32.5 C
Tirana
E premte, 20 Qershor, 2025

“Krimi, e vetmja fushë ku shkëlqejmë!”/ Ergys Mërtiri: Në Shqipëri, mafia e ka shtetin në krah!

Sociologu Ergys Mërtiri ka folur për krimin shqiptar të përhapur tashmë gjerësisht në botë.

I ftuar në emisionin “Të Paekspozuarit” në MCN TV, Mërtiri tha se krimi është një fushë ku shqiptarët shkëlqejnë më shumë se në gjithë të tjerat dhe kjo ndodh për shkak se mafia në vendin tonë e ka shtetin në krah.

“Krimi, është e vetmja fushë ku ne shkëlqejmë, këtu jemi të parët, dominojmë në Hollandë, Spanjë, kemi lidhje deri në Ekuador, Dubai. Ndërkombëtarisht, në SKY ECC, gjuha më e përdorur pas anglishtes, ishte shqipja.

Ore pse? Cfarë na bën kaq të zotë në këtë fushë? I vetmi ndryshim është që krimi nuk e ka shtetin kundër, por e ka në krah. Asnjë vend nuk ka shtrirje kaq të gjerë.

Prirja kriminale është gjë tjetër ehe vjen nga mungesa e edukimit, kultura e rrugës, modelet e rrepistëve, që edhe me këta pozon Edi Rama. Ku e gjen ushqimin kriminaliteti? Shteti. Nëse krimi në Hollandë, Spanjë, Angli, deri edhe Ekuador, e ka shtetin kundër, këtu e kanë në krah. Ky është superioriteti i mafias shqiptare, me mafian tjetër.

Nëse nuk do ta kishte shtetin pro do të ishte si të tjerët. Kjo është alarm. Ne nuk jemi pa shtet, por me shtet të kriminalizuar. Shteti e përkrah kriminalitetin. Nuk do të thotë i gjithë shteti, por drejtuesit, politika e bën këtë. Kemi grupe kriminale, kriminalizimin e politikës, por edhe politizimin e krimit. Njerëz të rëndësishëm nga krimi, kanë kandiduar për deputetë, janë në polici, ka influenca që punëson njerëz, ofron sisteme karriere. Kjo e bën të fortë, të fuqishëm, kontrollon institucione. Rama e ka patur këtë politikë në mënyrë të dukshme me tolerancën që i bëri hashashit në filim. Solli një realitet që nuk e kontrollon dot më, je i varur nga ai.

Krimi nuk është thjesht i përhapur, por i sofistikuar, më tepër se policia dhe shteti. Mafia shqiptare, ka diversifikuar aktivitetin. Shteti dhe Shqipëria i ofron strehë edhe mafias ndërkombëtare, kemi Ndraghetën këtu. Pastrohen paratë në ndërtim. Po kështu në territor, ke zona ku policia nuk futet. Kanë kontroll mbi institucionet shtetërore. Është i vetmi vend ku fiken radarët që mafia të kalojë drogën.

Mafia ka para në mënyrë të jashtëzakonshme. Problemi i tyre është pastrimi i parave. Ka infrastrukturë, nivel të frikshëm rekrutimi, mjete komunikmi dhe teknologjike për të kryer krime. Këtu më shumë informacion kanë grupet kriminale me njëri tjetrin se grupet e policisë. E bën efikas, të fuqishëm dhe problematik. Kjo zëvendëson shtetin. Rama thotë kokat hëngshin, por mafia nuk ka rival shtetin, ka rival veten. Këta duke kapur shtetin, kapin tregun, nuk bën dot biznes, se duhet të paguash gjobën, apo tjetri të konkuron me para të pista.

Rama ka futur filozofinë, le të lulëzojnë këto se para sjellin”, tha Mërtiri.

Nga 1 janari 2025 rritet çmimi i ujit për 12 bashki, ja sa lekë do të paguajnë qytetarët

Enti Rregullator i Ujit ka vendosur rritjen e çmimit të ujit pas kërkesës së dy shoqërive të cilat kanë në administrim 12 njësi apo bashki.

Rritja e çmimit është bërë kryesisht për kategorinë e familjarëve teksa për bizneset dhe institucionet publike nuk janë bërë rishikime me përjashtim të disa rasteve të rralla.

Por cilat janë në fakt dy shoqëritë që kanë aplikuar për rritje çmimi dhe tarifat e reja që do të paguajnë qytetarët pas hyrjes në fuqi të vendimit.

Së pari Shoqëria Rajonale e Ujësjellës-Kanalizimeve Shkodër sh.a e cila ka në mbulim Shkodrën, Vaun e Dejës, Pukën, Fushë Arrzin dhe Malësinë e Madhe.

Për familjarët në Shkodër dhe Vaun e Dejës ka një rritje me 37.5 për qind të çmimit të ujit të pijshëm teksa për bizneset dhe institucionet nuk ka ndryshim. Familjarët do të paguajnë çdo m3 ujë me 55 lekë.

Për Vaun e Dejës rritja e çmimit të ujit është 31 për qind teksa për Fushë Arrëzin kjo rritje është dyfishuar ku nga 20 lekë m3 që paguajnë aktualisht pas hyrjes në fuqi të vendimit tarifa do të jetë 40 lekë/m3 ujë. Për Pukën rritja e çmimit llogaritet në 14.2 për qind ku nga 35 lekë do të paguajnë 40 lekë m3. Këto tarifa do të paguhen nga 1 janari 2025.

ERRU ka miratuar rishikim të çmimeve edhe për ndërmarrjen rajonale në Gjirokastër. Sipas çmimeve të reja dhe atyre aktuale edhe në këtë rast rritja ka përfshirë kryesisht familjarët.

Konkretisht familjet e Gjirokastrës do të paguajnë një çmim 8.6 për qind më të lartë në raport me çmimin aktual. Sot m3 ujë paguhet 46 lekë ndërsa me çmimin e ri 50 lekë m3. Në Përmet rritja llogaritet në 25 për qind ku nga 40 lekë do të paguajnë 50 lekë m3 ujë.

Në Tepelenë rritja llogaritet në 51.5 për qind dhe po kaq edhe në Memaliaj. Në Këlcyrë rritja është 35 për qind ku ka një rishikim çmimi edhe për institucionet publike me një rritje 20 lekë për m3 ujë në raport me çmimin aktual.

Rritja çmimi edhe pse në nivele më të moderuara aplikohen edhe në Dropull dhe Libohovë. Edhe për këtë ndërmarrje hyrja në fuqi e çmimeve të reja është nga 1 janari 2025./Monitor

Ambasadori amerikan në Bosnje: Çdo vend duhet të shqetësohet për ndërhyrjet ruse në zgjedhje

Ambasadori amerikan në Bosnje e Hercegovinë, Michael Murphy, në një intervistë dhënë për Shërbimin e Ballkanit të Radios Evropa e Lirë foli për kërcënimet që Rusia paraqet për çdo shtet.

Murphy komentoi informacionet e fundit se Rusia ka formuar organizata paramilitare në entitetin serb në Bosnje, Republika Sërpska, me qëllim që të ndërhyjë në zgjedhjet në Moldavi.

“Ata kishin një kamp trajnimi për individët që do të ndikonin në zgjedhjet demokratike nga një shtet kandidat për anëtarësim në Bashkimin Evropian, sikurse është Bosnje e Hercegovina. Kjo është serioze. Kjo tregon se sa të përgatitur dhe të rrezikshëm janë ata për ta bërë një gjë të tillë dhe se si individët mundësojnë kryerjen e veprimeve të tilla”, tha Murphy.

Ai theksoi se kjo gjë duhet t’i shqetësojë të gjithë qytetarët e Bosnje e Hercegovinës, e jo vetëm udhëheqësit politikë, por edhe shtetet e tjera sikurse SHBA-ja dhe shtetet e tjera të komunitetit transatlantik.

Ambasadori amerikan në Sarajevë tha se Rusia qartazi dhe vazhdimisht ka shfaqur ndikimin e saj dashakeq në nivel global, në Evropë dhe në Ballkanin Perëndimor.

“Kjo është e vërtetë këtu në Bosnje e Hercegovinë dhe në mbarë Ballkanin Perëndimor. Është e qartë se një gjë që Rusia nuk do është një Bosnje e Hercegovinë të pavarur, me prosperitet ekonomik, në BE dhe në komunitetin euroatlantik”, tha ai.

Informacionet për kampet ruse ku qytetarët e Moldavisë trajnoheshin për të krijuar trazira u publikuan nga autoritetet moldaviane dhe më pas u konfirmuan nga strukturat e inteligjencës në Bosnje. Një person, i lidhur me këto aktivitete, u arrestua në Bosnje, dhe ndaj tij ka nisur procesi i ekstradimit, pasi i njëjti kërkohet edhe nga Polonia për përgatitje të akteve sabotuese në Poloni.

Po ashtu, SHBA-ja ka bërë thirrje për hetimin e aktiviteteve të Moskës për të ndikuar në zgjedhjet presidenciale dhe parlamentare në Rumani, pasi autoritetet publikuan dokumente të klasifikuara që thoshin se shteti ishte cak i një “veprimi agresiv hibrid rus” që çoi në fitoren e befasishme në rundin e parë të zgjedhjeve presidenciale të mbajtura muajin e kaluar të një kandidati prorus të ekstremit të djathtë./REL

Mbrojtësi i Juventusit, Bremer: Më e keqja kaloi, rikthehem si Xhorxho Kielini

Gleison Bremer u kthye për të folur për dëmtimin, rrugëtimin e tij si futbollist dhe zgjedhjen që bëri në favor të Juventusit kur vendosi të largohej nga Torino. Ai e bëri këtë gjatë një konference speciale për shtyp, me disa gazetarë të vegjës, si pjesë e “Young Repoter”, nisma që përfshin shumë tifozë të rinj të Juventusit.


“Unë jam më mirë”
, shpjegoi mbrojtësi, që po ndjek fazën e rehabilitimit për t’u rikuperuar pas dëmtimit. “Më e keqja ka mbaruar dhe dalëngadalë po rikuperohem. Kam folur shumë me Kielinin dhe do ta pyes se si arriti të rikthehet në nivelin e tij pas dëmtimit” vazhdoi ai më tej.

EMOCIONET SI BARDHEZI-
Për emocionet që e lidhin atë me Juventusin, Bremer bëri një deklaratë shumë romantike. “Herë pas here ëndërroj natën për këtë fanellë speciale që kam veshur, është një emocion unik sepse klubi ka fituar gjithçka dhe është skuadra më e fortë në Itali. Tani edhe pse nuk jam në dispozicion, unë gjithmonë dërgoj një mesazh mbështetjeje për shokët e mi në grupin që kemi në Whatsapp.”

TRANSFERIMI– Ndërsa në lidhje me transferimin e tij te Juventusi nga Torino, ai tha: “Vitin e parë gjithçka ishte shumë ndryshe, kur mbërrin këtu, të gjithë sytë e botës janë mbi ty dhe nëse nuk bën një paraqitje dinjitoze për klubin, të gjithë të kritikojnë. Por unë kam një trajner që më ndihmon. Në nivel mendor, nëse punon mirë mendërisht dhe fizikisht, nuk ke asnjë problem.” Dhe në fund Bremer zbulon një kuriozitet nga dhomat e zhveshjes?

“Kush është më argëtuesi? Ne jemi një ekip i mirë, jemi shumë prej nesh. Unë do të them një që është Pinsolio, njeri i madh. Por Gati gjithashtu të bën të argëtohesh”, tha ndër të tjera mbrojtësi brazilian, Gleison Bremer.

Parandalimi i diabetit, si ndikon ngrënia e mëngjesit çdo ditë

Mëngjesi është vakti më i rëndësishëm i ditës, këtë AgroWeb.org e ka theksuar vazhdimisht.

Të mirat e ushqyerjes së shëndetshme që në orët e para të ditës janë të larmishme.

Një prej tyre konfirmohet nga ekspertët gjermanë sipas të cilëve, heqja dorë nga mëngjesi edhe në raste të rralla, rrit rrezikun e diabetit të tipit 2.

Për arritjen e këtij konkluzioni, ekspertët analizuan të dhënat e mbi 96,000 personave.

Këto të dhëna treguan se heqja dorë nga mëngjesi një herë në javë rrit rrezikun e diabetit të tipit 2 me 6 përqind.

Kjo shifër rritet deri në 55% nëse njeriu heq dorë nga mëngjesi 4-5 herë në javë.

Diabeti, një sëmundje që rrezikon edhe fëmijët

Mjekët në vendin tonë kanë vënë re një numër në rritje të rasteve të diabetit.

Vetëm në mesin e fëmijëve vërehen 25-30 raste të reja të diabetit të tipit 1 në vit.

Ndonëse statistikat nuk janë të plota, specialistët thonë se shkaku kryesor në shtimin e rasteve të diabetit është ushqyerja e keqe.

Sipas shoqatës Fëmijët dhe të Rinjtë me Diabet, në vendin tonë është alarmant fakti se diabeti po prek edhe fëmijët e vegjël nën 7 vjeç.

Roli i mëngjesit në parandalimin e diabetit

Po të marrësh në konsideratë lidhjen mes diabetit të tipit 2, sheqernave në gjak dhe insulinës, nuk është habi që ekspertët thonë se heqja dorë nga mëngjesi rrit rrezikun e sëmundjes.

Në fakt, besohet se heqja dorë nga mëngjesi nxit rezistencën ndaj insulinës.

Kur rezistenca ndaj insulinës bëhet kronike, kthehet në fakt rreziku për diabetin e tipit 2.

Nga ana tjetër heqja dorë nga mëngjesi rrit nivelin e sheqerit në gjak që vazhdon edhe në vaktet e mëtejshme.

Kësisoj, trupi është në kthetrat e stresit të vazhdueshëm që bëhet faktor në përzgjedhjen e ushqimeve të pashëndetshme.

Dy justifikimet më të përsëritura nga njerëzit që nuk hanë mëngjes janë: mungesa e urisë dhe e kohës.

Por pavarësisht tyre, askush nuk duhet t’i thotë ‘jo’ një mëngjesi që përmban vezë, kos dhe fruta.

Një mëngjes i tillë ofron proteinë, fibër e karbohidrate, të mjaftueshme për një ditë plot me energji./AgroWeb.org

Basha i përgjigjet akuzave të Berishës: As ai vetë nuk i beson më mashtrimet që nxjerr nëpër studio për të fshehur hallin e tij me SHBA, Britaninë e Madhe dhe drejtësinë

Kreu i PD-Demokratët Euroatlantikë, Lulzim Basha, i është përgjigjur akuzave të Sali Berishës, bërë në drejtim të tij në një emision televiziv.

Në një reagim në profilin e tij në rrjetin social facebook, Basha shprehet se as Sali Berisha nuk i beson më mashtrimet që nxjerr nëpër studio për të fshur hallin e tij me SHBA, Britaninë e Madhe dhe drejtësinë.

Më tej Basha kujton se çfarë mund të presësh nga dikush që me gojën e tij ka thënë që deklaratat politike nuk kanë asnjë vlerë.

“Mungesa e koherencës dhe raporti i deformuar me të vërtetën janë një nga arsyet pse ai nuk ka më çfarë t’i japë PD-së dhe Shqipërisë, ashtu si ortaku i tij në qeveri, që e përdor hallin e Berishës për t’i marrë votat për amnistimin e të korruptuarve dhe mbylljen e listave, me pazarin e dalë boje për të mbajtur Ramën në pushtet dhe Berishën si gogol në opozitë.”
– vijon më tej reagimin e tij kreu i PD-Demokratët Euroatlantikë, Lulzim Basha.

Më poshtë reagimi i plotë:

As Sali Berisha vetë nuk i beson më mashtrimet që nxjerr nëpër studio për të fshehur hallin e tij me SHBA, Britaninë e Madhe dhe drejtësinë. Në fund të fundit çfarë mund të presësh nga dikush që me gojën e tij tha “që deklaratat politike nuk kanë asnjë vlerë”. Mungesa e koherencës dhe raporti i deformuar me të vërtetën janë një nga arsyet pse ai nuk ka më çfarë t’i japë PD-së dhe Shqipërisë, ashtu si ortaku i tij në qeveri, që e përdor hallin e Berishës për t’i marrë votat për amnistimin e të korruptuarve dhe mbylljen e listave, me pazarin e dalë boje për të mbajtur Ramën në pushtet dhe Berishën si gogol në opozitë.

Shqipëria meriton më shumë!

650 milionë euro fonde publike u dhanë pa garë! Ekspertët skanojnë 40 tenderat me ‘flamuj të kuq’! Berberi dhe Verdho ‘spastruan’ konkurrencën

EMISIONI VETTING

Ku shkojnë fondet publike?

Prej kohës kur Shqipëria nisi procesin e integrimit europian, mungesa e konkurrencës në prokurimet publike, mbetet një ndër kritikat e vazhdueshme të organizatave ndërkombëtare, kritikë qe reflektohet edhe në progres-raportin e fundit të Bashkimi Europian.

Për të analizuar këtë problematikë në proceset e prokurimit publik, do t’i referohemi fillimisht raporteve të Kontrollit të Lartë të Shtetit, sipas të cilave, vetëm në katër vitet e fundit, totali i dëmit ekonomik për shkak të parregullsive në proceset e tenderimit, shkon në vlerën 2 miliardë e 550 milionë euro, barrë e cila bie mbi qytetarët.

“Vetting” ka analizuar procedurat me vlerën më të madhe monetare për periudhën 2020-2023 dhe ka zbuluar se në shumicën prej tyre nuk ka garë pasi kompanitë janë skualifikuar ose ka patur pjesëmarrës vetëm një kompani.

Sipas ekspertit të prokurimeve, Muharrem Çakaj, sektori i prokurimit publik ka disa probleme.

“Në thelb procesi i prokurimit publik në Shqipëri mund të themi që çalon, çalon në cilësi, por edhe në vendimmarrjen e organeve kompetente”, tha për “Vetting” Muharrem Çakaj.

Problemet me tenderat kanë sjellë krijimin e kushteve për monopole me fondet publike, e cila sipas drejtuesve të lëvizjeve politike duket te numri i kompanive të përfshira në tenderime.

Nga të dhënat e përpunuara nga Open Data Albania rezulton se një pjesë e madhe e 100 tenderave më të mëdhenj të organizuara nga institucionet publike rezultojnë me “red flag” ose ndryshe me flamur të kuq.

Flamuri i kuq vendoset automatikisht nga sistemi i ‘Open Data Albania’ kur kemi vetëm një  kompani që garon për tenderin ose janë skualifikuar të gjitha kompanitë nga Komisioni i Vlerësimit të Ofertave, duke u shpallur automatikisht fituese kompania e kualifikuar.

vetting (1)

Mungesa e garës praktikisht është si të marrësh pjesë në një konkurs, ku askush nuk paraqitet përveçse një pjesëmarrësi, i cili automatikisht shpallet fitues.

Sipas Ilir Brashaj, data analist te “Qëndresa Qytetare”, në tenderat me vlerë të madhe numri i ofertave të dorëzuara është relativisht i ulët.

Përqendrimi i fondeve publike te disa kompani

Nëpërmjet të dhënave të përpunuara nga “Open Data Albania”, “Vetting” ka analizuar 40 tenderat më të mëdhenj për periudhën 2020-2023, ku bie në sy mungesa e garës, e cila ka indicie për korrupsion.

“Vetting” ka evidentuar se nga 40 tendera, 31 ose 77% e tyre janë me flamur të kuq pasi janë skualifikuar të gjithë pjesëmarrësit, duke u shpallur automatikisht fituese kompania e mbetur në garë. Vlera e totale e tenderave me flamur të kuq është 72,3 miliardë lekë. Pra, në 4 vite 650 milionë euro fonde publike u janë akorduar pa garë një grupi kompanish, të cilat gjenerojnë pjesën më të madhe të të ardhurave nga institucionet publike.

Nga raportet e Agjencisë së Prokurimeve Publike evidentohet se vetëm për vitin 2023 janë realizuar 1218 procedura tenderash me vetëm një kompani të vetme, që ka dorëzuar ofertën dhe 24 % e procedurave kanë dështuar.

Sipas ekspertit Muharrem Çakaj, fitimi i një kontrate me një vlerë pothuajse sa fondi limit është një flamur i kuq, i cili duhet të ngrejë të gjitha alarmet e mundshme, që kjo procedurë ka diçka që nuk shkon.

“Realizueshmëria e procedurave publike në vitin 2023 është diku te 76%, pra gati cereku i procedurave të prokurimit publik dështojnë? E di pse dështojnë? Sepse nuk janë shpallur fitues operatorët që autoritetet duan prandaj dhe vlerësimi im është që ky proces është pjesërisht transparent dhe pjesërisht objektiv”, shpjegoi eksperti Çakaj.

Disa prej këtyre tenderave dhe kompanive janë nën hetim nga SPAK së bashku me drejtuesit e institucioneve që kanë miratuar këto kontrata.

Shumica e tenderave janë organizuar nga Autoriteti Rrugor Shqiptar, nën drejtimin e Evis Berberit, i cili në mars 2024 është arrestuar me kërkesë të Prokurorisë së Posaçme.

Sipas SPAK, Berberi dyshohet për korrupsion pasiv për 3 tendera te Autoriteti Rrugor Shqiptar, si dhe për pastrim parash.

evis berberi OK

Një ish drejtor tjetër, që ka organizuar disa tendera, ku janë skualifikuar të gjithë konkurrentët është Ergys Verdho, i cili aktualisht drejton shoqërinë publike Hekurudha Shqiptare dhe është nën hetim nga Prokuroria e Posaçme.

images (4)

Në një komunikim zyrtar për “Vetting”, SPAK deklaroi se ka nisur hetimet për “shpërdorim detyre” për nëpunësit e përfshirë në procesin e prodhimit, shpërndarjes dhe administrimit të energjisë elektrike prej 10 tetorit 2021, ku vet Verdho ka qenë administrator i Korporatës Elektroenergjitike Shqiptare.

Por cilat janë kompanitë e përfshira në tendera?

Në deklaratën e Open Data Albania për tenderat e 2021 theksohet se: “spikat fakti që në 100 tenderat më të mëdhenj, janë 35 kontraktime me procedurë të kufizuar apo negocime të drejtpërdrejtë, me pak fjalë tenderime ‘RedFlag’ pa garë”.

Madje nga 10 tenderat me vlerën më të lartë për vitin 2021, 6 prej tyre janë pa garë pasi janë skualifikuar të gjitha kompanitë pjesëmarrëse, duke u shpallur automatikisht fituese kompania e vetme e mbetur në tender.

Të 6 tenderat janë organizuar nga Autoriteti Rrugor Shqiptar dhe lidhen me infrastrukturën e Unazës së Jashtme të Tiranës.

Sipas ekspertit të prokurimeve, Muharrem Çakaj është e vështirë që disa operatorë të japin një ofertë sa fondi limit, duke theksuar se në këto raste ka shumë indicie që gara për tenderin të jetë e rregulluar.

Një prej tenderave, që bie në sy është organizuar nga Bashkia Durrës me mbështetje nga programi i Rindërtimit për “Rehabilitimin e Infrastrukturës së Rrjetit në zonën e Porto Romanos-Kënetë” me ofertë fituese 19,7 milionë euro, sa 99.9% e fondit limit, me një diferencë të papërfillshme më konkurrentin.

Është një prej procedurave të prokurimit që është denoncuar nga emisioni “Vetting” pasi përveç procedurës së dyshimtë, njëra nga kompanitë e përfshira në konsorciumin fitues është “ADRIATIK” shpk, në pronësi të babait të ish Drejtorit të Përgjithshëm të Ujësjellësit Durrës, Spartak Kovaçi, rast që është nën hetim nga SPAK.

Nëse në vitin 2021 ka disa kompani, që kanë konkurruar dhe kanë shkuar deri në fund të garës, në vitin 2022 situata është më e rëndë pasi të gjitha procedurat janë me ‘flamuj të kuq’. Nga 10 tenderat më të mëdhenj për këtë vit, ku shumica janë organizuar nga Autoriteti Rrugor Shqiptar, të gjitha kompanitë janë skualifikuar duke u shpallur fituese kompania, që thjesht plotësonte kriteret.

Në vitin 2023 ka patur raste që kompanitë kanë bërë ankesë siç është rasti për tenderin e organizuar nga Ministria e Drejtësisë për Ndërtimin e Institucionit për Edukim dhe Rehabilitim të të Miturve me fond limit 19.2 milionë euro. Në këtë rast, institucioni më i lartë në fushën e prokurimeve, Komisioni i Prokurimeve Publike e ka rrëzuar ankesën dhe ia ka deleguar si rast Agjencisë së Prokurimeve Publike për të realizuar një hetim administrativ.

Një rast tjetër nën hetim nga SPAK, që mund të ishte me pasoja tragjike lidhet me shembjen e aksit Ersekë-Korçë, ku një ditë më pas në 17 shkurt 2024 Prokuroria e Posaçme do të niste hetimet për dy kompanitë “A & E ENGINEERING” dhe “A.N.K”. Kjo është një tjetër kompani, e cila ka fituar tender në 2023 duke u skualifikuar konkurrentët e tjerë nga Autoriteti Rrugor Shqiptar me vlerë 20.8 milionë euro.

Dy tendera të tjerë të vitit 2020, tenderi i Autoritetit Portual të Durrësit për shërbimi i menaxhimit dhe operimit të Terminalit të Kontejnerëve në portin e Durrësit dhe tenderi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve janë nën hetim nga SPAK.

Sipas ekspertit Çakaj, në sektorin e prokurimeve publike në këto 4 vitet e fundit po e hasim gjithmonë e më shpesh nënshkrimin e kontratës me një vlerë sa fondi limit, e cila është e dëmshme për menaxhimin e fondeve publike.

“Së pari, këtu kemi vrasje të garës, sepse teorikisht një procedurë prokurimi ku konkurrojnë disa operatorë ekonomikë, në një garë të ndershme do duhet që secili të japi ofertën e vet dhe oferta do duhet të ketë konkurrueshmëri”, deklaroi për “Vetting” Muharrem Çaka.

Në mbyllje të raportit për vitin 2020, Kontrolli i Lartë i Shtetit do të bënte kallëzim për tenderin e uniformave të policisë të realizuar në korrik 2020 nga Agjencia e Blerjeve të Përqendruara. Nga hetimet e SPAK do të arrestoheshin dhe dënoheshin anëtarët e Komisionit të Vlerësimit të Ofertave për shkelje të ligjit të Prokurimit Publik dhe favorizim të kompanisë që fitoi tenderin.

E ëma ndërroi jetë, vajza akuzon mjekët për neglizhencë. Mjeku: Për mua robt janë si miza, s’e rruaj për njeri

Vdekja e papritur e një 62-vjeçareje para një muaji bëri që familjarët të  hedhin akuza ndaj bluzave të bardha në Spitalin Rajonal të Durrësit. Ata shprehen se mjekët nuk i kanë dhënë nënës së tyre kujdesin e duhur duke i akuzuar për neglizhencë.
Eljana Koçi tregoi se e ëma kishte shenja infarkti dhe iu drejtuan Spitalit të Durrësit me shenja të qarta, por në fakt nuk u veprua në kohë. Mosveprimi në kohë nga ana e bluzave të bardha bëri që 62 vjeçarja të ndërronte jetë.

“Mjeku i urgjencës thotë se e mori specialisten që të shkonte ta shihte mamin, specialistja thotë s’më mori. Nga ora 07:00 deri në orën 12:00 mami u mbajt në urgjencë me morfinë, pastaj u nis për Tiranë. E gjithë vonesa solli vdekjen e saj” thotë Eljana.

Fiksi solli me zë dhe figurë përballjen e mjekut të urgjencës Durrës me mjeken specialiste, ku fajësonin njëri- tjetrin. Ku mjeku i urgjencës i drejtohej kardiologes se e kishte njoftuar, ndërkohë që kardiologia e mohonte të ishte njoftuar nga kolegu i saj.

“Unë s’jam budallaqe të mos zbres te pacientja” thotë kardiologia.

Në bisedë e sipër bashkë edhe me vajzën e të ndjerës mjeku i urgjencës Albion Kazazi shprehet: ”Njerëzit më duken si miza , secili të mbaj fajin dhe përgjegjësinë që ka, unë nuk e rruaj fare”.

Në bisedën që u transmetua në emisionin Fiks Fare të dy mjekët pranojnë se bëjnë ping-pong për fajtorin, duke harruar që bëhet fjalë për humbjen e një jete.

Basha në VOA prezanton tre shtyllat e programit të Demokratëve Euroatlantikë

Në një intervistë për VOA, Lulzim Basha ka prezantuar tri shtyllat kryesore të programit të Demokratëve Euroatlantikë.

Sipas Bashës, programi i partisë së tij drejtohet të gjithë qytetarëve shqiptarë dhe përmban tre aspekte kryesore: të drejtat e të përndjekurve dhe pronarëve shqiptarë, sipërmarrjen dhe ekonominë, si dhe mbështetje për familjet shqiptare, që ndodhen në një krizë të thellë për shkak të keqqeverisjes së Edi Ramës gjatë 12 viteve të fundit.

Basha theksoi se ky program synon të ofrojë një ndryshim të thellë dhe të qëndrueshëm për Shqipërinë.

Pjesë nga intervista:

Lulzim Basha: Zgjedhjet e 2021-shit, siç e pranon tani edhe z. Berisha dhe gjithë ata që për dy vite me radhë ngritën furtunën e humbjes së zgjedhjeve të 2021-shit, ishin zgjedhje të manipuluara nga z. Rama në bashkëpunim me krimin e organizuar. Është e qartë që përpjekja jonë për ndryshim nuk pati sukses jo për shkak të mangësive tona, por për shkak të përfshirjes masive të krimit të organizuar dhe problemeve të tjera që ju sapo shpalosët në kronikën tuaj, si presioni i administratës ndaj qytetarëve, përdorimi i parave dhe mjeteve publike. Lista është shumë e gjatë, dhe është e OSBE-së, nuk është e jona apo e opozitës.
Nëse e keni fjalën vetëm për të djathtën, sepse programi ynë i adresohet të gjithë qytetarëve shqiptarë, unë do të veçoja tre aspekte.
Aspekti i parë ka të bëjë me palcën e të djathtës historike shqiptare, që janë të përndjekurit dhe pronarët shqiptarë. Për herë të parë në 34 vite, Demokratët Euroatlantikë me programin e shpallur më 1 qershor kanë marrë përgjegjësitë edhe për ato që nuk na takonin ne si vendime, si për shembull 7501-shin, diskriminimin e të përndjekurve politikë dhe mospromovimin e kauzës së tyre.
Ndërsa në raport me pronarët, jemi duke ecur në shembullin e Kroacisë dhe me ndihmën e aleatëve tanë europianë, programi ynë është më i besueshëm dhe më i realizueshëm për të zgjidhur njëherë e mirë çështjen e pronës.
Kategoria e dytë ka të bëjë me sipërmarrjen. Taksat e ulëta janë një karburant për ekonominë shqiptare, për motorin e ekonomisë shqiptare, dhe shumë propozime të tjera që kanë të bëjnë me deregulimin.
Grupi i tretë është familja shqiptare, e cila ndodhet në një krizë të thellë për shkak të keqqeverisjes 12-vjeçare të Edi Ramës.

“Janë larguar se besojnë te karrigia, jo te misioni”, Basha për VOA: Deputetët që bashkuan votat me Ramën për amnistinë dhe mbylljen e listave, vepruan kundër interesave të qytetarëve

Në një intervistë për Zërin e Amerikës, kryetari i Partisë Demokratike-Demokratët Euroatlantikë, Lulzim Basha, komentoi largimin e disa deputetëve nga partia, duke theksuar se ata besonin te karrigia dhe jo te misioni politik.

Basha tha se këta deputetë bashkuan votat me Edi Ramën për amnistinë, duke vepruar kundër interesave të qytetarëve dhe duke mbështetur korrupsionin. Ai theksoi se shumë demokratë dhe shqiptarë ende besojnë në mundësinë e ndryshimit dhe largimin e “dinozaurëve të tranzicionit” që po mbajnë Shqipërinë peng.

Pjesë nga intervista:

Për fat të mirë nuk jam braktisur nga ata që besojnë te misioni, por besojnë te karrigia. Në fakt një nga mësimet e rëndësishme të këtyre tre viteve është se edhe nësë nuk do të kishin ikur, duhet të kisha bërë gjithçka që të mos i kisha afër. Këta janë njerëz që nuk e justifikojnë besimin e publikut, besimin e votuesve demokratë në 2021-shin, janë njerëz që kanë vendosur interesat e tyre personale mbi interesat e demokratëve, mbi interesat e shqiptarëve, jo vetëm me fjalë por me vota. Bashkuan votat për të njxerrë nga burgu të korruptuarit e Edi Ramës me amnistinë famëkeqe që tashmë është dokumentuar nga rapoti i progresit i BE-së.

Por lajmi i mirë është që shumë demokratë dhe shumë shqiptarë nuk janë dorëzuar dhe besojnë se Shqipëria ka një shans ta lërë pas këtë ngërç 34 vjeçar, dhe përpjekjen e dinozaurve të tranzicionit për ta mbajtur Shqipërinë peng për interesat e tyre, kundër interesave të shqiptarëve. Pikërisht këtu e gjejmë veten ne, demokratët euroatlantikë, dhe gjithë ata shqiptarë që mezi presin ndryshimin.