21.5 C
Tirana
E enjte, 8 Maj, 2025

Nuk ndalet SHBA në luftën kundër korrupsionit në rajon, DASH nxjerr listë të re me të sanksionuar

Shtetet e Bashkuara të cilat e kanë luftën kundë korrupsionit një strategji kombëtare, kanë vendosur sanksione ndaj një individi dhe një kompanie në Bosnje e Hercegovinë, duke i akuzuar se e mbështesin një rrjet të korrupsionit në Bosnje e Hercegovinë, i cili është duke bërë përpjekje për t’i shmangur sanksionet amerikane.

Zyra amerikane për Kontrollin e Aseteve të Huaja (OFAC) tha se ky rrjet është drejtpërdrejt i lidhur me të sanksionuarin Igor Dodik, djalin e Millorad Dodikut, presidentit të sanksionuar të entitetit serb të Bosnjës, Republika Sërpska (RS).

Njoftimi për sanksione vjen në ditën kur Millorad Dodik e uroi presidentin e zgjedhur të Shteteve të Bashkuara, Donald Trump.

“Shtetet e Bashkuara mbesin të përkushtuara për t’i vënë në pah përpjekjet e Dodikut dhe familjes së tij për t’i ruajtur rrjetet e tyre të korrupsionit”, thuhet në njoftim.

Sanksionet e reja përfshijnë Vladimir Perishiq dhe kompaninë “Elpring doo Laktaši”.

OFAC tha se Dodiku për vite të tëra e ka përdorur pozitën e tij zyrtare për të mbledhur pasuri personale përmes kompanive të lidhura me të dhe me të birin, Igor.

“Ky korrupsion ka kontribuar në minimin e besimit të publikut në institucionet shtetërore të Bosnjës dhe në sundim të ligjit”, tha OFAC.

“Presidenti i RS-së, Millorad Dodik, bashkëpunëtorët e tij, dhe mundësuesit e tij, vazhdojnë t’i përdorin pozitat e tyre të privilegjuara, për ta çrrënjosur besimin e publikut në kornizat rajonale të paqes dhe në institucione që kanë sjellë stabilitet dhe siguri në Bosnje e Hercegovinë”, tha ushtruesi i detyrës së nënsekretarit të Thesarit për Terrorizëm dhe Inteligjencë Financiare, Bradley T. Smith.

Pas sanksionimit të kompanisë “Kaldera” më 18 qershor 2024, Igor Dodik urdhëroi Millenko Qiçiq, i cili më parë ishte në listën e të sanksionuarve, ta themelonte firmën “Elpring doo Laktaši”, e cila do të shërbente si zëvendësim për “Kaldera”.

Me miratimin e Igorit, Qiçiq e themeloi firmën “Elpring” dhe koordinoi transferimin e të gjitha aseteve dhe operacioneve të kompanisë “Kaldera”, duke përfshirë punonjësit e saj.

Më 18 qershor, pesë kompani të lidhura me familjen e Dodikut u përfshinë në listën e zezë të SHBA-së.

Shtetet e Bashkuara e vendosën Millorad Dodikun në listën e sanksioneve më 5 janar 2022, sepse ai në mënyrë të drejtpërdrejtë ose të tërthortë, mori pjesë në shkeljen, ose pengimin, apo kërcënonte zbatimin e Marrëveshjes së Dejtonit, si dhe për aktivitete korruptive.

Dodik ishte sanksionuar më parë më 17 korrik 2017, për pengim ose kërcënim për pengim të Marrëveshjes së Dejtonit./ REL

Reportazhi/ Edison Ypi: Ku ha ferra fshatin

Nisu në Sojnikun e braktisur para se ta ketë ngrënë ferra.

sojnik (1)

Ish-baza e armatimit Sojnik

Nisu nga 6 e gjysmë e mëngjesit. Të mos kesh probleme me trafikun dhe të kthehesh para se të zërë nata, më herët do ishte më mirë.

Nëse duke ik drejt Elbasanit, do t’i lëbyri sytë dielli i sapo lindur mbi Dajt, do të shqetësojë trafiku mëngjesor me zhurma dhe piskama, dhe do të bezdisi smogu, të kanë lenë ndjesitë, je lodhur, je matufepsur, po pret të vdesësh, s’je për këtë udhëtim. Kthehu në Sauk, a te TEG-u, a në Mullet, shko te kafeneja e preferuar e mëhallës a dikund tjetër, rri nja 3 a 4 orë atje deri sa të vijë dreka të bëhen groshët, dhe mos e përsërit më gabimin për të vajtur diku te Shqipëria e vërtetë që për ty, o ngordhalaq, është më e largët se infiniti. Ama nëse sfidën mëngjesore me diell, smog, piskama, jo vetëm e duron, por e ke dhe qejf, je njeriu i duhur për të vajtur në kohën e duhur në vendin e duhur, vazhdo.

Vazhdo për të vazhduar, ama sakën se, duke parë nga dritarja, nis e lëshon klithma; ua sa e bukur kjo ullishte, au sa e mahnitshme kjo vreshta. Po nise nga këto, nuk arrin dot kurrë për ku je nisur, në Sojnik të Gramshit, ku po ha ferra fshatin.

Në Gramsh, një polic rrugor i sjellshëm dhe i gatshëm do të thotë se zor të gjesh në qytet kallauz për në Sojnik.

Në Kodovjat, dikush pik e helm se i është prishur makina në mes të rrugës, do të thotë me përtesë se nuk bëhet fjalë për kallauz në Kodovjat, ku, me gra e burra, të rritur e kalamaj i ke të gjithë duke mbledhur ullinjtë.

sojnik (2)

Ish-Spitali Sojnik

Mos u dorëzo. Kallauzët nuk gjinden kollaj. Hyr te kjo kafeneja matanë rrugës. Kafexhiu me mustaqe po llafoset me gruan. Dy goca të vogla lozin me njëra-tjetrën. Një mesoburrë te tavolina në qoshe të njeh. Donaldi, mbreti i botës në hebraisht, kështu quhet mesoburri, krejt në jerm, disi i tronditur nga befasia e këndshme, nis e t’i numëron me tituj e me data çfarë ke shkruar dhjetë vjet e tëhu. Qaja hallin mbretit të botës së Kodovjatit. Pyete Donaldin nëse vjen për kallauz në Sojnik. Do pranojë menjëherë. Por me një kusht: Ta presësh sa të vejë të pijë kafen në një ceremoni mortore në Bulçar. Mos e kundërshto mbretin. Ke kohë. Prandaj u nise herët. Donaldi para me makinën e vet, ti pas me tënden, shko shihe ceremoninë mortore. Bulçari është afër. As tre kilometra nga ku hyn te kthesa për Lenie.

Rrugës për Bulçar, do merrni një zonjë dhe një zotëri që edhe ata shkojnë te xhenazja në Bulçar. Kanë 7 fëmijë. Të gjithë në Greqi. Mbi 300 rrënjë ullinj, tokë, bagëti. Dhe ankohen për shtetin që nuk i ndihmon. Në Bulçar ka vdekur një Zonjë e nderuar. Gjithë jetën mësuese matematike, drejtoreshë shkolle, me nam të mirë në krejt krahinën. Kanë ardhur nga an’ e anës gra e burra, zotërinj e zonja, të gjithë me të zeza. Secili makinën e vet. Jo makina dosido. Vetëm Benza, Toyota, Nissana, Opela, me të ik menia. Ca ikin, ca vinë. Kafeneja e fshatit, plot. Duke pritur të kthehet Donaldi, të afrohet një çun. Kërkon ta marrësh në Kodovjat ku do takojë një mjek. Shtatlartë, 21 vjeç, pak biond, buzë të trasha, lëkurë e rreshkur, çalon pak, pamje prej të urti, prej shenjtori. Ka emër hebrè. Quhet Emanuel, “Zoti është me ne”. Emanueli llafoset shtruar. Ka plagosur këmbën. I thanë shërohet për një muaj. Por kanë kaluar dy. Emanuelit i kanë vdekur në një ditë, mami dhe tezja. Pinë nga një shishe me lëng frutash të skaduar nga ato që bëhen ilegalisht nëpër bodrume, dhe vdiqën. Babain e ka të sëmurë, ulok, nuk luan nga vendi. I bën hyzmet vëllai, xhaxhai i Emanuelit. Emanueli nga Kodovjati ka të dashur shkodrane. E ka gjetur në Internet. Nuk e ka takuar kurrë. Do e takojë së shpejti. Do fejohet dhe do martohet, do bëjë një tufë me fëmijë. Vëllai i Emanuelit ka gjetur gjithashtu nuse në Internet. Jeton bashkë me nusen në Shkgjithashtu nuse në Internet. Jeton bashkë me nusen në Shkup ku punon si pllakaxhi.

sojnik (4)

Menu turistike mbretërore

Vjen Donaldi. Do niseni për Kodovjat, ku Donaldi do lerë Nissanin, do vijë te makina jote, do ikni për Sojnik.

Në Kodovjat Donaldit që i del një punë. Në pamundësi për të ardhur vetë, të gjen një kallauz tjetër që quhet Musa, edhe ky profet.

Nisu me Musain për Sojnik.

Te kthesa për Sojnik, tabela rrugore me emrat e 12 katundeve dhe kilometrat renditur vertikalisht, duket si menu turistike mbretërore me emrat e specialiteteve dhe çmimet:

Shelcan 3
Zamsh 6
Lilenj 1 2
Snosem 1 3
Grazhdan 14
Vreshtan 1 4
Gribë 1 6
Sojnik 1 7
Kukur 1 7
Ermath 1 9
Rashtan 2 3
Rovje 2 7

sojnik (5)

Mish Gjyshit nga Nipi gjenial

Përgjatë përroit që vjen nga që lart, nga Rovja, profeti Musa do të tregojë për majën më të lartë të atyre anëve, Majën e Lisecit, lart mbi Kukur, ku sot e kësaj dite janë 9 krushq të ngrirë bashkë me mushkat, dhe krejt karvanin. Kishta, ç’emër i çuditshëm për një fshat, nuk arrihet prej këtej. Në Kishtë shkohet nga rrugë tjerër. Mos u habit, thotë profeti, që mbi rrjedhën e përroit që vjen nga Rovja nuk ka hidrocentrale. Përrenjtë nuk rrjedhin këtej. Rrjedhin nga Mokra. Të rridhnin këtej nuk do i kishin lënë pa i ngritur hidrocentralet dhe pa i tharë përrenjtë ata të pagopur. Madje edhe këtej dhe andej, nëse unjat do rridhnin në të dy anët. Te kthesa për Gribë, pak më tutje, një djalosh me kalë nga Poroçani, vendi më i keq për të jetuar, po i çon mish gjyshit në Sojnik, vendi ku dielli lind për së pari. E quajnë Ibrahim, babai i të gjithëve. Mos u ndal gjatë me Ibrahimin, atë nip madhështor se mbetesh pa vajtur në Sojnik ku po hanë ferrat fshatin. Në të hyrë të Sojnikut rruga hyn në ca si tunele ferrash që të paralajmërojnë për çfarë do shohësh pas pak në fshat. Ja dhe Sojniku.

Në mes të Sojnikut malor bie në sy një atmosferë fushore, pata, rosa, biba rrethuar me tela si një herë e një kohë Shqipëria. Një zotni me mustaqe të jep shpjegime për një lokal që e ka ndërtuar pothuaj tërësisht me mjete rrethanore. E dije se peshku bëhet në det në ujëra të ngrohta dhe të kripura. Por u bëka edhe këtu në mal me ujë të ëmbël dhe të ftohtë. Pranë një lëndine të blertë, ish spitali i Sojnikut me nam në kohën i Diktaturës ku vinin e shëroheshin nga anë e anës.

Ish-Qendra e Kulturës është shndërruar në, kati i parë kafene, kati i dytë depo. Askush nuk është bërë mukajet të marrë një dorë gëlqere ta mbulojë emrin e ish -diktatorit mbi murin e ish spitalit. Pak mbi qendrën e fshatit, shkolla pothuajse bosh. Shkolla ka emër dëshmori dhe mbiemër motoçiklete, Guzi. Dëshmori nga Sojniku ka rënë në Dibër. S’është çudi që, për ti bërë të pa verifikueshme dëshmitë, ndonjë dibran, emrin e të cilit në Dibër një shkollë e mban, të ketë rënë dëshmor në Sojnik, a dikund tjetër këtej rrotull. Është ora e Pushimit të Madh. Në kafene, mësues dhe mësuese. Mësuesi, Sulua, një djalë i ri diku nga ku ndahet Skrapari me Gramshin nga një fshat ku ha pula strallin…Sulua shpjegon rrjedhshëm por mysafirët e trashë nuk kuptojnë qartë. Mësuesja, ah mësuesja, mësuesja e Sojnikut, një Zonjë në moshë, një Elisabeth Taylor version gramshak, spjegon ngadalë me zë mozartian për çfarë e pyet në Shqipe korrekte me theks lokal, me të ikë truri i kokës, me një përqendrim dhe vetpërmbajtje shembullore që u mungon zonjave meteopolitane. Sojniku është plot me ujëra që rrjedhin përposhtë. Po s’ke zemër të fortë, mbi dhe nën fshat, mos hyr. Pamje e tmerrshme për syrin dhe mendjen. Ferrat janë harlisur brenda e jashtë shtëpive të braktisura si merimangat në filmat e horrorit. Ferrat po e kullufisin Sojnikun si anakonda përpin dalëngadalë një viç të tërë.

sojnik (3)

“Rroftë Diktatori” Sojnik

Largohu prej aty se çmendesh. Merr Sulon dhe Elisabeth Taylor-in, dhe ik teposhtë. Sulon çoje në Gramsh. Zonjën madhështore deri aty afër ku banon, ku gdhihet e ngryset në Fatin e vet monumental. Musain lëre afër Kodovjatit, ku ka shtëpinë. Duke zbritur nga Sovjani që po e hante ferra, pamje kadareane: Pasi kanë ardhur nga ceremonia mortore në Bulçar përmes një shortcut-i që e dinë vetëm vendalinjtë, katër mësuese fshati anës udhës. Pa “Shoku Jani”, pa “Komitet e ministri”, pa “nxjerrin dorën nga makinat”, se pas pak vjen i merr makina e vet. Sa me fat je mor qen. Ishe ku halabakët kanë ikur, kanë mbetur vetëm shenjtorët, dhe ferrat që po hanë fshatin. Drejt Tiranës, vreshtat, ullishtat, nuk do të duken aq të bukura si kur u nise, dhe do mërzitesh pak. S’mund të ndodhë ndryshe kur kthehesh nga vendi i profetëve te vendi i hajdutëve.

Ligji i ri/ Gjobë 30 për qind në muaj për pronarët që nuk paguajnë tarifën e administrimit në pallate

Qytetarët, të cilët nuk paguajnë në kohë detyrimet për administrimin në ndërtesat e përbashkëta do të gjobiten me 30 për qind të detyrimit për çdo muaj vonesë. Ministria e Pushtetit Vendor ka hedhur për konsultim publik një projektligj, i cili ndryshon rrënjësisht ligjin aktual për administrimin e bashkëpronësisë në ndërtesa.

Sipas draftit, qytetarët që banojnë në pallate janë të detyruar të paguajnë tarifën e administrimit të bashkëpronësisë.

“Tarifa e administrimit për secilin bashkëpronar, si rregull, përcaktohet bazuar në shpenzimet e administrimit dhe në kuotën e pjesëmarrjes në bashkëpronësi të pronarëve të njësive. Ajo mund të korrektohet për shpenzime të veçanta, për numrin e kateve dhe për masën e përdorimit të objekteve të veçanta,” thuhet në draft.

Në rast se asambleja e bashkëpronarëve nuk gjen dakortësinë për përcaktimin e tarifës zbatohet tarifa e referencës e miratuar nga këshilli bashkiak përkatës, e ndarë sipas zonave dhe tipoligjisë së ndërtesës që bazohet në udhëzuesin për llogaritjen e tarifës së administrimit. Ministri që mbulon fushën e çështjeve vendore miraton udhëzuesin për llogaritjen e tarifës së administrimit.

Por çfarë ndodh nëse qytetarët nuk e paguajnë tarifën?

“Në rast të vonesës së pagesës nga ana e një bashkëpronari, vendoset një penalitet prej 30% të tarifës për çdo muaj vonesë. Penaliteti synon të nxisë bashkëpronarët të respektojnë afatet e pagesës, duke shmagur situata të mospagesës së administratorit/shoqërisë së administrimit që ndikojnë në tërësi në administrimin e objekteve. Penaliteti ndihmon në kompensimin e çdo humbjeje potenciale që vjen si pasojë e mosdisponueshmërisë së fondeve në kohën e duhur,” thuhet në projektligj.

Dhe nëse bashkëpronari nuk paguan tarifën dhe kamatat e prapambetura brenda tre muajve, kryesia e asamblesë së bashkëopronësisë bën një përllogaritje të vlerës së detyrimeve të papaguara, përfshirë tarifën dhe kamatëvonesat. Ky akt përmbledh vlerën e plotë të detyrimeve që ka bashkëpronari.

Pagesa e detyrimeve monetare për tarifën e bashkëpronësisë përmes këtij drafti bëhet titull ekezekutiv, që do të thotë se ata qytetarë të cilët nuk paguajnë do të përballen me përmbarimin.

“SPAK u themelua nga administra e Trump”/ Ironia e Kreshnik Spahiut: Vizën, Berishës ja hoqi qeveria Trump

Juristi dhe publicisti Kreshnik Spahiu, ka shpërndarë në rrjetet sociale një ironi pë rata opozitarë që janë ngazëllyer me fitoren e Donald Trump.

Me një listë të shkurtër, Spahiu shkruan se politika e lartë amerikanet për reformën në drejtësi është hartuar nga administrate e Presidentit Trump

Kujtesë për ata që uronin sot Donald Trump:

– Ambasadorja Yuri Kim u dekretua nga Trump

– Reforma në Drejtësi u votua në kohën e Trump

– SPAK u themelua nga administra e Trump

– Heqja e vizave amerikane për Berishën nga Trump

– Lista e Non Gratave për socialistët nga Trump

Tirana me numrin më të lartë të analfabetëve, 36% janë të grupmoshës 10-49 vjeç

Analfabetizmi është prezent edhe në ‘zemër’ të Shqipërisë, pasi 1/5 e personave që nuk dinë shkrim dhe këndim në të gjithë vendit janë në qarkun e Tiranës. Sipas të dhënave të detajuara të Censit, pas Tiranës, Elbasani dhe Fieri janë dy qarqet e tjerë me numrin më të lartë të analfabetëve.

Qarqet me numrin më të lartë të analfabetëve:

 Tirana – 9 627
Elbasan – 6 215
Fieri – 6 063

“Në qarkun e Tiranës numërohen rreth 9 600 analfabetë, shumica e tyre janë në bashkinë e Tiranës, pasuar nga Kamza, Kavaja, Vora dhe Rrogozhina. Rreth 36% e atyre që nuk dinë të shkruajne e të lexojnë janë të grupmoshës 10-49 vjeç.”

9 627 analfabetë në Qarkun e Tiranës:

Tiranë-6 243
Kamëz-1 546
Kavajë-698
Vorë-603
Rrogozhinë-537

Gjithsesi analfabetizmi në kryeqytet ka ardhur me ulje.  Kjo pasi 1.4% e popullsisë së qarkut Tiranë rezulton analfabete, nga 1.9% që ishte në vitin 2011 (kohë kur kishte 12 587 analfabetë), raporton Tv Klan.

Qeveria bllokoi pa afat rivlerësimin e pasurive, eksperti: Efekt zinxhir në tregun e pasurive të paluajtshme

Qeveria ka bërë zyrtarisht me dije se ka shtyrë për një afat të pacaktuar çeljen e procesit të rivlerësimit të pronave. Lajmi ka shkaktuar menjëherë jo vetëm shqetësim mes qytetarëve, ashtu si edhe bizneseve, por sipas ekspertëve po çorodit tërësisht tregun e shitblerjeve të pronave.

Lidhur me këtë, Arbër Brahaj përfaqësues i shoqatës NAREA, i ftuar në një studio televizive, u shpreh se qytetarët kanë rënë në grackë pasi i besuan nisjes së rivlerësimit gjë që ka çuar në një mori kontratash të pazgjidhura.

Ai tha se kaosi i krijuar mpe deklaratat shkakton probleme ligjore mes shitësve dhe blerësve të pronave, ndërsa theksoi se dhe Banka e Shqipërisë raportoi rënie me 3% të pasurive të paluajtshme.

Sipas tij ato që preken më shumë janë pasuritë në proces shitje teksa shton se shpreson që kolapsi shpresojmë të mos ndodhë pasi pasojë duhet që do të ketë.

“Qytetarët në momentin që u parashtrohet se do ketë një rivlerësim të pronës janë të gjithë të rënë në grackë që do të thotë u kanë besuar premtimeve dhe kanë avancuar me kontratat.

Pra nuk është se jemi përballë një zhgënjimi, por jemi përballë një morie kontratash dhe me këtë pezullim ato dalin jashtë loje dhe duke qenë ligjore janë të vështira për tu zgjidhur.

Në maj qytetarët i pezulluan me arsyen deri në procesin për rivlerësim. Ky proces rivlerësimi ka një ndikim efekt zinxhir në të gjithë tregun e pasurive të paluajtshme. Jemi vetëm në fillim, kjo është pasoja numër një, po të bllokosh tregun e pasurive të paluajtshme pak a shumë fillon të shkatërrosh ekonominë tënde.

Edhe Banka e Shqipërisë raportoi rënie me 3% të pasurive të paluajtshme.

Madje mundtë flasim dhe për kolaps tregu sepse ky është tregu i rishitjes së pasurive të paluajtshme, kanë si treg kryesor shtresën e mesme, ata që blejnë një pronë që kanë pasur një pronar më përpara dhe kjo është më e prekura. Kolapsi shpresojmë të mos ndodhë, por që do ketë pasoja patjetër kjo është e sigurtë.”

Më tej ai shtoi se puna për referencat e pronave në bregdet duhet të kishte nisur që në verën e 2023 pro që ende nuk ka ndodhur, ndërsa thekson se nga kjo dhe vetë qeveria ka humbje sepse arkëtimet kanë pësuar rënie prej shitjeve.

Sipas tij qeveria po humbet të ardhurat në buxhet për shkak të rivlerësimit dhe se të vetmit përfitues janë ndërtuesit në pritje të lejeve të ndërtimit.

“Harta e vlerës së pronës në bregdet u përcaktua se po fillon puna për riemërtimin, pra nga korrik 2023 deri më sot se ka bërë të mundur përfundimin e këtij procesi dhe duke e lënë pa afat këtë treg thjeshtë e zvarrit tregun.

Qeveria është në një humbje të tejskajshme, të ardhurat për taksën e paluajtshme këtë vit janë në rënie, por nuk shqetësohet se ka burime të tjera të ardhurash dhe fakti është se është diçka që e kanë krijuar vetë.

Fakti që shumica e rivlerësimeve në vitet e shkuara është bërë në bazë të çmimeve të referencës. Të vetmit që përfitojnë në këtë rast janë ndërtuesit që janë në pritje të lejeve të ndërtimit, të tjerët janë me humbje.”

Diskutimet për buxhetin 2025, eksperti i ekonomisë e thotë “troç”: Është një buxhet tipik elektoral

Diskutimet për buxhetin 2025, eksperti i ekonomisë e thotë “troç”: Është një buxhet tipik elektoral

Eksperti i ekonomisë, Klodian Muço në një intervistë në Ora News u shpreh se buxheti i vitit 2025 në pamje të parë është një buxhet tipik elektoral.

Muço: Shikohet që do kemi një rritje me gati prej 500 milionë euro të ardhura.

Tregon në njëfarë mënyre një përmirësim të luftës kundër informalitetit dhe është një tregues pozitiv.

Sigurisht jemi shumë larg niveleve të Serbisë, meqë kemi të njëjtin presion fiskal.

Në pamje të parë është një buxhet tipik elektoral.

Për herë të parë niveli i investimeve publike në raport me prodhimin e përgjithshëm bruto kalon nivelin e 6.22% apo gati 1.6 miliardë euro.

Koha ka treguar se kur ka cikle elektorale ka një tendencë të rritjes së investimeve publike.

Krimet e pasionit që tronditën Shqipërinë! Një popull që po përballet me pasojat e tragjedive emocionale

Në vitin 2024, krimet e pasionit kanë tronditur Shqipërinë, duke nxitur debat mbi arsyet dhe mënyrat e parandalimit të këtyre incidenteve.

Ky fenomen social dhe psikologjik, i nxitur nga konflikte të brendshme, xhelozi dhe mungesë mbështetjeje, ka ndikuar jo vetëm tek individët e përfshirë, por edhe në shoqërinë e gjerë.

Rasti më i fundit u shënua ditën e sotme, ku Ilir Çami qëlloi me thikë ish-të dashurën e tij Manderina Çela. Plagosja me thikë u regjistruar në vendin e njohur si “Trekëndëshi” në qytetin e Korçës, ndërkohë që u mësua se Çami ka qenë edhe më parë i arrestuar për përndjekje të Çelës.

Pak kohë më parë një tjetër ngjarje e rëndë u regjistrua po në qytetin e Korçës, ku Bledar Trëndafili i hodhi lëndë djegëse gruas së tij 31-vjeçare e më pas i vendosi zjarrin. Edhe në këtë rast, bashkëshorti nuk e pranonte ndarjen nga nëna e fëmijëve të tij duke zgjedhur një rrugë më të shpejtë për të kënaqur egon e tij.

Gjatë këtij viti, disa raste të krimeve të pasionit kanë bërë bujë në media dhe kanë prekur thellë opinionin publik.

Por rastet kur njëri partner qëllon tjetrin për të vendosur “vetëgjyqësinë” e presupozuar nuk janë të vetmet.

Një nga zonat më të populluara të Tiranës, Komuna e Parisit u trondit nga të shtënat me armë të një efektivi policie që lanë të plagosur 45-vjeçarin Lorenc Kosta me origjinë nga Berati e banim në kryeqytet, punonjës në Enti Rregulator të Energjisë (ERE).

Pak pas masditës Erjon Goxhara, efektiv në drejtorinë e Kufirit në Laprakë, qëlloi me pistoletën e shërbimit 45-vjeçarin, kalimtar në trotuar, pranë një marketi te rreth-rrotullimi i Komunës së Parisit.

Policia tha zyrtarisht se plagosja ka ndodhur për ‘motive të dobëta’, por mediat thanë se ka dyshime që 45-vjeçari kishte lidhje jashtëmartesore me bashkëshorten e efektivit. Në kundërpërgjigje, Erjon Goxhara, me origjinë nga Memaliaj dhe me banim në zonën e Ali Demit në Tiranë, e ka qëlluar me armë. Në vendngjarje janë gjetur 6 gëzhoja.

Por cilët janë faktorët e mundshëm që nxisin krimet e pasionit?

Këto raste të tmerrshme nxjerrin në pah faktorë të përbashkët që nxisin krimet e pasionit. Konfliktet e rënda emocionale, xhelozia dhe mungesa e mbështetjes psikologjike shpesh janë të pranishme në këto krime. Disa raste përkeqësohen edhe nga varfëria dhe presioni i madh ekonomik që mund të shkaktojë tension në marrëdhëniet personale.

Sipas ekspertëve, mungesa e arsimimit mbi menaxhimin emocional dhe e ndihmës psikologjike janë ndër shkaqet kryesore që çojnë individët drejt këtyre veprimeve të dhunshme. Në disa raste, njerëzit që përjetojnë tension të fortë emocional ose që janë në varësi të partnerit të tyre ndihen të pafuqishëm për të kërkuar ndihmë ose për të shpëtuar nga situata toksike.

Krimet e pasionit kanë një ndikim të thellë mbi familjet e viktimave dhe shoqërinë. Ato krijojnë një ndjenjë të përhapur frike dhe pasigurie dhe shpeshherë sfidojnë besimin e publikut tek sistemi i drejtësisë dhe mbrojtjes sociale. Familjet e viktimave përballen jo vetëm me dhimbjen e humbjes, por edhe me stigmën dhe vështirësitë financiare që pasojnë.

Institucionet kanë reaguar ndaj këtyre krimeve me përpjekje për rritjen e ndërgjegjësimit në publik, por shumë mbetet për të bërë në drejtim të ofrimit të shërbimeve të mbrojtjes dhe mbështetjes psikologjike.

Organizatat joqeveritare, së bashku me institucionet shtetërore, kanë rritur ndërgjegjësimin mbi rëndësinë e menaxhimit të emocioneve dhe marrjes së ndihmës në rastet e konflikteve të thella personale. Janë shtuar fushatat në mediat sociale dhe janë hapur qendra këshillimi në qytetet kryesore për të ndihmuar individët dhe çiftet të përballojnë stresin emocional dhe të shmangin veprimet që mund të çojnë në dhunë, por deri më tani nuk kanë rezultuar të suksesshme.

Rastet e fundit të krimeve të pasionit në Shqipëri gjatë vitit 2024 janë një kujtesë e nevojës për t’u përballur me çështjet e menaxhimit emocional, ndërgjegjësimit shoqëror dhe ndihmës për shëndetin mendor. Përmes përpjekjeve të përbashkëta nga institucionet, organizatat dhe komuniteti, është e mundur të krijohet një mjedis më i sigurt dhe më mbështetës për të gjithë individët, duke parandaluar kështu krime të tilla tragjike dhe duke përmirësuar mirëqenien e përgjithshme të shoqërisë./alfapress.al

Analiza e VOA: Lindja e Mesme e përçarë rreth zgjedhjes së Presidentit Trump

Njëri nga premtimet kryesore të Presidentit të sapo zgjedhur amerikan Donald Trump gjatë fushatës zgjedhore ishte se ai do t’i jepte menjëherë fund luftës ndërmjet Izraelit dhe Hamasit e Hezbollahut, dy grupeve militante që mbështeten nga Irani. Sot, zgjedhja e tij në Shtëpinë e Bardhë u përshëndet nga Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu si një “rikthim historik” ndërkohë që në Iran, monedha zyrtare pësoi rënien më të madhe historike, duke paralajmëruar sfida të reja për Teheranin.

Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu përgëzoi të mërkurën Presidentin Donald Trump për fitoren e tij në zgjedhjet presidenciale amerikane.

“Urime për rikthimin më të madh historik! Kthimi juaj historik në Shtëpinë e Bardhë është një fillimi i ri për Amerikën dhe për një angazhim rishtas i fuqishëm për aleancën e ngushtë ndërmjet Izraelit dhe Amerikës. Kjo është një fitore e madhe!” deklaroi Kryeministri Netanyahu.

Ndërkohë sulmet izraelite ndaj grupeve militante Hamas dhe Hezbollah vazhduan në Liban dhe Gazë krahas njoftimeve për 30 viktima në qytetin Barja, vetëm një ditë pasi kryeministri izraelit shkarkoi ministrin e tij të mbrojtjes Yoav Gallant duke iu referuar mospajtimeve mes tyre rreth menaxhimit të luftës në këto dy fronte.

Kryeministri izraelit dhe Presidenti Trump kishin një marrëdhënie të afërt gjatë mandatit të kaluar të ish presidentit, por marrëdhëniet u acaruan kur Netanyahu përgëzoi Presidentin Biden për fitoren në zgjedhjet e vitit 2020. Gjatë mandatit të parë, Presidenti Trump u përpoq ta ribëjë Lindjen e Mesme duke pajtuar Izraelin dhe Arabinë Saudite dhe tani të gjithë janë në pritje të shohin se cilat do të jenë ndërhyrjet e tij në konfliktet e tanishme rajonale.

Izraelitët u bën jehonë urimeve të kryeministrit Netanyahu.

“Sot festojmë fitoren e zotit Trump. Është fitore për popullin amerikan dhe për popullin izraelit… I urojmë fat, e duam dhe e përgëzojmë”, thotë Ester Hadas, banore e Tel Avivit.

Udhëheqësit palestinezë ende nuk kanë reaguar për fitoren e zotit Trump.

Në Bregun Perëndimor, palestinezët shprehën dëshpërimi për zgjedhjen e Presidentit Trump.

“Fitorja e Trumpit për një mandat të dytë është tregues se gjakderdhja do të vazhdojë dhe shenjë se politika amerikane nuk ka ndryshuar – do të vazhdojë të mbështesë Izraelin”, thotë banori i Ramallahut, Naim Fawzi.

Në Iran, zgjedhja e Presidentit Trump ndikoi në rënien më të madhe të vlerës së valutës iraniane, një sinjal i sfidave të reja me të cilat do të përballet ekonomia e këtij vendi që ballafaqohet me sanksione ndërkombëtare për shkak të programit bërthamor. Marrëdhëniet ndërmjet Shteteve të Bashkuara dhe Iranit janë të tensionuara ndër vite, por ato u përshkallëzuan pas tërheqjes së zotit Trump gjatë mandatit të tij të parë presidencial, nga marrëveshja bërthamore me Iranin.

Qeveria iraniane ka bërë përpjekje të minimizojë ndikimin që zgjedhja e zotit Trump do të ketë për Teheranin.

“Zgjedhja e presidentit amerikan nuk ka ndonjë ndikim të veçantë tek ne. Vijat kryesore politike të Shteteve të Bashkuara dhe Republikës Islamike janë statike dhe nuk do të ndryshojnë shumë me ndryshimet e njerëzve në pushtet. Kemi bërë përgatitjet e nevojshme paraprakisht”, tha zëdhënësja e qeverisë iraniane, Fatemeh Mohajerani.

Por iranianët në rrugët e Teheranit shprehën shqetësimet e tyre.

“Trumpi do t’i intensifikojë sanksionet 100 për qind. Gjërat që nuk janë në favorin tonë do të përkeqësohen. Gjendja jonë ekonomike dhe sociale gjithsesi do të përkeqësohet”, tha studenti 22 vjeçar Amir Aghaeian.

Irani dhe Izraeli janë angazhuar në sulme të drejtpërdrejta ndaj njëri-tjetrit në muajt e fundit. Irani ka sulmuar me raketa balistike Izraelin dy herë, ndërkohë që Izraeli së fundmi sulmoi infrastrukturën të prodhimit të raketave balistike dhe dronëve në brendësi të Iranit.

Irani ka kërcënuar se do të hakmerret ndaj Izraelit, ku trupat amerikane tani kanë vendosur një sistem të sofistikuar të mbrojtjes nga raketat./VOA

BIRN: Sistemi shëndetësor shqiptar vuan nga buxhetimi i ulët – thekson raporti

Organizata “Together for Life” prezantoi të mërkurën në një tryezë të rrumbullakët gjetjet e raportit të monitorimit të Strategjisë Kombëtare të Shëndetësisë për vitet 2021-2030.

Ky raport evidenton rënien e buxhetit për shërbimin shëndetësor parësor, rritje në nivel rekord të shpenzimeve nga xhepi të qytetarëvë shqiptarë për shëndetin, mungesë investimesh për shëndetin mendor të popullatës, si edhe mungesë transparence lidhur me zbatimin e kontratave koncesionare.

“Buxheti për shëndetësinë përbën vetëm 2.78% të GDP-së në Shqipëri. Asnjë vend në rajon nuk e ka këtë buxhet kaq të ulët,” tha Eglantina Bardhi, drejtore ekzekutive e Together for Life.

Strategjia Kombëtare e Shëndetësisë 2021-2030 bazohet në arritjet e Strategjisë Kombëtare të Shëndetësisë 2016-2020 dhe siguron vazhdimësinë e punës së kryer më parë, adresimin e sfidave aktuale dhe të ardhshme të sistemit shëndetësor. Pavarësisht këtyre përpjekjeve në letër për përmirësimin e shërbimeve shëndetësore në vend, gjetjet tregojnë se në realitet kjo strategji lë për të dëshiruar.

“Nga viti 2020 deri në 2024, financimi për shërbimin parësor nga buxheti i shtetit ka rënë nga 11.4% në 9.1% të buxhetit total për shëndetësinë, duke treguar një dobësim të mbështetjes financiare për kujdesin parësor,” thuhet në raport.

Raporti tregon gjithashtu se shpenzimet e shëndetit që qytetarët detyrohet t’i mbulojnë nga xhepi i tyre janë rritur në 59.7% në vitin 2021, ndryshë nga se tregojnë vlerat e Ministrisë së Shëndetësisë me 44.5%.

“Duhet ta pranojmë se është përkeqësuar mbështetja për shëndetësinë, kjo reflektohet në shërbimet ndaj qytetarëve dhe në shpenzimet e tyre të xhepit,” tha Alma Lahe, menaxhere projekti pranë Together for Life.

Ngjashëm, edhe ekspertë të shëndetit pranojnë përkeqësimin e situatës lidhur me financimin e këtij sektori dhe si pasojë ofrimin e dobët të shërbimeve.

“Sistemi shëndetësor në Shqipëri vuan nga buxhetimi i ulët. Qeveria është ambicioze në letër, por çalon në praktikë,” tha Zheni Gjergji, deputete e Partisë Demokratike dhe kryetare e Komisionit Parlamentar për çështjet e Shëndetësisë.

Grupe të tjera vulnerabël që preken nga mungesa e financimeve dhe shërbimeve në fushën e shëndetësisë janë ata që vuajnë problemet e shëndetit mendor, si dhe fëmijët.

Sipas gjetjeve të raportit, Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtes Sociale ka dështuar në fuqizimin e shërbimeve për trajtimin e personave me çrregullime të shëndetit mendor dhe në përmirësimin e aksesit dhe cilësisë në këto shërbime.

“Lidhur me rritjen e kapaciteteve të stafit dhe trajnimet për shëndetin mendor, nuk është arritur të realizohet asnjë prej aktiviteteve të tjera të parashikuara deri në 2024”, citon raporti i Together for Life, ku ndër të tjera theksohet se nga katër shtëpitë e reja mbështetëse të planifikuara të ngrihen në periudhën 2022-2024 në Tiranë, Vlorë, Dibër dhe Pogradec për përsonat që transferohen nga spitalet psikiatrike, nuk është ngritur asnjë.

Raporti thekson gjithashtu mungesën e transparencës mbi kontratat koncesionare, mes të cilave është edhe ajo e kontrollit mjekësor bazë të njohur si Check Up.

“Në vitin 2022, koncesionari u pagua edhe për 20,182 pacientë që nuk e kryen kontrollin, gjë që ka ngjallur një debat të madh publik për kontratën e hartuar dhe firmosur në mungesë të madhe transparence dhe, për më tepër, në dëm të interesave publike,” përfundon raporti./reporter.al