33.5 C
Tirana
E premte, 20 Qershor, 2025

Ish-trajneri i klubit britanik flet për Ernest Muçin: Ne na kërkuan 4 milionë euro, u çudita kur Beshiktashi e bleu për 10

Transferimi i Ernest Muçit në radhët e Beshiktashit vazhdon të prodhojë polemika të shumta në Turqi. Klubi i cili ka probleme financiare, akuzohet se ka paguar shumë mbi vlerën për kartonin e sulmuesit shqiptar, në momentin kur e bleu për 10 milionë euro nga Legia në Poloni.

 

Situata së fundmi është bërë më e komplikuar pas deklaratave të lëshuara nga Erol Bulut, trajneri turk i cili ka qenë në drejtimin e klubit të Kardif. Uellsianët, të cilët janë pjesë e Championship, ishin mes atyre që kërkonin Muçin, siç tregoi vetë ish-trajneri për mediat turke, por zbuloi se kërkesa që Legia kishte për ta, ishte shumë më e ulët.

“Ernest Muçi ishte një transferim që po merrja në konsideratë te Kardifi. Kur ne pyetëm, na thanë që vlera e tij mund të ishte rreth 4 milionë euro. Unë u çudita në atë periudhë, kur për ne thanë se ishte 4 milionë euro, por ai erdhi te Beshiktashi për 10 milionë euro. Kjo gjë ndodhi në merkaton e dimrit të vitit të kaluar.

Meqë ne kishim një bllokim të merkatos, klubi nuk mundi ta hapte. Ne nuk kishim mundësi ta bënim transferimin gjithsesi”, shpjegoi Bulut për “BeIN Sport”.

Kundërshtarët më të rrezikshëm të Uashingtonit po thellojnë bashkëpunimin mes tyre! Çfarë po ndodh mes Pekinit, Moskës, Phenianit dhe Teheranit

Kundërshtarët më të rrezikshëm të Uashingtonit po thellojnë bashkëpunimin mes tyre, por analistët e agjencive amerikane të zbulimit mendojnë se tani për tani, ata nuk kanë arritur të formojnë një aleancë të ngushtë që mund t’i kundërvihet në mënyrë më efektive Shtetet e Bashkuara.

 

Shqetësimet nga Shteteve të Bashkuara dhe aleatët e saj për bashkëpunimin në rritje mes Rusisë, Kinës, Iranit dhe Koresë së Veriut janë rritur në mënyrë të vazhdueshme që kur Moska nisi sulmin në shkallë të gjerë ndaj Ukrainës në shkurt të vitit 2022. Shqetësimet mbështeten në burimet zbulimit që tregojnë se Pekini, Teherani dhe Pheniani po ndihmojnë Rusisë me teknologji, raketa, dronë dhe madje edhe trupa në luftën kundër Ukrainës.

Ish-komandanti i forcave amerikane në Indo-Paqësor në fillim të këtij viti madje i quajti lidhjet në rritje midis katër vendeve armike të Shteteve të Bashkua një “bosht i sapolindur i së keqes”.

Megjithatë, zyrtarët amerikanë të zbulimit besojnë se boshti, në një farë mënyre, është bllokuar nga të metat e veta.

“Ata nuk po veprojnë si një bllok”, tha drejtorja e Inteligjencës Kombëtare Avril Haines, duke folur të enjten në Uashington në një diskutim të organizuar nga Këshilli për Marrëdhëniet me Jashtë.

“Ne nuk i shohim ato si një lloj aleance katërpjesëshe”, tha ajo. “Ne nuk i shohim ata si aleatë, që veprojnë në mënyrë të ngjashme me vendet e NATO-s. Ata nuk kanë një nivel të tillë ndërveprimi dhe bashkëpunimi ushtarak.”

Megjithatë, ata e shohin boshtin si një shqetësim në disa fronte.

Haines tha se rritja e bashkëpunimit midis Rusisë, Kinës, Iranit dhe Koresë së Veriut ka kontribuar në një dëmtim të mëtejshëm të normave ndërkombëtare rreth armëve të shkatërrimit në masë.

Në fushat, ku Rusia dhe Kina dikur ishin të gatshme të bashkëpunonin me Shtetet e Bashkuara dhe Perëndimin, si ndalimi i përhapjes së armëve bërthamore, Moska dhe Pekini tani duken më të prirur për t’i dhënë Iranit dhe Koresë së Veriut liri shtesë.

“Kjo po ndodh kryesisht për shkak se Rusia tani në një farë mase po varet nga Koreja e Veriut dhe Iranit për armë të avancuara, municione dhe mjete të tjera për luftën me Ukrainën”, tha Haines.

“Ata kanë më pak gjasa të tërhiqen”, tha ajo. “Dhe sigurisht, ne kemi vëzhguar shkallën në të cilën ata në fakt, për shembull, e pranojnë Korenë e Veriut si një fuqi bërthamore.”

Haines tha se rritja e bashkëpunimit midis Rusisë, Kinës, Iranit dhe Koresë së Veriut ka ndihmuar të katër vendet t’i shmangen sanksioneve të Perëndimit.

Ajo tha se madje ka disa sinjale se Rusia është e gatshme të ndërmarrë veprime që do të lejonin Pekinin të teljkalojë Shtetet e Bashkuara në disa fusha kritike.

“Ata janë të gatshëm që potencialisht të ndihmojnë më shumë Kinën, duke i dhënë teknologji që në fakt mund ta bëjnë Kinën të përparojë më shpejt në fusha të tjera, që janë shqetësuese për ne”, tha Haines.

Aleatët e Uashingtonit në NATO kanë lëshuar paralajmërime të ngjashme muajt e fundit, me disa zyrtarë të NATO-s që i thanë Zërit të Amerikës se boshti i këtyre vendeve tashmë ka hedhur themelet e një gare të re globale të armëve.

Sabotimet e Rusisë

Ekzistojnë gjithashtu shqetësime të vazhdueshme për gatishmërinë e Rusisë, Kinës, Iranit dhe Koresë së Veriut për t’u përfshirë në të ashtuquajturën aktivite të fshehta.

Një raport i deklasifikuar i agjencive amerikane të zbulimit, i publikuar në korrik, paralajmëroi se në pesë deri në gjashtë vitet e ardhshme “ka të ngjarë të ketë akte më të shpeshta, të ndryshme dhe të dëmshme të shantazhimit, veçanërisht nga Kina, Irani, Rusia dhe Koreja e Veriut, nën atë që përbën konflikt të armatosur, por jashtë kufijve të veprimeve historikisht legjitime të shteteve.”

Drejtorja e Inteligjencës Kombëtare Avril Haines të enjten tha se këto lloje aktivitetesh nga Rusia, përfshirë përpjekjet për sabotim në Evropë, janë “rritur në të gjitha nivelet”.

“Rusia sapo ka investuar para, personel, përpjekje të jashtëzakonshme në këtë fushë dhe do të vazhdojë ta bëjë këtë”, tha ajo. “Ndonëse ne kemi bërë përmirësime në parandalimin e një pjese të këtyre aktivitete, ne nuk jemi në pikën ku ndjehemi rehat.”

Ndryshimi i administratës në SHBA

Analistët amerikanë të zbulimit po vëzhgojnë nga afër sesi vendet e tjera po sillen ndërsa Uashingtoni përgatitet që presidenti i sapozgjedhur Donald Trump të marrë detyrën në janar.

“Ka disa aktorë që po përpiqen të përgatiten për pozicione të reja gjatë administratës së ardhshme”, tha Haines.

Ajo tha se agjencitë e zbulimi po përgatisin raporte mbi këto aktivitete, që do t’i ndajnë me administratën e ardhshme të Trump, si dhe po ndjekin me vëmendje mundësinë e përshkallëzimi të tensioneve nga disa vende gjatë periudhës së tranzicionit.

“Për shembull, Koreja e Veriut zakonisht angazhohet në disa veprime provokuese gjatë perudhës së ndryshimit të pushteteve”, tha Haines. “Kjo është një nga gjërat klasike që ne po vëzhgojmë vazhdimisht.”/VOA

Porositje vrasjesh e trafik droge, Suel Çela kërkon nga arratia lehtësimin e masës së sigurisë! Si u “zbërthye” aktiviteti i grupit të tij kriminal pas zbardhjes së bisedave në SkyEcc

Zhvillohet sot seanca në GJKKO për të shumëkërkuarin nga drejtësia, Suel Çela alias Marjus Lulaj, ndaj të cilit është lëshuar masa e sigurisë “arrest me burg”.

 

Suel Çela ka kërkuar ankimuar vendimin dhe ka kërkuar lehtësimin e masës së caktuar ndaj tij.

Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar do të shqyrtojë sot kërkesën e 36-vjeçarit, i cili ndodhet në arrati dhe akuzohet si kreu i një grupi kriminal që kishte porositur vrasje dhe trafikonte lëndë narkotike nga Amerika Latine në shtetet e Evropës.

Gjithashtu grupi kriminal akuzohet se ka ushtruar ndikim përmes akteve korruptive në segmente të caktuara të sistemit të drejtësisë, policisë së shtetit dhe medias.

Në bisedat e SkyEcc është zbuluar se në rrjet ishin përfshirë gjyqtarë, prokurorë dhe gazetarë.

Zbërthimi i aktivitetit të bandës nga SkyEcc

Fokusi i kësaj organizatë kriminale, njofton Prokuroria e Posaçme, ishte kontrolli i territorit, kryesisht në Shqipërinë e Mesme, duke përdorur mekanizma të ndryshëm si dhe dhunë të vazhdueshme ndaj grupeve rivale kriminale.

“Organizata kriminale që drejtohej nga Suel Çela me qëllim kontrollin e territorit  kishte si synim kryesor eleminimin fizik të anëtarëve të një grupi tjetër të strukturuar kriminal i cili vepronte po në qytetin e Elbasanit dhe që konsiderohej si kundërshtar i organizatës kriminale që drejtohej nga Suel Çela”, informon SPAK.

I gjithë aktivitetit financohej nga paratë që përfitoheshin nga aktiviteti kriminal i trafikimit të lëndëve narkotike nga Amerika Latine drejt vendeve si; Gjermania, Mbretëria e Bashkuar, Italia, Belgjika dhe Holanda.

Si drejtuesi i organizatës, Suel Çela përgjegjës për menaxhimin dhe koordinimin e aktiviteteve kriminale, përfshirë vrasjet, trafikimin ndërkombëtar të drogës, kryerjen e veprimeve korruptive dhe organizimin e skemave të pastrimit të parave.

Ndërkohë disa nga anëtarët me role kyçe si; Mario Çela, Ado Xhika (alias Elkier Cerriku alias Ado Cerriku), Marsel Shega (alias Bujar Shega), Klaus Matishi (alias Klaus Çopja alias Kledjan Çopja), Xhino Roka, etj., ishin pjesë operative e organizatës, të angazhuar në planifikimin dhe ekzekutimin e veprave të rënda penale, përfshirë vrasje me paramendim dhe trafikun e narkotikëve.

SPAK informon se organizata ka zbatuar një skemë komplekse të mbyllur të trafikut të kokainës nga Amerika Latine drejt vendeve të Europës duke bashkuar me grupe të ndryshme kriminale me lidhje të forta në Amerikën Latine.

“Organizata e porosiste lëndën narkotike nga grupe të strukturuara kriminale shqiptare të lidhur me grupe kriminale vendase në Amerikën Latinen. Më pas, sasia e lëndës narkotike transportohej e fshehur në produkte të ligjshme dhe tranzitohej në disa porte europiane me destinacion shtetet si; Gjermania, Mbretëria e Bashkuar, Italia, Belgjika dhe Holanda, nga ku nxirrej, trafikohej dhe shitej me shumicë nga anëtarët e organizatës drejt tregun europian i narkotikëve. Pjesa më e madhe e ngarkesave lëvizte me kontejnerë në porte të mëdha si Antverp,  Roterdam etj., të cilët shpesh shërbenin si pika kyçe për trafikun e saj në tregun evropian. Gjithashtu ka pasur tentativa për të kryer transport të lëndëve narkotike përmes aeroporteve të Belgjikës dhe Holandës”, thuhet në njoftim.

Një pjesë e të ardhurave nga ky aktivitet kriminal investohej:

a. Në blerjen e lëndës narkotike

b. Në gjendje cash-i në Shqipëri

c. Në biznese në dukje të rregullt

d. Për të mbështetur infrastrukturën operative të organizatës dhe blerje influence në segmente të veçanta të sistemit të drejtësisë, policisë, medias dhe biznesit

Njoftimi i SPAK:

Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK), në bashkëpunim me Eurojust, Europol, autoritetet e drejtësisë së Francës, Belgjikës, Holandës dhe Ekuadorit ka dokumentuar dhe ndjekur penalisht një organizatë të mirëstrukturuar kriminale në trafikun ndërkombëtar të kokainës, me bazë në qytetin e Elbasanit dhe me shtrirje në vendet e Bashkimit Europian dhe Amerikës Latine.

Ky hetim i bazuar në  komunikimet e koduara  SKY/ECC dhe në veprimet të tjera hetimore vijon edhe për dokumentimin e veprimtarisë kriminale për persona të tjerë.

Me kërkesë të Prokurorisë së Posaçme, Gjykata e Posaçme e Shkalles së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar ka caktuar masat e sigurisë për 21 persona:

  • Arrest me burg për 18 individë, duke përfshirë drejtuesit e grupit, një ish-zyrtar i lartë policie dhe një ish-gjyqtar.
  • Arrest në shtëpi për 1 avokat.
  • Detyrim paraqitjeje për 2 gazetarë.

Struktura e Organizatës 

Kjo organizatë kriminale, në fokusin e saj kishte kontrollin e territorit, kryesisht në Shqipërinë e Mesme, duke përdorur mekanizma të ndryshëm si dhe dhunë të vazhdueshme ndaj grupeve rivale kriminale.

Organizata kriminale që drejtohej nga S.Ç. me qëllim kontrollin e territorit  kishte si synim kryesor eleminimin fizik të anëtarëve të një grupi tjetër të strukturuar kriminal i cili vepronte po në qytetin e Elbasanit dhe që konsiderohej si kundërshtar i organizatës kriminale që drejtohej nga S.Ç.

I gjithë aktivitetit financohej nga paratë që përfitoheshin nga aktiviteti kriminal i trafikimit të lëndëve narkotike nga Amerika Latine drejt vendeve si; Gjermania, Mbretëria e Bashkuar, Italia, Belgjika dhe Holanda.

Gjatë hetimit të këtij procedimi penal nr.193/2023 janë dokumentuar faktet penale si më poshtë:

  1. Vrasje e mbetur në tentativë me snajper në dëm të shtetasit, A.Ç., në datën 08.06.2020 në qytetin e Elbasanit
  2. Sigurimi i kushteve dhe mjeteve materiale për kryerjen e vrasjes në dëm të shtetasit B.M, mars 2020;
  3. Sigurimi i kushteve dhe mjeteve materiale për kryerjen e vrasjes në dëm të shtetasit E.K, në vitin 2020.
  4. Tentativa për trafikimin e afërsisht 930 kg të lëndës narkotike, lloji kokainë nga Ekuadori në Europë, në dhjetor 2020.
  5. Tentativa për trafikimin e 466 kg të lëndës narkotike, lloji kokainë nga Ekuadori në Holandë, në janar 2021.
  6. Ushtrimi i ndikimit përmes akteve korruptive në segmente të caktuara të sistemit të drejtësisë, policisë së shtetit dhe medias.

Shtetasi M.L. (alias S.Ç.) është identifikuar si drejtuesi i organizatës, përgjegjës për menaxhimin dhe koordinimin e aktiviteteve kriminale, përfshirë vrasjet, trafikimin ndërkombëtar të drogës, kryerjen e veprimeve korruptive dhe organizimin e skemave të pastrimit të parave. Ndërkohë disa nga anëtarët me role kyçe si;  M.Ç., A.V., B.SH, K.M., Xh.R.etj ishin pjesë operative e organizatës, të angazhuar në planifikimin dhe ekzekutimin e veprave të rënda penale, përfshirë vrasje me paramendim dhe trafikun e narkotikëve.

Roli i personave të tjerë

Organizata kishte arritur të korruptonte funksionarë të policisë së shtetit (D.GJ.) dhe të sistemit gjyqësor (P.F.) të cilët duke shfrytëzuar pozicionin e tyre zyrtar e ndihmonin organizatën me informacione, duke ofruar gjithashtu lehtësira dhe ndikime në sistemin gjyqësor në këmbim të favoreve dhe përfitimeve materiale. Organizata kriminale kishte aftësi që të ndikonte dhe të korruptonte përfaqësues të sistemit të drejtësisë me qëllim që këta të fundit të lehtësonin pozitën e drejtuesit S.Ç. dhe anëtarëve të tjerë të organizatës në proceset penale në ngarkim të tyre. Për t’u theksuar është aftësia e organizatës që të ndikojë tek trupa gjyqësore me qëllim që të rëndohej pozita apo masa e dënimit që do te jepej në ngarkim të anëtarëve të grupit kriminal që konsideroheshin si kundërshtarë të tyre.

M.L ka synuar të manipulojë perceptimin publik, duke i paraqitur rivalët e tij si të paprekshëm për shkak të lidhjeve të dyshuara që ata mund të kenë me politikën. Trysnia për hetime pasurore në kuadër të OFL-së dhe nxitja e mediave për të marrë dëshmi nga individë që mund të inkriminojnë rivalët e tij do të krijonin, sipas tij, në opinionin publik perceptimin se këta rivalë, për shkak të lidhjeve të dyshuara politike, janë bërë “të paprekshëm”. Kjo strategji, e cila përfshin manipulimin e informacionit dhe ndikimin në opinionin publik, jo vetëm që do të rriste pozitat e tij, dhe në të njëjten kohë do të dëmtonte interesat e rivalëve.

Dyshohet se këto synime i ka realizuar përmes bashkëpunimit me gazetarët A.H. dhe E.Q, të cilët kundrejt përfitimeve monetare të paligjshme kanë mbajtur qëndrime në media, si dhe kanë publikuar artikuj dhe video që keqinformonin dhe manipulonin opinionin publik.

Rrjeti i trafikut ndërkombëtar të kokainës

Organizata ka zbatuar një skemë komplekse të mbyllur të trafikut të kokainës nga Amerika Latine drejt vendeve të Europës duke bashkuar me grupe të ndryshme kriminale me lidhje të forta në Amerikën Latine. Organizata e porosiste lëndën narkotike nga grupe të strukturuara kriminale shqiptare të lidhur me grupe kriminale vendase në Amerikën Latinen.

Më pas, sasia e lëndës narkotike transportohej e fshehur në produkte të ligjshme dhe tranzitohej në disa porte europiane me destinacion shtetet si; Gjermania, Mbretëria e Bashkuar, Italia, Belgjika dhe Holanda, nga ku nxirrej, trafikohej dhe shitej me shumicë nga anëtarët e organizatës drejt tregun europian i narkotikëve. Pjesa më e madhe e ngarkesave lëvizte me kontejnerë në porte të mëdha si Antverp,  Roterdam etj., të cilët shpesh shërbenin si pika kyçe për trafikun e saj në tregun evropian. Gjithashtu ka pasur tentativa për të kryer transport të lëndëve narkotike përmes aeroporteve të Belgjikës dhe Holandës.

Një pjesë e të ardhurave nga ky aktivitet kriminal investohej:

a. Në blerjen e lëndës narkotike

b. Në gjendje cash-i në Shqipëri

c. Në biznese në dukje të rregullt

d. Për të mbështetur infrastrukturën operative të organizatës dhe blerje influence në segmente të veçanta të sistemit të drejtësisë, policisë, medias dhe biznesit

Për këtë operacion falenderojmë Europol, Eurojust, autoritetet e drejtësisë dhe ato ligjzbatuese të; Francës, Holandës, Belgjikës dhe autoritetet italiane (Ufficio del’ Esperto per la Sicurezza a Tirana, Squadra Mobile di Milano).

 

Masat e sigurimit janë dhënë për personat e mëposhtëm:

  1. Marjus Lulaj (alias Suel Çela) 36 vjeç, banues në Elbasan
  2. Mario Çela, 35 vjeç, banues në Elbasan
  3. Xhino Roka, 33 vjeç, banues në Tiranë
  4. Klaus Matishi (alias Klaus Çopja alias Kledjan Çopja), 37 vjeç, banues në Elbasan
  5. Sergej Hasanpapaj, 30 vjeç, banues në Elbasan
  6. Bruno Hazizolli 34 vjeç, banues në Elbasan
  7. Ledio Zabeli, 33 vjeç, banues në Elbasan
  8. Marsel Roka, 37 vjeç, banues në Tiranë
  9. Ado Xhika (alias Elkier Cerriku alias Ado Cerriku) 39 vjeç, banues në Tiranë
  10. Preke Kodra 48 vjeç, banues në Malësinë e Madhe
  11. Fuad Verzivolli 48 vjeç, banues në Elbasan
  12. Metin Mehjam, 27 vjeç, banues në Elbasan
  13. Renato Hasani, 35 vjeç, banues në Elbasan
  14. Skender Sufaj, 34 vjeç, banues në Tiranë
  15. Artan Hoxha, 50 vjeç, banues në Tiranë
  16. Elton Qyno, 39 vjeç, banues në Tiranë
  17. Pajtime Fetau, 65 vjeç, banues në Elbasan
  18. Dedan Gjoni, 48 vjeç, banues në Tiranë
  19. Marsel Shega (alias Bujar Shega), 51 vjeç, banues në Tiranë
  20. Hajdar Lala (alias Hajdar Xaka alias Hajdar Sefa), 40 vjeç, banues në Tiranë
  21. Blerina Beqiri, 39 vjeç, banues në Elbasan

Veprat penale të dyshuara:

  1. “Vrasje me paramendim”, e mbetur në tentativë, në dëm të Ardjan Çapja, ngjarje e ndodhur në datën 08.06.2020;
  2. “Sigurimi i kushteve dhe i mjeteve materiale për të kryer vrasje në dëm të E. K. dhe B.M.
  3. “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe municionit”, kryer në formë të veçantë të bashkëpunimit, atë të organizatës kriminale, “Organizata kriminale” dhe “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal”.
  4. “Trafikimi i narkotikëve”, kryer në formë të veçantë të bashkëpunimit atë të grupit të strukturuar kriminal”.
  5. “Grup i strukturuar kriminal”.
  6. “Korrupsion aktiv i gjyqtarit, prokurorit dhe i funksionarëve të tjerë të drejtësisë”.
  7. “Korrupsion aktiv në sektorin privat”, i kryer në bashkëpunim.
  8. “Shpërdorim detyre”.
  9. “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale” .

VIDEO/ SPAK në shtëpinë e kryebashkiakut të Tiranës, kontroll telefonit të bashkëshortes, Ajola Xoxa

Me vendim të GJKKO, Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit ka marrë autorizimin dhe kërkon të kontrollojë telefonin e Ajola Xoxës, bashkëshortes së kryetarit të bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj.

Mësohet se agjentët e BKH shkuan në orët e para të mëngjesit në banesën ku jeton kryebashkiaku, pikërisht për të kontrolluar telefonin e bashkëshortes se tij.

Kujtojmë që kryetari i bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj po hetohet nga SPAK për aferën e inceneratorëve, dosjen 5D, por edhe në hetim pasuror së bashku me familjen.

Në muajin maj ndaj Veliajt ka filluar procedimi penal dhe se SPAK ka kërkuar t’i vendoset në dispozicion çdo veprim bankar dhe çdo transaksion financiar nga kryebashkiaku, bashkëshortja e tij Ajola Xoxa, i vëllai Arbër Veliaj dhe nëna Shqiponjë Veliaj.

Më 30 prill, Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj u paraqit në Prokurorisë së Posaçme, ku për rreth 8 orë dëshmoi për aferën e inceneratorëve. Veliaj theksoi për mediat se ishte në SPAK si bashkëpunëtor dhe se gjatë marrjes në pyetje ishte ezauruar plotësisht çështja e inceneratorëve.

Si mund të luftohet futja e armatimit në veri? Analiza e REL: Sfidat në kufirin Kosovë-Serbi dhe rreziku ndaj sigurisë

“Është sekret publik që veriu i Kosovës ka pasur shumë armatim. Ka qenë depo e armatimit”. Kështu e ka përshkruar drejtori i Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha, këtë pjesë të territorit, teksa ka folur në Radiotelevizionin e Kosovës për armatimin që gjendet vazhdimisht gjatë bastisjeve policore.

 

Në më pak se një javë, Policia ka gjetur dy herë armatim dhe uniforma ushtarake në veri të Kosovës, në aksionet e kryera pas sulmit të 29 nëntorit në kanalin e Ibër-Lepencit, në Zubin Potok.

Policia ka thënë se sulmi ndaj kanalit – nga ku furnizohen me ujë nga Liqeni i Ujmanit disa qytete të vendit, si dhe Korporata Energjetike e Kosovës për ftohjen e termoelektranave të saj – është kryer me një sasi eksplozivi prej rreth 20-kilogramësh.

Ndërkaq, ministri i Punëve të Brendshme i Kosovës, Xhelal Sveçla, ka thënë se lënda e përdorur në sulmin në kanal “është e pamundur të gjendet, nëse nuk furnizohet drejtpërdrejt nga depot e ushtrisë”.

Autoritetet e Kosovës fajësojnë Serbinë për futje të armatimit në Kosovë, si dhe për organizimin dhe kryerjen e sulmeve që i konsiderojnë terroriste, në kanalin e Ibër-Lepencit dhe në Banjskë të Zveçanit, një vit më parë.

Beogradi mohon gjithçka, madje për sulmin e fundit ka ofruar edhe ndihmë për kryerje të hetimeve.

Sfida në kufirin Kosovë-Serbi

Dogana e Kosovës i ka thënë më parë Radios Evropa e Lirë se armatimi ka hyrë përmes “rrugëve malore”.

Sipas zyrtarëve të saj, para sulmit në Banjskë, disa lloje armësh kanë mundur të hyjnë në Kosovë edhe brenda ditës përmes rrugëve ilegale.

Ndërkaq, shefi i Policisë ka thënë se dhjetëra rrugë ilegale me Serbinë tashmë janë bllokuar, por sfidë përbën pamundësia e zyrtarëve policorë për të qenë shumë afër kufirit.

Dy vendet ndajnë një vijë kufitare të gjatë rreth 400 kilometra.

Mbi 60 për qind e saj përfshin komuna të banuara me shumicë serbe në veri të Kosovës. Një pjesë e konsiderueshme është zonë me terren të vështirë, të pabanueshëm. Edhe ky fakt e bën gati të pamundshëm kontrollimin e çdo pjesë kufitare.

Për sigurinë e kufijve të Kosovës me Serbinë është përgjegjës misioni i Organizatës së Traktatit të Atlantikut Verior (NATO) në Kosovë, KFOR, ndërsa për pjesën tjetër të vijës kufitare kujdeset Policia e Kosovës.

Megjithatë, sipas një vendimi të vitit 2014 të komandantit të KFOR-it atëbotë, Policia mund të patrullojë në vijën kufitare Kosovë-Serbi deri në 1 kilometër afër vijës ndarëse.

Ish-drejtori i Policisë së Kosovës, Rashit Qalaj, beson se rrugët ilegale po kontrollohen pak, ose fare pak, dhe ndonëse lëvdon punën që po bëjnë zyrtarët policorë, ai thotë se atyre po u mungon elementi kryesor: informacioni.

“Institucionet e sigurisë, sidomos Agjencia e Kosovës për Inteligjencë (AKI), të jenë shumë më vigjilente, e po ashtu inteligjenca që është në kuadër të Policisë së Kosovës të jetë më shumë në terren, dhe të veprohet në mënyrë proaktive”.

Kufijtë e tjerë

Qalaj thotë për REL-in se ka informacione që, përveç prej Serbisë, armët në Kosovë po futen kontrabandë edhe nga Shqipëria, andaj autoritetet duhet të rrisin kontrollin në secilën zonë kufitare.

“Sa i përket armatimit, po, është mirë fokusimi në veri, mirëpo duhet të fokusohemi edhe në pjesë të tjera të vendit, për shkak se kriminelët bashkëpunojnë. Ata nuk njohin as nacionalitet, as çfarë gjuhe flasin njerëzit”.

Edhe Fatmir Çollaku, njohës i çështjeve të sigurisë, beson se armë nga Serbia kanë hyrë në Kosovë edhe pas sulmit në Banjskë, por jo nga Shqipëria.

“Një shtim i vigjilencës dhe patrullimeve të shpeshta të policisë kufitare, bashkë me pjesëtarë të [Misionit të Bashkimit Evropian për Sundim të Ligjit në Kosovë] EULEX-it dhe KFOR-it, do të ndikonte në zvogëlim, nëse jo në parandalim 100%, së paku në reduktim të mjaftueshëm dhe zvogëlim të mundësisë së hyrjes së armëve dhe pajisjeve ushtarake në territorin e Kosovës”.

Armët e konfiskuara

Policia ka thënë disa herë se armët e konfiskuara janë të vjetra dhe variojnë, prej municioneve e granatahedhësve, e deri tek armët e kalibrit të lartë, mitralozët, snajperët, minat kundër këmbësorisë, e detonatorët.

Njësia e Forenzikës Digjitale e Radios Evropa e Lirë ka verifikuar se disa armë janë prodhuar në periudhën 1990/91 në fabrikat serbe “Prvi Partizan” dhe “Millan Bllagojeviq”.

Policia e Kosovës nuk ka ofruar informacione me gjithë kërkesën e REL-it për të kuptuar se sa persona janë arrestuar ndër vite për futje të armëve në Kosovë.

Rreziku ndaj sigurisë

Në raporte vendore e ndërkombëtare, situata e sigurisë në veri konsiderohet e qetë, por e brishtë, me potencial të përshkallëzimit të shpejtë.

Drejtori i Policisë, Hoxha, e ka përsëritur disa herë që institucioni që udhëheq ka, në parim, potencial për të kryer bastisje masive në veri, por nuk mund të veprojë ashtu, pasi gjithçka duhet të kryhet në përputhje me ligjin dhe duhet të ekzistojë dyshim i bazuar.

Njohësit e sigurisë në Kosovë kanë sugjeruar shpesh përdorimin e dronëve për mbikëqyrjen e kufijve, vendosjen e kamerave në zona më kritike kufitare, apo rritjen e presionit ndërkombëtar ndaj Serbisë./REL

Berisha, tjetër “pazar” me Ramën: PS dhe PD bëhen bashkë për të përmbysur skemën e ripërtëritjes në Gjykatën Kushtetuese!

Skema për ripërtëritjen e Gjykatës Kushtetuese po nxjerr në sipërfaqe një kompromis të heshtur politik për të anashkaluar Kushtetutën.

Mazhoranca dha sinjalin e parë me procedurën për zëvendësimin e gjyqtares Elsa Toska, që nuk po kundërshtohet nga grupi më i madh i opozitës.

Një argument të ngjashëm, demokratët po e përdorin për të zgjatur mandatin e gjyqtares tjetër kushtetuese, Sonila Bejtja.

Profesoresha Aurela Anastasi e vendos përgjegjësinë te vetë Gjykata Kushtetuese, që duhet të ruajë pavarësinë e saj duke treguar kufijtë.

Ambasada Amerikane thekson se duhet që çdo tre vjet, kjo gjykatë duhet të rifreskohet me tri anëtarë.

Më 30 dhjetor 2019, kryetari i atëhershëm i Kuvendit, Gramoz Ruçi, i kërkoi ndihmë, përmes një letre, Komisionit të Venecias.

Në Shqipëri institucionet ishin përfshirë në një konflikt mbi emërimet në Gjykatën Kushtetuese dhe kohëzgjatjen e mandateve të këtyre gjyqtarëve, ndaj një arbitër i jashtëm duhej të “përkthente” Kushtetutën tonë.

Reforma në drejtësi, e miratuar në vitin 2016, kishte vendosur në Kushtetutë, në nenin 125 të saj, rregullin se çdo tre vjet, Gjykata Kushtetuese do të rifreskohej me nga 3 gjyqtarë.

Kjo do të realizohej duke garantuar balancën e institucioneve që emëronin gjyqtarët kushtetues, ndaj, në çdo grup gjyqtarësh që do të linin detyrën përpara kohe, njëri do të ishte i emëruar nga Presidenti, njëri nga Kuvendi dhe i treti nga Gjykata e Lartë.

Opinioni i Venecias, i ardhur në qershor të vitit 2020, tha qartë, me vite dhe me emra konkretë, se cila ishte radha e emërimit të gjyqtarëve kushtetues e po ashtu, cilët ishin gjyqtarët që do të kishin një mandat të kufizuar me qëllim ruajtjen e skemës së ripërtëritjes çdo tre vjet.

“Në zbatim të këtij neni prodhohet skema e mëposhtme:

Raundi i parë: Pasardhësit e Sokol Berberit dhe Vladimir Kristos (mbarimi i mandatit 25.04.2016) – i pari nga Presidenti, i dyti nga Kuvendi; pasardhësja e Vitore Tushës (mbarimi i mandatit 10.03.2017): Gjykata e Lartë (deri në 2025-n)”.

Edhe pse opinionet e Komisionit të Venecias janë këshillimore dhe jo detyruese, politikanët shqiptarë tradicionalisht i janë drejtuar për mendim, duke e pranuar gjithmonë si një arbitër të pakundërshtueshëm.

E përkthyer me përbërjen aktuale të Gjykatës Kushtetuese, në pranverën e ardhshme, tre anëtarë të Gjykatës Kushtetuese duhet të largohen.

Konkretisht, më 25 prill 2025 duhet të ikë Sonila Bejtja, që zuri vendin e Sokol Berberit (emëruar nga presidenti Meta) dhe po në të njëjtën datë edhe Elsa Toska, e cila zëvendësoi Vladimir Kriston (emëruar nga Kuvendi). E përzgjedhura nga Gjykata e Lartë në vend të Vitore Tushës ikën më herët.

Ajo është kryetarja e Gjykatës Kushtetuese, Holta Zaçaj, mandati i së cilës përfundon më 10 mars 2025.

“Kushtetuesja të vendosë kufij”, a do të ikin 3 gjyqtarët në pranverë?
Kushtetuta dhe opinioni i Komisionit të Venecias orientojnë se raundi i rifreskimit të Gjykatës Kushtetuese do të ndodhë në vitin 2025. Pra, 3 gjyqtarë, një i emëruar nga Presidenti, një nga Kuvendi e një nga Gjykata e Lartë duhet të zëvendësohen.

Po cilët janë emrat dhe a do të ikin vërtet ata?

Mbarimi i mandatit të një gjyqtari kushtetues shpallet me vendim të kësaj gjykate, në respekt të ligjit organik të këtij institucioni. E pyetur nga “INA Media” që më 22 nëntor, se kur përfundojnë mandatet e këtyre tre gjyqtarëve dhe kur do të shprehet gjykata për këtë çështje, ky institucion nuk dha përgjigje deri në publikimin e këtij shkrimi.

Kjo trupë duhet të marrë vendim, së pari, për kryetaren e kësaj gjykate, Holta Zaçaj. Kjo duhet të ndodhë 3 muaj përpara mbarimit të mandatit, pra së shpejti, deri më 10 dhjetor. Më pas, gjykata, brenda datës 25 janar, duhet të shpallë me vendim përfundimin e mandatit të gjyqtarëve Elsa Toska dhe Sonila Bejtja.

Dorëheqja e parakohshme e gjyqtares Toska e futi situatën në një ngërç, pasi Kushtetuesja e njoftoi Kuvendin për krijimin e vakancës së parakohshme, por pa treguar se kur do të fillonte e kur do të mbaronte mandati i atij që do të zëvendësonte Elsa Toskën.

Pedagogia e të drejtës kushtetuese në Universitetin e Tiranës, profesoresha Aurela Anastasi, tha për “INA Media” se është pikërisht kjo shmangie e vetë Gjykatës Kushtetuese që iu ka hapur rrugë shkeljeve.

“Gjykata Kushtetuese duhet të riparojë formulën e saktë, me qëllim që të respektohet ripërtëritja. Historia e kësaj çështjeje dëshmon të kundërtën. Kjo gjykatë nuk vendosi asnjëherë një formulë të rregullt për këtë çështje dhe ripërtëritja ka vuajtur vazhdimisht nga parregullsitë”,- tha konstitucionalistja.

Sipas Anastasit, prishja e radhës së përtëritjes sjell si pasojë mosrespektimin e përtëritjes së pjesshme çdo tre vjet me 1/3 e anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese.

“Duhet theksuar se Gjykata Kushtetuese është organi kompetent që duhet të mbajë këtë radhë. Kjo është e rëndësishme për pavarësinë e saj”,- thekson profesoresha e të drejtës kushtetuese, e cila sjell në vëmendje ligjin për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese, ku thuhet: “Kryetari i Gjykatës Kushtetuese njofton për vendin vakant…”.

“Në këtë rast, kryetari/ja duhet të njoftojë organin e emërtesës sipas radhës së emërimit, edhe për kufijtë kohorë të mandatit për vendin vakant”, thotë Anastasi, veprim i cili, po të ishte bërë deri tani nga vetë gjykata, do të kishte shmangur manovrat e politikës mbi të.

Kuvendi i Shqipërisë, i pyetur nga “INA Media” mw 22 nëntor, se kush është gjyqtari që ky institucion do të emërojë gjatë vitit 2025, në respekt të skemës përtëritëse të përcaktuar nga neni 125 i Kushtetutës, nuk dha përgjigje deri në publikimin e këtij shkrimi.

Kreu i shtetit, Bajram Begaj, i cili po ashtu duhet të bëjë një emërim të ri, muajt e ardhshëm, preferoi të mos përfshihej në këtë debat në këtë moment.

“Institucioni i Presidentit të Republikës nuk komenton paraprakisht procedura kushtetuese, të cilat kërkojnë bashkëpunim institucional të disa organeve kushtetuese, secili sipas kompetencave të përcaktuara qartë”,- tha zyra e tij për “INA Media”.

I vetmi institucion emërtese i qartë për afatet e tij dhe i gatshëm për të ndarë një qëndrim me publikun është Gjykata e Lartë.

“Referuar datës 10 mars 2025, si data e përfundimit të mandatit të gjyqtarit të Gjykatës Kushtetuese, të emëruar nga Gjykata e Lartë, rezulton se procedura për emërimin e radhës do të nisë 3 muaj përpara përfundimit të këtij mandati.  Gjykata Kushtetuese duhet të deklarojë mbarimin e mandatit të znj. Holta Zaçaj jo më vonë se data 10.12.2024”,- tha Gjykata e Lartë në përgjigje të një kërkese për informacion nga “INA Media”.

SHBA: Gjykata Kushtetuese të rinovohet me tri anëtarë çdo tre vjet

E pyetur nga INA Media mbi këtë proces, Ambasada Amerikane në Tiranë theksoi se Gjykata Kushtetuese duhet të rinovohet me tri anëtarë çdo tre vjet.

“Kushtetuta e Shqipërisë është ligji më i lartë i vendit dhe institucionet e drejtësisë mbartin përgjegjësi të madhe në respektimin e parimeve kushtetuese. Kjo përfshin përgjegjësinë e shumë institucioneve, përfshi Gjykatën Kushtetuese dhe organet e emërtesës, për të respektuar parimin e rinovimit të gjykatës me tri anëtarë çdo tre vjet,” komentoi zyra e shtypit e ambasadës së SHBA.

Të njëjtin qëndrim ka mbajtur në mbledhjen e Këshillit të Emërimeve në Drejtësi, në 11 nëntor, edhe OPDAT, instrumenti i SHBA për sistemin e drejtësisë.

Çfarë fshihet pas heshtjes së “të mëdhenjve” të politikës?

Kur më 30 shtator të këtij viti, Kuvendi  shpalli vakancën për zëvendësimin e parakohshëm të gjyqtares kushtetuese, Elsa Toska, pas dorëheqjes, u vu re se thirrja iu bëhej aplikantëve për një mandat që duhet të përfundonte në vitin 2028 dhe jo në vitin 2025.

Ky veprim duket si zgjatimi i një “gabimi” të bërë që në vitin 2019, kur në emërimin e gjyqtares Elsa Toska, Kuvendi e përcaktonte mandatin e saj të plotë deri në vitin 2028, pa e përfshirë në skemën e ripërtëritjes të përcaktuar në nenet 125 dhe 179 të Kushtetutës.

E vetmja që e denoncoi këtë veprim ishte deputetja demokrate, Jorida Tabaku.

Përmes një reagimi të vetëm në rrjetin social “Facebook”, deputetja akuzoi kryetaren e Kuvendit të Shqipërisë se kishte ndërmarrë një nismë antikushtetuese për të zgjatur mandatin e gjyqtares së dorëhequr.

“A është kjo një përpjekje për të manipuluar Kushtetutën dhe për të zgjatur mandatin e ndonjë gjyqtareje tjetër? Apo ka për qëllim kryetarja e Kuvendit të mbajë të kapur Gjykatën Kushtetuese me vendime arbitrare, duke minuar reformën në drejtësi?” – shkroi Tabaku më 3 tetor e që nga ajo ditë, ajo nuk e ngriti më këtë çështje publikisht. “INA Media” e pyeti deputeten nëse ajo iu qëndron ende këtyre deklarimeve dhe pse grupi parlamentar demokrat ku ajo bën pjesë nuk e ka ndjekur këtë çështje, por zonja Tabaku nuk dha asnjë koment.

“INA Media” iu drejtua me një kërkesë 140 deputetëve të Kuvendit të Shqipërisë, pa asnjë përjashtim, në disa kanale zyrtare komunikimi, për t’i pyetur mbi këtë çështje, por rezultoi se 110 deputetë nuk kishin asgjë për të thënë, pavarësisht se në fund të gjithë do të votojnë për pasuesin e Elsa Toskës.

17  të tjerë nuk u ndjenë kompetentë për të komentuar, me argumentin se nuk ishin juristë apo se për shkak të angazhimeve të tjera parlamentare nuk kishin kohë ta studionin çështjen, edhe pse redaksia i njoftoi se do të priste 5 ditë që ata ta analizonin rastin.

Vetëm 13 deputetë mbajtën një qëndrim të caktuar mbi emërimet që duhet të bëjë Kuvendi në Gjykatën Kushtetuese.

Grupi parlamentar i Partisë Socialiste nuk dha asnjë koment për këtë rast, kurse kryetarja e Komisionit të Ligjeve, komision përgjegjës për plotësimin e kësaj vakance, Klotilda Ferhati, tha: “Do të më duhet të studioj e analizoj parashikimet kushtetuese dhe rezervoj ta shpreh qëndrimin tim në Komisionin e Ligjeve, kur çështja të jetë objekt shqyrtimi në kuadër të procedurës përkatëse parlamentare.”

Deputeti tjetër i Komisionit të Ligjeve, Toni Gogu, mbështeti kryetaren Elisa Spiropali, duke sjellë në vëmendje se vendimi i Kuvendit për emërimin e  Elsa Toskës, ku shkruhej se mandati i saj ishte deri në vitin 2028, ishte “ende në fuqi” dhe asnjë organ tjetër nuk e kishte rrëzuar atë pas 5 vitesh.

Veprimet e mazhorancës socialiste mbështeten edhe nga deputeti i Partisë së Lirisë, Petrit Vasili, i cili thotë se ky “është një debat fiktiv, i nxitur vetëm nga interesa personale”.

“Mandati është i plotë dhe përfundon në vitin 2028, ashtu sikurse Kuvendi ka bërë në mënyrë korrekte dhe ligjore edhe shpalljen e vakancës. Zgjedhja e anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese nuk filloi menjëherë pas hyrjes në fuqi të ndryshimeve kushtetuese të korrikut 2016, por tre vjet më vonë”, tha Vasili.

Ata që janë “divorcuar” politikisht nga Partia Demokratike, në fakt, mbështesin shqetësimin e ekspertëve dhe të Jorida Tabakut, duke e quajtur spostimin e mandatit të Elsa Toskës dhe zëvendësuesit të saj deri në vitin 2028 “kapje të Gjykatës Kushtetuese nga Kuvendi”.

Deputeti Lulzim Basha deklaron se “shkelja nga Kuvendi” në lidhje me mandatin e dhënë gjyqtares Toska është “një precedent i rrezikshëm antikushtetues”.

“Afatet për ripërtëritje në këtë kontekst lidhen ngushtë me vitet 2025, 2028 dhe 2031 dhe çdo shmangie nga ky cikël përbën shkelje të Kushtetutës. Gjykata Kushtetuese duhet të mbrojë Kushtetutën dhe të mos lejojë shkeljen e saj nga mazhoranca, e cila duket se ndjek interesa të ngushta politike. Nëse mazhoranca nuk ndërhyn në kohë për të adresuar këtë situatë, kjo rrezikon të fusë në krizë Gjykatën Kushtetuese”, deklaroi Basha në një prononcim për “INA Media”.

Anëtari i opozitës në Komisionin e Ligjeve, Enkelejd Alibeaj, tha se kryetarja e Kuvendit ka uzurpuar kompetencën që i takon gjithë Kuvendit dhe jo një deputeti të vetëm, qoftë edhe në postin e kryetarit. “Viti 2025 është viti kur duhet të ndodhin këto 3 ripërtëritje. Mandati që znj. Toska ka marrë fillonte në 2016-n. Zonja Toska nuk e ka marrë prej fillimit (2016), por 3 vjet më vonë. Ky mandat ushtrohet deri në 2025-n. Zgjatja deri në 2028-n e shtrin këtë mandat në 12-vjeçar, duke prishur (ndër të tjera) edhe këtë rregull kushtetues”, – u përgjigj Alibeaj për “INA Media”.

“Mandati zëvendësues i znj. Toska duhet të përfundojë në 2025-n. Mazhoranca synon të rrisë kontrollin mbi Gjykatën Kushtetuese në shkelje të Kushtetutës, duke zgjedhur për një mandat deri në 2028-n zëvendësuesin e znj. Toska”,- tha deputeti Agron Shehaj.

Në të njëjtën linjë është edhe deputeti Dashamir Shehi.

“Nuk janë vendosur kot rregullat me disa kufizime, ato janë menduar si të tilla që të ruhet balanca dhe influenca e çdo institucioni në Gjykatën Kushtetuese. Shpallja e vakancës për deri në vitin 2028 është gabim”,- nënvizoi Shehi gjatë një bisede telefonike me “INA Media”.

Grupi parlamentar demokrat dha një koment me shkrim pas kërkesave të përsëritura nga redaksia e “INA Media”-s.

Gazment Bardhi nënvizoi se grupi i tij e ka ndjekur nga afër debatin publik të zhvilluar lidhur me këtë çështje dhe i ka marrë në konsideratë këto shqetësime, duke kryer në kohë një analizë të plotë kushtetuese të këtij rasti.

Pas një analize të bërë nga ata që në PD i quajnë “ekspertët tanë”, demokratët kanë arritur në konkluzionin se vetëm dy gjyqtarë kushtetues duhet të përfundojnë mandatin para kohe në funksion të ruajtjes së skemës së përtëritjes dhe ata janë, sipas Bardhit, Holta Zaçaj dhe Sandër Beci.

“Për të gjithë gjyqtarët e tjerë të Gjykatës Kushtetuese, Kushtetuta dhe ligji parashikon se emërohen për të gjithë kohëzgjatjen e mandatit të tyre (pra 9 vjet)”,- tha Bardhi.

Ajo që bie në sy nga “konkluzionet e analizës së ekspertëve të grupit të PD-së” është se demokratët jo vetëm që nuk janë të shqetësuar që mandati i atij që do të zëvendësojë Elsa Toskën do të shkojë deri në vitin 2028, por nuk përmendin as gjyqtaren tjetër, Sonila Bejtja.

Kjo e fundit është e përzgjedhur mes kandidatëve dhe është emëruar nga presidenti Meta, një kundërshtar politik i mazhorancës që në kohën që ishte kryetar shteti. Bejtja është konsideruar si një mbështetëse e opozitës, jo vetëm prej origjinës së emërimit, por edhe prej qëndrimeve të njëpasnjëshme që ka mbajtur gjatë gjykimeve në Kushtetuese.

Pozicionimi i demokratëve se as ajo nuk duhet zëvendësuar në vitin 2025 ngre dyshimin nëse opozita “po hesht” kur socialistët po i zgjatin mandatin pasuesit të Elsa Toskës në mënyrë që ky precedent të aplikohet edhe për gjyqtaren e komentuar si “miqësore” ndaj opozitës, Sonila Bejtja.

A ka vërtet rëndësi? Kriza e vitit 2028

Siç parashtrohet nga analiza e fakteve, prishja e formulës së rifreskimit nuk është vetëm çështje kalendari apo radhë për respekt. Gjykata Kushtetuese me 9 anëtarë duhet të ruajë balancën e brendshme në çdo kohë, ku 3 anëtarë të jenë si emërime nga Presidenti, 3 nga Kuvendi dhe 3 nga Gjykata e Lartë. Shkatërrimi i këtij proporcioni mund të sjellë në një formë të paparashikuar që në një moment të caktuar, një nga këto 3 institucione të ketë emëruar më shumë gjyqtarë se të tjerët, çka mund të influencojë vendimmarrjet e Kushtetueses.

Nëse në vitin 2025 nuk zëvendësohen 3 gjyqtarë kushtetues, kjo mund të bëjë që në vitin 2028 të duhet rifreskimi i 4 apo 5 anëtarëve njëherësh të kësaj gjykate, çka mund të prodhojë një krizë, siç paralajmëron edhe Gjykata e Lartë.

“Ky proces kushtetues është i detyrueshëm për t’u kryer në kohë, si nga Gjykata e Lartë, ashtu edhe nga dy institucionet e tjera, me qëllim shmangien e çdo krize a tensioni që mund të krijohet”,- thuhet në komentin e dhënë nga kjo gjykatë për “INA Media”-n.

Gjykata e Lartë, e pyetur specifikisht për pasojat që mund të vijnë në vitin 2028, tha: “Misioni kryesor i Gjykatës Kushtetuese është të sigurojë epërsinë dhe stabilitetin e Kushtetutës, të ruajë ndarjen e pushteteve”.

Për këtë arsye, kjo gjykatë nënvizon se rregullat e ripërtëritjes së gjyqtarëve janë të paracaktuara për të siguruar që Gjykata Kushtetuese të mbetet funksionale dhe e balancuar në përbërjen e saj.

“Për të ruajtur funksionimin normal të Gjykatës Kushtetuese është detyrim kushtetues që organet emërtesë të tregojnë vëmendjen e duhur për të siguruar plotësimin e numrit të nevojshëm të gjyqtarëve çdo tre vjet, duke ruajtur rregullin e ripërtëritjes”,- përfundon komenti i Gjykatës së Lartë.

Këshilli i Emërimeve në Drejtësi, i cili filtron dhe rendit kandidatët para se të vendosë Presidenti, Kuvendi apo Gjykata e Lartë, tha për “INA Media”-n se“çdo tre vjet (viti 2025, 2028 e në vijim) ripërtëritja kthehet në normalitet”.

Në mbledhjen e Këshillit të Emërimeve në Drejtësi të datës 11 nëntor të këtij viti mësohet se përfaqësuesja e OPDAT, mision i Ambasadës Amerikane që mbikëqyr dhe asiston sistemin e drejtësisë,  ka theksuar se “është e rëndësishme që të respektohet parimi kushtetues i përtëritjes së Gjykatës Kushtetuese me tre anëtarë çdo tre vjet”.

Edhe opinioni i Komisionit të Venecias i qershorit 2020, në pikën 18, thotë se “në këtë mënyrë, pika 3 e nenit 179, synonte të rikrijonte tre grupe me nga tre gjyqtarë, mandati i të cilëve do të përfundonte në të njëjtin vit: tre në 2025-n, tre në 2028-n dhe tre në 2031-shin”.

Por ndryshe nga të gjithë këta aktorë, Gazment Bardhi mendon se në vitin 2025 duhet të ikë vetëm kryetarja e gjykatës, Holta Zaçaj.

“Ripërtëritja e Gjykatës Kushtetuese ka një rëndësi thelbësore për të garantuar koherencën e vendimmarrjeve të Gjykatës Kushtetuese”,- tha Bardhi në reagimin e tij për “INA Media”-n, por ai shtoi se“ kjo prishje skeme erdhi si pasojë e shkarkimeve nga vettingu, të cilat nuk ishin parashikuar nga kushtetutëbërësi”.

Ndaj ai sugjeron që skema të korrigjohet “përpara vitit 2028 përmes ndryshimeve tranzitore kushtetuese”.

Në përfundim, teksa aktorët politikë mund të kenë interpretime apo interesa të ndryshme, një prej zërave më autoritarë në leximin e Kushtetutës dhe e distancuar politikisht, prof. Aurela Anastasi, thekson se është Gjykata Kushtetuese ajo që duhet “ta shpëtojë veten”.

“Respektimi dhe ruajtja e rregullit të përtëritjes nga Gjykata Kushtetuese nuk lejon që organet e emërtesës të ndërhyjnë dhe të prishin këtë radhë. Organet e emërtesës kanë detyrë t’i binden rregullit të mbajtur nga Gjykata Kushtetuese”, – gjykon Aurela Anastasi, pedagoge e të drejtës kushtetuese në Fakultetin e Drejtësisë.

Deputetët e vetëm që kishin një mendim mbi emërimet në Gjykatën Kushtetuese:

Agron Shehaj – Partia Demokratike – larguar

Arbi Agalliu – Partia Demokratike – larguar

Enkelejd Alibeaj – Partia Demokratike – larguar

Lulzim Basha – Partia Demokratike – larguar

Dashamir Shehi – Lëvizja për Zhvillim Kombëtar – Partia Demokratike

Edi Paloka – Partia Demokratike

Dhurata Çupi – Partia Demokratike

Gazment Bardhi – Partia Demokratike

Oerd Bylykbashi – Partia Demokratike

Petrit Vasili – Partia e Lirisë

Toni Gogu – Partia Socialiste

Bujar Çela – Partia Socialiste

Ilir Metaj – Partia Socialiste.

InaMedia

‘Tak-Tak-u’ i SPAK-ut në derën e Erjon Veliajt!

Nga Namir Lapardhaja

Ashtu siç pritej, SPAK ka trokitur në derën e Erjon Veliajt.
I akuzuar për inceneratorin e Tiranës dhe për skemën korruptive të 5D, politikani që administron buxhetin e dytë më të madh në vend, pas qeverisë, duhet të përgjigjet përpara drejtësisë.
Më herët ndaj tij Prokuroria e Posaçme ka regjistruar një hetim pasuror, ashtu siç ka bërë edhe në raste të tjera, sipas parimit ‘ndiq paranë’.

Është e qartë se anatemuesit e SPAK-ut dhe ata që tjerrin në media variantin e hetimeve me regji do ta relativizojnë këtë çështje, duke e paraqitur si një përplasje të brendshme mes klaneve të PS-së apo si një ‘tradhëti’ të Edi Ramës për të shpëtuar veten.

Gjithmonë ka një pjesë që e beson këtë variant përderisa ka të ‘apasionuar’ pas teorive konspirative, duke e shpjeguar gjithçka pas skemave të gatshme të këtyre teorive, mirëpo ajo që po ndodh në realitet mund të besohet vetëm nga ata që u trokasin hetuesit e BKH-së dhe prokurorët e SPAK-ut në derë.

Familjarët e Veliajt edhe mund të mos ia kenë hapur derën atyre, por kjo nuk është më çështje dëshire. Është një realitet me të cilin duhet përballur.

Fatkeqësisht Veliajn nuk mund ta shpëtojnë as sulmet e Berishës dhe Metës ndaj Prokurorisë së Posaçme, as vendosja në krye të Komisionit ANTI SPAK të besnikut të tij Fatmir Xhafaj.
Është shumë vonë.

Në PS mund të trokiten gotat për këtë ‘fitore’ të sotme, ashtu siç mund të ketë bërë dikur Veliaj kur u godit Saimir Tahiri.

Por të mos harrojnë: Veliaj nuk është i fundit që do të bjerë në rrjetën e SPAK-ut, kështu që ‘mos u gëzo o i gëzuar dhe mos u hidhëro o i hidhëruar’.

Agjentët e BKH mësyjnë shtëpinë e Erion Veliajt për kontroll, familjarët nuk pranojnë të hapin derën

Oficerë të Byrosë Kombëtare të Hetimit kanë mësyrë që në orët e para të mëngjesit për kontroll në banesën e kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj.

5 oficerë të BKH-së, me mandate kontrolli, kanë shkuar rreth orës 8 të mëngjesit në banesën e Veliajt, por janë përballur me një situatë të pazakontë, pasi kryebashkiaku apo familjarë të tij, nuk kanë pranuar t’u hapin derën për kontroll.

Vetëm pas mbi 1 orë pritje, oficerët e BKH janë futur për kontroll në banesën e kryebashkiakut ku ndodhen edhe aktualisht.

Erion Veliaj po hetohet nga SPAK për aferën e inceneratorëve, aferën 5D, por edhe në hetim pasuror së bashku me familjen.

Nevoja për reformim përpara kolapsit financiar të Bashkisë Vlorë!

Nga Gjergji Nika

Grupi i këshilltarëve bashkiakë të Partisë Demokratike – Demokratët Euroatlantikë ngre alarmin mbi situatën e rënduar financiare në Bashkinë Vlorë. Brenda një periudhe katërvjeçare, pesha e shpenzimeve për paga dhe sigurime shoqërore ka pësuar një rritje të frikshme, nga 38% në 54% të buxhetit total.
Kjo rritje është rezultat i një organigrame të fryrë në mënyrë të qëllimshme, pa u mbështetur në nevojat reale të qytetarëve apo në një vizion të qëndrueshëm për të ardhmen.

Në vitin 2015, shpenzimet për personelin përfaqësonin vetëm 18.5% të buxhetit të bashkisë, ndërsa sot ato kanë arritur nivele të papranueshme, duke rënduar financat vendore dhe duke kufizuar në mënyrë drastike investimet që i shërbejnë qytetarëve. Për 8 muajt e parë të vitit 2024, investimet përbënin vetëm 9% të shpenzimeve totale, një shifër që bie ndesh me nevojat dhe pritshmëritë e qytetarëve të Vlorës.

Sot, qytetarët paguajnë më shumë taksa dhe tarifa, por marrin më pak shërbime. Në vend që të përmirësohen shërbimet, buxheti po përdoret për të mbështetur një administratë të fryrë, e cila në shumë raste shërben si rrjet për militantizmin politik dhe jo për të përmbushur funksionet publike.

Ne konstatojmë që bashkia Vlorë ka nevojë për reformim, pasi ndodhet përpara kolapsit financiar.
Kjo situatë është pasojë direkte e vendimeve të papërgjegjshme të këshillave bashkiakë ndër vite, të cilët kanë miratuar propozimet e kryetarëve të bashkive pa i analizuar thellësisht ndikimet financiare dhe pa vënë interesin e qytetarëve në qendër.
Këshillat bashkiakë duhet të jenë struktura të pavarura, me përgjegjshmëri kushtetuese për të kontrolluar dhe kufizuar abuzimet me burimet publike.

Fryrja e organigramave për qëllime elektorale dhe për të mbajtur premtimet e fushatave është një abuzim i hapur ndaj besimit të qytetarëve. Në vend të hapjes së vendeve të punës në administratë, duhet të krijohen mundësi për zhvillimin e sektorit privat, duke përmirësuar klimën e biznesit dhe duke nxitur investimet.

Kërkesat tona për të ndëmarrë reforma janë të qarta, konkrete dhe të realizueshme. Mjafton të ketë vullnet nga kryetari i bashkisë dhe gjendja mund të përmirësohet ndjeshëm.
Ne ofrojmë propozimet tona për të parandaluar kolapsin financiar të Bashkisë Vlorë, si më poshtë:

1. Reduktim i numrit të punonjësve dhe rritje e eficiencës. Administrata e bashkisë duhet të strukturohet bazuar në nevojat reale dhe jo në interesat elektorale.

2. Prioritizimi i investimeve publike. Buxheti i bashkisë duhet të fokusohet tek përmirësimi i infrastrukturës dhe shërbimeve për qytetarët.

3. Luftë kundër korrupsionit. Transparenca dhe përgjegjshmëria janë parakushtet për të ndaluar abuzimet me burimet publike.

4. Rritja e autonomisë vendore. Vendimet për punësime dhe investime duhet të bazohen në interesin publik dhe jo në ndërhyrjet nga qeverisja qendrore.

Ne si grup këshilltarësh angazhohemi të veprojmë në mënyrë të vendosur për të ndaluar keqmenaxhimin e buxhetit dhe për të mbrojtur interesat e qytetarëve të Vlorës. I bëjmë thirrje të gjithë aktorëve institucionalë dhe politikë që të ndalojnë abuzimet dhe të vendosin interesin e qytetarëve mbi interesat personale apo partiake.
Mosveprimi sot do të çojë Bashkinë e Vlorës drejt një kolapsi financiar me buxhetin e vitit 2025, duke rënduar më tej barrën mbi qytetarët tanë.

Mirela Karabina: Tallet Rama, jo vetëm TikTok, por dhe prindërit që nuk dëgjojnë mësuesit paskan “faj”

Nga Mirela Karabina

Propaganda e Edi Ramës për të mbuluar dështimet në arsim, nuk kursen askënd.

Ngjarjen tragjike në shkollën “Fan Noli” në Tiranë që dëshmoi se sa të pasiguta janë shkollat dhe kujdesi i munguar ndaj fëmijëve, po e përdor si alibi që të bëj gjoja dëgjesa me mësues e prindër se si të jenë shkollat të sigurta, ku flet e vendos vetë dhe “gjen” dhe fajtorët madje, tani jo vetëm TikTok “ngatërron” fëmijët por dhe prindërit që duhet të dëgjojnë mësuesit.

Këtë tha në “dëgjesën” në Kamëz me mësues e prindër, me një intonacion pa ngjyrë e të ngadaltë, Rama fliste si “ e ëma Zeqos në majë të thanës”, kalonte nga në degë në tjetrën pa marrë asnjë përgjegjësi.

E nisi me akuzën për TikTok si “fajtor” ; te konsolidimi” i mësuesve që paska ndodhur sipas tij; pastaj fliste për suksesin e shkollës së drejtorëve të cilën në fakt e rregulloi me ligj duke shpërfilluar programet universitare kur erdhi në pushtet;
u mburr që kishin ndërtuar palestër në shkollë që në fakt nuk mbulon dot nevojat e saj dhe fushat sportive të shkollave janë gllabëruar në metra katrorë ndërtim; iu “turr” prindërve që duhet të dëgjojnë e të pranojnë kritikat e mësuesit; kaloi te numri i psikologëve në shkolla që do të rritet thotë; te oficerët e sigurisë dhe digjitalizimi i tyre që do të ndodhte dhe do të rriste sigurinë; jepte këshilla për celularin që nuk duhet të merret në klasë, e pastaj kaloi përsëri te TikTok, pra, rrotullonte e rrotullonte fjalët si “punë” për të mbaruar.

12 vite në pushtet e dështim në arsim, “PISA 2022” dhe Raporti i Bankës Botërore 2024 kanë zhveshur propagandën e Ramës tashmë, dhe sot ai nuk ka më besueshmërinë t’i japë mend mësuesve dhe prindërve dhe sidomos pa dhënë asnjë shpjegim se pse mësuesit vazhdojnë të punojnë në kushte të vështira e nxënësit me turne, shkollat nuk janë të sigurta e me infrastrukturë shkollore të munguar për veprimtari praktike që ndikon në aftësimin e nxënësve, e jo më ajo digjitale që ekziston vetëm në propagandën e qeverisë.

Shkollën e ka “marrë lumi”, gjendjen e rëndë të cilësisë e sigurisë në shkolla dhe dështimin në arsim, Edi Rama nuk e mbulon dot më, aq më tepër para mësuesve dhe prindërve që janë ndër “viktimat” e drejtëpërdrejta të reformave të dështuara të tij në arsim.

Edi Rama nuk bëri gjë tjëtër sot, por me paqartësinë e tij dëshmoi edhe njëhërë se sa rëndë është gjendja në arsim dhe sa i papërgjegjshëm është ky kryeministër.