mbrëmje, kancelarja Merkel ka telefonuar me presidentin Putin mbi gjendjen në Ukrainë, pas bisedës me presidentin ukrainas, Poroshenko. “Kancelarja gjermane ka theksuar nevojën e çtensionimit të situatës dhe dialogut”, ka bërë të ditur zëdhënësi i qeverisë, Steffen Seibert pas telefonatës së kancelares Merkeli me presidentin rus, Vladimir Putin.
Në telefonatën me Merkel, presidenti Putin ia ka hedhur fajin Ukrainës për përplasen në Detin Azov. Ai i drejtoi lutje kancelares Merkel që të ndikojë tek qeveria e Kievit të “mos ndërmarrë hapa të tjerë të pamatur.” Putin e ka vlerësuar situatën si “aksione provokative” të palës ukrainase. Sipas të dhënave të zyrës së shtypit të kancelares, Merkel dhe Putin kanë diskutuar për opcionin e analizimit të incidentit nga ekspertë të mbrojtjes kufitare nga të dyja palët.
Ndërkohë në Këshillin e Sigurimit, ambasadorja e SHBA-së, Nikki Haley akuzoi Rusinë për “shkelje skandaloze” të sovranitetit ukrainas. Edhe sekretari i Departamentit të Shtetit, Mike Pompeo e kritikoi Rusinë. Ndërsa presidenti Trump u shpreh vetëm, se situata “nuk është e mirë” dhe se ai “nuk është i lumtur” për këtë.
Mashtrimi Rama-Veliaj/ Asnjë shtëpi nuk është shembur tek Unaza e Re!
Deputeti i PD, Klevis Balliu, ka hedhur poshtë sot të gjitha deklaratat nga kryeministri apo kryebashiaku i Tiranës, se banorë të Unazës së Re kanë pranuar shembjen e shtëpive të tyre dhe kanë hyrë në banesat sociale.
Balliu vuri në dukje se ato shtëpi për të cilët foli Rama dhe Veliaj janë në Laprakë, kurse në zonën e Unazës së Re nuk është shkatërruar dhe as do të shkatërrohet asnjë banesë.
Balliu foli nga protesta që ka nisur prej mëngjesit sot tek segmenti midis pallatit me shigjeta dhe sheshit shqiponja.
“Këta banorë, – tha Balliu, – janë mbledhur këtu për të mbrojtur banesat e tyre nga një projekt tërësisht korruptiv, që mbush xhepat e Edi Ramës dhe Erion Veliajt dhe i le këta banorë pa shtëpi. Këto akte të paprecedenta të turpshme të emblemës së mashtrimit sot në Shqipëri, që është Erion Veliaj, janë ta patolerueshme.
Fotografia e nxjerrë nga bashkia e Tiranës bën fjalë për një godinë që ndodhet në Laprakë dhe jo në zonën prapa AMC, jo në zonën e Astirit. Në këtë shtëpi nuk është shkatërruar asnjë shtëpi dhe asnjë shtëpi nuk do të shkatërrohet.
Dua t’i përshëndes këta qytetarë heroikë, që me këtë qëndresë kanë treguar se kjo është një kauzë e çdo qytetari, ligjore.
Pavarësisht dhunë, presioneve, të ushtruar ndaj tyre dhe familjarëve, ata kanë qëndruar si kurrë më parë. Dua të përshëndes Dorin, ilirin, Iljazin, Danielin që është dhunuar si kriminelë ndërkohë që banditët vazhdojnë të qëndrojnë të lirë në kolltukët e tyre të ngrohtë”.
Publikohet letra e banorëve të Unazës së Re drejtuar kryeprokurores, ja çfarë i kërkojnë
Në ditën e 24 të protestës së tyre banorët e Unazës së Re i kanë shkruar edhe Kryprokurores së Përkohëshme Arta Marku. Banorët, të cilët janë nën kërcënimin e shkatërrimit të shtëpive pa dëmshpërblim i kanë kërkuar Prokurores së Përgjithshme të Përkohshme, Arta Marku të nisë hetimet kryesisht për të paktën dy vepra penale: Korrupsion dhe shpërdorim detyre.
Në letrën drejtues kryeprokurores Marku, banorët i cilësojnë si kriminale veprimet e zyrtarëve në Ministrinë e Infrastrukturës, Bashksisë së Tiranës, Autoritetit Rrugor dhe ALUIZNI-t.
Letra, që u firmos mbrëmë gjatë protestës në mbrojtje të shtëpive nga prishja pa dëmshpërblim, synon të vërë në lëvizje organin e akuzës për të ndaluar atë që banorët e quajnë “dëbim me forcë”.
Banorët i shpjegojnë me detaje kryeprokurores veprimet dhe mosveprimet e organeve shtetërore që nga shenjimi me kryq i shtëpive nga persona të paidentifikuar deri tek lajmërimi me gojë se banesat e tyre do të prishen për shkak të një projekti të panjohur më parë.
“Prishja e banesave dhe marrja e truallit, pa na ofruar më parë një dëmshpërblim të drejtë të dëmit që na shkaktohet, përbën veprim arbitrar të autoriteteve publike, që cenon të drejtën tonë të pronës.”- thuhet në letrën e banorëve për Arta Markun.
Nëpërmjet kësaj letre, e cila vë në dijeni edhe Presidentin e Republikës, Avokaten e Popullit dhe Prokurorinë e Tiranës, banorët e Unazës së Re tregojnë me hollësi procedurën dhe hapat që ata kanë ndjekur në të kaluarën për legalizimin e tyre, duke respektuar ccdo kërkesë ligjore.
“Secili prej nesh, ka paguar tarifat e shërbimit të kërkuara nga autoritetet kompetente shqiptare, janë njoftuar nëpërmjet njoftimeve në shtypin e shkruar nga ALUIZNI që banesat tona janë kualifikuar për legalizim, është miratuar për disa raste kalimi i tyre në pronësi të subjekteve poseduese me VKM përkatëse dhe janë në fazën përfundimtare të procesit. Për pasojë, gjatë gjithë kësaj periudhe, kemi qenë në pritje të marrjes së lejes së legalizimit, duke krijuar pritshmërinë e ligjshme të trajtimit të barabartë nga ana e shtetit, jo vetëm me banorë të tjerë të zonës që i janë legalizuar banesat, por me të gjithë qytetarët që kanë qenë subjekt përfitues nga ligji i legalizimeve.”-thuhet në letrën ku i kërkohet nisje e hetimeve kryesisht Prokurores së Përgjithshme, Arta Marku.
Banorët shprehin besimin se Prokuroria do të veprojë në mënyrë të shpejtë dhe të paanshme, në mbrojtje të interesit të qytetarëve.
Ja edhe informaiocni i plotë kaIlzues i banorëve për Prokurorinë
INFORMACION KALLZUES
Objekti: Për nisjen e hetimeve kryesisht për mënyrën e realizimit tëProjektit “Rehabilitim i Segmentit Rrugor Mbikalim Pallati me Shigjeta Sheshi Shqiponja”, dhe referim i dyshimit të arsyeshëm për kryerjen e veprës penale “Korrupsioni aktiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose të zgjedhurve vendorë” dhe“Shpërdorim i detyrës”, parashikuar nga nenet 245 dhe 248 të Kodit Penal, nga zyrtarët publikë në Bashkinë Tiranë, Autoritetit Rrugor Shqiptar, ALUIZNI dhe Ministria e Infrastrukturës dhe Energjetikës
Drejtuar: Prokurorit të Përgjithshëm
ZNJ. ARTA MARKU
Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë
Znj. ELIZABETA IMERAJ – Drejtuese e Prokurorisë
Për dijeni: Presidentit të Republikës
SH.T.Z. ILIR META
Avokatit të Popullit
Znj. ERINDA BALANCA
Nga: Banorët e zonës që preken nga projekti “Rehabilitim i Segmentit Rrugor Mbikalim Pallati me Shigjeta Sheshi Shqiponja”
Baza Ligjore: Neni 280 dhe 283 i Kodit të Procedurës Penale
E nderuar Znj. Prokurore e Përgjithshme,
E nderuar Znj. Drejtuese e Prokurorisë së Tiranës,
Ne, jemi përfaqësuesit e më shumë se 300 familjeve shqiptare, banorë të qytetit të Tiranës, që, në mënyrë të papritur dhe çnjerëzore, po na vrasin të drejtën për të jetuar të qetë dhe ndershmërisht në banesat tona.
Në mënyrë të befasishme, pranë banesave tona, janë paraqitur disa individë të paidentifikuar, të cilët kanë realizuar disa matje, kanë shenjuar banesat tona me kryq dhe na kanë kërkuar verbalisht që të lirojmë banesat brenda javës. Të nxitur nga kureshtja për këtë veprim të pazakontë, jemi interesuar pranë autoriteteve shqiptare, dhe në rrugë jozyrtare na u konfirmua, se banesat tona do të prishen, për shkak se do të realizohet një projekt urban, për zgjerimin e Unazës së Madhe të Tiranës.
Fillimisht, dëshirojmë t’ju bëjmë me dije se asnjë nga banorët e zonës, që preket nga Projekti i supozuar, nuk është informuar as për Projektin dhe as për nevojën e shpronësimeve për qëllim të realizimit të një investimi publik. Asnjë autoritet shtetëror nuk na ka kontaktuar zyrtarisht për të na informuar për Projektin, dobinë publike të tij, interesin publik në realizimin e atij projekti apo mënyrën sesi do të trajtohemi ne, banorët e asaj zone. Në rrugë jo zyrtare na është thënë vetëm se duhet të braktisim banesat tona dhe të vlerësojmë mundësi të tjera për strehim, për shkak se shtëpitë tona do të prishen, dhe pjesa dërrmuese nuk do të marrin asnjë kompensim financiar për pronat tona.
E drejta e pronës është një e drejtë kushtetuese për secilin prej nesh, që gëzon mbrojtje jo vetëm nga Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë, por edhe nga Konventa Europiane për të Drejtat e Njeriut. Në këtë rast, pavarësisht se disa banesa mund të mos jenë pajisur ende me leje legalizimi apo certifikatë pronësie, ato,defacto janë pasuri të paluajtshme, ku ne gëzojmë të drejta pronësore dhe që janë poseduar nga ana jonë në mënyrë të pandërprerë për më shumë se 20 vjet.
Në këto rrethana, edhe sikur për autoritetet shtetërore ne të mos konsiderohemi pronarë, më së paku, ne gëzojmë të drejtën e mbrojtjes së një interesi pasuror, në kuptim të nenit 1 të Protokollit nr. 1 të Konventës Europiane për të Drejtat e Njeriut dhe në zbatim të jurisprudencës së GJEDNJ-së.
Në çështjen OneryildizkundërTurqise (Aplikimi nr.48939/99, vendimi datë 18.06.2002), Gjykata Europiane e të Drejtave të Njeriut, ndër të tjera, shprehet se: “…. Gjykata konsideron se banesa e ndërtuar nga aplikanti dhe banimi i tij me familjen e tij përfaqëson një interes ekonomik substancial. Ky interes, të cilën autoritetet e kanë lejuar ta mbaje për një periudhe të gjatë kohe, ngrihet në një “posedim” brenda kuptimit të rregullit të parashtruar në fjalinë e parë të nenit 1, paragrafi 1 të Protokollit nr.1 …Gjykata përsërit rëndësinë kyçe të së drejtës që rrjedh prej nenit 1 të Protokollit nr.1 dhe konsideron që ushtrimi real dhe efektiv i kësaj të drejte nuk varet thjësht nëdetyrimin e shtetit për të mos nderhyrë, por mund të kërkojë masa pozitive mbrojtjeje …”. Në këtë vendim vërehet se GJEDNJ ka konkluduar se: “megjithëse banesa e kërkuesit ishte ndërtuar në shkelje të të gjitha rregullave të planifikimit urban të qytetit, Z. Oneryildiz kishte qenë një pronar de facto i strukturës kryesore dhe të pjesëve përbërëse të banesës dhe të çdo sendi personal që ishte gjendur në të. Ndërtimi i banesës dhe fakti që kërkuesi kishte jetuar në të së bashku me familjen përfaqësonte një interes thelbësor material, i cili, duke qenë se ishte toleruar, sië u tha më lart, nga ana e autoriteteve shtetërore përgjegjëse, arrinte të përbënte pasuri për qëllimet e Nenit 1, Protokolli 1 të Konventës.”.
Në këto kushte, autoritetet shtetërore (ARRSH, ALUIZNI, Bashkia Tiranë dhe MIE)janë duke ndërhyrë në mënyrë arbitrare në pronat tona, duke tentuar prishjen e tyre, pa asnjë dëmshpërblim të drejtë dhe që na mundëson financiarisht blerjen e një banese tjetër. Prishja e banesave dhe marrja e truallit, pa na ofruar më parë një dëmshpërblim të drejtë të dëmit që na shkaktohet, përbën veprim arbitrar të autoriteteve publike, që cenon të drejtën tonë të pronës. Konkretisht, jemi përpara kryerjes së veprimeve e mosveprimeve në kundërshtim me ligjin, që përbën mospërmbushje të rregullt të detyrës, nga persona që ushtrojnë funksione publike, dhe që dëmtojnëinteresat e ligjshëm të shtetasve.
Autoriteti Rrugor Shqiptar ka përmbyllur procedurën e prokurimit publik mbi realizimin e këtij projekti dhe menjëherë kompanitë fituese të tenderit kanë nisur punë, duke bërë prishjen e rrethrrotullimit tek “Shqiponja”, heqjen e sinjalistikës rrugore dhe prerjen e pemëve. Fillimi i punimeve është bërë pa ndjekur më parë procedurën e shpronësimeve për interes publik dhe për pasojë pa u pajisur më parë me Leje Zhvillimi.
Fillimi i punimeve kërkon domosdoshmërisht pajisjen me Leje Zhvillimi nga ana e subjekteve zbatuese të projektit. Kjo është ligjërisht e mundur vetëm pasi të jenë realizuar procedurat e shpronësimit dhe e gjithë pasuria që përfshihet në zonën e zhvillimit të ketë kaluar në pronësi të pronarit shtet. Ndërkohë që zbatimi i projektit është kryer disa javë përpara miratimit të vetë Projektit, dhe pa u pajisur me Leje Zhvillimi.
Fillimi i zbatimit të projektit ka sjellë pasoja të rënda për të drejtat tona të pronësisë. Zona jonë e banimit, është një nga zonat e reja informale të qytetit të Tiranës, e cila bazuar në ligjin nr. 9482, datë 3.4.2006 “Për legalizimin, urbanizimin dhe integrimin e ndërtimeve pa leje”, i ndryshuar”, është aktualisht në proces legalizimi. Vetëm një numër i vogël banesash, kanë përfunduar procesin e legalizimit dhe janë pajisur me leje legalizimi. Ndërkohë që pjesa dërrmuese e banesave, edhe pse janë në të njëjtat kushte me të parat dhe kanë depozituar aplikimin për pajisje me leje legalizimi në të njëjtën kohë, janë aktualisht vetëm të parakualifikuara për legalizim dhe i është kërkuar të paguajnë tarifat e shërbimit për qëllim të përmbylljes së procesit të legalizimit.
Secili prej nesh, ka paguar tarifat e shërbimit të kërkuara nga autoritetet kompetente shqiptare, janë njoftuar nëpërmjet njoftimeve në shtypin e shkruar nga ALUIZNI (Agjencia kompetente shtetërore për legalizim) që banesat tona janë kualifikuar për legalizim, është miratuar për disa raste kalimi i tyre në pronësi të subjekteve poseduese me VKM përkatëse dhe janë në fazën përfundimtare të procesit. Për pasojë, gjatë gjithë kësaj periudhe, kemi qenë në pritje të marrjes së lejes së legalizimit, duke krijuar pritshmërinë e ligjshme të trajtimit të barabartë nga ana e shtetit, jo vetëm me banorë të tjerë të zonës që i janë legalizuar banesat, por me të gjithë qytetarët që kanë qenë subjekt përfitues nga ligji i legalizimeve.
Aktualisht, ALUIZNI është përfshirë në një proces antiligjor, që përmblidhet si më poshtë:
Mostrajtimin e vetëdeklarimeve brenda afateve ligjore proceduriale, të përcaktuara nga nenit 49, të Ligjit nr.8485 datë 12.05.1999 “Kodi i Procedurave Administrative të Republikës së Shqipërisë”. Brenda këtyre afateve ALUIZNI duhej të shprehej me një vendim përfundimtar për legalizimin, apo përjashtimin nga legalizimi të ndërtimeve informale të vetëdeklaruara. Ky mosveprim, realisht, i ka shkaktuar dëm subjekteve vetëdeklaruese të ndërtimeve informale, në zonën që preket nga zbatimi i projektit. Po kështu, ky mosveprim ka sjellë pasojën që lidhet me shkeljen e së drejtës themelore për një proces të rregullt ligjor, parimit të sigurisë juridike. Ky mosveprim ka shkaktuar “amulli” në mospërcaktimin e qartë paraprak të statusit juridik të këtyre pronësive, para fillimit të zbatimit të projektit. Për të njëjtat situata, për subjekte të ndryshme, ALUIZNI ka marrë vendime të ndryshme në kohë dhe, ndërkohë, pa paralajmëruar që do të ndërpresë, në kundërshtim me ligjin, procedura të cilat kanë kanë kaluar disa faza proceduriale të rëndësishme.
Në disa raste, ALUIZNI rezulton se ka kryer procedura ligjore, deri në lidhje kontrate për kalim pronësie të parcelës ndërtimore (të ndodhur në zonën ku po zbatohet projekti), në favor të subjekteve vetëdeklarues. Por në mënyrë të kundërligjshme procedura nuk është vazhduar më tej, gjë që ka sjellë pasoja të rënda për subjektin tashmë ligjërisht pronar të parcelës ndërtimore, sa i takon vlerësimit të gjendjes juridike të ndërtimit informal të vetëdeklaruar dhe për pasojë mospërfshirjen në listën e subjekteve që duhen shpronësuar.
E gjitha kjo nënkupton prishjen e një numri të lartë banesash dhe një komunitet banorësh të konsiderueshëm në numër, të cilët duhet të humbin banesat e tyre pa marrë asnjë dëmshpërblim të drejtë.
Bazuar në rekomandimet e OKB-së dhe interpretimeve të dhëna në jurisprudencën e Gjykatës Europiane të të Drejtave të Njeriut, në Komentin e Përgjithshëm nr. 4, të Komitetit të Kombeve të Bashkuara për të Drejtat Ekonomike, Sociale dhe Kulturore, për të drejtën për një strehim të përshtatshëm dhe, veçanërisht, në Komentin e Përgjithshëm nr.7 të këtij Komiteti, Raporteri Special i Kombeve të Bashkuara për Strehimin ka publikuar një numër udhëzimesh të detajuara, të njohura si Parimet dhe “Udhëzimet bazë të Kombeve të Bashkuara” dhe “Udhëzimet për lirimet bazuar mbi Zhvillimet dhe mbi Zhvendosjen”. Këto parime dhe udhëzime bëjnë më të qarta detyrimet e shtetit, në rastet e lirimit me forcë të banesave.
Për shkak të mënyrës se si po veprohet nga ana e ARRSH-së dhe për rrjedhojë më pas edhe nga ana e IKMT-së, gjendja paraqitet në kushtet e “dëbimit me forcë”, në shkelje të të gjitha parimeve dhe standardeve ndërkombëtare të trajtimit të rasteve të dëbimit me forcë. Nuk ka patur një komunikim real dhe të nevojshëm, si dhe koordinim paraprak ndërmjet ARRSH-së dhe Bashkisë Tiranë, për trajtimin e familjeve, të cilat preken në pronësitë e tyre, pra të banesave, qofshin këto në posedim apo në pronësi të ligjshme, si pasojë e zbatimit të Projektit, për të trajtuar në kornizë ligjore këtë situatë, pavarësisht përpjekjeve të Bashkisë Tiranë për një zgjidhje të përkohshme të çështjes së strehimit për familjet që ngelen të pastreha.
Për më tepër, rezulton se, ekzistojnë pasuri të paluajtëshme, të ndodhura në zonën që preket nga zbatimi i projektit, të cilat janë ndërtuar deri më 10.08.1991, me truall funksional, për të cilat nuk posedohen akte të fitimit të pronësisë. Sipas legjislacionit në fuqi, këto pronësi duhet të kishin kaluar paraprakisht në pronësi të ligjshme të poseduesve të tyre, me qëllim që të arrihej në një proces shpronësimi për to. Sikurse rezulton, megjithëse ka filluar zbatimi i Projektit, kjo gjë nuk ka ndodhur deri tani.
Edhe procedura e prokurimit publik për realizimin e këtij Projekti krijon dyshimin e arsyeshëm të një procedure të parregullt dhe të paligjshme. Përveë faktit që në garë ka marrë pjesë realisht vetëm një ofertues apo se fituesit në disa raste janë kompani offshore, rezulton se edhe vlera totale e realizimit të Projektit, tejkalon çdo logjikë financiare dhe është tërësisht e pajustifikuar.
Kosto e pazakontë e segmentit aktual me gjatësi 2.3 kilometra rrjedh nga fakti se çmimii tenderuar është 40 milionë eurosh. Në tre tenderët e zhvilluar për tre lote në projektin aktual, një kompani konkuroi në secilin rast pa garë.Në dy tenderë, ofertat fituese ishin të barabarta me mbi 99.8% të fondit limit.
Afërsia e ofertës fituese me fondin limit konsiderohet në manuale të ndryshme të OECD apo Bankës Botërore si një ‘flamur i kuq’, një sinjalizues për autoritetet për rrezik të mundshëm korrupsioni ose marrëveshjeje të fshehtë mes kompanive pjesëmarrëse në garë për të shmangur garën dhe për të maksimizuar fitimet e tyre.Sipas Bankës Botërore, një tender duhet të konsiderohet i dyshimtë nëse oferta fituese ka një afrimësi me fondin limit më të vogël se 1%.
Fiktiviteti dhe paracaktimi i fituesit rezulton edhe nga procedura e konkurimit që është realizuar. Konkretisht, kompania “Vëllezërit Hysa”, edhe pse është regjistruar në të tre procedurat e prokurimit, nuk ka dorëzuar ofertë financiare. Kjo ka bërë që në konkurim të jetë vetëm një kompani, në të tre procedurat e prokurimit. Nga ana tjetër, kompania offshore që ka fituar tenderin, rezulton të jetë krijuar në muajin Korrik 2018, pra, vetëm pak muaj përpara hapjes së garës.
Konkretisht, segmenti i parë u fitua nga bashkimi i kompanive “Biba X” dhe “DH Albania”. Vlera e tenderit ishte 18 milionë euro. Kompania “Vëllezërit Hysa”, nuk paraqiti ofertë. Segmenti i dytë, u fitua nga “Salillari sh.p.k”. Vlera e tenderit, ishte 12.6 milionë euro. Kompania “Vëllezërit Hysa”, si pjesëmarrëse në tender, sërish nuk paraqiti ofertë. Segmenti i tretë, u fitua nga kompania “Viktoria Invest International” dhe “Viktoria Invest sh.p.k”.
Kjo kompani është përjashtuar një vit nga procedurat konkuruese koncesionare dhe të partneritetit publik privat. Ky përjashtim nuk e pengon këtë kompani të marrë pjesë në tender, por hedh dyshime serioze mbi kompaninë. Kompania “Vëllezërit Hysa”, ka shërbyer si një koperturë, për të legjitimuar një garë, që nuk ekzistonte. Por, ky nuk është problemi i fundit i këtij tenderi.
Ja çfarë ka ndodhur me segmentin e parë të këtij tenderi. Kompanitë fituese të këtij segmenti, “Biba X” dhe “DH Albania” janë të panjohura dhe pa eksperiencë në ndërtimin e rrugëve. “DH Albania”, është kompani e regjistruar në Shqipëri në 18 Korrik 2018, pra vetëm dy muaj përpara zhvillimit të tenderit. Ajo është regjistruar si degë e një kompanie të huaj, me emrin Dunëel Haberman, me përfaqësues ligjor, 26 vjecarin Avdjol Dobi. Kompania mëmë, Dunëell Haberman Ltd, është regjistruar në një parajsë fiskale, në shtetin Delaëere, në SHBA dhe duket se është një kompani pa aktivitet. Në qendrën kombëtare të biznesit, si përfaqësuese ligjore e kompanisë mëmë, është regjistruar Nesha Lynn Kumar, shtetase dhe banore në ishujt Sejshell.
Është interesant fakti, që kompania mëmë ka një faqe online, e cila është krijuar në 2 korrik 2018, pak më shumë se dy javë, para se kompania të regjistronte degën e saj në Shqipëri. Në faqe, nuk ka asnjë informacion për personat drejtues të kompanisë dhe asnjë informacion për angazhimet e saj në të shkuarën. Është njëlloj si operacionet që kanë kryer qeveritë e Shqipërisë me koncesionet e Rapiskanit, Bankers dhe të tjera.
Kompania tjetër e konsorciumit, Biba X, është regjistruar në Kavajë, në vitin 2002, me objekt, “prodhim të materialeve të ndërtimit, kryesisht prodhim dhe tregtim inertesh”. Në 15 tetor 2018, ortaku i vetëm Barush Biba, ndryshoi objektin e kompanisë, duke shtuar “ndërtim rrugësh, ndërtime civile, rikonstruksion fasadash”. Autorët e tenderit, kanë vepruar me aq nxitim, sa ndryshimin e objektit të kompanisë “Biba x” si ndërtues rrugësh, e kanë bërë një muaj pas fitimit të tenderit. Pra, këtë tender e ka fituar një kompani që nuk ka patur si objekt ndërtimin e rrugëve.
Fakti tjetër shumë i rëndësishëm është se, është që nga viti 2013, deri në tetor të vitit 2018, kompania “Biba X”, ka qenë vazhdimisht nën sekuestro, për fatura të pashlyera ndaj kontraktorëve të ndryshëm, të cilët kanë marrë urdhra gjyqësore, kunder kompanisë, deri në shlyerjen e detyrimeve. “Biba X”, ka qenë nën sekuestro, edhe gjatë periudhës kur ka konkuruar në tenderin e rrugës së re. Siç e dëshmojnë dokumentat, kompanisë “Biba X”, i është hequr sekuestro, një muaj pasi ka fituar tenderin. Ligji shqiptar për prokurimin publik, e përcakton qartë, se një ofertues, përjashtohet nga pjesmarrja në tender nëse kapitalet e tij janë në duart e përmbaruesit ose janë në proces konfiskimi.
Të gjitha të dhënat dhe indiciet e mësipërme, kanë detyruar një komunitet të gjerë banorësh që prej më shumë se 20 ditësh të protestojnë çdo ditë, në mbrojtje të të drejtës së tyre të pronësisë dhe të ligjshmërisë në veprimet e organeve shtetërore.
Ne besojmë plotësisht, se një vend që pretendon të veprojë sipas parimeve të shtetit ligjor, shqetësimi madhor publik i banorëve për më shhumë se 20 ditë, do të kishte detyruar organin e prokurorisë që të niste menjëherë hetimet për të vlerësuar të dhënat dhe indiciet që tregojnë veprime e mosveprime që përbëjnë shhpërdorim detyre dhe korrupsion sipas nenin 245 dhe 248 të Kodit Penal.
Nisur nga sa më lart, sa kohë organi i prokurorisë nuk ka vepruar ende dhe duke besuar se përmbushja e detyrave kushtetuese nga organet e drejtësisë, parandalon përshkallëzimin e situatave të dëmshme për gjithë shoqërinë shqiiptare, kërkojmë nga ana juaj nisjen e hetimeve kryesisht për mënyrën e realizimit tëProjektit “Rehabilitim i Segmentit Rrugor Mbikalim Pallati me Shigjeta Sheshi Shqiponja”, dhe kryerjen e një hetimi të plotë për për kryerjen e veprës penale “Shpërdorim i detyrës”, parashikuar nga neni 248 të Kodit Penal, nga zyrtarët publikë në Bashkinë Tiranë, Autoritetit Rrugor Shqiptar, ALUIZNI dhe Ministria e Infrastrukturës dhe Energjetikës.
Për këtë qëllim, kërkojmë:Regjistrimin dhe fillimin e procedimit penal për kryerjen e veprës penale të “Korrupsioni aktiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose të zgjedhurve vendorë” dhe “Shpërdorim i detyrës”, parashikuar nga nenet 245 dhe 248 të Kodit Penal, si dhe kryerjen e të gjitha veprimeve hetimore të nevojshme për sqarimin më të saktë e më të plotë të rrethanave të parashtruara më sipër, si dhe të rrethit të plotë të zyrtarëve publikë të përfshirë në këtë akt kriminal.
Ne shprehim gjithë besimin se institucioni juaj, do të veprojë në mënyrë të shpejtë dhetë paanshme, duke garantuar shtetin ligjor dhe duke mbrojtur interesin e qytetarëve.
Me respekt dhe në pritje të një reagimi nga ana Juaj,
BANORËT E QYTETIT TË TIRANËS
Messi: Nuk dua “të fle mbi dafina”, kam qëllimin tim
Sulmuesi i Barcelonës, një ndër më të mirët në botë, mund të ketë fituar shumë trofe dhe çmime gjatë kësaj dekade, por Lionel Messi është ambicioz, dëshiron edhe më tepër sukses.
Ai ka folur për objektivat e tij në një aktivitet të Unisports dhe Adidas, duke treguar hapur perspektivat në rritje për suksesin.
“Qëllimi im kryesor është të rritem dhe jo të mjaftohem me çfarë kam bërë, fituar apo arritur deri tani. Dua të përmirësohem çdo ditë dhe të përmbush më shumë objektiva dhe të fitoj më shumë tituj. E konsideroj vetën shumë konkurrues, dua të fitoj gjithçka dhe nuk më pëlqen të humbas gjë.”
Numri 10, gjithashtu ka folur për pozicionin e tij dhe si u zhvillua nga fokusi primar vetëm për të shënuar deri më sot.
“E shoh veten time më shumë si një lojtar që kontrollon lojën, që përfshihet shumë në mbajtjen e topit dhe që e shoh vetën më shumë sesa një golashënues.”
Në fillim të sezonit, Messi bëri komente ambicioze duke parashikuar se Barcelona do të fitonte Champions League-n në sezonin 2018-2019.
Totti, futbollisti i vetëm që i tha “jo” Perezit!
Sonte, “Olimpico” i kryeqytetit italian do të presë ceremoninë, që do të vërtetojë hyrjen e Tottit në “Hall of Fame” të Romës. Shfaqja do të jetë para ndeshjes me Real Madridin dhe kjo nuk është rastësi. Sepse ai, në emër të besnikërisë ndaj ngjyrave të klubit të zemrës, hoqi dorë nga titujt, “Topat e Artë” të mundshëm dhe shumë të holla: e refuzoi dy herë Real Madridin.
Përpjekja e parë e “Los Blancos” për të marrë kapitenin legjendar të verdhekuqve u bë më 11 shtator 2001. Ndodhi përpara një tjetër ndeshjeje Champions-i, Roma-Real Madrid. Florentino Pérez, gjatë drekës institucionale, i kërkoi Franco Sensit të nënshkruante me kapitenin e tij. Presidenti roman e mbylli këtë çështje me përgjigjen e tij ironike: “Çfarë është kjo, një shaka?”
Por, presidenti i të bardhëve nuk hoqi dorë, iu rikthye pistës “Totti” edhe në vitin 2004, pas ndeshjes Real Madrid-Roma, më 28 shtator (përfundoi 4-2). Ish-yjet e galaktikëve në atë kohë, Beckham dhe Zidane, i kishin thënë Tottit: “Ne e dimë se së shpejti do të jemi shokë skuadre”.
Te Roma, ku kishte edhe vetëm një vit kontratë, Totti fitoi 5.8 milionë euro neto. Florentino Perez i ofroi 12 milionë neto, ose 15 milionë bashkë me të drejtat e imazhit, te Real Madridi. Por, asgjë nuk e tundi besnikërinë e kapitenit për ngjyrat verdhekuqe. “E çmendur, unë do të kisha qenë më i paguari në botë, – kujton njëri nga emblemat e futbollit italian ndër vite. – Real Madridi do të shiste Figon për të liruar fanellën me numrin 10, që Florentino ma premtoi”.
Por, kësi nderimesh të larta dhe paratë e shumta nuk e mundën dot dashurinë për klubin dhe tifozët e tij, të cilat, sipas Tottit, “nuk mund të tradhëtoheshin”: “Unë nuk pranova të shkoj në Madrid, sepse ky klub i madh nuk ishte historia ime. Historia ime është Roma”. Për hir të tij, në “Santiago Bernabeu”, në vitin 2016, u panë 30 fanella me emrin “Totti”. Florentino Perez e mirëpriti atë, duke thënë: “Shikoni, ai është futbollisti i vetëm që më ka thënë jo”.
Unaza e Re/ Rikthehen punonjësit e IKMT me forca të shumta policie, nis përplasja me banorët
Punonjësit e IKMT-së që u kthyen pas nga banorët e Unazës së Re janë rikhtyer sërish për të vazhduar punën.
Por menjëherë janë rikthyer edhe banorët tek vendi ku zhvillohen punimet dhe kjo e ka acaruar situatën.
Megjithatë punonjësit e e IKMT-së janë të shoqëruar me forca të shumta policie. Njëri krah i rrugës është i bllokuar.
“Sa ikëm ne erdhën, s’na lanë rehat, turp”, tha njëra nga protestueset, duke theksuar se ata nuk do lejojnë prishjen e banesave të tyre.
“Do të flijohemi këtu, kemi dalë për pronën tonë”, u shpreh një tjetër. Ata janë shprehur të zhgënjyer pasi u ishte premtuar se makinat e IKMT-së nuk do të riktheheshin sot pasi u larguan, por ka ndodhur krejt e kundërta.
Ndërkohë tek Unaza e Re kanë shkuar dhe deputetët e Partisë Demokratike, Edi Paloka dhe Klevis Balliu.
“Ky i pabesë do mbajë përgjegjësi para qytetarëve, se i mashtroi, sapo ikën i riktheu punonjësit”, u shpreh deputeti i PD-së, Klevis Balliu.
Ndërsa nënkryetari i PD, Edi Paloka deklaroi se banoët po kërcënohen me makina me xhama të zinj. Paloka theksoi se nuk ka shanse që këta banorë të dalin nga shtëpitë e tyre pa u dëmshpërblyer.
“Banorët më thanë që kërcënohen nga persona me makina me xhama të zinj, me siguri janë ata që do të ndërtojnë pallate këtu”, u shpreh ndër të tjera Paloka.
Banda me makina me xhama të zinj kërcënojnë natën banorët e Unazës së Re
Nënkryetari i PD, Edi Paloka, ka bërë një denoncim shokues nga Unaza e Re, për atë që ndodh jo ditën, por natën me banorët:
Kriminelë ordinerë me makina me xhama të zinj vijnë dhe i kërcënojnë që të largohen nga zona.
Paloka shprehu bindjen se ata janë persona që kanë marrë premtimin për të ndërtuar pallate në atë zonë.
“Dhuna nuk është ndonjë gje ë re për këtë regjim, tha Paloka, sepse për interesat e xhepit të Edi Ramës nuk merr parasysh as strehën e fëmijëve, as të të sëmurëve. Kanë ngritur gjtihë Policinë në këmbë kur krimi bën kërdinë. Ngre Policinë kundër banorëve që ua jep të drejtën e banesës, e drejta njerëore.
Fëmija 8 vjeç ngeli rrugëve se ia kishin marrë prindërit në komisariat. Pse ndodh kjo: se një mostër që kemi kryeministër bashkë me këtë “velinën” e bashkisë duan të fusin paratë në xhep.
Natën këtu vijnë kriminelë, kriminelë ordinerë që kanë marrë premtime për të ndërtuar pallate. Vijnë natën me xhama të zinj dhe të maskuar dhe bëjnë kërcënime. Vazhdon bashkëpunimi i politikës me krimin”.