19.5 C
Tirana
E shtunë, 21 Qershor, 2025

Shpopullimi e plakja: në buzë të greminës

NGA ADRI NURELLARI

Censi i vitit 2023 na tregoi se Shqipëria po përjeton një transformim të thellë demografik, duke u zbrazur e plakur para syve tanë, gjë që megjithëse shpesh kalon pa u vënë re në zhurmën e përditshmërisë, mbart pasoja të thella e të rënda për të ardhmen e vendit. Me këtë prirje dhe sistemin ekonomik të ngritur nga kjo qeveri, është e qartë se po gërmon vetë varrin e buxhetit të shtetit, por edhe të aleatëve të saj biznesorë. Shpopullimi masiv dhe plakja e popullsisë po krijojnë një bombë me sahat, që do të shpërthejë nën këmbët e qeveritarëve dhe bizneseve të mëdha që kanë ortakë, të cilët mbështeten kryesisht te tregtimi i mallrave që importojnë. Me modelin aktual ekonomik që ka ndërtuar kjo qeveri, duket qartë se po sharron degën ku është varur vetë, sepse po shkurton ndjeshëm kontributet për sigurime shoqërore dhe tatimet mbi konsumin. Kur popullsia e aftë për punë largohet dhe fuqia blerëse bie, pakësohen paratë si për buxhetin e shtetit, ashtu edhe për xhepat e këtyre tregtarëve importues të mëdhenj, që kanë partneritet me qeveritarët.

Në regjistrimin e fundit të popullsisë, të kryer gjatë vitit 2023, numri i përgjithshëm i banorëve është ulur në rreth 2.4 milionë banorë. Ndërsa mosha mesatare e popullsisë është 42,5 vjet (nga 35,3 vjet që ishte në Censin 2011) duke u afruar me mesataren prej 44 vjet që ka Bashkimi Evropian. Kjo rritje e moshës së popullsisë, që është ndikuar kryesisht nga emigracioni masiv dhe deri diku nga rritja e jetëgjatësisë dhe rënia e lindshmërisë, po e ndryshon rrënjësisht mënyrën se si jetojmë, punojmë dhe ndërtojmë të ardhmen tonë. Pra, rritja e numrit të të moshuarve dhe emigrimi i të rinjve e bën demografinë tonë si një orë me rërë, që po shkon drejt fundit.

Bazuar në të dhënat e EUROSTAT-it, del se gjatë periudhës 2010-2022, 652 993 shtetas të Shqipërisë që janë pajisur me leje qëndrimi për herë të parë, pra kanë emigruar legalisht në një vend të Bashkimit Evropianë. Kuptohet që kjo shifër nuk tregon totalin e emigrimit, sepse aty nuk përfshihen shqiptarët që qëndrojnë ilegalisht, si dhe ata që kanë emigruar në shtete perëndimore që nuk janë në BE si SHBA, Britani të Madhe, Kanada etj.. Për me tepër, prirja e braktisjes së vendit duket se sa vjen e përkeqësohet, sepse vetëm vitin e kaluar rezidencën evropiane e kanë marrë 74938 veta, shifër kjo që përfaqëson 3.12% të popullsisë sonë totale.

Vazhdimi i largimit masiv nënkupton që Shqipëria humbet jo vetëm fuqi punëtore, por edhe breza të të rinjve që do të mund të kontribuonin në zhvillimin e vendit. Emigracioni po na merr të rinjtë më të mirë, si një stuhi që shkul pemët më të larta, gjë që dëmton rëndë bizneset, të cilat gjithnjë e më shumë po hasin vështirësi për të gjetur punonjës të kualifikuar (edhe ata pak që gjejnë, detyrohen t’i paguajnë me fatura të kripura). Më pak të rinj do të thotë gjithashtu më pak biznese të reja apo start-up-e, më pak inovacion e teknologji, më pak fleksibilitet për t’u përshtatur me kërkesat e tregut, më pak gatishmëri nga krahu i punës për t’u rikualifikuar për të qenë kompetentë për dinamikat e ekonomisë.

Kjo metamorfozë demografike që po pësojmë, gjithashtu, zvogëlon ndjeshëm aftësinë konkurruese në tregjet ndërkombëtare, sepse mungesa e fuqisë punëtore si dhe tkurrja e fuqisë blerëse e bëjnë vendin tonë më pak atraktiv për investitorë të huaj. Nëse vazhdojmë të katandisemi në një azil pleqsh, ne njëherazi do ta përjashtonim vendin nga revolucioni teknologjik bashkëkohor, që po ndodh sot me epokën e inteligjencës artificiale. Popullsia e moshuar është më rezistente ndaj përqafimit të inovacionit dhe teknologjive moderne, të cilat sot nuk janë më luks, por domosdoshmëri, nëse duam të kemi një rritje të qëndrueshme të ekonomisë.

Megjithatë, duhet theksuar se pasoja me e rëndë e këtij fenomeni është padyshim shkatërrimi potencial i skemës sonë pensionale. Censi tregon një rënie dramatike të popullsisë aktive, që manifestohet nga ulja e ndjeshme e grup-moshave që janë aktive në tregun e punës. Të dhënat e tregojnë se një në pesë individë (19.7 për qind) janë 65 vjeç e lart, krahasuar 11.3% në 2011 dhe 7.5% 2001. Për rrjedhojë, sot kemi më shumë pensionistë se kurrë më parë, nga 570 mijë në vitin 2013, numri i tyre është rritur në 717 mijë në vitin 2024, duke reflektuar një popullsi që plaket me ritme të shpejta. Nga ana tjetër, të dhënat e fundit tregojnë se numri i të punësuarve me rrogë është diku te 730 mijë veta (ndër të cilët rreth 25% janë të punësuar në administratë dhe ndërmarrje me pronësi publike).

Kjo rritje e pensionistëve vjen në një kohë kur të rinjtë po largohen masivisht nga vendi, duke lënë pas një boshllëk të madh në fuqinë punëtore dhe në burimet që mbështesin skemën aktuale të pensioneve. Prandaj pyetja e parë që shtrohet në këtë situatë është: Çfarë ndodh kur ka gjithnjë e më pak kontribuues për të mbështetur një numër gjithnjë në rritje përfituesish të pensioneve? Në vitin 2023, kontributet e sigurimeve përbënin rreth 24% të të ardhurave tatimore për shtetin dhe ky largim i forcës aktive të punës po hap gradualisht një vrimë shumë të madhe në thesin e qeverisë.

Ky problem bëhet edhe më i ndërlikuar nga fakti që një popullsi më e moshuar kërkon më shumë kujdes shëndetësor dhe social prej shtetit. Kërkesa në rritje për shërbime shëndetësore po vë nën presion një sistem tashmë të mbingarkuar, të përballur me mungesë fondesh dhe të kërcënuar më së shumti nga hemorragjia e mjekëve dhe infermierëve drejt Gjermanisë e vendeve perëndimore. Në kulturën shqiptare, solidariteti mes brezave brenda familjes ka qenë tradicionalisht mbështetja kryesore për të moshuarit. Mirëpo shkuarja në kurbet i të rinjve shpesh lë pas të moshuarit pa mbështetjen e duhur nga fëmijët, duke sjellë shtim të kërkesave për shërbime sociale të posaçme për këtë grup-moshë, të janë shpesh të mangëta tek ne.

Për më tepër, plakja e popullsisë kërcënon rëndë buxhetin e qeverisë, sidomos për shkak të zvogëlimit të taksave indirekte me të cilat mbahet në këmbë shteti. Me një popullsi më të plakur, numri i personave me të ardhura të rregullta zvogëlohet dhe kjo çon në uljen e fuqisë blerëse agregate për mallra dhe shërbime. Dihet që të moshuarit zakonisht janë më të kujdesshëm me shpenzimet dhe konsumojnë mallra të domosdoshme (ushqime bazike, ilaçe), që shpesh kanë TVSH të reduktuar ose janë të përjashtuara nga taksat indirekte ose tarifat doganore. Me pak fjalë, ndryshimi demografik sjell edhe ndryshimin e strukturës së konsumit, sepse të moshuarit priren të mos blejnë mallra afatgjata me taksa të larta që kërkohen nga të rinjtë, si pajisjet elektronike, mobiliet, mallrat e luksit, veshjet e modës, automjetet etj.. Gjithashtu, efekti domino i emigrimit të të rinjve sjell një ulje të ndjeshme të konsumit për shërbimet më të tatueshme si restorantet, klubet, hotelet, udhëtimet etj.. Këtu duhet vënë në dukje se sipas të dhënave të vitit 2023, TVSH-ja, e cila mblidhet kryesisht falë blerjes së mallrave dhe shërbimeve të sapopërmendura, kontribuoi me rreth 32% të të ardhurave tatimore totale, duke përbërë burimin kryesor të të ardhurave të qeverisë.

Njëkohësisht është fakt i njohur që krahasuar me kohortat e të rinjve, mosha e tretë konsumon shumë më pak duhan dhe alkool dhe e përdor më pak makinën, duke ulur ndjeshëm konsumin e karburanteve. Këto produkte janë subjekt i akcizave, të cilat gjithashtu kontribuojnë ndjeshëm në të ardhurat buxhetore, duke përbërë rreth 10.1% të totalit. Në mënyrë të veçantë vlen të theksohet se të moshuarit nuk investojnë në blerjen e shtëpive të reja ose projekte të mëdha, duke ulur të ardhurat e majme që qeveria vjel prej sektorit të ndërtimit dhe vënë në pikëpyetje të ardhmen një sektori, që së fundmi ka arritur të zërë 12% të Prodhimit të Brendshëm Bruto.

Sipas të dhënave më të fundit, nga 1,082,529 banesa në Shqipëri, 32.9% (nga 21.7% që ishin në censin e 2011) rezultojnë të pabanuara si rezultat i boshllëkut demografik, që po krijohet nga largimi në shkallë të gjerë i njerëzve. Fluska e ngritur në këtë sektor rrezikon njëherazi të pëlcasë, edhe për shkak të bllokimit të rubineteve të parave të pista që e ka fryrë ndërkohë që kërkesa reale bie prej rënies së numrit të banorëve. Nga njëra anë SPAK-ku me luftën kundër parave të korrupsionit dhe krimit në Shqipëri nga ana tjetër policitë evropiane me goditjet masive ndaj rrjeteve kriminale shqiptare (ndihmuar deshifrimet e kriptofonëve ‘Sky Ecc’, ‘EncroChat’ dhe ‘Matrix’), po ia ndalin rrjedhën kapitalit të vrullshëm të krimit që e ka ushqyer tej mase tregun e ndërtimit dhe patundshmërisë.

Pakësimi i konsumit të mallrave nga një popullsi që rritet në moshë, por zvogëlohet në numër dhe fuqi blerëse, është një goditje e drejtpërdrejtë edhe për bizneset më të mëdha të Shqipërisë, të cilat sot duket se po lundrojnë drejt një deti të trazuar. Po të analizohet lista bizneseve më të mëdha në vend, që shpesh konsiderohen të privilegjuara nga politika, shihet se ato janë kryesisht importues të mëdhenj dhe shitës të mallrave me shumicë e pakicë. Nëse baza e konsumatorëve reduktohet dhe fuqia blerëse e popullsisë bie, këto kompani do të përballen me ulje të fitimeve, ngushtim të tregut dhe rritje të kostove për të mbajtur aktivitetin. Me një strukturë ekonomike që mbështetet kryesisht në tregti dhe importe, ky model po bëhet i pambrojtur ndaj ndryshimeve radikale demografike dhe po krijon një spirale destruktive, që dëmton jo vetëm shtresat e gjera të popullsisë, por edhe vetë oligarkinë ekonomike që ka përfituar nga ky sistem. Thënë më shkoqur, modeli aktual ekonomik po hyn në një cikël vicioz, që kërcënon të ardhmen e ekonomisë kombëtare dhe vetë burimet e fitimit të këtyre aktorëve të mëdhenj. Për pasojë, shteti jo vetëm që do të humbasë të ardhurat nga këto biznese, por ka gjasa që ne do të përjetojmë një ortek që mund ta prekë të gjithë ekonominë.

Nëse nuk ndërmerren reforma të guximshme dhe politika të mirëstudiuara për të adresuar sfidat e moshimit dhe shpopullimit, Shqipëria rrezikon të zhytet në një dinamikë të rrezikshme të krizës ekonomike dhe sociale. Humbja e fuqisë punëtore aktive, tkurrja e konsumit dhe shtimi i presionit mbi sistemet publike të shëndetësisë dhe pensioneve janë duke kërcënuar themelet e ekonomisë shqiptare. Struktura e brishtë aktuale, e cila mbështetet kryesisht te konsumi dhe importet, si dhe te fluksi i parave të pista të hedhura në ndërtim e turizëm, është e paqëndrueshme dhe nuk mund të mbajë dot mbi supe peshën e një popullsie, që zvogëlohet dhe plaket me ritme kaq të shpejta. Pa masa për të frenuar emigrimin, për të rikthyer fuqinë punëtore, për të nxitur lindshmërinë dhe për të transformuar modelin ekonomik drejt një ekonomie që mbështetet në prodhim dhe inovacion, vendi do të rrezikojë të përballet me një kolaps ekonomik. Çdo vonesë do të përkeqësojë problemet dhe do ta fundosë vendin në një krizë nga e cila mund të jetë shumë vonë për të dalë.

A mund të ndodhë edhe në Shqipëri si në Rumani?

Nga Alban Daci 

Situata gjeopolitike është shumë e polarizuar dhe e tensionuar, jo vetëm për shkak të konfliktit të Ukrainë që në fakt duket sa afër po aq edhe larg me ne, por për faktin, se vetë Ballkani ka qenë vazhdimisht shqetësimi real i sigurisë Rajonale dhe më gjerë!

Pse konflikti në Ukrainë duket sa afër po aq edhe larg? Sepse, në fakt ky konflikt të është lojë e madhe për vendet e mëdha! Pra, ne mund të kemi pasoja, por drejtpërdrejtë nuk mund të bëjmë asgjë as për t’a ndaluar as për t’a fituar!

Ne duhet të shikojmë lojën që mund të bëhet në fushën tonë, Shqipëri dhe në Ballkan e më konkretisht në Kosovë ku çdo llojë skenari që cënon sigurinë e Kosovës në fakt cënon edhe sigurinë tonë dhe po ashtu edhe të Rajonit!

Gjykata Kushtetuese e Rumanisë, për herë të parë dhe në mënyrë të paprecedent anulojë zgjedhjet presidenciale, ato të balotazhit për shkak të ndërhyrjes së Rusisë! Pra, pas vendimit të sotëm zgjedhje do të bëhen edhe njëherë nga fillimi sikur të mos ishin bërë asnjëherë!

Në fakt nëse flasim për zgjedhjet në Shqipëri, asnjëherë s’kemi pasur informacione të detajuara për ndërhyrje të huaja në zgjedhjet tona, por një gjë është e sigurt se kemi pas ndërhyrje nga vetë ne për tjetërsimin e votës, shitblerjen e saj si dhe pse jo edhe të elementë të tjerë të rrezikshëm për sigurinë, rendin, sovranitetin e demokracinë!

Para se të themi nëse mund të ndodhë edhe tek ne ajo që ndodhi në Rumani, duhet të kemi përgjigje për disa pyetje:

– Gjykata Kushtetuese e jona e ka autoritetin real për të anulluar zgjedhjet?
– Gjykata Kushtetuese e jona e ka pavarësinë për të anulluar zgjedhjet?
– Gjykata Kushtetues e jonë për çdo skenar të mundëshëm ka element të mjaftueshëm për të cilësuar “Non Grata” kritere të mjaftueshëm për të anulluar zgjedhjet?
– Gjykata Kushtetuese e ka forcën në mandatin e saj për të anulluar zgjedhjet?

– Tjetërsimi i votës, manipulimi i zgjedhjeve, ndërhyrjet nga bota e errët në kandidatura dhe në proces zgjedhorë a duhet të trajtohen me të njëjtën valencë si ndërhyrja e një vendi tjetër kushdo qoftë, pasi në thelb cënojnë sovranitetin, rendin Kushtetues dhe të ardhmen demokratike të vendit?

Vendimi i Gjykatës Kushtetueses Rumene është një rast i paprecedent deri tani, por që mund të aplikohen për të gjithë ato vende që janë anëtar të dhe do të përballen me zgjedhje në 2025!

Ndoshta, kjo mund të ndodhë edhe në zgjedhjet tona në 2025, nëse procesi nuk do të jetë i rregullt dhe nëse rezultati do të sillte subjekte politike që do të cënonin seriozisht orientimin Euroatlantik të vendit! Megjithatë, deri në zgjedhjet e 2025 nuk na mbetet gjë tjetër veçse se të presim e të shikojmë se çfarë mund të ndodhë!

Ish-presidenti ukrainas Poroshenko e zbulon: Ja si mund të ndalet lufta brenda 24 orëve

Ish-presidenti ukrainas Petro Poroshenko, tashmë drejtues i Partisë së Solidaritetit Evropian në opozitë, bisedoi me shërbimin ukrainas të Zërit të Amerikës gjatë një vizite në Uashington për të marrë pjesë në forumin vjetor të Unionit Ndërkombëtar të Demokracisë, një aleancë e partive politike të qendrës së djathtë.

Ndërsa gjendej në kryeqytetin amerikan, zoti Poroshenko u takua me zyrtarë të administratës së Presidentit Biden dhe anëtarë të administratës së ardhshme Trump për të ndarë vlerësimin e tij për situatën me të cilën po përballet Ukraina mbi dy vite e gjysmë pasi Rusia nisi sulmin frontal, si dhe vizionin e tij se si mund t’i jepet fund konfliktit.

Intervista në vazhdim është redaktuar për të qenë më e përmbledhur dhe më e qartë.

Zëri i Amerikës: Si do ta përshkruanit situatën në vijën e frontit në Ukrainë?

Petro Poroshenko: Çdo javë, udhëtoj në vijën e frontit për të ofruar pajisjet dhe armatimet e nevojshme. Rusia po e shton trysninë. Rusia ka armë më të sofistikuara, krahasuar edhe me gjysmë viti [më parë]. Ushtarët ukrainas janë të lodhur sepse disa kanë shërbyer për më shumë se dy vite e gjysmë, por vazhdojnë të mos i lejojnë rusët të çajnë pozicionet ukrainase.

Për momentin, nuk duhet të mendojmë për operacione sulmuese, por [se si] të forcojmë fortifikimet. E vlerësoj vendimin e qeverisë së Shteteve të Bashkuara për të na dhënë mina kundër këmbësorisë. Të kesh tre, katër, pesë kilometra fushë të minuar është një përgjigje e shkëlqyer ndaj taktikës së re të Rusisë, e cila po depërton në pozicionet ukrainase me grupe të vogla prej pesë deri në 12 personash, me mbështetjen e artilerisë ruse, e cila ka një numër të pakufizuar predhash artilerie.

Nëse kemi fortifikime, fusha të minuara dhe dronë zbulimi, përfshirë dronët që veprojnë natën dhe [një] numër të pakufizuar dronësh FPV për t’i shkatërruar këto grupe të vogla, [një] sistem efektiv të luftës radio-elektronike, përfshirë paisjet kundër dronëve zbulues rusë, kam besim se mund t’i mbajmë vijat e mbrojtjes.

Zëri i Amerikës: Ukraina është nën trysni për të filluar negociatat. A është kjo një kohë e mirë për këtë?

Petro Poroshenko: Asnjë vend tjetër në botë nuk dëshiron paqe më shumë se ukrainasit, sepse ne po paguajmë një çmim të madh. Megjithatë, negociatat duhet të fillojnë kur të dyja palët të jenë gati. Të gjithë pyesin nëse Ukraina është gati, dhe askush nuk pyet nëse Putini është gati për këto negociata. Putini nuk është gati. Ne duhet të bëjmë përpjekje të mëdha për ta përgatitur Putinin për këto negociata. Çfarë gjuhe duhet të flasim me Putinin? Gjuhën e forcës, përfshirë armë të sofistikuara dhe moderne për Ukrainën. Putini duhet të ndjejë se po paguan një çmim të lartë. Kemi nevojë për sanksione më të forta për të shkatërruar flotën në hije. Sanksionet duhet të ulin eksportet ruse nga 600 [miliardë] dollarë në 200 miliardë dollarë për të ulur aftësinë e Putinit për të financuar luftën.

Zëri i Amerikës: A mendoni se administrata e re e Trump do të mbështesë vizionin tuaj?

Petro Poroshenko: Unë besoj fuqishëm në udhëheqjen globale të Shteteve të Bashkuara. Kam punuar me [Presidentin Donald] Trump në vitet 2016-2019. Takimi me të ishte një nga takimet e mia të para si president i Ukrainës. Takimi ynë ishte planifikuar për pesë minuta – vetëm për të shtrënguar duart dhe për të bërë një foto – dhe zgjati dy orë e gjysmë. Si rezultat, ai i dha Ukrainës armët e para vdekjeprurëse pas tre viteve të luftës, [raketat antitank] legjendaret Javelin. Ato shpëtuan shumë jetë në rajonin e Donbasit. Edhe pa konsultime shtesë me partnerët tanë evropianë, ne ramë dakord që Shtetet e Bashkuara të vendosnin sanksione ndaj kontraktorit të kompanisë për tubacionin Nord Stream 2, gjë që ishte jetike. Në prani të Presidentit Trump, ne diskutuam me [ish-drejtorin e tij të CIA-s, Mike] Pompeo për koordinimin e përpjekjeve për të njohur kishën e pavarur të Ukrainës. Trump-i është një person i rezultateve, jo i procesit. Ai është mjaftueshëm i vendosur, për të marrë vendime të vështira.

Zëri i Amerikës: Presidenti i zgjedhur Trump emëroi gjeneralin Keith Kellogg si përfaqësuesin special amerikan për Ukrainën dhe Rusinë. Çfarë mendoni për të dhe idetë e tij?

Petro Poroshenko: E kam takuar disa herë kur ishte anëtar i ekipit të Nënpresidentit [Mike] Pence. E mirëpres qasjen e Presidentit Trump për të emëruar një të dërguar special presidencial për Ukrainën. Kur Presidenti Trump emëroi Kurt Volkerin [si përfaqësues special të Shteteve të Bashkuara për negociatat për Ukrainën], kjo ishte jashtëzakonisht efikase. Dhe tani, niveli i profesionalizmit të gjeneralit Kellogg na jep një optimizëm të kujdesshëm.

Ne mund ta ndalim luftën në 24 orë, siç premtoi Presidenti Trump, dhe pa asnjë të shtënë, apo ndonjë dollar të shpenzuar. Na duhet vetëm një nënshkrim për një traktat – Traktati i Uashingtonit [traktati i prillit 1949 që themelon Aleancën e Traktatit të Atlantikut të Veriut]. Ftesa për Ukrainën për t’u anëtarësuar në NATO do të ishte një demonstrim i fuqishëm për Putinin se ne nuk kemi frikë nga shantazhi i tij. Ne jemi mjaftueshëm të vendosur dhe duam të kemi siguri të qëndrueshme në kontinent.

Unë propozoj planin tim – “Planin Poroshenko”. Brenda një viti, partnerët garantojnë se Ukraina do të marrë një anëtarësim të plotë [në NATO] nëse plotëson kritere specifike dhe plotëson disa kushte. Gjatë atij viti, ndërkohë që nuk jemi në NATO, do të marrim të njëjtat garanci sigurie si Finlanda dhe Suedia përpara anëtarësimit të tyre të plotë në NATO. Gjatë atij viti, unë sugjeroj gjithashtu që të ketë paqeruajtës me mandatin e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, për të garantuar një armëpushim. Kështu mund të ndalet lufta në 24 orë./VOA

“Mes oratorëve që po flisnin në ‘Qytetin Studenti’, Arbëri dalloi djalin e Resulit, Operativin e Sigurimit, që kishte torturuar…”/ Historia e trishtë e ish-të dënuarit politik

Nga Reshat KRIPA

Arbëri qëndronte në qoshkun e tij në sallë, duke pritur mbërritjen e avionit që do ta çonte në një botë tjetër dhe meditonte. Meditonte dhe ëndërronte rrugën plot hithra e ferra, nëpër të cilën kishte kaluar jeta e tij. I kujtoheshin brengat që e kishin shoqëruar vite me radhë. Kishte shumë pasione. Donte të bëhej jurist, gazetar, mjek, inxhinier, artist, shkrimtar apo çfarëdo tjetër gjë, që të mundësohej. Por fati e kishte dënuar që të mos arrinte asnjë, nga majat e ëndërruara. Zhgënjimin e haste në çdo hap të jetës.

Ditët e para të dhjetorit. Atë ditë çifti sapo kishte zbritur nga treni në kryeqytet. Blerina kishte një seminar mbi problemet e shkollës. Natyrisht edhe Arbëri, nuk mund ta linte vetëm. Po ecnin drejt qendrës ku ndodhej salla në të cilën do të zhvillohej seminari. Një lëvizje e pazakontë filloi në rrugë. Shiheshin të rinj dhe të reja, burra dhe gra që vraponin për diku. Arbëri dhe Blerina u shtangën. Për ku vraponin vallë? Ndaluan një djalosh që po ecte pranë tyre dhe e pyetën.

– “Tek qyteti studenti, u përgjigj ai”. – “Filloi”!

– “Çfarë filloi”?

Djaloshi nuk u përgjigj. Kishte fluturuar. Instinktivisht edhe ata u nisën drejt vendit të treguar nga djaloshi. E harruan fare seminarin. Sa më tepër i afroheshin, aq më tepër shtohej turma që nxitonte për të mbërritur. Dëgjoheshin thirrjet entuziaste që gjëmonin:

– “E duam Shqipërinë, si gjithë Europa”!

– “A thua erdhi me të vërtetë dita jonë”?! – Pyeti veten Arbëri.

Blerina e dëgjoi dhe pyeti:

– “Çfarë thatë”?

– “I dëgjon? Janë ditët e përmbysjes së madhe”.

Së fundi arritën. Sheshi ishte mbushur plot e për plotë me njerëz që thërrisnin dhe brohorisnin. Së fundi në tribunën e ngritur me këtë rast, hipi një nga studentët e universitetit të kryeqytetit. Ai filloi të fliste. Thelbi i fjalimit të tij, ishte një ultimatum drejtuar qeverisë, për të pranuar pluralizëm politik, për ta bërë edhe Shqipërinë, si gjithë Europa. Fjalët e tij mezi dëgjoheshin nga brohoritjet e shumta, që nuk kishin të sosur. Në përfundim të fjalës së tij, ai theksoi:

– “Ne jemi për sistemin shumë partiak dhe do të qëndrojmë deri në fitoren tonë, për këtë sistem. Liri, demokraci”!

Dhe turma oshtiu:

– “Liri, demokraci! Liri, demokraci”!

Oratorët, nuk kishin të sosur. Midis tyre kishte edhe disa që Arbëri, i kishte dëgjuar duke dhënë kohët e fundit intervista, në mediat e huaja, si; “Zëri i Amerikës”, etj., të cilën ai e dëgjonte për çdo ditë. Një pjesë prej tyre, kishin qenë funksionarë të lartë. Kjo gjë sikur i shkaktonte një ngërç. Këtë ia shprehu Blerinës. Ajo e vështroi drejt e në sy dhe i tha:

– “Kushdo ka të drejtë të hedhë poshtë, të keqen që ka patur brenda vetes dhe të fillojë një jetë të re”.

– “Më fal, – iu përgjigj ai, – ke të drejtë”.

Në podium u ngjit një burrë me një mjekër të vogël dhe mustaqe. Çuditërisht Arbërit iu duk si një fytyrë e njohur.

– “A e njeh”? – E pyeti Blerina.

– “Më duket fytyrë e njohur, por nuk arrij ta identifikoj”.

– “Është djali i Resulit”.

– “Djali i Resulit? Paska lënë mustaqe dhe mjekër”?

– “Po”.

– “Ka mbaruar shkencat politike. Ka zëvendësuar të atin, që ka dalë në pension”.

– “Kur qenka bërë demokrat”?!

Oratorët vazhdonin të ndërroheshin. Një burrë e mori fjalën. Filloi të fliste me një gjuhë që e rrëmbeu të gjithë turmën. Sa më tepër ligjëronte, aq më tepër turma ekzaltohej.

– “O Zot”, – Thirri Arbëri.

– “Çfarë patët”? – Pyeti Blerina.

– “Mersini”, – belbëzoi Arbëri.

Ndërkaq oratori kishte filluar të fliste:

– “Të nderuar studentë dhe qytetarë të kryeqytetit! Më lejoni t’iu përshëndes në emër të të gjithë të përndjekurve politikë të Shqipërisë, të atyre që sakrifikuan edhe jetën e tyre për këtë ditë të shenjtë. Ne jemi në krahun tuaj, ne jemi me ju”!

Dhe vijoi të ligjëronte e të ligjëronte.

– “O Zot, – thirri përsëri Arbëri”, – çfarë po më shohin sytë?

– “Çfarë”? – Pyeti Blerina pa kuptuar gjë.

– “Ai është miu i birucave, që ka marrë në qafë shumë njerëz”.

Para syve i dilte figura e Xhavitit, i lidhur në shtyllën e elektrikut ku dha edhe frymën e fundit.

– “Eja të ikim”, – tha.

U nisën. Kur mbërritën tek sheshi kryesor i kryeqytetit, ndjeu një zë: – “Arbër”. – Ktheu kryet. Para tij qëndronte doktor Istrefi. U përqafuan. Arbëri e prezantoi me Blerinën.

– “Bashkëshortja ime”, – dhe duke u drejtuar nga ai vazhdoi: – “Doktor Istrefi, një – nga shpëtimtarët e shumë jetëve në burg”.

– “Arbëri nuk iu lëshonte nga goja”, – tha Blerina, duke i dhënë dorën.

– “Mos harroni edhe qëndrimin tuaj dinjitoz, e nderuar”! – Iu përgjigj ai. – “Ku po shkoni”?

– “Në stacionin e trenit. Sonde do të kthehemi në qytetin tonë”.

– “Sonde nuk keni ku shkoni, jeni të ftuar tek unë për darkë”.

Ndërkaq po afronte mbrëmja. Arbëri u mundua të justifikohej gjoja me një punë që e priste në qytetin e tij dhe duhej të ikte patjetër, ndaj duhej të nxitonin të kapnin trenin e fundit. Por këmbëngulja e doktorit, e detyroi të pranonte.

Familja e doktorit përbëhej nga e shoqja dhe djali me bashkëshorten dhe një vajzë tre vjeçare. Kur e kishin arrestuar doktorin, kishte dy vjet që ishte martuar dhe e shoqja sapo kishte lindur. Kështu që djali, sikurse dhe Arbëri, u rrit vetëm nën kujdesin e nënës dhe pa prezencën e të atit. Megjithatë edukata dhe morali nuk i munguan.

Ato i ishin ngulitur në shpirt nga e ëma, që sakrifikoi gjithçka për të. Mbaroi gjimnazin, por rruga për më lart, ishte e mbyllur. Pasi u lirua i ati, u martua me një vajzë, që punonte në ndërmarrjen e tij, me të cilën u dashuruan. Si rezultat i martesës, u lindi vajza, që u bë gëzimi i shtëpisë.

– “Grua, – foli doktori sapo hynë në shtëpi, – na përgatit një darkë të mirë por, më parë, sillna shishen e rakisë dhe gotat, pasi ne meshkujt, do e kthejmë nga një gotë”.

Bisedat nuk kishin të mbaruar. Kujtonin kohën e tmerrshme që kishin kaluar në errësirën e burgjeve, apo tmerret e kampeve. Kujtonin shumë nga miqtë e përbashkët, që i kishin mbyllur sytë larg të afërmve të tyre dhe që nuk kishin një varr ku të derdheshin dy pika lot. Por biseduan edhe për ditët e sotme dhe për lëvizjen e madhe, që kishte shpërthyer. Flisnin për lëvizjen por edhe për protagonistët e saj. Kishte midis tyre, shumë personalitete të shquara të vendit, që ia vlente t’i ndiqje, por kishte edhe sharlatanë të politikës, që nuk kishin lënë të zezë pa bërë dhe tani dilnin si ithtarë të lirisë dhe demokracisë.

– “A e dëgjove djalin e Resulit, – filloi Arbëri, – paska zëvendësuar të atin, drejtor drejtorie në Ministrinë e Punëve të Brendshme dhe sot ligjëron për liri dhe demokraci. Nga kush e kërkon? Mos vallë nga vetja e tij? A thua ka harruar se ati i tij, ka torturuar qindra njerëz, një prej të cilëve, kam qenë edhe unë”?!

– “Qetësohu Arbër,- foli doktori. – Koha do t’i eliminojë ferrat që mbijnë rrugës”.

– “Po Mersinin e dëgjove, – vazhdoi Arbëri. – pa le, na fliste edhe në emër të të përndjekurve Politikë. Kujt të përndjekur? Mos vallë të Xhavitit”?

– “Dale të hapim televizorin, se erdhi ora e revistës televizive”, – tha doktori duke dashur të ndërrojë bisedën.

Spikerja e televizionit, po fliste për një takim që udhëheqësi i partisë dhe i shtetit, kishte organizuar me drejtuesit e protestës. Në atë çast, fjalën e kishte studenti që hapi manifestimin. Ishte një djalë trim. Pa ia bërë syri tërr, po ia përplaste në fytyrë udhëheqësit. Ai mundohej me një dhelpëri të ulte tonet e bisedës, por ishte e kotë. Midis të pranishmëve, dalluan edhe figurat e Mersinit dhe djalit të Resulit. Atë mbrëmje ndenjën duke biseduar, deri në mesnatë.

* * *

Më së fundi u krijua edhe partia e parë opozitare. U zhvilluan edhe zgjedhjet e para pluraliste. Por hienat e së kaluarës, kërkonin gjak. Ky gjak u derdh në qytetin verior të vendit, porsa ishin zhvilluar zgjedhjet e para pluraliste. Ranë katër martirë. Përse? Vetëm e vetëm pse protestonin për vjedhjen e votave. Vetëm e vetëm pse guxuan të sfidonin diktaturën. Një shtet i tërë. u ngrit në këmbë.

Një grevë e përgjithshme. përfshiu të gjithë vendin. U ngritën shoqatat e të Drejtave dhe të Lirive të Njeriut e, midis tyre dhe ajo e ish-të Përndjekurve dhe Burgosurve politikë, nga regjimi komunist. U rrëzua edhe monumenti i diktatorit, që ndodhej në qendër të kryeqytetit.

Në këtë kuadër, Arbëri vazhdonte në qytetin e tij. Kishte një brengë që kërkonte ta zgjidhte sa më parë. Donte të gjente vendin, ku ishin hedhur eshtrat e të atit. Donte një varr, ku të vendoste një tufë me lule. E ngriti çështjen në Shoqatë. Shoqata iu drejtua Degës së Punëve të Brendshme, duke i kërkuar vendndodhjen e pushkatimeve. Dega heshti. Nuk guxoi të kthente përgjigje.

Arbëri vendosi të takonte Resulin. Me siguri, ai e dinte se ku ndodheshin eshtrat e të atit dhe tani që ishte pozicionuar në krahun e opozitarëve, ndërgjegjja e tij, duhej të kishte reflektuar. U nis së bashku me Blerinën, në drejtim të kryeqytetit. Ajo takoi dajon e saj dhe i kërkoi një takim të Arbërit me të. Resuli pranoi. Arbëri i paraqiti kërkesën. I kërkoi t’i tregonte, se ku ishin eshtrat e të atit. Resuli ndenji disa minuta pa folur, duke u menduar. Siç dukej, mendonte nëse duhej t’ia thoshte, apo jo?! Së fundi, triumfoi ligësia që kishte në ndërgjegjen e tij.

– “Unë nuk di gjë”, – tha.

– “Si nuk e dini? A nuk keni qenë ju hetuesi i tij, kur ai ndërroi jetë”? – e pyeti Arbëri.

– “Nuk di gjë”, – përsëriti Resuli.

Ngjarjet rridhnin njëra pas tjetrës. Një vit pas zgjedhjeve të para, filloi fushata për zgjedhjet e dyta pluraliste. Shoqata i propozoi partisë së parë opozitare, kandidaturën e Arbërit. Në konferencën e kësaj partie, për zgjedhjen e kandidatëve për në kuvendin e Shqipërisë, foli edhe Arbëri.

Foli qetë e qetë, për një shtet me të vërtetë demokratik, për një shtet Perëndimor, ashtu siç kishin ëndërruar ata që iu kundërvunë sistemit totalitar, duke dhënë edhe jetën e tyre për këtë ditë. Foli edhe kandidati tjetër, një ish-funksionar i sistemit të përmbysur. Nuk la më be e rrufe pa hedhur, mbi komunizmin. Së fundi u kryen votimet. Fitimtar doli ish-funksionari.

Erdhi edhe dita e votimeve. Partia opozitare u kthye në parti qeverisëse. Një administratë e re filloi nga puna. Arbëri u emërua drejtor në një institucion, që kishte në vartësi ish-të Përndjekurit dhe Burgosurit Politikë. Një anëtar tjetër i kryesisë së Shoqatës së ish-të Përndjekurve Politikë, u emërua kryetar i Degës së Punëve të Brendshme, apo Komisariatit të Policisë, siç thuhej me emërtesën e re. Ai kërkoi në arkivat e Degës, por nuk gjeti asnjë dokument, për rastin e Sokolit. Blerina i sugjeroi të shkonin në arkivin e Ministrisë së Punëve të Brendshme.

Shkuan. Drejtor ishte nje djalë i ri, që ishte emëruar ato ditë. Ai i priti me një mirësjellje të madhe. Së fundi, e gjetën skicën e vend-varrimit. Qyteti kishte tre vende varrimi, për të ekzekutuarit dhe ata që vdisnin në burg. Një në hyrje të tij, një në periferi dhe një në rrugën që dilte nga qyteti. Eshtrat e Sokolit, ndodheshin në rrugën në daljen e qytetit.

Shoqata vendosi fillimin e gërmimeve. Në atë vend ishte ekzekutuar, edhe një grup prej njëmbëdhjetë personash. Sipas skicës, eshtrat e Sokolit ndodheshin rreth dhjetë metra larg gropës, ku ishin të tjerët. Ndodheshin pikërisht poshtë një ure, që ishte ndërtuar nga pushtuesit italianë, që mendonin të ndërtonin një rrugë. Nisi gërmimi. Punohej me shumë kujdes. Iu dukej sikur do i lëndonin ato eshtra. Së fundi i zbuluan. Pranë tyre një medaljon. Arbëri e mori. Ishte medaljoni që kishte fituar në përfundim të studimeve në Francë dhe që bashkëvuajtësi i tij, ia kishte vendosur në xhaketë.

Eshtrat e martirëve, u vendosën në xhaminë e qytetit. Të gjithë ishin të besimit mysliman. Pas dy ditësh, u zhvillua ceremonia e varrimit. Pjesëmarrja ishte e jashtëzakonshme. Në krye printe makina me arkivolet e viktimave. Pas tyre, familjarët dhe pjesa tjetër e qytetarëve. Merrnin pjesë edhe kryetari i Shoqatës Kombëtare, të ish-Përndjekurve dhe Burgosurve Politikë, si dhe përfaqësues nga partia qeverisëse. Kishte ardhur edhe Kryetari i Komunitetit Mysliman si dhe doktor Istrefi, që tani ishte emëruar drejtor drejtorie, ne Ministrinë e Shëndetësisë.

U mbajtën fjalime të shumta. Foli Kryetari i Komunitetit Mysliman, Kryetari i Shoqatës Kombëtare, përfaqësuesi i partisë qeveritare, doktor Istrefi, si edhe djaloshi që kishte sjellë letrën e Sokolit në familje dhe që kishte ardhur posaçërisht për këtë rast. Ceremoninë e mbylli kryetari i Shoqatës së Degës së qytetit. Arkivoli i Sokolit, u vendos pranë varrit të Afërditës, ndërsa arkivolet e njëmbëdhjetë të ekzekutuarve, në një varrezë të përbashkët. Kurora të shumta, zbukuruan varret e tyre./ Memorie.al

Sherrnajet parlamentare, harxhim kohe dhe energjie opozitare

Nga Ervis Iljazaj

Po të ndjekësh debatet në Parlamentin e Shqipërisë sot, kuptohet fare mirë që diskutimet nuk kanë asnjë lloj lidhje me politikën, me demokracinë apo me parlamentarizmin. Aty kupton se si mund të degradojë institucioni i parlamentit. Debatet me sulme personale, me thashetheme kafenesh dhe akuza të ndërsjellta, nuk lidhen fare me aktivitetin e deputetit. Por mbi të gjitha, nga diskutimet e sotshme kupton se si debati parlamentar nuk ka lidhje fare me problemet që shqetësojnë qytetarët shqiptarë. Me pak fjalë, debatet në Parlamentin e Shqipërisë, janë një manual se si politika nuk duhet të jetë. Ky degradim, në fakt, ka kohë që ka ndodhur, por kohët e fundit ka arritur nivelet më të larta të tij.

Nëse mazhorancës i intereson kjo tallava politike, nuk kuptohet se përse opozita shqiptare nuk fokusohet te çështjet thelbësore të saj, por harxhon energji të kota që nuk i shtojnë as kredite politike dhe asnjë votë më shumë. Të bërtasësh, të shash apo të ofendosh, të tregohesh agresiv me tonalitet të lartë zëri, nuk do të të thotë që kjo të bën më efikas apo më të domosdoshëm për elektoratin tënd. Dhe mbi të gjitha, nuk është se e dobëson qeverinë më shumë.

Të gjitha këto janë debate bosh, në një kohë kur opozita shqiptare, ose më saktë Partia Demokratike, ende nuk ka zgjidhur tri çështje thelbësore për të fituar pushtetin në Shqipëri. Aq më tepër që ndodhemi vetëm 6 muaj përpara zgjedhjeve parlamentare.

Problemi i parë që duhet të zgjidhë Partia Demokratike, janë marrëdhëniet ndërkombëtare. Për tre vite me radhë, që nga shpallja non-grata e Sali Berishës, PD gjendet në një izolim ndërkombëtar të plotë. Tashmë që në Shtëpinë e Bardhë do të hyjë një “armik” i Sorrosit, zoti Berisha nuk do të ketë më alibi për këtë izolim. Dhe ky është një lajm i mirë për Shqipërinë, nëse opozita del nga izolimi ndërkombëtar. Problemi është se në këtë pikë, Partia Demokratike nuk ka më alibi, pasi tashmë ka një aleat të zotit Berisha dhe jo më një administratë të kapur nga Sorros.

Dhe nëse vërtet PD dëshiron të vijë në pushtet në 2025, në këtë izolim që ndodhet sot, e ka shumë të vështirë, pothuajse të pamundur.

Problemi i dytë që duhet të zgjidhë, është çështja e kandidatit për kryeministër. Vetëm 6 muaj përpara zgjdhjeve parlamentare, Partia Demokratike ende nuk e ka një kandidat për kryeministër. Dhe kjo i jep një disavantazh të madh në raport me kundërshtarin. Nuk ekziston asnjë parti politike që ka ardhur në pushtet pa pasur një kandidat të qartë për kryeministër. Kandidati për kryeministër në politikën e sotme, është thelbësor. Është personi që përfaqëson vizionin, dhe mbi të cilin mishërohet alternativa politike e gjithë partisë së tij. Dhe në mungesë të një personi të tillë, alternativa është e paqartë.

Problemi i tretë, apo çështja e tretë që duhet të zgjidh PD është çështja e programit politik dhe vizionit që ka ajo për Shqipërinë. Është e vështirë të imagjinosh sot se si mund të jetë Shqipëria me Partinë Demokratike në pushtet. Ndoshta ajo e ka një program, apo një vizion për Shqipërinë, por të paktën deri më tani nuk ka arritur ta përcjellë te shqiptarët. Është vështirë të imagjinosh se si do jetë arsimi, turizimi, mjekësia apo fusha të tjera nën qeverisjen e PD-së. Nëse e krahasojmë me zgjedhjet në Amerikë, amerikanët e kishin të qartë se çfarë Amerike prisnin me Donald Trump dhe se çfarë Amerike presin me Kamala Harris. Dhe në fund, bënë zgjedhjen sipas bindjeve të tyre.

E pikërisht këtë gjë nuk po bën dot PD. Nëse në qeverisjen e Ramës mund ta imagjinojmë se çfarë Shqipërie kemi, nën qeverisjen e mundshme të PD-së është e vështirë ta imagjinosh, sepse deri më tani nuk ja ka përcjell shqiptarëve idenë e saj./Liberale.al

Parregullsitë në tendera, KLSH: Dëmi ekonomik 2.55 mld lekë/ Ku shkojnë paratë publike dhe si ndikon mungesa e konkurencës

Në emisionin ‘Vetting’ në News24  është trajtuar mungesa e konkurencës në prokurimet publike.

Sipas KLSH-së, në 4 vitet e fundit, totali i dëmit ekonomik për shkak të parregullsive në proceset e tenderimit, shkon në vlerën 2 miliardë e 550 milionë euro, barrë e cila bie mbi qytetarët.

Prej kohës kur Shqipëria nisi procesin e integrimit europian, mungesa e konkurrencës në prokurimet publike, mbetet një ndër kritikat e vazhdueshme të organizatave ndërkombëtare, kritikë qe reflektohet edhe në progres-raportin e fundit të Bashkimi Europian.

Për të analizuar këtë problematikë në proceset e prokurimit publik, do ti referohemi fillimisht raporteve të Kontrollit të Lartë të Shtetit, sipas të cilave, vetëm në 4 vitet e fundit, totali i dëmit ekonomik për shkak të parregullsive në proceset e tenderimit, shkon në vlerën 2 miliardë e 550 milionë euro, barrë e cila bie mbi qytetarët.

“Vetting” ka analizuar procedurat me vlerën më të madhe monetare për periudhën 2020-2023 dhe ka zbuluar se në shumicën prej tyre nuk ka garë pasi kompanitë janë skualifikuar ose ka patur pjesëmarrës vetëm një kompani.

Sipas ekspertit të prokurimeve, Muharrem Çakaj, sektori i prokurimit publik ka disa probleme.

“Në thelb procesi i prokurimit publik në Shqipëri mund të themi që çalon, çalon në cilësi por edhe në vendimmarrjen e organeve kompetente”, tha për “Vetting” Muharrem Çakaj.

Problemet me tenderat kanë sjellë krijimin e kushteve për monopole me fondet publike, e cila sipas drejtuesve të lëvizjeve politike duket te numri i kompanive të përfshira në tenderime.

“Do duhej që normalisht investimet të ndaheshin dhe tenderat të fitoheshin nga kompani të ndryshme sepse nëse në Shqipëri ka 6000 kompani ndërtimi, ndërkohë 5 apo 10 prej tyre janë ato që fitojnë shumicën e tenderave publikë në infrastrukturë, kjo tregon qartë që  është krijuar një farë monopolizimi i tregut”, tha për “Vetting” Adriatik Lapaj, kryetar i lëvizjes politike “Shqipëria bëhet

Nga të dhënat e përpunuara nga Open Data Albania rezulton se një pjesë e madhe e 100 tenderave më të mëdhenj të organizuara nga institucionet publike rezultojnë me “red flag” ose ndryshe me flamur të kuq.

Whatsapp Image 2024 12 05 At 19.31.00

Flamuri i kuq vendoset automatikisht nga sistemi i Open Data Albania kur kemi vetëm një  kompani që garon për tenderin ose janë skualifikuar të gjitha kompanitë nga Komisioni i Vlerësimit të Ofertave, duke u shpallur automatikisht fituese kompania e kualifikuar.

Mungesa e garës praktikisht është si të marrësh pjesë në një konkurs, ku askush nuk paraqitet përveçse një pjesëmarrësi, i cili automatikisht shpallet fitues.

Sipas Ilir Brashaj, data analist te “Qendresa Qytetare”, në tenderat me vlerë të madhe numri i ofertave të dorëzuara është relativisht i ulët.

OKB: 280,000 të zhvendosur në luftimet në Siri që nga 27 nëntori

Luftimet midis rebelëve dhe forcave siriane kanë zhvendosur 280 mijë njerëz që nga 27 nëntori dhe avancimi i shpejtë i grupeve islamike në Siri, njoftuan Kombet e Bashkuara, duke shprehur frikën se numri mund të rritet në 1.5 milionë.

“Shifra që kemi është 280 mijë persona që nga 27 nëntori. Kjo është shifra e përditësuar nga mbrëmë. Nuk përfshin numrin e njerëzve që u larguan nga Libani gjatë përshkallëzimit të fundit të luftimeve midis Hezbollahut dhe Izraelit”, tha Samer Abdel Jaber, Drejtor i Koordinimit Emergjent të Programit Botëror të Ushqimit, në një konferencë për shtyp në Gjenevë.

Zhvendosja masive e popullsisë ka ndodhur që kur rebelët e udhëhequr nga grupi islamik Hayat Tahrir al-Sham (HTS) nisën një ofensivë të shpejtë pak më shumë se një javë më parë.

Bëri HISTORI me Barcelonën, Messi flet për dy personat që kanë ndikuar më së shumti në karrierën e tij

Leo Messi, në një intervistë të gjatë për Mundo Deportivo, është rikthyer pas në kohë duke kujtuar periudhën e tij të artë me Barcelonën, trofetë e shumë të fituar dhe njerëzit të cilët kanë spikatur në karrierën e tij brilante.

“Ajo që kujtoj me kënaqësi është rrugëtimi që kanë kryer, periudhën me Guardiola-n në pankinë, “tripletën” me Luis Enriquen, për të vijuar më pas Champions-in e 2006 të fituar me Ronaldinho-n, atë vit fituam 6 trofe. Unë uroj shumë që Barcelona të rikthehet sërish në këto nivele, të fitojnë sërish La Liga, Championa”, u shpreh Messi.

Ylli botëror u ndal më pas te dy personazhe në veçanti.

“Guardiola dhe Ronaldinho janë dy personat që kanë ndikuar jashtëzakonisht shumë në karrierën time. Me Pep kemi bërë gjëra të jashtëzakonshme, ndërsa Ronaldinho më ka ndihmuar shumë në hapat e mi të parë në skuadër. Sigurisht kujtoj me kënaqësi edhe shokë të tjerë si Iniesta apo Xavi, apo lojtarë që tani luajnë me mua në Amerikën, Sergio Busquets, Jordi Alba dhe Luis Enrique”, u shpreh ndër të tjera Leo Messi.

 

6 këshilla si të përmirësoni shikimin e mprehtë dhe shëndetin e syve

Shëndeti i syve përkeqësohet me kalimin e moshës, e megjithatë kjo nuk do të thotë që ndërhyrja kirurgjikale është alternativa më e mirë për të patur sy të mprehtë.

Ekspertët thonë se njerëzit mund ta përmirësojnë shikimin e tyre në mënyrë krejt natyrale me 6 këshillat e mëposhtme dhe ushtrime të specializuara për sytë.

6 këshilla si të përmirësoni shikimin pa nevojën e ndërhyrjes kirurgjikale

Ekspertët thonë se vendosja e syzeve për njerëz, shikimi i të cilëve dobësohet ose pëson një ndryshim të lehtë, ka një efekt përkeqësues.

Kujdesi Për Sytë

Hapi i parë drejt përmirësimit të shikimit është që të jeni të ndërgjegjshëm për sytë dhe përdorimin e tyre.

Ekspertët thonë që duhet të tregoheni të vëmendshëm kur i picërroni sytë, problemet në orientim e të tjerë.

Pak pushim nga syzet

Shumë njerëz janë të detyruar të mbajnë syze çdo ditë.

Kësisoj, sytë mësohen dhe nuk përpiqen fort për tu përqendruar.

Disa ekspertë rekomandojnë që të mos i përdorni syzet për disa orë në ditë në mënyrë që syri të mësohet e të përpiqet për një shikim më të fortë.

Shikoni afër dhe larg

Me kalimin e kohës, njeriu humbet aftësinë për të parë qartë nga distanca të ndryshme.

Kjo është veçanërisht e vërtetë tek njerëzit që jetojnë në zonat urbane të cilët nuk janë në gjendje të mprehin shikimin e tyre në distanca të largëta.

Ekspertët, këshillojnë që t’i trajnoni sytë duke u përpjekur për të parë sa më larg dhe më pas nga afër duke u fokusuar tek detajet.

Lodhja e syve

Njerëzit që qëndrojnë shumë kohë para kompjuterit apo televizorit përballen me lodhje të syve që pasohet nga dhimbje koke.

Ekspertët këshillojnë që t’i mbuloni sytë me pëllëmbët e duarve dhe të qëndroni në këtë mënyrë disa minuta.

Do të vëreni se shikimi juaj do të jetë më i mprehtë e sytë më të çlodhur.

Shikimi në të gjitha drejtimet

Sa herë që duhet të shikoni në një drejtim të caktuar, përpiquni të mos lëvizni kokën por të vini sytë në punë.

Përpiquni të shikoni majtas, djathtas, lart dhe poshtë, madje edhe majën e hundës në mënyrë që t’i stërvisni sytë.

Ushqyerja

Ekspertët thonë se njeriu duhet të konsumojë më shumë fruta, perime, yndyrna të shëndetshme, proteinë, drithëra, arrorë dhe fara.

Në fund të fundit, shikimi i mirë varet nga përkujdesja për sytë në të gjitha drejtimet./Agroweb

‘Suel Çela bashkoi Ramën me Berishën për zgjedhjet’

‘Suel Çela bashkojë Ramën me Berishën për zgjedhjet’, kështu është shprehur ish deputeti Azgan Haklaj.

I ftuar mbrëmjen e sotme në ‘Studio Live’, në Report Tv, ai u shpreh se Gazment Bardhi i bëri akuza të forta Berishës për lidhje me Suel Çelën, ndërsa Berisha i cilësoi si politike.

‘Suel Çela bashkojë Ramën me Berishën për zgjedhjet. Sepse infrastruktura e zgjedhjeve dhe të pushtetit në Elbasan kontrollohet nga Suel Çela. Berisha thotë se ishin deklaratë politike’, tha ai.Haklaj hodhi akuza ndaj kreut të PL Ilir Meta, për të cilin tha se në kohën kur ishte kryeministër jepte urdhra për të dhunuar demokratët. Ai foli edhe arrestimin që iu bë, sipas tij në mënyrë të padrejtë në vitin 2001.

‘Unë jam arrestuar në Tropojë në vitin 2001, nga policia e Ilir Metës me një sërë akuzash. Jam torturuar në mënyrën më çnjerëzore nga policia. Meta si kryeministër i dhunonte demokratët. Pas daljes nga burgu unë kam vijuar betejën ligjore dhe kam shkuar në Gjykatën e Lartë dhe ajo vendosi pushimin e çështjes. Nuk kam ikur, jam përballur me drejtësinë për të zbardhur të vërtetën. Asnjë provë s’ka pasur ndaj meje, por akuza të fabrikuara’, tha ai.

Një koment Haklaj e pati edhe për protestën e PL para SPAK ditën e sotme. Ai e cilësoi si skandaloze të protestosh para këtij institucioni të drejtësisë.

‘Nuk ka gjë më skandaloze që të bësh protestë kundër SPAK. Ke grushte shteti në vende të tjera dhe s’ka protestuar njeri para gjykatës. Sot Meta bënë protestë para SPAK e del thotë se i ka paguar me para të ndershme pronat. Meta me 20 shtëpi duhet të jap llogari. A e ke pa miratimin e buxhetit të shtetit në Kuvend, ligji më i rëndësishëm, ndërsa Berisha numëronte shtëpitë deputetëve të tjerë, pse nuk numëronte shtëpitë e veta’, tha ai.

Teksa foli për lirimin e Sali Berishës nga arresti i shtëpisë, ai tha se nga gjykata detyrimi i paraqitjes është cilësuar si i ligjshëm, por duke qenë se Berisha nuk e respektojë këtë vendim u morë masa shtrënguese ‘arrest në shtëpi’.