27.5 C
Tirana
E shtunë, 21 Qershor, 2025

“Laku është ngushtuar”, gazetari flet të hetimet ndaj ‘Lalit’: Janë 5 dosje aktive në SPAK për Erion Veliajn

Gazetari Lavdrim Lita ishte këtë të shtunë i ftuar në “Review” në Euronews Albania ku ka komentuar hetimin e nisur nga SPAK për kryebashkiakun e Tiranës, Erion Veliaj.

Lita tha se në rastin e Veliajt janë pesë dosje aktive në SPAK për pesë çështje të ndryshme. Gazetari tha se janë 5 hetimet po ndiqen nga pesë prokurorë të ndryshëm në SPAK gjë që sipas tij ka bërë që kryebashkiaku i Tiranës “të jetojë më shumë jashtë se sa brenda vendit”.

“Janë 5 hetime ku emri i tij del në mënyrë aktive në këto dosje, si te inceneratori i Tiranës, 5D-ja, verifikimi pasuror, hetimi pasuror për familjarët, prishja e Teatrit Kombëtar, Kjo dosje duket sikur fle aty por ka katër vite që e mbajnë aty. Secili prokuror për këto dosje është i ndryshëm. Ndaj nëse ai ka mik njërin prej tyre, nuk i ka të pestë. Për rrjedhojë kryebashkiaku i Tiranës jeton më shumë jashtë se sa brenda.

Kjo që ai ka qenë në takim në Hamburg është pjesë e PR, sepse ai shpesh herë vetëm kthehet në Tiranë disa orë, bën filmimet që ka për të bërë dhe ikën jashtë Shqipërie. Kjo është e verifikuar në TIMS e kudo tjetër. Ai është në buzë të greminës. Dita ditës atij po i rrethohet laku dhe nëse do e fusin brenda apo do e lënë në arrest shtëpie, kjo nuk dihet, por janë pesë prokurorë që po e hetojnë, njëri prej tyre mund të gjejë diçka”,-tha Lita.

Kurthi i pagave ku ka rënë qeveria Rama!

“Nuk bëhet vreshti me fushata, por me shata e lopata”, është një shprehje e trashëguar nga koha e socializmit, që sot, ndonëse mund të tingëllojë ironike, sërish mbetet aktuale.

Fushatat vijojnë të mbeten një format i preferuar i qeverisë për të zgjidhur probleme, që në fakt janë strukturore, dhe do të kërkonin ndërhyrje të thella dhe afatgjata. Dy vite më parë, zgjidhja për pagat më të ulëta sesa mesatarja e rajonit u gjet nëpërmjet presionit indirekt te bizneset.

Qeveria vendosi të rrisë pagat e administratës, duke shpresuar se kjo do të nxiste sipërmarrjet private. (madje, administrata vijoi dhe të shtohej në organikë, ndonëse një pjesë e madhe e shërbimeve tashmë po ofrohen online).

Bizneset në fakt i rritën pagat, por jo aq shumë nga “presioni” i qeverisë, sesa nga shtrembërimet që u krijuan në tregun e punës, si rrjedhojë e ritmeve të larta të emigracionit. Kjo lëvizje, që erdhi e detyruar dhe e pashoqëruar me produktivitetin, ndikoi në uljen e konkurrueshmërisë së bizneseve, duke përkeqësuar treguesit e përfitueshmërisë.

Operatorët turistikë p.sh., ankohen se rritja e pagave të punonjësve të sektorit për shkak të emigracionit, ka rënduar në kosto bizneset e hotelerisë dhe nuk ka sjellë përmirësime në tregun e punës.

Bizneset po vuajnë edhe shtimin e kostove nga rritja e çmimeve të lëndëve të para, ndërsa tendenca e konsumit është në rënie dhe turistët që po vijnë, po shpenzojnë gjithnjë e më pak.

Fushata e dytë që ka nisur tani është ajo e deklarimit real të pagave. Informaliteti në tregun e pagave pa diskutim që është i lartë, teksa të ardhurat nga sigurimet shoqërore e shëndetësore janë sa gjysma e mesatares së rajonit dhe rreth 60% më të ulëta se Bashkimi Europian.

Është në të drejtën e institucioneve tatimore që të luftojnë me çdo mjet këtë situatë, por fushata nuk është veçse një rezultat afatshkurtër. Presioni dhe frika nga kontrollet mund të funksionojë për disa muaj, por nuk është kurrsesi një zgjidhje afatgjatë.

Nëndeklarimi i pagave nuk rezulton se është një zgjedhje vullnetare, por sipas drejtuesve të shoqatave të bizneseve, kjo vjen nga mungesa e produktivitetit në sektorë të ndryshëm të ekonomisë dhe taksimit të lartë mbi të ardhurat personale.

Përfaqësuesit e biznesit pohojnë se informaliteti në tregun e punës është i përhapur, për shkak të normës së lartë të tatimit mbi të ardhurat (TAP) si për pagat, sidomos ato të larta, ku nëndeklarimi është më i lartë. Tatimi për pagat mbi 200 mijë lekë është 23%, më i larti në rajon, që përgjithësisht ka një nivel të sheshtë prej 10% deri në 15%.

Drejtuesit pohojnë se detyrimi për tatimin mbi të ardhurat personale është kthyer në barrë të rëndë për shkak të nivelit të lartë të taksës, sidomos te pagat e larta në nivel menaxherësh. Me rritjen e kostove të jetesës dhe të nivelit të përgjithshëm të pagave, ky nivel nuk mund të konsiderohet më as mbi mesataren, duke e humbur tërësisht funksionin për të cilin u vu në fillim.

Edhe premtimi i ish-ministrit të Financave për të rritur pragun në 250 mijë lekë nga janari 2025 u harrua, si një “hakmarrje” ndaj vendimit të Gjykatës Kushtetuese për shtyrjen e taksimit të profesioneve të lira për vitin 2029.

Është e qartë që ekonomia nuk zhvillohet me informalitet, kjo dëmton si të ardhurat buxhetore, ashtu dhe punonjësit. Vetë sipërmarrjet kanë filluar të përshtaten. Industritë që kishin avantazh koston e lirë të fuqisë punëtore nuk mund të vazhdojnë të mbijetojnë dhe drejtuesit e tyre po orientohen drejt sektorëve të tjerë me potencial, si turizmi.

Të tjerë po investojnë në teknologji për të rritur produktivitetin. Ka dhe nga ata që po shkurtojnë vendet e punës, në përpjekje për të ulur kostot, teksa po dëmtohen dhe nga euro e dobët.

Por, ekonomia nuk zhvillohet as me fushata. Një taksim më i ulët do të mbështeste sipërmarrjet dhe do të ulte më natyralisht informalitetin, duke nxitur deklarimet.

Nxitja e një ekonomie më konkurruese dhe produktive, një sistemi me rregulla të barabarta të lojës, mjedisi të sigurt për të bërë biznes, e shoqëruar me një barrë të ulët fiskale, do të bënin shumë më tepër në afatin e gjatë, sesa një fushatë e momentit në afatin e shkurtër./ Monitor

“Bashar al-Assad ka ikur nga Damasku”- Rebelët sirianë pretendojnë se kanë kapur kryeqytetin sirian

Rebelët sirianë pretendojnë se kanë pushtuar kryeqytetin Damask , duke njoftuar rënien e regjimit të al-Assad, sipas raportimeve nga Reuters dhe Al Jazeera.

“Tirani Bashar al-Assad ka ikur”, tha opozita e armatosur në një deklaratë. “Ne e shpallim Damaskun të lirë nga tirani Bashar al-Assad”.

Televizioni shtetëror sirian ka transmetuar një video nga fraksionet rebele të Sirisë duke thënë se presidenti Bashar al-Assad është rrëzuar dhe të gjithë të burgosurit janë liruar.

Në njoftimin e tyre të parë televiziv që nga ofensiva e tyre e shpejtë dhe e befasishme, ata u bënë thirrje të gjithë luftëtarëve dhe qytetarëve të opozitës që të ruajnë institucionet shtetërore të “shtetit të lirë sirian”.

Në një moment tjetër simbolik, njerëzit në Damask kanë shkelur statujën e rrëzuar të babait të Bashar al-Assad, Hafez, i cili sundoi vendin me një dorë të hekurt për gati 30 vjet.

Paraqitje dinjitoze e Enea Mihajt, mbrojtësi shqiptar shkëlqen ndaj Portos/ Ja nota dhe statistikat e tij

Mbrojtësi i Kombëtares, Enea Mihaj është shndërruar në një lider te skuadra e Famalikaos në elitën e futbollit portugez. 26-vjeçari zhvilloi një paraqitje mjaft të mirë në duelin e mbrëmjes së djeshme ndaj Portos që përfundoi në barazim 1 me 1.

Sipas notave të “Sofa Score”, Mihaj rezulton futbollisti me vlerësimin më të lartë te skuadra e tij, teksa ka marrë notën 7.2.

Shqiptari fitoi 4 duele me kundërshtarët, bllokoi 2 gjuajtje, si dhe pastroi 8 herë zonën. Mihaj në total regjistroi 22 pasime të sakta, teksa 3 nga 5 topat e gjatë, rezultojnë të sakta.

Kura me sherebelë, mjaltë dhe spec djegës për fytin, kollën dhe gripin

Kur temperaturat kanë luhatje drastike, gjithmonë shoqërohen me raste në shtim të të prekurve me grip dhe me të ftohur.

Grupmoshat më të prekura janë fëmijët dhe të moshuarit. Në të tilla raste, shpesh antibiotikët nuk janë zgjidhje pasi kanë edhe efekte anësore.

Pas këshillimit me mjekun dhe mjekimeve përkatëse sipas simptomave, gjithmonë kurat natyrale janë ideale për të mposhtur virozat.

Ndaj AgroWeb.org ju këshillon një përzierje shumë efikase për të qetësuar kollën, për të ringjallur organizmin dhe për më shumë energji. Mjalti dhe sherebela janë dy dhurata të natyrës, që së bashku përbëjnë një superfuqi kundër virozave. Në Shqipëri sherebela është një bimë me shumë rëndësi.

Natyra na ka bekuar me këtë bimë medicinale endemike, duke e pasur me bollëk kryesisht në zonën e Malësisë së Madhe.

Sherebela gjendet edhe në malësi të tjera të vendit të Veriut dhe të Jugut, aq sa dhe e eksportojmë në shumë vende të botës. Sipas burimeve të AgroWeb.org, sherebela shqiptare është shumë e kërkuar në Shtetet e Bashkuara, Francë dhe Gjermani, për shkak të vlerave unike.

Përbërësit
30 gramë gjethe të thata sherebele
Një majë luge piper i kuq djegës
3 gota ujë
Mjaltë, mundësisht mjaltë lulesh
Lëng limoni, sipas dëshirës

Mënyra e përgatitjes

Përzieni sherebelën, piperin dhe ujin në një enë. Vendosini në zjarr për vlim, pastaj ulni pak nxehtësinë dhe ziejini derisa uji të përgjysmohet.
Më pas hiqeni nga zjarri dhe lereni të ftohet pak. Shtypni gjethet e sherebelës brenda çajit, në mënyrë që të nxirrni sa më shumë lëng prej tyre. Më pas kullojeni.
Shtoni mjaltë për shije dhe lëngun e limonit. Pas ftohjes vendoseni në frigorifer dhe pini nga 1-2 lugë gjelle ose më shumë sipas nevojës për qetësimin e dhimbjes së fytit për kollën dhe për infeksionet në rrugët e frymëmarrjes.

Për të mos u neglizhuar
Çaji i sherebelës këshillohet të mos përdoret tek gratë shtatëzëna.

Sipas informacioneve të AgroWeb.org, sasi të mëdha të sherebelës mund të shkaktojnë rrahje të shpeshta të zemrës.

Nëse vuani nga diabeti, përdoreni vetëm me këshillimin e mjekut./AgroWeb.org

Forumi i Unionit Ndërkombëtar të Demokracisë-IDU|Rezultatet që prodhoi për Berishën, PD, Shqipërinë dhe Rajonin

Nga Besart Logu

Çfarë është IDU

Është mbajtur këto ditë në Washington DC Forumi Vjetor i Unionit Ndërkombëtar të Demokracisë (IDU). Ky forum është një platformë globale që bashkon 80 parti, të djathta dhe të qendrës së djathtë, nga 60 vende të botës. Në të përfshihen disa nga partitë më të njohura si; Partia Republikane Amerikane, Konservatorët Britanikë dhe Kristian Demokratët Gjermanë të CDU-së. Shumë nga anëtarët e saj vijnë nga demokracitë e krijuara pas viteve 1990 të tilla si; partitë e djathta të Azerbajxhanit, Bjellorusisë, Bolivisë, Kilit, Kolumbisë, El Salvadorit, Ganës, Guatemalës, Nepalit, Maldiveve, Tanzanisë apo Sri Lankës.

PD dhe përfaqësimi në IDU

Padiskutim edhe Partia Demokratike e Shqipërisë është pjesë e këtij forumi dhe çdo vit ka marrë pjesë nëpërmjet përfaqësuesve të saj. Sivjet, më shumë se kurrë, Partia Demokratike u përfaqësua e ndarë jo vetëm në përfaqësi por edhe në nivelin e takimeve si dhe në axhendën që kishin palët.

Grupimi i kryesuar nga Fatmir Mediu dhe që e pompoi më shumë në media Belind Këlliçi, të paktën me aq sa kanë bërë publike, nuk rezulton të jenë takuar me asnjë nga stafi i zgjedhur nga Presidenti Trump që pritet të marrë detyrën në janar të vitit pasardhës. Vetë Kryetari i Partisë Republikane, Fatmir Mediu, me anë të një postimi në rrjetet sociale, thotë se ka biseduar me Kryetarin e IDU, ish kryeministri i Kanadasë Stephen Harper, kryeministrin e Australisë Scott Morison, ish kryeministren Britanike Liz Trust, Lideren e re të Konservatorëve Britanik Kemi Badenoch, Lordin Michael Ashcroft, ish kancelarin Austriak Sebastian Kurz.

Ndryshe rezulton me grupin e Lulzim Bashës i cili është pritur zyrtarisht nga kongresmeni Darrell Issa që është kandidati kryesor për Kryetar të Komisonit të Punëve të Jashtme të Kongresit të SHBA dhe nga kongresmeni French Hill i cili është kandidati për të drejtuar Komitetin e Financave. Përveç këtyre, në profilin e tij të Facebook Lulzim Basha shprehet se:”Gjatë këtij forumi, zhvillova biseda dhe takime të veçanta me drejtues të ndryshëm, duke përfshirë kreun e grupit parlamentar të PPE-së dhe presidentin e këtij grupi, kryetaren e re të konservatorëve britanikë, Kemi Badenoch, kongresmenë, eurodeputetë dhe drejtues të institucioneve dhe organizatave të ndryshme ndërkombëtare.”

Duket qartë diferenca në takime çka reflekton dhe peshën në lobime. Kjo jep një panoramë më të qartë edhe të profilit të politikanit dhe kapaciteteve në burime njerëzore që ka Partia Demokratike.

Ashtu siç u tha edhe më lart, palët ishin të ndara edhe në axhendë. Grupimi i Fatmir Mediut kishte synim të qartë: reflektimin e një realiteti sipas optikës së grupimit të Rithemelimit. Duke qenë vetë subjekt i SPAK, njëjtë me kreun e PD, reflektimi i drejtësisë si e kapur nga Rama duket se ka qenë kryefjala e çdo takimi. Pra, axhendë e pastër e minimit të SPAK dhe GJKKO. Ndryshe rezulton të ketë ndodhur me Lulzim Bashën. Ai në çdo takim ka kërkuar mbështetjen e drejtësisë në luftën kundër korrupsionit si dhe ka prezantuar platformën e tij për veting në politikë dhe heqjen e imunitetit të politikanëve si dy mekanizma që ndihmojnë procesin e pastrimit të politikës nga lidhjet me krimin dhe zyrtarët e korruptuar. Gjithashtu, në fokus ka qenë edhe siguria rajonale e sidomos ajo e shtetit të Kosovës, ndryshe nga dashnorët e pavarësisë dhe integritetit territorial të Kosovës që rrahin gjoksin nëpër studio televizive dhe gjejnë shkakun e non gratës.

Rezoluta
U trumbetua shumë në mediat pranë Rithemelimit rezoluta e nënshkruar nga anëtarët e IDU-së. Triumfi i sjellë nga Washingtoni u lexua revokim i masës së non gratës. Delir absolut!

Si duhet lexuar rezoluta?
Rezoluta në thelb nuk është asgjë më shumë se një dakortësim i shprehur në formën e vullnetit të përbashkët i anëtarëve të një forumi/organizate për çështje të caktuara të ngritura nga anëtarë që kanë interes ngritjen e kauzave në nivel mbikombëtar. Por, që rezolutat të sjellin efekte, minimalisht politike, por dhe juridike, duhet të kthehen në vullnet institucional. Që do të thotë, firma e një kongresmeni republikan merr vlerë kur nesër administrata Trump të shprehet me akte konkrete mbi çështjet e ngritura në rezolutë. Apo, që Kemi Badenoch, kreu i ri i konervatorëve britanik, të ngrejë në parlamentin anglez çështjen e non gratës apo të qeverisë teknike para zgjedhjeve.

Kështu që, për sa kohë nuk reflektohet në akt institucional, rezoluta nuk ka asnjë vlerë në raport me qeverinë e Ramës që ti imponohet të bëjë apo të mosbëjë ndonjë veprim të caktuar. E në mungesë të kësaj, do të mbetet thjeshtë dhe vetëm një produkt lobimi e qokash mes miqsh forumesh.

Kjo sa i përket rezolutës në parim. Nëse do të lexojmë përmbajtjen, vëmë re se në asnjë rresht të saj nuk përmendet kundërshtimi i procedimit penal të Berishës. Dhe kur flasim për rezolutën, duhet të kemi parasysh pjesën e dytë dhe jo hyrjen. Kjo sepse pjesa hyrëse flet për motivet e rezolutës dhe përfundimi është produkti final për të cilën palët kanë dakortësuar.

Gjithashtu, në asnjë rresht të rezolutës nuk atakohej Reforma në Drejtësi dhe institucionet e dala prej saj (SPAK dhe GJKKO). Se të jetë produkt i Sorosit, as nuk bëhej fjalë.

Përveç sa më sipër, përcillet se: “IDU-ja i adreson Ramës rekomandimet e OSBE/ODIHR si garanci elektorale”. E çudtishme se si harrohet, apo anashkalohet kaq ashiqare fakti, se ishin po këta që bashkuan votat me Ramën për të ndryshuar vetëm një dispozitë të Kodit Zgjedhor: mbylljen e listave. Pra, rekomandimet e OSBE/ODIHR nuk ishin shqetësim për opozitën në momentin kur u ndërhy në Kod. Thënë ndryshe, të dërguarit e Berishës i kanë prezantuar IDU-së realitetin që atyre u intereson dhe ngrejnë si temë diskutimi ato çfarë ka shkruar Oerdi dhe jo çfarë bëri vetë Oerdi me Damianin.

Efektet që prodhoi Forumi i IDU

Forumi Vjetor i Unionit Ndërkombëtar të Demokracisë (IDU) na shërbeu për të kuptuar më qartë axhendat e rrymave që ekzistojnë sot në Partinë Demokratike. Investimi në heqjen e non gratës (interes personal) dhe i mbylljes së SPAK (interes i një grushti njerëzish) u përplas me interesin e mbështetjes së drejtësisë në luftën kundër krimit e korrupsionit (interesi i qytetarëve shqiptar) dhe të integritetit territorial të Kosovës (interes mbarë kombëtar). Washingtoni, si qendër e prodhimit të politikës botërore, na shpalosi kësaj rradhe dy projeksionet që ekzistojnë sot në PD. Dhe, kthjelltësia e dy grupimeve ishte e atillë sa nuk lë vend për interpretime e retorika boshe. Tashmë, demokratët, e jo vetëm, kanë në dorë të zgjedhin mes alternativave që do i ofrohen në zgjedhjet parlamentare të 2025, konkretisht; të mbyllin ciklin e tranzicionit 35 vjeçar apo të vazhdojë agonia edhe për 10 apo 20 vitet e ardhshme.

Basha: Idealja drejt së cilës dua ta çojë Shqipërinë, është meritokracia. Njeriu ka vlerë për atë që është, jo kush i futet mik dhe biri apo bija e kujt është

Kreu i Partisë Demokratike-Demokratët Euroatlantikë, Lulzim Basha, në një intervistë për emisionin “Fit” në Neës24, ka theksuar rëndësinë e meritokracisë për zhvillimin e shoqërisë. Basha tha se shpreson që Shqipëria, veçanërisht brezi i ri, të ndërtojë një shoqëri ku individët vlerësohen për aftësitë, talentin dhe punën e tyre, duke u distancuar nga mentaliteti i patronazhit që dominon aktualisht. Ai theksoi se ky është një model që shqiptarët mund të ndjekin, por që nis nga lidershipi dhe politika.

Pjesë nga intervista:

Lulzim Basha: Jeta studentore në perëndim të jep edhe mundësinë të ndërtosh marrëdhëniet shoqërore mbi baza do të thoja relativisht të barabarta me njerëzit. Nuk ka rëndësi se nga vjen, edhe fëmija i kujt je, rëndësi ka çfarë je ti në kontektin shoqëror, çfarë është kontributi yt në kontekstin shoqëror dhe pas kësaj merr edhe mirënjohjen apo vendin tënd në shoqër

Pyetje: A është edhe në vendin tonë që nuk ka rëndësi nga vjen, kush je, mjafton vetëm kontributi që ti jep dhe suksesi është i garantuar?

Lulzim Basha: Fatkeqësisht jo. Kjo është idealja drejt së cilës dua ta shoh Shqipërinë, e në veçanti brezin e ri. Kjo është ajo që e themi me një fjalë, që ndoshta shumëkush edhe nuk e përkthen tamam: meritokracia. Që do të vlerësojnë për atë që je për gjithçka. E kundërta, armiku i saj është patronazhimi që tani në Shqipëri ka marrë dhë një konotacion politik për shkak të fushatave elektorale të kundërshtarit tonë politikë të Partisë Socialiste. Por në tërrësi patronazhimi si mentalitet që ti mund të marrësh diçka prej atij që njeh. Prej biri apo bija e kujt je, por jo për shkak të meritës që ke, aftësive që ke, talentit që ke, kohës që i përkushton punës, orëve që harxhon në punë, produktit që ke. Kjo është meritokracia. Dhe gjykoj që edhe vet rituali i pavarësimit të studentëve, të daljes nga shtëpia, jetës studentore për të cilën po flisja pak më parë është pjesë e suksesit të këtyre shoqërive. Që jam i bindur që shqiptarët mund ta emulojnë, mund ta përthithin, pra mund ta bëjnë dhe ata. Por duhet të nis nga lidershipi, duhet të nis nga politika. Pra, një nga mësimet më të çmuara të asaj periudhe studentore është që njeriu ka vlerë për atë që është, jo për kë njeh e kush i futet mik dhe biri apo bija e kujt është. Kjo nuk do të thotë të mos jesh krenar me familjen, mos të jesh krenar me miqtë. Kjo do të thotë që në një shoqëri të drejtë e cila përparon dhe si me thënë jep maksimumin e saj, kyçi, çelësi i artë, sekreti është meritokracia

Basha flet për marrëdhënein që ka me vajzat e tij: Jam i bekuar

Kreu i Demokratët Euroatlantikë, Lulzim Basha, ka folur për jetën e tij familjare në intervistën ndryshe për emisionin “Fit” në News24. Duke u përgjigjur për rolin e tij si baba i tri vajzave, Basha e cilësoi si një bekim, dhe theksoi se raporti me vajzat është shumë i ngushtë. Ai shtoi se, megjithë angazhimin e tij në politikë, i mungon koha e kaluar me to.

Pjesë nga intervista:

Pyetje: Si është të jesh në një familje, në një shtëpi me tre vajza? Bashkëshortja dhe dy vajzat.

Lulzim Basha: Është bekim. Domethënë para disa ditësh po flisja me një koleg që po më ankohej se ka tre djem. Po dëgjoja dhe po tundja kokën ndërkoh që po ankohej, i ka të vegjël. Në një moment më tha “s’po thua asnjë fjalë”. I them, çtë të them thash, nuk arrij dot të krijoj një simpati me hallin tënd të të kuptoj, se unë kam dy vajza dhe jam i bekuar bashkë me bashkëshorten.

Pyetje: Si është raporti me vajzat? Edhe para intervistës po bisedonim që sa shpejt ikin vitet dhe ato janë, njëra nga vajzat është në prag të studimeve të larta. Ky procesi i zgjedhjes së studimeve, dilemat, si e ke ti raportin me to, jam shumë kurioze?

Lulzim Basha: E kam shumë të ngushtë. Pavarësisht se deprivimi kryesor i angazhimit që kam zgjedhur në jetë dhe angazhimit politikë është deprivimi i kohës me fëmijët. Dhe shpeshherë e kap veten duke menduar se koha që ikën nuk kthehet më dhe nuk e kompenson dot më. Se fëmijët rriten, vajzat rriten. Por raportin e kam shumë të ngushtë dhe që edhe sot, që të dyja janë rritur domethënë e vogla është 13 vjeç, prapë se prapë mbetet ajo magjia e marrëdhënies së babait me vajzat që e kam ndjerë që në muajt e parë, vitet e para të tyre.

“Politika me fytyrë njerëzore”, Basha: Nuk ka bekim më të madh sesa të angazhohesh në jetën profesionale me njerëzit dhe për njerëzit

Kryetari i Partisë Demokratike-Demokratët Euroatlantikë, Lulzim Basha, në një intervistë për emisionin “Fit” në Neës24, foli për sfidat e krijimit të miqësive në politikë.

Ai theksoi se, përkundër angazhimit të tij politik, miqësitë e vërteta lindin nga interesa të përbashkëta që shkojnë përtej politikës, si letërsia, arti dhe kultura. Basha theksoi rëndësinë e ruajtjes së një marrëdhënieje të sinqertë dhe të drejtpërdrejtë me njerëzit, duke shmangur trajtimin e tyre si faktorë politikë, dhe fokusin në ndihmën për të ndryshuar jetën e tyre për mirë.

Pjesë nga intervista:

Pyetje: Ka qenë e vështirë të krijosh miqësi pasi je angazhuar në politikë dhe ke patur poste shumë të rëndësishme.

Lulzim Basha: Shpeshherë pikëpamjet e njëjta, apo të ngjashme për jetën, interesa të ngjashme, të lidhin me njerëzit edhe përtej interesave politike apo profesionale. Pra, këto mund të jenë interesa për ku di unë, për letërsinë, për artin, për kulturën, për hobi të ngjashëm apo të njëjtë. Dhe këto padiskutim krijojnë një kimi që shkon përtej interesave personale, apo në këtë rast, interesave politikë. Megjithatë e rëndësishme është të kuptosh që miqësia e vërtetë është ajo që nuk lidhet me interesin e përditshëm. Politika ta jep këtë shans, të dish të ndash mes miqësisë të vërtetë dhe natyrisht bashkëpunimit, mirësjelljes, por edhe si me thënë kolegjialitetit që po kështu është i rëndësishëm. Sepse duam, s’duam një pjesë të madhe të jetës e okupon profesioni dhe në rastin tim edhe politikëbërja, e parë në politikën në tërrësi. Ana tjetër e politikës është që je gjithmonë afër njerëzve. Dhe këtu pastaj ke një sfidë: ta mbash marrëdhënien me njerëzit sa më të sinqertë e të drejtpërdrejtë, sepse natyra e politikës që vendos gjithmonë sfida, objektiva për t’u arritur, mbart me vete dhe rrezikun e madh të robotizimit, të trajtimit të njerëzve si faktorë politikë dhe jo për atë që janë. Njerëz me halle, me shpresa, me dëshira, me objektiva, askush nuk është perfekt. Pra, duhet të mbetesh zemërgjerë, duhet të mbetesh me këmbë në tokë të kuptosh që me të vërtetë sfidat e arritjes së objektivave politike nganjëherë mund të duken, nganjëherë duken edhe si mallkim. Por nuk ka bekim më të madh sesa të angazhohesh në jetën profesionale me njerëzit dhe për njerëzit. Domethënë të zbulosh se çfarë i shqetëson, çfarë i motivon dhe të përpiqesh sado pak të ndryshosh jetën e tyre. Ose të paktën s’ua bën më të vështirë.

Basha tregon për jetën e tij studentore, pasionin për të drejtën dhe marrëdhëniet ndërkombëtare dhe si e kanë impaktuar rrugëtimin e tij profesional

Kryetari i Partisë Demokratike-Demokratët Euroatlantikë, Lulzim Basha, ka dhënë një intervistë të veçantë në emisionin “Fit” në Neës24, ku ka ndarë kujtime nga jetën e tij studentore në Hollandë. Basha u shpreh se studimet në Fakultetin e Juridikut ishin një zgjedhje që e kishte pasion, ku përveç lëndëve të detyrueshme, ai ishte i fokusuar në fushën e Drejtësisë Ndërkombëtare.

Ai theksoi se eksperienca e tij universitare ishte një periudhë e bukur, e pasuruar me njohuri mbi marrëdhëniet ndërkombëtare dhe rolin e Shqipërisë në këtë fushë, duke përmendur aktet madhore si incidenti i Kanalit të Korfuzit dhe aktin e pavarësisë së Kosovës.

Basha shtoi se jeta studentore, përveç aspekteve akademike, ka qenë po ashtu një periudhë shumë e bukur e jetës së tij.

“Lëndët që kam zgjedhur të studioja në Fakultetin e Juridikut, kanë qenë lëndë për të cilat kisha pasion. Kishte dhe lëndë që ishin të detyrueshme, por nuk i kisha pasion. Juristët apo studentët e juridikut e dinë për çfarë e kam fjalën. Fjala vie tek detyrimet. Por në tërrësi studimet i mbaj mend si një kohë shumë të bukur. Edhe nga ana e Universitetit, pra asaj që kam studiuar, ka qenë si me thënë një botë e tërë që hapej para meje, bota e të Drejtës Publike Ndërkombëtare, marrëdhënieve mes shteteve, se si impaktonte kjo jetët e njerëzve, fatet e njerëzve, historia e këtyre marrëdhënieve ku Shqipëria ka një rol të veçantë në doktrinën e të Drejtës Ndërkombëtare. Që nga incidenti i kanalit të Korfuzit që është një nga aktet e para të jurisprudencës, të Gjykatës Ndërkombëtare të Hagës, e deri tek akti i pavarësimit të Kosovës dhe opinioni këshillimor i Gjykatës Ndërkombëtare të Hagës. Të dyja janë akte madhore në doktrinën e jurisprudencës ndërkombëtare, të drejtës publike ndërkombëtare. Siç e shikoni e kam pasion, i jam rikthyer pjesërisht këtij pasioni vitin e kaluar kur u emërova reporter për çështjen e konfiskimit, e ligjshmërisë së konfiskimit të aseteve të ngrira ruse për t’ia vënë ato në dispozicion Ukrainës. Pra, ana profesionale, domethënë ana përmbajtësore e studimeve e mbaj mend si një kohë shumë shumë të bukur. Por do të isha i pavërtetë po mos të thoja që po kaq bukur, në disa aspekte edhe më e bukur ka qenë jeta studentore.” – u shpreh Basha.