21.5 C
Tirana
E shtunë, 21 Qershor, 2025

Si qarqet pranë Sali Berishës dhe Edi Ramës sajuan mjegullën për Erion Veliajn

Nëse ka një pakt të fortë mes Edi Ramës dhe Sali Berishës, përveç pazareve të ditës, ai synon të godasë çdo emër të ri në politikë që mund t’i zëvendësojë.
Ashtu si Edi Rama, i dha vulën Berishës, duke goditur Lulzim Bashën dhe të tjerët që mund të avanconin si opozitë pa njolla, po kështu edhe Sali Berisha po e ndihmon kreun e mazhorancës duke sulmuar politikanët socialist që mund të konsiderohen pasardhës së tij.

Lajmi i sotëm, që në kuadrin e hetimit të pasurisë ndaj Erion Veliajt, procedim që ka nisur prej kohësh, oficerët e BKH-së kanë shkuar në banesën e kryebashkiakut për të marrë telefonin e bashkëshortes së tij Ajola Xoxa. Nuk ka pasur një kontroll banese por vetëm një tërheqje të aparatit telefonik. Megjithatë, edhe sikur të ketë kontroll banese, tashmë kjo procedurë është bërë rutinë, në një kohë kur një pjesë e madhe e politikanëve dhe zyrtarëve të lartë janë nën hetim nga SPAK. Sali Berisha dhe Ilir Meta, janë kthyer në kullesë makaronash për kontrollet e bastisjet procedurale, siç ka ndodhur në shumë zyrtarë të lartë të qeverisë së Edi Ramës.
Hetimet e SPAK, janë sot një rutinë normale për të gjithë VIP-at e politikës. Edhe pse me hetime, madje edhe me procese mbi supe, Sali Berisha, Ilir Meta dhe Edi Rama, po vijojnë sikur s’u ka ndodhur gjë në drejtimin e politikës shqiptare.

Atëherë përse po luhet me lajme bombastike në lidhje me Veliajn, ku nuk thuhet e vërteta por shpërndahen fake news-e? Sepse tashmë është e qartë se SHBA dhe BE duan të largojnë elitën e vjetër politike në Shqipëri, e cila kërkon të rrijë me zor, edhe pse është e mbushur deri në grykë me mëkate e krime.

Sali Berisha është një kufomë politike, ndërkohë që pritet të dënohet për aferën ‘Partizani’ e më pas për 21 Janarin e Gërdecin. Ndërkaq, Edi Rama është i zhytur në grykë, qoftë me dosjen McGonigal, me të vëllain, por edhe me lidhjet e frikshme që ka me krimin, e që po zbardhen në platformat e kriptuara.

Duke mos pasur rrugëdalje, Edi Rama dhe Sali Berisha po shtrëngojnë paktin mes vedi, siç bënë dje për Gjykatën Kushtetuese, për të treguar se nuk do të lejojnë hapjen e dritës jeshile për rinovimin e elitës në vend.

Këtu realisht është loja për të ndalur planin ndërkombëtar të fshirjes së elitës së vjetër. Që si Rama, ashtu edhe Berisha, po e mbajnë me thonj.

Veliaj është një politikan që po përfundon mandatin e tretë në krye të bashkisë së Tiranës. Që është i fundit, pasi ligjërisht nuk mund të rikandidojë. E duke qenë politikani më i votuar pas Edi Ramës në PS, ky i fundit po i vë prita që të mos avancojë më tej, siç edhe Sali Berisha i ka vënë pritë të gjithëve, duke nisur nga Lulzim Basha./ Pamfleti

Buxheti/ Babloku me thasë në shpinë për Bechettin, Zoton, Vilmën, Rrapajn, Karathanon, Rrokun e Bankers

Në buxhetin e vitit 2025, Babloku nuk ka harruar as qokën e majme për kompaninë “Bankres”, duke hequr nga planifikimi i të ardhurave për shtetin, 38 milionë Euro që kjo kompani ka detyrim vjetor si pagesë të rentës minerare, akcizës e 9 taksave të tjera ndaj shtetit shqiptar…

Kryeministri Edi Rama, nuk u paraqit në interpelancën urgjente që kërkoi PD, për sqarime lidhur me gjobën 130 milionë Euro, që Gjykata e Sekuestrimeve në Bruksel, i vendosi qeverisë shqiptare, për t’ia paguar bisnesmenit italian Francesko Bechetti.

Ai reagoi, me një mesazh në rrjetet sociale, duke thënë se Francesko Beçheti nuk ka marrë asnjë qindarkë, por faktikisht gënjeu, sepse vendimi i arbitrazhit është i formës së prerë dhe ai po merr milionat nga të ardhurat që Albcontrol ka në Euro-control.

Madje vlerën 130 milionë Euro gjobë të Bechettit, qeveria e ka përfshirë në buxhetin e vitit 2025, duke e pasqyruar në zërin “Të ardhura e shpenzime”, që do jetë mashtrim fiskal, pasi ajo është sekuestruar pa shkuar fare në Albcontrol.

Por nga buxheti i shtetit 2025, përveç gjobës së Bechettit, Babloku ka planifikuar të nxjerrë edhe disa thasë të tjerë me miliona Euro, që do t’ua japë miqve e klientëve të tij, nëpërmjet koncesioneve të sajuara për të vjedhur taksat e shqiptarëve.

Në vitin 2025, qeveria do t’i paguaj 13 milionë Euro Klodian Zotos e Mirel Mërtirit për inceneratorin e Tiranës, megjithëse inceneratori nuk ekziston, ndërsa Zoto e Mërtiri janë në arrati e të dënuar me burg pikërisht për këtë aferë vjedhjesh.

Shqiptarët do t’i paguajnë edhe 36 milionë Euro shtesë Rrok Gjokës për Rrugën e Arbërit, megjithëse rruga duhej të kishte përfunduar në vitin 2021, ndërsa kostoja është dyfishuar me sajesa për gjoja vështirësi gjeologjike në tunele.

Koncesioni Check-up i Vilma Nushit përfundon në datën 5 janar 2025, por Babloku ka vendosur t’i dhurojë mikeshës së tij edhe 8.8 milionë Euro, pa sqaruar nëse është shpërblim si qokë me lekët e shtetit, apo zgjatje e afatit të koncesionit.

Gjatë vitit 2025, Babloku ka vendosur t’i dhurojë 19 milionë Euro emigrantit murator Ilir Rrapaj, për koncesionin e sterilizimit të pajisjeve kirurgjikale; megjithëse ai është në burg për mashtrimet dhe vjedhjet me këtë koncesion në vlerë totale 140 milionë Euro bashkë me Ilir Beqjen, Ogerta Manstirliun, Klodian Rrjepajn dhe dy mafiozët italianë  Umbro Staçini e Giorgio Tardioli.

Por në buxhetin e vitit 2025, Babloku nuk ka harruar as qokën e majme për kompaninë mafioze kineze “Bankres”, duke hequr nga planifikimi i të ardhurave për shtetin, 38 milionë Euro që kjo kompani ka detyrim vjetor si pagesë të rentës minerare, akcizës dhe 9 taksave ndaj shtetit shqiptar./Pamfleti 

BIRN/ SPAK thellon hetimet ndaj kryebashkiakut Erion Veliaj, avokati konfirmon sekuestrimin e telefonit të Ajola Xoxës

Për më shumë se një orë mëngjesin e të premtes, oficerë të Byrosë Kombëtare të Hetimit, BKH, u filmuan teksa qëndronin në hyrjen e pallatit ku banon kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj në zonën e njohur si “Kodra e Diellit”, mes rrugicës së Trëndafilave dhe Jaseminëve.

Me vendime të gjykatës në duar, oficerët e BKH-së ushtruan kontrolle në Kodrën e Diellit si dhe në Sky Tower, duke avancuar një hetim të nisur nga kryebashkiakut Veliaj dhe rrethit të tij familjar.

“Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar informon se janë ndërmarrë disa veprime hetimore në kuadër të një procedimi penal,” tha SPAK përmes një njoftimi për shtyp, ndërsa pretendoi se nuk mund të jepte më shumë detaje.

Avokati i Xoxës, Shkëlzen Selimi konfirmoi për BIRN se hetuesit e BKH-së kishin bllokuar telefonin e Ajola Xoxës, por mohoi që të kishte pasur kontroll në shtëpinë e kryebashkiakut Veliaj.

Një punonjës i kompleksit rezidencial ku ndodhet edhe banesa e kryebashkiakut Veliaj i tha BIRN se punonjësit e BKH qëndruan gati “dy orë në godinë”. Bashkia e Tiranës njoftoi se gjatë procedurës, Veliaj ndodhej në një vizitë zyrtare në Hamburg.

SPAK ndërkohë ushtroi kontroll edhe në zyrat e biznesit të bashkëshortes së Veliaj në Sky Tower në kryeqytet, ku ndodhet Qendra Harabel, një fondacion me objekt promovimin e artit e themeluar nga Xoxa.

SPAK nuk bëri me dije se për cilin hetim bëheshin veprimet hetimore, por ndaj Veliajt dhe personave të lidhur me të ka një sërë kallëzimesh dhe hetimesh. Ndër më të njohurit, ku përmendet emri i tij, janë hetimet mbi atë që njihet si afera e inceneratorëve dhe ai ndaj drejtuesve të Bashkisë së Tiranës të arrestuar kohë më parë në atë  që njihet si çështja “5D”. Po ashtu ne hetim janë edhe pasuritë e kryebashkiakut dhe të afërmve të tij.

Ndërkohë, Veliaj u thirr më 30 prill në SPAK ku dëshmoi për rreth 7 orë në lidhje me aferën e inceneratorit të Tiranës.

Në shtator këtë vit, gazetari holandez Vincent van Gerven Oei publikoi një shkrim të gjatë që lidhte qendrën Harabel me kompaninë Integrated Energy BV SPV e hetuar nga SPAK për korrupsion në të ashtuquajturin “inceneratori i Tiranës”.

Veliaj vetë nuk ka reaguar ende ndaj kontrolleve. /Reporter.al/

‘Berisha nuk e ka luftën me Edi Ramën’, ish-presidenti Topi: Ka hallin të dominojë partitë e tjera në opozitë

Ish-presidenti Bamir Topi kritikon në Studio Live, krijimin e një elite burokratike që garanton pushtetin e opozitës, duke vënë në dukje se Berisha më shumë synon të dominojë partitë opozitare sesa të luftojë Ramën.

Në një sistem bipolar, rëndësia e kryeministrit dhe e liderit të opozitës krijon përplasje të ashpra për kontrollin e skenës politike.

‘Një kryetar i mirë partie fiton nëse ndërton një ekip të mirë. Të gjithë e lidhin me përgatitjen e listave. Ky është shërbimi më i keq demokracisë. Ne po krijojmë një elitë politike burokratike që vendoset për të garantuar pushtetin e opozitës.

Berisha sot nuk e ka luftën me Edi Ramën. Berisha ka hallin të dominojë partitë e tjera në opozitë. Në një situatë bipolarizmi, kryeministri ka rëndësi të jashtëzakonshme, por në një vend bipolar i rëndësishëm është dhe kryetari i opozitës, prandaj ka qenë betejë e madhe deri në përplasje fizike.’

Korrupsioni, eksodi i të rinjve dhe konfliktet etnike po e mbajnë larg BE-së Ballkanin Perëndimor

Nga Alexandros P. Mallias

Arroganca është një tipar i demagogëve dhe autokratëve. Por kaosi, arsyetimet e gabuara dhe rënia e demokracisë nuk duhet të zëvendësojnë etikën, logjikën dhe harmonisë politike. Tragjedia dhe katastrofa mbizotërojnë sot në qytetet ukrainase, Mariupol, Kiev, Kherson, Kharkiv etj. Sjelljet kriminale të Rusisë janë rezultat i politikave monokratike dhe autokratike. Ato synojnë zgjerimin e sferave të ndikimit, dhe i bëjnë jehonë gjeopolitikës duke synuar ndarjen e Evropës në dy pjesë, sërish midis Perëndimit dhe Lindjes. Paqja mund të jetë e domosdoshme, pavarësisht të metave që mund të ketë. Por “paqja e vërtetë nuk është thjesht mungesa e tensionit; por prania e drejtësisë”.

Ky është përkufizimi im i preferuar nga dr.Martin Luther King, Jr. Pra paqja nuk është prolog dhe as epilogu i një konflikti të armatosur, dhe nuk duhet të barazohet thjesht me armëpushimin. Nuk mund të ketë paqe të mirëfilltë, në një kohë që fqinji pushton ilegalisht territorin e vendit tuaj apo ju kërcënon çdo ditë me shpalljen e luftës (casus belli).

Paqja bazohet mbi të drejtën dhe drejtësinë ndërkombëtare. Prandaj, ajo nuk mund të kufizohet në një marrëveshje armëpushimi midis agresorit dhe viktimës. Ukraina nuk duhet të detyrohet nga Kremlini apo të këshillohet nesër nga miqtë e saj euroatlantikë, të cilët sot po e ndihmojnë të ruajë integritetin e saj territorial, që të lëshojë territorin apo sovranitetin.

Një marrëveshje e tipit “pushto territorin tim, që pastaj të jetojmë në paqe”, shpërblen ekskluzivisht agresorin. Unë jam pro pragmatizmit, por kundër imponimeve jo parimore. Sepse nëse mbizotëron disfatizmi, lodhja dhe imponimi, vetëm një pjesë e vogël e shteteve do të ndihen dhe do të jenë realisht të sigurta.

Gjashtë këshillat e mia për vendet e Ballkanit Perëndimor:

1. Pavarësisht bisedave plot mirësjellje, rajoni ynë nuk do të duket shumë ndryshe nesër, nëse nuk zhvillohet që sot një ndjenjë e vërtetë e përgjegjësisë politike. Politika duhet të jetë shërbëtore dhe jo e shërbyer nga populli. Ndryshimi i qasjes, do të kërkojë çrrënjosjen e politikës jo të besueshme dhe të korruptuar.

Egoizmi politik, nepotizmi dhe korrupsioni ndikojnë negativisht tek aspiratat dhe pritjet legjitime të qytetarëve të rajonit. Në disa raste, duket se udhëheqësit po dështojnë të mbajnë premtimet para popujve të tyre, duke rrezikuar kështu procesin e anëtarësimit në Bashkimin Evropian.

2. Një eksod i paprecedentë i popullsisë – kryesisht i brezit të ri, të arsimuar, të aftë dhe të talentuar – nga vendet e Ballkanit Perëndimor, flet për një mungesë alarmante të besimit dhe shpresës. Si për ironi, ata liderë politikë që u bëjnë thirrje atyre të rikthehen në vendlindje, janë përgjegjësit kryesorë për këtë eksod, që në përgjithësi është trajtuar me fatalizëm dhe apati.

3. Sundimi i ligjit dhe një gjyqësor i pavarur janë shumë të domosdoshëm, pasi në pjesën më të madhe të Ballkanit Perëndimor, gjykatat janë subjekt i ndikimit politik dhe partiak.

4. Arkitektura e sotme rajonale, bazohet tek një sërë marrëveshjesh dhe traktatesh, përfshirë marrëveshjet e Dejtonit dhe Parisit, marrëveshjet e Ohrit dhe Prespës dhe marrëveshjet midis Beogradit dhe Prishtinës. Për këtë arsye, shkelja sistematike e tyre çon në kriza dhe një destabilitet të mundshëm.

5. I nisur që nga Samiti i Selanikut i qershorit 2003, procesi i anëtarësimit në BE ofron politikën e duhur të “shkopit dhe karotës”. Aristoteli e thotë shumë saktë në librin e tij “Etika”:“Caktoni ndëshkime ndaj keqbërësve, dhe nderojini ata që bëjnë vepra të mira!”.

6. Idetë e reja dhe diskutimet mbi ndryshime të reja në kufijtë në Evropën Juglindore, përfshirë shkëmbimin e territoreve dhe popullsisë, do të hapnin Kutinë e Pandorës në Evropë. Ajo do të shndërrohej në një pandemi. Gjithnjë nis nga një fillim i njohur, por vazhdon drejt një fundi të paparashikueshëm. Jam i vetëdijshëm për argumentet që thonë se historia e dekadave të fundit apo e kaluara dhe marrëveshjet përkatëse ishin të padrejta. Kjo është pikërisht “arsyeja” e dogmës revizioniste dhe ekspansionizmit të Putinit në Evropë.

Marrëveshjet kufitare, shkëmbimet e territoreve dhe të popullsisë, nuk mund të njihen nëse: a) nuk propozohen dhe miratohen nga Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara; b) nuk marrin formën e një traktati shumëpalësh dhe miratohen me anë të një rezolute përkatëse të KS të OKB-së me pëlqimin zyrtar të palëve të përfshira drejtpërdrejt dhe atyre të interesuara.

Ndërkohë është dobësuar lidhja me parimet dhe qëllimet e mishëruara në Kartën e Kombeve të Bashkuara, Aktin Përfundimtar të Helsinkit dhe Kartën e Parisit të nëntorit 1990 për një Evropë të Re, miratuar pas rënies së Murit të Berlinit. Rivendosja e sistemit ndërkombëtar të sigurisë kolektive e ka një rrugë: Kombet e Bashkuara.

Për sa kohë që anëtarët e përhershëm të Këshillit të Sigurimit, ngurrojnë ose nuk janë në gjendje të veprojnë sipas mandatit të Kartës së OKB, do të jetë e pamundur të parandalohen kërcënimet kundër paqes, drejtësisë dhe stabilitetit. Etika aristoteliane, është kundërhelmi më i mirë ndaj arrogancës./Përshtatur nga “Kathimerini”

*Shënim:Alexandros P.Mallias, ish-ambasador i Greqisë në Uashington, Shkup dhe Tiranë.

Pyetja idiote drejtuar Berishës, se a do jetë Lulzim Basha në listat e tij

Sali Berisha u pyet këtë të premte nëse Lulzim Basha të jetë në listat e kësaj force politike në zgjedhjet e 11 majit 2025.

Në konferencën e përjavshme për shtyp ai tha Basha mund të jetë në listat e PD-së aq sa mund të jetë ministri i PS-së, Taulant Balla.

“Ja çdo lloj mundësie. Aq sa mund të jetë Taulant Balla. Ata të dy u pleksën shumë njeri me tjetrin. Nuk i referohem vetëm Toyota Yaris”, u shpreh Berisha.

“Vllau simaez i Taulant Ballës do ta lëmë me Taulant Ballën. Nuk ka rëndësi regjistri, ai është si me qenë binjak siamez i Taulant Ballës”, vijoi Berisha.

Dhe kjo pyetje, u bë lajm nga të gjitha mediat.

Tani se si mund të bëhet kjo pyetje, kur ata janë në luftë prej dy vitesh dhe Lulzim Basha është shpallur si armiku kryesor nga Berisha, hajde merre vesh.

Ajo pyetje nuk ka asnjë logjikë, aq më tepër që tashmë Lulzim Basha drejton një tjetër parti dhe nuk e lidh më asgjë as me Berishën dhe as me partinë e drejtuar nga Berisha.

Fatet e tyre tashmë janë ndarë dhe nuk është në dorën e Berishës, nëse do të kandidojë Bashën apo jo!

Të dhënat e INSTAT: Më shumë gra se burra të angazhuara në kërkim shkencor dhe zhvillim

Një numër gjithnjë e më i lartë grash po përfshihen në kërkim shkencor dhe zhvillim. Në një raport statistikor i publikuar nga Instituti i Statistikave (INSTAT), tregon se përgjatë vitit 2022, 3748 persona janë angazhuar në aktivitetin e kërkimit shkencor dhe zhvillimit në Shqipëri me kohë të plotë dhe të pjesshme.

Ky numër përcaktohet si numri i personave që punojnë për konceptimin dhe krijimin e dijeve, produkteve, proceseve, metodave dhe sistemeve të reja.

Në personelin e angazhuar në kërkim shkencor dhe zhvillim gjatë vitit 2022 sipas gjinisë, 54,4 % e zënë gratë, ndërkohë gjatë vitit 2021 përqindjen më të lartë e zënë burrat me 50,6 %.

Numri më i lartë i personelit të angazhuar në kërkim shkencor dhe zhvillim i përket institucioneve të arsimit të lartë, me 81,6 %. Këtu personeli me nivel arsimor “Doktorant” zë peshën më të madhe me 51,2 % dhe krahasuar me vitin 2021 është rritur me 5,2 %.

Në periudhën kohore 2021-2022, pesha më e madhe e fondeve për kërkim shkencor dhe zhvillim, sipas strukturës së sektorëve të performancës, i është akorduar institucioneve të arsimit të lartë përkatësisht me 53,6 % gjatë vitit 2021 dhe 52,5 % gjatë vitit 2022.

Mashtrimi me Call Center-at në Shqipëri! GJKKO merr vendimin për Ardian Korrikun dhe Irisa Puca, ja me sa vite burg dënohen

GJKKO ka caktuar dënim me 6 vjet e 8 tetë muaj burgim për Irisa Pucën, gjithashtu me 6 vjet e 8 muaj burgim është dënuar edhe Ardian Korriku, të dy të akuzuar për mashtrim kompjuterik me anë ta Call Center-ave.

Ardian Korriku dhe Irisa Puca përfituan gjykim të shkurtuar.

GJKKO deklaroi fajtore të pandehurën Irisa Puca, për veprën penale “Mashtrimi kompjuterik” të kryer në bashkëpunim, në formë të grupit të strukturuar kriminal dhe vendosi dënimin e saj me 10 vjet burgim.

Por gjykimi i kësaj ҫështje u zhvillua me rregullat e gjykimit të shkurtuar, e për rrjedhojë Irisa do të burgoset me 6 vite e 8 muaj burgim.

I njëjti gjykim u aplikua edhe për Ardian Korrikun, i cili nga 10 vite burg u dënua me 6 vite e 8 muaj burgim. Korriku akuzohet për veprën penale “Mashtrimi kompjuterik” të kryer në bashkëpunim, në formë të grupit të strukturuar kriminal.

Në hetim u përfshinë një sërë kompanish të cilat kanë kryer aktivitetin e “call center”, duke kryer dhe mashtrimet online në platforma mashtruese të shtetasve europianë.

Këto kompani lokalizoheshin në disa shtete, si Shqipëria, Maqedonia e Veriut, Ukraina, Gjeorgjia etj., të cilat drejtoheshin ose koordinoheshin nga “Milton Group”.

Sipas Prokurorisë së Posaçme, gjatë vlerësimit të një serveri të siguruar në proces janë identifikuar personat të cilët pa dyshim lidheshin me kompanine e IT “PumaTS/SMCompany”, Irisa Puca , Endri Bulku, Erlind Cekaj dhe Adrian Korriku.

Gjithashtu ka rezultuar se Merxhan Çeliku, kishte komunikime të drejtpërdejta me viktimat e mashtrimit në Austri dhe Gjermani, nëpërmjet këtyre platformave.

“Kjo është provuar plotësisht nëpërmjet adresave IP nga ku janë bërë komunikimet, si dhe lëvizjet e llogarive bankare dhe ato të valutave në modhedha virtuale, në të cilat kanë kaluar paratë e viktimave”, informoi SPAK.

Prokuroria e Posaçme informon se në bashkëpunim me autoritetet gjyqësore spanjolle janë gjendur dhe sekuestruar në posedim të shtetasit Amant Josifi (për të cilin jemi dakortësuar që ndjekjen penale ta ushtronin autoritetet spanjolle), subjekte tregtare të administruar nga ai, si dhe familjarëve të tij, llogari bankare me shumat monetare në total në vlerën prej 2 225 868.66 Euro dhe 2 844 936.37 lekë.

Nga hetimi rezulton se në këtë aktivitet të kundërligjshëm, janë të përfshirë edhe persona të tjerë shqiptarë dhe të huaj, për të cilët vazhdojnë hetimet.

NJOFTIMI

1. Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka paraqitur pranë Gjykatës kërkesën me objekt: “Dërgimin në gjyq të ҫështjes penale në ngarkim të të pandehurve Adrian Korriku dhe Irisa Puca, të akuzuar për kryerjen e veprave penale të “Mashtrimit kompjuterik”, në dëm të disa personave, në bashkëpunim në formën e grupit të strukturuar kriminal, “Pjesëmarrjes në grup të strukturuar kriminal”, parashikuar si vepra penale nga nenet 143/b/2, 28/4, 333/a/2 dhe 334/1 të Kodit Penal.

2. Gjykimi i kësaj ҫështje u zhvillua me rregullat e gjykimit të shkurtuar. Në përfundim të gjykimit, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar me trup gjykues të përbërë nga gjyqtaret Flora Haredinaj, Flojera Davidhi dhe Elsa Ulliri, me vendimin Nr. 73, datë 06.12.2024 vendosi:

1. Deklarimin fajtor të të pandehurës Irisa Puca, për veprën penale “Mashtrimi kompjuterik” të kryer në bashkëpunim, në formë të grupit të strukturuar kriminal, të parashikuar nga nenet 143/b paragrafi 2 dhe 28 pika 4 të Kodit Penal dhe, në bazë edhe të nenit 334 pika 1 të Kodit Penal, dënimin e saj me 10 (dhjetë) vjet burgim.

– Deklarimin fajtor të të pandehurës Irisa Puca, për veprën penale “Grupi i strukturuar kriminal”, e parashikuar nga neni 333/a paragrafi i dytë të Kodit Penal dhe, dënimin e saj me 2 (dy) vjet burgim. – Në bashkim të dënimeve, sipas nenit 55 paragrafi i parë të Kodit Penal, dënimin e të pandehurës Irisa Puca me një dënim të vetëm prej 10 (dhjetë) vjet burgim.

– Në bazë të nenit 406 pika 1 të Kodit të Procedurës Penale, të pandehurës Irisa Puca, i ulet 1/3 e dënimit, për shkak të aplikimit të gjykimit të shkurtuar dhe, përfundimisht dënohet me 6 (gjashtë) vjet e 8(tetë) muaj burgim. – Vuajtja e dënimit të pandehurës i fillon nga dita e ndalimit datë 08.11.2022, dhe të kryhet në një burg të sigurisë së lartë.

2. Deklarimin fajtor të të pandehurit Adrian Korriku, për veprën penale “Mashtrimi kompjuterik” të kryer në bashkëpunim, në formë të grupit të strukturuar kriminal, të parashikuar nga nenet 143/b paragrafi 2 dhe 28 pika 4 të Kodit Penal dhe, në bazë edhe të nenit 334 pika 1 të Kodit Penal, dënimin e tij me 10 (dhjetë) vjet burgim. Rruga “Jordan Misja” Nr.1, 1057 Tiranë; tel/fax 0035542231527; www.gjp.gov.al

– Deklarimin fajtor të të pandehurit Adrian Korriku, për veprën penale “Grupi i strukturuar kriminal”, e parashikuar nga neni 333/a paragrafi i dytë të Kodit Penal dhe, dënimin e tij me 2 (dy) vjet burgim. – Në bashkim të dënimeve, sipas nenit 55 paragrafi i parë të Kodit Penal, dënimin e të pandehurit Adrian Korriku me një dënim të vetëm prej 10 (dhjetë) vjet burgim.

– Në bazë të nenit 406 pika 1 të Kodit të Procedurës Penale, të pandehurit Adrian Korriku, i ulet 1/3 e dënimit, për shkak të aplikimit të gjykimit të shkurtuar dhe, përfundimisht dënohet me 6 (gjashtë) vjet e 8 (tetë) muaj burgim. – Vuajtja e dënimit të pandehurit i fillon nga dita e ndalimit datë 08.11.2022, dhe të kryhet në një burg të sigurisë së lartë.

3. Shpenzimet proceduriale, ato gjatë hetimit të çështjes në vlerën **** lekë, të pandehurve Irisa Puca dhe Adrian Korriku u ngarkohen solidarisht me të pandehurit në një proçedim lidhur, nr. 301/1 viti 2021, si dhe ato të gjykimit, sipas formularit bashkëngjitur këtij vendimi, të paguhen në mënyrë solidare nga të pandehurit Irisa Puca dhe Adrian Korriku.

4. Provat materiale, të bashkuara me fashikullin e gjykimit sipas urdhërit përkatës datë 05.02.2024 si dhe çdo provë tjetër materiale të sekuestruar për llogari të këtij procedimi penal të mbahen në ruajtje për llogari të procedimit penal të ndarë.

– Kundër këtij vendimi lejohet ankim brenda 15 (pesëmbëdhjetë) ditëve, duke filluar nga e nesërmja e njoftimit të vendimit të arsyetuar, në Gjykatën e Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar. Tiranë, më datë 06.12.2024

Basha nga takimi i IDU në SHBA: Shqipëria ka nevojë jetike partnerët e saj, për të adresuar sfidat e sigurisë, për të luftuar korrupsionin dhe lidhjet e politikanëve me krimin

Kreu i Partisë Demokratike-Demokratët Euroatlantikë, Lulzim Basha, gjatë takimit në Forumin e Unionit Ndërkombëtar të Demokracisë në Washington, theksoi rëndësinë e partneritetit me SHBA-në, PPE-në dhe Britaninë e Madhe për të adresuar sfidat e sigurisë, luftimin e korrupsionit dhe lidhjet e politikanëve me krimin.

Basha gjithashu zhvilloi takime me figura të larta ndërkombëtare, përfshirë drejtues të PPE-së dhe kongresmenë amerikanë, duke nënvizuar nevojën për angazhim të përbashkët në mbështetje të demokracisë, stabilitetit dhe zhvillimit ekonomik të Shqipërisë.

Postimi i Bashës:

Në Forumin e Unionit Ndërkombëtar të Demokracisë në Washington, patëm mundësinë të dëgjojmë vizionin e administratës së ardhshme të SHBA-së, PPE-së dhe Britanisë së Madhe, mbi kërcënimet globale ndaj demokracisë dhe lirisë, si edhe nevojën e angazhimit të përbashkët për parandalimin, paqen dhe stabilitetin.

Gjatë këtij forumi, zhvillova biseda dhe takime të veçanta me drejtues të ndryshëm, duke përfshirë kreun e grupit parlamentar të PPE-së dhe presidentin e këtij grupi, kryetaren e re të konservatorëve britanikë, Kemi Badenoch, kongresmenë, eurodeputetë dhe drejtues të institucioneve dhe organizatave të ndryshme ndërkombëtare.

Shqipëria ka nevojë jetike për miqtë dhe partnerët e saj, për të adresuar sfidat e sigurisë, për të luftuar korrupsionin dhe lidhjet e politikanëve me krimin, për të zhvilluar ekonominë dhe për të konsoliduar demokracinë.

Dëborë dhe reshje shiu! Parashikimi i motit për fundjavën që na pret, temperaturat minimale shkojnë deri në -4°C

Për fundjavën që presim përpara vendi ynë do të ndikohet nga kushte atmosferike kryesisht të paqëndrueshme edhe pse nuk do të mungojnë edhe orët me diell.

 

Sipas Shërbimit Meteorologjik Ushtarak, nesër e shtunë në pjesën e parë të ditës (deri në orët e mesditës) mbi vendin tonë pritet kalimi i masave ajrore të paqëndrueshme dhe të lagështa.

Moti parashikohet me vranësira mesatare deri të dendura si dhe reshje shiu të herëpashershme me intensitet të ulët lokalisht deri mesatar në formën e shtrëngatave.

ss

Në relievet malore në Alpeve dhe verilindje e juglindje në lartësitë mbi 900-1000 metër reshje dëbore me intensitet të ulët dhe lokalisht mesatar.

Pas orëve të mesditës mot kryesisht i kthjellët e vranësira kalimtare.Për ditën e diel moti deri në orët e mesditës parashikohet me kthjellime e alternime vranësirash deri të dendura.

Pas orëve të mesditës mot me vranësira të dendura dhe reshje shiu të herëpashershme dhe lokalisht të vazhdueshme me intensitet të ulët dhe mesatar në formën e shtrëngatave.

Në mënyrë tepër të izoluar dhe në periudha tepër afatshkurtra në orët e mbrëmjes reshjet me intensitet deri dhe të lartë shoqëruar me shkarkesa elektrike.

Në zonën e Alpeve reshje dëbore me intensitet mesatar dhe në periudha tepër afatshkurtra stuhi dëbore. Në zonën e verilindje në lartësitë mbi 600-700 reshje dëbore me intensitet të ulët dhe mesatar. Në zonën e juglindjes në lartësitë mbi 700-800 metër reshje dëbore me intensitet të ulët dhe në lartësitë mbi 1000 metër intensitet deri mesatar.

e s

Vlen për tu përmendur edhe elementi i erës e cila ditën e diel deri në orët e mesditës do të fryjë intensive dhe përgjatë vijës bregdetare dhe zonat luginore tepër intensive me drejtim nga kuadrati i jugut dhe shpejtësi mesatare 12-22 m/s.