32.5 C
Tirana
E enjte, 21 Gusht, 2025

BIRN: Votuesit që munguan në zgjedhjet parlamentare

Nga Gjergj Erebara/ BIRN

Më 28 prill 2025, gjatë fushatës elektorale, kryeministri Edi Rama u ndal në një miting në fshatin Petrelë të Tiranës, ku deklaroi se suksesi i menaxhimit të ekonomisë prej qeverisë së tij po bënte që shumë emigrantë të kthehen në atdhe.

“…faktet tregojnë që ajo çka ka ndodhur me zhvillimin e Tiranës ka impaktuar në mënyrë shumë domethënëse të gjithë hapësirën rurale dhe faktikisht, sot ne jemi këtu në një investim të bërë nga një çift që janë kthyer nga emigracioni, janë kthyer nga emigracioni dhe kanë bërë një investim jo të vogël, me siguri të suksesshëm besoj unë, që përpara një dekade do ishte e pa konceptueshme të bëhej,” deklaroi ai sipas fjalimit të publikuar në faqen e internetit të Partisë Socialiste.

Faktet në fakt sugjerojnë se, fshati piktoresk i Petrelës, ku që herët një numër restorantesh kanë ndihmuar popullsinë të sigurojë një jetesë normale, është përfshirë nga rënia e popullsisë në masë të konsiderueshme dhe se çifti i kthyer nga emigracioni, për të cilin foli Rama, ka gjasa të jetë një përjashtim nga rregulli. Të dhënat e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve të analizuara nga BIRN tregojnë se numri i votuesve në njësinë administrative Petrelë ka rënë me 6% mes viteve 2021 dhe 2025. Petrela ka në fakt një rënie relativisht të përmbajtur në krahasim me pjesën tjetër të vendit.

Nuk ka rëndësi nëse sheh zona të pasura apo sheh zona të varfra. Nuk ka rëndësi nëse i hedh sytë te zonat urbane në qendër të Tiranës apo te zonat informale në periferi dhe as nëse sheh zonat bregdetare, ku, supozohet, turizmi duhet të sjellë mirëqenia apo zonat malore, ku jetesa është e vështirë. Kudo që sheh në hartën e pjesëmarrjes në zgjedhjet e 11 majit në Shqipëri do të dallosh një gropë të konsiderueshme, numri i njerëzve që nuk votuan dhe që, me gjasa, nuk votuan për shkak se nuk janë më në Shqipëri.

Votuesit që mungojnë, saktësisht 200,136 vetë ose 12% e të gjithë popullsisë votuese së pranishme në vitin 2021, sugjerojnë se vendi është përballur me një valë emigrimi të jashtëzakonshme përgjatë katër viteve të fundit, një valë që duket se ka ngrënë 3 për qind të popullsisë në vit dhe që, sipas gjasave, do të gërryejë aftësinë e vendit për të prodhuar mallra e shërbime dhe, në instancë finale, për të paguar pensionet e një brezi gjithnjë e më të madh të moshuarish.

Rënia e popullsisë duket se shpjegon edhe konsolidimin e rezultatit të Partisë Socialiste, e cila, në thelb ka marrë më pak vota brenda Shqipërisë dhe përqindje më të lartë të votave të vlefshme se sa më 2021, ndërsa politika e saj e abuzimit me burimet shtetërore, të tilla si vendet e punës në sektorin publik, ofrojnë vota relativisht të qëndrueshme përkundrejt popullsisë që pakësohet.

BIRN analizoi të dhënat e pjesëmarrjes në zgjedhjet e vitit 2021 dhe të pjesëmarrjes brenda vendit të zgjedhjeve të vitit 2025, në nivel qarku dhe në nivel bashkie si dhe shqyrtoi veçmas pjesëmarrjet në njësitë administrative të qytetit Tiranë, të Bashkisë Tiranë si dhe të disa qyteteve kryesore të vendit. Në nivel qarqesh, rënie regjistrohet në të gjithë territorin e vendit, ku rënia më e fortë vihet re në qarqet Elbasan, Berat dhe Korçë. Incidentalisht këto janë edhe qarqet ku fitorja e socialistëve në përqindje dhe mandate ishte më e theksuar.

Në Qarkun e Beratit, i cili shtrihet në Shqipërinë qendrore në një zonë të përzjerë fushash pjellore dhe kodrash e malesh, popullsia votuese në zgjedhjet e 11 majit ra në 67 mijë vetë nga 80 mijë që pati qenë në zgjedhjet e vitit 2021. Partia Socialiste humbi 5,500 votues në krahasim me katër vjet më parë por përqindja e votave të vlefshme të saj u përmirësua lehtë nga 56 në 57.6%. Në total, 17% e votuesve të qarkut që katër vjet më parë morrën pjesë në zgjedhje, munguan të dielën e 11 majit. Bashkitë Poliçan e Skrapar, të dyja në zona malore, humbën respektivisht 22 dhe 20% të popullsisë votuese por edhe tre bashkitë fushore të qarkut, Berat, Dimal e Kuçovë humbën mes 14 dhe 18% të popullsisë. Vetë qyteti i Beratit numëroi gjithsej 18 mijë votues, 16% më pak se sa më 2021.

Në Korçë, në nivel qarku, popullsia votuese ka rënë me 16% dhe socialistët kanë humbur rreth 3,300 vota në krahasim me katër vjet më parë, por fitorja e tyre është përmirësuar nga 49 në 54%, për shkak se partitë e tjera kanë humbur edhe më shumë votues.

Në Qarkun Elbasan, ku socialistët fituan të dielën e kaluar 60% të votave, numri i popullsisë votuese ka rënë me 17% dhe vetë votat e socialistëve janë tkurrur me 6 mijë.

Në Qarkun Fier, i cili është qarku i dytë më i madh në Shqipëri, popullsia votuese ra me 12% por këtu votat e Partisë Socialiste u shtuan me 5 mijë më shumë nga sa kishin qenë në vitin 2021.

Qarqet e tjera kanë rënie të popullsisë votuese në nivele të ngjashme ndërsa rënien më të ulët e ka shënuar Qarku Tiranë, ku mungojnë “vetëm” 7.2% e popullsisë votuese që ishte katër vjet më parë. Ky është qarku ku Partia Socialiste ka humbur 19 mijë vota dhe ku rezultati i përgjithshëm i saj ka rënë lehtë nga 48.7% që ishte katër vjet më parë, në 48%.

U larguan 50 mijë vetë në vit?

Popullsia e Shqipërisë ka pësuar rënie përgjatë tre dekadave të fundit, por përgjatë periudhës 1989-2011, vendi ka përjetuar dy lëvizje të mëdha migratore: njëra, nga Shqipëria për jashtë vendit dhe tjetra, nga zonat periferike apo zonat malore drejt Ultësirës Perëndimore dhe veçanërisht në qendrat e mëdha urbane të vendit, Tirana dhe Durrësi. Lëvizjet migratore nga zonat rurale drejt zonave urbane janë parë gjithashtu edhe në qytetet e tjera të mëdha të vendit si Shkodra, ku një njësi administrative e quajtur “Komuna Rrethina” mori tipar të përzjer urban dhe rural, apo zona e ish-Kënetës në Durrës.

Censi i vitit 2023 vuri në dukje se, ndryshe nga dekadat e mëparshme, lëvizja e brendshme  e popullsisë praktikisht kishte mbaruar dhe se përgjatë dekadës pas Censusit të vitit 2011, kanali kryesor i lëvizjeve demografike ishte me drejtim emigrimin për në vendet e tjera.

Censi është një proces që kryhet një herë në dhjetë vjet dhe, ndërsa jep informacion mbi gjendjen e popullsisë në një pikë të caktuar, ofron pak informacion në lidhje me lëvizjet brenda dekadës. Kështu, ndërsa dihet se popullsia ra nga 2.82 milionë në vitin 2021 në 2.4 milionë më 2023, nuk është e mundur të dallohet nëse rënia ishte e njëtrajtshme nga viti në vit apo kishte vite në të cilat, vala migratore ka qenë më e lartë.

Ajo që të dhënat për pjesëmarrjen në zgjedhjet parlamentare të viteve 2021 dhe 2025 tregojnë është që në fakt, me gjasa, Shqipëria ka përjetuar një valë të stërmadhe emigracioni pas vitit 2021. Ndërsa Censi sugjeron rënie të popullsisë me 420 mijë vetë mes viteve 2011 dhe 2023, me një mesatare prej afërsisht 35 mijë në vit, rënia e votuesve përgjatë katër viteve të fundit sugjeron rënie popullsie prej mbi 50 mijë në vit. Afërsisht 1.66 milionë qytetarë morën pjesë në zgjedhjet e vitit 2021 dhe afërsisht 1.46 milionë në zgjedhjet e vitit 2025.

Gjasat janë që mungesa e 200 mijë qytetarëve në zgjedhje të lidhet me emigrimin e tyre dhe jo me ndonjë lloj rritjeje të shkallës së mospjesëmarrjes në votime. Dhe nëse është kështu, afërsisht 2% e popullsisë ose një në çdo pesëdhjetë qytetarë, janë larguar në emigrim gjatë katër viteve të fundit.

Rënie në zemër të Tiranës

Elementi i ri në emigrimin e popullsisë, përveç shtimit të ritmit të largimeve gjatë katër viteve të fundit, është fakti që votuesit në zgjedhjet e së dielës mungojnë gjithkund, përfshirë lagjet më të pasura të kryeqytetit, me përjashtime të rralla.

Të dhënat e detajuara të pjesëmarrjes tregojnë se edhe, fjala vjen, Njësia Administrative 5, e cila përfshin zonën e ish-Bllokut dhe lagjen Komuna e Parisit pati rënie në pjesëmarrjen në votime me 6%. Lagjja 2, e cila përfshin Qytetin Studenti dhe zonën e Pazarit të Ri ra me 7% dhe lagjja 3, e cila përfshin zonën e Xhamllikut, ra me 7% gjithashtu. Njësia 11, e cila pëfshin Laprakën dhe që gjerësisht konsiderohet si zonë e varfër e kryeqytetit, ra me 11 për qind ndërsa njësia 4, e cila përfshin Alliasin dhe ish-Kinostudion, ra me 12%. Njësia 6, e cila përfshin zonën tjetër të varfër të ish-Kombinatit ka pësuar rënie në numrin e votuesve me 17% ndërsa ish-komunat Kashar, Farkë e Dajt janë të vetmet që kanë shënuar rritje të numrit të votuesve.

Rënia ka përfshirë edhe të gjithë zonat rurale të kryeqytetit, si në zonat kodrinore në perëndim ashtu edhe në zonat malore në lindje, ku, supozohet, afërsia me metropolin duhet ta bëjë jetën më të lehtë.

Popullsia votuese në territorin e qytetit Tiranë, ku përfshihen 11 njësitë administrative pa ish-komunat, ka rënë me 27 mijë vetë ndërsa në territorin e Bashkisë Tiranë sipas ndarjes territoriale të pas vitit 2015 popullsia votuese ka rënë me afërsisht 26 mijë vetë.

Nëse të dhënat për qytetet kryesore analizohen veçmas, vërehet rënie e popullsisë në zonat urbane të vendit në masën 9% ndërsa në pjesën tjetër të vendit, ku përfshihen zonat rurale dhe qytezat e vogla, rënia ka qenë në masën 14%.

Rënia e popullsisë paralajmëron ecuri të keqe të ekonomisë gjatë viteve në vazhdim, shenjat e së cilës janë shfaqur sakaq. Ndërsa popullsia rurale emigron, prodhimi bujqësor e blegtoral i vendit pakësohet pasi, siç duket, popullsia e larguar nuk po zëvendësohet me mekanikë bujqësore. Të dhënat e INSTAT tregojnë  se prodhimi i brendshëm bruto i sektorit të bujqësisë ka katër vjet me rënie. Po kështu, ka gjasa që një pjesë e rënies së manifakturës, kryesisht veshje e këpucë, sektor që reflektohet në rënien e konsiderueshme të eksporteve gjatë katër viteve të fundit të jetë gjithashtu rrjedhojë e emigrimit të popullsisë.

Ekonomia e Shqipërisë është rritur me ritëm domethënës përgjatë viteve të fundit, gjë që normalisht do të kishte sjellë, jo rënie të popullsisë, por rritje. Por fakti është që 12% e votuesve duket se munguan në zgjedhjet e 11 majit dhe kjo sugjeron gjithashtu se rritja ekonomike, e përqendruar te ndërtimi dhe turizmi, jo vetëm që nuk ka bindur shumë emigrantë që të kthehen, por ka bindur shumë banorë që të ndjekin popullsinë gjithnjë e më të madhe të diasporës.

Gazetarëve lokalë u ndryshohet kontrata e punës “nga sot për nesër”

Pesë operatorë të televizionit informativ “ABC News” u pushuan pa paralajmërim nga puna, ndërsa tre reporterëve nga rrethet iu komunikua se nga 1 qershori do të paguhen me honorarë. Këto vendime të papritura, të komunikuara përmes mesazheve nga redaksia, kanë ngjallur shqetësim në radhët e komunitetit të medias.

“Para dy ditëve nga redaktorja e rretheve na erdhi mesazh, që nga 1 qershori, me urdhër të drejtorit, do kaloja me honorarë,” tha në kushte anonimati për Citizens një prej bashkëpunëtorëve të “ABC News” që prekej nga vendimi.

Në mesazhin e dërguar, të cilin Citizens pati mundësi ta shqyrtojë, tregoheshin edhe pagesat specifike si: për një raportim “Live!” 1,000 lekë, raportim i thelluar 2,000 lekë, ekskluziv 5,000 lekë, dhe raste të veçanta deri në 10,000 lekë.

Në tregun e medias në Shqipëri, pagesat me honorarë përgjithësisht janë informale me para kesh, në dorë. Ndërkohë, gazetarët lokalë përballen shpesh me ngarkesa të shumta pune, duke përfshirë edhe rolin e operatorit dhe shoferit, ndërsa shpesh nuk u rimbursohen shpenzimet.

Kjo praktikë përbën një tjetër dëshmi të pasigurisë në të cilën funksionon sot gazetaria lokale në Shqipëri.

Rasti u bë publik fillimisht nga gazetarja Anila Prifti, e cila në një postim në rrjetet sociale u shpreh se “një profesion që dikur ngjallte respekt, sot përfundon i papërfillshëm, si mbetje pas zgjedhjeve, pa mbrojtje, pa vlerë.”

Citizens.al iu drejtua Drejtorit të Informacionit në “ABC News”, Sokol Balla, për të pasur një koment rreth kësaj çështjeje, por nuk pati përgjigje deri në momentin e publikimit të këtij artikulli.

Sipas Blerjana Binos, e cila përfaqëson Rrjetin e Gazetarëve të Sigurt (Safe Journalist) dhe njëherësh drejton Qendrën Shkencë dhe Inovacion për Zhvillim (SCiDEV), fakti që punonjësit e medias zgjedhin të mos flasin publikisht për një situatë të tillë reflekton për një klimë frike, presioni dhe autocensure që i dekurajon ata për të denoncuar shkeljet ndaj të drejtave të tyre.

Bino thekson se ndryshimi i njëanshëm dhe pa paralajmërim i kontratave të punës në kontrata me honorare i vendos gazetarët në pozitë të vështirë duke i detyruar ‘de facto’ të japin dorëheqjen për shkak të kushteve të papranueshme.

“Kjo praktikë i lë ata pa mbrojtje ekonomike dhe sociale. Nuk u është dhënë koha dhe hapësira e nevojshme, siç parashikohet nga Kodi i Punës, për të negociuar apo për t’u përshtatur me ndryshimet e reja” thotë ajo për Citizens.

Asociacioni i Gazetarëve të Shqipërisë (AGSH) reagoi ashpër, duke e konsideruar këtë si një hap pas në drejtim të të drejtave të punës dhe bëri thirrje për hetim nga Inspektorati Shtetëror i Punës.

“Gazetarët nuk mund dhe nuk duhet të trajtohen si punëtorë të përkohshëm, të ekspozuar ndaj pasigurive financiare dhe mungesës së të drejtave elementare” citohet në deklaratë.

Ndër të tjera, AGSH tha se do të kërkojë sqarim nga drejtuesit e “ABC News” për këtë vendimmarrje të njëanshme./citizens.al

Për paranojën dhe alibinë: “SPAK-u i partisë na e ka fajin”

Nga Namir Lapardhaja

Ndonëse Prokuroria e Posaçme ka futur në burg gjysmën e qeverisë, ndërsa gjysmën tjetër e ka në hetim, sërish ata që pretendojnë pushtetin dhe sulmojnë mëngjes e mbrëmje punën e SPAK-ut nuk arritën as të përfitojnë nga kjo situatë as të fitojnë nga gjendja e krijuar. E para, sepse nuk janë të vërtetë dhe të sinqertë. E dyta, sepse, ndërsa SPAK-u godet pa mëshirë qeverinë, paranoja e tyre ngre skema ‘alternative’, si lufta brenda lllojit me një regjisor suprem etj. të ngjashme.

Është kjo paranojë e hedhur në opinionin publik në rastin e goditjes së fundit në Durrës nga Berisha, e cila po përhapet me shpejtësi edhe nga taborret e tij mediatik dhe më gjerë. Pra, paranoja e radhës thotë se pse SPAK goditi pas zgjedhjeve dhe jo para tyre.
Pra, këta që e inkriminojnë dhe kriminalizojnë punën e Prokurorisë së Posaçme, i kërkojnë asaj llogari se pse nuk i solli ata në pushtet, por lejoi, sipas tyre, bandat të mbledhin vota për Edi Ramën.
Në fakt, si çdo paranojë, edhe kjo e fundit ka disa ngërçe logjike, sipas të cilave jo vetëm që nuk është e vërtetë, por koordinimi i një operacioni kaq të madh dhe kaq të gjerë shkon përtej zhvillimeve lokale, siç janë zgjedhjet në Shqipëri.

Së pari, ky është një hetim disavjeçar (vjet, për shembull, u kapën 3 milionë euro) dhe i koordinuar me Prokurorinë Italiane, pas kërkesat për masat e sigurimit (arrest me burg) duhet të shkojnë në mënyrë të sinkronizuar me të dy palët që të mos dekonspirohet hetimi. Pasi prokuroritë e dy vendeve dakordësojnë datën e çuarjes së kërkesave në gjykatë, më pas ua çojnë gjykatave respektive, të cilat marrin kohën e tyre për të studiuar dosjet dhe për të autorizuar masat e kërkuara. Mos të harrojmë se është një dosje voluminoze që përfshin, së paku, 52 persona. Një gjë e tillë është lehtësisht e kuptueshme se kërkesat e Prokurorisë së Posaçme janë çuar në Gjykatë përpara datës së zgjedhjeve.

Së dyti, ky është një hetim i nisur një vit më parë dhe nuk ka lidhje me zhvillimet momentale të luftës politike në Shqipëri. Pra, mund të shërbejë si alibi politike, por kur e bëjnë edhe njerëz serioz që njohin procedurat dhe ligjet, atëherë duket si një dashakeqësi për t’i shërbyer eprorit dhe duke flakur tej profesionalizmin dhe interesin publik.

Së treti, të besosh se Prokuroria e Posaçme i ka kërkuar urdhërat e arrestit pas zgjedhjeve për të favorizuar pushtetin, edhe mund të besohet nga militantët e verbër, por të përziesh në këtë mesele edhe prokurorinë italiane, për shkak të koordinimit mes tyre, kjo pastaj është e tepërt dhe duhet shumë shpëlarje mediatike dhe mendore për të qenë e besueshme. Prokuroria italiane nuk do t’ia dijë për zgjedhjet në Shqipëri, sepse ajo shikon interesin e hetimeve.
Dhe për t’i shkuar “paranojës” deri në fund, vlen pyetja: grupi i goditur nga SPAK dhe Prokuroria Italiane kanë lidhje vetëm majtas apo brenda tyre la elemente me lidhje edhe nga e supozuara opozitë shqiptare? Këto tonelata droge që kalojnë nga Durrësi janë vetëm në këtë periudhë apo edhe më herët?

Si përfundim, ata që i kërkojnë SPAK-ut llogari për humbjen e zgjedhjeve, duke krijuar përditë alibi të reja, si rasti i fundit me goditjen e një grupi të madh kriminal në Durrës, do ta kishin më të lehtë përgjigjen e problemit të tyre nëse do të kujtonin atë që Servantesi shkruan te “Don Kishoti”: “Sanço, bën mirë t’i hedhësh ndonjë sy edhe vetes!”

Pluralizëm fiktiv në Shqipëri/ Analizë sistemit zgjedhor me 11 parti, 2000 kandidatë

Nga Afrim Krasniqi

Raporti paraprak i misionit të OSBE/ODIHR thekson se “KQZ regjistroi 8 parti dhe 3 koalicione brenda afatit ligjor dhe miratoi 2,046 kandidatë gjithsej në një proces gjithëpërfshirës”. Kur një perëndimor lexon se në një vend me 1.6 milionë votues konkurrojnë 11 subjekte dhe mbi 2 mijë kandidatë, krijohet ideja e një procesi shumë konkurrues.

Në fakt, statistika pa përmbajtje nuk do të thotë asgjë.

I. Së pari, 89 kandidatë u regjistruan dhe pas regjistrimit të subjektit dhanë dorëheqje nga kandidimi. Emrat e tyre mbetën në listë (zonat e listës së mbyllur) por ishin fiktivë, kryesisht familjarë të titullarëve dhe stafeve drejtuese të partive politike.

II. Së dyti, nga rezultatet e KQZ shihet se një numër më i madh sesa të dorëhequrit kanë marrë “0” vota, pra kanë qenë kandidatë fiktivë dhe nuk kanë votuar as për vete.

III. Së treti, disa subjekte elektorale janë fiktive, hyjnë në proces vetëm për të krijuar idenë e pluralizmit konkurrues dhe ofertave klienteliste. Ja njëri prej tyre, – 11 kandidatë në listë të hapur kanë fituar…vetëm 10 vota, ku 6 prej tyre nuk kanë votuar as veten.

IV. Së fundi, edhe emërtimet janë të pasakta, p.sh., forca politike që kishte emërtimin “koalicion” në fakt ishte “parti” dhe një tjetër që kishte emërtimin “parti” në fakt ishte “koalicion”, edhe kjo për të krijuar idenë e prurjeve të shumta, zgjerimit dhe hapjes.

Ligji mbi partitë politike përcakton kufirin 3000 firma për krijimin e një partie politike, duke supozuar se çdo parti merr automatikisht mbi 3000 vota në çdo zgjedhje (votojnë themeluesit e saj). Në këto zgjedhje dy prej partive kanë fituar përkatësisht 2.2 dhe 1.1 mijë vota, pra shumë më pak sesa numri i nevojshëm për ekzistencën e një partie politike. Dhe secila prej tyre ka pasur 186 kandidatë, në total, 372 kandidatë me 3.3 mijë vota, me mesatare më pak se 9 vota për kandidat.

Vlera e statistikave të tilla?

I. Shqipëria vijon të ketë një sistem fiktiv partiak: e nisi më 1991 me 11 subjekte, nga të cilat 6 ishin organizata të masave të PPSH dhe pas 35 vitesh koncepti mbetet i njëjtë, – subjekte të krijuara dhe sponsorizuara që hyjnë në procese vetëm për të krijuar idenë e pluralitetit.

II. Konfirmim i tezës se pluralizmi statistikor nuk është edhe pluralizëm cilësor, sistemi ynë përfaqësues vuan nga fiktiviteti masiv, i cili passjell edhe fiktivitet në financim dhe klientelizëm në ndarje të pushtetit, dhe se nga mbi 2 mijë kandidatë që OSBE/ODIHR citon për t’i quajtur zgjedhjet “gjithëpërfshirëse” de facto vetëm 220 ishin kandidatë konkurrues dhe me potencial teorik për të fituar mandat në parlamentin me 140 deputetë.

III. Shqipëria na nevojë jetike për reformimin e legjislacionit mbi partitë politike, – një ligj që respekton parimet e nenit 9 të Kushtetutës (detyrimi për demokraci të brendshme, detyrimi për organizim e qasje demokratike në sistem, detyrimi për transparencë të plotë të burimeve të financimit dhe shpenzimet e tyre). Mjafton një ilustrim domethënës: PS është në qeveri në mandatin e katërt, por hera e fundit që ka zgjedhur kryetar me votim daton shtator 2009, duke qenë edhe një prej dy kryetarëve të kësaj partie në 35 vjet; te PD dihet, i njëjti ka qenë, është dhe thotë se do jetë edhe pas 34 vitesh, ndërkohë që partitë e tjera vijojnë të jenë që në krijim kryesisht parti individuale të njësuara me kryetarin e tyre.

IV. Thelbi: për shkak të ushtrimit të sovranitetit përmes partive dhe për shkak të mbipushtetit të partive politike, Shqipëria nuk mund të jetë një shtet i së drejtës dhe as demokraci funksionale nëse nuk ka parti dhe procese zgjedhore konkurruese demokratike dhe funksionale. Konfirmim është edhe renditja për 2024 -2025 si “demokraci hibride” dhe vend “pjesërisht i lirë”, kur për të qenë anëtar në BE është kusht thelbësor kalimi në “demokraci funksionale” dhe vend “i lirë”, proces që bazuar në ecurinë e tranzicionit, nëse ka reforma serioze merr minimalisht një dekadë.

Shënimet në ditarin e Tolstoit dhe amaneti që la! Kisha e mallkonte shkrimtarin si heretik dhe mohues të fesë ortodokse

Lev Nikolajeviç Tolstoi u bë shkrimtar universal, të cilit Rusia s’kishte fuqi t’i bënte ndonjë të keqe, por kisha e mallkonte vit për vit si heretik e mohues të fesë ortodokse.

Ai ishte, novelist, eseist, dramaturg dhe filozof. Rrjedh nga familja aristokrate e Tolstojve. Njihet për dy veprat kryesore “Lufta dhe paqja” dhe “Ana Karenina”. Nëna e tij Maria Nikollajevna Vollkonskaja vdiq kur Tolstoi i mbushi 2 vjet. I ati Kont Nikolla Iliç Tolstoi vdiq kur shkrimtari i ardhshëm ende nuk i kishte mbushur 9 vjet. Kështu ai mbeti nën mbikëqyrjen e tezes së tij Tatiana Aleksandra Ergolska. Rininë e kaloi në vendlindje ku edhe qe edukuar. Më 1844 hyri në Universitetin e Kazanit dhe në vitin 1847 ende pa mbaruar studimet u kthye në vendlindje për shkak të pakënaqësisë ndaj regjimit të atëhershëm universitar carist.

Me 1854 u transferua në Krime ku mori pjesë aktive dhe tregoi trimëri të rrallë në mbrojtjen e Sevastopolit. Heroizmi dhe vetëmohimi i ushtarëve rus në këto luftime të përgjakshme i bëjnë përshtypje autorit prandaj shënon në ditarin e tij, “Forca morale e popullit rus është e madhe, vrulli i zjarrtë i luftëtarëve nuk përshkruhet në asnjë mënyrë për asnjë gjë, as në Greqinë e vjetër, madje as në Trojë nuk kishte kaq shumë heroizma si luftëtarët e populli rus”.

Pas kësaj ai bën një udhëtim jashtë shtetit në vende si Franca, Gjermania, Italia, Zvicra, ku kalon 6 muaj dhe pas kthimit fillon punën e tij si mësonjës i popullit të Jasnaja Polianës. Në një udhëtim të dytë, i cili zgjati për më shumë se 9 muaj ai vizitoi përsëri Gjermaninë, Francën, Italinë, Belgjikën dhe Anglinë ku në Londër takohet me Hercenin një nga idolet e tij, e të cilin e çmonte shumë si shkrimtar dhe mendimtar. Pas kthimit të tij në atdhe ai fillon me një zell të madh punën për krijim e shkollës Jasnaja Poliana. Po me ketë emër ai fillon të botojë një revistë pedagogjike me artikuj të ndryshëm, por idetë e tij mbi edukimin e lirë dhe aktivitetin që zhvillonte ngjallën dyshime të forta tek autoritetet cariste. Në korrik të vitit 1862 me urdhër të Petersburgut dhe në mungesë të tij u bë një kontroll i imtë prej dy ditësh në Jasnaja Poliana nga organet qeveritare. Leo Tolstoi i zemëruar nga ky veprim i qeverisë, i shkruan letër Aleksandrit II duke kërkuar dënimin e fajtorëve.

Me 1862 Leo martohet me të bijën e një mjeku, Sofia Andrenjeva Bers. Jeta e lumtur familjare në vitet e para të martesës ia qetëson shpirtin dhe fillon përsëri të merret me pasionin e tij: Krijimtarinë letrare. Më 1863 mbaron novelën “Kozakët” që e kishte filluar shumë kohë më parë dhe po në ketë vit boton novelën tjetër me titull “Polikushka”. Duke qenë në një gjendje të tillë lulëzimi të forcave të tij ai fillon me 1864 punën e madhe dhe të gjatë të shkrimit të veprës së madhe “Lufta dhe paqja”, e të cilën e përfundon në vitin 1869. Pas kësaj vepre ai mendon për krijim e një vepre historike, por shpejt ndërron mendimin dhe më 1873 fillon punën për shkrimin e veprës monumentale “Ana Karenina” të cilën e përfundon në vitin 1877. Pas mbarimit të këtij libri atë e kap një krizë e thellë shpirtërore gjë që vërehet edhe në veprat e tij të shkruara më vonë.

Me një forcë shumë të madhe i vihet kundër fisnikërisë me të gjitha mënyrat, veçse ai nuk predikon luftën kundër institucioneve, por preferon mënyra paqësore. Nën influencën e ideve të kohës ai heq dorë nga këto shkrime dhe fillon të shkruajë vepra filozofiko-morale. Disa nga ato vepra janë “Zotëria dhe punëtori”, “Ringjallja”, “Haxhi Murati” etj. Pas vitit 1909 në ditarin personal të Tolstoit shihen gjithnjë e më shpesh shënimet në të cilat shpreh qëllimin për t’u larguar nga familja me pretekstin e mosmarrëveshjeve me gruan e tij. Më në fund në mëngjesin e 28 tetorit te vitit 1910 largohet fshehurazi nga Jasna Poliana dhe pas disa ditësh më 7 nëntor 1910 vdes në një stacion të vogël hekurudhor të Astrapovos.

Varrimi i tij, sipas amanetit, bëhet në një pyll afër Jasna Polianës, pa lejen e kishës zyrtare. Vdekja e Tolstoit pa dyshim që pikëlloi jo vetëm bashkëmendimtarët, por mbarë botën e kulturuar. Deputetët social-demokratë të Dumes së III në një telegram dërguar mikut të tij V. Tcertkovit shfaqin pikëllimin e punonjësve me këto fjalë: “Fraksioni Social-Demokrat i Dumes interpret i ndjenjave të proletariatit rus dhe të gjithë proletariatit ndërkombëtarë shpreh dhembjen e tij të thellë për vdekjen e artistit gjenial, luftëtarit të paepur kundër kishës zyrtare, armikut të arbitraritetit dhe të shtypjes që ka ngritur zërin e tij me forcë kundër dënimit me vdekje, mikut të të persekutuarve.” Edhe sa ishte gjallë Leon Tolstoi, fama e tij doli edhe jashtë kufijve rus.

Ai i tregoi regjimit carist dhe të gjithë dinastisë së atij regjimi, se si duhet ndërtuar jeta. Leo me forcën e tij dridhi fronin e Nikollës II, por Nikolla II kurrë nuk arriti t’ia dridhte fronin mbretëror Leon Nikolajevic Tolstoit; fron moral, te cilin ia dhuruan lexuesit e tij. Vepra e tij e parë ishte përkthimi “Një udhëtim sentimental në Francë dhe Itali”. Më 1851 ai shkroi një histori të shkurtër me titull “Historia e të djeshmes” si dhe një varg veprash të tjera.

Çmimet po rriten, edhe këto pushime verore do të jenë “të kripura”

Që edhe këto pushime verore do të jenë “të kripura”… kjo ishte gati e ditur.  Turizmi, ashtu si çdo sektor tjetër i nënshtrohet rregullave të tregut, kërkesës dhe ofertës. Ku kërkesa rritet, oferta shtrenjtohet.

E njëjta po ndodh në prag të sezonit masiv turistik veror. Në raport me një vit më parë, akomodimi në hotele dhe plazh, bashkë me transportin janë shtrenjtuar mesatarisht me 5 për qind. Me 10 për qind mesatarisht janë shtrenjtuar pijet dhe ushqimet.

Mendoj që vendi është në zhvillim, por duhet të jemi goxha të kujdesshëm pasi ndonjëherë ky bumi mund të pasohet nga një boshllëk”, tha Albana Nanaj, gazetare, njohëse e sektorit të turizmit.

Nuk kemi një përputhje mes asaj që reklamojmë dhe asaj që turistët e huaj gjejnë kur vijnë në Shqipëri”, shprehet Blerina Ago, sipërmarrëse, eksperte e turizmit.

Megjithatë, zgjedhjet për të kaluar pushime disi më të lira nuk mungojnë. Plazhet në veri të vendit, Shëngjin e Velipojë mund të jenë dy opsione. Çmime të përballueshme ofron edhe Durrësi e një pjesë e Vlorës. E njëjta nuk mund të thuhet për Sarandën, Palasën apo Dhërmiun ku një çift mund të zgjedhë të paguajë nga 80 deri në 200 euro për të fjetur një natë.

Mendoj se operatorët në veri të vendit kanë zgjedhur një formulë më të mirë. Çmimet e qëndrueshme krijojnë turistë besnik. Pushuesit vendas, por edhe ata rusë e polakë apo më gjerë duan çmime të mira dhe kjo bëhet gati e pamundur në jug të vendit”, thotë Nanaj.

Me gjithë shtrenjtimet, Shqipëria vijon të ofrojë çmime më të ulëta se vendet europiane, por duke u barazuar me ato të Rajonit. Sipas platformës Booking, një çift mund të akomodohet në plazhet e vendit për mesatarisht 80 euro, shifër kjo më e ulët se ajo që një turist do duhej të paguante në Itali apo Maltë, por më shtrenjtë se në Turqi.

“Nuk mendoj se Shqipëria është një destinacion i lirë dhe nuk mendoj se duhet të shitet si destinacion i lirë. Shqipëria nuk duhet të ndjekë modelet e vendeve të tjera që janë zhvilluar përmes turizmit “low cost”, thotë Blerina Ago.

Çmimet e larta vlerësohen si një ndër arsyet që mund të frenojnë disi turizmin edhe këtë vit, siç ndodhi me jugun e vendit një vit më parë./A2CNN

Miti i konsumimit të pushtetit: Pse rotacioni nuk ndodh vetvetiu

NGA ADRI NURELLARI

Në Shqipëri vazhdon të qarkullojë një besim i rrënjosur thellë dhe thuajse naiv: që pushteti me kalimin e kohës e konsumon veten. Se çdo mandat i ri e dobëson qeverinë, se njerëzve do iu vijë në majë të hundës, do zhgënjehen dhe në një ditë zgjedhjesh do bëjnë aktin e ndëshkimit të madh. Ky iluzion që më shumë përdoret nga opozita, nuk përputhet as me realitetin empirik e statistikor të politikës moderne dhe as me literaturën akademike, që e ka analizuar thellë këtë fenomen.

Në fakt, e kundërta është më shpesh e vërtetë: pushteti gjeneron më shumë pushtet dhe se rotacioni nuk vjen nga lodhja apo skadimi, por nga përballja. Miti që thotë se pushteti konsumohet vetvetiu edhe pse artikulohet shpesh si shpresë, në të vërtetë fsheh një formë dorëzimi ose alibi për të justifikuar apatinë, paaftësinë për të ristrukturuar veten, për të ndërtuar një alternativë të re e të besueshme që do të mundte të ngjallte shpresë reale për ndryshim tek qytetarët. Në vend që të bëjë përpjekjen e vështirë për të ndryshuar mënyrën si funksionon, për të marrë guximin e përballjes me vetveten dhe me nevojat e votuesit, opozita strehohet te ky fatalizëm politik, pra te pritja që pushteti do të rrëzohet nga pesha e zullumit të vet. Në fakt, ky lloj diskursi që po ripërsëritet edhe sivjet, është një mënyrë për të mos bërë asgjë, për të mos hapur garën e brendshme, për të mos investuar në ide dhe figura të reja. Është një strategji e vetëjustifikimit kolektiv, që lejon opozitën të mbijetojë politikisht, por jo të sfidojë realisht.

Madje, të qëndrosh në opozitë bëhet më komode kur bind vetveten dhe elektoratin, se rotacioni është çështje kohe, jo përpjekjeje. Për rrjedhojë, ideja e konsumimit të pushtetit nuk është më një analizë objektive, por një mit i nevojshëm për të shmangur përballjen me një të vërtetë të pakëndshme: që nëse qeveria nuk bie, është ndoshta sepse opozita nuk ka ngritur dot diçka më të mirë për t’i zënë vendin. Dhe për aq kohë sa ky mit vazhdon të mbijetojë, pushteti betonizohet sikurse ndodhi me këto zgjedhje. Në shkenca politike ka tashmë një lloj konsensusi që ata që janë në detyrë, falë pushtetit, kanë avantazhe të theksuara elektorale përkundrejt opozitës apo sfiduesve. Madje, kaq e fortë është kjo bindje, sa në SHBA u detyruan të ndryshonin Kushtetutën përmes Amendamentit të 22-të. Atje vendosën në 1951 ta kufizonin presidencën në dy mandate katërvjeçare, pasi Franklin D. Roosevelt u zgjodh katër herë (1932–1945). Statistikisht, 70% e presidentëve amerikanë kanë shanse që të rizgjidhen për një mandat të dytë (nga 12 presidentë që kanë kërkuar rizgjedhje pas Luftës së Dytë Botërore, 8 janë rizgjedhur), ndërsa në Kongres probabiliteti i rizgjedhjes së pushtetarëve shkon mbi 80%.

Për shembull: në zgjedhjet e fundit për Dhomën e Përfaqësuesve të mbajtura vjet, rreth 95% e deputetëve në detyrë arritën të rizgjidhen për një mandat të ri, ndërsa në zgjedhjet për senat të vitit 2022, nga 27 senatorë që garuan për rizgjedhje fituan 24 syresh ose rreth 89%. Avantazhi i pushtetarëve në procese zgjedhore nuk vlen vetëm për SHBA. Në Britaninë e Madhe, konservatorët fituan katër mandate rresht (1979–1997) me Thatcher e Major. Situata u përsërit me laburistët, që fituan 4 mandate radhazi me Blair e Brown. Në Gjermani, Merkel qëndroi në pushtet 16 vjet (2005–2021) përmes 4 rizgjedhjeve e para saj, edhe Helmut Kohl (1982–1998). Në Spanjë socialistët e mbajtën pushtetin me Gonzalez për 4 mandate (1982– 1996). Edhe po të shikohen demokraci të tjera të konsoliduara, ka pasur raste të ngjashme, me liberalët e Kanadasë që e mbajtën pushtetin për katër legjislatura (1993–2006), ngjashëm me liberalët e Australisë (1996–2007). Ka vende me raste edhe më ekstreme, si socialdemokratët e Suedisë që e mbajtën pushtetin 11 mandate radhazi (1932–1976), apo liberal-demokratët e Japonisë që kanë sunduar mbi 50 vjet pothuajse të pandërprerë. Janë të shumtë studiuesit e shkencave politike që e kanë analizuar këtë tendencë, duke filluar nga teoria e burimeve institucionale e zhvilluar nga autorë si Mayhew dhe Fiorina. Ata theksojnë se politikanët në pushtet përfitojnë nga kontrolli mbi burimet shtetërore, si buxheti, stafi, media publike dhe aksesi në informacion, të cilat i shfrytëzojnë për të ndërtuar një imazh pozitiv dhe për të mobilizuar elektoratin.

Në mënyrë plotësuese është nxjerrë teoria e patronazhimit politik, e trajtuar nga studiues si Susan Stokes dhe Herbert Kitschelt, të cilët argumentojnë se në këmbim të besnikërisë elektorale, pushteti shpërndan favore materiale si vende pune, kontrata publike, ndihmë ekonomike, për të shkuar tek licenca, legalizime, amnisti apo imunitet për shkelje ligjore. Të dyja teoritë janë plotësisht të aplikueshme në Shqipëri, ku pushteti aktual përdor rregullisht instrumentet shtetërore për të forcuar pozitat elektorale, ndërsa punësimet në administratë dhe përfitimet sociale shpesh funksionojnë si mjete kontrolli klientelist. Ky ndërveprim midis burimeve publike dhe shpërblimeve selektive krijon një avantazh strukturor të jashtëzakonshëm për qeverinë, duke deformuar konkurrencën politike dhe duke dobësuar funksionin ndëshkues të votës.

Thënë ndryshe, në rastin tonë, ku kapja institucionale është kapilare, këto avantazhe shndërrohen në një barrierë madhore ndaj rotacionit, që lë të kuptohet se pushteti jo vetëm që nuk konsumohet, por përkundrazi, ushqen vetveten. Një tjetër avantazh thelbësor i të qenurit në detyrë është kontrolli i rendit të ditës, pra diktimi i agjendës së debatit publik duke anashkaluar temat e “pakëndshme”. Qeveria vendos jo vetëm temat, por edhe këndvështrimin me të cilin ato shihen, duke ndikuar drejtpërdrejt në perceptimin e qytetarëve dhe duke krijuar ndjesinë e një situate normale, nën kontroll. Përmes dominimit të mediave, shpërndarjes së lajmeve të filtruara, spektakleve dhe ritmit të ngjeshur të aktiviteteve të inskenuara, ajo e zhvendos vëmendjen publike nga dështimet apo skandalet tek temat që krijojnë ndjesinë e progresit apo stabilitetit. Në vend që qytetarët të merren me aferat e demaskuara prej SPAKut, premtimet e pambajtura apo me përkeqësimin e shërbimeve publike, ata ndjekin lajmet për hapjen e një kantieri, një vizitë ndërkombëtare, ose ndonjë dekorim. Në fushën e komunikimit politik, pushtetarët kanë edhe një avantazh tjetër, të cilin studiues si Robert Zajonc e kanë quajtur efekti i ekspozimit të përsëritur. Ai ishte i pari që formuloi teorikisht idenë se njerëzit priren të kenë më shumë pëlqim dhe besim ndaj diçkaje që e kanë parë më shpesh, pavarësisht nga përmbajtja.

Në politikë, kjo përkthehet në faktin që garuesit më të ekspozuar në media apo në hapësirë publike perceptohen si më të besueshëm apo më të aftë, thjesht sepse janë të njohur. Për ta kuptuar sa fuqi ka ekspozimi i vazhdueshëm që avantazhon pushtetarët, mjafton të kujtojmë dashurinë kolektive dhe adhurimin absurd ndaj personazheve të “Big Brother”, njerëz pa asnjë arritje apo meritë reale, por që vetëm nga prania e përditshme në ekran, kthehen në idhuj kombëtarë. Një tjetër mekanizëm i fuqishëm që ndihmon pushtetin në detyrë është ai që Samuel Popkin e ka përshkruar si “votimi racional me pak informacion”. Në librin e tij “Votuesi Racional”, ai shpjegon se shumica e votuesve nuk marrin vendime mbi bazë analize të thelluar politike, por nëpërmjet heuristikave, të cilat janë mënyra të shkurtra mendore për të marrë vendime me informacion të pjesshëm.

Në mungesë informacioni të plotë, njerëzit e barazojnë “familjaritetin” me “besueshmërinë”. Prandaj qeveritë nuk humbasin zgjedhjet vetëm pse kanë skandale, por vetëm kur përballë tyre del një alternativë që është po aq e dukshme, e njohur dhe e besueshme për publikun. Nëse opozita nuk arrin të ndërtojë këtë praninë e vet në vetëdijen kolektive, votuesit priren të qëndrojnë tek ajo që u duket më e njohur dhe familjariteti është shpesh më i fortë se arsyeja. Këtë prirje të avantazhit të pushtetmbajtësit, e konfirmon edhe teoria e votës retrospektive, e cila argumenton se në vend që të funksionojë si ndëshkim për dështimet, vota retrospektive shpesh përfundon si justifikim për të mos ndryshuar asgjë. Sipas kësaj teorie, kur mungon një krizë e fortë, një kolaps apo një moment kthese (që t’i nxisë votuesit që të ndërmarrin një akt ndëshkimi të prerë) votuesit shpesh ndjekin inercinë e pushtetit ekzistues, duke e konsideruar si “të keqen e njohur”.

Kjo është veçanërisht e dukshme në Shqipëri, ku shumica e qytetarëve nuk e perceptojnë qeverisjen aktuale si një traumë apo sëmundje akute që kërkon ndërhyrje të menjëhershme, por si një sëmundje kronike. Si të ishte diabet apo hipertension që nuk të vret menjëherë, por që ta rëndon dhe shkurton jetën, por me të cilën mund të mësohesh të bashkëjetosh. Kjo është një arsye e fortë pse ndëshkimi elektoral nuk vjen automatikisht, ai ose kërkon një krizë që e bën të padurueshme gjendjen, ose një alternativë të fortë frymëzuese që e bën të besueshëm shërimin. Në mungesë të të dyjave, mbizotëron status quo-ja, jo si zgjedhje aktive, por si mekanizëm mbijetese. Në këtë aspekt, studiuesit e psikologjisë politike kanë nxjerrë edhe një teori të ngjashme të votimit që shmang rrezikun, që shpjegon pse shumë njerëz, edhe kur janë të pakënaqur me qeverinë, zgjedhin të mos ndryshojnë.

Ata nuk votojnë domosdoshmërish nga bindja, por nga frika se mos ndryshimi i sjell diçka edhe më keq. Ky koncept është i ndërlidhur me teorinë e perspektivës të zhvilluar nga nobelisti Kahneman dhe kolegu i tij Tversky, të cilët tregojnë se njerëzit kanë shumë më tepër prirje të shmangin humbjen sesa të kërkojnë fitimin. Me logjikë të ngjashme, këtyre teorive iu shtohet edhe fenomeni i njohur teorikisht si votimi negativ, i cili ndodh kur qytetarët nuk votojnë sepse besojnë tek një palë, por sepse duan të pengojnë ardhjen në pushtet të tjetrës. Në këtë rast, vota nuk është akt mbështetjeje, por një formë refuzimi strategjik ndaj asaj që perceptohet si më e rrezikshme, më e paaftë apo më destabilizuese.

Sipas kësaj teorie, të zhvilluar nga Abramowitz dhe Webster, shumë votues nuk e japin votën shtyrë nga entuziazmi për pushtetin, por nga urrejtja apo frika që kanë ndaj kundërshtarit. Ky mekanizëm është shfrytëzuar në mënyrë të vetëdijshme nga Partia Socialiste, e cila prej dekadash i ka ndërtuar fushatat duke ndjellë frikë me moton “gjithë fajin e ka Saliu”. Kjo strategji ka kulmuar sivjet me spotet që shfaqin pamje nga trazirat e vitit 1997, shpërthimi tragjik i Gërdecit dhe retorika për rikthimin e errësirës së vjetër, duke prodhuar një klimë ku vota për PS nuk paraqitet si shprehje shprese për të ardhmen, por si bllokadë ndaj së shkuarës.

Kjo fushatë efikase ka bërë që një pjesë e madhe e votuesve të pavendosur ose të socialistëve të zhgënjyer me pushtetin, të mos e ndëshkojnë qeverinë nëpërmjet votës, por ta votojnë vetëm për të mos lejuar kthimin e një lideri të cilin e shohin si simbol të krizave të mëparshme. Në këtë kuptim, vota për pushtetin nuk është as vlerësim, as shpresë – është një akt mbrojtjeje ndaj një opozite, që shihet nga shumë votues si kërcënim e jo si zgjidhje. Një tjetër shpjegim i fuqishëm teorik se pse pushteti nuk konsumohet, lidhet me atë që në shkencat sociale quhet gabimi i kostos së zhytur (sunk cost fallacy).

Fjala “zhytur” nënkupton diçka që është investuar dhe nuk mund të tërhiqet më, që në kontekst elektoral ka të bëjë me ata njerëz që kanë investuar emocionalisht e politikisht për një kohë të gjatë në një forcë politike dhe e kanë shumë të vështirë të shkëputen, edhe kur janë të zhgënjyer, sepse do ta konsideronin një përballje me veten. Pra, nuk e braktisin qeverinë që kanë mbështetur për vite me radhë, sepse ndryshimi do të nënkuptonte një vetëkritikë publike e personale, një pranim se kanë gabuar për një kohë të gjatë. Kjo e bën edhe më të vështirë ndëshkimin elektoral të qeverive, sepse mbështetja për pushtetin nuk është thjesht politike, por e lidhur ngushtë me krenarinë dhe vetëbesimin, me ndjenjën e përkatësisë dhe identitetit të tyre politik. Dhe sa më gjatë të zgjasë ky investim, aq më i lartë bëhet “çmimi psikologjik” i ndryshimit.

Njëfarë mentaliteti i kumarxhiut, që vazhdon të shkojë në kazino me shpresën se “do nxjerrë të paktën të miat që kam hedhur deri më sot”. Ngjason edhe me marrëdhëniet e dështuara personale, që vazhdojnë vetëm ngaqë është investuar shumë për t’i përfunduar, ashtu edhe votuesit shpesh zgjedhin ta justifikojnë vazhdimin sesa të ndërpresin ciklin. Ata i thonë vetes se “të tjerët janë më keq se ky”, se “të paktën ky di të sillet me botën”, apo se “të gjithë janë njësoj”. Dhe kështu, identiteti politik shndërrohet nga një zgjedhje racionale apo rrethanore në një kurth emocional, ku ndryshimi do të thotë të pranosh se ke mbrojtur një kauzë të gabuar, ke heshtur para padrejtësisë, krimit e korrupsionit, ke ndërtuar një shtëpi mbi një mashtrim dhe ke jetuar në të sikur të ishte themel i vërtetë.

Të gjitha këto bëjnë që çdo ndryshim të duket si tradhti ndaj vetes. Kjo pra është një tjetër arsye e fortë pse rotacioni politik nuk ndodh vetvetiu. Nuk mjafton që qeveria të ketë dështuar apo të ketë pasur skandale, por duhet që edhe opozita të krijojë një ofertë që jo vetëm jep shpresë për të ardhmen, por edhe ua lehtëson votuesve shkëputjen nga lidhja e vjetër, duke i ofruar një rrëfim të ri, të besueshëm dhe dinjitoz, që i ndihmon të mos e ndjejnë ndryshimin si tradhti, por si përparim. Pa këtë rrëfim të ri, çdo krizë e qeverisë ngelet vetëm një shqetësim i përkohshëm dhe çdo palë zgjedhje do jenë një tjetër vërdallisje në të njëjtin rreth vicioz. Në përmbyllje, duhet ritheksuar se praktika e teoria demonstrojnë se pushteti nuk bie sepse lodhet apo konsumohet, por bie vetëm kur dikush e rrëzon.

Miti i konsumimit i shërben një opozite që nuk arrin të ndërtojë një alternativë të besueshme dhe e zhvendos përgjegjësinë nga mungesa e ofertës te kalimi i kohës. Presin që koha do të bëjë punën që s’ka guxim apo takat ta bëjë vetë, ndërtimin e alternativës shpresëdhënëse. Padyshim që Shqipëria ka probleme të mëdha dhe opozita ka shumë vështirësi, por në fund të fundit, opozita synon t’i dalë zot kësaj Shqipërie, me të mirat dhe të këqijat e saj, e jo të garojë për Norvegji apo Suedi. Prandaj duhet kuptuar se, siç e tregon literatura e përmendur më sipër mbi avantazhin e pushtetit, klientelizmin, kontrollin e agjendës, efektin e njohjes, votën retrospektive, votën negative, koston e zhytur etj., pushteti nuk konsumohet automatikisht. Përkundrazi, pushteti ka prirje të forcohet sa herë që opozita është e dobët, e përçarë dhe e paaftë për të ndërtuar një alternativë të besueshme, ose për sa kohë që vetë shoqëria nuk arrin të lindë një opozitë të re më vizionare dhe përfaqësuese të denjë të aspiratave të saj./ Gazeta Panorama

Tri gjëra që do t’i ndodhin trupit tuaj nëse hiqni dorë nga sheqeri

Sheqeri tani është armiku kryesor i një diete të shëndetshme, pasi është i pranishëm në pothuajse të gjitha ushqimet. Kjo është arsyeja kryesore pse është e vështirë për dikë ta eliminojë plotësisht atë nga dieta e tij.

Megjithatë, për ata që kanë sukses, përfitimet janë mbresëlënëse dhe shfaqen pothuajse menjëherë!

Ja tre gjëra që do t’ju ndodhin nëse e zvogëloni ndjeshëm sheqerin:

Do të përmirësoni shëndetin e zemrës suaj
Sheqeri jo vetëm që të rëndon, por është edhe i rrezikshëm për zemrën. Sipas të dhënave shkencore në dispozicion, konsumi i shtuar i sheqerit shoqërohet me një rrezik më të lartë të vdekjes së parakohshme nga sëmundjet e zemrës.

Do të zvogëlojë dhjamin e barkut
Konsumi i sheqerit, kryesisht nga pijet dhe lëngjet e gazuara (si lëngjet e gatshme dhe pijet e gazuara), shoqërohet me “litarin e shpëtimit” të shëmtuar.

Lëkura juaj do të duket më e re
Kur sheqeri që marrim nga ushqimi hyn në qarkullimin e gjakut, ai shkakton një kaskadë procesesh që në fund të fundit e bëjnë lëkurën më të lirshme dhe më pak elastike. Edhe nëse rrudhat e para të holla janë shfaqur tashmë në fytyrën tuaj, kufizimi i konsumit të sheqerit do të bëjë diferencën.

Bilanci i Milanit/ Sezoni mund të mbyllet me 25 milionë euro humbje

Pas dy viteve me bilance pozitive, Milani rrezikon të mbyllë sezonin financiar 2024-2025 me një humbje prej rreth 25 milionë eurosh, sipas vlerësimeve të “Calcio e Finanza”.

Rënia e të ardhurave, veçanërisht nga mungesa e shitjeve të rëndësishme si ajo e Tonalit sezonin e kaluar, përplaset me një rritje të lehtë të shpenzimeve, duke krijuar një defiçit të ndjeshëm. Situata mund të zbutet falë dritares së re të merkatos, e vlefshme deri më 30 qershor, që i jep klubit kuqezi mundësinë të realizojë shitje të rëndësishme si ato të Reijnders apo Teo Hernandez.

Alarmin më të madh, megjithatë, e ngre mungesa në garat europiane për sezonin 2025-2026. Sipas parashikimeve, Milani do të humbasë afro 80 milionë euro nga të ardhurat që zakonisht vijnë nga Champions-i dhe ndeshjet në “San Siro”, si dhe nga bonuset e sponsorëve që lidhen me pjesëmarrjen në kompeticione ndërkombëtare.

OBSH: Të paktën 94% e spitaleve në Gaza janë shkatërruar pjesërisht ose plotësisht

Të paktën 94% e të gjitha spitaleve në Rripin e Gazës janë dëmtuar ose shkatërruar, dhe njerëzit në veri të enklavës palestineze praktikisht kanë humbur mundësinë për të marrë kujdes mjekësor, tha Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) në një përditësim.

“Vetëm 19 nga 36 spitalet e Rripit të Gazës mbeten funksionale, përfshirë një spital që ofron kujdes bazë për pacientët e mbetur ende brenda spitalit, dhe po përballen me mungesa të mëdha furnizimi, mungesë punonjësish shëndetësorë, pasiguri të vazhdueshme dhe një rritje të numrit të viktimave, ndërsa stafi punon në kushte të pamundura. Nga 19 spitalet, 12 ofrojnë një sërë shërbimesh shëndetësore, ndërsa pjesa tjetër janë në gjendje të ofrojnë vetëm kujdes bazë emergjent. Të paktën 94% e të gjitha spitaleve në Rripin e Gazës janë të dëmtuara ose të shkatërruara”, thuhet në përditësim.

Aty thuhet se që nga rifillimi i armiqësive në enklavë më 18 mars 2025, OBSH-ja ka regjistruar 28 sulme ndaj objekteve mjekësore, dhe që nga tetori 2023, ka pasur të paktën 697 sulme të tilla.

“Gaza Veriore është zhveshur nga pothuajse i gjithë kujdesi shëndetësor. Në Gazën jugore, spitalet janë të mbingarkuara nga një rritje e madhe e të plagosurve. Aktualisht, në të gjithë Rripin e Gazës, vetëm 2,000 shtretër spitalorë mbeten të disponueshëm, për një popullsi prej mbi 2 milionë banorësh, krejtësisht të pamjaftueshëm për të përmbushur nevojat aktuale”, thuhet në përditësim.

“Vazhdimi i armiqësive dhe prania ushtarake i pengojnë pacientët të kenë akses në kujdes, pengojnë stafin të ofrojë kujdes dhe parandalojnë OBSH-në dhe partnerët e saj të furnizojnë spitalet.”

Organizata bëri thirrje për një armëpushim të menjëhershëm dhe të përhershëm në rajon, duke përsëritur se “OKB-ja dhe partnerët e saj kanë një plan të qartë, parimor dhe efektiv për të ofruar ndihmë me masa mbrojtëse kundër devijimit, një sistem që ka funksionuar dhe duhet të mundësohet të vazhdojë”.