22.5 C
Tirana
E enjte, 19 Qershor, 2025

Gjykata e Tiranës konfiskon 7 vila në kryeqytet, shpallen fajtor nëntë pasona për ndërtim të paligjshëm dhe falsifikim (EMRAT)

Gjykata e Tiranës ka konfiskuar 7 vila në zonën e Mulletit në Tiranë, pas kërkesës së Prokurorisë së kryetetit. Nga hetimet e prokurorisë ka rezultuar se vilat ishin ndertuar me kundershtim me ligjin dhe per kete arsye i ka kerkuar Gjykates qe te shpallë fajtorë nëntë persona për veprat, ndërtim të paligjshëm dhe falsifikim te dokumenteve.

 

Nga hetimet u zbulua se “në zonën e Mulletit, në ekonominë pyjore 1/a dhe 2/a, janë ndërtuar 7 objekte (vila), formalisht të pajisura me leje rindërtimi, por që rezultoi se dokumentacioni tekniko ligjor i përdorur pasqyronte të dhëna të rreme, si dhe duke cenuar fondin pyjor, në juridiksion të Bashkisë Tiranë”.

Të pandehurit janë dy arkitektet, Armand Prelezi dhe Klevis Bregu, të akuzuar për “Falsifikim të dokumenteve”.

Po ashtu dhe pronarët e vilave, Manush Teqja, Florian Zela, Abaz Teqja, Mehmet Durishti, Tefta Visha dhe Arblin Harizi, të akuzuar për “Ndërtim të paligjshëm” dhe “Falsifikim të dokumenteve”.

Po ashtu prokuroria akuzon dhe Dorina Dushku, për vepren penale, “Ndërtim të paligjshëm.”

Njoftimi i Prokurorisë së Tiranës

Me kërkesë të Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të përgjithshëm, Tiranë u shpallën fajtorë nëntë persona për veprën penale ‘Ndërtim i paligjshëm’ dhe ‘Falsifikim i dokumenteve’ parashikuar nga nenet 199/a dhe 186/3 të Kodit Penal.

Në kuadër të procedimit penal nr.1285 të vitit 2023, nga ana e organit të prokurorisë u kryer hetime intensive, si marrja në pyetje e personave, kqyrje dhe sekuestrime pranë institucioneve si dhe kryerje e ekspertimeve teknike, dhe në përfundim u kolaudua se janë konsumuar elementet e veprave penale të parashikuara nga nenet 199/a/3, 186/2, 186/3 në bashkëpunim dhe 300 të Kodit Penal, pasi në zonën e Mulletit, në ekonominë pyjore 1/a dhe 2/a, janë ndërtuar 7 objekte (vila), formalisht të pajisura me leje rindërtimi, por që rezultoi se dokumentacioni tekniko ligjor i përdorur pasqyronte të dhëna të rreme, si dhe duke cenuar fondin pyjor, në juridiksion të Bashkisë Tiranë.

Në këto kushte, nga ana e prokurorisë u çmua, se ka prova për të proceduar me marrjen si të pandehur dhe shpalljen fajtorë, për veprat penale shtetasit si më poshtë:A.P., arkitekt, akuzuar për veprën penale “Falsifikim i dokumentave”;

  1. K.B., arkitekt, akuzuar për veprën penale “Falsifikim i dokumentave”;
  2. M. T., akuzuar për veprën penale “Ndërtim i paligjshëm” dhe “Falsifikim i dokumenteve”;
  3. F.Z., i akuzuar për veprën penale “Ndërtim i paligjshëm” dhe “Falsifikim i dokumenteve”;
  4. A.T., akuzuar për veprën penale “Ndërtim i paligjshëm” dhe “Falsifikim i dokumenteve”;
  5. M. D., akuzuar për veprën penale “Ndërtim i paligjshëm” dhe “Falsifikim i dokumenteve”;
  6. T.V., akuzuar për veprën penale “Ndërtim i paligjshëm” dhe “Falsifikim i dokumenteve”;
  7. D.D., akuzuar për veprën penale “Ndërtim i paligjshëm”; dhe
  8. A.H, akuzuar për veprën penale “Ndërtim i paligjshëm” dhe “Falsifikim i dokumenteve”

Në përfundim të gjykimit, u vendos dënimi i të pandehurve dhe konfiskimi i 7 vilave të ndërtuara pa leje në ekonomi pyjore nëpërmjet dokumenteve të falsifikuara.

Hetimet vijojnë në drejtim të veprimeve dhe mosveprimeve të enteve publike si dhe bashkëpunëtoreve të mundshëm, për veprat penale të “Falsifikimi i dokumenteve” dhe “Shpërdorimi i detyrës” parashikuar nga nenet 186/3 dhe 248 të Kodit Penal.

Parlamenti i turpit

Nga Namir Lapardhaja

Prej kohësh, Parlamenti i Shqipërisë është shndërruar në një sallë teatrale ku nuk performojnë idetë, por marrëzitë, ku nuk diskutohen propozime, por thashethemnaja dhe aludime, ku nuk mbrohet interesi i qytetarit, por i kryetarit, ku të gjithë zihen dhe çirren me sytë në po i ndjek shefi dhe jo në po i dëgjojnë njerëzit.

Parlamenti, atje ku do duhej ‘me folë’, është kthyer nga një sallë ligjvënësish në një s(t)allë ulëritësish dhe fyesish të pamoralshëm, duke i ngjarë një spitali psikiatrik ku shëndeti mendor i pacientëve ndryshon nga momenti në moment, nga ekstremi në ekstrem, nga e qeshura tek e qara, nga normalja tek anormalja, nga e natyrshmja tek e panatyrshmja, nga e puthura dhe e përqafuara te konfrontimi dhe përplasja e pakuptimtë.

Palët, ato që do duhet të ishin aty për interesin publik dhe të qytetarëve, në fakt, nuk bëjnë gjë tjetër vetëm se tallen dhe i poshtërojnë votuesit në mënyra të ndryshme.

Për shembull, kjo që quhet sot mazhorancë, që ka pushtetin dhe shumicën e votave, pasi kanë shkaktuar trauma të jashtëzakonshme, që u kanë kushtuar edhe jetën njerëzve të pamundur për t’i paguar, burgime dhe vuajtje të tjerëve, me një të rënë të lapsit, kujtohet sot, 6 muaj përpara zgjedhjeve për t’i falur të gjitha gjobat e ndërtimeve pa leje, duke mos bërë një bilanc të asaj që ka ndodhur në 11 vite si pasojë e kësaj gjëje.

Nga ana tjetër, kjo që në këtë Parlament quhet opozitë dhe është njohur nga pushteti si e tillë, pasi ka humbur besueshmërinë në gjithçka që thotë dhe artikulon si pasojë e pështymës së shumtë që kanë lëshuar në drejtim të njëri-tjetrit dhe pastaj ‘detyrimit’ për ta lëpirë me llapë gjithçka që goja ka llapur, apo për të thënë të nesërmen se ato që u thanë dje s’kanë kurrfarë vlere, sepse janë deklarata politike dhe jo të vërteta, jo vetëm është e pabesueshme në gjithçka që artikulon, por është edhe e pamoralshme dhe e pandershme ku merr kauza që nuk i përkasin dhe luan me ndjenjat dhe fatkeqësitë e familjeve të varfëra shqiptare.

Kjo është situata ku ka ardhur Parlamenti i Shqipërisë, pjesëtarët e të cilit nuk kanë lënë vend pa treguar se sa pa dinjitet dhe se sa të painteresuar për hallet dhe problematikat reale të qytetarëve janë, ndërkohë që e gjithë përpjkeja e tyre është vetëm në funksion të zënies së një vendi në listën e ardhshme. Është kaq pak dhe kaq pa interes në sytë e njerëzve, por kaq shumë dhe kaq e rëndësishme për ata vetë.

VOA: Kosova kërkon nga aleatët perëndimorë ta mbajnë Serbinë përgjegjëse për sulmin në kanalin e ujësjellësit

Autoritetet e Kosovës i kanë bërë thirrje diplomacisë perëndimore të mbajë përgjegjëse Serbinë për sulmin e 29 nëntorit në kanalin e furnizimit me ujë nga liqeni i Ujmanit në veri të Kosovës, duke theksuar se sulme të tilla janë kërcënim për paqen dhe sigurinë në rajon dhe në Evropë.

 

Pak pas shpërthimit, institucionet e Kosovës shpërndanë një dokument me gjetjet paraprake në kryeqytetet dhe institucionet perëndimore. Në dokumentin që e ka parë Zëri i Amerikës, thuhet se “një akt i qëllimshëm i sabotimit në afërsi të Zubin Potokut dëmtoi infrastrukturën më kritike në Republikën e Kosovës, konkretisht një kanal ujësjellësi jetik për furnizimin me ujë të pijshëm për rreth 700,000 qytetarë. Objektivi kryesor ishte të shkaktohej një ndërprerje mbarëkombëtare e energjisë duke nxjerrë jashtë punës termocentralet që prodhojnë mbi 60 për qind të energjisë elektrike të Kosovës”.

Ky sulm ndaj infrastrukturës më kritike të një fqinji, thuhet më tej në dokument, “shënon një nivel të ri brutaliteti në fushatën agresive të Serbisë, e ndikuar fuqimisht nga shtrirja dhe bashkërendimi i ngushtë i saj në ushtri, në fushën e zbulimit dhe strategjinë diplomatike me aleatin e saj kryesor, Rusinë. Pamaturia e këtij sulmi të fundit është provë tjetër se Serbia dhe ambiciet e saj agresive janë një kërcënim real për paqen në Evropë. Kosova e ka ngritur vazhdimisht këtë kërcënim në rritje me partnerët e saj dhe komunitetin ndërkombëtar vitet e fundit”.

Në dokument thuhet se sulmi është imitim i “luftës barbare të Rusisë, të përshtatur me rrethanat rajonale. Sidoqoftë, Rusia dhe Serbia kanë intensifikuar sulmet e tyre ndaj një demokracie perëndimore me një prani të rëndësishme të trupave të NATO-s. Kjo formë e re e luftës, një sulm kinetik, jo më thjesht hibrid, është një provë për perëndimin. Nëse nuk përballet dhe zmbrapset, mund të çojë në veprime të ngjashme në Ballkan apo në vende të tjera perëndimore në Evropë”.

Më tej në dokumentin që shoqërohet me fotografi që shfaqin dëmin e shkaktuar nga shpërthimi, jepen të dhëna për rezultatin e veprimeve të policisë së Kosovës e cila arrestoi 8 veta dhe gjatë bastisjeve konfiskoi “200 uniforma ushtarake (me shenja serbe, ruse dhe të tjera), granatahedhës (dy prej të cilëve ishin përdorur më parë), bomba dore, mitralozë, maska kundër gazit dhe pajisje të tjera ushtarake të lidhura me sulmin dhe të ruajtura për operacionet e ardhshme

Sipas dokumentit sulmi paraqet një formë të re të luftës në Evropë, përtej Ukrainës. “Ai është modeluar sipas shkatërrimit brutal të infrastrukturës civile kritike nga Rusia në Ukrainë. Paralajmërimi se Serbia mund të përdorë veprime edhe më shkatërruese, siç është shënjestrimi i digës së liqenit të Ujmanit, nuk është i ri dhe duhet të merret shumë seriozisht pas sulmit të 29 nëntorit”, thuhet në dokument në të cilin kërkohet që diplomacia të dënojë fuqishëm sulmet kundër Kosovës “jo vetëm si shkelje të normave ndërkombëtare por si kërcënim të drejtpërdrejtë për paqen dhe sigurinë në Evropë, të njohë përgjegjësinë e drejtpërdrejtë të Serbisë për sulmin, ta mbajë Serbinë drejtpërdrejt përgjegjëse dhe të vendosë sanksione ndaj saj për strehimin dhe mbështetjen e grupeve terroriste”.

Misioni i Serbisë në Këshillin e Evropës u ka shpërndarë vendeve anëtare një dokument pune, me të cilin mohon përfshirjen në sulmin e 29 nëntorit.

Presidenti Aleksandar Vuçiç, ka thënë së fundmi se vendi i tij është i gatshëm “për bashkëpunim të plotë në kryerjen e hetimeve me të gjitha organizatat dhe institucionet ndërkombëtare në përputhje me Marrëveshjen e Brukselit dhe institucionet e Prishtinës, por pa rrezikuar sovranitetin dhe pavarësinë e Republikës së Serbisë. Ne jemi gati ta bëjmë këtë. Nëse sulmi është kryer nga dikush i kombësisë serbe dhe ai ndodhet në territorin nën kontrollin e Republikës së Serbisë, ai menjëherë do të arrestohet. Deri më tani, nuk kemi informacione të tilla”, tha ai.

Sulmi u dënua nga Shtetet e Bashkuara dhe vendet e Bashkimit Evropian, që bënë thirrje për hetim të kujdesshëm dhe të thellë si dhe shprehën përkushtimin për të mbështetur Kosovën për ndriçimin e rastit dhe vënien e autorëve para drejtësisë../VOA

Arrestohen me urdhër të Gjykatës Speciale ish-ministri i Drejtësisë së Kosovës dhe ish-kreu i Shërbimit Sekret! Në pranga dhe ish-luftëtari i UÇK-së

Ish-ministri i Drejtësisë në Kosovë, Hajredin Kuçi, është vendosur në pranga me urdhër të Gjykatës Speciale.

 

Sipas mediave në Kosovë, është arrestuar dhe ish-kryetari i Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë (AKI), Bashkim Smakaj.

Telegraf raporton se janë ndaluar edhe ish-kryetari i Komunës së Malishevës, Isni Kilaj, si dhe vëllai i heronjve Fahri dhe Bahri Fazliu, Fadil Fazliu.

Djali i Fadil Fazliut, Fahriu para mediave ka pohuar se arrestimi i babait të tij ka ndodhur teksa ai ishte duke shkuar në punë.

“Fadili ka qenë pjesë e UÇK-së, dhe është vëllaiu i Fahri e Bahri Fazliut. Ka qenë vetëm duke shkuar në punë, tashmë ai ndodhet në zyret e EULEX-it”, tha ai para mediave.

Zyra e Prokurorit të Specializuar (ZPS) përmes një njoftimi për media ka bërë të ditur se janë duke kryer operacione në vazhdimësi në Kosovë në një proces hetimor që përqendrohet në vepra penale kundër administrimit të drejtësisë.

Sipas njoftimit, operacionet e ZPS-së janë autorizuar nga ana gjyqësore prej Dhomave të Specializuara të Kosovës (DHSK) dhe janë mbështetur nga Misioni i Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë (EULEX).

Dy protesta para Kuvendit/ Minatorët kërkojnë status të veçantë dhe pensione dinjitoze

Në të njëjtën kohë me zhvillimet në sallën e Parlamentit, jashtë qytetarët kanë dalë në protestë.

 

Paralelisht zhvillohen dy protesta, por me qëllim të njëjtë.

Kërkesat e të dy palëve të protestuesve janë të njëjta.

Ata kërkojnë miratimin e statusit te minatorit dhe pensione dinjitoze, kërkesa këto që janë shpalosur edhe në protestat e mëparshme.

Altin Dumani meriton të shpallet njeriu i vitit 2024 dhe duhet të ketë një mandat të dytë në krye të SPAK

Rigels Seliman

Në një kohë kur bota po kalon një periudhë të ndryshimeve të shpejta, Shqipëria ka nevojë për liderë që guxojnë të sfidojnë të kaluarën dhe të udhëheqin vendin drejt një të ardhmeje të ndritur, të drejtë dhe të pasur me shpresa. Emri që ndriçon si një simbol i drejtësisë dhe ndryshimit është ai i Altin Dumanit, kreut të Prokurorisë së Posaçme (SPAK). Një figurë që ka shënuar një rrugëtim të veçantë, duke u bërë një shembull i përkushtimit dhe profesionalizmit, Altin Dumani meriton të shpallet Njeriu i Vitit 2024 dhe duhet të udhëheqë SPAK për një mandat të dytë. Dumani është një prokuror i “hekurt” që ka vendosur të përballojë sfidat e mëdha të korrupsionit dhe krimit të organizuar, duke u bërë një udhëheqës që jo vetëm bën atë që është e duhur, por bën atë që është e mundur për të ndryshuar jetën e çdo qytetari shqiptar. Ai ka bërë një betejë të heshtur, por të fuqishme, për të sjellë ndryshimin dhe për të mundësuar që Shqipëria të ecë përpara pa u mbajtur peng nga hijet e të kaluarës.

Një njeri me vizion dhe forcë

Altin Dumani ka arritur të fitojë besimin e qytetarëve shqiptarë, të cilët e mbështesin me 90% të përkrahjes. Kjo mbështetje nuk është thjesht një shifër, por është një pasqyrë e besimit të thellë që shqiptarët kanë ndaj këtij njeriu të vendosur, të cilin e shohin si një udhëheqës të drejtpërdrejtë, të patundur dhe të vendosur për të luftuar për drejtësinë. Në një periudhë kur ka pasur aq shumë pak besim tek institucionet, sidomos ato ligjzbatuese, prokurori special, Altin Dumani ka arritur të ndihmojë për të rikthyer shpresën te qytetarët. Ai është një njeri që e do vendin e tij, që beson në potencialin e Shqipërisë dhe që ka vendosur të angazhohet për një të ardhme më të drejtë për të gjithë.

Lufta pa kompromis ndaj korrupsionit

Në udhëtimin e tij në krye të SPAK, Altin Dumani ka zhvilluar një luftë të pandalshme kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, dy dukuri që kanë penguar për shumë vite zhvillimin e Shqipërisë. Përpjekjet e tij kanë arritur të tronditin themelet e sistemit të vjetër, duke treguar se ka ardhur koha për ndryshim të vërtetë. Dumani ka qenë ai që ka thyer heshtjen, ai që ka bërë të mundur që ata që shkelin ligjin të mbajnë përgjegjësi për veprat e tyre, pavarësisht kush janë ata, politikanë të lartë, pushtetarë qendror apo lokalë, si dhe “koka” të krimit të organizuar. Ai ka hedhur një dritë të ndritshme në errësirën e korrupsionit e krimit, duke treguar se e drejta mund të triumfojë mbi të padrejtën.

Një shembull i përkushtimit dhe etikës profesionale

Altin Dumani nuk është vetëm një drejtues i një institucioni të rëndësishëm, sikundër është Prokuroria e Posaçme (SPAK), ai është një shembull i përkushtimit dhe etikës profesionale që çdo qytetar duhet të ndjekë. Kjo është arsyeja pse ai ka fituar respektin dhe dashurinë e popullit shqiptar. Puna e tij është një frymëzim për të rinjtë që dëshirojnë të shohin Shqipërinë si një vend ku drejtësia dhe ligji mbizotërojnë. Dumani është ai që ka dëshmuar se edhe në një sistem të shkatërruar nga korrupsioni dhe kapur nga krimi i organizuar, mund të ndërtohet një drejtësi e fortë dhe e pavarur, ku çdo individ është i barabartë para ligjit.

Një mandat i dytë në krye të SPAK për një drejtësi të qëndrueshme

Duke e parë suksesin e tij në SPAK dhe impaktin e tij në shoqërinë shqiptare, është e qartë se Altin Dumani është njeriu i duhur për të udhëhequr këtë institucion edhe për një mandat të dytë. Ai është një njeri që ka treguar se nuk ka ndalesë për të arritur drejtësinë, ai është i përkushtuar të vazhdojë punën e tij të palodhur për të siguruar që korrupsioni dhe krimi i organizuar nuk do të kenë vend në Shqipërinë e së nesërmes. Mandati i dytë i Dumanit është mundësia për të forcuar ende më shumë pavarësinë e SPAK, për të vazhduar luftën për të siguruar një të ardhme më të ndritshme për të gjithë shqiptarët.

Përfundimi

Kreu i Prokurorisë së Posaçme (SPAK), Altin Dumani është një figurë që simbolizon shpresën për një Shqipëri të drejtë dhe të pastruar nga korrupsioni. Ai ka bërë një ndryshim të ndjeshëm, ka frymëzuar një tërë komb që të besojë tek mundësia e një drejtësie të barabartë për të gjithë. Ky njeri, i cili ka ngritur flamurin e drejtësisë dhe të luftës kundër padrejtësisë, meriton të shpallet Njeriu i Vitit 2024. Nëpërmjet punës së tij të palodhur dhe të devotshme, ai ka treguar se është njeriu që meriton një mandat të dytë për të udhëhequr SPAK, për të siguruar që Shqipëria të shohë një të ardhme ku drejtësia është e pandalshme dhe ku çdo individ mund të shpresojë në një sistem të drejtë dhe të barabartë.

Dosja “Çyrbja” dhe lista e PS-së në Durrës/ Thirret në SPAK, Adrian Çela

Në kuadër të hetimeve për ish deputetin e PS, Jurgis Çyrbja, SPAK ka thirrur për të dëshmuar ish kreun e OSHEE Adrian Çela.

Gazetarja Klodiana Lala raporton se Çela do të pyetet në cilësinë e drejtuesit politik të qarkut të Durrësit. Për të njëjtën dosje u pyet edhe ish-kryebashkuaku i Durrësit Vangjush Dako.

Jurgis Çyrbja është arrestuar me akuzën për korrupsion në zgjedhje e nxjerrje sekreti. Emri i tij u vendos në listë të sigurt të kandidatëve për deputetë të PS pas ndikimit nga njerëz të krimit.

Basha kërkon veprime konkrete për sigurinë e Kosovës: Amendamenti im për 50 milionë euro ndihmë ushtarake pengohet nga mazhoranca

Kreu i Partisë Demokratike-Demokratët Euroatlantikë, Lulzim Basha, shprehet se sulmet terroriste në Kosovë janë një kërcënim për paqen dhe stabilitetin në rajon, të orkestruara nga Serbia dhe të frymëzuara nga Rusia.

Në videon e postuar në facebook, ai thekson se Shqipëria duhet të ndërmarrë veprime konkrete dhe të mos qëndrojë pasive. Basha thotë se propozimin e tij për një ndihmë ushtarake prej 50 milionë eurosh për Kosovën, të depozituar në Kuvend që nga janari, mbahet i mbyllur në sirtaret e interesave të vogla e klienteliste të mazhorancës.

Postimi i plotë i Bashës:

Sulmet terroriste në Kosovë, të orkestruara nga Serbia e të frymëzuara nga Rusia, janë kambana alarmi për paqen dhe stabilitetin e rajonit, si dhe për arkitekturën e sigurisë së NATO-s në të gjithë Europën. Ndërsa partnerët ndërkombëtarë të kombit tonë po kryejnë detyrën e tyre në funksion të përmbajtjes së këtij agresioni malinj, Shqipëria nuk mund të qëndrojë duarkryq kur cënohet siguria e Kosovës.

Prej 22 janarit të këtij viti kam depozituar në Kuvendin e Shqipërisë një amandament për t’i garantuar 50 milionë euro ndihmë ushtarake Kosovës, i cili fatkeqësisht mbahet mbyllur në sirtaret e interesave të vogla e klienteliste të kësaj mazhorance. Sulmet terroriste të përsëritura në veri të Kosovës thërrasin për reflektim mbi dinamikën e re të sigurisë, e po ashtu janë një apel për veprime konkrete nga ana e Shqipërisë. Është koha që vendi ynë të flasë përmes veprave, duke investuar te siguria e Kosovës, që është garanci për sigurinë e gjithë rajonit.

“Matrix” shkund botën e krimit/ Holanda zbulon si funksiononte aplikacioni, shqipja mes gjuhëve më të përdorura!

Dalin detaje se si u zbulua aplikacioni i koduar “MATRIX”. Europol bëri me dije se ka mbyllur aplikacionin dhe ka siguruar afro 2.3 milionë mesazhe, të cilat janë përdorur nga grupet kriminale.

Platforma, ishte e lidhur me krime të rënda, duke përfshirë trafikun ndërkombëtar të drogës, trafikun e armëve dhe pastrimin e parave.

Sipas mediave ndërkombëtare, ajo u zbulua për herë të parë nga autoritetet holandeze në telefonin e një krimineli të dënuar për vrasjen e vitit 2021 të gazetarit investigativ holandez Peter R. de Vries, i cili ishte i njohur për historitë e tij për krime të pazgjidhura.

Gjatë tre muajve të hetimit të “MATRIX”, policia përgjoi dhe deshifroi më shumë se 2.3 milionë mesazhe në 33 gjuhë nga kriminelë të dyshuar. Platforma kishte gati 8,000 përdorues, të cilët paguanin midis 1,367 dollarë dhe 1,682 dollarë për një abonim gjashtë mujor.

Infrastruktura e “MATRIX” përbëhej nga më shumë se 40 serverë të vendosur në disa vende, me shumicën në Gjermani dhe Francë. Gjatë operacionit ndërkombëtar të martën, forcat e rendit çmontuan serverët dhe arrestuan tre të dyshuar në Spanjë, Francë dhe Holandë.

Ndër të arrestuarit ishte pronari dhe operatori i dyshuar i platformës, një shtetas lituanez 52-vjeçar, i cili bashkëpunonte me një 30-vjeçar nga cash dhe rreth 500,000 euro në kriptovaluta. Autoritetet thanë se konfiskuan gjithashtu katër automjete dhe më shumë se 970 telefona celularë.

Një faqe në internet po paralajmëron përdoruesit e “Matrix” se disa mesazhe të dërguara përmes platformës janë përgjuar.

Nuk është hera e parë dhe nuk do të jetë hera e fundit që ne mund t’i lexojmë mesazhet në kohë reale. Ne fituam akses në të dhënat në lidhje me këtë shërbim dhe hetimi ynë nuk mbaron këtu”, thuhet në faqe.

Sipas policisë holandeze, “MATRIX” kishte sistemin e vet operativ dhe aplikacione të ndryshme për mesazhe të koduara, telefonata të sigurta, shkëmbim video dhe audio, si dhe shfletim anonim në internet. Platforma madje shfaqi një aplikacion për lojërat e fatit dhe monedhën e vet për pagesën e tarifave të abonimit. Aplikacioni u instalua kryesisht në telefonat “Google Pixel”.

Europol tha se infrastruktura e “MATRIX” ishte teknikisht më komplekse se ajo e platformave të goditurta më parë si “Sky ECC” dhe “EncroChat”. Përdoruesit mund ta merrnin shërbimin vetëm me ftesë.

Themeluesit ishin të bindur se shërbimi ishte superior dhe më i sigurt se aplikacionet e mëparshme të përdorura nga kriminelët”, tha Europol.

Baza e klientëve të “Sky ECC” ishte shumë më e madhe se ajo e “MATRIX”. Që nga viti 2021, platforma kishte më shumë se 70,000 përdorues, duke përfshirë mbi 11,000 në Holandë dhe 6,000 të tjerë në Belgjikë.

Peizazhi i komunikimit kriminal ka ndryshuar pas heqjes së “Sky ECC”, “EncroChat”, “Exclu” dhe “Ghost”. Kriminelët përdorin tani një numër më të madh aplikacionesh dhe përdorin teknologji më komplekse“, tha policia holandeze, raporton “The Record Media”.

Ndëkrohë Europol ka reaguar për mediat shqiptare. Vetë ata kanë konfirmuar se mes 33 gjuhëve të përdorura është edhe shqipja.

Mund t’u konfirmoj se shqipja ishte ndër gjuhët e përdorura në aplikacion. Çështja drejtohet nga një ekip i përbashkët hetimor (EPH) që përfshin autoritetet franceze dhe holandeze, të mbështetura nga një Task Force Operacionale e krijuar në Europol. Ky grup pune përfshin forcat e zbatimit të ligjit nga Franca, Holanda, Spanja, Lituania dhe Italia”, ka thënë Europol.

Kjo do të thotë se shumë shpejt do të ketë zhvillime edhe në Shqipëri, pasi do të dalin mesazhe të grupeve kriminale. Vetë Nuredin Dumani ka konfirmuar se ai e ka përdorur këtë aplikacion bashkë me Suel Çelën.

Pensionistët shqiptarë më të palumturit nga grupet e tjera të popullsisë, ja si renditet vendi ynë

Në raport me grupet me te reja të popullatës, pensionistët shqiptarë janë më të palumturit. Indeksi global i lumturisë i renditi pensionistët shqiptare në vendin e 100 në 143 vende të botës për 2024. Në indeksin e përgjithshëm ku përfshihen të gjitha grup- moshat Shqipëria zuri vendin e 87 në 143 vende.

Në grup-moshën 60+ Shqipëria kishte renditje të dobët, e duke lënë pas vetëm vendet e Afrikës.

Pensionistët shqiptare janë më të palumtur edhe në krahasim me grup moshat e tjera të popullsisë, të rinjtë dhe mosha e mesme (shiko tabelën e mëposhtme). Indeksi tregoi se në vitin 2023 pensionistët shqiptarë kIshin nivele lumturie më të ulëta se në vitin 2006.

Indeksi tregoi se në të gjitha vendet në Evropën Qendrore dhe Lindore ata 60 vjeç e lart janë më pak të lumtur.

Hulumtimet nga paketa globale për lumturinë kanë treguar se pabarazia e mirëqenies ka një efekt më të madh në lumturinë e përgjithshme sesa pabarazia e të ardhurave.

Pabarazia në shpërndarjen e lumturisë pasqyron pabarazitë e aksesit në mirëqenie, duke përfshirë të ardhurat, arsimin, kujdesin shëndetësor, pranimin social, mjediset sociale mbështetëse në familje, etj.

Në moshën mbi 60 vjeç pasojat e mungesës së mirëqenies dhe problemet shëndetësore janë më të mëdha. Vendet me sisteme të forta të shëndetësore dhe mbrojtje sociale kanë një nivel më të lartë të lumturisë për grup moshën mbi 60 vjeç.

Nga ana tjetër një seri kërkimesh dhe studimesh sugjerojnë se, ndërsa njerëzit plaken, përgjithësisht i kushtojnë më shumë rëndësi aspekteve pozitive të jetës. Kjo shpjegon se pse vlerësimet e jetës rriten me moshën. Por nëse mosha e tretë përballet me probleme akute, si gjendje jo e mire shëndetësore dhe të ardhura të pamjaftueshme i pengon ata të perceptojnë gjërat pozitive të jetës.

Pensionistët shqiptare aktualisht jetojnë në varfëri për shkak të ardhurave të ulëta, të cilat janë nën nivelin relativ të varfërisë 6.7 USD në ditë.

Në Shqipëri personat mbi 49 vjeç janë më të palumtur se 15 vite më parë. Në total Shqiptarët ishin më të palumturit në Europë pas turqve në vitin 2024./Monitor