12.5 C
Tirana
E premte, 9 Maj, 2025

Sabotimi i qeverisë Rama, SPAK: Na dhanë 1 milionë euro më pak për pagat dhe shpenzimet

“Projekt buxheti i vitit 2025 ka parashikuar 600 milionë lekë, 111 milionë lekë më pak nga nevojat e SPAK, në parashikimet buxhetore për këtë vit edhe pse është reflektuar shqetësimi ynë lidhur me fondet buxhetore për sa i përket shpenzimeve kapitale, investimeve konstatojmë se nuk janë marrë në konsideratë kërkesat shtesë lidhur me pagat . Diferenca bazuar në kërkesat buxhetore nga ana jone, diferenca nga kërkesa jonë me projekt buxhetin është në shifrën 198.170.472 lekë.

Kërkesa shtesë nga SPAK në programin e dytë buxhetor afatmesëm kanë rezultuar me një diferencë shtesë 67 milionë lekësh të cilat janë të detajuara. Ka prioritet përfundimi i rikonstrukturimit të godinës së re dhe urës lidhëse mes dy godinave, do të kërkonim rishikimin sipas kërkesës së paraqitur për një shtesë në shumën 119 milonë lekë në zërin e investimeve”, tha Shehu.

Përfaqësuesi Ministrisë së Financave u angazhua në rishikimin buxhetit të SPAK për zërin e pagave.

“Pjesën e pagave nevojitet që të bëjmë një rakordim me SPAK për të evidentuar se në llogaritë tona paraprakisht themi që jemi në nivelet e akomodimit normal të plotë të nevojave që ka SPAK. Megjithatë jemi të hapur të rakordojmë në mënyrë që të alokohet shuma e kërkuar”, tha ai.

Por ky projekt buxhet nuk përmbush kërkesat e Byrosë Kombëtare të hetimin të cilës do shtohen hetuesit e rinj.

“Në kërkesa shtesë janë paraqitur kërkesa shtesë për personel kërkuar nga Byroja Kombëtare e hetimit, konkretisht për 40 punonjës të cilët janë miratuar në projekt buxhetin e 2025 në pozicionin e hetuesit në shumën e 250 milionë lekë”, tha Shehu.

Rrit rrezikun për sëmundjet kardiovaskulare, cili është ushqimi “armik” i zemrës

Një studim nga shkencëtarët e Universitetit McMaster zbuloi një lidhje midis konsumit të mishit të përpunuar dhe një rreziku më të lartë të sëmundjeve kardiovaskulare.

Megjithatë i njejti rezultat nuk ka dalë në lidhje me mishin e kuq të papërpunuar dhe mishin e shpendëve.

Siç raportohet në botimin përkatës në American Journal of Clinical Nutrition, informacioni vjen nga dieta dhe rezultatet shëndetësore të 134,297 njerëzve nga 21 vende në pesë kontinente, të cilët studiuesit i ndoqën për të dhëna mbi konsumin e mishit dhe sëmundjet kardiovaskulare.

Pasi i ndoqën pjesëmarrësit për gati një dekadë, studiuesit zbuluan se ngrënia e më shumë se 150 gram mish të përpunuar në javë lidhej me një rrezik 46% më të lartë të sëmundjeve kardiovaskulare dhe një rrezik 51% më të lartë të vdekjes në krahasim me ata që nuk konsumonin asnjë mish i përpunuar.

Megjithatë, studiuesit zbuluan se konsumi i moderuar i mishit të papërpunuar kishte një efekt neutral në shëndet.

Vihet re se shprehitë e të ushqyerit të pjesëmarrësve u regjistruan përmes pyetësorëve të frekuencës së ushqimit, ndërsa u mblodhën të dhëna edhe për vdekshmërinë e tyre dhe ngjarjet e rënda kardiovaskulare. Kjo i lejoi studiuesit të përcaktojnë lidhjet midis modeleve të konsumit të mishit dhe ngjarjeve kardiovaskulare dhe vdekshmërisë.

“Do ta hedhim prodhimin në përrua, nuk mbulojmë dot as kostot e prodhimit”/ Dhjetëra kuintal patate mbeten pa shitur në Bllacë të Dibrës

Fermerët e prodhimit të patates në zonën e Bulqizës po përballen me mungesë të tregut të shitjes. Fermerët e fshatit Bllacë në Njësinë Administrative Shupenzë në Bulqizë thonë se situata është e njëjtë çdo vit, ndërsa nuk po mbulojnë dot as kostot e prodhimit.

Fermeri Din Osmani shprehet se këtë vit ka patur një prodhim të mirë të patates, por tregu i shitjes mbetet problem madhor, pasi nuk dinë ku ta çojnë prodhimin. Osmani shton se do të detyrohet ta hedhë prodhimin në përrua, pasi askush nuk interesohet për pataten, e cila vjen shumë më lirë nga vendet e tjera fqinje të Shqipërisë.

Fermeri Din Osmani shprehet se për sezonin e ardhshëm nuk ka vendosur nëse do të mbjellë më patate, vetëm nëse i sigurohet treg shitje nga shteti. Osmani shton se nëse do të kenë të sigurtë tregun e shitjes, i gjithë fshati do të kultivonte patate dhe do të prodhonte me mijëra kuintal.

Ndonëse prodhimi në zona të larta si Bllaca del me vonesë, tregu vendas është i mbushur me produkte importi, që konkurojnë produktet tona.

Mirupafshim 9 me 5! Themeluesi i LinkedIn parashikon se si do të duket puna në të ardhmen e afërt

Reid Hoffman ishte themeluesi i LinkedIn dhe parashikimi i tij i fundit është se mënyra si fuksionon puna tani, ka një datë skadence, në vitin 2034. Por si do të jenë vendet e punës në të ardhmen e afërt, sipas krijuesit të rrjetit social të punës?

Dallimi i parë do të jetë zhdukja e zyrave. Interneti ndihmon në lidhjen e njerëzve nga kudo në botë.

“Vdekja e zyrës po vjen dhe po vjen më shpejt nga sa mendoni: kostot e hapësirave për zyra do të bien me 40% deri në vitin 2034 dhe GitLab, me më shumë se 1,500 punonjës në më shumë se 65 vende, nuk ka asnjë zyrë fizike,” theksojnë ata si shembull.

Kështu vizualizoi Reid Hoffman se si do të përdoreshin rrjetet sociale, deri në atë pikë sa të zëvendësonin, në disa raste, mjedisin e informacionit:

“Fakti është se njerëzit tashmë janë mësuar me faktin se aksesi në rrjetet sociale është mjeti kryesor për të zbuluar informacione të vlefshme”.

Ai gjithashtu theksoi se problemi kryesor me të cilin do të përballeshin qytetarët do të ishte përhapja e mashtrimeve:

“Njerëzit ende po mësojnë se si të trajtojnë informacionin dhe të vlerësojnë besueshmërinë. Ata pyesin: “Si mund ta di se cilit informacion t’i besoj? Cili është reputacioni i këtij burimi?”

Reid Hoffman pohon gjithashtu se profesionistët e pavarur janë e ardhmja, pasi përfitimet ekonomike janë më të mëdha se ato të punonjësve me rrogë:

“Brenda një dekade, 50% e popullsisë amerikane do të vetëpunësohet”. Ai tregon edhe arsyen e arritjes së këtij përfundimi: “Njohuri specialistike + kërkesë globale = tarifa më të larta”.

OKB e alarmuar: Gati 70% e të vdekurve nga lufta në Gazë janë gra dhe fëmijë

Zyra e Kombeve të Bashkuara për të Drejtat e Njeriut ka thënë të premten se gati 70 për qind e viktimave që i ka verifikuar në luftën e Gazës, janë gra dhe fëmijë, duke thënë se e dënon shkeljen sistematike të parimeve themelore të ligjit humanitar ndërkombëtar.

 

Gjetjet e OKB-së mbulojnë shtatë muajt e parë të luftës mes Izraelit dhe Hamasit – grupit të shpallur terrorist nga SHBA dhe BE – në Rripin e Gazës, e cila nisi para më shumë se një viti.

Zyra e OKB-së i verifikoi 8.119 viktima gjatë shtatë muajve të parë të luftës. Por, kjo shifër është jashtëzakonisht e ulët krahasuar me numrin e përgjithshëm të të vrarëve, mbi 43.000, gjatë 13 muajve luftë, sipas Ministrisë palestineze të Shëndetësisë.

Megjithatë, verifikimi i moshës dhe gjinisë së viktimave nga OKB-ja mbështet pohimet e palestinezëve se shumica e të vrarëve në luftë janë gra dhe fëmijë.

Këto gjetje tregojnë “për një shkelje sistematike të parimeve themelore të ligjit humanitar ndërkombëtar”, tha zyra e OKB-së në një komunikatë.

Izraeli nuk i ka komentuar ende gjetjet e raportit 32-faqesh të OKB-së.

Viktima më e re vdekja e të cilit u verifikua nga vëzhguesit e OKB-së ishte një djalë njëditësh, ndërsa më e vjetra ishte një grua 97-vjeçare, thuhet në raport. Në total, 44 për qind e viktimave ishin fëmijë./REL

Fitorja e Donald Trump/ Baçi: Amerikanët votuan për familjen! Është premtuar një botë pa luftëra, do ishte interesant…

Analisti Agim Baçi, i ftuar në rubrikën Opinion në News 24 komentoi fitoren e Donald Trump në zgjedhjet amerikane.

Baçi tha se amerikanët votuan për familjen. Ai shtoi se është premtuar nga Trump një botë pa luftëra, duke shtuar se do ishte interesant nëse e shohim të bërë realitet një botë të këtillë.

“Rama e quajti Trump si turp i njerëzimit dhe tani entuziazmohet. Nga amerikanët ishte reagim i fortë për familjen.  Të mbrosh familjen nuk do të thotë të jesh kundër atyre që janë ndryshe, por qytetarët duan të mbrojnë familjen, të ardhmen.

Është premtuar një botë pa luftëra, do ishte interesant ta shikonim këtë realitet”, deklaroi Baçi.

Lista e Kombëtares/ Silvinjo kthen Baren, trajneri i fton të gjithë. Listë me 28 emra për dy ndeshjet e fundit, por mungon Broja

Kombëtarja shqiptare do të luajë dy ndeshjet e fundit në Grupin B1 të UEFA Nations League në stadiumin “Air Albania” ndaj Çekisë (16 nëntor, 20:45) dhe Ukrainës (19 nëntor, 20:45).

 

Kuqezinjtë do të nisin grumbullimin zyrtar nga dita e hënë, ndërsa trajneri Silvinjo ka publikuar sot listën me lojtarët e thirrur për dy ndeshjet e nëntorit.

Tekniku kuqezi ka vendosur të grumbullojë katër portierë Thomas Strakosha, Elhan Kastrati, Alen Sherri dhe Simon Simoni.

Në mbrojtje janë Ivan Balliu, Elseid Hysaj, Mario Mitaj, Andi Hadroj, Ardian Ismajli, Berat Gjimshiti, Arlind Ajeti, Marash Kumbulla dhe Enea Mihaj.

Në mesfushë Ylber Ramadani, Kristjan Asllani, Amir Abrashi, Qazim Laçi, Feta Fetai, Jasir Asani, Taulant Seferi, Nedim Bajrami, Arbër Hoxha dhe Keidi Bare.

Në sulm Ernest Muçi, Indrit Tuci, Mirlind Daku, Myrto Uzuni dhe Rey Manaj.

Grumbullimi i lojtarëve do të nisë që të dielën në Tiranë me futbollistët që do të përfundojnë më herët impenjimet me skuadrat e tyre, ndërsa përgatitjet zyrtare nisin të hënën.

 

Zbulohen dokumentet sekret për pushkatimin e Beqir Ballukut: Shoku Haxhi, hetuesit t’i përgëzojmë! Provuam me dokumente tradhtinë dhe ne si Presidium, me sëpatë t’i presim…

Nga Dashnor Kaloçi

Më datën 5 nëntor të vitit 1975, plot 49 vjet më parë, kryetari i Gjykatës së Lartë të Republikës Popullore të Shqipërisë, Aranit Çela, me anë të një letre me siglën “Tepër Sekret”, drejtuar Presidiumit të Kuvendit Popullor, bashkangjitur u dërgonte një kopje të vendimit të asaj gjykate, me një përmbledhje të akt-akuzës së dënimit me vdekje, me pushkatim, të tre ish-gjeneralëve e, drejtuesve më të lartë të Ministrisë së Mbrojtjes, ministrit Beqir Ali Balluku, shefit të Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë, Petrit Taulla Dume dhe Drejtorit të Drejtorisë Politike, Hito Shaqo Çako, si dhe dënimin me 25 vjet burg, të Rrahman Parllakut, ish-zëvendës/Shefit të Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë, në Ministrinë e Mbrojtjes Popullore.

Gjyqi ndaj tyre, i zhvilluar nga data 25 tetor deri në 5 nëntor të atij viti, në një sallë improvizuar në ambientet e Repartit 313 të Tiranës, (i njohur ndryshe si “Burgu i Vjetër” apo “Kaushi”), ku ata zhvilluan edhe procesin hetimor e, qëndronin të izoluar dhe nën masa të rrepta sigurie, që nga periudha e arrestimit, më datën 6 dhjetor e vitit 1974. Arrestimi i Ballukut, Dumes, Çakos dhe Parllakut, erdhi pas një periudhe afro gjashtë mujore, mbledhjesh e aktivesh e plenumesh, të zhvilluara me kuadrot më të lartë të Ministrisë së Mbrojtjes Popullore, sekretariatin e Komitetit Qendror të PPSH-së dhe Byrosë Politike, ku në pjesën më të madhe të tyre, kishte asistuar dhe drejtuar personalisht, vetë Enver Hoxha.

Goditja ndaj Beqir Ballukut, i cili prej vitesh mbante postin e Ministrit të Mbrojtjes Popullore dhe zv/kryeministrit të parë në qeverinë e kryesuar nga Mehmet Shehu, si dhe anëtarit të Byrosë Politike të Komitetit Qendror të PPSH-së, filloi në qershor-korrikun e vitit 1974, me mbledhjen e zgjeruar të Aktivit të Ushtrisë, që u mbajt në ish – “Vilën e Zogut” të qytetit të Durrësit. Ajo mbledhje drejtohej nga Mehmet Shehu dhe Hysni Kapo, ku Balluku, për herë të parë, që nga viti 1945, nuk ishte në një presidium mbledhje, por në sallë, ku ai u detyrua t’ju përgjigjej me dhjetëra pyetjeve, të bëra nga vartësit e tij. Gjithçka po ndodhte aty në atë sallë dhe që do të vazhdonte më pas deri në ditën e arrestimit, ishte e parapërgatitur në bazë të një skenari të hartuar mjaft mirë nga krerët kryesorë të udhëheqjes së lartë të PPSH-së, si Mehmet Shehun dhe Hysni Kapon, të ideuar dhe dirigjuar personalisht nga Enver Hoxha.

Pas asaj atij aktivi me kuadrot më të lartë të Ushtrisë, Balluku u analizua edhe në mbledhjet e Byrosë Politike të Komitetit Qendror të PPSH-së, ku Enver Hoxha dha i pari orientimin e sulmeve ndaj tij, duke e akuzuar si; “kreun e grupit puçist në Ushtri” dhe “tradhtarin më të madh që kishte pasur Shqipëria deri në atë kohë”. Pas atyre mbledhjeve të Byrosë Politike, Balluku u analizua edhe në Plenumin e Pestë të Komitetit Qendror të PPSH-së, që u mbajt më 25 korrik të vitit 1974, ku u sulmua nga pjesa më e madhe e anëtarëve të plenumit.

Në fund të asaj mbledhje, Balluku u përjashtua dhe u shkarkua nga të gjitha funksionet partiake e shtetërore, por, ndryshe nga shumë nga ish-funksionarë dhe personalitetet e larta të udhëheqjes së lartë komuniste, (që ishin goditur dhe dënuar vite më parë, që arrestoheshin dhe iu vinin prangat sapo dilnin nga salla e mbledhjes), ai u la i lirë që të shkonte në shtëpi! Ku pas dhjetë ditësh, së bashku me një pjesë të familjes së tij, ai do të internohej në qytezën e Roskovecit, në rrethin e Fierit, ku dhe u arrestua më 6 dhjetor të vitit 1974.

Tashmë të gjitha këto dhe të tjera për Beqir Ballukun, ish-ministrin e Mbrojtjes Popullore dhe zv/kryeministrin e parë të qeverisë së kryesuar nga Mehmet Shehu, i cili deri në vitin 1974, konsiderohej si një prej bashkëpunëtorëve më të afërt dhe njerëzve më besnik të Enver Hoxhës, janë shumë të njohura, pasi pas viteve ’90-të, janë botuar me dhjetëra e dhjetëra dëshmi dhe dokumenta arkivore gjithashtu, ku hidhet dritë mbi jetën e karrierën e tij, që nga periudha kur ishte drejtuesi kryesor i Njësiteve Guerile të Tiranës dhe komandant i Brigadës së Dytë Sulmuese të Ushtrisë Nacionalçlirimtare, si dhe e gjithë periudha në krye të Ministrisë së Mbrojtjes Popullore, deri në korrikun e vitit 1974.

Ajo që ka mbetur një mister pothuajse i pazbardhur dhe i panjohur, që vazhdon të diskutohet ende edhe sot pas gati pesë dekadash, janë arsyet dhe shkaqet kryesore që e detyruan Enver Hoxhën, që të godiste Ballukun dhe dy drejtuesit kryesorë të Ministrisë së Mbrojtjes, Petrit Dumen dhe Hito Çakon, duke i dënuar ata me vdekje, si; “Krerët e grupit puçist në Ushtri”! Bashkë me këtë mister, që ndoshta nuk do të zbardhet kurrë, pothuajse janë të panjohura, edhe dokumentet arkivore me proces-verbalet e mbledhjeve të Presidiumit të Kuvendit Popullor të Republikës Popullore të Shqipërisë, ku u diskutuan kërkesat e lutjet për faljen e jetës, nga ana e tre ish-drejtuesve kryesore të Ministrisë së Mbrojtjes, Balluku, Dume dhe Çako.

Nisur nga kjo, Memorie.al po publikon në disa numra këto dokumente arkivore, ku janë diskutimet e të gjithë anëtarëve të Presidiumit të Kuvendit Popullor, duke filluar nga kreu i saj, Haxhi Lleshi, (Kryetar), Rita Marko (Nënkryetar), Telo Mezini (Sekretar), si dhe anëtarëve; Jovan Bardhi, Muharrem Sefa, Naunka Bozo, Nuredin Hoxha, Spiro Moisiu dhe Zinja Franja.

DOKUMENTI ARKIVOR ME PROCES-VERBALIN E MBLEDHJES SË PRESIDIUMIT TË KUVENDIT POPULLOR, KU U DISKUTUAN VENDIMET E GJYKATËS SPECIALE USHTARAKE, PËR DËNIMET ME VDEKJE TË BEQIR BALLUKUT, PETRIT DUMES DHE HITO ÇAKOS 

                                                PROCES-VERBAL

Mbajtur në mbledhjen e jashtëzakonshme të Presidiumit të Kuvendit Popullor, datë 5.11.1975 ditë e mërkurë:

Në mbledhje marrin pjesë shokët: Haxhi Lleshi (Kryetar), Rita Marko (Nënkryetar), Telo Mezini (Sekretar), Jovan Bardhi, Muharrem Sefa, Naunka Bozo, Nuredin Hoxha, Spiro Moisiu, Zinja Franja, (Antarë).

Një gjë tjetër që kishin vagabondët, pasi u demaskua u zbulua çështja e Beqirit, atëherë Petriti, duke marrë shkas nga ajo që Këshilli i Mbrojtjes kërkonte materialin, ky përfiton nga kjo dhe mbledh kuadrot që kishin përkrahur tezat dhe që kishin bërë vërejtjet, dhe u thotë që t’i ndryshojnë ato, njëkohësisht merr një material të ri dhe bën vërejtjet e tij, madje kishte bërë të tilla vërejtje, sikur të ishte vetë Enver Hoxha. I quante ato, poshtërsi, anti-marksizëm, çfarë nuk thoshte. Filluam ta pyesnim ne se si qe bërë kjo, dhe u gjet ai që kishte bërë materialin. Ai tha, që e mora tre ditë, pasi mbaroi mbledhja e Byrosë Politike.

Si ishte ky material, i kujt ka qenë, çfarë formati ka, nga kush e more?! Nga Ollga. Thirrëm Ollgën shpejt. Po, e tha ai tjetri, që kur e mora, unë e mora të pastër, kur e shpura, e shpura me gjithë këto shënime dhe me shënim të zi, shokut Sadik. Kur e shpura në arkiv, Ollga nuk e pranoi dhe më tha që të kam dhënë materialin e pastër. Në fund i thashë, bisedo me Petrit Dumen. E morëm Ollgën, se Petriti nuk pranonte; “Jo, nuk duhet të jetë ashtu, nuk e mbaj mënd”. Lëri këto, i tha Ollga, ne për këtë material bëmë fjalë, unë e mbaj mënd përmendësh, se çfarë ke shkruar. Uli kokën pastaj. Ishte bërë dallaveraxhi i madh.

-Në fushën e fortifikimeve, gjetëm edhe dëmin më të rëndësishëm që del nga të gjitha materialet. Këta ç’kanë bërë: Të gjithë vëmendjen, e kanë përqendruar në bërjen e objekteve të ndryshme, prapavija, pika hapjeje, por vija e parë, vija e mbrojtjes, në këto qendrat e zjarrit, pikat e fortifikuara, vetëm 17 përqind e materialit, është përdorur për to. Vijën e parë të frontit, e kanë lënë shumë keq. Mënyra më e poshtër, që kanë përdorur.

-Në fushën e organizimit dhe drejtimit shtetëror, në lidhje me ligjet, kishte sabotim. Këtu dilte dhe ajo teoria, shtet brenda shtetit. Të gjitha rregulloret kryesore, dhe instruksionet, ishin në kundërshtim me ligjet e shtetit. Në bazë të Kushtetutës, Ministri i Mbrojtjes, ka disa kompetenca, dhe ca urdhra e udhëzime, i jep vetëm ai. Ministria jep vendime e urdhëresa. Këta, i kanë dhënë të drejtë secilës drejtori, që të japin urdhra e udhëzime, si t’i tekeshin njërit apo tjetrit. Të gjitha ato, ishin në kundërshtim me rregullat e qeverisë dhe me ligjet. Është një listë dhe midis tyre, u gjetën flagrante 28 akte kryesore.

Ndryshe rregullohej problemi i çmimeve në shtet, ndryshe në ushtri, ndryshe rregullohej problemi i kuadrit, apo dhe ndonjë tjetër, dhe ndryshe e rregullonin këta, në bazë të normave të tjera, krejt në kundërshtim me ligjet e shtetit. Po pse kështu?! “Ka specifikën e vet ushtria”. Si ore kështu?! Ligjet e shtetit, janë njësoj. Këta të gjitha funksionet, i kryenin vetë, vetë ligjvënës, vetë Presidium, vetë Kuvend. Rrogat i ndryshonin si të donin. P.sh., një komandë korpusi, shkonte në Akademi pedagog. Pedagogu ka rrogën e tij, jo, jepini Vaskë Gjinos rrogën e komandantit të korpusit. Po, ka ligje more, si do ta bësh ti këtë, ai pedagogu merr 8-9 mijë lekë, ndërsa komandanti 16 mijë lekë. E po mirë, po neve menduam se këta persona, duhet të kishin rroga të mëdha.

Mendon ti kështu, por çfarë mendon ligji. Edhe në ekonomi, kishin bërë allishverishe të shumta, dëmtime, dhe materialin ushtarak, ja kishin dhënë Koço Theodhosit, i kishin dhënë goxha materiale, e pohonin edhe vetë, material të rëndësishëm nga materialet e rralla që vinin për ushtrinë, ishin predha e për këto të tjerat, d.m.th., këtë material e përdorën për kazma e lopata. Prishën dhe makineritë, që ishin për këto, se ato duheshin për të bërë gjëra afife. Kishin marrë shumë material dhe Koço Theodhosi ua kishte dhënë në kundërshtim me qeverinë. Kanë marrë nga rezervat shtetërore, tubacione e çfarë nuk kanë marrë për nevojat e tyre, që të bënin stadiume e palestra.

PILO PERISTERI: Në këto gjërat ekonomike ata, nuk pyesnin fare.

ARANIT ÇELA: Jo, atje bënin ç’të donin.

KRYETARI: Del pastaj dhe bashkëpunimi i Beqirit me Koço Theodhosin e me Abdyl Këllezin.

ARANIT ÇELA: Ata, thoshin se ushtria ka ligjet e veta.

PILO PERISTERI: Na vodhë dhe një transformator njëherë.

RITA MARKO: Ehu sa kanë vjedhur lëndë druri ata, nëpër sharra e gjetkë?!

ARANIT ÇELA: Në lidhje me veprimtarinë armiqësore në frontin ideologjik. Këtu qe dhe ajo që doli në plenum, po këtu janë gjërat më të kalkuluara, se janë me dokumenta. Nga dokumentet u provua, se kishte një garë, se kush të përkthejë e të shpërndajë sa më shumë material revizionist. Nga një kontroll që u bë nga qeveria, dhe rezultatet i morëm në gjyq, deri në 6 mujorin e parë të vitit 1974, Drejtoria e Zbulimit, kishte shpërndarë 39.000 copë libra të vendeve kapitaliste e revizioniste, ku përveç kësaj, kishte 176.000 copë libra të shpërndara. 90 përqind e këtyre materialeve, i përkasin botimeve të revizionistëve sovjetikë, pas ‘60-ës.

PILO PERISTERI: Shqip apo rusisht?!

ARANIT ÇELA: Kishte gjithë ato përkthime. Kur i thua kështu, duket si teori, por po t’i shikosh, janë alamet librash.

KRYETARI: Janë harxhuar miliona lekë.

ARANIT ÇELA: Po, miliona. Thasë të tëra me libra të përkthyera, rregullore, të gjitha revizioniste sovjetike.

KRYETARI: Kryesorja ka qenë, se ata edukonin brezin e ri në ushtri, me ideologji borgjeze revizioniste.

ARANIT ÇELA: Beqir Balluku u dërgonte letër reparteve e thoshte këtyre shefave që përkthenin: “Shikoni se Psikologjia e ushtarit, një libër sovjetik i përkthyer në shqip, është një libër i shkëlqyer”. Si more tu mbylltë…… që ta kexoje atë libër duhet të ishte i poshtër me të vërtetë. Edhe sikur të mos ishin revizionistë, prapë ata kanë psikologjinë e tyre. Ata mbi 200 milionë, e ç’punë kemi ne me ta?!

KRYETARI: Po këta ç’thonë?!

ARANIT ÇELA: E kemi bërë thonë sipas koncepteve tona, ka një të vërtetë absolute lidhur me këto çështje, që është e përbashkët me të gjitha shtetet. Petriti në mes të gjyqit, mbronte këtë që; “mendimi im zoti gjyqtar, është që në radhë të parë, një ushtri është edukimi ushtarak”. Po si more, edukimi ushtarak?! D.m.th., në radhë të parë pushka, se; “lufta bëhet me pushkë”. Por pushkën, do ta përdorë njeriu. Një debat i tërë atje në gjyq me Petrit Dumen, rreth kësaj teme. Haptazi e thoshte. Për të, ishte edukimi ushtarak i pari dhe jo koka. Krejt armiqësore.

-Dalin dhe çështjet e vjedhjeve. Janë vjedhur shumë gjëra, të ulta fare. Çfarë nuk është vjedhur. Vinte që nga Qafëzezi i Kolonjës bakllavaja, për në Pogradec. Donte kuleç, po çfarë kuleçësh. Kur u demaskua Petriti, vajta unë në plenumin e Kolonjës, asistova dhe në aktivin e ushtrisë, të merrja të dhëna. U shpërthye më në fund ajo që, paria atje me Kristaqin në opozicion, por të tjerët shpërthyen në atë plenum. Atje doli dhe përgjegjësi i ndërmarrjes ushqimore, ishte pak karagjoz e, m’u kujtua se doli dhe në gjyq kjo, e më tha mua atje; “shoku i deleguar”.

“Por kur më kërkoi njëherë Petriti kulaç, e çfarë kulaçi, se me miell të situr të misrit dhe 1 kg. e gjysëm gjalpë dhe si përfundim, gjalpi ngeli pa paguar”. Kishte gjëra të tilla për të qeshur, sa të duash. Vinte si në mall të babait dhe merrte. Ai, drejtori i Shtëpisë së Oficerëve të Pogradecit, më tha: “Çfarë t’i bënim ne, qengji ishte atje dhe po blegërinte e, Petriti tha; zëreni e thereni, se do ta hamë sonte. Po u grumbulluan shumë për të ngrënë e, ai tha; merreni dhe tjetrin e, thereni. E ç’ti bëja unë”?! Ai ishte qen bir qeni, si çfarë ti bënte ai?!

PILO PERISTERI: Prandaj i dhimbte stomaku atij, dhe donte të vinte në Paris, për t’u kuruar.

ARANIT ÇELA: Nga klubi “Partizani” kishin marrë rroba, këpucë si në mall të babait. Kur ju thanë a i morët?! “Po i morëm”.

RITA MARKO: Po lek për fëmijët?!

ARANIT ÇELA: Jo.

RITA MARKO: Merrnin ushqime, se loznin me “Partizanin”.

ARANIT ÇELA: Ushqime merrnin sa të duash. Madje u gjet një dokument, që bënte ky drejtori i Shtëpisë Qëndrore, një qen bir qeni, Pirro Lena, që ata hanin pa lek fare, dhe vinin këtu me gjithë familjet e tyre dhe hanin e pinin. Nga këto kishte plot. Vetëm Beqirit, i dolën gjysëm milioni lekë, për vjedhje e shpërdorime.

RITA MARKO: Ai do të ketë ngrënë më shumë.

PILO PERISTERI: Po këta të tjerët, nuk u dënuan, apo janë më vonë.

ARANIT ÇELA: Ne e ndaluam procesin, se është gati për të gjykuar, se u bë ky gjyq, me qëllim që populli, të mos dëgjonte ato gjërat e vogla, pa gjykuar këta kryesorët. Ai gjyq, do të bëhet javën që vjen. Në përgjithësi kjo ishte.

RITA MARKO: Na i the të tëra ti.

PILO PERISTERI: Të tërë ne e dinim këtë poshtërsi, por ti na e the shumë qartë.

ARANIT ÇELA: E bëri shumë të qartë Plenumi atë. Në pikëpamje të substancës, nuk bëmë ndonjë filozofi ne.

KRYETARI: Gjërat u incizuan, janë të dokumentuara d.m.th., dhe tradhtia e tyre, del qartë. Gjithë veprimtaria e tyre armiqësore, që nga fillimi e, deri në mbarim, që ata ishin të lidhur me jugosllavët dhe sovjetikët.  Edhe lutje kanë bërë shoku Pilo, se erdhe pak më vonë, që të tre ata, e pranojnë tradhtinë e tyre. Ne duhet t’i përgëzojmë këta të gjykatës, për punën që kanë bërë.

PILO PERISTERI: Dhe ata hetuesit, t’i përgëzojmë.

KRYETARI: Ashtu është. Rëndësi kishte dokumentimi, që ua provuam me dokumenta tradhtinë.

PILO PERISTERI: Ne si Presidium shoku Haxhi, me sëpatë t’i presim.

RITA MARKO: Po, për atë jemi mbledhur, t’u japim sopatën.

KRYETARI: Me vdekje, ashtu siç ka vendosur gjyqi.

RITA MARKO: Jemi plotësisht dakord me Gjykatën e Lartë.

TELO MEZINI: Atëherë t’ju refuzohet kërkesa për faljen e jetës.

Vendoset që Beqir Ballukut, Petrit Dumes, dhe Hito Çakos, të dënuar me vdekje (me pushkatim) nga Gjykata e Posaçme Ushtarake, t’ju refuzohet kërkesa për faljen e jetës. Memorie.al

Mbyllet mbledhja

Tiranë më 5.11.1975

                                                                SEKRETARI I PRESIDIUMIT

                                                                           Telo Mezini        

Analiza: Çfarë nënkupton fitorja e Presidentit Trump për NATO-n dhe Evropën?

Aleatët e Shteteve të Bashkuara në Evropë po debatojnë se çfarë do të thotë fitorja e republikanit Donald Trump në zgjedhjet presidenciale amerikane për sigurinë dhe ekonominë e tyre. Mandati i parë i Presidentit Trump në Shtëpinë e Bardhë u karakterizua nga marrëdhënie shpesh të tensionuara me partnerët e Bashkimit Evropian dhe NATO-s.

 

Siç njofton korrespondenti i Zërit të Amerikës, Henry Ridgewell, sulmi i Rusisë ndaj Ukrainës ka shtuar shqetësimet e Evropës mbi aleancën transatlantike.

Rreth 50 udhëheqës u takuan në Budapest të enjten për një konferencë të Komunitetit Politik Evropian, themeluar pas sulmit të Rusisë ndaj Ukrainës.

Presidenti francez Emmanuel Macron thotë se Evropa duhet të mbrojë interesat e saj ndërkohë që fillojnë përgatitjet për mandatin e ardhshëm të zotit Trump në Shtetet e Bashkuara.

“Ai do të mbrojë interesat e popullit amerikan dhe kjo është një gjë legjitime dhe e mirë. Çështja është, a jemi ne të gatshëm të mbrojmë interesat e evropianëve?” deklaroi Presidenti Macron.

Aleanca e NATO-s mbetet shtylla kryesore e sigurisë së Evropës përballë sulmit të Rusisë ndaj Ukrainës.

“Ndërlikimi i parë për aleancën është se si të vazhdojë mbështetjen për Ukrainën nëse Shtetet e Bashkuara vendosin të tërheqin ndihmën ushtarake”, thotë Ed Arnold i institutit britanik “Royal United Services”.

A mund ta plotësojë Evropa këtë hendek?

“Po, por Evropa duhet të përpiqet shumë më tepër në këtë drejtim”, thotë analisti Ian Bond nga Qendra për Reformën Evropiane.

Gjatë fushatës, zoti Trump tha se do t’i japë fund luftës ndërmjet Rusisë dhe Ukrainës që “në ditën e parë” – por pa dhënë detaje se si do ta bënte një gjë të tillë. Analistët thonë se Ukraina ka frikë se do të detyrohet të hyjë në një marrëveshje të pafavorshme paqeje.

“Njëri prej shqetësimeve është se disa në Evropë mund të shtrojnë pyetjen se përse t’i shtojmë ndihmat nëse së shpejti do të ketë një marrëveshje të negociuar?”, thotë analisti Arnold.

Ish zyrtarët amerikanë thonë se gjatë mandatit të tij të parë, zoti Trump shqyrtoi mundësinë që të tërhiqte Shtetet e Bashkuara tërësisht nga NATO-ja.

“Mendoj se atij i pëlqen ideja që si aleatët ashtu edhe kundërshtarët e tij, të mos i parashikojnë dot veprimet e tij. Mendoj se ai e konsideron këtë si përparësi të tij, si burim të fuqisë së tij”, thotë analisti i politikës së jashtme amerikane pranë Universitetit të Londrës, Jonathan Monten.

Por Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s Mark Rutte – i cili po ashtu po mori pjesë në takimin e Budapestit – vlerësoi zotin Trump që nxiti aleatët të shpenzojnë më shumë për mbrojtjen.

“Si president, ishte ai që na nxiti në NATO të shpenzojmë mbi 2 për qind të produktit kombëtar bruto për të përmbushur detyrimin minimal”, deklaroi ai.

Aleatët e Shteteve të Bashkuara mund të ballafaqohen me shqetësime ekonomike kur zoti Trump të fillojë mandatin në Shtëpinë e Bardhë.

“Deklaratat apo pretendimet e zotit Trump për vendosjen e tarifave mbi 60 për qind importeve nga Kina do të kenë një ndikim shumë të madh në tregtinë botërore. Do të ketë pasoja për Evropën, Britaninë e Madhe dhe vendet tjera. Tarifat ndaj importeve nga BE-ja janë po ashtu të pritshme”, thotë analisti Garret Martin nga Universiteti Amerikan në Uashington.

Në përgjithësi, në Evropë ka një ndjesi nervozizmi para mandatit të dytë presidencial të zotit Donald Trump. Analistët thonë se fakti që ai është i paparashikueshëm nënkupton se udhëheqësit nuk kanë mundësi as të përgatiten./VOA

Afera e inceneratorit të Elbasanit/ Apeli i GJKKO dënon me burg Alqi Bllakon dhe Lefter Kokën! Sekuestrohen pasuri të ish-ministrit

Apeli i Gjykatës Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO) ka dënuar ditën e sotme, ish-ministrin e Mjedisit, Lefter Koka me 10 vite burgim për inceneratorin e Elbasanit.

Për shkak të gjykimit të shkurtuar, Lefter Koka do të kryej 6 vjet e 8 muaj burg.

Sipas gazetares së News24, Klodiana Lala po ashtu Apeli i GJKKO i kryesuar nga gjyqtarja Ilirjana Olldashi ka vendosur dhe sekuestrimin e disa prej pronave të Lefter Kokës.

Behet fjalë për aksionet e tij në kantinën e pijeve Gjergj Kastrioti Skënderbej. Më konkretisht rreth 18.9% të kësaj kompanie janë vënë në sekuestron e GJKKO.

Ndërkohë që ish deputeti i PS dhe ish-sekretari i Përgjithshëm i Ministrisë së Mjedisit, Alqi Bllako është dënuar nga Apeli i GJKKO me 2 vjet e 8 muaj burgim vetëm për aferën e Inceneratorit të Elbasanit.