25.5 C
Tirana
E hënë, 23 Qershor, 2025

‘Le Monde’ klasifikon Ramën në atlasin vjetor të gjeopolitikës në botë si autoritar dhe Shqipërinë vend me korrupsion endemik!

Prestigjozja franceze, ‘Le Monde’ në altasin vjetor të saj, ku klasifikon demokracitë dhe autokracitë në botë, e ka renditur Shqipërinë dhe Edi Ramën në vendet autoritare në botë.

Autori i shkrimit është JEAN-BAPTISTE CHASTAND një nga gazetarët më të mirë të Ballkanit.

Edhe një media tjetër me prestigj ndërkombëtar në botën perëndimore i shtohet listës së demontimit të fasadës së pushtetit të Edi Ramës.

Ndër të tjera në artikull shkruhet:

Kryeministri Edi Rama u shfaq në vitin 2023 si mjeshtër në artin e tij për t’u paraqitur si një shtyllë moderimi dhe stabiliteti në një skenë ballkanike të trazuar, ndërkohë që ishte i paaftë për të zbutur polarizimet e thella në skenën politike shqiptare, pjesërisht për shkak të prirjeve të tij autokratike.

Z. Rama nuk është shkëputur plotësisht nga metodat e tij autoritare të qeverisjes, nuk ka përmirësuar lirinë e shtypit dhe ende duhet të dëshmojë vullnetin e tij të vërtetë për të luftuar kundër një korrupsioni endemik.

‘Le Monde’ klasifikon Ramën në atlasin vjetor të

Ambasadorja amerikane paralajmëron sërish zgjerimin e listës së zezë në Maqedoninë e Veriut

Ambasadorja amerikane në Shkup, Angela Aggeler, ka paralajmëruar për herë të dytë brenda javësh se Uashingtoni po shqyrton mundësi të reja për të vendosur sanksione ndaj personave të tjerë të dyshuar për krim dhe korrupsion në Maqedoninë e Veriut.

 

Aggeler e bëri këtë paralajmërim të martën, një ditë pasi Departamenti amerikan i Shtetit (DASH) njoftoi se ka vendosur ish-zëvendëskryeministrin e Maqedonisë së Veriut, Artan Grubi, dhe gjykatësin e Gjykatës së Apelit, Enver Bexheti, në listën e zezë të Shteteve të Bashkuara.

“Ka një sërë sanksionesh në dispozicion nga Qeveria amerikane, siç e dini. Ka sanksione të Thesarit. Ka sanksione të zgjeruara të mundshme për anëtarët e tjerë të familjes së atyre që janë emëruar. Pra, në këtë pikë, të gjitha ato shqyrtime janë ende në proces”, tha Aggeler gjatë një konference për shtyp në Shkup.

Ajo nuk përmendi emra ose afate kohore, por shtoi se SHBA-ja do të vazhdojë t’i mbajë përgjegjës “aktorët e korruptuar”.

“[Futja në listën e zezë] e individëve që janë përfshirë në korrupsion kriminal, është një proces që vazhdon. Ka një listë shumë dinamike, në kuptimin që ajo vazhdimisht shtohet, dhe provat shqyrtohen shumë me kujdes në Uashington”, theksoi Aggeler.

Grubi, i cili ishte zëvendëskryeministër i Maqedonisë së Veriut nga radhët e Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI) gjatë mandatit të kaluar 2020-2024, dhe gjykatësi Bexheti, sipas DASH-it, “janë përfshirë në korrupsion të madh duke pranuar ryshfet për t’i minuar proceset gjyqësore të lidhura me dënimin penal të Sasho Mijalkovit, ish-drejtorit të shërbimit sekret”.

Aggeler, në përgjigje të pyetjeve nga gazetarët, nuk dha hollësi specifike për rolin e Grubit në këtë çështjen e Mijalkovit, por theksoi se provat shqyrtohen me kujdes të veçantë para se të publikohen.

“Dhe vetëm pasi ka prova të qarta dhe të dukshme për shkelje, individët sanksinohen”, shtoi ajo.

Në listën e zezë janë përfshirë edhe anëtarët e ngushtë të familjes së Grubit.

Në një reagim në Facebook të hënën vonë, Grubi tha se u njoftua për vendimin e DASH-it nga mediat dhe e mohoi të ketë qenë i përfshirë në korrupsion.

BDI-ja tha të martën, përmes një komunikate të shkurtër, se e respekton vendimin e DASH-it për anëtarin e saj. Ajo tha “mbetet e përkushtuar ndaj bashkëpunimit strategjik me SHBA-në”.

Nga ana tjetër, zëvendëskryeministri i parë i Maqedonisë së Veriut, Izet Mexhiti, i cili është pjesë e koalicionit shqiptar VLEN në Qeveri, vlerësoi se vendimi i DASH-it për vendosjen e Artan Grubit në listën e zezë është “konfirmim për angazhimet e drejta të koalicionit”.

Mexhiti i bëri thirrje anëtarësisë së BDI-së që ta braktisin, siç e quajti ai, “anijen që po fundoset”.

Ndërkohë, partia maqedonase VMRO-DPMNE, e kryeministrit Hristijan Mickoski, e quajti sanksionimin e Grubit dhe Bexhetit “një turp të madh për shtetin”.

Lidhur me gjykatësin Enver Bexheti, VMRO-ja tha se ai mbante në sirtarë rastin e Sasho Mijalkovit, i cili, sipas saj, dëshmon për “partizimin” e gjyqësorit.

“Gjykatësit e mbështetur nga Artan Grubi dhe BDI-ja, dalëngadalë po përfundojnë në listën e zezë të SHBA-ve, së bashku me anëtarë të BDI-së”, thuhet në komunikatën e VMRO-së.

Mijalkovi është gjithashtu në listën e zezë të SHBA-së që nga viti 2022.

Ai u dënua në korrik të vitit 2022 me tri vjet burg në rastin e njohur si “Perandoria”, për akuzat për bashkim kriminal, përvetësim dhe fshehje të paligjshme të pasurisë, apo larje të parave, përkatësisht të mbi 8 milionë eurove, përmes kompanive “offshore” (kompani jashtë vendit). Përveç në rastin “Perandoria”, Mijallkov u dënua edhe për më shumë vepra tjera të rënda penale.

Gjykata Penale e Shkupit më 26 shkurt 2021 e dënoi me 12 vjet burgim për veprën penale “bashkim kriminal”, “përgjime të paligjshme” dhe “shkatërrim të pajisjeve për përgjim”.

Ai u dënua me tri vjet burg për përvetësim të paligjshëm të parcelave në malin turistik “Vodno” në Shkup, ndërsa më 8 mars 2019 me dy vjet për keqpërdorime zgjedhore.

Rasti i Sasho Mijalkovit ka bërë që gjyqësori në Maqedoninë e Veriut të jetë në shënjestër të kritikave nga Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara.

Vendimi i DASH-it për Grubin dhe Bexhetin erdhi rreth një muaj pasi ambasadorja amerikane në Shkup, Angela Ageler, paralajmëroi më 21 nëntor për zgjerimin e listës së zezë edhe me persona të tjetër të dyshuar për krim dhe korrupsion në Maqedoninë e Veriut.

Në listën e zezë amerikane janë edhe ish-kryeministri maqedonas Nikolla Gruevski, ish-zëvendëskryeministri Koço Angjushev, kryetari i Komunës së Strugës Ramiz Merko, biznesmeni Orce Kamçev, kryetari i Partisë Demokratike Shqiptare Menduh Thaçi, ish-deputeti Xhevat Ademi, ish-ministri i Punëve të Brendshme Lube Boshkovski dhe të tjerë./REL./

Opinioni turk “shigjetoi” Rei Manajn, dy reagime nga futbollisti turk që u dëmtua

Ndeshja e këtij 8 dhjetori do të mbahet mend gjatë nga Rei Manaj. Sulmuesi i Kombëtares shqiptare u vendos në qendër të kritikave nga opinioni turk, pas një faulli të shkaktuar ndaj lojtarit të Gallatasarajit, Baris Alper Jillmaz.

 

Ky i fundit mbeti i dëmtuar në minutat e fundit të ndeshjes, që ekipi i tij fitoi 2 me 3 përballë Sivasporit. Dy reagime kanë qarkulluar deri tani nga Jillmaz, që mbeti i dëmtuar.

“Nuk e kuptova se çfarë ndodhi kur mora goditjen. U tremba shumë kur pashë gjurin tim. U përpoqa ta drejtoja. Nuk dija të duroja dhimbjen e këmbës apo të gjurit”, raportohet nga “Fanatik” të ketë thënë lojtari i Gallatasarajit.

Në rrjetet sociale Jillmaz ka ndarë një foto duke festuar me skuadrën një prej golave. “E mira gjithmonë triumfon në fund”, shkruan krahas fotos së postuar.

Mbikëqyrja e elektronike në Kosovë/ Albin Kurti: Do të luftojë dhunën në familje si asnjëherë më parë

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha sot funksionalizimi i monitorimit elektronik, do të luftojë dhunën në familje si asnjëherë më parë.

 

Kurti i bëri këto deklarata pas një takimi të organizuar nga Policia e Kosovës, e cila ka demonstruar se si do të funksionojnë hallkat për monitorim elektronik të kryesve të dhunës, apo të dyshuarve.

Shumica e viktimave të dhunës në familje janë gra. Ligji për mbikëqyrjen elektronike ka hyrë në fuqi në qershorin e vitit 2015, mirëpo nuk është jetësuar asnjëherë.

Mbikëqyrja elektronike, që do të hyjë në fuqi menjëherë, do të vlejë për secilin individ, kanë thënë autoritetet, sapo të ketë vendim të gjykatës për urdhër mbrojtjeje.

“Ka qenë kërkesë e kamotshme që policia jonë, për të pasur parandalim më efikas, hetime më të mira dhe trajtime më gjithëpërfshirëse, të kalojë edhe në këtë fazë të hallkave për monitorim elektronik”.

Hallka do të vendoset në këmbën ose dorën e dhunuesit, ose të personit të dyshuar, ndërsa viktimat dhe autoritetet do t’i kenë gjurmuesit. Nëse viktimës i afrohet i dyshuari në zonën që ia ndalon gjykata, sinjali u shkon me automatizëm nivelit lokal dhe qendror të policisë, dhe nisin procedurat standarde për ndërhyrje.

“Problemet më të mëdha i kemi për shkak se nuk respektohen urdhrat mbrojtës. Defekti nuk është thjesht te mungesa e hallkave për monitorim elektronik, por te mosrespektimi i urdhrave mbrojtës. Meqenëse ka të tillë që do të vazhdojnë me mosrespektim të urdhrave mbrojtës, ne kemi bërë një hap gjigant për mbikëqyrje të të gjithë këtyre personave”, ka thënë Kurti.

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka thënë se dhuna në familje nuk është çështje private, është përgjegjësi e institucioneve, andaj pret veprime serioze nga prokuroria dhe gjykatat.

Sipas Haxhiut, dënimet e buta vetëm mund t’i inkurajojnë dhunuesit. Ministri i Brendshëm, Xhelal Sveçla, ka thënë se hallkat për mbikëqyrje do të përdoren edhe për parandalim të veprave tjera penale, mirëpo parësor do të jetë parandalimi i përsëritjes së dhunës ndaj grave.

Shefi i Policisë, Gazmend Hoxha, ka thënë se policia e ka pasur obligim zbatimin e ligjit ekzistues dhe një gjë e tillë është mundësuar pasi Qeveria ka ndarë buxhet të veçantë, pa përmendur shifrën.

Nga viti 2010, në Kosovë janë vrarë 58 gra. Organizatat për mbrojtjen e të drejtave të njeriut, në disa raste, kanë fajësuar autoritetet për dështim në mbrojtjen e grave të rrezikuara nga dhuna.

Në të shumtën e rasteve, autorë të vrasjeve kanë qenë bashkëshortët, pastaj baballarët dhe djemtë./REL/

Ambasadori amerikan në Prishtinë: Ka aktorë të huaj që duan të minojnë demokracinë e Kosovës! Po shfrytëzojnë përçarjet etnike

Ambasadori i SHBA-së në Kosovë, Jeffrey Hovenier, tha se në Kosovë ka “aktorë të huaj keqdashës aktivë që duan të minojnë demokracinë e Kosovës duke i shfrytëzuar përçarjet etnike”.

 

“Nuk mund të lejojmë që kjo të ndodhë” tha Hovenier të martën në Prishtinë, në një konferencë për integritetin e informacionit DISICON, të organizuar nga Instituti Kombëtar Demokratik (NDI) me seli në Uashington.

Ai shtoi se dezinformimi mund të ketë pasoja të drejtpërdrejta gjithmonë, veçanërisht gjatë periudhës zgjedhore, në të cilën Kosova ndodhet aktualisht përpara zgjedhjeve të 9 shkurtit.

Ai kujtoi audiencën për një bisedë të rreme të publikuar në rrjetet sociale disa vite më parë, e cila përfshinte një bisedë të rreme mes tij dhe kryeministrit Kurti dhe që kishte për “synim të mbillte mosbesim brenda komunitetit serb të Kosovës”.

Fatmirësisht, jo shumë njerëz e morën seriozisht… Por, fakti që një aktor shkroi një skenar, përgatiti një skenar, krijoi një regjistrim krejtësisht të dizajnuar për të mbjellë mosbesim dhe shqetësim në komunitetin serb dhe e publikoi atë në rrjetet sociale, është një tregues i këtij problemi”, theksoi ambasadori amerikan.

Hovenier, i cili po përfundon mandatin e tij në Kosovë në fund të dhjetorit dhe po pensionohet, theksoi se SHBA-ja mbetet e përkushtuar ndaj Kosovës si një vend i larmishëm dhe në mbështetje të mediave të pavarura, përfshirë ato që drejtohen nga pakicat.

“Dhe, ne jemi shumë të vetëdijshëm për mediat që ofrojnë informacion të paanshëm dhe të saktë. Jemi të vetëdijshëm se ka disa që përpiqen të shfrytëzojnë këtë pretendim për të bërë diçka krejtësisht tjetër, për të dhënë një mesazh që synon qëllime shumë, shumë të ndryshme nga informimi i komunitetit. Kjo duhet të denoncohet dhe ne duhet t’i mbështesim mediat e pavarura”, deklaroi Hovenier.

Ai tha se “puna jonë së bashku është larg përfundimit”.

“Në fakt, mund të argumentoni se puna mbi këtë çështje, sapo ka filluar dhe ne jemi me të vërtetë të gatshëm të angazhohemi me të gjithë ju për të gjetur mënyra të reja për t’ju ndihmuar të mbroni demokracinë tuaj”, u shpreh ambasadori amerikan në Prishtinë./rel

DASH shpalli Altin Dumanin “kampion kundër korrupsionit”/ Ambasada Amerikane: Përgëzojmë të gjithë ata që luftojnë për sundimin e ligjit dhe transparencë

Ambasada e SHBA në Tiranë ka bërë një postim në rrjetin social Facebook lidhur me Ditën Kundër Korrupsionit.

 

Ambasada bën me dije se Departamenti i Shtetit promovon integritetin, transparencën dhe llogaridhënien si përparësi të politikës së jashtme dhe interesa thelbësore të sigurisë kombëtare.

Ndërsa iu referua edhe 10 kampionëve të anti-korrupsionit që u shpallën dje nga DASH, mes tyre ishte e kreu i SPAK, Altin Dumani.

Teksa përgëzon kampionët e anti-korrupsionit, Ambasada e SHBA thotë se Amerika do të vazhdojë të punojë me partnerët për të përmbushur vizionin e UNCAC dhe kornizave të tjera ndërkombëtare kundër korrupsionit dhe qeverisjes së mirë.

“Në Ditën Ndërkombëtare kundër Korrupsionit, ne njohim 10 kampionë kundër korrupsionit, të cilët kanë udhëhequr ose kanë mbrojtur reformat dhe hetimet që po sjellin një botë më të drejtë dhe transparente për bashkëqytetarët e tyre. I përgëzojmë të gjithë ata që luftojnë për llogaridhënie, sundim të ligjit, transparencë dhe liri të shtypit”, shkruhet në njoftimin e Ambasadës.

Postimi i plotë: 

Korrupsioni gërryen qeverisjen demokratike, minon besimin në qeveri dhe pengon zhvillimin, prandaj Departamenti i Shtetit promovon integritetin, transparencën dhe llogaridhënien si përparësi të politikës së jashtme dhe interesa thelbësore të sigurisë kombëtare. Që nga miratimi i Konventës së OKB-së kundër Korrupsionit (UNCAC) dhe ratifikimi nga SHBA, Shtetet e Bashkuara kanë qenë lider në zbatimin e angazhimeve ndërkombëtare kundër korrupsionit.
Shtetet e Bashkuara themeluan Çmimin e Kampionëve kundër Korrupsionit në vitin 2021 për të vlerësuar individët që kanë ndërmarrë hapa të jashtëzakonshëm për të luftuar korrupsionin dhe për të shfaqur solidaritetin e SHBA me këta partnerë heroikë. Në Ditën Ndërkombëtare kundër Korrupsionit, ne njohim 10 kampionë kundër korrupsionit, të cilët kanë udhëhequr ose kanë mbrojtur reformat dhe hetimet që po sjellin një botë më të drejtë dhe transparente për bashkëqytetarët e tyre. I përgëzojmë të gjithë ata që luftojnë për llogaridhënie, sundim të ligjit, transparencë dhe liri të shtypit. Të vlerësuarit e këtij viti janë Jorge Mora Cortes nga Kolumbia, Matrika Dahal nga Nepali, Altin Dumani nga Shqipëria, Srbuhi Galyan nga Armenia, Carl Irani nga Libani, Marr Nyang nga Gambia, Javier Enrique Caraballo Salazar nga Panamaja, Didar Smagulov nga Kazakistani, Jimmy Spire Ssentongo nga Uganda dhe Sevinj Vagifgizi nga Azerbajxhani.
Ne jemi të nderuar të punojmë përkrah kampionëve si këta për të mposhtur korrupsionin. Ne do të vazhdojmë të punojmë me partnerët për të përmbushur vizionin e UNCAC dhe kornizave të tjera ndërkombëtare kundër korrupsionit dhe qeverisjes së mirë.

Kreu i SPAK, Altin Dumani u dekorua dje nga Sekretari Amerikan i Shtetit, Antony Blinken si “kampion i antikorrupsionit”.

Screenshot_12

Vlerësimi u bë dje (9 Dhjetor) në një ceremoni të zhvilluar në Departamentin e Shtetit, ku morën pjesë edhe zyrtarë të lartë amerikanë.

Në fjalën e tij, Blinken tha se ” Dumani ka bërë një punë të jashtëzakonshme në luftën kundër korrupsionit”.

“Altin Dumani, nga Shqipëria, drejton një agjenci të re (SPAK). Ka goditur politikanë të lartë, por edhe grupe të rëndësishme kriminale, duke bërë punë të jashtëzakonshme dhe një nga njerëzit më të besueshëm dhe institucion me të besueshme në Shqipëri”, tha Blinken.

Kreu i SPAK, Altin Dumani është zyrtari i dytë i sistemit të drejtësisë, që vlerësohet me kete çmim pas Ardian Dvoranit, në atë kohë kreu i Emërimeve në Drejtësi.

Altin Dumani prej dy vitesh drejton Prokurorinë e Posaçme. Dumani i përket grupit të prokurorëve që iu bashkuan SPAK që nga momenti i krijimit, ndërsa drejtuesi i parë i Prokurorisë Speciale ishte Arben Kraja.

Interi s’ka frikë, që pas Stambollit sfidon… Europën

Interi është një republikë e bazuar mbi punën dhe për këtë nuk ka dyshime. Por është një datë që kemi në mendje për këtë skuadër: 10 qershor 2023.

 

Madje edhe vendin: Stamboll. Atë ditë, ose më mirë, atë natë u zhduk përgjithmonë fjala frikë për këtë skuadër. Atëherë çfarë do të thotë që të shohësh kreun e klasifikimit me një ndeshje që duhet të rikuperosh? Çfarë sensi ka që kreu nuk është i marrë ende? Herët a vonë rivalët humbasin pikë dhe shembulli për këtë është Napoli kundër Lacios. Interi është si një makinë që karikohet me fitoret dhe vret besimin e kundërshtarëve. Në 68 ndeshje të luajtura pas asaj finaleje të Champions-it në një vit e gjysmë, skuadra e Inzagit ka humbur vetëm 5 ndeshje në total, mes tyre edhe një të hidhur me Atletikon e Madridit dhe një me kampionatin e fituar. Me këto pritshmëri, transferta në Leverkusen nuk mund ta shqetësojë formacionin e Inzagit.

KRAHASIMI- Asnjë shqetësim, në të vërtetë të paktën në përgatitjen e ndeshjeve. Quhet vetëbesim. Interi e di që nuk ka më asnjë ndeshje që nuk mund ta luajë si i barabartë dhe mund të shikojë në fytyrë këdo. Nga 10 qershori i vitit 2023 deri më sot në 5 kampionatet europianë, vetëm Leverkuseni ka humbur më pak ndeshje, 3. Të tjerat: Reali i Madridit 7, Liverpuli 9, Mançester Siti që fitoi atë Campions ka humbur 11. Zikaltrit për më tepër janë skuadra e pamposhtur në këtë kompeticion. Nuk është rastësi nëse në 68 të fundit janë fituar 48 dhe janë barazuar 15, me një diferencë golash +98 me 147 të shënuar dhe 49 të pësuar. Zikaltrit gjatë kësaj kohe kanë 38 ndeshje pa pësuar gol.

MOTIVI- Inzagi ia ka dalë që të marrë më të mirën nga ajo finale edhe pse e humbi atë. Quhet mentalitet dhe nuk e gjen duke bërë xhiro. Është një faktor shumë vendimtar. E ka bërë trajneri duke punuar sa më shumë me materialin që klubi i ka vënë në dispozicion. Ai ka gjetur mënyrën për të shkuar drejt objektivit për përfshirjen e të gjithë organikës. Rezultati është një skuadër që vazhdon ende të qajë atë humbje kundër Atletikos së Madridit në fazën e 1/8-ave të Champions-it. Dhe ky është një tjetër aspekt pozitiv në këto 68 ndeshje. Ajo humbje ka shërbyer si një shtysë për këtë Champions, me një Inter që luan me sy mbyllur në të njëjtin nivel me Mançester Sitin dhe që mund Arsenalin. Çalhanoglu me shokë tani ndihen një klub europian. Duan ta tregojnë që janë. Por dimensioni i futbollit që prodhon Interi lë pak dyshime.

SENATORËT

Bajer Leverkuseni është një tjetër provë, përtej faktit që zikaltrit duan ta mbyllin që në dhjetor çështjen e kualifikimit për të qenë mes 8 më të mirave. Diçka e tillë do të çlironte kalendarin për fillimin e vitit 2025. Por mbi të gjitha do t’i jepte më shumë besim Inzagi. Trajneri, në këtë vazhdimësi pozitive, ka meritën që po i përfshin të gjithë. Klubi ka qenë i qartë që në nisjen e ciklit se të rinjtë mund të afrohen, por pa prekur bazën e lojtarëve: Barela, Bastoni, Darmian, De Vraj, Lautaro. Këta 5 futbollistë e kanë nisur ciklin fitues që në sezonin 2020-2021 me Antonio Konten. Dhe janë ata që transmetojnë sensin krenarisë për fanellën zikaltër. Ky është sensi i republikës “Inter”, ky objektivat janë të qartë dhe askush nuk fshihet. Skuadra e tij duhet të fitonte titullin kampion vjet dhe e bëri, ndërsa edhe këtë sezon e pranon titullin e favorites. Por edhe Champions-i këtë vit është joshës. Interi nuk ka frikë. Kjo republikë është e bazuar te vetëbesimi.32

BE konfirmon datën e raundit të ri të dialogut Kosovë-Serbi, ja kur do të zhvillohet

Bashkimi Evropian ka konfirmuar të martën se takimi i radhës në kuadër të dialogut mes Kosovës dhe Serbisë, në nivel kryenegociatorësh, do të zhvillohet më 17 dhjetor në Bruksel, dhe se të dyja palët kanë konfirmuar pjesëmarrjen e tyre në këtë takim.

 

Zëdhënësja e BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Anitta Hipper, ka thënë se në këtë takim do të shqyrtohen një varg çështjesh, përfshirë edhe zbatimin e Marrëveshjes drejt normalizimit të marrëdhënieve.

Takimi i fundit në nivel kryenegociatorësh është zhvilluar më 23 tetor në Bruksel.

Kosova përfaqësohet nga zëvendëskryeministri, Besnik Bislimi, ndërsa Serbia nga drejtori i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviç.

Sipas burimeve diplomatike të Radios Evropa e Lirë, i dërguari evropian për dialogun, Mirosllav Lajçak u ka raportuar vendeve anëtare për gjendjen e dialogut dhe ka thënë se palët kanë mungesë të qartë të gatishmërisë për të bërë ndonjë progres në zbatimin e Marrëveshjes për normalizim.

Palët kanë arritur pajtueshmëri për këtë marrëveshje në shkurt të vitit të kaluar në Bruksel, ndërsa për një aneks zbatimi në Ohër të Maqedonisë së Veriut, një muaj më vonë.

Dy vendet nuk kanë bërë hapa drejt zbatimit të paktit dhe për këtë fajësojnë njëra-tjetrën.

Përfaqësuesja e Lartë e BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Kaja Kallas ka shprehur gatishmëri që të angazhohet aktivisht në procesin e dialogut.

Mandati i Lajçakut, i vazhduar disa herë, do të përfundojë në fund të muajit janar, të vitit tjetër.

Ka pritje që kryediplomatja Kallas, në bashkëpunim me vendet anëtare, të vendosë lidhur me vazhdimin e dialogut, përfshirë edhe rreth asaj se a do të ketë pasardhës të Lajçakut në atë postë, dhe kush do të jetë ai.

Serbia nuk e njeh pavarësinë e Kosovës, të shpallur më 2008.

Dy vendet dialogojnë në Bruksel me ndërmjetësim të Bashkimit Evropian qysh prej vitit 2011, kanë arritur disa marrëveshje, por jo të gjitha janë zbatuar./REL

Verdikti i Venecias dhe vendimi i “Venedikut”

Nga Lutfi Dervishi

Për deputetët:
Deputetët nuk mund të detyrohen të votojnë në një mënyrë të caktuar, por, në rastin e vendimeve të Gjykatës Kushtetuese, Parlamenti është i detyruar të zbatojë vendimin, sepse këto vendime janë detyruese dhe pjesë e shtetit të së drejtës.

Moszbatimi i vendimit të Gjykatës përbën shkelje të kushtetutës dhe të shtetit ligjor.
A e kanë ditur këtë gjë deputetët? Si buka që hanë. Por ashtu ishte një punë.

Kur ka konflikt interesi mes detyrës së deputetit dhe ndonjë pozicioni tjetër që mban (publik ose privat), deputeti duhet të zgjedhë një nga këto detyra. Nëse nuk e zgjidh konfliktin, ai mund të humbasë mandatin.

Për këdo që është i interesuar…
Vendime e Gjykatës janë të detyrueshme për të gjitha institucionet dhe nuk janë çështje preferencash politike apo interpretimesh.

Gjykata Kushtetuese mbron të drejtat dhe ndan pushtetet për të ruajtur balancën dhe integritetin e institucioneve.
Në thelb, vendimi i Venecias kërkon që Parlamenti të veprojë sipas kushtetutës, pa marrë parasysh interesat politike.

“Vendimi i Venedikut”:
“Deputetët nuk mund të detyrohen të votojnë, në një mënyrë të caktuar, pasi ata janë të lirë të ushtrojnë mandatin e tyre”
Venecia thotë: “Deputetët janë të detyruar të respektojnë vendimet e Gjykatës Kushtetuese, përndryshe shkelin kushtetutën”, ndërsa “Venediku”, që u pompua në media thotë: ‘deputetët janë të lirë të votojnë si t’i thotë zemra”

Dita e të Drejtave të Njeriut 2024, të drejtat tona, e ardhmja jonë, tani!

NGA SILVIO GONZATO & FIONA MCCLUNEY 

Në këtë Ditë të të Drejtave të Njeriut, Kombet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian në Shqipëri rikonfirmojnë se të drejtat e njeriut janë thelbësore për fuqizimin e individëve dhe komuniteteve dhe për t’i aftësuar ata që të krijojnë një të nesërme më të mirë.

Të drejtat dhe vlerat janë çështje kritike si në negociatat e Shqipërisë për anëtarësimin në BE, ashtu edhe në përpjekjet e saj për të arritur Objektivat e Zhvillimit të Qëndrueshëm. Angazhimet që ka marrë Shqipëria në kontekstin e negociatave të anëtarësimit – Grup-kapitulli i Themeloreve – si dhe pesë premtimet për të drejtat e njeriut që Shqipëria bëri me rastin e 75-vjetorit të Deklaratës Universale për të Drejtat e Njeriut dhjetorin e kaluar janë shtysat për reformat themelore, që do të ndikojë pozitivisht në jetën e qytetarëve shqiptarë.

Ato premtojnë përmirësime në sistemin e drejtësisë penale, përmirësim të standardeve dhe shërbimeve për personat me aftësi të kufizuara, rritje të përpjekjeve dhe rezultateve në luftën kundër korrupsionit, standarde më të larta në sistemin e drejtësisë për të miturit, si dhe përparim në fuqizimin e grave dhe personave të tjerë që vuajnë nga diskriminimi.

Të drejtat e njeriut nuk janë thjesht aspirata; ato janë themeli mbi të cilin ne ndërtojmë një botë më të mirë, më paqësore dhe të drejtë për të gjithë. Në Shqipëri, si në çdo cep të globit, mbrojtje e të drejtave të njeriut do të thotë fuqizim i individëve, aktorëve të shoqërisë civile dhe komuniteteve për t’i ndihmuar ata të krijojnë një të ardhme më të ndritur. Siç na kujton Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së António Guterres: “Të drejtat e njeriut janë themeli për shoqëritë paqësore, të drejta dhe gjithëpërfshirëse”.

Ndërsa ndalemi për të festuar Ditën e të Drejtave të Njeriut, nuk duhet thjesht të reflektojmë dhe të festojmë përparimin e bërë së bashku, por edhe të përballemi me punën që kemi ende përpara. Është koha për të ngritur zërin kundër gjuhës së urrejtjes, kundër diskriminimit të çdo lloji, kundër dezinformimit dhe kundër çdo veprimi që kërcënon dinjitetin e individit.

Është koha për të shfrytëzuar fuqinë transformuese të parimeve të të drejtave të njeriut për të mbrojtur të pambrojturit, për të parandaluar padrejtësinë, për të mbështetur punën vendimtare të mbrojtësve të të drejtave të njeriut dhe për të krijuar ndryshime të qëndrueshme në shoqëri. Të drejtat tona, e ardhmja jonë, tani!

* Ambasador i Bashkimit Evropian në Shqipëri

** Koordinatore e Përhershme e OKB-së në Shqipëri