10.5 C
Tirana
E enjte, 6 Nëntor, 2025

Londra s’i jep vizë njeriut nr. 12 më të pasur në Britani

Autoritetet britanike nuk i kanë dhënë një vizë të re oligarkut rus dhe pronarit të Chelsea-s Roman Abramovich, ndërsa nuk është e qartë se do t’i jepet. Abramovich, njeriu i 12 më i pasur në Britani me një pasuri prej 9,3 miliard dollarësh, kishte një vizë britanike biznesi që skadoi disa javë më parë.
Ai ka aplikuar për një vizë të re, por ende nuk e ka marrë. Si pasojë e mungesës së vizës ai nuk ishte i pranishëm në finalet e kupës në “Wembley” të shtunën, ku ekipit i tij Chelsea fitoi 1 me 0 ndaj Manchester United.
Burime për mediat thonë se atij nuk i është mohuar viza, por procedura po zgjat shumë dhe askush nuk e shpjegon dot pse. Raportet e para për vonesën edhe nga agjencia ruse e lajmeve “Bell”, e cila thotë se avioni provat i Abramovich udhëtoi për herë të fundit në Londër më 1 prill. Ndërsa arsye e vonesës së vizës janë ende të paqarta, mediat spekulojnë se përkeqësimi i raporteve mes Moskës dhe Londrës duket se ka ndikuar mjaft në këtë çështje.
Javë më parë, autoritetet britanike thanë se do të rishikojnë vizat që kanë dhënë më herët për pasanikët e huaj dhe do ët vendosin rast pas rasti nëse do ti rinovojnë.

Barcelona feston titullin mes lotëve!

Një legjendë si Andres Iniesta nuk mund të kishte një ceremoni lamtumire të zakonshme. Duke përfituar nga festimet për titullin kampion dhe Kupën e Mbretit, Barcelona nderoi figurën e mesfushorit, i cili të dielën në mbrëmje luajti minutat e fundit si lojtar “blaugrana”.
Pasi përfundoi ndeshja kundër Real Sociedad, Barcelona kishte organizuar një festë që zgjati një orë. Muzikë, efekte speciale dhe shumë falenderime për Iniestën.
Të gjithë lojtarët u kthyen në fushën e lojës me fanelën numër 8 të Iniestës. Pasi ngriti trofeun e kampionatit, kapiteni mori fjalën mes lotësh: “Kam kaluar 22 vite të mrekullueshme. Ka qenë nder dhe kënaqësi që të mbroja fanelën e Barcelonës, skuadrës më të mirë në botë për mua”.
Suarez, Messi e shumë të tjerë nuk i mbajtën dot lotët…
La Liga mbylli një ditë më parë edicionin e saj për sezonin 2017-2018, me verdiktet tashmë të zyrtarizuara: Barça kampione, Atletico e Real si dhe Valencia kualifikohen në fazën e grupeve të Champions League, ndërsa Villarreal e Betis në fazën e grupeve të Europa League, shto këtu Sevillan që do të luajë edhe parakualifikueset e kompeticionit të dytë për nga rëndësia.
Sigurisht pati edhe nga ata që i dhanë lamtumirën elitës së futbollit mbretëror spanjoll, me Deportivo La Corunan, Las Palmasin dhe Malagën që sezonin e ardhshëm do të zbresin në një kategori më inferiore. Por, statistikat tregojnë diçka të çuditshme, edhe pse jo të pabesueshme.

Edhe pse ka 10 vite dominim në futbollin spanjoll e atë europian, së bashku me rivalin e tij të përhershëm, portugezin Cristiano Ronaldo, duket se Lionel Messi nuk ka ndërmend të dorëzohet të befasuari e së dhuruari spektakël.
Zyrtarisht për edicionin që sapo përfundoi, rezulton se La Liga është kompeticioni i vetëm një njeriu: “pleshtit” argjentinas të katalanasve, Leo Messi. Të tjerët, thjesht përpiqen ta luajnë atë…
Për ta treguar këtë, mjafton të theksojmë se Messi renditet i pari si golashënues, me 34 gola këtë sezon; i pari mes atyre që kanë dhënë më shumë asiste, plot 12 të tilla, edhe pse fronin e ndan me dikë tjetër; i pari për rastet e panumërta të krijuara për gol, me 87 të tilla; i pari edhe për driblime, me plot 185 të tilla; e duke mos e mbyllur këtu, edhe i pari për rastet e krijuara përmes asistimit të kolegëve të tij, me 11 në total.
Por, duke qenë një lojtar sulmues, ai renditet i pari edhe për më shumë goditje në portat kundërshtare, 197 gjithsej; më i miri me sasinë më të madhe të golave nga jashtë zone, 8 në total; por edhe i pari për më shumë gola të shënuara nga goditjet e dënimit, një nga specialitetet më të frikshme të argjentinasit, me 6 gola të realizuara.
Të jesh i pari në të gjitha këto klasifikime në moshën 30-vjeçare, ose më saktë 31 pa një muaj, vështirë se mund të mos kesh vetëm fjalë lavdëruese për një nga talentet më të mëdha që ka parë historia e futbollit.

Berisha, “shqiponja” që po çmend Austrinë!

Kur Valon Berisha shënon dhe fillon të festojë golin, ai hap krahët e tij para gjoksit, sikur në një ekstazë, përhap gishtërinjtë dhe lëviz duart ngadalë e pa problem, ashtu si krahët, lart e poshtë. Gjesti i kujton krahët e një shqiponje. Një shqiponjë, si ajo e zeza me një sfond të kuq, e cila, gjithashtu, zbukuron flamurin shqiptar.
Prindërit e Valon Berishës janë nga Kosova dhe u arratisën në Skandinavi para lindjes së djalit. “Shtëpi do të thotë familje për mua, – thotë ai. – Në zemër, ajo është gjithmonë afër meje, sepse pa mbështetjen e saj, unë nuk do të isha aty ku jam sot”.
Një nga tregimet prapa “mrekullisë së Salzburgut” të mirënjohur është edhe ajo e motorrit të mesfushës, Valon Berisha. Është historia e një ish-fëmije refugjat, që nga kushtet modeste, shumë të pasigurta, tani është gati për të pushtuar botën shumë të madhe të futbollit.
I angazhuar nga klubi norvegjez, Viking Stavanger, gjashtë vite më parë, Berisha, tani 25 vjeç, është zhvilluar në një nga lojtarët më të qëndrueshëm në Budesligën Austriake, si pjesë e Red Bull Salzburg.
Por, pasi klubi i Mateschitz (pronari i RedBull) marshoi deri në gjysmëfinale të Ligës së Europës, klubet më të mira, të tillë si Liverpool, apo të tjerë nga Gjermania dhe Italia, u bënë të vetëdijshëm për lojtarin teknik. Nëse tarifa e transferimit është e lartë, atëherë një ndryshim joshës për lojtarin dhe klubin në merkaton e verës është i sigurtë.
Berisha është lojtari i huaj me më shumë ndeshje në ekipin e Salzburgut, me 167 të tilla. 5 herë kampion radhazi dhe fitues i 4 Kupave të Austrisë radhazi. 2 herë “Lojtari i Vitit” në Kosovë. Berisha zbulon edhe një fakt tjetër. Ai nuk do të jetë pjesë e Kosovës në miqësoret e radhës, njëra prej të cilave ndaj Shqipërisë, në tokën zvicerane, sepse është i dëmtuar në kavilje.
Nga Salzburgu, FATLUM KURTAJ

Gjermania, Frei: Hetim të pavarur për Xhafajn, akuzat shumë serioze

Në një intervistë deputeti i partisë së Kancelares Merkel, Thorsten Frei, pohon se për këtë çështje duhet një hetim i pavarur ndërkohë që pranon se Gjermania do të mbledhë të gjithë informacionin për të formuluar qëndrimin për çështjen e negociatave.
Si raportues për Shqipërinë, ju jeni shumë i informuar mbi zhvillimet e fundit në vendin tonë, siç tregon edhe intervista e fundit me “Deutsche Ëelle”, dhe ju keni qenë shumë i fokusuar në çështjet e zbatimit të ligjit dhe në problemet e kriminalitetit. Ju përmendët se jeni duke ndjekur rastin e ministrit të Brendshëm, Xhafaj. Cili është vlerësimi juaj deri tani?
Po, sigurisht, unë e ndjek rastin me vëmendje të madhe. Por në fund nuk mund ta gjykoj atë ligjërisht. Dhe gjithashtu nuk kam ndonjë pretendim për ta bërë këtë inspektim. Megjithatë, duke marrë parasysh zbatimin e ligjit, është e rëndësishme se si e bëjnë këtë politikanët dhe gjykatësit shqiptarë. Kjo në fund të fundit na tregon neve se sa serioze është qeveria shqiptare në zbatimin e ligjit. Në fund të fundit, kjo është një çështje besueshmërie.
Opozita pohon se ai ka ndryshuar fshehurazi ligjet e reformës së drejtësisë, në mënyrë që të mbrojë vëllain e tij të dënuar. Dhe sipas tyre, ministri Xhafaj ka bllokuar zbatimin e dy ligjeve për veten e tij: Ligji i Policisë së Shtetit, i cili urdhëron që të dënuarit në përgjithësi duhet të sillen para drejtësisë, dhe Ligji i famshëm Kundër Mafies, i cili urdhëron që pronat e vëllait dhe të vetë ministrit duhet të hetohen. Si do të reagonte dikush në Gjermani për një situatë të tillë?
Këto janë natyrisht akuza shumë serioze që i janë bërë ministrit të Brendshëm. Mbi të gjitha, duhet të jetë në interes të qeverisë shqiptare që t’i sqarojë këto pohime mjaft shpejt.
Opozita paraqiti një dëshmitar që deklaroi se vëllai i ministrit është ende i fuqishëm dhe i përfshirë me drogën. Ministri i Brendshëm e quajti opozitën ‘mbeturinë’ dhe Kryeministri Rama tha se kjo është dëshmi e rreme dhe se deputetët e opozitës duhet të burgosen. A mund të komentoni?

Vendimtare për mendimin tim është sjellja e vetë ministrit. Duhet të jetë e qartë se ai nuk e ka shkelur ligjin për të mbrojtur vëllanë e tij. Kjo kërkon një hetim të pavarur.
Ju keni qenë i zëshëm për rastin e ish-ministrit Tahiri, i cili formalisht ishte vetëm një deputet dhe tani një qytetar i thjeshtë. A do të ishte rasti i Xhafajt, me atë të ulur si ministër, i rëndësishëm për vlerësimin e Shqipërisë dhe vendimin tuaj në Bundestag mbi hapat e vendit drejt BE-së?
Çdo gjë është e rëndësishme. Sipas mendimit tim, hapja e negociatave për anëtarësim duhet që në radhë të parë, të varet nga përmbushja e kushteve të Shqipërisë. Kjo vlen veçanërisht për çështjet e sundimit të ligjit ose për luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. Në Shqipëri, unë gjithmonë e kam theksuar, se sa e rëndësishme është që të gjithë qytetarët të jenë të barabartë përpara ligjit dhe të famshmit të mos trajtohen më mirë ose në një mënyrë tjetër. Në këtë kuptim, rastet si këto janë gjithmonë një provë lakmuese për procesin e reformës në tërësi. Ne do të mbledhim të gjithë informacionin në dispozicion, do të përpilojmë një tablo të përgjithshme dhe do të formulojmë rekomandimin tonë, në përputhje me rrethanat.
Si do ta trajtonit ju një rast të tillë në Gjermani, nëse një ministër i Brendshëm do të ishte nën dyshim të fortë se ka favorizuar një të afërm kriminel?
Kjo pyetje është e vështirë për t’iu përgjigjur, sepse natyrisht kjo gjithmonë varet nga rasti specifik. Në parim, është detyrë e gjyqësorit të vendosë nëse duhet të nisë një hetim dhe nëse ka mjaftueshëm dyshime. Nëse një pjesë e caktuar e Parlamentit do të mendonte se diçka nuk ishte e drejtë, në Gjermani ne gjithashtu kemi mundësinë e një komisioni hetimi parlamentar. Por përtej instrumenteve politike dhe fakteve gjyqësore, zëri i fortë i shoqërisë civile vendos për të ardhmen e zyrtarëve.

“panorama”

Protestë në Komisionin e Ligjeve ndaj Xhafës për drogën dhe krimet e diktaturës

Deputetët e Partisë Demokratike kanë hyrë sot në Komisionin e Ligjeve dhe kanë deklaruar se komisioni nuk mund të vazhdojë punimet sa kohë që Ministri i Brendshëm, avokat i krimit, vazhdon të mbrohet ende nga kryeministri.
Si për rastësi, pikërisht sot është është 45-vjetori i revoltës së Spaçit, që deputeti Oerd Bylykbashi e ka risjellë jo pa qëllim në kujtesë të socialistëve:
“Sot është 45-vjetori i revoltës së Spaçit dhe hetuesi i athershëm ka bërë karrierë dhe sot është Ministër i Brendshëm, është avokati më i mirë i krimit të organizuar.
Sot është avokati më i mirë i krimit të organizuar, që ka mbrojtur vëllanë e tij me të gjithë format dnë të gjitha mënyrat më të mira të mundshme, e paketoi dhe e çoi në Itali kur sot ndaj tij duhet të fillonte ndjeka penale.
Sot ne jemi para faktit që avokatia më e mirë që i bëhet krimit ëhstë ajo që Edi Rama po i bën Saimir Tahirit dhe Fatmir Xhafës. Është turpi i deputetëve të mazhorancës që sot mbrojnë Fatmir Xhafën që sot duhet të ishte shkarkuar.
Ky komision nuk mund të vazhdojë të diskutojë çështje të tjera sa kohë që Fatmir Xhafaj mbron krimin. Bashkë em Agron Xhafajn mbron krimin dhe ti bëhesh palë me ta!, u shpreh Bylykbashi.

Revolta e Spaçit, dita kur të burgosurit u ngritën kundër regjimit komunist

Deputetja e PD, Jorida Tabaku ka përkujtuar 45-vjetorin e revoltës së Spaçit. Përmes një statusi në Facebook, Tabaku thotë se në këtë ditë kujtojmë me nderim përpjekjen më të guximshme kundër diktaturës komuniste në Shqipëri. Sipas Tabakut, në 21 maji 1973 është dita në të cilën të burgosurit politikë të burgut famëkeq të Spacit u ngritën kundër sjelljes çnjerëzore të regjimit.
Statusi i plotë i Jorida Tabakut
45 vjet nga revolta e Spaçit.
Per te mos harruar!
Në këtë ditë kujtojmë me nderim përpjekjen më të guximshme kundër diktaturës komuniste në Shqipëri. 21 maji 1973 është dita në të cilën të burgosurit politikë të burgut famëkeq të Spaçit u ngritën kundër sjelljes çnjerëzore të regjimit karshi tyre. Nën thirrjet “Poshtë komunizmi” “Europa është e lirë” të cilat i rimorën studentët në vitet 1990, këta heronj dhe guximtarë të rrallë vendosën jetën e tyre në ballë të një beteje që shkundi jo pak diktaturën komuniste.
Me trishtim vërej që ende sot e kësaj dite nuk ka një memorial në kujtim të Skënder Dajës, Dervish Bejkos, Hajri Pashajit dhe Pal Zefit. Sikundër vërej me trishtim që qeveria ka lënë në harresë këtë ditë të shënjuar për vendin tonë.
Gjykoj se janë të pakta fjalët që mund të them për to, janë të varfëra fjalët e mia karshi tyre dhe respektit që ato meritojnë. Në nuk duhet të harrojmë gjakun dhe përkushtimin e tyre për një Shqipëri më mirë. Ata janë dëshmorët e vërtetë të këtij vendi, heronjtë e rrallë të një kombi që duhe të gjejë forcat për të përmbushur ëndrrën e tyre; një vend të lirë, demokratik dhe në Europë.
I përjetshëm dhe përhershëm qoftë kujtimi për to dhe përpjekja e tyre qoftë mësim për ne.

Bardhi tek Krimet e Rënda: Pse nuk është marrë në pyetje vëllai i ministrit, Prokuroria të fusë hetimin në drejtimin e duhur

Këshilltari ligjor, Gazemend Bardhi ka folur jashtë ambienteve të Prokurorisë së Krimeve të Rënda, pas dëshmisë që ka dhënë bashkë me deputetin Ervin Salianji në lidhje me audio-përgjimin ku implikohet Agron Xhafaj, vëllai i ministrit të Brendshëm, Fatmir Xhafaj.
Bardhi deklaroi se ishte shqetësuese që nuk merrej në pyetje Agron Xhafaj, nuk merrej në pyetje vetë ministri Fatmir Xhafaj dhe as Kryeministri, që ngriti alibi për audiopërgjimin dhe thirreshin pikëriat ata që e kishin denoncuar veprimtarinë kriminale të Agron Xhafajt.
Bardhi kërkoi që Prokuroria të fusë hetimet në drejtimin e duhur dhe se ai bashkë me Salianjin ka deklaruar për gjithçka që janë pyetur mbi faktet të bëra publike.
“Ne sot ishim në cilësinë e personave që mund të japin të dhëna për hetimin që ka nisur Prokurroie e Krimeve të Rënda. Jemi para një rasti abuzimi të dokumentuar për veprimtari kriminale të vëllait të Ministrit të Brendshëm. Unë jam jurist dhe do të shprehem sa herë që më kërkon Prokuroria e Krimeve, por nuk mund të mos shprehem pse nuk është marrë në pyetje vëllai i ministrit, por ne që e denoncuam; nuk është marrë në pyetje ministri që e ka mbrojtur po ne që e denoncuam; nuk është marrë në pyetje kryeministri që ka krijuar një alibi se audio është përgjim, por ne.
Prandaj dhe thirja ime publike ndaj Prokurorisë është të fusë hetimin në drejtimin e duhur që i ngarkon ligji dhe ai është të ndëshkohen në mënyrë spektakolare, individët që merren me trafik droge; rasti është bërë publik dhe është vëllai i Ministrit të Brendshëm. Ne deklaruam gjithçka që kemi bërë publike mbi faktet dhe materialet që ne kemi bërë publike”, u shpreh Bardhi për mediat.

A mund të ketë ndryshim regjimi në Irak

Edhe nëse rezultati i zgjedhjeve parlamentare të së shtunës së kaluar qe i ndryshëm nga ai që kishte shpresuar Perëndimi: për Irakun ai ofron megjithatë shanse. Sepse për herë të parë që prej fitores kundër të ashtuquajturit “Shteti Islamik” dhe që prej rimarrjes së Mossulit, tema që i mbizotëronte të gjitha të tjerat nuk ishte më siguria, por korrupsioni i gjithanshëm.
Bojkot me pasoja fatale?
15 vjet pas rrëzimit të Saddam Huseinit, Iraku bën pjesë në vendet më të korruptuara të botës. Të ardhurat nga nafta nuk derdhen në një shtet funksionues me shërbime funksionuese. Për më tepër, shteti irakian është bërë një dyqan vetëshërbimi i një klase politike që pasurohet në mënyrë të pafre.
Prandaj aktivistët patën bërë thirrje për një bojkotim të zgjedhjeve, të cilin shumë, para së gjithash në Bagdad dhe në shtresën e mesme, edhe e ndoqën. Pjesëmarrja në zgjedhje nga ky shkak qe vetëm 45 përqind, në vitin 2014 patën shkuar 60 përqind e votuesve në zgjedhje.
Thirrjen për t’i bojkotuar zgjedhjet nuk e dëgjuan megjithatë mbështetësit e fituesit të zgjedhjeve, të predikuesit shiit Muktada al-Sadr, të cilët para së gjithash vijnë nga shtresat e varfëra të shtresës së ulët.

Sadr e pati bërë luftën kundër korrupsionit dhe pastrimin e stallave të Avgjisë në shtetin irakian në temën më të rëndësishme të fushatës së tij elektorale. Tani predikuesi duhet të ofrojë rezultate dhe ta thajë kënetën e korrupsionit. Me sa duket janë të shumtë ata që besojnë se ai mund ta bëjë këtë.
Duarbosh mbeti lista e kryeministrit të deritashëm Haidar al-Abadi, të cilit i njihet merita që në bashkëpunim të ngushtë me SHBA e drejtoi në mënyre efikase luftën kundër “Shtetit Islamik”. Veç kësaj ai kishte fituar besimin e minoritetit sunit, i cili qe margjinalizuar nën paraardhësin e tij, Nuri al-Maliki. Në këtë mënyrë Abadi e stabilizoi kështu edhe më tej Irakun.
Edhe këtu: Arabi Saudite përballë Iranit
Të dy fituesit e zgjedhjeve të 12 majit, Sadr Hadi al-Ameri, përfaqësojnë një Irak të karakterizuar fort nga feja islame shiite.
Nacionalisti irakian Sadr, i cili drejtoi më 2003 rezistencën kundër pushtuesve amerikanë, do që ta rrënjosë Irakun fort në botën arabe dhe vizitoi për këtë Arabinë Saudite, e cila ka kohë që është tërhequr nga Iraku. Por Ameri është njeriu i Iranit në Bagdad. Ai komandon milicët e fuqishëm shiitë të vendit, të cilët shkollohen dhe financohen nga Irani.
Për t’i forcuar atij krahët, komandanti i njësisë elitë iraniane të Brigadave-Quds, Qassem Soleimani shkoi që në ditën e zgjedhjeve në Bagdad. Me sa duket ai do t’i imponojë el Sadrit një koalicion me Amerin, gjë që Sadr e mohon me vendosmëri. Iraku do të bëhet me këtë një vend tjetër i konfliktit midis Arabisë Saudite dhe Iranit.

Dosja “Xhafaj”/ Zyrtarët e PD mbërrijnë në Prokurori, policia terror ndaj mediave

Dy deputetët e Partisë Ddemokratike, Enkelejd Alibeaj dhe Ervin Salianji së bashku me këshilltarin ligjor Gazmend Bardhi kanë mbërritur në Prokurori në lidhje me audio përgjimin e vëllait të ministrit të Brendshëm. Tre zyrtarët ishin thirrur të paraqiten sot në orën 10:00 në ambientet e Prokurorisë për Krime të Rënda.
Prokuroja e Krimeve të Rënda ka thirrur në një takim drejtorin e policisë së Tiranës ku i ka kërkuar që të shtohen forcat e policisë në momentin që po pyeten zyrtarët e PD për të mos lejuar mediat tëe qëndrojnë as në oborrin e prokurorisë. Duket se prokuroria po manipulon provat e dosjes “Xhafa” dhe ka frikë nga media se mos dalë e vërteta.
Të martën e kaluar oficeret e policisë gjyqësore morën audio-përgjimin e publikuar dhe kanë nisur hetimet për verifikimin e saj. Në audio përgjim PD zbulohet se vëllai i ministrit Fatmir Xhafaj, Agron Xhafaj bën pazare me një person tjetër për trafikun e drogës.
Salianje mbante në dorë një letër ku shkruhej; ‘Unë nuk jam Ervin Salianji’, duke ironizuar kështu pretendimet e Ministrit të Brendshem dhe kreut të qeverisë për autenticitetin e audio përgjimit.
“Sa mund të mohoj unë që jam Ervin Salinaji, aq mund të mohoj Xhjafaj që audio-përgjimi nuk është i vërtetë”, tha Salianji.
Procedimi i nisur në Prokurorinë e Tiranës në bazë të kallëzimit të Agron Xhafajt për fabrikim të fakteve dhe provave të rreme në lidhje me audiopërgjimin e denoncuar nga PD mes tij dhe bashkëpunëtorit X, Albert Veliu, i është kaluar për kompetencë prokurorisë së Krimeve të Rënda.
Prokuroria e Tiranës i ka kaluar Krimeve të Rënda edhe dëshminë e Albert Veliut, i cili përpara se të pyetej nga Krimet e Rënda kishte dhënë sqarime tek prokuroria e Tiranës.
Mësohet se Veliu edhe në dëshminë e dhënë pranë organit të akuzës të Tiranës, i ka qëndruar faktit që videopërgjimi është i vërtetë dhe se ai kishte biseduar me Agron Xhafajn për të trafikuar hashash.

Biznesi me Iranin po bëhet i pamundur

Andreas Buxbaum di si të reagojë ndaj krizave dhe problemeve. Sipërmarrësi nga Darmstadt-i shet internet të shpejtë përmes satelitit. Klientët e tij janë në vende si Afganistani, Pakistani, Arabia Saudite. Dhe gjithashtu në Iran. Atje, thotë ai, ka shumë interes për shërbimet e tij: për shembull, linjat ajrore si IranAir dhe Mahan Air, që dëshirojnë t’u ofrojnë pasagjerëve internet edhe në aeroplan – ashtu siç është prej kohësh praktikë standarde ndërkombëtare.
Pengesa të shumëllojshme
Megjithatë, realizimi i një oferte të tillë është utopike, thotë Buxbaum. Për shumë arsye. Nga njëra anë, sistemet satelitore moderne amerikane gjithmonë përmbajnë dhe komponentë amerikanë. Dhe ato thjesht nuk mund t’i blesh kur është fjala për Iranin.
Ose prodhuesit ta ndalojnë eksportin e tyre. Mbi të gjitha, financimi i porosive po bëhet gjithnjë e më i vështirë. Pajisja e një avioni me internet satelitor dhe sistemin e argëtimit të lidhur me të kushton 6-8 milion euro. Për një flotë të tërë avionësh për fluturime të mesme ose të gjata, kjo shumë shkon shpejtë në 100 ose 200 milionë euro. Dhe klientët iranianë nuk mund t’i marrin shuma të tilla në portofol.

Bankat nuk duan ta pësojnë
Por sidomos bankat e mëdha kanë frikë nga bizneset në ose me Iranin si djalli nga temjani. Për shkak se shumica e institucioneve financiare kanë degë në SHBA, ato kanë frikë se mund të humbasin bizneset atje. Por nëse një bankë duhet të zgjedhë midis Iranit dhe Shteteve të Bashkuara, zakonisht nuk ka nevojë të mendohet dy herë. Tregu i Shteteve të Bashkuara është shumë më i rëndësishëm, se sa Irani me 80 milionë banorë që është tepër i parëndësishëm. Kjo për të keqen e shumë kompanive gjermane apo evropiane.
Jo problem i ri
Financimi i porosive apo pagesave e mallrave apo shërbimeve që dërgohen në Iran ështe prej kohësh faktori frenues nr. 1 gjatë viteve të fundit: Prandaj pritshmëritë e ekonomisë nga të dyja palët ishin të mëdha, kur në korrik të vitit 2015, u nënshkrua marrëveshja bërthamore me Iranin JCPOA (“Plani i Përbashkët i Veprimit”). Ky pasoi nga kontakte të shpejta, diskutime dhe plane për investime dhe sipërmarrje të përbashkëta.
Por edhe pasi sanksionet ndaj Iranit u hoqën zyrtarisht, sektori financiar mbeti i tërhequr, sepse sistemi ndërkombëtar i pagesave SWIFT që dominohet nga SHBA-ja nuk qe vërtet në dispozicion për këmbime me Iranin. Po ashtu edhe këmbimi i monedhës iraniane rial me euro ose dollarë nuk funksiononte si duhet.

E ardhmja e pasigurtë
Se sa e vështirë është për kompanitë iraniane që të bëjnë biznes në skenën ndërkombëtare e ka përjetuar edhe Hesam Ganjavian. Sipërmarrësi iranian shet teknologji dhe softuer mjekësor. Produktet e tij, sikurse ka dëgjuar ai në mënyrë të përsëritur në panairet tregtare, mund të konkurrojnë me lehtësi me ato të konkurrentëve nga Evropa apo SHBA. Por atij i duhet vazhdimisht të përballet me frikën e partnerëve të biznesit në vitet e fundit, se biznesi me kompanitë iraniane mund të sjellë disavantazhe diku tjetër.
Pasi Presidenti i SHBA, Donald Trump hoqi dorë nga marrëveshja bërthamore mes komunitetit ndërkombëtar dhe Iranit dhe futi në fuqi sanksione të reja, Hesam Ganjavian pret kushte kornizë edhe më të vështira. Por, thotë ai, situata është edhe një mundësi. Sepse pas disa vitesh shpresash të zhgënjyera, kompanitë iraniane do të kuptonjnë së shpejti se cilët janë partnerët e tyre të vërtetë.