20.4 C
Tirana
E hënë, 19 Maj, 2025

Avokatja e Popullit: Prokuroria dhe policia shkelën të Drejtat e Njeriut me arrestimet e protestuesve në Kukës

Institucioni i Avokatit të Popullit ka dalë me një rekomandim në lidhje me proceduar te ndjekura nga Policia dhe Prokuroria për arrestimet e protestuesve në Kukës.
Në një material të zgjeruar Avokati i Popullit, shkruan se janë disa shkelje që janë bërë nga Policia dhe Prokuroria.
Sipas AP, Policia dhe Prokuroria ka cenuar lirinë dhe të drejtat e njeriut.
Pjesë nga rekomandimi:
Më konkretisht shkelje të lirive dhe të drejtave themelore të individit në vlerësimin tonë, janë krijuar nga veprimet, apo mosveprimet në vijim:
Urdhërat e ndalimit të nxjerrë nga Prokuroria nuk përmbajnë asnjë arsyetim në lidhje me shkaqet që kanë çuar Prokurorinë në zbatimin në rastin konkret të një masë sigurie me privim lirie.
Nuk janë evidentuar nga ana e Prokurorisë dhe/ose Policisë veprimet konkrete të bëra midis tyre për të dokumentuar orën në të cilën i është kërkuar policisë zbatimi i këtyre urdhrave të ndalimit;
Nuk rezulton asnjë dokumentim në lidhje me grupet e ngarkuara nga ana e Policise për të ekzekutuar urdhrat e ndalimit dhe ose personin përgjegjës (veprimet janë kryer me urdhra verbale);
As të ndaluarve dhe as familjareve të tyre nuk u është komunikuar një kopje e urdhërit të ndalimit, në momentin në të cilin u është privuar liria;
Oficerët e Policisë Gjyqësore dhe/ose organi i akuzës kanë dështuar të evidentojnë në mënyrë të saktë orën në të cilën personave u është privuar liria;

Regjistrat e shoqërimit dhe/ose ndalimit në Komisariatet 1, 2, 3, si dhe në Drejtorinë Vendore të Policisë Tiranë, janë plotësuar me vonesë dhe jo në mënyrë të saktë, duke u bërë shkak për mostrajtim në kohë e në përputhje me ligjin të të ndaluarve;
Procesverbalet e komunikimit të urdhërave të ndalimit, përmbajnë pasaktësi të theksuara në përpilimin e tyre dhe kanë mangësi në lidhje me evidentimin e veprimeve proceduriale, të cilat duheshin kryer në përputhje me Kodin e Procedures Penale; sa më sipër ka çuar në mosgarantimin e të drejtave të ligjore të të ndaluarve;
Kërkesa e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë, Kukës, për vlerësimin dhe caktimin e masave të sigurimit personal ndaj 23 shtetasve të ndaluar është depozituar pranë Gjykatës së Shkallës së
Parë, Kukës, jashtë afatit ligjor të parashikuar nga neni 258 i Kodit të Procedurës Penale. Kjo kërkesë është paraqitur në datën 03.04.2018, ora 09:45, ndërkohë që nga pyetja nga ana jonë e personave të ndaluar rezulton se:
ata janë ndaluar në qytetin e Kukësit ndërmjet orëve 02.00 – 05.00 të mëngjesit të datës 01.04.2018.
nga këqyrja e regjistrave të Komisariateve të Policisë të Tiranës 1,2,3, dhe Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë, rezulton se hyrja e tyre në Komisariate/Drejtori është bërë ndërmjet orëve 08.30 – 9:00 të datës 01.04.2018, çka deshmon se ora e privimit të lirisë për çdonjërin prej tyre ka qenë të paktën 2 orë e gjysmë më parë;
Gjithashtu Prokuroria ka cenuar të drejtat e të ndaluarve duke llogaritur si kohë ndalimi orën e ekzekutimit të urdhërave të ndalimit datë

01.04.2018, ndërmjet 10.20-12.00, kohë e cila nuk pasqyron realitetin e veprimeve të kryera në këtë rast. Pra për 23 personat e ndaluar, koha (ora) dhe vendi i ekzekutimit të ndalimit të tyre, janë të pasakta dhe nuk janë pasqyruar siç ka ndodhur në të vërtetë.
Prokurori i çështjes nuk ka bërë ndjekjen e zbatimit korrekt të dispozitave proceduriale nga ana e Policisë Gjyqësore të Drejtorisë Vendore të Policisë Kukës, ndaj personave të ndaluar, sikurse parashikohet në pikën 1, të nenit 304, të Kodit të Procedurës Penale.
Prezenca e madhe e forcave të Policisë së Shtetit gjatë zhvillimit të seancave gjyqësore, megjithëse e justifikuar ligjërisht për shkak të numrit të personave të ndaluar që po gjykoheshin, mund të krijojë premisa të intimidimit të trupës gjyqësore për zhvillimin normal të procesit, veçanërisht në rastet kur ka pretendime në personat e tjerë të pranishëm në sallën e gjykimit (personat që gjykohen, apo mbrojtësit e tyre).
Duke mos qenë objekt i drejtëpërdrejtë i punës së Avokatit të Popullit dhënia mendim mbi përmbajtjen e vendimit të Gjykatës, në lidhje me formën e tij, jemi të mendimit se një vendim gjykate duhet të jetë i arsyetuar në mënyrë bindëse e shteruese duke marrë në shqyrtim e analizuar të gjitha pretendimet e ngritura gjatë gjykimit, për të përjashtuar kështu efektet negative që mund të krijohen në rastin e kundërt. Vetëm kështu sistemi i drejtësisë do të mund të krijojë besimin e munguar në sytë e publikut.

Gjatë zhvillimit të seancës gjyqësore për vlerësimin e masës së sigurisë, janë gjykuar njëherazi 23 persona. Është evidente se ndryshimet e Kodit të Procedurës Penale në rastin konkret bëhen shkas për mosgarantimin me korrektesë të të gjitha të drejtave që parashikohen në një proces të rregullt gjyqësor për personat e ndaluar, nisur nga numri i madh i tyre. Gjithashtu numri i madh i personave ka kërkuar edhe marrjen e masave jo të zakonshme, për të garantuar ruajtjen e rendit dhe sigurisë në sallë e jashtë saj.
Evidentimi më i saktë i vendimeve, komunikimeve dhe zbatimi korrekt i tyre, në lidhje me zhvillimin me dyer te mbyllura apo të hapura të seancës së vlerësimit të masës së sigurimit, do të mënjanonte konfrontime midis familjarëve të personave të ndaluar dhe deputetëve të Kuvendit, me forcat e Policisë së Shtetit, që kishin marrë përsipër të garantonin rregullin dhe sigurinë në sallën e gjyqit. Këto vendime e komunikime duhet të bëhen për raste të tilla në mënyrë publike edhe nga administrata e Gjykatës, për të mënjanuar tensionet në vigjilje të seancës.
Për gjithë sa më sipër Rekomandojmë:
– Marrjen e masave nga Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit për të siguruar interpretim të saktë, e zbatim korrekt të ligjit nr. 8773, datë 23.4.2001 “Për Tubimet;
– Marrjen e masave administrative nga Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit për të garantuar plotësimin në kohë, në mënyrë të saktë, korrekte dhe pa gabime të regjistrave të shoqërimit dhe/ose ndalimit të shtetasve, si dhe aplikimin e procedurave korrekte si nga ana personave shoqërues, edhe atyre pritës, në lidhje me të shoqëruarit apo të ndaluarit;
– Marrjen e masave administrative dhe/ose masave të tjera të parashikuara nga ligji per veprimet e kryera nga prokurorët e çështjes dhe në mënyrë të veçantë në lidhje me mosgarantimin e të drejtave proceduriale për personat e ndaluar. Sa më sipër i njoftohet Prokurorit të Përgjithshëm dhe Prokurores së Rrethit Kukës, për të marrë masat në ushtrim të kompetencave që ata kanë në zbatimit të ligjit, deri fillimin e funksionimit të Këshillit të Lartë të Prokurorisë.
– Dërgimin e këtij Rekomandimi pranë Këshillit të Lartë të Drejtësisë, për të vlerësuar për çështje që mund të ndiqen prej tyre, deri në krijimin e Këshillit të Lartë Gjyqësor.

Agjencia e franceze e lajmeve, AFP: Eksportuesi me i madh i drogës në BE u ftua të hapë negociatat

Komisioni Europian ka rekomanduar hapjen e bisedimeve të pranimit me Shqipërinë.
Këtu janë disa fakte për shtetin e varfër ballkanik, shkruan agjencia franceze e lajmeve AFP, banorët e të cilit janë thellësisht të lidhur me Europën, pavarësisht se janë ndarë nga ajo për shekuj me radhë gjatë pushtimit osman dhe më vonë, gjatë diktaturës komuniste:
– Tifozë të Mercedes dhe të BE
Nëse janë të reja apo të shkatërruara, makinat e Mercedes janë padyshim makina kombëtare e Shqipërisë, që përbëjnë 40 për qind të makinave të vendit, sipas zyrtarëve të transportit.
Dy flamuj janë të gjithëpranishëm në të gjithë vendin: Flamuri kombëtar i Kuqezi me një shqiponjë me dy koka dhe ai i Bashkimit Europian.
I izoluar nga pjesa tjetër e botës gjatë periudhës komuniste, “shqiptarët janë të obsesionuar me Europën. Europa është për ta një dashuri patologjike, por edhe një model i vërtetë”, tha shkrimtari i famshëm, Ismail Kadare, për Shqipërinë.
– Potenciali i turizmit
Potenciali i turizmit në Shqipëri është i nënshfrytëzuar. Me bregdetin Adriatik, malet e shumta dhe lumenjtë, Shqipëria është e pasur me bukuri natyrore për vizitorët, të cilët gjithashtu mund të eksplorojnë vende arkeologjike të lashta, gjurmë të historisë otomane dhe bunkerët komunistë që u shndërruan në kafene plazhi.
Pikat kryesore të kuzhinës variojnë nga këmbët e bretkosave dhe prodhimet e detit, duke përfshirë midhjet që janë kapur me dinamit. Por potenciali turistik i Shqipërisë është nënshfrytëzuar për shkak të mundësive të kufizuara të akomodimit, infrastrukturës së dobët dhe një rrjeti jo të zhvilluar rrugor në rajonet malore.
Vendi i 2.9 milionë banorëve tërhoqi 4.6 milionë vizitorë në 2016, sipas Ministrisë së Turizmit. Banka Botërore mbështet projektet e turizmit, veçanërisht në Jug, duke e konsideruar rajonin me potencial më të madh.

– Vala e emigrantëve
Shqipëria ka një nga nivelet më të larta të emigracionit në botë, me një diasporë prej rreth 1.2 milionë personash. Ata janë shtyrë të largohen, disa prej standardeve më të ulëta të jetesës në Europë, një pagë mesatare bruto prej rreth 355 eurosh në muaj dhe papunësisë, që prek pothuajse një në tre të rinj, sipas Institutit Kombëtar të Statistikave (INSTAT).
Në fillim të viteve 1990, Shqipëria ishte vendi më i ri në Europë me një moshë mesatare prej 28 vjetësh. Tani është 37 vjeç, thotë INSTAT. Së bashku me numrin e madh të emigrantëve, norma në rënie e fertilitetit ka ndikuar në këtë trend.
– Kanabisi dhe korrupsioni
Shqipëria është eksportuesi më i madh i kanabisit në BE, veçanërisht në Itali, sipas raporteve të përsëritura të Europolit. Kjo tregti përfaqëson një të tretën e vlerës së Prodhimit të Brendshëm Bruto (PBB) të vendit, sipas burimeve diplomatike perëndimore. Tirana pretendon se po e fiton atë betejë. Sasitë e mëdha në rrezik ushqejnë korrupsionin. BE këmbëngul që Shqipëria të reformojë sistemin e saj gjyqësor dhe penal: pas futjes së një sistemi për të kontrolluar të kaluarën dhe pronësinë e gjyqtarëve, një ligj i kohëve të fundit kërkon shkarkimin e të gjithë punonjësve të policisë të dyshuar për korrupsion dhe lidhje me krimin e organizuar.
– Zakone në zbehje
Shqipëria është vendi i fenomenit të “gjakmarrjes”, duke prekur familjet në Veri të vendit në një cikël hakmarrjeje të rregulluar nga një kod nderi mesjetar, “Kanuni” i Lek Dukagjinit, një fisnik i shekullit të 15-të. Dhjetëra njerëz ende janë duke u fshehur në Shqipëri, nga frika se janë objektiva e një hakmarrjeje, por shifra është në rënie.
Një tjetër traditë e zhdukur është ajo e “virgjëreshave të betuara”. Këta janë gra që, ose për shkak se ata ishin fëmija i vetëm i prindërve të tyre ose refuzuan të martoheshin, zgjodhën të jetonin si burra dhe trajtohen si të tillë në një shoqëri shumë patriarkale. Vetëm një pjesë e vogël e tyre mbesin të njëjta sot.

“AFP”

Kreu i Komisionit të Jashtëm në PE: Gjermania kërkon nga Shqipëria të plotësojë kriteret

Marina Maksimovic

Rekomandimi i fundit që Komisioni Europian ofroi për hapjen e negociatave të anëtarësimit me Shqipërinë dhe Maqedoninë shkoi paralelisht me deklaratën e presidentit francez, Emmanuel Macron në fjalimin e tij në Parlamentin Europian (18.04), se nuk ka zgjerim të Bashkimit Europian pa thellim të unionit dhe reformim të tij.
Duket sikur ka qëndrime të ndryshme mes Komisionit Europian dhe vendeve anëtare për anëtarësimin e Ballkanit – nga njëra anë BE që jep sinjale të qarta kohore, nga ana tjetër vendet anëtare skeptike, apo një president Macron që kërkon më parë reformim të BE-së pastaj zgjerim.- Por a nuk mund të shkojnë këto dy procese paralelisht, pra reformimi e thellimi i BE-së dhe procesi i zgjerimit me vende të Ballkanit Perëndimor?
Kryetari i Komisionit të Punëve të Jashtme në Parlamentin Europian dhe eurodeputeti konservator gjerman, David McAllister thotë për Deutschen Ëellen se këto dy procese mund të shkojnë bashkë. “Besoj se munden. Unioni ynë mund të bëhet më i fortë dhe solid para se të zmadhohet eventualisht. Kjo është arsyeja pse këtë vit Komisioni do të ndërmarrë një sërë iniciativash duke përmirësuar kornizën demokratike, institucionale dhe politike për një union të vitit 2025.”
Gjermania e mbështet perspektivën europiane të Ballkanit Perëndimor por duke i qëndruar fort edhe kërkesës se vendet e rajonit duhet të plotësojnë kriteret në tërësi, thekson McAllister.

Pa entuziazëm për zgjerimin!
E ngarkuara e BE-së për politikën e jashtme, Federica Mogherini është shprehur se procesi i reformimit të BE dhe ai i zgjerimit mund të ecin paralelisht. Sekretarja e Përgjithshme e Iniciativës Europiane të Stabilitetit, Alexandra Stiglmayer e mbështet këtë qëndrim. “Po kështu është, sepse të dyja proceset do të kërkojnë disa vjet, dhe ata nuk varen prej njëri-tjetrit. Ato mund të shkojnë paralelisht dhe në shtatë vjet mund të kemi vendet e para të Ballkanit Perëndimor që i bashkohen Bashkimit Europian dhe BE është reformuar ose të paktën ka marrë disa hapa për reformim.”
Por strategjia e zgjerimit të Komisionit Europian që përcakton madje edhe afate anëtarësimi, si vitin 2025 për Serbinë dhe Malin e Zi si vit anëtarësimi, nëse kryhen reformat e zgjidhen konfliktet rajonale, nuk ndesh në entuziazëm në vendet anëtare. Sekretarja e Përgjithshme e Iniciativës Europiane të Stabilitetit, Alexandra Stiglmayer thotë për Deutsche Ëellen se “vendet anëtare janë të shokuara, e pyesin se ç’është ky dinamizëm i ri tani, jemi të lumtur që gjërat po lëvizin ngadalë. Ka diferenca në këtë drejtim, e disa nga vendet më skeptike nuk janë aspak të kënaqura me strategjinë e re të KE.”
Zgjerimi nuk është shumë popullor në shumë vende, si në publik edhe tek qeveritë, thekson Stiglmayer. “Megjithatë ato janë të vetëdijshme, se zgjerimi duhet të ndodhë dhe do të ndodhë një ditë, por të paktën jo në kohën e mandatit tim, kështu që le ta shtyjmë sa të mundim.”
Macron e ka lidhur qartë zgjerimin me reformat në BE, thotë Stiglmayer. Por realisht, në rastin më të mirë, anëtarësimi i parë do të ndodhë në vitin 2025. E nga ana tjetër është shumë e vështirë të parashikosh si do të jetë BE në këtë kohë.

Vrasja e Gjoklajt/ Lirohen të arrestuarit, xhaxhai: Ky është Vettingu?!

Dy vite nga vdekja e 17-vjeçarit Ardit Gjoklaj në landfillin e Sharrës, detaje të reja kanë dalë në lidhje me procesin gjyqësor.
Xhaxhai i Ardit Gjoklajt, Lush Gjoklaj në studion e lajmeve të “Fax News” ka thënë se gjykata i ka liruar të gjithë të dyshuarit për këtë ngjarje duke e lenë ngjarjen të pazbardhur.
Gjoklaj tha se është liruar Dëfrim Hakrama dhe fadromisti i kompanisë 3R, Edmond Kollari, janë liruar duke fituar kështu pafajësinë.
Lajmi është konfirmuar për Fax Neës edhe nga burime pranë prokurorisë.
Gjykata arsyeton se ata janë liruar për mungesë provash.
“Nuk na thanë që do merrej vendimi pardje. Dy të akuzuarit i pamë duke pirë kafe. Na thanë se kanë marrë pafajësinë. Ky është Vettingu? I pamë të liruar në rrugë, në lagje. S’ka drejtësi më. Vranë një fëmijë 17-vjeç, ikën e pinë kafe”, ka thënë Gjoklaj.
Për vrasjen e Gjoklajt është akuzuar kreu i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj dhe drejtuesi i kompanisë “3R”, shoqërisë “Eco Tirana”. Për këtë ngjarje të rënd ishin arrestuar Përgjegjësi i turnit i kompanisë “3R” që menaxhonte përpunimin e mbeturinave, shtetasi Dëfrim Hakrama, si edhe fadromisti Edmond Kollari, nuk kanë respektuar rregulloret për mënyrën e punës, si pasojë e të cilave ka mbetur i vdekur shtetasi Gjoklaj, i cili punonte pranë kësaj kompanie. Por edhe këta të dy janë liruar nga Gjykata.

Publikimi i një dokumentari nga emisioni Publikus shfaqi për publikun atë çka fshihej realisht në këtë landfill. Dokumentari u censuruar në televizione, por u shpërnda në rrjetet sociale duke sjellë një valë të madhe reagimesh.
Protestat ndaj kryetarit të bashkisë së Tiranës, Veliaj ishin të shumta për këtë ngjarje, duke e akuzuar si të përfshirë në krim për shkak të lidhjes së përfolur me kompaninë që merret me riciklimin e mbetjeve në Sharrë.
Gjithashtu në rrjetet sociale doli një foto ku shihej Veliaj së bashku me Prokurorin e çështjes së 17-vjeçarit, të ulur në një tavolinë duke biseduar pas ditë pas ngjarjes së rëndë.
Ndonëse kanë kaluar dy vjet, kjo ngjarje që i mori jetën një të mituri dhe tregoi skandalin me riciklimin e plehrave nga bashkia e Tiranës, nuk është zbarthur, përkundrazi, ngjarja po harrohet çdo ditë e më shumë. Së bashku më trupin e 17-vjeçarit u mbuluan edhe aferat e mëdha të pushtetit të bashkisë së Tiranës, ndërsa drejtësia për këtë ngjarje duket se do të ketë pak gjasa të vihet në vend.
Protestat ndaj kryetarit të bashkisë së Tiranës, Veliaj ishin të shumta për këtë ngjarje, duke e akuzuar si të përfshirë në krim për shkak të lidhjes së përfolur me kompaninë që merret me riciklimin e mbetjeve në Sharrë.

Doshi i ndërpret fjalën e Ramës: Po ti a do ta bash vettingun?

Edi Rama ishte duke folur për çlirimin e drejtësisë nga të korruptuarit, për ndëshkimin e prokurorëve dhe gjykatësve të korruptuar dhe për ndëshkimin e politikanëve të korruptuar, kur nga salla e parlamentit u dëgjua thirrja e Tom Doshit: “Po ti a do ta bash vetingun?”.
Në videon më poshtë, shkëputur nga fjalimi i Edi Ramës në parlament dallohet që kryeministri menjëherë ndryshon temën e fjalimit, duke kaluar tek ekonomia, si shpëtim për sulmin e deputetit shkodran.
“Nga ana tjetër është me fort rëndësi të theksohet se në këtë fazë të re siç ka ndodhur me të gjitha vendet, vendi fiton një fuqi të re tërheqëse në aspektin e zhvillimit ekonomik” vazhdoi të thotë Rama pas pyetjes që i drejtoi Tom Doshi. U duk se kryeministri kaloi në retorikën për nxitjen e investimeve të huaja, rritjen e punësimit etj, kur pa si u acarua Doshi, kur ai fliste për të korruptuarit.
Pak ditë më parë Tom Doshi, një mbështetës i hershëm i Edi Ramës u shpall “non grata” nga ambasada amerikane pasi Departamenti i Shtetit pretendon se ka të dhëna për përfshirjen e tij në çështje të mëdha korrupsioni. Acarimi i deputetit shkodran, mund të interpretohet si shenjë se Tom Doshi fajëson Edi Ramën për këtë vendim të ambasadës amerikane.

Mjeku jep alarmin: Ndotja akustike po na dëmton dëgjimin

Problemet e dëgjimit janë një nga patologjitë më të shpeshta në shërbimin ORL, dhe një rol të rëndësishëm në këtë drejtim luan dhe ndotja akustike, lidhur kjo dhe me disa profesione veçanërisht të rrezikuara. Duke folur për gazetën “Shëndet +”, Ylli Kërçani,mjek ORL pranë Poliklinikës së Specialiteteve Nr.1 në Tiranë, thekson se për të pasur ulje ndjeshmërie në dëgjim, mjafton dhe të ecësh në një rrugë me trafik të rënduar, ku zhurma shkon 60-80 dB apo qëndrosh gjysmë ore në një pub.
Megjithëse shkalla e ndjeshmërisë varet dhe nga koha e ekspozimit në zhurmë, intensiteti i saj dhe ndjeshmëria individuale, simptomat janë të tilla ku pacienti fillimisht ndien ulje efektiviteti në punë, prishje humori, ngacmueshmëri nervore, dhimbje koke, marrje mendsh etj.
Doktor, çfarë është ndotja akustike dhe si ndikon ajo në problemet e dëgjimit?
Zhurma është një tingull i padëshiruar që krijon një mjedis të rënduar akustik dhe vjen nga shumë burime. Zhurmat me intensitete të ndryshm,e që ndikojnë mbi ambientin, mbi jetën e njerëzve, mbi organin e dëgjimit, përbëjnë atë që quhet ndotje akustike. Veshi i njeriut kap 20-2000 Hz. Të gjithë njerëzit në botë bashkëjetojnë me zhurmat, por rëndësi ka: a) cilat zhurma rrezikojnë dhe b) nga se varet shkalla e dëmtimit mbi organin e dëgjimit.
Cilat janë zhurmat që rrezikojnë më tepër dëgjimin tonë?
Mjafton të ecësh në rrugë në një trafik të rënduar, ku zhurma shkon 60-80 dB. Të shkosh në një disko, pub 110-120 dB, të punosh në industri, fabrika me mbi 85 dB. Në fillim do të ndiesh shqetësime, ndjesi jo të mira shëndetësore deri në humbje dëgjimi të shkallëve të ndryshme. Mjafton gjysmë ore në pub që të kesh ulje ndjeshmërie.

Nga se varet ulja e shkallës së dëgjimit dhe cilët janë faktorët e riskut?
Nga koha e ekspozimit në zhurmë;
intensiteti i zhurmës ;
zhurma e përsëritur ;
ndjeshmëria individuale.
Dëmtimi vjen nga zhurmat e përditshme, trafiku, diskot, PUB-et dhe çdo objekt që prodhon zhurmë. Mund të jenë të menjëhershëm si tek trauma akustike( qitje, fishekzjarrë, buçitje nga afër), graduale si trafiku, në industri etj., dhe zhurma të përziera si diskot, pubet etj.
Faktorë risku janë:
Mosha e madhe
Përdorimi i ototoksikëve
Pirja e duhanit, alkoolit
Sëmundjet sistemike, kardiovaskulare, kancerogjene, HIV-AIDS, turbekulozi etj.
Profesionet më të rrezikuara?
Zjarrfikësit
Policët
Punëtorët e fabrikave
Minatorët
Punëtorët e ndërtimit
Ushtarakët
Punëtorët e industrisë së rëndë
Punonjësit e pubeve
Punonjësit e call center (përdorimi i kufjeve)
Cilat janë shenjat?
Ulje efektiviteti në punë, prishje humori, ngacmueshmëri nervore, dobësi e përgjithshme, dhimbje koke, ulje dëgjimi dhe marrje mendsh.
Cili është niveli i normës dhe koha maksimale e ekspozimit që sjell probleme në dëgjim?
Që të japë dëmtim, një zhurmë 85 dB kërkon 8 orë ekspozim. Me rritjen e nivelit të zhurmës përgjysmohet koha që mjafton për të dhënë dëmtim. Nëse nga 85 dB shkon 88 dB, pra kemi një rritje me 3 dB, atëherë koha që na jep dëmtimin përgjysmohet në 4 orë.
Si mund të mbrohemi?
Kontrolli i burimit të zhurmës
Edukimi mbi pasojat e zhurmës
Ndërgjegjësimi
Legjislacioni efikas
Pas një qëndrimi në zhurmë të madhe duhet kaluar në një ambient larg zhurmave

Në industri:
Të ketë program mbrojtës ndaj zhurmës
Të përdorin tapa veshi, kufje gjatë punës
Të përcaktohen vendet e pushimit pa zhurmë
Izolimi i makinave që prodhojnë zhurmë
Ripërtëritja e teknologjisë në vazhdim
Disko e PUB-e:
Të përcaktohet legjislacioni për të drejtën e informimit të tyre.
Të zbatohen kriteret në ndërtim, larg qendrave të banuara, me amortizim të mirë me orare të përcaktuara.
Dhënia e lejes vetëm kur kushtet të jenë realizuar.
Për trafikun:
Përcaktimi i legjislacionit.
Sipërfaqja e rrugës të shtrohet me material që zbut rrugën (asfalt poroz)
Kontrolli për gazrat në makinat e amortizuara si CO (Oksid karboni) që në lidhje me zhurmën është faktor risku.
Si dhe grimcat e pluhurit në lidhje me zhurmën japin dëmtime më të rënda të organeve të dëgjimit.

6 vendet e BE që janë pesimiste për hapjen e negociatave, Rama dhe Tahiri, barrierë

“Për shqiptarët, dielli lind nga perëndon”, këto fjalë Naim Frashëri i pat thënë mbi një shekull e gjysëm më parë, kur Shqipëria gjendej në errësirën e pushtimit dhe të prapambetjes. Edhe në ditët e tyre më të vështira, edhe kur ishin nën zgjedhat dhe ideologjitë lindore, edhe kur u vetizoluan nga diktatura komuniste, shqiptarët gjithmonë gjenin një dritare, një shteg për të parë drejt perëndimit, drejt Europës.
Në fillim të shekullit, në vitet 20-të, në vitet 30-të, në arratinë nga diktatura komuniste, në vitet 90-të, në vitet 2000, shqiptarët e kanë mbajtur frymën në Itali, në Austri, në Francë, në Gjermani, në Britani, në Amerikë për të gjetur dije, për të gjetur mundësi, për të gjetur shpresë.
Kurdo dhe kudo, aspirata më e madhe e shqiptarëve ka qenë perëndimi, ka qenë Europa. Pavarësisht krahinës, pavarësisht fesë, pavarësisht bindjeve, çdo gjë që i ndan në jetën e përditshme, shqiptarët kanë kërkuar Europën. Përpara se të jenë demokratë apo socialistë, përpara se të jenë të djathtë apo të majtë, përpara se të jenë muslimanë apo të krishterë, shqiptarët janë europianë dhe duan të jenë europianë.
Kjo aspiratë e shqiptarëve gjen një tjetër mundësi në rekomandimin që Komisioni Europian i bëri Këshillit Europian për hapjen e negociatave me Shqipërinë.
Por mbi të gjitha ky rekomandim tregon diçka tjetër shumë të rëndësishme: tregon se jo vetëm ne aspirojmë Europën, por edhe që Europa mbetet e vendosur të na bëjë pjesë të saj.

Është diçka që nuk as nuk mund të imagjinohej më pak se tre dekada më parë. Përveç Shqipërisë edhe Maqedonia mori rekomandimin, ndërkohë që Serbia dhe Mali i Zi që janë duke negociuar me BE-në, shpresojmë të lëvizin më shpejt, ndërsa Kosova shumë shpejt do të marrë lëvizjen pa viza.
Ky realitet është i jashtëzakonshëm dhe frymëzues. Ballkani në Bashkimin Europian është ndoshta pjesa më e guximshme dhe largpamëse, por më domethënëse e vizionit dhe projektit europian. Europa e bashkuAr po tregon se është e vërtetë në vlerat e saj dhe e vendosur në veprimet e saj. Ajo po tregon se është e vendosur që ta bashkojë të gjithë Europën rreth këtyre këto vlerave.
Nuk ka shembull më domethënës të këtij vullneti dhe kurajoje europiane se sa rasti i Shqipërisë: Komisioni Europian dha rekomandimin dhe ne shpresojmë që Këshilli do të japë miratimin edhe pse qeveria jonë ka dështuar jo vetëm në përmbushjen e kritereve për hapjen e negociatave, por ka braktisur edhe vlerat themelore europiane të demokracisë, lirisë dhe dinjitetit njerëzor. Edhe pse vizioni dhe frymëzimi i Kryeministrit vjen nga Lindja dhe jo nga Perëndimi.
Në këto kushte, me këtë qeveri dhe këtë kryeminsitër, rruga europiane është më e domosdoshme se kurrë për shqiptarët.
Sepse rruga Europiane është i vetmi instrument për të ngritur institucione të besueshme dhe të përgjegjshme.
Integrimi në BE është e vetmja mënyrë që ne kemi sot për të ndërtuar një demokraci të vërtetë dhe shtet të së drejtës
Rruga europiane është sot e vetmja rrugë që ne kemi për të ndarë politikën nga krimi dhe për të çliruar Shqipërinë nga droga.
E vetëdijshme për këtë, Partia Demokratike ka kërkuar me forcë kudo në Europë prej shumë muajsh hapjen e negociatave me BE-në.

Sot, për ne, BE-ja nuk është vetëm përmbushje e një aspirate shekullore të shqiptarëve, por edhe shpëtim nga katastrofa ekonomike, sociale, politike, që na pret me këtë qeverisje.
Duke shprehur mirënjohjen për Komisionin Europian për vendimin që ka marrë, është e qartë se sot nuk është momenti për festë. Është momenti për vetëdijësim dhe reflektim të të githë shqiptarëve për gjendjen ku jemi dhe hapat që duhet të ndërmarrim për çeljen e negociatave.
Mbi të gjitha sot politikanët shqiptarë duhet të reflektojnë dhe të kuptojnë mirë se çfarë duhet bërë që edhe ky rekomandim të mos mbetet vetëm një copë letër si para dy vjetësh.
Problemet e rëndësishme që ka sot vendi, ky realitet nuk mund t’i fshihet vendeve anëtare. Në Gjermani, në Francë, në Hollandë, në Britani, në Belgjikë, Danimarkë dhe shumë vende të tjera të BE-së ndihen shqetësime serioze dhe ka pesimizëm për përgatitjen e Shqipërisë për të negociuar me BE-në.
Në muajt e ardhshëm duhet të provojmë se jemi seriozë në përgjegjësitë tona. Sjellja si europianë, qeverisja si europianë është zgjidhja e vetme. Gënjeshtra, manipulimi dhe propaganda nuk çojnë asgjëkundi. Gjëja e parë që duhet të bëjmë është ndalojmë rrëshqitjen e vendit në autokraci.
Edi Rama sot kontrollon të gjitha pushtetet në vend, sikurse kontrollon median dhe ekonominë. Para pak ditësh, duke iu referuar BE-së, në Parlamentin Europian në Strasburg, Presidenti francez Macron u shpreh: “Demokracia europiane është mundësia jonë e vetme. Shohim autokratë përreth nesh por përgjigjia jonë nuk duhet të jetë demokracia autoritariste por autoriteti i demokracisë.”

Më shqetësues nga gjithçka është venia nën kontroll prej tij e prokurorisë dhe sistemit të drejtësisë, të cilat janë kthyer në institucione politike në shërbim të interesave dhe anktheve private të Edi Ramës dhe klanit të tij.
Kjo duhet ndalur, ky përqëndrim i pushtetit duhet zhbërë. Së dyti duhet të kthejmë shpresën dhe mundësitë se në Shqipëri ka të ardhme. Është paradoksale, por marrja e rekomandimit e ka gjetur Shqipërinë më të izoluar se kurrë më parë në dekadën e fundit: Në Shqipëri nuk ka më investime perëndimore, nuk ka investime europiane dhe amerikane, në Shqipëri nuk ka më shkëmbime me ekonomitë e perëndimit si më parë; ndërkohë disa vende europiane po mendojnë të rikthejnë vizat ndaj shqiptarëve.
E vetmja marrëveshje që ka nënshkruar me BE-në qeveria Rama është ajo për ruajtjen e kufijvë tanë nga policë Europianë që të mos lënë shqiptarët të largohen nga vendi.
E vetmja marrëveshje që ka nënshkruar me Francën është që të vijnë policë francezë në kufijtë tanë për të mbajtur shqiptarët brenda vendit.

E vetmja marrëveshje që ka nënshkruar me Gjermaninë, me Hollandën për të kthyer sa më shpejt në Shqipëri shqiptarët që provojnë të ikin nga regjimi i tij.
Edi Rama e vuri Shqipërinë dhe shqiptarët në funksion të pasurimit të tij dhe klienteve së tij.
Rruga më e shkurtër për të arritur këtë ishte grabitja e vendit dhe kthimi i Shqipërisë në një zonë të lirë për krimin. Paratë dhe pushteti që merr nga ata që grabisin vendin dhe ata që trafikojnë drogë, janë i vetmi motiv i Edi Ramës. Si rezultat, Shqipëria eksporton vetëm drogë, krim dhe emigrantë.
Nëse duam të bëhemi pjesë e BE-së, detyra jonë e parë është të shkëpusim politikën nga krimi. Fatkeqësisht, kjo gjë do të jetë e vështirë dhe më mirë se çdo ditë tjetër kjo u pa dje. Jo në një ditë çfarëdo por në ditën e rekomandimit të hapjes së negociatave, Edi Rama pati pafytyrësinë dhe kurajon të mbronte trafikantin e drogës Saimir Tahiri.

Madje e mbrojti duke thënë se mosarrestimi i tij është standard i Komisionit të Venecias. Mos vallë nesër do na thotë që Damian Gjiknurin dhe lidhjet e tij kriminale, i mbron standardi amerikan dhe Donald Trump? Që Vangjush Dakon dhe Qazim Sejdinin e mbron standardi i OKB-së?
Shqipëria duhet të luftojë seriozisht krimin dhe korrupsionin. I vetmi tregues i kësaj lufte nuk është numri i ligjeve të miratuara por numri i kriminelëve dhe politikanëve të korruptuar dhe të lidhur me krimin, në burg. Kjo është sfida jonë kryesore për të bërë të mundur që në qershor të hapen vërtet negociatat.
Ndaj rekomandimi i Komisionit nuk është një rast për fizhekzjarre dhe shashka, por një rast për të ndezur një qiri në natën tonë të krimit, korrupsionit dhe të papunësisë.
Sot është dita që të zgjedhim të sillemi dhe qeverisimi si europianë. Është koha jo vetëm ta duam, por edhe ta meritojmë të jemi europianë.
Dhe sot kjo sallë me Saimir Tahirin, brenda dhe kuksianët në burg, është shprehja më e qartë se ky Parlament, i dalë nga shit-blerja e votës dhe kjo qeveri dhe ky kryeministër të dalë nga paratë e drogës dhe të krimit, janë pengesa dhe barriere kryesore për Shqipërinë europiane.
Largimi sa më parë i këtij regjimi të korruptuar dhe një qeverie që buron nga vota e lirë e qytetarëve shqiptarë, një qeveri antimafia që përgatit zgjedhje të lira dhe të ndershme.
Një përkushtim i vërtetë në luftën kundër krimit dhe korrupsionit me rezultate të prekshme, janë rruga dhe zotimi i Partisë Demokratike dhe i opozitës së bashkuar si kurrë më parë, për të mbështetur reformat dhe rrugën europiane të Shqipërisë, ëndrrën europiane të të gjithë shqiptarëve.

Tahiri për Ramën: “Nuk ka bir kurve të më ndalojë”!

Ish-ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri menjëherë sapo ka dalë nga Kuvendi kërcënoi publikisht kryeministrin Rama. “Nuk ka bir nëne dhe bir kurve që të më pengojë në rrugën për drejtësi”, u shpreh Tahiri para mediave. Ish-ministri Tahiri e bëri këtë deklaratë kur u pyet nga gazetarët nëse kishte komunikuar me Edi Ramën.
Nënkryetari i PD, deputeti Edi Paloka shkruan në një postim në Facebook se, Tahiri kërcënon për herë të dytë Ramen publikisht.
“Ka perdorur perseri nje shprehje te Rames per ta kercenuar : “Nuk ka bir nene dhe bir kurve te me ndaloje…” kercenoi sot Tahiri me te njejten shprehje qe pergjigjej dikur Rama per akuzat e korrupsionit qe i beheshin kur ishte kryetar bashkie.
Paralajmerimi i pare i Tahirit ndaj Rames u be publikisht ne fillimet e skandalit po me nje shprehje te perdorur nga Rama: “nuk keni pare asgje akoma”
I gjendur ne te njejtat rrethana, kur arrestimi i tij eshte perseri afer , i kerkuar me kembengulje jo vetem nga opozita por dhe nga nderkombetaret per shkak te fakteve evidente, Tahiri duket se ka marre sinjale edhe qe Rama eshte gati ta leshoje per here te dyte.

Berisha beri dje nje denoncim qe si gjithmone rezulton i vertete dhe me se i sakte.
Ne keto kushte vjen kercenimi i dyte i Tahirit per Ramen duke i bere te qarte se jo vetem nuk pranon te bej burg per Ramen por ne se Rama do e leshoje, ai do nxjerre jo vetem bemat e fundit te shefit te tij por do ti kthehet dhe aferave korruptive te bashkise.
Keta jane ata qe na drejtojne dhe pretendojne madje te pranohen dhe ne BE”, shkruan Paloka.
Tahiri u shfaq sërish sot në Kuvend duke u pritur me puthje e përqafime nga deputetet socialiste.
Ish-Kryeministri Berisha gjatë fjalës së tij në Kuvend kërkoi që të nxirret jashtë Parlamenti Saimir Tahiri. “Nxirreni jashte Saimir Tahirin nga Parlamenti se po kremtoni Raportin me njeriun me ryesor te droges ne Ballkan bashke me Edi Ramen. Nxirreni jashte mos festoni me te! Atehere ftoni dhe Habilajt dhe Klement Balilin te vijne ketu!”, u shpreh Berisha.
Deputetët e opozitës braktisën Parlamentin për shkak të Tahirit.

Mourinho dhe Pogba në “pikën zero”, ja si francezi e injoroi trajnerin

Marrëdhëniet e Paul Pogba me trajnerin Jose Mourinho, sipas mediave angleze, është tërësisht e ngrirë, në “pikën zero”. Për pasojë, mesfushori francez duket se ka përfunduar në listën e lojtarëve për shitje gjatë merkatos së kësaj vere.
Në ndeshjen e fundit, ndaj West Bromwich Albion, siç e ka fokusuar “The Sun”, transferimi rekord i Manchester United është zëvendësuar në minutën e 58-të nga Martial. Por, ajo që ka bërë përshtypje në këtë moment, kur ka dalë nga fusha e lojës, ka qenë ftohtësia e tij karshi trajnerit Mourinho dhe anasjelltas.
Francezi ka pasur një shtrëngim duarsh me veteranin e klubit, Michael Carrick, dhe ndihmësin e trajnerit portugez, Rui Faria. Mourinho, 55 vjeç, nuk u përshëndet me lojtarin e tij. Kur u pyet për Pogba, pas ndeshjes së fundit, portugezi tha: “Unë jam trajner i ekipit dhe jo një tifoz i madh i tij.
Sidoqoftë, ai luajti shumë mirë. Kundër Manchester City ishte fenomenal. Edhe kësaj here, ai ishte shumë, shumë i mirë”. “SunSport” zbuloi ekskluzivisht se Pogba, 25 vjeç, është i vendosur të qëndrojë te Manchester United, mes interesit nga Real Madrid dhe PSG-ja. Mesfushori francez është hequr nga formacioni titullar në nëntë nga 14 ndeshjet e fundit.
Legjenda e “Djajve të Kuq”, Paul Scholes, beson se Pogba mund të jetë në rrugën e largimit të tij nga “Old Trafford”, në verë. Ai tha: “Po, unë mendoj se mund të largohet. Nuk di gjëra konkrete, sepse nuk flas në të vërtetë me askënd në klub. Por, nga jashtë, teksa i shikon gjërat, duket sikur marrëdhënia nuk është e mirë”.

OKB negociata me Sirinë dhe Rusinë për të hetuar sulmin kimik në Duma

Një ekip i Kombeve të Bashkuara është duke diskutuar çështjet e sigurisë me autoritetet siriane dhe ato ruse në Siri për t’iu lejuar ekspertëve qasje në qytetin Duma, për të hetuar sulmin e dyshuar kimik, kanë njoftuar zyrtarë të OKB-së.
Komentet e 18 prillit kanë ardhur pasi Drejtori i Organizatës për Ndalimin e Armëve Kimike, Ahmet Uzumcu, ka thënë se ekspertët e OKB-së nuk kanë qenë të sigurt kur kanë arritur në qytet, në tentimet e tyre për të fituar qasje te vendi i ngjarjes.
Agjencia e lajmeve AFP ka raportuar se Departamenti i OKB-së për Siguri ka thënë se shpreson që të arrihen marrëveshje në mënyrë që t’i lejohet ekipit për të “arritur sa më shpejt që është e mundur në vendin e sulmit”.
“Departamenti i Sigurisë në Damask është përfshirë në diskutimet e ardhshme dhe është duke u koordinuar me përfaqësuesit e Republikës Siriane dhe policinë ushtarake ruse për të krijuar siguri në lokacionet specifike në Duma”, ka raportuar AFP bazuar në një dokument që është thënë ta ketë parë.
Shtetet Perëndimore kanë akuzuar Qeverinë Siriane për sulmin e 7 prillit me armë kimike në Duma, afër Damaskut.
Organizata Botërore e Shëndetësisë ka njoftuar se 43 persona që kanë vdekur i janë ekspozuar “toksinave kimike me përqendrim të lartë”.
Shtetet e Bashkuara, Britania dhe Franca kanë sulmuar zonat qeveritare siriane më 14 prill si përgjigje ndaj këtij sulmi.
Fuqitë Perëndimore po ashtu kanë thënë se aleatja e Sirisë, Rusia mund të ketë shtyrë vizitën e hetuesve në Duma për të zhdukur gjurmët.
Damasku dhe Moska insistojnë se incidenti i 7 prillit ka qenë i fabrikuar.