12.5 C
Tirana
E premte, 16 Maj, 2025

6-fishim i taksës së banesës nga 1 Janari!

Nga 1 Janari shqiptarët do të pagujanë taksën e re të banesës për të gjithë vitin 2017. Taksa e re është afërsisht 6 herë me e lartë se taksa ekzistuese, por në në raste të veçanta ajo shkon edhe deri në 30 herë më shumë dhe kjo do të varet nga vlera e banesës. Nëse një banesë normale në Tiranë llogaritet në shumën e 100 mijë eurove do të paguajë taksa që do të jetë rreth 65 mijë lekë nga 12 lekë të vjetra që paguan aktualisht, pra afër 6 herë më shumë.
Qeveria shqiptare ka përzgjedhur Operatorin e Shpërndarjes së Energjisë Elektrike për mbledhjen e taksës së banesave. Kjo tashmë është përcaktuar në një projektvendim i cili është shpërndarë për mendim në njësitë e qeverisjes vendore por edhe te ministritë e linjës.
Efekti i këtij vendimi parashikohet të nisë në datën 1 janar të vitit 2019 dhe ajo parashikohet të vendoset një rresht poshtë shumës së energjisë së konsumuar nga qytetarët.
Në rast të mos pagesës së detyrimeve nga qytetarët apo bizneset brenda tre muajve parashikohet mbledhja e tyre edhe me forcë. Ndërkohë si masë lehtësuese qeveria ka parashikuar edhe një pikë ku i jepet e drejta pronarëve të banesave apo bizneseve që zotërojnë ndërtesa ta paguajnë atë me këste.

Në rastet kur në përllogaritjen e taksës do të konstatohen probleme atëherë rregullimi do të mund të bëhet në muajin pasardhës.
Operatori i Shpërndarjes së Energjisë elektrike është përzgjedhur si agjenti që do të mbledhë taksën për faktin se ka të dhëna më të sakta për banesat dhe vendndodhjen e tyre. Në vendim është përcaktuar gjithashtu që OSHEE do të përfitojë 4% të të ardhurave bruto nga kjo taksë për çdo bashki. Për zbatimin e këtij vendimi ngarkohen ministria e financave, njësitë vendore.
OSHEE dhe drejtoria e taksës dhe e pasurive të cilave iu kërkohet nisja e hartimit të akteve nënligjore për funksionimin e këtij projektvendimi dhe futjen në fuqi. Në bazë të pagesës së re qytetarët do të paguajnë 0.05% të vlerës së një banese dhe bizneset 0.2%.
Një shtëpi në Tiranë që ka vlerën 100 mijë euro, do të paguajë 50 euro në vit ose 4.1 euro në muaj. Taksa e banesës e cila do të mblidhet në bazë të metodologjisë së re e cila llogaritet në bazë të vlerës ka hyrë në fuqi që në 1 prill por zbatimi i saj u shty për shkak se bashkitë nuk ishin në gjendje që ta aplikonin, ndërkohë që vijon mbledhja e takës me metodën e vjetër e cila është fikse për të gjitha ndërtesat dhe është 12 mijë lekë të vjetra.

Grabitësit bëjnë namin në Korçë, vjedhin shtëpitë me maune në Boboshticë

Fshati Boboshticë në Korçë është kthyer në shënjestër të grabitësve. Për shkak se shumë banorë kanë emigruar, banesat e tyre grabiten herë pas here. Hajdutët helmojnë qentë dhe ngarkojnë orenditë me kamion apo maune.
Banorët e mbetur të Boboshticës ndihen çdo ditë dhe më të pasigurt për pronën dhe jetën. Vjedhjet e banesave dhe bizneseve janë shpeshtuar, sidomos gjatë muajve të verës. Ato të emigrantëve sulmohen më tepër.
“Në një javë të vidhen katër shtëpi, kjo është një gjë”, tha një banore në Boboshticë.
Grabitja e shtëpisë së Dhimitër Jankos, familja e të cilit ndodhet në emigracion, ka frikësuar banorët. Hajdutët morën gjithçka, nga frigoriferi e lavatriçja, deri te perdet dhe enët e kuzhinës. Banorët thonë se orenditë u ngarkuan në një maune dhe askush nuk i ndali. Katër denoncime u bënë vetëm javën e fundit.
“Shiko ç’bëhet. Me radhë i morën tani. Nuk i lanë gjë, vetëm pllakat”, tha një tjetër banore.
Policia ende nuk ka rënë në gjurmë të autorëve dhe në këto kushte, banorët e Boboshticës po përpiqen të mbrohen sa të munden vetë nga hajdutët. Qentë roje nuk ju bëjnë punë sepse hajdutët i helmojnë.
“Po qentë i helmojnë ata. Këtu të kesh kamera. Vjen edhe policia ndonjëherë, por prapë…”, tha një banor tjetër.
Sa ju përket kamerave të sigurisë të instaluara kohët e fundit në banesa dhe biznese, ato as i kanë pakësuar vjedhjet dhe as nuk e kanë ndihmuar policinë të zbardhë ngjarjet, që po kthehen në shqetësim të përditshëm për fshatin, vetëm 7 kilometra larg Korçës. /ABCNews/

Lala “kopjon” Lalin, betonizon Parkun Rinia në Elbasan

Parku “Rinia” në qytetin e Elbasanit po i nënshtrohet një ndërhyrjeje tërësore nga ana e Bashkisë. Prej një viti kanë nisur punimet, dhe pak muaj para përfundimit, duket sikur në këtë zonë mjaft të pëlqyer nga qytetarët e Elbasanit, ka rënë bomba.
Natyre çlodhëse dhe ajri i pastër ia kanë lënë vendin fadromave dhe makinerive të rënda, që tani për tani e kanë kthyer parkun “Rinia” një vend aspak të frekuentueshëm.
Në park ka marrë formë një platformë e madhe betoni, edhe pjesët që dikur ishin bar janë zhdukur, tani për tani kalojnë kamionët, ndërkohë më pas do të krijohet një rrjet rrugicash me gurë dhe beton.
Impakti i betonit në mjedis, sipas bashkisë është minimal dhe do shtohen hapësirat për aktivitete sportive dhe çlodhëse, por për ata që thuajse përditë kalojnë kohën e lirë në këtë park punimet e deritanishme nuk kanë lënë shije të mirë.
Parku “Rinia”, kryesori dhe më i madhi në Elbasan, është ndërtuar rreth viteve 70 dhe rikostruktuar në vitin 2002. Tani mbi këtë zonë po ndërhyhet përsëri dhe qytetarët janë me shpresë se gjërat do të ndryshojnë nga ajo që shohin për momentin, ku punimet kanë prekur mjaft pjesë të gjelbra të parkut.

Vëllai i drejtorit të OSHEE kapet duke vjedhur energji elektike, a kishte dijeni zyrtari?

Task Forca e OSHEE ka kryer sot disa kontrolle në rajonin e jugut, ku janë evidentuar edhe abonentë që vidhin energjinë elektrike.
Burime thonë se në Gjirokastër është kapur duke vjedhur energjinë vëllai i drejtorit të njësisë së OSHEE për qytetin, Rezart Hoxha.
Task Forca e mbërritur nga Fieri, ka konstatuar se në lokalin e shtetasit Dritan Hoxha, vidhej energji elektrike. Lokali ndodhet në qendër të qytetit të Gjirokastrës.
Mësohet se çështja është referuar në Prokurorinë e Gjirokastrës. Nuk dihet se prej sa kohësh Dritan Hoxha vidhte energjinë elektrike në biznesin e tij.
A ka qenë në dijeni vëllai i tij që është drejtor në OSHEE?
Këto pritet të zbardhen nga hetimi i Prokurorisë, por sidoqoftë pas kësaj, drejtori Rezart Hoxha duhet minimalisht të dorëhiqet.
Është pa sens që ai të shkojë të ndërpresë lidhjet e paligjshme në abonentë të tjerë, kur ka mbyllur sytë para biznesit të vëllait të tij. /Lapsi

Gazetarja Xhunga padit në Prokurori biznesmenin: Më kërcënoi me vdekje

Gazetarja e njohur, Rudina Xhunga është kërcënuar nga një biznesmen, për shkak të një shkrimi të publikuar në portalin “Dritare.net” që nxirrte keq agjencinë turistike në pronësi të tij. Ka qenë vetë Xhunga, ajo që ka zbuluar se ka paraqitur në Prokurori kallëzimin penal për këtë biznesmen.
“Enver Mehmeti pas një shkrimi në dritare.net për ferrin e pushimeve, prenotuar te agjencia tij, më bëri të qartë fundin që më priste .E denoncova se e besova. Ai nuk është anonimi i zakonshëm që kërcënon në emër të partisë. Ai kërcënon dhe e mban fjalën, në emër të parasë. I ka paratë të çojë e mbrojë një njeri, që më shtyp në vijat e bardha. Gazetarët nuk i vrasin më në luftë. Është paraja, nuhatja që i çon te paraja, që ju merr jetën”, shkruan Xhunga.
Nga Rudina Xhunga
Dje paraqita kallëzim penal në Prokurori. Për pronarin e një agjencie turistike që më kërcënoi me jetë. Enver Mehmeti pas një shkrimi në dritare.net për ferrin e pushimeve , prenotuar te agjencia tij, më bëri të qartë fundin që më priste. Dhe ai e bën. Ndaj e denoncova. E denoncova se e besova. Ai nuk është anonimi i zakonshëm që kërcënon në emër të partisë.
Ai kërcënon dhe e mban fjalën, në emër të parasë. I ka paratë të çojë e mbrojë një njeri, që më shtyp në vijat e bardha. Gazetarët nuk i vrasin më në luftë. Është paraja, nuhatja që i çon te paraja, që ju merr jetën. Unë jam gazetare e një jete, 20 vite prej të cilave, dy muaj, çdo vit ia kam kushtuar turizmit. E kam bere, apo jo? Ma thuaj tani, jo ne përcjellje!
Nuk kam bërë kurrë gazetarinë e dekoltesë ose portofolit, kam bërë e bëj gazetarinë e zemrës. Kam bërë emisione në kasolle që u bënë hotele, në hotele që u bënë resorte, ne jugun, që po bëhet Amalfi ynë, Parga jonë, në veriun që u bë Zvicra jonë, sepse e
dua këtë vend dhe ia shoh të ardhmen që do i vijë, një ditë, prej turizmit. Dhe nëse ky njeri që më kërcënon, e di, por nuk do t’ia

dije, atëherë e paskam prekur tek ajo çfare mund të fshehë, ose ai pas të cilit mund të fshihet.
Nuk i besoj përrallave me biznesmenë që nxehen e nxihen se media i përlyen. Hyr në tripadvisor, shiko gjithë komentet negative për një hotel dhe përgjigjet që jep administratori apo menaxheri. I përgjigjen çdo klienti. Ky që të dënon me vdekje, pse ankohesh, nuk është njëri prej tyre. Kush nuk sqaron, por kërcënon diçka po fsheh. E dini ku shkojnë paratë e shqiptarëve për turizmin? E dini ku shkojnë më shumë shqiptarët me pushime?
Nuk janë në tokën tonë, as në detet tona, janë ne avionët që vijnë e kthehen nga Turqia. E dini si është qielli në orën 3 te mëngjesit, plot me njerëz që ikin e vijnë nga Tirana e Antalia, me avionë që i ruan zoti. ( Temë për të investiguar kjo. Se sot agjencitë mund të të paguajnë t’ju mbrosh imazhin, po nesër mund të jesh ti në një avion që bie, e të vdesësh me klering). Ata që shkojnë Turqi, s’ka dyshim që kënaqen, japin kursimet e një jete, nuk paguhen të shkojnë.
Por nëse njëri prej tyre guxon ankohet në media , për pak më shume dinjitet, ja çfarë e pret! Kur më dënojnë mua me vdekje, atë e vrasin pa gjurmë. Kjo sepse nuk flasim. ” E kujt i bëhet vonë për mua, ndaj unë s’po flas. Mos fol se të ikën koka. ” Po ç’e dua kokën unë, kur më duhet vetëm ta mbaj ulur?! Dje dorëzova një kallëzim penal për kërcënim jete. Sepse dua mbrojtje prej një njeriu që me paratë e mia dhe të tuat, ka bërë paratë të më mbysë fjalën dhe shuajë mua. Sot është radha ime, të kërkoj çfarë i trimëron enverët, dhe do të flas e bërtas që kur të të ndodhë ty, të thuash , “edhe mua”, jo të tërhiqesh si qytetar i dorës së dytë, se ai ka lekë e të bën gjëmën, ti je një mizë a një flutur qe s’bën dot dëm.
Dije, që siç ia jep ti lekët, ti ia dhuron edhe pushtetin, me heshtjen tënde.
Dije, një flutur e sjell ortekun. Ndaj e kallëzova penalisht biznesmenin që më kërcënoi me jetë.

OKB zbardh skenarin: Bisedime Prishtinë-Beograd për ndarjen e Kosovës, i udhëheq BE

Kohët e fundit po artikulohet si opsion eventual zgjidhjeje një shkëmbim territoresh, apo sikurse e quan presidenti i Kosovës Hashim Thaçi në intervista për mediat, një korrigjim i kufijve mes Kosovës dhe Serbisë. Kombet e Bashkuara inkurajojnë Prishtinën dhe Beogradin të flasin për propozimet e bëra për ndryshim kufijsh apo territoresh. Fahran Haq zëvendëszëdhënësi i shtypit të Sekretarit të Përgjithshëm tha i pyetur nga Deutsche Welle në Nju Jork tha, se: “Nuk kemi ndonjë deklaratë zyrtare për të bërë. Por ne përkrahim çdo lloj diskutimi midis Prishtinës dhe Beogradit, që merret me çështjen e statusit të Kosovës dhe ne inkurajojmë palët që ta diskutojnë këtë çështje”.
Kombet e Bashkuara nuk janë përfshirë në këtë proces: “Nuk jemi të përfshirë në këtë fazë. Ky është një proces që drejtohet nga Bashkimi Evropian dhe ne inkurajojmë bisedimet midis Prishtinës dhe Beogradit për këtë çështje”, theksoi Haq. Ai nuk bëri komene mbi deklaratat e presidentit Thaçi për korrigjimin e kufijve. “Këto diskutime duhet t’i bëjnë palët”, tha ai.
Është kjo hera e parë që nga OKB pranohet një zgjidhje e çështjes së Kosovës që mund të prekte edhe kufijtë. Deri më sot prekja e kufijve nuk ka ekzistuar si obsion zgjidhjeje.
Kreu i LDK, Hoti kundër ndarjes: Thaçi nuk ka mandat
Shefi i Grupit parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Avdullah Hoti, i tha Zërit të Amerikës se partia e tij nuk është e gatshme për shkëmbimin e territoreve, por kërkon që marrëveshja për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë të sigurojë njohje të ndërsjellë dhe ruajtje të karakterit unitar të Kosovës. Në intervistën dhënë korrespondentit tonë në Prishtinë, Leonat Shehu, zoti Hoti thotë së presidenti Hashim Thaçi dhe qeveria aktuale nuk kanë legjitimitet për të drejtuar bisedimet me Serbinë dhe vendi duhet të shkojë në zgjedhje të reja.
Zëri i Amerikës: Zoti Hoti, presidenti Thaçi së fundmi hodhi idenë për sic thotë ai, korrigjimin e kufirit me Serbinë. Për ju, çfarë do të thotë një ide e tillë?

Avdullah Hoti: Unë mendoj që nuk është koha për ide të tilla, Kosova është shpallur shtet i pavarur në vitin 2008 në tërësinë territoriale që e ka gëzuar në vitin 1989 dhe pastaj ajo deklaratë e pavarësisë është shpallur në Parlamentin e Kosovës dhe ka marr, nëse mund të themi, bekimin e drejtësisë ndërkombëtare përmes opinionit të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë. Kanë qenë breza të tërë të shqiptarëve në Kosovë që kanë luftuar, derdhur gjak, djersë dhe mund për këtë projekt që e kemi tash edhe ta kenë të qartë të gjithë se projekti i Kosovës së pavarur edhe ky është kompromis për realizimin e interesave të çështjeve kombëtare.
Ne në asnjë moment nuk jemi të gatshëm të shkëmbejmë territor shqiptar, territor të Kosovës me territor të Kosovës, sepse shkëmbimi i territorit të veriut të vendit me Preshevën nënkupton shkëmbim i territorit tonë me një territor tonin. Kemi luftuar për një projekt të Kosovës së pavarur, prej që është themeluar Lidhja Demokratike e Kosovës në dhjetor të vitit 1989 dhe pastaj me referendumin në fillim të viteve të 90-ta edhe me zhvillimet politike që kanë ndodhur, kemi besuar në projektin e Kosovës së pavarur, sovrane e të integruar në Bashkimin Evropian e në NATO me miqësi të përhershme me Shtetet e bashkuara të Amerikës dhe jemi shumë afër të realizimit të këtij misioni.
Ka mbi 110 vende që na kanë njohur si shtet i pavarur, kemi problem në integrimin në BE sepse pesë vende ende nuk na kanë njohur, kemi problem normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë, por i kemi shtetet më të fuqishme të botës perëndimore në krah sepse jemi në anën e së drejtës për të realizuar interesat tona kombëtare.
Zëri i Amerikës: Presidenti po thotë që nuk do të ketë shkëmbim territoresh por Presheva të bashkohet me Kosovë në tërësinë aktuale. Si ju duket kjo?
Avdullah Hoti: Unë besoj që presidenti i vendit të qëndrojë brenda mandatit të tij kushtetues. Ai është personi që duhet ta mbrojë kushtetutën e vendit dhe territorin e vendit dhe ai është i fundit që duhet të flasë për gjëra të tilla.
Zëri i Amerikës: Si duhet të jetë marrëveshja përfundimtare me Serbinë?

Avdullah Hoti: Ne besojmë që marrëveshja përfundimtare me Serbinë duhet të jetë e tillë që mundëson normalizimin e marrëdhënieve në mes të dy shteteve të pavarura dhe një normalizim i tillë arrihet vetëm me njohje reciproke. Nuk mund të ketë normalizim nëse nuk ka njohje reciproke.
Ne në marrëveshjen përfundimtare me Serbinë nuk jemi të interesuar të arrijmë një marrëveshje afat-shkurtë ose afat-gjatë ose për një gjeneratë. Ne jemi të interesuar që të arrijmë një marrëveshje jetësore për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë e cila arrihet vetëm me njohje reciproke, duke pas parasysh tri parime, të cilat ne si Lidhje Demokratike i kemi bërë publike.
Në këtë marrëveshje përfundimtare duhet të kihet parasysh që të ruhet tërësia territoriale e Kosovës; e dyta, duhet të ruhet gjithsesi karakteri unitar i shtetit të Kosovës që të mos lejojmë bosnjëzim të Kosovës sepse ajo do ta bënte shtetin e Kosovës jo funksional dhe çfarëdo ndryshimi në të ardhmen në kushtetutën e vendit duhet të jetë në parimet e kushtetutës që e ruan Kosovën si shtet unitar, që mbron të drejtat e minoriteteve dhe i avancon ato në përputhje me praktikat më të mira ndërkombëtare.
Zëri i Amerikës: Tashmë ka filluar procesi përfundimtar për arritjen e marrëveshjes ndërmjet Kosovës e Serbisë. Deri tani si e shihni ju, a ka ndonjë rrezik që të shkohet përtej këtyre parimeve?
Avdullah Hoti: Për neve dialogu për marrëveshjen përfundimtare nuk ka filluar. Unë besoj që nuk ka filluar. Takimet që janë mbajtur në mes të dy presidentëve ,ne nuk mund t’i konsiderojmë si pjesë të dialogut në këto takime që askush nuk e di se çfarë po bisedohet. Na parlamentin e Kosovës nuk ka një rezolutë për dialog përfundimtar me Serbinë e cila rezolutë do t’i vendoste si të themi, vijat e kuqe ose ne po i quajmë parime të marrëveshjes përfundimtare që janë këto tria që i përmenda më herët, tërësia territoriale e vendit, karakteri unitar i shtetit dhe ruajtja e frymës së kushtetutës së vendit.
Zëri i Amerikës: Javëve të fundit ka pasur shumë deklarata lidhur me ndarjen e Kosovës apo shkëmbim territoresh. Sa janë shqetësuese deklarata të tilla?
Avdullah Hoti: Këto janë balona në ajër, që po lëshohen nga disa persona që fatkeqësisht disa tjerë po kapen pas atyre balonave. Ne kemi 30 vjet që angazhohemi si parti politike dhe jemi anëtar të partive popullore evropiane angazhohemi për Kosovën shtet të pavarur dhe të integruar në Bashkimin Evropian e në NATO dhe nuk heqim dorë nga kjo, ne nuk mund të shkëmbejmë territore të Kosovës me territore të Kosovës.

Zëri i Amerikës: Zyrtarë të lartë nga partia juaj kanë hedhur idenë për shkëmbim të territoreve me Serbinë. Cili është qëndrimi i partisë suaj?
Avdullah Hoti: Qëndrimi i Lidhjes Demokratike të Kosovës është ky që sapo e thash, zyrtarë të lartë të LDK-së që e kanë hedhur këtë ide e kanë thënë edhe vet publikisht se respektojnë plotësisht qëndrimin e partisë.
Zëri i Amerikës: Zoti Hoti, sipas jush si duhet të formohet Asociacioni i komunave me shumicë serbe?
Avdullah Hoti: Duhet të jetë në përputhje me marrëveshjen dhe në përputhje me kushtetutën e Kosovës dhe me opinionin e gjykatës kushtetuese të Kosovës. Statuti i asociacionit duhet të shkojë në Gjykatën Kushtetuese të Kosovës përpara se të miratohet në qeveri, kështu edhe kërkohet me marrëveshjen që është arritur në Bruksel në vitin 2015. Çdo devijim nga kjo formë e themelimit të asociacionit është në kundërshtim me kushtetutën e vendit dhe unë besoj që askush nuk mund të marr guximin brenda institucioneve të vendit që të miratojë një statut që bie ndesh me parimet kushtetuese tona.
Zëri i Amerikës: Vëzhguesit kanë ngritur shqetësim se Kosova po humb përkrahjen nga vendet mike, dhe se të njëjtit nuk kanë kundërshtuar idetë e ndryshme që po qarkullojnë, lidhur me marrëveshjen përfundimtare me Serbinë. Sa është e rëndësishme përkrahja e vendeve kryesore perëndimore?
Avdullah Hoti: Unë besoj që përkrahjen e miqve ndërkombëtarë ne e humbim në rast se e bëjmë shtetin tonë jo funksional, në rast se institucionet e vendit nuk e kryejnë detyrën për të ruajtur interesat vitale shtetërore të Kosovës, në rast se nuk e zhvillojmë ekonominë, në rast se nuk e luftojmë krimin dhe korrupsionin, në rast se nuk tregojmë që jemi një demokraci e qëndrueshme e ndjenjë për t’u integruar në Bashkim Evropian. Vetëm këtë rast ne mund të humbim përkrahjen e partnerëve ndërkombëtarë.
Zëri i Amerikës: Zoti Hoti, a po ushtrohet trysni ndaj partisë suaj për t’u përfshirë në bisedimet që tashmë po zhvillohen në Bruksel?
Avdullah Hoti: Asnjë trysni nuk ka. Është një qëndrim publik zyrtarë i mbajtur nga Lidhja Demokratike. Ka tre muaj që qeveria dhe institucionet e vendit kanë humbur legjitimitetin sepse nuk e kanë shumicën në parlament. Ka gjithashtu tre muaj që

parlamenti i Kosovës nuk funksionon normalisht sepse koalicioni qeverisës nuk ka mjaft vota për të çuar përpara ligjet më të thjeshta. Ne kemi hapur mundësi të dialogut përmes tryezave të partive politike për të ardhur tek një dakordim për këtë çështje dhe nuk ka pasur realisht ndonjë gatishmëri dhe tash pozicioni jonë është shumë i qartë dhe duhet të shkojmë sa më parë në zgjedhje. Dialogu me Serbinë, marrëveshja përfundimtare me Serbinë nuk mund të arrihet nga institucionet jolegjitime, duhet legjitimitet qytetarë i partive politike dhe partia fituese do të ndërtojë një koalicion për të udhëhequr këtë proces. Ne jemi të gatshëm të marrim përsipër këtë proces, por fillimisht duhet të ketë legjitimitet me votë të qytetarëve.
Zëri i Amerikës: Por, presidenti ka paralajmëruar që marrëveshja e ardhshme mund të hidhet edhe në referendum?
Avdullah Hoti: Ai nuk është personi që merr vendime të tilla, ai duhet të qëndrojë brenda kushtetutës së Kosovës, brenda kompetencave kushtetuese që ka. Parlamenti i Kosovës është institucioni më i lartë në vend që vendos për të gjitha këto çështje.
Zëri i Amerikës: Zoti Hoti, si janë mundësitë që ta arrihet një konsensus me partitë opozitare për të miratuar rezolutë për bisedimet me Serbinë?
Avdullah Hoti: Tash ne jemi grupi më i madh parlamentar dhe jemi partia më e madhe në vend dhe dukshëm me partitë tjera dhe na takon barra që të ndërtojmë konsensusin e nevojshëm brenda shoqërisë së Kosovës për këto çështje. Ne jemi duke shtyrë përpara që duhet legjitimitet qytetarë për marrëveshjen përfundimtare me Serbinë dhe si rezultat, ne nuk jemi të gatshëm të mbështesim asnjë lloj rezolute sepse rezolutat që nxirren tash në parlament nuk kanë asnjë kuptim, nuk mund të mandatosh një qeveri që nuk e ka shumicën për të zhvilluar dialogun, nuk mund ta mandatojmë presidentin sepse nuk është në kompetencat kushtetuese të presidentit të dialogojë për çështje të tilla. Vetëm parlamenti i Kosovës dhe shumica parlamentare që nxjerrë qeverinë e vendit mund të dialogoj dhe atë me dy të tretat e votave në parlament. Pra fillimisht duhet legjitimitet qytetarë, duhet një shumicë parlamentare e qëndrueshme që merr përsipër procese kaq të mëdha.
Zëri i Amerikës: Do të thotë përveç zgjedhjeve, Lidhja Demokratike në asnjë mënyrë nuk do të përfshihet në këto bisedime?
Avdullah Hoti: Jo sepse jemi në një situatë kur, e para bisedimet nuk mund të zhvillohen nga ekipet e unitetit jo institucional, sepse ne e kemi kaluar atë fazë, ne jemi shtet i pavarur dhe kemi institucione që flasin në emër të Kosovës. Nëse ato institucione nuk mund të flasin në emër të Kosovës, siç është rasti tash, sepse koalicioni qeverisës nuk mund të flasë në emër të Kosovës sepse nuk e ka shumicën në parlament, atëherë duhet një proces i ri zgjedhor. Prandaj ne nuk mund të bëhemi pjesë e kurrfarë rezolute as kurrfarë ekipi pa legjitimitet qytetarë.

Kompania “Fusha” e Ramës, 43 milionë euro kontrata vetëm nga pushteti lokal

Fusha shpk ka përfituar të paktën rreth 30 milionë euro kontrata nga pushteti lokal gjatë periudhës korrik 2015—korrik 2018.
Të paktën rreth 13 milionë të tjera Fusha i ka përfituar nga pushteti lokal, në të njejtën periudhë kohe, së bashku me kompani të tjera, me të cilat ka fituar kontrata si bashkim kompanish.
Rreth 10 milionë euro të tjera, pritet që kompania të përfitojë në muajt e ardhshëm nga kontrata të fituara, por që nuk kanë filluar të zbatohen.
Të dhënat e Open Data Albania (ODA) rreth prokurimet publike të bashkive të vendit tregojnë se Fusha ka përfituar të paktën 3,6 miliardë lekë kontrata individuale nga bashkitë e vendit dhe të paktën 1,5 miliardë lekë kontrata të përbashkëta me kompani të tjera.
Duke analizuar të dhënat e ODA-s, Exit.al ka vërejtur se Bashkia Tiranë ka qenë institucioni kryesor i kontratave individuale për Fusha shpk.
Duket se me ardhjen e Erion Veliajt në krye të Bashkisë Tiranë, Fusha shpkështë kthyer në kontraktor thuajse ekskluziv të Bashkisë Tiranë.
Me Veliajn kryebashkiak, Fusha ka fituar të paktën 28 kontrata me një vlerë mbi 3,3 miliardë lekë ose mbi 27 milionë euro. Sipas ODA-s, 13 prej këtyre kontratave kanë qenë me prokurim të drejtpërdrejtë ose me probleme në tendera.
Pothuajse gjithë të tjerat gjithashtu kanë dyshime për konkurrencë fiktive.

Kontratat kryesore kanë qenë rindërtimi i Sheshit Skënderbej, ndërtimi i parkimit nëntokësor nën Sheshin Skënderbej. Për veprën e parë Bashkia Tiranë realizoi një tender fiktiv ku u kualifikua vetëm Fusha, kurse për parkimin, Fusha u kontraktua me negocim të drejtpërdejt, në shkelje të ligjit.
Fusha shpk ka gjithashtu një kontratë tre vjeçare (2017-2019) për pastrimin e një pjese të Tiranës me vlerë vjetore mbi 2 milionë euro në vit, e cila shtohet me qindra mijëra euro thuajse çdo vit përmes shtesave të kontratave ose kontraktime të drejtpërdrejta për pastrime të caktuara.
Edhe në vitin 2016, Fusha ka patur një kontratë pastrimi me Bashkinë Tiranë, fillimisht me vlerë rreth 1,4 milionë euro, e cila përmes dy shtesave të kontratës arriti praktikisht në 1,9 milionë euro.
Mbi 2 milionë euro Fusha është paguar nga Bashkia Tiranë për mbjelljen e pemëve në autostradën Tiranë-Durrës.
Mbi 300 mijë euro Fusha është paguar për rindërtimin e Amfiteatrit të Parkut të Liqenit.
Shërbimet që Fusha i ofron Bashkisë Tiranë janë të shumëllojshme dhe përfshijnë, ndër të tjera, ndërtime rrugësh dhe sheshesh, asfaltime, pastrim të qytetit dhe objekteve të tjera, blerje dhe mirëmbajtje koshash dhe stolash në parqe, vendosje kangjellash, etj.
Sikurse dihet, Fusha shpk është paracaktuar nga Kryebashkiaku Veliaj dhe Kryeministri Rama për zhvillimin e zonës pas godinës së Teatrit Kombëtar, në një marrëveshje të dyshimtë korruptive ku Fushës që zotëron vetëm rreth 298 metra aktrore tokë do t’i falën nga Bashkia Tiranë mbi 1300 metra katrore dhe mijëra metra të tjera nga toka aktuale e Teatrit në pronësi të qeverisë, me justifikimin se, në

shkëmbim, Fusha do të ndërtojë një godinë të re për Teatrin Kombëtar.
Fusha shpk duket se ka marrëdhënie po ekskluzive me Bashkitë Roskovec dhe Vorë, nga të cilat ka përfituar gjatë periudhës tre vjeçare, respektivisht kontrata me vlerë 2,3 milionë euro dhe 1,9 milionë euro, të cilat janë shumë të mëdha duke patur parasysh buxhetet e kufizuara të këtyre bashkive.
Ndërkohë Fusha, në mars 2018, Fusha shpk fitoi një tender me vlerë mbi 7,5 milionë euro për rindërtimin e bulevardit të Vlorës, por punimet nuk kanë filluar ende dhe lëvrimi pritet të fillojë në fund të këtij vitit.
Nga të dhënat e ODA-s të analizuara nga Exit.al, rezulton gjithashtu se në periudhën korrik 2015-korrik 2018 Fusha shpk ka fituar si bashkim kompanish të paktën 12 kontrata të mëdha nga bashki të ndryshme të vendit me vlera totale rreth 13 milionë euro.
Me firmën Everest shpk, Fusha ka realizuar rindërtimin e sheshit në hyrje të Portit të Durrësit, projekt i njohur si Veliera, me vlerë rreth 3,7 milionë euro.
Me Bajrami shpk, kompania ka realizuar rehabilitimin e sheshit pranë Mauzoleumit në Durrës me vlerë rreth 2,3 milionë euro.
Me firmën Colombo shpk ka rindërtuar shkollën Ali Demi në Vlorë me vlerë mbi 1,3 milionë euro, shumë e lartë për rindërtim godine shkolle.
Me Besta shpk, Fusha ka realizuar rehabilitimin e zonës përreth lumit Osum dhe mbrojtjen e Urës Vajgurore nga përmbytjet me vlerë 1,2 milionë euro.

“Exit.al”

Intervista ndryshe e Ronaldos

“Oh My Goal”, faqja e njohur sportive e videove në internet, ka publikuar një intervistë (me tekst) të Cristiano Ronaldos. Blerja e kësaj vere e Juventusit, pesë herë fitues i “Topit të Artë”, iu është përgjigjur telegrafikisht disa pyetjeve, duke zbuluar se ai është futbollisti më i mirë në botë, ndërsa mbrojtësi më i vështirë me të cilin është përballur e ka emrin Ashley Cole.
Ja disa nga përgjigjet e CR7:
-Kush është lojtari më i mirë në botë?
Ai jam unë!
-Mbrojtësi që të ka shkaktuar më shumë probleme?
Ashley Cole.
-Tipari juaj më i mirë?
Mentaliteti im!
-Çfarë do të bëjë nëse nuk do të ishe i famshëm?
Do të shkoja për pazar me shokët dhe familjen time.
-Një vend që do doje ta vizitoje?
Vietnami!
-Çfarë mendon djali juaj, duke pasur CR7 si baba?
Ai e dashuron ketë gjë dhe është krenar.
-Hera e fundit që ke qarë?
Eliminimi nga Botërori.
-Të pëlqen të shohësh TV?
Po, shoh shumë dokumentarë.
-Çfarë po shikon për momentin?
Po shoh “THe killing”.
-Rryma e preferuar muzikore?
“Regaton”, por varet nga momenti.
-Cili futbollist ka më shumë ndjekës në rrjetet sociale?
Unë.

Real Madridi “ngrin” Cristiano Ronaldon

Cristiano Ronaldo është një nga personazhet e kësaj vere, pasi ka bërë një transferim të bujshëm te Juventusi, duke u larguar pas 9 vitesh plot suksese nga Real Madridi. Në Torino ai është tashmë një idhull, edhe pse nuk ka debutuar ende me fanellën e “Zonjës së Vjetër”.
Si zakonisht, portugezi po fillon t’i njohë mirë shokët e tij të rinj dhe ka kryer një praktikë shumë të zakonshme në këto raste, duke ndjekur lojtarët e ekipit në rrjetet sociale, si në Instagram. Deri tani çdo gjë është normale, por gjëja qesharake është se, në të njëjtën kohë që ka filluar të ndjekë shokët e tij të skuadrës, trajnerin e tij të tanishëm dhe profilin e Juventusit, ai është ndalur në llogarinë e Real Madridit.
Sidoqoftë, “Topi i Artë” i tanishëm vijon të ndjekë ish-shokët e tij te Real Madridi, si dhe trajnerët e mëparshëm, që ka pasur gjatë karrierës së tij, si Carlo Ancelotti apo Zinedine Zidane, përmes rrjeteve sociale.

Sekreti i dietës së suksesshme

Të kesh një trup perfekt dhe me formë të shkëlqyeshme shumë herë është e vështirë. Dietat jo gjithnjë kanë efektin e pritshëm dhe janë edhe shumë të mundimshme. Por ekziston një mënyrë e veçantë për të humbur peshë përmes një diete të shëndetshme.
1: Llogaritni kaloritë
Sekreti i të humburit peshë është pakësimi i kalorive që merren përditë. Sasia e kalorive që një person merr në një ditë duhet të jetë më e vogël se sasia që harxhon, transmeton Telegrafi.
2: Pakësoni sheqerin dhe yndyrën
Rregulli i dytë i është të pakësohet sa më shumë të jetë e mundur sheqeri dhe yndyrat, duke i zëvendësuar me fibra dhe karbohidrate. Mëngjesi juaj duhet të jetë me bazë fibrash dhe jogurt apo qumësht të skremuar. Në drekë është më mirë të konsumoni mishin e vogël apo peshk të shoqëruara me perime. Ndërkohë, darka është në varësi të drekës. Nëse në drekë jeni rënduar në darkë konsumoni diçka të lehtë, dhe e kundërta. Nëse mes vakteve keni uri hani një frutë apo ndonjë perime si ndonjë karotë apo spec. Duhet të pini 1.5 litër ujë në ditë. Gjithashtu mund të pini kafe dhe çaj, por jo kapuçino. Evitoni pije e sheqerosura dhe alkoolin.
3: Ndryshoni
Dieta kërkon edhe fantazi. Nëse hani vetëm fruta dhe perime së shpejti kjo dietë do të dëmtojë organizmin tuaj, por edhe do të humbisni shijen për ushqimet. Këshilla më e mirë është të shijoni ushqimet të hani dhe të alternoni produktet që konsumoni. Djathi, mishi apo peshku nuk të shëndoshin, nëse nuk e teproni me to. Nëse preferoni shumë të hani brumëra apo makarona është më mirë t’i shoqëroni ato me perime dhe vaj ulliri. Është shumë e rëndësishme të dini si të kombinoni ushqimet që konsumoni. Kështu, nëse për pjatë të para do të hani një sallatë pjata e dytë të jetë me bazë mishi apo peshku, apo nëse pjata e parë është më bazë brumërash apo makarona atëherë e dyta duhet të jetë me bazë perimesh të ziera, në avull apo të pjekura. Kufizojeni veten vetëm me një gotë verë.

4: Bëni pazar me inteligjencë
Evitoni të blini produkte të pasura me yndyra apo sheqerna. Ushqimet që blini, sidomos nëse janë të përpunuara apo konservuara duhet të jenë të shëndetshme. Nëse nuk i rezistoni dot idesë për një ëmbëlsirë, por nuk doni të çoni dëm dietën tuaj, atëherë mund të konsumoni një çokollatë apo një akullore.
5: Lëvizni
Për të rënë në peshë është shumë e rëndësishme lëvizja e rregullt dhe e përditshme. Regjistrohuni në palestër, ngjisni shkallët për në shtëpi dhe mos merrni ashensorin, ecni dhe mos udhëtoni me autobus apo makinë. Në këtë mënyrë do të digjni kaloritë e tepërta dhe do të përshpejtoni ritmin e metabolizmit. Duke lëvizur dhe vënë në punë muskujt do të keni një trup më të lidhur pas dobësimit.
Kujdes: nëse pas ushtrimeve vëreni një rritje të peshës suaj mos u shqetësoni ju thjeshtë po rrisni muskujt, që peshojnë më shumë se yndyrat. Por kjo është një fazë e përkohshme.
6: Vetëvlerësimi
Në një dietë vetëvlerësimi është shumë i rëndësishëm. Mos ndiqni modele të ‘paarritshme’ por mësoni të doni dhe vlerësoni trupin tuaj. Nuk është e rëndësishme se çfarë pamje kanë të tjerët, gjëja e vetme me vlerë është se ti je duke bërë dietën tënde dhe ke rezultate pozitive.
7: Duhet të keni durim
Asnjëherë mos prisni të ndryshoni pamjen tuaj dhe të humbisni peshë brenda pak ditësh. Duke ngrënë në mënyrë të ekuilibruar dhe duke u marrë rregullisht me aktivitet fizik rezultatet e para do të vijnë pas 3-4 javësh. Mund t’ju duket shumë kohë, por mos u mërzisni. Durimi është shumë i rëndësishëm në një dietë dhe në humbjen e kileve. Mos u fiksoni pas peshës dhe të filloni të peshoheni çdo javë, apo të matni trupin, vithet apo gjoksi, pasi kjo nuk është mënyra e duhur për të arritur rezultatin e kërkuar.
8: Mos u dëshpëroni
Asnjëherë nuk duhet të harroni një këshillë. Mos u dëshpëroni nëse një ditë e keni ekzagjeruar me të ngrënë apo nëse një javë, si pasojë e stresin, keni ngrënë ushqime me më shumë kalori se sa ajo e ‘lejuara’. Kjo është normale. Asnjëherë mos e ndërprisni dietën në një rast të tillë dhe vazhdoni dietën si më parë.
9: Larg pilulave për t’u dobësuar
Kurrë mos përdorni pilula apo medikamentet që ‘reklamojnë’ dobësimin. Ato thjeshtë çrregullojnë metabolizmin, dhe për rrjedhojë edhe organizmin dhe shëndetin tuaj. Si pasojë do t’ju duhet më shumë kohë për të rigjeneruar trupin tuaj dhe shumë herë edhe duke shtuar në peshë.
10: Stili i jetesës
Pasi të keni arritur peshën që dëshironi, të humbisni kile dhe të keni në trup të bukur mos e lëshoni veten në ushqime pa fund. Filloni të shtoni shumë pak dhe ngadalë kaloritë dhe vazhdoni të hani shëndetshëm. Kjo duhet të kthehet në një stil jetese. Do të vëreni se edhe lëkura dhe humori juaj do të përmirësohet. Do të ndjeheni të bukura dhe të sigurta në vetvete.