18.5 C
Tirana
E enjte, 8 Maj, 2025

‘Nisma #Thurje’ i kërkon Parlamentit të votojë kundër monopolit online të basteve sportive

Nisma #Thurje ka përgatitur një draft propozim konkret mbi ndryshimet që duhet t’i bëhen ligjit për lojërat e fatit.
Shkresa i është drejtuar gjithë zinxhirit politik legjislativ dhe do të depozitohet edhe pranë Parlamentit.
Drafti synon që të eliminohet mundësia që industria e basteve të transferohej nga pikat fizike tek ajo online.
Një nismë e tillë është ndërmarrë nga kjo organizatë, në mënyrë që të pengohet mundësia e krijimit të një monopoli në fushën e basteve.
Propozimi i plotë i Nisma #Thurje
Sot kemi përgatitur një shkresë drejtuar gjithë zinxhirit politik legjislativ, të cilën do ta dorëzojmë pranë parlamentit shqiptar, me një propozim konkret mbi ndryshimin që duhet t’i bëhet ligjit për “Lojërat e fatit në Republikën e Shqipërisë” me qëllim mbylljen e basteve totale, pa lënë asnjë shteg nga ku do të krijoheshin kushte që kjo industri të transferohej nga pikat fizike të basteve tek ajo online. E para sepse nëse kjo ndodhte atëherë bastet nuk do të quheshin realisht të mbyllura, dhe e dyta që kjo e gjitha do të krijonte kushtet për krijimin e një monopoli në fushën e basteve.
Pranimi ose jo i këtij propozimi do të tregojë qartë nëse kjo iniciativë e ndërmarrë nga qeveria është vërtet për zhdukjen e plagës sociale të basteve siç ajo pretendon, apo e gjitha është një inskenim për të përfunduar në një situatë monopol, ku i gjithë tregu do të përfundojë në duart e një kompanie të vetme.

Plas skandali në Greqi/ Mediat: Ministria ka dhënë fonde sekrete për mediat në Shqipëri

Ministria e Jashtme greke raportohet se ka financuar me fondet sekrete mediat në Shqipëri dhe Maqedoni.
Lajmi ka qarkulluar në mediat elektronike greke, në kohën që partia më e madhe opozitare kërkon nga qeveria që të publikohen të gjitha detajet.
Sipas një ligji të iniciuar nga ish-ministri i jashtëm, Nikos Kotzias, përdorimi i fondeve sekrete të ministrisë, shqyrtohet nga një komision i parlamentit.
“Shqyrtimi i fundit është bërë më 10 tetor. Dosja që u hap në zyrën e kryetarit të parlamentit përmbante tre kode, për një fond prej 1 milion eurosh”, shkruan CNN Greek.
“Të njëjtat burime thonë se kodi i parë ishte për para që iu dhanë mediave në Shqipëri, i dytë për media në Shkup dhe i treti për mbështetjen e kishave ortodokse.
Sqarimi që u dha për dy kodet e para, ishte se janë përdorur me qëllim që të publikohen shkrime pozitive për Greqinë dhe të lobohet me gazetarë e drejtues mediash në dy vendet fqinje në dobi të interesave të Greqisë”.
Rrjeti citon nënkryetarët e parlamentit që merrnin pjesë në komisionin në fjalë, të kenë thënë se informacioni ishte tepër i përgjithshëm dhe i padetajuar.
Gjithsesi, kryetari i parlamentit Nikos Voutis tha se, “shkakton indinjatë publikimi i gjoja shpenzimeve sekrete të MPJ, ndërsa krijon pikëpyetje serioze mbi qëllimet dhe synimet e politikanëve dhe mediave që i riprodhojnë këto lloj ‘lajmesh’.”

Shfrytëzimi i fondeve sekrete ishte një nga pikat e debatit të ashpër që u zhvillua të martën ndërmjet ministrit të jashtëm dhe ministrit të mbrojtjes Kammenos, që çoi në dorëheqjen e Kotzias.
Partia më e madhe opozitare, Demokracia e Re, ka kërkuar që të publikohen të gjitha detajet nga transaksionet e fondeve sekrete të Ministrisë së Jashtme dhe të Mbrojtjes.
“Menaxhimi i fondeve shtetërore nuk është një çështje që ka të bëjë vetëm me ekuilibrat brenda qeverisë, por i intereson gjithë shoqërisë greke. Qeveria dhe personalisht zoti Tsipras duhet t’u japin përgjigje të pastra qytetarëve”, thuhet në deklaratën e Demokracisë së Re.
Vetë qeveria ka akuzuar partinë më të madhe opozitare dhe kryetarin e saj, Kyriakos Mitsotakis. “Publikimi i gjoja informacioneve mbi disponimin e fondeve sekrete dëmton direkt interesat kombëtarë dhe është rezultat i mizerablitetit të Demokracisë së Re dhe zotit Mitsotakis”, nënvizon zyra e shtypit e kryeministrit grek.
“Nëse zoti Mitsotakis dëshiron të informohet për fondet sekrete, të kërkojë menjëherë takim me kryeministrin”, përfundon reagimi i qeverisë.
Robert Goro,
Ora News

KLSH zbulon skandalin me Urgjencat Mjekësore: Autoambulancave u mungojnë dhe pajisjet bazë

Kontrolli i Lartë i Shtetit (KLSH) ka publikuar raportin përfundimtar për Urgjencën Mjekësore, ku konstaton se ky shërbim ka problematika të përsëritura në shërbimin e urgjencës të cilat evidentojnë qartësisht një mungesë lidershipi, koordinimi, bashkëpunimi dhe transparence midis institucioneve shtetërore.
KLSh thekson në raport se pacientët vazhdojnë të raportojnë se shërbimi që u ofrohet nuk është në kohën e duhur dhe me cilësinë e kërkuar kjo edhe për arsye se:
Ende numri i autoambulancave është i pamjaftueshëm;
Shërbimi i urgjencës mjekësore nuk është i shtrirë në të gjithë territorin;
Infrastruktura rrugore përbën një problem thelbësor në ofrimin e këtij shërbimi;
Personeli i urgjencës mjekësore nuk është i mjaftueshëm;
Autoambulancave u mungojnë pajisjet bazë për të shpëtuar jetën e pacientëve.
Nga ana tjetër, institucionet shëndetësore të cilat çdo ditë përballen me pacientët sjellin në vëmendje se:
Ende nuk ka protokolle të posaçme të urgjencës mjekësore të miratuara nga MSHMS;
Sistemi i referimit nuk funksionon, duke krijuar ngarkesë të panevojshme në sportelet e urgjencës;
Ende mungon certifikimi i profesioneve të urgjencës mjekësore;
Nuk janë përcaktuar kriteret për infrastrukturën, pajisjet, barnat dhe burimet njerëzore nga MSHMS;
Në disa raste në nivel parësor institucioni nuk është në dijeni të detyrimit për të ofruar shërbim urgjence 24/24, 7 ditë në javë;

Jo të gjitha strukturat shëndetësore publike që ofrojnë shërbim urgjence janë në dijeni të detyrimit për raportim pranë QKUM; Strukturat shëndetësore private simotra, të cilat kanë të njëjtin detyrim nuk e kryejnë farë atë.
Në analizën e riskut, KLSH thekson se ka pasur shkurtim të fondeve për shëndetësinë për vitet 2015-2016; Shërbimi nuk është i shtrirë në gjithë territorin; ka një numër të pamjaftueshëm ambulancash dhe mjetesh. Po ashtu nuk janë miratuar standardet për pajisjet mjekësore, barnat, infrastrukturën fizike, autoambulancat dhe mjetet e tjera.
KLSH konkludon se veprimtarisë së institucioneve përgjegjëse për organizimin dhe funksionimin e urgjencës mjekësore në vendin tonë për periudhën objekt auditimi i ka munguar efektiviteti në disa aspekte kyçe të saj.
Edhe pas 4 vitesh nga hyrja në fuqi e Ligjit për urgjencën mjekësore, Ministria e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale (MSHMS) nuk ka miratuar standardet për infrastrukturën fizike, barnat, pajisjet mjekësore, si dhe burimet njerëzore të nevojshme për ofrimin e këtij shërbimi në vendin tonë. Mosveprimi i MSHMS evidenton një mungesë përgjegjshmërie institucionale për të përmirësuar situatën e Urgjencës Mjekësore në Shqipëri, sidomos kundrejt veprimtarisë së vakët në drejtim të miratimit të protokolleve të urgjencës mjekësore, si edhe sa i takon rishikimit dhe përafrimit të legjislacionit të vendit tonë me atë evropian. MSHMS ka qenë totalisht inefektive për ato pak iniciativa që ka ndërmarrë në këtë fushë, për periudhën objekt auditimi.

Që nga momenti i krijimit, Qendra Kombëtare e Urgjencës Mjekësore (QKUM), pavarësisht përpjekjeve, nuk ka vepruar në mënyrë efektive me qëllim identifikimin e prioriteteve kyçe sa i takon planifikimit, drejtimit, pjesëmarrjes dhe bashkërendimit të të gjitha aseteve ekzistuese në një sistem mbarështetëror të unifikuar, duke arritur të ofrojë vetëm koordinim të pjesshëm për qytetin e Tiranës.
QKUM nuk ka kryer rishikim të cilësisë së shërbimit të urgjencës në shkallë vendi dhe nuk ka ushtruar kontroll të brendshëm në të gjithë shërbimin e urgjencës mjekësore, duke penalizuar zhvillimin e këtij shërbimi, si edhe aktivitetin e vet në këtë drejtim. Ky institucion nuk ka qenë i aftë të ndërtojë një kanal komunikimi zyrtar me MSHMS, me qëllim përcjelljen e të gjitha problematikave të ndeshura në shtrirjen e shërbimit në shkallë vendi dhe në mbarëvajtjen e tij. Mosveprimi dhe neglizhenca e treguar shpreh qartë që ky institucion nuk ka gjeneruar impaktin e përcaktuar nga Ligji për përmirësimin e shërbimit të urgjencës mjekësore.
Sipas KLSH, mungesa e vendosjes së standardeve nga MSHMS për barnat, pajisjet mjekësore në të gjitha nivelet e shërbimit të urgjencës në vendin tonë sipas përcaktimeve ligjore60 nuk ka lejuar një zhvillim bashkëkohor të sistemit të urgjencës mjekësore, duke mos arritur të plotësojë pritshmëritë e taksapaguesve mbi këtë shërbim.
/Monitor/

Hakmerret Rama/ Nxirret nga zyra Shoqata Antikomuniste e të Përndjekurve pse i dërgoi letër Arta Markut

Ministria e Drejtësisë i ka kërkuar Shoqatës Antikomuniste të të Përndjekurve Politikë të lirojnë zyrën që ndodhet në ambientet e saj përballë Kryeministrisë.
Këtë lajm e ka bërë vetë të ditur kryetari i kësaj shoqate, Nebil Çika. Pikërisht në ditën e lindjes së diktatorit Enver Hoxha, Ministria e Drejtësisë e justifikon këtë me arsyetimin se ‘vë në rrezik sigurinë e Kolegjit të Posaçëm të Apelimit dhe Komisionari Publik të Vettingut’.
Çika thotë se kjo shkresë mbërriti vetëm dy ditë pasi i dërgoi një letër të hapur Prokurores së Përgjithshme të Përkohshme Arta Marku ku denoncoi bllokimin nga Prokuroria e Krimeve të Rënda e regjistrimit dhe të hetimit të kallëzimit penal për krime kundër njerizimit dhe gjenocid.
Reagimi i plotë i Shoqatës
Në pritje të një përgjigje për arsyet dhe qëllimet e bllokimit për bllokimin nga ana e Prokurorisë se Krimeve te Renda të kallëzimit tonë për krime kundër njëzimit dhe gjenocid për Masakrën e Bombës në Ambasadën Sovjetike depozituar në 26 shkurt të vitit 2018, Ministria e Drejtësisë ka zgjedhur një mënyrë komuniste komunikimi të ngjashëm me praktikat e dëbim-internimit gjatë diktaturës komuniste.
Ministria e Drejtësisë i ka dërguar në datën 16–tetor pikërisht në ditëlindjen e diktatorit komunist Enver Hoxha, një shkrese drejtuar Shoqatës Antikomuniste të të Përndjekurve Politike të Shqipërisë ku urdhëron largimin nga selia qendrore në bulevardin Dëshmorët e Kombit në Tiranë. Sipas Ministrisë së Drejtësisë qëndrimi ynë në këtë ambient ‘vë në rrezik sigurinë e Kolegjit të Posaçëm të Apelimit dhe Komisionari Publik të Vettingut’ të cilët i kanë zyrat në një godine me ne, në Kryesinë e Kuvendit t Shqipërisë.

Kujtojmë se selia jone është në këtë vend me VKM që në vitin 1994 të ndryshuar në vitin 1998. Logjikisht e ligjërisht duhet që një VKM tjetër të ndryshojë të parën dhe të rregullojë sistemimin tonë por ne nuk kemi asnjë dijeni për një vendim të tille.
Kolegji i Posaçëm i Apelimit ka këtu që prej me shumë se 6 muaj ndërkohë që në të njëjtën ndërtesë janë edhe institucione të tjera të rëndësisë së veçantë si Kryesia e Kuvendit dhe Gjykata Kushtetuese, të cilat nuk kanë shfaqur deri tani ndonjë frikë për sigurinë nga prania jonë këtu.
Në këto kushte ne kemi dyshimin e besueshëm se kemi të bëjmë me një akt të pastër të shantazhit politik që lidhet jo me praninë fizike tonë këtu por me punën, aktivitetin dhe qëndrimet tona politike.
Kjo shkrese mbërriti vetëm dy ditë pasi kryetari i Shoqatës i dërgoi një letër të hapur Prokurores së Përgjithshme të Përkohshme znj. Arta Marku ku denoncoi bllokimin nga Prokuroria e Krimeve të Renda e regjistrimit dhe të hetimit të kallëzimit penal për krime kundër njerizimit dhe gjenocid.
Me sa duket qeveria nëpërmjet ministrisë së linjës të drejtësisë ka zgjedhur mjetet komuniste të shantazhit për ti mbyllur gojën të përndjekurve antikomuniste me qëllim që ne të mos kërkojmë dënimin e krimeve të komunizmit, autorë të të cilëve janë një pjesë e konsiderueshme e politikës në pushtet drejtësisë dhe administratës shtetërore apo të afërm gjenetike të tyre.
Ky urdhër i Ministrisë së Drejtësisë konsiderohet nga ne si urdhrat e dëbim-internimit që u bëheshin njerëzve tanë gjatë diktaturës ku të ashtuquajturit armiq të komunizmit nxirreshin nga banesat dhe pronat e tyre, burgoseshin, dëboheshin e internoheshin në fshatrat e humbura e të izoluara me të njëjtin motivacion që Ministria e Drejtësisë na kërkon ne largimin nga zyra: Cenonin sigurinë e institucioneve dhe drejtuesve të diktaturës komuniste. Qartësisht me ketë shkresë, Ministria e Drejtësisë po na trajton ne ashtu si në diktaturë: ‘armiq politik të qeverisë’.

Në këto kushte ne i kërkojmë qeverisë shqiptare të heq dorë nga këto praktika komuniste shantazhi ndaj të përndjekurve politikë antikomunistë që kanë si qëllim pengimin e punës sonë, mbylljen e gojës për krimet komuniste dhe padrejtësitë e tjera që i janë bërë e po i bëhen shtresës sonë nga komunistët dhe pinjollët e tyre politikë e gjenetikë dhe të garantojë kushtet bazike të funksionimit të Shoqatës siç janë zërat pa të cilat aktiviteti jone është i pa mundur.
I kërkojmë autoriteteve të larat shtetërore Presidentit të Republikës etj të ushtrojnë autoritetin e detyrës për të ndalur rikthimin e metodave të luftës së klasave .
I bëjmë thirrje opozitës, kreut te saj Lulzim Basha, veçanërisht deputetëve të përndjekur politike të komunizmit të reagojnë ndaj këtij shantazhi të pastër politik të qeverisë ndaj nesh.
I kërkojmë përfaqësive diplomatike perëndimore SHBA, BE etje të përdorin autoritetin dhe ndikimin e tyre ndaj qeverisë shqiptare me qëllim ndërprerjen e shantazhit politik ndaj nesh.
Garantojmë të gjithë të përndjekurit politikë antikomunistë dhe opinionin publik se pavarësisht sjelljes armiqësore që qeveria po manifeston ndaj të përndjekurve politike antikomunistë ne nuk do ta ndalojmë luftën tonë për ndëshkimin e krimeve te komunizmit, dekomunistzimin e vendit dhe të drejta e të përndjekurve politike të komunizmit.
Kryetari
Nebil Çika

Sot masa e sigurisë për Stresin, Sali Lushaj: Hakmarrje brenda 12 orësh, ne kemi duart ky regjim ka hekurat

Sali Lushaj ka reaguar me anë të një statusi në Facebook për arrestimin e të birit, reperit të njohur Arkimed Lushaj, i njohur si Stresi.
Lushaj e quan arrestimin e djalit të tij një hakmarrje pas padisë ndaj kreut të grupit parlamentar socialist Taulant Balla. Ai thekson se ky regjim nuk do ta mposhtë atë dhe familjen e tij dhe i kërkon Stresit të mos dorëzohet.
Lushaj kujton se Stresi ka lindur në internim dhe pavarësisht të gjithave e ka mbështetur në bindjen e tij duke iu referuar bindjes politike.
Postimi në Facebook
Përshëndetje miq! Besoj po shikoni e ndigjoni ca përralla që na tregonin dikur gjyshja ose gjyshi. Ka dy ditë që ky pushtet po merret me djalin tim, Stresi. Çdo gjë e sajuar. Çdo gjë e përgatitur nga mllefi që u tërbuan që unë i bëra Ballës një padi në gjykatë.
Këta filluan të hakmerren brenda 12 orësh. Aspak e vërtetë se qenka grup kriminal. Një shpifje e fëlliqur. Askush nuk është ndaluar tjetër e s’do të dalë në këtë lojë të fëlliqur e të përgatitur.
Grup kriminal i madh shumë pa asnjë tjetër. Por ne kurrë s’do të mund të na thyejnë e të na përkulin para këtij regjimi të fëlliqur. Ne kemi duart e ky regjim ka hekurat. Kurrë s’do më mposhtin mua e as familjen time. Vetëm dua t’i them djalit tim mos u dorëzo para këtyre falangave se jemi të fortë.
Kënga që ke kënduar mos u dorëzo kjo është. Ti për mua je gjëja më e shtrenjtë se linde në internim dhe me gjithë ato vuajtje s’mu ndave nga bindjet e mia, por më mbështete deri në këto momente dhe ne do të mbështesim e do jemi me ty. Të duam fort.

Gjykata lë në burg Stresin, Avokati: U kap i zhveshur, ku e kishte armën?
Arkimed Lushaj, i njohur si Stresi ngelet në qeli. Në seancën e sotme të rivlerësimit të masës së sigurisë, Gjykata e Tiranës vendosi të lërë në fuqi masën “arrest me burg”.
Këngëtari i njohur me emrin e artit Stresi u arrestua më 17 tetor pasi gjykata e Tiranës kishte firmosur urdhrin e arrestimit.
Avokati Marash Ibraj e quajti arrestimin e Stresit të paligjshëm: “Nuk ka pasur vendim gjykate për kontrolli. Nuk vërtetohet se pistoleta e gjetur i përkiste klientit tim. U kap i zhveshur, ku e kishte armën?”
“Ndalimi i këtij shtetasit u bë pas një hetimi disa mujor në bashkëpunim me Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë me metoda speciale të hetimit që janë kryer në funksion të një grupi kriminal që operon në Tiranë në lidhje me aktivitetin e kundraligjshëm me tendencë “Trafikim narkotikësh” dhe “Krimeve kundër personit'”, thuhej në deklaratën e policisë ditën e arrestimit.
Gjithashtu policia publikoi video ku dukej se Arkimed Lushaj ishte arrestuar brenda në dhomën e një hoteli në zonën e Linzës. Policia tha se, i janë gjetur dhe sekuestruar në cilësinë e provës materiale një sasi e vogël lënde narkotike e dyshuar kokainë, një armë zjarri pistoletë e tipit “Pjetro Beretta”, si dhe 12 fishekë të modelit 7.65 mm. Ndërkohë avokati i ka hedhur poshtë këto akuza.

 

Taulanti nga Librazhdi si Saimir “kamionisti”

Nënkryetari i PD, Edi Paloka ka reaguar për mashtrimet që bën kryetari I grupit parlamentar të PS, Taulant Balla për lidhjet e tij me elementë kriminalë. Konkretisht, Paloka ka sjellë në vëmendje ngjashmërinë e daljes në përgjime të emrit të ish-ministrit Saimir Tahiri dhe të kreut të Grupit të PS,Taulant Ballës.
Postimi i plotë i Palokës në Facebook
Vini re sa ngjasojne edhe ne justifikimet mbrojtese, pupilet e Rames.
Kur dolen pergjimet e para te Habilajve ku permendej “Sajmiri” , Tahiri nxitoi te thonte se behej fjale per nje Sajmir “kamionist” e jo per te. Vetem se cuditerisht ketij “kamionistit” i duheshin miliona euro per fushate elektorale.
Edhe Tao dje deklaroi se “Taulanti nga Librazhdi” qe permend Alizoti,deshmitari i rreme ne video pergjimin e fshehte, nuk ishte ai…
Po ky qe sajoi dy alibi te rreme per te vertetuar se nuk kishte qene ne komisariatin e F. Krujes po kishte qene ne te njejten kohe ne “takime publike” dhe “per peshk”.
I njejti qe deklaroi se, Begon e njeh nga 2015, por ka udhetuar me te “rastesisht” qe nga 2013 me dhjetra here.

Flet nëna e Stresit: Nuk kishte armë, ia la në dorë policia me një peshqir të bardhë

Nëna e ‘Stresit’, këngëtarit të njohur Arkimed Lushaj, thotë se, arrestimi i djalit të saj është një ‘hakmarrje 24 orëshe’ pasi i shoqi i saj paditi Taulant Ballën.
“Padia që i bëri bashkëshortit im zotit Taulant Balla, mënjeherë u kthye restoja me ndalimin dhe arrestimin e Stresit. Pra është një hakmarrje 24 orëshe’, shprehet ajo.
Shpresa Lushaj ka thënë për gazetën ‘Panorama’ se ‘Stresi’ nuk është as bandë dhe as grup kriminal, por një artist i lirë.
“E arrestuan në gjumë. Policët i vunë një armë para me një peshqir të bardhë dhe thanë se e kapën me armë pa leje. Djali im nuk kishte armë. Është thjesht një sajesë. Po përdorin të njëjtat metoda si në kohën e komunizmit. Gjithçka është parapërgatitur.
U bë një gjyq pa njoftuar fare, duke thënë se ishte në procedim, po e ndiqnin. Një vendim i pabesueshëm në kuptimin që nuk ka ndodhur një krim, Stresi nuk është as bandë dhe as grup kriminal. Absolutisht është një artist i lirë’, është shprehur ajo.
Arkimed Lushaj u arrestua dy ditë më parë në një hotel në Tiranë. Policia tha se ai ishte pjesë e një bande kriminale që shpërndanin narkotikë në kryeqytet. Por sipas nënës së tij arma nuk është e tij.
Ajo u shpreh se, djali i saj ka qenë në një ditëlindje dhe më pas ka fjetur në hotelin ku u arrestua nga policia.

Pjesë nga intervista botuar në gazetën Panorama
“Hakmarrje 24 orëshe” e quan nëna e Stresit arrestimin e tij në një hotel në Linzë dy ditë më parë. Sipas Shpresa Lushajt, gjithçka ka ndodhur pas padisë që i shoqi, Sali Lushaj, depozitoi në Gjykatën e Tiranës kundër deputetit socialist Taulant Balla.
Madje, nëna e këngëtarit ka dyshime të forta për momentin e arrestimit të Stresit, aq sa shprehet se pistoleta e pretenduar si e të birit dhe që e mbante pa leje, nuk ishte e tij. Ajo thotë se djali i saj ka qenë në një ditëlindje e më pas ka fjetur në hotelin ku i shkoi Policia për ta arrestuar, duke i vënë prangat në gjumë.
Ndërsa policët mbanin në dorë një pistoletë dhe një peshqir. Kështu i është shprehur vetë Stresi avokatit gjatë ditës së djeshme. Shpresa Lushaj hedh poshtë çdo mundësi që i biri të jetë pjesë e një grupi kriminal dhe të gjithë këtë operacion policor ajo e quan një farsë të turpshme.
-Djali juaj është arrestuar të mërkurën, i dyshuar si pjesë e një grupi kriminal. Çfarë dini ju rreth akuzave të ngritura ndaj Stresit?
Padia që i bëri bashkëshorti im zotit Taulant Balla, menjëherë u kthye restoja me ndalimin dhe arrestimin e Stresit. Pra, është një hakmarrje 24 orëshe.

-Pra, ju mendoni se arrestimi i Stresit është hakmarrje?
Po, absolutisht hakmarrje. U bë një gjyq pa njoftuar fare, duke thënë se ishte në procedim, po e ndiqnin dhe Gjykata mori një vendim. Një vendim i pabesueshëm, në kuptimin që, nuk ka ndodhur një krim, Stresi nuk është as bandë, as grup kriminal.
Absolutisht është një artist i lirë, i pacensuruar, i rritur deri në moshën 19-vjeçare në Europë, siç rriten të gjithë europianët. Sheh të bardhën i thotë e bardhë, sheh të zezën i thotë e zezë. E zhvesh këmishën në lokal, sepse i duket e lirë çdo gjë. Ka sedër, është djalë me principe morale. Nuk mund t’i thuash Stresit grup kriminal. Ne në familjen tonë çfarë nuk kemi kaluar. As nuk kemi prona, as nuk kemi lokale, restorante, hotele, jahte, makina luksoze, as parcela të mbjella.
Nuk jemi aluduar asnjëherë për shitje, për mbjellje, për asnjë gjë të tillë. Ne jemi njerëz që na u ka vënë politika, jo sot, por 40 vjet përpara. Të internuar politikë, bashkëshorti im i dënuar politik, unë që kam rritur fëmijët pa burrin, duke shkuar nga një burg politik, në internim, nga internimi prapë në burg politik derisa kemi ardhur këtu.
Intervista
nga Etleva Delia


 

Saimir Tahiri është rrahur për dosjen Xibraka të kokainës të Olsi Ramës

Ajo që qarkullon prej ditësh në media është pohuar sonte në “Opinion” nga lideri i PD Lulzim Basha. “Saimir Tahiri është rrahur para disa ditës, madje thonë se janë shkrehur edhe armët”, kështu deklaroi Basha.
Ai u pyet nëse ka informacion se kush dhe si e kanë rrahur?
“Është rrahur nga ata që kanë frikë. Ata që kanë frikë se mos e nxjerr të plotë dosjes Xibraka ku është i përfshirë Olsi Rama”, deklaroi më tej Basha.
Basha ka deklaruar se Olsi Rama është i përfshirë në dosjen e kokainës të Xibrakës dhe kjo tashmë është e pohuar nga burimve të brendshme si dhe të partnerëve ndërkomëbatrë.
Basha është shprehur se pikërisht detajet e kësaj dosje të Olsi Ramës që i kanë Tahiri dhe Xhafa e mbajnë peng kreun e qeverisë, I cili nuk e fut dot në burg Tahirin dhe as nuk e shkarkon Xhafën,
Kreu i opozitës, Lulzim Basha, ka akuzuar deputetin socialist taulant balla, si kontakti i Ramës me krimin. I ftuar në emisionin ‘Opinion’, Basha ka deklaruar se balla ka zëvendësuar Saimir Tahirin, duke u bërë ai sot kontakti që lidh Ramën me krimin.

‘Mos prit që unë të bëj ciceronin me foto që ta sjell ai (Balla) këtu ty, Po të dalim në rrugë dhe bëjmë një ecje 500 metra në qendër të Tiranës, shanset janë që të takojmë 10-15 njerëz, prej të cilëve mund të ketë që kërkojnë të bëjnë foto me mua, me ty, me njerëzit publikë.
Nuk mund të krahasohet kjo kurrë me 57 udhëtime në TIMS me një trafikant të dënuar që pastaj e marrin dhe e përdorin, siç përdorën atë djalin e Rrahman Rrahjes që tha: do ta shohi Basha në votime, përdorin edhe këtë që të dali e të thotë se si kam marrë unë tenderat apo I kam marrë në kohën e opozitës.
Nuk mund të krahasohet me përgjimet zyrtare të Prokurorisë ku del dëshmitari I fabrikuar nga Drejtori I Përgjithshëm I Policisë, me porosi të Fatmir Xhafës, në mbrojtje të Agron Xhafës dhe thotë se: Takova Taulantin nga Librazhdi dhe mora pakon vlaa, etj.. I kam këtu përgjimet.
Unë nuk kam dijeni për deputetë të PD, por në qoftë se ka emra faktet ti bëjë publike, siç I bëjmë ne publike.
Taulanti ka zëvendësuar Saimir Tahirin. Tahiri ka qenë pika e kontaktit të Edi Ramës me botën kriminale, përveç kontakteve që mbante vetë drejtpërdrejtë.
Ka pasur Saimir Tahirin, është detyruar të bëjë sikur largon Saimir Tahirin dhe kontaktet tani I mban Taulant Balla. Kjo është arsyeja pse Taulant Balla del kudo’, tha Basha.

Basha: Rrëzimi i Ramës me koston më të vogël për vendin

Kryetari i opozitës, Basha deklaron se tashmë po diskutohet jo vetëm rrëzimi i qeverisë por që rrëzimi të ketë koston më të vogël për vendin. “Këta po e çojnë vendin drejt kaosit dhe anarkisë”, tha Basha.
Lulzim Basha u pyet disa herë mbrëmjen e sotme nëse do të hyjë me Ramën kryeministër në zgjedhje.
Ai tha se do të ketë protesta të vazhdueshme nëse mazhoranca nuk do të pranojë zgjidhje politike të krizës në vend. Ai tha se në parim është kundra dhunës. “Nuk shkel mbi kufoma për të ardhur në pushtet”, theksoi ai.
Basha: Ne na takon të propozojmë një zgjidhje politike. Zgjidhja institucionale që ne kemi propozuar është largimi i politikanëve të lidhur me krimin. Pra, ti presim kokën dhe jo këmbët.
Pyetje: Ska për të ndodhur. Çdo bëni në këto kushte?
Basha: Nëse ndodh kjo atëhere popullit i lind e dreta ta rrëzojë këtë qeveri. Asnjë partie politike në bindje time sepse gjerat kanë evoluar, unë si kryetar i partisë kam një formim timin, por po e them sot që asnjë parti politike ne demokraci smund të kërkojë rrëzimin e qeverisë me të gjitha mjetet.

Por populli i ka të gjitha mjetet ta rrëzojë çdo qeveri me të gjitha mjetet. Në emër të themeleve të bashkëjetesës demokratike.
Pyetje: Këtë e ka thënë Rama me 21 Janar?
Basha: Jo nuk ka thënë këtë ai. Ka thënë gjë tjetër. Tani si mund ta rrëzojë? Mbetet një rrugë. Për mendimin tim ska nevojë për dhunë. Në mendimin tim, 10 mijë, 20 mijë qytetarë të çohen në protestë të përsëritur, kjo qeveri e larguar moralisht dhe politikisht, largohet edhe faktikisht.
Por ka shumë rëndësi të ikë me votë në një dimension të plotë popullor.
Siç e kemi treguar nuk e kemi vështirësi të mobilizojmë masa të mëdha njerëzish. Ju thoni ishin militant. Por rëndësi ka që të krijohet konsensusi qytetar që largimi i këtij është një çështje e dorës së parë për demokracinë, sigurinë dhe qeverisjen e vendit. Njerëzit kanë mundësinë dhe të drejtën ta largojnë.
Detyra jonë e opozitës përveç denoncimit është të tregojnë vizionin tonë, alternativën tonë dhe të bindim që nuk do ikë një Ramë e do vijë një tjetër. Por do të shembet sistemi që ka krijuar ky njeri. Ku shtyllat e këtij sistemi janë marrëdhënia politikë-krim, marrëdhënia e Ramës dhe kapitalizimin klientelist që e njohim si oligarki, ku 10 njerës në Shqipëri marrin lekët e shqiptarëve në koncensione dhe kontrata shërbimi pa 0 leverdi publike.