37.5 C
Tirana
E martë, 12 Gusht, 2025

Pas ultimatumit turk, Cipras tërhiqet nga projekti me Ramën për faljen e detit Greqisë

Kryeministri dhe Ministër i Jashtëm, Aleksis Cipras, është distancuar publikisht sot nga deklaratat Nikos Kotzias për zgjerimin me 12 milje të ujërave territoriale të Greqisë.
Sipas Cipras, procesi do kryhet gradualisht, me dialog të përbashkët me gjithë partitë politike, duke ngritur Këshillin Kombëtar të Politikës së Jashtme.
Ndërkohë, vendimet përfundimtare do të kalojnë me ligj në Parlament, jo me dekret presidencial sipas formulës Kotzias.
Sot Cipras është informuar dhe për ecurinë e negociatave me Shqipërinë, që së bashku me Ballkanin, Turqinë dhe Qipron kalon në kompetencat ekskluzive të atij vetë.
Në lidhje me deklaratat Kotzias për zgjerimin e ujërave territoriale, Greqia ka hasur bllokadë të egër nga Turqia, që i është përgjigjur deklaratave Kotzias me ‘casus belli’ – shkak lufte.
Greqia kërkon zgjerimin e ujërave territoriale në Egje që së bashku me ishujt i siguron 75% të zonës detare, që bie ndesh me interesat e palës turke.
Në këtë debat përfshihet edhe Shqipëria, në vijën Joniane nga ishujt Othonos dhe Diapontike.
Pala greke, gjithsesi, thekson se me Shqipërinë nuk ka çështje prioritare për politikën e jashtme, se marrëdhëniet janë tejet miqësore dhe se nuk ka asnjë problematike.

Përgjimet/ Si futi në në konflikt vëllezërit e saj Ndoka, drejtoresha e hipotekës së Lezhës

Mimoza Ndoka është motra e deputetit Arben Ndoka, e cila bashkë me të arrestuarit e tjerë ndodhet sot në Gjykatë për të marrë masën e sigurisë lidhur me tjetërsimin e pronave në Lezhë.
Ndoka rezulton se ka qenë kreu i Zyrës së Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme në Lezhë, dhe për këtë shkak ajo ka rënë pre e dosjes së përgjimeve.
Nga shqyrtimi i dosjes rezulton se shtetasi Arben Ndoka rezulton se ka konstatuar se prona e tij nuk figuronte në emrin e tij, por në emrin e shtetasit Altin Mikaj, ku ka të dhëna se është dhëndër i të ndjerit Sandër Ndoka. Pas ardhjes në dijeni të këtij momenti Arben Ndoka është acaruar dhe ka pasur debate të forta me motrën e tij Mimoza Ndoka dhe vëllanë e tij Gjevi Ndoka.
Në përgjimet në vijim rezulton se Arben Ndoka duke pasur idenë se anëtarët e tij të familjes kishin dalë nga rregullat ‘kanunore’ familjare është acaruar dhe ka akuzuar vëllanë më të madh të ndjerin Aleksandër Ndoka. Duke qenë se pronën që realisht duhet të ishte në emër të tij i është dhënë pa ndonjë shpjegim dhëndrit të Aleksandrit. Aleksandër Ndoka, vëllai i ish-deputetit PS, mbeti i i vrarë me armë zjarri më 9 dhjetor të vitit 2017.
Arben Ndoka ka kërkuar llogari si nga familjarët e tij ashtu edhe nga punonjësit në zyrat përkatëse shtetërore që prona objekt konflikti duhej kthyer me patjetër në pronë shtet, pastaj e dinte ai se si të vepronte për ta marrë. Kështu ai debaton me Gjevi Ndokën, Mimoza Ndokën, Bardhok Bardhi, inxhinier dhe Bledar Cara kushëri i tyre që punon në hipotekë.

Në vijim tregohet shqetësimi që kishte sidomos Mimoza dhe Gjevini pasi kishin frikën e ndonjë përplasjeje fizike ndërmjet vëllezërve Aleksandër dhe Arben Ndoka.
Pjesë nga përgjimet
Mimoza: Tashti që ta dish se prandaj i ka rënë telefonit … që ti të lidhesh me Bardhin dhe të marrësh numrin e parcelës që ta verifikosh.. A po lidhesh me Bardhin ti? ( Bardhok Bardhi rezulton inxhinier gjeodezie matje)
Gjevi: Shih tani Mozë që ta shpjegoj unë nji diçka.. kur futesh te Pashku e del te ajo rruga për me dal e u la (plazh) ‘ Ky” e ka djashtas e Pashku e ka majtas Mozë, nuk ka lidhje fare!
Mimoza: Bravo … mirë shumë bukur shyqyr aq ma mirë.
Gjevi: A kupto?! Nda rruga … ka shenjë në të.. rri e qetë e di unë atë punë,
Mimoza: Po po, perfekt ndërko ti vetëm sqaro Bardhin…
Gjevi: Po në past merak po ta them me bindje, … se dikund aty e din ai se jma edhe une me kët… e ja jap unë pjesën teme e s’ma bahët vonë hic..!
Mimoza: Po jo ore se nuk është ashtu, nuk don ashtu ai.. !!
Gjevi: Nuk e lo po gjo unë të mos mërzitet ai !!
Mimoza: jo jo nuk ka lidhje kjo pjesë… ‘ai’ thjesht don që mos të jenë hap ‘njerëzit e vet aty’ !!! Kët hall ka ai.

Banda “Avdulaj”, të gjithë rrugët të çojnë tek Partia Socialiste

Nga Boldnews.al

Avdulajt e Shijakut konsiderohen një prej grupeve më të fuqishme kriminale në vend. Ata u goditën së fundmi, falë insistimit të autoriteteve gjermane, të cilët kishin identifikuar këtë grup si një prej furnizuesve të tregut të vendit të tyre me droga të forta, kokainë dhe heroinë.
Policia shqiptare, pavarësisht se ka njohuritë e duhura për aktivitetin e këtij grupi kriminal, nuk ka ndërhyrë asnjëherë gjatë 5 viteve të fundit të qeverisjes së “Rilindjes”. Detajet nga dosja hetimore e Prokurorisë për Krime të Rënda në ngarkim të tyre zbulojnë arsyen e vërtetë se përse Avdulajt, megjithëse ishin tepër aktiv në trafikun e narkotikëve, nuk u goditën nga Policia e Shtetit.
“Sekreti” i suksesit të Avdulajve qëndron në faktin se ata kanë bashkëpunuar me zyrtarë të ndryshëm të Partisë Socialiste, e cila kontrollon në çdo qelizë Policinë (e pavarur, sipas ligjit) të Shtetit.
Në bazë të elementëve hetimorë, të publikuar deri më tani, rezultojnë se Avdulajt kanë pasur kontakte me zyrtarë dhe eksponentë të rëndësishëm të Partisë Socialiste në 4 drejtime të ndryshme:
1. Hetimi për Avdulajt ka nisur zyrtarisht kur, me urdhër dhe insistim të Prokurorisë së Kavajës, policia e atij qyteti arrestoi në automjetin e kryetarit të degës së Partisë Socialiste, Gentian Daja, dy persona të kërkuar për shitje dhe tregtim lëndësh narkotike të forta, Ramadan Shabani dhe Endrit Duka.
Në momentin e arrestimit, në mjetin Audi të Gentian Dajës ishte në timon i kërkuari Shabani. Të arrestuarve iu gjet në flagrancë edhe një sasi lënde narkotike kokainë. Nga ky episod nisi hetimi për bashkëpunëtorët e dy të arrestuarve në Kavajë, ku u arrit deri tek Avdulajt e Shijakut. Por, natyrisht, hetimi i autoriteteve shqiptare u bazua më së shumti në të dhënat e mbërritura nga autoritetet gjermane, ku Avdulajt dyshohet se trafikonin lëndën narkotike.

2. Gjatë hetimit për Avdulajt, prokuroria arriti të identifikonte edhe përfshirjen në korrupsion të ish-drejtorit të Përgjithshëm të Burgjeve, Arben Çuko. Ky i fundit, ish-deputet i Partisë Socialiste deri në qershor të vitit 2017, u emërua nga ministrja e Drejtësisë, me porosi të Kryeministrit Edi Rama, në krye të Burgjeve.
Nga përgjimet mbi Avdulajt, rezultoi se një anëtar i bandës kishte ndërhyrë tek Arben Çuko për transferimin e një të burgosuri nga burgu i Burrelit në një më afër me Tiranën. Në këmbim të këtij “favori”, Çuko do të paguhej me 3 mijë euro.
3. Po gjatë hetimit të Avdulajve, prokurorët zbuluan një lidhje të tyre me familjen Ndoka nga Lezha, e cila ka si personazh kryesor Arben Ndokën, ish-deputet i Partisë Socialiste. Ndoka humbi mandatin e deputetit për shkak të ligjit “Për dekriminalizimin”. Por, gjithësesi, ai vijoi aktivitetin e tij politik për Partinë Socialiste në Lezhë dhe u pa shpesh, në daljet publike, në krah të kryeministrit Edi Rama.
Nga përgjimet e Avdulajve, rezultoi se dy anëtarë të familjes Ndoka janë arrestuar për mbajtje narkotikësh, të cilën e kishin siguruar nga Avdulajt. Gjithashtu, disa anëtarë të tjerë të Ndokave, përfshirë ish-deputetin, u arrestuan në bazë të përgjimeve për Avdulajt, si të dyshuar për tjetërsim të pronave në bregdetin e Lezhës.
4. Lidhja e katërt dhe më e fuqishme e Avdulajve është ajo me kryetarin e Bashkisë së Durrësit, Vangjush Dako. Gjithësesi, për këtë pistë, Prokuroria për Krime të Rënda dhe Policia e Shtetit nuk dhanë asnjë informacion në konferencën e tyre për media, ku, triumfatorë, paraqitën rezultatet e këtij operacioni të gjerë.
Partia Demokratike ka deklaruar shpesh se Avdulajt i kanë shërbyer Vangjush Dakos dhe Partisë Socialiste për të siguruar vota për maxhorancën gjatë zgjedhjeve të fundit parlamentare, të zhvilluara në qershor 2017. Për të mbështetur këtë qëndrim, opozita, krahas informacioneve që posedon, ka publikuar pak kohë më parë edhe një video, ku Vangjush Dako dhe deputeti i ri, Jurges Çyrbja, festonin me Avdulajt fitoren e Partisë Socialiste në votimet e vitit të kaluar.

Basha: Përballja me popullin, e pashmangshme, fundi i diktaturës së krimit i sigurtë

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, në një status në Twitter, ka ritheksuar se vendi nuk ka më as kryeministër, as polici e as gjykata.
Basha shkruan se, Shqipëria udhëhiqet nga një tufë politikanësh banditë që po mbajnë peng vendin.
Megjithatë, ai shprehet se përballja me popullin është e pashmangshme dhe se fundi i diktaturës së krimit është afër.
“Shqipëria nuk ka më as kryeministër, as Kuvend, as prokurori, as polici, as gjykata as qeveri, por një tufë politikanësh banditë që kanë kapur shtetin dhe marrë peng vendin. Përballja me popullin është e pashmangshme dhe fundi i diktaturës së krimit i sigurtë”, shkruan Basha.

Lubonja: Ndërkombëtarët kapën me presh në duar prokurorinë shqiptare, pse nuk arrestohet “Xhuxhi”?

Analisti Fatos Lubonja, teksa komentoi dosjen e përgjimeve për operacionin ‘Vol-Vo 4’, u shpreh se, prokuroria duhet të hetojë se kush është ‘Xhuxhi’ që përmendet në këtë dosje.
Ai tha se disa mendojnë se personi me këtë nofkë është kryebashkiaku Vangjush Dako, apo një punonjës administrate që bashkëpunon me krimin për punësime.
‘Në gjithë këtë zallamahi siç thotë populli, këtu nuk ka asnjë entuziazëm. Mendoj se mjafton që t’i bëj vetes dhe juve një pyetje për të kuptuar nëse kemi të bëjmë këtu me një dëshirë për të çmontuar krimin me politikën. Dosja e fundit e tregoi qartë lidhjen e krimit me politikën.
Do ta mbuloj prokuroria apo do t’i shkojë deri në fund?! Mesa pashë unë aty tek përgjimet na përdoret një pseudonim ‘Xhuxhi’ që qenka një punonjës administrate. Disa thonë se qenka Vangjush Dako, që për mua s’ka rëndësi. Ai bënte pazare për punë. Ky hetim qenka për gati dy vjet. Ore cili është ‘xhuxhi’? Ta kapin ‘Xhuxhin’. Kusho qoftë ky, Dako apo kushdo tjetër, detyrë e prokurorisë është që ta kapin. Ne se dimë se kush është ‘Xhuxhi’, ne duam ta kapin. Një ‘Xhuxhi’ qenka në një zyrë, dhe deri tani nuk bëjnë asgjë’, tha Lubonja për News 24.

Po ashtu Lubonja theksoi se edhe këtë herë, siç ndodhi në rastin ‘Tahiri’, ndërkombëtarët ‘kapën me presh ndër duar prokurorinë shqiptare’.
‘Nga mënyra se si flasin ata duket se e kanë dokumentin, por se thonë (opozita për akuzat ndaj Dakos). Unë di që aty ka një ‘xhuxhi’ dua ta di se kush është ai, pasi ai po bashkëpunon me kriminelë.
Njerëzit e dinë se s’kanë nevojë për këto dosje. Të gjithë i dinë ato pronat se ku i kanë. Mjafton të shohësh se nga i bënë këto prona, këto hotele dhe të mendosh se nga i gjetën paratë.
Gjykimi im është se siç ishte dhe rasti ‘Tahiri’ këtu kemi të bëjmë me kapje me presh në duart nga ndërkombëtarët. Kur kapesh me presh në duart, duhet të lehtësohesh këto që ke bërë. Ndaj lehtësimi është; arrestimi i peshqve të vegjël dhe lënia e të mëdhenjve jashtë’, tha ai. /Balkanweb/

Fletë-arresti për Dakon, Rama nuk lejon prangosjen!

Partia Demokratike ka akuzuar pasditen e sotme Prokurorinë e Krimeve të Rënda, se ka anuluar urdhër arrestin për Vangjush Dakon.
Në një konferencë për mediat, deputeti i PD-së Flamur Noka është shprehur se sot është urdhëruar anulimi i arrestimit të Dakos.
Sipas Ndokës, sot në mesditë do të arrestohej kryebashkiaku i Durrësit, por ndërhyrjet e fuqishme politike kanë bërë që të anulohej urdhëri.
Sipas tij, ‘nuk mund të prishet dosja, nuk mund të fshihen përgjigjet e bëra’.
Deklarata e plotë e deputetit të PD, Flamur Noka
Me një prokurori që nuk do të ishte nën urdhrat politikë të Edi Ramës, sot, Vangjush Dako duhet të ishte në burg.
Kryetari i Bashkisë së Durrësit është pjesë e dosjes me numër 339, njësoj si miqtë e tij kriminelë – trafikantë droge apo si dy ish-deputetët e Partisë Socialiste, që sot janë prapa hekurave për të shpëtuar më të rëndësishmin e dosjes 339, Vangjush Dakon.
Ka të paktën 24 orë që fletë arresti për Vangjush Dakon është prerë, por ekzekutimi I tij është bllokuar.
Prokuroria duhet t’u japë shqiptarëve dy përgjigje të thjeshta:
• Pse është kthyer mbrapsht urdhri për arrestimin e Vangjush Dakos sot në mesditë?

• Kush po ndërhyn që Vangush Dako, “xhuxhi”, siç e quajnë kriminelët e tij, të mos arrestohet në bazë të përgjimeve të dosjes 339?
Kryetari i Bashkisë së Durrësit është peshku i madh i dosjes 339 dhe përpjekjet për të shpëtuar Vangjush Dakon janë të pashpresa!
Askush nuk duhet të guxojë të prishë provat e përgjimit të Vangjush Dakos me kriminelët më të rrezikshëm të Durrësit! Çdo përpjekje për prishjen e provave, për zhdukjen e përgjimit apo për fshirjen e faqeve të transkriptuara të Vangjush Dakos me kriminelët është krim i rëndë, që paguhet me burg të gjatë.
Askush nuk mund ta zhbëjë të vërtetën se kriminelët e Durrësit e të Shijakut kanë blerë vota për pushtetin e Vangjush Dakos dhe Edi Ramës dhe, si shpërblim, kanë marrë leje ndërtimi dhe tendera miliona eurosh.
Këtë fakt e denoncoi një vit më parë Lulzim Basha. Për këtë fakt, e paditi për shpifje Vangjush Dako. Me këtë fakt, me dosjen me numër 339, Lulzim Basha fitoi gjyqin.
Paditë shterpë kundër opozitës dhe propaganda e lodhur se gjoja po luftohet krimi, pa arrestuar asnjë bos të krimit, janë në funksion të mbulimit të së vërtetës: se Edi Rama është peng i krimit të organizuar, i cili po qeveris dhe po pasurohet bashkë me Edi Ramën!

Maskat terror në Vlorë, lidhin të moshuarin dhe i grabisin makinën

Dy persona të maskuar kanë grabitur një shtëpi në fshatin Vranisht të Vlorës. Mësohet se ngjarja ka ndodhur gjatë natës së djeshme.
Pas grabitjes, dy personat e maskuar kanë goditur të moshuarin dhe më pas i kanë marrë edhe makinën dhe janë larguar.
Bëhet e ditur se grabitësit kanë hyrë në banesë nga dritarja e tualetit duke e lidhur të moshuarin, ndërsa nën kërcënimin e armës i kanë marrë edhe mjetin.
Autorët e kanë lënë të lidhur të moshuarin, N. Habili, i cili jetonte i vetëm pasi fëmijët dhe pjesëtarët e fëmijës i kishte në Itali. Ndërkohë policia tha se po vijon punën për identifikimin dhe kapjen e autorëve, të cilët grabitën dhe dhunuan vlonjatin.

Dosja sekrete e përgjimeve/ Kush është “Xhuxhi” për të cilin flasin trafikantët e drogës?

Goditja e grupit të Avdylajve të arrestuar si trafikantë droge po serviret nga opozita si një lëvizje e parakohëshme për të shpëtuar “peshqit e mëdhenj”. Njëri prej tyre i treguar me gisht me emër dhe mbiemër, është kreu u bashkisë së Durrësit, Vangjush Dako. PD ka akuzuar se dosja e tij është ndarë me një manovër politike nga ajo e 44 të arrestuarve, për të mos i dhënë kosto shtesë mazhorancës. Madje, duke treguar se është në brendësi të ngjarjeve, për këtë përgjim që e ka denoncuar këtu e dy vite më parë, opozita ka ‘nxjerrë” edhe numrin e fashikullit ku gjendet emri i Dakos: “Dosja 339”. Aty gjithnjë sipas të njëjtit burim thuhet se gjenden edhe bisedat e Dakos me krerë të krimit të organizuar të cilëve u premton punësime në këmbim të mbështetjes në zgjedhje.
Po a ka të vërtetë në këto pretendime që ia atribuojnë përgjimet shërbimeve sekrete gjermane?
Dosja “Dako”, a është përgjuar kryebashkiaku nga gjermanët?
Deri më tani në publik nuk ka dalë asnjë fakt që e implikon kreun e Bashkisë Durrës. Indicia e vetme për njeriun që ambasada e ShBA i ka ndaluar hyrjen në amerikë, është se ai po rri pa folur, dhe ndryshe nga porosia e Ramës apo shembulli i taulant ballës, nuk po e hedh PD, në në gjygj sipas modës së re të shpifjes. Nga ana tjetër edhe Rama nuk po i bën një mbrojtje ballore dhe nuk po i vë gjoksin krijimit të alibive në favor të Dakos, siç ka bërë në raste të tjera.

Vangjush Dakos i anullohet viza amerikane
Një pistë tjetër e dyshimtë është edhe ajo se për këtë dosje, prokuroria e kapur nga e përzgjedhura e socialistëve, Arta Makru, ka ndërruar 5 prokurorë me rradhë, siç njoftoi gazetari i kronikës Flamur Vezaj. Po pse duhet të ndodhinin këto lëvizje drastike, ndoshta për të gjetur dikë që do e veçonte dosjen e Dakos nga ajo e Avdylajve?
Përpos këtyre hipotezave që mbeten të tilla deri në daljen e fakteve të reja, ekziston vetëm një “provë” që Lapsi.al ka arritur ta shohë me sy nga dosja e përfolur e prokurorisë. Aty dy të akuzuarit. Jasin Kala dhe Altin Avdyli përmendin një person me pseudonimin “Xhuxhi” i cili do tu sigurojë vende pune. Kala i kërkon Avdylit numrin e “Xhuxhit” dhe në të njëjtën bisedë përmen edhe Lulzim Berishën(faksimile poshte).
BIRN/ Skandali i kërkesës së Vangjush Dakos për lirimin e Lul Berishës
Dihet botërisht që me firmën e Vangjush Dakos, Lulzim Berisha çoi një document në gjykatë për të shkurtuar dënimin e tij dhe për të arritur lirimin nga burgu. Po a janë këto fakte të mjafta për të thënë se “Xhuxhi” që del në bisedat e trafikantëve është Vangjush Dako që pretendon opozita? Ende nuk kanë dalë fakte dhe prova për këtë.

©Lapsi.al

Putin dhe Bolton diskutojnë mbi Traktatin e armëve bërthamore

Këshilltari i sigurisë kombëtare amerikane John Bolton tha të martën se pati diskutime të gjata me presidentin rus Vladimir Putin në Moskë dhe se Uashingtoni nuk i ka ndryshuar planet për t’u larguar nga pakti për kontrollin e armëve bërthamore.
Rusia ka deklaruar se nëse Presidenti Trump e vë në jetë kërcënimin për tërheqjen nga Traktati, Moska do të jetë e detyruar të përgjigjet në mënyrë të ngjashme për rivendosjen e ekuilibrit ushtarak.
“Sot ekziston një realitet i ri strategjik,” tha zoti Bolton në një konferencë shtypi pas takimit me presidentin rus. Ai tha gjithashtu se një traktat i epokës së Luftës së Ftohtë nuk i plotëson kërkesat e botës së sotme.
“Përsa i përket njoftimit zyrtar të tërheqjes, ai ende nuk është bërë por do të paraqitet në kohën e duhur,” tha zoti Bolton.
Nga ana e tij, Presidenti Putin i tha zotit Bolton se ai dëshiron ta vazhdojë dialogun me Presidentin Donald Trump.
Zoti Putin i bëri komentet në fillim të takimit 90 minutësh me zotin Bolton. Ai tha se është e rëndësishme që dialogu Rusi-SHBA të ruhet, pavarësisht dallimeve.
Ai përmendi një takim të mundshëm me Presidentin Trump më 11 nëntor, kur dy udhëheqësit të jenë në Paris për të përkujtuar 100 vjetorin e përfundimit të Luftës së Parë Botërore, duke shtuar se takimi i tij me zotin Trump në Helsinki në muajin korrik ishte i dobishëm.
Zoti Bolton tha se Presidenti Trump gjithashtu dëshiron të takohet me Presidentin Putin në Paris në nëntor.
“Mendoj se Presidenti Trump do të dëshironte t’ju takonte në Paris, në periferitë e aktiviteteve për kremtimin e 100 vjetorit të Armëpushimit”, i tha zoti Bolton Presidentit rus.

Vizita e tij vjen pas njoftimit të Presidentit Trump më 20 tetor se ai ka ndërmend të tërhiqet nga një marrëveshje kyçe për armët bërthamore, Traktati i Forcave Bërthamore me Rreze të Mesme, nënshkruar në vitin 1987 (INF).
Presidenti Putin i tha këshilltarit të sigurisë kombëtare amerikane se do të donte të diskutonte çështje të ndryshme të kontrollit të armëve me Presidentin Trump dhe se Rusia ishte e habitur nga “lëvizjet e paprovokuara të Amerikës, që vështirë t’i quash miqësore”, siç iu shpreh ai.
Deklarata e zotit Trump për të braktisur Traktatin INF ka shkaktuar shqetësime në Evropë dhe i ka sjellë çështjet e kontrollit të armëve në krye të axhendës midis dy ish armiqve të Luftës së Ftohtë, marrëdhëniet mes të cilëve janë tendosur mjaft për shkak të një serie mosmarrëveshjesh, pavarësisht shpresave të shprehura nga dy udhëheqësit për përmirësimin e tyre.
Zoti Bolton thase kishte folur edhe rreth ndërhyrjes ruse në zgjedhjet e SHBA dhe shpjegoi se kjo ishte diçka kundërproduktive për Rusinë.
“U thashë sot kolegëve rusë se unë nuk mendoj, – sido që ata të kenë ndërhyrë në vitin 2016, – që kjo të ketë patur ndonjë efekt në zgjedhje, por ajo për të cilën ata kanë patur efekt në Shtetet e Bashkuara është fakti që kanë krijuar një mosbesim të madh ndaj Rusisë,” tha zoti Bolton.
Zoti Bolton shtoi se ai u kishte thënë rusëve: “Mos u përzjeni me zgjedhjet tona se kjo nuk është në interesin tuaj.”
Ai pati gjithashtu bisedime të martën me ministrin rus të mbrojtjes Sergei Shoigu, i cili tha se dialogu dypalësh gradualisht po rikthehet pas samitit të Helsinkit në korrik. Zoti Shoigu shprehu besimin se “edhe hapa të vegjël do të ishin me dobi për marrëdhëniet”.
Por zëdhënësi i Kremlinit Dmitri Peskov përsëriti kritikat ndaj tërheqjes së deklaruar amerikane nga Traktati, duke thënë se pavarësisht nga “pikat e dobëta” të traktatit, “grisja e marrëveshjes pa plane për diçka të re është diçka jo e mirëpritur” nga Rusia.

SHBA: MOSKA KA SHKELUR MARRËVESHJEN
Zoti Trump e ka akuzuar Rusinë se ka shkelur marrëveshjen. Rusia e mohon një gjë të tillë dhe thotë se sistemet amerikane të mbrojtjes nga raketat në Evropë, po kryejnë shkelje.
Ministri i Jashtëm rus, Sergey Lavrov tha se Rusia do të dëgjojë se ç’do të thotë zoti Bolton dhe “pastaj do të vlerësojë gjendjen”.
“Ne kemi thënë vazhdimisht dhe presidenti Putin e ka konfirmuar se çdo veprim do të pasohet nga një reagim sepse qëndrueshmëria strategjike mund të sigurohet vetëm në baza të barabarta. Kjo lloj barazie do të ruhet me çdo kusht. Ne jemi përgjegjës për qëndrueshmërinë globale dhe shpresojmë që as Shtetet e Bashkuara të mos heqin dorë nga përgjegjësia e tyre”, tha Ministri i Jashtëm rus, Sergey Lavrov.
Zoti Bolton, që u takua me shefin e Këshillit të Sigurimit të Rusisë Nikolai Patrushev të hënën, tha se ai beson se traktatet dypalëshe të periudhës së Luftës së Ftohtë nuk janë më aq të rëndësishme, për shkak të mjedisit të sotëm global të sigurisë, kur edhe vende të tjera po ndërtojnë raketa.
Marrëveshja e nënshkruar nga ish-udhëheqësi sovjetik, Mikhail Gorbachev dhe ish-presidenti amerikan, Ronald Reagan i ndalon të dyja vendet që të prodhojnë, testojnë dhe magazinojnë raketa bërthamore të nisura nga toka me një rreze veprimi prej 500 deri në 5,000 kilometra.

Vdekja e gazetarit, Pence: Amerika do të kundërpërgjigjet

US Vice President Mike Pence speaks about the creation of a new branch of the military, Space Force, at the Pentagon in Washington, DC, on August 9, 2018. (Photo by SAUL LOEB / AFP) (Photo credit should read SAUL LOEB/AFP/Getty Images)

Zëvendëspresidenti Mike Pence tha të martën se vdekja e gazetarit disident saudit Jamal Khashoggi “nuk do të kalojë pa një përgjigje amerikane” dhe se drejtorja e CIA-s është në Turqi për të shqyrtuar provat.
Zoti Pence nuk pranoi të thoshte se çfarë veprimi ndëshkues mund të ndërmarrin SHBA në përgjigje të vrasjes së gazetarit dhe kritikut saudit që shkruante për Uashington Postin, i cili vdiq më 2 tetor në Konsullatën Saudite në Stamboll. Arabia Saudite ka thënë se ai u vra gjatë një grindjeje në konsullatë.
Duke iu referuar komenteve të presidentit turk Tayyip Erdogan, i cili tha të martën paradite se vrasja ishte e paramenduar, nënpresidenti Pence shtoi se ajo i rrëzon në sy të gjithë botës pohimet e mëparshme të regjimit saudit.
“Kjo vrasje brutale e një gazetari, e një njeriu të pafajshëm ose e një disidenti nuk do të kalojë pa një përgjigje amerikane,” tha Pence. Ai tha se ndoshta do të ketë edhe një përgjigje ndërkombëtare.
I pyetur nëse SHBA do të sanksiononte anëtarët e familjes mbretërore të Arabisë Saudite, nëse vërtetohet se ata kanë qenë bashkëpjesëmarrës, zoti Pence tha se ky është një vendim që i takon të merret nga Presidenti Donald Trump. Ai tha se presidenti do të marrë një vendim që pasqyron vlerat dhe interesat e sigurisë kombëtare të vendit dhe gjithashtu të “sigurojë që bota do të mësojë të vërtetën.”
Zoti Pence, i cili foli në Uashington në një aktivitet të organizuar nga gazeta Washington Post, tha se çfarëdo përgjigje e SHBA që presidenti do të vendosë të ndërmarrë, do të mbajë parasysh rëndësinë e marrëdhënieve të SHBA me Arabinë Saudite – një aleancë që ai tha se ekziston që nga periudha menjëherë pas Luftës së Dytë Botërore.
Ai nuk pranoi të thoshte nëse kishte parë ndonjë material zbulimi që e lidhte princin e kurorës saudite me vrasjen.
“Unë di se kur të kthehet drejtorja e CIA-s, ajo do të informojë presidentin, atë vetë dhe gjithë ekipin tonë për atë që kanë mbledhur turqit”, tha zoti Pence për vizitën e drejtores së CIA-s Gina Haspel në Turqi.