30.5 C
Tirana
E premte, 20 Qershor, 2025

BE: Serbia me hapa të pamjaftueshëm ndaj përgjegjësve për sulmet në veri të Kosovës

Bashkimi Evropian do të përsërisë thirrjen për Serbinë që “urgjentisht” të nxjerrë para drejtësisë përgjegjësit për dhunën në veri të Kosovës gjatë vitit 2023 dhe të bashkëpunojë plotësisht rreth këtyre rasteve.

 

Kjo thirrje pritet të jetë pjesë e konkluzioneve për zgjerim, që flet për Serbinë, e që priten të miratohen më vonë gjatë këtij muaji në Këshillin e çështjeve të përgjithshme të BE-së.

Radio Evropa e Lirë ka pasur qasje në draftin e këtyre konkluzioneve, në të cilat po ashtu i bëhet thirrje Serbisë që të përmbahet nga retorika nxitëse dhe hapat e njëanshëm dhe provokues.

“Këshilli përsërit dënimin e fuqishëm të akteve të dhunës nga protestuesit serbë të Kosovës ndaj qytetarëve, trupave të [misionit paqeruajtës të NATO-s në Kosovë] KFOR-it, organeve të rendit dhe mediave më 29 maj 2023 dhe sulmet e dhunshme ndaj Policisë së Kosovës më 24 shtator 2023 në veri të Kosovës. Nuk ka arsyetim për dhunë”, thuhet në draftin e konkluzioneve që u është shpërndarë vendeve anëtare të BE-së.

“Këshilli përsërit thirrjet që Serbia të bashkëpunojë plotësisht dhe të ndërmarrë hapat e domosdoshëm që të sillen urgjentisht para drejtësisë kryesit e sulmeve të vitit 2023. Këshilli nënvizon nevojën për llogaridhënie të plotë dhe shpreh keqardhje të thellë që Serbia ka ndërmarrë hapa të pamjaftueshëm në këtë drejtim”, thuhet në dokumentin që ka pasur qasje Radio Evropa e Lirë.

Në maj të vitit 2023, në veriun e Kosovës, të banuar me shumicë serbe, serbët lokalë kundërshtuan nisjen e detyrës së kryetarëve të rinj shqiptarë, të cilët dolën nga zgjedhjet e prillit të po atij viti, që u bojkotuan nga partitë dhe popullata serbe.

Protestat kulmuan më 29 maj në Zveçan, kur protestuesit u përleshën me pjesëtarët e KFOR-it dhe si pasojë e përleshjeve mbetën të plagosur dhjetëra persona nga të dyja palët.

Ndërkaq, më 24 shtator 2023, një grup i serbëve të armatosur sulmoi Policinë e Kosovës në Banjskë të Zveçanit, duke vrarë një polic të Kosovës. Gjatë këmbimit të zjarrit që pasoi, u vranë edhe tre sulmues serbë.

Kosova fajëson për këtë sulm Serbinë, e cila mohon përfshirjen. Përgjegjësinë për sulmin e ka marrë Millan Radoiçiç, ish-nënkryetar i Listës Serbe, partisë më të madhe të serbëve në Kosovë që ka mbështetjen e Beogradit.

Kosova ka ngritur aktakuzë ndaj tij dhe dhjetëra personave të tjerë dhe kërkon që Serbia ta ekstradojë në Kosovë.

Në konkluzionet po ashtu përmendet edhe dialogu për normalizimin e raporteve mes Kosovës dhe Serbisë. Aty përsëritet thirrja për Serbinë që të respektojë të gjitha obligimet e dialogut dhe që pa vonesa të angazhohet në zbatimin e Marrëveshjes për rrugën drejt normalizimit të raporteve.

Kjo marrëveshje u arrit vitin e kaluar. Palët nuk e nënshkruan atë për shkak të kundërshtimit të Serbisë. Por, BE-ja thotë se pavarësisht se nuk është nënshkruar, marrëveshja është e obligueshme për palët dhe ka thënë se Kosova dhe Serbia ende s’kanë nisur zbatimin e saj.

Në konkluzione, BE-ja ia rikujton Serbisë se obligimet për zbatimin e kësaj marrëveshjeje me Kosovën janë bërë pjesë formale e procesit të negociatave të anëtarësimit të Serbisë në BE.

Ndërkaq, Presidenca hungareze e BE-së dhe Komisioni Evropian janë duke vazhduar përpjekjet për të siguruar pajtimin e të gjitha vendeve anëtare që me Serbinë të hapet për negociata grup-kapitulli 3.

Nga dhjetori i vitit 2021. Serbia nuk ka hapur asnjë kapitull në procesin e anëtarësimit në bllokun evropian. Por, një numër i konsiderueshëm i shteteve anëtare as kësaj here nuk kanë dhënë pëlqim për hapjen e kapitujve me Serbinë. Si arsyetim për mosdhënien e pëlqimit për hapjen e kapitujve të rinj me Serbinë diplomatët evropianë kanë përmendur mungesën e përparimin në fushën e sundimit të ligjit, në normalizimin e raporteve me Kosovën dhe refuzimin e Beogradit që të mbështesë sanksionet e BE-së ndaj Rusisë, për shkak të luftës kundër Ukrainës./REL

Pas akuzave për ndërhyrje ruse, Kushtetuesja anulon zgjedhjet presidenciale në Rumani

Gjykata Kushtetuese e Rumanisë ka marrë vendim që zgjedhjet presidenciale, balotazhi i të cilave pritej të mbahej këtë fundjavë, të shfuqizohen tërësisht dhe të mbahen zgjedhje të reja.

 

Kushtetuesja e mori këtë vendim të premten, duke thënë se Qeveria duhet të vendosë tani për datën e zgjedhjeve të reja presidenciale.

Kandidati prorus i ekstremit të djathtë, Calin Georgescu, tronditi duke e fituar rundin e parë të zgjedhjeve presidenciale. Por, kishte dëshmi se një fushatë e madhe kibernetike, e orkestruar nga Moska, në TikTok në favorit të Georgescut nuk u vërejt nga autoritetet rumune.

Georgescu pritej të përballej në balotazh me kandidaten proevropiane të qendrës, Elena Lasconi, të dielën e 8 dhjetorit.

Votimi kishte filluar në diasporë në balotazhin presidenciale të Rumanisë, i cili shihej si referendum për të ardhmen e vendit në NATO dhe në Bashkim Evropian, për shkak se ka pasur shumë akuza se Rusia ka ndërhyrë në zgjedhje.

Dyshimet për ndërhyrjen ruse sollën mijëra rumunë nëpër rrugët e vendit për të protestuar në përkrahje të anëtarësimit të vendit në bashkësinë euroatlantike./REL

“Veprimet e Rusisë në Baltik si në Luftën e Ftohtë”- Ministri gjerman i Mbrojtjes: Herë pas here provokohet me të shtëna paralajmëruese

Në Detin Baltik, sipas ministrit gjerman të Mbrojtjes, po lëvizin gjithnjë e më shumë anije të marinës dhe anije tregtare ruse, që provokojnë herë pas here me të shtëna paralajmëruese, për të testuar reagimin e NATO-s.

anije lufte

Rusia, sipas të dhënave të ministrit të Mbrojtjes, Boris Pistorius, prej disa kohësh e ka shtuar praninë në Detin Baltik. Prania e anijeve të marinës ruse si dhe anijeve civile po shtohet dukshëm, tha politikani socialdemokrat për radion Deutschlandfunk. Edhe marina kinezë është ndërkohë e pranishme. Kjo nxjerr në pah “rëndësinë strategjike tëDetit Baltik” kryesisht për Rusinë dhe Kinën lidhur me shmangien e sanskioneve, thotë Pistorius.

Rusia po tregon një qendrim gjithnjë e më provokues, siç e njohim nga periudha e Luftës së Ftohtë: “Ne kemi pasur vazhdimisht incidente në Detin Baltik, që rezultojnë me të shtëna paralajmëruese në ajër, dhe të shtëna paralajmëruese në det.” Ministri këto veprime i krahasoi me incidente, gjatë të cilave avionë luftarak rusë pa pasur simbole ngrihen në ajër mbi Baltik për të testuar, se si mund të reagojë NATO.

Vlerësim për qendrimin e kujdesshëm të marinës gjermane
Pistorius nuk iu përgjigj pyetjes lidhur me një incident që u bë i ditur të mërkurën (05.12.2024) mes një helikopteri të Ushtrisë Gjermane dhe një anijeje ruse. Sikurse njoftuan mediat ekipazhi i anijeje ruse ka qëlluar me municion sinjalizues në drejtim të helikopterit. Por ky nuk u prek. Përdorimi i këtij municioni është i zakonshëm vetëm në raste emergjence. Ministrja e Jashtme Annalena Baerbock, pati tërhequr vëmendjen, se në Detin Baltik lëvizin vazhdimisht anije që synojnë t’u shmangen sanksioneve të vendosura për shkak të luftës sulmuese të Rusisë ndaj Ukrainës.

I pyetur nëse ka rrezik për përshkallëzim, ministri i Mbrojtjes Pistorius tha, se marina gjermane dhe njësitë e marinës së aleatëve mbajnë qendrim mjaft të kujdesshëm: “Ato i regjistrojnë incidentet, i raportojnë ato, reagojnë me masa depërshkallëzuese dhe nuk reagojnë ndaj qendrimeve provokuese – sepse pikërisht të tilla reagime nuk na duhen.”

Çdo vit deri në 1500 tanke të reja ruse
Pistorius tërhoqi vëmendjen edhe në Bundestag nga një rritje e kërcënimit ushtarak prej udhëheqjes në Moskë: “Rusia është fokusuar tërësisht tek ekonomia e luftës dhe po e furnizon ushtrinë çdo vit me 1000 deri në 1500 tanke. Kjo rezervë është dy herë më shumë se arsenali i pesë vendeve të mëdha eurpoiane së bashku.” Rusia mbetet “kërcënimi më i madh për sigurinë tonë, dhe për një periudhë të parashikueshme do të mbetet e tillë”, deklaroi më tej ministri i Mbrojtjes.

Qeveria e përbërë nga socialdemokratët dhe ekologjistët i paraqiti parlamentit tre projektligje. Ndër ta një nen ligji, që duhet të hapë rrugën për pagesa më të larta në dislokimin afatgjatë të një brigade në Lituani. Me një ligj tjetër parashikohet penalizimi i aktivitetit të ish-ushtarëve për një të ashtuquajtur fuqi të huaj si Rusia dhe Kina, nëse nuk ka leje për një shërbim të tillë. “Deri tani nuk ka ekzistuar një ligj i tillë, por tani ky është urgjentisht i domosdoshëm”, tha Pistorius. Me këtë parandalohet rekrutimi i mundshëm me qëllim “i ish-pjestarëve të Bundeswehr-it me specializim të lartë./DW

Megaoperacioni anti drogë në Greqi me 24 të arrestuar mes tyre edhe shqiptarë, zbardhen emrat!

Zbardhen emrat e 35 të arrestuarve në Greqi në kuadër të meagoperacioni anti drogë, i cili u zhvillua si pasojë e zbërthimit të mesazheve në aplikacionet “Sky ECC” dhe “Encrochat” të zhvilluar ditën e djeshme.

Sipas policisë greke në këtë megaoperacion ranë në pranga në total 24 persona, ndërsa 7 të tjerë janë shpallur në kërkim.

Në dosjen hetimore janë të përfshirë 15 shtetas shqiptarë (njëri i vdekur), disa shtetas grekë dhe shtetas nga Rusia, Moldavia, Gjeorgjia dhe Kina, të cilët ishin pjesë e 4 grupeve kriminale.

Grupet kriminale ishin të përfshira në trafik dhe shpërndarje droge marijuanë dhe kokainë dhe pastrim parash, ndërsa ndaj tyre ka akuza edhe për armëmbajtje pa leje.

Gjatë operacionit u zbulua gjithashtu edhe një laborator i kultivimit të bimëve narkotike. Sipas policisë, këto grupe trafikonin drogë nga Shqipëria e Spanja, kryesisht përmes mjeteve që transportonin materiale të ligjshme, shpërndanin drogë në Greqi si dhe transportonin apo pastronin paratë e fituara nga veprimtaritë e paligjshme.

Gjatë hetimeve janë arritur të zbulohen 106 episode që lidhen me trafikun dhe shpërndarjen e lëndëve narkotike, të sasisë totale 1 ton 784 kg marijuanë dhe 43 kg 700 gram kokainë apo transportin dhe pastrimin e parave si dhe tentativa e vrasjes ndaj shtetasit Ari Papa, ndodhur më 26 shkurt 2021 në Greqi.
Llogaritet që nga trafiku dhe shpërndarja e drogës të jenë qarkulluar rreth 8 milionë e 455 mijë euro.

Gjatë kontrolleve të kryera ditën e djeshme në kuadër të operacionit janë sekuestruar rreth 9.5 kg marijuanë (një pjesë e llojit SKUNK), 1450 bimë narkotike cannabis sativa, rreth 1.3 kg kokainë, 4 pistoleta, 1 cifte, 463 fishekë, 1 silenciator, 1 tytë arme, 6 krehëra, 16 thika, 2 shkopa, 1 përforcues grushti, 1 shkop metalik, 17 lëndë poroteknike, 6 peshore, 1 grirës droge, materiale për vjedhje, 1 orë e shtrenjtë, 49 celularë, 4 lap top, 3 tableta, 1 kartë identiteti false, 1 numërues kartmonedhash, 1 hard disk, mbi 30 automjete, 7 motorra, 475.300 euro, 7.400 lekë shqiptare, 160 dollarë australianë, 2 senti ganeze, 140 slot polake, 160 dirham të Emirateve të Bashkuara Arabe, 1 lirë floriri.
Të dyshuarit jetonin kryesisht në banesa luksoze dhe udhëtonin me automjete të shtrënjta, me të ardhura kryesisht nga veprimtaritë e paligjshme.

Sipas policisë greke një grup kriminal drejtohej nga shqiptarët Denis Grabocka dhe Andon Salati, një tjetër drejtohej nga Aleksandër Sadikaj (i vrarë në Shqipëri në vitin 2022), një tjetër nga Aleksandro Pando ndërsa grupi i katërt nga greku Dhionisio Siountri.

Grupet kriminale:

Grupi “Grabocka – Salati”

Denis Grabocka, 36 vjec nga Korça
Andon Salati, 32 vjec nga Vlora
Aleksandër Sadikaj, 27 vjec nga Memaliaj
Aleksandro Pando, 30 vjec nga Vlora
Meriol Grabocka, 39 vjec nga Korça
Andrea Salati, 65 vjec nga Vlora
Kostandin Salati, 37 vjec nga Vlora
Enea Pando, 35 vjec nga Vlora
Ermal Loli, 37 vjec nga Tirana
Armand Kola, 32 vjeç

Gjithashtu anëtarë ishin edhe 9 grekë, 1 moldave, 1 gjeorgjian, 1 rus dhe 13 përdorues të paidentifikuar të “Sky EÇ” dhe “Encrochat”.

 Grupi “Aleksandër Sadikaj”

Aleksandër Sadikaj, 27 vjec nga Memaliaj
Viktorio Qytyku, 30 vjec
Elson Hajredini, 34 vjec

Si dhe një përdorues i paidentifikuar i aplikacionit “Sky ECC”

Grupi “Aleksandro Pando”

Aleksandro Pando, 30 vjec nga Vlora
Nikolla Pando, 64 vjec nga Vlora
Enea Pando, 35 vjec nga Vlora

Si dhe 5 përdorues të paidentifikuar të aplikacionit “Sky EÇ”, 2 prej të cilëve anëtarë edhe në grupin “Grabocka – Salati”.

Grupi kriminal “Dhionisiou Siountri”

Përbëhej nga 2 shtetas grekë dhe 3 të paidentifikuar. Nën akuzën e pastrimit të parave ka rënë në pranga edhe Eglantina Pando, 57 vjec si dhe një greke e një kinez, ndërsa një përdorues i aplikacionit “Encrochat” që kryente transport parash me sistemin “Haëala” është i paidentifikuar.

Gjatë kontrolleve në kuadër të operacionit u arrestuan në flagrancë për vepra të tjera penale edhe Marjus Pashaj, 28 vjec nga Delvina dhe një shtetase greke.

SHQIPTARËT E PËRFSHIRË:

VDEKUR: 1. Aleksandër Sadikaj, 27 vjec nga Memaliaj

ARRESTUAR:

1. Denis Grabocka, 36 vjec nga Korca
2. Meriola Grabocka, 39 vjec nga Korca
3. Andon Salati, 32 vjec nga Vlora
4. Kostandin Salati, 37 vjec nga Vlora
5. Andrea Salati, 65 vjec nga Vlora
6. Enea Pando, 35 vjec nga Vlora
7. Aleksandro Pando, 30 vjec nga Vlora
8. Nikolla Pando, 64 vjec nga Vlora
9. Englantina Pando, 57 vjec
10. Ermal Loli, 37 vjec nga Tirana
11. Armand Kola, 32 vjec
12. Marjus Pashaj, 28 vjec nga Vergo, Delvinë
NË KËRKIM
1. Elson Hajredini, 34 vjec
2. Viktorio Qytyku, 30 vjec

“Është nën patronazhimin e Ramës prej dosjeve të tij”, Basha i përgjigjet sulmeve të Berishës: E turpshme që pranon të përdoret sa herë i duhen votat Ramës

Kreu i PD-Demokratët Euroatlantikë, Lulzim Basha, i është përgjigjur sulmeve të Berishës. Në një reagim në facebook, Basha shkruan se ish-kryeministri është shndërruar në një mjet të Edi Ramës, duke e ndihmuar në zhvendosjen e vëmendjes nga aferat korruptive të qeverisë dhe lidhjet e saj me krimin.

Sipas tij, Berisha ka pranuar mbështetjen e Ramës për interesa personale, duke lënë në hije opozitën dhe duke dëmtuar kauzën demokratike.

Basha më tek shkruan se do të vazhdojë të punojë për t’u ofruar demokratëve një alternativë të besueshme dhe të ndershme, duke theksuar rëndësinë e përfaqësimit dhe integritetit politik.

Reagimi i Bashës:

Fatkeqësisht, dosjet e Sali Berishës e kanë kthyer atë në asetin e Edi Ramës, të cilin e përdor për të mbajtur debatin publik larg aferave të panumërta korruptive të qeverisë dhe lidhjeve të saj të tmerrshme me krimin. Është e turpshme, që Berisha pranon të jetë nën patronazhimin e Edi Ramës, të cilit i dha votat për të amnistuar të korruptuarit e tij, për mbylljen e listave, për pazarin e radhës me Gjykatën Kushtetuese, dhe në këmbim, mori vulën përmes një vendimi skandaloz, që Berisha e përdor jo për t’i shërbyer opozitës, por problemeve të tij me drejtësinë. Është e kuptueshme, që politikisht Berisha nuk mund të ekzistojë pa një armik, kështu që, përsa kohë Trekëndëshi i Bermudës po shtrëngon radhët në përballjen me SPAK-un, i ngelem vetëm unë me të cilin mund të merret për të hedhur në publik shashka qesharake.Ndaj jemi më të vendosur se kurrë për të mos i lënë demokratët pa alternativën e duhur dhe të besueshme, me të cilën të ndihen të përfaqësuar, të nderuar dhe jo të tradhëtuar.

Tersi në familjen Veliaj/ Edhe vëllai i Lalit aludohet për transferta jashtë vendit, nisin hetimet e thella

E premte e zezë ishte kjo e sotmja për familjen Veliaj, por jo për qytetarët e Tiranës.

Kjo pasi, me vendim të GJKKO-së, oficerë të BKH-së dhe prokurorë të SPAK-ut që prej orëve të para të mëngjesit të sotëm kanë zbarkuar për kontrolle në banesat e familjarëve të kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj.

Fillimisht u raportua se në shtëpi ndodhej bashkëshortja e tij, Ajola Xoxa, e cila për afro 1 orë refuzoi t’ua hapte derën agjentëve të BKH-së.

Por rezistenca e saj duket se ka qenë e kotë, pasi i është sekuestruar telefoni, dhe kaq konfirmohet nga të gjitha mediat, ndërsa vetë Erion Veliaj ndodhet në Hamburg në Gjermanisë.

Ndërkaq, në fakt nuk është kontrolluar vetëm telefoni, por është bërë dhe një kontroll i imtësishëm banese.

Mediat bëjnë me dije se paralel me Ajolën është kontrolluar edhe vëllai i kryebashkiakut, Arbër Veliaj.

Pra, gjithçka rreth e rrotull Erion Veliajt që lidhet me bizneset e vëllait të tij dhe aktivitetin e Ajolës.

Nga ana tjetër, “Arbër Veliaj, vëllai i kryebashkiakut, administron një nga kompanitë më të mëdha të reklamave në Shqipëri dhe është çelësi i Erion Veliajt për të çuar para në media dhe menaxhon nga bizneset e mëdha dhe kjo është një mënyrë tjetër e blerjes dhe kapjes së shtypit, por Arbër Veliaj dyshohet nga SPAK si pjesë e skemës të kryebashkiakut të Tiranës për influencë, pastrim parashë dhe afera të tjera”, raportojnë mediat sot.

Nisur nga kjo, burime jo zyrtare thonë për “Ora News” se dyshohet që Arbër Veliaj të ketë realizuar transferta miliona euroshe në bankat e nivelit të dytë në vende të tjera, jashtë territorit të Shqipërisë.

Gjithsesi, skema po hetohet dhe SPAK-u në njoftimin e tij zyrtar për operacionin në fjalë theksoi se hetimet ndodhen ende në fazën paraprake dhe nuk mund të jepen detaje në lidhje me procesin.

Por përtej sekretit hetimor ajo që dihet deri tani është se shtëpia e Erion Veliajt është kontrolluar, është kontrolluar telefoni i Ajolës, Arbër Veliaj, shtëpia e tij, janë marrë telefonat dhe SPAK-u po ecën përpara në një nga hetimet kryesore të pasurisë.

Pra, institucioni po bën një hetim të thelluar pasuror ndaj kryebashkiakut të Tiranës dhe të gjitha veprimet e tanishme vijnë si pasojë e fakteve që SPAK-u ka gjetur rrugës për Veliajn.

Tashmë pritet që të ketë të tjera veprime dhe që prokurorët të lidhin të gjithë skemën si ka funksionuar Erion Veliaj dhe njerëzit rrotull tij.

ÇFARË NDODHI NË MAJ?

Disa ditë pas marrjes në pyetje për çështjen e inceneratorit të Tiranës, ne muajin maj kreu i Bashkisë së kryeqytetit Erion Veliaj, është vënë nën hetim nga prokurorët e posaçëm të SPAK.

Mësohet se ndaj Veliajt ka filluar procedimi penal dhe se SPAK ka kërkuar t’i vendoset në dispozicion çdo veprim bankar dhe çdo transaksion financiar nga kryebashkiaku, bashkëshortja e tij Ajola Xoxa, i vëllai Arbër Veliaj dhe nëna Shqiponjë Veliaj.

Pjesë nga dokumenti i SPAK i publikuar me 21 maj 2024

Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, ka regjistruar procedim penal, në funksion të të cilit kërkojmë të na vendosni në dispozicion çdo informacion lidhur me veprimet bankare dhe çdo transaksion financiar të kryer brenda dhe jashtë vendit, për shtetasit e mëposhtëm: te

Shtetasi Erion Veliaj, i biri i Luan dhe i Shqiponjë, lindur në Tiranë, 17.12.1979.

Shtetasja Ajola Xoxa, e bija Arben dhe Valbona lindur në Tiranë më 16.07.1983.

Shtetasi Arbër Veliaj, i biri i Luan dhe Shqiponjë, lindur në Tiranë, i datëlindjes 25.12.1985.

Shtetasja Shqiponjë Veliaj, e bija e Maliq dhe e Fare, lindur në Vlorë, e datëlindjes 08.01.1949.

Informacioni duhet të shoqërohet me dokumentacionin përkatës, duke specifikuar numrat e llogarive, datën e çeljes së llogarive apo depozitave, personin dhe dokumentet e përdorura për…

…Nëse rezulton se nga këta shtetas është marr kredi, atëherë të dërgohet një kopje e të gjithë praktikës duke përfshirë dokumentacionin e dorëzuar në momentin e aplikimit për kredi dhe informacion i detajuar mbi shlyerjen e kredisë.

DREJTUESI I PROKURORISË, Atin Durmani

ME URDHËR DHE ME DELEGIM PROKURORI I POSAÇEM, Ols Dade

“U përpoq të përdorte këtë shans për t’i zhdukur”- Shpalli gjendjen ushtarake, Presidenti i Koresë së Jugut urdhëroi arrestimin e liderit të partisë në pushtet dhe atij të opozitës

Presidenti i Koresë së Jugut, Yoon Suk Yeol, urdhëroi arrestimin e liderit të partisë së tij në pushtet, Han Dong-hoon, kur ai shpalli gjendjen ushtarake mbrëmjen e së martës.

Lista e arrestimeve përfshinte gjithashtu kreun e Partisë Demokratike kryesore të opozitës, Lee Jae-myung, si dhe tre ligjvënës të opozitës, tha zëvendësdrejtori i Shërbimit Informativ Kombëtar.

Presidenti u përpoq të “përdorte këtë shans për t’i arrestuar dhe zhdukur”, tha Hong Jang-won.

Zbulimi erdhi ndërsa partitë politike të vendit mbajtën mbledhje urgjente gjatë të premtes, me deputetët kërkojnë shkarkimin e Yoon.

Mocioni, i cili është caktuar për të shtunën, do të kalojë nëse dy të tretat e deputetëve votojnë pro.

Opozita ka një shumicë në parlamentin prej 300 vendesh, por ka nevojë për mbështetjen e të paktën tetë deputetëve të partisë në pushtet për të siguruar 200 votat e nevojshme për miratimin e mocionit të shkarkimit.

Ndërkohë lideri i partisë në pushtet të Yoon bëri thirrje për pezullimin e shpejtë të tij, duke thënë se përbën një “rrezik të madh” për demokracinë nëse qëndronte në pushtet.

SPAK reagon zyrtarisht për kontrollin në banesën e Veliajt: Janë ndërmarrë disa veprime hetimore në kuadër të një procedimi penal

SPAK ka reaguar zyrtarisht pas kontrollit në banesë të ushtruar ndaj kryebashkiakut të Tiranës, Erjon Veliaj.

Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar informon se janë ndërmarrë disa veprime hetimore në kuadër të një procedimi penal. Duke qenë se hetimi ndodhet ende në fazën paraprake nuk mund të publikojmë të dhëna apo informacion të mëtejshëm në këtë moment“, lexohet në njoftimin e SPAK-ut.

Gjatë kontrollit në banesën e kryebashkiakut të Tiranës Erion Veliaj, agjentët e BKH kanë sekuestruar një aparat telefonik të bashkëshortes së tij Ajola Xoxa.

Mëngjesin e sotëm disa agjentë të BKH-së kanë mbërritur në banesën e kryebashkiakut për llogari të një veprimi hetimor të një kërkese të bërë nga SPAK dhe pranuar nga GJKKO. Burime jo zyrtare bëjnë me dije se kontrolli është për llogari të hetimit pasuror që po zhvillohet ndaj kryebashkiakut.

Ndërkohë kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, ndodhet në Hamburg të Gjermanisë, për një vizitë dy ditore, gjatë së cilës është pritur në një takim edhe nga Kryebashkiaku i Parë i Hamburgut, Peter Tschentscher. Gjithashtu, ai ka zhvilluar takime edhe me Presidenten e Parlamentit të Hamburgut, Carola Veit, si dhe me anëtarë të Komitetit për Çështjet Europiane.

SPAK troket tek çiftit Veliaj- Xoxa, ironia e një “hetimi” të vonuar

Nga Rigels Seliman

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, i cili dikur quante prokurorët e Prokurorisë së Posaçme (SPAK) kolegë, sot po përballet me pasojat e ironisë së tij. Ky pohim, që për shumë është një shenjë e arrogancës dhe nënvlerësimit të institucioneve të drejtësisë, tani duket se ka marrë një kthesë të papritur. Hetimet që SPAK ka nisur për çiftin Veliaj-Xoxa, përfshirë hetimet pasurore, vijnë si një goditje e fortë për politikën e rritur mbi premtimet dhe imazhin e pastër. Po a mund të quhet kjo thjesht një rastësi, apo është thjesht një reflektim i kulturës së pandëshkueshmërisë që ka sunduar politikën shqiptare për shumë vite?

Erion Veliaj, kryebashkiaku i Tiranës, është ndër ata politikanë që ka ditur të përdorë artin e komunikimit dhe të imazhit për të ngjallur besim tek qytetarët. Por tani, hetimet që po zhvillohen ndaj tij dhe bashkëshortes së tij, Ajola Xoxa, gruas së tij që njihet për aktivitetin e saj në fushën e artit dhe humanizmit, po heqin maskën e premtimeve dhe po ekspozojnë një realitet të hidhur. Hetimi për pasurinë e tyre ngre dyshime të forta, duke lënë të nënkuptohet se pas gjithë asaj jete të lavdishme që kanë shpalosur për publikun, mund të fshihet një tjetër histori e errët.

Në këtë kontekst, nuk mund të mos shfaqet një pyetje e rëndësishme: Si ka mundësi që një individ që kishte një marrëdhënie të afërt me ata që ishin të ngarkuar për të hetuar korrupsionin në nivele të larta (prokurorët specialë), tani të jetë në hetim për pasurinë e tij? Ironia e madhe është se Veliaj, duke e cilësuar SPAK-un si koleg, ka nënkuptuar një lloj mbështetjeje të hapur ndaj strukturave të drejtësisë që tani po shqyrtojnë pasurinë e tij. Kjo është një përballje me një realitet të ri që ndoshta është më i ashpër se çdo paragjykim i mëparshëm ndaj institucioneve të drejtësisë.

Nëse SPAK-i është një aktor i pavarur që synon të luftojë korrupsionin dhe abuzimin me pushtetin, atëherë ky hetim duhet të shërbejë si një shembull për të gjithë ata që mendojnë se mund të manipulojnë sistemin për interesat e tyre personale. Në fund të fundit, ky hetim është një sinjal i qartë se asnjë individ, pa marrë parasysh pozitat që mban, nuk mund të jetë mbi ligjin. Për Erion Veliajn dhe Ajola Xoxën, ky është një moment reflektimi, një mundësi për të vërtetuar se pas suksesit dhe pasurisë nuk fshihet një histori e errët dhe se ata mund të dalin të pastër nga ky proces.

Ndërkohë, për qytetarët dhe opinionin publik, ky hetim shërben si një kujtesë e fortë se shoqëria shqiptare ka shumë nevojë për transparencë dhe llogaridhënie, dhe se askush nuk duhet të jetë i paprekshëm, as ata që një herë ishin të bindur për pushtetin e tyre. Kjo është një mundësi për SPAK-un që të tregojë forcën dhe efikasitetin e tij, dhe të shpërndajë dyshimet se ky institucion është vetëm një mjet tjetër në duar të politikës, siç e kanë thënë disa kritikë. Kjo është një mundësi që nuk mund të humbet.

Në fund, hetimi i SPAK-ut ndaj çiftit Veliaj-Xoxa është një goditje e fortë, një përballje me një realitet të hidhur, dhe një mesazh që asnjë individ nuk mund të jetë mbi ligjin. Ironia e këtij hetimi është se ajo që dikur ishte shprehur si një marrëdhënie kolegiale tani po kthehet në një sfidë të vështirë për ata që dikur mendonin se kishin kapur gjithë pushtetin në duar.

Basha vijon turin në Washigton, takim me Darrell Issa: Diskutime për korrupsionin, lidhjet e politikës me krimin dhe emigrimin

Kryetari i Partisë Demokratike-Demokratët Euroatlantikë, Lulzim Basha, zhvilloi një takim me kongresmenin amerikan Darrell Issa, një nga kandidatët kryesorë për Kryetar të Komitetit të Punëve të Jashtme të Kongresit.

Në fokus të bisedës ishin situata në Shqipëri dhe rajon, lufta kundër korrupsionit, lidhjet mes politikës dhe krimit, emigracioni dhe sfidat e sigurisë, veçanërisht në Kosovë dhe NATO, përballë agresionit rus në Ukrainë.

Issa vlerësoi vizionin e Bashës për zhvillimin ekonomik, teknologjinë dhe transparencën, duke mbështetur angazhimet për forcimin e qeverisjes dhe rritjen e inovacionit.

Postimi i plotë i Bashës:

Kënaqësi të bisedoja me kongresmenin Darrell Issa, kandidatin kryesor për Kryetar të ardhshëm të Komitetit të Punëve të Jashtme të Kongresit.

Me kongresmenin Issa, një figurë e njohur në politikën amerikane dhe aktualisht anëtar i Komitetit të Drejtësisë dhe Komitetit të Çështjeve të Jashtme në Kongres, biseduam për situatën në Shqipëri dhe në rajon, me theks të veçantë te lufta kundër korrupsionit, lidhjet e politikës me krimin dhe emigrimin.

Si një zë i fuqishëm për qeverisje të vogël dhe për mbështetjen e sipërmarrjes dhe inovacionit në SHBA, Issa mirëpriti vizionin tonë të shndërruar në plan qeverisës për zhvillimin ekonomik, përgatitjen e brezit të ri në fushën e teknologjisë dhe inovacionit, luftën kundër korrupsionit dhe rritjen e transparencës.

Siguria në rajon dhe sfidat me të cilat po përballet veçanërisht Kosova, si pasojë e politikës së Beogradit të mbështetur nga Moska dhe sfidat e NATO-s përballë agresionit rus në Ukrainë ishin gjithashtu temë e bashkëbisedimit.