23.5 C
Tirana
E mërkurë, 7 Maj, 2025

Maqedonia e Veriut ul sërish çmimin e naftës, Shqipëria më e shtrenjta në rajon

Maqedonia e Veriut e ka ulur sërish çmimin e naftës, duke e tregtuar atë për 120 lekë për litër. Nga vendet e rajonit, çmimin më të lartë e ka Shqipëria, me 175 lekë për litër. Edhe pse në bursë çmimi i naftës ka rënë, kjo ulje nuk reflektohet ende në tregjet shqiptare.

Mjaftojnë 50 euro për të mbushur plot një rezervuar makine me naftë në Maqedoninë e Veriut. Me 3075 denarë, ose 4920 lekë, mund të marrësh plot 44.8 litra naftë.

Edhe pse derivatet e naftës pësuan një rritje drastike gjatë pandemisë dhe ulja e çmimeve nuk është e madhe, Maqedonia e Veriut ende ka çmimin më të ulët në rajon.

Në Shqipëri, qytetarët paguajnë më shumë për një litër naftë, ku çmimi shkon në 1.8 euro. Pas saj vijnë qytetarët e Sllovenisë dhe Kroacisë, me përkatësisht 1.50 euro për litër dhe 1.45 euro për litër.

Megjithëse Maqedonia e Veriut ka çmimin më të ulët në rajon, për ekspertin e ekonomisë, Abil Baush, këto çmime nuk përputhen me uljen e madhe të naftës në tregjet globale.

“Gjatë pandemisë, Komisioni Rregullativ i Derivateve të Naftës dhe Energjetikës filloi të bëjë kalkulimet në bazë ditore. Kalkulimet që bëhen në tregjet botërore u aplikuan në bazë ditore dhe në njësi ditore. Ashtu siç ‘fluturon’ çmimi i derivateve të naftës, i cili për momentin në tregjet globale është jashtëzakonisht i ulët dhe në rënie, edhe pse jemi në një periudhë kur çmimet normalisht do të rriteshin, për shkak të luftës dhe krizave globale, kalkulimi bëhet sipas këtyre kushteve”, deklaron eksperti i ekonomisë Abil Baushi.

Çmimi në Maqedoninë e Veriut përbëhet nga marzhi tregtar, kompensimi për financimin e aktiviteteve për mjedisin, kompensimi për rezervat e detyrueshme të naftës, si dhe akciza. Për çdo litër nafte, këto taksa dhe tarifa i kushtojnë qytetarëve 15.83 denarë ose 25.33 lekë.

Sipas Profesorit Baush, deri në fund të vitit pritet të ketë ulje të mëtejshme të çmimit.

“Deri në fund të vitit mund të kemi ulje të lehtë të çmimeve dhe një lloj stabiliteti në derivatet e naftës, pasi tregjet e mëdha kanë stabilizuar prodhimin pas ndikimit rus në tregjet e naftës”, tha eksperti.

Përveç uljes së çmimit të naftës, ulje të konsiderueshme pati edhe për benzinën. Çmimi i benzinës u ul me 1.5 denarë dhe një litër kushton 75.50 denarë ose 120.83 lekë./Euronews

PËRGJIMET/ I mori 1000 euro rryshfet 68-vjeçares për të pushuar çështjen ndaj djalit të saj, SPAK kalon për gjykim dosjen e oficeres së policisë gjyqësore, Anila Dushku

Prokuroria e Posaçme (SPAK) ka mbyllur hetimet dhe ka çuar për gjykim dosjen e Anila Dushkut, oficeres së Policisë Gjyqësore, e cila akuzohet për ryshfet.

Oficerja e policisë gjyqësore, e cila ndodhet në arrest shtëpie, i ka marrë shtetases Hava Lloga ryfshet 1000 euro për të pushuar çështjen penale në ngarkim të djalit të 68-vjeçares, për veprën penale “Ndërtimi i paligjshëm”.

 

Njoftimi i SPAK:

Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar përfundoi hetimet paraprake të procedimit penal nr. 180 të vitit 2024 dhe paraqiti para Gjykatës kërkesën për dërgimin për gjykim në ngarkim të të pandehurës:

A.D. e akuzuar për kryerjen e veprës penale të “Korrupsioni pasiv i gjyqtarëve, prokurorëve dhe funksionarëve të tjerë të organeve të drejtësisë”, parashikuar nga neni 319/ç i K.Penal.

Procedimi penal u nis nga Prokuroria e Posaçme, bazuar mbi pamjet filmike të transmetuara në emisionin investigativ “Fiks Fare” në televizionin Top Channel, të cilat tregonin rastin korruptiv të oficeres së Policisë Gjyqësore, A.D., në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan.

Në analizë të provave të grumbulluara gjatë hetimit paraprak rezultoi e provuar se e pandehura A.D. ka kryer veprime aktive të kundërligjshme, të cilat konsistojnë në kërkimin dhe marrjen e përfitimit të paligjshëm (prej 1 000 eurosh) nga shtetasja H.Ll. kundrejt premtimit për të mbyllur çështjen në ngarkim të djalit të saj, për veprën penale “Ndërtim i paligjshëm”, parashikuar nga neni 199/a të Kodit Penal. Pasi u njoh me kërkesën e të pandehurës, shtetësja H.Ll i është drejtuar emisionit “Fiks Fare” për ta bërë publik rastin.

Nga të dhënat konkrete të grumbulluara gjatë hetimit paraprak për këtë procedim penal, ekziston dyshimi i arsyeshëm bazuar në prova, se ka qenë e pandehura A.D. me detyrë Oficere e Policisë Gjyqësore në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan, e cila ka pasur një rol aktiv të kundërligjshëm në bisedat me shtetasen H.Ll, duke i udhëzuar vendin dhe datën e takimit si dhe dorëzimin e shumës së parave [mitës].

Përgjimet

Rasti u denoncua nga 68-vjeçarja në emisionin investigativ “Fiks Fare”, ku mësohet se ngjarja u zhvillua në zyrën e oficeres Anila Dushku, e cila pasi i merr ryshfetin i premton të moshuarës se do “të mbaronte punë”.

Por, disa ditë pas kryerjes së pagesës, në adresën e denoncueses shkon një zarf i prokurorisë ku e njofton se ky organ i ka kërkuar gjykatës të pushojë hetimet, për shkak se vepra penale ndërtim pa leje është amnistuar nga Kuvendi i Shqipërisë.

“Erdhi policia dhe mbushi letrat. Më thirri një oficere që quhet Anila, është oficere në Prokurorinë e Elbasanit. Ajo e ndoqi të gjithë procedurën. Tani më thotë dua 1 milionë lekë që të mbyll çështjen e djalit. Më tha e do djalin, e dua i thashë. Po e deshe më tha, që ta mbyll çështjen, më jep 1 mijë euro. E kam takuar dje te zyra në Prokurorinë e Elbasanit. Tani unë nuk e di se për ça e mbyll, letrat e tokës i kam unë dhe çuni s’ka asnjë letër, s’ka asnjë pëllëmbë tokë”, u shpreh Hava Lloga.

Më pas shtoi “Më dha një afat. Deri në këtë datë pret. Unë ku t’i gjej, unë 200 mijë lekë marr. E sëmurë jam. S’më dalin të ha. Më tha m’i prure ta mbyllim çështjen, s’m’i prure … Nuk e di se çfarë i ndodh djalit, se ai ka ikur maleve me fëmijët për në Greqi. Jetoja në kasolle, me gjarpërinjtë. Këtë kasollen e kam ndërtuar në vitet 1997-1998 kur kemi ardhur te ky vend. Jetë e zezë. Këtu kam jetuar para se të bëja shtëpinë. Mirë që s’na ndihmojnë, por s’na lënë të qetë”, vijon ajo, ndërsa pohon se s’ka mundësi që të bëjë këtë pagesë. “Unë s’kam të ha bukë, 200 mijë lekë marr. Ça të bëj, të paguaj drita, të paguaj ujë, të marr ilaçe apo të ha! Llogarit muajin”.

E moshuara pasoi telefonoi oficeren Anila Dushku lanë një takim në afërsi të Prokurorisë së Elbasanit dhe pasi takon OPGj, shkojnë në një byrektore.

“Kur të vish e ti sjellësh, mbyll gojën”, i tha oficerja e policisë gjyqësore, duke iu drejtuar: “(1 mijë euro) dhe asnjë gjë tjetër. S’ke punë me asnjë. Dakord? Mos fol me njeri. Ti, ti kishe sjell sot dhe nuk kishe për të ardhur më. Mos u bëni pishman pra. Se unë i prish punë djalit. Është ndërtuar gjithë ajo shtëpi dhe me 1 milion lekë nuk është asnjë gjë. Kështu që sa të mbaroj ajo puna, ato do ti mbaj te xhepi im. Tani do vish dhe do më bësh telefon para se të vish”.

E moshuara shkoi në zyrën e saj në Prokurorinë e Elbasanit ditën që oficerja e prokurorisë i la takim dhe futi një qesë shumën prej 1 mijë eurosh dhe 10 mijë lekë të vjetra.

“I ke numëruar ti nëna”, i tha Anila Dushku, teksa e fut qesen në sirtarin e saj. E moshuara i thotë se ka edhe një 10 mijë lekësh për rrugë. Ajo nxjerr 10 mijë lekëshin dhe i thotë fute në xhep. Më pas i thotë se tani vendimi do të vijë me postë.

 

BISEDA:

 

Oficerja – Na mbyti vapa, hajde ulemi këtu poshtë. Hë fole me djalin?

Qytetarja – Kam folur me të, më tha merruni vesh.

Oficerja – Po pra.

Qytetarja – Dëgjo këtu, unë e di se do merremi vesh.

Oficerja – Unë shkova i thashë prokurorit për ty, se unë fola si për nënën time se po ashtu thosha shko bëj çfarë të duash dhe mirupafshim. Është kështu?

Qytetarja – Po, ëëë.

Oficerja – Se ai është larguar, ka shumë gjëra që ndikojnë, a e kupton? Është gjithë ai ndërtim.

Ulen në një byrektore!

Oficerja – Si qenka dhalli.

Qytetarja – Bjer çik ujë! Atë Etlevën ta takoj çik sot?

Oficerja – Çe do?

Qytetarja – Të takoj të flas me atë.

Oficerja – Për çfarë e do?

Qytetarja – Për punën e lekëve, ajo ekspertja.

Oficerja – Të ka mbaruar punë ajo.

Qytetarja – Ëëë?

Oficerja – Të ka mbaruar punë.

Qytetarja – Dua që emri i çunit të hiqet?! Se atë e kam unë, çuni ska asnjë gjë.

Oficerja – Tani puna është kështu, djali ka bërë ndërtim pa leje.

Qytetarja – S’e ka bërë djali, e kam bërë unë.

Oficerja – A do më dëgjosh mua.

Qytetarja – Hë?

Oficerja – Se do më lutesh pastaj ë.

Qytetarja – Jo po merremi vesh, thuaj ti të mbyllet.

Oficerja – Dëgjo, më dëgjo një sekondë. Tani unë do të bëj kërkesë për pushim se më lutet. Etleva (ekspertja) ta ka bërë aktin ashtu siç e donte djali jot, në rregull? Është shumë në rregull. Tani siç të thashë unë, në rregull?

Qytetarja – Po.

Oficerja – Kërkesë për pushim, dakord?!

Qytetarja – Po, unë e dua që kur të bëj ashtu letrën që është heq.

Oficerja – Po pra, kërkesë për pushim. Do e pushojë gjykata.

Qytetarja – Bravo.

Oficerja – Bëhet kërkesë nga prokurori dhe e pushon gjykata.

Qytetarja – Ti i di tani këto punë, unë nuk di gjë s’marr vesh. Kur të më thuash ti filan datë do vish, filan datë do të vij që të mbaroj punë me ty.

Oficerja – Po pra po, ti do të vish, do të vish ditën e enjte.

Qytetarja – Mirë ti e di.

Oficerja – Të enjten?

Qytetarja – Të enjten dhe s’vij më unë.

Oficerja – E nuk do vish më.

Qytetarja – Ëëë.

Oficerja – Ditën e enjte do të bëhet kërkesë për pushim dhe dot ë shkoj … Do të vij kërkesa për pushim, vjen në postë atje ku jeni juve. Dhe pastaj e pushon gjykata. Në rregull, që djali jot mos të ketë më probleme.

Qytetarja – Unë jam e pafuqishme, unë erdha sot dhe do vij njëherë të enjten dhe nuk vij më!

Oficerja – Po pra. Prandaj të thashë hajde sot dhe mos hajde më.

Qytetarja – E po nuk ishim marrë vesh tamam unë. Se qesh sëmurë, e di sa e sëmurë kam qenë atë ditë?!

Oficerja – O Hava, unë ti kam bërë veprimet tamam se po të ishte ashtu të thosha shko bëj çfarë të duash me ata avokatë rrenacak që rrinë natë e ditë, në rregull? Kuptove?

Qytetarja – Kuptova, kuptova, kuptova!

Oficerja – Dhe njëherë të enjten dhe mos hajde më. Po ti të kishe ardhur sot, po ti s’kishe e ke fajin vetë! Ëëë?

Qytetarja – Se s’më ka ashtu çuni i vogël, s’kam mbaruar punë.

Oficerja – S’ta kam fajin unë.

Qytetarja – Se duhen 1 milionë e 300 mijë lekë.

Oficerja – A më dëgjon mua?

Qytetarja – Do edhe 300 ajo (ekspertja).

Oficerja – Jo, jo! Kush?

Qytetarja – Ajo që ishte aty poshtë.

Oficerja – Kush?

Qytetarja – Ajo ekspertja.

Oficerja – Jo, jo s’ke për ti dhënë asnjë gjë.

Qytetarja – S’kam për ti dhënë gjë?

Oficerja – Jo absolutisht.

Qytetarja – Ëëë, mirë.

Oficerja – Atë që të thashë unë. E kam mbyllur, 1 mijë euro.

Qytetarja – Në rregull, në rregull.

Oficerja – Mos fol me njeri!

Qytetarja – Jo nuk flas unë.

Oficerja – E kupton, po ta bëj për ty. Dakord?

Qytetarja – 1 mijë euro?!

Oficerja – 1 mijë euro, asnjë gjë s’do të kesh. Në rregull. S’ke punë as me eksperte dhe as me njeri. Dakord?

Qytetarja – Dakord!

Oficerja – Më kuptove?

Qytetarja – Të kuptova! Vetëm 1 mijë euro të tuajat?

Oficerja – Asnjë gjë tjetër.

Qytetarja – Në rregull.

Oficerja – S’ke punë me asnjë njeri. Mos fol me njeri. Ti të kishe mbaruar punë sot dhe s’kishe për të ardhur. Pse s’më more dje në telefon?

Qytetarja – E po s’më kanë ardhur akoma!

Oficerja – Pse s’më more dje në telefon dhe të më thoje që Anila s’vij dot!

Qytetarja – Po thashë të vij të flas dhe njëherë me ty.

Oficerja – Po ç’do të flisje 1000 herë. Mos u bëj pishman prapë.

Qytetarja – Unë s’bëhem pishman, ditën e enjte. Siç më the, ditën e enjte të vij.

Oficerja – Zëre se je motra ime, se unë i prish punë dhe djalit më kupton?

Qytetarja – E di që i prish punë.

Oficerja – E pra, e pra kjo është dhe 1 milionë lekë nëna s’është asnjë gjë. Janë për 1 pije alkoolike. Kështu që ato deri sa të mbaroj unë punë, do ti mbaj unë në xhepin tim. Në rregull?

Qytetarja – Po do ti mbash te xhepi jot.

Oficerja – Te xhepi im, dakord? Pastaj për çdo gjë do të flasësh me mua.

Qytetarja – Po unë 200 mijë lekë marr vetë dhe s’kam mundësi.

Oficerja – E takon vetë djalin …

Qytetarja – Nuk kanë mundësi fëmijët me më ndihmu, se duan të më ndihmojnë të shkretët po nuk kanë.

Oficerja – O nëna nuk janë asnjë gjë, po ta them edhe njëherë. Dakord? Tani do të vish dhe do të më bësh telefon para se të futesh në prokurori.

Qytetarja – Ditën e enjte.

Oficerja – Po, ditën e enjte kur të arrish, mirë? S’ke punë me asnjë. Avash-avash, ki kujdes rrugën.

Qytetarja – Rrofsh, të fala.

Oficerja – Dhe mbyll gojën ëë. Hajt!

Qytetarja – Po ça flet moj.

TAKIMI I DYTË NË AMBIENTET E PROKURORISË SË ELBASANIT

Oficerja – Vapë e madhe, hajde futemi te zyra.

Qytetarja – Në zyrë!

Oficerja – U lodhe?

Qytetarja – Shumë.

Oficerja – Shumë vapë.

Qytetarja – Shumë.

Futen në Prokurorinë e Elbasanit!

Oficerja – Ulu merr frymë njëherë.

Qytetarja – Imën, e ke bërë atë letrën?

Oficerja – Do të mbyllësh gojën.

Qytetarja – Jo, jo.

Oficerja – Të kam mbajtur si nënën time, kaq!

Qytetarja – Unë e mbyll gojën.

Oficerja – Po pra. Ja një sekondë ta mbyll (derën). Prit.

E moshuara nxjerr paratë, oficerja kyç derën!

Qytetarja – (I jep qesen me 1 mijë euro e 1 mijë lekë të reja) Numëroji!

Oficerja – I ke numëruar ti nëna.

Qytetarja – Numëroji se kam futur një 10-çe aty për rrugë.

Oficerja – Ëëë?

Qytetarja – Kam futur një 10-çe aty për rrugë prandaj them numëroji.

Oficerja – (Hap qesen) Po lërë ça të numëroj unë tani.

Qytetarja – Po numëroji se e hutuar.

Oficerja – Po jo tani nëna.

Qytetarja – E dëgjon, s’dua nesër a pasnesër.

Oficerja – Të lutem, të lutem. Tani mbyll gojën, veçse fute në xhep atë (10-çen).

Qytetarja – Po.

Oficerja – Në rregull?

Qytetarja – Po.

Oficerja – Do të vijë me shkresë.

Qytetarja – Je e mirë.

Oficerja – Mbyll gojën. Dakord?

Qytetarja – Po.

Oficerja – Të kam mbajtur si nënën time.

Qytetarja – Po.

Oficerja – Në rregull?

Qytetarja – Në rregull!

Oficerja – Do të kishe ngrënë dynjanë. Do të bëhet kërkesë për pushim, do të vij me shkresë dhe e miraton gjykata. Në rregull?

Qytetarja – Në rregull!

Oficerja – Se do të kishe 100 siklete. Ok?

Qytetarja – Uffff.

Oficerja – Do më puthësh po do më puthësh këtu. Mbyll gojën dhe mos fol me asnji. Në rregull?

Qytetarja – Në rregull!

Oficerja – Dakord?

Qytetarja – Dakord!

Oficerja – Besoj je e qartë?!

Qytetarja – Çfarë të them unë, duhet të jem.

Oficerja – Ëë?

Qytetarja – Dua të jem.

Oficerja – Ë pra.

Qytetarja – Se kam 4-5 herë që vij këtu.

Oficerja – Jo 5 herë ke vetë ti, 2 herë ke ardhur te unë.

Qytetarja – Në rregull ça të them unë. Ma ashtu kot se çuni s’ka asnjë gjë prandaj. I kam unë me letra.

Oficerja – Tani nëna i mbyllëm?

Qytetarja – Po, po u mbyll tani puna.

Oficerja – Hajde, mbyll gojën! Mirë?

Qytetarja – Po, po, po.

Dalin nga Prokuroria e Elbasani!

Oficerja – Siç të thashë mos fol me njeri, të kam mbajtur si nënën time dhe do të marr për qejf ndonjë ditë kur të freskoj koha.

Qytetarja – Rrofsh, rrofsh. Unë prandaj të thashë numëroji se janë apo s’janë.

Oficerja – Shttt, hajt. Ik avash-avash mos të kapi vapa. Shëndet.

Qytetarja – Shëndet!

Analiza e VOA: Kush do të fitojë garën për kontrollin e Kongresit?

Zgjedhjet e së martës do të përcaktojnë se cila parti do ta ketë shumicën në Dhomën e Përfaqësuesve dhe në Senatin amerikan dhe me të edhe fuqinë për të kontrolluar agjendën e presidentit.

Garat kryesore po zhvillohen krahas zgjedhjeve të para presidenciale që prej kur ndodhi sulmi ndaj Kapitolit më 6 janar të vitit 2021, por edhe në pjesë të papritura të vendit pas njërës prej periudhave më kaotike të punës së Kongresit në dekadat e fundit.

Në fund, vetëm një numër i vogël vendesh, madje ndoshta vetëm një ulëse, do të përcaktojë se cila parti do të ketë kontrollin në dy dhomat e Kongresit.

Ekonomia, siguria e kufirit, të drejtat riprodhuese dhe e ardhmja e demokracisë amerikane ishin ndër temat kryesore të fushatës.

Në Senat, ku demokratët tani kanë një shumicë të vogël me 51 vende, republikanët, që tani kanë 49 vende, pritet të shënojnë një fitore të hershme në shtetin e Virxhinias Perëndimore, duke krijuar një ngërç në këtë institucion.

Garat kryesore për të përcaktuar kontrollin e Dhomës së Përfaqësuesve janë të përqendruara në Nju Jork dhe Kaliforni, ku republikanët viteve të fundit arritën të fitonin përkrahje me disa ligjvënës të popullarizuar, që u sollën atyre fitoren.

Garat tjera për kontrollin e Dhomës së Përfaqësuesve janë të shpërndara në pjesë të tjera të vendit, me vetëm disa dhjetëra kandidatë që po sfidohen. Prej tyre, gara të rëndësishme po zhvillohen në Mein, Nebraskë dhe Alaskë.

Numrimi i votave në disa raste pritet të zgjasë përtej ditës së martë.

“Jemi shumë afër për ta rikthyer shumicën në Dhomën e Përfaqësuesve”, deklaroi udhëheqësi i demokratëve në Dhomën e Përfaqësuesve Hakeem Jeffries, i cili pritet të bëhet kryetari i parë afrikano-amerikan i Dhomës së Përfaqësuesve nëse Partia Demokrate fiton shumicën.

Por Krytari i tanishëm i Dhomës së Përfaqësuesve, ligjvënësi republikan Mike Johnson thotë se republikanët do të “rrisin” epërsinë e tyre.

Gara për kontrollin e Kongresit ka fuqinë t’i jetësojë apo t’i rrënojë përparësitë e presidentit të ri të Shteteve të Bashkuara.

Kongresi po ashtu mund të luajë rol në vazhdimin e traditës amerikane për transferimin paqësor të pushtetit. Para katër vitesh, zoti Trump nxiti turmën e përkrahësve të shkonin në Kapitol dhe shumë republikanë në Kongres votuan kundër certifikimit të fitores së Presidentit Joe Biden.

Kongresi sërish duhet të certifikojë rezultatin e zgjedhjeve presidenciale në vitin 2025./VOA

Arkeologët ngrenë alarmin për ‘privatizimin’ e gërmimeve arkeologjike në Durrës

Nga Gëzim Kabashi

Kërkuesit shkencorë të Institutit të Arkeologjisë (IA) janë të shqetësuar për të ardhmen e kërkimit shkencor në monumentet e trashëgimisë kulturore në Durrës. Një vendim i Ministrisë së Kulturës mbi “Konceptin e Plotë të Gërmimeve Arkeologjike për zonën e Amfiteatrit Romak, Forumit Bizantin dhe Banjave Romake” e përjashton IA-në nga e drejta për të gërmuar e për të vazhduar kërkimin në zonat e mbrojtura arkeologjike, si dhe në monumentet e shpallura ligjërisht të mbrojtura – një e drejtë që punonjësit shkencorë në të gjithë vendin e ushtrojnë prej dekadash.

Prof. as. Dr. Brikena Shkodra tha për BIRN se vendimi i Ministrisë së Kulturës që mban datën 25 korrik 2023, ka në fokus asetet kryesore të trashëgimisë arkeologjike të qytetit të Durrësit.

“Të tre këto monumente, Amfiteatri, Forumi dhe Termat, janë zbulime të lidhura drejtpërdrejt me punën dhe angazhimin historik të IA-së dhe arkeologëve të këtij institucioni që prej vitit 1966,” tha Shkodra.

Masat e marra nga Ministria e Kulturës kanë nisur menjëherë pas Marrëveshjes Trepalëshe të vitit 2020 mes Ministrisë së Kulturës, Bashkisë së Durrësit dhe Fondacionit Shqiptaro-Amerikan për Zhvillim (AADF), që synon zbatimin e një plani zhvillimor për të gjithë qendrën historike të qytetit.

Vendimi i MK-së, i nënshkruar nga ish-ministrja Elva Margariti dhe shpallur vitin e kaluar, parashikon gërmime/hulumtime në monumentet e zonave arkeologjike A dhe B në Durrës, sipas projektit të propozuar nga kompania “Taulant” sh.p.k.

Prof. Shkodra i vlerëson projektet e ministrisë në monumentet arkeologjike të qytetit, por nga ana tjetër vëren se mungon një koordinim institucional mes organizmave shtetërorë.

“Duket se kemi të bëjmë me lëvizje të pashpjegueshme të Ministrisë së Kulturës, që përjashton IA-në nga e drejta për të gërmuar dhe për të vazhduar kërkimin në zonat e mbrojtura arkeologjike, si dhe në monumentet ligjërisht të mbrojtura; vendime këto që bien në kundërshtim me ligjin aktual mbi trashëgiminë, i cili ndalon projektet studimore arkeologjike nga privatët,” tha ajo, duke shtuar se këtë shqetësim e ka adresuar zyrtarisht tek Instituti i Arkeologjisë, duke kërkuar ndërhyrjet përkatëse.

Instituti i Arkeologjisë, i cili kohët e fundit është bërë pjesë e Akademisë së Shkencave, duhet të gjejë zgjidhje për këto shqetësime, vlerësojnë arkeologët.

Prof. Shkodra mendon se “aktivitetet e Ministrisë së Kulturës, edhe tani që ajo ka një strukturë të re, duhet të koordinohen me Institutin, duke kërkuar përforcimin me ligj të ekskluzivitetit të IA-së dhe Akademisë së Shkencave mbi kërkimet arkeologjike shkencore.”

“Ne sugjerojmë si zgjidhje që gërmimet arkeologjike të parashikuara nga Ministria e Kulturës të realizohen nga IA dhe jo nga shoqëri ose arkeologë privatë të licencuar,” tha Shkodra.

“Nëse kjo nuk ndodh, puna jonë do të ndeshet me bllokime, ndërhyrje të pakoordinuara në hapësirat tona të kërkimit, dhe shumë shpejt do të përballemi me situata edhe më të vështira, ku nuk do të lejohemi të zhvillojmë aktivitete kërkimore në Parqe Arkeologjike, në Zonat e Mbrojtura apo Monumentet e Kulturës,” shtoi ajo.

Arkeologia Elvana Metalla është e të njëjtit mendim me Shkodrën.

“Amfiteatri, Banjat Antike dhe Forumi Mesjetar që përmenden në vendimin e Ministrisë së Kulturës janë të përfshira në Zonën A, zonën më të mbrojtur ligjërisht të qytetit,” tha ajo.

“Për këtë arsye, duhet menduar dhe vepruar me kujdes, pasi ato mbeten monumentet më të rëndësishme dhe të vizitueshme në Durrës,” shtoi Dr. Elvana Metalla, e cila e konsideron tepër të rëndësishëm vazhdimin e gërmimeve nga kërkuesit shkencorë të IA-së, në bashkëpunim me institucione dhe universitete të huaja.

Metalla theksoi se “pikë reference për këto tre monumente do të mbeten gjithmonë gërmimet e kryera ndër vite, ato që po kryhen tani dhe ato që duhet të kryhen gjithmonë nën drejtimin e IA-së për të hedhur dritë mbi zhvillimet dhe ruajtjen e qytetit nga periudha antike deri në atë moderne.”

E pyetur nga BIRN, nëpërmjet një kërkese të dërguar me email, Ministria e Kulturës nuk komentoi nëse vendimi për përjashtimin e Institutit të Arkeologjisë nga gërmimet në monumentet kryesore arkeologjike të qytetit të Durrësit ishte në përputhje me legjislacionin për trashëgiminë kulturore.

Ekspeditat arkeologjike në pikëpyetje

Brikena Shkodra, arkeologe gjatë punës | Foto: G. Kabashi

Monumentet kryesore arkeologjike të qytetit të Durrësit kanë qenë pjesë e ekspeditave kërkimore të Institutit të Arkeologjisë dhe universiteteve të huaja për të paktën dy dekada, duke sjellë në dritë zbulime të rëndësishme mbi të shkuarën e qytetit antik.

Ditët e fundit ka përfunduar ekspedita verore e misionit italo-shqiptar 20-vjeçar në Amfiteatër, me tematikën “Durrësi mesjetar”.

Dr. Elvana Metalla, e cila bashkëdrejton misionin, ka bërë të ditur se ndër zbulimet e këtij viti përfshihen disa varre foshnjash nga periudha e shekujve IX-XI të erës sonë, si dhe një pus i mesjetës së vonë. Në këtë hapësirë gjatë dy dekadave të fundit janë zbuluar të dhëna të rëndësishme për jetën e qytetit në periudhën mesjetare.

Projekti tjetër “Amfiteatri i Durrësit,” një bashkëpunim shqiptaro-gjerman i bashkëdrejtuar nga Prof. as. Dr. Eduart Shehi që prej vitit 2011, synon njohjen e plotë të amfiteatrit, strukturën e ndërtimit dhe funksionimi i tij. Grupi i përbashkët i punës ka botuar një artikull voluminoz dhe ka përgatitur e publikuar online një dokumentar që paraqet rikrijimin 3D të amfiteatrit, shoqëruar me një narrativë historiko-arkeologjike të monumentit.

Ndërkohë, misionin në Forumin Bizantin e drejton arkeologia Brikena Shkodra. Monumenti në qendër të qytetit u zbulua në vitin 1987 pas prishjes së shkollës më të vjetër të Durrësit dhe lirimit të hapësirave për qëllime ndërtimore. Në fund të viteve 1990, kolonada e Forumit u hap plotësisht pas vendimit të bashkisë për prishjen e rrugës automobilistike që kalonte mbi të.

Fushata e katërt e gërmimeve në Forumin Bizantin përfundon këto ditë. Përveç zbulimeve shumë interesante, ekspedita ka mundësuar njohjen dhe dokumentimin e disa fazave të rëndësishme të ndërtimit dhe transformimit të monumentit, të cilat ishin pak ose aspak të njohura deri tani.

Ekzistenca e këtyre ekspeditave kërkimore afatgjata vihet në pikëpyetje nga vendimi i Ministrisë së Kulturës për të përjashtuar Institutin e Arkeologjisë nga kërkimet.

Prof. Shkodra tha se “gërmimet shkencore” synojnë plotësimin e njohurive mbi të shkuarën e përbashkët dhe paraardhësit tanë, ndërsa gërmimet e shpëtimit, siç janë parashikuar në amfiteatër nga Ministria e Kulturës, synojnë aspektin ekonomik dhe turistik, duke lënë mënjanë aspektin e njohurive.

Sipas znj. Shkodra, “aplikimi i projekteve të tilla në zonat e mbrojtura, në parqet arkeologjike dhe në monumentet e mbrojtura do të sjellë humbje të rënda për njohuritë tona mbi qytetërimin ilir dhe atë arbëror. Përfitimi ekonomik nuk duhet kurrsesi të zëvendësojë interesat thelbësore kombëtare të këtij vendi” – u shpreh kërkuesja shkencore.

Interesat kombëtare dhe kërkimi shkencor

Arkeologu durrsak prof. Eduard Shehi | Foto nga : Gëzim Kabashi

Prof. as. Dr. Eduard Shehi e komenton shqetësimin e kërkuesve shkencorë nga një perspektivë tjetër, duke theksuar rëndësinë e gërmimeve shumëvjeçare që ai dhe kolegët e tij zhvillojnë, si dhe ndikimin që këto kanë për historiografinë shqiptare. Ai theksoi se gërmimet shkencore synojnë plotësimin e njohurive mbi të shkuarën e përbashkët dhe paraardhësit tanë ilirë.

Sipas arkeologut Shehi, “shteti dhe kombi shqiptar, në bazë të konceptit të ekzistencës së Republikës së Shqipërisë, si në Kushtetutë ashtu dhe në historinë zyrtare të tij, kanë praninë dhe vazhdimësinë shqiptare në këto troje që nga ilirët.”

“Rezultatet e historiografisë shqiptare janë në përballje të vazhdueshme me mendime dhe hamendësime të kundërta ose të ndryshme nga tonat,” tha Eduard Shehi, duke iu referuar disa historianëve të huaj.

Sipas profesor Shehit, hulumtimet shkencore vërtetë marrin dekada, por ato shërbejnë për të forcuar themelet historiografike të shtetit shqiptar, dhe një përpjekje e tillë intelektuale nuk mund të privatizohet.

“Forcimi dhe detajimi i këtyre koncepteve të historiografisë shqiptare mund të arrihen vetëm nëpërmjet gërmimeve arkeologjike shumëvjeçare dhe kërkimit shkencor, i cili, megjithëse i ngadaltë, të lejon rezultate të qarta dhe të pakundërshtueshme,” vlerësoi Shehi.

“Gërmimet e shpëtimit, që këtu te ne po i kryejnë kryesisht firma të licencuara private, kanë interesa krejtësisht të tjera,” shtoi arkeologu, ndërsa theksoi se këto gërmime “nuk kanë qëllime afatgjata studimore, si gërmimet e kërkuesve shkencorë të Institutit të Arkeologjisë.”

Ato kryhen në periudha të shkurtra për hir të investimeve me karakter ndërtimor, infrastrukturor, energjetik, etj. Synimi i tyre është të pastrohet territori, duke qartësuar se çfarë duhet të ruhet në sipërfaqe. Prandaj, aplikimi i projekteve të tilla në parqet arkeologjike, në zonat dhe monumentet e mbrojtura, do të sjellë humbje të rënda për njohuritë tona mbi qytetërimin ilir dhe atë arbëror.

Sipas Shehit, dilema që po ngrihet me vendimin e Ministrisë së Kulturës është zgjedhja midis dy alternativave – kërkimi shkencor që kryhet nga IA me kostot financiare dhe kohore të nevojshme, ose ndërhyrjet e shpëtimit, që dallohen për kohën e shkurtër të zbatimit dhe kostot financiare përkatëse.

“Interesat kombëtare mund të mbrohen me zbulimet dhe analizat e kërkuesve shkencorë, duke u distancuar sa më shumë nga përfitimet ekonomike të momentit,” tha arkeologu Eduard Shehi, ndërsa shtoi se kjo kërkon që shteti të mbrojë institucionet shkencore dhe t’i mbështesë ato.

“Ndryshe, puna e kërkuesve shkencorë të arkeologjisë do të mbetej një betejë si ajo e mullinjve me erë, përballë arkeologjisë së shpëtimit, që funksionon sipas interesave ekonomike të individëve, firmave apo fondacioneve,” përfundoi ai./BIRN

VOA: Kosova ndjek me vëmendje zgjedhjet në SHBA

Zgjedhjet amerikane po ndiqen me interesim edhe në Kosovë, ku roli i Shteteve të Bashkuara, vlerësohet i pazëvendësueshëm në procesin e çlirimit dhe pavarësimit të saj.

Në ditën e zgjedhjeve presidenciale të Shteteve të Bashkuara, qytetarët në Prishtinë i thanë Zërit të Amerikës se lidhja ndërmjet dy popujve mbetet e palëkundur pavarësisht rezultatit zgjedhor, ndonëse thonë se kanë një lloj lidhjeje të veçantë me demokratët që drejtuan fushatën për çlirimin e Kosovës në vitin 1999.

Të pyetur nga Zëri i Amerikës qytetarët thonë se nuk presin ndryshime të thella në qasjen e administratës së re amerikane ndaj Kosovës, por shpresojnë për një përfshirje më të madhe të Shteteve të Bashkuara në përmbylljen e çëshjteve të hapura të Kosovës posaçërisht për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë.

“Amerika gjithmonë ka qenë aleat i yni dhe do të jetë pa marrë parasysh kush do të fitojë atje.

Për mua dita më e lumtur e jetës time ka qenë nëntë qershori 1999 kur me ndikimin e Amerikës jemi çliruar dhe jemi këtu.

Unë nuk besoj që mund të ketë diçka të keqe qoftë (Donald) Trump qoftë (Kamala) Harris, besoj që të dy janë të mirë por për Kosovën Amerika është Amerikë, fundi i fundit kushdo le të jetë kryetar Amerika është Amerikë për neve dhe ne më duket se jemi përkrahësit më të mëdhenj në Evropë dhe në botë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës”, tha Hajrush Redenica.

“Prej që është bërë lufta këtu çdo kryetar që ka qenë dicka ndryshim nuk ka pasur, të gjithë për Kosovën njësoj kanë qenë, edhe (Donald) Trump ka qenë përpara, besoj se është njëjtë për Kosovën”, tha një qytetar tjetër, Isa Gashi.

“Unë mendoj që të dy palët, edhe demokratët edhe republikanët kanë treguar një besueshmëri dhe meritojnë një falënderim për punën që e kanë bërë deri tani.

Neve na ka ndihmuar administrate (Bill) Clinton që kanë qenë demokrat, por na ka ndihmuar edhe administra (George Ë.) Bush që kanë qenë republikan.

Pra këto dy parti neve na kanë formuar si shtet dhe ne u detyrohemi të dyjave. Unë shpresoj që demokratët megjithatë do të jenë më të mirë për neve dhe do të doja të fitoj zonja Kamala Harris edhe për një arsye tjetër që edhe gratë të vijnë në pushtet sepse edhe ato dinë të udhëheqin ndoshta edhe më suksesshëm se burrat në shumë raste”, tha Izet Zhuja.

“Politika amerikane ndaj botës do të jetë e pandryshueshme, varet edhe prej personit i cili do të udhëheq edhe katër vjet të ardhshme, mirëpo për Kosovën ne shpresojmë që politika amerikane kundruall nesh nuk ndryshon.

Prandaj kemi besim të madh, urojmë çdo të mirë dhe le të zgjidhet ai që e do populli.

Kisha dashur shumë që ndikimi i SHBA-së në vazhdimësi të jetë aktiv në zgjidhjen e çështjes që është bërë lëmsh për sa e sa vite, e ka fuqinë, forcën, dijen, drejtësinë dhe shpresoj për më të mirë që do ta bëjnë për Kosovën në vazhdimësi”, tha Gani Berisha.

“Kamala Harris është vazhdimësi e demokratëve, ne jemi fëmija i Amerikës por sidomos i demokratëve. Tash ndoshta edhe (Donald) Trump mund të bëjë diçka më shumë por është rrezik që do t’i këpus gjërat shpejt.

Gjithashtu mendoj që lobi shqiptar atje është më i fortë te demokratët, ka ndikim më të madh te demokratët por sidoqoftë nuk mund të ndryshojë aq shumë politika amerikane ndaj Kosovës”, tha Xhafer Thaçi.

Qytetarët e anketuar nga Zëri i Amerikës shfaqin shpresën për vazhdimin e mbështetjes së Shteteve të Bashkuara për proceset e ardhshme politike në Kosovë përfshirë edhe atë të integrimeve euroatlantike./VOA

Buxheti i shëndetësisë për 2025-ën, në ulje në raport me shpenzimet

Vit pas viti buxheti për shëndetësinë po rritet me ritme më të ulëta se shpenzimet e përgjithshme buxhetore, edhe pse vendi po përballet me nevoja të shumta për shërbime nga plakja e popullsisë dhe rritja e barrës së sëmundjeve.

Sipas të dhënave nga Ministria e Financave shpenzimet buxhetore me 2025 arrijnë në 822 miliardë lekë rreth 8,2 miliardë euro, ndërsa buxheti për Ministrinë e Shëndetësisë është projektuar 80,7 miliardë lekë ose sa 9.8 për qind e shpenzimeve të përgjithshme.

Këtë vit (2024) buxheti i Ministrisë së Shëndetësisë është sa 10.1 për qind e shpenzimeve të përgjithshme buxhetore. Në vitin 2021 shpenzimet për shëndetësinë zinin 10.7 % të shpenzimeve totale.

Në vitin 2025 shpenzimet totale nga buxheti do të rriten me 6.7 % ndërsa shpenzimet për shëndetësinë me 3.6 %.

Për disa funksione të tjera rritja e shpenzimeve është dy herë më shumë se rritja e shpenzimeve të përgjithshme. Psh buxheti i Ministrisë së Infrastrukturës është projektuar të jetë 15 për qind më i lartë në vitin 2025 në krahasim me vitin 2024, teksa totali i shpenzimeve buxhetore rritet me 6.7% me 2025.

Sakaq, pavijonet në qendrat spitalore të vendit aktualisht trajtojnë më së shumti simptomat e lehta të gripit dhe temperaturës, teksa qindra mijëra të tjerë që vuajnë nga sëmundje autoimune dhe neoplazmat orientohen të kurohen jashtë vendit.

Mungesa e medikamenteve dhe e pajisjeve diagnostikuese bën që hallkat e shëndetësisë në sektorin publik të mos funksionojnë.
Sistemi shëndetësor publik nuk po përmbush kërkesat e popullsisë sidomos me medikamente. Mjeket orientojnë pacientët me sëmundje të rralla të ikin jashtë pasi këtu ende nuk bëhen analiza dhe detajuara dhe medikamentet për këto sëmundje nuk rimbursohen. Psh shumë diagnoza të sëmundjeve autoimune dhe neoplazmat tani mjekohen me terapi inovative dhe imunotepari, të cilat nuk janë skemat e rimbursimit. Medikamente për sëmundje të tjera të rralla edhe kur janë në rimbursim mungojnë duke lënë shpesh edhe fëmijë pa kurë.

Miliona euro dalin jashtë vendit për trajtuar sëmundjet e rralla duke i kushtuar ekonomisë dhe mbi të gjitha shëndetit të popullatës. Prej 10 vitesh fondet në shëndetësi po orientohen shpesh në investime jo-eficiente, teksa rimbursimi i barnave mbetet në vendnumëro dhe investimet në pajisje mbeten të pakta.

Spitalet publike ende nuk kanë “Pet skaner” që indentifikon sëmundjet në faza fillestare, teksa edhe Qendra Universitare e Prishtinës në Kosovë e ka një tillë. Për këtë shërbim të tillë shqiptarët zgjedhin të ikin jashtë në një kohë që kostot e tij janë tërësisht të mundshme për mundësitë financiare që shteti shqiptar ka sot./Monitor

“Zgjedhjet e 2 dhjetorit 1945 ishin farsë e vërtetë, pasi aty mori pjesë vetëm Partia Komuniste”- Dëshmitë e rralla të mjekut italian: Kishte raste, që ata votuan pro 110% dhe quheshin të vlefshme…

Nga Franco Benanti

Lufta e Dytë Botërore, pati ndikime të fuqishme edhe në tokat shqiptare. Për këtë është folur mjaft nga historianët tanë, në frymën komuniste. Brezat e para vitit 1990, e kanë mësuar këtë nga tekstet shkollore, nga Historia e Partisë së Punës dhe Historia e Shqipërisë, por shumë pak syresh, janë njohur me trajtimin alternativ bërë nga historianët dhe autorët jo komunistë, brenda dhe jashtë vendit. Lidhur me këtë, është me shumë interes libri “La guerra piu lunga” i Franco Benantit, ish mjek në ushtrinë pushtuese italiane, në Ballkan e Shqipëri, botuar nga shtëpia “Mursia” e Milanos (botimi i parë më 1966, pasuar nga katër ribotime të mëvonshme).

Kryengritja komuniste në Shkodër

Me 12 nëntor 1945, më urdhëruan të transferohesha në Gjirokastër. Po atë ditë policia sekuestroi të gjitha mjetet e transportit dhe u vu re një lëvizje e pazakontë. Komisari na mblodhi dhe na njoftoi se; “në Shkodër reaksionarët dhe banditët, armiq të popullit, kanë ngritur armët kundër qeverisë, por revolta e tyre është likuiduar brenda pak orësh”.

Ai vazhdoi se; “likuidimi i krejt reaksionarëve është problemi ynë sot më i rëndësishëm”. Sikurse morëm vesh më vonë, njerëzit në Shkodër, nuk e kishin duruar dot më shtypjen e komunistëve dhe kishin parapëlqyer më mirë një fund të tmerrshëm, se sa një tmerr të pafund. Në Gjirokastër takova miqtë e mi, priftërinjtë bazilianë. Drejtori i spitalit një farë Dr. Vasili, gjysmë mjek dhe gjysmë politikan, kishte një urrejtje për italianët. Ai denoncoi dy mjekë italianë, Varanon dhe Vitin, të cilët u arrestuan dhe u mbyllën në kështjellën e qytetit.

Në regjiment u njoha me komandantin, Ferik Hado dhe instruktorët jugosllavë, që kishin ardhë për të përgatitur kuadrot ushtarakë këtu. Qeveria jugosllave, kishte sjellë furnizimet me armë, municione, veshmbathje dhe materiale të tjera të nevojshme.

Farsa e zgjedhjeve

Shtypi vendas, i tëri në anën e komunistëve, çdo ditë bënte propagandë për zgjedhjet që po afronin. Ato konsideroheshin shumë të rëndësishme. Por vetëm sovjetikët dhe satelitët e tyre, e njohën qeverinë e Enver Hoxhës. Jugosllavët dërguan në muajin prill, ambasadorin Velimir Stojniç, ish-shefin e misionit ushtarak jugosllav. Vetëm në fund të 1945-ës, katër fuqitë e mëdha e njohën qeverinë shqiptare, por me një rezervë: marrëdhëniet diplomatike, do vendoseshin pasi të sqarohej gjendja në këtë vend.

Zgjedhjet u mbajtën me 2 dhjetor 1945, dhe qenë një farsë e vërtetë. Mori pjesë vetëm Partia Komuniste. Morën pjesë, 542.000 votues. Për çdo 10.000 syresh, do zgjidhej një deputet. Pothuaj të gjithë, votuan për kandidatët komunistë. Madje kishte raste, që ata votuan pro 110%! Pse kështu? Sepse quheshin të pavlefshme, vetëm skedat e bardha, të pambushura, kurse ato që mbusheshin “gabim”, shkonin në favor të kandidatit. Kështu ndodhi në një qendër në Gjirokastër, ku dolën dhjetë skeda, të mbushura gabim. Si rezultat, 99.99% e votuesve ishin pro kandidatëve komunistë. Kjo nuk mund të mos sillte zhgënjim te aleatët perëndimorë, të cilët nuk e ftuan Shqipërinë në Konferencën për Reparacionet gjermane të Luftës. Jugosllavët dhe çekosllovakët, ndanë nga pjesa e tyre diçka për Shqipërinë.

Pas zgjedhjeve, u liruan dy mjekë italianë, Varano dhe Viti, që ishin arrestuar më parë. Ata më treguan se çfarë u kishte ndodhur. Një ditë prilli, dy oficerë të policisë politike, (Sigurimi Shtetit) kishin shkuar në spital dhe kishin kërkuar dy mjekët. Kur këta ishin paraqitur, oficerët ishin sjellur njerëzishëm, por i kishin ftuar ata në kështjellë, ku ishin zyrat e policisë sekrete. Aty i kishin kontrolluar dhe u kishin marrë gjithçka (para, orë, etj.).

Pastaj i kishin mbyllur në një qeli, dy javë para se t’i pyesnin. Hetuesi i kishte pyetur veç e veç: emri, mbiemri, atësia etj. Jeta e mëparshme me imtësi, njerëzit që njihnin. etj. Në hetuesi ishin thirrur shumë herë, ditën e natën, duke u akuzuar për veprimtari subversive dhe spiunazh. U akuzuan se kishin bashkëpunuar me kolaboracionistët. etj. Gjithçka me sa duket, bëhej për të krijuar kudo një frymë paniku dhe terrori. Po afroheshin Krishtlindjet. Shkova e i takova priftërinjtë, natën e 24 dhjetorit. Atje gjeta një farë Nesti Papajorgji, një i ri minoritar grek.

Pas Krishtlindjeve, ndjeva se një hije dyshimi, po hidhesh rreth meje në regjiment. Megjithatë, shefi i financës më thirri në zyrë dhe më dorëzoi 250.000 lekë, pagën e dy viteve punë. Kjo shumë i shtohej disa napolonave ar dhe parave të fituara në Korçë dhe Delvinë. Po mendoja t’i dërgoja te familja ime, në Itali. Prandaj i shkrova konsullit Turcato. Por ai s’pati kohë të më përgjigjej sepse, me 21 janar, atë e përzunë nga Shqipëria. Atë kohë arrestuan edhe Nesti Papajorgjin, të cilin e mbyllën në kështjellë.

Komisari më thirri në zyrë dhe më pyeti se çfarë kisha bërë natën e Krishtlindjes. “Si ka mundësi një mjek si ju, të mashtroheni nga disa djaj, siç janë priftërinjtë” – vërejti ai. Pas kësaj, shumë nëpunës dhe të njohur të tjerë të mi, më kthyen krahët ose, më qëndronin ftohtë.

Dëbimi i klerikëve italianë

Pasi u bë kryeministër në Itali zoti De Gasperi, qeveria shqiptare, urdhëroi dëbimin e gjithë klerikëve italianë. Këta klerikë, vepronin në Shqipëri prej shumë vjetësh. Vetë Krishtërimi, ka hyrë këtu që në fillimet e tij. Kuvende dhe kisha paleokristiane, i gjen kudo në vend. Të krishterët shqiptarë, kundërshtuan të gjithë pushtuesit e huaj, përfshi këtu ata të fundit, otomanët.

Në krye të tyre në shekullin XV-të, ishte i famshmi Skënderbe, që kur po vdiste, i porositi të afërmit të shkonin në Itali. Por shumica e atyre që nuk e lanë atdheun, u konvertuan në myslimanë. Vetëm më 1815-ën, kur Austria vuri në zotërim rajonin Lombardi-Venecie, në Shqipëri erdhi grupi i parë i misionarëve katolikë, që i përkiste Shoqërisë së Jezuit, veneto-lombarde. Pas jezuitëve, në Shqipëri erdhën edhe urdhra të tjerë, si; françeskanët, etërit e don Oriones, lazaristët dhe vinçestianët, Bazilianët, katolikët e ritit oriental. Klerikë të shquar vendas, kanë qenë Patër Anton Arapi, Patër Gjergj Fishta, Patër Bernardin Palaj, Vincens Prenushi, Pjetër Gjura, etj.

Në atë kohë katolikët në Shqipëri, numëronin 124.000 vetë, duke përfaqësuar 11.27% të gjithë popullsisë. Kisha Katolike, dispononte dy Arqiodeza, të Durrësit dhe Shkodrës, tre Dioqeza të Pultit, Sapës dhe Lezhës, administratën Apostolike për Shqipërinë e Jugut, 131 kisha. Gjithsej ishin 93 priftërinj shekullarë, 94 që u përkisnin urdhrave fetarë dhe 230 motra, të kongregacioneve të ndryshme.

Tre muajt e parë të pasçlirimit, vijoi një paqe e heshtur, ndërmjet qeverisë dhe Klerit. Qeveria e hiqte veten si mbrojtëse e të varfërve, sikurse edhe Kleri. Ajo donte të fitonte një farë mbështetje dhe nga Kleri, sa kohë e ndjente veten ende të pa forcuar. Por ideologjikisht feja, ishte një kundërshtare e komunistëve, që e konsideronin atë si pjesë përbërëse e rendit kapitalist. Madje komunistët, ndeshën te feja një rezistencë më të madhe, se sa e prisnin. Prandaj e konsideruan atë armikun numër një. Nisi një fushatë e pashembullt kundër Klerit Katolik, që quhej si; “vegël e Vatikanit dhe e imperializmit amerikan”.

Regjimi sajoi mijëra arsye, fakte, vetëm për ta kompromentuar dhe luftuar Klerin Katolik në veçanti. Në prill 1945, u arrestuan katër priftërinj, që u dënuan me vdekje, të akuzuar për “veprimtari kundërrevolucionare”. Shumë të tjerë pësuan dhunë fizike. Me 24 maj, komunistët i vunë zjarrin selisë Apostolike. U mbyllën azilet e fëmijëve, që mbaheshin nga motrat dhe shkollat fetare, ose mësuesit e tyre, u zëvendësuan me mësues shtetërorë, ndërsa programet u ndryshuan, në frymën marksiste-leniniste.

Ofensiva komuniste, vijoi me dënimin me vdekje të 11 priftërinjve, të Seminarit të Shkodrës, që u tha se mbahej me “pare të huaja”. Ata u shkuan në plumb, me 4 mars 1946. Kufomat e tyre, qëndruan tërë ditën ndanë një përroi, në periferi të Shkodrës. Anëtarët e tjerë të Seminarit, u dënuan me nga 15-30 vjet.

Me 18 janar 1946, u dëbuan nga Shqipëria, 82 priftërinj italianë. Policia u mori atyre gjithçka që kishin, i hipën në kamionë dhe i shoqëruan me roje për në Durrës, deri në ndërtesën e Arqidioqezës, nga ku kishin marrë të arrestuar Vinçenso Prenushin. Policia i trajtonte klerikët, njësoj si të ishin kriminelë ordinerë. Priftërinjtë italianë, duhej të prisnin atje 36 ditë, para se të niseshin për Itali.

Vinçensio Prenushi, u dënua me 30 vjet burg, vdiq në gusht 1952. Viktima të tjera, qenë Frano Gjini, Gjergj Volaj dhe Krustofor Kisi. Tregojnë për Gjergj Volajn, se kur e ëma shkoi ta shohë para se ta pushkatonin, e luti atë, që “të qajë, jo për të birin e vuajtjet e tij, por për vuajtjet e kishës”!

Shtypi komunist shkruante pasi pushkatoheshin priftërinjtë se “ata kishin pohuar me gojën e tyre krimet e kryera si spiunë të Vatikanit dhe imperializmit”. Egërsia e komunistëve shqiptarë, i kaloi edhe ato që pësuan martirët e parë të krishterë. Kryeprifti i Katedrales së Tiranës, Dom Shtjefën Kurti dhe ai i Durrësit, Jozef Bonati, u pushkatuan pa asnjë proces.

Një prift ortodoks, Papa Pando, nga Fieri u pushkatua si spiun e tradhtar, sepse kishte kaluar në katolicizëm, në vitin 1943. Papa Petro Isaku, i misionit Katolik të Korçës, i cili qe emëruar prift në Kolegjin grek të Romës, u dënua me burgim të përjetshëm. Dënime dhe përndjekje, pësuan Agostin Spanu, Benardin Shllaku, Laka, Gurakuqi, Papa Josifi.

Papa Pandelejmonin e misionit Katolik në Pogradec, e masakruan në një pritë. E thirrën nga Fieri me një telegram fallso dhe e qëlluan, kur po udhëtonte. Pastaj e copëtuan trupin e tij, e futën në një thes dhe ia dërguan Misionit. Copa më e madhe, ishte koka. Në gojë komunistët i futën një biletë, ku shkruhej “Përse bëhesh partizan i Papës”?

Shumë priftërinj të tjerë shqiptarë, e kanë paguar me kokë besnikërinë e tyre ndaj Kishës. Në vitin 1948, komunistët nxorën një dekret, për krijimin e Kishës Skismatike Shqiptare, me qëllim që ta shkëpusin atë nga ndikimi i Vatikanit dhe ta venë në shërbim të regjimit. Shllaku e disa priftërinj të tjerë, u lanë të lirë me kusht, që ta pranonin projektin e statutit të ri të Kishës. Që atëherë pushuan përndjekjet ndaj kishës.

Ashpërsimi i terrorit kundër italianëve

Me 14 janar 1946, qeveria shqiptare e dëboi misionin konsullor dhe titullarin e saj, Turcatin. Madje, kur personeli i misionit po priste avionin në aeroport, këta u rrethuan nga ushtarë të armatosur, u kontrolluan valixhet, nga ku ju morën gjithçka të çmueshme, si 280.000 lira, që kishte pasur arka e misionit, 24 sterlina ari, të porositura për një familje italiane, nga një qytetar italian në Shqipëri.

Me 27 janar 1946, një urdhër i ministrit të Punëve Publike, bënte të mundur konfiskimin e të gjithave pasurive të italianëve, kundrejt një fature, që s’mbante as firme as vulë zyrtare. Pas largimit të Turcatit, rreth një mijë italianë të tjerë, mundën të riatdhesohen, por sërish shumë mjekë, mbetën ende këtu, “për nevoja të vendit”.

Më 1946, u mbajt plenumi V-të i Komitetit Qendror të Partisë Komuniste Shqiptare. Aty, sekretari organizativ, Koçi Xoxe përjashtoi nga Byroja Politike, Sejfulla Malëshovën, nën akuzën e politikës reaksionare në fushën e jashtme, sidomos atë ekonomike. Ky kërkonte, që të përmirësoheshin marrëdhëniet me Perëndimin, për tolerancën ndaj Klerit Katolik, për ekonominë private, lënien të lirë të fushës së aksioneve, për kreditimin e biznesit, etj.

Atë kohë u arrestua Prof. Venanzio Lozzi, kirurgu i parë i spitalit të Tiranës, nëpunësit mjekësorë, Semproni dhe Armeni, ing. Ludovik Patrassi, drejtor i kantierit të naftës në Kuçovë, Dr. Antonio di Marchis, asistent i Prof. Lozzit, Dr. Rummo, mjek civil, ing. Gallo, ing. Agostione dhe industrialisti Masserini. Akuza e përbashkët ishte; “veprimtari kundër regjimit” dhe “sabotazh”, etj.

Prof. Lozzi që kishte fituar emër të mirë në popullin e kryeqytetit e më gjere u akuzua për kontrabandë floriri. Në të vërtetë atë e kishin parë të vizitonte legatën amerikanë dhe arqidioqezën e Durrësit (pra e quanin “spiun”). E patën lënë të shkonte të vizitonte familjen në Itali, me kusht që të mos rrinte gjatë atje.

Sapo u kthye këtu, e arrestuan nën akuzën se “kishte çuar në Itali, vlera dhe sende të çmueshme, me ndihmën e të shoqes”. Sipas prokurorit, ai kishte futur në barkun e italianëve të operuar, sende të çmueshme, si flori, bizhuteri, etj. Por në mungesë të provave, atë megjithatë e dënuan me pushkatim. Shumë italianë vuanin në burgje, në kushte tmerrësisht të këqija.

Edhe unë, bujtës i burgut politik

Mëngjesin e 10 prillit 1946, më thirri komisari. Pa më parë në sy, më dorëzoi një urdhër transferimi dhe një fletë udhëtimi. Destinacioni: Spitali Ushtarak i Tiranës. Më tha se duhej të nisesha menjëherë. Nuk më dha asnjë shpjegim tjetër. Pas një udhëtimi me një makinë të postës, përgjatë më shumë se 150 km., arrita në mbrëmje në kryeqytet. Në hyrje të qytetit, na ndalën në një postbllok, ku na kontrolluan letër-njoftimet.

Atëherë, s’mund të qëndroje as 24 orë diku, pa u paraqitur në polici. Vijuam rrugën për në hotelin “Continental”. Ende s’kisha zbritur valixhen time, kur m’u afruan dy ushtarakë, një kapiten dhe një rreshter të policisë ushtarake. Ende e kujtoj atë moment.

– “Doktor, ju lutem të vini në komandë, për të plotësuar disa formalitete. Ju shoqëroj unë. Makina na pret jashtë”.

– “Përse të vij në komandë, kur mund të sqaroj që këtu” – vërejta unë.

– “Jo, s’është e mundur, kemi gjysmë ore që po ju presim për këtë. Lutem vishuni dhe na shoqëroni”!- shtoi kapiteni prerë.

Dolëm nga hoteli dhe hipëm në një “Xhip” amerikan, që ishte parkuar para hotelit. Pas 10 minutash, ndalëm para një ndërtesë njëkatëshe, me dritare me kangjella hekuri. Makina u fut në oborrin e saj. Nëpërmjet një korridori, dolëm në një dhomë të madhe, ku qëndronte ulur pranë një tryeze, drejtori i Sigurimit i Tiranës.

Më lanë vetëm për vetëm me të, ashtu në këmbë. Pasi më këqyri nga koka te këmbët, më tha:

– “Ke armë me vete”?

Një polic ndërkohë më kontrolloi në trup dhe s’më gjeti gjë, përveç 250.000 lekëve dhe disa monedhave në flori (franga ari) që m’i kishin dhënë si rroga të prapambetura në Gjirokastër kohë më parë. Duke kujtuar se bëri një zbulim të madh, drejtori më pyeti:

– “Nga i ke këto para? Mos t’i kanë dhënë priftërinjtë për punën tende prej spiuni”?

– “S’është e vërtetë,- iu gjegja unë.- I kam fituar me punën time. Mund të pyesni komandën e Gjirokastrës për këtë”.

– “E dimë ne nga t’i marrim informacionet – më ndërpreu ai. -Por nuk janë vetëm këto, ka gjera më të rëndësishme, që duhet të na i sqarosh”. Pastaj ai dha disa porosi për një rreshter, i cili më çoi në një bodrum ,ku më mori orën, disa sende personale, rripin e pantallonave dhe më mbylli pas një porte me një dry të madh, duke më shtyrë e duke thënë: “Futu brenda, or kriminel fashist”!

Që nga ai çast, pushova së qeni për ta një krijesë njerëzore Qelia më ngjau me një ferr: katër mure prej graniti, dysheme prej çimentoje, dritare me hekura. Asgjë tjetër. Nga dritarja dhe plasat e derës, hynte të ftohtit. Ajri ishte plot lagështirë. Truri im, nisi të punojë me shpejtësi. Përse u gjenda në këtë burg?! Cilat prova ishin kundër meje? Nuk di sa kohë kaloi kështu, derisa sa më zuri gjumi.

Të nesërmen hyri në qeli një oficer tjetër, që më bëri po ato pyetje, si një ditë më parë. Më vonë e kuptova se policia sekrete politike në Shqipëri, (Sigurimi i Shtetit), kishte krijuar një mbikëqyrje të shumëfishtë dhe koncentrike, sipas të cilës, çdo roje ruhej vetë nga dikush tjetër e, çdo kontrollor kontrollohej nga të tjerë, askujt nuk i besohej, mosbesimi ishte i ndërsjellë, gabimet të pamundura dhe regjimi i pathyeshëm.

Pas ca kohe një polic jevg trupmadh më solli pak bukë misri dhe një supë bizelesh pa yndyrë ku mezi gjeje ndonjë kokërr brenda. Ushqimi vinte dy herë në ditë. Një herë në tri ditë sillnin cigare. Tërë natën dëgjoja ulërimat shtazarake, që vinin nga ana tjetër e korridorit, për shkak ë torturave që kryheshin aty dhe që më mbushnin plot frikë.

Dalëngadalë nisa ta marr veten. Bëja ecejake në dhomë, qëlloja me pëllëmbë e grusht muret, vetëm e vetëm që të ndjeja rrjedhjen e gjakut në trupin tim. Hapat e të burgosurve, tingëllima e çelësave, zërat e rojeve, ishin ato që ndjeja ditë për ditë. Më në fund, më morën në pyetje të rregullta.

– “Emri, mbiemri, atësia, etj. Na trego për jetën tënde, që nga fëmijëria deri sot. Në radhë të parë, duam të jesh i sinqertë, konkret, i saktë për veten tënde”. Donin të dinin gjithçka: ç’kishte bërë im atë, ku banonte familja ime, si i kishte kushtet ekonomike, përse e zgjodha profesionin e mjekut, ku kisha studiuar, etj., etj. Donin të dinin motivin e çdo veprimi timin. Vazhdoi kështu më shumë se tre orë.

– “Mjaft, shoqërojeni për në qeli”!- urdhëroi hetuesi.

– “Më fal një çast, zoti kapiten – ndërhyra unë – dua të di për çfarë akuzohem”?!

– “Tani për tani, s’mund të të them asgjë. Mund të shkosh”.

Kapiteni doli jashtë nga dhoma, pa më dëgjuar. Më thirrën sërish në dy të natës. U përsëriten të njëjtat pyetje. Flisja me njerëzillëk, ngadalë. Më pyetën se çmendoja për luftën, për kryeministrin, De Gasperi.

– “E urrej luftën, – i thashë, – De Gasperin nuk e njoh”.

Hetuesi mbante shënime.

– “Zoti kapiten – ngulmova sërish unë – për se ndodhem këtu? Kam dhjetë ditë, që përpiqem ta marr vesh. Po më ikën truri”?!

– “Po të ikën truri?! Truri po të ikën nga priftërinjtë dhe reaksionarët. Mund ta quani veten të vdekur, ata s’keni për t’i parë më kurrë”. Fliste me duar e shenja, i eksituar. E kuptova akuzën: lidhje me priftërinjtë dhe reaksionin. Kjo do të thonte dënim me vdekje! Hetimet vazhduan. Të nesërmen, para se të haja mëngjes, më thirrën në hetuesi.

– “Kemi të dhëna të sigurta, që je spiun i priftërinjve. Në se nuk do ta rëndosh gjendjen ku je, duhet të flasësh saktë dhe hapur. Na trego emrat e shqiptarëve dhe të huajve, që janë të lidhur me reaksionin. Po të dëgjoj”.

– “S’kam qenë spiun i askujt. Pra s’kam të tregoj ndonjë emër”.

– “Ashtu?! Nuk dini asgjë. Nuk njihni askënd”?

Hetimet u përsëritën gjithnjë e më shpesh. Më merrnin në orën 17 00 dhe më mbanin mbi tre orë së pyeturi. Me merrnin edhe në dy të natës, jo më pak se dy orë. Bëja të pamundurën për të rezistuar. E kuptova se hetuesit, nuk donin të gjenin të vërtetën, por kërkonin të mblidhnin materiale për të më inkriminuar mua patjetër. Më kishin gjetur një fotografi që e mbaja në valixhen time, ku kisha dalë së bashku me Patër Raffaele Muccno, që e kisha njohur në Korçë.

Po ashtu edhe disa tesha me yje, dhe grada që i mbaja kur isha bashkuar me partizanët. Mezi ia mbusha mendjen hetuesit që nuk bëhej fjalë për emblemën fashiste. Më kërkonin të deklaroja përse isha futur në ushtrinë italiane e cila kishte bërë krime kundër popullit shqiptar. Më kërkonin të dëshmoja për krimet që kishte kryer divizioni im. Memorie.al

Ambasada e SHBA zbardh detajet e misionit të Dumanit në Brazil, kreu i SPAK mesazh bandave: Do bllokojmë rrugët e kokainës!

Ambasada e SHBA ka hedhur dritë mbi vizitën kreut të SPAK, Altin Dumani, në Brazil.

Sipas ambasadës, vizita u financua nga OPDAT, teksa në fokus ka qenë rritja e bashkëpunimit për të goditur grupet kriminale të kokainës.

Po ashtu është rënë dakord për arrestimin e personave të shpallur në kërkim.

Drejtuesi i Prokurorisë së Posaçme, Altin Dumani kryesoi një delegacion që udhëtoi në Brazilia dhe Sao Paulo, Brazil për të forcuar bashkëpunimin me partnerë të rëndësishëm të fushës së zbatimit të ligjit në çmontimin e rrjeteve ndërkombëtare të krimit të organizuar. Z. Dumani dhe kolegët e tij u angazhuan me zyrtarë dhe prokurorë të policisë braziliane të nivelit më të lartë dhe shkëmbyen informacion për fuqinë dhe rolin e jashtëzakonshëm që grupet e krimit të organizuar shqiptar kanë në transportimin e sasive të mëdha të kokainës nga Amerika e Jugut në Europë. Zyra Tejoqeanike për Zhvillimin, Ndihmën dhe Trajnimin e Prokurorisë (OPDAT) mundësoi vizitën, e cila u financua nga Byroja Ndërkombëtare për Narkotikët dhe Çështjet e Zbatimit të Ligjit (INL) e Departamentit të Shtetit të SHBA”, njofton ambasada.

Ambasada e SHBA zbardh detajet e misionit të Dumanit në Brazil, kreu i

Më tej theksohet se Dumanit iu bashkuan katër prokurorë të tjerë të SPAK-ut, këshilltari ligjor i SPAK-ut, një hetues i BKH-së, si dhe këshilltari ligjor amerikan dhe një agjent i FBI-së të vendosur pranë SPAK-ut. Vizita në Brazil nënvizoi rolin jetik të bashkëpunimit të Shqipërisë me agjencitë e zbatimit të ligjit në shkatërrimin e rrjeteve të krimit ndërkombëtar, tha drejtuesi i SPAK Dumani.

Forcimi i partneritetit të SPAK dhe krijimi i kanaleve të drejtpërdrejta të komunikimit me homologët tanë në Brazil është jetik për gjurmimin dhe ndërprerjen e aktiviteteve kriminale që prekin dy vendet tona. Së bashku, po bëjmë hapa të rëndësishëm në luftën kundër rrugëve të trafikut të kokainës që kërcënojnë sigurinë e Shqipërisë dhe BE-së”, deklaroi ai.

Ambasada e SHBA zbardh detajet e misionit të Dumanit në Brazil, kreu i

Delegacioni u informua nga Drejtori dhe Zëvendësdrejtori i Brazilit për Zbatimin e Ligjit për Narkotikët dhe Armatimet, Drejtori për Bashkëpunimin Policor Ndërkombëtar, Drejtori për Bashkëpunimin Ligjor Ndërkombëtar, Drejtori dhe Zëvendësdrejtori për Hetimin Financiar, dhe Prokurori i Përgjithshëm që lufton grupin kriminal Primeiro Comando do Capital (PCC) që kontrollon shumicën e rrjetit të shpërndarjes së kokainës në Brazil. Delegacioni gjithashtu u takua me agjentë dhe analistë të agjencive të tjera amerikane të fushës së zbatimit të ligjit në Brazil, përfshirë FBI-në (Byronë Federale të Hetimit), DEA-n (Administratën për Narkotikët), dhe HSI-n (Agjencia e Sigurisë Kombëtare).

Zyrtarët brazilianë mirëpritën ngrohtësisht Drejtuesin e SPAK Dumani dhe kolegët e tij, duke e vlerësuar arritjet e SPAK-ut dhe duke theksuar rolin e rëndësishëm që SPAK mund të luajë në nivel ndërkombëtar në uljen e ndikimit të rrezikshëm të grupeve shqiptare të krimit të organizuar në Brazil dhe në rajon.

Në deklaratë thuhet se autoritetet e SPAK dhe ato braziliane ranë dakord të ndihmojnë njëri-tjetrin në ndarjen e informacioneve dhe gjetjen e personave në kërkim ndërkombëtar, duke vendosur kanale jetike komunikimi ndërmjet zbatuesve të ligjit dhe prokurorëve dhe duke rritur aftësinë e SPAK për të luftuar efektivisht grupet shqiptare të krimit të organizuar që veprojnë në Brazil dhe vendet fqinje.

Mbështetja e partnerëve tanë amerikanë ka qenë e paçmueshme në fuqizimin e SPAK për të përballuar krimin ndërkombëtar kompleks dhe në pajisjen tonë me mjetet dhe aleancat e nevojshme për të përballuar krimin e organizuar në shkallë globale”, tha Dumani.

Gazetarja ironizon PD-në e Berishës: Revoltën e mosbindjen civile i fiku SPAK, apo kanë merakun…

Gazetarja Desada Metaj ka reaguar pasi Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike vendosi se do t’i rikthehen jetës parlamentare për diskutimin e Projekt Buxhetit të vitit 2025 dhe hoqën dorë nga “mosbindja civile”.

“Tani revoltën e mosbindjen civile i fiku SPAK siç tha Bushati? Apo e fikën vetë se kanë merakun e diskutimit të buxhetit në parlament??

Nuk di ç’të besojë njeriu i shkretë… kam vetëm hall mos ua fiku Elisa me anëtarët mandatshtuar Gjykatën Kushtetuese”, shkruan Metaj në një reagim në Facebook.

Kujtojmë se në përfundim të mbledhjes së grupit Parlamentar të PD, Gazment Bardhi tha se PD nuk do të braktisë më Parlamentin dhe se ky gabim nuk do të përsëritet.

“Do të vijë Trump-i dhe do të heqë non gratën e Berishës?” – Gazetari: Naivitet i madh, ka zero shans të ndodhë

Analisti Neritan Sejamini e quajti naivitet besimin e shprehur nga e djathta në Shqipëri se fitorja e mundshme e kandidatit republikan, Donald Trump në zgjedhjet në SHBA do të zgjidhë problemet në Shqipëri dhe Kosovë.

Sejamini u shpreh në emisionin “Të Paekspozuarit’, se problemet që ka Shqipëria dhe Kosova janë më të thella dhe nuk zgjidhen me një “deus ex machina” dhe se Trump është i paparashikueshëm.

“Ka një farë naiviteti te e djathta shqiptare. Problemet që ka Shqipëria dhe Kosova janë më të thella dhe nuk zgjidhen me një “deus ex machina”. Do të vijë dikush atje në Amerikë dhe do t’i zgjidhë problemet!

Trump është i paparishikueshëm dhe ka prioritet të tij dominancën personale që të tregojë se ai zgjidh gjërat. Është njeri krenar në aftësi për të negociuar, për jetën e tij kur ka ditur që të zgjidhë mosmarrëveshjet etj.

Ai edhe në politikë pati një qasje të tillë. Edhe në çështje të rëndësishme, siç ishte ajo e Kosovës që donte ta zgjidhte si në triumf të politikës së jashtme, që atij i duhej për të rritur mitin e tij, se ai zgjidh gjërat e mëdha.

Kjo lloj qasje për fitime personale, ku marrëdhëniet nuk janë zyrtare, por “më jep diçka, të të jap diçka” e bën atë të paparashikueshëm në mos të dëmshëm për Shqipërinë, duke patur parasysh Kosovën, duke qenë se Serbia ka lobim të jashtëzakonshëm në SHBA.

Është naive që të mendosh se do të vijë Trump-i dhe do të heqë non gratën e zotit Berisha, do të fusë Kosovën në NATO, do të zgjidhë konfliktin Kosovë-Serbi në favor të Kosovës. Gjasat që këto të ndodhin janë zero. Kosova nuk po futet dot në Këshillin e Evropës jo më në NATO”- u shpreh Sejamini.