33.5 C
Tirana
E mërkurë, 25 Qershor, 2025

Kërcënimi i heshtur që po “gllabëron” tokat! Rreth 150 km të vijës bregdetare në Shqipëri po i nënshtrohet erozionit. Investigimi i Vetting

Në emisionin “Vetting” në News24 është trajtuar fenomeni i erozionit, veçanërisht në zonat bregdetare. Erozioni, një forcë natyrore, e kombinuar me pasojat e dorës njerëzore është kthyer në një kërcënim të heshtur, një katastrofë që na kalon përpara syve pa bërë zhurmë.

Sipas specialistëve rreth 150 kilometra të vijës sonë bregdetare po i nënshtrohet me ritme të shpejta erozionit duke shkaktuar dëme të konsiderueshme social-ekonomike.

Sipas një raporti të Programit të Zhvillimit të Organizatës së Kombeve të Bashkuara, humbja e tokës për shkak të erozionit është 2-3 herë më e lartë në Shqipëri sesa në vendet e tjera të Mesdheut dhe 10 deri në 100 herë më e madhe se sa në shumë vende të tjera Europiane. Ndërsa institucionet shtetërore qëndrojnë indiferent.

Bregdeti mahnitës shqiptarë i shtrirë në 454 kilometra, një pasuri natyrore e jashtëzakonshme, ka tërhequr vëmendjen e miliona turistëve nga e gjithë bota.

Plazhet me rërë të artë, ujërat e kristalta të deteve Jon dhe Adriatik, si dhe vijat malore që prekin bregun, krijojnë një peizazh unik të pakrahasueshëm.

Nga plazhet e gjata dhe të qeta të Vlorës, te bukuritë e Shëngjinit e deri në ishujt dhe gjiret e fshehura të jugut, çdo pjesë e bregdetit shqiptar ofron një eksperiencë të paharrueshme. Udhëtarët mund të shijojnë një kombinim të historisë, kulturës dhe natyrës.

Natyra i ka dhënë gjithçka i duhet një vendi për të qenë unik, ndërsa dora e njeriu shqiptar ka shkatërruar pa ndalur.

253 kilometra vijë bregdetare përbëhet nga plazhe me rërë të sedentuar, të cilat kërcënohen nga erozioni që vjen si pasojë e ndërtimit të digave në lumenj dhe ulja e prurjeve si rrjedhojë e ndryshimeve klimatike.

Ky emision do t’ju çojë në një udhëtim tek rezervati natyror i Kune Vainit në Lezhë, plazhi i Shëngjinit, Kepi i Rodonit, Golemi, Hamallaj, Rrushkulli, Shkëmbi i Kavajës, plazhi i Darëzezës në Fier dhe Pylli i Sodës në Vlorë. Atje ku natyra flet përmes shenjave të saj, dhe ne do të zbulojmë se sa shumë mund ta ndryshojë dora e njeriut për mirë a për keq atë çfarë na ka fal Zoti.

Do të shihni se çfarë do të ndodhë nëse vazhdojmë të humbasim çdo ditë nga pak, këtë betejë me erozionin duke shkatërruar pasuri që natyra e na e ka dhuruar, duke humbur gjithnjë e më shumë copa toke që ka mbajtur brez pas brezi.

Sipas dekanit të Fakultetit të Pyjeve në Universitetin Bujqësorë Kamëz, Ervin Toromani, në aspektin e erozionit detar zona më e dëmtuar është ajo e Kune-Vainit në bashkinë e Lezhës, është zona e Semanit që i përket bashkisë së Fierit, janë zona problematike ku janë konstatuar humbje të tokës dhe avancimi i detit duke hyrë në brendësi të territorit në zona të caktuara, sidomos në zonën e Kune Vainit po rrezikohen habitatet e lagunës dhe të ligatinave duke ndikuar drejtpërsëdrejti në florën dhe faunën që jeton pikërisht në këto habitate.”

Rama dhe Berisha mbajnë pengë Shqipërinë!

Nga Namir Lapardhaja

Rama duhet të iki, Berisha s’duhet të vijë!

Rama mban peng Shqipërinë, Berisha opozitën.

Rama vjedh shqiptarët, Berisha shpresën për ndryshim.

Rama manipulon turmat, Berisha militantët.

Rama ushqen oligarkët, të cilët Berisha i krijoi.

Rama kontrollon të njëjtat media që mbajnë Berishën në lojë.

Rama do të hetohet për korrupsion, Berisha po gjykohet si i korruptuar.

Rama largoi njerëzit nga vendi, Berisha zvogëloi PD-në.

Rama mbështetet nga ‘të fortët’ për vota, Berisha organizoi me ta “Foltoren”.

Rama çoi krimin në Parlament, Berisha përdori krimin për të rrëmbyer partinë.

Rama do të zhbëjë SPAK-un, Berisha do të shkrijë Prokurorinë e Posaçme.

Rama është më i kamufluar, Berisha më i lexueshëm.

Rama është më modern në artikulim, Berisha më folklorik në mashtrim.

Rama kur sheh një turmë njerëzish, mendon si t’i shtypë me këmbë, Berisha kur sheh turma njerëzish preket, loton dhe fillon u mban fjalime.

Rama ka ndërtuar një sistem hipokrit, Berisha udhëheq një turmë të verbër.

Rama ka vrarë garën, Berisha ka depersonalizuar partinë.

Rama mban në politikë Berishën, Berisha mban në politikë Ramën.

Të dy mbajnë peng Shqipërinë.

“SPAK nuk kontrollohet nga askush”, ambasadori i BE-së fut në “ankth” politikën: Puna e Prokurorisë së Posaçme sapo ka filluar!

Ambasadori i Bashkimit Europian në Tiranë, Silvio Gonzato e ka përshkruar kreun e SPAK, Altin Dumani si njeri me integritet të lartë, pa ndonjë anësi politike. Diplomati europian vlerësoi punën e bëri deri më tani nga Prokuroria e Posçme, tekasa la të kuptohet se ka vend për përmirësim.

Gonzato hodhi poshtë të gjitha akuzat se SPAK ka prapavijë politike apo se drejtohet dhe ndikohet nga qeveria. Për kreun e delegacionit të BE-së mënyra se si funksionon SPAK-u nuk mund të kontrollohet nga qeveria.

Ka kryebashkiakë nga e majta dhe e djathta që janë të paditur, që po hetohen. Unë nuk shoh ndonjë anësi të veçantë politike në mënyrën si po vepron SPAK-u. Unë e kam takuar zotin Dumani, është njeri me integritet të lartë. Ai po bën punën e tij, nuk kërkon vëmendje, nuk kërkon famë. Ai thjesht po bën punën e tij. Dhe siç thashë më parë, mendoj se duhet t’i lejojmë të bëjnë punën e tyre. Dhe sigurisht, duhet bërë në kuadër të shtetit ligjor. Ata duhet të respektojnë procedurat e kështu me radhë, gjithçka është e qartë. Kështu që unë nuk dua vërtet të komentoj për insinuatat se SPAK-u është i drejtuar politikisht. Gjithçka që mund të them është se reforma në drejtësi futi masa mbrojtëse që mbrojnë institucionet gjyqësore nga ndërhyrjet politike. Nuk e kuptoj se si mënyra se si funksionon SPAK-u mund të kontrollohet nga qeveria. Kaq mund të them”, tha Gonzato në emisionin “Çdo Kënd” në A2 CNN.

Më tej, ambasadori thekson se duhet t’u japim pak kohë institucioneve të reja të drejtësisë për t’u konsoliduar dhe për të arritur rezultatet që priten. Gonzato tha se SPAK nuk mund të merret me çdo çështje të mundshme, pasi ata janë krijuar posaçërisht për korrupsionin dhe krimin e organizuar. Gonzato paralajmëron se me kalimin e viteve dhe konsolidimin e SPAK, aksionet do të jenë më të dukshme dhe më efektive.

Ka disa rekomandime që janë pjesë e gjithë procesit të anëtarësimit, procesit të shqyrtimit, dhe ato kanë të bëjnë me rritjen edhe më tej të pavarësisë së sistemit gjyqësor, rritjen e burimeve, kapacitetit, për shembull, për të kryer hetime financiare në mënyrë efektive. Pra, ajo që thoni, mendoj unë, është një tregues se me të vërtetë SPAK-u po përballet me një ngarkesë të madhe pune dhe se nuk duhet të harrojmë se ky është një institucion i ri. Ata sapo kanë filluar. Ne do të shënojmë të premten, besoj, pesë vjetët e SPAK-ut në detyrë. Pra, duhet t’u japim pak kohë këtyre institucioneve të reja për t’u konsoliduar dhe për të arritur rezultatet që priten. Unë ndonjëherë shqetësohem se pritshmëritë që njerëzit kanë ndaj SPAK-ut janë paksa joproporcionale edhe me kapacitetin e tij. Ndonjëherë, shoh njerëz që i referohen rasteve të SPAK-ut që në fakt duhet t’i shkojnë drejtësisë së zakonshme, për shembull. Pra, duket sikur ata do të shpëtojnë gjithçka dhe të gjithë. Pra, SPAK ka një mandat specifik që merret me korrupsionin dhe krimin e organizuar. Mendoj se ata kanë arritur rezultate të jashtëzakonshme edhe në fushën e krimit të organizuar. Ne nuk flasim mjaftueshëm për këtë. Ata kanë krijuar bashkëpunim vërtet të shkëlqyer me agjencitë evropiane ligjzbatuese, me Europolin, por edhe me ndërkombëtarët, me Interpolin, me agjencitë në Amerikën e Jugut për trafikun e drogës. Pra, mendoj se po bëjnë shumë, për të qenë i sinqertë. Thjesht duhet t’u japim kohë. Dhe, sigurisht, është edhe çështje e konsolidimit të praktikave të tyre të punës, për të arritur nivelin e profesionalitetit që u nevojitet. Më vjen shumë mirë, për shembull, që zëvendësdrejtori i BKH-së, hetuesve, është emëruar tani, dhe ata mund të zhvillojnë tani policinë gjyqësore, pasi kjo do të rrisë edhe kapacitetin e SPAK-ut për të hetuar shpejt dhe me efektivitet rastet që i referohen”, shtoi ai.

Ndërsa sa i takon deklaratës shqetësuese të kreut të SPAK për ata që kanë kaluar vetingun, Gonzato theksoi që institucionet gjyqësore duhet të kenë mekanizmat e tyre të brendshëm që sigurojnë llogaridhënien e stafit gjyqësor.

Duhet të sigurojmë që pas këtij revolucioni, për shkak se Vetingu ishte me të vërtetë një masë e ashpër, por e nevojshme, duhet të vendosim një sistem që siguron rregullisht integritetin e personelit gjyqësor. Pra, padyshim kjo është diçka që duhet parë dhe për të cilën duhet të marrim masa. Ne po japim mbështetjen tonë të plotë për institucionet e pavarura të drejtësisë për ta bërë këtë. Ajo që është e rëndësishme është se kur flasim për llogaridhënien e stafit gjyqësor, duhet ta kombinojmë atë me pavarësinë. Pra, ajo që duhet të arrijmë është që institucionet gjyqësore të kenë mekanizmat e tyre të brendshëm që sigurojnë llogaridhënien e stafit gjyqësor. Unë nuk e shoh këtë përgjegjshmëri të ndodhë në lidhje me dy elementët e tjerë ose me dy shtyllat e tjera të shtetit, pra legjislativit/parlamentit dhe ekzekutivit. Kështu që ne duhet të ndihmojmë autoritetet e pavarura gjyqësore të vendosin mekanizmat e nevojshëm. Ka edhe agjenci të tjera që mund të ndihmojnë. HIDACI, për shembull, është agjencia që duhet të kontrollojë rregullisht asetet e nëpunësve civilë. Pra, ka një numër lojtarësh që mund të luajnë rolin e tyre në këtë drejtim. Por ky është padyshim një aspekt i rëndësishëm”, u shpreh ai.

Gonzato foli edhe sa i takon çështjes së Olta Xhaçkës. Edhe pse Komisioni i Venecias dha opinionin e kërkuar nga kryetarja e Kuvendit lidhur me mandatin e deputetes Olta Xhaçka, ku thuhet se vendimet e Gjykatës Kushtetuese janë të detyrueshme për zbatim për këdo dhe këtë të drejtë ia ka njohur Kushtetuta e vendit, palët e kanë interpretuar këtë qëndrim në mënyra të ndryshme.

Por për Gonzaton, politika dhe Kuvendi duhet t’i zbatojnë vendimet e Gjykatës Kushtetuese, ndërsa në Shqipëri sipas tij duhet të rivendoset ekuilibri kushtetues.

“Është një çështje e rëndësishme për momentin. Duhet ta keni vënë re që në raportin e vitit 2024 dhe në konkluzionet e Këshillit, pra një dokument që miratohet jo nga Komisioni por nga Shtetet Anëtare, ka një reference të qartë ndaj nevojës për t’i qëndruar vendimeve të Gjykatës Kushtetuese. Kjo çështje duhet parë me shumë kujdes. Ju vetë iu referuat opinionit të Komisionit të Venecias, ku theksohet parimi i besnikërisë kushtetuese, ndërsa për pjesën tjetër u takon autoriteteve shqiptare të vendosin. Por mendoj se duhet të rivendosim qartësinë dhe të rivendosim ekuilibrin kushtetues”, përfundoi ambasadori i BE.

Rrëzimi i mitit gjerman! The Economist: Nga një ekonomi në lulëzim, në të dëshpëruar, si modeli i biznesit po kriset

Nga një ekonomi në lulëzim, në një ekonomi të dëshpëruar. Ndërsa zgjedhjet po afrohen, modeli gjerman i biznesit po kriset, shkruan The Economis.

Ministria e Financave e shtetit jugor gjerman Baden-Württemberg, ku kanë selinë kompani gjigante si Bosch, Mercedes dhe ZF Friedrichshafen, është një vend i përsosur për të kuptuar ankthet e Gjermanisë.

Rajonin e ka mbërthyer frika e deindustrializimit teksa po afrohen zgjedhjet që duket se do t’i japin fund mandatit të kancelarit Olaf Scholz, nëse nuk shkarkohet më parë nga partia e vet.

Danyal Bayaz, ministri i Financave i shtetit Baden-Württemberg, shqetësohet se Gjermania nuk ka arritur të përfitojë siç duhet nga globalizmi i 15 viteve të fundit, duke mos investuar mjaftueshëm në sferën publike, në një epokë me norma të ulëta interesi.

Tani, përballë krizës së energjisë, rritjes së konkurrencës nga Kina dhe mundësisë që Amerika e Donald Trump të vendosë tarifa importi prej 10-20%, modeli i biznesit i Gjermanisë, duket se është “në kolaps”.

Zoti Bayaz ankohet se Gjermania nuk pati aftësinë për të shfrytëzuar teknologjinë e re, pavarësisht se vendi njihet në fusha si kërkimi dhe inxhinieria. Ai vë në dukje se firma e fundit startup e suksesshme në Gjermani, ishte SAP, një kompani softuerësh, e themeluar që në kohën kur Franz Beckenbauer udhëhoqi ekipin e futbollit të Gjermanisë Perëndimore drejt fitores, në Kampionatin Europian të vitit 1972.

Gjermania ka mbi 60 herë më shumë banorë se Estonia, por vetëm 15 herë më shumë kompani “unicorn” (“njëbrirëshe”, firma private startup me vlerë mbi 1 miliard dollarë).

Ky është një problem i njohur për ekonominë e vendit. Industria gjermane, sidomos kompanitë e vogla dhe të mesme, i kanë përqendruar forcat në rritje dhe zgjerim, duke e lënë industrinë të papërgatitur ndaj goditjeve të papritura teknologjike, si ardhja e automjeteve elektrike. Lidhjet e rehatshme midis biznesit, bankave dhe politikanëve, nxitën vetëkënaqësinë dhe qëndresën ndaj reformave të reja.

Respektimi dogmatik i rregullave fiskale çoi në ndryshkje të urave, prishje të shkollave dhe vonesa të trenave. Rritjet në tregjet e huaja shtuan fitimet e bizneseve gjermane për njëfarë kohe, por ky model i udhëhequr nga eksporti, e la Gjermaninë të pambrojtur kur erërat e globalizimit u kthyen në drejtimin e kundërt.

Kur korr atë që mbjell

Tani, Gjermania po korr atë që mbolli, edhe pse vitin e kaluar zuri vendin e Japonisë, si ekonomia e tretë më e madhe në botë. Në fakt, vendi pothuajse nuk ka pasur fare një rritje reale të PBB-së, që nga koha e pandemisë. E ardhmja bëhet edhe më e zymtë po të marrin parasysh rreziqet e një lufte tregtare të shkaktuar nga Donald Trump.

Kompania Volkswagen, që është prodhuesi më i madh i makinave në Europë, do të mbyllë për herë të parë në historinë e vet 87-vjeçare, deri në 30,000 vende pune. Papunësia e vendit ka qenë historikisht e ulët, por tashmë po rritet.

Koha-per-planin-B

Një tjetër shqetësim i madh për kompanitë gjermane janë çmimet e larta të energjisë, sidomos pasi Gjermania u detyrua të shkëputej nga gazi rus, pasi Vladimir Putin pushtoi Ukrainën. Gjendja e vështirë e kompanive është veçanërisht problematike në një vend si Gjermania, ku manifaktura ende përbën rreth 20% të vlerës së shtuar bruto.

Kjo është pothuajse sa dyfishi i kontributit që jep kjo industri në vlerën e shtuar bruto të Francës, megjithëse, pasi manifaktura industriale gjermane arriti kulmin në vitin 2018, që atëherë pesha e saj në vlerën e shtuar bruto të vendit, është ulur më shpejt se në çdo shtet të BE-së (shih grafikun 1), veçanërisht në sektorët që përdorin shumë energji, si prodhimi i çelikut.

Porositë janë pakësuar dhe investimet e planifikuara janë shtyrë, ose janë zhvendosur jashtë vendit. Shefi i kompanisë së çelikut Thyssenkrupp, që ka dalë me humbje, ka thënë se Gjermania është “në mes të një deindustrializimi”.

Edhe shitësit me pakicë janë goditur nga kriza. Pas pushtimit të Rusisë, Raoul Rossmann, i cili drejton një zinxhir farmacish me seli pranë Hanoverit, që mban mbiemrin e familjes, vizitoi me radhë degët e kompanisë për të gjetur një mënyrë si mund të kursenin në faturat e energjisë.

Konkurrenca nga Kina

Probleme të tjera janë mungesa e punëtorëve të kualifikuar ndërsa popullsia gjermane po plaket, dhe shtresat e burokracisë, shumica e të cilave burojnë nga Brukseli, dhe që Instituti IFO në Mynih, llogarit se i kushtojnë ekonomisë gjermane 146 miliardë euro (154 miliardë dollarë) në vit. Sipas Sander Tordoir në Qendrën për Reformën Europiane (CER), një faktor i rëndësishëm në rënien e ekonomisë gjermane ka qenë edhe ndryshimi i marrëdhënieve me Kinën.

Në dekadat 2000 dhe 2010, Gjermania ishte në një pozicion të përsosur për të kënaqur oreksin kinez me makinat, kimikatet dhe pajisjet e sakta gjermane. Eksportet e mallrave gjermane drejt Kinës u rritën me 34% midis viteve 2015 dhe 2020, ndërsa ato të vendeve të tjera ranë. Deri në vitin 2020, Kina ishte një importues neto i makinave, por vitin e kaluar, ajo u bë eksportuesi më i madh në botë.

Kështu, kompanitë kineze po shndërrohen nga klientë, në konkurrentë, duke i rrëmbyer pjesën e tregut jo vetëm industrisë gjermane të automobilave, por edhe kompanive të tjera prodhuese gjermane. “Nuk ka të bëjë vetëm me automjetet, por edhe me makineritë dhe kimikatet”, thotë zoti Tordoir.

Siç vë në dukje Clemens Fuest, nga qendra IFO, Kina tani përbën vetëm 6% të totalit të eksporteve gjermane, afërsisht sa Holanda fqinje. Por marrëdhënia e Gjermanisë me Kinën, nuk ka të bëjë vetëm me varësinë nga eksportet. Në një studim, zoti Tordoir dhe Brad Setser, një ekonomist në Këshillin për Marrëdhëniet me Jashtë, përshkruajnë se si “goditja e dytë e Kinës”, mund të përkeqësojë edhe më tepër problemet industriale të Gjermanisë.

Tregu i brendshëm i Kinës nuk mund të përthithë prodhimin e tepërt të prodhuesve të tij të subvencionuar nga shteti, dhe ndërsa ata kërkojnë klientë jashtë vendit, ka shpërthyer suficiti tregtar i vendit. Ky është një problem për kompanitë gjermane që operojnë brenda vendit dhe jashtë.

“Tregjet e ndikuara nga shteti kinez, mund të ofrojnë nivele të paarsyeshme financimi për investimet kineze, duke lënë në baltë prodhimin gjerman”, shkruajnë ata.

Ndryshimi-i-drejtimeve-1160

Ndërsa eksportet gjermane në Kinë kanë rënë, Amerika ka zënë pjesërisht vendin e tyre (shih grafikun 2). Disa kompani kanë shfrytëzuar mundësitë e hapura nga shkëputja e Amerikës nga teknologjia kineze; të tjera kanë përfituar nga subvencionet e Ligjit për Uljen e Inflacionit. Por Donald Trump është një kërcënim për të gjitha këto.

Ai jo vetëm që mund të rrisë tarifat, për të cilat banka gjermane Bundesbank mendon se mund ta zvogëlojnë PBB-në gjermane me një pikë përqindje, por kufizimet e reja amerikane mund të godasin edhe kompanitë prodhuese gjermane që përdorin inpute kineze. Këto veprime nga ana e Amerikës do të shtynin eksportuesit kinezë që të kërkonin tregje alternative jashtë Europës.

Një diplomat thotë se industria gjermane është e ndarë për sa i përket Kinës. Kompanitë Volkswagen dhe BMW po planifikojnë investime të reja të mëdha në prodhimin kinez.

Për shkak të lobimit nga sektori i saj i makinave, Gjermania ishte një nga pesë shtetet europiane që votuan kundër tarifave të BE-së ndaj importeve të makinave kineze, në tetor. Brenda qeverisë gjermane ka shumë tension midis diplomatëve dhe politikanëve më të ashpër.

Këta të fundit duan ta ndëshkojnë Kinën me kufizime tregtare për mbështetjen e ushtrisë ruse, ndërsa të tjerë që shqetësohen më tepër për industrinë, kanë frikë se kjo është një masë që Gjermania me rritje të ulët ekonomike, nuk mund ta përballojë dot.

Fundi i zakoneve të vjetra

Historia e deindustrializimit mund të jetë më e ndërlikuar nga sa duket. Humbja e vendeve të punës në sektorin e manifakturës, ul produktivitetin e Gjermanisë, që tashmë ka qenë në rënie prej vitesh. Por vlera e shtuar bruto në manifakturë ka mbetur e qëndrueshme, edhe pse prodhimi ka rënë.

Me fjalë të tjera, disa prodhues gjermanë, mund të bëjnë mallra më të vlefshme, duke shitur më pak prej tyre. Kjo metodë e “cilësisë mbi sasinë”, siç shprehet Deutsche Bank, mund të jetë premtuese për kompanitë gjermane të teknologjisë së lartë, duke përfshirë makinat luksoze. Gjermania vazhdon të ketë përparësi në teknologjinë e gjelbër, duke përfshirë turbinat me erë dhe elektrolizatorët.

Por kjo nuk mund të kompensojë humbjet në fusha të tjera. Gjermania duhet të kapërcejë “zakonin e saj të keq industrial”, thotë Moritz Schularick nga Instituti i Kiel-it për Ekonominë Botërore.

Industritë që përdorin shumë energji, nuk janë rritur për dy dekada. Sektori i makinave ka humbur vendet e punës prej gjashtë vjetësh dhe një kthesë në horizont duket e pamundur. “Për vite me radhë, ata kishin besimin se ‘ne jemi më të mirët’, dhe papritmas kjo mbaroi”, thotë një zyrtar i BE-së.

Forca të thella strukturore veprojnë në modelin industrial të Gjermanisë. Të bindësh gjermanët se duhet gjetur një alternativë ndaj të qenët fuqi e madhe në eksport, është një përpjekje që kërkon vite, jo muaj. Nuk mund të kompensohet lehtë as rënia e tregtisë me rajonet e tjera të botës.

Pavarësisht përpjekjeve të shumta të Gjermanisë, bisedimet për tregti të lirë midis BE-së dhe bllokut amerikanojugor Mercosur, janë zvarritur tashmë prej 25 vjetësh. (Franca, midis vendeve të tjera, është kundër marrëveshjes.)

Disa mendojnë se një mjet më i dobishëm për t’i dhënë vrull ekonomisë, do të ishte reformimi i një pjese të modelit gjerman që duket se është kthyer në pengesë: frena e borxhit, e cila kufizon deficitin buxhetor strukturor vjetor të qeverisë federale në 0.35% të output-it. Frena e borxhit është një relike e një epoke të shkuar, thotë Max Krahé nga grupi kërkimor Dezernat Zukunft, me seli në Berlin.

Ky ligj është krijuar në një kohë kur Gjermania mbështetej në vendet e tjera me deficite, për të nxitur ekonominë e saj. Në një botë ku globalizimi ka ngecur, ky model nuk funksionon më.

Mungese-investimesh-1160

Ndërkohë, nevojat e Gjermanisë për investime publike (që sipas një vlerësimi shkojnë në rreth 600 miliardë euro gjatë dhjetë viteve), janë bërë tepër të mëdha për t’u shpërfillur (shih grafikun 3).

Për më tepër, nevojiten edhe fonde të reja për mbrojtjen. Gjermania këtë vit arriti më në fund objektivin e NATO-s për shpenzimin e 2% të PBB-së në mbrojtje, por vetëm falë një fondi të posaçëm që së shpejti do të përfundojë. Me shumë gjasa, do të nevojiten edhe më tepër për të plotësuar kërkesat e administratës së re Trump.

Për këto arsye, mendohet se koalicioni i ardhshëm qeveritar, ndoshta i udhëhequr nga kancelari i ardhshëm Friedrich Merz, udhëheqësi i Partisë Kristiano-Demokrate i qendrës së djathtë, do të jetë i hapur për një reformë modeste në ligjin e frenimit të borxhit. (Gjermania do të mbajë zgjedhje në muajin shkurt, pas përmbysjes së koalicionit tripartiak këtë muaj.)

Nëse kryhen reformat e nevojshme, lulëzimi i investimeve mund të ndihmojë në kompensimin e humbjeve të eksportit në një periudhë afatshkurtër. Gjermania do të përfitonte shumë nga investime në arsim dhe infrastrukturë, fusha ku është mbrapa kolegëve europianë dhe investime të tilla mund të përshpejtojnë normën e rritjes afatgjatë të vendit.

Ka shumë ide për reforma, duke përfshirë rritjen e deficitit të lejuar (ose zëvendësimin e tij me udhëzime më të gjera), përjashtimin e investimeve publike nga kufijtë e huamarrjes ose krijimin e fondeve jashtë rezervave për infrastrukturën ose mbrojtjen.

Sidoqoftë, për t’u kthyer në ndryshime në Kushtetutë, të gjitha këto do të kërkonin një shumicë prej dy të tretash në të dyja dhomat e parlamentit.

Dhe ka shumë gjasa që në zgjedhjet e ardhshme, partitë e skajeve të fitojnë rreth një të tretën e pakicës në Bundestag, që mjafton për të hedhur poshtë propozime të tilla ligjore. Për këtë arsye, socialdemokratët në qeveri, i kanë kërkuar zotit Merz që ta japë që tani mbështetjen për reformën, pasi kjo do t’u jepte partive pro-reformës mbështetjen që i nevojitet për miratimin e saj. Deri tani, ai nuk ka pranuar.

Thorsten Benner, i cili drejton Institutin Global të Politikave Publike të Berlinit, thotë se Gjermania është zhvendosur nga “optimizmi i lehtë” i viteve të qeverisë së Angela Merkelit, në një “kurth të zymtë” ku probleme si politika jofunksionale, kufizimet e frenës së borxhit, burokracia e tepërt dhe mosbesimi publik, përforcojnë njëri-tjetrin. Ai shpreson se qeveria e ardhshme mund të veprojë si një forcë ndryshimi.

Kjo nuk është e pabesueshme. Në vend ka një rënie morali aq të thellë, sa që është rritur ndjesia se një ndryshim rrënjësor është tashmë i pashmangshëm. Në këtë sfond do të lidhet marrëveshja e koalicionit të ardhshëm qeveritar.

Merz mund të pranojë reformat e frenimit të borxhit nëse aleatët e tij bien dakord për uljen e taksave ose reformën e mirëqenies. Por do të ishte shumë ironike nëse llogaritë e thjeshta parlamentare pengojnë një ndryshim të madh dhe të nevojshëm për Gjermaninë./Monitor

Ora dhe datat/ Zbardhet kalendari i plotë, njihuni me të gjitha ndeshjet e Shqipërisë në kualifikueset e Botërorit 2026

Shqipëria zbuloi ditën e sotme kundërshtarët me të cilët do të përballet në kualifikueset e Botërorit. Shorti i vuri përballë kuqezinjtë me Anglinë, Serbinë, Letoninë dhe Andorrën në Grupin F.

Rrugëtimin skuadra e Silvinjos do ta nisë të premten e 21 marsit në orën 20:45 në transfertë. Pas 3 ditësh, më 24 mars, Shqipëria do të luajë ndeshjen e parë në shtëpi ndaj Andorrës, në orën 20:45.

Dy ndeshjet e radhës janë në qershor 2025. Ndeshja Shqipëri – Serbi do të luhet më 7 qershor, në orën 20:45. Pas 3 ditësh, më 10 qershor, kuqezinjtë do të udhëtojnë në transfertë për t’u përballur me Letoninë. Takimi do të luhet në orën 20:45.

Në shtator, skuadra kuqezi do të luajë vetëm një ndeshje në shtëpi. Takimi Shqipëri – Letoni do të luhet më 9 shtator, në orën 20:45.

Edhe në tetor, në program është vetëm një ndeshje në transfertë. Ndeshja Serbi – Shqipëri do të zhvillohet më 11 tetor, në orën 20:45.

Shqipëria do të mbyllë rrugëtimin në kualifikueset e Botërorit 2026 në muajin nëntor. Sfida Andorrë – Shqipëri do të luhet më 13 nëntor, në orën 20:45.

Ndeshja e fundit do të luhet në stadiumin kuqezi “Arena Kombëtare”. Supersfida Shqipëri – Angli do të luhet më 16 nëntor, në orën 20:45.

Mpiksja e gjakut në këmbë, pse ndodh dhe faktorët e rrezikut

Mpiksja e gjakut është një proces i rëndësishëm në organizëm që ka si qëllim të parandalojë gjakderdhjen e tepruar pas një lëndimi ose aksidenti.

Megjithatë, ka raste kur gjaku mpikset në brendësi të venave të zonave të ndryshme të trupit.

Më pas masa e ngurtë mund të arrijë deri në mushkëri duke rrezikuar seriozisht jetën e pacientit.

Në disa raste, gjaku mpikset në enë të mëdha të gjakut duke shkaktuar kështu trombozën e venës së thellë.

Më poshtë gjeni një informacion me gjithçka duhet të dini lidhur me mpiksjen e gjakut.

Simptomat e mpiksjes së gjakut në këmbë

Disa prej simptomave më të zakonshme të mpiksjes së gjakut në këmbë përfshijnë: enjtjen, skuqjen dhe dhimbjen.

Nëse gjaku mpikset në këmbë, zona në fjalë do të enjtet ndjeshëm në krahasim me këmbën tjetër.

Lëkura në këtë zonë mund të skuqet ndërkohë që këmba dhemb.

Skuqja e lëkurës gjithashtu shoqërohet edhe me nxehtësinë e zonës ku është mpiksur gjaku.

Kur është koha për të shkuar tek mjeku

Ekspertët thonë se njeriu duhet të shkojë tek mjeku menjëherë sapo dyshon që ka një trombozë në këmbë, sepse ajo e fundit mund të arrijë shumë shpejt në mushkëri.

Kur një gjë e tillë ndodh, njeriu vuan nga embolizmi pulmonar.

Ky problem manifestohet me simptoma të ndryshme siç janë rrahjet e larta të zemrës, dhimbje dhe vështirësi në frymëmarrje.

Faktorët e rrezikut për mpiksjen e gjakut në këmbë

Sipas ekspertëve, të cilëve u referohet AgroWeb.org njerëzit që kanë kryer një ndëhyrje kirurgjikale, janë mbi 65 vjeç dhe marrin kontraceptivë janë më të rrezikuar nga mpiksja e gjakut.

Faktorë të tjerë rreziku janë trajtimet kundër kancerit, mbipesha, jeta jo aktive, probleme të tjera me venat dhe historiku familjar.

Mënyrat më të mira për të parandaluar mpiksjen e rrezikshme të gjakut është që të ruani një peshë të shëndetshme dhe të jeni aktivë.

Ekspertët gjithashtu rekomandojnë që herë pas here të merrni një dozë të vogël aspirine./AgroWeb.org

Denoncimi/ Vlonjati regjistron pronën e gjyshes, në tokën e tij “mbijnë” kioska pa leje

Edmond Mustafa është drejtuar në “Stop” pasi ka një truall në emër të gjyshes në qytetin e Vlorës, të cilin po e certifikon dhe aty janë ndërtuar disa kioska nga qytetari Albert Dalipaj.

Edmondi është drejtuar në Bashki dhe IMT, por askush nuk ka marrë masa.

“Në pronën time apo të gjyshes janë ndërtuar tre kioska pa leje nga Albert Dalipaj, i ka vënë me forcë kur nuk kemi qenë ne, ka qenë vetëm nëna. Këto kioska janë ndërtuar pas ’95 sepse në ’95 kemi qenë vetë atje, nuk ka patur kioskë. Janë dyqane mallrash. Kam akt-blerje, gjyshi që e ka blerë, kemi një vendim gjykate me vendim të formës së prerë. I jam drejtuar bashkisë disa herë nuk më kanë kthyer përgjigje deri më sot. Te IMT-ja jam drejtuar dhe përgjigja e tij thotë ne nuk i njohim vendimet e gjykatës duhet një certifikatë. Kam biseduar me personin në fjalë më ka thënë që e di që është toka juaj, por unë dua të ushqehem. Po si do ushqehesh, në tokën time do ushqehesh?”, tha denoncuesi.

“Stop” u drejtua në Inspektoratin e Mbrojtjes së Territorit, ku na thanë, se zoti Mustafa nuk ka sjellë certifikatën për pronën, por do të bëhen verifikimet.

Sa për kioskën pa leje thonë se presin përgjigje nga ASHK, pasi bëhet fjalë për një objekt 30-vjeçar.

Specialisti: Siç ua shpjegova radhën e parë, kishim denoncim nga qytetari, por duke qenë se qytetari nuk na paraqiti certifikatën e pronësisë, nuk mund të vazhdonim me mbajtjen e procedurës.

Gazetarja: Po mirë, nëse unë them, që ka një ndërtim pa leje në filan pronë, pra qoftë e imja, qoftë e dikujt tjetër, ju nuk bëni verifikimet? Se dakord ky nuk e ka me certifikatë, po ai tjetri ka leje ndërtimi për atë kioskën?

Inspektori: Objekti është 30-vjeçar, ua shpjegova dhe radhën e parë.

Gazetarja: Dakord, është 30-vjeçar, ka leje ndërtimi?

Inspektori: Po nuk më takon mua ta them këtë pjesë pra, sepse duhet, që qytetari të sjellë certifikatën e pronësisë dhe unë të bëj verifikimet e duhura! Edhe një herë të thashë, do të kthej përgjigje me shkrim. Të lutem shumë!

Gazetarja: Dakord, por më thatë do bëjmë verifikimet dhe nuk i keni bërë akoma.

Inspektori: E kam nisur shkresën për ASHK-në, pra. Unë e kam në dorë ta kthej përgjigjen për një ditë?

Gazetarja: Po atij personit nuk shkove t’i kërkoje leje ndërtimi?

Inspektori: Tani, të lutem shumë edhe një herë, do të kthej përgjigje!

Në Bashkinë e Vlorës shpjegojnë se i zoti i kioskës, Albert Dalipaj, nuk ka aplikuar, për t’u pajisur me leje.

Në përgjigjen e ASHK-së argumentohet, se toka nuk është tokë shtet, por tokë private, që rezulton në emër të gjyshes së Edmondit. Por ky i fundit duhet të depozitojë dokumentet, për ta certifikuar.

E ngarkuara e SHBA-së takon kreun e GJKKO: Gjykata, rol thelbësor në dhënien fund të pandëshkueshmërisë

E Ngarkuara me Punë në ambasadën e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Tiranë, Nancy VanHorn u takua sot me kryetarin në detyrë të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, Erjon Bani.

Në këtë takim u riafirmua angazhimi i SHBA në mbështetje të luftës së Shqipërisë kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.

“Ata diskutuan rolin thelbësor të gjykatës në sigurimin e drejtësisë, dhënien fund pandëshkueshmërisë dhe forcimin e besimit publik, si dhe mundësitë për bashkëpunim të vazhdueshëm për të ruajtur të drejtën, pavarësinë dhe integritetin në vendimet gjyqësore”, thuhet në në postim të publikuar nga ambasada amerikane në rrjetet sociale.

ZËRI I AMERIKËS/ STUDIMI: Buxheti i shtetit përdoret për ndikime elektorale

Në Tiranë Instituti Shqiptar i Shkencës publikoi sot gjetjet e një studimi krahasues mbi buxhetin e shtetit dhe financat publike në vitet zgjedhore, ku dalin në pah rritje fondesh, punësimesh, dhe shpërblimesh pak muaj para zgjedhjeve. Ekspertët kërkuan shtimin e masave kufizuese në përdorimin e buxhetit për ndikim elektoral në dobi të shumicës, me mjete si aktet normative, shpërblimet vjetore dhe fondet e rindërtimit.

Studimi krahasimor mes viteve zgjedhore dhe jozgjedhore i qendrës studimore Open Data Albania vëren se buxheti i shtetit duket që ka synuar të ndikojë votuesit dhe të nxjerrë përfitime elektorale për shumicën në pushtet.

Drejtuesja e Institutit Shqiptar të Shkencës Aranita Brahaj thotë se kjo del e qartë kur krahasohen periudhat elektorale dhe ato joelektorale sa u takon programit shumëvjeçar të rindërtimit pas tërmetit të 2019, pagesat individuale për grante rindërtimi, rritjes së punësimeve në administratë, si dhe shpërblimet e bonuset për pensionistët.

“Flasim për 3.7 miliardë lekë, të cilat për herë të parë do të jepen në pranverë. Bonuse për pensionistët ka patur në kohë të ndryshme, e zakonisht janë ndarë në fundin e vitit. Këtë vit kemi dy shpërblime: një në fund të këtij viti dhe një tjetër bonus në pranverë të vitit 2025, që është edhe pranverë elektorale”, tha zonja Brahaj.

Krahas disa ndryshimeve në Kodin Zgjedhor, studiuesit kërkuan ndalime ligjore në miratimin e akteve që shkojnë paralel me prokurimet publik.

Eksperti ligjor pranë Institutit të Shkencës dhe autor i studimit Viktor Gumi, thotë se akti normativ për rindërtimin mbetet në fuqi dhe zbatohet prej shumë vitesh.

“Pavarësisht se kanë kaluar mbi 5 vite nga fatkeqësia natyrore e tërmetit, ky akt qëndron në fuqi dhe është një mekanizëm që furnizohet, vlerësoj në këndvështrimin e një strategjie politike, për efekt politik, për efekt elektoral. Pyetja më logjike që qëndron në këtë pikë është: Pse duhet të kemi rregulla të posaçme ad hoc në një periudhë aq të gjatë kohore kur ligji për prokurimin publik ka procedura shumë të mirëpërcaktuara për këtë drejtim dhe që është vlerësuar edhe nga institucionet ndërkombëtare si një ligj shumë i mirë në përputhje me direktivat e Bashkimit Europian”, tha në tubim zoti Gumi.

Studiuesit theksuan që Kuvendi nevojitet të heqë dorë nga ndryshimi i buxhetit të shtetit me Akte Normative, të cilat aplikohen edhe gjatë vitit apo periudhës zgjedhore, ndërsa në ligjin për sistemin buxhetor duhet të shtohen mekanizma parandalues të abuzimit të mundshëm në rastin e viteve zgjedhore ose pak përpara datës së zgjedhjeve të përgjithshme dhe vendore.

Ekspertja e ekonomisë dhe auditimit publik, Lindita Lati, theksoi pasojat që sjellin mbi ekonominë gjatë viteve zgjedhore shpenzimet e larta jofitimprurëse, politizimi i buxhetit, evazioni fiskal dhe ulja e të ardhurave, transparenca dhe llogaridhënia e ulët, si dhe rritja e deficitit buxhetor.

“Loja që bëhet me deficitin buxhetor është një lojë aspak e këndshme nga pikëpamja jonë si auditues. Viti 2017 na tregoi që qeveria pikërisht për të deklaruar se e kishte deficitin buxhetor nën 2 për qind të GDP-së, çka është një detyrim ligjor, ne pamë që ishin kryer manipulime të teknikës së metologjisë së vlerësimit të deficitit buxhetor. Pa përmendur këtu deficitin e fshehur buxhetor, që vjen prej pagesave të prapambetura”, tha zonja Lati.

Në Kodin Zgjedhor thuhet se katër muaj para datës së zgjedhjeve deri në formimin e qeverisë së re pas zgjedhjeve ndalohet propozimi, miratimi ose nxjerrja e akteve ligjore a nënligjore për të dhënë përfitime për kategori të caktuara të popullsisë si rritje pagash, pensionesh, mbështetje ekonomike e sociale, ulje ose heqje taksash, amnisti fiskale, privatizime apo dhënie pasurish apo shpërblimesh, përveçse në gjendje të fatkeqësisë natyrore.

Ekspertët pohuan se ky nen ka nevojë të detajohet për të shtuar kufizimet, ndërsa Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi, tha se për përmirësimin e këtij neni dhe për shumë të tjerë, nevojitet vullneti politik i partive në Kuvend.

“Për të gjithë parashikimet e Kodit Zgjedhor dhe për të gjithë problemet në diskutim mendoj që ne do të duhet ta modernizojmë dhe ta bëjmë më të vërtetë gjithë kuadrin rregullator të zhvillimit të zgjedhjeve në Shqipëri. Kemi në fuqi një kod të vitit 2008, i cili është arnuar vazhdimisht. Kemi nevojë për një kod të ri zgjedhor, dhe kjo punë duhet të nisë menjëherë pas zgjedhjeve të ardhshme me vullentin e partive politike”, tha zoti Celibashi.

Studimi vëren se Kushtetuta nuk përcakton rregulla mbi buxhetin e shtetit në vite zgjedhore, ndërsa ligji përkatës saktëson që deficiti buxhetor të ekzekutohet pothuajse njëtrajtësisht në katër tremujorët e vitit me zgjedhje të përgjithshme, ndërsa studiuesit vlerësuan se masat ligjore ekzistuese janë të pamjaftueshme për të shmangur përdorimin elektoral të buxhetit të shtetit.

Kush është e emëruara nga Donald Trump në krye të “Zërit të Amerikës”

Presidenti i zgjedhur Donald Trump tha të mërkurën në mbrëmje se planifikon që ish-moderatorja televizive dhe republikania nga Arizona, Kari Lake të emërohet në postin e drejtorit të Zërit të Amerikës, që financohet nga qeveria amerikane.

Zoti Trump e njoftoi zgjedhjen e tij në një postim në platformën, “Truth Social”.

Zonja Lake është një aleate e ngushtë politike e presidentit të zgjedhur dhe një ish-moderatore e një filiali të televizionit Fox News në Feniks të Arizonës.

Ajo punoi për 27 vjet në gazetari përpara se të linte profesionin në vitin 2021 për të kandiduar për postin e guvernatorit të Arizonës. Në një garë për Senatin në vitin 2024 që ajo e humbi, zonja Lake tha se Arizona duhet të jetë një “model i ndjekjes së politikave (të zotit Trump) ‘Amerika e Para’”.

Në postimin e tij, Presidenti i zgjedhur Trump la të kuptohet se do të njoftojë së shpejti zgjedhjen e tij për drejtuesin e Agjencisë Amerikane për Media Globale.

“Kam kënaqësinë të njoftoj se Kari Lake do të shërbejë si Drejtorja e ardhshme e Zërit të Amerikës. Ajo do të emërohet nga dhe do të punojë ngushtë me kreun e ardhshëm të Agjencisë Amerikane për Median Globale, të cilin do ta shpall së shpejti”, shprehet Presidenti i zgjedhur në postimin e tij.

Kjo agjenci (USAGM) mbikëqyr Zërin e Amerikës së bashku me entitetet e tjera të transmetimit, të financuar nga SHBA. Shefi Ekzekutiv i USAGM-së emërohet nga presidenti dhe kërkon miratimin e Senatit.

Shefi ekzekutiv i USAGM-së e cila financohet nga fonde publike siguron që entitetet e saj të përmbushin misionet e tyre për gazetari të besueshme dhe të saktë në vendet ku liria e medias është e kufizuar.

Drejtori aktual i Zërit të Amerikës, Mike Abramowitz, i dërgoi një email personelit të enjten në mëngjes duke thënë se ai e pa njoftimin për zonjën Lake të mërkurën të mbrëmje dhe se nuk i ishte dhënë informacion tjetër përveç postimit në mediat sociale.

“Unë mirëpres një tranzicion të rregullt të pushtetit si për USAGM-në ashtu edhe për Zërin e Amerikës. Unë do të bashkëpunoj me administratën e re dhe të ndjek procesin”, u shpreh ai.

Një ligj i vitit 2020 ristrukturoi menaxhimin e Agjencisë

Shefi ekzekutiv i USAGM ka kompetencën të emërojë ose shkarkojë drejtuesit e rrjetit, por sipas një projekt-ligji dypartiak të miratuar në dhjetor 2020, ndryshimet në krye të rrjeteve kërkojnë shumicën e votave të Bordit Këshillimor të Transmetimeve Ndërkombëtare.

Bordi përbëhet nga gjashtë anëtarë të emëruar nga presidenti, mandatet e të cilëve fillojnë dhe mbarojnë në kohë të ndryshme, plus Sekretari i Shtetit. Funksioni i Bordit është të këshillojë Shefin Ekzekutiv për t’u siguruar që ai ose ajo respekton pavarësinë editoriale dhe integritetin e entiteve transmetuese dhe që të respektohen standardet më të larta të gazetarisë.

Vetë zonja Lake tha në platformën X se ndjehet “e nderuar që Presidenti Trump më ka kërkuar të drejtoj Zërin e Amerikës”.

Ajo tha se Zëri i Amerikës “është një media ndërkombëtare jetike” që promovon “demokracinë dhe të vërtetën”.

“Nën udhëheqjen time, Zëri i Amerikës do të shkëlqejë në misionin e saj: pasqyrimin e arritjeve të Amerikës në mbarë botën”, tha ajo.

Zëri i Amerikës u përpoq ta kontaktonte zonjën Lake për një koment përmes seksionit të marrëdhënies me median të faqes së saj të fushatës, por deri në momentin e publikimit të këtij artikulli nuk kishte marrë përgjigje.

Zëri i Amerikës ka një audiencë javore prej 354 milionë vetësh dhe transmeton në 49 gjuhë.

Drejtori aktual i saj Abramowitz, është ish-president i organizatës Freedom House dhe ka qenë gazetar dhe redaktor i gazetës “The Washington Post” për 24 vjet.