25.5 C
Tirana
E martë, 24 Qershor, 2025

Poeti, publicisti dhe aktivisti i çështjes kombëtare, pse mori pseudonimin Asdreni

Muzeu Historik Kombëtar përkujtoi dje Aleksandër Stavre Drenovën, në 77- vjetorin e ndarjes nga jeta.

 

I njohur me emrin e artit Asdreni, poeti u nda nga jeta më 11 dhjetor të vitit 1947, në Bukuresht. Emri artistik Asdreni përdorej nga vetë ai për të firmosur poezitë, të cilat publikoheshin në gazetat më të njohura si “Kalendari Kombëtar”, “Albania” dhe “Drita”. Asdreni lindi më 11 prill të vitit 1872 në Drenovë të Korçës. Shkollimin e mesëm e nisi në gjimnazin e qytetit. I mbetur jetim mërgoi në Rumani në 1885, por u rikthye në atdhe në vitet 1889, 1914, 1937.

Studimet i kreu në Akademinë Tregtare të Bukureshtit dhe më pas u regjistrua në Fakultetin e Shkencave Politike të Universitetit të atjeshëm, të cilin nuk arriti ta përfundonte. Asdreni ka qenë veprimtar i shquar i kolonisë shqiptare të Rumanisë dhe sekretar i saj për një periudhë mes viteve 1913-1925, ndërsa në periudhën 1922-1934 shërbeu, me disa ndërprerje, si sekretar i Konsullatës Shqiptare të Bukureshtit. Ai mori pjesë në mbledhjen e Bukureshtit të 5 nëntorit 1912, në të cilën u vendos shpallja e Pavarësisë së Shqipërisë. “Betimi mbi flamur” e vjersha të tjera me frymëzim atdhetar luajtën një rol të shënuar në forcimin e ndërgjegjes kombëtare në prag e pas Shpalljes së Pavarësisë dhe në periudhën e konsolidimit të shtetit shqiptar.

KRIJIMTARIA

Asdreni nisi të shkruajë poezi dhe të botojë artikuj që në fillim të shekullit XX. Pjesë e poetëve që zbuloi apo botoi Faik bej Konica tek Albania. Në 1904-ën botoi në Bukuresht përmbledhjen e tij të parë me 99 vjersha, “Rreze dielli”, që ndahet në 5 cikle: Atdhesie, Fushore, Mendimtare, Dashurie, Satirike, të ndara këto sipas tematikave të ndryshme. “Rreze dielli” ia kushtoi Skënderbeut.

Vijoi traditat e poezisë së Naim Frashërit, lartoi dashurinë për atdheun, nxiti bashkatdhetarët të rreshtoheshin në luftën për çlirim nga zgjedha turke. Vëllimi i dytë i Asdrenit, “Ëndrra e lotë”, e botuar në Bukuresht në 1912-ën, shfaq një pjekuri më të madhe. Kjo përmbledhje, po me 99 vjersha si e para, ndahet në 5 cikle: Atdheu, Natyra, Mendimi, Bukuria, Të Ndryshme dhe i kushtohet udhëtares dhe mikes së Shqipërisë Edith Durham. Rritja e mjeshtërisë në formë, stil e teknikë dhe zgjerimi i gamës ideore e tematike bie në sy edhe më shumë në vëllimin e tretë poetik të Asdrenit Psalme Murgu, po në kryeqytetin rumun në vitin 1930.

Psalme Murgu përbëhet nga katër cikle: “Flaga e vatrës”, “Vallja e jetës”, “Ngjyra ylberi”, “Lule dhe gjemba”. Asdreni rimerr të njëjtat tema, por i trajton në forma të reja poetike. Kjo vepër, sipas Elsie, shënjon hyrjen e frymës moderniste në letërsinë shqiptare. Përgatiti vëllimin e katërt “Kambana e Krujës”, të cilin nuk arriti ta shohë të botuar. Në këtë vepër patosi patriotik u rikthye si në veprën e parë, duke mpakur elementin universal të veprës pararendëse. Arshi Pipa vëren idilizmin e tij në paraqitjen e jetës fshatare, ka fjalë simpatie vezulluese për bujqit mëditës dhe rajatë sa herë që i bie rasti t’i përmendë ndër vjershat e tij.

Mendohet se tek poezia e tij në fillim reflektohet një kalim romanticizmi në realizëm, i ndikuar nga Emil Zola. Sabri Hamiti sheh tek vepra e Asdrenit kalimin nga romanticizmi në trashëgimi të simbolizmit.

Joshja e emigrantëve drejt Britanisë së Madhe, Berlini dhe Londra luftë kontrabandistëve për të frenuar migracionin ilegal! Kritikët: Masat e rrepta do bëjnë që “biznesi të lulëzojë”

Gjithnjë e më shumë migrantë kalojnë përmes Kanalit të Lamanshit për në Britaninë e Madhe – shpesh të ndihmuar nga kontrbandistë. Gjermania dhe Britania e Madhe tani do t’u kundërvihen bashkërisht këtyre bandave.

Përpara pak ditësh në kryeartikuj u njoftua për një aksion kontrollesh në shkallë të gjerë dhe arrestime në Gjermani: Një rrjet kurdo – irakian ka transportuar refugjatë “me barka të pasigurta përmes kanalit të Lamanshit për në Britaninë e Madhe”. Barkat ose më saktë pjesët e tyre të këmbimit pjesërisht janë siguruar në Gjermani në mënyrë ilegale. Hetimet u drejtuan nga Franca, vetëm në Gjermani janë ekzekutuar dhjetë urdhër-arreste. “Kontrollet dhe arrestimet janë një goditje tjetër e fortë kundër kriminalitetit brutal ndërkombëtar të kontrabandës me refugjatë”, deklaroi ministrja gjermane Punëve të Brendëshme, Nancy Faeser.

Tani ajo bashkë me homologen britanike, Yvette Cooper, kanë nënshkruar një marrëveshje të planifikuar prej kohësh, për të bashkëpunuar në të ardhmen në luftën kundër kontrabandistëve. “Këto banda, që i ngjeshin njerëzit me kërcënime dhe dhunë në gomone dhe i dërgojnë në Kanalin e Lamanshit, venë në rrezik jetën e këtyre njërëzve”, vuri në dukje ministrja socialdemokrate Faeser.

Përgatitja për këto kalime ilegale shpesh bëhet në Gjermani. “Kundër këtij biznesi të paskrupullt me vuajtjet e njerëzve, ne tani do t’i kundërvihemi më fort bashkarisht.” Fokusi i marrëveshjes ka të bëjë me një bashkëpunim më të ngushtë të policisë, veçanërisht në përndjekjen e itinerareve të rrjeteve të kontrabandës dhe rrjedhës ilegale të parave. Gjithashtu do të ketë lidhje direkte me komandën e re britanike për sigurinë kufitare (Border Security Command), që është përgjegjëse për sigurinë e kufijve të Britanisë së Madhe.

Joshja drejt Britanisë së Madhe

Prej vitesh migrantët gjithnjë e më shumë po kalojnë nga Franca përmes Kanalit të Lamanshit për në Britaninë e Madhe. Shumë prej migrantëve vijnë nga Afganistani, Turqia dhe Irani. Shumica synojnë Anglinë për shkak se njohin gjuhën angleze ose sepse kanë atje të afërm apo miq të tyre. Shumë janë të bindur, se në Britaninë e Madhe është më e thjeshtë të gjesh punë edhe pa pasur leje qendrimi. Procedurat e stërzgjatura të azilit në Francë bëjnë që njerëzit të largohen.

Nëse sipas Ministrisë së Brendshme britanike në vitin 2020 ishin rreth 8000 vetë që hynë në Britaninë e Madhe, sivjet numri i migrantëve të ardhur ilegalisht me barka është mbi 33.000 – këto janë të dhënat e fundit në fillim të dhjetorit 2024. Nëse dikur migrantët fshiheshin nëpër anijet e mallrave apo hipnin ilegalisht në trenat Eurostar, tani, për shkak të kontrolleve më të rrepta, kjo nuk është më e mundur. Ndaj mbetet kalimi i kanalit me barka si mundësia e vetme. Por një lundrim i tillë mund të kthehet për ta në një çark vdekjeprurës.

Gjatë përpjekjes për të kaluar Kanalin e Lamanshit vazhdimisht ndodhin aksidente të rënda. Të paktën 72 vetë kanë humbur jetën më 2024 në tentativën për të lundruar ilegalisht përmes kanalit, sipas të dhënave të Ministrisë gjermane të Brendshme.

Lufta kundër migracionit të parregullt gjithnjë e më e ashpër

Marrëveshja e re lidhet edhe me politikën e migracionit të Britanisë së Madhe. Qeveria e mëparshme donte t’i transferonte për në Ruandë migrantët ilegalë – pavaërsisht origjinës së tyre. Për këtë ajo u kritikua ashpër nga Gjykata Supreme në Britaninë e Madhe si dhe nga organizatat për të drejtat e njeriut.

Edhe kontrollet kufitare janë ashpërsuar gjithnjë e më shumë. Franca dhe Britania e Madhe vendosën një marrëveshje në fund të vitit 2022, që parashikon më shumë patrulla policie në plazhet në veri të Francës. Deri në 100 forca shtesë të rendit, helikopterë, dronë dhe qen nuhatës janë vënë në përdorim nga pala franceze. Për këtë, sipas marrëveshjes, Britania e Madhe paguan rreth 72 milion euro. Tani qeveria e kryeministrit laburist, Keir Starmer, po fuqizon edhe më shumë sigurimin e kufijve dhe masa më të ashpra ndaj kontrabandistëve.

“Marrëveshja e re është në kontekst me të tjera masa të rrepta në hapësirën europiane, si aplikimi i kontrolleve kufitare”, thotë për Deutsche Welle-n Sabine Hess nga Universiteti i Göttingenit në Gjermani. Hess hulumton në katedrën e saj me fokus të veçantë migracionin dhe regullat kufitare. “Britania e Madhe me këto masa të rrepta synon ta ndalojë edhe më tej migracionin.”

Masat e rrepta bëjnë që “biznesi të lulëzojë”

Sipas Hess lufta kundër kontrabandistëve është “hipokrizi”. “Pikërisht këto ashpërsime prodhojnë problemin, që ata duan të luftojnë”, thotë ajo. “Politika e ashpërsimit të masave bën që të lulëzojë biznesi.”Nëse ka gjithnjë e më shumë kontrolle, do të aktivizohen gjithnjë e më shumë kontrabandistë, të cilët i njohin mirë pikat e dobëta të kontrolleve që aplikohen”.

“Kësaj i shtohet edhe fakti, se me gjasë në këtë biznes nuk operon vetëm mafia e madhe, por edhe kontrabanda që përbëhet nga shumë gurë të vegjël mozaiku”, i thotë Hess DW-së. Shpesh janë ‘peshq të vegjël‘, që kapen gjatë arratisjes dhe kriminalizohen. “Rëndom ndodh që kanë qenë vet në arrati ata që bëhen kontrabandistë. Kontrabandistët e organizuar e dinë, se si t’i shmangen rrezikut.” Këtë e konfirmon në intervistë për Mediendienst Integration edhe studiuesit David Suber nga University College në Londër. “Shumica veprojnë spontanisht. Shpesh janë p.sh. refugjatë ose migrantë që ndodhen vet në rrugë drejt një vendi tjetër.” Rrjetet e mëdha të kontrabandistëve në fakt përbëjnë vetëm “një pakicë.”

Sipas një marrëveshjeje me OKB-në, si kontrabandist njerëzish konsiderohet “kush vepron me paramendim për një përfitim të drejtpërdrejtë ose indirekt financiar apo ndodnjë avantazh tjetër”. Në Parlamentin e BE-së këtë javë diskutohet për ashpërsimin e masave ndaj kontrabandistëve. Ekipet e shpëtimit në det e kritikojnë projektligjin e ri, sepse në të nuk do të luajë asnjë rol aspekti i mospërfitimit financiar. Do të thotë se: “Edhe nëse ndokush merr migrantë për arsye humanitare dhe nuk kërkon para në këmbim të kësaj, konsiderohet si kontrabandist”, thotë Hess./DW

Austria heq dorë nga vetoja, Bullgaria dhe Rumania bëhen anëtare të plota të zonës Schengen!

Vendet anëtare të Bashkimit Evropian ua kanë hapur rrugën Bullgarisë dhe Rumanisë për t’u bërë anëtare të plota të zonës për lëvizje të lirë Schengen, prej fillimit të vitit tjetër.

 

“Është moment historik që më në fund të mirëpresim Bullgarinë dhe Rumaninë”, ka thënë ministri i Brendshëm i Hungarisë, Sandor Pinter, shteti i të cilit është aktualisht në krye të Presidencës së bllokut evropian.

Bullgaria dhe Rumania, të dyja vende anëtare të BE-së prej vitit 2007, kanë qenë pjesërisht të integruara në zonën për lëvizje të lirë, prej muajit mars, pasi u është mundësuar vetëm trafiku ajror dhe detar, pa kontrolle kufitare.

Austria pati refuzuar pranimin e plotë të këtyre vendeve në Schengen, duke përmendur shqetësimet rreth migrimit.

Megjithatë, Vjena ka thënë të hënën se nuk do të përdorë veton në takimin e ministrave të zhvilluar mëngjesin e së enjtes, dhe kështu dy vendet do të jenë anëtare të plota prej 1 janarit të vitit 2025.

Bukureshti dhe Sofja i kanë plotësuar të gjitha kriteret teknike që u janë vendosur nga Brukseli më 2010, mirëpo kanë pritur më shumë se një dekadë për t’u bërë pjesë e Schengenit, pasi disa vende kanë qenë kundër ndër vite.

Austria ka hequr dorë nga vetoja, vetëm pasi tri shtetet e kanë nënshkruar “pakon për mbrojtje kufitare”.

Marrëveshja parasheh angazhim të përbashkët të rojeve kufitare në kufirin bullgaro-turk, dhe kontrolle të përkohshme kufitare në rrugët tokësore për periudhë gjashtëmujore.

E krijuar më 1985, zona Schengen përbëhet prej 29 shteteve – 25 prej 27 vendeve të bllokut evropian, plus Zvicra, Norvegjia, Islanda dhe Lihtenshtajni.

Kjo është zona më e madhe në botë pa kontrolle të brendshme kufitare.

Më shumë se 400 milionë njerëz mund të udhëtojnë lirshëm brenda saj./REL

Hakmarrja serbe një vit pas humbjes së madhe në betejën e Kolesjanit! M*sakrat e tmerrshme në Dibër, u vranë gra, fëmijë dhe pleq

Vlerësimi i heronjve dhe dëshmorëve të atdheut, përveçse akt juridik dhe politik, është detyrimi ynë moral, si dhe i çdo gjenerate shqiptare, ndaj historisë dhe së ardhmes të kombit tonë.

Nderimi për luftëtarët që sakrifikuan dhe flijuan jetën për lirinë e Shqipërisë është shprehja më e drejtpërdrejtë e atdhedashurisë që duhet të mbartë çdo shqiptar, pavarësisht bindjeve politike.

Parë nga ky këndvështrim, përjetësimi i emrit të dëshmorit të atdheut Emin Cibaku (me një vendim unanim të këshillit të Bashkisë Dibër) duke i vendosur emrin e tij segmentit rrugor nga kryqëzimi i rrugës Peshkopi – Kukës deri në qendër të fshatit Sohodoll, është ndër vendimet më të vlerësuara nga komuniteti dibran e më gjerë. Kjo për faktin se vlerësimi i gjakut të derdhur për Shqipërinë është borxhi, që kemi të gjithë ne që gëzojmë lirinë ndaj sakrificës së tyre sublime.

deshmi

HISTORIA

Dëshmori i atdheut Emin Habedin Cibaku ka lindur në Sohodoll të Dibrës rreth vitit 1856. Ishte i martuar me Sibe Veselin nga Cetushi, dhe kishin tre fëmije: Habedini, Qamili dhe Shiretja (Vraniçi). Jetonin së bashku me vëllain e tij më të madh, Abdullahin. Familja e tyre janë marrë me bujqësi e blegtori.

Në vitet kur Perandoria Osmane po jetonte fundin e saj, vendet fqinje shtuan përpjekjet për aneksimin e trojeve shqiptare: serbët e malazezet në Veri dhe grekët në Jug. Duke konkretizuar orekset e tyre shoviniste, deri në fillim të nëntorit 1912, serbët kishin pushtuar Prizrenin, Gjakovën e Hasin, dhe po përgatiteshin me forca të shumta për të sulmuar Lumën e Dibrën, dhe pastaj t’i drejtoheshin Durrësit.

Ndërkohë, në anën tjetër, forcat atdhetare po mobilizonin vullnetare në Dibër e Lumë, për të mbrojtur trojet amtare. Edhe nga Sohodolli dolën dhjetëra vullnetarë që rrokën armët për t’i dalë zot atdheut.

“Të shkoni e të vini shën dosh”- i uruan bashkëfshatarët që kishin dalë për të përcjellë luftëtarët. “Në qoftë se e çojmë serbin në Beograd, kthehem në Sohodoll, në të kundërt jo, se nuk e duroj serbin ndër gra e fëmijë”,- iu përgjigj Emin Cibaku.

Sipas historianëve, rreth 3 mijë luftëtarë lumjanë dhe 1 mijë dibranë, ishin vendosur në mbrojtje në Qafën e Kolesjanit përballë mbi 20 mijë ushtarëve serb.

“Ishim vendosur në vijën e parë të mbrojtjes me Eminin, Brahim Përgjegjin e Beqir Bushin”-tregonte Dalip Tafa pas kthimit në Sohodoll.

“Lufta filloi e ashpër, plumba e predha, të vrarë e të plagosur nga të dy anët. Erdhi urdhri për një tërheqje, për të zënë pozicione të reja luftimi. Tërhiquni ju, – thotë Emini, unë po vazhdoj të hap zjarr që t’ju mbroj gjatë tërheqjes. Por, sapo ishim larguar pak, Emini goditet në gjoks nga një plumb armik. Kthehemi menjëherë, dhe me disa bashkëluftëtarë, marrim trupin e pajetë te tij, dhe ia dërgojmë imamit të fshatit për ta varrosur, sepse ne u kthyem menjëherë në frontin e luftës” – ka treguar Dalipi për rënien e Eminit në luftën e Kolesjanit.

Siç shkruan akademik Fatos Daci – “Mjeshtër i Madh”: “Forcat shqiptare, dibrane e lumjane korrën një fitore të shkëlqyer, duke asgjësuar plotësisht ushtrinë serbe, e cila la në fushën e betejës plot 12.000 të vrarë. Kjo betejë, unikale për nga përmasat, heroizmi dhe të vrarët qe një Termopile shqiptare dhe një Vaterlo për serbët”.

HAKMARRJA

Një vit më vonë, në tetor 1913, barbarët serbë kryen masakra të tmerrshme mbi popullsinë civile në Dibër, duke djegur e plaçkitur, duke vrarë e prerë gra, fëmijë e pleq. Në Sohodoll vranë edhe vëllain e Eminit, Abdulla Cibaku, si dhe plaçkitën bagëtitë dhe dogjën shtëpitë e tyre.

Për këtë, mjafton t’i referohemi albanologut të mirënjohur Robert Elsie, i cili në artikullin “Masakrat serbe në Dibër, 1913”, botuar në gazetën e përditshme Corriere delle Puglie, Bari, XXVI, 354, e 21 dhjetorit 1913. (nga anglishtja Gëzim Aliu) (botuar edhe në: Albanica Ekskluzive: revistë mujore për dije e kulturë, Prishtinë, 73-74, tetor/ nëntor 2007, f. 17-), ndër të tjera shkruan se: “…..Në Sohodoll, i dogjën tri shtëpi dhe i masakruan katër burra: Abdullah Abedinin, Tusun Dalipin, Sulejman Bahtiarin dhe Dalip Ismajlin, si dhe një grua me emrin Belure dhe të birin e saj gjashtëvjeçar me emrin Mazllum (Methasani). Po ashtu, i vodhën edhe 200 dele e 30 kuaj….”

Për kontributin e tij ndaj atdheut, Emin Cibaku është vlerësuar nga Komiteti Ekzekutiv i Këshillit Popullor të rrethit Dibër, i cili me vendimin nr. 72 datë 23.5.1978 e shpall: “Dëshmor i atdheut”.

Këshilli i Komunës Kastriot, me vendimin nr. 28 datë 15.11.2012 e shpall: “Nderi i komunës”. Këshilli Bashkiak Dibër, me vendimin nr. 11, datë 31.01.2024 vendosi që, segmenti rrugor nga kryqëzimi i rrugës Peshkopi – Kukës deri në qendër të fshatit Sohodoll, të emërtohet: Rruga “Emin Cibaku”, duke përjetësuar kështu emrin e tij.

IDENTITETI

Vlerësime të tilla si ai i Këshillit të Bashkisë Dibër për dëshmorin e atdheut Emin Cibaku është në radhë të parë nderimi dhe respekti ndaj vetë identitetit kombëtar, ndaj integritetit si shqiptarë dhe dinjitetit tonë njerëzor.

Rivlerësimi i heronjve dhe atdhetarëve në këndvështrimin europian të një shoqërie demokratike i lartëson dhe përjetëson aktet e tyre në realitetet e reja aktuale dhe të perspektivës së kombit. Ai është një refleks i përmbajtjes dinamike të vetë historisë së një kombi.

Vlerësimi dhe rivlerësimi i kontributit dhe akteve historike të Heronjve, Dëshmorëve apo Atdhetarëve të shquar, përherë është lidhur dhe duhet të lidhet me interesin mbarëkombëtar dhe jashtë këndvështrimit politik aktual apo të kohës në të cilën janë kryer këto akte. Në këtë kontekst duhet vlerësuar edhe Beteja e Kolesianit e nëntorit 1912 (e njohur si prelud i pavarësisë), kur rreth 4000 lumjanë e dibranë, të armatosur ishin pozicionuar në formë patkoi, duke harkuar mbi pozicionet serbe, poshtë Qafës së Kolesjanit, nga lindja e perëndimi.

Beteja e Kolesjanit, gjatë së cilës ra dëshmor edhe trimi Emin Cibaku nga Sohodolli, meriton vëmendjen e duhur nga historiografia jonë kombëtare, pasi ajo pengoi drejtpërdrejt forcat e Armatës së Tretë serbe, duke i gjakosur, rraskapitur e vonuar në realizimin e qëllimit serb, për të dalë në Adriatik e për të bërë fakt të kryer pushtimin e Shqipërisë para Shpalljes së Pavarësisë sonë Kombëtare.

Reporterët pa Kufij publikon raportin: Janë vrarë 54 gazetarë gjatë vitit 2024! Kanë humbur jetën në detyrë ose për shkak të profesionit

Këtë vit janë vrarë 54 gazetarë në botë, teksa kanë qenë duke kryer punën e tyre, apo për shkak të profesionit, është thënë në raportin vjetor të organizatës ndërkombëtare, Reporterët pa Kufij, të publikuar të enjten.

 

Sipas organizatës, ushtria izraelite është përgjegjëse për vdekjet e 18 gazetarëve këtë vit – 16 në Gazë dhe dy në Liban.

Sipas raportit, territori palestinez është më i rrezikshmi për gazetarët, pasi atje është regjistruar shifra më e lartë e gazetarëve të vrarë në pesë vjetët e fundit.

Organizata ka thënë se ka dërguar katër kallëzime në Gjykatën Ndërkombëtare Penale për “krimet e luftës të kryera kundër gazetarëve nga ana e ushtrisë izraelite”.

Sipas saj, “më shumë se 145” gazetarë janë vrarë nga ushtria izraelite në Gazë, prej nisjes së luftës, në tetor të vitit 2023, dhe që 35 prej tyre kanë qenë duke punuar në kohën kur janë vrarë.

Organizata e ka përshkruar numrin e vrasjeve si “gjakderdhje të pashembullt”.

Në një raport ndaras, Federata Ndërkombëtare e Gazetarëve (IFJ) ka thënë se 104 gazetarë janë vrarë më 2024, më shumë se gjysma e tyre në Gazë.

Shifrat e dy organizatave dallojnë, sepse ato kanë përdorur metodologji të ndryshme për t’i kalkuluar vrasjet.

Reporterët pa Kufij kanë përfshirë në listë vetëm gazetarët, për të cilët është vërtetur se vdekja e tyre është lidhur me aktivitetin profesional.

Izraeli ka mohuar të ketë vrarë me qëllim gazetarët, por e ka pranuar se disa mund të jenë vrarë si pasojë e sulmeve ajrore.

Pas Gazës, vendi më vdekjeprurës për gazetarët më 2024 ka qenë Pakistani, më pas Bangladeshi dhe Meksika.

Deri më 1 dhjetor, 550 gazetarë janë nëpër burgje në botë, sipas Reporterëve pa Kufij.

Tri shtetet me numrin më të madh të gazetarëve të burgosur janë Kina, Mianmari dhe Izraeli.

Mirela Karabina: Shkolla po “digjet” por, ministrja Manasterliu vazhdon “krihet”

Nga Mirela Karabina

Ministrja e Arsimit Manasterliu, sot në fjalën në Parlament në lidhje me sigurinë në shkolla, me një arrogancë të pashoq dhe paaftësi të dukshme përshfaqi para nxënësve , mësuesve prindërve dhe publikut se si dhe pse në të vërtetë arsimi sot është në gjendjen më të rëndë në dekata.

Shkolla ka humbur rolin zonja ministre, por ju as e dini dhe as e kuptoni se si ajo e ka humbur këtë rol!

Pasi për ju e para është partia dhe jo Shqipëria!

Dëshpëruese shumë, sidomos për një ministre arsimi!

Përmes një liste gënjeshtrat propagandistike se: është rritur numri oficerëve në shkolla dhe janë bërë të sigurta por se si nuk jep shpjegime; se qenka rritur numri i psikologëve në shkolla dhe shkolla ka shpëtuar; qenkan bërë 700 takime në shkolla me 30 prindër dhe ata qenkan dakort për mbylljen të TikTok, thua se e ka shkolla këtë përgjegjësi dhe se platforma e ka fajin për gjendjen e dhunës në shkolla; në Francë, Spanjë e Australi qenka i njëjti shqetësim për platformat digjitale, por pa guxuar të pohojë se jemi si nata me ditën me shkollën, arsimin dhe edukimin me këto vende, ministrja arsimit pohoi se të gjitha këto masa parandalojnë dhunën dhe bullizmin në shkolla.

Po jo moj zonja ministre, jo, dhuna dhe bullizmi nuk ulet me propagandë por me investim e vullnet politik duke e vënë arsimin prioritar!
Pasi shkolla është institucioni më i rëndësishëm ku formohet
shoqëria e nesërme.

Dhe qershia mbi tortë në fjalën e ministres ishte se qenkan mbledhur pedagogë e mësues dhe paskan diskutuar për përditësimin e kornizës kurrikulare dhe teknologjia si zgjidhje do futej përmes laboratëve smart që do të ndërtoheshin, medemek.

Por, para se të na thotë se çfarë do të bëj, ministrja duhet të pohojë se një nga shkaqet e gjendjes së çoroditur në shkolla është dështimi i Reformës Kurrikulare 10 vjeçare (PISA 2022) e cila “u shit” si shpëtim i shkollës nga kryeministri e ministrate arsimit me radhë, ndryshoi dhe kurrikula asokohe, 30% e saj në arsimin e mesëm të lartë do të zhvillohej në laboratorë smart, por asgjë, 3,5 milion euro avulluan e klasat digjitale mbetën në ajër ndërsa pandemia rrëzoi propagandën e digjitalizimit në shkolla dhe abuzimin me këto fonde.

Në Tiranë, ku ministrja Manastrliu është edhe e deleguara politike për zgjedhjet 2025, janë shembur të gjitha shkollat në këto 8 vite, rast unik si gjendje lufte, dhe sot njëkohësisht dy shkolla 9 vjeçare afër njëra-tjetrës “Edith Duram” e “ Pjetër Budi” janë shembur duke i shpërndarë nxënësit sa andej e” këndej.

Ndër vite shkollat me turne e koha mësimore e kufizuar, siguria e ulët e orevë të mbrëmjes së mësimit sidomos, klasa të mbipopulluara, nxënës që lëvizin me autobuzë e fugona nga rrethinat drejt qendrës për mungesë shkollash por dhe se prindërit duan arsimim më të mirë për fëmijët e tyre, 70 mijë mbanorë të “Astir” (Tiranë) nuk kanë shkolla e kopshte e fëmijët shkojnë me fugona ku munden, kanabizimi i vendit ka mundësuar lehtësinë e gjetjes së lëndëve narkotike pranë e brenda shkollës, e të tjera problematika dëshmojnë cilësi e edukim të ulët.

Shkolla ka humbur rolin arsimues dhe edukues,”PISA 2022″, Raporti i Bankës Botërore se fëmijët në zonat rurale janë 2 vite pas në arsimim dëshmojnë cilësi të dobët të dijes ndërsa ngjarjet tragjike tregojnë pasigurinë në shkolla, e këto duan zgjidhje.

Por ministrja Manastirliu vazhdon në të sajën, propagandë e mashtrim publik.

Shorti, nesër në Zyrih merr formë rrugëtimi i Shqipërisë për Botërorin

Shumë kombëtare, ashtu si ajo e jona, kanë ëndërr kualifikimin në Kampionatin Botëror, një event që nuk është prekur nga afër.

Pas aventurës në Europian dhe zhgënjimit në Ligën e Kombeve, Kombëtarja shqiptare do të përgatitet për Botërorin 2026, i cili për UEFA-n, do të marrë formë ditën e nesërme, aty ku në Zyrih, do të hidhet shorti i kualifikueseve, duke nisur nga ora 12:00.

Nga konfederata e UEFA-s këtë herë në Botëror do të marrin pjesë 16 kombëtare, me turneun që do të zhvillohet për herë të parë me 48 ekipe.

Sa i përket shortit, Shqipëria është në vazon e tretë dhe gjithsej do të jenë 12 grupe me nga katër ose pesë skuadra. Nëse kuqezinjtë shortohen në një grup me katër skuadra, eliminatoret do të nisin në muajin mars dhe nëse grupi do të jetë me pesë, ndeshjet do të luhen nga shtatori deri në nëntor.

6 7 8

Nëse Inteligjenca Artificiale fshin historinë, realitetin dhe poezinë

Screenshot

Falë Inteligjencës Artificiale, realiteti është fshirë, kreativiteti është zëvendësuar. Nëse nuk e besoni, dëgjoni këto dy histori.

 

Një herë e një kohë ishte fotografia, e cila dokumentonte realitetin. Nuk mund ta mohoje të vërtetën, është fotoja që dëshmon të vërtetën. Por një ditë një artist nga Nju Jorku, Philip Toledano, porositi një mrekulli nga inteligjenca artificiale. Ai kishte krijuar projektin e titulluar We Are at War për një festival fotografie, me teste të sajuara në të cilat Robert Capa, fotografi i famshëm, dokumentoi D-day, ditën e zbarkimit legjendar në bregun e Normandisë. Gjithçka dukej e vërtetë, imazhet, fytyrat, telegramet. Por në fakt, asgjë nuk ishte e vërtetë, gjithçka ishte rezultat i një rindërtimi fiktiv të situatave dhe materialeve.

Iluzionizëm i pastër, vepër e të shkruarit në smartphone, me mbështetjen e Inteligjencës Artificiale, ose më saktë punë prej prestigjatorësh digjitalë. Toledano thotë: Ideja e fotografisë si e vërtetë humbet përgjithmonë. Një risi absolute, apo rikthim në epokën para fotografisë kur historia, përfaqësimi mitik, piktural, dëshmia gojore e dhënë duhet të provonte një ngjarje, pa asnjë vërtetim të pakundërshtueshëm. Jemi në surrealizëm historik, thotë artisti.

Tani e tutje imazhet nuk do të dëshmojnë më realitetin e gjërave, ato janë të lakueshme. Nga ana tjetër, mjerisht janë të njohura manipulimet që ndodhin në Internet, në rrjetet sociale, me fytyra dhe trupa, shpesh të të miturve, të cilat përdoren në skena të rreme erotike.

Edhe detyra e vëzhgimit prej policisë bëhet e vështirë, pasi pamjet kalojnë dorë më dorë dhe mund të rimodifikohen, shtrembërohen gjatë rrugës, derisa të humbasin gjurmët e fillesës.

Por duke iu rikthyer fotove false historike: një tjetër goditje vdekjeprurëse për kujtesën historike, për vërtetësinë e fakteve. Siç ka ndodhur tashmë në regjimet totalitare – Stalini bëri që figurat e regjimit të diskredituara dhe të eliminuara fizikisht të zhdukeshin nga fotot – ose siç ndodh në manipulimet e sotme të shërbimeve sekrete dhe dezinformatat filmike apo televizive, sot çdokush mund të manipulojë realitetin historik dhe të përziejë ngjarjet aktuale me ato fallco.

Fotografi është i emocionuar nga kjo mundësi e fshirjes së realitetit ose modifikimit të tij sipas dëshirës. Mund ta kthesh realitetin, thotë Toledano, të hysh në vende të paarritshme, të shohësh gjëra që askush nuk i ka parë dhe nuk mund t’i kishte parë kurrë. “Inteligjenca artificiale është tepër fleksibël, mund të jetë si një ëndërr apo një poezi”. Po, e bukur, por nuk është realitet, as e vërteta. A duhet të gëzohemi sepse realiteti po fshihet?

Meqë jemi tek poezia, Inteligjenca Artificiale arrin të simulojë edhe frymëzimin lirik, gjenialitetin poetik. Revista Scientific Report ka botuar kërkime të kryera nga një ekip studiuesish nga Universiteti i Pitsburgut: një grupi prej 1600 personash iu dhanë të përziera, pesë poezi të shkruara nga poetë të mëdhenj, duke filluar nga Shekspiri, dhe pesë poezi të shkruara nga ChatGpt.

Qëllimi ishte të demonstrohej se lexuesit nuk e vërejnë ndryshimin, ata nuk dinë të dallojnë të vërtetën nga e rremja. Dhe sigurisht eksperimenti ishte i suksesshëm. Por mashtrimi është i dyfishtë. Jo vetëm ai i deklaruar nga vargjet e shkruara nga poeti dhe vargjet e shkruara nga Inteligjenca Artificiale.

Por mashtrimi i vërtetë është krijimtaria e rreme e makinës: ChatGpt gjeneron tekste përmes algoritmeve që mbledhin këngë nga një depo e madhe të dhënash. Ata peshkojnë për vargje në mare magnum-in e universit poetik, nuk ka fare frymëzim krijues.

Operacion matematik pa inteligjencë, montim i saktësisë së lartë teknologjike, por i pafrymëzuar nga një venë lirike dhe krijuese. Nuk ka asnjë poet të prekur pas atyre vargjeve, megjithëse nuk mund të përjashtohet që ato të prodhojnë emocione tek ata që i lexojnë.

Kemi treguar dy histori paralele ose ndoshta konverguese, në të cilat ndodh një gjë dhe ndodhin tre pasoja. Premisa është që kufijtë midis të vërtetës dhe të rremes, midis autentikes dhe falses, midis reales dhe të shpikurës kanë humbur.

Përdoruesi nuk di më të bëjë dallimin midis dy zonave, gjithçka është në mëshirën e Inteligjencës Artificiale. Pasojat që rezultojnë janë të tre llojeve. E para: realiteti, historia, faktet mund të zëvendësohen. E dyta: krijimtaria, frymëzimi poetik, gjenialiteti, mund të zëvendësohen. E treta: njeriu, si historia dhe si poezia, është i tepërt, ai mund të zëvendësohet. A duhet të gëzohemi apo të shqetësohemi për gjithë këtë, të festojmë apo të frikësohemi, të ekzaltohemi apo të dëshpërohemi? A është ky përparim për njerëzimin, apo një katastrofë?

Inteligjenca artificiale është e çmuar në shumë fusha, ndonjëherë na bën të jetojmë më mirë, zgjeron mundësitë tona të jetës dhe njohurive.

Megjithatë, me tre kushte. E para është se ne mund të dallojmë të vërtetën nga e gënjeshtërta, poezinë nga letrat tarot, poetin nga roboti; domethënë se ka ende mjete për të ndarë të parat nga të dytat.

E dyta është se fuqia e teknologjisë mund të balancohet me njohuri kritike, inteligjencë në shkallë njerëzore, një kulturë të aftë për të kompensuar rritjen e IA dhe njeriu mund të orientojë, filtrojë, kontrollojë dhe drejtojë Teknikën pa u drejtuar prej saj.

E treta është se zgjerimi i Inteligjencës artificiale mund të ndalet kur bëhet shqetësues dhe i rrezikshëm për njerëzimin dhe botën. Pra, njeriu të kalërojë tigrin dhe të mos tërhiqet zvarrë dhe në fund të dërrmohet. / bota.al

Sekuestrohen 5 blinda, detaje nga operacioni me urdhër të SPAK në banesat e fisit Bajri! Hetimet jo vetëm për m*sakrën e Dobraçit

Forcat RENEA kanë kryer kontroll ditën e sotme në bazat e Bajrave në Shkodër, ku mësohet se janë sekuestruar 5 blinda.

Raportohet se janë kryer kontrolle në banesat e Safet, Behar dhe Enver Bajrit.

Operacioni me urdhër të SPAK lidhen jo vetëm me hetimet për masakrën e Dobraçit ku humbën jetën 4 persona, por edhe në lidhje me një çështje të re të hapur së fundmi.

ATENTATI

Në masakrën e Shkodrës, më 30 Tetor, humbën jetën 23-vjeçari Hamza Lici, 32-vjeçari Arlind Bushati, dhe çifti i pafajshëm i bashkëshortëve, Flutura e Bashkim Basha.

Ngjarja rreth orës 15:50, në aksin rrugor “Shkodër-Koplik”, ku persona ende të paidentifikuar qëlluan me breshëri plumbash drejt mjetit ku udhëtonin dy viktimat 23-vjeçari Lici (shofer) dhe 32-vjeçari Arlind Bushati (pasagjer).

Pasi mjeti ku udhëtonin dy të rinjtë u qëllua me breshëri plumbash nga atentatorët, devijoi nga rruga dhe u përplas me motorin ku udhëtonin çifti Basha.

Nga përplasja gruaja, Flutura Basha gjeti vdekjen në vendin e ngjarjes, ndërsa bashkëshorti i saj, Bashkim Basha humbu jetën pas disa ditësh në intubim në spitalin e Shkodrës.

Mësohet se autorët e ngjarjes kanë realizuar me detaje atentatin në Dobraç me qëllim për të mos lënë asnjë gjurmë. Aq sa dyshohet se makina tip “Range Rover” është shkrumbuar fillimisht me acid dhe pastaj i është vënë flaka, me qëllim mos lënien e asnjë gjurme për hetuesit.

Përdorimi i acidit është bërë për të shkatërruar numrin e shasisë të makinës dhe elementeve të tjerë identifikues.

Makina “Range Rover” , qe dyshohet se u perdor nga autoret rezulton e vjedhur ne Durrës me 17 Prill te ketij viti. Raportohet se mjeti eshte vjedhur ne lagjen 12 dhe ka qene pronari ne ate kohe qe beri denoncim ne policinë e Durresit.

Kjo e dhënë është përftuar nga grupi hetimor pas krahasimit qe i është bere numrit te shasisë, ne automjetin qe u djeg ne fshatin Golem.

Hetimet e SPAK për Erjon Veliaj, kontroll të besuarit të tij Elman Abules

Hetimet për kryetarin e Bashkisë së Tiranës dhe familjarëve të tij nën dyshimet për korrupsion janë në fazën kulminante. Krahas kontrolleve të familjarëve të Veliajt, bashkëshortes Ajola Xoxa dhe vëllait Arbër Veliaj, SPAK ka marrë autorizim dhe për kontrollin personal të shtetasit Elman Abule. Referuar burimeve rezulton se kontrolli i Abules, mik i ngushtë me Veliajn është urdhëruar me qëllim gjetjen e provave që kanë lidhje me veprën penale të korrupsionit. Në mesin e sendeve që janë urdhëruar të sekuestrohen janë jo vetëm celularët, por edhe dokumenta, si dhe pajisje elektronike, sic janë lap top apo kompjuterat personalë. Elman Abule, njihet si njeriu i besuar i Erjon Veliajt dhe është njëherazi nën hetim edhe nga prokuroria e Tiranës. SPAK është duke hetuar kryetarin e Bashkisë, por edhe familjarët e tij dhe personat e besuar nën dyshimet se kanë marrë përfitime të padrejta.