19.5 C
Tirana
E diel, 24 Gusht, 2025

Banori i Jalës thirrje ndërkombëtarëve pas lirimit nga policia: Ndërhyni, mund të na vrasin!

“Ka interesa të mëdha për pronën”, shprehet një banor i Jalës pas lirimit nga policia: “Kemi frikë për jetën tonë”!
Pas daljes nga ambjentet e Komisariatit, Edi Bala një nga banorët e Jalës në një lidhje telefonike me Faxnews ka rrëfyer situatën e rënduar në të cilën ndodhen. Pas shembjes së pronës së tyre, ai është shprehur se nuk kanë as rroba për të veshur, as ku të flenë. Ndër të tjera Bala ka theksuar se për shkak të gjendjes së rënduar të gjithë ata kanë nevojë për psikolog, veçanërisht mbesa e tij 14 vjeçare e cila u mbajt së bashku me 7 banorët e Jalës në Komisariat deri në orën 23:00.
Banori i Jalës thekson se, pavarësisht situatës së rënduar nuk e hap telefonin as kryetari i Bashkisë, as deputeti Damian Gjiknuri, ai i bën apel edhe përfaqësueve amerikanë në Shqipëri që të ndërhyjnë pasi të gjithë ata kanë frikë për jetën e tyre.
“Nuk kemi as rroba për të veshur, edhe ato pak të ardhura që kishim janë shembur bashkë me shtëpinë. Jemi në gjendje të mjerueshme nuk kemi ku të flemë. Edhe mbesës sime që ishte 14 vjeç që kishte nevojë për psikolog e kanë marrë në Komisariat.

Nuk e hap telefonin as kryetari i Bashkisë as deputeti Damian Gjiknuri. Ikën në Kukës ndërkohë banorët e tij kanë ngelur pa shtëpi. Është bërë si gjendje lufte, nuk kemi ku të jetojmë. Ndoshta i pëlqen prona dhe duan ta marrin me patjetër.
Familjarët u mbajtën deri në orën 23;00 në polici. Në vitin 2012 është bërë tentativë të merret prona. Ambasadori amerikan të vijë sepsen kemi frikë edhe për jetën tonë, sepse edhe mund të na vrasin, ka interesa të mëdha për pronën. Jemi të bindur se dikush është më i fuqishëm që pretendon ta privatizojë”, tha ai për Faxnews.
Ditën e djeshme u bë shoqërimi me dhunë i banorëve që protestuan në Jalë për shkak të prishjes së banesave të tyre. Policia ndërhyri duke marrë me forcë drejt makinave disa prej banorëve, ndërsa deri më tani të paktën 9 objekte janë prishur.

Masakrohet biznesmeni nga 5 persona në mes të Tiranës, autorët të lirë

Një biznesmen është masakruar në mes të Tiranës nga persona ende të panjohur për policinë. Ngjarja e rëndë ka ndodhur mesnatën e djeshem në rrugën ‘Merdar Shtylla’ në Komunën e Parisit. Biznesmeni Andrea Zoga, i cili ka disa aktivitete në Tiranë, restorante dhe fast-foode, ka marrë plagë në kokë dhe trup.
Gjatë dëshmisë së tij, biznesmeni tha se 4-5 persona i kishin zënë pritë pranë shtëpisë me një makinë tip ‘Golf’ dhe më pas ata e kanë dhunuar. Fill pas ngjarjes, Zoga është dërguar me urgjencë në spitalin e Traumës për të marrë mjekimin e nevojshëm. Mësohet se më herët biznesmeni ka denoncuar kërcënimet ndaj tij, por çështja u pushua nga prokuroria. BW shkruan se për ngjarjen e sotme, biznesmeni nuk ka bërë denoncim në polici.

Deklarata e biznesmenit të dhunuar: 3 muaj më parë më erdhën tek biznesi…
Teksa merr ndihmën mjeksore, pronari i rrjetit të “fast food-eve” “Big bite” Andrea Zogo, ka dhënë një deklaratë për gazetarët, ku fajëson të vëllain për ngjarjen e mbrëmshme.
“Vëllai ka konflikt me persona të tjera. Bëhet fjalë për një konflikt për pronën. Mbi këtë pronë është ndërtuar pallat dhe i vëllai ka detyrim ndaj këtyre personave. Unë jam kërcënuar. Çështjen e kam çuar në prokurori që nuk jam në dijeni dhe i përgjegjshëm për këtë çështje”, është shprehur biznesmeni para gazetarëve, ndërsa shton: “Skam asnjë konflikt. 3 muaj më parë më erdhën tek biznesi dhe më kërcënuan”.
Zogo është shprehur se nëse nuk do të veprojë drejtësia ai do të larghet nga vendi.

-Intervista e biznesmenit me gazetarët
-Si ndodhi ngjarja?
Vëllai ka konflikt me persona të tjera. Bëhet fjalë për një konflikt për pronën. Mbi këtë pronë është ndërtuar pallat dhe i vëllai ka detyrim ndaj këtyre personave. Unë jam kërcënuar. Çështjen e kam çuar në prokurori që nuk jam në dijeni dhe i përgjegjshëm për këtë çështje. Prokurori Julian Zonja e mbyll këtë çështje pa e rihapur fare pasi nuk gjen prova. Sot pas një muaj pasi është mbyllur çështja në darkë një bandë që të dhunon në mes të rrugës. Skam asnjë konflikt tjetër. Kam 20 vite në treg. Jam një nga sponsorat e ambasadës amerikane. Dallova vetëm dy persona me kapele që kishin ulur kokën që po drejtoheshin drejt meje, që mos ti njihja. Më pas 4 persona më sulen. Bëra denoncim në polici dhe tek kryeministri. I falënderoj. Kërkoj që të merren masa për këtë rast. Skam asnjë konflikt. 3 muaj më parë më erdhën tek biznesi dhe më kërcënuan. Ka kamera sigurie. Kur më erdhën për të folur i thash nuk flas me tim vëlla prej vitesh nuk kam lidhje me këtë histori ju lutem më lini rehat. Para disa kohësh më kërcënuan me jetë, sot e bënë realitet.
-Ku ndodhet vëllai juaj?
Është jashtë ka disa muaj që është jashtë nuk kam marrëdhënie me të.
-Nëse çështja mbyllet nga prokuroria si do të veproni?
Do largohem jashtë do gjej zgjidhjen më të mirë të largohem jashtë.

Të burgosurit e Fierit denoncojnë drejtorin tepelenas: “Mjaft i kemi larë muret me gjak”!

Në redaksinë e emisionit “Stop” kanë mbërritur shumë letra nga persona që vuajnë dënimin në burgun e Fierit apo familjarë të tyre. Ata ankohen për sjellje të padenja nga ana e drejtorit Arjan Hasani, i cili i dhunon dhe nuk u lejon të burgosurve të drejtat më minimale.
Në një nga letrat shkruhet…
“Ju kërkojmë ndjesë për shqetësimin. Po ju shkruajmë nga burgu i Fierit. Saimir dhe Genti, për shoqërinë jashtë ne jemi llumi i shoqërisë, por edhe pse jemi në burg, kemi dhe ne të drejtat tona. Dhe në burg nuk ka vetëm përdhunues dhe pedofila, por ka dhe (persona) pa patentë, ndërtim pa leje, mospagim dritash dhe uji.
Problemi jonë është sesa herë ky burg drejtohet nga Arjan Hasani këtu mbizotëron dhuna dhe asgjë nuk funksionon. Ky në punë fut kushërinjtë e vet dhe të zonës së vet dhe këtu nuk funksionon më asgjë, përveç se dhuna, druri, izolimi, hakmarrja dhe arroganca.
Ne nuk kërkojmë privilegje në burg, se ky është burg i sigurisë së ulët, ku ka krime të lehta. Ne kërkojmë që të mos ketë dhunë dhe që drejtori të mos bëjë me ne si të dojë ai dhe kundra ligjit, se para ligjit jemi të gjithë njësoj.
Na vjen në 2 të natës kontroll, ushtrojnë dhunë fizike e psiqike, na tallin, na shajnë. Dhe kështu ne i hymë në grevë. E di si na tha me atë arrogancën prej tepelenasi? ‘Shkoni ankohuni te Stopi’. Ne ndodhemi në katin e parë, godina e paraburgimit. Pse u ngritëm në grevë, vetëm neve na ka mbyllur dyert. Në asnjë godinë nuk është kështu, vetëm te ne, pse u ankuam kundra këtij.
Ju lutemi na ndihmoni që të trajtohemi si të gjithë të dënuarit e burgut e të burgjeve të tjera. Mjaft i kemi larë muret me gjak! Ju lutem na sillni përfaqësues të Avokatit të Popullit që ta shikojnë gjendjen këtu”.

Ndërsa në një tjetër thuhet…
“Urojmë që letra t’ju gjejë mirë. Ne që po ju shkruajmë jemi të dënuarit e burgut të Fierit, godina e paraburgimit, kati i parë. Jemi në grevë qysh nga e premtja. Problemet tona ia shkruajtëm dhe ia thamë në sy pronarit të burgut, Arjan Hasanit. Themi pronari, se nga dita që është rikthyer në punë e ka kthyer burgun në privat.
Sapo iu ankuam në sy dhe i dhamë dhe letrën me firma, grisi letrën dhe na ka mbyllur dyert që të mos takohemi me njëri-tjetrin. Ka bllokuar telefonatat që të mos ankohemi te gazetarët, Avokati i Popullit dhe Komiteti i Helsinkit.
Pika jonë e parë e grevës është të hiqet dhuna fizike dhe psiqike që ka instaluar Arjan Hasani me kushërinjtë e vetë, që i ka punësuar në grupin e gatshëm!
Të na lejohen ilaçet që na sjell familja se këto të burgut nuk i kemi parë asnjëherë. Mos harrojmë se në këtë burg kanë vdekur 3 të dënuar, për sa kohë e ka drejtuar drejtori Arjan Hasani.
Duam që të funksionojnë dushet e uji i nxehtë që të lahemi. Duam që shitësi nga Tepelena, njeriu i drejtorit, të ulë çmimet. Një kos 1 mijë e 500 lekë të vjetra.
Duam që të mos na terrorizojnë me kontrolle që na bëjnë në 1, 2 ose 3 të natës. Sa i ankohemi ky njeri hakmerret. Duam që burgu të kthehet si ka qenë me drejtorët e mëparshëm, institucion edukimi dhe jo institucion xhunglimi dhe druri.
Shpresojmë të na mirëkuptoni se nuk duam luks, as pishina në burg, por duam që të mos të na rrahin më tek izolimet se aty nuk ka kamera. Ju lutemi na çoni përfaqësues të Avokatit të Popullit dhe Komitetit të Helsinkit ta shikojnë gjendjen vetë”.
Po ashtu për këtë burg është ankuar edhe e ëma e një të burgosuri nëpërmjet një letre, ku shkruhet…

“Përshëndetje Saimir dhe Genti. Jam një shqiptare e jo serbe. Kam djalin në burgun e Fierit për aksident me makinë dhe jo për terrorizëm dhe krime lufte. Kur shkova para 2 ditësh te djali e pashë me shenja në fytyrë e të trembur. Plaçkat që nxori jashtë që t’ja laj ishin me gjak. Më tregoi djali që janë në grevë kundra dhunës që ushtron drejtori Arjan Hasani.
Saimir të keqen nëna, sa është rikthyer ky drejtor kemi frikë të shkojmë në takim se na dalin fëmijët të trembur dhe gjithë shenja.
Policët janë ndërruar të gjithë dhe këta të rinjtë nuk sillen mirë dhe me ne familjarët. Ju lutemi Saimir na ndihmoni, të keqen nëna. Me respekte, anonim se na rreh çunin prapë”.
Një ish-efektiv policie pohoi gjithashtu dhunën e ushtruar nga drejtori Arjan Hasani ndaj të dënuarve dhe tregoi se është i papunë vetëm pse e kundërshtoi këtë fakt.
“Tani jam i papunë sepse me rikthimin e drejtorit Arjan Hasani nuk pranova të dhunoj të dënuarit. Ai më hoqi nga puna dhe ka futur në punë kushërinjtë e vetë dhe tepelensa. Ky drejtor e ka kthyer burgun në privat. Sa erdhi filloi të hakmerret kundër të gjithë personelit duke i hequr nga puna dhe duke vendosur njerëzit e tij. E ka kthyer burgun e Fierit në ferr të vërtetë. Na thoshte: ‘Mos komunikoni me të dënuarit se janë armiqtë tanë’. Po puna ime e tillë është se i dënuari te polici shkon për çdo gjë.
Ju lutem, ju bëj thirrje që në burgun e Fierit të hyjë për kontroll Shërbimi i Brendshëm i Burgjeve që quhet SHKBB dhe varet nga Ministria e Drejtësisë e do shikojnë shkeljet që ka bërë e po bën drejtori Hasani. Ky të heq nga puna sikur ta ketë pronë të babës”.
Moderatori i emisionit “Stop”, Saimir Kodra i bëri thirrje Avokatit të Popullit dhe SHÇBA-së së Ministrisë së Brendshme për të kryer një kontroll në burgun e Fierit, pasi drejtori Arjan Hasani nuk mund t’i trajtojë të dënuarit në këtë mënyrë. /TVKlan.al/

Zëri i Amerikës: Hapet garë formale për Teatrin, por ligji nuk votohet as nen për nen

Në Shqipëri, shumica e majtë në Komisionin parlamentar të Veprimtarive Prodhuese votoi të martën pasdite, ndryshimet në ligjin për ndërtimin e Teatrit të ri në Tiranë, të cilat hapin një garë për realizimin e këtij projekti si dhe zhvillimin e zonës përreth, në qendër të kryeqytetit. Varianti i mëparshëm parashikonte që gjithçka të realizohej nga kompania “Fusha”, e cila merrte përsipër ndërtimin me fondet e saj të godinës së re sipas projektit të arkitektit të njohur danez Bjarke Ingels, në këmbim të mundësisë për të ndërtuar një bllok pallatesh shumëkatëshe në zonën pas Teatrit në një sipërfaqe e cila në pjesën dërrmuese është në pronësi shtetërore.
Shumica u tërhoq nga ligji i posaçëm i propozuar nga Qeveria, pasi hasi në kundërshtime nga Komisioni Europian, i cili në letrën dërguar autoriteteve shqiptare theksonte se i inkurajonte ato “që të ndjekin pajtueshmërinë me parimet e prokurimit publik të BE-së dhe të sigurojnë qasje jodiskriminuese në treg”. Por ndryshimet e miratuara sot në Komision duket se në të vërtetë hapin një garë thjesht formale dhe kompanitë e tjera që mund të ishin të interesuara janë në kushte tërësisht të pabarabarta me kompaninë “Fusha”
Afati që ju është lënë për dorëzimin e projektit është vetëm 30 ditë, një kohë, e cila sipas ekspertëve të kontaktuar nga “Zëri i Amerikës” konsiderohet thuajse e pamundur nga pikëpamja teknike për realizimin e një propozimi serioz, ndërkohë që “Fusha” e ka tashmë të gatshëm.
Vetë arkitekti danez Ingels, në emisionin Top Shoë në Top Channel ka pohuar se për projektin e Teatrit kishte nisur të punonte që prej dhjetorit të vitit 2016.

Së dyti, projekti i arkitektit Ingels, është prezantuar sikur të jetë porositur nga kompania “Fusha”. Por sërish është arkitekti danez ai i cili ka zbuluar se kërkesa për godinën e re të Teatrit i ka ardhur nga kryeministri Edi Rama dhe kryebashkiaku Erion Veliaj.
Ndryshimet e propozuara nga e majta u prezantuan sot në Komisionin e Veprimtarive Prodhuese në kuadër të shqyrtimit të dekretit të presidentit Ilir Meta i cili e ktheu pas ligjin e miratuar në fillim të korrikut për Teatrin, shoqëruar me një numër të madh vërejtjesh. Komisioni votoi pro dekretit të Presidentit, që sillte rrëzimin e ligjit, por deputetët socialistë nuk preferuan që ndryshimet t’i kalonin në një moment të dytë, duke zgjedhur amendimin e ligjit brenda shqyrtimit të dekretit. Një praktikë e kundërshtuar me forcë nga opozita, por për të cilën shumica solli precedentë të mëparshëm të ngjashëm që në kohën kur e djathta kishte qenë vetë në pushtet. Një zgjedhje e tillë bën që ndryshimet e propozuara të mos kalojnë më përmes presidentit por të hyjnë automatikisht në fuqi.
Mbledhja e Komisionit u zhvillua në një kaos të plotë, mes debatesh të ashpra mes palëve. Mbi thelbin e ndryshimeve të propozuar as që u diskutua, dhe të majtët, pas leximit të shpejtë të të gjitha neneve, e hodhën në votim. Një procedurë e zhvilluar ndërsa deputetët e opozitës ishin thuajse të gjithë në këmbë duke kundërshtuar.
Kryetari i Komisionit, socialisti Eduard Shalsi, zgjodhi të mos kërkonte as formalisht votimin e çdo neni, duke kapërcyer nga neni 8 direkt në nenin e fundit 11 të projektligjit të propozuar prej tyre, duke i hapur kështu rrugë dërgimit në seancën e ditës së enjte në sallën e parlamentit.

“VOA”

Reagimi i fortë i Lubonjës: Koha për përplasje fizike dhe përballje, demokracia ka rënë

Analisti Fatos Lubonja thotë se, për çështjen e Teatrit Kombëtar duhet reagim më i fortë. Në studion e “News24”, ai tha se mazhoranca duhet se nuk do të tërhiqet nga ideja e shembjes së Teatrit, ndaj shtoi se nëse është e nevojshme do të duhet rezistencë fizike.
Teksa ka komentuar letrën e Komisionit Europian për ligjin për Teatrin, Lubonja tha se kjo gjë tregoi se në vendin tonë “nuk funksion demokracia, por ndërkombëtarokracia”.
Lubonja u ndal edhe tek diskutimet e bëra gjatë paradites së sotme së bashku me një grup artistësh dhe përfaqësuesish të Shoqërisë Civile, në një mbledhje të organizuar për hapat që do të ndiqen për çështjen e Teatrit.
“Mbledhja e sotme ishte një thirrje e gjithë atyre që kane qenë aktorë në shembjen e teatrit, aktorë, pjesëtarë nga shoqëria civile, etj. Aty u diskutua për hapat që duhen ndërmarrë pas letrës së mbërritur nga KE. Pati edhe përfaqësues nga PD, Jorida tabaku, dhe Albana Vokshi.

Gjatë mbledhjes u ngrit pyetja se çfarë duhet të bëjmë. Pati mendime të ndryshme. Unë shpreha mendimin për dy gjëra që duhen bërë. Te ne nuk funksion demokracia, por ndërkombëtarokracia. Këtu nuk vepruan të gjitha institucionet tona, por një letër nga KE e ndaloi këtë proces për teatrin.
Meqë vendoska një ndërkombëtar, që është më i fortë se ky i forti që na nëpërkëmb ne. Këta nuk duket se kanë ndërmend të ndërrojnë mendje, dhe duan ta shembin siç bënë me stadiumin. Por duhet rezistencë fizike. Duhet përballje. T’i dilet përpara fadromave, dhe çfarë do bëjnë pastaj, do të vrasin njerëz?! Kjo është fatkeqësi padyshim, por kështu është kur përballesh me regjime të tilla. Përndryshe do të vijnë gjëra të tjera më vonë. Unë reagimin nuk e shoh vetëm tek rezistenca fizike, por edhe tek ndërgjegjësimi. Këta duhet të reagojnë. Sidomos pas asaj letre që erdhi nga KE”, u shpreh Lubonja.
Më tej, Lubonja tha se do të ishte mirë që krijohej një projekt alternativ për rikonstruksionin e teatrit.

Policia e Xhafës asgjëson aq kanabis në 8 muaj, sa bllokojnë italianët në një gomone të vetme

Rreth 10 mijë bimë narkotike kanabis sativa u asgjesuan gjatë 8 muajve të parë të 2018 në të gjithë vendin nga policia e Shtetit.
ABC News ka siguruar shifrat zyrtare nga drejtoria e Përgjithshme e Policisë së shtetit, ku thuhet se pjesa më e madhe bimëve ishte kultivuar në zonat jugut, si periferia e Përmetit, Tepelenës dhe Memaliajt. Gjithashtu janë evidentuar kanabis edhe në malësinë e Krujës dhe të Matit. Këto zonë edhe në të kaluarën kanë qenë të evidentuara nga uniformat blu si vende ku kultovoheshin bimët narktotike. Policia Shtetit pohon se, shifra e asgjesimit për 2018 është 4 herë më pak krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Policia nuk bën të ditur se sa është sipërfaqja në total e kultivuar me bimë narkotike në të gjithë vendin, duke vënë në dispozicion vetëm asgjesimin e tyre.
Pavarësisht asgjesimit të bimëve narktotike, që sipas uniformave blu në shifrat historike, përsëri në brigjet italiane nuk kanë munguar dërgesat me kanabis të nisura me gomone nga Shqipëria. Sasia e drogës, dyshohet se ka qenë e magazinuar nga vitet e kaluara, e cila kishte mbetur stok pasi tregu ka qenë i tejngopur me lëndë narktotike, duke ulur ndjeshëm edhe çmimin e saj.
Pak kohë më parë, u asgjësuan rreth 5 mijë bimë narkotike në Frashër të Përmet dhe në Gvallë të Memaliajt. Për këto aksione u prangosn 4 persona dhe 2 të tjerë u shpallën në kërkim.

Arta Marku, nëntë muaj flirtrim me qeverinë

Nga Oerd Bylykbashi

Sot Arta Marku është nëntë muajshe në krye të Prokurorisë. Asnjë bos rrjetesh kriminale nuk është kapur. Asnjë ministër, ish-ministër, deputet apo ish deputet i lidhur me krimin apo kriminel në vete të parë, nuk është arrestuar e vënë para drejtësisë.
Në nëntë muaj, Prokurorja e Përkohshme (9 muaj e quajnë përkohshmëri ?!) vetëm ka flirtuar me qeverinë. E vetmja detyrë e saj ka qenë t’ia nënshtronte prokurorinë qeverisë‎, duke vënë dhe hequr prokurorët që do apo nuk do Rama, apo mbyllur hetimet që hapen ndaj qeverisë.
Detyra e saj e fundit do te jetë që të detyrojë prokurorët që të mblidhen e të zgjedhin anëtarët e KLP që do Rama.
U mbars reforma dhe polli një hiç të pafrymë!

Populli po vuan skizofreninë e një bastardi pa dinjitet

Kreu i deputetëve të LSI, Petrit Vasili, ka reaguar ashpër ndaj dhunimit të banorëve të Jalës nga policia gjatë ditës së sotme.
Vasili e cilësoi Kryeministrin Rama si “një armik i shfrenuar që godet popullin”.
Ai shkruan se këta banorë po vuajnë skrizofeninë e një bastardi pa dinjitet.
Postimi i plotë i Petrit Vasilit
Kryeministri ne Jal, armik i shfrenuar qe godet popullin.
Kryeministri dhunon me urrejtje njerezit ne Jal, ne fshatin e gjoja origjines se tij.
Ky i çekulibruar menderisht ka leshuar çakejte e tij mbi njerezit e thjeshte ne Jal.
I pabese dhe i pashprese eshte leshuar mbi burrat, grate dhe femijet, qe kane lene kockat per te mbijetuar.
Vunoi, ky fshat krenar, punetor dhe dinjitoz, padrejtesisht po vuan skizofrenine e nje bastardi pa dinjitet.

Duhet bashkim kundër krimit dhe korrupsionit në qeveri

Nga Naim Hasani

Dega e Partisë Demokratike në Britani të Madhe përshëndet marrëveshjen e arritur mes Kryetarit të Partisë Demokratike të Shqipërisë z. Lulzim Basha dhe Kryetarit të Partisë për Drejtësi, Integrim dhe Unitet z.Shpëtim Idrizi.
Afrimi i çdo partie, çdo grupimi tjetër politik apo jo dhe çdo intelektuali dhe qytetari të ndershëm me Partine Demokratike dhe liderin e saj z. Lulzim Basha, me dëshirën dhe vendosmërinë për një ndarje njëherë e përgjithmonë nga një qeverisje pseudo Rilindase, e cila fatkeqësisht i ka prere shpresat shumicës dërrmuese të shqiptarëve, përfshi edhe socialisteve të ndershëm, është një domosdoshmëri imediate dhe parësore, qe mund dhe duhet të arrihet sa më pare.
Bashkimi historik duhet të arrihet, për te ju kundërvënë më të gjitha mjetet demokratike dhe paqësore, krimit dhe korrupsionit skandaloz qe ka pushtuar çdo qelize të shoqërisë shqiptare.
Pasurimi i një qeverie dhe qëndrimi i saj në pushtet duke i dhënë pushtet krimit dhe fuqizuar kriminelet, për te frikësuar shpirtin liridashës të njerëzve të thjeshte dhe të ndershëm, duke i detyruar të largohen në mase nga Shqipëria me të paktën 370,000 shqiptare të larguar ne 6 vitet e “Rilindjes”, nuk është dhe kurrë nuk mund të jete pjese e një shoqërie Evropiane dhe Demokratike e të pakorruptuar, qe duhet medoemos të ndërtoje Shqipëria për ty bere anëtare me të drejta të plota e Bashkimit Europian.
Ju bëjmë thirrje rinise shqiptare dhe inteligjencës në përgjithësi, të mos zgjedhin largimin nga trungu, por të zgjedhin qëndrimin e tyre në atdhe dhe të ndihmojnë Partine Demokratike dhe liderin e opozitës shqiptare në përpjekjen finale për pastrimin e çdo dege dhe çdo qelize të shoqërisë shqiptare nga kanceri qe ka injektuar “Rilindja”.
Kjo është e vetmja rruge për te ju ngjallur shpresën dhe besimin shqiptarëve se e ardhmja e tyre është në Shqipëri dhe jo neper bote.
Partia Demokratike dhe z. Basha, si një lider më orientim tërësisht perëndimore, duhet dhe do të dine t’i udhëheqin shqiptarët drejt një të ardhme dhe alternative, larg nga modeli qe të gjithë shohin dhe prekin përditë, më shpresën për një Shqipëri më një drejtësi te pavarur, ku vetingu kryesor të filloje nga politika dhe politikanet.
Ndarja e politikes dhe parlamentit shqiptar nga krimi dhe kriminelet është një domosdoshmëri ekzistenciale, pa të cilën nuk mund të kemi as drejtësi të pavarur dhe as shtet ku sundon ligji dhe vetëm ligji.
Vetëm më një politike dhe politikane të pastruar nga krimi dhe kriminelet, mund të sigurohet dhe respektohet vullneti i qytetareve dhe garantimin e votës se tyre të lire dhe të pavarur, si simboli më i fuqishëm i demokracisë, para se cilës përulet çdo politikan dhe qytetar në boten e qytetëruar dhe demokratike dhe ndarja njëherë e përgjithmonë nga oligarkia, autoritarizmi dhe rrëshqitja në diktaturën e krimit dhe padrejtësisë. Zoti e bekoftë Shqipërinë dhe shqiptarët kudo qe ndollën!!
Autori është kryetar i Degës se Partisë Demokratike në Britani të Madhe!