21.5 C
Tirana
E hënë, 23 Qershor, 2025

E Ngarkuara me Punë e SHBA takon kryetaren e Apelit të GJKKO! VanHorn: Vendimet tuaja janë jetike për t’i dhënë fund kulturës së mosndëshkimit

E Ngarkuara me Punë Nancy VanHorn u takua me kryetaren në detyrë të Gjykatës së Posaçme të Apelit kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, gjyqtaren Saida Dollani.

 

Sipas njoftimit të publikuar nga Ambasada e SHBA-ve, VanHorn ndau mbështetjen e palëkundur për gjyqtaren Dollani dhe kolegët e saj, të cilët “shfaqin guxim të pamasë dhe sakrificë personale në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.

Vendimet e tyre janë jetike për t’i dhënë fund kulturës së mosndëshkimit në Shqipëri. Ambasada e SHBA mbetet e përkushtuar për të mbështetur institucionet e drejtësisë së Shqipërisë në misionin e tyre për të ruajtur drejtësinë dhe integritetin”.

Të akuzuar për korrupsion, GJKKO dënon me një vit burg Arben Tushën dhe me 16 muaj shërbim prove, Ded Ndojin

Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, ka dënuar me burg dhe shërbim prove dy persona të akuzuar për korrupsion.

 

NJOFTIM PËR MEDIAT 

1. Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka paraqitur pranë Gjykatës kërkesën me objekt: “Dërgimin në gjyq të procedimit penal nr. 167 të vitit 2022, në ngarkim të të pandehurve Ded Ndoj, akuzuar për kryerjen e veprës penale “Korrupsioni aktiv i personave që ushtrojne funksione publike” parashikuar nga neni 244/2 i Kodit Penal dhe Arben Tusha, akuzuar për kryerjen e veprës penale “Korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike” parashikuar nga neni 259/2 i Kodit Penal”.

2. Gjykimi i kësaj ҫështje u zhvillua me rregullat e gjykimit të shkurtuar. Në përfundim të gjykimit, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar me trup gjykues të përbërë nga gjyqtarët Erjon Bani, Irena Gjoka dhe Flojera Davidhi me vendimin Nr. 75, datë 11.12.2024 vendosi:

1. Deklarimin fajtor të të pandehurit Arben Avdi Tusha, për veprën penale të “Korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike” parashikuar nga neni 259/2 i Kodit Penal dhe dënimin e tij me 3 (tre) vite burgim.

2. Në zbatim të nenit 406/1 të Kodit të Procedurës Penale, të pandehurit Arben Avdi Tusha, i ulet 1/3 (një e treta) e dënimit të dhënë, duke u dënuar përfundimisht 2 (dy) vite burgim.

3. Vuajtja e dënimit të kryhet nga i pandehuri Arben Avdi Tusha në një burg të sigurisë së zakonshme.

4. Në zbatim të nenit 35 të Kodit Penal, të pandehurit Arben Avdi Tusha, i hiqet e drejta për të ushtruar funksione publike për një periudhë prej 5 (pesë) vjet.

5. Deklarimin fajtor të të pandehurit Ded Ndue Ndoj, për veprën penale të “Korrupsioni aktiv i personave që ushtrojne funksione publike” parashikuar nga neni 244/2 i Kodit Penal dhe dënimin e tij me 1 (një) vit burgim.

6. Në zbatim të nenit 406/1 të Kodit të Procedurës Penale, të pandehurit Ded Ndue Ndoj, i ulet 1/3 (një e treta) e dënimit të dhënë, duke u dënuar përfundimisht 8 (tetë) muaj burgim.

7. Në zbatim të nenit 59 të Kodit Penal, urdhërohet pezullimi i ekzekutimit të dënimit me burgim, duke e vënë në provë për të pandehurin Ded Ndue Ndoj, për një periudhë kohe prej 16 (gjashtëmbëdhjetë) muajsh, me kusht që gjatë kësaj kohe i pandehuri të mos të kryejë vepër tjetër penale. Gjatë kësaj kohe i pandehuri detyrohet të mbajë kontakte me Drejtorinë e Shërbimit të Provës që mbulon vendbanimin e tij. Rruga “Jordan Misja” Nr.1, 1057 Tiranë; tel/fax 0035542231527; www.gjp.gov.al

8. Në aplikim të nenit 190 të Kodit të Proçedurës Penale, provat materiale, konkretisht: i) 6 (gjashtë) DVR me materiale filmike të transmetuara nga emisioni investigative “Stop” të qëndrojnë në dosje; ii) 1 (një) CD me mbishkrimin MEDIA me materiale filmike të Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve të qëndrojë në dosje; iii) 1 (një) vulë në formë drejtkëndore me të dhënat “Sektori i Gjendjes Gjyqsore Arben Tusha” t`i kthehet Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve, pasi vendimi të marrë formë të prerë; iv) 1 (një) CD me informacionin e dërguar nga Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve të qëndrojë në dosje.

9. Shpenzimet gjyqësore dhe ato të hetimeve paraprake i ngarkohen të pandehurve në mënyrë solidare.

10. Kundër këtij vendimi mund të bëhet ankim në Gjykatën e Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, brënda 15 (pesëmbëdhjetë) ditëve, duke filluar ky afat nga e nesërmja e njoftimit të këtij vendimi

“Privilegj i madh të shërbej si ambasador në Kosovë”/ Vjosa Osmani vlerëson Hovenier me urdhrin “Dr. Ibrahim Rugova”

Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Jeffrey Hovenier, është nderuar me urdhrin “Ibrahim Rugova” nga Presidentja Vjosa Osmani.

 

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani e vlerësoi atë  më shumë se një ambasador.

“Ishte me ne kur populli i Kosovës ishte viktimë e krimeve të llahtarshme, ishte me ne kur raportonte për masakrën e Reçakut, ishte me ne kur vendosnim themelet e shtetit tonë të pavarur, e ishte me ne edhe përgjatë viteve të fundit në mbrojtje të pavarësisë, sovranitetit dhe aleancës së pathyeshme me SHBA-në”, tha Osmani në një postim në Facebook, ku publikoi edhe një video nga ceremonia e ndarjes së Urdhrit.

Përmes një deklarate në aplikacioni “X” Hovenier tha se ka qenë privilegj i madh për të që të shërbejë si Ambasador i ShBA-së në Kosovë.

Ambasadori tha se ky vlerësim ka kuptim të madh për të dhe se prezanton punën e përbashkët dhe dedikimin e gjithsecilit që ka qenë pjesë e kësaj përpjekje për të siguruar paqe dhe stabilitet në Kosovë.

Thellësisht i nderuar dhe mirënjohës për t’u nderuar me Urdhrin Presidencial “Ibrahim Rugova” nga Presidentja Vjosa Osmani, mbrëmjen e djeshme. Ky vlerësim ka kuptim të madh për mua dhe prezanton punën e përbashkët dhe dedikimin e gjithsecilit qe ka qenë pjesë e kësaj përpjekje për të siguruar paqe dhe stabilitet në Kosovë dhe për të avancuar vizionin tonë të përbashkët për një vend sovran, demokratik dhe multietnik. Ka qenë një privilegj i madh të shërbej si ambasador i SHBA-së këtu në Kosovë”, ka deklaruar Hovenier.

Refleksionet e shkrimtarit të njohur: Komunistët e Titos që zbritën nga malet të palarë, rrisnin pula në godinën e Bankës Italiane, ndërsa në vaskën e banjos mbillnin majdanoz! S’e njihnin tualetin…

Gjithmonë regjimet me ideologjizime ekstreme, ua vështirësojnë tmerrësisht jetën qytetarëve të tyre. Por jo më të pakta janë edhe përjetimet e atyre, që fati historik i hodhi në mes të dy çakejve; regjimit fashist dhe atij komunist, sikundër përshkruhet në librin “Magazina 18”, i cili na jep dëshmi tronditëse të italianëve të mërguar nga Istria, Fiume dhe Dalmazia. Nga mendja brilante e filozofit Friedrich Nietzsche, kanë dalë fjalët se; “Të jetuarit është vuajtje, të mbijetuarit është gjetja e një kuptimi për vuajtjet”. Ky është edhe synimi i autorit Simone Cristicchi, fituesit të festivalit të Sanremos, me këngën; “Do të të dhuroj një trëndafil”, me gazetarin Jan Bernas, teksa rreken të pasqyrojnë nga të mbijetuarit, në formë rrëfimesh dhe ditari jo kronologjik, atë që ngjau me atë popullsi që edhe pse në trojet e veta, mbeti si mollë sherri mes Italisë, qysh nga Musolini e, Jugosllavisë së Titos.

E gjithë tragjedia e tyre luhet nën regjinë e Fuqive të Mëdha dhe më pas, nën indiferencën e tyre për pasojat e dhimbshme që vendimet e marra sollën. Pretendimet e palëve u zgjidhën me favorizimin e sllavëve që u quajtën fitues, në kurriz të atyre që edhe pse ishin njerëz të thjeshtë, u damkosën si humbës, duke harruar se fituesit ishin edhe më të egër, pasi është plotësisht ashtu sikurse thoshte Ronald Regan, se; “Vetëm në dy vende mund të funksionojë komunizmi, në parajsë, ku s`u nevojitet, dhe në ferr, ku tashmë e kanë”.

Dhe për ta parë këtë ferr, mjafton të futesh brenda “Magazinës 18”, numër i kobshëm gjaku ky, sipas letrave napolitane. Se kur futesh aty, nuk ka sesi të të mos ngjallin aq e aq kujtime të hidhura ato rraqe të vjetra, hedhur rrëmujshëm prej një kohe të gjatë dhe të brejtura nga minjtë e nga molat, por që edhe ashtu si janë, flasin me gjuhën e asaj që ka ndodhur.

Botërori i peshëngritjes, Shqipëria del duarbosh

Shqipëria ka mbyllur përfaqësimin e saj në Kampionatin Botëror të Peshëngritjes me konkurrimin e djeshëm të Kristi Ramadanit dhe Erkand Qerimajt.

Të dy garuan në Baterinë B të kategorisë së peshave 81 kg në eventin që po mbahet në Manama të Bahrejnit, por pa mundur që të lenë gjurmë. Duke e nisur nga Ramadani, 24-vjeçari kaloi me sukses provën e parë me 146 kg në stilin e shkëputjes, për të dështuar në dy provat e tjera me 150 dhe 151 kg, duke e mbyllur këtë stil në vendin e 10-të të Baterisë B. Më tej në shtytje, Ramadani realizoi mjaft mirë provën e parë me 181 kg për të mos u futur më pas në dy provat e tjera, duke u klasifikuar i nënti në bateri. Me 327 kg gjithsej, ai e përfundoi dygarëshin në vend të tetë në Baterinë B, një rezultat shumë larg zonës së medaljeve.

Duke llogaritur renditjen finale për të gjitha bateritë, Ramadani e mbylli i 18-ti në shkëputje, i 17-ti në shtytje dhe i 16-ti në dygarësh. Për sa i përket Erkand Qerimajt, ai i dështoi të tria provat në shkëputje, përkatësisht me dy herë me 155 kg dhe një me 156 kg, duke mos u futur në shtytje, për të mos u klasifikuar në dygarësh. Paraqitje zhgënjyese nga 36-vjeçari kuqezi, i cili për gati dy dekada ka qenë gjithnjë në nivele të larta ndërkombëtare me rezultatet e tij, por pesha e viteve tashmë bën të vetën.

Rezultatin më të lartë të Shqipërisë në Botërorin e Bahrejnit e shënoi Briken Calja, i cili zuri vendin e katërt në shkëputje në peshat 73 kg, duke regjistruar rezultatin 153 kg. Ndërsa shtërmenasi dështoi në shtytje, duke mos kaluar asnjë provë, për të humbur kështu edhe dygarëshin. Një Botëror që duhet të shërbejë si kambanë alarmi për peshëngritjen shqiptare, pasi me Caljen dhe Qerimajn në fund të karrierës, për momentin askush nuk duket gati për të marrë stafetën e këtyre kampionëve.

Rrëzimi i Assadit dhe trazirat në Siri/ Antony Blinken pritet të vizitojë Ankaranë, do të takohet me ministrin turk

Sekretari amerikan i shtetit, Antony Blinken, do të vizitojë Ankaranë për t’u takuar me ministrin e jashtëm turk Hakan Fidan, thotë një zyrtar turk.

 

Sipas zyrtarit turk, Blinken pritet të vizitojë Ankaranë ditën e premte 13 dhjetor.

Blinken dhe Hakan do të diskutojnë rreth situatës në Siri pas rrëzimit të Bashar al-Assad nga presidenca dhe shtimit së forcave rebele në vend.

Turqia ka pritur një numër të madh refugjatësh sirianë që nga fillimi i luftës civile në vitin 2011.

Ditën e djeshme presidenti turk Rexhep Tajip Erdogan tha: “Vendi ynë ka nevojë për ndihmën e refugjatëve: Çdo sulm ndaj lirisë së popullit sirian, stabilitetit të administratës së re dhe integritetit të territoreve të saj do të na gjejë kundër “.

Kujtojmë se Ankaraja bashkëpunon dhe ka mbështetur grupet e armatosura të opozitës që kontribuan në rënien e Assadit në Siri, të cilat po luftojnë edhe me organizatat kurde në vend, të cilat turqit i konsiderojnë kërcënim për sigurinë e tyre.

Mbi 200 të vdekur në 3 ditë

Armiqësitë midis forcave afër Turqisë dhe organizatave të armatosura kurde i morën jetën të paktën 218 personave në tre ditë në veri të Sirisë, sipas informacionit të publikuar dje, nga organizata joqeveritare Observatori Sirian për të Drejtat e Njeriut .

OJQ-ja me bazë në Britani, e cila mbështetet në një rrjet të gjerë burimesh në Siri, tha se “218 anëtarë të forcave kurde dhe fraksioneve pro-Ankarasë u vranë në tre ditë luftime në Manbij dhe përreth “, ku forcat e mbështetura nga Turqia nisën një ofensivë.

Gjatë bastisjes së tyre, ata ” mundën të hynin në Manbij dhe të zgjeroheshin në periferi të tij .”

Observatori Sirian për të Drejtat e Njeriut shtoi se armiqësitë vazhdojnë në zonën ku ndodhet Raka.

Khamenei “sheh” një plan amerikano-izraelit

Udhëheqësi suprem i Iranit, Ayatollah Ali Khamenei, tha të mërkurën se Irani ka prova se përmbysja e presidentit sirian Bashar al-Assad ishte rezultat i një plani nga SHBA, Izraeli dhe një nga fqinjët e paidentifikuar të Sirisë.

OKB: Të paktën 800,000 njerëz janë zhvendosur rishtazi në Siri, nevojë urgjente për ndihmë humanitare

Të paktën 800,000 sirianë janë zhvendosur nga luftimet e fundit në Siri, tha sot përfaqësuesi i agjencisë së OKB-së për refugjatët për vendin.

 

“Ka një situatë të nevojave të mëdha humanitare dhe ka një situatë të zhvendosjes së madhe të detyruar,” tha Gonzalo Vargas Llosa për BBC, duke shtuar se situata brenda vendit ishte tashmë e rëndë me 16 milionë njerëz në “nevojë urgjente për ndihmë humanitare”.

Vargas Llosa tha se OKB-ja po përpiqej të rifillonte aktivitetet e saj që ishin pezulluar nga luftimet.

“Çdo hapësirë ​​e vogël që bëhet e sigurt, ne menjëherë shkojmë me partnerët tanë për të përmbushur atë boshllëk humanitar”, tha ai.

Dumani kampion anti-korrupsion nga DASH, Lapardhaja: Mesazh për atë që do vijojë të bëjë politika amerikane! SPAK i vetmi institucion që vlerësohet

Shtetet e Bashkuara të Amerikës shpallën kreun e SPAK, Altin Dumanin, si një nga 10 kampionët e luftës kundër korrupsionit për vitin 2024.

Lidhur me këtë vlerësim, analisti Namir Lapardhaja në një lidhje skype ditën e sotme për emisionin ‘Sot Live në Shqipëri’, në Report Tv, tha se atë ditë që Dumani u shpall kampion i antikorrupsionit, Berisha bënte thirrje se duhet ti hiqet ‘non grata’ nga SHBA.

“Kur Dumani u shpall kampion kundër korrupsionit, po atë ditë një politikan ‘non grata’ nga Blinken, bënte thirrje që do ti kërkonte SHBA që ti heq ‘non gratën’. Tani përveç heqjes së ‘non gratës’ së tij ai do të duhet që ti kërkojë edhe heqjen e vlerësimit për Altin Dumanin, presidentit Donald Trump.”

Lapardhaja shpreh se ky vlerësim nuk është vetëm për kreun e SPAK, por edhe për gjithë drejtësinë e re që ka luftuar korrupsionin në vend.

“SHBA-të janë në koherencë të plotë më atë që kanë deklaruar që në fillim të reformës në drejtësi.

Ky nuk është një vlerësim vetëm për Altin Dumanin, por edhe një vlerësim për përpjekjen e drejtësisë së re për ta ndarë Shqipërinë nga procesi i pandëshkueshmërisë, i cili e ka shoqëruar atë për 30 e ca vite, por edhe një mesazh për atë që do të vijojë të bëjë politika amerikane në të ardhmen. Politika e Amerikës nuk udhëhiqet nga agjenda të caktuara, por është një politikë që të gjitha administratat duhet që ta vijojnë me të njëjtin standard dhe koherencë”, tha ai.

Sa i përket vulosjes së non-gratës së Berishës nga Britania, i cili do të mbetet non grata pasi nuk do t’i lejohet apelimi, Lapardhaja tha se vetëm mbështetësit e tij e mendojnë seriozisht këtë.

“Dua që ti jap pak nota humori, sepse edhe shumë seriozisht kjo çështje s’është për tu marr. Vetëm ata ithtarët e tij dhe besimtarët e marrin seriozisht. Ajo që ka ndodhur në Britani është në vazhdën e verimeve të mëparshme të këtij shteti. SHBA flet përmes vendimeve, si SHBA dhe DASH të njëjtin qëndrime do të mbajnë në të ardhmen, ndërsa brenda për brenda këto përdoren për manipulim të mbështetësve”, tha ai.

Ai tha se SHBA do të vijojë të shpall non grata të tjerë, teksa u ndal tek rasti i ish-zëvendëskryeministri i Maqedonisë së Veriut, Artan Grubi, i cili më 9 dhjetor u shpall ‘non grata” nga SHBA.

“Një ish zv kryeministër është shpallur ‘non grata’ nga SHBA dhe kjo do të thotë që SHBA nuk do të ndalojë me këtë lloj mekanizimi. Por ata do të vijojnë. Kjo është një politikë afatgjatë për Ballkanin Perëndimor për largimin e ndikimit rus dhe për luftën që SHBA i ka shpallur korrupsionit”, tha ai.

Një koment e pati edhe për vendimin e Komisionit të Venecias për mandatin e Olta Xhaçkës. Ai u shpreh se parlamenti duhet ta kishte çuar në kushtuese dhe do të duhej që të ishte kjo e fundit që të shprehej.

“Duhet që të theksojmë se mazhoranca dhe Partia Socialiste e kanë mbrojtur në mënyrë të padrejtë dhe ligjore mandatin e Xhaçkës, por parlamenti duhet ta kishte çuar në kushtuese dhe duhet të ishte kushtetuesja që duhej të shprehej për përputhshmërinë ose për mospërputhshmërinë të mandatit të Xhaçkës me Kushtetutën e Shqipërisë”, tha ai.

Pse çmimi i SHBA për Altin Dumanin është vlerësim për SPAK dhe një mesazh i fortë për zullumqarët në Tiranë

Nga Rigels Seliman

Në një kohë kur politika shqiptare përballet me një stuhi akuzash dhe përplasjeje nga të gjitha krahët, një lajm i fuqishëm ka tronditur status quo-në. Altin Dumani, drejtuesi i Strukturës së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK), është shpallur nga Sekretari Amerikan i Shtetit, Antony Blinken, si një ndër kampionët globalë të luftës kundër korrupsionit. Ky vlerësim nuk është thjesht një nder personal për Dumanin, por një mesazh i fuqishëm për të gjithë ata që janë zhytur në botën e zullumit në Shqipëri.

Goditja për sistematikët e korrupsionit

SPAK, nën drejtimin e Altin Dumanit, është shndërruar në një institucion që inspiron shpresë për qytetarët e lodhur nga korrupsioni i përhapur dhe krimi i organizuar. Në një deklaratë të tij, Antony Blinken theksoi se Dumani ka goditur jo vetëm politikanë të lartë, por edhe grupe kriminale të fuqishme, duke e përshkruar punën e tij si të jashtëzakonshme dhe të besueshme. Ky është një vlerësim që tregon se për herë të parë në Shqipëri, drejtësia nuk është më një luks, por një realitet i prekshëm.

Çmimi, mesazh për zullumqarët

Korrupsioni në Shqipëri nuk është thjesht një fenomen, por një sistem i rrënjosur në nivelet më të larta të pushtetit. Politikanë të korruptuar dhe bosë të krimit të organizuar kanë dominuar prej dekadash jetën publike dhe ekonominë e vendit. Vlerësimi për Dumanin është një mesazh i qartë nga SHBA, se, askush nuk është mbi ligjin. Zullumqarët në Tiranë, që janë mësuar të fshihen pas pushtetit dhe influencës, po përballen me një institucion që nuk ka frikë të shkojë deri në fund, duke goditur korrupsionin dhe krimin e organizuar.

Partneritet i fortë me SHBA

Ndërkohë reagimi i Ambasadës Amerikane në Tiranë ndaj këtij çmimi është një tjetër dëshmi e rëndësisë së këtij momenti. Përmes një deklarate, Ambasada përgëzoi Dumanin për vendosmërinë, guximin dhe integritetin e tij të palëkundur. “Puna juaj frymëzon të gjithë ata që besojnë në fuqinë e së vërtetës dhe llogaridhënies,” tha Ambasada, duke konfirmuar mbështetjen e saj të plotë për SPAK dhe përpjekjet e drejtësisë shqiptare.

Pse ky çmim është historik?

Altin Dumani nuk është një drejtues i zakonshëm. Ai përfaqëson një brez të ri drejtuesish që po i japin fund kulturës së pandëshkueshmërisë. SPAK, si një agjenci e re, ka pasur sfida të mëdha që nga themelimi, por nën drejtimin e tij, institucionet shqiptare të drejtësisë kanë filluar të funksionojnë si asnjëherë më parë. Ky çmim është dëshmi e një suksesi që shkon përtej individit – është një miratim ndërkombëtar dhe mbështetje e hapur për SPAK dhe Reformën në Drejtësi.

Thirrja për ndryshim

Zullumqarët në politikë dhe krim nuk mund të injorojnë këtë zhvillim. Lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar nuk është më thjesht një premtim i zbrazët, por një realitet që po transformon Shqipërinë. Qytetarët duhet të mbështesin përpjekjet e SPAK dhe të qëndrojnë vigjilentë ndaj çdo përpjekjeje të ndërmarrë nga të “paprekëshmit” për të sabotuar progresin. Çmimi për Altin Dumanin është një sinjal që ndryshimi është i mundur, por ai kërkon mbështetje nga të gjithë.

Dy fjalë për kreun e SPAK, Altin Dumani

Altin Dumani është simbol i një Shqipërie të re, një Shqipërie ku drejtësia nuk është më një ëndërr, por një realitet në ndërtim. Çmimi i dhënë nga Departamenti Amerikan i Shtetit (DASH) është një mirënjohje për përpjekjet e tij dhe një paralajmërim për të gjithë ata që janë mësuar të veprojnë jashtë ligjit. Ndërsa SPAK vazhdon betejën e tij, qytetarët shqiptarë duhet të jenë të vetëdijshëm se mbështetja ndaj drejtësisë është një detyrë kombëtare. Lufta sapo ka filluar, dhe Altin Dumani ka treguar se ajo mund të fitohet.

Plarent Ndreca i shmanget gjyqit në Gjykatën e Posaçme, shtyhet seanca

Deputeti i PS-së, Plarent Ndreca i shmanget gjyqit që po zhvillohet ndaj tij në Gjykatën e Posaçme.

Pas përfundimit të hetimeve, SPAK e ka dërguar dosjen në gjykatë, dhe pritet të zhvillohet dhe seanca paraprake, ku do të vendoset nëse çështja do të shkojë për gjykim, apo mund të rikthehet për plotësim me fakte e prova.

Ditën e sotme ka qenë dhe seanca paraprake për Plarent Ndrecën dhe të pandehurit e tij, të cilët akuzohen për tenderin e rikonstruksionin e 4 komisariateve.

Shkak i shtyrjes është bërë bë mungesa e dy avokatëve. Seanca e radhës më 26 dhjetor ora 13. Vetë deputeti i Ramës, Plarent Ndreca nuk ishte i pranishëm në seancë, por është përfaqësuar nga avokati i tij.