19.5 C
Tirana
E premte, 20 Qershor, 2025

“Vendimi për Berishën ishte i drejtë, në mbrojtje të identitetit të PD”, Basha: Shqiptarët janë të paduruar për ndryshim, duan ta mbyllin kapitullin e Ramës dhe lidhjeve të tij me krimin

Kryetari i Partisë Demokratike-Demokratët Euroatlantikë, Lulzim Basha, në një intervistë për Zërin e Amerikës, theksoi se Edi Rama ka ndaluar procesin e Reformës Zgjedhore dhe nuk ka miratuar asnjë nga rekomandimet e OSBE-OHDIR. Ai përmendi gjithashtu pazarin me Ramës dhe Berishës që ka sjell mbylljen e listave të deputetëve, duke privuar qytetarët shqiptarë nga e drejta për të zgjedhur ata që duan në Parlament.

Basha shtoi se, megjithë klimën e vështirë zgjedhore dhe ndikimin e krimit të organizuar në zgjedhje siç u pa në rastin e Çyrbes në Durrës dhe bandave në Elbasan, shumica e shqiptarëve janë të etur për ndryshim. Për këtë ai tha se së shpejti Demokratët Euroatlantikë do të publikojnë një pjesë të mirë të emrave të kandidatëve për deputetë.

Lidhur me situatën brenda Partisë Demokratike, Basha e pranoi se partia kaloi periudhën më të vështirë të ndarjes, duke përsëritur se vendimi për përjashtimin e Berishës ishte për të ruajtur identitetin euroatlantik të PD-së. Ai theksoi se ky ishte një vendim i vështirë, por të nevojshëm për të mbrojtur interesat e Shqipërisë dhe të djathtës, duke e konsideruar të drejtë refuzimin e kursit përplasjeje me partnerët ndërkombëtarë si SHBA-të dhe Britaninë e Madhe.

Pjesë nga intervista e kryetarit të Partisë Demokratike-Demokratët Euroatlantikë, Lulzim Basha, për Zërin e Amerikës:

Lulzim Basha: Në rafshin e standarteve tashmë është e qartë që në bashkëpunim me një pjesë të asaj opozite që për interesat e veta bashkëpunon me Edi Ramën kundër interesave të shqiptarëve, Edi Rama ka ndalur procesin e Reformës Zgjedhore dhe asnjë nga rekomandimet e OSBE-OHDIR nuk është miratuar. Për më shumë kanë mbyllur listat së bashku, një tjetër vendim i përbashkët, duke i derpivuar qytetarët shqiptarë nga e drejta për të zgjedhur ata dhe jo kryetarët e partive deputetet dhe deputetët që duan në parlamentin e Shqipërisë. Kështu që nga ana e standarteve, jo vetëm ne por edhe partnerët ndërkombëtar, kanë ngritur shqetësime të mëdha. Megjithatë besoj se edhe këto zgjedhje edhe pse do të ndodhen në një klimë pa shumë ndryshime nga ajo e 2021. Ndërkoh që janë publikuar përgjimet se si krimi në Durrës me rastin Çyrbja, në Elbasan me bandat e Elbasanit por dhe në rastet e tjera, e ndihmoi Edi Ramën duke i dhënë shumë mandate. Madje është e qartë që dhe vet mandati i Edi Ramës është prodhim i bashkëpunimit me të ashtëquajturën bandat e Durrësit, pra me krimin e organizuar në Durrës, prap se prapë shumica e shqiptarëve janë të paduruar për një ndryshim. Pra duan ta mbyllin këtë kapitull.
Ne bësojmë se edhe në kushte të vështira, siç e ka treguar edhe historia jonë, por dhe historia e Kombeve të tjera, paraqitja e një alternative të besueshme e një programi i cili adreson shqetësimet e qytetarëve për të cilat nuk flitet. Dhe me një ekip të besueshëm njerëzish që kanë dhënë prova se dinë të qëndrojnë për interesat e qytetarëve, edhe në qoftë se kjo dëmton interesat e tyre personale, prap se prap ndryshimi është i mundur. Dhe këtë do të përpiqemi të bëjmë ne me programin tonë me listën tonë, me aleancat tona.

Pyetje: E keni gati listën, e keni gati ekipin zoti Basha?

Lulzim Basha: Është në proces, besoj që kemi bërë progres të mirë në këto dy muajt e fundit dhe besoj që së shpejti do të jemi në gjendje të publikojmë një pjesë të mirë të emrave të kandidatëve tanë për deputetë.

Pyetje: Zoti Basha, megjithatë në vitet që ju e drejtuat Partinë Demokratike, kjo forcë politike pësoi përçarjen e saj më të madhe si kurrë më parë. Çfarë përgjegjësie keni ju për këtë?

Lulzim Basha: Përgjegjësia ime ishte të merrja një vendim të vështirë, nëse do të pranoja që PD të futej në një kurs përplasjeje jo thjesht me aleatin strategjik të Shqipërisë dhe të shqiptarëve, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, dhe më vonë Britaninë e Madhe. Por do të futej në një kurs përplasjeje në atë që e djathta e Shqipërisë, e në veçanti Partia Demokratike e ka në ADN-në e vet që është Euroatlantizmi. Pra, që është bashkëpunimi me këta faktorë të cilëve çdo shqiptar i njeh meritën, e përmbysjes së komunizmit, e ndihmës për Shqipërinë demokratike, e avancimit të kauzës tonë kombëtare si përmes anëtarësimit në NATO, ashtu edhe përmes çlirimit, pavarësimit dhe mbrojtjes të itegritetit territorial dhe sovranitetit të Kosovës dhe të shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut e kudo tjetër. Pra, ka qenë një vendim i vështirë, për shkak se shumë prej pasojave që më vonë pasuan ishin qartësisht të paralajmëruara. Por nga ana tjetër ishte vendim i duhur, është vendim i cili i takon një lidershipi me përgjegjësi ku duhet të vendos një rrugë të vështirë, por ku shërbehet interesi i madh, interesi i të djathtës, interesi i Shqipërisë, apo një vendimi i cili do të vinte interesin personal mbi interesat e grupit.

Pyetje: Pra do ta merrnit përsëri nëse do t’i ktheheshit?

Lulzim Basha: Nuk ka asnjë dyshim për këtë. Në mënyrën më kategorike vendimi u mor pas refuzimit të zotit Berisha për të shmangur një kurs përplasjeje midis Partisë Demokratike dhe për të ruajtur identitetin e Partisë Demokratike dhe të demokratëve si bastion i qendrës së djathtë në Shqipëri.

Orët e Koresë së Jugut përjetuar në Shqipëri!

Nga Trëndelina Gashi

Korea e Jugut u vu në qendër të lajmeve botërore për shkak të intensitetit të ngjarjeve të ndodhura brenda pak orësh. Presidenti i vendit shpalli ligjin ushtarak. Ushtria u dislokua rreth parlamentit. 190 deputetë (nga 300 që ka parlamenti) arritën të depërtojnë rrethimin ushtarak dhe votuan unanimisht për rrëzimin e ligjit ushtarak. Qytetarët dolën të demonstronin kundër vendimit të presidentit dhe forcave të ushtrisë. Forcat e policisë u rreshtuan në mbrojtje të parlamentit e kundër ushtrisë. Presidenti pezulloi ligjin. Qeveria miratoi rrëzimin e ligjit ushtarak. Partia në pushtet e presidentit kërkoi falje për shqetësimet që u krijuan për njerëzit. Ministri i mbrojtjes ofroi dorëheqjen. Kjo është ngjarja. Veprimet e fjalët e mëpasme janë pasojat, përfshi edhe analizat që do të bëhen për të kuptuar se ç’ndodhi, përse ndodhi dhe çfarë pritet të ndodhë me presidentin dhe të tjera figura politike.

Ndoshta ngjarja nuk do të shpaloset kurrë plotësisht. Me shumë gjasë ajo do të mbetet të shpjegohet me skemën që po konsolidohet deri tani. Një luftë politike e fortë mes presidentit që ka formuar qeverinë dhe opozitës që ka shumicën në parlament. Veprime ekstreme të presidentit për të shuar akuzat që i bëhen për korrupsion, përfshi bashkëshortes së tij, si dhe për të frenuar goditjet që pritej të jepte opozita ndaj prokurorëve (ish-kolegë të presidentit), të cilët nga ana e tyre po përgatiteshin të akuzonin për korrupsion liderin e opozitës, që pritet të jetë presidenti i ardhshëm. Më parë vetë presidenti në rolin e prokurorit ngriti akuzë për korrupsion për ish-presidenten e vendit. Konflikti mbruhej prej disa muajsh dhe u shoqërua me zemërim publik për shkak të mënyrës se si po menaxhoheshin akuzat për korrupsion dhe në veçanti pamjet filmike që tregonin pranimin e një çante të kushtueshme dhuratë nga bashkëshortja e presidentit. Kjo e fundit edhe më herët ishte vënë nën akuza, përfshi edhe atë të plagjiaturës në punimin për marrjen e gradës doktor, aq sa me zgjedhjen president u ndërmor hapi që të shkrihej zyra e zonjës së parë. Ky është konteksti politik dhe i interesit publik i kësaj ngjarjeje.

Korea e Jugut është njëra nga pjesët e Gadishullit të ndarë të Koresë, në kufi me Korenë e Veriut, shtet diktatorial komunist dhe posedues i armëve bërthamore. Korea e Jugut aleat i SHBA-së dhe Korea e Veriut aleat i Kinës dhe Rusisë, i ka ofruar kësaj të fundit forca ushtarake për luftën në Ukrainë. Korea e Jugut po ashtu është në kufi me Kinën komuniste, një tjetër shtet që po shfaqet më i afërt me Rusinë nga momenti i nisjes së konfliktit në Ukrainë. Presidenti i Koresë së Jugut konsiderohet aleat i fortë të SHBA-së. Ndërsa vetë SHBA-ja është në proces kalimtar të pushtetit presidencial dhe ka patur histori akuzash e procesesh për ndërhyrje ruse në zgjedhjet e kaluara. Më gjerëjanë disa vatra konflikti dhe disa vende me probleme politike (më të fundit rrëzimi i qeverisë në Francë dhe zgjedhjet e parakohshme në Gjermani) në botë me një përballje pothuaj tëdrejtpërdrejtë në mes SHBA-së dhe Rusisë, me Kinën që anon nga Rusia. Ky është konteksti delikat gjeopolitik i kësaj ngjarjeje.

Korea e Jugut nuk është vend i panjohur me situata të tilla kur pushteti politik kalon nga ligji civil në atë ushtarak. Nga themelimi i saj në vitin 1948, kur ligji ushtarak u shpall nga presidenti i parë i vendit për të shtypur komunistët, ka patur njëseri rastesh të shpalljes së këtij ligji. Ajo çka ndryshon këtë radhë është largësia kohore nga hera e fundit kur në Korenë e Jugut u shpall ligji ushtarak, në vitin 1980. Sipas analistëve, të rinjtë në Kore nuk janë madje as të njohur me një koncept të tillë. Ky është konteksti historik i ngjarjes.

Ajo çka pritet më së afërmi është fillimi i procedurave për ngritjen e akuzës ndaj presidentit. Pavarësisht rrjedhës që do të marrin ngjarjet në Korenë e Jugut prej tyre arrihen disa përfundime shumë interesante politike, për raportet e forcave dhe mekanizmat e shteteve demokratike, të cilat bëjnë që këto ngjarje të ngjajnë edhe situatën në Shqipëri, apo të ndriçojnë mëshumë mangësitë që ka politika dhe ngrehina shtetërore nëShqipëri.

Së pari, u konfirmua edhe njëherë se sa i rrezikshëm është korruptimi i klasës politike dhe çfarë pasojash, deri fatale, sjell korrupsioni në një vend. Krijohen përplasje të forta politike dhe ngasje për të shuar me dhunë çdo përpjekje për hetimin e korrupsionit.

Së dyti, u konfirmua që korrupsioni ndër familjarët e politikanëve është një element që e bjerr dinjitetin e politikanit. Konflikti që i krijohet njeriut politikan mes nevojës së mbrojtjes së familjes (nevojë instinktive) dhe mbrojtjes së familjes politike apo institucioneve të shtetit po ashtu çon në përplasje të forta politike dhe institucionale. Dhe kur konflikti i njeriut politikanzgjidhet në favor të mbrojtjes së familjes kjo shkatërron ekuilibret shoqërore dhe besimin, e nxit zemërim.

Së treti, u konfirmua nevoja që institucioni i akuzës publike (prokuroria), sidomos në proceset e luftës kundër korrupsionit të politikanëve, ka nevojë të jetë i pavarur dhe i zhveshur nga çdo motiv politik. Janë dy momente tepër interesante në ngjarjen e Koresë së Jugut që ndërthurin prokurorinë me luftën politike. Vetë presidenti ka mbajtur postin e prokurorit që ngriti akuzën e suksesshme dhe ish-presidentja u dënua për korrupsion. Mbi këtë bazë ish-prokurori arriti të sigurojë mbështetjen për tëmarrë postin e presidentit nga partia kundërshtare me ish-presidenten (pak rëndësi kanë krahët politikë përkatës). I gjendur shumë shpejt me mbështetje publike në rënie për shkak edhe të veprimeve të diskutueshme të bashkëshortes (burimet mediatike tregojnë për shkallë shumë të ulët përkrahjeje prej 19%), presidenti nisi përplasjen e fortë me partinë kundërshtare,që ndërkohë ka shumicën në parlamentin e Koresë. Dhe përsëri ishte nisur mekanizmi i akuzave për korrupsion ndaj liderit tëpartisë kundërshtare. Dukshëm ngërthimi i institucionit të akuzës me luftën politike sjell konflikt dhe përmbys ekuilibra.

Së katërti, u konfirmua që një opozitë e cila mban qëndrim parimor arrin të sigurojë mbështetje popullore edhe përballë ushtrisë, e madje dhe të ketë sukses. Në Korenë e Jugut njerëzit dolën në rrugë në mbështetje të asaj çka e perceptuan si mbrojtje të demokracisë dhe u përballën drejtpërdrejt me ushtrinë.

Së pesti, u konfirmua që kur ka institucione reale qëfunksionojnë në mënyrë të pavarur arrihen më së mirë tëushtrohen kontrollet dhe të ruhen ekuilibrat. Kështu mbrohet demokracia, edhe kur përballë ka ushtrinë.

Së gjashti, u konfirmua që interesi politik i një partie është mbi interesin e ruajtjes së pushtetit afatshkurtër apo të individit tëpushtetshëm politik. Sepse interesi politik i partisë konsiderohet jetëgjatë dhe nuk mund të lihet peng i interesit individual. Ështëpartia e vetë presidentit të Koresë së Jugut ajo e cila më së pari kërkoi falje për shqetësimin e krijuar me shpalljen e ligjit ushtarak.

Së shtati, u konfirmua rëndësia e pasjes së një opinioni publik të fortë dhe reagues si masë kontrolli mbi politikën. Ka qenëzemërimi publik i popullit korean, që nuk ka pranuar si tërregullt qoftë dhe dhuratën e një çante dore për bashkëshorten e presidentit, dhe më pas rreshtimin në përkrahje të parlamentarëve për të rrëzuar ligjin ushtarak. Kështu mbrohet demokracia.

Së fundi, u konfirmua se tashmë është e tejkaluar metoda e marrjes dhe mbajtjes së pushtetit me ligje apo puçe ushtarake. Edhe nëse e gjithë ngjarja më në thellësi ka shpjegimin sipas kontekstit gjeopolitik, përsëri asnjë nga mësimet e mësipërme nuk rrëzohet si i pavlefshëm. Përkundrazi, konfirmohet që për hir të stabilitetit dhe të një interesi gjeopolitik nuk duhet harruar respektimi i pafrimeve themelore të shtetit të së drejtës dhe tëdemokracisë. E thënë më qartë, nuk duhet të mbrohet individi politik i korruptuar me çdo kusht.

Ngjarja ndodhi në një vend gjeografikisht të largët, në Korenë e Jugut. Por ngjarja nuk është shumë e largët dhe ndryshme nga ngjarjet e përditshme që ndodhin në politikën dhe shtetin shqiptar. Edhe në Shqipëri në fillim të viteve ’90 patëm njëpresident që pas rrëzimit të shtatores së diktatorit komunist dhe me mbështetje të ushtarakëve të zemëruar nxori në rrugëushtrinë dhe shkriu institucionet kushtetuese. Forca reaguese opozitare popullore e asaj kohe arriti të frenojë disi, por joplotësisht këtë vendim antikushtetues. Prej asaj kohe, shteti shqiptar dhe demokracia në Shqipëri janë rrënuar në mënyrësistematike nga “puçe institucionale” të mëdha e të vogla, qëkanë çuar në përqendrimin e pushtetit, në dobësimin e institucioneve, zhvlerësimin e votes dhe shndërrimin e administrimit të vendit në një pazar politik e individësh politikë.Në rrethana të tilla kërkohet një opozitë që udhëhiqet nga objektivat të parimtë dhe organe akuze të distancuar me çdo krah politik. Për momentin këto duket të jenë dy mekanizmat kryesorë që mund të korrektojnë çekuilibrin që ka pësuar raporti pushtet politik me të drejtat e popullit dhe deformimin e demokracisë.

Një komb në arrati, studimi: Një në tre të rinj dëshiron të largohet nga Shqipëria, një në pesë nuk do të kthehet më

Për t’u punësuar si i ri  në Shqipëri, të rinjtë shpesh besojnë se duhet: •  të kenë lidhjet e duhura politike;  • të pranojnë një punë që është nën nivelin e tyre arsimor; • të punojnë në një fushë që nuk ka lidhje më diplomën e tyre.

Fondacioni Friedrich Ebert Stiftung ka publikuar një studim mbi rininë shqiptare 2024. Ky raport  mbi rininë shqiptare sjell një analizë të thelluar mbi sfidat, aspiratat dhe perceptimet e të rinjve. Duke u bazuar në intervista me të rinj, studimi eksploron tema si punësimi, korrupsioni, emigracioni, pavarësia dhe cilësia e arsimit. Shumica janë të pakënaqur me cilësinë e arsimit dhe kërkojnë reforma thelbësore. Një pjesë e madhe e të rinjve dëshirojnë të largohen nga vendi në kërkim të mundësive më të mira.

Emigrimi
Ndërkohë, të rinjtë shqiptarë vazhdojnë të jenë të pushtuar nga të ashtuquajturat «ethe migrimi», duke e konsideruar emigrimin si të vetmen mundësi që jep rezultate të shpejta për arsimim cilësor dhe përfshirje në tregun global të punës. Ndërkaq, diaspora për zhvillim shihet si një mundësi për të rinjtë, ku, nëpërmjet skemave të përshtatshme të financimit.
Studimi evidenton se “Më shumë se një e treta e  të anketuarve kanë një dëshirë  të fortë për t’u larguar nga vendi. Më shumë se një e pesta e atyre që  dëshirojnë të largohen, mendojnë të mos kthehen më. Faktori kryesor që nxit migrimin është përpjekja për të arritur standarde më të mira jetese dhe paga më të larta”.

Arsimi
Arsimi konsiderohet si një nga çështjet më të  rëndësishme për rininë shqiptare. Në kushtet e
një ekonomie tregu globale ku mbizotërojnë
aftësitë e shumëfishta dhe tregu fleksibël i punës  po bëhet realitet, arsimi po kthehet në një mjet shumë të vlefshëm. Të rinjtë janë ambivalentë në lidhje me cilësinë e arsimimit të tyre dhe të shqetësuar për nivelin e korrupsionit në vend. Shumica e tyre mendojnë se cilësia e arsimit që ofrohet në Shqipëri është mesatare ose e ulët. Dy nga tre të rinj shqiptarë besojnë fort se me para dhe ryshfet mund të merret nota e dëshiruar ose të kalohet provimi.

Punësimi
Për t’u punësuar si i ri  në Shqipëri, të rinjtë shpesh besojnë se duhet: •  të kenë lidhjet e duhura politike;  • të pranojnë një punë që është nën nivelin e tyre arsimor; • të punojnë në një fushë që nuk ka lidhje më diplomën e tyre.

Politika
Një indiferencë apo apati e tillë politike lidhet me faktin se të rinjtë tani kanë shumë mundësi për t’a kërkuar në vende të tjera të ardhmen
e tyre sociale dhe ekonomike. Në këtë mënyrë,
angazhimi dhe aktivizmi politik për të ndryshuar
realitetet në vendet ku jetojnë nuk shihen më si
mundësi apo aktivitet parësor.
Indiferenca apo apatia politike e të rinjve shqiptarë lidhet edhe me zhgënjimin dhe mungesën e besimit te politika dhe partitë politike si një instrument që mund të ndryshojë realitetin brenda vendit dhe të përmbushë pritshmëritë e tyre.

Familja
Marrëdhënia pozitive prind-fëmijë është një shënues i qëndrueshëm i marrëdhënieve familjare në Shqipëri. Familja mbetet një mbështetje e rëndësishme për të rinjtë shqiptarë jo vetëm  për arsye ekonomike, por edhe për marrëdhënie të shëndetshme e pozitive; prandaj ajo luan një rol të rëndësishëm në vendimet e tyre.

Korrupsioni
64 % e të rinjve të intervistuar janë përgjigjur se në dekadat e ardhshme korrupsioni do të  jetë një problem i madh. Të rinjtë janë kundër  ryshfetit, mashtrimit me taksat dhe shfrytëzimit të lidhjeve personale për të arritur qëllimet e tyre. Më shumë se gjysma e të anketuarve ngurrojnë të pranojnë ose të paguajnë ryshfet.  Për më tepër, një numër i konsiderueshëm i të rinjve të anketuar mendojnë se mashtrimi me taksat ose shfrytëzimi i lidhjeve personale për të arritur qëllimet e tyre, nuk janë sjellje korrekte.

Disa nga gjetjet kryesore për Shqipërinë:

  • ‌53,6% e të rinjve të intervistuar  deklarojnë se nuk janë të interesuar për politikën.
  • ‌ 24,8% pohojnë se interesat e tyre nuk përfaqësohen nga politika, ndërsa 33,7 % thonë se kjo ndodh në mënyrë shumë të dobët.
  • ‌ 50% e të rinjve shprehen se kanë votuar në zgjedhjet e fundit.
  • ‌ 65,2% janë dakord me një qasje të qeverisë për më shumë barazi të të ardhurave.
  • ‌ 88,4 % deklarojnë se qeveria duhet të mbajë më shumë përgjegjësi për t’u kujdesur për të gjithë qytetarët.
  • ‌ 33,2 % nuk i  besojnë parlamentit.
  • ‌ 41 % i besojnë  Policisë së Shtetit.
  • ‌ 64,6 % vërejnë se vlerat e  sigurisë ekonomike dhe të demokracisë janë  të ndërlidhura ngushtë.
  • ‌  64 % e të rinjve të pyetur gjatë realizimit
  • të studimit kanë deklaruar se në  dekadat e ardhshme, shqetësimi kryesor do të jetë korrupsioni, i ndjekur nga papunësia (57 %), largimi i njerëzve të kualifikuar nga vendi
  • ‌(57,3 %) dhe çështjet e imigracionit (56,3 %)

Kërkesat për azil në Europë nga shtetasit nga Shqipëria dhe Kosova mbeten të larta

Shtetasit nga Shqipëria dhe Kosova vijojnë të kryesojnë me një diferencë të dukshme se vendet e tjera të rajonit të Ballkanit për nga kërkesat për azil në vendet e Bashkimit Europian.

Sipas të dhënave më të fundit të Agjencisë Europiane për Azilin (EUAA) gjatë muajit shtator të këtij viti u paraqitën 586 kërkesa të reja për azil nga Shqipëria dhe 584 kërkesa nga Kosova.

Numri i kërkesave për azil të shtetasve shqiptarë nga Kosova dhe Shqipëria gjatë muajit shtator është dukshëm më i lartë krahasuar me vendet e tjera në rajon ku nga Maqedonia e Veriut janë paraqitur në një nga vendet e Bashkimit Europian 286 kërkesa për azil, nga Serbia 252, nga Bosnjë Herzegovina 252 dhe nga Mali i Zi vetëm 46 kërkesa.

Numri i kërkesave për azil të shtetasve shqiptarë në vendet e Bashkimit Europian në nëntë muajt e parë të këtij viti ka shkuar në rreth 5500.

Nga të dhënat e publikuara më herët nga Agjencia Europiane për Azilin rreth 2700 kërkesa të shtetasve nga Shqipëria të mbledhura gjatë vitit të shkuar janë në pritje për t`u shqyrtuar.

Kërkesat për azil të shtetasve shqiptarë në numrin më të lartë vijojnë në dy vendet fqinje Itali dhe Greqi, por edhe në Francë dhe në Gjermani.

Agjencia Europiane për Azilin (EUAA) tha se autoritetet për azilin në Bashkimin Europian morën 84,000 kërkesa për azil nga shtetas me kombësi të ndryshme në shtator të këtij viti.

Kërkesat janë në shifra të qëndrueshme të këtyre muajve të fundit, por me një të tretën më pak në krahasim me kulmin e vjeshtës së kaluar, thotë Agjencia europiane për Azilin.

Sipas EUAA numri i çështjeve në pritje të një vendimi të shkallës së parë vazhdoi të rritet, duke arritur në 969,000 në fund të shtatorit 2024, që është më i madhi në këto tetë vitet e fundit.

Agjencia për Azilin tha se deri në fund të shtatorit 2024, rreth 4.3 milionë persona përfituan nga mbrojtja e përkohshme në Bashkimin Europian pasi u larguan nga pushtimi i Ukrainës nga Rusia. Shumica e përfituesve u pritën nga Gjermania dhe Polonia, por Çekia priti më shumë përfitues për frymë, thotë Agjencia Europiane për Azilin. /VOA

Lufta në Lindjen e Mesme, Amnesty International: Izraeli po ushtron gjenocid në Gazë! Veprimet e tyre nuk mund të jusifikohen

Organizata “Amnesty International” akuzoi Izraelin se po ushtron gjenocid në Rripin e Gazës në luftën kundër Hamasit, duke thënë se synon shkatërrimin e qëllimshëm të palestinezëve duke kryer sulme të përgjakshme, shkatërruar infrastrukturën jetike dhe duke penguar futjen e ushqimeve, ilaçeve dhe ndihmave të tjera.

Në një raport të botuar sot, organizata e të drejtave të njeriut, thekson se veprimet e Izraelit nuk mund të justifikohen me sulmin e Hamasit më 7 tetor, 2023, që shkaktoi luftën në Gazë dhe as me praninë e militantëve në zonat e banuara me civilë. Amnesty International thotë se Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e tjerë të Izraelit mund të jenë bashkëfajtorë në gjenocid dhe u bëri thirrje atyre të ndalin dërgesat e armatimit Izraelit.

“Gjetjet tona tronditëse duhet të shërbejnë si një alarm për komunitetin ndërkombëtar: ky është gjenocid. Duhet t’i jepet fund menjëherë”, deklaroi Sekretarja e Përgjithshme e organizatës, Agnes Callamard.

Izraeli, i cili u themelua si shtet pas Holokaustit, i ka hedhur poshtë akuzat se po ushtron gjenocid, duke i dënuar ato si të nxitura nga antisemitizmi. Shteti i Izraelit po përballet me akuza të ngjashme në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë, ndërkohë që po kundërshton akuzat e ngritura nga Gjykata Ndërkombëtare Penale se Kryeministri Benjamin Netanyahu dhe ish Ministri i Mbrojtjes Yoav Gallant kanë kryer krime lufte në Gazë.

Dega e “Amnesty International” në Izrael, që nuk është përfshirë në hartimin e raportit, i kundërshtoi akuzat për gjenocid, duke shfaqur kështu përçarje në publik brenda organizatës, gjë që ndodh rrallë.

Në raportin e saj, organizata tha se ka analizuar veprimet e Izraelit në Gazë që nga 7 tetori i vitit 2023 deri në fillim të korrikut. Amnesty International thotë se nuk ka një kufi të caktuar të numrit të viktimave për të dëshmuar krimin e gjenocidit, të cilin Kombet e Bashkuara e përcaktojnë si veprime që synojnë të shkatërrojnë pjesërisht, apo plotësisht, një kombësi, grup etnik, racor apo fetar.

Sipas Amnesty International, për të provuar synimin e veprimeve të Izraelit, organizata shqyrtoi mbi 100 deklarata të qeverisë së Izraelit dhe zyrtarëve ushtarakë që nga fillimi i luftës që “dehumanizonin palestinezët, bënin thirrje, apo justifikonin aktet e gjenocidit dhe krimet e tjera kundër tyre”.

Sipas gjetjeve të organizatës, Izraeli duke “vështirësuar kushtet e jetës së palestinezëve në Gazë synoi që, me kalimin e kohës, të çojë deri në shkatërrimin e tyre”. Këto veprime përfshinë shkatërrimin e shtëpive, fermave, spitaleve dhe ujësjellësit; urdhrat për evakuimet në shkallë të gjerë dhe kufizimin e ndihmave humanitare dhe shërbimeve tjera thelbësore.

Amnesty International analizoi edhe 15 sulme ajrore që nga fillimi i vitit deri në muajin prill që shkaktuan vdekjen e të paktën 334 civilëve, përfshirë 141 fëmijë dhe që plagosën qindra të tjerë. Organizata thotë se nuk ka gjetur prova se këto sulme ishin ndërmarrë ndaj objektivave ushtarake.

Izraeli thotë se ka vënë në shënjestër vetëm militantët dhe fajëson Hamasin për vdekjen e civilëve ngaqë pjesëtarët e grupit militant luftojnë në zona të populluara nga banorë civilë, duke ndërtuar tunele dhe infrastrukturën e tyre afër shtëpive, shkollave dhe xhamive.

Izraeli gjithashtu fajëson Kombet e Bashkuara për mungesën e ndihmave humanitare, duke i akuzuar ato se nuk po shpërndajnë ndihmat nga qindra kamionë që u lejuan të futeshin në Gazë. OKB-ja thotë se shpeshherë rreziku është i lartë për të shpërndarë ndihmat tek banorët dhe fajëson Izraelin si forcë pushtuese për mungesën e sundimit të ligjit dhe se ka kufizuar mundësinë e lëvizjes nëpër Rripin e Gazës.

Deri më tani, mbi 44,500 persona llogaritet se janë vrarë gjatë fushatës ushtarake të Izraelit, sipas zyrtarëve shëndetësorë të Gazës, që nuk bëjnë dallimin ndërmjet civilëve dhe militantëve, por që thonë se mbi gjysma e viktimave janë gra dhe fëmijë.

Lufta filloi pas sulmit të Hamasit më 7 tetor të vitit 2023 ndaj vendbanimeve izraelite, duke vrarë 1,200 personave, shumica civilë. Grupi militant mori peng edhe rreth 250 persona, përfshirë fëmijë dhe të moshuar. Rreth 100 pengje ende po mbahen në Gazë dhe besohet se një e treta e tyre kanë vdekur.

Ofensiva e Izraelit është ndër fushatat më të përgjakshme dhe shkatërruese që nga Lufta e Dytë Botërore.

Qeveria do të japë edhe gjuetinë me koncesion

Infeksioni i koncesioneve ka prekur edhe gjuetinë. Ministria e Mjedisit ka propozuar një projektligj, i cili praktikisht i jep zonat e gjuetisë me koncesion.

“Zonat e gjuetisë mund t’i jepen subjekteve private me anë të një procedure konkurrimi dhe për një afat jo më pak se 10 vjet, kjo për arsyen se sipas ekspertëve të fushës së gjuetisë, duhen të paktën 5 vjet për të përgatitur gjahun. Subjekti fizik ose juridik do të jetë njëkohësisht dhe menaxhuesi i zonës,” thuhet në relacionin e draftit.

Sipas projektligjit subjekti që do të marrë në përdorim zonën e gjuetisë do të paguajë qira në shtet.

“Vlera fillestare për qiranë e zonës së gjuetisë përcaktohet sa 50 për qind e vlerës të gjuetisë vjetore të kafshëve të egra, të planifikuara sipas planit të përdorimit të llojeve të zonës së gjuetisë, të llogaritura sipas çmimit të tregut. Vlera fillestare për qiranë e zonës së gjuetisë shërben si çmim dysheme për personat që do të marrin pjesë në konkurrimin publik,” thuhet në projektligj.

Më pas privati do të ketë të drejtën e shfrytëzimit të zonës së gjuetisë sipas rregullave të përcaktuara në ligj. Sipas ligjit, zonat e gjuetisë do të shpallen me vendim të Këshillit të Ministrave. Zona e gjuetisë krijohet në sipërfaqe jo më të vogla se 500 hektarë, ndërsa zona për kultivimin e llojeve të faunës së egër, objekt gjuetie, krijohet në sipërfaqe jo më të vogla se 50 ha.

Kush po e ‘varros’ skandalin e mbetjeve të Kurum?

Hetimi i skandalit për eksportin e mbetjeve të rrezikshme të kompanisë Kurum drejt Tajlandës, që u kthyen pas në Shqipëri po mbahet peng dhe prej javësh nuk po kryhen asnjë veprim.

Në krye të herës, prokuroria pati një zell të hetimit të rastit dhe thirri në pyetje që nga administratoren e kompanisë Sokolaj shpk, Gjovana Sokolaj, administratorët e kompanisë Kurum, zyrtarëve të portit të Durrësit, doganave, të kompanisë koncesionare e deri tek zyrtarë të Agjencisë Kombëtare të Mjedisit e Ministrisë.

Ndërsa ngarkesa ishte rrugës së kthimit për në Shqipëri, pasi Tajlanda nuk i pranoi mbetjet e dyshuara të rrezikshme, prokuroria thuajse e kishte përfunduar hetimin, shkruan Vna.

Por, teksa ngarkesa pritej të ankorohej në Port, në cështje hyri dhe drejtuesja e prokurorisë, me arsyetimin se është rast hetimor kompleks dhe kërkon grup hetimor.

Por pavarësisht përforcimit të grupit hetimor, gjithcka ka mbetur në vend numëro.

Çështja që duhet të kishte ngritur në këmbë autoritetet dhe mbi të të ishte hedhur dritë e përgjegjësit të kishin përfunduar prapa hekurave, në fakt është harruar në sirtar.

Mbetjet janë vendosur në ruajte në Porto Romano, në një zonë në pronësi të agjencisë së pronave të sekuestruara e konfiskuara. Përse u harruan hetimet për skandalin e mbetjeve?

Kush ka interes që për këtë cështje të mos flitet?

Përse prokurorët nuk po firmosin urdhër ndalime apo arreste për përgjegjësit?

Kush ka interes aqë cështja të varroset?

Të gjitha këto pyetje kërkojnë një përgjigje.

Vna.al

Tjetër operacion “Sky ECC” në Greqi, 15 të arrestuar për vrasje e trafik droge

Prej orëve të para të mëngjesit policia greke është duke zhvilluar një operacion në Athinë dhe Mykonos, pas hetimeve të kryera mbi bisedat në aplikacionin “Sky ECC”.

Të paktën 15 persona janë arrestuar dhe sipas burimeve të mirëinformuara janë proceduar për disa vepra penale.

Sipas informacioneve bëhet fjalë personazhe që dyshohet se janë anëtarë të organizatave kriminale që trafikonin sasi droge, kryesisht në strehat e tifozëve. Një grup policësh të anti-drogës kanë shkuar edhe në Mykonos ku u identifikua një kompani roli i së cilës po shqyrtohet.

Madje, në kontrollet e deritanishme të banesave që policia ka bërë në banesat e të arrestuarve, ka gjetur prova që lidhen me vrasjen e një personi disa vite më parë.

Autoritetet policore kanë arritur në gjurmët e tyre nga aplikacioni i mesazheve dhe komunikimit SKYECC, detaje të të cilit autoritetet franceze i kanë dërguar policisë greke.

“Ka dy muaj që Ibrahimi po më provokon për t’u arratisur”/ Historia e trishtë e kohës së diktaturës: Nuk mund t’i besosh as njeriut më të afërt. Ndaj dyshoj se…

Nga Reshat KRIPA/ Arbëri qëndronte në qoshkun e tij në sallë, duke pritur mbërritjen e avionit që do ta çonte në një botë tjetër dhe meditonte. Meditonte dhe ëndërronte rrugën plot hithra e ferra, nëpër të cilën kishte kaluar jeta e tij. I kujtoheshin brengat që e kishin shoqëruar vite me radhë. Kishte shumë pasione. Donte të bëhej jurist, gazetar, mjek, inxhinier, artist, shkrimtar apo çfarëdo tjetër gjë, që të mundësohej. Por fati e kishte dënuar që të mos arrinte asnjë, nga majat e ëndërruara. Zhgënjimin e haste në çdo hap të jetës.

Arbëri dhe Blerina e kishin bërë zakon që çdo pasdite, pasi mbaronte orari i punës takoheshin dhe dilnin shëtitje ose uleshin diku dhe bisedonin për ëndrrat e tyre. Por atë pasdite Arbërin e kishte mbërthyer një ngërç i madh. Bisedat e zhvilluara me Ibrahimin dhe sidomos kur mori vesh se vëllai tij ishte liruar, ia shtuan më tepër dyshimin që ai kishte për shokun.

Megjithatë diti të ruajë të njëjtat marrëdhënie me të, duke i lënë të kuptojë, se shoqëria e tyre vazhdonte të ishte njësoj si më parë. Në të vërtetë nuk ishte fare i qetë. Para syve i dilte Resuli dhe fjalët që u kishte thënë kur u takuan para shtëpisë. Të dyja këto i lidhte së bashku. Atë pasdite kishte vendosur t’i tregonte së fejuarës gjithçka.

– “Blerina, – i tha, – dua të të them diçka që më ka shqetësuar shumë kohët e fundit”.

– “Çfarë është ajo”?

– “Ka më tepër se dy muaj, që Ibrahimi më provokon, duke më kërkuar të fillojmë një aktivitet kundër pushtetit”.

– Mos është marrosur”?!

– “Nuk e di, por unë kam edhe një dyshim tjetër”.

– “Çfarë dyshimi”?!

– “Megjithëse unë ia kam prerë që në fillim, ai nuk tërhiqet po vazhdon. Ajo që më habit më tepër, është se edhe vëllai tij, ka disa ditë që është liruar nga burgu, pa mbushur ende gjysmën e dënimit”!

– “E pastaj”?

– “Sot jetojmë në një kohë të vështirë. Nuk mund t’i besosh, as njeriut më të afërt. Ndaj dyshoj se mos edhe Ibrahimi, është përfshirë në këtë lojë të ndyrë. Këtë dyshim ma përforcoi më tepër, lirimi i të vëllait”.

Blerina nuk foli. Për disa çaste qëndruan në heshtje. Të dy ishin fundosur në botën e tyre të hamendjeve.

– “Nuk di si të përgjigjem, – foli më në fund ajo. – Më duket e pabesueshme, për shoqërinë që keni”.

– “Historia e këtyre viteve ka treguar që, për ndonjë përfitim personal, edhe vëllai është hedhur kundër vëllait dhe jo më shoku kundër shokut”.

– “Për deri sa nuk kemi ndonjë shenjë të kësaj natyre, le të mos nisemi me hamendje. Sidoqoftë ti, duhet të ruhesh, në mënyrë që ai të mos kuptojë se ke dyshuar. Le të presim”.

– “Blerina, me ty dua të flas hapur. Kam një parandjenjë të keqe. A të kujtohet se çfarë tha Resuli, kur u takuam para shtëpisë: ‘Më vonë do t’ia dëgjoni avazin’. Mua më duket se ky është avazi që përmendi ai. Të dyja ngjarjet, janë të lidhura ndërmjet tyre. Kanë të njëjtën komandë”.

– “A thua”?

– “Po. Viktima e kësaj, do të jem unë, ndaj dua të të them se në rast se tërmeti bie mbi mua, ti nuk duhet të vuash pasojat e tij”.

– “Ai tërmet, në rast se bie, do të na përfshijë të dyve. Ne jemi të lidhur përjetësisht”.

– “Në asnjë mënyrë. Ti ke të drejtën tënde, të jetosh normalisht dhe kështu duhet të veprosh. Lejen time e ke”.

Atë mbrëmje nënë Afërdita, kishte përgatitur një tavë kosi me mish qengji, që kishte mundur të blinte në treg. Ajo ishte gjella e preferuar e Arbërit. Ishte ulur në një poltronë dhe po priste të birin. Orët kalonin dhe ai nuk po dukej. Zakonisht shëtitjet me Blerinën, vazhdonin deri rreth orës nëntë, ndërsa tani ajo po shkonte dhjetë dhe djali nuk po dukej.

– “Ku je more bir, – pyeste nëna, –  a nuk e di  merakun tim”?!

Një mendje i thoshte se mund të kishte takuar shokët. Orët kalonin dhe ai nuk po dukej. Iu kujtua Ibrahimi.

– “Të vete të shoh, se mos është me të”?

Shtëpitë e tyre ishin fare pranë, jo më shumë se njëqind metra larg. U nis. Derën ia hapi vetë ai.

– “Nuk është Arbëri me ty”?! – e pyeti.

Ibrahimi u drodh. Kuptoi se ai ishte bërë viktimë e deklaratës së tij. Nuk e priste se kjo do të ndodhte kaq shpejt.

– “Ai u takua me disa shokë të shkollës dhe shkuan të pinë ndonjë gotë. Me siguri atje duhet të jetë”, – i tha nënës me një zë që mezi i dilte.

Ora e qytetit tingëlloi njëmbëdhjetë herë. Nëna u kthye në shtëpi. U ul pranë dritares dhe vështronte rrugën, nga do vinte i biri. Shqetësimi i saj, kishte arritur në kulmin.

– “Ku je bir”? – pëshpëriste vazhdimisht dhe lëvizte nga një anë e dhomës në tjetrën.

Afrohej në dritare, e hapte dhe shikonte përjashta.

“Mos e ka mashtruar ndonjë nga ato zuskat e rrugëve dhe e ka tërhequr”? – mendonte. “Jo, jo nuk kam ashtu djali unë. Ai e ka  lidhur tashmë fatin e tij”, – i kthente vetes përgjigjen.

Kthehej përsëri në dhomë. Kapte flokët dhe i shkulte me forcë. Por nuk ndiente dhimbje. Dhimbjen e kishte në zemër. Filloi të humbiste memorien. Sytë iu çakërdisën. Qëndroi disa minuta si e ngrirë dhe pastaj u shemb përdhe.

Ndërkaq dielli sapo kishte lindur. Një rreze e tij hyri nëpërmjet dritares në dhomë dhe drejt e në sytë e nënës. U përmend. Dëgjoi një trokitje në portë.

– “Djali”! – thirri dhe u ngrit menjëherë dhe rendi drejt saj. E hapi.

– “Nënë, çfarë keni”! – e pyeti Blerina kur e pa në atë gjendje.

– “Ku është djali”?

– “Nuk është brenda Arbëri”?

– “Jo”.

– “Paska dalë shpejt sot”?!

– “Jo, bijë, – nëna e mblodhi veten. – Djali nuk ka ardhur fare sonte”.

– “Si? Nuk ka ardhur fare”!?

– “Jo”.

Blerina shtangu. Para syve i doli biseda që kishte bërë një ditë më parë ,dhe fjalët e fundit të tij. Por duke parë gjendjen e nënës e mblodhi veten dhe i tha:

– “Eja të vemi brenda”!

Hynë në dhomë. Blerina e uli nënën në divan.

– “Shtrihu që të qetësohesh, – i tha – Me siguri ai diku këtu rrotull duhet të jetë”.

U ngrit mori një gotë ujë dhe ia dha.

– “Pije se të qetëson”.

Nëna e piu.

– “Gjema djalin, bijë”!

– “Mirë, po jepma fjalën se do të rrish e qetë”.

– “Mirë”.

– “Atëherë unë po dal ta gjej”.

U largua pa e ditur edhe ajo, se ku të shkonte. Lajmëroi se do të mungonte atë ditë në shkollë dhe shkoi të takonte Petritin. Ai u trondit së tepërmi.

– “Ku mund të ketë shkuar”?

– “Nuk e di”.

I tregoi për dyshimin që i kishte shprehur Arbëri.

– “Mos e kanë arrestuar”?! – tha.

– “Ndoshta”.

– “Apo mos ka marrë rrugën për t’u arratisur, për t’i shpëtuar burgut”? – pyeti pa e ditur edhe ai përse.

– “Arbëri nuk do ta bënte kurrë një gjë të tillë në një kohë, kur ne sapo jemi fejuar dhe po përgatitemi për martesën. Ai nuk do ta linte kurrë nënën e tij vetëm. Do pranonte më mirë burgun, se sa braktisjen e familjes”.

Ndërkaq nëna vazhdonte të qëndronte në pritje të kthimit të Blerinës. I dukej sikur nga çasti në çast, ata do të hynin në dhomë si dhe herë të tjera, të dy së bashku. Papritmas një trokëllimë e fortë në portë u dëgjua. Dukej sikur do ta shkulnin nga vendi.

– “Ç’keni more, mos u çmendët”?! – thirri duke hapur portën, por shtangu në vend.

Para saj qëndronte një civil dhe dy ushtarakë.

Civilin e njohu. Ishte operativi i Sigurimit të ndërmarrjes ku punonte.

– “Çfarë doni”? – pyeti, por kësaj here me një zë më të qetë.

Operativi e shtyu me forcë dhe hynë brenda. Pa i folur fare, filluan të bastisin gjithçka. Nuk lanë dollap, raft apo sirtar pa kontrolluar. Kontrolluan edhe nëpër rrobat e Arbërit. Nuk gjetën asgjë.

– “Tët bir e kemi arrestuar, si armik i popullit”, – i tha operativi kur po largoheshin.

– “Nuk u ngopët me tim shoq, por më rrëmbyet edhe të vetmin”? – u thirri ajo nga prapa.

Operativi ktheu kryet e vështroi sikur do ta përpinte. Nëna e përballoi, pa iu dridhur asnjë muskul. Kështu kishte qëndruar edhe kur kishin arrestuar Sokolin.

Ndërkohë po ktheheshin Blerina me Petritin. Ata e dëgjuan bisedën e fundit të nënës me ta dhe nxituan që të futeshin brenda.

– “Nënë, çfarë ndodhi”? – pyetën njëzëri.

– “Ejani brenda – u tha, – Arbërin e kanë arrestuar”.

Askush nuk foli. Nuk kishin më fjalë.

Një vend të veçantë në jetën e Arbërit të atyre viteve të vuajtjes së dënimit në burg, zuri figura e Xhavitit, mitraljerit trim të forcave nacionaliste, në krahinën e tij. Ai u bë si një vëlla i dytë për të. E donte aq shumë, sa ishte i gatshëm të sakrifikonte çdo gjë për ta ndihmuar. Hanin bukë bashkë dhe kishin shtretërit ngjitur

Kishte shpirt dhe zemër të madhe. Tregonin se në betejën që zhvillonte çeta nacionaliste me fashistët, ai qëllonte flamurin italian, që valëvitej përballë tij. Kur shokët e pyesnin përse nuk qëllonte mbi ushtarët, por mbi flamurin, ai përgjigjej

– “Dua të thyej krenarinë e tyre”.

Vazhdonte të qëllonte deri sa flamuri u rrëzua dhe bashkë me të u thyen edhe italianët.

Pas lufte nuk u dorëzua, por qëndroi për më shumë se një vit në male, duke luftuar për lirinë e dhunuar. E tradhtoi një njeri i fisit të tij, ku kishte shkuar për një kafshatë bukë. Në kohën që po lante kokën dhe e kishte atë të mbuluar nga shkuma ia behën Forcat e Mbrojtjes së Popullit, që e arrestuan. Një vit qëndroi në qelitë e Sigurimit. Por kokën nuk e uli.

– “Mbani kokat lart”! – u thërriste shokëve nga qelia.

Gjykata e dënoi me vdekje, që më vonë iu kthye në burgim të përjetshëm.

Fundi i dhjetorit. Ishte cingërimë, binte një borë e ftohtë dhe e shkrirë. Po ktheheshin të rraskapitur nga puna e lodhshme. Ishin lagur deri në palcë. Arbërin e kishin filluar disa të  dridhura. Sa hyri në kamp, u shtri në shtrat.

– “Çohu të shkojmë te doktori”, – i tha Xhaviti

I mbajtur në supet e Xhavitit, mbërritën në infermieri. Sa e pa doktor Istrefi, e shtroi. I vendosi termometrin. Tregonte 40 gradë celsius. Arbërit nuk do t’i hiqej kurrë nga mendja ajo natë, kur jeta e tij luftonte dhëmbë për dhëmbë me vdekjen. Në atë luftë, protagonisti kryesor ishte doktori. Gjithë natën i qëndroi mbi kokë, duke i ndërruar pecet me ujë të ftohtë, që ia vendoste mbi ballë, të vetmet mjete që kishte në dispozicion, përveç ndonjë aspirine, apo bari tjetër të këtij lloji. Në kllapinë e tij, ai dëgjonte fjalët e doktorit që i pëshpëriste. I fliste për familjen dhe shokët e tij dhe Arbërit i dukej sikur ata i kishte pranë. Më në fund këmbëngulja e mjekut, triumfoi mbi vdekjen. Afër mëngjesit, temperatura filloi të zbresë.

Nuk ishte përmirësuar ende, kur e njoftuan se do të transferohej në një kamp tjetër. Doktori kërkoi me forcë ta mbante, por daullja binte në vesh të shurdhër. Ndarja me doktorin, e bënte Arbërin ta ndjente veten të braktisur në mëshirë të fatit. I dukej sikur kishte humbur mbështetjen. Ia shprehu këtë ndjenjë. Ai filloi t’i fliste, se edhe në kampin tjetër, do të gjente plot burra të tjerë, ku mund të mbështetej.

– “Jam i ri” – i tha doktorit.

Nuk e la të vazhdonte. U ngrit në këmbë dhe me një frëngjishte të pastër, i deklamoi vargjet e Sidit, nga tragjedia e Kornejit:

“Je suis jeune, il est vraie,

Mais aux åmes bien nais,

La valeur n’attend point,

Le nombres des annèes”.

(Unë jam i ri, por në shpirtrat e mëdhenj, vlefta nuk pret vitet).

Vargjet vepruan si magji, në zemrën e tij. Një ndjenjë besimi në vetvete, ia mbushi zemrën. Ndjenja e mëparshme e thyerjes shpirtërore, ishte zhdukur.

Të nesërmen u bë nisja për në një kamp, në Jug të Shqipërisë. Atë ditë moti bëri shumë i keq. Që me mëngjes filloi një shi i rrëmbyer. Gjëmonte dhe vetëtinte sikur do të përmbysej gjithçka. Si u qetësua pak, i hipën nëpër makina dhe u nisën. Dengjet i ngarkuan në një makinë tjetër. Kaluan qytete dhe ura. Së fundi u ndalën. I zbritën dhe i urdhëruan, që secili të merrte dengun e tij në krah. Më tutje nuk kishte rrugë për makinat, kështu që duhej ta bënin në këmbë.

Kampi, drejt të cilit po shkonin, ndodhej në majë të një kodre të lartë. Shiu vazhdonte të binte, ndonëse jo me intensitetin e mëparshëm. Policët që i shoqëronin, kishin veshur pelerina të mëdha dhe çizme, kështu që nuk lageshin. Të burgosurit ishin bërë ujë. Megjithatë, ishin të detyruar të ecnin nëpër një rrugë gjithë baltë, me dengun në krah, ku shpesh herë rrëshqisnin dhe duhej të ngriheshin menjëherë, sepse përndryshe të vinte roja me një kamxhik në dorë dhe të qëllonte ku të mundte, duke thënë:

– “Çohu se pengove shokët”!

Autokolona e skllevërve vazhdonte rrugën. Pas gati dy orësh,   mbërritën në kamp. U futën si mundën nëpër kapanone. Arbëri hapi dengun e plaçkave. Kishin shpëtuar pa u lagur një palë ndërresa, që ishin në mes të tij, si dhe një batanije. U gëzua pa masë. U ndërrua shpejt e shpejt dhe u mbështoll me batanijen. Atë natë e kaluan ashtu të mbështjellë, mbi dërrasat e shtretërve të kapanonit, duke u dridhur nga të ftohtit.

Në kamp kryheshin punime për tharjen e një kënete. Për këtë duhej hapur një kanal i gjatë, rreth gjashtë kilometra. Kilometri i parë i tij, për shkak të relievit malor, duhej të gërmohej deri në tridhjetë metra thellësi, ku vendoseshin tuba të mëdhenj betoni, për të kaluar uji. Deri në dhjetë metrat e para të thellësisë, gërmimi bëhej me krah dhe transportohej dheu me karro dore, nëpër një rrugë në formë zigzage. Pastaj nxjerrja e tij bëhej me vinça dhe transportohej me karro dore.

Puna ishte e vështirë dhe me pasoja të rënda. Aksidentet ishin të shumta. Porsa kishte mbaruar platforma e vinçit prej trarësh dhe dërrasash. Vinçier ishte një djalë i ri. E quanin Qemal. Arbëri rrinte shpesh me të dhe bisedonin. Ishte një djalë i qeshur dhe me humor. Pas katër muajsh, do të lirohej. Montoi vinçin, i vuri kondrapeshat dhe filloi ta rrotullojë, për ta provuar. Kur ato arritën nga ana e jashtme e platformës, dy dërrasa, që ishin harruar pa mbërthyer u ngritën nga pesha e vinçit.

Qemali fluturoi dhe ra në kanal nga një lartësi më shumë se dhjetë metra. Menjëherë pas tij ra edhe vinxhi, i cili e fundosi rreth një metër në tokë.  Vdekja ishte e llahtarëshme. Ajo kishte ngrirë buzëqeshjen e tij. Shokët, midis tyre edhe Arbëri, zbritën poshtë, çmontuan vinçin dhe nxorën trupin e sakatosur. Në pasdite e varrosën në vendin e caktuar për të vdekurit, disa hapa jashtë rrethimit, në anën e sipërme të kampit. Askush nuk dha llogari për këtë aksident.

Punonin në gërmim në fund të kanalit. Thellësia kishte arritur mbi njëzet metra. Zakonisht në mes të tij linin një bllok dheu, me dimensione 80 X 40 cm., pa gërmuar, për të llogaritur volumin e dheut. Llogaritjet bëheshin çdo mbrëmje. Ishe i detyruar të realizoje normën, përndryshe, mbeteshe pa racionin e bukës dhe çajit të darkës. Këto blloqe dheu të burgosurit i quanin piramida. Lartësia e saj, kishte arritur gati dy metra.

Skënderi, biri i një personaliteti të njohur në Shqipërinë e Veriut, punonte në fund të kanalit. U ul pranë një piramide të tillë dhe ndezi një cigare. Por lodhja dhe dobësia, bënë që t’i shpëtonte cigarja nga duart dhe ta zinte gjumi. U mbështet pas piramidës. Roja që kontrollonte të burgosurit, po afrohej. Arbëri, që punonte me të, e pa dhe thirri:

– “Skënder, çohu se po vjen roja”.

Në tentativë për t’u ngritur, i përgjumshëm siç ishte, nga nxitimi u mbështet më me forcë. Piramida u rrëzua. Një klithmë e tmerrshme u dëgjua. Dheu kishte rënë mbi të. Arbëri me shokët e tjerë u munduan ta ngrinin, por ai nuk lëvizte dot. Kishte dhimbje të mëdha në shpinë. Kishte mbetur i kërrusur. Shokët e morën me vështirësi dhe e vendosën në një tezgë që sajuan aty për aty. E transportuan në infermierinë e kampit.

Doktor Istrefi, që kishte vetëm disa ditë që kishte ardhur edhe ai në kamp, e vizitoi dhe konstatoi se mund të kishte thyer shtyllën kurrizore. I gjori Skënder, nga mesi e poshtë, ishte i paralizuar. Në mes të dhimbjeve, pyeste doktorin:

– “Doktor, a do të mund të shpëtoj, për me pa edhe nji herë nanën?

Të ëmën bashkë me pjesëtarët e tjerë të familjes, i kishte të internuar në një fshat të Shqipërisë së Jugut. Doktori e dinte se për të nuk kishte më shpresë. Megjithatë i jepte vazhdimisht kurajo:

– “Sa të kalojnë disa ditë dhe do të bëhesh më mirë. Do të shkosh në spital dhe do të shërohesh”. Por komanda e kampit as që kishte menduar ta çonte në spital.  Rrojti edhe disa ditë dhe mbylli sytë. Edhe ai u varros në vendin e caktuar.

Ndërkohë vitet kalonin. Kishte më shumë se dymbëdhjetë vjet që Arbëri kalonte sa në njërin kamp në tjetrin. Kudo e njëjta gjendje. Kudo i njëjti trajtim, ndaj të burgosurve. Por edhe jashtë, gjendja nuk ishte më e mirë. Një krizë e thellë ekonomike, kishte pushtuar vendin. Ishte rikthyer sistemi i triskëtimit, që tani quhesh sistemi i tollonave.

Megjithatë propaganda shtetërore mundohej të mbante gjallë entuziazmin e popullit. Gazetat dhe televizioni për çdo ditë, flisnin për sukseset e pakrahasueshme që kishte arritur vendi. Një indoktrinim i paparë sundonte pothuajse në pjesën më të madhe të popullsisë. Trumbetohej me të madhe, “Njeriu i ri socialist”, që kishte ndërtuar sistemi. Si rrjedhojë kjo kishte sjellë që një pjesë e tyre, të kthehej në manekinë që vepronin vetëm sipas shkopit të dirigjentit, që ndodhej në krye të vendit. Memorie.al

Nën hetim për inceneratorin e Tiranës, GJKKO revokon masën e arrestit shtëpiak për ish-drejtoreshën e Ministrisë së Mjedisit, Alba Thoma

Gjykata e Posaçme ka revokuar masën e sigurisë “arrest shtëpie” për ish-drejtoreshën e Drejtorisë Juridike të Ministrisë së Mjedisit, Alba Thoma.

 

Ish-drejtoresha e Ministrisë së Mjedisit, e cila është nën hetim për inceneratorin e Tiranës, kishte kërkuar zëvendësimin e masës së sigurisë të caktuar ndaj saj.

Togat e zeza, me vendim të datës 5 Dhjetor, vendosën pranimin e kërkesës së Alba Thomës dhe caktimin e masës “detyrim paraqitje”.

E pandehura Alba Thoma, e cila akuzohet për kryerjen e veprës penale “Shpërdorimi i detyrës”, duhet të paraqitet pranë oficerëve të policisë gjyqësore që do të përcaktohet nga prokurori, të hënën e parë të çdo muaji, në orën 10:00.

Njoftimi i GJKKO:

  1. Kërkuesi Alba Thoma më datë 02.12.2024 ka paraqitur pranë Gjykatës kërkesën me objekt: “Revokimin/Zëvendësimin e masës së sigurimit “Arrest në shtëpi” dhënë ndaj shtetases Alba Thoma me vendimin Nr. 134, datë 07.12.2023 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar Tiranë dhe vazhduar me Vendimin e Gjykatës së Apelit të Posaçëm për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar me aktin Nr .07 (87-2024-31) ,datë 27.01.2024”.
  1. Në përfundim të gjykimit, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar me trup gjykues të përbërë nga gjyqtarja Rudina Palloj, bazuar në nenet 112, 228, pika 3, 229, 234 dhe 260 të K.Pr.Penale dhe Vendimin Unifikues të Gjykatës së Lartë nr. 7, datë 14.10.2011, me vendimin Nr. 685, datë 05.12.2024, vendosi:
  1. Pranimin e kërkesës së kërkueses/të pandehurës Alba Thoma me nr. 685 regj.them, datë regjistrimi 02.12.2024.
  1. Zëvendësimin e masës së sigurimit personal “Arrest në shtëpi”, parashikuar nga neni 237 i K.Pr.Penale, caktuar me vendimin nr. 134, datë 07.12.2023, të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, miratuar me vendimin nr. 07, datë 27.01.2024 të Gjykatës së Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, dhe caktimin ndaj kërkueses/të pandehurës Alba Viktor Thoma të masës së sigurimit personal “Detyrimi për t’u paraqitur në policinë gjyqësore”, parashikuar nga neni 234 i K.Pr.Penale.
  1. Në referim të nenit 234, pika 2 të K.Pr.Penale urdhërohet kërkuesja/e pandehura Alba Viktor Thoma të paraqitet pranë oficerëve të policisë gjyqësore që do të përcaktohet nga prokurori, të hënën e parë të çdo muaji, ora 10.00.
  1. Ngarkohet Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar për ekzekutimin e këtij vendimi.
  1. Kundër këtij vendimi mund të bëhet ankim në Gjykatën e Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar brenda 5 (pesë) ditëve, duke filluar ky afat nga e nesërmja e komunikimit të vendimit të arsyetuar.

Hetimet e SPAK për inceneratorin e Tiranës

Ish-ministri Lefter Koka, Pëllumb Abeshi, Erjon Murataj, Bledar Karoli, Taulant Tusha, Namik Simixhiu, Etleva Kondi, Alba Thoma, Valbona Ballgjini, Sidita Kopliku, Jetmir Llapaj, Silena Tola, akuzohen për kryerjen e veprës penale “Shpërdorimi i detyrës”.

Sipas SPAK, nga aktet e administruara kontrata lidhur mes Autoritetit Kontraktor Ministria e Mjedisit dhe shoqërisë “Integrated Energy B.V SPV” sh.p.k,, me kosto të investimit të parashikuar nga shoqëria koncesionare në vlerën 128.248.330 Euro (njëqind e njëzet e tetë milion e dyqind e dyzetë e tetë mijë, e treqind e tridhjetë) pa TVSH, janë konstatuar veprime të kundraligjshme të kryera për shkak të detyrës të personave të pandehur.

Veprimet e kundraligjshme janë konstatuar në lidhje me propozimin për dhënien e bonusit shoqërisë propozuese “Integrated Energy BV”, anëtarët e Komisionit të Dhënies së Koncesionit, të përbërë nga të pandehurit Valbona Ballgjini, Pëllumb Abeshi, Erjon Murataj, Sidita Kopliku, Etleva Kondi, Taulant Tusha, Namik Simixhiu, në bashkëpunim me Ish Ministrin e Mjedisit, të pandehurin Lefter Koka, Alba Thoma, Drejtoreshë e Drejtorisë Juridike të Ministrisë së Mjedisit, Bledar Karoli, Përgjegjës i Sektorit të Prokurimeve në Ministrinë e Mjedisit.

Sipas organit të hetimit rezulton se, anëtarët e Komisionit kanë propozuar dhënien e bonusit, pa hartuar një raport përmbledhës, si dhe kur është bërë propozimi për dhënien e bonusit, komisioni i dhënies së koncesionit ende nuk kishte sqaruar kostot e projektit. Nga ana e zyrtarëve të Autoritetit Kontraktor, Ministri i Mjedisit, Lefter Koka, Drejtoresha Juridike e Ministrisë së Mjedisit, Alba Thoma, Përgjegjësi i Sektorit të Prokurimeve në Ministrinë e Mjedisit, Bledar Karoli, është përgatitur dhe dërguar më pas projektvendimi në Këshillin e Ministrave, për dhënien e bonusit prej 8 % të pikëve totale të garës shoqërisë propozuese.

Në lidhje me procedurën e dhënies së koncesionit rezulton se shoqëria propozuese “Integrated Energy BV” (në përbërje të së cilës është aksionere edhe shoqëria e shtetasit Klodian Zoto, “Integrated Technology Services” sh.p.k)ka qenë në dijeni të rrethanave konkurruese para se të shpallej procedura.

Sipas SPAK, kjo ka ndodhur në sajë të ndihmës së dhënë nga vetë funksionarët e Ministrisë së Mjedisit, Lefter Koka, ish Ministër i Mjedisit,  Alba Thoma, Drejtoreshë e Drejtorisë Juridike, Bledar Karoli, Përgjegjës i Sektorit të Prokurimeve, si dhe nga anëtarët e komisionit të dhënies së koncesionit, Valbona Ballgjini, Pëllumb Abeshi, Erjon Murataj, Sidita Kopliku, Etleva Kondi, Taulant Tusha, Namik Simixhiu, ku shoqëria propozuese “Integrated Energy BV” është pajisur me dokumentacionin e nevojshëm që duhej të dorëzonte në Ministrinë e Mjedisit para dhe gjatë procedurës koncesionare, me qëllim shpalljen fitues të kësaj shoqërie.

Kurse, në lidhje me hartimin dhe miratimin e dokumenteve standarte të koncesionit, anëtarët e komisionit të dhënies së koncesionit, Valbona Ballgjini, Pëllumb Abeshi, Erjon Murataj, Sidita Kopliku, Etleva Kondi, Taulant Tusha, Namik Simixhiu, në bashkëpunim me titullarin e Autoritetit Kontraktor, Lefter Koka, ish Ministër i Mjedisit, kanë vepruar në kundërshtim me ligjin “Për miratimin e rregullave për vlerësimin dhe dhënien me koncesion, partneritet publik privat”, i ndryshuar.

Sipas Prokurorisë së Posaçme, dokumentet Standarde të Koncesionit nuk rezultojnë të jenë hartuar dhe miratuar nga anëtarët e komisionit, në kohën që këto dokumente janë ngarkuar në Sistemin e Prokurimit Elektronik, pasi rezulton se nga ana e komisionit nuk është mbajtur mbledhje apo procesverbal për hartimin e Dokumenteve Standarte të Koncesionit.

Rezulton se Dokumentet Standarde të Procedurës së Koncesionit janë hartuar nga punonjësit e shtetasit Klodian Zoto, pronar i shoqërisë “Integrated Technology Services” sh.p.k, pjesëmarrëse në këtë procedurë koncesioni si aksioner i shoqërisë holandeze “Integrated Energy BV”, i cili jua ka dërguar më pas punonjësve të Ministrisë së Mjedisit, të pandehurve Alba Thoma dhe Bledar Karoli. Në këtë kohë, këta dy shtetas kanë shërbyer si “urë lidhëse” ndërmjet Autoritetit Kontraktor, Ministrisë së Mjedisit dhe shoqërisë së shtetasit Klodian Zoto. Nga ana e titullarit të Autoritetit Kontraktor, ish Ministri i Mjedisit, Lefter Koka,është miratuar vazhdimi i procedurës së dhënies së koncesionit, pa patur dokumentacion shoqërues të hartimit të Dokumenteve Standarte të Koncesionit nga ana e Komisionit.

Në lidhje me studimin e fizibilitetit, anëtarët e komisionit të dhënies së koncesionit, Valbona Ballgjini, Pëllumb Abeshi, Erjon Murataj, Sidita Kopliku, Etleva Kondi, Taulant Tusha, Namik Simixhiu, kanë vepruar në kundërshtim me ligjin përsa i përket përllogaritjeve të kostove në studimin e fizibilitetit, duke i marrë kostot nga studimi i fizibilitetit të shoqërisë propozuese “Integrated Energy BV”, pa kryer asnjë verifikim në lidhje me vërtetësinë e tyre.

Nga aktet e administruara, thotë SPAK,  rezultojnë të dhëna fiktive të vendosura në studimin e fizibilitetit, të cilët kanë rritur fiktivisht tarifën e depozitimit të mbetjeve nga Njësitë e Qeverisjeve Vendore, 29 Euro/ton.

Në studimin e fizibilitetit të përgatitur nga Komisioni i Dhënies së Koncesionit, nuk janë marrë në konsideratë të gjitha të ardhurat reale që do të përfitonte shoqëria koncesionare. Këto të ardhura, të cilat nuk janë përfshirë, ndikojnë negativisht në buxhetin e shtetit, pasi nëse do të ishin përllogaritur, atëherë vlera e tarifës që do të duhej të paguanin Njësitë e Qeverisjes Vendore, do të ishte më e ulët. Komisioni i Dhënies së Koncesionit nuk ka përfshirë të ardhurat që do të përfitonte shoqëria koncesionare nga palët e treta për depozitimin e mbetjeve inerte, duke i shkaktuar dëm buxhetit të shtetit. Nëse do të ishin përllogaritur të ardhurat që shoqëria koncesionare do të përfitonte nga palët e treta, si zë të ardhurash në studimin e fizibilitetit, atëherë do të ishte ulur pjesa e mbulimit që do të kryhej nga shteti.

Nga aktet e administruara rezulton se punonjësit e Qendrës Kombëtare të Biznesit, të Regjistrit të Pronarëve Përfitues, të pandehurit Jetmir Llapaj dhe Silena Tola, kanë vepruar në kundërshtim me ligjin nr.112/2020 “Për regjistrin e pronarëve përfitues”, si dhe VKM nr.1008, datë 24.12.2020, “Për përcaktimin e mënyrës dhe të procedurave të regjistrimit e publikimit të të dhënave për pronarët përfitues, si dhe të njoftimit nga autoritetet shtetërore kompetente e nga subjektet e detyruara”. Në lidhje me regjistrimin e pronarëve përfitues fundor të shoqërisë “Integrated Energy BV SPV”, rezulton se nuk është dorëzuar dhe administruar dokumentacioni shoqërues justifikues për të provuar ndryshimin e aksionerëve përkatës për periudhën kohore në fjalë, sipas përcaktimeve të akteve ligjore dhe nënligjore të përmendura më sipër.

Njoftimi i plotë SPAK:

Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, ka përfunduar hetimet paraprake të procedimit penal nr.255/1, të vitit 2020, (ndarë nga procedimi penal nr.255,i vitit 2020) dhe ka paraqitur kërkesën për dërgimin për gjykim të të pandehurve Lefter Koka, Pëllumb Abeshi, Erjon Murataj, Bledar Karoli, Taulant Tusha, Namik Simixhiu, Etleva Kondi, Alba Thoma, Valbona Ballgjini, Sidita Kopliku, Jetmir Llapaj, Silena Tola, të akuzuar për kryerjen e veprës penale “Shpërdorimi i detyrës”, kryer në bashkëpunim, parashikuar nga nenet 248 dhe 25 të Kodit Penal.

Nga aktet e administruara në funksion të hetimeve të këtij procedimi penal me objekt hetimi kontrata e koncesionit nr. 6597 prot, datë 31.08.2017, “Ndërtim landfilli, inceneratori dhe rehabilitimi i vend depozitimeve ekzistuese, Tiranë ”, lidhur mes Autoritetit Kontraktor Ministria e Mjedisit dhe shoqërisë “Integrated Energy B.V SPV” sh.p.k,, me kosto të investimit të parashikuar nga shoqëria koncesionare në vlerën 128.248.330 Euro (njëqind e njëzet e tetë milion e dyqind e dyzetë e tetë mijë, e treqind e tridhjetë) pa TVSH, janë konstatuar veprime të kundraligjshme të kryera për shkak të detyrës të personave të mësipërm të marrë në cilësinë e të pandehurit, veprime të kryera para fazës së procedurës, si dhe gjatë procedurës së dhënies sëkoncesionit, që konsistojnë si më poshtë:

–Në lidhje me propozimin për dhënien e bonusit shoqërisë propozuese “Integrated Energy BV”, anëtarët e Komisionit të Dhënies së Koncesionit, të përbërë nga të pandehurit Valbona Ballgjini, Pëllumb Abeshi, Erjon Murataj, Sidita Kopliku, Etleva Kondi, Taulant Tusha, Namik Simixhiu, në bashkëpunim me Ish Ministrin e Mjedisit, të pandehurin Lefter Koka, Alba Thoma, Drejtoreshë e Drejtorisë Juridike të Ministrisë së Mjedisit, Bledar Karoli, Përgjegjës i Sektorit të Prokurimeve në Ministrinë e Mjedisit, kanë kryer veprime të kundërligjshme para fazës së zhvillimit të procedurës, në kundërshtim me ligjin nr.125/2103 “Për koncesionet dhe partneritetin publik privat”, i ndryshuar, dhe VKM nr. 575, datë 10.07.2013, “Për miratimin e rregullave për vlerësimin dhe dhënien me koncesion/partneritet publik privat”, e ndryshuar.

Anëtarët e Komisionit kanë propozuar dhënien e bonusit, pa hartuar një raport përmbledhës, si dhe kur është bërë propozimi për dhënien e bonusit, komisioni i dhënies së koncesionit ende nuk kishte sqaruar kostot e projektit. Nga ana e zyrtarëve të Autoritetit Kontraktor, Ministri i Mjedisit, Lefter Koka, Drejtoresha Juridike e Ministrisë së Mjedisit, Alba Thoma, Përgjegjësi i Sektorit të Prokurimeve në Ministrinë e Mjedisit, Bledar Karoli, është përgatitur dhe dërguar më pas projektvendimi në Këshillin e Ministrave, për dhënien e bonusit prej 8 % të pikëve totale të garës shoqërisë propozuese.

-Në lidhje me procedurën e dhënies së koncesionit me objekt: “Ndërtim landfilli, inceneratori dhe rehabilitimi i vend depozitimeve ekzituese Tiranë dhe prodhimin e energjisë elektrike”, rezulton se shoqëria propozuese “Integrated Energy BV” (në përbërje të së cilës është aksionere edhe shoqëria e shtetasit Klodian Zoto, “Integrated Technology Services” sh.p.k)ka qenë në dijeni të rrethanave konkuruese para se të shpallej procedura. Kjo ka ndodhur në sajë të ndihmës së dhënë nga vetë funksionarët e Ministrisë së Mjedisit, Lefter Koka, ish Ministër i Mjedisit, Alba Thoma, Drejtoreshë e Drejtorisë Juridike, Bledar Karoli, Përgjegjës i Sektorit të Prokurimeve, si dhe nga anëtarët e komisionit të dhënies së koncesionit, Valbona Ballgjini, Pëllumb Abeshi, Erjon Murataj, Sidita Kopliku, Etleva Kondi, Taulant Tusha, Namik Simixhiu, ku shoqëria propozuese “Integrated Energy BV” është pajisur me dokumentacionin e nevojshëm që duhej të dorëzonte në Ministrinë e Mjedisit para dhe gjatë procedurës koncesionare, me qëllim shpalljen fitues të kësaj shoqërie.

-Në lidhje me hartimin dhe miratimin e dokumenteve standarte të koncesionit, anëtarët e komisionit të dhënies së koncesionit, Valbona Ballgjini, Pëllumb Abeshi, Erjon Murataj, Sidita Kopliku, Etleva Kondi, Taulant Tusha, Namik Simixhiu, në bashkëpunim me titullarin e Autoritetit Kontraktor, Lefter Koka, ish Ministër i Mjedisit, kanë vepruar në kundërshtim me ligjin nr. 125/2013, “Për koncesionet dhe partneritetin publik privat”, i ndryshuar, si dhe VKM nr. 575, datë 10.07.2013, “Për miratimin e rregullave për vlerësimin dhe dhënien me koncesion, partneritet publik privat”, i ndryshuar. Dokumentet Standarte të Koncesionit nuk rezultojnë të jenë hartuar dhe miratuar nga anëtarët e komisionit, në kohën që këto dokumente janë ngarkuar në Sistemin e Prokurimit Elektronik, pasi rezulton se nga ana e komisionit nuk është mbajtur mbledhje apo procesverbal për hartimin e Dokumenteve Standarte të Koncesionit.

Rezulton se Dokumentet Standarte të Procedurës së Koncesionit janë hartuar nga punonjësit e shtetasit Klodian Zoto, pronar i shoqërisë “Integrated Technology Services” sh.p.k, pjesëmarrëse në këtë procedurë koncesioni si aksioner i shoqërisë holandeze “Integrated Energy BV”, i cili jua ka dërguar më pas punonjësve të Ministrisë së Mjedisit, të pandehurve Alba Thoma dhe Bledar Karoli. Në këtë kohë, këta dy shtetas kanë shërbyer si “urë lidhëse” ndërmjet Autoritetit Kontraktor, Ministrisë së Mjedisit dhe shoqërisë së shtetasit Klodian Zoto. Nga ana e titullarit të Autoritetit Kontraktor, ish Ministri i Mjedisit, Lefter Koka,është miratuar vazhdimi i procedurës së dhënies së koncesionit, pa patur dokumentacion shoqërues të hartimit të Dokumenteve Standarte të Koncesionit nga ana e Komisionit.

–Në lidhje me studimin e fizibilitetit, anëtarët e komisionit të dhënies së koncesionit, Valbona Ballgjini, Pëllumb Abeshi, Erjon Murataj, Sidita Kopliku, Etleva Kondi, Taulant Tusha, Namik Simixhiu, kanë vepruar në kundërshtim me ligjin nr. 125/2013, “Për koncesionet dhe partneritetin publik privat”, si dhe në kundërshtim me VKM nr. 575, datë 10.07.2013, “Për miratimin e rregullave për vlerësimin dhe dhënien me koncesion/partneritet publik privat”, i ndryshuar, përsa i përket përllogaritjeve të kostove në studimin e fizibilitetit, duke i marrë kostot nga studimi i fizibilitetit të shoqërisë propozuese “Integrated Energy BV”, pa kryer asnjë verifikim në lidhje me vërtetësinë e tyre.

Nga aktet e administruara rezultojnë të dhëna fiktive të vendosura në studimin e fizibilitetit, të cilët kanë rritur fiktivisht tarifën e depozitimit të mbetjeve nga Njësitë e Qeverisjeve Vendore, 29 Euro/ton.

Në studimin e fizibilitetit të përgatitur nga Komisioni i Dhënies së Koncesionit, nuk janë marrë në konsideratë të gjitha të ardhurat reale që do të përfitonte shoqëria koncesionare. Këto të ardhura, të cilat nuk janë përfshirë, ndikojnë negativisht në buxhetin e shtetit, pasi nëse do të ishin përllogaritur, atëherë vlera e tarifës që do të duhej të paguanin Njësitë e Qeverisjes Vendore, do të ishte më e ulët. Komisioni i Dhënies së Koncesionit nuk ka përfshirë të ardhurat që do të përfitonte shoqëria koncesionare nga palët e treta për depozitimin e mbetjeve inerte, duke i shkaktuar dëm buxhetit të shtetit. Nëse do të ishin përllogaritur të ardhurat që shoqëria koncesionare do të përfitonte nga palët e treta, si zë të ardhurash në studimin e fizibilitetit, atëherë do të ishte ulur pjesa e mbulimit që do të kryhej nga shteti.

-Nga aktet e administruara rezulton se punonjësit e Qendrës Kombëtare të Biznesit, të Regjistrit të Pronarëve Përfitues, të pandehurit Jetmir Llapaj dhe Silena Tola, kanë vepruar në kundërshtim me ligjin nr.112/2020 “Për regjistrin e pronarëve përfitues”, si dhe VKM nr.1008, datë 24.12.2020, “Për përcaktimin e mënyrës dhe të procedurave të regjistrimit e publikimit të të dhënave për pronarët përfitues, si dhe të njoftimit nga autoritetet shtetërore kompetente e nga subjektet e detyruara”. Në lidhje me regjistrimin e pronarëve përfitues fundor të shoqërisë “Integrated Energy BV SPV”, rezulton se nuk është dorëzuar dhe administruar dokumentacioni shoqërues justifikues për të provuar ndryshimin e aksionerëve përkatës për periudhën kohore në fjalë, sipas përcaktimeve të akteve ligjore dhe nënligjore të përmendura më sipër.

Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar po kryen hetime të mëtejshme në kuadër të procedimit penal nr.255, të vitit 2020, për të gjithë subjektet e tjerë të regjistruar në kuadër të këtij hetimi (individ dhe persona juridik), për të evidentuar çdo fakt penal tjetër, veprimet e secilit prej personave përgjegjës të institucioneve shtetërore që kanë marrë pjesë para dhe gjatë procedurës së dhënies së koncesionit, si dhe gjatë zbatimit të kontratës koncesionare.