18.5 C
Tirana
E martë, 24 Qershor, 2025

Zbuloni pesë ushqime super të shëndetshme që duhet t’i shtoni në dietën tuaj

Ushqimi është burimi ynë kryesor i energjisë dhe vitalitetit.Duke shtuar këto 5 ushqime super të shëndetshme në dietën tuaj, do të ndiheni më energjikë dhe më të freskët gjatë gjithë ditës.

Avokado: Të pasura me acide yndyrore të shëndetshme dhe fibra, avokado është një ushqim i shkëlqyeshëm për të mbajtur nivelet e energjisë stabile gjatë gjithë ditës.

Perimet e Gjelbra të Freskëta: Perimet e gjelbra të freskëta janë të pasura me vitamina, minerale dhe antioksidantë që ndihmojnë në rritjen e energjisë dhe mbajtjen e trupit të shëndetshëm.

Arrat: Me përmbajtje të lartë të proteinave dhe yndyrës së shëndetshme, arrat janë një ushqim ideal për të rritur nivelin e energjisë dhe për të mbajtur stomakun e ngopur për një kohë më të gjatë.

Mjalti: Mjalti është një burim i shkëlqyeshëm i energjisë së shpejtë dhe të qëndrueshme, i cili gjithashtu ofron përfitime të mëdha për shëndetin e zemrës dhe sistemin imunitar.

Ushqimet e Pasura me Omega-3: Siç janë salmoni dhe farat e linit, këto ushqime të pasura me acide yndyrore ndihmojnë në mbrojtjen e shëndetit të zemrës dhe në përmirësimin e funksionimit të trurit, duke ndihmuar në ruajtjen e energjisë dhe vitalitetit të trupit.

Nëse integroni këto ushqime të shëndetshme në dietën tuaj të përditshme, do të ndjeni një ndryshim pozitiv të niveleve të energjisë dhe shëndetit tuaj./AgroWeb.org

Shqiptarët vazhdojnë të vlerësojnë pozitivisht punën e SPAK

Në mënyrë të vazhdueshme “Barometri” në sondazhet e kryera krahas besueshmërisë së institucioneve, ka pyetur qytetarët specifikisht për vlerësimin që ata kanë për punën e Prokurorisë së Posaçme.

Këtë herë ata që e vlerësojnë pozitivisht punën e SPAK janë 56.8% e qytetarëve të pyetur nga “Barometri”, përkundër 17,2% që e vlerësojnë negativisht punën e tij dhe 24.6% që janë neutralë në vlerësim.

Nëse analizojmë të dhënat e matjeve në kohë, vlerësimi pozitiv për punën e këtij institucioni është rritur por gjithsesi kjo ka qenë një rritje e ekuilibruar.

Nga nëntori 2023 që vlerësimi pozitiv ishte në 50% të të pyeturve, u rrit në 56.8% në shkurt të 2024, ra në 54% në maj të 2024 dhe 52.1% në shtator te këtij viti për tu rritur në 56.8% në matjet e fundit .

Edhe ata që e kanë vlerësuar negativisht punën e SPAK-ut, kanë ruajtur në këto 5 muaj matje nivele të qëndrueshme përkatësisht 23.8% nëntor 2023,22.1% në shkurt 2024, 20,4% në maj 2024, 21,3% shtator 2024 për të arritur nivelin më të ulët të përqindjes së atyre që e vlerësojnë negativisht punën e SPAK në nëntor të këtij viti që janë 17.2%.

Haklaj: Berisha, Rama e Meta janë bashkë! Ish-kryeministri demokrat mbështetet nga Rusia

Ish deputeti demokrat Azgan Haklaj tha për Report Tv se ndryshe nga ish-zëvendëskryeministri i RMV, Artan Grubi, kreu i PD-së në Shqipëri, Sali Berisha, nuk ka treguar asnjë lloj morali politik pas shpalljes “non grata: nga SHBA dhe nuk ka ndjekur rrugët ligjore të parashikuara nga ligji amerikan për ankimimin e kësaj mase nga Departamenti Amerikan i Shtetit.

Për më tepër, Haklaj tha se Berisha mbështetet nga Rusia.

“Ndryshe kemi në Shqipëri zotin Sali Berisha, i cili jo vetëm që nuk u tërhoq, por këmnguli që do të bënte lobing. Lobingun nuk e ka bërë. Gjyqin nuk e ka bërë në gjykatën në SHBA duke shfrytëzuar haoësirën 3-mujore pas shpalljes NON GRATA dhe tani thonë do e na heqë Trumpi. Këta te Rithemelimi janë bërë sikur janë zëdhënësit e Trumpit. Non gratën ta heq vetëm gjykata federake e SHBA. Smundet të ta heqë as Trump, as DASH”,-tha Haklaj.

DASH dekoroi dhe e shpalli në listën e 10 kampionëve anti-korrupsion Altin Dumanin. Kjo është përgjigja zyrtare e DASH për përrallat që qarkullojnë”,theksoi ish-deputeti.
Gjithashtu, Haklaj tha pavarësosht antagonizimit të vazhdueshëm të Berishës ndaj George Soros, ky i fundit është sjellë nga vetë ish-kryeministri demokrat në Shqipëri.

“George Sorosin e ka sjellë në Shqipëri Sali Berisha në vitet 92-93. George Sorosi ka hapur fondacionin BESA. E kanë kthyer në fondacion bandë ku janë të implikuar edhe Berisha edhe Meta edhe Majko, me drejtorin e fondacionet BESA, Bajram Muçaj, i cili është kushëri i Ilir Metës. Fondacionin BESA e kanë kthyer në bankë dhe fillimet i ka nga Sorosi. Vetë Berisha ka negociuar me spanjollët në vitet 2006-2008 pasi e kanë kthyer në bankë një fondacion të tillë BESA, I themeluar nga Soros. Berisha pasi tha ma ka bërë Sorosi, tha ma ka bërë Charls McGonigal, pastaj tha ma ka bërë Palmer se I kam thënë e ke gruan serbe”,-tha Haklaj.
Për Haklajn, regjistrimi i Berishës në gjykatë si kreu i PD është një shkelje.

“Sot regjistrohet në gjykatë Sali Berisha si kryetar i PD. Tani ka një kontradiktë shumë të madhe. Me 11 dhjetor ata kanë bërë kuvendin, në vitn 2021 dhe kanë thënë do bëjmë një komision të përkohshëm, I cili ka afat 3-mujor, 1 dhjetor-11 mars. Me 11 mars ka deklaruar se I ka skaduar afati, me 30 prill kanë bërë zgjedhje  dhe kanë zgjedhur Berishën me një anëtar një votë.

Ndërkohë Angron Zhukri ka miratuar sttautin e 11 dhjetorit dhe komisionin e Rithemelimit me 29 kryetarë. Ka shkuar çështja në Gjykatë të Apelit, ka shkuar në Gjykatë të Lartë. Gjykata e Apelit me një vendim të njëanshëm, nuk ka vendosur vendimin e Gjykatës së Lartë por e ka shpallur të drejtë, i ka dhënë vulën komisionit me 29 kryetarë dhe këta janë regjustriar në gjykatë sipas vendimit të Gjykatës së Apelit. Më këtë vendim janë regjistruar në Gjykatën e Juridksionit të Përgjithshëm, Tiranë. Tani kanë regjistruar Sali Berishën. Me cilin mekanizëm është zgjedhur Sali Berisha? Kjo është një kundëroërgjigje kundër DASH, pas dekorimit të zotit Altin Dumanit dhe SPAK-ut”,-tha ai.
Për ish deputetin demokrat, aksionet politike të Berishës si e ashtuquajtura mosbindje civile, janë hipokrizi.

“Berisha tha do bënte mosbindje civile, 77 forma. Pastaj bëri marrëveshje me Ramën, bëri marrëveshje për shpëtimin e mandatit të vet, shpëtoi reformën zgjedhore, bëri amnistnë penale dhe tani nëpërmjet komisionit Xhafa të godasë SPAK-un dhe GJKKO-në”,– theksoi Haklaj.

Gjykata anulon ndërtimin e 4 HEC-ve mbi lumin Shushica

Shushica është një nga dy lumenjtë tributarë të lumit Vjosa, që në mars të vitit 2023 u shpall park kombëtar.

Beteja ligjore për Shushicën filloi rreth tre vjet më parë. Banorët e luginës së Shushicës së bashku me “EcoAlbania” dhe shoqatën “Impetus”, të përfaqësuar nga avokatët Irena Dule e Dorian Matlija, kundërshtuan që në fillim vendimin e Agjencisë Kombëtare të Mjedisit, AKM dhe Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë, MIE për miratimin e kontratës dhe lejes mjedisore për projektin e ndërtimit të HEC-ve, në përfitim të shoqërisë “Shushica Hydropower”. Kjo e fundit dhe Avokatura e Shtetit ishin pjesë e këtij procesi.

Vendimi që u dha të drejtë banorëve dhe shoqatave që dolën në mbrojte të lumit Shushica, u mor nga trupi gjykues i kryesuar nga gjyqtari Bezart Kaçkini dhe anëtarë gjyqtarët Ramiz Lala e Selvie Gjoçaj.

Kryesuesi Kaçkini shpalli vendimin dhe një përmbledhje të argumenteve. Fillimisht ai u shpreh se gjykata shtroi në shqyrtim disa çështje gjatë vendimarrjes, ku e para ishte legjitimiteti i paditësve, që sipas tij, në kushtet kur procesi vijoi, banorët e fshatit Brataj dhe dy shoqatat janë konsideruar si legjitime në kërkimin e tyre.

Kaçkini tha se të 28 banorët e fshatit Brataj kanë interes aktiv në këtë gjykim, pasi jo vetëm se kanë interesin material, por dhe atë shpirtëror e moral. “Shushica është degë e Lumit Vjosa që është park kombëtar. Paditësit, edhe nëse nuk do të jetonin aty, sërish do të kishin legjitimitet për të ngritur padinë sepse kemi të bëjmë me një park kombëtar”, tha ndër të tjera Kaçkini dhe shtoi se edhe shoqatat legjitimohen pasi rezulton të kenë interes aktiv me angazhimin e tyre në çështjet mjedisore.

Sipas gjyqtarit Kaçkini, është çmuar se padia është e bazuar në prova dhe në ligj e duhet pranuar. Kjo vendimmarrje sjell anulimin e vendimit të ndikimit në mjedis të AKM-së, si dhe të kontratës koncensionare të Ministrisë së Infrastrukturës, që në 2017-ën destinoi për 35 vjet përdorimin e ujërave të lumit Shushica për prodhim energjie.

Banorët e fshatrave që shtrohen përgjatë luginës së lumit Shushica kanë protestuar dhe bërë peticione në mënyrë vijuese kundër ndërtimit të katër HEC-ve dhe ndaj projektit të ujësjellësit të Himarës./BIRN

BIRN: Zyrtari i dyshuar për lidhje me krimin gjen punë si ekspert në komisionin ‘antikorrupsion’

Nga Edmond Hoxhaj

Pasditen e 31 janarit 2016 në pikën e kalimit kufitar të Qafë-Thanës në kufi me Maqedoninë e Veriut, katër burra u regjistruan teksa udhëtonin së bashku në të njëjtin automjet në drejtim të Shqipërisë.

Sipas të dhënave të regjistruara në sistemin TIMS, njëri prej tyre ishte Ardian Çapja, një figurë e njohur e krimit të organizuar në qytetin e Elbasanit, ndërsa bashkëudhëtarët e tij ishin Bledar Mustafaj, asokohe prokuror në Prokurorinë e Elbasanit, Skënder Topi, dekan i Fakultetit të Shkencave Mjekësore në Elbasan si dhe Ravik Gurra, avokati i ndjerë i Çapjas.

Arsyeja e udhëtimit të përbashkët mes një prokurori dhe një personazhi të krimit të organizuar është e paqartë dhe mbeti për shumë vjet e mbuluar si një evidencë policore e kalimit në kufi.

Por në shtator 2023, ky udhëtim ngriti pikëpyetje për pastërtinë e figurës së prokurorit Bledar Mustafaraj në procesin e tij të vetingut, sipas dokumentit të rezultatit të hetimit administrativ që BIRN e disponon. Gjithsesi, këto të dhëna nuk u ballafaquan në shqyrtim administrativ, pasi Mustarafaj vendosi të largohej nga sistemi i drejtësisë me dorëheqje.

Heqja dorë nga statusi i magjistratit gjatë procesit të vetingut i penalizon zyrtarët që të punojnë në sistemin e drejtësisë për një periudhë 15-vjeçare.

Megjithatë, kjo ndalesë nuk e pengoi ish-prokurorin Bledar Mustafaraj që të fitonte pozicionin e kreut të Drejtorisë Juridike në Kontrollin e Lartë të Shtetit dhe të rikthehej në skenën publike si një ekspert i nivelit të lartë në komisionin “antikorrupsion” të drejtuar nga deputeti Fatmir Xhafaj.

Ish-prokurori Bledar Mustafaraj i tha BIRN përmes një bisede telefonike se “këto të dhëna nuk iu nënshtruan verifikimit dhe vlerësimit nga ana e KPK-së”, ndërsa pretendoi se rezultati i hetimit ndaj tij nuk duhej të ishte publik dhe kërkoi të mësonte burimin e informacionit.

I pyetur për lidhjet e tij me Çapjan dhe rolin në komisionin “antikorrupsion”, Mustafaraj tha: “nuk kam koment”.

Skënder Topi, ish-dekan dhe ish- rektor për dy mandate në universitetin “Aleksandër Xhuvani” të Elbasanit pretendoi për BIRN se nuk “kishte lidhje me atë udhëtim”.

Kryetari i KLSH-së, Arben Shehu i tha BIRN se Mustafaraj kishte aplikuar dhe ishte shpallur fitues për pozicionin e drejtorit të Drejtorisë Juridike “pasi ka plotësuar kriteret e vendosura nga institucioni”.

Kreu i Komisionit “antikorrupsion”, Fatmir Xhafaj dhe Kuvendi i Shqipërisë nuk iu përgjigjën pyetjeve të BIRN mbi procesin e rekrutimit të Mustafarajt në pozicionin e ekspertit si dhe procedurën e ndjekur për përzgjedhjen dhe verifikimin e ekspertëve.

Ekspertët “antikorrupsion”

Komisioni i posaçëm parlamentar “Për thellimin e Reformave për Mirëqeverisjen, Sundimin e Ligjit dhe Antikorrupsionin për Shqipërinë 2030 në Bashkimin Evropian”, i njohur gjerësisht si komisioni “antikorrupsion”, është një nismë e kryeministrit Edi Rama, e cila ka sipas tij për qëllim forcimin e shtetit të së drejtës dhe reformimin e institucioneve në luftën kundër korrupsionit.

Megjithatë, kritikët e shohin këtë komision si një lëvizje propagandistike të Ramës për të sfumuar publicitetin negativ mbi rastet e korrupsionit që përfshijnë zyrtarë të lartë të partisë së tij në pushtet. Punimet e komisionit janë gjithashtu të njëanshme, pasi opozita ka refuzuar që të zërë vendet e caktuara në të.

Që prej konstituimit në fillim të qershorit, komisioni i drejtuar nga deputeti Fatmir Xhafaj ka rekrutuar 91 persona, të ndarë në 53 ekspertë të nivelit të lartë, 23 ekspertë që jetojnë jashtë Shqipërisë si dhe 15 punonjës si pjesë e Sekretariatit Teknik.

Numri i ekspertëve të nivelit të lartë në komisionin “antikorrupsion” të drejtuar nga Xhafaj është më shumë se dyfishi i ekspertëve të nivelit të lartë të angazhuar gjatë procesit të reformës në drejtësi thuajse një dekadë më parë.

Emrat e ekspertëve u bënë publikë përmes një shkrese drejtuar Byrosë së Kuvendit, e rrjedhur në media, sipas së cilës Xhafaj kishte përcaktuar masën e shpërblimit për secilin prej tyre për ekspertizën e ofruar gjatë fazës së parë të punimeve të Komisionit.

Komisioni i posaçëm sqaroi më pas se Kuvendi kishte miratuar një fond tavan prej 35 milionë lekësh, me pagesa që variojnë nga 183 mijë deri në 550 mijë lekë për secilin ekspert.

Mes 91 ekspertëve të komisionit “antikorrupsion” figuron edhe emri i ish-prokurorit të Elbasanit, Bledar Mustafaraj, tashmë në pozicionin e drejtorit të Drejtorisë Juridike të KLSH-së. Sipas këtij dokumenti, Mustafaraj figuron në shtyllën e dytë të veprimtarisë së komisionit, atë të antikorrupsionit.

Pikëpyetjet për figurën

Bledar Mustafaraj përfundoi studimet në Shkollën e Magjistraturës në vitin 2005 dhe punoi deri në vitin 2021 në Prokurorinë e Rrethit të Elbasanit. Në periudhën mars 2021- nëntor 2023, ai punoi si magjistrat i komanduar nga Këshilli i Lartë i Prokurorisë si përgjegjës i sektorit të së Drejtës Penale në Drejtorinë e Kodifikimit në Ministrinë e Drejtësisë.

Procesi i vetingut për Mustafarajn u përmbyll më 7 nëntor 2023 nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit me vendimin për ndalimin e ushtrimit të funksionit për një periudhë 15-vjeçare pranë institucioneve të drejtësisë.

Në qershor 2024, Mustafaraj u emërua drejtor i Drejtorisë Juridike në Kontrollin e Lartë të Shtetit.

Sipas dokumentit të rezultateve të hetimit administrativ të KPK-së për subjektin e rivlerësimit, Bledar Mustafaraj, veç gjetjeve në kriterin e pasurisë dhe profesionalizmit, është konstatuar dhe një kontakt i papërshtatshëm i tij me një person të përfshirë në krim të organizuar -rrethanë që nuk është deklaruar nga subjekti në deklaratën e pastërtisë së figurës.

Edhe pse Drejtoria e Sigurimit të Informacionit të Klasifikuar, DSIK, dorëzoi në KPK dy raporte pozitive për Mustafarajn, ishte një informacion i depozituar nga Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit që ndryshoi rrjedhën e hetimit të tij administrativ në kriterin e figurës.

Bazuar në këtë informacion, KPK i kërkoi Policisë së Shtetit të dhënat e sistemit TIMS për Ardian Çapjan dhe dy familjarë të tij.

Ardjan Çapja është një personazh i krimit të organizuar në qytetin e Elbasanit, i dyshuar se është përfshirë në një sërë përplasjesh të rënda përgjatë dy dekadave të fundit. Çapja u dënua me burgim të përjetshëm në nëntor të vitit 2023 për një vrasje të dyfishtë të vitit 2012 – ku viktimat babë e bir u qëlluan për vdekje brenda shtëpisë së tyre.

Bazuar në të dhënat e rezultuara nga sistemi TIMS për udhëtimin e Mustafarajt në shoqërinë e Çapjas, avokatit të tij të ndjerë Ravik Gurra dhe ish-rektorit të Universitetit të Elbasanit, Skënder Topi, KPK ka konstatuar se ‘ish-prokurori Bledar Mustafaraj ka kontakte me një person të përfshirë në veprimtari kriminale”.

Në përfundim të hetimit administrativ paraprak, Mustafarajt i është kërkuar që të japë shpjegime për kontaktet me Ardian Çapjan si dhe për mosdeklarimin e këtij fakti në deklaratën e kontrollit të figurës sipas përcaktimeve të ligjit për vetingun e magjistratëve.

Po ashtu, atij i është kërkuar qëndrim lidhur me konstatimin se kontaktet me Çapjan mund ta vendosin atë nën presion dhe se cënojnë etikën e magjistratit.

Për arsye të dorëheqjes së Mustafarajt nga detyra e prokurorit, hetimi administrativ i KPK për këtë subjekt rivlerësimi nuk u përmbyll dhe nuk u arrit në konkluzione përfundimtare për gjetjet e konstatuara në të tre kriteret.

Propozimi i këshilltarëve të PD-Demokratët Euroatlantikë Vlorë/ Elezi: Nismë për administrimin e bashkëpronësisë së banesave

Në një reagim në profilin e tij në rrjetin social facebook, anëtari i këshillit bashkiak Vlorë, Myzafer Elezi, shprehet se ka paraqitur një propozim zyrtar drejtuar Kryetarit të Bashkisë për përfshirjen në projekt-buxhetin e vitit 2025 të një nisme të rëndësishme që lidhet me administrimin e bashkëpronësisë në ndërtesa.

Më poshtë postimi i plotë:

Të nderuar qytetarë të bashkisë Vlorë,

Në cilësinë e Nënkryetarit të Këshillit Bashkiak të Vlorës, dëshiroj t’ju informoj se kam paraqitur një propozim zyrtar drejtuar Kryetarit të Bashkisë për përfshirjen në projekt-buxhetin e vitit 2025 të një nisme të rëndësishme që lidhet me administrimin e bashkëpronësisë në ndërtesa.

Ky propozim ka si qëllim përmbushjen e detyrimeve ligjore dhe përmirësimin e shërbimeve për qytetarët, duke përfshirë:

1. Krijimin e Komitetit për Ndërmjetësimin dhe Zgjidhjen e Mosmarrëveshjeve, një mekanizëm efektiv dhe jashtëgjyqësor për adresimin e mosmarrëveshjeve midis pronarëve dhe përdoruesve të njësive.

2. Caktimin e një punonjësi të dedikuar, i cili do të ketë përgjegjësinë e administrimit të bashkëpronësisë, në përputhje me kërkesat e Ligjit “Për administrimin e bashkëpronësisë në ndërtesa”.

Kjo nismë synon jo vetëm të lehtësojë zgjidhjen e konflikteve që mund të lindin nga bashkëpronësia, por edhe të sigurojë një mirëadministrim të ndërtesave, në dobi të të gjithë qytetarëve.

Si Nënkryetar i Këshillit Bashkiak, jam i përkushtuar të ndjek këtë proces dhe të siguroj që përmirësimi i shërbimeve për qytetarët e Vlorës të mbetet një prioritet.

Ftoj të gjithë qytetarët që të mbështesin këtë iniciativë dhe të japin sugjerimet e tyre, pasi ky proces është një hap drejt një administrimi më të mirë të pasurive të përbashkëta në qytetin tonë.

Me respekt,

Myzafer ELEZI
Nënkryetar i Këshillit Bashkiak
Bashkia Vlorë

VOA/ Kushtetuesja, Zaçaj tentoi shtyrjen e mandatit të vet, Gjykata e e Lartë shpall vakancën

Në Shqipëri, Gjykata e Lartë njoftoi sot hapjen e procedurës për zgjedhjen nga Gjykata e Lartë të anëtarit të ri të Gjykatës Kushtetuese me mandat të plotë 9 vjeçar, i cili duhet të zëvendësojë kryetaren aktuale të kësaj gjykate, Holta Zaçajn. Vendimi i Gjykatës së Lartë, vjen një ditë pasi zonja Zaçaj, bëri të ditur publikisht se mandati i saj nuk përfundonte më 10 mars të vitit 2025. Komunikimet zyrtare zbulojnë se zonja Zaçaj ka qenë në dijeni të plotë se mandati i saj përfundon zyrtarisht në 10 mars të vitit të ardhshëm, në ndryshim nga qëndrimi publik i mbajtur prej saj. Të paktën dy njoftime të Gjykatës së Lartë në vitin 2021 dhe 2022 për shpalljen e vakancës, përcaktonin qartë afatin. E po ashtu dhe vetë zonja Zaçaj, në aplikimin për kandidimin e saj, i referohet marsit të vitit 2025 si përfundimi i mandatit për të cilin ajo po përfshihej në garë.

Zonja Zaçaj u emërua si anëtare e Gjykatës Kushtetuese në janar të viti 2023, duke pasuar në detyrë gjyqtaren Vitore Tusha, mandati i së cilës kishte përfunduar në 10 mars të vitit 2017. Emërimi i saj, përfshihej në skemën e parashikuar në dispozitat kalimtare të Kushtetutës, të reflektuara dhe në Ligjin për organizmin e Gjykatës Kushtetuese, e cila garantonte ripërtëritjen e Gjykatës çdo tre vjet, me nga tre anëtarë.

Pikërisht për zbatimin e ciklit të ripërtëritjes, mandati pasues i zonjës Vitore Tusha u kufizua në 8 vjet, në mënyrë që së bashku me mandatet pasuese të ish anëtarëve Sokol Berberi dhe Vladimi Kristo (të përfunduara në vitin 2016), të krijohej grupi i tre anëtarëve, nga një për secilin organ emërtese, që do zëvendësohen në vitin 2025. “Një zgjidhje e tillë konfirmoi përtëritjen e Gjykatës Kushtetuese si një detyrim kushtetues që prevalon ndaj kohëzgjatjes 9 vjeçare të mandatit të gjyqtarit”, nënvizon Gjykata e Lartë, në njoftimin e sotëm për shpalljen e vakancës, të firmosur nga kryetari i saj Sokol Sadushi.

Zonja Zaçaj, bëri një lëvizje të papritur dje, ndërsa injoroi kuadrin ligjor sipas të cilit ajo ishte zgjedhur, duke e interpretuar vetë, përfundimin e mandatit të saj, jo më 10 mars të vitit 2025, por “bazuar në rregullat e përgjithshme juridike për llogaritjen e afateve, si afat fundor i ushtrimit të detyrës do të duhet të konsiderohet fundi i vitit 2025”. Ndonëse ajo nuk i referohet asnjë baze ligjore për këtë përllogaritje, si argument për mosnjohjen e 10 marsit 2025, ajo përmendi faktin se sipas saj “as dispozita kushtetuese, për rrjedhojë as vendimi i Gjykatës së Lartë për zgjedhjen në detyrë të gjyqtares kushtetuese, nuk ka një datë të përcaktuar për përfundimin e kësaj detyre”.

Por e vërteta duket se qëndron tërësisht ndryshe. Njoftimi i sotëm i Gjykatës së Lartë, zbulon në fakt se kjo gjykatë, kur ka shpallur dy herë vakancën për mandatin pasues të zonjës Tusha, ka përcaktuar dhe kohën e përfundimit. “Në njoftimin e Gjykatës së Lartë të datës 3.06.2021 është përcaktuar se shpallja e vendeve vakante për anëtarë të Gjykatës Kushtetuese bëhet si më poshtë: “1. Në vendin vakant që krijohet pas largimit të znj. Vitore Tusha (mandati i plotë 9 vjeçar ka mbaruar në vitin 2017), zgjidhet gjyqtari i ri, i cili qëndron në detyrë deri në mars të vitit 2025”. Për shkak të numrit të kufizuar të aplikantëve, edhe në njoftimin e datës 31.01.2022 të ribërë nga Gjykata e Lartë për plotësimin e vendit vakant pas largimit të znj. Vitore Tusha, është përcaktuar shprehimisht: “…Kryetari i Gjykatës së Lartë rishpall thirrjen për plotësimin e vendit vakant të krijuar nga mbarimi i mandatit të gjyqtarit të Gjykatës Kushtetuese, për pjesën e mbetur të mandatit 9 vjeçar, që përfundon në muajin mars 2025”, bën të ditur komunikimi i sotëm i Gjykatës së Lartë.

Për tepër që sipas shkresave zyrtare “vetë znj. Holta Zaçaj, në dy kërkesat për shqyrtim aplikimi, që i ka drejtuar Gjykatës së Lartë dhe Këshillit të Emërimeve në Drejtësi, në datat 25.02.2022 dhe 30.11.2022, ka shprehur vullnetin e saj për zgjedhjen në “mandatin e mbetur të mandatit 9 (nëntë) vjeçar, që përfundon në muajin mars 2025 të znj. Vitore Tusha”, saktëson Gjykata e Lartë.

Këto fakte e rëndojmë edhe më tepër pozitën e kryetares së Gjykatës Kushtetuese, pasi rezulton të ketë ofruar të dhëna të rreme për publikun, e madje bazuar mbi to ajo i është drejtuar dhe Komisionit të Venecias, pa u konsultuar më parë as me trupën e anëtarëve të Gjykatës. Nga ana tjetër, duke përdorur si argumenta të dhëna që nuk qëndrojnë, zonja Zaçaj, ka anashkaluar vetë kushtetutën dhe ligjin, me mos deklarimin e përfundimit të mandatit të saj, duke krijuar në këtë mënyrë dhe një krizë artificiale dhe një përplasje të panevojshme me Gjykatën e Lartë.

Kjo e fundit ka vlerësuar se ndërsa “nuk është përmbushur nga Gjykata Kushtetuese as detyrimi për deklarimin e mbarimit të mandatit të znj. Holta Zaçaj, as njoftimi nga Kryetari i Gjykatës Kushtetuese për përfundimin e mandatit të gjyqtarit..” vetë Gjykata e Lartë “si organ emërtese është ngarkuar nga neni 125, pika 1 i Kushtetutës të ushtrojë kompetencën e saj ekskluzive për zgjedhjen e anëtarit të Gjykatës Kushtetuese, pa u penguar nga asnjë organ tjetër kushtetues”.

Gjykata e Lartë vëren se “mosvënia në lëvizje e Gjykatës Kushtetuese nga kryetari i saj për të shpallur, jo më vonë se data 10.12.2024, mbarimin e mandatit të znj. Holta Zaçaj, nuk mund të pengojë dhe as të shmangë ushtrimin nga Gjykata e Lartë dhe Këshilli i Emërimeve në Drejtësi të kompetencës kushtetuese për zgjedhjes e anëtarit të ri të Gjykatës Kushtetuese”. Sipas kryetarit të Gjykatës së Lartë, zotit Sadushi “njoftimi i mbarimit të mandatit të gjyqtarit të Gjykatës Kushtetuese nga kryetari i saj si një akt formal, shërben për të shpallur një vakancë, të përcaktuar qartësisht në të gjithë procedurën e ndjekur nga Gjykata e Lartë, si organ emërtese dhe nuk sjell asnjë pasojë në vlefshmërinë e procedurës që zhvillohet për këtë qëllim” dhe se në të kundërt “mospërmbushja e detyrimit ligjor nga kryetari i Gjykatës së Lartë për të hapur procedurat për pranimin e aplikimit për kandidaturat për anëtarë të Gjykatës Kushtetuese do të pengonte Këshillin e Emërimeve në Drejtësi për fillimin e procedurës së verifikimit dhe renditjes së kandidatëve, si dhe në veçanti Gjykatën e Lartë për ushtrimin e pushtetit të saj kushtetues për të plotësuar vakancën e radhës në Gjykatën Kushtetuese”./VOA

Basha mesazh për demokratët: PD s’do jetë kurrë prona familjare e Berishës me tapi të Edi Ramës, një faqe e re po hapet për Shqipërinë

Kreu i Demokratëve Euroatlantikë, Lulzim Basha u ka drejtuar një mesazh demokratëve, duke deklaruar se Partia Demokratike nuk do të jetë kurrë pronë private e Sali Berishës me mbështetjen e Edi Ramës.

Ai thekson se PD, e lindur si simbol i shpresës dhe lirisë, është larguar nga parimet e saj për shkak të interesave personale dhe kultit të individit. Sipas Bashës, aleanca mes Berishës dhe Ramës po pengon rinovimin e partisë dhe të ardhmen e saj euroatlantike.

Basha u bën thirrje demokratëve të qëndrojnë për vlerat dhe të hapin një faqe të re për Shqipërinë. “Sakrificat do të shpërblehen dhe PD do të rikthehet te misioni i saj historik,” tha ai.

Postimi i plotë i Bashsë:

Partia Demokratike lindi si një simbol i shpresës dhe mendimit të lirë, si dritarja e parë drejt Perëndimit pas dekadave të errëta të izolimit dhe dhunës. Në dhjetorin e vitit 1990, studentët dhe intelektualët ndezën flakën e demokracisë, duke krijuar një udhë të re për Shqipërinë dhe duke ndërtuar një lëvizje që mishëronte aspiratën për liri, drejtësi dhe zhvillim.

Ajo e nisi me sukses misionin e saj historik, kur u bë shtëpia e parë e të djathtëve në epokën e re, duke mbyllur kapitullin e dhimbshëm të komunizmit çnjerëzor, por humbi lidershipin moral kur fill pas ndryshimit ricikloi mjetet dhe metodat e kastës komuniste.

Partia e hapur, e madhe, e lidhur ngushtësisht me Perëndimin, u bë vatra mbytëse e riciklimit të figurave të lidhura me të shkuarën diktatoriale, e kultit të individit, e idhujtarisë dhe luftës të paparimtë politike, duke u larguar nga parimet dhe vlerat që e kishin kthyer në shumicën plebishitare të hapave të parë të lirisë.

E nëse ndër arritjet më të mëdha të tranzicionit janë shkruar me djersën dhe gjakun e demokratëve, sakrificat e tyre shpesh herë janë keqpërdorur duke prodhuar konflikte të panevojshme me shoqërinë shqiptare, që ende nuk kanë gjetur udhën e mirëkuptimit.

Populizmi i turmave të hidhëruara nga gjuha përçarëse dhe ndikimi i interesave personale e kanë larguar nga rrënjët e saj dhe misioni fisnik: si një parti e ideve, e të përndjekurve, e pronarëve, e shtetit të së drejtës, e identitetit të qartë Perëndimor dhe e vizionit të kthjellët për të ardhmen.

Sot ajo lëngon në një tension mes të shkuarës dhe të ardhmes, ku një pjesë e saj tërhiqet zvarrë nga interesat personale e njërit prej themeluesve, që kërkon ta dënojë këtë forcë politike me peshën e fatit të tij individual, duke e larguar nga shërbimi në interes të shqiptarëve dhe demokratëve. Në luftën e tij të verbër për ta përdorur Partinë Demokratike si një mur mbrojtës në betejën së tij me Perëndimin dhe drejtësinë, ai ka rekrutuar kundërshtarët historik të së djathtës, në një përpjekje të përbashkët për të ndalur të pandalshmen, rinovimin dhe ndryshimin.

Ndonëse aleanca mes Edi Ramës dhe Sali Berishës u ka dhënë atyre kohë nga koha e shqiptarëve, Partia Demokratike nuk ka për të qenë kurrë prona private e një individi me tapi të pushtetit socialist, sepse ajo nuk mund të privatizohet, as nuk mund të flijohet si kurban i kastës të vjetër të tranzicionit, në përpjekjen e tyre të mbrapsht për të mbajtur peng forcën e parë properëndimore të Shqipërisë dhe të ardhmen e saj euroatlantike.

Në këtë përballje mes të shkuarës dhe të ardhmes, ku ata që u veshën me pushtet nga demokratët u fshehën në xhepat e vogla të llogarive meskine, kanë dalë në dritë kampionë të qëndresës dhe vlerave. Burra, gra, të rinj e të reja, që janë ngritur në lartësinë e momentit dhe kanë shpallur me zë të lartë të vërtetën, kanë mbrojtur me forcë identitetin e të djathtës, janë rreshtuar me vendosmëri në krah të aleancave të shenjta të kombit tonë, kanë sakrifikuar interesat personale në shërbim të interesit publik, duke treguar se lidershipi nuk qëndron tek karrigia, por tek koherenca, forca e karakterit, fuqia e ideve dhe bindja se ajo që nuk është e mirë për Shqipërinë, nuk mund të jetë e mirë për Partinë Demokratike dhe demokratët.

Sot mund të duket një ditë e zymtë për demokratët dhe shqiptarët që dëshirojnë një PD të lirë nga kulti i individit, një parti që përfaqëson interesat e qytetarëve – të rinisë, grave, fermerëve, pronarëve, të përndjekurve dhe intelektualëve – dhe jo të një familjeje me llogari të hapura me drejtësinë, SHBA-në dhe Britaninë e Madhe.

Por dielli do të shndrijë sërish për demokratët dhe shqiptarët, të cilët, siç kanë mësuar 34 vite më parë, pa sakrifica nuk ka vepra të mira. Sakrifica e burrave dhe grave që qëndruan për vlerat mbi të cilat u themelua PD-ja do të shpërblehet, dhe një faqe e re po hapet për Shqipërinë dhe shqiptarët.

“E duam Shqipërinë si gjithë Europa” është amaneti i rinisë, 34 vitë më parë, është misioni ynë sot.

Ndryshimet klimatike, shtetet e prekura kërkojnë qartësi mbi detyrimet ligjore për vendet ndotëse

Në fillim të këtij muaji, Gjykata më e lartë e OKB-së nisi shqyrtimin e një çështjeje të rëndësishme, që mund të qartësojë përgjegjësitë ligjore të qeverive në raport me ndryshimet klimatike. Gjatë një procesi që mund të shënojë një pikë kthese lidhur me ndryshimet klimatike, shtetet-ishuj argumentojnë se ngrohja globale përbën një rrezik ekzistencial për to, ndaj duhet të zbatohen ligjet për të drejtat e njeriut. 

 

Në seancën e radhës që u zhvillua të martën, Britania, duke pasqyruar qëndrimet që kanë mbajtur edhe ekonomi të tjera të mëdha, kundërshtoi këtë mundësi, duke u shprehur se vetëm traktatet ndërkombëtare ekzistuese duhet të kenë rëndësi. Siç njofton korrespodenti i Zërit të Amerikës, Henry Ridgwell, ky rast mund të çojë në ndryshim të termave të negocimit mbi ndryshimet klimatike.

Rreth 99 vende po marrin pjesë në seancën dëgjimore në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë në Hagë, duke e bërë atë rastin më të madh në historinë e kësaj gjykate.

Çështja ka vënë përballë vendet e vogla ishuj me ndotësit e mëdhenj dhe prodhuesit e karburanteve fosile.

Në thelb të saj është është fakti nëse ligji ndërkombëtar i detyron shtetet të parandalojnë ndryshimet klimatike dhe të paguajnë për dëmet mjedisore si pasojë e lëshimeve të gazeve që shkaktojnë efektin serrë.

Në seancën e së martës, Britania argumentoi se vetëm traktatet ekzistuese mbi klimën siç është Marrëveshja e Parisit 2015, kanë peshë ligjore.

“Sfida e ndryshimeve klimatike mund të përballohet vetëm nëse shtetet bashkëpunojnë. Mënyra më konstruktive, më konkrete dhe për rrjedhojë, më efektive nga pikëpamja juridike është përmes marrëveshjeve ligjërisht të detyrueshme që përcaktojnë përgjegjësitë e shteteve për të trajtuar këto sfida. Në qendër të përgjigjes globale ndaj ndryshimeve klimatike është Marrëveshja historike e Parisit”, u shpreh Richard Hermer, Prokuror i Përgjithshëm i Britanisë.

Shtetet e vogla ishullore dhe bregdetare argumentojnë se ndryshimi i klimës kërcënon ekzistencën e tyre prandaj duhet të zbatohen ligjet ndërkombëtare, si legjislacioni për të drejtat e njeriut.

“Një përgjegjësi e tillë për këtë dëm ekzistencial duhet jetë subjekt sipas ligjit ndërkombëtar”, u shpreh Arnold Kiel Loughman, prokuror i përgjithshëm, ishujt Vanuatu.

Analistët thonë se opinioni këshillues i trupit gjykues mund të çojë në riformulim të termave negocioues mbi ndryshimet klimatike.

“Pritshmëria është që opinioni i gjykatës të ofrojë një parashikim të qartë ligjor dhe të heqë çdo mjegullnajë rreth detyrimeve të shteteve sipas ligjit ndërkombëtar. Negociatat e OKB-së patjetër do të përfitonin nga kjo qartësi ligjore”, shprehet Elena Kosolapova nga Instituti Ndërkombëtar për Zhvillim të Qëndrueshëm.

Shkencëtarët thonë se ndryshimet klimatike po nxisin fatkeqësi të rënda të lidhura me motin. Një gjë e tillë ka vënë në qendër të vëmendjes të drejtat e komuniteteve të prekura. Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë është një prej tre gjykatave nga ku është kërkuar qartësi ligjore lidhur me ndryshimet klimatike.

Gjykata Ndër-Amerikane e të Drejtave të Njeriut mbajti seanca dëgjimore këtë vit në Brazil dhe Barbados dhe pritet që në javët e ardshme të japë opinionin e saj mbi detyrimet ligjore të shteteve.

Gjyqtarët në Gjykatën Ndërkombëtare të së Drejtës mbi Detin, me seli në Hamburg, vendosën në maj se lëshimi i gazeve që shkaktojnë efektin serrë janë subjekt i ligjit ndërkombëtar dhe se të gjitha shtetet janë të detyruara të kufizojnë ngrohjen globale dhe të mbrojnë mjediset detare.

“Nëse një shtet dështon të përmbushë këtë detyrim, atëherë ndaj tij do të zbatohej legjislacioni ndërkombëtar”, shprehet Albert Hoffmann, kryetar i Gjykatës Ndërkombëtare i së Drejtës mbi Detin.

Shtetet e vogla ishullore e vlerësuan këtë opinion, që sipas tyre i dha më shumë fuqi ligjeve mbi ndryshimeve klimatike.

Seanca dëgjimore në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë do të përfundojë të premten. Gjyqtarëve do t’u duhen disa javë për të dhënë opinionin e tyre./voa

Analiza/ “Presidenti i zgjedhur Trump sinjalizon se nuk do të përfshihet në Siri, a është e mundur?”

Donald Trump ka sinjalizuar se dëshiron të shmangë përfshirjen në Siri pas rrëzimit të Presidentit Bashar al-Assad nga një grup kryengritësish.

 

Megjithatë, siç njofton korrespondentja e Zërit të Amerikës në Shtëpinë e Bardhë Patsy Widakuswara, presidenti i zgjedhur mund të ketë nevojë të balancojë qëndrimin e tij me qëllimet Uashingtonit për mbrojtjen e Izraelit, izolimin e Iranit dhe përballjen me Rusinë, Turqinë dhe vende të tjera.

Sirianët ende po festojnë rrëzimin e presidentit Bashar al-Assad, i cili është arratisur në Moskë. E ardhmja e vendit nuk është aspak e qartë pasi fuqitë rajonale përpiqen të mbrojnë interesat e tyre.

Nga jugu, Izraeli nisi sulmet për të dobësuar atë që ka mbetur nga ushtria e aleatit të Iranit.

Në veri, rebelët e mbështetur nga Turqia morën nën kontroll një pjesë të territorit, duke detyruar kurdët sirianë të largoheshin.

Presidenti amerikan Joe Biden ka reaguar me shpejtësi, duke nisur sulme ajrore ndaj objektivave të Shtetit Islamik në Siri.

Shtetet e Bashkuara do të punojnë me partnerët tanë dhe palët e interesuara në Siri për t’i ndihmuar të përballen me rreziqet”, tha Presidenti Biden.

Ndërkaq, Presidenti i sapozgjedhur Donald Trump sinjalizoi se nuk dëshiron të përfshihet në Siri.

“Padyshim duket sikur bota është çmendur pak tani”, tha presidenti i zgjedhur Trump.

Hayat Tahrir al-Sham, grupi i rebelëve që rrëzuan Assadin, është përcaktuar si organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara.

Megjithatë, Trump dëshiron që Uashingtoni të mos përfshihet në konfliktit sirian. “Kjo nuk është lufta jonë”, shkroi ai në rrjetet sociale.

Me këtë qëndrim u pajtua Tulsi Gabbard, e emëruara e zotit Trump për postin e drejtores së zbulimit kombëtar.

Ai është plotësisht i përkushtuar, siç ka thënë vazhdimisht, për t’i dhënë fund luftërave, për të siguruar paqen duke treguar forcën dhe duke vënë në radhë të parë interesat e sigurisë kombëtare dhe sigurinë dhe lirinë e popullit amerikan”, thotë Gabbard.

Por me largimin e Asadit, Presidenti i zgjedhur Trump mund të ketë nevojë të balancojë qëndrimin e tij për mos përfshirje me qëllimet amerikane për të mbrojtur aleatët, si Izraeli dhe Jordania dhe për të shmangur rigjallërimin e grupeve terroriste si Shteti Islamik.

“Pengimi i organizatave të njohura terroriste nga qasja te armët kimike dhe aftësia për të vepruar në territore që nuk i ka askush nën kontroll ose në hapësirën ku ka shtete të dështuara, mendoj se është një veprim shumë i zgjuar. Unë mendoj se këtë politikë do ta vazhdojë edhe Presidenti Trump”, tha Christopher O’Leary ekspert kundër terrorizmit.

 

Gjatë mandatit të parë, Presidenti Trump urdhëroi sulme ndaj regjimit të Asadit në përgjigje të përdorimit të armëve kimike. Presidenti Trump megjithatë, u përqëndrua më shumë në mposhtjen e Shtetit Islamik.

Ai urdhëroi largimin e trupave amerikane nga Siria në vitin 2019, duke lënë vetëm disa qindra ushtarë amerikanë për të mbrojtur fushat e naftës.

Ai u kritikua se braktisi aleatët. Pas tërheqjes, Turqia nisi ofensivën kundër forcave kurde, që kishin luftuar së bashku me ushtarët amerikanë për të shkatërruar Shtetin Islamik në Siri.

Kësaj radhe Trump tha: “Të mos përfshihemi”.

Por me kaq shumë interesa amerikane në rajon, politika e mospërfshirjes mund të jetë më lehtë të thuhet sesa të zbatohet./voa