24.5 C
Tirana
E hënë, 18 Gusht, 2025

Prokurorët rrahin në zyrë kamikazen e Ramës, Donika Prela

Pas nisjes së hetimeve disiplinore ndaj prokurorëve dhe transferimit të tre prej tyre nga kryeprokurorja Arta Marku për shkak të refuzimit për të punuar me dosjen “Shullazi”, ata janë përplasur fizikisht me eproren e tyre Donika Prela.
Pak orë pasi janë njohur me hetimin disiplinor të nisur kundrejt tyre, 10 prokuroret kanë shkuar të enjten pasdite rreth orës 18:00 dhe janë futur me force në zyrën e drejtueses së prokurorisë së Tiranës Donika Prela për të kërkuar shpjegime se përse janë penalizuar dhe transferuar në detyrë.
Prela nuk i ka pritur kolegët e saj dhe i ka kërkuar që të dalin jashtë, madje ajo ka kërkuar edhe ndihmën e forcave të rëndit.
Burime bëjnë të ditur për “Vizion Plus” se ka pasur tone të larta, fyerje mes prokurorëve deri tek degjenerimi i situatës në përdorimin e grushtave dhe shpullave mes drejtues të prokurorisë së Tiranës Donika Prela dhe një prokuroreje emri të cilës nuk është bërë i ditur.
Fillimisht për të qetësuar gjakrat mbërriti në vendngjarje policia e shtetit dhe më pas drejtuesi i saj Ardi Veliu.
Prokuroria ende nuk ka dhënë asnjë version zyrtar për ngjarjen.

Juventusi i bëhet mburojë Ronaldos: Një për të gjithë, të gjithë për një…

Juventusi është shtrënguar rreth Cristiano Ronaldos. Pas dëbimit të diskutueshëm të yllit portugez nga loja (me karton të kuq) ndaj Valencias, në ndeshjen e parë të Ligës së Kampioneve për këtë edicion, e gjithë bota bardhezi ka ngritur një mur të vërtetë në mbrojtje të CR7. Duke filluar nga shokët e skuadrës.
Në këtë kuptim, fotografia e Mandzukic, Chiellini, Bonucci dhe Bernardeschi, e hedhur në rrjetet sociale, të gjithë bashkë duke inkurajuar Cristiano Ronaldon, flet qartë. Një foto, që presidenti Andrea Agnelli e ka hedhur në “Twitter”, të shoqëruar nga motoja e famshme e “Tre Musketierët”: “Një për të gjithë, të gjithë për një”.
Cristiano Ronaldo, në anën tjetër, sipas një raporti në “La Gazzetta dello Sport”, ka vlerësuar padyshim mbështetjen e marrë dhe, pas ndeshjes, pavarësisht nga zemërimi, nuk është “zhdukur” plotësisht, por festoi fitoren me shokët e tij në dhomat e zhveshjes.
Tani, të dyja palët, Juventusi dhe CR7, presin vendimin e UEFA-s, që do ta shqyrtojë rastin më 27 shtator. Ka shumë hipoteza për momentin, por duket se ka të ngjarë që Ronaldo të vuajë pezullimin për një ndeshje, ngaqë mori karton të kuq, jo dënim ekstra disiplinor.

A do të udhëtojë Shaqiri me Liverpool drejt Serbisë

“Goal.com” i ka kushtuar një shkrim të posaçëm përplasjes së Liverpool me Crvena Zvezda në fazën e grupeve të Ligës së Kampioneve. Në qendër është Xherdan Shaqiri, futbollisti shqiptar i finalistëve të këtij kompeticioni në edicionin e kaluar, rrënjët e tij shqiptare, festimi me “shqiponjë” në Botërorin e Rusisë dhe raportet e tensionuara të Kosovës me Serbinë. Duke iu referuar të tillë “gjembave në mish”, ky sajt i mirënjohur ndërkombëtar futbolli apelon klubin nga “Anfield” që të mos e lejojë 26-vjeçarin të udhëtojë për në Serbi, në ndeshjen e 6 nëntorit.
Ja shkrimi i plotë:
“Xherdan Shaqiri ishte në qendër të polemikave gjatë Kupës së Botës së kësaj vere, pas festimit me “shqiponjë” të golit të tij kundër Serbisë, çka ishte një referencë ndaj shqiponjës mbi flamurin e Shqipërisë. Ky festim u interpretua si një gjest i zjarrtë politik.
Tensionet midis Serbisë dhe Kosovës, ku Shaqiri ka lindur, mbeten të larta dhe ndërkombëtari zviceran rrezikoi një pezullim për shkak të mënyrës së festimit të tij. Mbi Liverpool, që ka rënë në Grupin C të Ligës së Kampioneve me ekipin serb të Crvena Zvezda, pyetjet mbeten në lidhje me përfshirjen e Shaqirit dhe nëse është tepër e rrezikshme që ai të udhëtojë me “Reds” për në Serbi.
Pas shënimit të golit të fitores kundër Serbisë (për Zvicrën), në Grupin E të Kupës së Botës në Rusi, 26-vjeçari i kryqëzoi duart për të formuar një gjest, që ngjan me shqiponjën, duke iu referuar simbolit të flamurit kombëtar të Shqipërisë.

Shaqiri ka lindur në Kosovë, një shtet që e ka shpallur pavarësinë nga Serbia në vitin 2008, megjithëse kjo e fundit nuk e njeh nga atë. Për pasojë, festimi i Shaqirit kishte pasoja politike të diskutueshme, jashtë fushe.
Shenja e “shqiponjës”, që Shaqiri bëri, ishte një aluzion ndaj dështimit të Serbisë për të njohur vendlindjen e tij si shtet i pavarur dhe u interpretua si një deklaratë e hapur politike. Pavarësisht se Kosova është njohur si një shtet i pavarur nga UEFA dhe FIFA, Serbia ende refuzon ta shohë atë si të tillë, çka do të thotë se marrëdhëniet mbeten të tensionuara.
Shaqiri, gjithashtu, mbante këpucë sporti gjatë Kupës së Botës, ku dukeshin qartë flamuri zviceran dhe kosovar. “Unë nuk dua të flas për këtë, – u tha Shaqiri gazetarëve pas ndeshjes. – Në futboll ju keni gjithmonë emocione. Mund të shihni se çfarë kam bërë, kam emocione. Unë jam i lumtur që e shënoj këtë gol. Nuk duhet të flasim për këtë tani”.
Bashkëlojtari i Shaqirit te Zvicra, Granit Xhaka, gjithashtu festoi me “shqiponjë”, pasi hapi rezultatin kundër Serbisë me një goditje predhë nga distanca, duke barazuar 1-1. Mesfushori i Arsenalit ka lindur nga prindër shqiptarë nga Kosova, ndërsa babai i tij ishte i burgosur politik, pas demonstratave studentore të vitit 1986 në ish-Jugosllavi, kundër qeverisë komuniste në Beograd.
Përveç kësaj, vëllai i Xhakës, Taulanti, luan për ekipin kombëtar të Shqipërisë. Kapiteni i Zvicrës, Stephan Lichsteiner, erdhi në mbrojtje të Shaqirit dhe Xhakës, edhe pse trajneri Vladimir Petkoviç hodhi poshtë mundësinë për të diskutuar synimet e tyre politike, duke thënë se gjeste të tilla ishin të papërshtatshme për fushën e futbollit.
“Ju kurrë nuk duhet të përzieni politikën me futbollin, – tha Petkoviç. – Është mirë të jesh një tifoz, është e rëndësishme të tregosh respekt. Atmosfera e mrekullueshme dhe emocionet pozitive duhet të mbizotërojnë në futboll.

Ky nuk është vetëm mendimi im, por i të gjithë federatës dhe ekipeve në mbarë botën. Duhet ta ndajmë bashkarisht këtë mendim, sepse kjo është diçka, për të cilën nuk kemi nevojë këtu. Unë mendoj se nuk duhet të flasim aq shumë, por të tregojmë veten me futboll në fushë”.
Serbia kërkoi pezullimin e dy futbollistëve shqiptarë të Zvicrës, por FIFA, megjithatë, konfirmoi përmes një deklarate pas ndeshjes se ka gjobitur Shaqirin dhe Xhakën me nga 10 mijë franga zvicerane, ndërsa Lichsteiner me 5 mijë franga zvicerane. Të tre lojtarëve iu dhanë paralajmërime për “shkelje të kodit disiplinor të FIFA-s, për sjellje josportive dhe në kundërshtim me parimet e lojës së drejtë”.
Liverpool ka rënë në një grup me skuadrën serbe të Crvena Zvezda në Ligën e Kampionëve, këtë sezon, kështu që Shaqirin do ta priste një pritje armiqësore, nëse ai do të përfshihet në ndeshjen e largët, më 6 nëntor. Megjithatë, Liverpool mund të tregojë kujdes dhe të vendosë kundër përfshirjes së tij në skuadrën që do të udhëtojë drejt Serbisë, pasi tensioni politik dhe pritja potencialisht e rënduar mund të jenë shumë të diskutueshme.
Drejtori sportiv i Crvena Zvezda, Zvezdan Terziç, zbuloi se klubi i tij do të bëjë detyrën për të mbrojtur Shaqirin, së bashku me Liverpool, megjithëse theksoi ndikimin e situatës.
“Unë mendoj se Shaqiri do t’i nënshtrohet presionit të jashtëzakonshëm psikologjik, – tha Terziç për gazetën serbe “Kurir”. – Ai e di se ku do të shkojë. E di mirë se klubi ynë është një simbol i Serbisë, ndryshe nga Partizani i Beogradit, i cili përfaqëson Jugosllavinë më shumë.
Nuk e di nëse ai do të jetë i gatshëm të luajë në Serbi, në këto kushte, kështu që dyshoj se do të vijë. Ne duhet të bëjmë gjithçka që mundemi për ta bërë Shaqirin të ndihet sikur mund të luajë futboll, është detyra jonë ta mbrojmë atë”.
Ndonëse Xhaka kërkoi falje për festimin me “shqiponjë”, Shaqiri mbeti disi i patundur nga kjo gjë. “Sigurisht, kërkoj falje nëse njerëzit ndihen të sulmuar në Zvicër, tha Shaqiri. Dikujt, nuk e di, ndoshta në male, ku dikush e ndiqte lojën dhe shqetësohej, me siguri do t’i kërkoj falje”.

Thirrja e studiueses amerikane: Krimi pas ligjit për shembjen e Teatrit, ta kundërshtojmë

Një studuese amerikane ka denoncuar me tone të forta ligjin e Ramës për shembjen e Teatrit duke deklaruar prerët se pas atij ligji qëndron krimi. Studiuesja dr.Lory Amy ka bërë thirrje për reagim dhe kundërshtim të ligjit, ndërsa deklarata e saj pati jehonë edhe në Zërin e Amerikës.
Reagimi në VOA
“Rrëzimi i Teatrit, ngjarja më e madhe korruptive“. Studiuesja e njohur amerikane mbi trashëgimitë kulturore, dr. Lori Amy, foli dje me shqetësim për miratimin në parlament të ligjit, që parashikon rrëzimin e Teatrit Kombëtar dhe ndërtime të tjera në atë zonë.
“Kjo konferencë mbi korrupsionin në drejtësi dhe përfshirjen e qytetarëve kundër tij është jashtëzakonisht e rëndësishme” – tha ajo. Më tej Lory Ami u shpreh se:
Por në të njëjtën kohë, që po mbahet konferenca antikorrupsion në parlament po miratohet një ligj, që dihet mirë se bie ndesh dhe dhunon Kushtetutën. Ai ligj i heq këshillit bashkiak të drejtën të marrë vendime për qendrën e qytetit.
Natyra kriminale e këtij ligji është e tillë, që ne duhet ta ngremë sërish si çështje dhe ta kundërshtojmë. Duhet demaskuar kriminaliteti, që qëndron pas këtij ligji. Ne nuk kemi pse diskutojmë, nëse duhet një teatër i ri, sepse këtu nuk është çështja për një teatër të ri.
Çështja është ky partneritet jo transparent publik-privat, ku ne e dimë mirë se prapa tij fshihet korrupsioni. Pyetja ime në këtë dhomë është se çfarë duhet bërë për këtë? Ne po flasim këtu për masat anti-korrupsion, ndërkohë që në njëjtin çast po ndodh ngjarja më e madhe e korrupsionit në vend, ndaj duhet të merremi me të.

Ambasadorja e Trump injoron Bolton dhe pazaret Thaçi-Vuçiç: S’ndryshojmë qëndrim për Kosovën

Ambasadorja amerikanë në Kombet e Bashkuara, Nikki Haley, tha të enjten se “pozicioni amerikan për Kosovën nuk ka ndryshuar dhe ajo mbetet vend mik i Shteteve të Bashkuara”.
E pyetur nga gazetarët për qëndrimin amerikan në dritën e deklarimit të mëhershëm të këshilltarit për siguri kombëtare John Bolton që “nëse të dyja palët arrijnë marrëveshje, Shtetet e Bashkuara nuk e përjashtojnë rregullimin territorial”, ajo tha “nuk mendoj se pozicionet tona kanë ndryshuar. Ajo çka po dëgjoni është ajo që kemi thënë gjithmonë. Ne gjithmonë e kemi çmuar Kosovën, dhe e vlerësojmë si shtet mik dhe kështu do të mbetet edhe në të ardhmen. Mund të ketë zëra individual në administratë që flasin, por kur flasim si administratë, do të flasim me një zë të vetëm dhe kështu do të jetë”, tha ajo.
Që nga deklarata e zotit Bolton, zyrtarë amerikan kanë ritheksuar se “Shtetet e Bashkuara duan t’u japin hapësirë të dyja palëve që të gjejnë një zgjidhje “krijuese”, që do të jetë e qëndrueshme, e zbatueshme dhe do të çojë përpara sigurinë.
Në një intervistë për Zërin e Amerikës, senatori Ron Johnson tha më herët gjatë këtij muaji se “pas çdo marrëveshjeje të arritur ndërmjet Kosovës e Serbisë, Shtetet e Bashkuara do ta shohim atë për të parë nëse ka ndonjë shqetësim”.
Deklarimet e tilla pasuan qëndrimet e shprehura nga presidentët e Kosovës dhe Serbisë, Hashim Thaçi e Aleksandër Vuçiç, për një marrëveshje që nuk përjashton ndryshimin e kufijve.
Presidenti serb, e ka shpallur politikë të tij për kufizimin ndërmjet serbëve dhe shqiptarëve, ndërsa presidenti i Kosovës po vazhdon të mbrojë idenë e tij për korrigjimin e kufirit me Serbinë, që nënkupton bashkimin e Luginës së Preshevës me Kosovën.
Idetë e tilla janë nxitur edhe kundërshtime në një pjesë të vendeve të Bashkimit Evropian, posaçërisht Gjermanisë e Britanisë, që druajnë për pasoja në pjesën tjetër të rajonit të Ballkanit.

Në Kosovë, presidenti Thaçi përballet me kundërshtimin e një pjesë të partive në pushtet dhe partitë opozitare. Lëvizja Vetëvendosje madje ka paralajmëruar protesta.
Mediet vendëse në Kosovë shkruan të enjten se presidenti i Kosovës, i përballur me pamundësinë për të siguruar mbështetje për një marrëveshje të mundshme i ka dërguar Gjykatës Kushtetuese një kërkesë për interpretimin e nenit 18 të Kushtetutës së Kosovës, që flet për ratifikimin e marrëveshjeve ndërkombëtare.
Ky nen i kushtetutës thotë se:
1. Kuvendi i Republikës së Kosovës me votat e dy të tretave (2/3) e të gjithë deputetëve ratifikon marrëveshjet ndërkombëtare për këto çështje:
(1) territorin, paqen, aleancat, çështjet politike dhe ushtarake;
(2) të drejtat dhe liritë themelore;
(3) anëtarësimin e Republikës së Kosovës në organizata ndërkombëtare;
(4) marrjen përsipër të detyrimeve financiare nga ana e Republikës së Kosovës.
2. Marrëveshjet ndërkombëtare me përjashtim të atyre në pikën 1, ratifikohen pas nënshkrimit nga Presidenti i Republikës së Kosovës.
3. Presidenti i Republikës së Kosovës ose Kryeministri njoftojnë Kuvendin sa herë që të nënshkruhet një marrëveshje ndërkombëtare.
4. Amendamentimi ose tërheqja nga marrëveshjet ndërkombëtare do të kenë të njëjtën procedurë të vendim marrjes sikur ajo e ratifikimit të marrëveshjeve ndërkombëtare.
5. Parimet dhe procedurat për ratifikimin dhe kontestimin e marrëveshjeve ndërkombëtare rregullohen me ligj.

“VOA”

Mjekët arrestohen, ndërsa simboli i shkatërrimit të shëndetësisë është ende i lirë

Bardh SPAHIA

Akuzohen mjeket dhe arrestohen per abuzime, ne nje kohe kur simboli i shkaterrimit te shendetesise shqiptare Ilir Beqja, eshte ende i lire e madje ne parlament. Njeriu qe shpiku formen me spektakolare te vjedhjes ne shendetesi, PPP , per te cilat opozita ka bere me qindra denoncime publike dhe nje padi ne prokurori, vazhdon te sfidoje me mandatin e deputetit cdo mjek te ndershem qe nuk ka medikamente ne perdorim per pacientin e tij, cdo te semure qe eshte endur spitaleve pa barnat e kimioterapise.
Sigurisht qe Beqes nuk mund ti hynte gjemb ne kembe sepse eshte vetem nje zbatues i devotshem i vizionit te mbrapshte te Rames per shendetesine publike.
Dhe e keqja ne shendetsi vazhdon. Ministrja e rradhes sigurisht qe vetem do thellonte abuzimet dhe mungesat ne shendetesi duke i shkaktuar nje dem buxhetit te shtetit prej 10 milion euro ne vit vetem nga vonesa e listes se barnave.
Si profesionist i fushes e shoh me shqetesim pasojen e ketij “aksioni te bujshem” te prokurorise se Shkodres, faktin qe sot Spitali Rajonal i Shkodres eshte praktikisht i pamundur te ofroje sherbim per qytetaret shkodrane dhe me gjere.
Mjeket e arrestuar nuk jane vecse nje alibi mediokre per te fshehur burimin e vertete te kesaj afere korruptive, Ministrine e Shendetesise e cila kurrsesi nuk duhej te aprovonte blerjen e pajisjeve mjekesore ne nje kohe qe dinte mire gjendjen aktuale dhe aktivitetin mujor te repartit te hemodinamikes ne spitalin e Shkodres.
Asnje farse e ideuar nga Rama dhe ministrja e tij nuk e permirsojne dot imazhin e shemtuar te “shendetesise falas”.

Dorëhiqet edhe Kryeprokurori në hije i Markut

Tashmë askush nuk beson më tek Prokuroria e kapur nga Rama. Nuk bëhet më fjalë vetëm për kritikët e Markut, por edhe për bashkëpunëtorët më të farët të saj. Njoftohet se dje ka dhënë dorëheqjen edhe Sokol Stojani. Një nga njerëzit më të besuar të Prokurores së Përkohshme Arta Marku ka dhënë dorëheqjen pasi nuk ka pranuar që të hetojë 10 kolegët e tij të Krimeve të Rënda. Sot , Marku pasi e ka pasur të vështirë të pranojë dorëheqjen e Stojanit, ka firmosur shkarkimin e tij.
Sokol Stojani ka dhënë dorëheqjen nga detyra kreu i Drejtorisë së Inspektimit në Prokurori.
Ai nuk ka nuk pranuar të hetojë 10 kolegët e tij, pas urdhërit të djeshëm të Arta Markut për procedim disiplinor ndaj tyre.
Stojani nuk ka qenë vetëm një nga titullarët në Prokurori, por edhe njihet nga hetuesit si Kryeprokurori në hije, pasi ai konsiderohej si njeriu që organizonte Markun që të fshihte injorancën e saj në fushën ky vepron. Nëse e vini re në shumë nga daljet e pakta të Markut, gjithnjë në krah ka qenë Stojani. Ai konsiderohej po I tillë edhe në kohën e kryeprokurores, Ina Rama. Ishte njeriu më I farët I saj dhe që e mbante gjithnjë në krah. Largimi i tij tregon për krizën e thellë në të cilën gjendet sot Prokuroria nga kapja politike e Ramës.
Por situata duket se është më e rëndë se kaq.
10 prokurorët që janë vënë në hetim disiplinor kanë paditur vetë kryeprokuroren e Përkohshme dhe kërkojnë të rrëzojnë urdhrin e saj, që sipas tyre është jashtë kompetencave të saj.
Një ditë më parë kryeprokurorja Arta Marku vendosi hetimin disiplinor për 10 prokurorët e e Prokurorisë së Krimeve të Rënda dhe transferimin e tre të tjerëve

Çështja “Shullazi”/ ‘Luftë’ tek Krimet e Rënda, ndërhyn policia

Një pëplasje e madhe ka ndodhur në Prokurorinë e Krimeve të Rënda ku për të qetësuar situatën është thirrur për ndihmë policia.
Çështja “Shullazi” ka ndezur gjakrat mes prokurorëve me drejtuesen e Prokurorisë së Krimeve të Rënda Donika Prela. Gazetarja Klodiana Lala raportoi për “BalkanWeb” se për të qetësuar situatën Prela ka thirrur policinë.
Sipas burimeve, sherri ka ndodhur midis kryeprokurores së Krimeve të Rënda Donika Prela dhe një prej prokurorëve të çështjes “Shullazi”. Ndërkaq mësohet se Prokurorja Sonila Muhametaj kërkoi takim me kryeprokuroren e Krimëve, Prelën ditën e djeshme, por ajo e refuzoi, kjo ka qenë një nga arsyet që përplasja ka prekur edhe kreun e organit të akuzës. Më pas prokurorja Muhametaj e ka goditur me shpullë Donika Prelën.
Ndërkohë, sot është përcaktuar grupi i prokurorëve të Krimeve të Rënda që do të lexojnë pretencën e grupit kriminal të drejtuar nga Emiljano Shullazi.
Por emrat janë mbajtur të fshehtë nga ana e Prokurorisë, me qëllim eliminim e ndikimeve negative që mund të bëhen ndaj tyre.
‘Në Prokurorinë Pranë Gjykatës së Shkallës së Parë për Krime të Rënda, Tiranë përcaktohet grupi i prokurorëve që do të përfaqësojnë në gjykim çështjen në ngarkim të të pandehurve Emiljano Shullazi, Gilmando Dani, Endrit Qyqja, Endrit Zela dhe Blerim Shullazi.
Emrat e prokurorëve do të bëhen publikë në seancën gjyqësore të radhës’, thuhet në një njoftim të Prokurorisë së Përgjithshme.

Një ‘zombi’ po shkon tek Presidenti

Nga Oerd BYLYKBASHI
‎‎
Ligji i Teatrit vdiq. Kur dekreti i vetos i Presidentit pranohet nga Parlamenti, ligji ka pushuar se ekzistuari. Por Rama u përpoq ta ngjallë duke amenduar një ligj të vdekur. Antikushtetuese? Kjo nuk është asgjë!
Sepse Edi Rama po rrëmben kompetencën që ka Presidenti që të ktheje me veto një ligj që shkel Kushtetutën. Pasi i hoqi “rropullitë” e vdekura, ligjit të Teatrit që vdiq pa parë ende diellin, Rama bëri amendamente si makiazh pa ndryshuar qëllimin korruptiv, duke ruajtur ‎të pandryshuar numrin e ligjit. Pra, në formë është i njejti ligj, me të njejtin numër. Këtë sajesë, që e quan ligj të njëjtë me atë që është votuar më parë sepse nuk ka ndryshuar numër dhe po ia dërgon Presidentit për dekretim.
Meqë Kushtetuta thotë se Presidenti nuk mund ta kthejë dy herë të njëjtin ligj, “ustallarët” e Ramës na paskan gjetur një hile antikushtetuese. Meqë numri i ligjit nuk ka ndryshuar, do të pretendojnë se Presidenti nuk mund ta kthejë përsëri me veto këtë ligj të Ramës.‎ ‎Pikërisht me këtë hile, Rama kërkon t’ia ‎hedhë, ligjin ta miratojë, gjoja të hapë garë, të fitojë Fusha dhe Rama të fitojë 200 milionë eurot.
Pse nuk paraqet ligj të ri Rama, ku të reflektojë kritikat e Presidentit? Sepse do të ishte qartazi ligj i ri me numër të ri dhe do të jepte mundësi për veto të re të Presidentit. Por Presidenti nuk shqyrton numrin e ligjit, por brendinë e tij.
Vetëm nëse Parlamenti do të rrëzonte dekretin e Presidentit, ‎që do të thotë se brendia e ligjit nuk do të ndryshonte,

Presidenti nuk e kthen dot më për rishqyrtim, sepse ia ndalon Kushtetuta, ngaqë Parlamenti vendosi përfundimisht duke rikonfirmuar të paprekur brendinë e ligjit të kthyer nga Presidenti. Ama, kur brendia e një ligji ndryshon sërish, qoftë edhe me një fjalë të vetme, Presidenti ka të drejtë ta shqyrtojë e ta kthejë përsëri në Parlament nëse është nevoja. Por në çdo rast, e gjithë ajo qe ndodhi dje ne Kuvend eshte antikushtetuese sepse nuk amendohet një ligj i rrëzuar nga Presidenti, pavarësisht ndonjë precedenti antikushtetues që mund të ketë kaluar pa u venë re.
Precedenti i keq nuk e ndryshon as germën as frymën e Kushtetutes. Ligji i rrëzuar tërhiqet dhe riparaqitet nga e para si inisiative e re dhe po të jetë nevoja, Presidenti e kthen sërish. Praktika kushtetuese italiane që ka të njejtin mekanizëm vetoje, lejon vetëm rivotim të ligjit te kthyer ‎pa bërë ndryshime. Pikërisht këtë po perpiqet të shmangë Rama sepse i prish shumë punë. Pra, me këtë hile Kryeministri, pasi ka marrë çdo pushtet, po i zhben tinëzisht Presidentit kompetencën kushtetuese të vetos me qëllim që ligji të kalojë patjetër.
‎Ligji i vdekur i Ramës po çapitet përsëri si një zombi drejt Presidencës, e më pas do t’i turret Teatrit dhe pronës publike për t’i shqyer.
Presidenti duhet ta ndalë patjetër këtë kërmë tërësisht antikushtetuese‎! Kjo është arma e fundit institucionale që ka mbetur tashmë që ka vdekur Gjykata Kushtetuese. Nëse Presidenti nuk shprehet, do ta quajnë këtë ligj-zombi të shpallur dhe do të hyje në fuqi. ‎
Ndoshta për ata që ende i besojnë “Reformës në Dredhësi” të Ramës, fjala Kushtetutë ka pak rëndësi dhe Gjykata Kushtetuese më mirë që nuk egziston. Por kjo e keqe që drejton sot Shqipërinë duhet shporrur me çdo kusht, ose ajo që kemi parë deri më sot nuk është ende asgjë!

Shpartallohet Prokuroria, jep dorëheqjen i besuari i Arta Markut, 10 prokurorë padisin kryeprokuroren

Një nga njerëzit më të besuar të Prokurores së Përkohshme Arta Marku ka dhënë dorëheqjen pasi nuk ka pranuar që të hetojë 10 kolegët e tij të Krimeve të Rënda, me urdhër të kryeprokurores.
Sokol Stojani ka dhënë dorëheqjen nga detyra kreu i Drejtorisë së Inspektimit në Prokurori.
Ai nuk ka nuk pranuar të hetojë 10 kolegët e tij, pas urdhërit të djeshëm të Arta Markut për procedim disiplinor ndaj tyre.
Por situata duket se është më e rëndë se kaq.
10 prokurorët që janë vënë në hetim disiplinor kanë paditur vetë kryeprokuroren e Përkohshme dhe kërkojnë të rrëzojnë urdhrin e saj, që sipas tyre është jashtë kompetencave të saj, dhe se kjo është një hakamarrje personale e saj.
Një ditë më parë kryeprokurorja Arta Marku vendosi hetimin disiplinor për 10 prokurorët e e Prokurorisë së Krimeve të Rënda dhe transferimin e tre të tjerëve
Prokurorët që janë vënë në hetim janë: Olsian Çela, Përparim Kulluri, Behar Dibra, Sonila Muhametaj, Arenc Çela, Edvin Kondili, Pranvera Pustina, Eugen Beçi, Blerim Tominaj dhe Besim Hajdarmataj.