29.5 C
Tirana
E diel, 17 Gusht, 2025

Trump i tregon “dhëmbët” Kinës, i vendos tarifa 200 miliardë dollarë

Kina i akuzoi Shtetet e Bashkuara për zaptim tregtar, pasi raundi i ri i tarifave amerikane mbi mallrat e importuara kineze hyri në fuqi të hënën.
SHBA u vuri tarifa prodhimeve kineze, në vlerë prej 200 miliardë dollarësh, duke përshkallëzuar tutje luftën tregtare midis dy super-fuqive ekonomike.
Pekini u përgjgj me tarifa mbi mallra amerikane në vlerë prej 60 miliardë dollarësh.
Në një letër zyrtare, siç raporton agjencia e lajmeve Xinhua, Kina tha se SHBA po përdor “praktika zaptuese tregtare”, duke i “kërcënuar vendet e tjera me masa ekonomike” dhe duke “dëmtuar ekonominë globale”.
Kina po ashtu akuzoi SHBA-në për fillimin e “luftës më të madhe tregtare në historinë ekonomike”.
Presidenti amerikan, Donald Trump, ka thënë se raundi i ri i tarifave vjen në përgjigje të “praktikave të padrejta tregtare të Kinës”.
Ky është raundi i tretë i tarifave dhe më i madhi që SHBA ka ndërmarrë këtë vit kundër mallrave kineze.
Në teori, tarifat do t’i bëjnë prodhimet e SHBA-së më të lira sesa ato që importohen dhe kështu do t’i inkurajojnë konsumatorët të blejnë produkte amerikane.

Zyrtarët amerikanë shpresojnë se rreziku i dëmit ekonomik do ta bindë Qeverinë kineze për t’i ndryshuar politikat e saj.
Sekretari amerikan i Shtetit Mike Pompeo u zotua se SHBA do të dalin fitimtare në çdo luftë tregtare me Kinën, një ditë para se tarifat më të fundit të administratës Trump ndaj importeve kineze të hyjnë në fuqi.
Pompeo tha një një intervistë që dha të dielën për rrjetin televiziv “Fox Neës”:
“Ne do të arrijmë ta detyrojmë Kinën të sillet në mënyrën e duhur: në se do të bëhesh fuqi globale, nuk duhet të vjedhësh pronën intelektuale”.
Administrata Trump ka argumentuar se tarifat ndaj mallrave kineze do ta detyronin Pekinin të zhvillonte tregti me Shtetet e Bashkuara në terma më të favorshme.
Po ashtu, administrata amerikane ka kërkuar që Kina të mbrojë pronën intelektuale dhe t’i japë fund praktikës së piraterisë kibernetike. Administrata Trump, po ashtu i ka bërë thirrje Kinës që t’i lejojë kompanitë amerikane që të kenë më tepër akses në tregjet kineze dhe ta ulin bilancin pozitiv nga tregtia me Shtetet e Bashkuara.

Pse është zemëruar Vuçiç?

Ivica Petrovic

Presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiq ka vendosur që të fillojë një fazë të re në raportet me bashkësinë ndërkombëtare, që mund të quhet edhe si bojkotim i heshtur i Brukselit dhe Uashingtonit. Vendimin e ka marrë Vuçiqi, por e ka publikuar udhëheqësi i zyrës për Kosovë Marko Gjuriq, i cili tha se Brukseli duhet të presë pak për vizitën e ardhshme të Vuçiqit atje. Ndërkohë që Vuçiq nuk do të marrë pjesë as në Asamblenë e Përgjithshme të OKB. Në Nju Jork do të udhëtojë kryeministrja Ana Brnabiq.
Gjuriq shpjegoi se Vuçiqi ka ofruar disa zgjidhje për çështjen e Kosovës, por atë e kanë kritikuar shumë për këto ide. Gjuriq tha se presidenti i Serbisë është përballur me heshtje, me distancim nga idetë e tij, e madje edhe “me sulme të tmerrshme”, ndaj Gjuriq tha se në Bruksel “tani do të presin edhe ca kohë deri sa Vuçiq të shkojë në takimin e ardhshëm”.
Pse është zemëruar presidenti?
Nëse zemërimi i presidentit të Serbisë Vuçiq ndërlidhet me idetë e tija për përkufizim me Kosovën, atëherë nuk dihet sakt se për cilat sulme të bashkësisë ndërkombëtare e ka fjalën Gjuriqi. Ideja për përkufizimin, ndarjen e territotreve apo shkëmbimin e tyre, nuk është pritur me ndonjë entuziazëm të madh në disa vende perëndimore, por është tërësisht e tepruar të thuhet se për këto ide Vuçiqi “është përballur me sulmet më të tmerrshme”. Në disa vende ka pasur madje mirëkuptim për idetë e Vuçiqit.
Një numër i madh i diplomatëve evropianë ka bërë të ditur – ndonëse me shumë kujdes – se janë të pranueshme marrëveshjet që arrihen mes Prishtinës dhe Beogradit, e shikuar nga shkrimet e mediave serbe, më së paku kundërshtime për këto ide ka pasur në SHBA. Mediat serbe kanë bërë madje gara me shkrimet se administrata amerikane e ka ndryshuar qëndrimin dhe se ajo nuk ka asgjë kundër zgjidhjeve të cilat do të nënkuptonin ndonjë lloj ndarjeje apo përkufizimi.

Po pse është i zemëruar Vuçiqi pra? Naim Leo Beshiri, drejtor i Institutit për Çështje Evropiane thotë se “Vuçiqi zemërohet tepër shpesh dhe ne shpesh nuk e dimë fare pse është zemëruar presidenti. Skenarë të ndryshëm për zgidhjen e çështjes së Kosovës janë paraqitur në opinion, por ne kurrë nuk kemi marrë ndonjë konfirmimim zyrtar se cili është propozimi i autoriteteve serbe. Ne vetëm dimë se Serbisë nuk i përgjigjet status quo-ja, që do të thotë se ajo angazhohet për përkufizim, korigjimin e kufijve, shkëmbimin e territoreve – por përgjigjen e saktë nuk e kemi marrë kurrë”.
“Ndaj kam frikë se fjalët e Gjuriqit janë vetëm një truk për opinionin e brendshëm. Kjo duhet të bindë qytetarët serbë se Vuçiqi ka bërë gjithçka brenda mundësive të tij, por bashkësia ndërkombëtare nuk është e gatshme t’i pranojë kërkesat tona. Ndaj kur të vijë koha e nënshkrimit të marrëveshjes me Kosovën do të kërkojë mbështetjen e qytetarëve në referendum, sepse ndonjë zgjidhje tjetër nuk ka qenë e mundur”, mendon Beshiri.
Brukseli në akull
Gazetari i revistës NIN, Vladan Marjanoviq thotë se Gjuriqi shpesh tingëllon si një komik stend-up dhe si e tillë mund të konsiderohet edhe deklarata e tij. “Thuhet se Bashkimit Evropian do t’i jepet kohë e mjaftueshme që të kuptojë se sa ka gabuar ndaj Vuçiqit dhe qëndrimit të tij heroik për ‘zgjidhjen” e çështjes së Kosovës, ndonëse Vuçiqi e ka pranuar në fjalimin e tij në Mitrovicë se ai nuk ka ndonjë zgjidhje. E kur BE ta kuptojë gabimin, atëherë Vuçiqi do të mëshirojë dhe do të shkojë në bisedime. Ndërkohë autoritetet serbe do të bartin me krenari gjithë këtë mllef ndaj mosmirëkuptimit të ideve të Vuçiqit në Bruksel dhe Berlin”, thotë Marjanoviq.

Është shumë e qartë që Gjuriqi në këtë rast është vetëm bartës i fjalëve të Vuçiqit. Por duket qartë se Vuçiqi është kaq i zemëruar me perëndimin sa që vendimin e tij e ka kumtuar dikush tjetër, e jo ai vet. Vladam Marjanoviq thotë se me këtë vendim Beogradi sugjeron se “ka qenë i gatshëm për kompromise, por tani për një kohë të caktuar do të ketë qëndrime shumë të ngurta. Kjo nënkuton mundësinë e vazhdimit të mos zgjidhjes së çështjes së Kosovës – që sipas të gjitha gjasave është edhe qëllimi përfundimtar”.
Zemërimi është dëshmi i (pa)aftësisë
Aleksandar Vuçiq ka vendosur të mbaj inat me bashkësinë ndërkombëtare, por qytetarët e Serbisë më shumë janë të interesuar të dinë se çfarë mund të arrihet me këtë politikë dhe diplomaci. Ndoshta dikush në pushtetin serb ka menduar se autoritetet perëndimore do të shqetësohen dhe nuk do të flejnë t♪7 qetë pas zemërimit të Vuçiqit, por kjo dëshmon se diplomacia serbe është në një krizë shumë më të thellë sesa që mendohet. A mund të ketë me mjete të këtilla një zgjidhje më të mirë për Serbinë në çështjen e Kosovës?
Naim Leo Beshiri thotë se “me këtë sjellje infantile nuk mund të arrihet asgjë. E gjitha kjo është vetëm për përdorim të brendshëm, me qëllim që mbështetësit e Vuçiqit të mund të thonë se Vuçiqi ka mundësi që të zemërohet me dikë dhe të mos flas me ta. Asgjë pozitive nuk mund të ketë nga refuzimi i bisedimeve, sepse pa bisedime me Brukselin dhe qendrat e tjera ndërkombëtare, çështja me siguri nuk do të zgidhet. Kjo do të thotë se bisedimet duhet të vazhdojnë, madje edhe me ata me të cilët nuk pajtohesh, e nëse bisedimet vazhdojnë, shtohet edhe mundësia e gjetjes së një kompromisi”, konstaton Beshiri.

Tjetër vjedhje spektakolare, 18.7 milionë euro për 6 kilometra rrugë!

Tre tenderët shumëmilionësh për ndërtimin e segmentit rrugor Kardhiq – Delvinë përfunduan me konkurrencë të ulët dhe me oferta fituese fare pranë fondit limit, bëhet e ditur nga publikimi i shpalljes së fituesit në Agjencinë e Prokurimeve Publike.
Tenderi për lotin 4 u fitua nga oferta e përbashkët e dy kompanive, Cobial dhe Gjoka Konstruksion, me ofertë prej 2.36 miliardë lekë, ose sa 99% e fondit limit. Një ofertë konkurrente nga kompania Alb Building shpk ishte edhe më e lartë se sa oferta fituese, ose e barabartë me 99.6% të fondit limit, por gjithsesi, kjo ofertë u skualifikua.
Komisioni vlerësimit argumentoi se “kompania nuk ka realizuar punë të ngjashme në tre vitet e fundit”, një nga kriteret përjashtuese për të marrë pjesë në tender.
Segmenti i përfshirë në lotin 4 është 6150 metra i gjatë dhe në të përfshihen dy ura me gjatësi të përbashkët prej 207 metrash. I gjithë segmenti pritet të kushtojë 18.7 milionë euro ose 3045 euro për metët linear.
Në tenderin për lotin 5, pati gjithashtu dy oferta, një prej të cilave u skualifikua, megjithëse ishte më e lartë se sa oferta fituese. Tenderi u fitua nga kompania Alb – Star për 1.79 miliardë lekë ose 2.2% më pak se sa fondi limit. Oferta tjetër nga GPG Company ishte e barabartë me 98.8% të fondit limit, por ajo u skualifikua pasi Autoriteti Rrugor Shqiptar vlerësoi se GPG Company ka sakaq në zbatim kontratën e by-pass të qytetit të Tepelenës me vlerë 2.8 miliardë lekë dhe sipas rregullave të qeverisë shqiptare, ajo nuk mund të fitojë tender të ri pa përfunduar 70% të punimeve të kontratës në vijim.

Loti 5 do të ketë një gjatësi të përgjithshme prej 3058 metrash dhe do të kushtojë afërsisht 4.6 milionë euro për kilometër.
Për tenderin e lotit 6, oferta fituese u hodh nga kompanitë Agbes shpk & Arberia shpk dhe ishte afro 2.38 miliardë lekë, e barabartë me 99.6% të fondit limit.
Të tre tenderët e marra sëbashku do të kushtojnë rreth 51 milionë euro sipas rezultateve të tenderëve. Kjo do të thotë se çdo kilometër rrugë do të kushtojë afro 3.7 milionë euro dhe çdo metër linear do të kushtojë 3700 euro. Për çdo metër katror rrugë, kostoja e pritshme është rreth 393 euro.
Përveç loteve 4,5 dhe 6, rruga Kardhiq Delvinë ka edhe dy lote të tjera të cilat përfshijnë një tunel afro 900 metra të gjatë. Këto dy lotet e fundit nuk janë planifikuar të financohen këtë vit, por pritet që tenderi për to të hapet në vitin 2019. Tuneli pritet të kushtojë 2.8 miliardë lekë ose 22.2 milionë euro dhe do të ketë kosto për metër linear prej 26,700 eurosh.
Aktualisht nuk është publikuar ndonjë studim fizibiliteti për leverdisshmërinë e këtij segmenti rrugor. Nëse do të realizohet deri në fund, rreth vitit 2022 nga Tirana për në Sarandë do të mund të udhëtohet duke u kthyer në drejtim të fshatit Kardhiq, 9 kilometra para se të mbërrihet në Gjirokastër. Nga kjo pikë, Saranda është 46 kilometra larg. Alternativa tjetër nga rruga ekzistuese përmes Qafës së Muzinës është rreth 65 kilometra, me një shkurtim prej rreth 20 kilometrash.

“Reporter.al”

Mashtrimi i Ramës në Gjykatën e Strasburgut për Kunatin e Xhafës: Kaloi vettingun!

Pasi u përpoqën të ndikonin në mënyrë të paligjshme Gjykatën Evropiane të të Drejtave të Njeriut (ECtHR) në Strasburg për pezullimin e proceseve gjyqësore shqiptare që lidhen me pronat, duket se qeveria shqiptare hapur po keqinformon Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës në lidhje me listën e saj të katërt të kandidatëve për pozicionin e gjykatësit shqiptar në Gjykatë e Strasburgut.
Exit.al ka lexuar një letër të datës 23 korrik 2018 drejtuar Sekretarit të Përgjithshëm të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës nga ambasadorja e Shqipërisë në Këshillin e Europës, Albana Dautllari. Në letër Ambasadorja ka pohuar se të gjitha kandidaturat e paraqitura nga Shqipëria kanë kaluar procesin e vetingun.
Me një anglishte të ngatërruar, Dautllari është shprehur:
Duke marrë parasysh rëndësinë e profesionalitetit dhe integritetit moral, kontrolli i figurës së gjykatësve dhe prokurorëve në systemin gjyqësor shqiptar, si dhe i të gjithë përfaqësuesve shqiptarë në trupat ndërkombëtarë të gjykimit, nën zbatimin e reformës në drejtësi në Shqipëri, në përputhje me Kushtetutën dhe ligjet në fuqi, kandidatët për pozicionin e gjykatësit të ri të Shqipërisë në GJEDNJ kanë kaluar procesin e rivlerësimit (vetingut). [nënvizimi i yni]

Ky pohim është i pavërtetë. Asnjë nga të tre kandidatët e paraqitur nga Shqipëria nuk i është nënshtruar procedurave të vetingut nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit. Sokol Berberi u dorëhoq nga Gjykata Kushtetuese përpara se t’i nënshtrohej vetingut, ndërsa Darian Pavli dhe Mariana Semini nuk kanë pasur funksione që t’i nënshtroheshin vetingut.
Megjithatë, Dautllari deklaron në paragrafin më poshtë se:
“Profesionistët e tjerë ligjorë, të cilët nuk bënin pjesë në kategoritë e përmendura në Kushtetutë, ishin subjekt i parimeve bazë të procesit të rivlerësimit, i cili u zbatua përmes hetimit dhe vlerësimit të aftësive, kompetencave, figurës, aseteve dhe aspekte të tjera, në bashkëpunim me institucionet përgjegjëse. Një aplikant u përjashtua nga procesi, si pasojë e procesit të rivlerësimit (vetingut).”
Me fjalë të tjera, ata të cilët nuk iu nënshtruan vetingut për shkak se nuk bënin pjesë në kategoritë që i nënshtrohen vetingut (në fakt, të tre kandidatët) u vlerësuan “në bashkëpunim me institucionet përgjegjëse”.
T’i nënshtrohesh vetingut do të thotë të kalosh të gjithë procesin e rivlerësimit.
Asnjë nga kandidaturat e Shqipërisë për në Gjykatën e Strasburgut nuk e ka kaluar një proces të tillë—që do të thotë se asnjëra prej tyre nuk i është nënshtruar vetingut.
Ndaj është krejtësisht keqinfromuese që qeveria shqiptare i deklaron Strasburgut se “të gjithë aplikantët për pozicionin e gjyqtarit të ri të Shqipërisë në Gjykatën e Starzburgut kanë kaluar procesin e rivlerësimit (vetingun)”.

Nis lufta tregtare me Kinën, Pompeo: SHBA do të dalë fitimtare

Sot ka filluar aplikimi i valës së re të sanksioneve të Shteteve të Bashkuara ndaj mallrave të Kinës, njëherësh masa më e madhe në luftën e përshkallëzuar tregtare në mes të dy superfuqive ekonomike.
Shtetet e Bashkuara kanë vënë tarifa në vlerë të 200 miliardë dollarëve në produktet kineze nga mesnata, me orën lokale të Kinës, për shkak të atyre që janë cilësuar si praktika të padrejta tregtare nga ana e Kinës.
Kina në anën tjetër është hakmarrë duke shënjestruar mallrat amerikane me tarifa shtesë në vlerë të 60 miliardë dollarëve.
Autoritetet kineze kanë thënë se SHBA-ja, ka nisur “luftën më të madhe tregtare në historinë ekonomike”.
Çfarë nënkupton lufta tregtare SHBA-Kinë?
Me valën e fundit të tarifave, vlerësohet se tarifat amerikane kanë prekur produktet kineze në vlerë të 250 miliardë dollarëve.
Kjo njëherësh nënkupton se gjysma e të gjitha importeve të Kinës në SHBA, tani janë subjekt i tarifave.
Presidenti amerikan, Donlad Trump ka thënë se me anë të këtyre tarifave kërkon të ndalojë “transferimet e padrejta të teknologjisë dhe pronave intelektuale amerikane drejt Kinës” si dhe të mbrojë vendet e punës.

Sekretari amerikan i Shtetit Mike Pompeo u zotua se SHBA do të dalin fitimtare në çdo luftë tregtare me Kinën, një ditë para se tarifat më të fundit të administratës Trump ndaj importeve kineze të hyjnë në fuqi.
Pompeo tha një një intervistë që dha të dielën për rrjetin televiziv “Fox News”: “Ne do të arrijmë ta detyrojmë Kinën të sillet në mënyrën e duhur: në se do të bëhesh fuqi globale, nuk duhet të vjedhësh pronën intelektuale”.
Administrata Trump ka argumentuar se tarifat ndaj mallrave kineze do ta detyronin Pekinin të zhvillonte tregti me Shtetet e Bashkuara në terma më të favorshme.
Po ashtu, administrata amerikane ka kërkuar që Kina të mbrojë pronën intelektuale dhe t’i japë fund praktikës së piraterisë kibernetike. Administrata Trump, po ashtu i ka bërë thirrje Kinës që t’i lejojë kompanitë amerikane që të kenë më tepër akses në tregjet kineze dhe ta ulin bilancin pozitiv nga tregtia me Shtetet e Bashkuara.

Prapaskenat e sulmit të përgjakshëm në Iran

Zyrtarët iranianë kanë akuzuar aleatët amerikanë në rajon se kanë qenë mbrapa sulmit në paradën ushtarake, të mbajtur në jugperëndim të shtetit, duke rezultuar me 29 persona të vdekur dhe dhjetëra tjerë të plagosur.
Një grup separatist arab dhe militantët e grupit ekstremist, Shteti Islamik kanë pretenduar të kenë kryer sulmin.
Mirëpo as zyrtarët iranianë as dy grupet e përmendura nuk kanë ofruar të dhëna për të konfirmuar pretendimet e tyre.
Sipas mediave lokale në sulm janë vrarë anëtarë të Gardës Revolucionare të Iranit, së bashku me civilë që kanë qenë duke shikuar paradën, përfshirë një vajzë katërvjeçare.
“Krimet e tyre janë vazhdimësi e komploteve të shteteve rajonale, të cilat janë vegla të Shteteve të Bashkuara dhe synimi i të cilave është krijimi i pasigurisë në shtetin tonë të dashur”, ka thënë lideri suprem i Iranit, Ayatollah Ali Khamenei, në një deklaratë, pak orë pas sulmit në qytetin Ahvaz.
Megjithatë Khamenei nuk ka specifikuar se cilave shtete u është drejtuar.
‘Hakmarrje shkatërruese’
Të hënën, zëvendësudhëheqësi i Gardës Revolucionare të Iranit, Hossein Salami, ka paralajmëruar liderët e SHBA-së dhe Izraelit që të presin një përgjigje “shkatërruese” nga Teherani, pas sulmit në Ahvaz.
Mijëra persona kanë dalë në rrugët e këtij qyteti për të përkujtuar viktimat e së sulmit të së shtunës.
“Keni parë hakmarrjen tonë më parë. Ju do të shihni se përgjigja jonë do të jetë shkatërruese dhe do të pendoheni për atë që keni bërë”, ka thënë Salami, para ceremonisë së funeralit, transmeton Reuters.
Ministri iranian i inteligjencës, Mahmoud Alavi ka thënë se tashmë është arrestuar një rrjet i të dyshuarve në lidhje me këtë sulm.

Irani e ka shpallur të hënën ditë zie kombëtare.
Zyret publike, bankat, shkollat dhe universitete do të jenë të mbyllura në provincën Khuzestan.
Tensione me Gjirin Persik
Marrëdhëniet në mes të rivalëve rajonalë, Iranit dhe Arabisë Saudite, aleatit kryesor të Uashingtonit në Lindje të Mesme, janë tensionuar, pasi të dyja palët akuzojnë njëra-tjetrën për krijim të jostabilitetit në këtë rajon.
Teherani ka pretenduar në të kaluarën se Arabia Saudite ofron ndihmë për separatistët në rajonin ku ka pakicë të arabëve.
Scott Lucas, specialist për Iranin në Universitetin e Birminghamit në Britani, i ka thënë Radios Evropa e Lirë se, akuzat e Teheranit ndaj rivalëve rajonalë dhe Shteteve të Bashkuara për situatën e brendshme tensionuese nuk përbëjnë asgjë të re, duke shtuar se një gjë e tillë është rritur pas tërheqjes së SHBA-së nga pakti bërthamor dhe përkeqësimi i situatës ekonomike në Iran.
Tensionet në mes të Teheranit dhe Shteteve të Bashkuara janë përshkallëzuar në muajin maj, pas vendimit të presidentit amerikan, Donald Trump për tërheqje nga pakti bërthamor i vitit 2015 si dhe për rivendosje të sanksioneve të ashpra në Iran.
Lidhur me ngjarjen në Ahvaz, ai ka thënë se “shqetësimi në rritje ka të bëjë edhe me krizën ekonomike dhe ndikimin e sanksioneve amerikane, të lidhura me kontestin rajonal të Iranit me Riadin dhe konfliktet në Siri, Jemen dhe Irak”, ka shtuar ai.
“Mercenarët” e Gjirit Persik
Më 23 shtator, Ministria e Jashtme iraniane ka kërkuar të marrë në pyetje një zyrtar të Emirateve të Bashkuara Arabe, lidhur me komentet “e papërgjegjshme” të bëra nga një këshilltar qeveritar, i cili është raportuar të ketë thënë se sulmi ndaj ushtrisë nuk mund të konsiderohet akt terrorist.
Ndërkohë, presidenti iranian, Hassan Rohani ka akuzuar Shtetet e Bashkuara për mundësim të kryerjes së sulmit të përgjakshëm, përmes mbështetjes që ofron për shtetet e Gjirit Persik.
Duke folur më 23 shtator, para se të largohej nga Teherani për një Nju Jork, për të qenë pjesëmarrjes në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, Rohani ka thënë se autorët e sulmit dhe ndihmësit janë ‘shumë të qartë” për Teheranin.

“Ata që kanë kryer këtë katastrofë, kanë qenë mercenarët e diktatorit irakian, Sadam Hussein për aq kohë sa ai ka qenë gjallë dhe tani kanë ndryshuar udhëheqësinë”, ka thënë ai.
“Një nga shtetet në jug të Gjirit Persik është kujdesur për të gjitha nevojat financiare, ushtarake dhe politike”, ka shtuar ai.
“Të gjitha këto shtete të vogla mercenare që i shohim në rajon mbështeten nga Amerika. Amerikanët i nxisin ato”, ka thënë presidenti iranian.
Drejtori për Projektin e Iranit në Grupin Ndërkombëtar për Kriza, Ali Vaez, ka thënë për Radion Evropa e Lirë se Teherani duket se ka të dhëna të reja për aktivitete të disa grupeve separatiste, të cilat kanë lidhje me shtetet e Gjirit Persik.
“Një heshtje nga ana e Arabisë Saudite dhe aleatëve të saj në Gjirin Arab pas sulmit, Teherani e ka përshkruar si të dhënë për fajësinë e tyre”, ka thënë Vaez.
“Fakti që zyrtarë të lartë amerikanë siç është John Bolton, para se të bëhej këshilltar për siguri kombëtare, kanë mbrojtur publikisht pakicën etnike të Iran, shton dyshimet e Teheranit rreth synimeve destabilizuese”, ka shtuar ai.
Një grup iranian me etni arabe, i quajtur Rezistenca Kombëtare e Ahvazit, e cila kërkon shtet të ndarë në provincën Kahuzestan, ka pretenduar se është përgjegjës për sulmin, pa ofruar asnjë të dhënë.
Zëdhënësi i këtij grupi, Yagoub Hor Altasteri, i ka thënë transmetuesit gjerman, Deutsche Welle, se sulmi ka qenë “akt legjitim” në përgjigje të asaj që e ka përshkruar si “transferim të ujit” dhe “ varfërisë” dhe “ekzekutimeve”.
Banorët arabë që jetojnë në provincën Khuzestan janë ankuar për kohë të gjatë, rreth padrejtësisë sociale, kulturore dhe politike.
Ky rajon ka qenë skenë e situatave tensionuese më 2005 dhe 2011, të cilat kanë rezultuar me dhjetëra arrestime, kanë raportuar grupe për të drejta të njeriut, duke përfshirë Human Rights Watch.

Dhjetë kompanitë tek tenderat “1 miliardësh” të bashkive

Elisa Gjerani

Ndarja e re territoriale ka sjellë edhe më shumë para për 61 bashkitë e reja, por në 3 vitet e fundit vetëm 45 prej tyre kanë shpallur tenderë me vlerë mbi 100 milionë lekë të reja, ose mbi 1 miliard lekë të vjetra. Këto para janë shpenzuar kryesisht për punë dhe shërbime publike, por ajo që fshihet pas këtyre kontratave është fakti se mbi 50% e parave të tenderuara janë fituar vetëm nga 10 kompani, ndërsa pjesa tjetër nga 91 kompani të tjera.
Tenderë mbi 100 milionë
Porta Vendore ka kryer një vëzhgim mbi prokurimet publike që kanë zhvilluar njësitë e qeverisjes vendore në 3 vitet e fundit, përkatësisht qershor 2015-shtator 2018, duke nxjerrë disa fakte interesante sesi harxhohen paratë e taksapaguesve shqiptarë, cilat bashki shpenzojnë më shumë, ato të majta apo të djathta dhe cilat janë kompanitë që kanë përfituar më shumë nga këto prokurime. Duke iu referuar të dhënave të openprocurement.al, rezulton se në tre vitet e fundit, janë shpallur 172 tenderë nga 45 bashki me vlerë mbi 100 milionë lekë të reja. Vetëm 16 bashki figurojnë deri më tani me asnjë tender të dhënë mbi shumën e 100 milionë lekëve, ku 8 prej këtyre bashkive drejtohen nga kandidatë, të cilët janë mbështetur në zgjedhje nga opozita, dhe 8 të tjera nga kandidatë të mbështetur nga maxhoranca.
Nga vëzhgimi i kryer rezulton se tenderi i parë me një vlerë të tillë është shpallur dhe fituar në shtator të vitit 2015. Konkretisht, operatori Konstruksion 93 shpk në bashkëpunim me Xhengo shpk ka fituar tenderin me vlerë prej 151. 345. 496 lekë nga Bashkia Korçë për përmirësimin e infrastrukturës së brendshme të Muzeu të Artit Mesjetar.
Nga 172 tenderë të shpallur, deri në fund të muajit gusht 2018 janë shpallur fituesit për 151 tenderë, pra 21 tenderë ende janë në procedurë, ndërkohë që numri i kompanive që kanë fituar këta tenderë janë 101 të tilla në total. Fondi limit për tenderët e fituar në 45 bashkitë e vendit rezulton se në total ka qenë rreth 28 miliardë e 921 milionë lekë të reja (pa TVSH), ndërkohë që vlera totale e fituar nga kompanitë konkurrente është rreth 26 miliardë e 711 milionë lekë të reja (pa TVSH). Pra rezulton se në total, kompanitë fituese të tenderëve kanë arritur të përthithin mbi 92% të fondit limit.

Dhjetë “kompanitë 1 miliardësh”
Por, duke analizuar më thellë shifrat e tenderëve mbi 100 milionë lekë që janë shpallur nga bashkitë rezulton se dhjetë kompani kanë fituar mbi gjysmën e vlerës totale të parave të tenderuara në 151 prokurime publike, ndërsa pjesa tjetër e këtyre tenderëve është fituar nga 91 kompani të tjera. Konkretisht, 10 kompani rezultojnë se kanë fituar jo pak, por 53.5% të gjithë vlerës së parave të tenderëve mbi 100 milionë lekë të reja, pra të 26.7 miliardë lekëve të reja, ose e thënë në shifra, rreth 14.3 miliardë lekë.
Këto dhjetë kompani kryesisht kanë fituar të vetme tenderët mbi 100 milionë lekë të reja të shpallur nga bashkitë, por nuk kanë munguar rastet edhe kur ato kanë bashkëpunuar me njëra-tjetrën, ose me kompani të tjera, ku këto të fundit nuk kanë arritur të fitojnë ndonjëherë vetëm, tenderë të tillë.
Megjithatë, kompania lider e këtyre dhjetë kompanive fituese është Fusha shpk, e cila ka fituar jo pak, por 16.5% të vlerës totale të të gjithë tenderëve mbi 100 milionë lekë, të hapur nga pushteti vendor. Konkretisht, 12.2% të vlerës totale të tenderëve, pra rreth 3.25 miliardë lekë të reja, kjo kompani i ka fituar e vetme. Ndërsa rreth 4.4% të vlerës totale të tenderëve, rreth 1 miliard e 175 milionë lekë i ka fituar në bashkëpunim me 5 subjekte të tjera.
Kjo kompani administrohet nga Shkëlqim Fusha dhe vitin e fundit ka qenë, jo vetëm në fokusin e sulmeve të opozitës për afera të dyshimta për ndërtimin e teatrit të ri kombëtar në Tiranë, por edhe të protestave të shoqërisë civile dhe të artistëve në mbrojtje të godinës së vjetër. Lidhur me këto akuza rezulton se kompania Fusha shpk, duke konkurruar e vetme, pa operatorë bashkëpunues, në Tiranë ka fituar 6 tenderë me vlerë mbi 100 milionë lekë të reja, 2 i ka fituar në Roskovec dhe 1 në Vorë.

Vlera totale e tenderëve mbi 100 milionë lekë të reja të fituar në Tiranë rezulton rreth 2.8 miliardë lekë të reja. Bashkia Tiranë, në total ka realizuar 44 tenderë me mbi 100 milionë lekë të reja, me vlerë totale 10.6 miliardë lekë të reja, ndërkohë që rezulton se 26% e kësaj vlere është fituar vetëm nga Fusha shpk me 6 tenderë. Madje, kjo kompani, e cila ka fituar në total 38 tenderë për tre vite, pra edhe ato me vlerë më të vogël se 100 milionë lekë, 30 prej tyre i ka fituar në Tiranë, 6 në Vorë dhe 2 në Roskovec.
Ndërsa kompania e dytë, e cila ndjek subjektin Fusha shpk, është “G.P.G. Company shpk”. Kjo kompani rezulton se ka fituar 9% të vlerës të të gjithë tenderëve me 100 milionë lekë të reja të zhvilluar nga 45 bashki. Edhe kjo kompani rezulton se gjysmën e kësaj vlerë e ka fituar e vetme, ndërsa gjysmën tjetër, në bashkëpunim me kompani të tjera. Ndryshe nga Fusha shpk, kjo kompani rezulton se fushën e influencës e ka pasur të shpërndarë në disa bashki, si Tiranë, Tepelenë, Korçë, Kavajë, e Delvinë dhe një herë ka fituar në Shqipërinë e Veriut, konkretisht në Mirditë, bashki e drejtuar nga kandidat që është mbështetur nga PS.
Ndërsa dy kompani të tjera që vijnë pas dy të parave e zënë vendin e tretë e të katërt janë përkatësisht Salillari shpk dhe Vëllezërit Hysa shpk. Salillari shpk rezulton se ka fituar rreth 5.4% të vlerës së këtyre tenderëve, ndërkohë Vëllezërit Hysa shpk kanë fituar rreth 4.7% të vlerës totale të parave për 151 tenderët, ose sa gjysma e kompanisë që zë vendin e dytë “G.P.G. Company shpk”.
Me ndryshime të vogla në përqindje, në vendin e pestë renditet kompania Korsel shpk, pikërisht me 4%, e me radhë; Alko-Impex General Construcion SHPK; Alba Konstruksion; 4 A -M shpk; Victoria Invest shpk dhe Agbes Construction.
Këto 10 kompani të listuara që rezultojnë fitueset dominuese të tenderëve “të majmë” të bashkive, rezultojnë se janë edhe në krye të listës së fituesve të të gjithë tenderëve të zhvilluar nga 61 bashkitë e reja në 3 vitet e fundit, pra edhe ata me vlerë më të vogël se 100 milionë lekë të reja. Megjithatë, ata rezultojnë se të dhjetë bashkë përbëjnë përqindje më të ulët, duke qenë se nuk bëhet fjalë për 151 tenderët me mbi 100 milionë lekë, por për 13,794 tenderë me vlerë totale rreth 75.1 miliardë lekë, pothuajse 3-fishi i tenderëve mbi 100 milionë lekë, të analizuar nga “Porta Vendore”.

Konkretisht, duke analizuar shifrat kur ato kanë fituar të vetme, por edhe në bashkëpunim me operatorë të tjerë, rezulton se kanë arritur të marrin 20% të vlerës totale të 13,794 tenderëve, ose 15 miliardë lekë të reja. Por, ajo që vihet re është fakti që në vlerën 15 miliardë lekë të reja, këto 10 kompani, 14.3 miliardë lekë i kanë fituar nga tenderët mbi 100 milionë lekë dhe vetëm rreth 700 milionë lekë nga tenderët me vlerë më të vogël se 100 milionë lekë, që tregon qartë se ata konkurrojnë vetëm kur vlera e tenderit është tejet e lartë.
Për çfarë u shpenzuan paratë
Paratë e tenderuara rezulton se kryesisht janë ndarë në tre kategori. Ajo që mban peshën më të madhe janë punët publike. Nga 151 tenderë për të cilët janë shpallur fituesit rezulton se 129 të tillë, me vlerë totale rreth 21.2 miliardë lekë janë shpenzuar për punë publike, si rikonstruksione rrugësh e shkollash, ndërtime të reja, që nga rrugët, godinat, ujësjellës, parkime, e shumë vepra të tjera.
Po ashtu, një pjesë tjetër parash janë shpenzuar për kontrata publike për shërbime. Konkretisht për këtë kategori janë realizuar deri më sot 17 tenderë me vlerë totale 610 milionë lekë të reja. E thënë ndryshe, këto para janë shpenzuar më së shumti për shërbimin e pastrimit të mbetjeve urbane, për varrezat, për gjelbërimin dhe dekorin. Por duhet theksuar se tenderë të tillë me vlera mbi 100 milionë lekë të reja janë zhvilluar vetëm nga 9 bashki në total, pra mesatarisht dy tenderë për një bashki.
Ndërsa kategoria tjetër që janë ndarë këto tenderë është ajo e kontratave publike të furnizimit. Për këtë kategori rezulton se janë zhvilluar vetëm 5 tenderë me vlerë totale rreth 611 milionë lekë të reja. Këto para kryesisht janë shpenzuar për pajisje me kamera sigurie, blerje materialesh hidraulike dhe të llojeve të tjera. Pra rezulton se shumica e parave të tenderuara të bashkive kanë shkuar për punë publike, konkretisht 79.4% e fondeve, ndërsa 18.2% e tyre janë përdorur për shërbime dhe vetëm 2.4% për furnizime.

Berisha publikon vedion e tmerrshme: Përshëndetje nga Vlora “turistike”!

Ish-Kryeministri Berisha ka publikuar një video tëdërguar nga një qytetar nga Vlora ku shihen pamjet skandaloze në lulishten e spitalit Vlorë ku pacientët thithin çdo mëngjes helme.
Postimi i plotë i ish-Kryeministrit Berisha
Nje krim tejet i rrezikshem per qytetaret e Vlores nga Leli i Kallam Deshtakut!
Lexoni mesazhin dhe shikoni videon e qytatarit dixhital! sb
Pershendetje nga Vlora ”turistike” ku se bashku me mbetjet spitalore i urojme mireseardhjen çdo ”turisti ” qe kendshem merr toksinat vdekeprrurese te nje spitali qe udhehiqt nga nje drejtuese militante e perbetuar si Brunilda Mersini. Miremengjei me pamjet skandaloze ne lulishten e spitalit Vlore ku pacientet thithin cdo mengjes helme. Cfare ben drejtori i higjenes Z. Myzafer Islamaj qe duhet te japi llogari per kete katastrofe?? Mk i ngusht me Eltar Deden qe fle gjum ne kembe Vendi esht te spitali rajonal vlore..ky zjarr eshte brenda murit rrethues te spitalit tek vend grumbullimi i mbeturinave spitalore
Sent from my iPad

sb

Nje krim tejet i rrezikshem per qytetaret e Vlores nga Leli i Kallam Deshtakut!Lexoni mesazhin dhe shikoni videon e qytatarit dixhital! sbPershendetje nga Vlora ''turistike'' ku se bashku me mbetjet spitalore i urojme mireseardhjen cdo ''turisti '' qe kendshem merr toksinat vdekeprrurese t e nje spitali qe udhehiqt nga nje drejtuese militante e perbetuar si Brunilda Mersini . MIremengjei me pamjet skandaloze ne lulishten e spitalit Vlore ku pacientet thithin cdo mengjes helme Cfare ben drejtori i higjenes Z. Myzafer Islamaj qe duhet te japi llogari per kete katastrofe?? Mk i ngusht me Eltar Deden qe fle gjum ne kembe Vendi esht te spitali rajonal vlore..ky zjarr eshte brenda murit rrethues te spitalit tek vend grumbullimi i mbeturinave spitaloreSent from my iPad

Gepostet von Sali Berisha am Montag, 24. September 2018

Përgjimi i Safet Bajrit: Shefi i madh po më pret në besë, cilët politikanë përmend…

Safet Bajri (Rustemi) duket se e ka nxitur vetë Policinë për të realizuar arrestimin e tij sa më të shpejtë. Ditët e fundit, ai ka shprehur hapur zhgënjimin e tij me “shefat e mëdhenj” gjatë komunikimeve telefonike me miq të tij.
I “forti” i Shkodrës nuk e ka pranuar faktin që pak ditë më parë, vëllai i tij, Ilir Rustemi, u arrestua gjatë operacionit policor në Shkodër. Në disa biseda të përgjuara nga Prokuroria për Krime të Rënda, Bajri flet për “zhgënjim” dhe “prerje në besë” nga ata që ai i konsideron si “shefat e mëdhenj”.
“Boldneës.al” ka mësuar në mënyrë ekskluzive nga grupi hetimor se Safet Bajri ka përmendur emra zyrtarësh të lartë, në Shkodër e Tiranë, për të cilat ai ka bërë “shërbime” të ndryshme.
Pikërisht, për t’i mbyllur gojën dhe për të mos lejuar që emrat e përmendur nga Bajri të dëgjoheshin edhe nga grupi hetimor i Prokurorisë për Krime të Rënda, policia ka kërkuar me ngulm që të nxirreshin urdhër-arrestet në Gjykatë. Kjo kërkesë urgjente është “justifikuar” me nevojën për të koordinuar veprimet me autoritetet hollandeze dhe belge.
Në fakt, siç rezulton edhe nga deklarata publike e Policisë së Shtetit dhe e Prokurorisë për Krime të Rënda, në kuadër të operacionit për arrestimin e klanit “Bajri” janë kryer 11 arrestime në total, të gjitha në Shqipëri. Ndërkohë, autoritetet belge dhe hollandeze kanë dërguar prej disa kohësh informacionet e tyre mbi aktivitetin kriminal të “familjes” Bajri në ato vende. Pra, prezantimi si një operacion i koordinuar me autoritetet e huaja, rezulton që të jetë thjeshtë një mbulesë për “urgjencën” e Policisë Shqiptare për të arrestuar sa më shpejt Safet Bajrin dhe për të zbutur “zhgënjimin e tij” me shefat e mëdhenj në Tiranë.

Gjithashtu, po nga bisedat e përgjuara ditët e fundit, Safet Bajri duket se e ka kuptuar që orët e tij në liri ishin të numëruara.
Në një komunikim të përgjuar nga Krimet e Rënda, ai i paraqet dyshimin një familjari të tij se “askush nuk po më hap më telefonin”.
Pas operacionit të para disa javëve në Shkodër, ku u arrestuan 4 persona, mes të cilëve edhe vëllai i Safet Bajrit, ky i fundit u largua nga Shkodra dhe ndryshoi numrin e telefonit. Për shkak të aktivitetit të tij anti-ligjor edhe jashtë Shqipërisë, Safet Bajri tregohej shumë i kujdesshëm me telefonat dhe komunikimin me ta.
Por, mesa duket, siguria e krijuar në bazë të “përvojës” së tij, e ka tradhëtuar. Gjatë dy javëve të fundit, Safet Bajri ka përdorur aparatin telefonik të një miku të tij të largët, për të cilin nuk mendonte se do të ishte në përgjim. Por, në fakt numri i telefonit që kishte qenë në atë aparat, ishte në listën e përgjimeve të grupit hetimor.
Ndaj, kur Safet Bajri nisi të përdorte këtë aparat telefonik, pavarësisht se me numër tjetër telefoni, ai kaloi automatikisht në përgjim.
Fillimisht, Bajri duhet të ketë menduar se ka kryer komunikime të sigurta. Por, kur ka dalluar se shumë prej njerëzve me pushtet, të cilët duhet t’i gjendeshin në krah, nuk përgjigjeshin më, atëherë ai e ka kuptuar se diçka nuk shkonte.

Këtu duket se është moment që Bajri e ka kuptuar se është “tradhëtuar” dhe ka nisur të përmend disa emra politikanësh kryesorë. Burimi i “Boldneës.al” nuk preferoi të tregonte emrat e këtyre “shefave të mëdhenj” të përmendur nga Safet Bajri, duke deklaruar se ndoshta ata mund të jenë pjesë e hetimit vijues. Pavarësisht se, edhe burimi, shprehej skeptik për avancimin e hetimeve tek miqtë e mëdhenj të Safet Bajrit.
Sipas tij, ky skepticizëm i vjen nga fakti që Policia kërkoi me urgjencë arrestimin e tij, pikërisht në kohën kur ishte duke përmendur emra konkretë politikanësh dhe raste konkrete se kur kishte ofruar ndihmesën e bandës së tij.
I njëjti shpjegon edhe fytyrën e mpirë të prokurorit të çështjes, Blerim Tominaj, në konferencën për media të zhvilluar paraditen e së shtunës nga Drejtori i Përgjithshëm i Policisë, Ard Veliu dhe drejtuesja e Prokurorisë për Krime të Rënda, Donika Prela, në përfundim të arrestimit të 11 personave,
Ajo konferencë mediatike, e cila prezantonte sukses, në fakt mbulonte disa çështje shumë më delikate; Së pari, u synua t’i mbyllej goja Safet Bajrit, i cili kishte nisur të fliste më shumë sesa duhet për emra të përveçëm zyrtarësh të lartë; së dyti, të justifikonte Ministrin e Brendshëm dhe zyrtarë e lartë policorë për dështimet e vazhdueshme në luftën kundër kriminalitetit në Shkodër; dhe, së treti, të përmirësonte imazhin e rrënuar të Donika Prelës, e cila së fundmi krijoi një situatë anti-ligjore në radhët e institucionit të saj.

“Boldnews.al”

“Duam shkollën tonë”! Prindër dhe nxënës shqyejnë derën e futen brenda në shkollë

Prindër dhe nxënës të shkollës 9-vjeçare në fshatin Mengël të Elbasanit kanë protestuar dhe bojkotuar mësimin edhe mesditën e sotme. Ata kanë protestuar në oborrin e shkollës së tyre, e cila është mbyllur prej dy vitesh për shkak se Komisioni i Emergjencave e cilësoi atë të pasigurt pas rënies së tërmetit.
Në këto kushte fëmijët detyrohen të hipin nëpër autobusë për të ndjekur mësim në turnin e dytë në një nga shkollat 9-vjeçare në Elbasan.
Prindërit u shprehën se do t’i lënë fëmijët pa mësim nëse nuk hapet shkolla e tyre, pasi mbylljen e saj e konsiderojnë me prapavijë politike.
Edhe nxënësit theksuan faktin se duan të hapet shkolla e tyre. Pavarësisht dëshirës për dije ata thonë se nuk do të ndjekin mësimin me turne në qytet. Fëmijët kanë shqyer derën e shkollës së mbyllur dhe pasi janë futur brenda janë shpërndarë në klasa. Ata i kanë bërë thirrje mesuesve të bëjnë mësim.
Në mbështetje të komunitetit të prindërve dhe nxënësve ishin sërish edhe deputetët demokratë të Elbasanit.