27.5 C
Tirana
E diel, 22 Qershor, 2025

Ish-ministri i Drejtësisë i Kosovës deklarohet i pafajshëm para Gjykatës Speciale: Sot është një prej momenteve të errëta për mua

Ish-zëvendëskryeministri dhe ish-ministri i Drejtësisë i Kosovës, Hajredin Kuçi, është deklaruar i pafajshëm në paraqitjen e parë të hënën para Gjykatës Speciale, rreth aktakuzës së ngritur ndaj tij për ndikimin mbi dëshmitarët lidhur me një rast tjetër që ndiqet penalisht në këtë gjykatë.

 

“Jam plotësisht i pafajshëm. Sot është një prej momenteve të errëta për mua si njeri i drejtësisë, që e ka profesion dhe mision tërë jetën, dhe jam identifikuar me drejtësi”, ka thënë Kuçi në fjalën e tij para gjykatës, duke shtuar se aktakuzën e konsideron si “prekje të dinjitetit”.

“Drejtësinë si profesion dhe mision do ta vazhdoj edhe nga sot, edhe në një pozitë tjetër, por prapë në funksion të saj dhe të vlerave që jam identifikuar. Më vjen keq për shqetësimet që ua ka bërë kjo akuzë anëtarëve të familjes sime”, ka thënë mes tjerash Kuçi.

“Unë nuk kam bërë asnjë vepër penale. Unë jam i pafajshëm dhe kam besim të plotë se do të lirohem nga akuzat. Në aktakuzë jam me presidentin, Hashim Thaçi. Më lejoni të them se Hashimin e kam mik, njihemi që vite të gjata dhe kemi punuar gjatë. Kemi punuar dhe udhëhequr mbi parimin e drejtësisë, respektimit të saj dhe kemi besuar në drejtësi”.

Prokuroria ka thënë se me vonë gjatë ditës do të bëjë kërkesë që Kuçit t’i ndalohet komunikimi me personat që janë pjesë e aktakuzës, dhe persona tjerë që dyshohen se kanë lidhje me rastin.

Gjyqtarja e procedurës paraprake, Marjorie Masselot, ka thënë se do të marrë vendim pas parashtrimit të kërkesës.

Pjesë e aktakuzës janë edhe ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ish-kryetari i Malishevës, Isni Kilaj, ish-shefi i Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë, Bashkim Smakaj, dhe Fadil Fazliu.

Kilaj do të paraqitet në gjykatë më vonë gjatë ditës. Thaçi dhe Smakaj nuk janë deklaruar një ditë më parë për akuzat që rëndojnë ndaj tyre, ndërsa Fazliu është deklaruar i pafajshëm.

Të akuzuarit pranë Dhomave të Specializuara kanë afat që brenda 30 ditësh të deklarohen rreth akuzave.

Gjykata Speciale është institucion që funksionon sipas ligjeve të Kosovës, por selinë e ka në Hagë të Holandës.

Kilaj, Smakaj dhe Fazliu janë arrestuar më 5 dhjetor, dhe një ditë më vonë janë dërguar në qendrën e paraburgimit në Hagë.

Ndaj Kuçit është lëshuar fletëthirrje për t’u paraqitur para Dhomave të Specializuara të Kosovës, me seli në Hagë.

Në aktakuzën e re, Thaçi ngarkohet me tri akuza për tentativë për pengim të personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare, me anë të pjesëmarrjes në veprimin e përbashkët të një grupi; katër akuza për shkelje të fshehtësisë së procedurës, dhe katër akuza për mosbindje ndaj gjykatës.

Fazliu, Smakaj dhe Kilaj akuzohen për tentativë për pengim të personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare, me anë të pjesëmarrjes në veprimin e përbashkët të një grupi, dhe për mosbindje ndaj gjykatës.

Kuçi përballet me dy akuza për mosbindje ndaj gjykatës. Thaçi akuzohet se bashkërendoi “tri grupe të veçanta” së bashku me Smakajn, Kilajn, Kuçin dhe Fazliun për të ndikuar në dëshmitë e dëshmitarëve të Prokurorisë në rastin kundër tij dhe të tjerëve për krime lufte.

Aktakuza pretendon se veprat penale kundër administrimit të drejtësisë janë kryer nga 12 prilli 2023 deri më 2 nëntor po atij viti, gjatë vizitave jo të privilegjuara në objektin e paraburgimit në Hagë mes Thaçit dhe personave të tjerë të akuzuar.

Dhomat e Specializuara të Kosovës deri më tani kanë shpallur dy aktgjykime për pengim në administrim të drejtësisë.

Dy ish-figura të Organizatës së Veteranëve të UÇK-së, Hysni Gucati dhe Nasim Haradinaj, janë dënuar për pengimin e drejtësisë deri tani.

Ndërkohë, Specialja ka shqiptuar edhe dy aktgjykime për krime lufte.

Gjykata Speciale u themelua në vitin 2015 nga Kuvendi i Kosovës dhe është pjesë e sistemit gjyqësor të Kosovës, por vepron me personel ndërkombëtar dhe ka selinë në Hagë.

Dhomat e Specializuara dhe Zyra e Prokurorit të Specializuar – që njihen edhe si Gjykata Speciale – hetojnë krimet e pretenduara të pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të kryera kundër pakicave etnike dhe rivalëve politikë që nga janari i vitit 1998 deri në dhjetor të vitit 2000.

Droja nga frikësimi i dëshmitarëve ishte një prej arsyeve pse kjo gjykatë e Kosovës ndodhet në Hagë dhe jo në Prishtinë, “marrë parasysh se bëhet fjalë për çështje të ndjeshme dhe për faktin se disa nga të dyshuarit në pjesë të caktuara të shoqërisë kosovare mund të konsiderohen si luftëtarë të lirisë”, thuhej në komunikatën e Qeverisë së Holandës, të lëshuar qysh në vitin 2016, kur ishte vendosur për këtë gjykatë./REL/

Ulen temperaturat/ Reshje të dendura dëbore në Bulqizë

Reshjet e dendura të shiut mbrëmjen e kaluar kanë sjelle reshje dëbore dhe temperatura të ulëta në Bulqizë.

Reshjet e dëborës kanë filluar në lartësinë 700 metra mbi nivelin e detit, teksa raportohet se ka patur reshje edhe në afërsi të minierave të Zonës D, si dhe tek minierat e Tërnovës dhe ato të Martaneshit.

Momentalisht nuk raportohet për problematika në qarkullim. Rrugët e minierave ku bëhet transporti i minierave gjithashtu janë të kalueshme pa probleme.

Aksident me vdekje në aksin Lushnjë-Rrogozhinë, makina përplas këmbësorin, ndërron jetë 79-vjeçari

Një 79-vjeçar ka ndërruar jetë si pasojë e një aksidenti të ndodhur në aksin Lushnjë-Rrogozhinë.

I moshuari është përplasur nga një automjet dhe nuk i ka mbijetuar dot plagëve. duke ndërruar jetë në vendngjarje.

Njoftimi i policisë:

Fier/ Informacion paraprak

Rreth orës 08:20, në aksin rrugor “Lushnjë-Rrogozhinë”, shtetasi H. F., 27 vjeç, duke drejtuar automjetin, ka përplasur këmbësorin, shtetasin A. F., 79 vjeç.

Si pasojë e përplasjes shtetasi A. F., ka ndërruar jetë në vendngjarje.

Drejtuesi i automjetit, shtetasi H. F., u shoqërua në Komisariat për veprime të mëtejshme.

Grrupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe po punon për sqarimin e plotë të rrethanave të aksidentit.

Është “radha jonë”!

Nga Alban Daci 

Po qarkullon kohët e fundit kjo shprehje që nënkupton se: Ramës po i mbaron radha e prandaj duhet ta marrin këta! Për këta që kanë qenë e duan të vijnë përsëri pushtetin e kuptojnë si çështje radhe!

Pra, e merr pushtetin se të vjen radha dhe duhet t’a lësh pushtetin nëse radha mbaron! Ngjanë pak si dikur me radhën për qumështin e kjo dëshmon faktin se nuk janë shëruar nga mendësia e radhës!
Pushteti kështu është si çështje eskluzive vetëm e tyre, që e lënë dhe e marrin me radhë e me marrveshje mes vetit!

Këta në radhë për pushtet prej 34 vitesh e shqiptarët në radhë për punë, për t’u larguar, në radhë për varfëri, në radhë për të paguar, në radhë për të marr pensionet apo bonusin e famshëm!

Nuk di ndonjë Opozitë në vendet demokratike të shprehet se tani është radha e tyre për pushte! Pra, me konceptin e radhës, këta nuk janë munduar kurrë t’a rrëzojnë Ramën para, sepse paskan pritur radhën!
Prandaj, Rama paska qenë i qetë se ju paska thënë prisni të mbarojë radha ime e do vijë radha juaj! Mirë se këta po presin prej gjithë kësaj kohe radhën nga Rama, por nuk jam i sigurt nëse ky i fundit është i vetëdijshëm se radha e tij është drejt fundit!
Në fakt këta që presin radhën e kanë bërë edhe shumë herë të tjera në këto 34 vite, e kanë pritur dhe marrë radhën në 92, ’96, 2005, 2009 dhe pastaj e humbën në 2013!

A duhet të ketë ndonjë fund ky cikli i radhëve për pushtet në Shqipëri?

Shqipëria ka nevojë vetëm për një radhë pushteti që funksion me marrëveshje apo për një rotacion real elitash dhe pushteti?

A ka kuptim më që shqiptarët në radhë për hallet e tyre që nuk ndryshojnë në gjithë këto vite të presin radhën e këtyre që e kanë pasur dhe nuk kanë sjellë asgjë të re?

A duhet të ketë ndonjë model, kauzë apo një linjë reale arsye e marrjes së pushtetit apo duhet të jetë çështje radhe? Nëse këto e konsiderojnë marrjen e pushtetit si çështje radhe a është një pushtet vetëm në shërbimin e interesave të tyre duke shpërfillur aspiratat reale të shqiptarëve?

Nuk e di nëse shqiptarët do e pranojnë me këtë “radhën” e pushteti mes dy kategorive që kanë 34 vjet që pushtetin e ndajnë po me radhë dhe me marrveshje mes vetit!

Deri sa do të zgjasë kjo drejtësi?

Nga Ervis Iljazaj

Sot në mediat shqiptare mbizotëronte lajmi se bashkëshortes së kryetarit të bashkisë Tiranë i është sekuestruar telefoni. Një emër tjetër “big” i politikës shqiptare që ka të bëjë me organin e ri të drejtësisë SPAK.

Për 33 vite me radhë raporti midis drejtësisë dhe politikës ka qenë vetëm në një drejtim. Ka folur politika dhe drejtësia ka heshtur. Nuk ka asnjë dyshim se gjatë tranzicionit politika ka bërë çmos që ka patur në dorë për ta dominuar drejtësinë dhe për ta kontrolluar atë, dhe ia ka dalë. Fakt është që pothuajse për 30 vite me radhë drejtësia ka hetuar pak ose aspak njerëz me pushtet. Rastet mund të numërohen me gishtat e njërës dorë.

Ndërsa sot, kemi një situatë totalisht të përmbysur. Sot është drejtësia ajo që po ndikon politikën. Po e ndikon me hetimet dhe arrestimet që po kryen. Lajmet e vetme politike që vijnë sot janë lajme që vijnë nga SPAK. Politika shqiptare nuk prodhon më asgjë. Në këtë kuptim ajo që po prodhon politikë është SPAK.

Rasti i fundit është ai i arrestimit të Ilir Metës i cili njëkohësisht shënon dhe fundin e tij politik. Pa hyrë në detaje se si u arrestua dhe përmbajtjes së dosjes, ajo që vlen për t’u përmendur është se si rinovimi i klasës politike shqiptare po vjen nëpërmjet drejtësisë. Shpesh herë ne mundohemi që nëpërmjet një rasti të caktuar të shpjegojmë fenomenin SPAK, ndërsa e kundërta duhet bërë. Nëpërmjet fenomenit SPAK duhet të shpjegojmë rastet e caktuara.

SPAK është Prokuroria Speciale. Nga vetë emri kuptohet që ka një mision special, i cili është hetimi i klasës politike 34 vjeçare. Të gjithë e dinë këtë, dhe ata që e votuan vetë me unanimitet Reformën në Drejtësi. Kudo që është ngritur një prokurori e tillë, është bërë me qëllimin për të hetuar klasën e vjetër politike dhe për ta rinovuar atë. Pasi klasa politike për një kohë të gjatë dështon të ripërtëritet me mjete politike apo me vullnet politik, sigurisht që do të ndërtohen mjete të tjera për ta bërë atë. Dhe në Shqipëri po ndodh ajo çfarë ka ndodhur në shumë vende të rajonit dhe përtej tij.

Se kur do vijë radha e njërit apo tjetrit politikan kjo pak rëndësi ka. E rëndësishme është të shkojmë te thelbi. Dhe thelbi i kësaj gjykate speciale, prandaj quhet e tillë, është pikërisht thyerja e paprekshmërisë së njerëzve me pushtet. Sot çdo njeri me pushtet politik në Shqipëri mund të hetohet dhe kjo nuk përbën aspak habi.

Parakalimi i pushtetarëve përpara SPAK tashmë është bërë normalitet. Një gjë e cila vetëm disa vite më parë dukej një utopi.

A është kjo një drejtësi e kulluar? Sigurisht ky është një diskutim i rëndësishëm, por zakonisht rastet nuk e shpjegojnë fenomenin, fenomeni shpjegon rastin. Mbipushteti 33 vjeçar i politikës solli mbipushtetin e drejtësisë sepse ekstremet sjellin ekstreme. Ne kemi patur një klasë politike ekstremisht të pushtetshme e cila solli dhe pushtetin dhe mbipushtetin ndoshta të drejtësisë.

Në të gjitha vëndet e botës, sa herë që klasa politike nuk rinovohet me mjete klasike, ajo rinovohet me mjete të tjera, një ndër to është drejtësia. Normale do të ishte që klasa politike shqiptare të rinovohej nëpërmjet zgjedhjeve apo procesve politike, ashtu sikurse ka ndodhur të gjitha vëndet e ish-lindjes komuniste. Për sa kohë kjo nuk ndodh, ajo vjen me mënyra të tjera. Insistimi i politikës shqiptare për të qëndruar në pushtet përjetësisht është padyshim një nga arsyet se po i çon ata përpara drejtësisë.

Drejtësia e sotme sigurisht nuk mund të jetë e kulluar, por askush në politikën shqiptare, nga kryeministri e deri te punonjësit e thjeshtë të administratës, nuk është i lumtur./Liberale.al

Kur bien diktatorët/ Nga Gaddafi te Assad, fati i sundimtarëve arabë që mendonin se ishin të paprekshëm!

Si shumë diktatorë, mbretërit dhe sundimtarët ushtarakë në mbarë botën arabe nuk e kishin idenë se qeveritë e tyre shtypëse do të arrinin një pikë kritike dhe do të preknin fundin.

Pakënaqësitë popullore dhe kryengritjet rebele sollën ndryshime drastike dhe rrezmin e autokratëve. Por cili ishte fati i disa prej diktatorëve më mizorë të botës arabe?

 -Presidenti Zine al-Abidine Ben Ali (Tunizi, u rrëzua nga pushetit pas 23 vitesh qeverisje)

Kur bien diktatorët/ Nga Gaddafi te Assad, fati i sundimtarëve

Ish-presidenti i Tunizisë, i cili sundoi për 23 vjet, ishte një nga autokratët e parë që u rrëzua. Zine al-Abidine Ben Ali u arratis me familjen e tij në Arabinë Saudite në janar 2011 pas një muaji protestash antiqeveritare në vendin e Afrikës veriore që shkaktuan pranverën arabe. Ben Ali u dënua në mungesë me burgim të përjetshëm për rolin e tij në vdekjen e demonstruesve. Pas vitesh trajtimi për kancerin e prostatës, Ben Ali vdiq në 2019, në moshën 83-vjeçare.

Presidenti Hosni Mubarak (Egjipt, u rrëzua nga pushteti pas 30 vitesh qeverisje)

Kur bien diktatorët/ Nga Gaddafi te Assad, fati i sundimtarëve

Duke qeverisur Egjiptin për tre dekada, Hosni Mubarak ishte lideri i dytë arab që u rrëzua nga protestat e vitit 2011. Ai dha dorëheqjen më 11 shkurt të atij viti pas demonstratave masive në sheshin Tahrir të Kajros dhe në të gjithë vendin.

Mubarak, i cili mori pushtetin në vitin 1981 pas vrasjes së Anwar Sadat , udhëhoqi vendin më të populluar në Lindjen e Mesme me një kontroll ndëshkues, duke përdorur mbikëqyrje të thellë shtetërore dhe miqësi, zakonisht me mbështetjen perëndimore.

Pas një gjyqi që pushtoi kombin, Mubarak u burgos përjetë në vitin 2012 për komplot për vrasjen e protestuesve, por më vonë u shpall i pafajshëm. Ish-komandanti i forcave ajrore vdiq në shkurt 2020.

-Presidenti Ali Abdullah Saleh (Jemen, u rrëzua nga pushteti dhe më vonë u vra, pas 30 vitesh qeverisje)

Kur bien diktatorët/ Nga Gaddafi te Assad, fati i sundimtarëve

Pavarësisht nga një kryengritje popullore mbarëkombëtare, Ali Abdullah Saleh, presidenti i Jemenit në pushtet që nga viti 1980, arriti të qëndrojë për disa muaj në vitin 2011. Ai vazhdimisht pretendonte se do të largohej, ndërsa ndërmjetësonte marrëveshje me elitën e vogël të vendit dhe qeveritë e huaja.

Pas nëntë muajsh protestash masive dhe një sulmi me bombë në pallatin e tij që e la atë të djegur rëndë dhe të shtrirë në shtrat, Saleh pranoi t’i transferonte kompetencat e tij zëvendëspresidentit në këmbim të imunitetit nga ndjekja penale. Në vitet në vijim, ai luftoi një luftë civile shkatërruese përpara se të vritej nga rebelët Houthi – një fraksion i ish-armiqve që u bënë aleatë – pasi ata thanë se ai u kundërpërgjigj atyre.

 -Muammar Gaddafi (Libi, u rrëzua nga pushteti dhe u vra mizorisht nga rebelët pas 42 vitesh qeverisje)

Kur bien diktatorët/ Nga Gaddafi te Assad, fati i sundimtarëve

I forti dhe sundimtari i gjatë i Libisë prej 42 vitesh, Muammar Gaddafi, ishte lideri i parë që u vra pas trazirave të pranverës arabe. Duke iu përgjigjur një kryengritjeje pro-demokracisë me vdekje dërrmuese, koloneli i merkurit që fitoi famë botërore për narcizmin e tij e zhyti vendin e tij në një luftë të përgjakshme civile tetë-mujore. Duke i quajtur kritikët e tij “mijtë”, Gaddafi dërgoi forca për të sulmuar qytetin lindor të Bengazit, i cili ishte revoltuar. Si përgjigje, NATO vendosi një zonë ndalim-fluturimi mbi vend, duke u koordinuar me forcat rebele. Më 20 tetor 2011, Gaddafi, ende duke luftuar një luftë dukshëm të humbur në shtëpinë e tij stërgjyshore, Sirte, u kap dhe u vra . Ai ishte 69 vjeç.

 -Presidenti Bashar al-Assad (Siri, u rrëzua nga pushteti pas 25 vitesh dhe u arratis në Moskë)

Kur bien diktatorët/ Nga Gaddafi te Assad, fati i sundimtarëve

I mbështetur nga policia sekrete famëkeqe brutale e Sirisë, Bashar al-Assad besohej në fillim të vitit 2011 se ishte një autokrat i aftë për të shtypur mospajtimin publik të frymëzuar nga pranvera arabe përpara se të merrte ritmin. Megjithatë, Assad nënvlerësoi popullin e tij, dhe megjithëse u desh më shumë kohë për t’u shfaqur, protesta të vogla paqësore u përhapën shpejt. Si kundërpërgjigje, mjeku okular i kthyer në diktator nisi një goditje të përgjakshme, duke ndezur një luftë civile. Me forcat e tij që bombarduan spitalet dhe furrat e bukës, si dhe sulmet me armë kimike, udhëheqësi sirian arriti të mbajë titullin e tij me ndihmën e rëndësishme ushtarake dhe financiare të aleatëve të tij në Moskë dhe Teheran. E gjithë kjo për t’u rrëzuar nga pushteti 13 vite më vonë, ku më 8 dhjetor 2024, u detyruar të lerë Sirin dhe të arratisej në Rusi, pasi rebelët morën pushtetin.

VIDEO/ “Mace e zezë” për Napolin, Lacio mposht sërish skuadrën e Kontes dhe futet fuqishëm në garën për titullin kampion

Lacio është shndërruar në një “mace të zeze” për Napolin në këtë edicion. Pasi e eliminuan nga Kupa e Italisë, 3 ditë më parë, kryeqytetasit e Baronit, i dhanë një tjetër “leksion” skuadrës së Antonio Kontes, duke i mposhtur me rezultatin 0-1 në stadiumin “Diego Armando Maradona”. 

Goli i Isaksen në minutën e 79-të, i dhuroi 3 pikë të arta Lacios, e cila tashmë futet fuqishëm në garën për titullin kampion, teksa e shikon veten në vendin e pestë me vetëm 3 pikë diferencë nga Atalanta kryesuese.  

Ky ishte triumfi i 10-të në 15 javë për Lacion, ndërsa për Napolin ishte disfata e 3-të, me skuadrën e Kontes që tashmë kanë humbur edhe kryesimin.  

Në duelin e radhës që do të zhvillohet në datën 16 dhjetor, Lacio do të presë Interin, ndërkohë që Napoli luan në transfertë ndaj Udinezes.  

FT NAPOLI-LACIO 0-1

Isaksen 79′

Goli spektakolar i Isaksen realizuar në portën e Meret (VIDEO) 

Shtylla i mohon golit futbollistit të Napolit Anguisa (VIDEO)

Traversa e goditur nga Dele-Bashiru (VIDEO)

FORMACIONET ZYRTARE

Napoli (4-3-3) – Meret; Di Lorenco, Rrahmani, Buonxhorno, Olivera; Anguisa, Lobotka, MekTominej; Politano, Lukaku, Kvaratskhelia.
Trajner: Antonio Konte

Lacio (4-2-3-1) – Provedel; Marusiç, Gila, Romanjoli, Tavares; Dele-Bashiru, Guenduzi; Isaksen, Dia, Zakanji; Kastejanos.
Trajner: Marko Baroni

Për të humbur në peshë gjatë dimrit ju duhet kjo vitaminë

Mes Vitaminave, disa janë më të rëndësishmet në kohë të caktuara të vitit. Gjatë stinës së dimrit sidomos, vitaminat janë veçanërisht të rëndësishme pasi virozat e ndryshme dhe mirëmbajtja e organizmit kërkojnë një kujdes të shtuar.

Studime të reja tregojnë se konsumimi i ushqimeve dhe vitaminave të duhura në të gjithë stinët e ftohta, përveç shëndetit të mirë ju ndihmon edhe të humbisni në peshë.

Po flasim për vitaminën A e cila konsiderohet si një factor kyç në mbrojtjen e organizmit dhe rënien në peshë.

Në këtë artikull ju tregojmë çdo gje që duhet të dini mbi këtë temë si dhe ushqimet ku ta merrni me shumicë këtë vitaminë.

Si të humbisni në peshë

Vitamina A njihet si një superhero mes ushqyesve të tjerë, ajo përmban retinol dhe luan një rol kundra plakjes gjithashtu forcon sistemin imunitar.

Ndër të tjera për vlerat e kësaj vitamine, një studim i kohëve të fundit publikuar në gazetën shkencore Molecular Metabolism, tregoi se vitamina A stimulon djegien e dhjamit të tepërt në trup.

Ky proces i djegies së dhjamit të keq duke e kthyer atë në një burim energjie për trupin është i njohur për mjekët.

Kështu vitamina A, e kthen dhjamin që mbërthen barkun, kofshët apo krahët tuaj në burim energjie dhe force për të përballuar aktivitetet tuaja të përditëshme.

Vitamina A dhe i ftohti

Drejtuesi shkencor i këtij studimi Dr, Florian Kiefernga Universiteti i Mjeksisë në Vienë, tregoi se ka një lidhje mes ekspozimit ndaj të ftohtit dhe veprimit të shtuar të kësaj vitamine.

Mungesa e vitaminës A në përgjithësi lidhet me shtim në peshë ndërsa në këtë rast fokusi është tek efikasiteti i shtuar i saj kur është ftohtë.

Gjetjet e këtij studimit pritet të jenë pikënisja ndaj terapive dhe kurave të reja në luftën kundër obezitetit, një sëmundje që prek 395 të të rriturve në të gjithë botën.

Në këtë pikë ekspertët këshillojnë që këtë vitaminë ta konsumoni shumë gjatë dimrit, si për të humbur në peshë ashtu edhe për shëndet më të mirë e organizmën më rezistent.

Ushqimet e pasura me vitaminë A

Ndër burimet më të pasura me këtë vitamin është mëlçija e viçit, pureja e kungullit, patatet e ëmbla, karotat, spinaqi, qumështi, brokoli apo pjepri gjatë verës.

Mundohuni që këto ushqime t’i përfshini sa më shumë në dietën tuaj të përditëshme për të parë rezulate të jashtëme dhe të brendëshme në trupin tuaj./AgroWeb.org

KFOR: Ushtria e Turqisë ka vendosur rreth 350 trupa në Kosovë, do të zëvendësojnë njësitë italiane

Misioni paqeruajtës i NATO-s në Kosovë, KFOR, njoftoi se ushtria e Turqisë ka dislokuar afër 350 trupa në këtë mision.

 

“Ata do të zëvendësojnë njësitë italiane” në Forcat Operacionale Rezervë, tha KFOR-i.
Të 350 ushtarët, që janë nga brigada e 65-të e këmbësorisë do të kryejnë një sërë aktivitetesh “së bashku me trupat e KFOR-it dhe do të përfshihen në përgjigjen ndaj çdo zhvillimi të rëndësishëm të sigurisë”.

KFOR-i përsëriti se është i aftë që të parandalojë çdo rrezik të mundshëm përshkallëzues “dhe të përballet me çdo skenar të sigurisë” sipas mandatit që i buron nga Rezoluta 1244 e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara.

NATO-ja e ka shtuar praninë e saj në Kosovë gjatë vitit 2023, pas rritjes së tensioneve në veriun e banuar me shumicë serbe.

Aktualisht, KFOR-i ka mbi 4.400 trupa ushtarake në Kosovë. KFOR-i është reaguesi i tretë i sigurisë në Kosovë, pas Policisë së Kosovës që është e para dhe pas misionit të Bashkimit Evropian për sundim të ligjit, EULEX.

Për sigurinë e kufijve të Kosovës me Serbinë është përgjegjës misioni i NATO-s, ndërsa për pjesën tjetër të vijës kufitare Policia e Kosovës./REL/

8 Dhjetor – Dita e Rinisë

Nga Myzafer Elezi

Sot kujtojmë një nga momentet më të rëndësishme në historinë e Shqipërisë së re. Më 8 dhjetor 1990, studentët shqiptarë ngritën zërin kundër sistemit komunist, duke kërkuar lirinë dhe pluralizmin politik. Me thirrjen e fuqishme “E duam Shqipërinë si gjithë Europa”, ata ndezën shkëndijën e parë për rrëzimin e diktaturës dhe hapën rrugën drejt demokracisë.

Ata të rinj idealistë, që me guximin dhe sakrificat e tyre shembën diktaturën dhe hapën rrugën për demokracinë, kanë merituar jo vetëm nderimin simbolik të çdo 8 dhjetori, por një rol të denjë në politikëbërje dhe në vendimmarrjen e lartë shtetërore.

Për fat të keq, pasioni dhe përkushtimi i tyre janë përdorur shpesh si dekor, për t’u përkujtuar një herë në vit, dhe më pas, janë lënë në harresë. Kjo sjellje përfaqëson një padrejtësi historike, që kërkon reflektim dhe veprim.

Është koha që klasa politike të ndalojë të përdorë kontributin e tyre si kartë simbolike dhe të angazhohet për të rikthyer rolin e merituar të këtyre individëve dhe të brezit që përfaqësuan. Demokracia e sotme, sado e brishtë, mbetet amanet i atyre që guxuan të ëndërrojnë dhe të luftojnë për të.

Reflektimi nuk është vetëm simbolikë; ai duhet të jetë fillimi i një angazhimi të ri për të përfshirë këto zëra të heshtur, për t’i dhënë vendin që u takon në historinë e gjallë të vendit dhe për t’i kthyer dinjitetin një brezi që meriton më shumë.

Pas 34 vitesh, Shqipëria vijon të përballet me sfida që shpesh e largojnë nga ato aspirata të dhjetorit të ftohtë. Ëndrra e një Shqipërie të lirë, të drejtë dhe europiane ende kërkon guxim, përkushtim dhe mbi të gjitha, angazhimin e të rinjve për ta bërë realitet.

Shpreh mirënjohje të thellë për ata studentë që guxuan të sfidonin diktaturën, duke rrezikuar gjithçka për liri. Ata janë simbol i guximit dhe vizionit që çdo brez duhet ta trashëgojë dhe kultivojë.

Inkurajoj sot çdo të ri dhe student shqiptar të mos e braktisë përgjegjësinë për të ndërtuar të ardhmen e vendit. Është koha që rinia të angazhohet më shumë në politikë dhe vendimmarrje, për të marrë në dorë fatet e Shqipërisë dhe për t’i dhënë vendit një drejtim të ri, të bazuar te meritokracia, drejtësia dhe zhvillimi.

Urime për këtë ditë të veçantë të gjithë miqve të mi!

Gëzuar Ditën e Rinisë!