19.5 C
Tirana
E martë, 20 Maj, 2025

Zhvlerësimi i papritur i valutës, Irani në krizë të thellë financiare

Çdo ditë, qindra iranianë ia mësyjnë rrugës Ferdowsi në Teheran për të blerë valuta të huaja. Por, tani qytetarët po i gjejnë shumicën e këmbimoreve të mbyllura dhe në hyrje të tyre po shkruan njoftimi “Nuk kemi dolloarë amerikanë për të shitur”.
Euforia kombëtare e blerjes së dollarit është në kulmin e saj, që po nxitet nga zhvlerësimi i rialit iranian dhe frikës se Shtetet e Bashkuara do të vendosin sanksione të reja mbi Republikën Islamike.
Valuta iraniane, rial ka rënë në shifra rekorde, teksa Qeveria ka vendosur që një dollar amerikan të këmbehet me 42 mijë rialë dhe ka vendosur kufizim për shumën e valutave të huaja që qytetarët mund të ruajnë jashtë bankave. Policia ka kontrolluar këmbimoret, për t’u siguruar që këmbimi i valutave të huaja nuk po bëhet jashtëligjshëm.
Ekonomistët thonë se këto masa është vështirë të mbahen. Këmbyesit e monedhave kanë mbledhur dollarë amerikanë dhe iranianëve që u duhet kjo valutë e huaj, po sfidojnë Qeverinë dhe po blejnë dollarë amerikanë në treg të zi, ku vlera është shumë e lartë.
“Disa ditë më parë shkova te disa këmbimore për të blerë 300 dollarë amerikanë. Por, nuk munda të blejë as 100 dollarë. Prandaj, u detyrove që këto t’i blej në treg të zi. Aty pagova 58 mijë rialë për 1 dollar”, thotë një biznesmen iranian, i cili ka folur për Radion Farda të REL-it në kushte anonomiteti.

‘Nuk ishim të përgatitur për këtë’
Masat e reja po prekin iranianët, të cilët studiojnë, udhëtojnë apo bëjnë biznes jashtë vendit, si dhe ata që kursimet e tyre i kanë në dollarë.
“Familja ime e ka dërguar vëllain për të studiuar jasht5. Ditën kur ai shkoi, kursi i këmbimit u bë 35 mijë rialë për një dollar. Tani, fatkeqësisht, dollari këmbehet me 60 mijë rialë”, thotë një iranian i ri, i cili nuk ka dashur të identifikohet.
“Tani, ne nuk mund t’i dërgojmë më para vëllait”, thotë ai, duke shtuar se “ne nuk ishim të përgatitur për këtë”.
Presidenti Hasan Rohani, që fitoi mandatin e dytë më 2017, kishte premtuar se do të hapte vende të reja të punës, në ekonominë e goditur nga recensioni.
“Një nga arsyet që kam votuar për Rohanin ishte se mendoja se ai mund ta përmirësonte ekonominë. Por, në muajt e fundit kemi parë, për fat të keq, se administrata nuk ka politikat apo aftësitë e duhura për të përmirësuar ekonominë”, thotë ky i ri iranian.
‘Stuhia e përsosur e valutës’
Valuta e Iranit ka humbur përafërsisht gjysmën e vlerës së saj në tregun e lirë që prej shtatorit të vitit të kaluar. Këmbimi me dollar amerikan arritur shifrën rekorde javën e kaluar, ku një dollar këmbehej për 60 mijë rialë.
Steve Hanke, profesor i ekonomisë në Universitetin Johns Hopkins në Batimor, thotë se keqmenaxhimi ekonomik dhe saksionet ndërkombëtare ndaj Iranit, kanë krijuar “stuhinë e përsosur të valutës”.
Irani nuk ka qenë në gjendje të përfitojë nga marrëveshja bërthamore e arritur më 2015 me fuqitë botërore, përmes së cilës Teheranit i lehtësohen saksionet në këmbim të frenimit të programit bërthamor.
Kjo është pjesërisht për shkak të rezistencës së kampit konservator të Iranit që të hapin ekonominë e kontrolluar nga shteti, por edhe nga sanksionet që SHBA ka vendosur për shkak të shkeljeve të të drejtave të njeriut dhe programit të raketave balisitike. Po ashtu, kompanitë evropiane kanë qenë të kujdesshme për të investuar në Iran, për shkak të frikës nga dënimet e SHBA-së. Ekonomistët vlerësojnë se të gjitha këto kanë ndikuar në qasjen e Iranit ndaj marrëdhënieve tregtare, financave dhe investimeve të huaja.
“Sistemi i ri për këmbimin e valutave është i destinuar të dështojë”, thotë Hanke, duke shtuar se “iranianët do të përdorin tregun e zi për të siguruar valuta të huaja. Gjithashtu, asnjë ekonomi nuk ka lulëzuar nga zhvlerësimet”.

‘Lufta ekonomike’
Qeveria e Rohanit për këtë krizë ua ka hedhur fajin kritikëve në vend dhe jashtë. Zëdhënësi i Qeverisë, Mohammad Baqer Nobakhta ka thënë se Irani është “në një luftë ekonomike me armiqtë që kërkojnë të krijojnë probleme për ekonominë tonë”.
Guvernatori i Bankës Qendrore iraniane, Valiollah Seif, është përballur me ligjvënësit në Parlament javën e kaluar, të cilët kërkuan dorëheqjen e tij.
Seif u arsyetua se zhvlerësimi i valutës iraniane ka ndodhur për shkak të “mungesës së sigurisë” për të ardhmen, dhe tha se “armiqtë e njohin problemin dhe po përpiqen të përdorin çdo mundësi” për t’i shkaktuar telashe Iranit.
Ai gjithashtu sugjeroi se për këtë krizë ka “gjurmë të komplotit” nga rivalët rajonalë, duke përfshirë Arabinë Saudite dhe Emiratet e Bashkuara Arabe, por nuk dha më shumë detaje për këtë gjë.
Ndërkaq, nënpresidenti Eshagh Jahangiri ka fajësuar “faktorët joekonomikë, të pajustifikuar dhe të paparashikueshëm” për kolapsimin e rialit.

Rruga e Mëndafshit, strategjia e Kinës për të zhytyr vendet në borxhe

Projekti mban emrin Rruga e Re e Mëndafshit, në anglisht e njohur si “One Belt one Road”. Sido ta quash, bëhet fjalë për një projekt gjigand: itineraret e Rrugës së Mëndafshit të çojnë përmes 60 vendeve në Azi, Europë e Afrikë. Po kaq të mëdha janë edhe investimet. Rreth 1000 miliardë dollarë do të investohen në ndërtimin e rrugëve, porteve dhe centraleve energjitike. Projekti financohet nga një fond i posaçëm i krijuar enkas nga qeveria kineze dhe Banka Aziatike e Infrastrukturës dhe Investimeve, një bankë multilaterale zhvillimi, e krijuar me iniciativë të Kinës dhe që aktualisht ka 61 vende anëtare.

Situatë win-win- të gjithë fitojnë?
Kina e trumbeton projektin si projekt për rrugë të reja dhe infrastrukturë në vendet e pazhvilluara, si edhe me financim të sigurtë- një projekt ku të gjithë fitojnë. Por ka edhe kritika. Europianët për shembull kritikojnë, faktin që firmat e tyre nuk merren në konsideratë në tenderat për projektet e infrastrukturës. Kina e lidh miratimin për kredi me kushtin që ndërtimi i projektit të kryhet nga firmat kineze. “Këto firma punësojnë pastaj kinezë, aq sa munden blejnë lëndë të parë kineze apo elementë të tjerë”, thotë Thomas Eder nga Instituti „Berliner Mercator Institute for China Studies” (Merics). Pasoja: Në vendet aziatike dhe afrikane të Rrugës së Re të Mëndafshit ka rënë pjesa e europianëve në tregti dhe investime, thotë Eder për Deutsche Wellen.

Varësi përmes zhytjes në borxhe
Një tjetër pikë kritike për projektin gjigand lidhet me vendet e varfra, që duan të përmirësojnë e zgjerojnë infrastrukturën e tyre me ndihma kineze. Për këto projekte ndërtimi ato futen thellë në borxhe, dhe bëhen kështu ekonomikisht të varura, sipas një studimi të Qendrës për Zhvillimin Global „Center for Global Development” në Uashington. Në këtë listë renditen tetë vende që rrezikohen më shumë: Pakistani, Taxhikistani, Kirgizia, Mongolia, Laosi dhe Maledivet. Ndërsa në Europë më i rrezikuari shihet Mali i Zi, në Afrikë, Xhibuti. Që nga koha kur këto vende janë pjesë e Rrugës së Re të Mëndafshit është rritur ndjeshëm borxhi i tyre publik, Kina ka dhënë një pjesë të madhe të kredive.

Shembulli i Pakistanit
Korridori ekonomik pakistanezo-kinez shihet si projekt shembullor i rrugës së re. Ai përfshin 3000 kilometra rrjet rrugësh dhe hekurudhash, gazsjellës dhe centrale eenrgjitike që shtrihen nga Kina deri në brigjet pakistaneze. Qendra për Zhvillimin Global e vlerëson vëllimin e investimeve në 62 miliardë dollarë. 80% e fondeve vijnë nga Kina. Ky vend kërkon 5% normë interesi.
Projekte kaq gjigande bëjnë që në vendet aziatike, por „sidomos në Pakistan” të thellohen problemet aktuale të qeverisjes, „sidomos në drejtim të detyrimit ekonomik dhe korrupsionit”, thuhet në një studim të përbashkët të Institutit të Stokholmit për Paqen Ndërkombëtare dhe fondacionit gjerman, Friedrich Ebert. Të dyja vendet përfitojnë nga projekti, -Kina krijon lidhje me burimet arabe të naftës, Pakistani synon hov ekonomik dhe vende pune. Por nëse ekonomia e Pakistanit nuk ecën përpara, për shkak të rritjes së borxheve ky vend mund të ketë probleme serioze.

Shembull i Greqisë
Në Europë ka disa vende që janë në fokus të Kinës. Nga këto vende Kina dëshiron akces në tregun europian. Greqia për shembull është parë „si porta e Kinës në Europë”, këtë e tha presidenti kinez, Li Keqiang në vitin 2014. Më shumë se 7 miliardë euro ka investuar Kina ndërkohë në Greqi. Projekti më i rëndësishëm konsiderohet ai i marrjes së portit të Pireut nga firma kineze e anijeve, Cosco. Kjo firmë kërkon ta zgjerojë portin e Pireut në portin më të madh në Detin Mesdhe. Faktikisht transporti në këtë port është rritur falë furnizimeve nga Kina. Rreth e rrotull portit janë ngritur qendra logjistike dhe magazina gjigande e me këtë edhe vende pune për Greqinë e goditur nga kriza.
Të dyja palët theksojnë edhe aspektet kulturore dhe ekonomike dhe i nxisin firmat e autoritetet të bëhen aktivë në këtë drejtim. Kështu në vitin 2017, Muzeu Kombëtar i Mëdafshit në Kinë dhe fondacioni kulturor i Bankës greke të Pireut nënshkruan një marrëveshje me synim nxitjen e shkëmbimit kulturor.

Shembulli i Serbisë
Serbia është zyrtarisht kandidate e BE-së. Një urë mbi Danub konsiderohet në këtë vend si investimi më i madh kinez. Kostoja e përgjithshme prej 170 miliardë eurosh u financua më shumti, 145 milionë nga një kredi e Bankës kineze, Exim. Edhe ndërtimin e ka marrë përsipër një firmë kineze. Ura është vetëm hapja e siparit për një seri projektesh. Për rreth 1,6 miliardë euro dy firma kineze, „”China Railways International” dhe “China Construction Company” do të ndërtojnë një linjë hekurudhore të shpejtësisë së lartë mes Beogradit dhe Budapestit. Që tani dy krerët e shteteve, Vuçiç në Serbi dhe Orban në Hungari mburren me projektin që pritet të mbyllet në vitin 2023.

Jo vetëm qëllime ekonomike
Megjithë rreziqet, investimet kineze janë shumë të mirëpritura në shumë vende, sepse ato premtojnë një hov ekonomik. Kësaj i shtohet fakti, që Kina nuk i lidh investimet ekonomike me kërkesa politike. Megjithatë Kina me Rrugën e Re të Mëdafshit nuk ndjek vetëm qëllime ekonomike dhe tregtare, por kërkon edhe ndikim politik, sipas një studimi të fondacionit gjerman, Friedrich Ebert. Europianët do të bënin mirë që të zhvillonin vizionet e tyre strategjike, dhe të reagojnë si duhet ndaj këtij projekti të madh, shkruajnë ekspertët. Por për momentin nuk ka asnjë plan për strategji të tilla. „Për momentin, Brukseli nuk flet me një zë dhe nuk ka asnjë përgjigje strategjike”, thuhet në studim.

Macron mbyll dyert e BE për Ballkanin

Fjalimi i Emmanuel Macron në Parlamentin Europian ishte krisma e parë për hapjen e fushatës zgjedhore europiane në vitin 2019. Pasi dëgjuam fjalimin e bukur, nuk e dimë akoma, nëse presidenti francez do të tentojë në Europë atë që kërkonte në Francë para një viti – shkatërrimin e partive politike ekzistuese dhe krijimin e një platforme të re proeuropiane, thelbi i së cilës është refuzimi i statuskuosë. A do të rrezikojë ai t’i sfidojë aq shumë partitë e qendrës, që shumica qeverisin në Europë, saqë të ndahet edhe nga kancelarja Merkel? Si do të veprojë ai me rritjen e tensioneve mes Lindjes dhe Perëndimit? Si do ta sjellë ai energjinë e re demokratike në projektin europian, veçanërisht, në ato shoqëri, që fjalimet e tij i lexojnë në versione të përkthyera?
Prej shekujsh ka një lidhje të thellë në Francë mes politikës dhe poezisë – dhe Emmanuel Macron i mbetet kësaj lidhjeje besnik. Ai e vuri në provë edhe talentin e tij për dramaturgjinë, kur foli, për „luftën e re qytetare” në Europë, rreziqet e nacionalizmit dhe kur deklaroi se nuk do të jetë pjesë e një „gjenerate sonambulësh”. Ai i ngacmoi kundërshtarët politikë në anën e djathtë të spektrit politik në Europë, kur u pozicionua si mbrojtës i vlerave europiane, jo vetëm ndaj sundimtarëve autoritarë në Rusi, Kinë, Turqi, por edhe kundër „iliberalëve” në shtëpinë e vet, Europë, kujtojmë Hungarinë, Poloninë.
Macron fitoi pikë me pragmatizmin politik, kur u distancua nga narrativi klasik federalist, të cilin e mbështesin shumica e francezëve dhe nuk argumentoi më për „Shtetet e Bashkuara të Europës”, por për një tatim digjital të përbashkët, që do ta forconte Brukselin.

Një vizionar i kujdesshëm
Presidenti francez ka vendosur të jetë në rolin e vizionarit të kujdesshëm. Ai vetëm i rivijëzon opcionet politike të tij, në vend që t’i trumbetojë me të madhe. Nga ana retorike fjalimi ishte shumë i fuqishëm, por të bien në sy temat që nuk preku Macron. Presidenti francez qëndroi dyshueshëm i heshtur, në temën e reformave në Eurozonë, që ishte lajtmotivi i fjalimit në Sorbonë vitin e kaluar. Heshtja është një sinjal i qartë për vështirësitë në bisedimet francezo-gjermane për unionin monetar europian. Ai gati nuk e preku qëndrimin e Europës në tregtinë e lirë, dhe nuk mbajti një qëndrim të qartë politik në temën e migracionit në Europë.
Gjenerali Charles de Gaulle një herë ka thënë: „Një lider i vërtetë e mban gjithmonë të fshehur asin nën mëngë, e i jep me të publikut një gjendje entuziazmi dhe emocioni.” Asi që kishte Macron ishte mesazhi i tij për të ardhmen e zgjerimit. „Nuk dua që Ballkani të drejtohet nga Turqia apo Rusia”, tha presidenti francez në Strasburg. Por ai as nuk do një Europë me 28 anëtarë, së shpejti 27, që funksionon me vështirësi e që pastaj do të vendoste të „marrë galop me 30 apo 32 anëtarë por me të njëjtat rregulla”.

Macron u drejtohet zgjedhësve në Europën Perëndimore
Ka një të vërtetë këtu. Shumica e europianëve do t’i jepnin të drejtë, se nuk ka kuptim të flitet për zgjerimin, kur nuk është vendosur se çfarë do që të jetë ky union, që do të zgjerohet. Aktualisht nuk ka asnjë miratim për një formë te re zgjerimi, pavarësisht nëse bëhet fjalë për Ballkanin, Turqinë apo Ukrainën. Nëse i pyet zgjedhësit europianë se sa e madhe duhet të jetë BE në të ardhmen, shumë do të zgjidhnin zvogëlimin, jo zgjerimin.
Por efekti konkret i mesazhit të Macron është katastrofik. Konstatimi i Jean-Claude Junckerit se alternativa tjetër e integrimit në BE është një luftë në rajon është një shembull se si banaliteti mund të përdoret për shpëtim. Por në të vërtetë mesazhi Macron mban brenda fuqi shpërthyese, përkeqësim të gjendjes në rajon. Bullgaria, si presidente e radhës në BE ka të drejtë të akuzojë Macron, se për shkak të tij, samiti i përgatitur me aq kujdes në maj të tingëllojë më shumë si një shaka. Komisioni Europian po ashtu ka të drejtë ta interpretojë mesazhin e Macron si thikë pas shpine. Edhe reformuesit proeuropianë në rajon kanë të drejtë të akuzojnë Macron se po minon pozicionin e tyre.
“Ambiguitet konstruktiv” – ka qenë strategjia e preferuar e BE në mënyrën e sjelljes me Ballkanin. Kur bëhet fjalë për anëtarësimin e vendeve të Ballkanit Perëndimor, politikanët e BE thonë më dëshirë, pyetja e vetme që shtrohet është „kur”. Por në realitet askush nuk e beson, as në Bruksel e as në Beograd, se në vitin 2025 njëri nga këto vende do të jetë anëtar i BE. Por nëse deri tani loja e BE me Ballkanin quhej „mbajtja e derës hapur”, Macron ka vendosur të mbajë dyert mbyllur, të paktën për momentin. Për këtë nuk mund ta akuzosh. Por ajo që mund t’i thuash është se me „ngrirjen” e zgjerimit të BE pa një strategji alternativë, ai kontribuon në thellimin e krizës në Ballkan dhe dobëson pozicionin e BE në rajon. Ajo që u bë e qartë: Kur Macron flet për „europianët”, elektorati, të cilit ai i drejtohet është vërtet vetëm ai europianperëndimor.

Abuzimi me ushqimin dhe alkoolin, Kim Jong Un në gjendje të keqe shëndetësore

Shëndeti i Kim Jong-ut papritmas është përkeqësuar, pasi që një periudhë shumë të gjatë ka konsumuar një sasi të madhe të alkoolit dhe ushqimeve të yndyrshme Është bërë e ditur se ai nuk ka kontroll se sa ha dhe pi, ndërsa këtë gjë e bën që prej kur ka qenë adoleshent, transmeton Gazetametro.net. Jozyrtarisht thuhet se Kim vetëm për alkool në vit shpenzon më shumë se 30 milionë dollarë, dhe natyrisht pijet e tij të preferuara kushtojnë shumë shtrenjtë, dhe shpesh herë i dhuron edhe bashkëpunëtorëve të afërt. Kim gjithashtu i adhuron cigaret franceze, ku çmimi i tyre për një kuti është 44 dollarë. Gjithashtu atij i pëlqejnë të gjitha llojet e mishit dhe djathërave, ndërsa konsumon edhe një sasi të madhe të sushive. Mediet raportojnë se fal teprimit të ushqimit dhe alkoolit, Kim ka probleme shëndetësore si tensioni i lartë dhe diabeti.

Ja çfarë rrezikoni nëse mbani tështimën

Nëse jeni gati duke teshtitur, edhe nëse jeni në një vend të qetë, mjekët rekomandojnë që ta nxirrni teshtimën. Një 34-vjeçar nga Britania, emri i të cilit nuk bëhet i ditur, e mori këtë mësim në një mënyrë të vështirë, pasi iu desh të kalonte 2 javë në spital si pasojë e mbajtjes së teshtimës, shkruan “shëndeti”.
I riu mbylli hundë dhe gojë në mënyrë që të mbante teshtimën. Fillimisht ai pati një ndjesi shpërthyese në qafë, megjithatë nuk vërejti asnjë problem për momentin. Por, brenda pak orësh filloi të ndiejë dhimbje në fyt dhe qafë. Pasi filloi të ënjtej qafa dhe t’i ngjirej zëri, vendosi të shkojë në spital.
34-vjeçari u përpoq ta mbajë teshtimën pasi mendoi se është johigjienike të teshtish në një ambient të mbyllur apo para dikujt tjetër. Fillimisht mjekët vërejtën një ënjtje në qafën e djalit, por, pasi kontrolluan indet e buta, dëgjuan kërcitjen.
Më pas problemi u konfirmua përmes ekos dhe analizave, të cilat treguan se duke u përpjekur të mbajë teshtimën, 34-vjeçari përfundoi me një vrimë të vogël në qafë. Fatmirësisht ishte aq e vogël sa nuk kishte nevojë për operim, megjithatë një veprim i tillë është i rrezikshëm.
Kur teshtini, janë reflekset mbrojtëse të trupit që duan të nxjerrin një ngacmues (virus apo bakter) të mbetur në hundë, shkruan Gazeta Shendeti. Me teshtimën krijohet një presion i madh i ajrit në mushkëri, i cili del me një forcë të madhe për të nxjerrë nga hundët edhe ngacmuesit e mbetur në të.
Teshtima shtyn stërpikat e mukozës në një shpejtësi prej 100 milje në orë. Nëse e mbani teshtimën, ky presion i ajrit duhet të shkojë diku. Në rastin e 34-vjeçarit, iu dëmtuan indet e fytit. Ndërsa ka pasur raste të tjera kur njerëzit kanë përfunduar me probleme me sinusin, dëmtim të veshit të mesëm ose të brendshëm, infeksione të veshit ose shpërthim të daulles së veshit.

Çfarë e zgjat më shumë jetën, paraja apo arsimimi?

Miniature man standing on top of 20 euro banknotes

A është me të vërtetë paraja, ashtu siç është hamendësuar në të kaluarën një faktor i jetëgjatësisë, apo arsimi? Një studim i ri, transmeton abcnews, lëshon një vendim, pas dekadash teorish kundërshtuese.
Pagat më të larta lejojnë një fuqi më të madhe blerëse, dhe si pasojë edhe një mënyrë jetese të shëndetshme. Për dekada të tëra ky ishte shpjegimi kryesor për zgjatjen e mundshme të jetës njerëzore (mesatarisht 71.4 vjet, nëse marrim parasysh të gjithë popullsinë tokësore).
Nëse në erën para-industriale ka pasur një jetë mesatare prej 30 vjetësh, sot jetëgjatësia është më shumë se dyfishuar. Por, a është me të vërtetë gjithçka meritë e pasurisë më të madhe, ndonëse ende e shpërndarë keq? Ndoshta jo.
Një kërkim i ri ka testuar dy hipotezat më të njohura në lidhje me shkaqet e këtij progresi. Një, i avancuar në vitin 1975 nga demografi amerikan Samuel Preston, është pikërisht ai i rritjes së pasurisë dhe i dyti i propozuar në vitin 1985 nga kolegët australianë John dhe Pat Caldwell, që vë në pikëpyetje përmirësimin e përgjithshëm global në nivelet arsimore. Studimi i publikuar në Rishikimin e Popullsisë dhe Zhvillimit, zbulon se është rritja e nivelit të arsimit, që na ka dhënë më shumë jetëgjatësi.
Çfarë ka ndikuar më shumë? Dy studiues të Institutit Ndërkombëtar për Sisteme të Aplikuara dhe Analiza (SHBA) dhe të Universitetit të Ekonomisë dhe Biznesit të Vjenës (Austri) kanë testuar dy teoritë duke analizuar të dhënat e mbi 174 vendeve, të mbledhura mes viteve 1970 dhe 2015.
Ata kanë krahasuar informacionet mbi jetëgjatësinë me arsimin dhe të ardhurat për frymë, dhe vunë re se ndërsa ka pasur një lidhje reciproke midis zgjatjes së ekzistencës njerëzore dhe të dy faktorëve (paga më të larta dhe edukim më të mirë), raporti midis jetëgjatësisë dhe studimeve të mira ishte më linear dhe konstant.
Përfundimet. Një arsimim më i kompletuar është një faktor parashikues shumë i mirë i një jete më të gjatë. Dhe kjo, sipas supozimeve të shkencëtarëve, sepse një kulturë e fortë të çon në zgjedhje të shëndetshme të jetesës (p.sh. të ushqyerit ose parandalimi).
Bashkërendimim mes pasurisë dhe jetëgjatësisë – e cila ekziston, edhe pse më pak e qartë – ndoshta është motivuar nga fakti që një kulturë më e mirë jep akses në pozicionet më të larta të punës dhe më të paguar, dhe për këtë arsye një shans më i madh për t’u kujdesur. Por paratë nuk do të ishin shkaku kryesor i një popullsi më jetëgjatë.
Këto rezultate, thonë studiuesit, duhet të bëjnë që investimi në edukimin global të jetë një prioritet absolut në terma politikë.

Tenderi i fundit i Ramës, 313 milionë lekë për “12 karrike të rënda tip kolltuku”

Kryeministri Rama shpenzon miliona lekë për luks në zyrën e tij në Kryeministri. Jo pak por 313 milionë lekë do të harxhojë Rama nga Buxheti i Shtetit për “12 karrike të rënda tip kolltuku për zyrën e tij. Kryemuimnistria ka shpallur një tender për blerje orendish dhe pajisje për mobilim zyrash.
Në njoftimin e publikuar nga kryeministria për shpalljen e tenderi thuhet: Fondi i Marrveshjes Kuadër për 12 muaj: 31 368 539 (tridhjetë e një million e treqind e gjashtë dhjetë e tetë mijë e pesqind e tridhjetë e nëtë lekë).
Burim i Finacimit: Buxheti i shtetit.
Po ashtu shpenzime luksi do të bëjnë edhe ministrant e Ramës. 133 milionë lekë, pra mbi 1 milion euro. Kaq është shuma që pritet të shpenzojë Ministria e Punëve të Brendshme për blerjen e veturave dhe automjeteve të ndryshme për Gardën e Republikës, Drejtorinë e Burgjeve, SHISH, etj.
Nga sa bëhet e ditur, tenderi është i ndarë në 14 nëntendera, sipas institucioneve dhe llojit të automjeteve. Nuk janë pak, por 49 automjete që do blihen, të gjitha prodhim i viteve të fundit.
Ajo çka bie në sy është fakti që Garda e Republikës zë pjesën më të madhe të këtij tenderi, me një vlerë totale prej 42.6 milionë lekësh.
Ndërkaq, që pjesa më e madhe e këtyre veturave dhe fuoristradave do t’i shkojë Shërbimit për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat, dhe jo pak por 11 autovetura, 3 fuoristrada, si dhe 1 automjet për transport.

Qeveria, miliarda lekë për luksin në zyra
Qeveria Rama është e lidhur fort me pjesën e imazhit duke shpenzuar miliarda lekë për luksin në zyrat e Kryeministrisë dhe të ministrive përkatëse. Këtë gjë e tregon edhe shpenzimet e parashikuara në buxhetin e vitit 2018, ku kjo qeveri ka parashikuar që të shpenzojë rreth 4.8 miliardë lekë për ndihmën ekonomike, ndërsa për rikonstruksionin e godinave të ministrive, blerje makinash dhe pajisje për zyra, parashikohen mbi 1 miliardë lekë. Kështu buxheti i miratuar në Kuvend me diskutime, që kap shifrën prej 497 miliardë lekësh, parashikon sërish shpenzime shumë të larta për për rikonstruksionin e godinave të ministrive dhe pajisje për zyra.
Në buxhetin për vitin 2018 kryeministria ka fondin më të lartë prej 224 milionë lekësh, i cili parashikohet për blerje të pajisjeve elektronike dhe rikonstruksion të godinës. Më pas renditet ministria e Ekonomisë dhe financave për të cilën parashikohet një fond prej 218 milion lekësh vetëm për blerje të pajisjeve elektronike dhe sistemeve elektronike. Ndërkohë për Ministrinë e Drejtësisë është parashikuar që të shpenzohen 125.5 milion lekë ku pjesa më e madhe parashikohet për rikonstruksion të godinës dhe krijimin e një sistemi elektronik për arkivin gjyqësor. Gjatë vitit të ardhshëm qeveria ka parashikuar në projektbuxhet edhe një fond për rikonstruksionin e ministrisë së Evropës dhe Punëve të Jashtme.

Nga ana tjetër, në buxhetin e vitit 2018 parashikohet që shpenzimet për argëtim, kulturën dhe çështjen fetare pritet të shkojë diku tek 3.4 miliardë lekë. Këto shpenzime janë rritur me 10 % krahasuar me 2014 dhe 35 % krahasuar me 2012. Këto shpenzime për vitin 2018 janë një ripërsëritje e shpenzimeve të viti 2016, ku qeveria sërish shpenzoi rreth 1 milion dollarë në rikonstruksionin e fasadave të institucioneve, ambienteve të brendshme apo mobilimin e zyrave. Ndërkohë, shpenzimet për shëndetësinë kanë pësuar rënie me 3.6 % në raport me vitin e shkuar dhe ato për arsimin po ashtu pësuan rënie me 1 %. Sikur të mos mjaftojnë këto, qytetarët do të paguajnë më shtrenjtë taksën e banesës, tarifën ujit të pijshëm në Tiranë dhe gazin.
Kështu, qeveria ka menduar që në total të shpenzojë më shumë në fasada, rimobilime zyrash dhe argëtim, se sa në ndihmë ekonomike, skemë nga e cila janë përjashtuar rreth 19700 persona. Rama është mundur t’ia vërë fajin njerëzve që nuk duan të punojnë apo edhe sistemit për skualifikimin e personave nga ndihma ekonomike, sistem ku që bazohet në pikësim, por që kurrë nuk është bërë publik konkretiksht ky sistem pikësimi. Po ashtu ai ka pranuar se ky sistem ka gabime marzhi, që mund të ketë rezultuar në përjashtime të padrejta.

Jeta sedentare dëmton trurin dhe na bën të palumtur

Një mënyrë jetese sedentare dëmton jo vetëm humorin, por edhe trurin. Hulumtimet e reja konfirmojnë atë që studimet e tjera kishin thënë kohë më parë: “të kalosh shumë orë mbi kompjuter bën keq”.
Studiuesit në Universitetin e Kalifornisë në Los Angeles (UCLA), njofton abcnews, kanë botuar një studim që konfirmon atë çfarë kanë pohuar prej kohësh hulumtues të tjerë: “shpenzimi i tepërt i kohës në tavolinë dëmton trurin dhe zvogëlon aftësinë e tij për të krijuar kujtime të reja”.
Studimi. Hulumtimi ka testuar 35 vullnetarë (25 gra dhe 10 burra) midis moshës 45 dhe 75 vjeç, duke monitoruar sesa aktivitet fizik kanë bërë çdo ditë dhe sa kohë kanë kaluar ulur çdo ditë.
Studiuesit i kanë vendosur vullnetarët në rezonanca manjetike për të vlerësuar zonën e trurit që ndikon në formimin e kujtimeve dhe në funksionimin e kujtesës.
Rezultatet treguan se ata që kalonin shumë kohë ulur (mesatarisht 3 deri në 7 orë), kishin lob më të hollë medial që ishte shumë më i shkurtër sa më shumë kohë që kalonte ulur. Hollimi është i pashmangshëm me kalimin e viteve. Por ishte më e madhe midis atyre që bënin një jetë duke qëndruar ulur.
Ngrihu dhe ec! Sipas studiuesve, ky sinjal nuk duhet të nënvlerësohet, sepse kjo do të thotë një humbje e të ashtuquajturës memorie episodike dhe mund të jetë një tregues i rëndësishëm që në të ardhmen të prekeni nga Alzheimer apo nga sëmundje të tjera mendore në pleqëri.
Nuk është hera e parë që një studim krahason jetën e qëndrimit ulur dhe shëndetin fizik. Një hulumtim tjetër i botuar kohët e fundit për këtë gjë kishte treguar edhe për vdekshmërinë e hershme.
Por si mund të bashkërendoni punën e ulur dhe shëndetin? Një zgjidhje, për shembull, është e këshillueshme të ndërprisni punën dhe të bëni pushime të shpeshta. Ndoshta duke përfituar nga pushimi i drekës apo koha shtesë për të ecur dhe rifreskuar trurin.

Sadriu me diplomë në Gjenevë pa lëvizur nga Shqipëria, di edhe tre gjuhë të huaja!

Deputeti mediokër që nuk di mirë shqip deklaron se di tre gjuhë të huaja. Sipas formularit të dekriminalizimit nuk është larguar asnjëherë më shumë se një muaj jashtë vendit, por pretendon se është diplomuar në Gjenevë. Nuk tregon nëse e ka mbaruar shkollën e mesme
Sadri Abazi perceptohet nga opinioni publik si një ndër deputetët më mediokër të Parlamentit Shqiptar, por kjo cilësi, jo vetëm nuk e ka penguar, por përkundrazi, duket se e ka ndihmuar që të ngjitet pas këpucës së Edi Ramës, duke futur në xhep një pjesë të buxhetit të shtetit shqiptar, me anë të një kompanie, të cilën e ka kaluar në emër të familjarëve të tij. Edhe pse e ka të vështirë të artikulojë një fjali në gjuhën shqipe sipas rregullave elementare sintaksore, Sadri Abazi, në jetëshkrimin e tij, deklaron se di tre gjuhë të huaja dhe se është diplomuar në Gjenevë. Duke iu referuar gjithnjë jetëshkrimit të tij, Sadri Abazi thotë se di anglisht, italisht dhe turqisht, ndërkohë që pretendon se në vitin 2002 është diplomuar në Gjenevë.
Dyshimet për vërtetësinë e jetëshkrimit të deputetit konsistojnë në faktin se Sadri Abazi, në formularin e dekriminalizimit, deklaron se nuk është larguar asnjëherë më shumë se sa një muaj jashtë vendit. Pyetjes se nëse ka jetuar ndonjëherë më shumë se sa një muaj jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë, deputeti i është përgjigjur me ‘jo’. Nuk marrim përsipër të pohojmë që deputeti Sadri Abazi e ka blerë diplomën dhe as se nuk ka fare diplomë, por që të diplomohesh në Gjenevë pa lëvizur më shumë se sa një muaj nga Shqipëria, duket të kesh cilësi magjistari.
Ligji për dekriminalizimin ngarkon Komisionin Qendror të Zgjedhjeve dhe Prokurorinë e Përgjithshme për të verifikuar vërtetësinë e të dhënave të deklaruara nga deputetët në formularin e dekriminalizimit.

Por organi i akuzës mund të verifikojë edhe ligjshmërinë e diplomës që pretendon deputeti, i cili në jetëshkrimin e tij nuk thotë asgjë se ku dhe kur e ka mbaruar shkollën e mesme.
Deputeti Sadri Abazi ka disa vite që fut në xhep një pjesë të buxhetit të shtetit shqiptar, duke kombinuar ndikimin politik si deputet i Kuvendit të Shqipërisë me pjesëmarrjen në tendera të kompanisë Usluga shpk, të cilën e ka kaluar në emër të familjarëve të tij. Me paratë që u ka marrë shqiptarëve, Sadri Abazi, përpos të tjerave, në vitin 2016 ka blerë edhe një makinë me vlerë 105 mijë euro. Pasuria e tij e përgjithshme e këtij deputeti është marramendëse në raport me nivelin e jetesës së qytetarëve shqiptarë. Javët e fundit kompania e nipit të Sadri Abazit është kapur me dokumente të falsifikuar, me të cilat ka fituar tendera. Institucionet e shtetit shqiptar, në nivel lokal dhe qendror, janë vënë në garë se kush u jep më shumë tenderave njerëzve të afërt të Sadri Abazit. Kjo duket se është arsyeja se pse Sadri Abazit i duhet mandati i deputetit dhe shpërfytyrohet nëpër fushata zgjedhore. Departamenti Amerikan i Shtetit, në raportin e fundit për të drejtat e njeriut në Shqipëri, përpos të tjerave konstatonte se “zyrtarët herë pas here përdorën burime shtetërore për përfitime personale”.
Në vitin 2016, Partia Demokratike tentoi të vinte në lëvizjen Gjykatën Kushtetuese, për t’i hequr mandatin Sadri Abazi, i cili përfitonte me anë të familjarëve të tij para publike, por çuditërisht PD u tërhoq, duke konfirmuar edhe një herë perceptimin e fortë, se këtë janë të gjithë bashkë, janë të lidhur me fije interesash, se mbrojnë njëri-tjetrin, përfitojnë sëbashku dhe se alternohen në pushtet, kundër interesit publik.

Barbaria me ndërtimet, 33 kulla të tjera në fushën e Ali Demit pasojnë 13 kullat në qendrën e Tiranës

Masakra urbane dhe barbaria me ndërtimet nga Rama dhe Veliaj nuk nadlen. Një projekt i ri monstruoz ka startuar. Fare pak larg qendrës së Tiranës, një kompani ka vendosur flamurët e një projekti, mbi një fushë të gjelbërt. Projekti njofton ndërtimin e një kompleksi aspak estetik, që do t’i zërë edhe më tej frymën kryeqytetit.
Në fund të mandatit të tij 4-vjeçar, padyshim që kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj do të mbahet mend për shkatërrimin, betonizimin dhe zhdukjen e hapësirave të gjelbërta në kryeqytet. Edhe pse përbetohej që do të vendoste moratorium për ndërtimet, Veliaj përgjatë këtyre 3 viteve bëri tërësisht të kundërtën.
Mbi 170 leje për pallate janë dhënë gjatë drejtimit të tij në Bashkinë e Tiranës. Dhjetra kantiere ndërtimi shihen pothuajse në çdo cep të kryeqytetit, pa përmendur këtu edhe nisjen e ndërtimin të 17 kullave në qendër të Tiranës.
Në pothuajse të gjitha lejet e dhëna, pallatet apo kullat do të ndërtohen mbi lulishte, ose mbi hapësira publike apo ndërtime shtetërore.
Tpz.al mëson se këtyre 170 lejeve do t’i shtohet edhe një tjetër ndërtim. Bëhet fjalë për një superleje që përfshin ngritjen e 33 pallateve, në një kompleks të quajtur “MANGALEM”. Ndërtimi monstruoz do të zhdukë një fushë të gjelbër në zonë e Ali Demit, në afërsi të Burgut të Grave.

Kompleksi është projektuar nga një studio arkitekturore në Hollandë, ndërsa çdo pallat përfshin tarraca të gjelbërta, një dëshirë kjo e Veliajt për të sajuar një gjelbërim artificial në kryeqytet. Por në këtë kompleks nuk mungojnë as shijet e Edi Ramës, pasi çdo pallat do të jetë me ngjyra të ndryshme si ylber….duke të krijuar një përfytyrim si Red Lights në Amsterdam.
Mbi 33 pallatet që priten të ndërtohen, do të zhdukin plot 53.908 m2, totalisht hapësirë e gjelbërt. E njohur si kodrat e Ali Demit, ky vend atraktiv për mijëra banorë të zonës dhe që vizitohej nga shumë familjarë, nuk do të jetë më falë Erion Veliajt. Ky i fundit shfaqet çdo ditë duke mbjellë pemë, me pretendimin se po përmirëson cilësinë e ajërit në Tiranë. Por me një të rënë të lapsit, “njeriu i gjelbërt” Veliaj, shkatërroi një hapësirë të rëndësishme që shërbente për frymarjen e kryeqytetit.
Gjithashtu qarkullojnë zërat, se edhe IEVP 325, e njohur si Burgu i Grave në Tiranë, do të transferohet, për t’i hapur rrugë ndërtimit të një tjetër kompleksi. Asgjë nuk duket e çuditshme, pasi Veliaj vetëm po kopjon parardhësin e tij, Ramën, për betonizimin e kryeqytetit.
Duke u kthyer tek denoncimi, kompleksi “MANGALEM” do të ndërtohet brenda pak viteve.
Kompleksi ka nisur punën duke gërryer fillimisht barin e fushës dhe vendosur mjetet e rënda aty pranë. Duket se çdo gjë ka marrë fund në fshehtësi të plotë dhe pa asnjë transparencë, pasi kompania ka nisur edhe shitjet e apartamenteve në këtë zonë.