30.5 C
Tirana
E hënë, 23 Qershor, 2025

Serbia pas shpërthimit në Ibër-Lepenc? Ambasadori i SHBA-së: Ne ende s’kemi prova, por do të gjenden!

Ambasadori amerikan në Prishtinë, Jeffrey Hovenier, ka thënë se ende nuk ka prova se kush mund ta ketë kryer sulmin ndaj kanalit të ujit të Ibër-Lepencit në veri të Kosovës në fund të muajit të kaluar, por shtoi se “ne mendojmë se do të gjenden prova”.

 

Shpërthimi i 29 nëntorit në kanalin e ujit në Varragë të Zubin Potokut – prej nga furnizohen me ujë disa qytete dhe termoelektrana të vendit – u shkaktua nga rreth 20 kilogramë eksplozivë, sipas autoriteteve kosovare, të cilat e cilësuan atë si më të rëndin në infrastrukturën kritike të vendit që nga lufta e viteve 1998/99.

I pyetur në një intervistë në emisionin “Context” në ATV më 10 dhjetor se cfarë dihet deri tani rreth sulmit, Hovenier e përsëriti se është ende shumë herët të thuhet.

“Është ende shumë herët dhe siç e kam thënë javën e kaluar, që Shtetet e Bashkuara të jenë në gjendje të atribuojnë përgjegjësinë, duhet të kemi një varg mjaft të qartë provash. Ne mendojmë se do të gjenden prova, por ende nuk i kemi. Pra, hetimet po vazhdojnë; po kryhen nga autoritetet kosovare”, tha ai.

Hovenier – i cili po përfundon mandatin e tij në Kosovë në fund të dhjetorit dhe po pensionohet – tha se në mbrëmjen e sulmit dhe pas sulmit, Qeveria e Shteteve të Bashkuara iu ofroi autoriteteve kosovare mbështetjen e forcave amerikane të zbatimit të ligjit.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, bëri përgjegjëse Serbinë për, siç u shpreh, “sulmin terrorist” dhe tha se ajo është duke i kopjuar metodat që aplikon Rusia në luftën e saj në Ukrainë. Serbia i ka mohuar akuzat.

I pyetur rreth deklaratve të zyrtarëve të Kosovës se Serbia ka gisht në këtë sulm, Hovenier përsëriti qëndrimin e tij të mëparshëm se Qeveria amerikane “nuk është në gjendje të thotë se kush është përgjegjës”.

Ai tregoi se zyrtarët amerikanë po punojnë me homologët kosovarë në përpjekje për të kryer “hetime efektive”.

“Ne besojmë se ato duhet të jenë të besueshme, të shpejta, të drejta, transparente dhe sigurisht, është pikëpamja e qeverisë amerikane që tashmë e kemi shprehur shumë fuqishëm se përgjegjësit për këtë sulm duhet të japin llogari. Momentalisht, nuk jemi në gjendje të themi se kush është përgjegjës”, shtoi ai.

Kanali Ibër-Lepenc furnizon me ujë nga Liqeni i Ujmanit gjithë veriun e Kosovës, rajonet e Mitrovicës, Prishtinën me rrethinë, si dhe Korporatën Energjetike të Kosovës për ftohjen e termoelektranave të saj.

Derisa furnizimi i KEK-ut me ujë për ftohjen e termoelektranave të saj nuk u ndikua, shpërthimi shkaktoi reduktime të përkohshme të ujit në disa pjesë të vendit./REL

Siria me kryeministër të përkohshëm pas rënies nga pushteti të Presidentit Bashar al-Assad! Kush është Mohammed al-Bashir, do të udhëheqë vendin deri më 1 mars

Udhëheqësi i ri i përkohshëm i Sirisë njoftoi të martën se po merrte drejtimin e vendit si kryeministër i përkohshëm me mbështetjen e rebelëve që rrëzuan nga pushteti presidentin Bashar al-Assad tre ditë më parë.

 

Në një fjalim të shkurtër në televizionin shtetëror, Mohammed al-Bashir, një figurë pak e njohur në pjesën më të madhe të Sirisë, i cili më parë drejtonte një administratë në një zonë në veriperëndim të kontrolluar nga rebelët, tha se ai do të drejtojë autoritetin e përkohshëm deri më 1 mars.

“Sot mbajtëm një mbledhje të kabinetit që përfshinte një ekip nga qeveria e Shpëtimit që po punonte në Idlib dhe rrethinat e tij, dhe nga qeveria e regjimit të rrëzuar”, tha ai.

“Takimi kishte për temë transferimin e dosjeve dhe institucioneve në kujdesin e qeverisë”.

Pas tij ishin dy flamuj – flamuri jeshil, bardh e zi i valëvitur nga kundërshtarët e ish-presidentit Asad gjatë gjithë luftës civile, dhe një flamur i bardhë me mbishkrimin islamik me gërma të zeza, që është valëvitur zakonisht në Siri nga luftëtarët sunitë.

Në kryeqytetin sirian, bankat u rihapën për herë të parë që nga largimi nga pushteti i ish-presidentit Asad. Dyqanet gjithashtu po hapeshin përsëri, trafiku u rikthye nëpër rrugë, ku u rishfaqën punonjësit e pastrimit dhe ku qarkullonin më pak persona të armatosur.

Dy burime pranë rebelëve thanë se komanda e tyre i kishte urdhëruar luftëtarët të tërhiqeshin nga qytetet dhe që të vendoseshin atje policia dhe forcat e sigurisë së brendshme të lidhura me grupin kryesor rebel Hayat Tahrir al-Shams (HTS).

HTS është një ish degë e Al Kaedës që udhëhoqi revoltën kundër Asadit dhe së fundmi nuk i ka theksuar rrënjët e saj xhihadiste.

Sekretari amerikan i Shtetit Antony Blinken tha se Uashingtoni mbështet plotësisht procesin e tranzicionit politik të Sirisë dhe dëshiron që ai të mundësojë një qeverisje gjithëpërfshirëse dhe josektare.

Zëvendës-këshilltari amerikan i Sigurisë Kombëtare, Jon Finer, i tha agjencisë së lajmeve Reuters se Uashingtoni ishte ende duke punuar për mënyrën se si do të angazhohej me grupet rebele dhe shtoi se ende nuk kishte një ndryshim formal të politikës dhe se veprimet ishin ato që kishin rëndësi.

REAGIMI I KUJDESSHËM I SHTETEVE TË BASHKUARA

Zëdhënësi i Departamentit të Shtetit, Matthew Miller, nuk pranoi të thoshte nëse Uashingtoni do të ndryshonte përcaktimin e HTS-së si një organizatë e huaj terroriste, gjë që i pengon Shtetet e Bashkuara ta ndihmojnë atë.

“Kemi parë gjatë viteve një numër grupesh militante që kanë marrë pushtetin, të cilët kanë premtuar se do të respektojnë pakicat, që kanë premtuar se do të respektojnë lirinë fetare, kanë premtuar se do të qeverisin në një mënyrë gjithëpërfshirëse dhe pastaj shohim se nuk i përmbushin këto premtime”, tha ai.

Zoti Miller tha se Shtetet e Bashkuara i kishin kërkuar grupit HTS të ndihmonte për gjetjen dhe lirimin e gazetarit amerikan Austin Tice, i cili u rrëmbye në Siri në vitin 2012 dhe ka kaluar më shumë se një dekadë në robëri. Ai tha se kjo ishte një “përparësi” për Uashingtonin.

Pasi ish-presidenti Assad u largua të dielën, njerëzit nxituan për në Sednaya, një burg në veri të Damaskut, ku grupet e të drejtave të njeriut thanë se torturat dhe ekzekutimet masive ishin të zakonshme dhe liruan disa qindra të burgosur.

Ekipet që kërkonin për qelitë e fshehura në Sednaya gjetën gjithashtu dhjetëra kufoma dhe njerëzit që kërkonin të afërmit e zhdukur ekzaminuan trupat e shpërfytyruar të shtrirë në një morg spitalor të errësuar në kryeqytet.

Sekretari Blinken tha se procesi i tranzicionit duhet të parandalojë përdorimin e Sirisë si bazë për terrorizmin dhe të sigurojë që çdo rezervë e armëve kimike ose biologjike të shkatërrohet në mënyrë të sigurt.

Zoti Finer tha se forcat amerikane në Sirinë verilindore si pjesë e një misioni kundër terrorizmit, do të qëndrojnë atje dhe gjenerali më i lartë amerikan përgjegjës për Lindjen e Mesme i vizitoi këto njësi të martën, së bashku me forcat kurde siriane (SDF) të mbështetura nga Shtetet e Bashkuara.

SULMET AJRORE IZRAELITE

Sulmet ajrore izraelite kanë goditur bazat e ushtrisë siriane, forcat e së cilës u shpërbënë përballë avancimit të rebelëve.

Ushtria izraelite tha se kishte goditur shumicën e stoqeve të armëve strategjike të Sirisë në 48 orët e fundit dhe ministri i Mbrojtjes Israel Katz tha se synon të vendosë një “zonë sterile mbrojtjeje” në Sirinë jugore, që do të zbatohej pa një prani të përhershme trupash.

Izraeli, i cili ka dërguar forca përtej kufirit në një zonë të çmilitarizuar brenda Sirisë, pranoi të martën se trupat kishin zënë gjithashtu disa pozicione përtej një zone të ndërmjetme të krijuar pas luftës së Lindjes së Mesme të vitit 1973, megjithëse mohoi se ato po përparonin drejt Damaskut.

Operacionet e Izraelit, të dënuara nga Turqia, Egjipti, Katari dhe Arabia Saudite, krijojnë një problem shtesë sigurie për administratën e re, megjithëse Izraeli thotë se ndërhyrja është e përkohshme./VOA

Dy gjykatësit shqiptarë bojkotuan procesin/ Shtyhet seanca për Ligjin për gjuhët në Maqedoninë e Veriut

Gjykata Kushtetuese e Maqedonisë së Veriut ka vendosur të shtyjë seancën për vlerësimin e kushtetutshmërisë dhe ligjshmërisë së Ligjit për përdorimin e gjuhëve për një datë të pacaktuar.

 

Propozimi për shtyrjen e seancës u bë nga gjykatësja e Gjykatës Kushtetuese, Elizabeta Dukovska, e cila është përgjegjëse për këtë çështje. Kundër këtij vendimi ishte gjykatësja Dobrilla Kacarska, e cila e theksoi se gjykata duhet të jetë ajo që jep fjalën përfundimtare.

Ligji për gjuhët parasheh përdorim të zgjeruar të gjuhës shqipe dhe e përmend atë në mënyrë specifike në nenin 2.

Në hapjen e seancës të mërkurën, gjykatësi Fatmir Skënderi propozoi shtyrjen e seancës për dy javë, me qëllim që të sigurohej prania e dy gjykatësve shqiptarë dhe plotësimi i përbërjes së gjykatës. Propozimi u hodh poshtë me votim, dhe pas kësaj gjykatësi Skënderi lëshoi seancën.

Seanca e së mërkurës filloi me mungesën e dy gjykatësve s/RE Osman Kadriu dhe Naser Ajdari, që bojkotuan procesin.

Nëpërmjet bojkotit, Kadriu dhe Ajdari synojnë të bllokojnë nisjen e procedurës për këtë ligj. Kjo lidhet me një konkluzion të miratuar nga Gjykata Kushtetuese gjatë viteve 2022 dhe 2023, që kërkon pjesëmarrjen unanime të të gjithë anëtarëve për procedurat që kanë të bëjnë me Ligjin për gjuhët, Marrëveshjen e Prespës dhe Ligjin për komunikime elektronike.

Bojkotin nga ana e gjyqtarëve shqiptarë e kishte përmendur më herët, Izet Mexhiti, zëvendëskryeministër i parë i Maqedonisë së Veriut që vjen nga radhët e VLEN-it. Me këtë, sipas tij, “vendimi nuk mund të kishte legjitimitet”.

“Është prononcuar edhe kryetari që duhet të marrin pjesë të gjithë gjykatësit dhe nëse dikush mungon, atëherë nuk ka legjitimitet vendimi”, kishte thënë Mexhiti më 6 dhjetor duke siguruar se “ligji nuk do të preket”

Ndërkohë, lideri i BDI-së, Ali Ahmeti, që udhëheq me Frontin Evropian, deklaroi para njerëzve të mbledhur se data e 11 dhjetorit 2024 i rikujton periudhën e vitit 1989, kur, sipas tij, “Millosheviqi suprimoi autonominë e Kosovës”.

“Të punojmë së bashku. Ne kurrë nuk e kemi kontestuar gjuhën apo kulturën e tyre. Gjithmonë kemi qenë përkrah tyre, duke kërkuar mënyra për të mbrojtur së bashku vlerat tona dhe ato të bashkëqytetarëve tanë maqedonas. Në fund të fundit, jetojmë nën të njëjtin qiell dhe na ngroh i njëjti diell. Ne dëshirojmë që vendi ynë të jetë në paqe dhe i integruar në Bashkimin Evropian”, tha Ahmeti, duke shtuar se paqja nuk duhet të cenohet, dhe vendimet e Kushtetueses nuk duhet të merren në mënyrë të njëanshme.

BDI-ja edhe më herët ka shprehur shqetësim se nëse neni 23, paragrafi 5 i Ligjit për gjuhët abrogohet, atëherë ai mund të bëhet i pazbatueshëm.

Para Gjykatës Kushtetueses në Shkup të pranishëm janë edhe liderë të tjerë të Frontit Evropian në opozitë, si Zijadin Sela, lider i njërit fraksion të Aleancës për Shqiptarë, si dhe një numër i madh qytetarësh dhe simpatizantësh partiakë./REL./

“Rama është në konflikt interesi me SPAK-un”, Basha: Shqipëria është vend i varfër për shkak të qeverisë së korruptuar

Kryetari i Partisë Demokratike-Demokratët Euroatlantikë, Lulzim Basha, shprehet se qeveria e Edi Ramës është pengesa kryesore për zhvillimin e vendit dhe forcimin e drejtësisë.

Sipas Bashës, kryeministri Rama është në konflikt interesi me SPAK-un, duke u përpjekur ta trysnojë dhe pengojë përmes mekanizmave institucionalë. Ai theksoi se amendamentet për mbështetjen e SPAK-ut, të propozuara prej tij në Kuvend, mbahen të bllokuara nga qeveria për shkak të frikës nga një drejtësi e pavarur.

Basha thotë se fundi i pandëshkueshmërisë kërkon një qeveri anti-korrupsion që mbështet institucionet e drejtësisë dhe ndëshkon abuzuesit e pasurisë publike.

Postimi i plotë i Bashës:

Shqipëria është vend i varfër, sepse ka qeverinë më të korruptuar në Europë.
Lista e gjatë e bashkëpunëtorëve të Edi Ramës në dyert e drejtësisë, e ka vendosur atë në konflikt interesi me SPAK-un, prandaj përpiqet ta anatemojë, trysnojë dhe rrethojë institucionlisht, përmes komisionit të posaçëm.

Prej prillit kam depozituar në Kuvend amendamente që sigurojnë mbështetjen e nevojshme për SPAK-un, por ato mbahen të kyçura në sirtaret e Kuvendit nga Edi Rama, sepse ai ka frikë nga një drejtësi e fortë dhe e pavarur. Për këtë arsye, ai është një kërcënim për investimin më të madh të shqiptarëve dhe partnerëve ndërkombëtarë në rrugën e vendit tonë drejt BE-së.

Fundi i pandëshkueshmërisë kërkon një qeveri anti-korrupsion, që respekton punën e SPAK-ut dhe të GJKKO-së dhe krijon kushtet e domosdoshme për fuqizimin e tyre, në mënyrë që të gjithë ata që kanë abuzuar me djersën e shqiptarëve të mbahen përgjegjës para ligjit.

Shqipëria meriton më shumë!

 

Akuzohet për shpërdorim detyre, SPAK mbyll hetimet për kryebashkiakun e Tropojës dhe ish-vartësin e tij

SPAK ka mbyllur hetimet për kryebashkiakun e Tropojës Rexh Biberi dhe Abedin Kërnaja.

Biberit pritet t’i komunikohet akuza e shpërdorimit të detyrës e kryer në bashkëpunim.

Në datën 13 dhjetor kryebashkiaku do njihet me akuzën dhe me mbylljen e hetimeve.

Dosja hetimore përmend si shkelje të kryebashkiakut dhe ish nën-kryetarit të bashkisë dhënien e një lejeje ndërtimi në komunën Margegaj.

Ai dyshohet se e kreu shpërdorimin e detyrës gjatë kohës kur mbante detyrën e kryetarit të komunës.

Konfiskohen pasuri me vlerë rreth 1 milion euro të Redjan Rrajës, mes tyre edhe Audi luksoz i Kejvina Kthellës

Njoftimi i policisë: 

Finalizohet nga Seksioni për Hetimin e Pastrimit të Parave dhe Aseteve Kriminale në bashkëpunim me Agjencinë e Administrimit të Aseteve të Sekuestruara dhe Konfiskuara, operacioni “RESEMBLANCE”.

Në kuadër të këtij operacioni u bë ekzekutimi i vendimit të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar nr. 05, datë 07.02.2024, lënë në fuqi me vendimin nr. 211, datë 23.10.2024 të Gjykatës së Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar.

Në zbatim të këtij vendimi u bë konfiskimi i pasurive të luajtshme dhe të paluajtshme:

1. Një njësi me sipërfaqe 30 m², në emër të shtetasit R. Rr.;
2. Një njësi me sipërfaqe 76 m², në emër të shtetasit R. Rr.;
3. Një njësi me sipërfaqe 127.5 m², në emër të shtetases M. Ç.;
4. Një njësi me sipërfaqe 18.09 m², në emër të shtetases M. Ç.;
5. Një njësi me sipërfaqe 18.09 m², në emër të shtetases M. Ç.;
6. Një automjet në pronësi të shtetasit R. Rr.;
7. Një automjet në pronësi të shtetases K. K.;
8. Një orë dore (Rolex).

Pasuritë e mësipërme, të cilat kanë një vlerë tregu rreth 1 milion euro, u konfiskuan me qëllim kalimin në favor të shtetit dhe ju dorëzuan Agjencisë së Administrimit të Aseteve të Sekuestruara dhe Konfiskuara.

Materialet i kaluan për ndjekje të mëtejshme Prokurorisë së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar.

Anketa/ 36% e të rinjve shqiptarë duan të emigrojnë, 11% e tyre ikin nga vendi për 6 muaj! Faktorët kryesorë që i shtyjnë të largohen

Një sondazh me 680 të rinj të moshës 14 -29 vjeç në Shqipëri gjatë periudhës shkurt- mars 2024, i cili u udhëhoq nga “Friedrich-Ebert-Stiftung” evidentoi se, të rinjtë shqiptarë janë ende të pushtuar nga një “nxitim emigrimi”, duke e konsideruar atë si opsionin e vetëm kur bëhet fjalë për hyrjen tregun global të punës. Emigrimi shihet si një mundësi për të rinjtë.

Rezultatet e anketës treguan se më shumë se 40% e të rinjve që nuk kanë qenë ende jashtë vendit duan të largohen në të ardhmen, veçanërisht gratë e reja.

Më shumë se një e treta e të rinjve (36%) ushqejnë një dëshirë të fortë për të lënë vendin. Midis tyre, 11% do të largohen brenda 6 muajve të ardhshëm.

Faktori kryesor që shtyjnë të rinjtë të largohen janë standardet më të larta të jetesës dhe kushte më të mira për punë.

Më shumë se 28% e atyre që duan të largohen nuk mendojnë të rikthehen sërish në Shqipëri.

Studimi theksoi se arsimi konsiderohet si një nga çështjet më të rëndësishme për rininë shqiptare. Në kushtet e një ekonomie tregu globale ku mbizotërojnë aftësitë e shumëfishta dhe tregu fleksibël i punës po bëhet realitet, arsimi po kthehet në një mjet shumë të vlefshëm.

Ai po merr një rëndësi të madhe, veçanërisht në ditët e sotme, kur të rinjtë po përballen me sfidat e Revolucionit të Katërt Industrial ose të së ashtuquajturës Ekonomia 4.0, e drejtuar nga novacioni i teknologjisë së informacionit dhe ndikimi i paparashikueshëm i Inteligjencës Artificiale në shumë profesione.

Shumica e të rinjve shqiptarë ende vazhdojnë të shohin arsimimin jashtë vendit si mundësinë më të mirë, dhe kjo kërkon hapa të shpejtë për masa konkrete në lidhje me cilësinë e arsimit brenda vendit.

Studimi më vë në dukje se shoqëria shqiptare është polarizuar dukshëm nga pikëpamja e pasurisë për shkak të një periudhe të ashpër tranzicioni, me një kapitalizëm kaotik pa rregulla të qarta dhe pa konkurrencë tregu.

Në këtë mënyrë, statusi social i të rinjve duket se vendoset kryesisht në bazë të fuqisë së parave dhe jo të punës e kontributit të vërtetë vetjak për të mirën e përbashkët.

Të dhënat nxjerrin në pah faktin se të rinjtë përballen me fenomene të dhunës dhe të kriminalitetit, që shpesh ndikojnë ndjeshëm në cilësinë e jetës së tyre dhe në besimin që kanë tek institucionet, veçanërisht ato të drejtësisë.

Pavarësisht se ata besojnë te forca e tyre si një instrument ndryshimi brenda shoqërisë, kjo mbetet më shumë një vetë-ndërgjegjësim sesa një bindje e shfaqur përmes veprimeve./Monitor

Shqipëria drejt diktaturës, nuk ka kryeministër në botë që s’respekton vendimin e Gjykatës Kushtetuese!

Avokati Spartak Ngjela i ka dhënë një goditje të fortë mazhorancës, lidhur me konfliktin që ka nisur me Kushtetuesen për mandatin e Olta Xhaçkës.

Teksa ka komentuar opinionin e Venecias, avokati Ngjela, ka deklaruar se pyetjet e dërguara te Komisioni kanë qenë evazive.

Sipas tij, si rregull nuk mund të ketë një deputet, një kryeministër në një vend demokratik që nuk respekton vendimin e Gjykatës Kushtetuese, pavarësisht se ajo nuk ka forcë ekzekutimi. Ai tha se fakti që nuk e respekton një vendim të tillë, do të thotë që është jashtë karakterit demokratik si kryeministër, ministër apo deputet.

Si rregull duhet të vlejë opinioni i Venecias. Po se çfarë do bëjë GJK, duhet ta presim. Ato shtete demokratike, me Parlament demokratik, nuk kanë nevojë që të shkojnë vendimi i Strasburgut ose gjykatave të tjera ndërkombëtare deri në Gjykatën Kushtetuese, sepse e respektojnë menjëherë. Se ka vetëdije shtetërore. Pse kalojnë kështu këtu? Këta nuk kanë vetëdije shtetërore, kanë vetëdije personale: ‘Jam unë e s’ka tjetër’. E dinë veten mbret absolut. Po shqiptarët do i votojnë? Nuk e di! Do jetë opozita t’i tregojë opinionit publik si veprojnë këta me forcën e shtetit”, tha avokati.

Sipas tij, deri tani pyetjet kanë qenë evazive dhe herë-herë me dy kuptime. Kanë ardhur si pasojë e paaftësisë apo si pasojë e një dredhie politike pritet për t’u parë, shtoi avokati.

Një  analist i paanshëm thotë që Shqipëria po shkon drejt diktaturës. Gjykata Kushtetuese ka dalë si institucion jo vetëm për të mbrojtur Kushtetutën, por demokracinë, kur është formuar në Perëndim.

Mosrespektimi i Gjykatës Kushtetuese, i cili është i arsyetuar, duhet të rrëzohet me një arsyetim. Rrëzimi i Gjykatës Kushtetuese që është i arsyetuar juridikisht duhet ta çosh në një gjykatë ndërkombëtare.

Ti vetë nuk e ke aftësinë për të thonë jo, por ke detyrimin për të thënë po. Detyrimi për të thonë ‘po’ nuk është ligjor, por sipas vullnetit tënd. Nëse ti nuk ke vullnet demokratik, nuk e pranon”, tha avokati në “MCN”, duke shtuar se kjo tregon që demokracia në Shqipëri është e çalë.

Shtyrja e zgjedhjeve presidenciale: A do të arrijë Rumania të shmangë kaosin si pasojë e ndërhyrjes së Rusisë?

 Nga Craig Turp-Balazs

Kataklizma nuk ndodhi. Rumania nuk zgjodhi fundjavës që shkoi një president pro-rus.

Ndërsa diaspora kishte votuar tashmë për raundin e dytë të zgjedhjeve presidenciale, Gjykata Kushtetuese e Rumanisë ndërmori më 6 dhjetor hapin e paprecedentë të anulimit të rezultatit të raundit të parë të zgjedhjeve, duke përmendur si shkak përdorimin e paligjshëm të teknologjive dixhitale, përfshirë Inteligjencën Artificiale, si dhe burimet e padeklaruara financiare të fushatës.

Raundi i dytë u anulua menjëherë, dhe tani do të përsëritet i gjithë procesi i zgjedhjeve presidenciale, me shumë gjasa në mars të vitit që vjen. Deri atëherë, presidenti aktual Klaus Iohannis do të vazhdojë të qëndrojë në detyrë. Në qendër të ngjarjeve është Călin Georgescu, që kandidon si i pavarur me mbështetjen e 3 partive ekstremiste, të cilat në raundin e parë fituan 22 për qind të votave.

Georgescu është akuzuar se ka pikëpamje pro-ruse dhe fashiste. Ai duhej të përballej më 8 dhjetor në balotazh me kandidaten progresiste dhe pro-evropiane Elena Lasconi, udhëheqëse e Bashkimit Shpëtoni Rumaninë (USR). Lasconi mori 19 për qind në raundin e parë, vetëm disa mijëra vota përpara kryeministrit të vendit, Marcel Ciolacu, kandidati që cilësohej më favoriti para votimit.

Georgescu tha se do ta apelojë vendimin në Gjykatën e Lartë të Kasacionit dhe të Drejtësisë. Ai tha se ishte “absurde” që 9 gjyqtarë të kushtetueses rrëzuan votat e miliona rumunëve. “Ky është në thelb një grusht shteti!”- theksoi ai. Edhe Lasconi, që sondazhi i fundit e nxirrte me një epërsi të ngushtë ndaj rivalit, u shpreh kundër anulimit të procesit zgjedhor.

Ajo e cilësoi vendimin e Gjykatës Kushtetuese si “të paligjshëm” dhe “imoral”, duke shtuar se “shteti rumun e ka shkelur demokracinë”. “Duam apo nuk duam, nga pikëpamja ligjore dhe legjitime, 9 milionë qytetarë rumunë, si në vend ashtu edhe në diasporë, kanë shprehur preferencën e tyre për një kandidat të caktuar. Ne s’mund ta shpërfillim vullnetin e tyre”- tha Lasconi.

Megjithatë, provat se fusha e lojës anonte në favor të Georgescu duken shumë të mëdha. Të mërkurën, Iohannis deklasifikoi dokumentet e shërbimeve sekrete nga Këshilli i Lartë për Mbrojtjen Kombëtare (CSAT), duke treguar se thuajse 800 llogari të TikTok që ishin hapur nga një “shtet i huaj” në vitin 2016, u aktivizuan papritur muajin e kaluar, që të gjitha në mbështetje të Georgescut.

25.000 llogari të tjera në TikTok, të përdorura për të përforcuar fushatën e Georgescut, ishin bërë aktive vetëm 2 javë përpara raundit të parë të zgjedhjeve. Inteligjenca e jashtme rumune, tha se Rusia ishte “shteti armik” i përfshirë në disa sulme hibride, duke përfshirë dhjetëra mijëra sulme kibernetike dhe sabotime të tjera të “infrastrukturës zgjedhore”.

Është e paqartë se çfarë do të ndodhë më pas. Iohannis, që nuk mund të kandidojë për një mandat të tretë, ka deklaruar se do të qëndrojë në detyrë derisa të zgjidhet presidenti i ri. Së pari, parlamenti i ri i Rumanisë (i dalë nga zgjedhjet parlamentare të 1 dhjetorit) duhet të betohet dhe të formohet një qeveri e re.

Një koalicion pro-BE i përbërë nga USR e Lasconit, Social Demokratët (PSD) e Ciolacut, Liberalët (PNL) dhe Unioni i Hungarezëve në Rumani (UDMR), kishin rënë dakord në parim që të formonin një qeveri të unitetit kombëtar për të kundërshtuar një presidencë të mundshme të Georgescut.

Por USR u shpreh të premten, se nuk do të jetë pjesë e asnjë qeverie që përfshin PSD-në, të cilën e akuzon se qëndron prapa vendimit të Gjykatës Kushtetues për të anuluar zgjedhjet presidenciale. Por edhe pse gjykata dominohet nga gjyqtarë me lidhje me PSD-në, të paktën 3 prej tyre nuk kanë lidhje me të, dhe vendimi i saj për të anuluar zgjedhjet ishte unanim.

PSD, PNL dhe UDMR, së bashku me disa deputetë që përfaqësojnë pakicat e ndryshme etnike  në Rumani, mund të kenë numrat për të qeverisur pa USR, të paktën në Dhomën e Deputetëve, dhomën e ulët të parlamentit. Ndërsa është më pak e qartë nëse mund të arrijnë shumicë në Senat.

Po ashtu, nuk është e sigurt nëse PNL do të dëshirojë të vazhdojë të qeverisë me PSD. Tre partitë ekstremiste që mbështetën Georgescun, Aleanca për Bashkimin e Rumunëve (AUR), SOS Rumania dhe Partia e të Rinjve (POT), kanë rreth 30 për qind të vendeve në parlament.

Nuk dihet nëse Georgescu do të lejohet ose jo të kandidojë në zgjedhjet e reja, data e të cilave do të caktohet nga parlamenti i ri. Ka pasur zëra se ai mund edhe të arrestohet dhe të akuzohet për tradhti kombëtare. E sigurt është se kryeministri Ciolacu do të kandidojë sërish, këtë herë duke shpresuar të shmangë poshtërimin e rënies në vendin e tretë, hera e parë që kur Rumania rivendosi demokracinë në vitin 1990, që një kandidat i PSD-së nuk arrin dot në balotazh.

Lasconi ka të ngjarë të jetë sërish kandidate e USR-së, por ish-kryeministri Nicolae Ciucă, kandidatura katastrofike e të cilit në emër të PNL përfundoi në vendin e pestë me vetëm 8.7 për qind të votave, mund të zëvendësohet nga Ilie Bolojan, kryetar i bashkisë së Oradeas në Rumaninë Perëndimore, aktualisht udhëheqës de facto i partisë.

George Simion, kreu i AUR, është një tjetër kandidat i sigurt në zgjedhjet që do përsëriten, nëse Georgescu nuk do të lejohet të garojë. Ai do të jetë kandidati kryesor “sovranist”. Themeluesja e partisë SOS Rumania, Diana Șoșoacă, u ndalua të kandidonte nga Gjykata Kushtetuese për qëndrimet e saj pro-ruse, për të cilat u tha se kërcënojnë sigurinë kombëtare të Rumanisë.

Mircea Geoană, ish-zëvendës-sekretari i përgjithshëm i NATO-s, nuk ka gjasa të garojë sërish pasi në raundin e parë u rendit i gjashti. Xholi në këtë grup mund të jetë kryebashkiaku popullor i Bukureshtit Nicușor Dan, i cili tashmë është shpallur si një kandidat i unitetit dhe pro-BE.

Dan, themeluesi i USR-së përpara se të largohej nga partia pas disa mosmarrëveshjeve, mund të mbështetet si nga USR ashtu edhe nga PNL (siç ndodhi kur fitoi zgjedhjet lokale të Bukureshtit në vitin 2020), por është shumë e dyshimtë nëse do të kishte përkrahjen e PSD-së./ Përshtatur nga “Emerging Europe”

VIDEO/ Shënojnë “tre tenorët”, Reali mund Atalantën mes drithërimash dhe del nga kriza në Champions

Real Madrid ka marrë tre pikë shumë të rëndësishme në Ligën e Kampioenve duke fituar në transfertë përballë Atalantës me shifrat 3-2.

Skuadra e Ançelotit ka vuajtur përballë italianëve ku Gjimshiti ishte titullar, por gjeti golin me Mbape në pjesën e parë pas një gabimi në prapavijë të bergamaskëve. Mbape më pas u largua i dëmtuar nga fusha, ndërsa De Keteleare me penallti, barazoi shifrat para fundit të pjesës së parë.

Në të dytën, disa minuta të vrullshëm ndihmuan Realin, pasi Vinicius e Bellingam shënuan në portën e italianëve, të cilët u hodhën me forca në sulm dhe shkurtuan diferencën me Lukman, Rastet nuk u mungua edhe për golin e tretë, por Retegui u tregua i pasaktë para portës, duke bërë që ndeshja të mbyllej me fitoren e Realit.

ATALANTA-REAL MADRID 2-3
45’+2′ (p) De Ketelare, 65′ Lukman / 10′ Mbape, 56′ VInicius, 59′ Bellingam

Retegui gabon para portës (VIDEO)

Kurtua pret gjuajtjen e Retegui (VIDEO)

Karneseki grushton gjuajtjen e Vinicius (VIDEO)

Goli i Lukman (VIDEO)

Goli i Bellingam (VIDEO)

Goli i Vinicius (VIDEO)

Kurtua pret gjuajtjen e Lukman (VIDEO)

Penalltia e De Ketelare (VIDEO)

Rudiger nuk arrin të shënojë para portës bosh (VIDEO)

Mbape lë fushën i dëmtuar (VIDEO)

De Ketelare shpërdoron para Kurtua (VIDEO)

Karneseki grushton gjuajtjen e Mbape (VIDEO)

Goli i Mbape (VIDEO)

FORMACIONET ZYRTARE

ATALANTA: Karneseki, Gjimshiti, Hien, Kolashinac. Belanova, De Ron, Ederson, Ruxheri, Pashaliç, De Ketelare, Lukman.
Trajner: Xhampiero Gasperini

REAL MADRID: Kurtua, Lukas Vaskez, Çuameni, Rudiger, Fran Garcia: Sebajos, Valverde; Brahim Diaz, Bellingam, Vinicius.; Mbape.
Trajner: Karlo Ançeloti