10.5 C
Tirana
E premte, 9 Maj, 2025

“1 milion euro më pak për SPAK nga buxheti”, Basha: Rama saboton reformën në drejtësi, mandati i tij prodhim i bandave

Kryetari i Partisë Demokratike-Demokratët Euroatlantikë, Lulzim Basha, ka përsëritur në emisionin “Log” se kryeministri Edi Rama është në konflikt interesi me Prokurorinë e Posaçme Anti-Korrupsion. Basha tha se Rama publikisht i thurr lavde SPAK-ut, por në mbledhje të ngushta e godet me të njëjtat terma që e ka goditur dhe në publik para ca kohësh dhe këtë shqetësim ia ka thënë edhe një nga zyrtarët më të lartë të partnerëve strategjikë.

Ai më tej tha se këtë tregon edhe vendimi i fundit në të cilin i ka hequr 1 milionë euro SPAK-ut në buxhetin e vitit 2025. Sipas tij, dosja e Çyrbes vërtetoi që vet mandati i Ramës është prodhim i bandave kriminale në Durrës.

Basha shprehu dhe njëherë mbështetje për SPAK-un, ndërsa tha se bashkëpunimi midis atyre që e ndajnë hallin e përbashkët është rreziku që duhet të shmanget.

“Fakti që për herë të parë në 34 vite zyrtarë të lartë dhe politikanë të lartë po përfundojnë para togave të zëza dhe pas hekurave, padiskutim është një dëshmi e parë, por jo e mjaftueshme e sukesesit të reformës në drejtësi, e në veçanti të këtij komponenti që është SPAK. Por siç e shoh këtë me optimizëm dhe i kam dhënë dhe vazhdoj t’i jap mbështetje të plotë dhe të pakushtëzuar, ashtu shoh dhe një rrezik në rritje që bashkëpunimi midis atyre që e ndajnë hallin e përbashkët të godtitjes së pandëshkueshmërisë, është sot dhe rreziku më i madh jo për togat e zeza, jo për SPAK-un, por për qytetarët shqiptarë. Nëse Shqipëria do të arrijë më herët, jo më vonë destinin e vet Europian, që do të thotë një vend me barazi para ligjit, me konkurrencë, me meritokraci, ku çdo qytetarë të ketë mundësinë të përfitojë nga begatia natyrore e vendit sipas aftësive dhe talentit të vet dhe jo Shqipëria të punojë për një grusht politikanësh, një grusht kriminelësh, një grusht oligarkësh. Kjo përcaktohet nga disa hapa esencial. Më esenciali midis tyre është nëse drejtësia do të vazhdojë të kontrollohet siç është kontrolluar në këto 34 vite nga politika, apo do të fillojë të veprojë e pavarur dhe në bazë të ligjit.

Sot ka dalë lajmi që njeriu që ka muaj që i thurr lavde SPAK, por që në fakt unë kam informacion nga partnerët strategjikë që e godet në mbledhje të ngushta, me të njëjtat terma që e ka goditur dhe në publik para ca kohësh. Një nga zyrtarët më të lartë të partnerëve strategjikë ia ka shprehur si shqetësim duke e etiketuar të ashtuquajturën “Republikë të Prokurorëve”, ky njeri sipas raportimeve të medias i ka hequr jo pak por 1 milion euro nga buxheti tashmë thatanik SPAK-ut. Si mund të besohet një njeri që nga njëra anë bën sikur e lavdëron dhe në rastin më të parë përpiqet ta anatemojë me partnerët strategjikë dhe i shkurton fondet?! Zoti Rama është në konflikt interesi me SPAK-un dhe prova më e fundit e kësaj siç e thamë, janë përgjimet e dosjes Çyrbja që vërtetojnë që vet mandati i tij është prodhim i bandave kriminale në Durrës” – tha Basha.

Basha: Investimi i Ramës është te Berisha, PD s’duhet të merrej me kauza personale

Basha, në studion e emisionin “Log”, ndër të tjera tha se Partia Demokratike nuk është në duart e Sali Berishës, por të Edi Ramës.

Ai tha se nuk kanë ndërmend të lejojë Ramën “të ketë luksin të grabisë mandatin e katërt, pa dhënë llogari për mandatin e 3, 2 për ekonominë, për lidhjet me krimin”.

“PD nuk e mori Berisha, e mori Rama me duart e Berishës. Berisha u përdor nga Edi Rama dhe vendosi ekuivokun të cilin e keni parë të shpallet në sloganin e PS. Jo pak i ngjashëm me atë të fushatës së 2021. Në zgjedhjet e ardhshme, është o Edi Rama o Sali Berisha. Ky është luksi që investoi Edi Rama dhe me të cilin u ka rob Berisha.
Nuk kemi ndërmend të lejojmë Edi Ramën të ketë luksin të grabisë mandatin e katërt, pa dhënë llogari për mandatin e 3, 2 për ekonominë, për lidhjet me krimin. Madje edhe për mandatin e tij personal është prodhim i bandave kriminale të Durrësit.
Jemi këtu për të siguruar shqiptarët të kenë një alternativë që shpalos një program të vërtetë që e nxjerr Shqipërinë nga ky udhëkryq.
Fokusi i PD duhej të ishte ecja përpara dhe jo ngecja në një luftë të brendshme. Fatkeqësisht investimi Ramës pati sukses. Beteja për të përçarë opozitën ka shenjën e gishtave të Edi Ramës, jo vetëm atë si person, por oligarkët, mediat e kontrolluara nga ai dhe krimi”, tha Basha.

McGonigal/ Basha: Rama korruptoi zyrtarin e lartë amerikan për të më goditur mua, akt i paprecedentë që nuk amnistohet

Kreu i Demokratëve Euroatlantikë, Lulzim Basha, në emisionin “Log” në News24, ka folur për çështjen McGonigal dhe implikimet e kryeministrit Edi Rama. Basha theksoi se hetimet dhe raportimet e medias amerikane kanë hedhur dritë mbi rolin e Ramës në korrupsionin e ish-drejtorit të kundërzbulimit të FBI-së për zyrën e New York-ut, Charles McGonigal.

Sipas Bashës, të dhënat dhe dëshmitë e publikuara deri më tani, si nga procesi gjyqësor ashtu edhe nga gazetaria investigative, e tregojnë qartë se Edi Rama ka pasur si objektiv të korruptonte McGonigal për të sulmuar rivalin e tij politikë, Lulzim Bashën, i cili në atë kohë ishte dhe kandidat për kryeministër.

Ai gjithashtu tha se nga ana tjetër, ish-kryeministri Sali Berisha e përdor historinë sa herë që i nevojitet sipas tekave të tij.

Pjesë nga fjala e Bashës:

Si çështja gjyqsore ashtu dhe raportimi profesional i medias amerikane, e ka bërë të qartë për të gjithë ata që nuk dinë apo nuk duan të lexojnë anglisht, e kanë bërë dhe me fotografi që targeti i zotit Rama në korruptimin e ish-drejtorit të kundërzbulimit për zyrën e New York, Charles McGonigal, ishte në fjalët e dëshmive të publikuara qoftë dhe nga procesi gjyqësor, qoftë dhe nga gazetaria investigative, rivali i tij për kryeministër Lulzim Basha. Ndërsa Sali Berisha e përshtat historinë sa herë që i nevojitet sipas tekave të tij, por fakti është që zoti Rama është kapur në flagrancë, jo për herë të parë por kësaj radhe duke përdorur diçka që askush tjetër se ka menduar duke korruptuar një nga zyrtarët më të lartë të sigurisë kombëtare të Shteteve të Bashkuara të Amerikës për hesap të luftës së brendshme politike, në raport me mua atëherë si kryetar i Partisë Demokratike dhe kandidati për kryeministër.

Gaba: Arrestimi i Veliajt si fiku që mund të bjerë nga momenti në moment, ka kthyer abuzimin në normalitet

Përmes një interviste në Ora News, analisti Gentian Gaba tha se kemi parë jo shumë larg, pasi kemi parë një aferë si ajo e 5D që mbërthen gjithë bashkinë, dhe Veliaj tha se janë ngrenë kumbulla pas shpinën së tij.

Ai shtoi se lajmi për arrestimin e tij është si një fik që mund të bjerë nga momenti në moment, pasi aferat në bashki tashmë kanë prekur majat.

Gaba: Kemi parë jo shumë larg, pasi kemi parë një aferë si ajo e 5D që mbërthen gjithë bashkinë, dhe Veliaj tha se janë ngrenë kumbulla pas shpinën së tij, por zullumi ishte aq i trashtë për tu justifikuar. Është investuar prej një dekade në pastrimin e parave dhe Veliaj nuk di se çfarë ndodh në zyrën e tij.

Lajmi për arrestimin e tij është si një fik që mund të bjerë nga momenti në moment. Paligjshmëria në qeverisje dhe bashki ka prekur majën. Nëse shohim lajmin se marrët një masë nga SPAK nuk përbën me lajm, sepse abuzimi është kthyer në normalitet.

Komisioni Xhafaj dhe Komisioni i Venecias/ Kulisat e mundshme të një marrveshjeje për të ndryshuar reformën në drejtësi dhe goditur SPAK

Nga Desada Metaj

Sali Berisha ka ripërsëritur mbrëmë propozimin e tij sipas të cilit “Partia Demokratike ka në plan angazhimin e Komisionit të Venecias për rishqyrtim tërësor të reformës në drejtësi”. Si ish-kryeministër dhe president, Berisha e di ndoshta më mirë se shumë juristë se për të vënë në lëvizje Komisionin e Venecias nevojiten këto 3 mekanizma: Presidenti i Republikës, Qeveria dhe Kuvendi si autoritete politike (Gjykata Kushtetuese e ka këtë të drejtë në kuadër të cështjeve gjyqësore konkrete të saj) . Më saktë, këtë të drejtë e kanë krerët e këtyre institucioneve, në asnjërin prej të cilëve në fakt Berisha nuk ka kompetencë për të ushtruar vullnetin dhe t’i nisë kërkesë Komisionit të Venecias.

Përballë këtij realiteti pyetja që shtrohet është: sa i vërtetë është kryetari i PD-së për opsionin e ndryshimit të reformës në drejtësi? A është kjo thjesht dëshirë dhe kërkesë në kontekstin politik apo ka një marrëveshje të heshtur me mazhorancën për ta çuar reformën drejt një ristrukturimi?

Përgjigjet gjenden në realitetin politik të ushqyer nga kryeministri. Edi Rama prej muajsh ka inkurajuar ngritjen e komisionit drejtuar nga Fatmir Xhafaj, që pavarësisht emërtimit, qartas nuk i ka fshehur ambiciet për të “futur duart” tek reforma në drejtësi. Megjithatë, pakënaqësitë e dukshme të zotit Xhafaj ndaj reformës dhe kryesisht SPAK-ut, deri më tani ai i ka shpërfillur qëndrimet e ndërkombëtarëve që kanë qenë të prerë dhe i kanë treguar vijën e kuqe të paprekshmërisë së reformës.

Madje, zotin Xhafaj nuk e ka penguar në punën e tij as refuzimi thuajse “on block” i institucioneve të drejtësisë për të dërguar përfaqësues në komisionin e drejtuar prej tij. Në këto kushte, qëllimi i Berishës dhe Xhafajt përputhen në pikën e nevojës së ndryshimit të reformës. Edhe pse të dy janë politikanë me eksperiencë dhe njohës të mirë të ligjeve, as Berisha dhe as Xhafaj deri më sot nuk kanë artikuluar asnjë vërejtje konkrete për reformën në drejtësi, duke u përqendruar tek terminologjia e përgjithshme.

LEXO  Përfundimi i gjyqit “Sky ECC” në Belgjikë/ Kërkohet arrestimi i 58 personave, mes tyre edhe shqiptarë

Ndonëse çdokush e ka kuptuar se shqetësimi i vërtetë i tyre është SPAK dhe aktet e fundit të Prokurorisë së Posaçme që ka goditur në qelizë politikën e niveleve të larta.

Ndaj dhe përpjekjet e të gjitha formave për të prekur reformën duken të sinkronizuara në kohë dhe qëllim, edhe pse kundërshtarët e vjetër me këtë rast i lënë pas shpine inatet e vjetra për t’u bashkuar në një qëllim madhor. Duke projektuar Komisionin Xhafaj apo Komisionin e Venecias si vendet ku reforma (lexo SPAK) mund të pësojë ndryshime për të zbehur goditjet e ligjit mbi politikën.

Kjo duket qartas qëllimi i përbashkët i PS-së dhe PD-së në këto momente, ku Komisioni Xhafaj dhe kërkesa e PD-së u takuan së fundmi dje në parlament dhe ndoshta së shpejti në Komisionin e Venecias./Vna.al

 

Inflacioni ‘ngec’ në 1.9% aq sa ishte dhe në shtator, por shtrenjtimi i ushqimeve nuk ndalon! Çmimet e zarzavateve edhe më të kripura sesa vjet

Inflacioni në muajin tetor qëndroi në nivelin 1.9% aq sa ishte edhe në muajin shtator. Këto janë vlerat më të ulta të regjistruara për inflacionin që prej qershorit të vitit 2021.

Ndikimi i grupeve kryesore në këtë inflacion 1.9% thotë INSTAT është dhënë nga shtrenjtimi i ushqimeve me 1% ndjekur nga shtrenjtimi i energjisë elektrike me +0,23 pikë përqindje. Në rritje gjatë muajit të shkuar ishin të gjitha grupet me përjashtim të transportit, çmimet e të cilit kanë rënë me -0.33%.

Ndërsa në raport me tetorin e vitit të kaluar INSTAT thotë se shtrenjtimin më të madh e ka pasur “Argëtimi dhe kulturë” me 5%, pasuar nga grupet “Pije alkoolike dhe duhan” me 3,6 %, “Veshje dhe këpucë” me 3,5 % dhe “Ushqime e pije joalkoolike” me 3,1 %. Brenda grupit të ushqimeve zarzavatet patën rritjen më të fortë të çmimit me 8,3%, krahasuar me vjet,  pasuar nga nëngrupet “peshk” me 4%, “mish” me 3,9 %, “qumësht, djathë dhe vezë” me 3,2 %, “sheqer, reçel, mjaltë, çokollata dhe ëmbëlsira” me 1,8 %, etj.

Ligji i buxhetit duhet të trajtohet në një sesion të posaçëm parlamentar

Nga Ervis Iljazaj

Partia Demokratike ka braktisur mosbindjen civile dhe është kthyer në parlament. Kjo nuk është hera e parë që PD nis një strategji politike dhe e lë atë në mes. Në fakt, mund të ketë dy mundësi se përse PD është kthyer në parlament. E para, mund të jetë dështimi i mosbindjes civile, duke qenë dhe populli nuk e ndoqi këtë rrugë, dhe diskutimet për buxhetin shërbejnë si një alibi për ta braktisur atë strategji.
E dyta, ndonjë marrëveshje e radhës me mazhorancën, ashtu sikurse ndodhi dhe herën e parë ku opozita pas një periudhe protestash në parlament votoi disa ligje në bashkëpunim me mazhorancën.

Por përtej arsyes se përsëri Partia Demokratike vendosi t’i rikthehej debatit parlamentar, është lajm i mirë fakti që gjendet aty për të diskutuar ligjin e buxhetit. Ligji i buxhetit jo vetëm kërkon që të gjitha forcat politike të marrin pjesë në debat, por kërkon dhe procedurat më të konsoliduara për miratimin e tij. Procedurat nuk mund të jenë pak a shumë si një procedurë e zakonshme sikundër aprovohen ligjet e tjera.

Ndërkohë ky ligj, që ka të bëjë me paratë tona duhet të konceptohet dhe konsiderohet si ligj i jashtëzakonshëm. Nuk ka ligj më të rëndësishëm, mbase pas atij zgjedhor, se sa ligji i buxhetit për një qeveri.

Me anë të tij, shpenzohen paratë e qytetarëve, paraqitet vizioni i një qeverie apo paraqiten alternativat e qeverisjes të një opozite. Në këtë kuptim, ky ligj meriton të gjithë vëmendjen procedurale dhe politike të duhur. Gjë e cila, deri më tani nuk ka ndodhur.

Shumë nga vendet demokratike, momentin e aprovimit të ligjit buxhetor e konsiderojnë një sesion të posaçëm parlamentar, i cili zgjat me muaj të tërë. Në këtë sesion ka procedura parlamentare të veçanta dhe jo si një proces ligjor i zakonshëm, ashtu sikurse ndodh në Parlamentin e Shqipërisë.

Kështu që, momenti i aprovimit të këtij ligji nuk mund të trajtohet si një moment çfarëdo parlamentar. Por, si një moment kyç i gjithë politikës, rreth të cilit duhet të pasqyrohen të gjitha alternativat politike dhe ekonomike të vendit.

Kështu siç e trajtojmë sot këtë ligj, nuk është aspak në shërbim të zhvillimit ekonomik dhe politik të vendit.
Edhe pse ligji i buxheti është kompetencë ekskluzive e qeverisë, nuk do të thotë aspak që ai të jetë një moment përjashtues ndaj grupeve të interesit apo palëve të tjera politike.

Por, duhet të shërbejë si një debat gjithëpërfshirës nëpërmjet procedurave që e mundësojnë një gjë të tillë.
Kudo në vendet demokratike, sa herë që afrohet momenti i ligjit të buxhetit të shtetit, shërben si një moment publik për të debatuar, diskutuar dhe rrahur ide apo ideologji të ndryshme rreth tij. Sepse, nuk ka moment më të mirë për të shpalosur çdo vizon të mundshëm për qeverisjen dhe garën e këtyre vizioneve, që mundëson ligji i buxhetit të shtetit. Edhe pse në thelb duket një ligj teknik, që thjesht vendos se si do të shpenzohet paratë e qytetarëve, në fakt, është një ligj i cili ka funksion thelbësor për një shoqëri demokratike.

Dhe për të arritur të gjithë rëndësinë dhe funksionet që ka, duhet me patjetër të rikonceptohet si një moment i tillë nëpërmjet procedurave që e mundësojnë këtë.

Për fat të keq, në Shqipëri, ligji i buxhetit vazhdon ende të konceptohet thjesht si ca para të cilat duhen shpenzuar aty-këtu, në mënyrë matematike dhe kaq. Ndërkohë që ligji i buxhetit është më shumë se kaq. Është ligji më politik që ekziston me gjithë kuptimin që ka kjo fjalë./Liberale.al

BIRN: Buxheti 2025 rrezikon të fusë në ngërç tranzicionin e procesit të vetingut

As Kuvendi dhe as qeveria, në projektbuxhetin e vitit 2025, nuk e ka parashikuar praktikën ligjore dhe atë financiare për periudhën tranzitore të kalimit të funksioneve të vetingut nga Komisionerët Publikë tek Kreu i Prokurorisë së Posaçme, SPAK.

Nga 1 janari 2025, grupi i këshilltarëve që punojnë pranë Komisionerit Publik konsiderohen të papunë dhe nuk dihet se kush do ta mbështesë drejtuesin e SPAK-ut në çështjet që do të shpallë për gjykim Kolegji i Posaçëm i Apelimit. Sipas të dhënave zyrtare, janë mbi 41 ankime të Komisionerit Publik që presin të gjykohen në Kolegj që nga janari.

Kërkesat e njëpasnjëshme të Komisionerit Publik gjatë këtij viti drejtuar Komisionit Parlamentar të Ligjeve janë lënë në harresë, ndërkohë që në këto shkresa kërkohen ndryshime emergjente në ligjin e “vetingut’ për zgjidhjen e këtij ngërçi.

Problematika u diskutua të premten në këtë komision gjatë shqyrtimit të buxhetit për Prokurorinë e Posaçme, ku u konstatua dhe paqartësia për pagat e ekipit teknik të Komisionerit Publik që do të vijojë punën pas përfundimit të afatit kushtetues të funksionimit të tij.

Mininistria e Financave ka parashikuar një periudhë 3-mujore tranzicioni dhe ka lënë evazive çështjen e numrit të punonjësve administrativë që do të transferohen dhe fondet buxhetore për pagat e tyre.

“Brenda muajit janar, SPAK-u dhe KLGJ-ja paraqesin në ministrinë përgjegjëse për financat numrin dhe periudhën përkatëse kohore të punonjësve të domosdoshëm, numër i cili depozitohet në degën e thesarit,” thuhet në projekt-buxhet.

“Mbi bazën e këtyre kërkesave do të përcaktohet dhe fondi për këtë numër punonjësish,” tha përfaqësuesja e ministrisë së Financave, Vilma Çausholli.

Ajo shtoi se ndërkohë SPAK-ut i është buxhetuar një shtesë prej 10 këshilltarësh ekonomikë dhe ligjore për përballuar këto funksioneve të reja.

Përfaqësuesi i SPAK, prokurori Alfred Shehu, i sugjeroi Kuvendit që të shtohet një fjali ku saktësohej se “punonjësit administrativë të transferuar për procesin e mbylljes të trajtohen financiarisht me të njëjtën strukturë page të trashëguar”.

“Kjo shtesë është e nevojshme për shkak se parashikimi me ligj i trajtimit të tyre financiar, mundëson këtë trajtim në këtë periudhë të shkurtër tranzitore, pasi nëse nuk shtohet që në ligj, trajtimi financiar nga ana jonë do të jetë i vështirë për arsye se për të njëjtin pozicion pune, për shembull Kancelar, do të kemi dy persona, ato ekzistues të SPAK dhe ato të transferuar (marrë) nga Institucioni i Komisionerit,” sqaroi Shehu.

Për deputetët e opozitës, transferimi i stafit teknik dhe ligjor i Komisionerit Publik ishte i paqartë dhe i pabazuar në ligj dhe rrezikonte vijimësinë e punës.

“Ka një absurditet me propozimin e ministrisë,” tha kreu i grupit parlamentar të PD, Gazment Bardhi, duke pyetur se ku do të paguhen dhe a do të vijojnë detyrën këta punonjës, nëse propozimet për strukturën e re bëhen në janar dhe nuk dihet kur miratohen.

Ai po ashtu vuri në diskutim peridudhën 3 mujore të tranzicionit, duke iu referuar kërkesës së Komisionerit Publik që kjo periudhë të jetë 6 mujore. “Çfarë ndodh nëse ky proces nuk bëhet në këtë periudhë të caktuar?” tha ai.

Edhe kryetarja e komisionit, Klotilda Bushka konstatoi se “ka mospërputhje” në nenin përkatës të projekt-buxhetit, duke sugjeruar që komisioni të riformulojë atë për t’a përshtatur parashikimet ligjore dhe nevojat që kanë institucionet që marrin këto funksione.

“Në mënyë që të buxhetohen institucionet sipas numrit që kërkojnë dhe sipas asaj që është në përputhje me parashikimet e ligjit,” tha ajo duke iu drejtuar përfaqësuesve të ministrisë.

Deputetët diskutuan edhe për qartësimin e programit buxhetor që do të përfshijë pagat e këtij stafi teknik të Komisionerit Publik, pasi ky institucion është përfshirë në programet buxhetore për vitin që vjen.

Komisioneri Publik prej disa muajsh i kërkon Kuvendit një zgjidhje ligjore për këtë problem. Nëpërmjet tre shkresave në shkurt, qershor dhe tetor, ky institucion kërkon një ndërhyrje në ligjin e vetingut për të garantuar vijimësinë e punës për Njësinë ligjore dhe Njësinë administrative për një periudhë të paktën 6 mujore.

Ligji i miratuar në vitin 2016 ka parashikuar vetëm vazhdimësinë e mandatit të sekretarit të përgjithshëm dhe një personali për këtë kalim funksionesh, që parashikon procese të arkivimit dhe dorëzimin e gjithë dokumentacioneve dhe aseteve nga njëri institucion tek tjetri.

Konkretisht, Komisioneri Publik kërkon miratimin e “një strukture organike” pranë këtij institucioni që do të bëjë të mundur këtë tranzicion funksionesh.

Projektbuxheti për vitin që vjen i SPAK-ut parashikohet në total të jetë 2.17 miliardë lekë, por prokurori Shehu tha se nuk janë marrë në konsideratë kërkesat shtesë lidhur me pagat dhe zëra të tjerë duke kërkuar një shtesë në vlerën e 491.4 milionë lekëve.

Deputetët e opozitës e quajtën shqetësuese që qeveria vendos të trajtojë kërkesat financiare të organeve të drejtësisë, që sipas tyre janë atribut vetëm i Kuvendit. /BIRN

“Në orën 5 vijnë ata të Tiranës, lajmëro kë të mundesh”/ Si Çyrbja u zgjidhte “hallet” kriminelëve të Durrësit!

Qindra qytetarë procedoheshin nga policia për ndërtime pa leje gjatë 2020, por jo kjo nuk mund të ndodhte ndaj kushëririt të të shumë kërkuarit Altin Hajri, i cili përmes Sky Ecc kërkonte ndërhyrjen e shefit të komisariatit.

Si garant Hajri dyshohet se kërkonte ndërhyrjen e Jurgis Çyrbes bëjnë me dije burimet që tregojnë se Altin Hajri premtonte se do t’i jepnin një kafe shefit.

Në një rast i shumë kërkuari shprehet i shqetësuar për arrestimin e dy personave për të cilët i kërkon deputetit të ndërhyjë tek policia për t’i liruar dhe për këtë premton se mund të paguheshin deri në 20 mijë eur që kunati të linte burgun. Ndërhyrjen e kërkonte tek zyrtarë të policisë së kohës.

Hajri shprehet i gatshëm që shefit i cili i kishte ndihmuar t’i merrnin masat me stil për dy kostume.
Ndërkohë që nuk mungojnë edhe bisedat për angazhim në zgjedhje pohojnë burimet e Top Channel që Çyrbja të ngjitej në listë.

Për votimet e 2021 Altin Hajri premton se do t’i jepte 3 duke shtuar më tej se numri tre ishin fshatrat: Rromanat Maskuri dhe Arapajl.
E ndërsa Spak po identifikon përdorues të tjerë të Sky si edhe njerëz me pushtet në Durrës të cilëve u përmendet emri me shkurtime, nuk mbeten në këtë dosje edhe njerëz të krimit.

Këta të fundit identifikuar si Plarent Dervishaj, Julian Mecaj apo Besim Huqi që kërkohej nga Spak interesohen për lëvizjet sekrete të policisë qe rezulton nga dosja se si tradhtoheshin nga eprorë ende të pazbuluar.

Në një rast tjetër një shtetas i identifikuar si Kreshnik Budlla bëjnë me dije burimet shkruan “çfarë të bëjmë punë s’kemi, në kërkim jemi” dhe që më pas pyet nëse forcat civile ishin të Tiranës apo Durrësit.

Në një episod tjetër ai që shkruan dyshohet se është Jurgis Cyrbja që në 6 në mars 2021 jep alarmin në Sky Ecc “në orën pesë vijnë ata të Tiranës lajmëro ça të kesh mundësi” e citojnë të jetë shprehur./TCH

“Epoka e Artë” e Amerikës, VOA: Plani i Trump për sigurinë kufitare dhe forcimin e ekonomisë ofron pak detaje

Plani i Presidentit të zgjedhur Donald Trump përfshin zotimet kryesore të bëra gjatë fushatës: sigurinë kufitare, forcimin e ekonomisë dhe vënien e Amerikës në plan të parë.

Siç njofton korrespondentja e Zërit të Amerikës, Tina Trinh pavarësisht se zotimet vlerësohen si të guximshme, deri tani nuk janë dhënë detaje se si do të realizohen ato.

“Tani është e qartë se ne kemi shënuar arritjen më të pabesueshme politike”.

Ndërsa u bë e qartë natën e zgjedhjeve se zoti Trump sërish do të bëhej president i Shteteve të Bashkuara, në fjalimin e fitores ai ritheksoi synimet e tij e tij për katër vitet e ardhshme.

Siguria kufitare mbetet një nga përparësitë kryesore. Ai ka thënë se do të nisë programin më të madh të dëbimit të kriminelëve në historinë amerikane dhe ka bërë thirrje për dënimin me vdekje të çdo emigranti që vret një shtetas amerikan, ose oficer të zbatimit të ligjit.

Megjithatë, fjalori i tij ishte më i butë gjatë fjalimit si fitues i zgjedhjeve.

“Ne do të mbyllim kufijtë. Ne duam që njerëzit të vijnë në Amerikë, por ata duhet të hyjnë në mënyrë të ligjshme”, tha zoti Trump.

Nënpresidenti i sapo zgjedhur JD Vance preku një tjetër pikë kyçe të planit të administratës së ardhshme.

“Pas rikthimit më të madh politik në historinë amerikane, ne do të realizojmë forcimin më të madh ekonomik në historinë amerikane”, tha zoti Vance.

“Ne do të paguajmë borxhin. Ne do të ulim taksat”, shtoi Presidenti i zgjedhur Trump.

Nuk është e qartë se si administrata e re do t’i përmbushë objektivat e saj ekonomike pa rritur më tej deficitin që është tashmë në nivele rekord.

Fjalimi i zotit Trump përmendi një person që mund të ndihmonte në këtë drejtim, manjatin e teknologjisë Elon Musk, i cili sipas zotit Trump do të drejtonte një “komision qeveritar mbi efikasitetin” për të reduktuar problemet fiskale dhe mashtrimet.

Zoti Trump ishte i pranishëm kur firma e zotit Musk ‘Starship’ lëshoi raketën e fundit në hapësirë.

“Kjo ishte një gjë e bukur. Unë e thirra Elonin dhe e pyeta: ‘Kush tjetër mund ta bëjë këtë? A mund ta bëjë Rusia? Jo. A mund ta bëjë Kina? Jo. A mund ta bëjë dikush tjetër në Shtetet e Bashkuara këtë përveç teje? Jo, askush nuk mund ta bëjë këtë’. Më pas i thashë, ‘për këtë arsye më pëlqen’”, tha zoti Trump.

Ekspertët thonë se lëvdatat për miliarderin Musk kanë të bëjnë me idenë e përçimit të fuqisë dhe forcës në skenën globale.

“Përgjigja se ne jemi i vetmi vend që mund ta bëjmë këtë mendoj se i ofron zotit Trump mundësinë të përdorë këtë imazh të zotit Musk jo vetëm si një sipërmarrës, por një vizionar, një gjeni, për të mbështetur idenë se ai po ecën përpara jo si individ, por si komb”, thotë Stephanie Alice Baker nga Universiteti i qytetit të Londrës.

Në fjalimin e tij, zoti Trump theksoi se cili do të ishte parimi i tij në detyrë.

“Unë do të qeveris me një moto të thjeshtë ‘premtime të bëra, premtime të mbajtura’”, tha zoti Trump.

Një nga këto premtime do të ishte ajo që ai e quan “epoka e artë” e ardhshme e Amerikës. /VOA