20.5 C
Tirana
E diel, 22 Qershor, 2025

Analiza/ Humbja e Sirisë, “shuplakë e fortë” për Rusinë! Rrëzimi i Assad, goditje ndaj reputacionit të Moskës

Kur Vladimir Putin mori pushtetin në Rusinë post-sovjetike një çerekshekulli më parë, ai menjëherë përveshi mëngët për të rivendosur statusin e Moskës si fuqi botërore.

 

Iu deshën 15 vjet, por Rusia njoftoi për ndërhyrjen e saj ushtarake në luftën civile siriane, si dëshmi të rikthimit të saj si forcë që nuk duhet të injorohet në skenën ndërkombëtare.

Moska e përdori atë imazh për të zgjeruar ndikimin e saj në gjithë Lindjen e Mesme dhe më gjerë, si një kundërpërgjigje ndaj Perëndimit.

Tani, rënia e Qeverisë së presidentit Bashar al-Assad, një aleati kyç të Moskës, i ka dhënë një goditje serioze ambicieve të Moskës si fuqi e madhe.

“Aventura ushtarake e Putinit në Siri ishte e dizajnuar të demonstronte se Rusia është fuqi e madhe dhe mund ta projektojë ndikimin e saj jashtë vendit”, tha Phillip Smyth, ekspert për Lindjen e Mesme. “Humbja e Sirisë është shuplakë e fortë në fytyrën e Putinit”.

Rrëzimi i Assadit paraqet jo vetëm goditje ndaj reputacionit të Rusisë, por ka të ngjarë të paraqesë edhe një humbje të madhe strategjike.

Siria është shtëpi e dy instilacioneve të mëdha ushtarake të Rusisë: një baze ajrore në Hmeimim dhe një baze detare në Tartus. Baza detare në Tartus është baza e vetme që Rusia ka në ujëra të ngrohta dhe i jep qasje Moskës në Detin Mesdhe.

“Rusia ka përdorur bazat e saj në Siri për të projektuar fuqinë e saj si në lindje të Mesdheut dhe në Lindjen e Mesme”, tha Smyth.

Asete ruse në Siri

Ndërhyrja ushtarake e Rusisë në Siri më 2015 ndryshoi rrjedhën e luftës. Fushata shkatërruese ajrore e Moskës ndaj pozicioneve të rebelëve, ndihmuan ushtrinë siriane të rimerrnin pjesë të mëdha të territorit dhe të mbanin në pushtet Assadin.

Fushata e Moskës në Siri ndodhi një vit pas pushtimit të Gadishullit ukrainas të Krimesë dhe mbështetjes për forcat separatiste në lindje të Ukrainës.

Moska përdori përfshirjen e saj në Siri dhe Ukrainë për ta paraqitur veten si fuqi, që është e aftë të sfidojë Shtetet e Bashkuara, NATO-n dhe Perëndimin në përgjithësi dhe në të njëjtën kohë zgjeron ndikimin në botë nga Mesdheu në Afrikë dhe Amerikën Latine.

Pas nisjes së pushtimit rus të Ukrainës më 2022, Siria u bë më shumë aset për Moskën, thanë ekspertët, përderisa po ashtu paraqet sfidë për të mbajtur fushatat ushtarake në dy fronte.

Me pritjen që Rusia të humbë asetet e saj ushtarake në Rusi, pas rënies së Qeverisë së Assadit, detyra është bërë edhe më e rëndë.

Rusia veçse ka investuar shumë në një kundërofensivë të madhe për të rimarrë territorin në rajonin e saj jugperëndimor të Kurskut, që e ka humbur nga Ukraina dhe për këtë ofensivë po varet nga ndihma e trupave të Koresë së Veriut. Në të njëjtën kohë, Moska po tenton të marrë sa më shumë territor që mundet në lindje të Ukrainës përpara bisedimeve të mundshme për paqe.

Ndërtesat ushtarake të Rusisë përgjatë brigjeve të Mesdheut në perëndim të Sirisë mund të merren nga militantët që udhëhiqen nga Hayat Tahrir al-Sham (HTS), që është e shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e saj.

Aaron Zelin, hulumtues i lartë në Institutin e Uashingtonit, tha se Rusia, thjesht, nuk e ka në dispozicion fuqinë e njëjtë të zjarrit që të mbrojë asetet e saj në Siri.

“Është e rëndësishme të kujtohet se tani Rusia duhet të merret me luftën e saj më të madhe në Ukrainë për dallim kur ndërhyri për herë të parë në Siri më 2015”, tha Zelin.

“Asetet e Rusisë po ashtu po luftojnë në Afrikën Sub-sahariane. Dhe për dallim nga një dekadë më parë, kur Rusia kishte Grupin Wagner, që udhëhiqej [nga i ndjeri Yevgeny] Prigozhin… Rusia nuk e ka nivelin e njëjtë të kapacitetit apo aftësisë për t’u përballur tani me këtë gjë në të njëjtën mënyrë si më parë”.

Zelin tha se humbja e bazës detare në Tartus, në veçanti do të ishte “një humbje jashtëzakonisht e madhe për Rusinë”.

“Ai është porti i vetëm i Rusisë në ujëra të ngrohta dhe mund të përdoret për aktivitete të marinës dhe për të treguar fuqi”, tha ai. “Humbja e kësaj baze do të shkëpuste Rusinë nga thelbi i Lindjes së Mesme”.

Moska nuk ka dërguar trupa tokësore për të ndihmuar Damaskun, që ra në duart e HTS-së dhe aleatëve të tij më 8 dhjetor. Rusia ka kryer dhjetëra sulme ajrore që kur militantët nisën ofensivën e tyre kundër forcave të Assadit në fund të nëntorit, por ndërhyrja e kufizuar e Moskës bëri pak në ndaljen e përparimit të rebelëve.

Kush është HTS-ja?

Hayat Tahrir al-Sham (HTS) është grup militant islamist, anëtarët e së cilit janë kryesisht salafistë, një sekt ultra-radikal i islamit sunit. Ky grup kërkon themelimin e një shteti në Siri që qeveriste sipas ligjit islamik.

Grupi u shfaq në skenë më 2012, një vit pas nisjes së luftës civile siriane. Fillimisht, grupi u shfaq me emrin Jabhat al-Nusra, apo Fronti Nusra, degë siriane e Al-Kaidas.

I udhëhequr nga Muhammad al-Julani, grupi merrte urdhra nga Abu Bakr al-Baghdadi, udhëheqësi i Al-Kaidas në Irak. Baghdadi më pas shkëputi lidhjet me Al-Kaidan dhe themeloi grupin ekstremist, Shteti Islamik (IS), grup në të cilin Julani refuzoi të bëhej pjesë.

Fronti Nusra u shndërrua në një nga grupet më vdekjeprurëse që luftojnë kundër Assadit dhe përdor taktika, sikurse bombardimet vetëvrasëse dhe pajisjet artizanale plasëse.

Grupi militant më pas ndryshoi emrin disa herë dhe u distancua nga Al-Kaida. Më 2017, ajo u bashkua me grupe të tjera opozitare në veriperëndim të Sirisë për të formuar HTS-në.

Ky grup është i shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara dhe grupet aleate.

Ekspertët thanë se Rusia do të paguajë çmim të lartë për dështimin e saj në Siri.

Rënia e Assadit është “një goditje e madhe për pretendimin e Rusisë se ende është fuqi botërore, në kuptim të mbajtjes së ndikimit ushtarak dhe politik jashtë vendit”, tha Hamidreza Azizi, hulumtues në Institutin gjerman për Çështje Ndërkombëtare dhe të Sigurisë.

Po ashtu, aktorët në rajonet e tjera, sikurse Amerika Latine dhe Afrika, “mund të nisin të rimendojnë lidhjet e tyre dhe varësinë e tyre nga Rusia”, tha ai./REL

Nga Azgan Haklaj: Rindërtohet ‘shtëpia e Zotit’

Nga Azgan Haklaj

Rindërtimi i Notre Dam-it si ringjallja e Jezu Krishtit!

Kujtesë:

Përflakja e Jezu Krishtit në Notre Dame përcëlloi shpirtin e njerëzimit.

Kur flakët e Notre Dame skuqën qiellin e Parisit, bota shtangu dhe mbajti frymën për një çast.
Një nga kryetempujt dhe ndërtesat më të bukura e madhështore që ka krijuar mendja njerëzore u duk se do të zhdukej përgjithmonë në atë lëmsh të zjarrtë që të kujton ferrin Bibliko-Dantesk.
Fatmirësisht ajo u mbajt në këmbë si një kollos i plagosur.
Notre Dame, një kryevepër e arkitekturës dhe inxhinierisë ka sunduar në shekuj me plotfuqinë e saj qiellin e Parisit.
Eshtë dashur një kohë e gjatë, plot 2 shekuj që arkitektët, konstruktorët e ndërtuesit e saj gjenial ti jepnin formën përfundimtare shtëpisë së Zotit.
Kombet e mëdha e të civilizuara siç është Franca e Karlit të Madh, e monarkëve të ndritur, e perandorit gjenial Napoleon Bonaparti, e iluminizmit dhe revolucioneve, letërsisë, artit e kulturës së madhe reagoi fort teksa shihte një nga simbolet e mëdha të shpirtit të saj të besimit, kulturës, historisë e gjenisë së vet krijuese të shkërmoqej para syve.
Bashkë me Francën reagoi e gjithë bota.
Ndërgjegja e saj e përgjumur u zgjua sepse njerëzimi e ka në ADN-në e tij reagimin kur rrezikohen kryeveprat e deshmisë së tij historike e kulturore.
Ndoshta shpirti i përflakur i Jezu Krishtit po “digjej” në atë zjarr për t’u ringritur përsëri në lartësinë e qiejve për të na dhanë mesazhin hyjnorë se kjo shtepi madhështore e ngritur si një kult nderimi e adhurimi ndaj Zotit është e përjetshme dhe e pamposhtur.
Shqiptarët jenë krenar sepse kanë me Notre Dame të Parisit një lidhje të veçantë.
Në shtator 1457-të kur Europa dridhej përpara egërsisë e barbarisë së horrdhive otomane, kambanat e Katedrales së Parisit gjëmuan fort për t’i dhënë Francës dhe Europës lajmin e fitores madhështore të Gjergj Kastriotit dhe ushtrisë së tij në Betejën e Albulenës.
Franca beson tek Zoti, tek vlerat e lirisë dhe civilizimit.
Parulla e Revolucionit Francez Liri-Barazi-Vellazëri është sot dhe në të ardhmen Trinia e Shenjtë dhe busulla e pagabueshme që i udhëhoqi kombet drejt rendit të ri botëror e vlerave të përbashkëta të njerëzimit.
Francezët kanë luftuar në shekuj për lirinë e tyre e lirinë e të tjerëve.
Ne jemi një komb ndërtuesish tha Presidenti Makron.
Do ta ringremë së bashku katedralen u shpreh ai.
Notre Dame e përflakur na kujton se sa e fuqishme është ndjenja e solidaritetit dhe memories sonë të përbashkët, si mekanizmi i vetëm që bën të mundur që tik- taku i orës së historisë të mos ndalojë kurrë.
Me në fund ashtu siç u ringjall Jezu Krishti u rindërtue Notre Dame me një investim kolosal.

Çfarë ndodhi në Siri? Si ra al-Asadi?

Në orët e para të mëngjesit të së dielës, forcat opozitare shpallën Sirinë të çliruar nga sundimi i Presidentit Bashar al-Asad, pasi ato avancuan në kryeqytet.

Ish-presidenti raportohet se është larguar nga Damasku, por ende nuk dihet se cili vend do ta strehojë.

Rënia e papritur e sundimit 53-vjeçar të familjes al-Asad është përshkruar si një moment historik – gati 14 vite pas fillimit të protestave paqësore nga sirianët kundër një qeverie që u përgjigj me dhunë, duke e shndërruar shpejt situatën në një luftë civile të përgjakshme.

Vetëm një javë më parë, regjimi ende kontrollonte pjesë të mëdha të vendit. Por si u shpërbë gjithçka kaq shpejt?

Kur filloi?
Më 27 nëntor, një koalicion i luftëtarëve opozitarë nisi një ofensivë të madhe kundër forcave pro-qeveritare.

Sulmi i parë ndodhi në vijën e frontit midis Idlibit të kontrolluar nga opozita dhe guvernatoratit fqinj të Aleppos.

Tre ditë më vonë, luftëtarët opozitarë morën qytetin e dytë më të madh të Sirisë, Aleppo.

Kush ishte pas kësaj?
E quajtur Operacioni Parandalimi i Agresionit, kjo ofensivë u krye nga disa grupe të armatosura opozitare siriane të udhëhequra nga Hayat Tahrir al-Sham (HTS) dhe të mbështetura nga fraksione aleate të mbështetura nga Turqia.

HTS – e udhëhequr nga Abu Mohammed al-Julani – është grupi më i madh dhe më i organizuar, i cili kishte qeverisur guvernatoratin e Idlibit për vite përpara kësaj ofensive.

Grupet e tjera pjesëmarrëse përfshinin Frontin Kombëtar për Çlirim, Ahrar al-Sham, Jaish al-Izza dhe Lëvizjen Nour al-Din al-Zenki, si dhe fraksionet e mbështetura nga Turqia nën ombrellën e Ushtrisë Kombëtare Siriane.

A ka rënë e gjithë Siria?
Me shumë gjasë. Megjithatë, luftëtarët e opozitës nuk kanë hyrë ende në Latakia dhe Tartous, guvernatorate bregdetare të konsideruara si fortesa të al-Asadit.

Rebelët përparuan me shpejtësi – brenda disa ditësh, ata morën Hama dhe Homs, një qytet i quajtur dikur “Kryeqyteti i Revolucionit” gjatë viteve të para të luftës.

Të shtunën, Deraa – vendlindja e kryengritjes së vitit 2011 – gjithashtu ra nga kontrolli i qeverisë.

Ushtria siriane shpalli se po “riorganizohej dhe ripositionohej” në provincën dhe zonat pranë Sweidës, por kjo nuk dha rezultate.

Vëzhguesi Sirian për të Drejtat e Njeriut (SOHR), me bazë në Mbretërinë e Bashkuar, raportoi se trupat siriane po tërhiqeshin nga pozicionet në Quneitra, pranë Lartësive të Golanit të aneksuara nga Izraeli.

Pse ra al-Asadi kaq shpejt?
Siria ishte në krizë ndërsa ekonomia e saj po përkeqësohej, duke u mbajtur kryesisht nga tregtia e paligjshme e drogës psikoaktive Captagon.

Al-Asadi u bë shumë i papëlqyer pasi njerëzit, përfshirë ushtarët e tij, e kishin gjithnjë e më të vështirë të mbijetonin.

Raportohet se ushtarët dhe oficerët e policisë po braktisnin pozicionet e tyre, dorëzonin armët dhe po iknin para përparimit të opozitës.

Nga ana ushtarake, regjimi i al-Asadit ka qenë i dobët për vite me radhë, duke u mbështetur te ndihma ushtarake ruse dhe iraniane për të qëndruar në këmbë.

Por, sipas analistëve, Rusia është e zënë me pushtimin e saj në Ukrainë dhe Irani së bashku me aleatin e tij Hezbollah në Liban janë dëmtuar nga sulmet izraelite – ata nuk mund të ndihmonin ushtrinë siriane të dobësuar.

Ku është al-Asadi?
Ende nuk dihet se ku ndodhet al-Asadi.

Ai dhe ministri i tij i mbrojtjes, Ali Abbas, ndodhen në vende të panjohura, sipas kryeministrit sirian Mohammad Ghazi al-Jalali, i cili tha për faqen e lajmeve Al Arabiya se kanë humbur kontaktin me ta të shtunën në mbrëmje.

Sipas kreut të SOHR, Rami Abdel Rahman, al-Asadi u largua nga Siria përmes aeroportit ndërkombëtar të Damaskut ndërsa ai ishte ende i siguruar nga ushtria. Trupat e braktisën atë menjëherë pas kësaj dhe luftëtarët e opozitës morën kontrollin.

A ka ikur e gjithë qeveria?
Jo, kryeministri al-Jalali ka qëndruar, duke folur për mediat herët të dielën për të thënë se ai kishte mbetur për të siguruar funksionimin e vendit.

A janë të lumtur sirianët?
Damasku, Homs dhe qytete të tjera siriane shpërthyen në festime pas njoftimit për largimin e al-Asadit.

Pamje nga Damasku treguan luftëtarë të opozitës duke qëlluar në ajër në agim. Njerëzit ngjiteshin mbi tanke duke festuar, ndërsa turma të tjera valëvitnin flamurin e revolucionit.

Në disa vende, njerëzit rrëzonin statuja të babait të al-Asadit, Hafezit.

Turmat u mblodhën për të falur namaz së bashku në xhami dhe për të festuar në sheshe publike, duke brohoritur slogane kundër Asadit dhe duke rënë boritë e makinave.

Çfarë ndodhi në burgun Sednaya?
Luftëtarët opozitarë kanë hapur burgjet e regjimit gjatë përparimit të tyre, duke liruar të burgosurit e ndërgjegjes të mbajtur brenda.

HTS shpalli se luftëtarët e saj kishin sulmuar burgun në periferi të kryeqytetit, duke deklaruar një “fund të epokës së tiranisë në burgun Sednaya”, një institucion i lidhur me abuzimet më famëkeqe të regjimit të al-Asadit.

SOHR konfirmoi se “dyert e burgut famëkeq të Sednayas… janë hapur për mijëra të burgosur që ishin arrestuar nga aparati i sigurisë gjatë sundimit të regjimit”.

Çfarë do të ndodhë më pas?
Kjo mbetet për t’u parë.

Analistët theksojnë se Siria ka shumë potencial, por gjithashtu shumë rreziqe, nëse palët e ndryshme nuk bashkëpunojnë.

Al-Jalali tha në një deklaratë me video se kabineti i tij është i gatshëm të “zgjatë dorën” për opozitën dhe t’i dorëzojë funksionet e tij një qeverie kalimtare.

“Kjo mund të jetë një shtet normal që ndërton marrëdhënie të mira me fqinjët dhe botën… por kjo çështje varet nga çdo udhëheqje që do të zgjedhë populli sirian,” tha al-Jalali në një fjalim të transmetuar në llogarinë e tij në Facebook.

Udhëheqësi i HTS, al-Julani, tha në një deklaratë në rrjetet sociale se “institucionet publike do të mbeten nën mbikëqyrjen e kryeministrit derisa ato të dorëzohen zyrtarisht”./Al jazeera

Poli Hoxha: Si sot 34 vite më parë, Berisha dhe Rama ‘mbinë’ në ‘Qytetin Studenti’

Nga Poli Hoxha

Si sot 34 vite më parë, Sali Berisha, “mbiu” në Qytetin Studenti ku ju mbajti një fjalim studentëve që ishin ngritur për demokraci. Pasi falenderoi shokun Ramiz Alia, (U fishkëllye), që kishte udhëhequr rininë partizane në ndjekje të gjermanëve, u premtoi atyre të rinjve, “Shqipërinë si gjithë Europa”. Atëherë Berisha ishte në moshën e baballarëve të studentëve të Dhjetorit. Sot pas 34 viteve ai u shfaq po në “vendin e krimit” me të rinj, që sot janë në moshën e fëmijve të ish-studentëve të Dhjetorit. “E ardhmja është e jona, tani është rradha jonë”, ju tha studentëve 34 vite më parë, “Është rradha jonë, e ardhmja është e jona”, u tha edhe fëmijëve dhe nipërve të tyre sot! Edhe Edi Rama ishte aty dhe ju mbajti fjalim studentëve 34 vite më parë, veçse ai sot u thotë “fëmijve” të tyre: E tashmja është e jona deri në 2030, aplikoni për hajdut të rinj në vendet që lë bosh SPAK! Jemi mirë, ç’a janë edhe 34 vite të tjera me ata që na mbanin fjalime për “Shqipërinë si gjithë Europa”, para 34 vitesh!

“Aleanca euroatlantike” – Vjosa Osmani publikon foton me presidentin e zgjedhur të SHBA, Donald Trump dhe Emmanuel Macron

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ndodhet në Paris, ku mori pjesë në ceremoninë e veçantë të rihapjes së Katedrales së famshme ‘Notre Dame’.

 

Gjatë kësaj ceremonie, Osmani ka pasur rastin të takohet me presidentin e zgjedhur të SHBA-ve, Dondald Trump dhe presidentin e Francës, Emmanuel Macron.

Osmani ka publikuar një fotografi përkrahë dy homologëve të saj, ku ka shkruar “Aleanca euroatlantike”.

Kjo foto simbolizon mbështetjen e fuqishme për bashkëpunimin me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Francën.

Lokalit që iu vendos eksploziv ishte në pronësi të familjes së Bledar Birçajt, u ekzekutua me armë zjarri tre vite më parë

Lokalit të cilit në sot (8 dhjetor) iu vendos eksploziv në Vlorë është në pronësi të familjes së Bledar Birçajt, i cili u ekzekutua me armë zjarri në maj të 2021.

Ngjarja e sotme u regjistrua në orët e para të mëngjesit, ku si pasojë e shpërthimit pati vetëm dëme materiale.

Mësohet se autori, i cili ka qenë i maskuar ka vendosur eksploziv me fitil dhe pasi e ka ndezur, ai është larguar mes pallateve në zonën e Ujit të Ftohtë.

Lokali ishte hapur vetëm pak ditë më parë pasi kishte qenë i mbyllur për një kohë të gjatë.

Informacion paraprak
Rreth orës 06:00, në lagjen “Uji i Ftohtë”, në një lokal, në pronësi të shtetases R. B., ka shpërthyer, dyshohet lënde plasëse, ku si pasojë janë shkaktuar vetëm dëme materiale.

Grupi hetimor vijon veprimet për sqarimin e rrethanave të ngjarjes, identifikimin dhe kapjen e autorit/ëve.

Ekzekutimi i Bledar Birçajt

Bledar Birçaj u qëllua  me kallashnikov teksa po lëvizte me automjetin e tij “BMW” X5 në vendin e quajtur Bishti i Kalldrëmit, ngjarje e ndodhur në 10 maj 2021.

Birçaj ka qenë i shoqëruar edhe nga dy persona të tjerë, të cilët i shpëtuan mrekullisht plumbave.

Dy persona të pajisur me kallashnikov i zunë pritë dhe qëlluan drejt mjetit që drejtohej nga Birçaj.

Fatmirësisht personi tjetër, polici i anti-drogës Granit Deromemaj, që ishte edhe shok me viktimën ka shpëtuar mrekullisht.

Bashar al-Assad, mjeku okulist që sundoi Sirinë me dorë të hekurt! Si u ngjit në pushtet pas vdekjes së babait dhe të vëllait! Kush e braktisi dhe pse u arratis

Presidenti sirian Bashar al-Assad , i cili sipas një organizate joqeveritare është larguar sot nga vendi, sundoi Sirinë për një çerek shekulli me një grusht të hekurt, duke e mbytur në gjak një kryengritje që u kthye në një luftë civile, një nga më të përgjakshmet.

 

Me profesion mjek okulist ai arriti majat e pushtetit shtetëror në moshën 34-vjeçare, në vitin 2000, me vdekjen e babait të tij, Hafez al-Assad, të cilin e pasoi.

Në vitin 2011, ai u përball me Pranverën Arabe në vendin e tij, një seri protestash pro-demokratike që shpejt u shndërruan në një luftë të përgjakshme civile që përfshin forca të ndryshme xhihadiste, duke përfshirë grupin e Shtetit Islamik.

Ai arriti të qëndrojë në pushtet me mbështetjen masive të Rusisë, Iranit dhe Hezbollahut libanez.

Duke u kujdesur për pamjen e tij, ai preferon kostumet e qepur mirë dhe një kravatë të errët sesa uniforma ushtarake si drejtues, por demonstron një vullnet për të ruajtur pushtetin me çdo kusht.

Një gazetar që u takua me Bashar al-Assad-in në disa raste para dhe pas fillimit të kryengritjes siriane në vitin 2011, e përshkruan atë si një “personalitet unik dhe kompleks”.

“Sa herë e takoja ishte i qetë, edhe në momentet më kritike dhe më të vështira të luftës”, thotë gazetari, i cili foli në kushtet e anonimatit.

“Ai ka saktësisht karakteristikat e babait të tij ,” shton ai, Hafez al-Assad, i cili sundoi Sirinë për 30 vjet me një dorë të hekurt.

asma
Bashar al Assad dhe gruaja e tij

Si ndryshoi rrënjësisht jeta e tij me vdekjen e babait dhe të vëllait

I lindur më 11 shtator 1965, Bashar, djali i dytë i Hafez al-Assad, nuk ishte i destinuar të bëhej president, por jeta e tij ndryshoi në mënyrë dramatike kur vëllai i tij më i madh, Bassel, i cili do të pasonte të atin, u vra në një aksident me makinë. në vitin 1994.

Më pas iu desh të braktiste studimet në Londër, ku takoi gruan e tij, Asma, një sunite siriano-britanike, me të cilën pati tre fëmijë.

I quajtur “Trëndafili i Shkretëtirës” nga revista Vogue para rebelimit, gruaja e tij më vonë do të krahasohej me Marie-Antoinette.

Pas vdekjes së babait të tij në vitin 2000, Bashar u bë president me referendum, pa kundërshtarë.

Në inaugurimin e tij në moshën 34-vjeçare, ai mishëroi për shumë sirianë, të cilët kanë bërë thirrje për më shumë liri, imazhin e një reformatori që mund t’i jepte fund viteve të shtypjes dhe të krijonte një ekonomi më liberale në një vend ku kontrolli shtetëror ka qenë mbytës.

Në fillim të presidencës së tij, Assad u pa në publik në timonin e makinës së tij ose duke darkuar në restorante tete-a-tete me gruan e tij. Ai gjithashtu lehtësoi disa nga kufizimet që kishte vendosur babai i tij.

Por imazhi i reformatorit u shpërbë shumë shpejt, me arrestimet dhe burgosjet e intelektualëve, mësuesve apo anëtarëve të tjerë të lëvizjes reformuese, pas një “Pranvere të Damaskut”.

Kur Pranvera Arabe mbërriti në Siri në mars 2011, protestat paqësore kërkuan ndryshim.

Assad, i cili është edhe kreu i ushtrisë, më pas kreu një goditje brutale, e cila u pasua shpejt nga një luftë civile.

500,000 njerëz vdiqën, por ai qëndroi në këmbë

Gjatë luftës, e cila mori jetën e më shumë se 500,000 njerëzve dhe zhvendosi gjysmën e popullsisë, Assad gjithmonë qëndroi në këmbë.

Falë mbështetjes së sponsorëve të tij iranianë dhe rusë, ai arriti të rimarrë dy të tretat e territorit. Ai gjithashtu arriti të “monopolizojë vendimmarrjen dhe të ketë mbështetjen e plotë të ushtrisë”, shpjegon një studiues në Damask.

Edhe në kulmin e luftës civile, ai mbetet i palëkundur, i bindur për aftësinë e tij për të shtypur një kryengritje, të cilën e denoncon si “terroriste” dhe produkt të “një komploti” të kurdisur nga vendet armike për ta rrëzuar atë.

I braktisur nga aleatët e tij rusë dhe iranianë, të cilët edhe vetë ishin shumë të dobësuar, ai u detyrua, sipas Observatorit Sirian për të Drejtat e Njeriut, të largohej nga vendi sot, njëmbëdhjetë ditë pas një sulmi rrufe të nisur më 27 nëntor nga rebelët, të cilit forcat e tij nuk i bënë thuajse asnjë rezistencë.

Ndër simbolet më të fuqishme të rënies së Damaskut është çlirimi i burgut të zymtë Sendaya, ku mijëra kundërshtarë të dinastisë al-Assad ishin burgosur, torturuar dhe vrarë.

U fut në historinë e klubit, Granada i bën jehonë rekordit të Uzunit

Myrto Uzuni gdhendi sot emrin e tij në historinë e Granadës. Sulmuesi i Kombëtares shqiptare me 46 golat e tij u bë lojtari i huaj, që ka shënuar më shumë gola me Granadën.

 

Për këtë klubi spanjoll i ka dedikuar një postim pas ndeshjes së fituar me rezultatin 3 me 0 përballë Rejsing Santander.

Uzuni theu rekordin e El Arabit dhe e bëri në 103 ndeshje me Granadën. Dy golat sot erdhën pikërisht ndaj kryesuesve, ndërsa objektiv është rikthimi sërish në elitën e futbollit spanjoll.

Aktualisht sulmuesi 29-vjeçar është i dyti në renditjen e golashënuesve të kampionatit me 11 golat e tij. Një më shumë ka shënuar Luis Suarez i Almerias.

Mesazhi i ambasadës amerikane për 8 Dhjetorin: Sot kujtojmë ata që luftuan për demokraci

Ambasada e SHBA-ve në Shqipëri ka kujtuar 8 Dhjetorin, Ditën e Rinisë. Me anë të një mesazhi në Facebook, ambasada thotë se sot kujtojmë ata që luftuan për demokraci.

 

Studentët e dhjetorit- shkruan ambasada- u ngritën kundër një prej regjimeve më të ashpra komuniste të Europës duke shënuar rënien e tij dhe duke formësuar të ardhmen e kombit.

“Shtetet e Bashkuara qëndrojnë me ju ndërsa ecni përpara në rrugën tuaj drejt anëtarësimit në BE”, thuhet në mesazhin e ambasadës.

Reagimi i ambasadës së SHBA

Sot, Shqipëria feston Ditën Kombëtare të Rinisë, duke shënuar 34 vjet që kur studentët dhe të rinjtë shqiptarë u ngritën kundër një prej regjimeve më të ashpra komuniste të Europës, duke shënuar rënien e tij dhe duke formësuar të ardhmen e kombit. Më 8 dhjetor kujtojmë ata që luftuan për demokraci. Rinia e sotme vazhdon të formësojë të ardhmen e Shqipërisë dhe Shtetet e Bashkuara qëndrojnë me ju ndërsa ecni përpara në rrugën tuaj drejt anëtarësimit në BE.

Basha përkujton 8 Dhjetorin: Është një moment reflektimi mbi idealet e tradhtuara nga ata që e mbajtën peng Shqipërinë duke vonuar ëndrrën e Shqipërisë si Europa

Kryetari i Partisë Demokratike-Demokratët Euroatlantikë, Lulzim Basha, ka përkujtuar sot 8 Dhjetorin, Ditën e Rinisë dhe Lirisë, duke vlerësuar guximin dhe vizionin e studentëve të Dhjetorit ’90. Në një postim në Facebook, Basha thekson se kjo ditë shërben si një kujtesë për sakrificën ndaj diktaturës dhe si një thirrje për ndërtimin e një të ardhmeje më të mirë.

Basha u bën thirrje të rinjve shqiptarë që të ndjekin shembullin e studentëve të Dhjetorit dhe të punojnë për një Shqipëri ku talenti, merita dhe mundësitë reale janë prioritet. Ai theksoi rëndësinë e ruajtjes së lirisë dhe demokracisë si trashëgimi e çmuar, duke apeluar për përkushtim të vazhdueshëm për një epokë të re shprese, zhvillimi dhe drejtësie.

“Është një moment reflektimi mbi idealet e tradhtuara të atij Dhjetori nga ata që e mbajtën peng Shqipërinë duke përvetësuar dhe vonuar ëndrrën e Shqipërisë si Europa” – shkrun Basha në postimin e tij.

Postimi i Bashës:

Këtë 8 Dhjetor, përulemi me respekt para guximit dhe vizionit të studentëve të Dhjetorit ’90, të cilët ndezën flakën e lirisë dhe demokracisë në zemrat e shqiptarëve. Ata u ngritën kundër një diktature të pamëshirshme dhe i dhanë fund një epoke të errët, duke hapur dyert një kapitulli të ri për Shqipërinë.

Kjo ditë është jo vetëm kujtesë për të kaluarën, por edhe një thirrje për të ardhmen. Është një moment reflektimi mbi idealet e tradhëtuara të atij Dhjetori nga ata që e mbajtën peng Shqipërinë duke përvetësuar dhe vonuar ëndrrën e Shqipërisë si Europa, por edhe një moment vetëdijësimi për të mësuar nga gabimet e të shkuarës, e për t’i lënë pas ato. Për të ndërtuar një Shqipëri ku çdo i ri të ketë mundësi reale për të realizuar ëndrrat e tij, për të ndërtuar familjen e tij, për të punuar sipas talentit dhe meritës dhe për të fituar një pagë të dinjitetshme, pa qenë i detyruar të largohet nga vendi i tij, nga të afërmit, miqtë dhe të dashurit e zemrës.

Në këtë 8 Dhjetor, dua t’i ftoj të gjithë të rinjtë e Shqipërisë të marrin shembull nga ata studentë të guximshëm, të besojnë te fuqia e tyre dhe të mos pranojnë asnjëherë më pak se ajo që meritojnë. Shqipëria jonë ka nevojë për energjinë, talentin dhe idealizmin tuaj, për t’i hapur dyer një tjetër kapitulli të historisë sonë, për një epokë të re shprese, zhvillimi, meritokracie dhe drejtësie.

Bashkë, me vendosmëri dhe besim, ne mund të ndërtojmë një të ardhme më të mirë për çdo shqiptar. Në këtë ditë të shënuar, të ndalemi dhe të kujtojmë se liria dhe demokracia janë trashëgimia jonë e çmuar, por ato kërkojnë përkushtim të vazhdueshëm për t’u mbrojtur dhe forcuar.

Gëzuar Ditën e Rinisë dhe Lirisë!