19.5 C
Tirana
E enjte, 26 Qershor, 2025

Doli nga fusha e lojës duke qarë, Çezena me komunikatë zyrtare për gjendjen e Kristian Shpendit

Kristian Shpendi ka qenë i pafat mbrëmë, teksa ka lënë ndeshjen e Serisë B, Çezena-Kozenca, pa u mbushur 30 minuta lojë. Gjatë një dueli ajror, sulmuesi i cili aktualisht është golashënuesi më i mirë i kampionatit me 10 gola të shënuar, ra keq dhe dëmtoi kaviljen e majtë.

Kristiani u detyrua të largohej nga fusha i përlotur, mes duartrokitjeve të tifozëve. Ndërkohë pas ndeshjes klubi i Çezenës lëshoi komunikatën zyrtare për gjendjen e sulmuesit shqiptar.

“Çesena Fc njofton se testet instrumentale të kryera nga Kristian Shpendi në fund të ndeshjes kundër Kozencës përjashtuan praninë e thyerjeve të kockave në kyçin e këmbës së majtë. Në ditët në vijim sulmuesi do t’i nënshtrohet testeve të mëtejshme për të përcaktuar shkallën e saktë të dëmtimit dhe kohën e rikuperimit”.

Ligamentet e kyçit të këmbës së majtë do të duhet të vlerësohen me MRI: Shpresohet që Shpendi të mungojë për dy javë dhe kësisoj të humbasë duelin ndaj Atalantës në Kupën e Italisë si dhe Juve Stabia dhe Kremonese në kampionat.

Niseni ditën me një çaj kamomili, këto janë përfitimet për shëndetin

Në histori thuhet se kamomili është përdorur si ilaç tradicional për mijëra vjet për të qetësuar ankthin dhe për të qetësuar dhimbjet e barkut.

Thuhet se ky çaj është konsideruar si një bimë e sigurt dhe është përdorur në shumë kultura. Disa studime kanë treguar se kamomili i përdorur në kombinime me bimë të tjera, mund të ketë përfitime shëndetësore.

Megjithatë, si me çdo produkt të kombinuar, është e vështirë të thuhet se çfarë përfitimi vjen nga secila bimë.

Por është parë se kamomili i përdorur me ilaçe të tjera bimore i ka lehtësuar shqetësimet e stomakut, urthit, të përzierat dhe të vjellat. Përzierjet me kamomil duket se ndihmojnë edhe fëmijët me dhimbje barku.

Shpëlarja e gojës me kamomil mund të lehtësojë plagët në gojë të shkaktuara nga trajtimet e kancerit. Disa hulumtime tregojnë se kamomili mund të ndihmojë edhe në raste të tjera, si për shembull, kur bëhet fjalë për diarre te fëmijët, hemorroidet, në probleme të ankthit dhe të pagjumësisë.

Kur përdoret në lëkurë, kamomili mund të ndihmojë në qetësimin e acarimeve të lëkurës dhe në shërimin e plagëve. Disa studime kanë dokumentuar se ai mund të jetë aq efektive sa kremi hidrokortizon që përdoret për ekzemat.

Sa kamomil duhet të marrim?

Nuk ka asnjë dozë standarde se sa kamomil duhet të përdorim. Studimet kanë përdorur 400 miligraë deri në 1.600 miligramë kamomil në ditë në formë kapsule. Forma më e zakonshme e përdorimit të kamomilit është përmes çajit dhe disa njerëz pinë një deri në katër gota në ditë me çaj kamomili.

Mund të merret kamomil natyral nga ushqimet?

Lulet e kamomilit janë një përbërës i zakonshëm në çaje. Ato janë përdorur edhe si aromatizues në ushqime të tjerë dhe në pije.

Cilat janë rreziqet e marrjes së kamomilit?

Efektet anësore. Shumica e ekspertëve thonë se kamomili është një produkt i sigurt. Ai megjithatë mund të shkaktojë marramendje dhe, në doza të mëdha, të vjella. Kamomili gjithashtu ka potencial për të shkaktuar reaksione alergjike tek njerëzit që janë alergjikë ndaj bimëve të ngjashme me kamomilin, që bëjnë pjesë në familjen e margaritave, edhe pse reagime të tilla janë shumë të rralla.

Nëse jeni alergjik nga këto bimë, shmangni bimë, si: kamomili, selinoja, margaritat, kumaku apo krizantemat etj. Të lyeni lëkurën me krem kamomili mund të shkaktojë ekzema alergjike dhe të irritojë sytë. Efektet e përdorimit afatgjatë të kamomilit nuk janë të njohura.

Rreziqet

Bëni kontrolle te mjeku para se të përdorni kamomil nëse keni ndonjë problem shëndetësore. Kamomili përmban një sasi të vogël të kumarinit, i cili mund të ketë efekte të lehta në hollimin e gjakut, por zakonisht vetëm në doza të larta dhe për periudha të gjata kohore. Ndaloni përdorimin e kamomilit dy javë para operacionit, për shkak të shqetësimeve në lidhje me ndërveprimet e tijn të mundshme me drogat e anestezisë.

Ndërveprimet

Nëse merrni ndonjë ilaç, bisedoni me mjekun para se të filloni përdorimin e suplementeve të kamomilit.

Kamomili mund të ndërveprojë me qetësuesit, holluesit e gjakut, ilaçet antitromobocitare, aspirinën, qetësuesit e dhimbjeve si ibuprofeni dhe naproxen-i dhe ilaçet e tjerë, shkruan shije.al. Kamomili mund të ndërveprojnë edhe me suplemente të tjerë apo produkte të tjerë ushqimorë, si përshembull hudhra dhe sanëza. Duke pasur parasysh mungesën e provave në lidhje me sigurinë e tij afatgjatë, kamomili nuk është i rekomanduar për gratë shtatzëna ose me fëmijë në gji.

Është mirë të bisedoni me një pediatër para se t’u jepni foshnjave dhe fëmijëve kamomil.

Fati i miliona eurove në incineratorin ‘fantazmë’ të Tiranës mbetet mister

Nga Gjergj Erebara

Çdo kompani në Shqipëri, publike apo private, është e detyruar që brenda 31 korrikut të depozitojë në Qendrën Kombëtare të Biznesit pasqyrat financiare të vitit paraardhës. Në rast se nuk e bën, QKB zakonisht refuzon shërbimet për veprime të tjera në regjistër si dhe vendos një gjobë në masën 70 mijë lekë të rinj. Kjo nuk është ajo që ka ndodhur me atë që është me gjasë sipërmarrja më shqetësuese në vend, kompania Integrated Energy BV SPV, e cila zbaton koncesionin e të ashtuquajturit incinerator të Tiranës, një kompani me të ardhura të sigurta në nivelin e dhjetëramilionë eurove, të cilat paguhen si tarifa të detyrueshme nga bizneset si dhe nga tatimpaguesit, fati i të cilave sot për sot është mister.

Kompania nuk ka depozituar pasqyrat financiare sipas ligjit brenda datës 31 korrik, ndërsa praktika e zakonshme e Qendrës Kombëtare të Biznesit për të refuzuar shërbimet deri në plotësimin e këtij detyrimi ligjor duket se nuk është zbatuar kësaj here pasi në 11 nëntor dhe 10 dhjetor, në regjistër janë depozituar dhe regjistruar dy urdhra, të cilat, fillimisht emëruan një bashkëadministrator me të drejta të plota dhe pastaj hoqën njërin nga administratorët dhe emëruan përfundimisht administrator të vetëm Indrit Karaj.

Kompania Integrated Energy B.V SPV u themelua në vitin 2017 me qëllim që të zbatonte një kontratë koncesionare. Kapitali i saj themeltar ishte 100 mijë lekë. Kompania filloi menjëherë të arkëtojë miliona nga taksapaguesit si dhe nga një skemë e derdhjes me detyrim të dherave të ndërtimit kundrejt tarifave të majme, duke realizuar të ardhura të përgjithshme në nivelin e 10.6 miliardë lekëve për periudhën 2017-2022. Shumë prej këtyre parave kanë ikur në drejtim të paditur ndërsa një hetim i Strukturës së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, SPAK, solli vendosjen e kompanisë nën sekuestro preventive në gusht 2023. Niveli më i lartë i të ardhurave u realizua në vitin 2022 me 2.7 miliardë lekë.

Që nga koha e vendosjes në sekuestro e deri më sot, pagesat e buxhetit të shtetit kanë vijuar dhe pagesat e kompanive private gjithashtu, por se ku kanë vajtur këto para nuk dihet për shkak se bilanci nuk është depozituar në QKB sipas detyrimit ligjor.

Situata me projektin tjetër nën sekuestro, incineratorin e Fierit, është edhe më e panjohur për shkak se kompania nuk ka depozituar as bilancet e viteve 2020, 2021 e 2022.

2024 me një rresht

Nga Lutfi Dervishi

Politika

Më shumë lider se protestues

Me shumë parti se programe

Më shumë fjalime se dëgjues

Qeveria

Më shumë inaugurime se vepra

Më shumë tendera se rrugë

Më shumë investitorë strategjikë se investime

Më shumë “reforma” se punë

Ekonomia

Më shumë reklama se konsumatorë

Më shumë PPP se përfitime publike

Më shumë kafene se zyra biznesi

Më shumë ndërtime se blerës

Më shumë para jashtë vendit se brenda tij

Media

Më shumë programe tv se të ftuar

Më shumë të ftuar se shikues

Më shumë lajme se ngjarje

Më shumë ekspertë se probleme

Më shumë analiza se fakte

Më shumë bomba në FB se në Gaza

Më shumë portale se gazetarë

Më shumë “influencer” se ndjekës.

Sporti

Më shumë federata se sportistë

Më shumë drejtues se medalje

Më shumë stadiume bosh se tifozë

Më shumë premtime se rezultate

Më shumë ndeshje të shitura se transferime lojtarësh

Më shumë “lajme sportive” se sport

Kultura

Më shumë evente se pjesëmarrës

Më shumë çmime se artistë

Më shumë festivale se buxhet për artin

Më shumë kinema se filma të prodhuar

Më shumë monumente të braktisura se të ruajtura

Më shumë libra se lexues

Shoqëria

Më shumë fëmijë në emigrim se në shkolla

Më shumë pensionistë se punonjës

Më shumë të ikur se të kthyer

Më shumë festa se arsye për të festuar

Më shumë selfie se buzëqeshje

Rasti i Parashqevi Simakut, lotët e krokodilit dhe hipokrizia publike

Nga Rigels Seliman

Prej dy ditësh, rrjetet sociale dhe portalet shqiptare janë mbushur me deklarata “solidariteti” dhe dhimbje të theksuar për gjendjen e rënduar ekonomike të këngëtares së njohur Parashqevi Simaku, e cila jeton në SHBA. Një zë brilant i së shkuarës, Simaku ka lënë një gjurmë të pashlyeshme në kulturën muzikore shqiptare, por përdorimi i fatkeqësisë së saj personale për protagonizëm ka ngritur shumë pikëpyetje mbi qëllimet e këtyre “lotëve”.

Disa nga emrat e njohur të ekranit dhe VIP-at shqiptarë kanë nxituar të shfaqen publikisht me mesazhe mbështetjeje, duke na kujtuar sa “zemërmirë” dhe të “solidarizuar” janë me njerëzit në nevojë. Por a është kjo vërtet ndjeshmëri e sinqertë, apo thjesht një tjetër mundësi për të përfituar vëmendje në sytë e publikut?

Jashtë, por kryesisht në Shqipëri, ekzistojnë mijëra njerëz që jetojnë në kushte të papërshkrueshme të varfërisë. Janë pensionistë që mezi e çojnë muajin me një pension qesharak, fëmijë që shkojnë në shkollë të uritur, apo familje të tëra që nuk kanë mundësi të ngrohin shtëpitë gjatë dimrit. Për ta, nuk derdhen lot në rrjetet sociale. Nuk bëhen thirrje për ndihmë. Nuk hapen fondacione për të mbledhur para. Për këta njerëz, ata që sot janë të tronditur për Parashqevinë nuk e gjejnë dot një minutë për të ngritur zërin.

Në këtë situatë, lind pyetja: Pse pikërisht rasti i një figure publike të njohur ngjall kaq shumë bujë? Përgjigjja është e thjeshtë dhe e hidhur: Hipokrizia dhe Oportunizmi. Të derdhësh lot për një emër të njohur si Simaku të bën të dukesh më human dhe të siguron një lloj kapitali social. Kur ndihmon një njeri të zakonshëm, as mediat dhe as publiku nuk të kushtojnë vëmendje, ndaj nuk ka “përfitim”.

Kjo valë “solidariteti” në rrjetet sociale tregon më shumë për ata që e nxisin sesa për vetë Parashqevinë. Ata shfaqen si shpëtimtarë të njerëzve në nevojë, por shpesh bëhet fjalë për një akt ekspresiv-fals, që synon të forcojë imazhin e tyre publik. Lotët për Parashqevinë janë lot krokodili, që maskojnë indiferencën e tyre të thellë ndaj realitetit të vështirë të shumicës së shqiptarëve.

Solidariteti i vërtetë nuk është i përzgjedhur. Ai nuk kufizohet vetëm te ata që janë të njohur apo të rëndësishëm në sytë e shoqërisë. Nëse duam të jemi një shoqëri e drejtë dhe humane, duhet të shikojmë përtej emrave të famshëm dhe të tregojmë kujdes për çdo individ që jeton në skamje, pavarësisht statusit apo famës së tij. Përndryshe, do të vazhdojmë të jetojmë në një shoqëri ku hipokrizia mbizotëron mbi ndjeshmërinë e sinqertë.

Pra, boll na hapët barkun me këtë farsë kolektive! Në vend që të bëni gara solidariteti për Parashqevinë, bëhuni të ndershëm dhe shikoni përreth: kush ka vërtet nevojë për ndihmë? Ka ardhur koha të heqim maskat e falsitetit dhe të veprojmë për hir të së drejtës dhe dinjitetit njerëzor.

Shënim/ Rreziku përballë të cilit e ekspozoi Berisha bashkëshorten e Dumanit

Nëpërmjet një akti të paprecedent, një ditë më parë, Sali Berisha ka publikuar foton e bashkëshortes së kreut të Prokurorisë së Posaçme, Altin Dumanit, duke e ekspozuar atë përballë rrezikut të krimit dhe të bandave, të cilat janë në arrati si pasojë e punës së SPAK-ut, në një kohë kur ajo familje është nën mbrojtjen strikte të strukturave të posaçme të ruajtjes fizike të personaliteteve shtetërore dhe familjarëve të tyre.

Argumenti i Berishës ngrihej mbi atë se një kushëri i bashkëshortes së Dumanit, ishte punonjës i Bashkisë së Tiranës, gjë që pengonte Prokurorinë për të çuar prapa hekurave Erion Veliajn.

Edhe në diktaturë nuk shkonin deri te kushëriri i gruas për të marrë bashkëpunëtorët, mirëpo, duke qenë se pjesë e shoqërisë ka dakordësuar në mënyrë arbitrare për të transmetuar dhe dëgjuar të gjitha marrëzitë e Doktorit, që nuk kanë as anë e as udhë, kjo mënyrë e të menduari më tepër se sa tregon se si funksionon Dumani nxjerr në pah se si ka funksionuar Berisha dhe familja e tij.

Për punën e Altin Dumanit ka, thuajse, një konsensus të të gjithë shoqërisë shqiptare, gjë që del nëpërmjet sondazheve të përjavshme, ku puna e SPAK-ut mbështetet nga më shumë se 70% e shoqërisë, për ndershmërinë dhe paaftësinë për të ndikuar te puna e tij mund të dëshmojnë shumë bashkëpunëtor dhe njerëzit që kanë pasur të bëjnë me Dumanin ndër vite, jo vetëm tani.

Dhe të thuash se një kushëri i gruas (!!!) do të ndikojë te puna dhe te karriera e Prokurorit më të rëndësishëm dhe më të fuqishëm që ka sot Shqipëria, ose duhet të jesh i marrë ose duhet të vish nga një kulturë politike që kur pyetesh për baxhanakun që humbi jetën në Gërdec deklaron përpara shqiptarëve se nuk e njeh apo kur gjatë qeverisjes tënde i ke besuar për vite me radhë mbesave të gruas drejtorinë më të rëndësishme të kujdesit shëndetësor, prej nga të ndërtosh një sistem të tërë klientelist dhe korruptiv në dëm të pushtetit dhe të demokratëve.

Pavarësisht të gjithave, Berisha dhe njerëzit e tij duhet të ndajnë mendjen në kanë meritë ata nëpërmjet protestave të vazhdueshme në vënien e Veliajt përpara drejtësisë apo është kushëriri i gruas së Dumanit ai që nuk lejon goditjen e kryetarit të Bashkisë së Tiranës?

Leqë vënia e mendjes dhe logjikës në punë nuk kanë vlerë kur bëhet fjalë për ato që deklaron Doktori!/ Nga Namir Lapardhaja 

“Dhunë dhe trajtim çnjerëzor”, KiE raport shokues për qendrat italiane të refugjatëve; merr goditje edhe modeli shqiptar

Italia ka marrë një goditje të fortë nga Këshilli i Europës sa i takon trajtimit të emigrantëve në qendrat e paraburgimit, të ngjashme me ato që u ngritën në Shqipëri.

Sipas mediave vendase, qendra kundër torturës në Këshillin e Evropës, i ka cilësuar qendrat si të papërshtatshme dhe çnjerëzore.

Sipas “Ansa”-s, raporti vëren se ka kushte të këqija materiale, mungesë të një regjimi aktiviteti, qasje joproporcionale ndaj sigurisë, trajtim jo të duhur shëndetësor dhe mungesë transparence nga ana e kontraktorëve privatë. Gjithashtu ky raport vënë në pikëpyetje modelin shqiptar.

Për më tepër, raporti thekson “praktikën e përhapur të administrimit të barnave psikotrope pa recetë të holluar në ujë, siç dokumentohet në qendrën Potenza“.

Sipas dokumentit të hartuar pas vizitës në katër nga nëntë qendrat operacionale në Itali, (CPR-të e Milanos, Gradisca d’Isonzo, Potenza dhe Romës midis 2 dhe 12 prillit) KiE ka përshtypjen e qartë se “shkalla e lartë e ngjarjeve kritike dhe dhuna e regjistruar brenda CPR-ve ishte pasojë e drejtpërdrejtë e kufizimeve joproporcionale të sigurisë, mungesës së vlerësimeve individuale të rrezikut të shtetasve të huaj dhe faktit që personat e ndaluar në fakt nuk kishin asgjë për të kaluar kohën“.

Sipas raportit, shumica e keqtrajtimit dhe përdorimit të tepruar të forcës ndodhën gjatë “ngjarjeve kritike”, si tentativa arratisjeje, akte vandalizmi apo protesta dhe trazira, duke sjellë ndërhyrjen e grupeve të forcave speciale.

Komiteti thekson se “është i vetëdijshëm se detyra e njësive të ndërhyrjes është shpesh e vështirë dhe e rrezikshme dhe se përdorimi i forcës kundër të burgosurve mund të jetë i nevojshëm në kryerjen e kësaj detyre“, por beson se ndërhyrjet në qendra duhet të bëhen në prani të një autoriteti plotësisht të pavarur si nga forcat e përfshira të sigurisë ashtu edhe nga ata që menaxhojnë strukturën që ka për detyrë të vëzhgojë dhe më pas të raportojë për mënyrën se si është kryer ndërhyrja.

Ndërkohë dokumenti ka marrë dhe një përgjigje zyrtare nga Ministria e Brendshme: Raporti i Këshillit të Evropës për CPR-të “bazohet në informacione të pjesshme dhe jo të plota“. Kështu mësohet nga burime të ministrisë, të cilat kujtojnë se vetë qeveria italiane më 15 nëntor kishte bërë tashmë vëzhgime të detajuara për t’iu përgjigjur dosjes së KiE-së. Të njëjtat burime theksojnë se si të gjitha trajtimet shëndetësore, përfshirë administrimin e mundshëm të barnave psikotrope, janë rregulluar me rekomandimin e mjekëve dhe objektet shëndetësore ofrohen gjithashtu brenda CPR-ve. Gjithashtu, nuk u konstatua administrimi i pahijshëm i barnave, “rrethanë kjo e cila nuk ka qenë kurrë objekt vendimesh gjyqësore”.

Në lidhje me publikimin e raportit europian, sekretarja e Partisë Demokratike, Elly Schlein, vendosi të shkojë çuditërisht në qendrat e grumbullimit të emigrantëve të ndërtuara në Shqipëri, në Shëngjin dhe Gjadër, e shoqëruar nga menaxheri i sigurisë së partisë, Matteo Mauri. Nga Partia Demokratike, ashtu si nga pjesa më e madhe e opozitës, nuk mungojnë kritikat e forta ndaj operacionit të zhvilluar nga qeveria. “Kjo marrëveshje me Shqipërinë cenon të drejtat themelore të njerëzve dhe shkel ligjet italiane dhe europiane”, shtoi ajo, duke u ndalur më pas tek struktura e Gjadrit: “Një qendër bosh ku u mirëpritëm nga stafi shumë profesional i policisë dhe organit drejtues, të cilët megjithatë, janë në thelb këtu për të vëzhguar sigurinë e një strukture që është bosh dhe do të mbetet bosh, edhe sepse jemi në pritje të vendimit të Gjykatës Evropiane të Drejtësisë”, raporton “Ansa“.

SPAK heton Veliajn dhe rrethin e tij për korrupsion/ Kryebashkiaku firmosi leje ndërtimi. Zbulohen transfertat e dyshimta bankare

Në kuadër të hetimeve që SPAK po kryen ndaj kryebashkiakut të Tiranës Erjon Veliaj dhe familjarëve të tjj nën dyshimet për korrupsion, ushtroi ndër të tjera kontroll personal edhe ndaj biznesmenit Elman Abule dhe gruas së tij Marisa Nito. Kontrollet u kryen pasi dy bashkëshortët dyshohen se kanë lidhje të ngushta me Erjon Veliajn dhe gruan e tij Ajola Xoxa.

Elman Abule ndërkohë ka përfituar në mënyrë të drejtpërdrejtë nga Bashkia e Tiranës, pasi me kompaninë e tij Fidalba shpk ai ka marrë leje per ndërtimin e një pallati disa katësh në rrugën Llambi Bonata në Kombinat. Ndërkohë që Veliaj ka firmosur lejen për ndërtim hetuesit kanë zbuluar se Abule dhe gruaja e tij kanë kryer disa transaksione në drejtim te Ajola Xoxës dhe familjarëve të tjerë të Veliajt. Arsyeja: se Ajola Xoxa do tu jepte shërbime konsulence.

Pra burri iu firmos leje ndertimi, gruaja ka dhënë ndërkohë konsulencë. Por prokuroria e Posacme dyshon se faturat për këto shërbime kanë qenë fiktive. Dyshohet se të hetuarit kanë ngritur një skemë për injektimin e parave në sistem bankar në një kohe që paratë rrjedhin nga aktiviteti kriminal i korrupsionit.

Shqiptarët “boomerang”: Si trafikantët e drogës po shfrytëzojnë sistemin e emigracionit në Britani për të rikthyer aktivitetet kriminale

Një raport i fundit ka zbuluar se grupet kriminale shqiptare, të njohura si “Boomerang Gang”, po e bëjnë për turp sistemin e emigracionit në Mbretërinë e Bashkuar, duke u rikthyer vazhdimisht në vend edhe pas deportimit.

Shembulli më i fundit është ai i Bujar Cozminca, 33 vjeç, një trafikant droge që u deportua nga Britania në vitin 2012 për konspiracion në furnizimin e drogës. Megjithatë, ai arriti të rikthehej ilegalisht dhe të krijonte një perandori prej 8 milionë paundësh duke trafikuar kokainë, deri sa u arrestua sërish në vitin 2019.

Sipas burimeve të inteligjencës për “The Sun”, këto grupe po përdorin boshllëqet e sigurisë kufitare për të hyrë me lehtësi në Mbretërinë e Bashkuar, duke shfrytëzuar mjete si kamionët apo varkat e vogla.

“Është një situatë skandaloze,” tha një burim, duke shtuar se trafikantët shpesh tallin autoritetet britanike, duke u referuar vetes si “boomerang” për aftësinë e tyre për t’u kthyer vazhdimisht pas deportimit.

Ky fenomen ngre pikëpyetje të mëdha për efektivitetin e masave të emigracionit dhe përforcimin e kufijve në Britani, ndërkohë që vazhdon të dëmtojë seriozisht shoqërinë dhe ekonominë.

Iluzioni i evropianizimit, fasada kundër substancës

NGA ADRI NURELLARI

E duam Shqipërinë si gjithë Europa” ishte thirrja e të rinjve në 8 dhjetor të vitit 1990, që shënoi përmbytjen e elitës komuniste dhe zëvendësimin me udhëheqës të tjerë si Berisha, Meta e Rama, që kanë mbetur protagonistë për 34 vitet që pasuan. Aspirata e atëhershme për t’u bërë pjesë e Bashkimit Evropian ka qenë busulla politike dhe shoqërore e Shqipërisë për dekada, madje duke eklipsuar edhe aspiratën historike kombëtare për bashkim. Fatkeqësisht njësoj sikurse kemi ngelur me skenën politike të dominuar nga tre liderët që dolën në jetën publike në dhjetor të 1990-ës, ashtu kemi ngecur me premtimin e njëjtë të bërë nga partia në pushtet. Partia Socialiste e ka bërë kalë beteje anëtarësimin brenda vitit 2030, duke folur për një integrim të përshpejtuar në BE, “gati me hatër, pa përmbushur të gjitha kriteret” falë një klime të favorshme ndërkombëtare për shkak të luftës së Ukrainës, gjë që kujton hyrjen tonë disi të sforcuar në NATO.

Thënë ndryshe, është duke u kultivuar shpresa se po të ekzistojë vullneti i fuqishëm politik i diktuar nga situata e re gjeopolitike (sikurse qe rasti me NATO-n) vendet anëtare do të mbyllin sytë para mangësive tona për të na futur në klubin e tyre, edhe pse nuk kemi bërë detyrat e shtëpisë. Kjo pritshmëri e paarsyeshme për integrim shtohet edhe prej faktit që kemi 13 vjet që gëzojmë udhëtime pa viza drejt zonës Shengen si dhe kemi më shumë se 1/3-ën e popullsisë tashmë ligjërisht rezidente në BE. Për më tepër, në diskutimet mediatike dhe shoqërore, evropianizimi shpesh perceptohet si një formë fasade: mbajtja e markave luksoze si ‘Balenciaga’, përdorimi i ‘iPhone’-it më të fundit, dëgjimi i muzikës bashkëkohore, e folura shqipnglisht apo kopjimi i stileve perëndimore të jetesës. Të gjitha këto bien ndesh me realitetin e hidhur që na karakterizon.

Në këtë skenar elektoral, evropianizimi nuk matet me funksionimin e institucioneve demokratike, sundimin e ligjit apo ekonominë e lirë të tregut, por me një përzierje sipërfaqësore të konsumit dhe imitimit. Ky model i keqkuptuar dhe i përciptë për evropianizimin, i bazuar te pamja e jo substanca, sado dominues që është në Tiranë e ndonjë qytet tjetër, bie në kundërshtim me realitetin tonë të dhimbshëm: zgjedhje që ende manipulohen dhe vidhen hapur, një ekonomi jo të lirë, e dominuar nga aktorë të privilegjuar me lidhje të forta politike dhe një korrupsion e kriminalitet, që me sa duket ka kapur depërtuar nga rrënjët e deri te maja e shtetit shqiptar.

Për t’u anëtarësuar duhet shumë më shumë se ndërtimi i kullave luksoze, konsumi i markave të njohura, përqafimi i trendeve teknologjike dhe huazimi i stileve të huaja të jetesës, duhet përmbushja e të ashtuquajturave “Kriteret e Kopenhagenit”, të përcaktuar nga Këshilli Europian, mbajtur në dhjetor të 1993 në Kopenhagen dhe përforcuara nga takimi i Madridit më 1995. Kriteri i parë politik ka të bëjë me institucione të qëndrueshme që garantojnë demokracinë, shtetin e së drejtës, të drejtat e njeriut, respektimin dhe mbrojtjen e minoriteteve. Sikurse paraqitet nga raportet e BE-së, Shqipëria ka bërë përparime të dukshme në reformën në drejtësi, veçanërisht falë SPAK-ut, i cili ka nisur të thyejë mitin pandëshkueshmërinë. Megjithatë, korrupsioni ka lëshuar metastazat në shumë segmente të sistemit, ndërsa proceset zgjedhore ende shoqërohen me akuza për manipulim dhe vjedhje. Për më tepër, mungesa e transparencës në financimin e fushatave elektorale, presioni i hapur mbi administratën publike për të shërbyer si patronazhistë gjatë zgjedhjeve, përfshirja intensive e kriminelëve në procesin elektoral, bëhen haptazi si në asnjë vend tjetër në Evropë. Kriteri ekonomik ka të bëjë me një ekonomi tregu funksionale, si dhe aftësinë për të përballuar presionin e konkurrencës dhe forcat e tregut që veprojnë brenda Bashkimit Europian. Përkundër pretendimeve për një ekonomi të lirë tregu, realiteti dëshmon se kemi një ekonomi të ndikuar nga klientelizmi politik dhe deformuar nga fluksi i parave të pista. Bizneset politikisht të privilegjuara dominojnë tregun, ndërsa investitorët seriozë perëndimorë po tërhiqen prej tregut tonë, për shkak të mungesës së sigurisë juridike dhe të një klime gjithmonë e më të pafavorshme për të bërë biznes.

Kriteri tjetër ka të bëjë me harmonizimin me ligjet, direktivat dhe institucionet e BE-së, duke dëshmuar aftësinë për të marrë përsipër dhe zbatuar detyrimet e anëtarësimit, duke përshtatur strukturat e saj administrative. Pavarësisht disa sukseseve në përshtatjen e legjislacionit shqiptar me atë evropian, implementimi i këtyre ligjeve shpesh mbetet i pamjaftueshëm. Evropa kërkon më shumë sesa ndryshime të ligjeve – kërkon transformim të kulturës institucionaADRI NURELLARI le, administratë funksionale efikase për t’i zbatuar dhe akoma më shumë vullnet të sinqertë politik për t’i zbatuar ligjet. Në rastin e Shqipërisë deri më sot kemi parë që më shumë rëndësi ka “Maliqi sesa ligji” dhe se, sikurse do të thoshte Oruelli para ligjit “disa janë më të barabartë së të tjerët”. Këtë të fundit e dëshmon më së miri fakti që nga njëra anë gra dhe burra të moshuar ndiqen nga policia nëpër cepa pallatesh apo rrugica, pasi shesin produktet e bahçes së tyre për të mbijetuar në kushte ku pensioni që marrin nga shteti nuk mbulon as kostot e ilaçeve, ndërsa nga ana tjetër kate shtesë nëpër kulla e madje ndërtesa të tëra masive luksoze ngrihen pa leje, mu nën hundën e institucioneve. Në rastin e vendeve të trazuara të Ballkanit Perëndimor janë vendosur gjithashtu kushte shtesë për anëtarësim, të cilat u përcaktuan në të ashtuquajturin “Proces të StabilizimAsociimit”, i cili kryesisht lidhet me bashkëpunimin rajonal dhe marrëdhëniet e mira fqinjësore.

Me sa duket, pretendimi që neve mund dhe duhet të integrohemi në BE sot ka hedhur rrënjë te një ishull të izoluar urban të shoqërisë shqiptare. Te ky segment shoqëror është krijuar një qasje e çuditshme që i sheh vendet e rajonit, si Rumaninë dhe Bullgarinë, me një lloj snobizmi dhe përçmimi, sikur të ishin shtetas të vendeve themeluese të BE-së (psh., francezë apo holandezë). Ky perceptim vjen kryesisht nga një pjesë e popullsisë që ka një njohje të cekët të vendit dhe rajonit, pasi lëvizjet e tyre shpesh kufizohen brenda zonave luksozeve të Tiranës, qendrave komerciale, Rivierës së Jugut dhe aeroportit të Rinasit. Ironikisht pra, ky grup shpesh nuk ka njohuri reale as për Shqipërinë dhe as për vendet që përçmojnë. Ata shohin vetëm fasadën e jetës urbane dhe zonave elitare që ata vetë frekuentojnë, duke mos qenë të ndërgjegjshëm për sfidat e thella me të cilat përballet vendi – nga infrastruktura e prapambetur, varfëria ekstreme në zonat periferike, shërbimet publike të mjera, monopolet që imponojnë çmimet më të larta se në Perëndim e deri tek manipulimet elektorale korrupsioni e kriminaliteti masiv. Për pasojë, me një lehtësi goxha naive dhe botëkuptim shumë të ngushtë, ata pretendojnë se Shqipëria e “meriton”, më shumë anëtarësimin në BE sesa e kanë merituar këto vende fqinje.

Për të bërë një krahasim realist duhen parë burimet e besueshme ndërkombëtare dhe krahasuar treguesit për fushë të ndryshme. Kur flitet për kriterin e demokracisë, Indeksi i Demokracisë i “Freedom House” i jep Shqipërisë vetëm 68 pikë, duke treguar një nivel më të ulët demokracie krahasuar me Bullgarinë (78 pikë) dhe Rumaninë (83 pikë). Këtë nivel të ulët demokracie e konfirmon edhe Indeksi i Lirisë së Shtypit nga Reporterët pa Kufij, ku Shqipëria renditet në vendin e 99-të, shumë prapa Bullgarisë (59) dhe Rumanisë (49) mes vendeve që kanë më shumë demokraci. Për sa i përket ekonomisë, duhet vënë në dukje se, sipas raportit të fundit “Doing Business”, të Bankës Botërore, Shqipëria renditet e 82-ta, duke treguar sfida më të mëdha në mjedisin e të bërit biznes krahasuar me Bullgarinë, e cila renditet e 61-ta dhe Rumaninë, që është e 55-ta. Prapambetjen ekonomike e demonstrojnë edhe të dhënat nga Fondi Monetar Ndërkombëtar për vitin 2024: Shqipëria renditet e 81-ta me të ardhura për frymë prej 9,598 USD, Bullgaria renditet e 62- ta me 17,069 USD, ndërsa Rumania renditet e 56-ta me 20,089 USD. Nëse flitet për kriterin e drejtësisë, në raportin e “World Justice” Project Shqipëria renditet e 89-ta, ndërsa Bullgaria dhe Rumania renditen përkatësisht në vendet 59 dhe 41 mes vendeve, që gëzojnë më shumë zbatim të ligjit.

Si përfundim, faktet dhe të dhënat e pakundërshtueshme tregojnë qartë se pretendimet se Shqipëria “meriton më shumë” sesa Rumania dhe Bullgaria janë jo vetëm të pabazuara, por edhe shumë të dëmshme. Këto pretendime dëmtojnë, sepse e largojnë fokusin nga sfidat konkrete që kërkojnë adresim dhe zgjidhje. Kjo qasje rrahagjokëse, që supozon se BE-ja nuk po na jep atë që meritojmë, reflekton një mungesë serioze të vetëkritikës dhe një tendencë për t’i parë problemet kombëtare përmes një lente të rreme dhe të sheqerosur. Në vend që të përçmojmë përpjekjet e vendeve që kanë kaluar procese të dhimbshme reformash për t’u bërë pjesë e BE-së, duhet të reflektojmë mbi veten dhe të analizojmë se çfarë na mban ende jashtë kësaj bashkësie. Në vend që të kapemi pas iluzioneve dhe krenarisë boshe, duhet të pranojmë se rruga drejt BE-së është ende e gjatë dhe kërkon analizë të thellë, reflektim të sinqertë dhe një vizion të qartë për të ardhmen, diçka që nuk mund të arrihet nga brenda flluskave urbane, por vetëm nga një angazhim real me problemet që na kanë lënë prapa.