32.5 C
Tirana
E shtunë, 21 Qershor, 2025

Basha në një intervistë ndryshe flet për jetën personale: Fëmijëria ishte e lumtur falë dashurisë dhe kujdesit të prindërve, pavarësisht kushteve të diktaturës

Kryetari i Partisë Demokratike-Demokratët Euroatlantikë, Lulzim Basha, ka dhënë një intervistë të veçantë në emisionin “Fit” në News24, ku ka ndarë kujtime nga fëmijërinë e tij.

Duke folur për vitet e para të jetës, Basha theksoi se, përkundër kushteve të vështira të diktaturës komuniste, kujdesi dhe dashuria e prindërve të tij e bënë fëmijërinë e tij të lumtur.

Ai kujtoi se, megjithëse Shqipëria ishte nën regjimin e asaj kohe dhe familjet përballoheshin me deprivime, ai nuk kishte asnjë kujtim të hidhur falë dashurisë që mori nga familja. Basha shtoi se për të ishte shumë e rëndësishme ngrohtësia e familjes dhe lidhjet e forta me të afërmit, të cilat krijonin një komunitet më të ngjeshur, një ndjenjë që ai thotë se mungon sot.

“E kujtoj si një fëmijëri të lumtur. Pavarësisht se kanë qenë kohë kretësisht të ndryshme. Fëmijërija ime përkon me kohën kur Shqipëria gjendej nën diktaturën komuniste, deprivime të mëdha për familjet shqiptare. Por falë kujdesit të jashtëzakonshem të prindërve, të familjes në tërrësi domethënë, nuk kam asnjë kujtesë të hidhur ndaj atyre deprivimeve me të cilat faktikisht jetonte çdo familje, apo shumica dërrmuese e familjeve shqiptare në komunizëm. Kështu që, kujtimet e fëmijërisë i kam të lumtura. Në radhë të parë, mendoj falë dashurisë me të cilën jam rritur në familje, jam bekuar me një dashuri të jashtëzakonshme gjatë gjithë jetës sime, që nga ajo me të cilën më kanë rritur prindërit e mi, e më vonë pastaj me bashkëshorten, me vajzat e mia. Por kur e mendoj si kronologji, siç edhe më pyete, është shumë e rëndësishme për fëmijët të ndjejnë ngrohtësinë e familjes. Dhe unë e kam ndjerë. Sigurisht ka qenë një kohë kur edhe lidhjet me familjet, në kuptimin e gjerë të fjalës, me kushërinjtë e parë, me tezet, me dajat me xhaxhallarët, me hallat, ishin shumë më të mëdha. Me të vërtetë ishte vetëm një ditë pushimi, e diela, por ajo ishte një ditë që tërrësisht i përkushtohej vizitave të familjeve të njëri-tjetrit, drekat e mëdha familjare. Në tërrësi domethënë ishte një komunitet shumë më i ngjizur sesa sot . Kjo është besoj çdokush që e ka përjetuar, e ndjen mungesën” – u shpreh Basha.

Aleanca e hapur e hajnisë në sulëm kundër drejtësisë!

Nga Azgan Haklaj

Reagim!

Dje një çmenduri politike tjetër habiti jo vetëm kryeqytetin por shumë më gjerë.
Një grup mbështetësish të kryehadutit Ilir Meta u shfaqen me parulla, slogane e me thirrje histerike në oborrin e SPAK-ut!
Qysh nga viti 1989-të në Temishuarë të Rumanisë e deri sot kam ndjekur protesta populiste të cilat janë drejtuar deri në gjakderdhje por që të gjitha kanë pasur objektiv drejtuesit diktatorë me emra të përveçëm si Çaushesk, Ben Ali apo Sadam Husein, Gedaf…..
Por askund në botë nuk është parë e degjuar të manipulohen turma kundër organeve të drejtësisë.
Ky precedent ndodh në Tiranë në një vend anëtar të NATO-s dhe aspirant për në BE.
Siparin e kësaj marrëzie jo të rastësishme e hapi vite më parë kryehajduti Erjon Veliaj i cili me bekimin e hajdutit shtalartë Edi Rama rrethoi Gjykatën Administrative.
U pasua nga hajduti tjetër i faktuar e penalizuar Sali Çatia për të kulmuar në rastin e fundit me ushtarët protestues të ish presidentit Ilir hajnia.
Pa dashur ta anatemoj këtë farsë e cila nuk ka asnjë përkufizim përveçse presion njerëzor kriminal kundër drejtësisë për të legjitimuar vjedhjen makabre e krimin politik sikundër paprekshmërinë shpreh bindjen e plotë se këto janë protesta të pastra kundër aleatit të kombit tonë SHBA-së e cila krijoi dhe vijojn të suportojë SPAK-un dhe GJKKO-në.
Shihni Sali Berishën studio më studio me porosi direkte të Edi Ramës tek sulmon SHBA-të.
Ç’po ndodh?
Que vadis Albania!?
E pse pikërisht tani në këtë maskaradë ruse në Ballkan e kryesisht në trojet tona etnike që janë aleati me potent i euroatlantizmit?!
Përgjigja është e thjeshtë!
Keta hajdutë të papergjegjshëm kriminal tashmë të dekriptuar e diskretituar janë në agoninë e tyre dhe janë hedhur në sulëm të mbrojnë ç’mund të mbrojnë nga vjedhjet e llahtarshme në më shumë se tre dekada.
Shqiptarët duhet ta dinë se Sali Berisha, Ilir Meta, Edi Rama, Erjon Veliaj, Belinda Balluku, Arben Ahmetaj, e me radhë të gjithë kusarët e shqiptarëve shumë shpejt do të jenë banorë të qelive të burgut të Ilir Beqajt e Çyrbjes e shumë të tjerëve që janë akomoduar aty dhe pronat e tyre kriminale do të sekuestrohen e kthehen tek taksapaguesit e grabitur.
Ka ardhë koha që shumë shpejt me apo pa politikanë në ballë të mblidhen shqiptarët e ndershëm të këtij vendi e të reagojnë paqësisht në mbështetje të drejtësisë së re e në suport të aleatëve tanë nacional që mbështesin këtë hap jetik për atdheun e kombin tonë.
Aty do të testohet realisht autoriteti i leckosur i këtij establishmenti politik i cili ndonëse në grahmat e fundit tenton të mbijetojë.
Koha është sot për të shkeputur nga trupi i atdheut këtë gangrenë e cila nëse nuk ikën do të kancerizojë pa shpëtim të ardhmen e kombit.

“Prioritet lufta kundër korrupsionit”, Basha takohet me kongresmenin French Hill: i prezantova iniciativat për vetingun e politikanëve dhe heqjen e imunitetit të deputetëve

Kryetari i Partisë Demokratike-Demokratët Euroatlantikë, Lulzim Basha, takoi kongresmenin amerikan, French Hill, njëkohësisht edhe anëtar i Komitetit për Punë të Jashtme dhe Zëvendës Kryetar i Komitetit të Shërbimeve Financiare. Në një postim në facebook, Basha shkrun se në bisedën me Hill theksoi rëndësinë e luftës ndaj korrupsionit, duke i prezantuar iniciativat e tij për vetingun e politikanëve dhe heqjen e imunitetit të deputetëve.

Më tej ai thotë se pjesë e diskutimit ishte dhe situata e sigurisë në Ballkan, ku Basha shprehu shqetësim për përpjekjet e Rusisë për të destabilizuar rajonin, duke kërkuar mbështetje të SHBA për ruajtjen e stabilitetit në Kosovë dhe Mal të Zi.

Postimi i Bashës:

Kënaqësi të ritakohem me mikun tim, kongresmenin French Hill, anëtar i Komitetit për Punë të Jashtme, Zëvendës Kryetar i Komitetit të Shërbimeve Financiare të Dhomës së Përfaqësuesve dhe i Komitetit të Inteligjencës, i cili është gjithashtu kandidati kryesor për të drejtuar Komitetin e Financave.

Theksova se për ne, mbështetja për drejtësinë dhe lufta e pakompromis kundër korrupsionit janë prioritete kryesore. Korrupsioni po gërryen ekonominë dhe po shtyn drejt emigracionit të rinjtë, intelektualët dhe punonjësit e specializuar.

Lidhja e politikës me krimin, e denoncuar prej meje për vite me radhë dhe tashmë e faktuar edhe në hetimet e SPAK-ut, është një problem i jashtëzakonshëm për vendin. E njoha kongresmenin Hill me nismat e mia për vetingun e politikanëve, si dhe me nismën për heqjen e imunitetit të deputetëve, çka do t’i jepte mundësi Prokurorisë të hetonte pa u penguar nga mbrojtja që kanë politikanët në Parlament.

Fatkeqësisht, mazhoranca refuzon t’i fusë edhe për diskutim këto nisma, duke dëshmuar se është gati të bëjë gjithçka për të mbrojtur deputetët dhe qeveritarët e lidhur me krimin dhe të korruptuar.

Kongresmeni Hill dëgjoi me vëmendje programin tonë për të qeverisur vendin, që përfshin uljen e taksave, mbështetjen e të rinjve, forcimin e familjes përmes mbështetjes ekonomike dhe financiare, programin për arsimin dhe shëndetësinë, si dhe planin për të luftuar korrupsionin dhe rikthimin e investitorëve të huaj, ku natyrisht kemi një interes të veçantë për investitorët amerikanë.

Diskutuam gjerësisht edhe për situatën në rajon dhe veçanërisht në Kosovë, me shqetësim për përpjekjet e Rusisë për të krijuar një vatër të re tensioni në Ballkan, konkretisht në Kosovë, Bosnje dhe së fundmi edhe në Mal të Zi. Sulmi i fundit në Kosovë ndaj infrastrukturës jetike për furnizimin me ujë dhe energji për qytetarët është një kambanë alarmi për skenarët që Serbia, së bashku me Rusinë, janë duke zbatuar në përpjekje për të destabilizuar rajonin.

I kërkova z. Hill që SHBA-ja të ruajë fokusin edhe te Ballkani Perëndimor, pasi përballë disfatave në strategjinë e saj, Rusia po kërkon një vatër të re konflikti.

Anëtarësimi i Kosovës në NATO do të ishte një hap i rëndësishëm në këtë situatë për të garantuar paqe dhe stabilitet në rajon, dhe për këtë, roli i SHBA-së është jetik.

Të rinjtë, kundër “rrymës” në tregun e punës, Banka Botërore: Vetëm 15% e të diplomuarve mbarojnë degët e kërkuara nga biznesi

Shqipëria ka bërë përparim të dukshëm në zgjerimin e aksesit në arsimin e lartë, por ndërkohë që numri i studentëve që diplomohen nga institucionet e arsimit të lartë është rritur, ka një çekuilibër të theksuar midis fushave të studimit.

Në këtë përfundim del Banka Botërore, ku sipas të dhënave të publikuara së fundmi, më pak se 15 për qind e të diplomuarve në Shqipëri janë nga programet STEM që përfshijnë shkencën, teknologjinë, inxhinierinë, matematikën, krahasuar me norma dyfish më të larta. lartë në ekonomitë e përparuara të Evropës.

Banka Botërore sugjeron që për të siguruar që arsimi i lartë të kontribuojë efektivisht në rritjen ekonomike, Shqipëria duhet të fokusohet në përmirësimin e cilësisë dhe rëndësisë së arsimit.

Sipas Bankës Botërore, në veçanti, arsimi i shkencës, teknologjisë, inxhinierisë, matematikës (STEM) në arsimin e lartë është jetik për zhvillimin e një fuqie punëtore të kualifikuar, nxitjen e inovacionit dhe adresimin e sfidave globale.

Ky institucion beson se duke integruar këto aftësi, duke promovuar mësimin ndërdisiplinor dhe duke rritur pjesëmarrjen e grupeve të nënpërfaqësuara, arsimi STEM mund të kontribuojë ndjeshëm në përparimin ekonomik dhe social.

Pavarësisht progresit të rëndësishëm, cilësia e arsimit në Shqipëri mbetet ende nën kërkesat e tregut. Sondazhet me bizneset tregojnë se mungesa e fuqisë punëtore të kualifikuar është një pengesë e konsiderueshme për bizneset.

Prandaj, sugjerohet që është thelbësore që rezultatet e arsimit të harmonizohen me nevojat e tregut të punës, duke siguruar që të diplomuarit të zotërojnë aftësitë e kërkuara nga punëdhënësit. Duke mësuar nga shembujt e suksesshëm të vendeve të tjera, praktikat më të mira mund të adoptohen për të kapërcyer këtë hendek.

Raporti ekonomik i Bankës Botërore për rajonin e Evropës dhe Azisë Qendrore nënvizon rolin thelbësor të arsimit të lartë në nxitjen e rritjes ekonomike dhe zhvillimin e inovacionit në të gjithë rajonin, përfshirë Shqipërinë./SCAN

Kërcënimet e qeverisë, a do të rriten çmimet?

Biznesi është agjenti kryesor i ekonomisë. Ai që hap vende pune, paguan taksa e lë vlerë të shtuar. Kjo do të thotë se një biznes i shëndetshëm përkthehet në një ekonomi të shëndetshme. Por a është i tillë biznesi shqiptar? Apo vështirësitë që has ia faturon konsumatorëve me rritje çmimesh?

Tregu shqiptar është i vogël dhe për shkak të tranzicionit të zgjatur dhe politikave shumë herë të gabuara fiskale ka pësuar deformime të forta në drejtim të konkurrencës. Ai është i dominuar kryesisht nga biznese të vogla. Ndaj nuk është çudi që brenda një lagjeje të ketë disa farmaci, dyqane buke, bar kafe apo parukeri. Modele të ngjashme biznesi, që nisin me pak para dhe shërbejnë kryesisht për punësimin e familjes.

Në vitin 2023, numri i bizneseve në shkallë vendi arriti në mbi 130 mijë, me rritje 4.1% kundrejt një viti më parë. Por teksa trendi në rritje i hapjes së bizneseve të reja është pozitiv, problem mbetet struktura.

Aktualisht, vetëm 1.6% e bizneseve në vend janë ndërmarrje të mëdha me më shumë se 50 të punësuar. Shumica dërrmuese janë subjekte të vogla, që kanë nga 1 deri në 4 të punësuar.

Shqiptarët preferojnë më shumë të merren me tregti dhe shërbime dhe më pak me prodhim. Kjo pasi të bësh biznes në këta sektorë është më e lehtë dhe me risk më të ulët. Përveç kësaj, nuk nevojiten të ardhura të mëdha për të hapur një aktivitet të tillë dhe as njohuri të thelluara apo eksperiencë.

Të dhënat tregojnë se në fushën e tregtisë janë aktive mbi 44 mijë biznese dhe në atë të shërbimeve më shumë se 62 mijë. Në total, vetëm në këta dy sektorë janë të përqendruar mbi 82% e totalit të bizneseve në vend.

Por si ka qenë ky vit për bizneset e vogla? Cilat janë problemet kryesore, me të cilat ata përballen?

Kjo duke pasur parasysh se për t’i ndihmuar, në qershor të vitit 2020 qeveria i përjashtoi nga taksat deri në vitin 2029.

Por ndërsa bizneset e vogla janë të rëndësishme kryesisht për punësimin, ndërmarrjet e mëdha janë ato që prodhojnë, kontribuojnë më shumë në buxhetin e shtetit me taksa dhe lënë vlerë të shtuar në ekonomi. Viti 2024 nuk ka qenë i lehtë për to.

Të dhënat tregojnë se në 10 mujorin e parë të këtij viti, eksportet arritën vlerën e 369.8 miliardë lekëve, me rënie 53 miliardë lekë ose 14.3% kundrejt të njëjtës periudhë të një viti më parë.

Për një pjesë të prodhimit “Made in Albania” humbjet kanë qenë edhe më të mëdha.

Rënien më të fortë këtë vit e kanë pësuar grupet “Minerale, lëndë djegëse, energji”, “Tekstile dhe këpucë”, që ndryshe i njohim edhe si fasonët, si dhe “Materiale ndërtimi, metale”.

Të bësh biznes në Shqipëri nuk e lehtë. Një refren që drejtuesit e kompanive të mëdha e përsërisin vazhdimisht teksa rendisin gamën e vështirësive që duhet të përballin çdo ditë,

Disa probleme janë të trashëguara e disa të tjera të krijuara vitet e fundit, si mungesa e fuqisë punëtore, zhvlerësimi i fortë i euros, informaliteti; marrëdhëniet jo të lehta me institucionet; korrupsioni dhe mungesa e financimeve.

E kësaj panorama i shtohen edhe disa nga nismat e fundit të qeverisë, të cilat kanë pasur fokus biznesin. Iniciativa që nuk kanë qenë gjithmonë të mirëpritura. Pas rritjes së pagës minimale vitin e kaluar, gjë që shtoi kostot për sipërmarrjen, qeveria ka rikthyer luftën kundër informalitetit në tregun e punës. Me një gjuhët të ashpër, kryeministri gjatë muajve të fundit ka kërkuar nga biznesi të deklarojë pagat reale të punonjësve, si e vetmja mënyrë për të rritur pensionet.

Por sa është konsultuar qeveria me biznesin për nismën anti-informalitet, por jo vetëm? A ekziston sot një dialog real mes palëve? Ku qeveria jo vetëm dëgjon, por merr edhe parasysh atë që sipërmarrja thotë dhe kërkon?

Bizneset po përballen sot me presionin e rritjes së kostove. Kjo pasi mungesa e punëtorëve përkthehet në kosto shtesë për biznesin. Rritja e pagës minimale është një tjetër kosto shtesë. Korrupsioni është një taksë e fshehtë, që rrit gjithashtu kostot. E këto kosto të shtuara sipërmarrja nuk i mban vetë, pasi synon fitimin. Ato i transferohen qytetarit me rritje të çmimeve.

E kur çmimet rriten, ashtu siç ka ndodhur veçanërisht dy vitet e fundit, as rritja e pagave dhe as bonusi i pensionistëve nuk bën më fajde. Ndaj dhe çdo nismë, sado me qëllim të mirë, duhet të konsultohet e jo të imponohet, pasi qeveria i shkarkon kostot tek biznesi dhe biznesi tek qytetarët. E për këta të fundit që duhet të mendojnë të gjithë, nuk mendon askënd.

A do të mundet Trump të shkëputë Kinën nga Rusia?

Nga Aleksandër Gabuev

Për momentin, prioriteti kryesor i Kremlinit është të shmangë një përshkallëzim të madh me Shtetet e Bashkuara mbi Ukrainën, përpara se Trump të hyjë në Shtëpinë e Bardhë.

“Gjëja e vetme që nuk do të dëshironit të ndodhte asnjëherë, është një aleancë e ngushtë midis Rusisë dhe Kinës. Do të më duhet që t’i përçaj ato, dhe mendoj se mund t’ia dal”, u mburr Donald Trump në një intervistë në tetor për gazetarin amerikan Tucker Carlson.

Gjatë fushatës elektorale, presidenti i zgjedhur deklaroi vazhdimisht se do ta ndalë “brenda 24 orësh” luftën në Ukrainë, dhe se do të jetë shumë më i ashpër ndaj Kinës sesa ka qenë presidenti Joe Biden. Por Trump nuk ka thënë asnjëherë me saktësi, se cili është plani i tij për të “ndarë” këto dy vende nga njëri-tjetri.

Bazuar tek sjellja e tij në mandatin e parë, ai mund të përpiqet të improvizojë diçka menjëherë. Por shenjat e para, tregojnë se administrata e ardhshme mund të përpiqet ta dëmtojë partneritetin kinezo-rus duke ulur tensionet (dhe madje duke përmirësuar lidhjet) me Moskën, në mënyrë që të ushtrojë presion mbi Pekinin.

Kjo qasje ngjan si e kundërta e asaj që Sekretari i Shtetit Henry Kissinger, përdori më shumë se 50 vjet më parë, kur Shtetet e Bashkuara ulën tensionet me Kinën, për të shfrytëzuar përçarjet midis Pekinit dhe Moskës. Kjo shkollë mendimi, është shumë popullore tek njerëzit pranë Trump, përfshirë ata që janë emëruar tashmë në ekipin e tij të sigurisë kombëtare.

Për shembull Michael Waltz, kongresmen republikan, të cilin Trump e ka zgjedhur për të shërbyer si këshilltar i tij për sigurinë kombëtare, deklaroi për The Economist se Shtetet e Bashkuara do të ndihmojnë në përfundimin e luftës në Ukrainë sa më shpejt të jetë e mundur, dhe më pas të devijojnë burimet për të “kundërshtuar kërcënimin më të madh që vjen nga Partia Komuniste Kineze”.

Për momentin, prioriteti kryesor i Kremlinit është të shmangë një përshkallëzim të madh me Shtetet e Bashkuara mbi Ukrainën, përpara se Trump të hyjë në Shtëpinë e Bardhë. Presidenti rus Vladimir Putin, shpreson që nëse Moska i luan mirë kartat e saj, presidenca e Trump të sjellë një rënie të ndjeshme të mbështetjes perëndimore për Kievin.

Por ndërsa Putin ka arsye për të qenë optimist për Trump, Xi ka shumë arsye të jetë i shqetësuar. Sepse gjatë mandatit të parë, Trump nisi një luftë tregtare ndaj Kinës, shënjestroi gjigantin e teknologjisë kineze Huawei me sanksione, dhe me një fushatë presioni për të çinstaluar pajisjet e tij nga rrjetet e aleatëve.

Po ashtu, i përforcoi asetet ushtarake të SHBA dhe partneritetet në rajonin Indo-Paqësorit, dhe zhvilloi një luftë propagandistike për përgjegjësinë e Kinës në shkaktimin e pandemisë së Covid-19. Këtë herë, situata mund të duket edhe më e keqe. Në vitin 2016, ekonomia kineze ishte në një trajektore shumë më të fortë rritjeje sesa tani, ndërsa ajo SHBA-së anemike.

Sot është e kundërta, kryesisht për shkak të politikave të gabuara ekonomike të Xi. Pastaj është ekipi i profesionistëve të sigurisë kombëtare dhe tregtisë që ka emëruar Trump. Shumica e zyrtarëve të lartë të emëruar deri tani, janë të njohur për pikëpamjet e tyre të ashpra ndaj Kinës. Po ashtu, ata janë pro më shumë shpenzimeve në mbrojtje për t’iu kundërvënë Pekinit, si dhe për vendosjen e tarifave ndëshkuese, për më shumë kufizime të kontrollit të eksporteve dhe mbështetjen për Tajvanin. Si për t’i përkeqësuar më tej gjërat, shumica e zyrtarëve të lartë të ardhshëm të Trump janë ose krejtësisht të panjohur në Kinë, ose nuk kanë qenë atje prej vitesh, duke preferuar Tajvanin.

Ndërkohë edhe ekipi aktual i Xi – veçanërisht drejtuesit e tij kryesorë në ekonomi – nuk njihen mirë në Uashington. Që nga viti 2022, Xi e ka rrethuar veten me njerëz – përfshirë shefin e tij të shtabit, Cai Qi dhe zëvendëskryeministrin He Lifeng – me profil relativisht të ulët në skenën ndërkombëtare.

Ata nuk flasin anglisht, dhe në përgjithësi kanë qenë të paarritshëm për Uashingtonin që nga ngritja e tyre në Byronë Politike. Nëse mandati i parë i Trump ishte i pajisur me kanale informale midis Kinës dhe Shteteve të Bashkuara, nën Trump 2.0, shpresa më e madhe e Kinës mund të jetë Elon Musk, që ka shumë interesa biznesi në Kinë. Kompania e tij e automjeteve elektrike, Tesla, ka një fabrikë në Shangai.

Dhe kjo të paktën për aq kohë sa ai do të mbetet në marrëdhënie të mira me presidentin amerikan. Me gjithë pasigurisë që do të sjellë Trump 2.0, gjëja e fundit, për të cilën shqetësohen Putini dhe Xi, është aftësia e Uashingtonit për të provokuar një ndarje të vërtetë midis vendeve të tyre, pavarësisht premtimit elektoral të Trump për ta bërë këtë.

Para së gjithash, nëse Trump do të mundet të negociojë një marrëveshje mbi Ukrainën që e kënaq Putinin, kjo mbetet për t’u parë. Nëse nuk trajtohen shqetësimet thelbësore të Kremlinit, Moska mund të vazhdojë të luftojë, dhe në këtë skenar i gjithë plani për të përmirësuar lidhjet me Kremlinin në kurriz të Pekinit, do të jetë i pasigurt.

Edhe nëse të gjitha palët arrijnë një marrëveshje për Ukrainën dhe Trump lehtëson sanksionet e SHBA-së kundër Rusisë, reja toksike rreth ekonomisë ruse nuk do të zhduket menjëherë. Sigurimi i parave shtesë nga Moska do të kërkojë blerjen nga Evropa të energjisë së saj.

Por kjo nuk është aspak e garantuar, pasi shumë kryeqytete mbeten skeptike ndaj Rusisë së Putinit, dhe nuk duan të kthehen në epokën e varësisë ekonomike të paraluftës. Rusia është bërë shumë e varur nga Kina në aspektin ekonomik. Gjatë 2 viteve të fundit, 40 për qind e importeve ruse kanë ardhur nga Kina, dhe 30 për qind e eksporteve ruse shkojnë atje.

Kjo varësi po thellohet dhe nuk mund të zhbëhet brenda natës. Rikthimi tek kjo varësi, do të kërkonte gjithashtu përpjekje të koordinuara nga amerikanët dhe evropianët për të rritur tregtinë dypalëshe me Rusinë, gjë që është e vështirë të parashikohet nën presidencën Trump.

Së fundi, Putin dhe Xi e dinë se ky do të jetë mandati i fundit i Trump dhe se ai mund të pasohet lehtësisht nga një president që mund të anulojë çdo lloj marrëveshje të arritur nën presidentin republikan. Ndërkohë si Xi ashtu edhe Putin, planifikojnë të qëndrojnë në pushtet edhe përtej vitit 2029, kur do të përfundojë mandati i Trump.

Përveç marrëdhënieve personale midis dy autokratëve, mosbesimi i tyre i përbashkët ndaj Uashingtonit, dhe shpresat e tyre për t’u bërë më të fuqishëm në një rend në zhvillim me shumë pole pushteti – në kurriz të Shteteve të Bashkuara – ka të ngjarë të ofrojnë një bazë shumë të fortë për të mbajtur të qëndrueshme dhe në forcim të vazhdueshëm aleancën Kinë-Rusi.

Shënim: Alexander Gabuev, drejtor i Qendrës Carnegie Russia Eurasia me seli në Berlin./ Përshtatur nga “Foreign Affairs”

Zgjidhja ideale, si të përdorni bajamet për të parandaluar dhimbjet e kokës

Bajamet bëjnë pjesë në arrorët më të shëndetshëm për organizmin e njeriut. Ato janë të pasura me vitamina dhe minerale, veçanërisht me magnez dhe vitaminan B2, të cilat janë shumë efikase kundër dhimbjeve të kokës.

Frekuenca dhe intensiteti i dhimbjeve të kokës janë të ndryshme në varësi të individit, ndërkohë që ilaçet në treg nuk kanë aftësinë të kurojnë çdo dhimbje koke.

Bajamet kundër migrenës dhe dhimbjeve të kokës

Bajamet përmbajnë substanca që luftojnë inflamacionin. Me një veçori të tillë, konsumi i bajameve ndihmon në parandalimin e dhimbjeve të kokës.

Sipas të dhënave, njerëzit që vuajnë nga migrena, kanë nivele të ulëta të magnezit në organizëm. Një studim i Universitetit të Merilendit analizoi efikasitetin e magnezit në parandalimin e migrenës.

Gjetjet e studimit treguan se episodet e migrenës ulen me 41.6 përqind tek njerëzit që i përmbahen rekomandimeve ditore të konsumit të magnezit. Ky mineral është thelbësor për qetësimin e nervave, lodhjes, stresit dhe tensionit.

Në bashkëpunim me vitaminën B2, e cila gjendet gjithashtu tek bajamet, magnezi rekomandohet të merret nga njerëzit që përballen me episode të përsëritura të migrenës.

Për më tepër, studimet konfirmojnë se konsumi i 400 mg vitaminë B2 në ditë, përgjysmon frekuencën e migrenës tek njeriu.

Sasia e rekomanduar e bajameve dhe di t’i përdorni

Sasia e rekomanduar e konsumimit të bajameve është 10-12 bajame në ditë. Bajamet mund t’i zhysni në ujë dhe t’i mbani gjatë gjithë natës.

Më pas ato kullohen dhe duhen konsumuar në mëngjes, esëll ose jo. Kujdes, uji i bajameve nuk duhet konsumuar por duhen konsumuar vetëm bajamet.

Vlera dhe përfitime të tjera të bajameve

Bajamet janë të pasura me antioksidantë të cilat luftojnë radikalet e lira. Ato gjithashtu ndihmojnë në uljen e nivelit të sheqerit në gjak.

Ngrënia e bajameve ndihmon në frenimin e nepsit dhe ju mban të ngopur për më gjatë. Ato janë të pasura edhe me vitaminë E, madje ulin nivelet e kolesterolit me shumë efikasitet.

E fundit por jo për nga rëndësia, magnezi tek bajamet ndihmon në uljen e tensionit të gjakut./AgroWeb.org

“Rrugë që mbetën rrugëve”, 3.5 milionë euro të tjera për Qukës – Qafë Plloçë.

Nga Voxnews.al

Pesëmbëdhjetë vite më parë filloi së ndërtuari rruga Qukës – Qafë Plloçë, e cila synonte që qarku i Korçës të afrohej me Tiranën. Paratë e hedhura duket se kanë shkuar dëm, pasi nga viti në vit, qeveria ka akorduar dhjetëra miliona euro shtesë.

Me këto para’ synohej që rruga të përfundonte, teksa shtetarët kanë dhënë afate për inaugurimin, por deri më sot të gjithë kanë “gënjyer”. Aktualisht, afati për inaugurimin është dhënë në vitin 2025, pa specifikuar edhe muajin. Por, a do të mbahet “premtimi” nga drejtuesit aktualë të Ministrisë së Infrastrukturës dhe Drejtorisë së Rrugëve?!

Qeveria nga një anë premton hapje dhe nga ana tjetër vijon të shtojë fondet. Sipas dokumenteve që disponon VoxNews, Autoriteti Rrugor Shqiptar ka hapur “thesin”, ku pas tenderëve për Elbasan – Rrogozhinë dhe Fier – Ballsh, radha i ka ardhur edhe shtesave për këtë segment.

“Rrugë që mbetën rrugëve”, 3.5 milionë euro

Shpallja e tenderit të ri për rrugën Qukës – Qafë Plloçë, me vlerë rreth 3.5 milionë euro

Drejtori Gentian Gjyli ka firmosur tenderin me objekt “plotësim i punimeve në segmentin rrugor Qukës – Qafë Plloçë”, teksa bëhet fjalë për punime ndërtimi për autostrada dhe rrugë. Fondi limit i kësaj procedure është 335.957.708 lekë pa TVSH, ose rreth 3.5 milionë euro, teksa kohëzgjatja e kontratës/marrëveshjes kuadër ose afati për zbatimin e saj është 6 muaj.

Pra, do të duhen minimalisht edhe 6 muaj të tjerë për këtë rrugë! Procedura do të bëhet në datën 13 dhjetor, pas disa javësh do bëhet shpallja e fituesit dhe më vonë do lidhet kontrata. Me këto ritme duket se kontrata do lidhet në muajt e para të vitit 2025 dhe përfundimi parashikohet të realizohet në verën e vitit 2025. Do e përurojnë sërish në 2025-ën?!

“Rrugë që mbetën rrugëve”, 3.5 milionë euro

Autoriteti Rrugor Shqiptar shkruan se edhe paratë e shtesës së kontratës nuk e rregulluan segmentin

Abuzimet me rrugën Qukës – Qafë Plloçë janë pranuar edhe nga Autoriteti Rrugor Shqiptar, i cili në dokumente ka bërë edhe një relacion, “mbi verifikimin e punimeve të mbetura në objektin plotësimi i punimeve në segmentin rrugor Qukës – Qafë Plloçë – Loti 0″.

Në dokumente shkruhet se, bazuar në urdhërin e drejtorit të përgjithshëm me numër 300, datë 01.10.2024, grupi i punës bëri verifikimin e punimeve të mbetura. “Punimet në objektin ‘Ndërtim rruga Qukës – Qafë Plloçë’, loti 1kanë filluar në qershor të vitit 2009 dhe kanë përfunduar në dhjetor të vitit 2014. Projektin e këtij segmenti rrugor është paraqitur pranë ARRSH në vitin 2008 nga Komuna Qukës dhe është hartuar nga firma projektuese ‘SPHAERA’. Gjatë zbatimit të punimeve ndodhi një rreshqitje masive ku përveç fshatit që ishte në krahun e majtë të rrugës u dëmtua në një shkallë të konsiderueshme dhe trupi i rrugës, muret pritës prej betoni, veprat e artit si tombino etj” thuhet në këto dokumente.

Më tej vijon se, si rezultat i këtij fenomeni të rrëshqitjes u bë spostimi i aksit në një gjatësi rreth 800ml, i cili kishte një kosto shtesë prej 20% të vlerës së kontratës. “Theksojmë se dhe me fondet shtesë, objekti nuk përfundoi 100% dhe nuk u vendos në shfrytëzim, pasi mbetën pa u realizuar shtresat rrugore, sinjalistika horizontale, vertikale, siguria rrugore, disa elemente të urës, kunetat e betonit, kanalet, fibra optike. Grupi i punës doli në përfundimin se në këtë lot kanë mbetur pa realizuar shtresat rrugore, shtresa e veshjes (tapeti) 5 cm, shtresa lidhëse, shtresa e konglomeratit, shtresa bazë.

Ndërkohë, deri në fund të dhjetorit 2022, fatura financiare për ndërtimin ka arritur 270 milionë dollarë. Ky projekt ndërkohë parashikohej të përfundonte me kosto prej 150 milionë USD. E gjithë rruga ka një gjatësi prej rreth 43.3 km, e ndarë në 3 lote.

Pse Sali Berisha është xhindosur kaq shumë me Lul Bashën?!

Nga Ylli Pata

Sali Berisha, sot duhet të ishte më i kënaqur së kurrë. Përveç lirisë së dhënë nga GJKKO-a, ka vulën e partisë, e për më tepër është kthyer zyrtarisht anëtar i grupit parlamentar të Partisë Demokratike.

Largimi ndodhi nga përjashtimi që Lulzim Basha e vendosi në mënyrë demonstrative në shtatorin vitit 2021.

Pak kohë më parë, Berisha, por edhe të tjerë në stafin e tij, madje edhe Flamur Noka, nuk janë me Lulzim Bashën, madje kanë thënë se janë gati që të bashkëpunojnë me të, për hir të “kauzës” e gjëra të tjera. Natyrisht që ishte një deklaratë sa për të thënë, por gjithsesi, ishte një sinjal.

Dhe në fakt, Sali Berisha kishte arsye për të bërë të fortin, pasi vulën e mori, grupin parlamentar po ashtu, e sot, edhe zyrtarisht u rikthye për të folur jo vetëm si anëtar i grupit të PD-së, por si udhëheqës i opozitës.

Megjithatë, doktori nuk ishte fare i kënaqur për gjendjen e tij, e ju vërvit Lulzim Bashës, aq fort sa thuajse gjithë lajmi në konferencën për shtyp të së premtes rrotullohej tel ish-delfini i tij.

Thua hakmarrje, shfryrje inati pasi mori gjithçka në duart e tij? S’ka lidhje. Sali Berisha sot është politikani më i regjur i opozitës, e pavarësisht emocionalitetit, nuk lëviz kollaj si faqe padirsurit e grupit parlamentar që i xhiron si të dojë.

Inati i Sali Berishës me Bashën ishte politik dhe përçoi një mesazh të caktuar, që sipas gjasave do të trashet në vazhdim. Pse e bëri këtë? Sepse realisht Lulzim Basha është i vetmi faktor politik me peshë që e sfidon, përveç partive të reja, që kërkojnë kohën e vet.

Të gjithë të tjerët, në mënyrë “pragmatike” janë bërë kolaboracionistë dhe thonë që janë gati që të bashkohen nëse Sali Berisha qëndron kryetar i PD-së, por pranon të vendosë një kandidat për kryeministër tjetër.

Ndërkohë Lulzim Basha, jo vetëm që e sfidon, por ka vendosur që luftën ta bëjë brenda PD-së legale. Në një intervistë me TemA, madje shkoi aq larg sa tha se PD nuk është klubi Partizani që mund ta privatizojë familja Berisha.

Ndërkaq, përveç kësaj sfide, Lulzim Basha ka realisht infrastrukturën më të rëndësishme të bazës së PD-së, sidomos në zonat më të rëndësishme. Sali Berisha, është fiks si Aleks Xinxa që akuzonte Enver Hoxhën se i ka marrë bazën dhe ai kishte mbetur vetëm me udhëheqjen.

Kjo shikohet qartë pasi PD nuk ka aftësi për të zhvilluar një miting apo protestë. E kjo nuk do shumë mend; nuk i ka strukturat. Pasi aktivitetet nuk bëhen me votues, por me anëtarët. Berisha është realisht një gjeneral pa ushtri, ndërkohë që deputetët e tij janë thuajse të gjithë të kontestuar në qarqe.

Po të shikosh ripastrimin e listës dy ditë më parë, ajo nuk ishte gjë tjetër veçse një hi syve a thua se kishte ndryshuar diçka. Në Lezhë, thjesht la në hije Gjin Gjonin për të llastuar Gjekmarjan, apo vijimi në Shkodër me Luçiano Boçin, e në Elbasan dërgoi Tomor Alizotin, thjesht për të ulur inatin e bazës së PD-së me deputetët aktualë.

Nëse Gaz Bardhi nuk rikandidon në Elbasan, ku u zgjidh në 2021, nuk vlen më për askund, nëse në Shkodër PD nuk ka një kandidaturë të përshtatshme, tregon se ka humbur lidhjen me bazën. Madje më e mira do të ishte të nxjerrë emra nga baza, ku njerëzit e Berishës kanë kohë që në Universitetin Luigj Gurakuqi ju frynë në vesh mjaft pedagogëve se do t’i bëjnë deputetë. Po pse si bëjnë?

Sepse realisht Berisha ka frikë shumë nga lëvizjet që do të vijnë nga degët reale të PD-së, që ai nuk i kontrollon, por Lulzim Basha. /TEMA/

Sfida e rrezikshme e ‘Superman’, dhjetëra adoleshentë të lënduar në Kosovë e Maqedoni! Sociologu: E ka luajtur fëmija i një të afërmit tim, pësoi lëndime

Dhjetëra adoleshentë në Kosovë dhe në Maqedoninë e Veriut kanë mbetur të lënduar për shkak të realizimit të sfidës së supermenit në TikTok.

Për Report Tv sociologë e psikologë u bëjnë thirrje prindërve t’u shpjegojnë fëmijëve rreziqet e kësaj sfide dhe të kalojmë më shumë kohë me ta.

Sfida e “Supermenit” një lojë e rrezikshme që po përhapet gjerësisht në tik-tok, ka shkaktuar lëndimin e shumë fëmijëve e adoleshentëve edhe në Kosovë dhe në Maqedoninë e Veriut.

‘TikTok mund të ndalohet në SHBA, nëse nuk i shitet një kompanie amerikane’, Gjykata Federale e Apelit në SHBA i jep të drejtë presidentit Biden

Jeton Braishori, pedagog e sociolog nga Kosova, pasi rrëfeu rastin e një të afërmi që ra pre e kësaj sfide dhe përgëzoi nismën për mbyllen e tiktok si një platformë që servir antivlera.

“Kam pasur një rast. Fëmija e një të afërmit tim e ka luajtur këtë sfidë dhe ai tregon se ka shkuar tek mjeku për shkak se nuk është ndier mirë ka pas marramendje të mëdha. Mjeku e ka konstatuar se ka pësuar një lëndim në veshin e mesëm kjo ka ndodhur për shkak të tronditjes me kokë që personi ka pësuar kur ka rënë. Me insistimin e mjekut dhe të prindit djali ka treguar që e ka luajtur këtë lojë”, tha Jeton Braishori.

Për psikologen Elona Mustafaraj, prindërit duhet t’u shpjegojnë fëmijëve rreziqet që vijnë nga sfida të tilla dhe duhet të kalojnë kohë cilësore me fëmijët.

“Duke u përfshirë edhe ne në disa lojëra duke dhënë atë mesazhin që roli ynë prindëror, si edukator si psikolog, punonjës social apo çfarë do qoftë ka në fokus mirëqenien e tyre psikologjike dhe emocionale, nëse ulemi dhe u shpjegojmë të rinjve se ku qëndron rreziku real I kësaj loje do të jetë më e lehtë ti tërheqim ata sesa tu themi mos e bëni këtë lojë t’i ftojmë të rinjtë në diskutim për rreziqet që ka kjo loja”, shprehet Elona Mustafaraj.

Vetëm 4 ditët e fundit në Shkup të paktën 11 gjimnazistë të cilët kishin realizuar këtë sfidë, përfunduan me fraktura në spital, ndërsa në Rumani janë me dhjetëra fëmijët e lënduar. Sfida është që dikush të kërcejë me një krah të shtrirë si personazhi i filmit Superman dhe grupi hedh në ajër djalin ose vajzën e sfiduar. Ai kërcen mbi një grup fëmijësh që ose do ta kapin ose jo, duke shkaktuar deri në rrezik për jetën.