Kreu i SPAK, Altin Dumani është dekoruar nga Sekretari Amerikan i Shtetit, Antony Blinken si “kampion i antikorrupsionit”.
Zbërthimi i Matrix në Greqi/ Zëri i Amerikës: Policia greke thellon hetimet për rrjetet shqiptare që dyshohen për vrasje e trafik droge
Policia greke po thellon hetimet mbi çështje që kanë të bëjnë me vrasjet, drogën, dhe trafikun e emigrantëve të parregullt pas zbulimit të komunikimeve përmes platformave të koduara “Sky ECC” dhe “Encrochat”, të zhvilluara në territorin e Greqisë.
Komunikimet iu dhanë Greqisë nga EUROPOL në vjeshtën e vitit 2023 në rreth 4500 dosje me mbi 25000 mesazhe të shkëmbyera mes personave të dyshuar të përfshirë në rrjete kriminale, sidomos të trafikut të drogës.
Sipas policisë greke pas urdhër arresteve për mbi 15 shtetas shqiptarë, të dyshuar në trafikun e marijuanës nga Shqipëria drejt Greqisë dhe trafikun e kokainës nga Spanja në drejtim të Greqisë dhe Shqipërisë. Hetimet po kryhen për të zbuluar aktivitete të tjera kriminale.
Sipas burimeve zyrtare policore greke Shërbimi i Brendshëm i Policisë me urdhër të Prokurorit ka përfshirë hetime edhe për lidhjet e oficerëve të lartë të antidrogës greke me eksponentë të trafikut të drogës, mes të cilëve edhe një shtetas i dyshuar nga Shqipëria, që vuan dënimin në burgjet greke.
Policia greke njoftoi masa ndalimi ndaj një oficeri të policisë greke dhe dy shtetasve, një shqiptar dhe një grek të dyshuar për trafik droge. Shtypi grek publikoi të hënën një dokument ku me shkrim dore janë shkruar në një letër disa numra telefoni të vëna në përgjim nga antidroga greke. Sipas shtypit grek oficeri i antidrogës greke e dërgon dokumentin, përmes platformës “Sky ECC”, tek njëri prej trafikantëve, për ta sinjalizuar.
Në periudhën 2020-2021, si pjesë e një operacioni të koduar “Limit”, Agjencia Europiane “Europol” në bashkëpunim me autoritetet kombëtare të Francës, Belgjikës dhe Holandës zbuloi aplikacionin e koduar të komunikimit Sky ECC, i cili është përdorur në masën 90% nga persona të dyshuar për krime penale kryesisht në fushën e drogës në mbarë botën.
Bazuar në përmbajtjen e tyre, EUROPOL i shpërndau dosjet e komunikimit në shtetet anëtare për policitë lokale për të hetuar krimet. Greqia ishte e fundit nga 27 vendet që mori dosjen përkatëse në në vjeshtën e vitit 2023.
Mbi bazë të informacionit të EUROPOL Prokuroria e Posaçme kundër Krimit dhe Korrupsionit (SPAK) ka goditur në Shqipëri, deri tani, të paktën nëntë organizata të fuqishme kriminale, ka kryer dhjetëra arrestime dhe ka hedhur dritë mbi ngjarje të rënda kriminale të viteve të fundit.
Pak ditë më parë EUROPOL njoftoi për një operacion ndërkombëtar policor që ka zbuluar një tjetër shërbim të koduar të mesazheve të përdorura nga anëtarë të dyshuar të grupeve kriminale të quajtur MATRIX. Sipas EUROPOL për tre muaj, autoritetet policore ishin në gjendje të monitoronin mesazhet nga kriminelët e mundshëm, të cilat tani do të përdoren për të mbështetur hetime të tjera.
Sipas EUROPOL , një shërbim mesazhesh i bërë nga kriminelët për kriminelët, MATRIX, u zbulua për herë të parë nga autoritetet holandeze në telefonin e një krimineli të dënuar për vrasjen e një gazetari holandez në vitin 2021.
Siaps EUROPOL infrastruktura e kësaj platforme ishte teknikisht më komplekse se platformat e mëparshme si Sky ECC dhe EncroChat. Themeluesit ishin të bindur se shërbimi ishte superior dhe më i sigurt se aplikacionet e mëparshme të përdorura nga kriminelët, thotë EUROPOL.
EUROPOL dha edhe detaje teknike lidhur me platformën ku përdoruesit mund t’i bashkoheshin shërbimit vetëm nëse merrnin një ftesë. Sipas EUROPOL infrastruktura për të ekzekutuar MATRIX përbëhej nga më shumë se 40 serverë në disa vende me serverë të rëndësishëm që gjenden në Francë dhe Gjermani.
Duke përdorur teknologji inovative, autoritetet policore mundën të përgjonin shërbimin e mesazheve dhe të monitoronin aktivitetin në shërbim për tre muaj, tha EUROPOL. Sipas EUROPOL më shumë se 2.3 milionë mesazhe në 33 gjuhë u përgjuan dhe u deshifruan gjatë hetimit.
Mesazhet që u përgjuan lidhen me krime të rënda si trafiku ndërkombëtar i drogës, trafiku i armëve dhe pastrimi i parave, thotë EUROPOL.
Komunikimet ne kete platforme, dyshohet nga ekspertet e policise shqiptare se jane perdorur gjeresisht edhe nga rrjetet kriminale shqiptare./Voa/
Politika në Shqipëri prodhon vetëm propagandë, jo demokraci
Prof.Dr.Rexhep Uka*
Rrëzimi i komunizmit për masën më të madhe të popullsisë qe bërë gati një ëndërr e pamundur, por asnjëherë tek rinia, ajo, dhe në veçanti ajo studentore, jo vetëm nuk u pajtua por u ndesh me regjimin pa iu u trembur syri deri sa e përmbysi.
Tashmë, në saje të kësaj lëvizje për liri e demokraci, auditoret e fjalës së lirë janë të hapura. Sot në festën e rinisë, një ndër festat më të bukura këto 34 vjet, njëherë në vit, nuk është pak, mblidhemi këtu në “strofkën” tonë të ngrohtë ku ndjehemi vërtetë mirë.
Tubimet tuaja, sa herë kemi fatin t’i ndjekim, sa vjen e vertetojnë se këtu “nuk ka doreza”, këtu sundon fjala e lirë, nuk ka pengje e të kapur, këtu është germplazma e opozitës, nëse diku mungon ‘’tharmi’’ i kundërshtisë e ka këtu. Opozitarizmi për shtetin e së drejtës nuk ka asnjë lidhje me luftën për karrige pushteti.
Dhjetoristët kanë qenë të kthjellët që në ditën e parë të lëvizjes së tyre, me ‘’0’’ struktura, infrastruktura, logjistikë, rrëmbyen zemrat e një populli dhe gjetën tek ta të gatshme mbështetjen me mosbindjen më të madhe civile që Shqipëria ka shpalosur ndonjëherë.
Sot, dikujt që nuk i ka përjetuar ato ngjarje të Dhjetorit ’90, mund t’i duket si përrallë, por për ne, si dëshmitarë të drejtpërdrejtë, tek shkonim për të parë nga afër e ndjekur pas, për ti parë në fytyrë ata djem dhe vajza me plotkuptimin e fjalës, trima, ende sot pas 34 vitesh, shijojmë dhe mbushemi me emocionet e dikurshme e do t’u jemi mirnjohës sa të jemi gjallë.
E nëse ka një grupim njerëzish që historia do ta kujtojë gjithmonë, është ai i studentëve të Dhjetorit ’90, autorët dhe aktorët e vërtetë të përmbysjes së komunizmit. Edhe se ka patur tentativa për ta mohuar, minimizuar, deri edhe përfolur, rolin dhe kontributin e tyre, sot në një moshtë tjetër, të vetmin ndryshim që kanë bërë, janë këtu, përsëri protagonistë, opozitarë të vërtetë, të paepur, për të mbrojtur misionin e tyre të madh liridemokracinë, integrimin, shqipërinë në një hap me Europën.
Ata kanë emra të përveçëm, por ata ishin anonim në fillimet e tyre, emri i përbashkët ishte ideali i madh i lirisë dhe demokracisë, ata asnjëherë nuk u bënë pjesë e ‘valleve’ të drejtura nga shkopi i një dirigjenti, që fshehtas dhe drejtpërdrejt, i drejtonte për nga rruga e kthimit në të kaluarën, nuk u dorëzuan asnjëherë as u përdorën dot nga pushteti. Kemi të drejtën të krenohemi që i ndoqëm, të bindur se ishin me hapin e kohës.
Ata, me lëvizjen e tyre, hapën një epokë të cilën, më vonë, do të mësonim që është një mister sfidash, dilemash, të panjohurash dhe, mbi të gjitha, fitorja e pluralizmit mund të kanosej çdo çast nëse binomi liri-demokraci nuk ecën përkrah, liria e painstitucionalizuar, e vetme, mund të sjellë kaos, e kaluara ‘flinte brenda nesh zgjuar’, e gatshme si një sustë e shtypur për t’u kthyer në statusin e mëparshëm.
Pamë se çfarë dhimbje ndjenë ish pushtetarët e regjimit, por edhe të mëpstajmit, kur humbën opulencën e gjithçkasë. Po ashtu, pamë edhe ‘ndërrimin e kostumit’ deri edhe tek më të zellshmit nostalgjikë të regjimit, për të qënë në pafundësi e pambarimësi përsëri në ‘’avanguardë’’.
Çfarë demaskimi, jeta paska atributin të të japë mjaftueshëm ‘’shansin’’ e shtirjes por edhe të demaskimit . Tironsit kanë një shprehje urimi që më tingëllon bukur: “FUNI ME HAJËR”
E ja sot, duke hequr çdo syze subjektivizmi dhe anësie, Shqipëria ka ndryshuar, por zhvilluar shumë pak. Rekorde has njeriu në këtë vend. Dikush magjepset me ritmin, bota fandakset me folklorin, jam edhe une fans i shqiponjës, duam pak adrenalinë. Ambicja e vitaliteti shqiptar janë të papërballueshme, përsërisim historinë. Shqiptarët kudo në botë, për 34 vjet, kanë riformatuar profilin dhe jo vetëm nuk i shpëtojnë mbikqyrjes së të huajve, por marrin dhe vlerësime admiruese.
Por ajo çfarë me dhimbje kam konstatuar nga politika është besimi i tepruar, zënja besë tek disa politikanë, qesharakë, karagjozë, delirantë, lidër dizastër të cilët nuk duhet të kenë kurrë tagrin e qeverisjes.
Kjo “racë” politikanësh në çdo fushatë premton qeverisje demokratike, dhe realizon, par excellence, vetëm sundim. Politika si resursi human më i madh, tek ne prodhon vetëm politikë propagandistike, jo demokraci.
Paradokset nuk kanë të sosur, thonë se kemi buxhetin më të madh në historinë e demokracisë, me gjysmën e popullsisë. Ndërtime marrarmendëse, urbanizim i tejskajshëm, bujqësi që askush nuk e di për kah po mban, fshat i thënshin. Mbi të gjitha, korrupsion dhe analistikë.
Nuk desha të futem këtu se e di që do përfundoja tek terminali, në mijëvjeçarin e qëndrueshmërisë, a do të mbijetojmë si efemeroidë? Ska shans, në këtë epokë, sikur nuk mjaftuan regjimet që kemi parë, po provojmë edhe ‘anthropocenin’. Do mundim vallë? Sigurisht që po! Por nuk do kisha dashtë “cop-cop” siç thonë shkodranët.
E gjithsesi, nëse nuk jemi në rrugën që do vendi dhe koha, jemi në kohën e mundësive të kahjeve dhe stacioneve të duhur.
*Fjala përshëndetëse në Ditën e Rinisë, 8 Dhjetor 2024 në “TOB”
Lufta “për jeta e vdekje” e grupeve mafioze pranë Edi Ramës, ka bllokuar licencat
Ligji për monopolin privat të kultivimit, përpunimit e tregtimit të kanabisit u miratua në muajin korrik 2023, ndërsa ligji për monopolin e basteve sportive u miratua në muajin shkurt 2024, me objekt 15 licenca për kanabisin e 10 licenca për bastet.
Por megjithëse qeveria i ka nxjerrë aktet nënligjore, dhe ka krijuar agjencitë që do mbikëqyrin këto biznese me investime të vogla e fitime marramendëse, Ministria e Financave dhe Ministria e Shëndetësisë, nuk po japin licencat për kanabisin e bastet.
Sipas informacionit konfidencial nga Ministria e Financave, shkak i mos dhënies së licencave për bastet, është rivaliteti “për jetë a vdekje” mes grupeve mafioze që janë pranë kryeministrit Edi Rama, ku secili prej tyre synon të marrë këto licenca “me kulaç, ose me kërbaç”.
Gjatë 10 muajve pas miratimit të ligjit për bastet, Babloku ka hartuar 7 herë lista të ndryshme, me emrat e atyre që do marrin licencat e basteve online, ku në asnjë prej tyre, nuk ka munguar kompania “PPP-Moligix” e Olsi Ramës dhe një shoqëri e Fidel Yllit.
Skema e Edi Ramës për bastet online, është të krijojë një monopol familjar, të kontrolluar nga PPP-ja monopol e Olsit, ndërsa nën menaxhimin e tij, të jepen 9 nën-licenca për kompani të tjera.
Por grupet e tjera mafioze që kanë futur në “thes” Edi Ramën, me pazare kullash e resortesh që e detyruan të rihapte kazinotë, po i bëjnë presione kërcënuese personale, që të marrin monopolin e 10 licensave të basteve online, secili për hesap të vet, jashtë kontrollit të familjes kryeministrore.
Rivaliteti mes grupeve mafioze e kriminale pranë kryeministrit Edi Rama, është shkaku që as Ministria e Shëndetësisë nuk po jep licencat për kultivimin, përpunimin dhe tregtimin e kanabisit, mbasi dhe në këtë biznes kërkon të futet me fuqi dominuese, saraji i Surrelit.
Por mafiozët italianë, turq, serbë, rusë e gjeorgjian që kanë marrë premtime paraprake nga kryeministri Edi Rama, për licenca 15 vjeçare e të përsëritura, nuk po e tolerojnë biznesin e kanabisit me fitime miliona Euro në vit.
Sipas ligjit, në Shqipëri do kultivohen 200 hektarë me kanabis, të cilat do t’i marrin 15 kompani që janë me 51% ortakëri të huaj dhe 49% ortakëri shqiptare, por Babloku, ashtu si me bastet online, synon të krijojë një monopol qëndror dhe 14 filiale kontrolluara prej tij.
Më 27 maj 2024, “Pamfleti” publikoi faktin, që shërbimet partnere, të konsultuara me FBI, DEA, Europol e SPAK, kishin zbuluar se biznesi kanabisit në Shqipëri, do t’i jepej grupeve mafioze ruse, serbe, turke, arabe e kineze të trafikimit të drogës, parajsave fiskale e pastrimit të parave.
Ky skenar u zbulua në tetor 2023, kur kryeministri Edi Rama i dërgoi Organizatës për Bashkëpunim e Zhvillim Ekonomik (OECD), emrat e 30 kompanive kandidate me ortakë shqiptarë e të huaj, të përzgjedhur paraprakisht, që do licencoheshin për kultivimin e kanabisit.
Por licencimi i atyre kompanive u refuzua dhe nga Qendra Evropiane e Anti-drogës, që është partnerja e DEA, FBI e EUROPOL dhe ka skedat për çdo individ e grup trafikimi droge.
Me Urdhër Nr. 54, datë 5 prill 2024 të Kryeministrit Edi Rama, u krijua Agjencia Kombëtare të Kontrollit të Kanabisti me 43 punonjës në vartësi të Ministrit të Shëndetësisë.
Por kjo agjenci nuk ka marrë urdhër për hapje aplikimesh e dhënie licencash, sepse Babloku nuk i ka çuar akoma, emrat e kompanive që do marrin monopolin e kanabisit; ashtu siç Autoritetit të Lojërave të Fatit, nuk po i çon emrat e atyre që do marrin monopolin e basteve online./Pamfleti
Nga Lagosi në Durrës: Sfidat e punëtorëve të huaj në Shqipëri
Nga Elira Kadriu
Numri i punëtorëve të huaj në Shqipëri është trefishuar në tre vitet e fundit; megjithatë, punëdhënësit jo gjithmonë i respektojnë të drejtat e tyre dhe as legjislacionin në fuqi.
Më 1 nëntor, pas një fluturimi të gjatë 12-orësh nga Lagosi në Tiranë, Dauda* mbërriti nga Nigeria në Shqipëri, me premtimin e një vendi pune në xhep. Për Shqipërinë kishte dëgjuar nga miqtë e tij, të cilët ishin punësuar këtu përmes një agjencie punësimi. Në pamundësi ekonomike për të paguar një agjenci, Dauda aplikoi përmes internetit.
“Si fillim, komunikimi ishte shumë i lehtë. Ai [punëdhënësi] më pyeti se çfarë mund të bëja dhe i thashë se jam shumë i dhënë pas agrikulturës. Ai më tha që kishte një biznes vere në Durrës,” tregon Dauda për bisedat fillestare me ish-punëdhënësin shqiptar.
Por, ndryshe nga çfarë priste për një punë në vreshta, kur Dauda arriti në Durrës, iu ngarkua të priste metale me pajisje, për të cilat ai thotë se nuk dinte t’i përdorte.
Nigeriani kujton se punëdhënësi i tha: “Nëse nuk di ta bësh këtë punë, do të të pres një biletë dhe do të të dërgoj mbrapsht në Nigeri.”
“Punova vetëm pesë ditë dhe më pas u largova pa e lajmëruar,” tha ai, ndërsa shtoi se punëdhënësi i mbajti pasaportën. “Nuk isha dakord të kthehesha në Nigeri, pasi biletën e ardhjes e kisha paguar vetë dhe kam ikur nga andej me borxhe,” shtoi i riu nigerian.
Rasti i Daudas nuk është i veçuar. Shumë emigrantë nga Afrika dhe Azia që vijnë të punojnë në Shqipëri, detyrohen nga punëdhënësit t’i dorëzojnë dokumentet e tyre të identifikimit. Sipas autoriteteve, një veprim i tillë nuk është thjesht i paligjshëm, por përbën edhe vepër penale.
Pronari i vreshtarisë në Durrës, ku Dauda punoi për një kohë të shkurtër dhe i cili ka aktualisht pasaportën e tij, i tha Citizens se ai ishte i gatshëm t’ia kthente, por gjithsesi do të lajmëronte policinë, sepse ndjehej përgjegjës për qëndrimin e tij në Shqipëri.
“[Dauda] mund të vijë ta marrë pasaportën, por unë do të njoftoj policinë, pasi jam përgjegjës për të,” tha ai. “Kam prerë edhe një biletë kthimi [në Nigeri] – për 800 USD dhe kam humbur paratë, që ky zotëria të largohej siç është e parashikuar nga ligji,” shtoi ai për Citizens.
Sipas Institutit Kombëtar të Statistikave (INSTAT), numri i të huajve me leje qëndrimi në Shqipëri arriti në 21,460 në vitin 2023. Nga numri total i lejeqëndrimeve, 71% janë shtetas evropianë, 18% nga Azia dhe 5% nga Afrika. Sipas Agjencisë Kombëtare të Punësimit dhe Aftësive (AKPA), aplikimi për leje unike në tre vitet e fundit është trefishuar, nga 3,341 leje të lëshuara në vitin 2020 në mbi 9,800 në vitin 2023.
“Janë 2,500 biznese për të cilat është miratuar të paktën një leje punësimi,” konfirmoi për Citizens AKPA.
Në gjashtë muajt e parë të vitit 2024, autoritetet shqiptare kanë miratuar 5,132 aplikime për të ashtuquajturat “leje unike”, të cilat u mundësojnë të huajve të qëndrojnë dhe punojnë në Shqipëri.
Megjithatë, numri i të huajve që punojnë në vend mund të jetë më i lartë, pasi shumë prej tyre punojnë në të zezë. Në një pyetësor që Citizens publikoi për punëtorët e huaj përmes platformës (ECR), 33% e të anketuarve pranuan se nuk kishin leje qëndrimi, edhe pse aktualisht punonin në Shqipëri.
Avokati Gentian Serjani thekson se mbajtja e pasaportës nga punëdhënësi është një formë e heqjes së lirisë, jashtëligjshme, por shpesh përdoret si mjet për të mbajtur nën kontroll punonjësit e huaj.
“Ai [punonjësi] mund të largohet drejt vendeve të BE-së, dhe punëdhënësi mban përgjegjësi ligjore,” tha ai.
Sipas Serjanit, nëse punëdhënësi ka vendosur të prishë kontratën, emigranti duhet të kthehet në vendin e origjinës, sepse nëse nuk e bën këtë, atëherë ai qëndron në mënyrë të paligjshme. Por avokati shton se rasti ndryshon kur punëdhënësi i jep të drejtë emigrantit të gjejë një kontratë tjetër pune, duke e arsyetuar se nuk përmbush nevojat e tij. Kjo kontratë duhet të paraqitet në zyrat e emigracionit.
Në këtë mënyrë, Serjani thekson se përgjegjësia i kalon punëdhënësit të ri.
Sipas AKPA, rreth 54% e totalit të lejeve të miratuara gjatë periudhës janar-qershor janë dhënë për sektorët e akomodimit dhe shërbimeve ushqimore. Shtetasit nga India, Filipinet, Turqia, Egjipti, Italia, Kina dhe Mjanmari përbëjnë rreth 62% të totalit të lejeve të miratuara.
Megjithë numrin në rritje të punonjësve të huaj, shumë pak prej tyre i raportojnë rastet e abuzimeve apo kufizimit të të drejtave në punë tek autoritetet. Inspektorati Shtetëror i Punës tha se gjatë vitit 2024 pati vetëm tre ankesa nga punonjës të huaj për shkelje të të drejtave në punë, krahasuar me nëntë të tilla të raportuara gjatë vitit 2023. Nga ankesat e shqyrtuara, tre u zgjidhën në favor të punonjësve, ndërsa në tre të tjera pretendimet për shkelje rezultuan të pabazuara.
67% e punonjësve të huaj që plotësuan pyetësorin e Citizens u shprehën se nuk do të donin të punonin më në të ardhmen në Shqipëri. Ata ushtronin profesione si elektricist, përkujdesje shtëpiake, fermerë, shpërndarës produktesh ushqimore dhe të tjera.
Haruna Moro nga Gana është një nga punonjëset e huaja që nuk e sheh të ardhmen në Shqipëri.
“Kushte të këqija pritëse,” tha ajo, duke shpjeguar se punon si pjatalarëse me një pagë prej rreth 350 eurosh në muaj.
Albin Gega, Drejtori i Përgjithshëm i Punësimit dhe Arsimit Profesional nga Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, tha se një nga sfidat kryesore të punonjësve të huaj në Shqipëri është mosnjohja e gjuhës shqipe ose e anglishtes, e cila kufizon aftësinë e tyre për të komunikuar me kolegët dhe drejtuesit.
“Në disa raste, kushtet e ofruara nuk janë në përputhje me pritshmëritë e tyre, sidomos për strehimin dhe sigurinë,” tha ai. “Gjithashtu, izolimi kulturor dhe social, si dhe mosnjohja e të drejtave ndikojnë në jetesën e tyre në vendin tonë,” shtoi Gega.
Gega nënvizoi se legjislacioni shqiptar për kriteret e pritjes dhe integrimin e shtetasve të huaj në struktura punësimi është huazuar nga Bashkimi Evropian.
“Shumë nga kriteret dhe kushtet e vendosura për hyrjen dhe qëndrimin për punësim të shtetasve të vendeve të treta në Republikën e Shqipërisë reflektojnë kushtet dhe kriteret e vendosura në Acquis e BE-së për imigrimin e punës,” tha ai.
Sipas Gegës, sfida për menaxhimin e fuqisë punëtore të huaj është e dyfishtë – si për punëdhënësit ashtu edhe për punëmarrësit, pasi shumë prej tyre largohen papritur nga vendi i punës pa njoftuar./Citizens.al
*Shënim: Dauda* është pseudonim për të mbrojtur identitetin e personit.
Rrëzimi i regjimit të Assad/ NATO: Rusia dhe Irani ndajnë përgjegjësi për krimet kundër popullit sirian
Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s Mark Rutte u shpreh optimist pas zhvillimeve të fundit në Siri, duke bërë thirrje për tranzicion paqësor të pushtetit dhe proces politik gjithëpërfshirës.
“Ky është një moment gëzimi, por edhe pasigurie për popullin e Sirisë dhe rajonit. Shpresojmë për një tranzicion paqësor të pushtetit dhe një proces politik gjithëpërfshirës në të cilin fjalën e parë do ta kenë sirianët”, tha Rutte në një deklaratë.
Ai theksoi gjithashtu nevojën që udhëheqësit rebelë sirianë të mbështesin sundimin e ligjit, të mbrojnë civilët dhe të respektojnë pakicat fetare gjatë tranzicionit.
Në të njëjtën kohë, ai kritikoi Rusinë dhe Iranin, si mbështetësit kryesorë të regjimit të rrëzuar të Bashar al-Asad, për rolet e tyre në luftë dhe tha se Rusia dhe Irani e braktisën Asadin kur ai nuk u shërbente më interesave të tyre.
Rutte shtoi se Moska dhe Teherani ndajnë përgjegjësinë për krimet e kryera kundër popullit sirian.
Si mund të trajtohet dhuna me bazë gjinore në Ballkanin Perëndimor
Nga XIAOQING YU
Drejtoreshë e Bankës Botërore për Ballkanin Perëndimor
Ndjehem thellësisht e shqetësuar nga titujt e mediave që vijnë se fundmi nga Ballkani Perëndimor, të cilët zbulojnë statistika alarmante mbi përhapjen e dhunës në familje dhe dhunës ndaj grave.
Përmes këtij shkrimi, do doja të bashkohem me miliona njerëz në mbarë botën që po marrin pjesë në 16 Ditët e Aktivizmit Kundër Dhunës me Bazë Gjinore, duke mbrojtur këtë çështje jetike.
Dhuna me bazë gjinore është një problem i përhapur që tejkalon kufijtë, duke prekur globalisht, çdo rajon. Mesatarisht, një grua humb jetën për shkak të dhunës me bazë gjinore çdo 10 minuta në botë dhe trendi është përkeqësuar vitet e fundit. Edhe pse Ballkani Perëndimor nuk i tejkalon mesataret globale, ai ende përballet me sfida të rëndësishme.
Situata thekson nevojën urgjente për përmirësime gjithëpërfshirëse, pasi dhuna me bazë gjinore nuk është vetëm një çështje e të drejtave të njeriut, por përbën një pengesë madhore për zhvillimin.
Në Ballkanin Perëndimor, dhuna me bazë gjinore pengon arsimin, punësimin dhe mundësitë për të qënë pjesë e lidershipit. Sipas Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE), në Bosnjë dhe Hercegovinë, pothuajse gjysma e grave kanë përjetuar abuzim, ndërsa një përqindje tronditëse prej 84% e këtyre rasteve nuk raportohen. Për ta vendosur në kontekst, tre linjat aktive SOS të vendit kanë marrë 5,000 thirrje vetëm në nëntë muajt e parë të këtij viti – rreth një thirrje çdo 20 minuta.
Në Kosovë, studimet treguan se pothuajse një e treta e femrave të rritura kanë përjetuar ngacmime seksuale, dhe pothuajse gjysma e tyre e konsiderojnë dhunën në familje si një çështje private që duhet zgjidhur brenda familjes. Në Shqipëri, dy të tretat e grave dhe vajzave kanë përjetuar dhunë në takimet për njohje, ndërsa një e treta janë përballur me ngacmime seksuale. Tragjikisht, femicidi është i përhapur në Ballkanin Perëndimor, ku një në dy gra të vrara është viktimë e burrit ose partnerit të saj.
Rrugët për të Trajtuar Dhunën me Bazë Gjinore
Është inkurajuese të shohim njohjen dhe diskutimin në rritje të dhunës me bazë gjinore. Në mars të vitit 2023, organizatat e shoqërisë civile në vendet e Ballkanit Perëndimor u bashkuan për të ndërmarrë veprime, duke filluar nga monitorimi në gjykata i rasteve të femicidit dhe dhunës me bazë gjinore. Serbia, Shqipëria dhe Mali i Zi nisën përpilimin e një hartë interaktive që dokumenton femicidet që nga viti 2020, e cila rrit ndërgjegjësimin dhe nxit diskutime thelbësore.
Përtej përpjekjeve të shoqërisë civile, ndryshimet politike janë thelbësore për të avancuar barazinë gjinore dhe për të luftuar dhunën me bazë gjinore në rajon.
Së pari, është urgjente të forcohen përpjekjet për parandalim. Dëshmitë sugjerojnë se iniciativa si programet prindërore—të hartuara për të promovuar zhvillimin social dhe emocional të fëmijëve—dhe fushatat e synuara për ndërgjegjësim publik mund të fuqizojnë gratë ndjeshëm si dhe të sfidojnë normat gjinore të dëmshme. Këto iniciativa ndihmojnë në përmirësimin e marrëdhënieve gjinore, adresimin e pabarazive të rrënjosura dhe pajisjen e familjeve me aftësi për zgjidhjen e konflikteve dhe komunikimin jodhunues.
Së dyti, një përgjigje efektive ndaj dhunës me bazë gjinore duhet të përqendrohet në nevojat e të mbijetuarve dhe të integrohet në sektorët kyç. Sektori shëndetësor duhet të ofrojë mjedise të sigurta për të mbijetuarit për të patur kujdes mjekësor dhe mbështetje psikologjike. Sektori i arsimit mund të lehtësojë ndërhyrjet e hershme përmes programeve të bazuara në kopshte dhe shkolla që adresojnë dhunën si dhe të zbatojnë ndryshime në kurrikula për të sfiduar normat gjinore të dëmshme. Përmirësimet infrastrukturore, si transporti publik më i sigurt, gjithashtu mund të reduktojnë rreziqet dhe të rrisin lëvizshmërinë për gratë dhe vajzat.
Së treti, forcimi i sistemeve të menaxhimit të informacionit përmes digjitalizimit mund të përmirësojë koordinimin mes ofruesve të shërbimeve, të ndjekë rastet për të parandaluar përsëritjen dhe të përdorë analizat e të dhënave për të informuar politikat dhe strategjitë e parandalimit.
Në Bankën Botërore, ne jemi të përkushtuar për të përshpejtuar barazinë gjinore duke adresuar pengesat strukturore që përjetësojnë dhunën me bazë gjinore. Ne promovojmë mundësi ekonomike gjithëpërfshirëse dhe nxisim zhvillimin e kapitalit njerëzor për të siguruar rritjen e qëndrueshme dhe për të reduktuar varfërinë. Në Ballkanin Perëndimor, ne mbështesim në mënyrë aktive përpjekjet për të luftuar dhunën me bazë gjinore—nga trajnimi i personelit shëndetësor në Kosovë deri te promovimi i regjistrimit të pronave për gratë në Bosnjë dhe Hercegovinë dhe Serbi. Qëllimi ynë është të krijojmë një mjedis ku gratë dhe vajzat mund të ndjehen të fuqizuara për të kontribuar në shoqëri gjithëpërfshirëse.
“Lista me librat që duhet të zhduken nga qarkullimi”- Vendimi i Enver Hoxhës në 1975, si u persekutuan shkrimtarët
PROF. DR. ELMAS LECI/ Këtu te ne u zhvillua para pak ditësh Panairi i Librit, i bukur dhe i suksesshëm, por për ne që e kemi jetuar kohën e kaluar na kujtoi një kohë tjetër, vitin 1975, ku sipas dokumente arkivore u dha goditja nga regjimi i kohës ndaj kulturës e njerëzve të saj, u dha urdhri për heqjen nga qarkullimi të shumë librave “me kulturë borgjeze”, për grisjen prej shumë nga ata tituj librash, si dhe për fatin që patën më pas ata njerëz vetë të indoktrinuar që realizuan inkuizicion ndaj librit. Ishte koha që regjimi mendonte se duhej larguar vëmendjen nga një situatë e rëndë ekonomike brenda vendit, por dhe synimi i mbajtjes sa më gjatë të pushtetit. Për këto regjimi komunist i Enver Hoxhës organizoi goditjet më të fuqishme njërën pas tjetrës në një seri fushash të jetës, si në ekonomi, në ushtri, por edhe në kulturë e arte. Në këtë të fundit, furtuna ra mbi autorët dhe librat e tyre. Ato u bënë pre e persekutimeve, ndërsa librat dhe literatura u bënë veprim i djegieve masive, veprime që të kujtonin periudhën e nazizmit në Gjermani.
PAS USHTRISË, FRONTI I LUFTËS, KULTURA
Në vitin 1974, sipas dokumenteve arkivore, udhëheqja e kohës zbuloi dhe dënoni “grupin puçist” në Ushtri, ku tre gjeneralë, njëkohësisht tre drejtuesit kryesor të ushtrisë, Beqir Balluku, Petrit Dume e Hito Çako, muaj më pas, u pushkatuan. Njëkohësisht, si pjesëtarë të këtij “grupi armiqësor”, dhjetëra gjeneralë e oficerë të tjerë madhorë u dënuan me burgime të gjata e internime familjare. Ishte koha ku vendi përballej me një izolim të paparë e total ndërkombëtar dhe “grupet armiqësore” në vend do të ndiqnin njëri-tjetrin. Radhën e pati “grupi armiqësor” në kulturë, ku drejtues të kësaj fushe e krijues të njohur si Fadil Paçrami, Todi Lubonja, Dashnor Mamaqi etj., do të përfundonin në pranga e do të dënoheshin, gjithashtu, me burgime të gjata. Ndërsa Festivali i 11-të i Këngës në Radio-Televizion, shënoi një ndëshkim masiv jo vetëm ndaj tendencave bashkëkohore në muzikë e art, por dhe ndaj krijuesve e interpretuesve më në zë të fushave të ndryshme të artit e të kulturës në vend.
FURTUNË MBI LIBRAT DHE KRIJUESIT
Në vitin 1975, sipas dokumenteve arkivore dhe dëshmive, Enver Hoxha dhe udhëheqja e kohës ndërmarrin një hap tjetër për thellimin e luftës ndaj krijuesve e ndaj librit. Kështu, sipas arkivave zyrtare (AQSH, ”Vendimi për heqjen e librave nga qarkullimi”, viti 1975, një vendim i posaçëm u dërgohet ishKomiteteve të Partisë së Punës së Rretheve për zbatim. Ky vendim, shoqërohej me një listë për heqjen e shumë librave nga qarkullimi. Më parë ishte dhënë goditja ndaj njerëzve të kulturës, arsimit dhe artit, ndërsa kjo ndaj librit ishte goditje në vijim e thellim. Librat e Frederik Rrepshjes përfundojnë me tituj, të udhëzuar për t’u kthyer në karton. Shkaku ishte “për faj të qëndrimit të autorit”. Si ky ishin edhe shumë shkrimtarë të tjerë, si dhe komunistë, të cilët në vitin 1975 përfshihen në Qarkoren e Ministrisë së Arsimit dhe Kulturës mbi heqjen e librave nga qarkullimi. Ky vendim i përcillet gjithë ministrive dhe institucioneve të tjera qendrore, bibliotekave dhe ndërmarrjes së librit.
Cili ishte shkaku i zhdukjes së këtyre librave?
Edhe pse i paprecedent në të gjithë Europën, përfshi edhe vendet e Lindjes, siç del nga urdhri shtetëror (pas vendimit përkatës të Byrosë Politike), udhëheqja nuk e fsheh shkakun dhe qëllimin e ndëshkimit të rëndë ndaj krijuesve (me mohim të së drejtës të botimit, internime, burgime e deri ekzekutime) si dhe ndaj librit (me bllokime, magazinime e deri asgjësime): “Autorët – thuhej ne qarkore-nuk përkrahin vijën e Partisë në krijimtarinë e tyre, ndërsa librat janë të dëmshëm në edukimin komunist të masave!”. Urdhri qarkore jepte deri dhe hollësi e detaje të veçanta. Sipas tij, për të gjithë librat që do të fshihen nga qarkullimi udhëzohej të ruheshin të mbyllura në Bibliotekën Shtetërore në fond të rezervuar, ndërsa libraritë dhe bibliotekat e kategorive të tjera t’i dorëzonin ato lloje librash me proces-verbal të rregullt në Degët e Librit dhe të Filmit në rrethe, të cilat po me proces-verbal i dorëzonin për karton. Urdhri për djegien e librave
Urdhri për djegien e librave
Pas vendimit të posaçëm të ish-Komitetit Qendror të Partisë së Punës (AQSH, po aty), del Qarkorja e Ministrisë së Arsimit dhe Kulturës e firmosur nga zëvendësministri Mantho Bala. Në fakt, urdhri apo qarkorja e firmosur nga titullari i Arsimit, është i njëjti vendim që ka marrë Byroja Politike e Partisë Punës së Shqipërisë. Për fat të keq, ashtu siç kishte ndodhur dhe më parë e do të ndodhte dhe me “armiq” të tjerë në të ardhmen, edhe Mantho Bala, firmosësi i këtij vendimi, do të kishte fatin e dhimbshëm, atë të ndëshkimit. Ja teksti i plotë i Qarkores, marrë nga arkivat zyrtare, (AQSH. “Vendimi për heqjen e librave nga qarkullimi”, viti 1975) të kohës: Republika Popullore e Shqipërisë
Ministria e Arsimit, Drejtoria e Botimeve, Nr.3237 Prot., Tiranë, më 15.09.1975, Lënda: Heqje librash nga qarkullimi. Komitetit Ekzekutiv të KP të Rrethit (seksionit te arsimit). Gjithë ministrive dhe institucioneve të tjera qendrore.
Drejtorisë së Përgjithshme të PTT-s.
Bibliotekave Qendrore, Ndërmarrjes së Librit Tiranë. Të hiqen nga qarkullimi librat e poshtëshënuara:
1. A.Këllezi: Fjala e mbajtur në Kongresin e V të PPSH, 1966
2. A.Këllezi: Rritja e rendimentit të punës dhe forcimi i disiplinës shtetërore. Diskutim në Kongresin e I-rë të PPSH, 1971
3. K.Theodhosi: Fjala e mbajtur në Kongresin e IV të PPSH, 1961
4. K.Theodhosi: Fjala e mbajtur në Kongresin e V të PPSH, 1966
5. K.Theodhosi: Industria Mekanike dhe progresi teknik. Diskutim në Kongresin e VI të PPSH, 1971
6. K.Theodhosi: Raport i mbajtur në Plenumin e III-të të PPSH, 1967
7. R.Xhangolli: Fronti demokratik, armë e fuqishme në duart e Partisë për ndërtimin e socializmit dhe për mbrojtjen e masave. Kumtesë në Konferencën Kombëtare të Studimeve Shoqërore, seksioni i Historisë së PPSH-së, 1973
8. Të gjithë librat ku përmenden Abdyl Këllezi, Koço Theodhosi dhe Ramadan Xhangolli.
9. A.Zaka: “Buzë dashurive”, 1972 (për shkak të qëndrimit të autorit)
10. Frederik Rreshpja: “Në këtë qytet”, “Rapsodi shqiptare”, “Erenda”, “Trofta hutaqe”, “Trimi i fshatit të Bardhë”, “Zëri i largët i kasolles” (për shkak të qëndrimit të autorit)
11. “Bredhi i bardhë”, 1971 (përmban një tregim të T.Lubonjës i dënuar për faje politike)
Këto libra, Bibliotekat Shtetërore të Rretheve t’i mbajnë në fond të rezervuar, ndërsa libraritë dhe bibliotekat e kategorive të tjera t’i dorëzojnë me proces-verbal të rregullt në Degët e Librit dhe të Filmit në rrethe, të cilat po me proces-verbal t’i dorëzojnë për karton. Zëvendësministri Mantho Bala
Vazhdon lufta ndaj librit dhe krijuesve
Pas kësaj Qarkoreje të firmosur nga zëvendësministri, Mantho Bala, precedenti dënoi edhe Manthon, edhe ministrin e arsimit Thoma Deliana dhe gjithë stafin drejtues apo politik të Ministrisë së Arsimit dhe Kulturës. Kështu e pësuan edhe shumë nga njerëzit e artit e të kulturës. Persekucion, internim, dënim, shkatërrim. Dhe kjo histori përsëritej, sa herë që Partia dhe Sigurimi i Shtetit komunist “zbulonin armiq të rinj”, “tradhtarë” dhe të “shitur” tek imperializmi dhe social-imperializmi. Ata lloje njerëzish përfunduan në burgje, internime, madje edhe në vrasje, ndërsa librat e botuar prej tyre digjeshin me vendime të turpshme, si në kohën e Inkuizicionit mesjetar. Ndër ndëshkimet më të rënda në art e kulturë mbeten pushkatimi i dy poetëve, Vilson Blloshmi e Genc Leka, si dhe varja e tërheqja zvarrë nëpër qytet e poetit kuksian, Havzi Nela.
/Gazeta Panorama
Presidenti ukrainas bën bilancin e konfliktit të përgjakshëm: 43,000 ushtarë janë vrarë gjatë luftës me Rusinë
Rreth 43,000 ushtarë ukrainas janë vrarë që nga fillimi i luftës Rusi-Ukrainë, thotë presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, teksa pranon se numri i të vrarëve është shtuar kohët e fundit.
Në një postim në mediat sociale, presidenti ukrainas tha se janë raportuar 370,000 të lënduar, megjithëse kjo shifër përfshin edhe ushtarë që janë lënduar më shumë se një herë gjatë luftimeve.
Zelensky pohoi gjithashtu se 198,000 ushtarë rusë janë vrarë dhe 550,000 të tjerë janë plagosur, raporton BBC.
Ndërsa Kievi dhe Moska kanë publikuar rregullisht vlerësimet e humbjeve të palës tjetër, ata kanë hezituar të flasin me detaje për bilancin në vendin e tyre.
Shifra e re shënon një rritje të konsiderueshme të vdekjeve në Ukrainë që nga fillimi i vitit.
Hera e fundit që Zelensky dha një përditësim mbi viktimat e Ukrainës ishte në shkurt, kur ai vlerësoi vdekjet në 31,000.
Presidenti ukrainas mendohet se u detyrua të fliste për numrin e të vrarëve, pasi presidenti i zgjedhur i SHBA-së, Donald Trump, shkroi në mediat sociale se Ukraina kishte “humbur në mënyrë qesharake” 400,000 ushtarë, ndërsa rreth 600,000 rusë ishin vrarë ose plagosur”.
Presidenti i ardhshëm, i cili prej kohësh e ka bërë të qartë se dëshiron t’i japë fund luftës, tha se shumë jetë janë “shkatërruar pa nevojë”.
Vlerësimet e Zelenskyt për humbjet ruse janë të ngjashme me ato të dhëna nga zyrtarë të lartë perëndimorë, të cilët vlerësojnë se Rusia ka pësuar rreth 800,000 viktima, të vrarë dhe të plagosur.
Ministria e Mbrojtjes e Mbretërisë së Bashkuar thotë se Rusia pësoi 45,680 viktima vetëm në nëntor – më shumë se çdo muaj që nga fillimi i pushtimit të saj në shkallë të plotë në shkurt 2022.
Sipas vlerësimeve të fundit të Inteligjencës Mbrojtëse të Mbretërisë së Bashkuar, mesatarisht 1,523 ushtarë rusë vriten dhe plagosen çdo ditë.
Përgjimet në “Sky ECC”/ EUROPOL i dorëzon Greqisë 4500 dosje! Pritet të zbardhen skemat dhe krimet e bandave kriminale, mes tyre dhe shqiptarë
Europol i ka dorëzuar autoriteteve greke plot 4500 dosje që kanë të bëjnë me komunikimet e anëtarëve të bandave kriminale në Greqi.
Hetimet në Greqi treguan se një pjesë e rëndësishme e anëtarëve të bandave ishin shqiptarë, të cilët vepronin me botën e krimit për trafikim të lëndëve narkotike por edhe krime që kanë të bëjnë me vrasje.
Komunikimet e pjesëtarëve të bandave u zbuluan falë përgjimeve të mesazheve në platformës Sky ECC.
Lajmi është bërë publik nga gazeta greke “Ta NEA”, sipas së cilës pritet të hidhet dritë mbi çështje që kanë të bëjnë me vrasjet, drogën, armët, gjobvënien dhe trafikun e klandestinëve.
Në këto 4500 dosje, sipas së njëjtave burime, janë rreth 25.000 mesazhe të shkëmbyera mes personazheve të krimit, ku një pjesë të rëndësishme e zënë shqiptarët.
Hetimi është kompleks dhe i gjatë, si në rastin e goditjes së një grupi shqiptaro-grek të trafikut të drogës, për të cilin u zhvilluan rreth 9 muaj hetime që përfunduan me dhjetëra arrestime pak ditë më parë.
Ndërkohë “Kathimerini” ka arritur të sigurojë dhe fotografi të shkëmbyera gjatë komunikimeve në një dosje të hetuar, që çoi në arrestimin e një oficeri grek policie dhe dy trafikantëve droge, një shqiptar e një grek.