6.5 C
Tirana
E mërkurë, 5 Nëntor, 2025

Basha: Terror policor për dëshmitarin X që u përgjua me Xhafën dhe familjen e tij

Kryetari i PD, Lulzim Basha deklaroi gjatë fjalës së tij në Kuvend se Policia e Xhafës po ushtron terror ndaj dëshmitarit X që u përgjua me Xhafën dhe familjen e tij.
Duke folur në parlament, Basha është shprehur se ‘Agron Xhafa nëpërmjet vëllait ministër, Fatmir Xhafajt ka emëruar drejtorin e Policisë së Shtetit dhe atë të Vlorës.
Pas publikimit të videos e gjithë policia e Vlorës është vënë në kërkim të “bashkëpunëtorit X”. Kjo provon ekzistencën e tij dhe të vërtetësisë së audio-përgjimit.
Sot pasuritë e familjes Xhafaj duhet të ishin në hetim sipas ligjit Antimafia por dje Agron Xhafaj është përcjellë në Itali fshehtas dhe me urgjencë’, është shprehur gjatë fjalës së tij kreu i opozitës, Lulzim Basha.
Pjesë nga fjala e Bashës në Kuvend
Prej 9 ditësh shqiptarët dhe opinioni ndërkombëtar kanë dëgjuar fakte të pranuara edhe nga vetë Fatmir Xhafaj. Fakti se Agron Xhafaj u kap në një operacion ndërkombëtar të trafikut të drogës nga policia italiane dhe DEA amerikane, u mohua për vite me radhë.

Fakti se Agron Xhafaj është dënuar me vendim të formës së prerë 7 vjet e dy muaj për pjesëmarrje në grup të strukturuar kriminal u mohua 5 vite dhe u pranua sot.
Fakti se ai i ka ikur drejtësisë dhe ka pasur avokat të pajtuar vetë por ka vendosur ti ikë ti bëjë bisht drejtësisë. Është fakt se Agron Xhafaj nuk ka vuajtur asnjë ditë dënim. Është fakt se deri para dy ditësh deri dje Agron Xhafaj ishte në Vlorë.
Është fakt se ndërroi identitetin e tij në Geron. Është fakt me zë dhe figurë se e vazhdon trafikun kriminal të trafikut të drogës.
9 ditë pas asnjë përgjigje pa asnjë qëndrim dhe dje papritur Agron Xhafaj niset fshehtas dhe me urgjencë në Itali jo siç ekstradohen të dënuarit me pranga në duar dhe të shoqëruar, por me avionin e linjës dhe u përshëndet me qetësi me policët dhe hipi në avion.
5 vjet pa i hyrë gjemb në kokë dhe pasi u konfirmuan faktet si kokën e krimit të organizuar në Vlorë përcillet me mallëngjim në Itali. Çfarë fshihet pas kësaj ngjarje pas kësaj ngutjeje? Policia duhet ta kishte ndalur, prokuroria duhet ta kishte hetuar, por Policia ka marrë një urdhër nga vëllezërit Xhafaj.
Prej 72 orësh dëshmitari X dhe familja e tij janë nën presionin e dyfishtë të bandës Xhafës dhe presionit e terrorit policor. E gjithë policia është vënë pas familjes së dëshmitarit dhe vetë atij.

Ish-ministri: Rama e ka të regjistruar në memorie zërin e Gon Xhafajt prandaj e nisi në Itali

Ish-ministri i Drejtësisë, Ylli Manjani ka komentuar sot nëpërmjet një statusi në Facebook, mbi autenticitetin e audio-përgjimit që PD denoncoi për vëllanë e ministrit të Brendshëm, Fatmir Xhafaj. Manjani shtron pyetjen pse nuk u verifikua zëri i Agron Xhafajt në audio me origjinalin.
”Krahasimi i zërit të personit me atë të audios është jetik dhe shkencërisht i njëjtë me testin e ADN. Ky verifikim nuk mund të jetë bërë sepse “origjinali” iku në Itali pa filluar proçedimi penal nga Prokuroria”, shkruan ai.
Në vijim të logjikës që shtron, ish-ministri i Drejtësi, pyet si doli në konkluzionin kryeministri Edi Rama, kur deklaroi i bindur, se audio-përgjimi nuk është autentik?
”Ka vetëm një shpjegim: duhet ta ketë të regjistruar mirë në vesh e në memorie zërin e “origjinalit”.
Postimi i plotë i Manjanit në Facebook
Mbi autenticitetin.
Që një audio apo video para se të transmetohet në publik përpunohet, kjo dihet. Nëse pyetja është a është ndërhyrë në audio apo jo, përgjigja është gjithnjë PO!
Por nuk është kjo çështja. Çështja është a u verifikua zëri në audio me origjinalin?
Krahasimi i zërit të personit me atë të audios është jetik dhe shkencërisht i njëjtë me testin e ADN.
Ky verifikim nuk mund të jetë bërë sepse “origjinali” iku në Itali pa filluar proçedimi penal nga Prokuroria.
Atëherë, si Kryeministri doli në konkluzionin se nuk është autentike?!
Ka vetëm një spjegim: duhet ta ketë të rregjistruar mirë në vesh e në memorie zërin e “origjinalit”…
Kështu që mbase duhet duhet krahasuar zëri në audio me atë që ka në vesh Rama.
Faqja e zezë!

Kush është personi që goditi makinën e Policisë dhe u kap mbrëmë me armë pa leje

Kelmend Xhaferri është arrestuar nga ana e policisë së Elbasanit nën akuzën “armëmbajtje pa leje”. Arrestimi i tij u bë mbrëmë në lagjen “5 Maji”. Arma që mbante i arrestuari ishte si ato që përdor policia.
Xhaferri konsiston me precedent penal. 36-vjeçari është një nga personat që u arrestua më 18 shtator të vitit të kaluar pas incidentit të rëndë me policinë te Tregu Agro Ushqimor në lagjen “Dyli Haxhire” ku u godit nga një automjet i blinduar makina e zv.Drejtorit të Policisë së Elbasanit, Gjergji Oshafi.
Ai ishte personi që drejtonte makinën luksoze Ranger Rover me targa AA 040 OJ me vlerë 100.000 Euro, bllokimi i së cilës u bë shkas për përplasjen me policinë.
Po ashtu rreth 7 muaj më parë gjatë kontrollit të banesës, të ushtruar nga efektivat e policisë grupi hetimor ka gjetur dhe sekuestruar në cilësinë e provës materiale: Një pushkë sportive pa leje, megjithatë u la i lirë nga policia. Xhaferri u arrestua mbrëmë në flagrancë dhe akuzohet për veprën penale “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve të gjuetisë dhe sportive”.

Prokurorja e çiftit Gashi-Gina, lidhje biznesi me deputetin e shkarkuar, Shkëlqim Selami

Prokurorja Rovena Gashi dhe bashkëshorti i saj, Dritan Gina, janë hetuar për rreth dy muaj nga prokurorja e Durrësit, Ornela Rrumbullaku, bashkëshorti i së cilës është ortak biznesi me vëllain e ish-deputetit Shkëlqim Selami. Ky i fundit humbi mandatin e deputetit për shkak të Dekriminalizimit, në bazë të verifikimeve të kryera nga struktura e drejtuar pikërisht nga Rovena Gashi.
Ornela Rrumbullaku është një prokurore e komanduar në Prokurorinë e Durrësit, e cila po trajton disa nga çështjet që kanë një interes të veçantë për Kryeprokuroren e Përkoshhme, Arta Marku. Madje, ishte kjo e fundit që, sapo mori detyrën në krye të institucionit, firmosi lëvizjen e Rrumbullakut nga Kavaja për në Prokurorinë e Durrësit.
Por, “Boldnews.al” ka zbuluar një skemë, e cila lidhet me politikën në këtë lëvizje, e cila duket si “rutinore”. Por që vetëm e tillë nuk është. Kryeprokurorja Arta Marku, në kundërshtim me ligjin, hoqi nga detyra ish-drejtuesin e Prokurorisë së Durrësit dhe e zëvendësoi me mikeshën e saj, Donika Prela. Po në kundërshtim me ligjin dhe me premtimin e saj para Komisionit të Ligjeve që nuk do të kryente më komandime, ajo komandoi prokuroren Ornela Rrumbullaku në Prokurorinë e Durrësit. Mesa duket, synimi ka qenë përgatitja e terrenit të përshtatshëm nga ana e Kryeprokurores së Përkohshme.
Prokurorja Rrumbullaku u ngarkua me disa nga hetimet më mediatike të momentit- hetimin për ekstadimin e “financierit të Habilajve”, Nezar Seitit dhe hetimin për çiftin e prokurorëve Rovena Gashi dhe Dritan Gina.

Kjo zgjedhje nuk duket se ka qenë rastësore. “Boldnews.al” ka siguruar dokumenta, në të cilat rezulton se bashkëshorti i prokurores Ornela Rrumbullaku, Alban Mësonjësi është bashkëpronar në aktivitetin privat “Instituti Privat i Vuajtjes së Dënimit Sarandë” me shtetasin Adriatik Selami. Ky i fundit është vëllai i ish-deputetit Shkëlqim Selami, i cili humbi mandatin për shkak se prokurorja Rovena Gashi konstatoi se ai ishte në shkelje të ligjit “Për dekriminalizimin”.
Shkëlqim Selami, i cili mori mandatin e deputetit nga Lëvizja Socialiste për Integrim, ndryshoi rrugës dhe u afrua shumë me Partinë Socialiste. Madje, edhe anëtarët e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, të cilët janë zgjedhur me mbështetjen e PS, votuan kundër ndërprerjes së mandatit të tij, i cili gjithësesi u shkarkua për shkak të numrit më të lartë të votave të opozitës së djathë në KQZ.
Bashkëshorti i prokurores së “hetimeve të rëndësishme” të Prokurorisë së Durrësit, Alban Mësonjësi, ka nisur aktivitetin e përbashkët privat me Adriatik Selamin, vëllain e ish-deputetit Shkëlqim Selami në shtator 2014 dhe vijojnë të jenë ende bashkëpronarë.
Duket qartë se Kryeprokurorja e Përkohshme Arta Marku ka zgjedhur njerëzit e duhur për të përmbushur hakmarrjen e saj ndaj çiftit Gashi-Gina, të cilët u përplasën ashpër ligjërisht dhe institucionalisht me Kryeprokuroren e Përkohshme. Arta Marku, në mënyrë të kundërligjshme caktoi kryeprokuroren e Durrësit, Donika Prela, e cila rezultoi shumë e bindur për çdo kërkesë të shefes së saj në hetimin e bashkëshortëve prokurorë. Gjithashtu, Prelës i atashoi prokuroren Ornela Rrumbullaku, bashkëshorti i të cilës fiton para me familjarë të personave të penalizuar nga prokurorja Rovena Gashi.

“Boldnews.al”

Çfarë i bën trupit tuaj agjërimi

The Independent
Teksa mbi një miliardë myslimanët e botës kanë nisur agjërimin në Muajin e Shenjtë të Ramazanit – një prej pesë kolonave të Islamit – ka disa shqetësime se ky vit mund të jetë veçanërisht sfidues, teksa ndjekësit do të duhet të rrijnë nganjëherë deri 17 orë në ditë pa ushqim dhe ujë, si një test i forcës personale dhe komunikimit me Allahun.
Megjithatë, nëse bëhet ashtu si duhet – dhe nëse myslimanët e kanë përgatitur mendjen dhe trupin e tyre në prag të muajit të shenjtë – Ramazani mund të ketë shumë të mira nga pikëpamja shëndetësore.
Pavarësisht se mund të ndihet një farë dhembje zemre, irritueshmëri, dehidratim dhe rënie e niveleve të përqëndrimit – të gjitha të pritshme – Dr. Razeen Mahroof, një anestezist nga Oksfordi, ka ndihmuar Institutin Kombëtar të Shëndetit në Britani me një udhërrëfyes për një agjërim të suksesshëm gjatë ramazanit, dhe thotë se kjo kohë e vitit nuk mendohet gjithmonë si një mënyrë për të humbur peshë, sepse aspekti spiritual theksohet më shumë se sa aspekti shëndetësor. Megjithatë, shton ai, “është një shans shumë i mirë për të patur edhe dobi fizike”.
Një prej keqkuptimeve më të përhapur për Ramazanin është se të gjithë myslimanët duhet të marrin pjesë. Megjithatë, nuk është kështu për të sëmurët dhe të dobëtit, dhe ka përjashtime, duke përfshirë gratë shtatzëna, të moshuarit dhe shumë të rinjtë. Kështu që, për ata që e praktikojnë këtë vit, ka disa të mira shëndetësore që mund të nxirren prej agjërimit nëse bëhet në mënyrën e duhur, dhe nëse ruhet një dietë e mirë jashtë kohës nga lindja deri në perëndim të diellit.
Me ditën e agjërimit që zgjat nga lindja e diellit deri në perëndim, energjia e trupit mund të zëvendësohet në dy vaktet në ditë që mund të kenë myslimanët. Eshtë e rëndësishme të merren ushqime nga të pesë grupet e mëdha ushqimore, dhe kjo do të orfojë një tranzicion më të mirë, se sa përdorimi i dhjamit për të djegur energjinë. Kjo do të thotë se mund të humbasësh peshë, mund të ruash muskujt, nivelet e kolesterolit mund të bien, dhe mund të kesh më shumë kontroll mbi diabetin dhe tensionin e gjakut.
Po kështu, disa ditë pas fillimit të Ramazanit, trupi nis të përshtatet me modelin e ri të ngrënies dhe pirjes, teksa në gjak shfaqen nivele më të lartë të endorfinës, gjë që i bën agjëruesit më të vëmendshëm, më të lumtur dhe u japin një ndjesi të përgjithshme të një shëndeti më të mirë mendor.
Në tërësi, myslimanët që zgjedhin të agjërojnë duhet të shmangin ushqime me shumë dhjamë dhe shumë të skuqur. Thyerja e agjërimit në iftar me pije qumështore dhe të ëmbla është e zakonshme, dhe ofron energjinë e shumëdëshiruar pas ditës së agjërimit. Të pirit e sasive të mëdha të ujit për ri-hidratim do të sigurojë rigjallërimin e trupit.

Intervista e pa botuar e Nolit: Po internojmë kosovarët. I quante kosoviotë

Gazeta serbe “Vreme” në numrin e 13 shtatorit të 1924, kishte botuar në faqen 3 një intervistë me kryeministrin e Shqipërisë Fan Nolin. Intervista ishte realizuar në hotelin “Rusia” në Gjenevë nga R. Josimoviqi dhe u botua me titullin “Një orë me Musolinin shqiptar”
Gazeta, në fillim, jep biografi të shkurtër të Nolit, që kryeministri shqiptar ja kishte dëftuar gazetarit serb.
Noli ose “thrakasi i arsimuar në Amerikë”, përshkruhet si njeri me kulturë dhe kundërshtar i Ahmet Zogut.
Intervista fokusohet në disa çështje: te raportet me Mbretërinë Serbe – Kroate dhe Sllovene (SKS), “bandat e kaçakëve” që e shqetësonin Mbretërisë SKS, krijimin e një konfederate ballkanike etj.
Noli përgjigjet me shumë diplomaci dhe shpesh herë flet për krijimin e raporteve të mira që duhen ndërtuar ndërmjet Shqipërisë dhe Mbretërisë SKS.
“Nga ana jonë ne duam raporte të mira fqinjësie me Mbretërinë Serbe Kroate Sllovene, sepse na duhet paqja për organizimin e shtetit dhe zhvillimin e tij ekonomik. Për sa më përket mua nuk shoh ndonjë shkak që dy vendet tona të mos kenë raporte miqësore. Si shtete fqinje ne kemi interesa të përbashkët, kurse si popuj ballkanikë, dhe kjo duhet theksuar dhe përsëritur, ne kemi edhe afërsi gjaku. Ka shumë gjak ilir dhe shqiptar në ju, ashtu sikurse ka gjak sllav në venat tona. Përndryshe, nuk ka racë të pastër”, i thotë Noli gazetës “Vreme”.
Noli flet edhe për shqetësimin serb për ndërhyrjet e çetave bullgare dhe çetave të Komitetit Kosovar nga Shqipëria në territorin nën juridiksionin e SKS-së.

Ai thotë se prej se qeveria e re ka ardhur në pushtet ka dëbuar bullgarët e dyshimtë dhe ka internuar të gjithë shqiptarët që dyshoheshin se kishin bashkëpunuar me bullgarët. Sipas Nolit u ishte dhënë urdhër të gjithë prefektëve që të merrnin masa të rrepta kundër të gjithë atyre që dëshironin ta shfrytëzonin territorin shqiptar si një bazë për të shkaktuar trazira në vendet fqinje, qofshin këta të huaj ose shqiptarë.
Pikërisht para pak ditësh, thotë Noli në intervistë, qeveria pengoi gjashtë bullgarë me pasaporta të rregullta që të hynin në Shqipëri, sepse qeveria shqiptare nuk kishte qenë e bindur për qëllimet e udhëtimit të tyre.
“Asnjë bullgar nuk mund të marrë vizë pa miratimin e Ministrisë sonë të Jashtme”. Noli flet edhe për veprimtarinë e shqiptarëve të Kosovës, që e shqetësonin Mbretërinë SKS.
“Për sa u përket Kosoviotëve (kështu i quan Noli anëtarët e Komitetit Kosovar), qeveria i ka marrë të gjitha masat që të jenë të qetë dhe u bind juve se do të jenë të qetë. Nëse nuk do të jenë të tillë, atëherë qeveria është aq e fortë që të ndërmarrë masa kundër tyre. Një vend i vogël dhe i varfër si yni, nuk mund t’i lejojë vetes luksin e iredentizmit. Nëse ju dëshironi që Kosoviotët të mos jenë shkak i trazirave dhe urrejtjes, ju duhet të silleni mirë ndaj pakicës shqiptare brenda mbretërisë. Unë konstatoj me kënaqësi se kohëve të fundit edhe vetë qeveria e z. Pashiq e ka ndryshuar politikën kundrejt shqiptarëve në Kosovë dhe kam dëgjuar nga Kosoviotët, që janë tek ne, se autoritetet lokale sillen mirë me shqiptarët në territorin tuaj. Shpresoj se qeveria e re do të vazhdoj me të njëjtët hapa politikë, që është në interes të të dy vendeve”.

Noli kishte folur edhe për veprimtarinë e Bajram Currit, për të cilin kishte treguar interesim gazetari serb.
“Vetë Bajram Curri, për të cilin më pyetët tani, është plak dhe vetëm dëshiron të pushojë, e përndryshe të gjitha qeveritë shqiptare kanë ndikuar me masë te kosoviotët”.
Noli flet edhe për çështjen e kufinjve, veçanërisht për Shën Naumin dhe Vermoshin, si dy territore kontestuese.
“Ne nuk jemi të kënaqur me kufirin absurd qe na e caktuan fuqitë e mëdha. Humbëm shumë territore dhe shumica e territoreve janë me shumicë shqiptare. Le të flasim vetëm për rajonin e Gjakovës. Ju e dini se e morët vetëm falë manastirit tuaj historik në Deçan, përkundër faktit se e gjithë popullata është shqiptare, përveç 30 familjeve (serbe – S.S.) në këtë rajon. Pjesët tjera të Kosovës që i morët kanë 85 deri 90 përqind popullatë shqiptare. Por ne jemi pajtuar me këtë, edhe pse e dimë se kemi lënë jashtë më shumë shqiptarë se sa ka brenda kufinjve tanë. Prandaj ju që jeni 16 herë më në numër dhe 50 herë më të pasur duhet që të pajtoheni nëse Shën Naumi dhe Vermoshi na takojnë neve me vendim të fuqive të mëdha. Ju jeni mjaftueshëm të mëdhenj që të jeni zemërgjerë. Për mua është absurde dhe qesharake që një mbretëri e madhe sikurse SKS të merret me Shqipërinë për një mal të pavlerë sikurse Vermoshi apo për një manastir të mjerë sikurse Shën Naumi”.
Fan Noli flet në vazhdim për dëshirën e qeverisë shqiptare për këmbime tregtare me SKS, që është “më shumë në interes të Shqipërisë”.
“Sikurse e dini, malësorët tanë nga lindja dhe veri – lindja janë ndarë me kufinj nga tregjet e natyrshme në Strugë, Dibër, Prizren, Gjakovë dhe Pejë. Një malësor nga prefekturat tona kosovare, tani kur kufiri është mbyllur, duhet të udhëtojë katër ditë deri në Shkodër që të blejë krip e misër”.

Noli në këtë intervistë shprehet pro konfederatës ballkanike. Ai thotë se Shqipëria e dëshiron një konfederatë të këtillë.
“Konfederata Ballkanike është një ideal për të cilin duhet që të punojmë të gjithë. Ajo do t’u mundësonte shteteve ballkanike t’i pakësonin harxhimet për ushtrinë dhe të kursenin paratë për zhvillim ekonomik. E di se ka shumë vështirësi, por ja vlen që të provohet. Mund ta fillojmë me një takim kryeministrash të vendeve ballkanike që do të bisedonin për çdo mosmarrëveshje dhe të arrinin deri te një marrëveshje miqësore entente cardinale”.
Në këtë intervistë ai flet edhe për situatën e brendshme në Shqipëri. Ai jep një pasqyrë të gjendjes në Shqipëri para revolucionit ku kishim, sikurse thotë Noli, një jetë sipas rendit feudal dhe një qeveri jo efikase, e cila ishte e kontrolluar nga feudët. Këtë sipas Nolit e rëzoi revolucioni. Bejlerët u përzunë nga vendi kurse toka iu nda fshatarëve.
“Ky është fillimi i emancipimit politik, ekonomik dhe social i Shqipërisë”.
Noli rrëfen se Kuvendi ishte shpërbërë dy ditë pas revolucionit të udhëhequr prej tij dhe nuk do të formohej.
“Tani qeverisim pa Parlament, që ka shumë anë pozitive. Për shembull: përgjatë tri viteve Parlamenti synoi ekuilibrimin e buxhetit duke e zvogëluar numrin e madh të nëpunësve, si dhe rrogat e tyre ekstravagante në franga ari, të mëdha për një shtet të vogël si i yni (…) Për katër javë pa Parlament ne këtë e bëmë dhe shpresoj se me kursime radikale do ta ekuilibrojmë buxhetin deri në fund të vitit”.
Sipas Nolit edhe reforma agrare do të bëhej para se të themelohej Parlamenti, ashtu sikurse edhe reformat tjera të domosdoshme.
“Pasi t’i bëjmë të gjitha reformat, që do ta bëjnë Shqipërinë shtet modern, atëherë do të shpallim zgjedhje dhe do ta formojmë Parlamentin e ri, por assesi më parë”.
Gazeta e përfundon intervistën me pohimin e Nolit: “Kjo mund të zgjasë shumë, shtoi z. Noli në pyetjen time dhe buzëqeshi sinqerisht”.

“KDP”

Komuniteti Mysliman shkarkoi Gurrën, por Veliaj kërcënoi Komunitetin

Vetëm pak muaj më parë, Komuniteti Mysliman Shqiptar ka marrë vendim për të shkarkuar nga detyra, Myftiun e Tiranës, Ylli Gurra. Vendimi ka ardhur pas një sërë problemesh që Myftiu i Tiranës kishte shkaktuar me daljet publike në media pa autorizimin e Komunitetit Mysliman. Deklaratat kishin sjellë problem dhe kjo ka bërë që drejtuesit e Komuinitetit të merrnin një vendim të prerë në lidhje me këtë rast.
Në fakt distanca mes tyre u pa edhe tek një ceremoni e zhvilluar pak ditë më parë tek Vila e ish-diktatorit Enver Hoxha, tek ish- Blloku. Në atë ceremoni, kryeministri Rama u dha medalje falenderimi të gjithë kryetarëve të feve në vendin tonë. Por në vend që këtë medalje ta merrte kryetari i Komunitetit, Skënder Bruçaj, i cili ishte prezent, Rama ia dha Myftiut të Tiranës, Ylli Gurrës.
Denoncimi vijon më tej, pasi për shkak të këtij vendimi, është shantazhuar kryetari i Komunitetit Mysliman, Skënder Bruçaj, nga kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj. Ky i fundit e ka kërcënuar Bruçajn, me pezullim të lejes së godinës për Universitetin Beder, që ndodhet në Sauk. Fill pas këtij presioni, Bruçaj është tërhequr. Në fakt, leja për Universitetin Bedër ishte dhënë gjatë kohës së qeverisë Berisha, por ndërsa punimet vazhdonin, atëherë Veliaj i kërcënoi se do të pezullonte lejen e dhënë.

Heqja e stendës së librit çam, reagon Berisha: Rama ka urdhëruar një akt të turpshëm antikombëtar

Ish-Kryeministri Berisha ka reaguar lidhur me heqjen e stendës së librit çam nga Panairi i Librit. Ndërsa e konsideron një akt të pashembullt anti-kombëtar, Berisha shkruan në një postim në Facebook se, “në përputhje me marrëveshjen dhe pranimin e diktatit grek për të zhdukur nga çdo gjë tekstet, shkrimet, fjalorin e gjuhës shqipe, fjalët Çamëri dhe çam në territorin e Shqipërisë, Edvin Kristaq Rama ka urdhëruar një akt të turpshëm antikombëtar të hiqet nga panairi i librit, stenda e librit çam dhe baneri me fjalën Çamëri”.
Postimi i plotë i Berishës
Një akt i pashembullt antikombëtar!
Të dashur miq, në përputhje me marrëveshjen dhe pranimin e diktatit grek për të zhdukur nga çdo gjë tekstet, shkrimet, fjalorin e gjuhës shqipe, fjalët Çamëri dhe çam në territorin e Shqipërisë, Edvin Kristaq Rama ka urdhëruar në një akt të turpshëm antikombëtar të hiqet nga panairi i librit, stenda e librit çam dhe baneri me fjalën Çamëri.
Duke dënuar këtë akt të pashembullt në historinë tonë, të cilin as vetë Jorgo Zografi nuk e kishte ndërmarrë, u bëj thirrje shqiptarëve atdhetarë të ngrihemi në një revoltë të përgjithshme dhe të hedhim në koshin e tradhëtarëve të historisë Edvin Kristaq Ramën dhe klikën e tij! sb

Reagim i PD: Xhafaj frikë nga ligji anti-mafia, nuk tërhiqemi nga kërcënimet e një bande kriminale në qeveri

Partia Demokratike ka reaguar lidhur me deklaratat e ministrit të Brendshëm, Fatmir Xhafaj, duke bërë një paralelizëm mes tij dhe Sajmir Tahirit. Deputeti Enkelejd Alibeaj, tha në një konferencë për mediat se Xhafaj i bëri të qartë Ramës se largimi i tij do të thotë rrëzim për qeverinë.
“E vërteta është se materiali audio nuk bën një jetë normale, ai është drejtues i trafikut të drogës, me mbrojtjen e Ministrit të Brendshëm. Fatmir Xhafaj e di se i vëllai i tij merret me trafikun e drogës, veçanërisht gjatë kohës kur ministër i Brendshëm është ai.
Fatmir Xhafaj, njësoj si Edi Rama, nuk pati guximin të thotë asnjë fjalë lidhur me përgjegjësinë pse nuk zbatohet ligji anti-mafia.
Akuza e Fatmir Xhafajt është kriminale, kur thotë se opozita vepron për interesa kriminale, është njësoj sikundër deklaronte Edi Rama dhe Saimir Tahiri, kur ne denonconin trafikun e drogës, lidhjet me bandat kriminale dhe Habilajt.
Opozita është i vetmi autoritet në këtë vend që ka denoncuar lidhjet e krimit me qeverinë. Nuk na tremb dhe as nuk tërhiqemi kur na akuzojnë me burg, dhe nuk kërcënojnë me burg trafikantët e drogës”, tha Enkelejd Alibeaj.

Deklarata e plotë
Kushdo që ka parë sot Fatmir Xhafajn të bëjë viktimën e një komploti, i është kujtuar Saimir Tahiri që derdhte lot krokodili në të njëjtën natë që kërcënoi Edi Ramën se burgosja e tij ishte baraz rënien e qeverisë dhe Edi Ramën në burg!
Fatmir Xhafaj ndoshta nuk ka një dosje aq të pasur sa të Saimir Tahirit për Edi Ramën, por ai njësoj si Tahiri, paralajmëroi Ramën se largimi i tij do ta thotë rënie e qeverisë!
Për të bërë këtë kërcënim për Ramën, Ministri i Brendshëm akuzoi opozitën se po bashkëpunon me djallin për të rrëzuar qeverinë!
Por kjo është më e parëndësishmja dhe pjesë e luftës së tyre të brendshme për pushtetin e kriminalizuar deri në palcë!
E vërteta është se materiali audio provoi se Agron Xhafaj nuk bën një jetë normale, por është drejtues i trafikut të drogës, nën mbrojtjen e të vëllait Ministër i Brendshëm.
Fatmir Xhafaj, njësoj si Edi Rama, e di se përgjimi është i vërtetë dhe se Agron Xhafaj ka vazhduar trafikun e drogës, veçanërisht gjatë kohës që i vëllai është Ministër i Brendshëm. Kjo është arsyeja e vetme pse Agron Xhafaj u dërgua në Itali pa ia nxjerrë më parë opinionit publik me zë dhe me figurë! Shqiptarët duan të dëgjojnë vetë zërin e Agron Xhafajt dhe jo të dëgjojnë prej Edi Ramës apo Fatmir Xhafajt rezultate ekspertize nga laboratorë apo agjensi të paidentifikuara!

Fatmir Xhafaj pati guximin të flasë edhe për dhimbjen e tij si vëlla pse vëllai trafikant droge, më në fund po kryen dënimin e merituar, si çdo qytetar tjetër në të njëjtat rrethana. Por, njësoj si Edi Rama, Fatmir Xhafaj, nuk pati guximin të thotë asnjë fjalë ne deklaratën e tij për përgjegjësinë e tij direkte për moszbatimin e logjit Antimafia!
Është gënjeshtër dhe mashtrim përgjigja e tij se nuk është subjekt i ligjit Antimafia!
Është gënjeshtër dhe mashtrim se ai nuk i pengon hetimet për vëllain trafikant droge nga detyra e Ministrit të Brendshëm!
Është kriminale akuza e Fatmir Xhafajt se opozita vepron për llogari të interesave kriminale!
Është i njëjti qëndrim si i Saimir Tahirit dhe Edi Ramës, kur ne denoncuam kriminelët e Edi Ramës në parlament dhe bashki, kur denoncuam avionët e drogës, kur denoncuam kanabizimin e vendit, kur denoncuam se Saimir Tahiri kishte lidhje me bandat e trafikut te droges, kur denoncuam se është Edi Rama arkitekti i bashkëqeverisjes me krimin!
Opozita është i vetmi autoritet në këtë vend që ka denoncuar lidhjet e qeverisë Rama me krimin! Ne as nuk jemi trembur dhe as nuk tërhiqemi nga sulmet e një bande kriminale qeverisëse që kërcënon me burg opozitën, por jo kriminelët dhe trafikantët e drogës!
Beteja jonë do të vazhdojë me të njëjtën force.