31.5 C
Tirana
E martë, 24 Qershor, 2025

Përse Departamenti i Shtetit vlerësoi Altin Dumanin dhe jo Fatmir Xhafajn?

Nga Ervis Iljazaj

Kreu i Prokurorisë së Posaçme SPAK, Altin Dumani, u vlerësua nga Departamenti i Shtetit Amerikan me titullin kampion në luftën kundër korrupsionit. Një çmim në fakt që shkaktoi shumë debate në opinionin publik shqiptar, i cili ndahet nga ata që e mbështesin punën e këtij institucioni dhe ata që e konsiderojnë atë si instrument në duart e qeverisë.

Por pavarësisht këtij debati që s’do të mbarojë kurrë, fakt është se ky institucion ka vlerësimin jo vetëm të ShBA, por dhe të qytetarëve shqiptarë. Në një sondazh të zhvilluar nga Barometri në Euronews këtë javë, SPAK përsëri doli institucioni më i besueshëm i brendshëm për shqiptarët, pas Ambasadës Amerikane. Nëse thuhet që gjykimi popullor nuk diskutohet sepse është sovrani, atëherë dhe këtë besueshmëri duhet ta marrim të mirëqenë.

Personalisht jam kundra çmimeve të tilla, megjithatë këto janë politika që ndiqen nga ShBA prej shumë vitesh. Është lajm i mirë për Shqipërinë që një institucion që ka si dëtyrë luftën ndaj korrupsionit të vlerësohet në këtë mënyrë nga diplomacia amerikane. Përtej mendimeve që ka gjithsecili për punën e SPAK, fakt është se ai tashmë ka thyer një mentalitet që ka mbizotëruar për 34 vite me radhë. Mentaliteti që drejtësia nuk shkon dot të njerëzit me pushtet. Dhe kjo barrierë tashmë është kaluar në raportin midis drejtësisë dhe politikës. Mund të diskutojmë nëse hetimet bëhën në një mënyrë apo tjetër, nëse SPAK është represiv apo i butë me pushtetin. Por ama, një gjë mund të thuhet me siguri. Falë këtij institucioni, tashmë vajtja e njerëzve me pushtet përpara drejtësisë është kthyer në një normalitet.

Por përtej punës së SPAK, vlerësimi i Departamentit të Shtetit për këtë institucion ka dhe një mesazh tjetër shumë domethënës. Mesazhi që i dha Shqipërisë ShBA, është se korrupsioni luftohet vetëm nëpërmjet një drejtësie të pavarur dhe me integritet. Çdo mjet tjetër është një propagandë dhe një mënyrë për t’i hedhur hi në sy njerëzve. Nëse do të ishte ndryshe, Departamentit i Shtetit do të vlerësonte Fatmir Xhafaj i cili drejton komsionin anti-korrupsion në Parlamentin e Shqipërisë.
Përkundrazi, çmimi për Dumanin është dhe një mesazh për këtë komision, i cili ka si synim të ndërhyjë edhe në ligje që kanë të bëjnë me Reformën në Drejtësi. Dhe këtë qëndrim, delegacionet e huaja në Shqipëri e kanë bërë të qartë. Ky komision mund të bëjë çdo gjë përveçse të prekë organet e reja të drejtësisë, sidomos SPAK. Dhe çmimi për Dumanin, vetëm sa e thekson këtë mesazh.
Është normale që të jetë kështu, sepse Shqipëria ka vuajtur për dekada për një drejtësi të pavarur dhe me integritet, dhe jo nga reforma kundër korrupsionit. Madje, Shqipëria ndoshta mbahet vendi kampion për reforma kundër korrupsionit. Por edhe pse ka kaq shumë ligje kundër korrupsionit, ajo vazhdon të mbetet në të gjitha raportet ndërkombëtare si një vend me korrupsion të lartë.

Dhe shtetet që ishin pjesë në çmimet e ndara nga ShBA, ishin shtete me korrupsion të lartë. Shqipëria pa frikë mund të thuhet se ka ligjet më të mira në luftën kundër korrupsionit, por problemi është se ato nuk kanë bërë të mundur uljen e këtij fenomeni. Ne kemi një ministri kundër korrupsionit, agjenci kundër korrupsionit, dhe së fundmi një komision parlamentar anti-korrupsion me shumë ekspertë.

Në këtë drejtim, Shqipëria padyshim që mund të fitojë një çmim. Por problemi qëndron se këto ligje, reforma apo minsitri nuk kanë bërë që lufta kundër korrupsionit të jetë në nivele të dëshiruara. I vetmi institucion që e ka bërë këtë në vitet e fundit është SPAK, prandaj dhe u vlerësua me çmim nga Departamenti i Shtetit, pikërisht për misionin që ka ndërmarrë./Liberale.al

Hasimja: SPAK po sulmohet nga Rama dhe Berisha. Pse nuk bind “mosbindja civile”

Profesori universitar dhe analisti Ermal Hasimja, në një intervistë me Skype në News 24 me moderatoren Ina Qirjo, foli për një sërë çështjesh aktuale politike.

Në lidhje me mandatin e Xhaçkës, Hasimja deklaroi se vendimet e Gjykatës Kushtetuese duhet të jetë të zbatueshme e nuk duhet që të diskutohen. Ai tha se nëse nuk merret parasysh mendimi i GJK, rasti hap precedent të rrezikshëm për të ardhmen.

“Çdo vendim i Gjykatës Kushtetuese duhet të zbatohet, nuk ka nevojë të merret vendim tjetër. Është parim i thjeshtë unik i demokracisë. Nuk ka instancë tjetër që mund të vendosë ndryshe, përfshirë parlamentin. Rasti hap precedentë të rrezikshëm për të ardhmen. Çdokush e di shumë mirë se vendimet e GJK janë të zbatueshme menjëherë. Niveli i funksionit të demokracisë ka rënë tepër poshtë. PS po diskretitohet në sytë e kujtdo që kupton nga mënyra sesi funksionin shteti dhe instancat e tij. Çdo gjë që ndodh pas një vendimi të paligjshëm, është juridikisht e pavlefshme dhe absurde”, tha Hasimja.

I pyetur për rastin e vrasjes së një adoleshenti në Tiranë, Hasimja deklaroi se përgjegjësia nuk mund t’i lihet vetëm shkollës. Sipas tij, duhet fuqizuar mësuesi, që të kontrollojë sjelljen e nxënësve.

“Në rastin në fjalë nuk mund t’ja lësh përgjegjësinë vetëm shkollës për atë që ka ndodhur. Duhet parë problemi tek prindërit në radhë të parë, që a e shikojnë se çfarë bëjnë fëmijët e tyre. E dyta është ndikimi i frikshëm i shoqërisë. Patjetër është edhe roli i shkollës. Nuk është problemi tek kontrolli, se nuk do kontrollojë mësuesi a ka nxënësi thikë apo jo. Duhet fuqizuar mësuesi, të kontrollojë sjelljen e nxënësve. Mësuesi sot në arsimin shqiptar nuk ka autoritet. Mësuesi edhe ta dijë se një nxënës është i rrezikshëm, e ka të pamundur që të ushtrojë autoritetin, pasi mësuesin vetë nuk ka kush ta mbrojë. Çështja është që mos kemi nxënës që shkojnë në mësim me thika”, u shpreh Hasimja.

Për Hasimjan, maxhoranca dhe opozita po përpiqen që ta dobësojnë SPAK-un.

“Edi Rama tha se nëse vëllai im del i implikuar te dosja e Xibrakës, jap dorëheqjen nga politika. Jetojmë në një vend ku asgjë nuk është çudi. E shoh si përpjekje për t’i mbushur mendjen qytetarëve, që kryeministri s’ka lidhje me akuzat. Mund të jetë edhe presion mbi drejtësinë. Maxhoranca po përpiqet të dobësojë fuqinë e SPAK, me anë të Komisionit Xhafaj. Kjo, pasi të korruptuarit janë në pushtet. Çmimi për Altin Dumanin nuk jepet rastësisht, por u dha me mesazh politik. SHBA ka dashur të thotë që përkrah atë që po bën SPAK. SHBA i bën me dije kujtdo që sulmon SPAK, që pas këtij institucioni qëndron Uashingtoni”, deklaroi ai.

Ermal Hasimja shprehet se nuk sheh një “mosbindje civile” nga ana e PD-së, por thjesht protesta. Sipas tij, që të realizosh një mosbindje civile, duhet që të kesh me vete shumicën e popullsisë, por se Partia Demokratike nuk gëzon mbështetjen e madhe të qytetarëve. Hasimja e sheh të gabuar edhe diskursin e PD kundër SPAK, pasi Struktura e Posaçme është institucioni më i vlerësuar nga qytetarët shqiptarë.

“Një nga gjërat që mund t’i kthehet boomerang opozitës janë sulmet ndaj SPAK, që është institucioni më i besueshëm në vend. PD ka një gjuhë antiSPAK, është qëndrim kundër perceptimit të opinionit publik, i prish punë nga ana elektorale. Opozita duhet të ishte mbështetësi më i madh i SPAK. Siç po shkojnë protestat njëra pas tjetrës, nuk janë mosbindje civile, por janë protesta. E vetmja gjë që opozita ka paralizuar ka qenë trafiku, që ka lodhur qytetarët. Nuk ndodh mosbindja civile, nëse nuk ke shumicën e qytetarëve me vete. Sali Berisha po mban një qëndrim, me qëllim që të krijojë pozitivitet tek votuesit. Duhet që Berisha pozitivizmin ta shoqërojë me prova, për të bindur që gjërat po shkojnë në drejtimin e duhur”, përmbylli Hasimja.

Miratohet çmimi i pronave, rritje në gjithë vendin

Çmimi mesatar i shitjes së pronës në Tiranë vlerësohet të jetë 124 mijë lekë/m2. Me miratimin e ri të referencave, çmimet janë rritur në të gjithë vendin, ku zonat më të shtrenjta rezultojnë Farka, Liqeni Artificial dhe Dhërmiu, ku vlera e një banesë arrin nga 190 000 deri në 258 000 lekë/m2.

Qeveria ka miratuar çmimet e reja mesatare të shit-blerjes së banesave në treg. Në raport me vitin 2023, çmimet janë rritur në qytetet e mëdha dhe në zonat bregdetare, të cilat nuk klasifikohen si qytete.

Kështu, në Tiranë për të gjithë zonat kadastrale, çmimi mesatar për m2, rezulton 124.300 lekë. Në rrethin brenda kryeqyetit, zona më e lirë është Paskuqani me çmim 62 500 lekë/m2, ndërsa më e shtrenjta është zona pranë liqenit artificial me çmim 227 400 lekë/m2. Por, përtej gjurmës së kryqetetit, Farkë mban çmimin më të lartë në të gjithë vendin, ku përreth liqenit të kësaj njësie administrative, çmimi i pronës arrin në 257 mijë lekë/m2.

Ndërkohë në Durrës, çmimi i ri mesatar i banesave arrin në 71.200 lekë nga 67.500 lekë/m2 në vitin 2023. Një prirje e ngjashme vihet re edhe në qendrat e mëdha të qarqeve të tjerë ku çmimi është rritur për një vit, deri në 14 mijë lekë/m2.

Sa i takon zonave bregdetare, çmimet i udhëheq Dhërmiu, ku një metër katror kushton afro 190 mijë lekë.

Përcaktimi i çmimit të pronave është referencë për zgjedhjen e qytetarëve e bizneseve në investim, Entin Kombëtar të Banesave në politikat e strehimit dhe qeverinë për politika fiskale.

Çmimi referencë i pronave në Tiranë, 2024

Çmimi mesatar                               

Çmimi më i lartë               Liqeni artificial                                   227 400 lekë/m2

Çmimi më i ulët                 Njësia 11 (pranë Paskuqanit)       62 500 lekë/m2                

Zona më e shtrenjtë në Shqipëri

Njësia Farkë                            257 mijë lekë/m2         

Çmimi referencë i pronave në Shqipëri

Tiranë                 124 300 lekë/m2

Durrës                 71 200 lekë/m2

Vlorë                   66 700 lekë/m2

Kamëz                 62.500 lekë/m2

Shkodër               62 300 lekë/m2

Elbasan                55 400 lekë/m2

Fier                      55 400 lekë/m2

Korçë                   59 500 lekë/m2

Berat                   52 200 lekë/m2

Kukës                  54 000 lekë/m2

Gjirokastër          48 600 lekë/m2

Dhërmi               186 400 lekë/m2

Orikum                61 400 lekë/m2

Velipojë               60 400 lekë/ m2

Golem                 56 500 lekë/m2

Shëngjin              49 200 lekë/m2

/Euronewsalbania

Pse protestojnë studentët në Serbi?

Studentët në Serbi që nga fundi i nëntorit kanë shprehur masivisht pakënaqësinë e tyre për situatën socio-politike në vend, duke bllokuar fakultetet e tyre. Aktualisht janë të bllokuara mbi 40 fakultete – të cilat funksionojnë brenda universiteteve të Beogradit, Novi Sadit, Nishit dhe Kragujevcit.

“Studentët nuk heshtin më”, është një nga mesazhet që po përcjellin ata.

Studentët kërkojnë të përcaktohet përgjegjësia dhe të ndiqen penalisht ata që janë fajtorë për aksidentin në stacionin hekurudhor në Novi Sad, ku ra një strehë dhe mbyti 15 persona, si dhe të publikohet e gjithë dokumentacioni për rikonstruksionin e atij stacioni. Një nga kërkesat është gjithashtu gjetja e autorëve të sulmeve ndaj studentëve dhe profesorëve gjatë protestave ku ata morën pjesë në periudhën e mëparshme.

Bllokadat e fakulteteve – si një formë proteste e studentëve – mbështeten kryesisht edhe nga profesorët e tyre. Bllokadat në praktikë nënkuptojnë që fakultetet janë të mbyllura, përveç për studentët dhe punonjësit.

Stevan Zdravkoviq, student i vitit të fundit në Fakultetin e Shkencave Politike në Beograd, ka thënë për Radio Evropa e Lirë se fakti që do të humbasë një afat provimesh ose një semestër “nuk është asgjë krahasuar me një jetë të humbur”.

Nga ana tjetër, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, dhe funksionarë të lartë të Qeverisë së Serbisë i kanë akuzuar këta studentë se me protestat dhe bllokadat po përpiqen të “rrëzojnë pushtetin”, duke i quajtur “mercenarë të huaj”, “dhunues”, “rrugaçë”.

Një reagim i tillë ndaj kërkesave të tyre vetëm sa i ka revoltuar më shumë studentët, duke bërë që çdo ditë e më shumë fakultete të hyjnë në bllokadë.

Ata thanë: “Motivi ynë nuk është paraja”.

“Pas revoltës sonë qëndron drejtësia, qëndron të menduarit e saktë, njerëzimi, solidariteti”, tha për REL-in një studente e Fakultetit të Shkencave Teknike në Novi Sad, e cila nuk dëshiroi të zbulohet emri i saj.

Disa ditë më vonë, presidenti Vuçiq “u dorëzua” përballë presionit të studentëve dhe në një adresim publik më 11 dhjetor deklaroi se kishte “lajme të mira”, duke thënë se i gjithë dokumentacioni në lidhje me rikonstruksionin e stacionit hekurudhor në Novi Sad do të publikohej. Dhe, një ditë më vonë, më 12 dhjetor, Qeveria e Serbisë mori vendim për këtë.

Vuçiq, në adresimin e tij, ndërsa jashtë ndërtesës së Presidencës protestonte një grup studentësh duke bërë zhurmë, tha se do të marrë edhe një vendim për faljen, nëse studentët e arrestuar do të dënoheshin për “dhunë”.

Studentët e Fakultetit të Arteve Dramatike në Beograd ishin të parët që nisën një bllokadë më 26 nëntor, duke kërkuar nga autoritetet që të ndjekin penalisht personat që disa ditë më parë kishin sulmuar kolegët e tyre gjatë aksionit “Ndalo, Serbi!”, i cili shprehte solidaritet me viktimat dhe të plagosurit në aksidentin që ndodhi në Novi Sad.

Gjatë këtij aksioni, disa shoferë, automjetet e të cilëve ishin ndaluar përkohësisht, dolën nga makinat dhe u përleshën me të pranishmit. Studentët kërkuan me ngulm që policia të konfirmonte identitetet e disa prej sulmuesve, për të cilët në publik qarkullonin spekulime se ishin funksionarë të Partisë Progresive Serbe në pushtet.

Ky veprim nga studentët e Fakultetit të Arteve Dramatike u bë një “shkëndijë” për solidaritet të ndërsjellë, dhe në ditët në vijim nisën bllokadat në Fakultetin Filologjik dhe Filozofik, Fakultetin e Shkencave Politike, Fakultetin e Arkitekturës, Fakultetin e Shkencave Natyrore dhe Matematikës, Fakultetin Ekonomik, Fakultetin e Kimisë, Fakultetin e Biologjisë, Fakultetin e Gjeografisë, Fakultetin Farmaceutik, Fakultetin Juridik, Fakultetin e Pyjeve, si dhe në dhjetëra fakultete të tjera të universiteteve në Beograd, Kragujevc, Nish dhe Novi Sad.

Universiteti i Beogradit njoftoi në fillim të kësaj jave se mbështet studentët, të cilët i kanë bllokuar fakultetet në kryeqytetin e Serbisë, në “kërkesat e tyre fillestare, të cilat i paraqesin si qytetarë të vetëdijshëm dhe akademikë”.
“Në deklaratat dhe njoftimet e deritashme për publikun, është i qartë shqetësimi i studentëve për gjendjen e shoqërisë, si dhe për kushtet e veprimit profesional në fushat për të cilat ne i edukojmë”, thuhet në deklaratë.

Gjithashtu, theksohet se Universiteti “del në mbrojtje të studentëve dhe kolegëve që janë përballur me fyerje të papranueshme mediatike, sulme fizike dhe kërcënime, si dhe me një retorikë të palejueshme kundër komunitetit akademik”.

Sindikatat e pavarura të punonjësve të arsimit në Serbi, gjithashtu i kanë mbështetur studentët në bllokadë dhe kanë kërkuar dorëheqjen e ministres së Arsimit, Sllavica Gjukiq-Dejanoviq, si dhe “ndalimin e të gjitha formave të represionit shtetëror kundër qytetarëve që ushtrojnë të drejtat e tyre kushtetuese dhe ligjore për të shprehur në mënyrë paqësore qëndrimet e tyre mbi fenomenet dhe proceset shoqërore”.

Kjo sindikatë ka njoftuar se të premten, më 13 dhjetor, do ta ndalë punën nga ora 11:45 deri në 12:45 në të gjitha shkollat në Serbi.

“Forumi i Gjimnazeve të Beogradit”, me më shumë se 500 mësues, ka shprehur gjithashtu “mbështetje absolute” për studentët.

Mbështetja po vjen edhe nga profesorë në mënyrë individuale dhe nga figura publike. Gjithashtu, studentët dhe profesorët e Fakultetit të Arteve Dramatike në Zveçan, në veri të Kosovës, kanë mbështetur bllokadat e kolegëve të tyre, duke theksuar se e dënojnë dhunën dhe se “është e papranueshme të heshtet” në këtë moment. Ky fakultet funksionon brenda Universitetit të Mitrovicës së Veriut dhe është pjesë e sistemit të Serbisë.

Nga ana tjetër, Kolegji i Rektoratit i këtij Universiteti më herët ka ofruar mbështetje për presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, duke deklaruar se komuniteti akademik nuk duhet të politizohet. Megjithatë, disa profesorë janë distancuar nga kjo deklaratë dhe kanë ofruar mbështetje publike për bllokadat e studentëve.

Bllokadat e studentëve janë kritikuar nga Parlamenti Studentor i Universitetit të Beogradit, i cili në një deklaratë më 3 dhjetor akuzoi studentët që organizojnë bllokadat për “abuzim me institucionet e arsimit të lartë”.

Gjithashtu, përfaqësuesit e Qeverisë i kanë dënuar protestat dhe bllokadat. Ministrja e Arsimit, Sllavica Gjukiq Dejanoviq, deklaroi se “politika dhe aktivitetet ideologjike nuk kanë vend në universitet”.

“Zhurmën po e bëjnë ata që, në mungesë argumentesh, shprehin kërkesa që nuk lidhen me çështje studentore, por kanë një nuancë politike”, tha ajo.

Ndërkohë, paralelisht me bllokadat studentore, qindra qytetarë marrin pjesë pothuajse çdo ditë në aksionin “Ndalo, Serbi!”, ku qëndrojnë në heshtje në kryqëzime, rrugë, sheshe, dhe kampuse studentore, duke kërkuar përmbushjen e kërkesave të protestës.

Në Serbi ekziston një traditë e protestave studentore, veçanërisht gjatë viteve ’90, me arsye dhe kërkesa të ndryshme – nga luftërat, sanksionet, deri te mashtrimet zgjedhore. Në mars të vitit 1991, protestat studentore ishin një reagim ndaj qëndrimit të shtetit gjatë demonstratave të mëdha kundër regjimit të atëhershëm të Sllobodan Millosheviqit.

Rezultati i këtyre protestave ishte shkarkimi i drejtuesve të Televizionit të Beogradit, ministrit të policisë Radmilo Bogdanoviq, lirimi i liderit opozitar Vuk Drashkoviq dhe shkarkimi i drejtorit të Radio-Televizionit të Beogradit, Dushan Miteviq. Në vitin 1992, protestat studentore u rikthyen ndërsa Serbia përballej me sanksione të mëdha ndërkombëtare për shkak të përfshirjes në luftën në Bosnjë e Hercegovinë.

Studentët atëherë kërkuan dorëheqjen e Sllobodan Milosheviqit, shpërndarjen e Kuvendit të Serbisë, shpalljen e zgjedhjeve dhe krijimin e një qeverie koalicioni midis pushtetit dhe opozitës. Edhe pse këto protesta patën mbështetje të madhe nga profesorët, figurat publike dhe qytetarët e zakonshëm, ato nuk arritën rezultate.

Kur regjimi i Sllobodan Millosheviqit në vitin 1996 tentoi të mohojë fitoren e koalicionit opozitar “Së bashku” nëpërmjet falsifikimit të procesverbaleve të zgjedhjeve lokale, studentët iu bashkuan protestave që zgjatën tre muaj. Shumica e fakulteteve të Beogradit nuk funksiononin, ndërsa studentët dilnin në marshime me bilbila, organizonin performanca të ndryshme dhe bënin zhurmë duke goditur tenxhere.

Në vitin 2017, studentët e mbledhur në një organizatë joformale “Kundër diktaturës” nisën protesta për shkak të pakënaqësisë me rezultatet e zgjedhjeve presidenciale, në të cilat fitoi Aleksandar Vuçiq. Ata kërkuan shkarkimin e drejtuesve të Radio-Televizionit të Serbisë, anëtarëve të Rregullatorit për Mediat Elektronike dhe verifikimin e listës zgjedhore. Asnjë nga këto kërkesa nuk u plotësua.

Edhe në dhjetor të vitit 2023, studentët bllokuan trafikun në qendër të Beogradit duke protestuar për akuzat për manipulime zgjedhore dhe duke kërkuar nga ministria përkatëse t’i hapë listat zgjedhore./REL

Rozafat e epokës së SPAK

Nga Trëndelina Gashi

Kush thotë se legjendat tona të lashta janë marrë nga popuj të tjerë, gënjen. Sidomos kur bëhet fjalë për legjendën e kështjellës së Rozafës, nënës së re që u flijua me murësim për ta mbajtur të fortë kështjellën, e njëherësh kërkoi të ishte pranë birit të saj të njomë për ta ushqyer.

Me një vështrim pak më kritik në legjendë gjen elemente që e bëjnë të pakëndshëm karakterin e personazheve. Janë dy vëllezër ndër tre që nuk mbajnë fjalën e dhënë (pra dy të tretat janë besëprerë e nuk mbështetesh dot në ta); janë dy vëllezërit më të mëdhenj që ia punojnë më të voglit (përvoja jetësore dhe mosha më e madhe nuk i ka bërë më njerëzorë e të dhembshur për më të riun dhe më të pavërvojin); janë dy kunata që nuk shfaqin asnjë dhembshuri gruaje dhe nëne për nënën më të re dhe që ka fëmijën më të vogël, ende në gji (me vetëdije lejojnë që kunata më e vogël të shkojë drejt vdekjes); që të mbahet themeli nevojitet flijimi i gruas-nënë, jo i bashkëshortit-burrë të saj (pra gruaja duhet të bëjë sakrificën më të madhe). Pra një legjendë e trishtueshme. Por ndoshta këto trishtime i japin më shumë madhështi: ngrehina në çdo rast ngrihet e fortë kur ka sakrifica dhe gjithmonë nga ajo pjesë njerëzish që ka ideal, jo poshtërsi. Me mëkatarët qartësisht nuk mund të krijosh asgjë.

Por pse themi kjo legjendë është veçse shqiptare. Me një vështrim të kohës së sotme sheh që legjenda vazhdon dhe po prodhohen Rozafat moderne. Cilat janë ato? Janë bashkëshortet e pushtetarëve apo politikanëve të vendosur nën hetim nga SPAK, ose më shqip bashkëshortet e “hallexhinjve”. Janë këto gra të cilat kanë mbetur të përballen me hallin që kanë burrat e tyre në SPAK, pra në njëfarë kuptimi po “flijohen” për hallet e korrupsionit dhe abuzimit për të cilat po hetohen bashkëshortët.

Pamë njërin “vëlla” politik, Ahmetajn, që ditën e lëshimit të urdhrit të ndalimit nga SPAK la vendin ku kishte qeverisur si zv.kryeministër (pa përmendur postet e tjera) dhe u arratis si një hallexhi nga Greqia, duke lënë (ish)bashkëshorten e tij që si Rozafa të përballej me veprimet e mëpasme hetimore.

Pamë një tjetër “vëlla” politik, Metën, që ka sunduar në këtë vend nga ‘90-ta në të gjitha postet e mundshme politike, që si hallexhiu më i madh të shante e ndante bashkëshorten e tij, njëherësh “motër” politike, përpara se t’i ngushtohej laku i SPAK-ut.

Pamë edhe “vëllain” më të fundit politik, Veliajn, që së bashku me vëllain e vet biologjik, në ditën e kontrollit të banesave e zyrave përkatëse, u gjendën si hallexhinj në shtetet e BE-së, duke lënë të përballet e vetme me oficerët hetimorë znj. Xoxa-Veliaj, nënën e re të një fëmije pakvjeçar.

Vëllezër politikë arrogantë dhe “sypatrembur” në karrigen e pushtetit e me paratë e buxhetit, por që në hallin që i ka zënë me SPAK lënë të përballen Rozafat e tyre.

Dhe ju bashkëshorte-Rozafa të këtyre vëllezërve politikë. Mos u flijoni për korrupsionin e burrave tuaj hallexhinj. Në këtë rast modeli juaj duhet të jetë një tjetër grua. Silluni si Allison Guerrerio, ish e dashura e oficerit të korruptuar të FBI-së, Charles McGonigal. Kështu lehtësoni mëkatin e të jetuarit me para korrupsioni dhe i shërbeni vendit. Është më dinjitoze të flijoni jetën me para korrupsioni dhe të mos shndërroheni në Rozafa që minoni kalatë e korrupsionit.

Rekord gjobash pas ndryshimit të Kodit Rrugor – 28 milionë euro në një vit, por aksidentet vijojnë njëlloj

Ashpërsimi i ndëshkimeve për shoferët po shërben për të mbushur arkën e shtetit. Gjatë vitit të kaluar gjobat u katërfishuan, por numri i aksidenteve u rrit me 20% duke vënë në  pikëpyetje efektshmërinë e kësaj politike. Disa punonjës të policisë rrugore thanë për “INA Media” në mënyrë konfidenciale se eprorët i kanë urdhëruar verbalisht për vendosjen e një minimumi prej 30 gjobash në ditë, në të kundërt u tërheqin vërejtje.

Emirjon Senja

I njohur ndryshe si “makina e kuqe te Transballkanikja”, radari automatik i vendosur në hyrjen e Vlorës është kthyer në makthin e shoferëve.

Një punonjës policie, i cili ka shërbyer disa herë pranë këtij radari, tha për “INA Media” se gjatë verës mund të vendosin deri në disa qindra gjoba vetëm gjatë një turni.

Në ditët me fluks të verës mund të vendosim mes 300 deri 400 gjoba në turn”, – rrëfen ai, duke kërkuar që t’i ruhet anonimati.

Pas daljes nga autostrada, ku shpejtësia e lejuar është 100-120 km/orë, menjëherë në këtë segment ka kufizim shpejtësie deri në 60 km/orë, duke u kthyer në një grackë për drejtuesit e automjeteve.  Si pasojë, vizitorët e shumtë të Vlorës gjobiten automatikisht për çdo km të kaluar mbi shënimin e tabelës.

I konsideruar bilanc lufte, në 5 vitet e fundit kanë humbur jetën rreth 1000 persona nga aksidentet rrugore dhe mbi 1200 të tjerë kanë mbetur të lënduar rëndë. Në vitin 2021 u ndërhy në Kodin Rrugor, duke rritur ndjeshëm nivelin e gjobave. Kjo ndërhyrje u servir si një mekanizëm për të disiplinuar drejtuesit e automjeteve, duke sjellë reduktim të numrit të aksidenteve rrugore, si rrjedhojë edhe më pak viktima në rrugë.  Institucionet premtuan se kjo masë do të shoqërohej edhe me përmirësim të infrastrukturës rrugore.

Dëshmitë e siguruara në mënyrë konfidenciale vënë në pikëpyetje efektshmërinë e kësaj politike dhe sugjerojnë se gjobat po përdoren si instrument për të mbushur arkën e shtetit, pa krijuar një kulturë sigurie në rrugët e vendit, që është edhe qëllimi parësor.

Punonjës të policisë rrugore thanë për “INA Media” se ka një urdhër verbal, që i detyron ata të vendosin një numër të caktuar gjobash.

Gjatë bisedave informale me efektivë të ndryshëm të Policisë Rrugore, në konfidencialitet, ata flasin për një numër “jo më të ulët se 30 gjoba që duhen vendosur në turn”.

Kodi Rrugor, i miratuar që në vitin 1998, është ndryshuar 13 herë deri më tani. Në vitin 2023 u fut për herë të parë masa e këshillimit, pa gjobë, por me pasqyrim në sistem, me qëllim edukimin e drejtuesve të automjeteve.

Të dhënat zyrtare dëshmojnë se ndërsa gjobat e Rrugores janë katërfishuar, këshillimi është harruar, ndërsa aksidentet kanë shënuar një rritje me 20%.

Sipas INSTAT-it (T2 2024), Shqipëria numëron rreth 914 mijë mjete të llojeve të ndryshme që qarkullojnë në rrugët e vendit. Nga këto, më shumë se 738 mijë janë autovetura, pjesa më e madhe e të cilave lëvizin në rrugët e Tiranës, duke u dyfishuar krahasuar me 10 vite më parë.

Kemi të bëjmë me një situatë ku ndëshkimi për shkelje të rregullave të qarkullimit rrugor del nga qëllimi kryesor i tij”, – këmbëngulin ekspertët.

28 milionë euro gjoba në një vit

Për periudhën 2020-2023, ndëshkimet për drejtuesit e automjeteve janë katërfishuar. Sipas të dhënave të siguruara nga “INA Media” përmes një kërkese për informacion në Policinë e Shtetit, këto gjoba janë vendosur vetëm nga Policia Rrugore për shkelje të rregullave të qarkullimit rrugor me qëllim sensibilizimin për të reduktuar numrin e aksidenteve. Megjithatë, po sipas të dhënave zyrtare, numri i aksidenteve gjatë të njëjtës periudhë rezulton i njëjtë, madje është rritur gjatë vitit 2023.

Me rritje rezulton të jetë edhe numri i atyre që humbën jetën dhe i të dëmtuarve rëndë në aksidentet përgjatë të njëjtës periudhë.

Vlera e gjobave të vendosura për shkelje të rregullave të qarkullimit rrugor në periudhën 2020-2023. Burimi: Policia e Shtetit

Më konkretisht, sipas të dhënave zyrtare të Policisë së Shtetit rezulton se vetëm efektivët e Policisë Rrugore vendosën 674 732 581 lekë (6.7 milionë euro) gjoba në vitin 2020 ndaj shoferëve që kryen shkelje të rregullave të qarkullimit rrugor.

Në vitin 2023, sipas të dhënave zyrtare, kjo shifër ka arritur në 2 687 208 554 lekë (~28 milionë euro), një rritje katër herë më shumë se në vitin 2020 (shih më lartë).

Numri më i madh i shkeljeve lidhet me parkimin e gabuar, ndërkohë që sasinë më të madhe të parave në arkën e shtetit e kanë gjeneruar gjobat për shkelje që kanë të bëjnë me shpejtësinë tej normave të lejuara, që konsiderohen më të rrezikshme.

Policia e Shtetit tha për “INA Media” se gjatë vitit të shkuar janë vendosur rreth 265 000 masa administrative për parkim/ndalim në vende të palejuara, ndërsa shpejtësia tej normave të lejuara ka numëruar më shumë se 219 000 gjoba me më shumë se 700 milionë lekë të ardhura në arkën e shtetit.

Ndërkohë, futja e radarëve automatikë ka rritur ndjeshëm numrin e gjobave për tejkalim të shpejtësisë së lejuar, duke rritur sasinë e gjobave në vlerë me më shumë se 6 herë krahasuar me vitin 2020.

Hyrja e Vlorës, për shkak të numrit të lartë të vizitorëve gjatë stinës së verës, është një ndër pikat e rëndësishme që monitorohet me radar dhe ka edhe numrin më të lartë të ndëshkimeve.

Zona të tjera të njohura për numrin e lartë të gjobave përmes radarit automatik është segmenti nga Liqeni i Thatë deri te rrethrrotullimi në dalje të Tiranës, në drejtim të Elbasanit; akset Durrës-Kavajë; Elbasan-Peqin apo “Uji i Ftohtë” Tepelenë – Gjirokastër.

Po ashtu, edhe segmenti rrethrrotullimi i Ardenicës-Fier në aksin Lushnje-Fier është një tjetër zonë që njihet për numrin e lartë të gjobave për shkelje të kapura nga radari automatik, krahas akseve të tjera si Elbasan-Librazhd, në dalje të Elbasanit apo ai Kakavijë-Gjirokastër, pranë fshatit Goranxi etj.

Shtimi i gjobave nuk ul numrin e aksidenteve 

Ashpërsimi i ndëshkimeve të parashikuara në Kodin Rrugor, duke sjellë katërfishim të vlerave të gjobave, nuk ka ndikuar në përmirësimin e sjelljes së drejtuesve të automjeteve në rrugë.

Ekspertët e sigurisë rrugore i shohin me dyshim ndërhyrjet në Kodin Rrugor, duke sugjeruar se raportimi i një numri të lartë të automjeteve bëhet për të fshehur dështimin në lidhje me uljen e numrit të aksidenteve.

“Penalitetet për shoferët u shtuan, por po shohim që aksidentet nuk po ulen, madje gjatë shtatë muajve të parë të këtij viti janë rritur me 20%. Çdo vit ikin mijëra shqiptarë, por në listë futen makina që nuk qarkullojnë asnjëherë dhe kjo bëhet për të justifikuar numrin e aksidenteve që po rritet”, – thotë eksperti i sigurisë rrugore, Artur Sulçe.

Eksperti Sulçe tha për “INA Media” se është në dijeni të faktit se policët e Rrugores marrin urdhra për të vendosur gjoba.

“Penalitetet po i shtojmë, por edhe kjo ka një limit sepse nuk mund të shtosh gjobat sipas dëshirës. Efektivët e Policisë Rrugore e kanë të caktuar numrin e gjobave se sa duhet të vendosin çdo ditë”, – shprehet ai, duke shtuar se ka një qasje të Policisë Rrugore për të vendosur sa më tepër gjoba në shërbim të mbushjes së arkës së shtetit me të ardhura nga penalitetet ndaj përdoruesve të rrugës.

Panorama e paraqitur nga Sulçe pranohet edhe nga vetë efektivët e Policisë Rrugore.

“Mosarritja e normës prej 30 gjobash në turn përkthehet në kritika nga eprorët. Por nëse e plotëson apo tejkalon këtë normë nuk ka asnjë bonus”,- rrëfejnë efektivët e policisë.

Inxhinieri Artur Sulçe e lidh këtë “normë” të vendosur nga eprorët edhe me faktin se kur bëhet fjalë për aksidente të rënda, policët gjobisin të dy shoferët e përfshirë, pa pritur ekspertizën dhe shqyrtimin e çështjes për të nxjerrë fajtorin.

Inxhinier Artur Sulçe

Kjo bëhet për t’iu ardhur në ndihmë kompanive të sigurimeve, por edhe për të rritur numrin e gjobave ndaj shoferëve, pa pritur njëherë që të dalë fajtori”, – shprehet ai.

Sipas të dhënave të siguruara nga “INA Media” përmes një kërkese për informacion në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë, aksidentet janë rritur me 10% në vitin 2023 krahasuar me vitin 2022, ndërkohë që numri i jetëve të humbura në këto aksidente është mesatarisht 190-200 në vit gjatë katër viteve të fundit, pa ndonjë trend të dukshëm në rënie.

Numri i aksidenteve rrugore gjatë periudhës 2020-2023. Burimi: Policia e Shtetit.

Referuar të dhënave zyrtare, në vitin 2019 pati 227 të vdekur nga aksidentet rrugore, një vit më pas, për shkak edhe të pandemisë, ku u aplikuan bllokime të lëvizjes për ditë të tëra, numri i personave që humbën jetën në aksidente zbriti në181, ndërkohë që një vit më pas u shënuan 197 viktima. Viti 2022 shënoi 164 viktima, kurse 2023-shi pati një bilanc më të rëndë me 192 viktima.

Numri i viktimave nga aksidentet rrugore gjatë periudhës 2019-2023. Burimi: Policia e Shtetit

Gjatë pesë viteve të fundit, në Shqipëri janë shënuar rreth 1000 viktima dhe mbi 1200 të dëmtuar rëndë për shkak të aksidenteve rrugore, ndërkohë që INSTAT pasqyron një rritje të numrit të aksidenteve dhe të të dëmtuarve gjatë gjysmës së parë të këtij viti.

Numri i personave të dëmtuar rëndë në aksidente rrugore gjatë periudhës 2019-2023. Burimi: Policia e Shtetit

Kodi Rrugor – shtrëngime, por edhe lehtësime për shoferët e këqij

Ndryshimet në Kodin Rrugor gjatë viteve të fundit kanë parashikuar shoqërimin e gjobave edhe me heqje të pikëve në patentë për shoferët që kryejnë shkelje të rënda, siç janë përdorimi i mjetit nën efektin e alkoolit, tejkalimi i shpejtësisë, përdorimi i celularit apo mosvendosja e rripit të sigurimit gjatë drejtimit të mjetit, si formë shtrëngimi ndaj shoferëve problematikë.

Të gjitha këto ndërhyrje kanë si qëllim ndërgjegjësimin e drejtuesve të automjeteve me qëllim uljen e numrit të aksidenteve.

Kreu i Policisë Rrugore të Tiranës, Besmir Qibini, tha për “INA Media” se më shumë se gjobat, aplikimi i heqjes së pikëve nga patenta ka ndikuar pozitivisht në drejtim të përmirësimit të sjelljes së shoferëve.

Me kalimin e kohës ata ndiejnë koston e këtij penaliteti, i cili është më afatgjatë sesa një ndëshkim në vlerë monetare”.

Kodi Rrugor aktualisht parashikon që penaliteti të përgjysmohet nëse paguhet brenda 15 ditëve nga dita e marrjes së tij.

Në kohën e diskutimit të ndryshimeve në Kodin Rrugor, një pjesë e mirë e ekspertëve reaguan kundër këtij lehtësimi për shoferët shkelës, pasi, sipas tyre, kjo do të minimizonte ndikimin e efektit të gjobës te drejtuesit e automjeteve.

Shifrat e aksidenteve rrugore, viktimave dhe të dëmtuarve në periudhën 2019-2023. Burimi: Policia e Shtetit

Sistemi bonus-malus i sigurimeve nuk shpërblen shoferët e rregullt

Më 19 shtator 2024, përmes vendimit nr.156 të Bordit, Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare miratoi rregulloren për “Përcaktimin e faktorëve të rriskut që përfshihen në përllogaritjen e premtimeve për produktet e sigurimit të detyrueshëm në sektorin e transportit”.

Në një reagim për “INA Media”, Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare tha se rregullorja e re është hartuar me qëllim tarifimin në bazë të rriskut që mbart çdo i siguruar, me fokus mbrojtjen e konsumatorit.

Me hyrjen në fuqi, parashikuar më 1 janar 2025, rregullorja pritet të sjellë një ndryshim pozitiv në tregun e sigurimeve, duke ofruar një sistem tarifimi më të drejtë dhe të bazuar në rrezik. Për përdoruesit e mjeteve motorike, kjo rregullore pritet të inkurajojë sjellje më të përgjegjshme dhe të kontribuojë në përmirësimin e sigurisë rrugore në Shqipëri”, – shpjegon AMF.

Rregullorja fokusohet kryesisht te kriteret për përcaktimin e primit për sigurimin e detyrueshëm të automjeteve, duke marrë si faktorë rrisku qarkun ku është regjistruar automjeti; moshën e drejtuesit të automjetit dhe kohën kur ka marrë lejen e drejtimit dhe, mbi të gjitha, historikun e sjelljes së shoferit në rrugë.

Koeficientët e rriskut për shoferët sipas numrit të aksidenteve në rregulloren e re të AMF-së. Burimi: AMF

Referuar kësaj rregulloreje, çdo shofer që bën të paktën një aksident në vit do të duhet të paguajë policën e sigurimit 25 për qind më shumë gjatë vitit të ardhshëm. Ndërkohë, çdo shofer që ka regjistruar dy ose më shumë dëme gjatë tre viteve të fundit do të duhet të paguajë një policë sigurimi 50 për qind më të shtrenjtë sesa primi fillestar.

Koeficientët e rriskut sipas fuqisë motorike të makinës për primet e TPL të parashikuara në rregulloren e re të AMF-së. Burimi: AMF

Kostoja rritet edhe më tepër nëse kemi të bëjmë me shoferë të rinj ose me automjete më të vjetra se 11 vite, që po ashtu kanë koeficientë më të lartë rrisku.

Ku qëndron pabarazia?

Logjika e sistemit bonos-malus është që të shpërblejë shoferët e rregullt dhe të ndëshkojë shoferët e parregullt, me qëllim bindjen e tyre përmes presionit financiar, duke i bërë rrugët më të sigurta. Ndërkohë, në rregulloren e AMF-së kemi të bëjmë kryesisht vetëm me ndëshkimin dhe jo me shpërblimin, pasi çdokush që nuk ka shkaktuar asnjë aksident shpërblehet me një ulje të çmimit fillestar të policës së sigurimit nga 2 deri në 5 për qind, ndërkohë që një shofer i keq paguan 25 deri në 50% më shumë.

Koeficientët e rriskut sipas moshës së shoferit në rregulloren e re të AMF-së për primet e TPL. Burimi: AMF

Nëse një policë sigurimi për një autoveturë sot kushton mesatarisht 17 000 lekë, një shofer që ka shkaktuar një aksident do ta paguajë minimumi 21 250 lekë, ndërkohë që ai që ka shkaktuar dy aksidente ose më shumë do ta paguajë 25 500 lekë.

Çfarë ndodh me shoferët e mirë?

Ndryshe nga shoferët e këqij që ndëshkohen rëndë, shoferët e mirë nuk shpërblehen në të njëjtën masë.

Koeficientët e rriskut sipas kohës së marrjes së patentës në rregulloren e re të AMF-së për primet e TPL. Burimi: AMF

Sipas rregullores së Agjencisë së Mbikëqyrjes Financiare, nëse çmimi mesatar i një police sigurimi për autoveturat është 17 000 lekë, një shofer që nuk ka shkaktuar asnjë aksident gjatë vitit nuk do të mund ta blejë më pak se 13 940 lekë edhe sikur t’i plotësojë të gjitha kushtet e rriskut të ulët.

Sipas koeficientëve të mësipërm, çmimi i një police sigurimi mund të rritet deri në 125 për qind, por ulet jo më shumë se 18 për qind kur kemi të bëjmë me një drejtues dhe një automjet që përbëjnë rrezik të ulët në qarkullim.

“INA Media” kërkoi një koment mbi rregulloren në fjalë nga disa kompani sigurimesh, por deri në publikimin e këtij shkrimi nuk pati asnjë reagim.

Pavarësisht se AMF thotë se do të aplikohet sistemi bonus-malus, në mënyrën se si janë caktuar faktorët e rriskut si edhe koeficientët për secilën kategori, duket se aplikohet vetëm gjysma e këtij sistemi: vetëm malus. Pra, ndëshkimi përmes çmimeve më të larta të policave të sigurimit të detyrueshëm të automjetit për shoferët e këqij, ndërkohë që stimulohen pak ose aspak shoferët e mirë.

Fadil Likaj, ekspert i sigurisë rrugore

Për Fadil Likaj, ekspert i sigurisë rrugore, zgjidhja nuk është e vështirë. Ai sugjeron se gjobat nuk mund të jenë i vetmi mekanizëm për të ulur numrin e aksidenteve, por duhet përmirësuar infrastruktura rrugore dhe menaxhimi i trafikut.

Pa përmirësime në infrastrukturë dhe pa monitorim efektiv të sjelljes së drejtuesve, vetëm shtimi i gjobave mund të mos ketë ndikimin e dëshiruar. Vendet që kanë sukses në këtë drejtim aplikojnë një kombinim të qasjeve: ashpërsimin e gjobave-përmirësimin e infrastrukturës-edukimin dhe monitorimin rigoroz të sjelljes së shoferëve”, – shprehet Likaj për “INA Media”.

Ashpërsimi i gjobave mund të kontribuojë në uljen e numrit të aksidenteve dhe në përmirësimin e sigurisë rrugore, por vetëm kur bëhet pjesë e një strategjie të integruar me masat e tjera parandaluese dhe edukative”, – përfundon ai.

OBSH: Shqiptarët 59.7% të shpenzimeve nga xhepi në shëndetësi!

Shqipëria vijon të mbajë rekord në Europë për shpenzimet nga xhepi që qytetarët bëjnë për shëndetësinë, një situatë që prek kryesisht pagesat për ilaçe, të cilat arrijnë në 59.7% të totalit të shpenzimeve shëndetësore.

Drejtuesi në detyrë i zyrës së OBSH në Tiranë, Gazmend Bejtja, gjatë një konference, theksoi nevojën për rritjen e financimit publik në sektorin e shëndetësisë.

“Në Shqipëri, financimi publik është në nivelin 3.3% të GDP, shumë më i ulët se mesatarja e vendeve të BE-së. Rekomandimi i OBSH është që ky financim të arrijë të paktën në 4.5% të GDP-së, gjë që do të ndikonte drejtpërdrejt në uljen e barrës financiare për qytetarët,” deklaroi Bejtja.

“Nuk do të përzihem në vëllavrasjen tuaj”- Çfarë i tha gjenerali britanik Enver Hoxhës më 1943: Mendoja të ndaloja gjakderdhjen e popullit shqiptar, por…

KADRI TARELLI/ Para pak ditësh u ndodha në Tiranë, në përurimin e librit të ri “Replika”, të studiuesit të njohur Uran Butka. Librin nuk munda ta marr atë ditë, kështu që Urani ma dërgoi në Durrës. Më duhet ta falënderoj dy herë, për librin dhe kujdesin për ta dërguar, lexuar e shijuar më nge.

 

“Polemika”, që unë e afroj me fjalën shqipe: rrahje mendimesh, mospajtim gjykimesh, apo kundërshti qëndrimesh, mes shkrimtarëve, krijuesve dhe veçanërisht mes studiuesve, sidomos në fushën e historisë, ku qëndrimet nuk përputhen. Gjykoj se, ca më shumë ndodh kur në mes qëndrojnë bindjet, opinionet, këndvështrimet dhe më keq akoma, interesat personale dhe kolektive, të cilat nuk duhet të jenë pjesë e historianëve. Po ja që ndodh, e duhet pranuar mes nesh.

Pavarësisht qasjeve, në shumicën e herëve kundërshtuese, rrahjen e mendimeve, ashtu si edhe autor Butka, e shoh si diçka pozitive dhe të dobishme, si një pasqyrë, ku secili mund të shikojë e ta peshojë veten, në raport me të drejtën dhe me të tjerët. Ai është i drejtpërdrejtë me lexuesin, duke u nisur nga parimi, se fjala duhet thënë ashtu si duhet dhe aty ku duhet. Jo vetëm për njohje, por më shumë për të ndriçuar të vërtetën e fshehur, shtrembëruar, apo të pluhurosur në dosjet e arkivave, njëkohësisht për ta përdorur pa u dridhur, në shkrimet dhe studimet historike.

Është kjo edhe arsyeja që e vlerësoj së tepërmi autorin, i cili i ka grumbulluar në një libër, të gjitha shkrimet e bëra gjatë kohës. Madje që në ballinë vendos edhe temat e gjetura, në mënyrë që këndonjësi të ndihmohet dhe të ketë një njohje mbi përmbajtjen, pa qenë nevoja të pyesë apo të shfletojë faqet e librit.

Kjo formë shkrimtarie e zgjedhur kështu, është një arsye më shumë për ta vlerësuar librin, pasi shkrimet që janë të shpërndara në shtypin e kohës, jo të gjithë lexuesit kanë pasur dhe kanë mundësi t’i ndjekin në përditësinë e tyre. Besoj se edhe këndonjësit e zellshëm, madje edhe shkruesit e tjerë, do gjykojnë kështu si unë, kur shprehem: ”Shkrimet, edhe kur botohen, janë si kokrrat e grurit që shkoqen nga kalliri, disa harrohen, disa i hanë milingonat, shumë i kalb dheu, disa kanë fatin të futen në thesin apo “arkën e kujtesës”, që është libri, i cili më pas për t’i qëndruar kohës, futet në hambarin e madh të kulturës, që janë bibliotekat e të gjitha llojeve, deri te biblioteka kombëtare”.

Lexoj dhe i rilexoj pjesët e këtij libri të rëndë në peshë e mendim, (rreth 490 faqe) dhe më forcohet bindja, se:

– Të nisësh të bësh replikë, së pari duhet të kesh mbushur mendjen se ke të drejtë. Dhe e drejta është me ty, kur ke njohje dhe sidomos dokumente.

– Të bësh replikë, duhet të matesh mirë. Vërtet e nis përplasjen, por duhet ta mbyllësh atë në formë shteruese, që personi përballë nuk gjen shteg të kundërpërgjigjet. Përjashtojmë sharlatanët që grijë sallatë, ndërsa keqdashësit shpifin edhe gjëra të paqena.

humë guxim, pasi siç është bërë e modës, duke parë debate televizive, apo edhe shkrime gazete, ndodh që kur kundërshtari nuk ka ç’të thotë, pasi i “mbarojnë fishekët”, hidhet në akuza duke prekur jetën personale, që s’kanë lidhje me temën, madje për turpin e tyre dhe të studios televizive, fillojnë e nuk përjashtojnë të baltosin edhe pjesëtarë të familjes, etj, etj. Në këtë zallamahi të pështirë, futen e dhe politikanët, që pasi shahen me libër shtëpie, nuk habitemi t’i shohim bashkë duke u përqafuar, duke u puthur e lëpirë, sikur nuk ka ndodhur gjë. Madje kanë shpikur edhe një fjalë, që nuk pranon koment: “Kështu e do politika…….!”.

E njoh prej kohësh penën e autorit Butka, kështu më duhet të them se ai i ka të gjitha, si kulturën e të studiuarit, të gjykuarit e të shkruarit, ashtu edhe thesin plot me dokumente të mbledhura nga shtypi, nga librat, më së shumti nga arkivat, që i ka me shumë merak dhe, që i zbraz e i shkund, sa herë hyn në përplasje mbi tema historike.

Nuk kam ndërmend t’i bëj analizë klasike të gjithë librit, pasi kështu veproj përgjithësisht, sepse është lexuesi që bën vlerësimin, kur ta mbarojë edhe faqen e fundit. Veç një fjalë më duhet ta them që në fillim: Është libri që nuk më lëshon nga dora, edhe kur lodhem apo nuk kam kohë të merrem me të. Këtu më duhet të shtoj, se ky libër në vetvete përmban një pasurinë dokumentare për t’u lakmuar. Dokumente të grumbulluara me shumë durim e kujdes, shumë prej tyre po i ndesh për herë të parë. Një arkiv i tërë, i shtrirë në kohë, më pas qepur aq hollë e bindshëm, pa qenë nevoja e fjalëve të tepërta, për të mos lënë shteg për ndërhyrje, hamendsime apo mëdyshje.

Në libër gjejmë mjaft tema të thukta për diskutim: “Kadareja i rrezikuar”. (Refleksione mbi ditarin sekret të E. Hoxhës), “Mustafa Gjinishi- tradhtar, dëshmor apo viktimë”, “Polemikë me Xhelal Gjeçovin, mbi kolaboracion izmin”, “Polemikë me ata historianë që e kanë trajtuar njëanshmërisht Kongresin e Përmetit”, “Një përgjigje për nostalgjikët e Fadil Hoxhës”, “Refleksion – A ishte terroriste shkencëtarja Sabiha Kasimati?”, etj, etj. Këtu do të ndeshim shumë ngjarje që kanë lënë gjurmë në historinë shqiptare, shumë prej tyre shoqëruar e përfunduar tragjikisht, e me plot dhimbje njerëzore. Dhe, ata që janë përgjegjës apo të përzierë në rrethana të caktuara, as nuk pendohen, as kërkojnë falje. Madje gjejnë vend dhe kohë të mburren se kanë vrarë, torturuar, ndëshkuar, poshtëruar dhe përbuzur pa shkak, shqiptarin “Armik”. Nuk çuditem! Po “Armik”, ndaj kujt? Ndaj popullit, Atdheut apo Partisë…..!?

Kjo e fundit është marrëzi më vete, ta mendosh dhe tragjike ta jetosh, pasi qëllimisht gjatë luftës, u zgjodh e u hodh në sofrën tonë, si peshqesh dhe ushqim përçarës për gjithë kombin, “Ne dhe ata”. Askush nuk e mendonte se edhe pas kaq vjetësh në ndryshim sistemi, kjo farë e ndyrë e urrejtjes, na ka mbirë në derë dhe s’po e shkulim dot. Më keq akoma, kur ka gjetur vend dhe strehë te mendjet e ndritura e të ditura.

Nuk dua të ndalem këtu, pasi më pëlqen të ngulem te polemika me historianët tanë me emër të “Madh”, që siç del edhe në këtë libër voluminoz, shumë herë e shtrembërojnë, e masakrojnë, e fshehin qëllimisht historinë, por në dukje si pa dashje. Pse e bëjnë këtë? Më mirë e dinë ata vetë. Ndërsa unë po shtoj: ”Kurdoherë, shkrimtari dhe studiuesi, flet e shkruan aq sa di dhe aq sa do!”.

Në libër ndeshim shkrime të lehtë në përmbajtje, por që lëndojnë plagët e shpirtit, mjaftohem të përmend:

– Përgjigje ndaj gazetarit, E. Kalo, që shkruan: “Keni qenë apo jeni bërë i persekutuar politik?”. Shkrim botuar te gazeta “Koha jonë”. 4 nëntor 1992.

– Një polemikë e beftë me prokurorin Aranit Çela. Kam përshtypjen se kjo përplasje fjalësh të çastit, mund të shkruhet më gjerë, si një novelë me kumt të hidhur.

Nëse do të më duhej të përmend të gjithë personazhet e librit, do të shtrëngohem të mbush faqe të tëra, kur edhe vetë bezdisem, pasi nuk i shtoj vlerë librit me përsëritjet e padobishme. Ndaj po ngulem pak mbi temën historike të përplasjes së shqiptarëve gjatë Luftës së II-të botërore, të njehur ndryshe, si Lufta antifashiste, Nacional-Çlirimtare. Mjaftohem të ndalem te shkrimi i gjatë:

– ”A ka kaluar Rubikonin, historiani Kristo Frashëri?” – Pyet Uran Butka. Lexoni dhe do të gjeni çudira. Së pari, nga dokumentet e shumta të hedhur në tavolinë. – ”Me rënien e regjimit komunist Kristo Frashëri, – shkruan Butka,- është i pari historian i brezit të vjetër, që kapërceu Rubikonin dhe arriti të pranonte disa të vërteta mbi luftën antifashiste, …… pra bëri një hap të duhur, por jo më tutje…..”, shkruan autori, Faqe 81-82

Lexoni ç’thotë, Tuk Jakova, faqe 96, Gogo Nushi, Faqe 96.

Fillimi dhe fundi i asaj zallamahie që përfshiu të gjithë shqiptarët. – ”Në themel ishte çështja e pushtetit. Kështu lufta NÇl, e nisur si luftë patriotike dhe antifashiste, duke u gërshetuar me detyrat e revolucionit komunist, për marrje e pushtetit me gjak, e humbi karakterin e saj fillestar……..! U shndërrua në Luftë civile”. Faqe 97. Temë e rrahur gjerësisht nga autori Butka, edhe në librin madhor “Lufta Civile në Shqipëri, 1943-1945”.

Në takime me shkrimtarë dhe personalitete me emër, që futen si pykë e kalbur në sinorët e historisë, e dëgjoj shpesh shprehjen, – “Tek ne nuk ka patur Luftë Civile”. Nuk e vlen të hysh në diskutim me ata, pasi nuk ndryshon gjë, por kur e thotë një historian i nivelit të Kristo Frashërit, duhet vënë duar në kokë. Lexoni vetë këto pak fjalë: Kristo Frashëri e mohon Luftën Civile. Atë e quan me termin “Luftë vëllavrasëse”, Faqe 98.

Sa keq…..! Përplasja mes shqiptarëve nuk ishte, “Valle shpatash” në skenë koncertesh, as “Prerje e gishtit të vogël”, për të pirë gjak e për t’u bërë vëllezër, as “Grusht shteti”, kur një grup njerëzish, rrëzojnë një qeveri dhe marrin pushtetin. Ishte luftë që zgjati më shumë se një vit, Shtator 1943 – Nëntor 1944, ku u përfshinë mijëra luftëtarë dhe u vranë mijëra djem të rinj partizanë dhe nacionalistë

Kur këtë e thonë historianët tanë, si Uran Butka, disa nga ne kundërshtojnë, disa bëjnë sikur nuk e besojnë, disa “përdridhen” nga që nuk duan të besojnë…..! Kështu autori fton të huajt të na rrëfejnë, duke bërë pyetjen: – “Ç’thonë të huajt mbi luftën civile?”:

Julian Emery shkruan:…”Kjo luftë civile nuk kishte asnjë lidhje me Çlirimin Kombëtar…ishte për të ardhur keq që lufta civile kishte marrë përparësi mbi luftën për çlirim. Konferenca e Labinotit, 4-9 shtator, 1943, urdhëroi për nisjen e luftës së armatosur kundër Nacionalistëve dhe marrjen e pushtetit me çdo mënyrë, qysh gjatë luftës”.Faqe 98.

Më tej: Kristo Frashëri mbeti besnik i të rënëve, 28.000. dëshmorë. Pse? – Kur dokumenti i këshillit të ministrave, viti 1945, shënon 2519 dëshmorë. Më vjen keq ta besoj, por ja që ndodh edhe kështu…!

Autori bën edhe një pyetje të hidhur: – Krosto Frashëri, pse hesht për “Masakrën e Tivarit”, ku u vranë mijëra djem luftëtarë të çarmatosur, shkulur nga trojet e Dardanisë? – Pyetje e mbetur pa përgjigje…!

Në libër preket edhe një temë që vazhdon të hajë diskutim mes historianëve, që për fat të keq nuk shkulen nga llogoret e të shkuarës, siç është shkrimi: “Polemikë me Marenglen Kasmin, mbi marrëveshjen e Mukjes”. Një temë vërtet e nxehtë si atëherë edhe sot para 81 vjetësh.

Edhe unë jam në një mendje si autori Uran Butka, që e vlerësoj madhërisht “Mukjen”, këtë ngjarje kulmore në historinë tonë. Madje mund ta krahasojmë me “Lidhjen e Lezhës”, 1444, “Lidhjen Shqiptare të Prizrenit”, 1878, “Kongresin e Manastirit”, 1998, dhe “Shpalljen e Mëvetësisë”, 1912. Sepse ”Marrëveshja” lindi si nevojë e kohës dhe u ndihmua edhe nga aleatët, për një luftë të përbashkët të të gjithë faktorëve shqiptarë”, – thotë Butka. Por Fatkeqësisht u gris, u shkërmoq, u mallkua dhe me gjak u mbulua, nga drejtuesit e Luftës NÇl. Nëse do të zbatoheshin vendimet e saj, historia do të shkruhej ndryshe. Por,… përvoja na mëson se, “Historia nuk bëhet me sikur…!”.

Ja si shkruan Gjenerali Dejvis, në bisedë me E. Hoxhën: ”Mendoja të ndaloja gjakderdhjen e popullit shqiptar, por nuk ia arrita. Dhe, këndej e tutje nuk do të përzihem në vëllavrasjen tuaj…..”. Faqe 170.

Pasojat tragjike të ndarjes, atëherë me fillimin e luftës, fatkeqësisht ndjehen edhe sot e kësaj dite, në mjedisin tonë, në biseda të rëndomta, por edhe te historianët dhe politikanët, që ende i fryjnë atij zjarri “Ne dhe ata”.

Në fund po ndalem edhe tek shkrimi:

“Pëllumb Xhufi, thërret në ndihmë fantazmën e Xhelal Staraveckës”. Shkrim, të cilin më vjen keq që po e lexoj për herë të parë. Them më vjen keq, pasi më duket e pabesueshme që një historian i përmasave të Pëllumb Xhufit, të ulet në prehrin e Xhelal Staraveckës, pasi siç po shoh, ai si njeri dhe shkrues kujtimesh, me përjashtim të përshkrimit realist të disa ngjarjeve, nuk ka parime, as bosht apo shtyllë kurrizore. Mjafton të kërkojmë përgjigjet e disa pyetjeve që autor Butka, i shtron në kuvend bisede:

– Cili është i vërtetë: – libri “Torturë e Terror”, shkruar në vitin 1944, apo libri “Përpara gjyqit të historisë”, shkruar dorëshkrim më, 1966, dhe botuar në vitin 2012. Kë të besojmë, atë që u shkrua duke fërkuar duart në zjarrin e luftës ende të pa mbyllur, apo atë që u qullos duke u ngrohur pranë zjarrit, në Paris…!? Më tej vijojnë pyetjet për Xhelalin: – Pse i demaskoi si terroristë, udhëheqësit e luftës NÇL? – Pse dezertoi dhe e tradhtoi këtë luftë…? – Pse u kthye të luftonte me armë kundër saj…? – Pse më vonë u bashkua me Kolaboracionistët…? Dhe më pas, – Pse dënohet nga drejtësia italiane për krimet e tij të luftës, si fillim “Me burgim të përjetshëm”, më pas me 10 vjet burg, në Itali….? Faqe 151.

Besoj se nuk ka vend të presësh përgjigje. Një shkrimtar serioz që futet të shkruajë histori, e di mirë se libri historik nuk është telajo pikture, që mund ta bojatisësh sa herë sheh ëndrra të bukura apo të trishtuara. Shtesat dhe ndryshimet mund të bëhen për plotësim, kur ka dokumente të gjetura rishtas, si vlerë e shtuar për publikun.

Në fund, duke bërë një përmbledhje të asaj që shkruhet në këtë libër, shtyhem të shtoj edhe pak fjalë: Uran Butka ka meritë që duhet vlerësuar, sepse libri është sa mësimor e njohës, aq edhe edukativ. Ndërkohë, gjithkush nga këndonjësit ve në kandar të gjykimit, të vërtetat që shfaq njëri dhe pretendimin që shpërfaq tjetri.

Ky libër le të shërbejë si model i rrahjes së mendimeve, pa fyerje, pa ngritje zëri, pa sharje e baltosje të mendimtarit dhe mendimit ndryshe.

Kadri Tarelli

Vjeshta e tretë, 2024.

Trafikimi i 613 kg kokaine/ Gjykata e Lartë rrëzon rekursin e Arbër Çekajt, pronarit të kompanisë “Arbi Garden”

Gjykata e lartë ka rrëzuar rekursin e bërë nga Arbër Çekaj. Pronari i kompanisë “Arbi Garden” u shpall fajtorë për trafikimin e sasisë më të madhe të drogë të kapur ndonjëherë në vendin tonë 613 kg kokainë.

 

Çekaj u dënua me 21 vite burg por për shakë të gjykimit të shkurtuar atij ju ul 1/3 e dënimit dhe përfundimisht duhet të shlyej 14 vite burg.

Çekaj mohoi edhe njëherë përfshirjen e tij në ngjarjen e 2018, kur brenda një konteineri bananesh u gjetën 613 kg kokainë të ardhura nga Kolumbia, që kaloi nga Italia, në Portin e Durrësit dhe më pas në magazinën e Çekajt.

Donald Trump nuk i dërgon Putinit ftesë për ceremoninë e betimit si president i SHBA-ve

Presidenti rus Vladimir Putin nuk ka marrë  ftesë për të marrë pjesë në betimin e Presidentit të zgjedhur të SHBA-ve, Donald Trump, ceremonia do të zhvillohet më 20 janar 2025, njoftoi sot Kremlini.

Presidenti i sapozgjedhur i SHBA-së, Donald Trump nuk e ka ftuar presidentin rus Vladimir Putin të marrë pjesë në ceremoninë e tij në Uashington muajin e ardhshëm, tha përfaqësuesi i Kremlinit sot.

“Jo, ai nuk ka marrë ftesë,” u tha gazetarëve zëdhënësi i Kremlinit Dmitry Peskov kur u pyet nëse Trump i kishte bërë ftesë Putinit për të marrë pjesë në ceremoninë e transferimit të pushtetit më 20 janar në Kapitol.

Sakaq CBS News raportoi të mërkurën se Trump ka ftuar udhëheqësin kinez Xi Jinping në betimin e tij menjëherë pasi ai u zgjodh në fillim të nëntorit.

CBS News duke cituar burime anonime, tha se nuk është e qartë nëse Xi e ka pranuar ftesën.