32.5 C
Tirana
E enjte, 21 Gusht, 2025

Luftë në Vlorë dhe Lushnje me viktima, qeveria arreston protestuesit

Krimi bën ligjin në Vlorë dhe në Lushnje, ndërsa policia pa mundur të arrestojë kriminelët, arreston protestuesit. Qyteti i Vlorës është tronditur disa herë dje nga tritoli dhe të shtënat e armëve. Pas tritolit, të shtëna të tjera me armë zjarri janë dëgjuar në qytet. Tani të shtënat janë dëgjuar në zonën e njohur si “Bishti i Kalldrëmit”. Dyshohet se janë të njëjtë persona që rreth 30 minuta më parë hapën zjarr në lagjen “29 nëntori”. Breshëritë e plumbave kanë krijuar panic tek qytetarët ndërsa policia nuk ka dhënë asnjë informacion.
Ora 19:26 – Pas shpërthimit të një makine, qyteti i Vlorës është tronditur sërish nga të shtëna me armë zjarri.
Ato janë regjistruar pasditen e djeshme në lagjen “29 Nëntori” ku besohet se çdo gjë ka nisur pas një sherri.
Sot ishte radha e Lushnje për të shtënat me armë. Një ngjarje e rëndë ka ndodhur mbrëmjen e sotme, në Lushnje, ku një lokal është sulmuar me armë. Burimet bëjnë me dije se lokali ndaj të cilit është qëlluar me armë është në pronësi të 47 vjeçarit, Saimir Taullahut, ndërkohë që ka mbetur një person i plagosur.
I plagosuri është një emër i njohur për drejtësinë pasi ka qenë në burg me Laert Haxhiun që dyshohet se kreu atentatin në Lushnje para një viti. Dyshohet se Taullahu ka financuar dhe mbrojtur Laertin Haxhiun pas vrasjes së kryer një vit më parë. Nga të dhënat e para thuhet se i plagosuri është në spital në gjendje të rëndë.
Kush është kundërshtari i Aldo Bares që u plagos në Lushnje
Saimir Taullau, është 40-vjeçari që mbeti i plagosur mbasditen e sotme në Lushnje pas disa të shtënave me armë zjarri.
“Në vendin e quajtur “Rotondo e Plygut”, është qëlluar me armë zjarri në drejtim të lokalit të shtetasit S.T, 47 vjeç, banues në Lushnje”, njofton policia.
Për pasojë ka mbetur i plagosur lehtë shtetasi i cili ndodhet në spitalin e Lushnjes nën kujdesin e mjekëve jashtë rrezikut për jetën.
Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe po punon për zbardhjen e plotë të saj si edhe identifikimin e autorëve.

Në hyrje daljet e qytetit janë ngritur pika të shumta kontrolli me qëllim kapjen e autorëve të dyshuar.
Taullaut më herët i kanë vrarë edhe vëllain në vitin 2005 pasi bandat e Aldo Bares i vinin gjoba.
“Kishim blerë një tokë në Tiranë dhe banda na kërkoi para ose tokën. Vëllai denoncoi në polici dhe në SHIK bandën dhe ata e kërcënuan se do e vrisnin,” ka thënë në një intervistë para disa kohësh Taullau.
Dëshmia për ngjarjen e vitit 2005
“Ditën e zgjedhjeve të korrikut 2005, kur unë dhe vëllai dolëm në qendër të qytetit për të ndjekur rezultatin e zgjedhjeve, aty vërejtëm se po ndiqeshim nga Leonard Prifti dhe një person tjetër biond me kapele.
Personi me kapelë m’u lëshua mua për të më vrarë dhe unë u largova ndërsa vëllain e ndoqi Leonard Prifti dhe e vrau”,-tha Sajmir Taullau. Më pas ai shtoi: familja e tij nuk i ka pasur dhe nuk i ka njeriut borxh në qytetin e Lushnjës dhe as në Tiranë, vetëm që i janë borxhli familjes”, – tha ai në lidhje me vrasjen e të vëllait të tij.
Në këtë rast, vëllai i tretë i Baki Taullait, nuk hezitoi të vinte gishtin mbi pjesëtarët e bandës së Lushnjes, duke e cilësuar këtë të fundit si përgjegjëse për vrasjen e vëllait të tij dhe për gjobat e paguara nga ky i fundit, në adresë të pjesëtarëve të bandës.
Gjobat
“Nga viti 1993 deri më 1997, kam qenë në burg, pasi isha i dënuar dhe kur u hapën burgjet, edhe unë si shumë të tjerë ika nga burgu dhe shkova në Itali. Atje ndenja deri në fillim të vitit 2000, kohë në të cilën erdha pasi vëllai im po kërcënohej rregullisht nga “banda” e Alfred Shkurtit.

Pjesëtarët e “bandës” së tij, Ilir Stërgu, Arben Boriçi, Enver Dondollaku, Arjan Aliçko, dhe Leonard Prifti (ky i fundit i vrarë), sajonin histori të ndryshme vetëm e vetëm që t’i merrnin lekë vëllait tim Baki Taullait, që kishte një biznes.
Fillimisht ata kërkuan që unë t’i bashkohesha “bandës” së tyre, por më pas meqë unë nuk iu bashkova, më akuzonin se isha pjesë e “bandës” së Artur Dajës dhe po tentoja të hakmerresha ndaj tyre. Unë për herë të fundit e kam takuar Artur Dajën kur isha 17 vjeç dhe para se të bija në burg dhe që nga ajo kohë nuk e kam parë më.
Pasi u ktheva në Shqipëri vëllai Bakiu më tha: nuk ke bërë mirë që ke ardhur. Për këtë shkak më nxori një vizë dhe ika në Greqi ku ndenja disa muaj. Gjatë kësaj kohe, kam mësuar se Bakiu është detyruar t’i paguajë disa herë gjoba “bandës” së Alfred Shkurtit pasi e kërcënonin për jetën time dhe të vëllezërve të tjerë.
Mesa di unë, vëllai ka paguar disa herë “gjobat” e vëna nga Alfred Shkurti, Enver Dondollaku, Ilir Stërgu, Arben Boriçi, Arjan Aliçko, Leonard Prifti etj. Siç më ka thënë vëllai, kishte paguar njëherë si fillim 6 milionë lekë, të cilat i kishin marrë Eduart Demiri dhe Ilir Stërgu për llogari të Alfred Shkurtit. Më pas 10 milionë të tjera të vjetra i janë paguar Enver Dondollakut dhe 6 mijë euro motrës së tij.

Unë vetë personalisht bashkë me Eduart Demirin i kam paguar vëllait të Alfred Shkurtit, Zyberit, 6 milionë lekë të vjetra të cilat m’i dha vëllai Bakiu që t’ia jepja pasi i kishte vendosur Alfred Shkurti “gjobë”. Kjo histori ka vazhduar edhe më gjatë, ku në rastet kur vëllai Bakiu nuk pranonte të paguante ata hakmerreshin ndaj biznesit të tij dhe kërcënonin pjesëtarët e familjes.
Në vitin 2002, pasi vëllai kishte refuzuar të paguante 5 milionë lekë, ata të “bandës” i vendosën tritol banesës së vëllait tjetër Albert Taullaut i cili mbeti i plagosur. Gjatë kësaj kohe, isha duke pirë një kafe në një lokal erdhi një shtetas me emrin Genti Turku dhe më kërkoi të pija një kafe.
Pranova dhe shkova, kur më dërguan te varrezat nga më doli Leonard Prifti me një pistoletë në dorë. Mua më thanë se të kërkonte Enverd Dondollaku dhe atje më doli Prifti. Ky i fundit kërkoi që ta merrja vëllanë dhe të shkoja pasi na kërkonte Alfred Shkurti te varrezat.
Shkova në shtëpi dhe i thashë vëllait Bakiut, të mos dilte se po e kërkonin ata të “bandës” për ta vrarë. Këta të fundit, kishin marrë vesh që vëllai kishte blerë një truall në Tiranë dhe i kërkonin që të paguante ose 500 mijë euro ose letrat e tokës.
Pas kësaj “gjobe” vëllai nuk pranoi që t’i paguante dhe të shkonte të takonte Alfred Shkurtin. Ata, pjesëtarët e “bandës” e kërcënuan se do ta vrisnin. Për këtë shkak, ne më pas po ruheshim duke mos dalë. Vëllai i denoncoi tek drejtori i SHISH-it Xhevdet Zeqe.
Ai i adresoi tek Antiterrori në Drejtorinë e Policisë së Fierit dhe Tiranës, ku vëllai dha dëshmi me detaje duke denoncuar të gjithë pjesëtarët e “bandës” dhe gjobat e vendosura ndaj familjes tonë. Pas këtij denoncimi, të kryer nga vëllai, “banda” e mori vesh dhe kërcënuan sërish se do ta vrisnin.

Lironi protestuesit! Nesër ora 11.00 protestë qytetare para Gjykatës

Banorët e Astirit kanë ftuar të gjithë qytetarët shqiptarë që t’i bashkohen protestës së tyre nesër në orën 11:00 para Gjykatës së Krimeve të rënda, ku do të jepet vendimi për protestuesit e arrestuar.
Kujtojmë që Prokuroria ka kërkuar dënimin me burg për 5 nga protestuesit e arrestuar.
Kreu i opozitës Lulzim Basha, ka qenë i pranishëm edhe mbrëmjen e sotme në krahë të banorëve të Astirit që po protestojnë tek Unaza e re, për të mbrojtur shtëpitë e tyre.
Ai tha se shtëpitë e qytetarëve nuk do të prishen, ndërsa ka paralajmëruar kryeministrin Rama që të mos preke më dorë qytetarët dhe të mos lëshojë policinë ndaj tyre, pasi do të ndëshkohet rëndë.
‘Jam pranë protestuesve bashkë me shumë qytetarë të tjerë, deputetë të opozitës, të Partisë Demokratike, të Lëvizjes Socialiste për Integrim. Siç e kemi thënë prej ditës së parë, jemi pranë tyre dhe do të jemi pranë tyre, sepse ajo që po ndodh këtu është një barbari, një shkelje barbare e ligjeve themelore të vendit, e kushtetutës, e ligjeve që mbrojnë banesën si gjënë më të shenjtë, e ligjeve që garantojnë transparencën dhe dëmshpërblimin e duhur, sa herë që ndërtohen vepra publike dhe të mënyrës së si vetë kjo vepër publike është prokuruar, që tregon se jemi para një afere të tmerrshme kriminale.
Pra, jemi këtu për të mbrojtur të drejtën e tyre, për të mbrojtur shtëpitë e tyre bashkë me ta, dhe për t’i dhënë të njëjtin mesazh që po dëgjoni sot, se ata nuk do t’i lëshojnë shtëpitë e tyre dhe se autori i kësaj tragjedie që ka kapur këto familje, Edi Rama, duhet t’i vërë gishtin kokës. Afera është e qartë, për 40 milionë euro, 2 mijë euro për një centimetër rrugë. Pra, për një vjedhje të tillë astronomike, Edi Rama do të nxjerrë nga shtëpitë mijëra vogëlushë si Vilsoni që sapo dëgjuat. Vilsoni ishte i vogël, po e patë se si artikulonte? Nga halli, babai i tij është në burg. Babai i tij është në burg sepse kriminelët e vërtetë janë të lirë, janë biznesmenë, deputetë, janë njësh me Edi Ramën, i cili vjedh Shqipërinë, nga mëngjesi deri në darkë. Këtë bën, vetëm vjedh Shqipërinë. Ka shpikur skemat më perverse për të vjedhur Shqipërinë. Ka shpikur PPP-të, me të cilat ju vjedh shqiptarëve, deri më sot, 2,2 miliardë euro. Dhe vazhdon e shtohet fatura.

Këtu vjedh vetëm me një dorë 40 milionë euro. Vjedh 40 milionë euro jo për të zhvilluar Tiranën, por për të mbushur thasët, prandaj them se ky nuk është projekt i qytetarëve të Tiranës, ky është një projekt i Agait të Surrelit.
Ndaj jemi në krah të këtyre banorëve dhe do të vazhdojmë të jemi në krah të tyre, për të mbrojtur të drejtën e tyre, por për të mbrojtur po kështu edhe kushtetutën dhe ligjin. Edi Rama po keqpërdor gjithçka, po keqpërdor edhe Policinë e Shtetit, të cilës dua t’i bëj një thirrje të qartë e të prerë, të mos bëhet vegël, policëve ju bëj thirrje të mos vendosen kundër ligjit, përballë banorëe, përballë qytetarëve.
Po kështu, dua t’i bëj një thirrje Edi Ramës dhe qeveritarëve, t’i bëjnë mirë hesapet, kur vërsulin policinë kundër këtyre qytetarëve, sepse gjithçka, dhuna që ushtrohet ndaj tyre në protestë, dhuna dhe tortura që kanë ushtruar në komisariate kundër të shoqëruarve, që janë edhe fëmijë, 13 vjeç, por edhe nëna, edhe gra. Gjithçka është regjistruar dhe çdokush prej tyre do të mbajë përgjegjësi. Secili prej tyre me emër dhe mbiemër do të mbajë përgjegjësi. Për këtë i garantoj.
Pyetje: Do denonconi në prokurori këtë aferë që ju e quani vjedhje?
Basha: Po të kishim prokurori, do të kishte nisur hetimi. Por nuk kemi prokurori, ne kemi një bandë kriminale, një prokurore kukull të Edi Ramës, e cila një vit pasi është emëruar, gjithë shqiptarët e kuptojnë pse është emëruar. Është emëruar që të mbrojë këto afera korruptive, të mbrojë këto vjedhje, të mbrojë Edi Ramën, të cilit i ka mbyllur plot 4 kallëzime nga opozita, pa asnjë shpjegim, të mbrojë Damian Gjiknurin, hajdutin me çizme, bashkë me Arben Ahmetajn, të mbrojë Taulant Ballën, Vangjush Dakon, i cili sot duhet të ishte në arrest, sepse është provuar katërcipërisht bashkëpunimi i tij me bandat kriminale. E patë ç’ngjante në Itali? Një person që ishte kandidat për deputet vetëm se ishte kapur në fotografi me nipin e një mafiozi, kryetari i partisë së tij e refuzoi. Ndërsa këtu, bandat kriminale dhe qeveria janë bërë një. Dhe kjo nuk mund të ndodhte po të kishte një prokurori, por ne nuk kemi një prokurori. Kemi një prokurore politike që ka një detyrë, të shkelë ligjin e të shkatërrojë hetimet për të mbrojtur Edi Ramën. Prandaj edhe zemërimi popullor ka marrë këto përmasa. Ata e kanë kuptuar se qeveria i dhunon, ju shkel të drejtat e tyre, ju nëpërkëmb të drejtat e tyre, ju merr pronat, i gjobit, dhe pastaj kur shkojnë për të kërkuar të drejtën e tyre tek drejtësia, e kuptojnë se edhe drejtësia është një me kryeministrin: prokurorë dhe gjyqtarë që komandohen me telefonata.
Prandaj, rruga e vetme është rruga e përballjes popullore, dhe zgjidhja e vetme politike është largimi i kësaj bande hajdutësh, me në krye Edi Ramën’, tha Basha.

I Çmenduri: Ina mund të ishte dëshmorja e parë femër në polici

Kryeministri Edi Rama tha sot se Ina Nuka, 24-vjeçarja që u plagos në protestën para parlamentit mund të ishte dëshmorja e parë në radhët e Policisë së Shtetit. Ai akuzoi opozitën si frymëzuese të protestës së banorëve të Unaza e Re. Deklaratat Rama i bëri gjatë prezantimit të flotës së re të Policisë së Shtetit.
“Jo më larg se 48 orë në parë një efektive e Policisë së Shtetit mund te kishte humbur jetën. Ishte shpejtësia e reagimit të saj që bëri të humbte vetëm gishtat e njërës dorë. Ajo vajzë i përket gjeneratës së të reja dhe të rinjve të shkolluar në akademinë e ri çelur të sigurisë. Akademia që u mbyll për vite të tëra, duke ndërprerë një cikël trajnimesh të pazëvendësueshëm për Policinë e Shtetit. Një ndër shumë vajzat që janë dallëndyshet e para të pranverës të sapo nisur për rigjenerimin e Policisë së Shtetit, përfshi edhe vajza dhe djem që stërviten çdo ditë. “Humbi gishtat se nuk ishte e trajnuar”, u tha nga ata që janë shkaktarë të nxitjes së dhunës, për përdorimin e lendeve plasëse, që kodi penal e dënon si krim të rëndë. Ajo vajza dhe shumë të rinj të tjerë, jo vetëm që janë të trajnuar, por stërviten fizikisht çdo ditë. Sot do të kishim një tjetër dëshmore dhe mesa di, të parën dëshmore të Policisë së shtetit”, tha Rama.

Basha-Ramës: Je një i çmendur dhe plehrë, mos prek protestuesit, do përgjigjesh personalisht!

Kreu i PD, Lulzim Basha ka sulmuar ashpër Edi Ramën duke e quajtur edhe ‘plehrë’, në lidhje me skandalin e Unazës së re.
Në një konferencë për mediat, Basha tha se Rama po përdor deri edhe te policët vetëm që të realizojë megavjedhjen e tij.
‘24orët e fundit janë shënuar nga tre ngjarje të ndryshme që kanë lidhje me një aferë: Vjedhjen.
E para ka qenë një diarre verbale për Unazën e Re.
Rama është shfaqur duke sulmuar këdo, gazetarët, banorët, që do t’u rrëmbejë pronën dhe ta shndërrojë në tokë të djegur ku do të vjedhë 40 milionë euro dhe tre kompanitë dhe ndonjë pronar mediash, për të vjedhur 2mijë euro për 1 centimetër katror.
Vjedhjen më të madhe në analet e historisë botërore.
Ndaj po burgos nëna dhe fëmijë për ata që i rrezikojnë tepsinë dhe karrigen e tij.
Për karrigen e tij dhe 40 milionë euro, po përdor policinë si burracak, duke vendosur vajza të pambrojtura në linjën e parë që të përballen me protestues të mllefosur dhe pastaj kërkon t’i bëjë dëshmorë me zor.
Doja te bëjë dëshmore me zor, o plehrë, sepse në radhën e parë nuk vihen policë të patrajtuar.
Kështu i bërë kriminelët deputetë dhe do të bëj vajzat e pambrojtura të policisë, dëshmorë, o i çmendur’, u shpreh Basha gjatë konferencës për mediat.

Tërhiqu nga afera e Unazës sa nuk është vonë!
Basha i ka bërë thirrje kryeministrit Edi Rama të tërhiqet nga Unaza e Re, aty ku qindra familje do të dëbohen për t’i hapur rrugën projektit prej 40 milionë eurosh.
“Sot dot të jap një mesazh të qartë, tha Basha. Tërhiqu nga afera e Unazës. Të gjithë atje do të jemi atje, për të të penguar ty ndaj tërhiqu sa nuk është vonë.
Ndal dhunimit që po u bën nënave e fëmijëve.
U bëj thirrje instituconeve të hetojnë torturat që po u bëhen qytetarëve.
Nuk do të lëmë t’i marrësh ato 40 milionë euro, nuk do të lëmë të sakrifikosh jetë qytetarësh.
I bëjmë thirrje Policisë të mos përballet me vëllezërit dhe motrat e tyre.
Ne nuk do të lejojmë që kjo aferë e agait të Surrelit të shkatërrojë jetët e qindra vogëlushëve. Sot në orën 5 do të ketë sërish protestë dhe i bëj thirrje të gjithë qytetarëve të vihen përballë këtij hajduti dhe të çmenduri”.
“Rama është shfaqur para shqiptarëve, duke sulmuar këdo. Kërkon tu rrëmbejë pronën banorëve dhe të përfitojë nga megaafera 40 mln euro. Është i obsesuar të mbrojë marrëveshjen që ka lidhur për të vjedhur 40 mln euro, ndaj po burgos qytetarë të pafajshëm nëna e fëmijë. Flet nga mëngjesi në darkë për karrigen e tij, për tepsinë e tij është gati të flakë në rrugë qindra familje pa strehë. Po përdor policinë si burracakë duhe vendosur vajza të pambrojtuara në rresht të parë. I përdor me propagandë dhe do ti bëjë dëshmorë me zor. O plehër doje të bëje me zor police”, u shpre Basha.

Ndërhyn Rama, lirohen nga burgu baxhanaku dhe kushëriri i deputetit të PS

Ish-Kryeministri Berisha ka postuar reagimin e një qytetari, i cili shkruan se, deputetit i PS, Ilir Xhangolli ndejti dy ditë në Korçë derisa arriti të lirojë nga burgu baxhanakun e gruas dhe kushëririn të cilit ishin arrestuar për kontrabandë në doganën e Qafë Thanës. Sipas ti, lirimi nga burgu është bërë me dnërhyrjen e Ramës.
Postimi i plotë i ish-Kryeministrit Berisha në Facebook
Per narkopushtetaret ligji nuk ekziston!
Narkodeputeti me ndihmen e Kallam krye, krye Kreut, liron baxhanakun dhe kushon e pare. Per narkopushtetaret e organizates kriminale Rilindja nuk ka ligje. sb
Mirmbrema doktor! Duke dashur te ngelem anonim desha te te ve ne dijeni qe nga te arrestuarit e Doganes se Qafe-Thanes vetem para pak ditesh per kapje te nje kamioni me Goma cuditerisht Baxhanaku me emrin Stefan Hila dhe Kushuriri i pare me mbiemrin Kodra te dy njerez te Dep. Ilir Xhangolli cuditerisht dje dolen nga burgu dhe u lane te hetohen ne gjendje te lire ndersa 2 te tjeret qe nuk e kane fare e fis direkt Dep. Xhangolli u lane ne burg. Dhe kjo jo rastesisht pasi z.Dep. ndenji plot 2 dite ne Korce deri sa i nxorri nga burgu, hollesirat kuptohen. Dhe per te mos mjaftuar kjo e shoqja e ketij doganieri qe u la e lire eshte kunata e z. Xhangolli dhe quhet Elisaveta Hila dhe nuk po le njeri pa vjedhur si farmaciste por edhe personel poshte saj ajo eshte ne krye te ISKSH Pogradec dhe kercenon cdo dite kedo qe nuk i pergjiget ka dale jashte kontrollit dhe nuk i hyn gjemb ne kembe. Po ku dreqin po shkon ky vend kshu. Ceshte ai palo gjykates qe ben kesi gjerash kaq hapur dhe nuk i hyn gje ne kembe?! Jemi aq te irrituar sa vetem Shqiptare nuk na duket vetja pasi nuk trajtohemi njelloj po te shkelim ligjin. Flm nqs e poston ti degjojne edhe te tjeret bemat e ketyre te poshterve.

Çfarë është GRU-ja?

Kush rekrutohet si spiun? Pse ekspozohen kaq shpesh? Më poshtë janë disa prej gjërave më të rëndësishme që duhet të dini rreth komunitetit të inteligjencës të Rusisë

Brenda dhe jashtë vendit, akronimi rus i vitit ka qenë “GRU” — iniciale të dikurshme, për që rëndom përdoren për Drejtorinë e Inteligjencës Ushtarake të vendit. Stafi i agjencisë tani akuzohet për hakerimin e rrjetit kompjuterik të Komitetit Kombëtar Demokrat dhe përpjekjen për të influencuar zgjedhjet presidenciale amerikane të 2016; hakerimin e agjencive të ndryshme antidoping dhe Tribunalin Ndërkombëtar të Arbitrazhit, si edhe orvatjen për të hakeruar Organizatën për Ndalimin e Armëve Kimike në Hollandë. Veç këtyre, në atë që ka çuar në një valë të re sanksionesh perëndimore ndaj Rusisë, agjentë të GRU-së akuzohen gjithashtu për helmimin e Sergey Skripal (një ish kolonel i GRU-së që spiunoi për britanikët) në Salisbury të Anglisë. “Alexander Petrov” dhe “Ruslan Boshirov” — dy individët e identifikuar nga policia londineze se erdhën në Salisbury të vrisnin Skripal — janë me sa duket emra të koduar për agjentët e GRU-së Alexander Mishkin dhe Anatoly Chepiga.

Çfarë është GRU-ja? Çfarë nënkupton akronimi?
E varur nga Ministria e Mbrojtjes, GRU-ja është Drejtoria Kryesore e Inteligjencës e Rusisë dhe, në kuptimin teknik, nuk ekziston.
Në vitin 2010, në vijim të reformave të mëdha në ushtri, agjencia e inteligjencës ushtarake e Rusisë u riemërua “Zyra Kryesore e Shtabit të Përgjithshëm të Ministrisë së Mbrojtjes”. Megjithatë, ky ndryshim nuk e ka penguar asnjeri që tí referohet organizatës apo anëtarëve të saj si “GRU”-ja — një akronim që tani përdoret në mënyrë konstante nga gazetarë dhe në dokumenta zyrtare, përfshi aktakuzat nga ana e qeverisë amerikane dhe anonçimeve nga e autoriteteve hollandeze. Disa veteranë të agjencisë u ankuan për reformat, duke thënë, “[Ish Ministri i Mbrojtjes Anatoly] Serdyukov shkurtoi më shumë sesa një germë [nga akronimi i agjencisë]. Brigadat më të mira në Spetsnaz e GRU-së u sakatuan nga gërshëra e reformave”. Në nëntorin e 2010, oficerët e festuan Ditën e Inteligjencës Ushtarake në sallën e koncerteve të Crocus City jashtë Moskës, duke ngritur dolli “në kujtimin e dashur të GRU-së”. Shumë oficerë të GRU-së i humbën vendet e tyre të punës prej reformave dhe disa institute kërkimore që bashkëpunonin me të u mbyllën. Akademia Ushtarake e Ministrisë së Mbrojtjes shkarkoi shumë prej instruktorëve të saj. Si rezultat i shkurtimeve, inteligjenca humane e Rusisë në shtetet e huaja ka pësuar një rënie të madhe. Në vitin 2011, The New York Times gjeti se staf i GRU-së po punonin tashmë si shoferë kamioni dhe përgatitës mobiliesh.

Cila është diferenca midis GRU-së dhe Shërbimit të Inteligjencës së Jashtme të Rusisë (SVR)?
Ajo çka e ndan GRU-në dhe SVR-në duket se është e perceptueshme vetëm për ata brenda këtyre dy agjencive. Në vitin 2006, një Gjeneral Leitnant i SVR-së shpjegoi se SVR-ja mbledh inteligjencë “politike”, ndërsa GRU-ja mbledh inteligjencë “ushtarake”. Struktura dhe aktivitetet e të dyja agjencive klasifikohen si sekrete shtetërore. Dezertori Sergey Tretyakov zbuloi më shumë se kushdo tjetër lidhur me metodat dhe trajnimet e SVR-së në një koleksion intervistash, të botuara në 2009 si një libër me titullin “Comrade J.: The Untold Secrets of Russia’s Master Spy in America After the End of the Cold War”, shkruar nga gazetari Pete Earley. Nip dhe bir oficerësh të KGB-së, Tretyakov e kaloi rininë e tij duke lexuar romanet e Ian Fleming dhe duke ëndërruar të bëhet spiun. Në fillimin e viteve ’80, rekrutuesit e KGB-së e ftuan që të merrte pjesë në një program shkëmbimi studentor në Francë, ku do të mblidhte inteligjencë rreth Presidentit të sapozgjedhur francez François Mitterrand. Pasi u kthye, Tretyakov u dërgua në “Forest School” jo larg nga Medvedkovo në verilindje të Moskës, njëlloj si punonjësit e rinj të inteligjencës. Tretyakov dhe grupi i tij u stërvitën që të punonin me burimet (për shembull, ata mësuan që të mos e diskutonin bashkëpunimin me kontaktet pas jo më pak se 7 takimesh, duke ju dhënë atyre shansin që të mësonin zakonet dhe problemet personale e secilit prej burimeve), të mësonin kamerat portabël, të shpiknin në vend “legjendat” e tyre dhe të vendosnin e të tërhiqnin pajisje përgjuese (zakonisht e praktikonin këtë aftësi të fundit në Gorky Park të Moskës). Rënia e Bashkimit Sovjetik nuk pati asnjë efekt në punën e inteligjencës së Tretkyakov. Shpejt përfundoi në Shtetet e Bashkuara dhe nga mesi i viteve ’90 qe në krye të stacionit të SVR-së aty, duke vepruar me mbulesën e Kombeve të Bashkuara. (Agjentë të tjerë në Shtetet e Bashkuara po paraqiteshin si gazetarë të agjencive të lajmeve TASS dhe Komsomolskaya Pravda).
Në New York, agjentë të inteligjencës ruse punonin në ndërtesën e Manhattan ku ndodhet Misioni i Përhershëm i Rusisë në Kombet e bashkuara. Diplomatët e thjeshtë përdornin pesë katet e para, ndërsa punonjësit e inteligjencës dhe kriptografët zinin katet e mësipërm – të ashtuquajturat kate “nëndetëse”. Muret në këtë ndërtesë qenë të mbushur me tuba vibrues që emetonin zhurmë në sfond dhe kishte një mungesë totale telefonash dhe kompjuterësh të lidhur me internetin. Edhe agjentë të SVR-së punonin në konsullatën ruse e ndodhur në Bronx, ku kopjonin dokumentat e shtetasve amerikane që aplikonin për vizë ruse. Më pas agjencia e përdorte këtë informacion kur shpikte identitetet e reja për spiunët e saj në Amerikë, ku supozohej të gjenin punë në organizata të lidhura me qeverinë amerikane. Në çatitë e godinave të Konsullatës dhe Misionit të Përhershëm në Kombet e Bashkuara në Neë York, Rusia instaloi antena speciale të projektuara që të interceptonin thirrjet telefonike anembanë qytetit. Agjentët i quanin këto pajisje “Sinjal Puls”.
Tretyakov thotë se Viktor Zolotov, Gjenerali i Federal Protective Service (FSO), një herë bile e goditi papritmas (si tip shakaje), duke e lënë pandjenja në një kafene të Brighton Beach në vitin 2000, disa lavë përpara vizitës së Vladimir Putinit në Shtetet e Bashkuara. “Qenë të rrezikshëm”, i tha Tretyakov Pete Earley. “Nuk shikoja asnjë diferencë midis njerëzve të Yeltsin dhe këtyre aspak të kultivuarve që qenë miqtë më të ngushtë të Presidentit”. Gjithashtu, i pranishëm në mbledhjen e Brighton Beach ishte Evgeny Murov, që drejtoi FSO-në deri më 2016. (Zolotov është tani Drejtor i Gardës Kombëtare të re të Rusisë). Sipas Tretyakov, Zëvendësdrejtori i atëhershëm i FSO-së, Alexander Lunkin, pretendoi se Murov dhe Zolotov patën diskutuar më parë mënyrat sesi të vrisnin Alexander Volodin, në atë kohë Shef Stafi i Putinit, për shkak se besonin që Presidenti ishte “xheloz” për të. Në vitin 2000, Tretyakov kërkoi azil politik në Shtetet e Bashkuara.

Si e zgjedh dhe e stërvit stafin e saj GRU-ja? Çfarë është “Konservatori”?
Oficerët e GRU-së stërviten në Akademinë Ushtarake e Ministrisë së Mbrojtjes, në 50 Narodnoe Opolchenie Street të Moskës – jo larg nga zona ku do të gjeni selinë qendrore të GRU-së dhe institutet kërkimore të lidhura me inteligjencën ushtarake të Rusisë. Akademia njihet më mirë me emrin “Konservatori”. Edhe agjentët e inteligjencës ushtarake, përfshi specialistët e kibernosigurisë, stërviten gjithashti në Cherepovets Higher Military School of Radio Electronics. Një tjetër vend stërvitor për agjentët e GRU-së ndodhet në Alexander Mozhaysky Military Space Academy, ku Alexey Morenets (agjenti i GRU-së i akuzuar kohët e fundit se kishte hakerime në Hollandë) ishte student. Zakonisht instruktorët e Akademisë i zgjedhin studentët e tyre të rinj nëpërmjet dërgimit të rekrutuesve nëpër njësitë ushtarake anembanë vendit, ku rishikojnë kurrikulumet e oficerëve të rinj. Ata i intervistojnë rekrutët potencialë në shtëpitë e tyre dhe më pas i ftojnë kandidatët më premtues në Moskë për t’i testuar. Vlerësimet në Moskë zgjasin një javë, duke filluar herët në mëngjes dhe duke zgjatur deri vonë në mbrëmje. Kandidatët kryejnë qindra provime ku testojnë njohjen e tyre për gjuhët e huaja, aftësitë e tyre të vëmendjes, kujtesës, mprehtësisë mendore, “imunitetit ndaj zhurmës” dhe “staminës së informacionit”. Një provim mund t’u kërkojë që të përsërisin një shprehje në një gjuhë të panjohur, ndërsa një tjetër mund t’u tregojë atyre dhjetëra fytyra njerëzore dhe kandidatët duhet të thonë emrin e secilit. Gjithashtu, ka intervista me një komision, që mund t’i pyesë kandidatët rreth pijeve të tyre alkoolike të preferuara, arësyet se pse duan t’i bashkohen inteligjencës ushtarake të Rusisë dhe deri edhe për qasjen e tyre ndaj femrave. Trajnimi zgjat 3 vjet. Viti i parë vendos theks të veçantë ndaj gjuhëve të huaja, aparaturave speciale, fushave të studimit, kriptimit, dekriptimit dhe zbulimit të fshehtë. Bile ka edhe klasa për mënyrën sesi të shpikin “legjendën” e tyre dhe si t’i shpëtojnë survejimit. Çdo studenti i caktohet një sektor i Moskës, ku ai supozohet të gjejë rrugë për takime potenciale me agjentë të tjerë, të përcaktojë pikat për pajisjet përgjuese dhe të zbulojë ndonjë person që po e ndjek (zakonisht, oficerët e FSB-së luajnë rolin e kundërzbulimit). Një prej detyrave më të rëndësishme në Konservator është penetrimi i impianteve të sigurisë së lartë: për shembull, spiuni i ardhshëm duhet ta sigurojë hyrjen ligjërisht, duke u miqësuar me dikë që nga ana e tij i siguron atij një leje hyrëse.

Cilat janë zonat e ekspertizës e agjentëve të GRU-së?
Akademia Ushtarake e Ministrisë së Mbrojtjes ka 3 departamente.
Departamenti i patë stërvit agjentë që operojnë nën mbrojtje diplomatike (ato quhen gjithashtu “suit jackets”). Kur dalin në terren, këta oficerë fillojnë si këshilltarë, sekretarë ambasadorësh dhe përfaqësues kompanishë ruse në vende të tjera. Ata janë përgjegjës për komunikimet me agjentët e fshehtë dhe përpjekjet rekrutuese në vendet ku ndodhen. Një “suit jacket” i tillë qe Viktor Ilyushin, i cili u përzu nga Franca më 2014. Duke punuar zyrtarisht si Zëvendësatashe i Forcës Ajrore në ambasadën e Rusisë në Francë, agjenti i GRU-së Ilyushin u përpoq të siguronte “informacion sensitiv” nga njëri prej anëtarëve të stafit të Presidentit François Hollande.
Departamenti i dytë i Konservatorit stërvit atashetë ushtarakë (përfaqësues të forcave të armatosura të Rusisë që shërbejnë në misione diplomatike). Eduard Shishmakov, për të cilin zyrtarë malazezë thonë se u orvat të organizojë një grusht shteti në 2016, ka studiuar në këtë departament. Më 2014, ai punonte si atashe ushtarak në Poloni dhe më pas u përzu.
Ndërkohë, departamenti i tretë përgatit oficerë që do të drejtojnë operacione speciale jashtë vendit.
Dezertorë të GRU-së dhe uebsajte të kushtuara forcave të armatosura ruse e përshkruajnë strukturën e Drejtorisë së Inteligjencës Ushtarake si më poshtë:
• Dega e 1-rë: grumbullim inteligjence në Europë
• Dega e 2-të: Shtetet e Bashkuara
• Dega e 3-të: Azi
• Dega e 4-ët: Lindje e Mesme dhe Afrikë
• Dega e 5-të: rikonjicion strategjik
• Dega e 6-të: survejim komunikimesh
• Dega e 7-të: shërbim analize informacioni
• Dega e 8-të: subversion
• Dega 12B: luftë informacioni

Cilat janë detyrat e agjentëve të GRU-së?
Uebsajti për Zyrën Kryesore e Shtabit të Përgjithshëm të Ministrisë së Mbrojtjes ruse thotë hapur se oficerët e saj furnizojnë lidershipin e vendit me informacionin e nënkuptuar të krijojë kushte “që çojnë në realizimin e suksesshëm të politikës shtetërore ruse në fushën e mbrojtjes dhe sigurisë kombëtare”, ndërsa kontribuojnë gjithashtu në zhvillimin e shtetit. Kjo gjuhë është marrë drejtpërsëdrejti na ligji federal i Rusisë lidhur me grumbullimin e inteligjencës. Sipas këtij ligji, agjencitë ruse të inteligjencës mund të punojë konfidencialisht me informatorët tyre dhe të marrin masa për ta “maskuar personelin e tyre”. Agjencive u lejohet që të përdorin metoda të hapura dhe të mbuluara, por jo në raport me qytetarët rusë, jo në territor rus dhe jo në rastë kur dëmtohen njerëz. Alexander Shlyakhturov, që ka drejtuar GRU-në në fundvitet 2000, tha në 2011 se puna e agjencisë është “që të zbulojë dhe analizojë kërcënimet ndaj interesave kombëtare dhe sigurisë ushtarake të Rusisë”. Valentin Korabelnikov, paraardhësi i tij, tha në 2003 se GRU-ja mbledh gjithashtu inteligjencë rreth kërkimeve të kryera nga shtete të huaja. GRU-ja e bën shumicën e grumbullimit të inteligjencës nëpërmjet “ilegalësh” (agjentë shumë të fshehtë), që jetojnë në shtete huaja me emra falsë. Veç kësaj, identitete të veçanta mund të krijohen për agjentë që shkojnë jashtë vendit për të realizuar misione speciale. Nganjëherë, misionet e agjentëve të tillë mund ta zgjasin me dkada. Një veteran i GRU-së kujtonte sesi shokut të tij të akademisë ju krijua një “legjendë” dhe u dërgua të jetojë në një vend arab për 24 vitet e ardhshme. Ai bleu një kioskë në treg dhe hapi një biznes këpucarie, ku takohej me agjentët. Shpesh kishte raportime dhe informata në takat e këpucëve të sjella tek ai. “Im atë vdiq pa e ditur ndonjëherë se unë shërbeja në inteligjencën ushtarake, megjithëse isha bërë tashmë gjeneral kohën kur ai ndërroi jetë”, thotë Sergey Lebedev, një prej eksponentëve të lartë të GRU-së, në 2005. “Ishte shumë krenar pse isha diplomat. I thoshte kujtdo se djali i tij punonte në Ministrinë e Jashtme”.

Çfarë janë “institutet kërkimore”? Si janë të lidhur ato me inteligjencën ushtarake ruse?
Duket se ka dhjetëra institute kërkimore të lidhura me GR-në. Njohim për të sigurtë disa prej tyre:

• Instituti Kërkimor Qendror i 46-të i Ministrisë së Mbrojtjes (Njësia Ushtarake 54726) është një qendër për informacion dhe inteligjencë ushtarake rreth potencialeve ushtarake të shteteve të huaja. Ndodhet në 86 Khoroshevskoye Highëay dhe më parë ishte në varësi të GRU-së. Vendasit e quajnë ndërtesën “Pentagon”, jo për shkak të formës së saj, por prej sekretit që e rrethon atë. Stafi në këtë institut karakterizohet si “njerëzit më të informuar në GRU” dhe menaxhimi i tij është pjesë e Këshillit të Sigurisë të Rusisë. Ndërtesa afër këtij instituti kërkimor mirëpret një kompani të vogël të quajtur Steadyhost, që ka në pronësi IP adresën e StopGeorgia.ru — një uebsajt ku hakerët rusë ndanin idetë se cilat uebsajte gjeorgjiane të shënjestronin gjatë luftës së 2008 në Oshecinë e Jugut, si edhe hyperlinks për softuerin e nevojshëm që të kryenin këto kibernosulme.
• Qendra për Studimet Speciale e Ministrisë së Mbrojtjes ndodhet në Moskë në Svoboda Street. E krijuar në 2014, qendra reklamonte vende të lira pune në uebsajte punësimi që synonin kryesisht të diplomuarit nga shkolla inxhinierike. Më shumë se çdo gjë tjetër, instituti kërkonte staf që mund të shfrytëzonte dhe gjente pika të dobta në rrjetet kompjuterike. Të punësuarve të rinj u jepet security clearance konfidenciale (që kërkon nga stafi të njoftojë paraprakisht kurdo që udhëton jashtë vendit) dhe një rrogë mujore fillestare prej 120000 rublash (1835 dollarë). Qendra për Studimet Speciale punësoi Evgeny Serebryakov, që u përzu nga Hollanda në prillin e 2018 pse u përpoq të infiltronte rrjetin kompjuterik e Organizatës për Ndalimin e Armëve Kimike (OPCW).
• Njësia Ushtarake 26165 — “Kazermat Khamovnichesky” — ndodhet në 20 Komsomolsky Prospect. Kjo njësi është ndoshta rezervuari më i madh i hakerëve të talentuar të forcave të armatosura të Rusisë. Këtu do të gjeni Institutin Kërkimor Qendror të 85-të të GRU-së, ku kriptografë krijojnë algoritmat dekriptuese. Mjaft hakerë të dyshuar për kibernosulme ndaj Shteteve të Bashkuara dhe Europës me sa duket kanë punuar në Njësinë 26165. Kur Wikileaks botoi emailat e vjedhura të Emmanuel Macron më 7 maj 2017 (një ditë përpara zgjedhjeve presidenciale franceze), dedektivët internetorë vërejtën thuajse menjëherë se dikush i quajtur Georgy Petrovich Roshka modifikoi 9 emaila të botuara. Roshka rezultoi të ishte një i punësuar në disa institute kërkimore të inteligjencës ushtarake ruse. Në një listë pjesëmarrësish për një konferencë ku përmendej si folës, Roshka identifikohej si specialist në Institutin Qendror Kërkimor e 85-të të GRU-së, i ndodhur në 20 Komsomolsky Prospect. Qe nga kjo godinë që Alexey Morenets, i dyshuari për sulm ndaj OPCW-së, mori taksinë për aeroport, përpara se t’i hipte avionit drejt Hollandës. Sipas inteligjencës amerikane, kjo qe gjithashtu një bazë operacionale për 10 hakerë dhe oficerë të GRU-së që infiltruan rrjetin kompjuterik e Komitetit Kombëtar Demokrat (DNC).
• Njësia Ushtarake 74455 ndodhet në 22 Kirov Street. Zyrtarisht, kjo është adresa e qendrës së biznesit “Novator”, por hyrja e ndërtesës ka një shenjë që tregon se në ndodhet gjithashtu “Center for Daily Operations Management” (që sipas përfaqësuesve të Shtabit të Përgjithshëm të Ministrisë së Mbrojtjes, siç quajnë ata institutet kërkimore e krijuara “për koordinimin operacional e agjencive ushtarake”). Departamenti amerikan i Drejtësisë thotë se kjo ndërtesë është vendi i punës i disa prej hakerëve të GRU-së që u futën në serverat e DNC-së më 2016.
• Instituti Kërkimor Qëndror i 18-të punon specifikisht me komunikimet elektronike. Asgjë nuk dihet publikisht rreth këtoj organizmi, por përdoruesit e internetit që “ndjekin” çështjen në forume nganjëherë bëjnë shaka se ekziston një UFO, e rënë në vitin 1959, që fshihet në një kat të nëndheshëm të 22 Kirov Street, që gjithashtu supozohet se është e lidhur me “Metro-2” të Moskës (një sistem sekret metroje).
• “Sovinformsputnik” është një degë e operacioneve të inteligjencës hapësinore të GRU-së. Në vitin 2000 thuhet se qe e para që fotografoi “Area 51” në Shtetet e Bashkuara.

Kush është përgjegjës për GRU-në?
Drejtori i inteligjencës ushtarake të Rusisë emërohet nga Presidenti, që kontrollon dhe koordinon aktivitetet e të gjithë komunitetit të inteligjencës. Veç kësaj, Drejtori i GRU-së i raporton Ministrit të Mbrojtjes dhe Shefit të Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura. (Shefi aktual i Shtabit të Përgjithshëm është Gjenerali Valery Gerasimov — i njëjti oficer “doktrina” e supozuar e të cilit sugjeron përdorimin e kibernoforcave gjatë luftës hibride). Në vitin 2016, Putini emëroi Igor Korobov për të shërbyer si Drejtor i Drejtorisë së Inteligjencës Ushtarake. Një oficer karriere që filloi punë në vitet ‘80, Korobov u diplomua nga “Konservatori” dhe vazhdoi të mbikëqyrë grumbullimin e inteligjencës strategjike të Rusisë, përfshi menaxhimin e të gjitha stacioneve të jashtme. Emërimi i tij nuk qe aspak surprizë: qysh nga vitet ’90, Presidenti ua ka besuar tradicionalisht postin oficerëve që kanë mbikëqyrur stacionet e jashtme të Rusisë. Zyrtarët amerikanë ja shtuan Korobov listës së tyre të sanksioneve në dhjetorin e 2016 prej “përpjekjeve të tij për të minuar demokracinë” nëpërmjet organizimit të sulmeve me haker. Sidoqoftë, Korobov dhe drejtorët e Shërbimit Federal të Sigurisë (FSB) dhe Shërbimit të Inteligjencës së Jashtme (SVR) të Rusisë bënë një udhëtim të paprecedent në Uashington shkurtin e 2018 për t’u takuar me anëtarë të komunitetit të inteligjencës amerikane dhe diskutuar luftën kundër terrorizmit. Korobov ka ndërruar jetë më 21 nëntor të 2018. Njeriu i kredituar me krijimin e “perandorisë GRU” është Pyotr Ivashutin, që drejtoi inteligjencën ushtarake të Bashkimit Sovjetik nga fillimivitet ’60 deri në fundvitet ‘80. Ivashutin qe njëri prej tyre që konceptuan dhe nisën të ndërtojnë një sistem grumbullimi informacioni të pandërprerë, duke paralajmëruar lidershipin e vendit rreth kërcënimeve të sigurisë kombëtare në kohë reale. Dita e tij e punës do të niste në orën 7 e 5 minuta të mëngjesit: një makinë do ta çonte në Gogolevsky Boulevard të Moskës, ku ndodhej GRU-ja në fillimet e viteve ‘60. Ai zgjidhte problemet me dezertorët, udhëtonte në Novocherkassk për të administruar një shtypje të përgjakshme ndaj demonstruesve në qershorin e 1962, mbikëqyrte grumbullimin e inteligjencës në territore armiqësore, mbikëqyrte kapjen e aeroportit të Pragës më 1968 dhe menaxhonte operacionet speciale në Afganistan. Në intervistën e vetme të dhënë ndonjëherë, Ivashutin thotë se si Drejtor i GRU-së “mbështeste lëvizjet revolucionare, duke ju transferuar shuma të mëdha parashë”. Ndërroi jetë në vitin 2002.

Ku ndodhet selia qendrore e GRU-së? Çfarë është “Akuariumi”?
Qysh nga fundi i viteve ’60, GRU-ja ndodhet në një kompleks të madh në Khoroshevskoye Highway të Moskës. Kompleksi e mori nofkën “Akuarium” nga një libër i dezertorit Vladimir Rezun (që shkruante nën pseudonimin Viktor Suvorov). Ai thotë se fjala i erdhi për shkak të fasadës së xhamtë të ndërtesës dhe sepse komuniteti i inteligjencës është një “akuarium i mbyllur ku çdo njeri e njeh njëri tjetrin”. Kompleksi i GRU-së përbëhet nga ndërtesa parafabrikat 9 katëshe të rrethuar nga një gardh i lartë hekuri. Afër zyrës kryesore të sigurisë, në një oborr plot me pemë, ndodhet një monument për oficerët e inteligjencës ushtarake të rënë në detyrë. Në hollin hyrës të ndërtesës kryesore ka një memorial kushtuar heronjve të inteligjencës ruse dhe sovjetike. Emrat e listuar aty janë emrat realeë të tyre. Sipas librit të Viktor Suvorov (që shumë thonë se është më shumë vepër letrare sesa e dokumentuar), ekziston një krematorium brenda kompleksit të GRU-së që përdorej për të djegur tradhtarët. Pyotr Ivashutin konfirmoi dikur se kompleksi kishte furrë, por tha se përdorej për djegien e dokumentave. Njerëz që kanë qenë brenda selisë qendrore të GRU-së në fundvitet ’90 thonë se ishte në “gjendje të mjerë”: linoleumi ishte i grisur, mobiljet si të çjerra dhe muret e rrjepura. Megjithatë, i gjithë vendi i rimodelua në 2002, pas vizitës së Vladimir Putinit. Kur mbaroi puna, emri i agjencisë u shfaq në hyrjen e ndërtesës, me germa të arta. (Emblema u hoq një ditë më pas). Kur ndërtesa e re e inteligjencës ushtarake u pa në vitin 2006 në të njëjtin kompleks, Vladimir Putini ndodhej në drejtimin e ceremonisë. Të gjithë kompjuterët e zyrave janë krejtësisht të prodhuar në Rusi dhe ka ekrane të mëdhenj që monitorojnë situatën ushtarake në kohë reale, ashtu si edhe vendndodhjet e nëndetëseve dhe bombarduesve strategjikë bërthamorë rusë. Ndërtesa e re ka gjithashtu një pishinë, një spa, sauna të shumta, fusha tenisi, basketbolli e volejbolli dhe një kopsht dimëror. Nganjëherë, oficerët e GRU-së bëjnë shaka duke thënë se janë transferuar në një hotel me 5 yje.

Përgatiti
ARMIN TIRANA

Përgjimet ndaj “Akilit” shqiptar: Nuk lëviz pa 10 kg kokainë!

Plot 25 identitete të ndryshme ka përdorur një shqiptar 37-vjeçar, me emrin Xhevdet Plaku, i njohur me nofkën Akili, i cili ishte kreu i një grupi të trafikut ndërkombëtar të drogës, të cilën e drejtonte nga Amsterdami.
Pakove të drogës u vinin emra sipas cilësisë së mallit që kishte brenda, duke i pagëzuar si markat e njohura të modës apo të luksit.
Kokainë më e pastër quhej ‘Hermes’, pastaj vinin ‘Lacoste’, ‘G4’, ‘Rolls Royce’ e ‘Playboy’.
‘Është e fortë? Nuk thërrmohet?’.
‘Nuk është Hermes, por është e mirë’.
Shkëmbime opinionesh në telefon, një nga përgjimet e kryera nga hetuesit që çuan në zbulimin e kartelit shqiptar që importonte nga Holanda e Belgjika në Brescia tonelata droge.
Në pranga kanë përfunduar 56 persona, anëtarë të tri bandave të ndryshme, por të lidhura midis tyre.
Në 153 faqet e dosjes që solli arrestin me burg të 24 personave të fundit janë dokumentuar biseda që provojnë fuqinë kriminale të grupit, si për shembull një frazë e regjistruar në mars 2016:
‘Ky lloj pazari bëhet nga 10 kilogram e lart’, shpjegon një nga kapot e organizatës.

Incidenti/ Punonjësi i Bashkisë së Vlorës në luftë me jetën, ngjarja mbahet e fshehtë

Një tjetër ngjarje e rëndë është shënuar mbrëmjen e djeshme në Vlorë. Rreth orës 20:00 në ambientet e spitalit ka shkuar në gjendje të rëndë për jetën një 50-vjecar, punonjës i Bashkisë Vlorë, i identifikuar si Kostandin Sota.
50 vjeccari ka qenë duke montuar dekorin e festave në qytet ku ka rënë në kontakt me rrymën elektrike. 50-vjeccari ndodhet në gjendje të rëndë për jeten në spitalin e Vlorës.
Ngjarja është mbajtur e fshehtë, për shkak se ngjarja ka ndodhur si pasojë e mungesës së kushteve dhe sigurise së punës.

LSI thirrje qytetarëve: Mos kini mëshirë për këtë kryeministër!

Deputetja e LSI, Kejdi Mehmetaj ka analizuar sot zë më zë, Buxhetin për arsimin të vitit 2019. Mehmetaj, duke e ballafaqur Buxhetin me raportin e fundit të FMN-së që vë theksin në uljen e investimeve buxhetore në arsim, bëri të ditur se ato vazhdojnë të jenë të ulëtadhe shifrat e publikuara nuk përputhen me ato ç’ka janë premtuar nga kryeministri dhe ministrja e Arsimit.
Mehmetaj tha se Reforma në Arsimin e Lartë dhe shkatërrimi i Akademisë së Shkencave janë kërbaçi i fundit që kjo qeverisje i dha universiteteve. Ministrja në vend të jepte dorëheqjen, e kthen gishtin nga bordet e universiteteve si fajtorë.
E gjithë kjo situatë tregon se kjo qeveri dhe ky kryeministër nuk e duan arsimin. Edhe njëhërë u bëj thirrje shqiptarë të mos kenë durim, të mos kenë më mëshirë, për këtë kryeministër, simbol të vjedhjes dhe të shpifjes,’ përfundoi Mehmetaj.

”Policët më vunë pistoletën në kokë”, zbardhet dëshmia e Dobrajt: Nuk e plagosa unë policen!

Daniel Dobra, 17-vjeçari që u arrestua dje si personi i dyshuar që mund të ketë hedhur kapsollën drejt polices Ina Nuka, ka mohuar kategorikisht se fshihet pas ngjarjes.
Ndërsa policia e etiketon me të madhe si autorin e plagosjes së efektines Ina Nuka, Daniel Dobraj, student në fakultetin e inxhinierisë mohon që të jetë ai autori i hedhjes së kapsolles në drejtim të saj.
Në dëshminë e dhënë në prokurori Dobraj është shprehur se ai ka qenë ditën e protestës përpara parlamentit, po qëllimi i tij i vetëm ka qenë mbrojtja e banesës që ka bashkë me familjen.
“Isha 4 vjeç kur u ndërtua shtëpia ime në Unazë të re. Në derën e banesës m’u vu kryqi. Protestova dhe unë para parlamentit, por nuk kam përdorur sende të kundraligjshme.
Pranoj që kisha 3 kapsolla që ndeza dhe i hodha te llamarinat te Xhamia. Disa punonjës policie donin të më ndalonin por unë nuk pranova të futesha në makinë. Ndërhynë disa persona të tjerë dhe e gjeta veten në turmë dhe më pas u largova.
Pasi babai bisedoi me avokatin, u nisa të dorëzohem në komisariatin Nr.3. Policët më kanë vënë pistoletën në kokë. Në makinën e policisë më dhunuan dhe më shanë. Në Drejtorinë e Policisë, sjellje korrekte dhe jo dhunë”, tha ai.