28.5 C
Tirana
E enjte, 19 Qershor, 2025

Analiza/ Trazirat politike në Francë do të dobësojnë edhe më shumë Bashkimin Evropian

Ligjvënësit e opozitës rrëzuan të mërkurën qeverinë e Francës, duke thelluar krizën politike në fuqinë e dytë më të madhe ekonomike në Bashkimin Evropian dhe duke minuar kapacitetin e vendit për të miratuar ligje dhe për të vënë kontroll mbi deficitin e lartë buxhetor.

Ligjvënësit e krahut të djathtë të skajshëm dhe ata të krahut të majtë u bashkuan në mbështetje të një mocioni mosbesimi kundër Kryeministrit Michel Barnier dhe qeverisë së tij. Shumica e ligjvënësve, me 331 vota përkrahën mocionin.

Kryeministri Barnier pritet t’i dorëzojë dorëheqjen e tij dhe të qeverisë së tij Presidentit Emmanuel Macron gjatë ditës së mërkurë.

Sipas pallatit presidencial, Presidenti Macron do t’i drejtohet popullit francez me një fjalim të enjten,

Kjo është hera e parë që nga viti 1962 që një qeveri franceze humb votë-besimin . Kësaj radhe, Presidenti Macron solli krizën duke shpallur zgjedhjet e parakohshme në qershor, të cila rezultuan me një parlament të përçarë.

Me një president me fuqi të zbehur, Franca tani rrezikon që të përmbyllë vitin pa një qeveri të qëndrueshme apo buxhet për vitin 2025, ndonëse Kushtetuta lejon ndërmarrjen e masave të posaçme që do të parandalonin mbylljen e qeverisë, siç ndodh në Shtetet e Bashkuara.

Trazirat politike në Francë do të dobësojnë edhe më shumë Bashkimin Evropian, i cili po përballet edhe me shpërbërjen e koalicionit qeverisës në Gjermani pak javë para se Presidenti i zgjedhur amerikan Donald Trump të kthehet në Shtëpinë e Bardhë.

E majta dhe e djathta e skajshme penalizuan Kryeministrin Barnier për shkak se ai zgjodhi të shfrytëzojë fuqitë e posaçme kushtetuese për ta kaluar një buxhet që nuk gëzonte përkrahje dhe që parashihte 60 miliardë euro kursime në përpjekje për të zvogëluar deficitin buxhetor, pa marrë miratimin nga Parlamenti.

Udhëheqësja e së djathës së skajshme, Marine Le Pen deklaroi paraprakisht se rrëzimi i qeverisë ishte “e vetmja rrugë që Kushtetuta na mundëson për t’i mbrojtur francezët nga një buxhet i rrezikshëm, i padrejtë dhe ndëshkues”.

Franca tani përballet me një periudhë paqartësie të thellë politike që tashmë po shqetëson investitorët. Në fillim të kësaj jave, kosto e huamarrjës së Francës tejkaloi për një periudhë të shkurtër atë të Greqisë, e cila përgjithësisht konsiderohet si shumë më e rrezikshme.

Tani i mbetet Presidentit Macron të zgjedhë.

Tre burime i thanë agjencisë Reuters se Presidenti Macron synon të emërojë një kryeministër të ri brenda një kohe të shkurtër. Njëri prej burimeve tha se ai planifikon ta emërojë kryeministrin e ri para ceremonisë për rihapjen e Katedrales së Notre-Damit të shtunën. Presidenti i zgjedhur i Shteteve të Bashkuara Donald Trump pritet të marrë pjesë në atë ceremoni.

Kryeministri i ri do të përballet me të njëjtjat sfida si zoti Barnier për të miratuar ligjet, përfshirë buxhetin e vitit 2025, në një parlament të përçarë. Franca nuk mund të mbajë zgjedhje të reja parlamentare para muajit korrik.

Presidenti Macron mund të kërkojë nga Kryeministri Barnier që të qëndrojë në detyrë derisa të gjejë një kryeministër tjetër i cili do të gëzojë përkrahjen e ligjëvënësve për t’iu hapur rrugë miratimit të ligjeve.

Një qeveri në detyrë mund të propozojë masa të jashtëzakonshme për buxhetin e vitit të ardhshëm apo që përmes kompetencave të veçanta të miratojë projekt-buxhetin për vitin 2025 me dekret – ndonëse juristët thonë se ky proces bart paqartësi ligjore dhe kostoja politike do të jetë e lartë.

Rreziku për Presidentin Macron vjen nga fakti se kundërshtarët e tij mund t’ia hedhin poshtë një pas një të gjithë kandidatët për kryeministër.

Kundërshtarët e tij thonë se mënyra më e duhur për t’i dhënë fund krizës së tejzgjatur politike është që ai të japë dorëheqje, për çfarë ai nuk ka treguar gatishmëri.

Kjo situatë bart rreziqe edhe për zonjën Le Pen, e cila për vite me radhë ka bërë përpjekje që t’i bindë votuesit se partia e saj ofronte një qeveri të qëndrueshme

Përkrahësit e Kryeministrit Barnier dhe partia Bashkimi Kombëtar e zonjës Le Pen, të cilat kanë mbështetur koalicionin e pakicës, fajësojnë njëra tjetrën për krizën./VOA

VIDEO/ “Rilindja” e Xherdan Shaqirit, 33-vjeçari realizon gol spektakolar nga goditja e dënimit dhe kualifikon… Bazelin

Xherdan Shaqiri po kalon një moment të artë te Bazeli, ku duket se ka rilindur. 33-vjeçari, realizoi një gol mjaft të bukur nga goditja e dënimit në minutën e 5-të të sfidës ndaj Sionit, me kohën e rregullt që përfundoi në barazim 2 me 2. 

Fituesi u vendos nga pika e bardhë e penalltisë, ku futbollistët e Bazelit u treguan më të saktë duke u kualifikuar për në çerekfinalen e Kupës së Zvicrës. 

Shaqiri ishte i pari që shënoi 11-metërshin, teksa të 4 futbollistët e Bazelit u treguan të saktë, ndërkohë që për Sionin shënoi vetem Baltazar.  

Disa këshilla si të përmirësoni shikimin e mprehtë dhe shëndetin e syve

Shëndeti i syve përkeqësohet me kalimin e moshës, e megjithatë kjo nuk do të thotë që ndërhyrja kirurgjikale është alternativa më e mirë për të patur sy të mprehtë.

Ekspertët thonë se njerëzit mund ta përmirësojnë shikimin e tyre në mënyrë krejt natyrale me 6 këshillat e mëposhtme dhe ushtrime të specializuara për sytë.

6 Këshilla Si Të Përmirësoni Shikimin Pa Nevojën e Ndërhyrjes Kirurgjikale

Ekspertët thonë se vendosja e syzeve për njerëz, shikimi i të cilëve dobësohet ose pëson një ndryshim të lehtë, ka një efekt përkeqësues.

Kujdesi Për Sytë: Hapi i parë drejt përmirësimit të shikimit është që të jeni të ndërgjegjshëm për sytë dhe përdorimin e tyre. Ekspertët thonë që duhet të tregoheni të vëmendshëm kur i picërroni sytë, problemet në orientim e të tjerë.

Pak Pushim Nga Syzet: Shumë njerëz janë të detyruar të mbajnë syze çdo ditë. Kësisoj, sytë mësohen dhe nuk përpiqen fort për tu përqendruar. Disa ekspertë rekomandojnë që të mos i përdorni syzet për disa orë në ditë në mënyrë që syri të mësohet e të përpiqet për një shikim më të fortë.

Shikoni Afër Dhe Larg: Me kalimin e kohës, njeriu humbet aftësinë për të parë qartë nga distanca të ndryshme. Kjo është veçanërisht e vërtetë tek njerëzit që jetojnë në zonat urbane të cilët nuk janë në gjendje të mprehin shikimin e tyre në distanca të largëta. Ekspertët, të cilëve u referohet AgroWeb.org këshillojnë që t’i trajnoni sytë duke u përpjekur për të parë sa më larg dhe më pas nga afër duke u fokusuar tek detajet.

Lodhja e Syve: Njerëzit që qëndrojnë shumë kohë para kompjuterit apo televizorit përballen me lodhje të syve që pasohet nga dhimbje koke. Ekspertët këshillojnë që t’i mbuloni sytë me pëllëmbët e duarve dhe të qëndroni në këtë mënyrë disa minuta.
Do të vëreni se shikimi juaj do të jetë më i mprehtë e sytë më të çlodhur.

Shikimi Në Të Gjitha Drejtimet: Sa herë që duhet të shikoni në një drejtim të caktuar, përpiquni të mos lëvizni kokën por të vini sytë në punë. Përpiquni të shikoni majtas, djathtas, lart dhe poshtë, madje edhe majën e hundës në mënyrë që t’i stërvisni sytë.

Ushqyerja: Ekspertët thonë se njeriu duhet të konsumojë më shumë fruta, perime, yndyrna të shëndetshme, proteinë, drithëra, arrorë dhe fara. Në fund të fundit, shikimi i mirë varet nga përkujdesja për sytë në të gjitha drejtimet./AgroWeb.org

‘Matrix’/ Ferdinand Dervishi: SPAK mund t’i japë një goditje përfundimtare krimit! Ka treguar që nuk intimidohet

Gazetari Ferdinand Dervishi ishte sot në ‘Studio Live’ teksa foli mbi zbulimin e aplikacionit Matrix që përdorej nga krimi për komunikim. Ai theksoi për Arbër Hitajn rëndësinë e përgjimeve për sistemin e drejtësisë, duke përmendur se ky sistem ka sjellë informacione më të shumta se metodat tradicionale.

‘Për sistemin e drejtësisë, përgjimet kanë qenë të rëndësishme sepse aty merret informacione më tepër se në rrugë operative. Krimi e kuptoi se duhet të ruhet, modernizimi prodhoi këto platforma me qëllim përfitimi. Nga telefoni e shisnin disa herë më shumë se kosto reale. Ishte një mënyrë përfitimi për dy palët. Për ata që e ofronin dhe krimin, që bisedonte i qetë. Mbaronin punë, merreshin vesh dhe besonin se nuk do thyheshin kurrë. Dy mënyra drejtësia bën dasëm, e para të thyejë një nga anëtarët e bandës dhe i tregon të gjitha, e dyta ky lloj përgjimi. Thyerja e Sky ka bërë dosjet më të bukura.’
Më tej shtoi se SPAK me zbulimin e këtij aplikacionit do i jap krimit goditje shumë të fortë.

‘SPAK ka bërë punë por veçojmë punën me krimin e organizuar. Ti kushtohet rëndësi dhe kësaj platforme. Koha e përdorimit të Matrix është 2001-2004. Sky Encro u thyen në 2021, dhe u fut në lojë platformë. Ka pasur dhe të tjera, një tjetër është thyer në Gjermani. Duke mbuluar këtë periudhë që nuk kishim informacion. Kemi shpresë për informacione të kësaj periudhe bosh. Nëse do kemi dhe SPAK me këtë fuqi, për mendimin tim krimi do marrë goditje të fortë. Madje përfundimtare.’

Pritet që komunikimet e zbuluara nga autoritetet e huaja ti jepen SPAK.

‘3 muajt e fundit ka pasur arrestime në flagrancë. Ideja që sa na shërben ne? Ne nuk dimë a do ti vijnë SPAK siç i erdhën të parat. Gjeta vetëm një frazë, që është pak me dy kuptime. Për 3 muaj monitoruan mesazhe të kriminelëve që do përdoren për hetime të tjera. Nuk dimë për 3 mujorin e fundit, apo për 3.5 vitet e fundit. Këtë nuk e dimë.’

Bandat kriminale kanë tepër fuqi, e po nuk u goditë mund të kemi një rast si ai i Falcones në Shqipëri.

Në goditjen ndaj tij është vënë re grupim i madh i disa bandave. Të themi 100 vetë. Vetëm në vrasjen e Brilant Martinaj kanë qenë 16 veta nga grupi i Niklës. Angazhimi në një të vetën i këtyre bandave, çfarë pikëpyetjeve mund të vëmë ne. A mund të bëjnë këta një atentat si Falkones? E kanë të gjithë fuqinë. Për këtë duhet ti biem çangave të alarmit. Nëse krimi kryhet mbi shtetin, atëherë shteti ka mbaruar. Por SPAK nuk intimidohet nga kjo pjesë. Godet dhe më të fortin.’

Xhafaj iu “mbyll” gojën 91 ekspertëve me 500 milionë lekë pagesa! SPAK- ut i hoqën 1 milion euro buxhet

500 milionë lekë do të jetë fondi i posaçëm që do të miratohet nga Kuvendi i Shqipërisë për të ndihmuar komisionin e drejtuar nga politikani socialist Fatmir Xhafaj, për hartimin e legjislacionit të reformave të bashkëqeverisjes dhe antikorrupsionit.

Report TV ka nxjerr listën me emrat e ekspertëve që do të marrin deri në 8 milionë lekë në muaj, të ndarë në tre nivele të ndryshme. Sekretariati teknik i përbërë nga 15 vetë, dhe 12 ekspertë të nivelit të tretë do të marrin për punën pranë këtij komisioni, 2.800 euro.

Kryetari socialist i Komisionit, Fatmir Xhafaj ka parashikuar pagesë edhe për një kategori të quajtur “ekspertë të huaj”. Ata janë 23 persona dhe do të paguhen 5.600 euro.

Siç duket nga specifikimi i emrave, ekspertët e huaj rezultojnë të jenë shqiptarë me banim jashtë vendit. Përfshirja e ekspertëve nga diaspora ka qenë një prej angazhimeve që ka marrë Fatmir Xhafaj në publik për hartimin e legjislacionit të posaçëm.

Ky komision do të ketë një mandat 10 mujor dhe do të përbëhet nga 6 deputetë socialistë, si dhe 5 anëtarë nga kahu i Partisë Demokratike. Ai drejtohet nga Fatmir Xhafaj me anëtarët socialistë Klotida Bushka, Eduard Shalsi, Etilda Gjonaj, Evis Kushi dhe Toni Gogu.

Komisioni i Posaçëm Parlamentar Anti-korrupsion i pagëzuar ndryshe si “Reforma në Drejtësi 2” është propozuar nga Partia Socialiste nën kundërshtimin e fortë të demokratëve, me qëllimin për të thelluar reformat shtet-formuese dhe luftën me korrupsionin.

Gjergj Nika publikon video nga refuzimi i banorëve për rrëmbimin e tokës: Topi kalon te keshilltarët socialistë

Antari i këshillit bashkiak të Vlorës dhe kryetari i Demokratëve Euroatlantikë, Gjergji Nika, përmes një postimi në profilin e tij në facebook, ka bërë të ditur reagimin e banorëve të Kaninës gjatë konsultimit publik për projektin e kryebashkiakut Dredha për t’i dhënë fondin pyjor dhe kullotës Oligarkëve, banorët e Kaninës kanë dalë haptazi kundër.

Shihni videon Për më tepër:

Rrjetet sociale? Ta shpëtojmë njeriun nga makina që po e gllabëron të gjallë

Është e drejtë të ndalosh mediat sociale, por pragu i 16 viteve nuk është i duhuri, shifra duhet të përmbyset: 61, shkruan Camillo Langone n Camillo Langone “Il Foglio”. Frymëzimi vjen nga Platoni i cili tek “Ligjet”, një dialog mjaft statist për të qenë i sinqertë, propozon ndalimin e verës për të miturit nën moshën 18 vjeç, për ta lejuar atë me masë për njëzet e tridhjetë vjeçarët, duke e liberalizuar plotësisht vetëm pas moshës dyzet vjeçare: “Kur një burrë hyn në vitin e dyzetë, mund ta ftojë Dionisin të marrë pjesë në ritin e shenjtë të të moshuarve, edhe për gëzimin e tyre, që vetë Perëndia ua ka dhënë njerëzve për t’ua lehtësuar barrën, pra verën”. Dyzet vjeçarët e Greqisë së Lashtë janë gjashtëdhjetë vjeçarët e Perëndimit Modern, sigurisht, ndërsa simpoziumet e dehur të Platonit korrespondojnë me rrjetet sociale të Zuckerber dhe Musk përsa i përket socializimit.

Në moshën 40 vjeç atëherë dhe në gjashtëdhjetë sot, ajo që është bërë është bërë, nëse doni të shkatërroni veten, vazhdoni. Por së pari, duhet ruajtur truri. Duke e përdorur atë. Unë shoh që ndalimi i pjesshëm (për momentin vetëm në Australi) i mediave sociale ka një numër të madh kundërshtarësh, me argumente shpesh të arsyeshme. Por më duket edhe më e arsyeshme të përpiqemi ta shpëtojmë njeriun nga makina që po e gllabëron të gjallë. Mundësia e suksesit? Kam frikë se është e vogël, por do të ishim dembelë po të mos provonim.

Atëherë ky legjislacion në Australi, në dukje joliberal, paradoksalisht mund të jetë çlirues. Moreno Pisto një ditë më parë në Mow jepte përkufizimin më bashkëkohor të socializmit: “Shoqëria në të cilën mbretëron gjykata e rrjeteve sociale”. Të gjitha rrjetet sociale, përveç, pjesërisht X (ish Twitter) janë mbretëri e censurës, me autocensurë relative (Unë tashmë në Instagram duhet të bëj kujdes kur postoj kisha, ura: po ishin këto postime të guximshme që më shkaktuan disa paralajmërime për mbyllje për shkelje të rregullave). Ata që jetojnë në rrjetet sociale jetojnë të kufizuar nga algoritmi, mekanizohen pa e kuptuar. Ndalimi i mediave sociale është një nxitje për të shkëputur zinxhirët dixhitalë. Rroftë Australia! Rroftë kombi i ish-të dënuarve që na bën thirrje të arratisemi! / Bota.al

Populli nuk e do, pse Rama e mban Berishën në krye të opozitës?

Nga Spartak Ngjela

Vjen një kohë kur secili e di se nuk bën dot gjë, ku gjithkush e ndien dhe një pakicë e kupton që jeta ka hyrë dhe po ecën në një vijë absurde, dhe shoqëria hesht.

Në këtë gjendje jemi edhe ne shqiptarët sot.

Por mos mendoni se është faji ynë!

Historia na ka goditur, sepse konfliktet tona të brendshme nuk na kanë lënë që ta krijonim veten realisht.

Një shoqëri që nuk e ka rikrijuar veten realisht, sundohet jo nga idetë, por nga absurditeti.

Po absurditeti çfarë është si koncept?

Absurdeliteti është një ide që nuk mund të aplikohet, është shpesh një idiotësi e shprehur në fjalë që shpesh ka hutuar shoqëritë.

Na duhet të theksojmë se…

Mendimi i drejtë dhe i suksesshëm nuk është gjithmonë një gjë e lehtë, dhe vështirësinë e sjell ngaherë absurditeti.

Kjo është arsyeja që filozofët modernë të Shekullit të Njëzet thanë që jeta është absurde.

Kjo nuk rezultoi e vërtetë, se jeta është ekzistencë, kurse mendimi mund të jetë absurd, dhe ti ecën sipas atij mendimi, i cili të çon drejt absurditetit dhe dështimit.

Po koha jonë në Shqipëri, pse është absurde?

Sepse sot shqiptarët nuk po drejtohen nga idetë, por nga pasioni politik

Po pasioni politik, çfarë është?

Pasioni politik është ose pasioni i individit për pushtet, ose pasioni i individëve për të mbështetur një pushtet të caktuar politik, sepse te ky pushtet ata shohin ose një interes personal, ose një interes të përgjithshëm që ata e besojnë.

Gjithsesi, që të shpëtosh nga absurditeti nuk është gjë e lehtë.

Pse, a nuk ishte komunizmi një doktrinë absurde që e besuan të gjithë? Sigurisht që e atillë ishte, sepse si doktrinë komunizmi ishte i parealizueshëm: ishte i bukur, por absurd.

Pse ishte absurde doktrina komuniste?

Sepse ajo, në emër të barazisë njerëzore, e lejonte paranë si mjet shkëmbimi, por jo si mjet pasurimi. Atëhere, në kohën e parasë, ajo doktrinë mendoi të godiste forcën e parasë, por, në fakt, goditi zhvillimin dhe vetë organizimin shoqëror.

Domethënë, pikërisht për këtë, kuptohet se ajo ishte një doktrinë absurde.

Shumë qartë jemi deri këtu. Por, ku qëndron absurditeti i kohës së sotme në Shqipëri?

Absurditeti i kohës së sotme në Shqipëri qëndron te fakti që ne si shoqëri ende nuk e shohim politikën si një doktrinë që do të sjellë zjvillim, por e shohim politikisht si interes individual. Dhe këtu merr fund gjithçka, sepse, pikërisht për këtë kemi rënë në moszhvillim dhe paqartësi për të kuptuar pyetjen: Ne, sot në Shqipëri, po drejtohemi drejt apo gabim nga politikat drejtuese ose sunduese në Shqipëri?

Dhe ja, pikërisht këtu ndalon gjithçka, dhe prandaj na duhet të themi se ne jemi një shoqëri e paaftë, që kemi rënë në një qerthull absurd.

Por si mund të dalim nga ky lloj qerthulli absurd?

Nuk di çfarë të them, por për një gjë jam i sigurt: absurditeti nuk rrëzohet dhe nuk largohet me absurditet nga një shoqëri që sundohet prej tij , por vetëm me ide realiste që krijojnë zhvillim.

Por, a do të na vijë ne shqiptarëve kjo kohë?

Shenjat janë se do të na vijë, por kushti është ky:

Aleanca e madhe që shqiptarët kanë tani me Perëndimin, mund të na i sjellë edhe ne largimin e absurditetit nga politika shqiptare. Por nuk duhet të harrojmë se, kur një shoqëri drejtohet nga polotika absurde të individëve të cilët jashtë vetes së tyre nuk njohin asnjë forcë tjetër, goditja e absurditeti në drejtimin politik është shumë e vështirë.

Po pse është e vështirë, a mund ta shpjegojmë këtë?

Është e vështirë sepse në një kohë demokratike, ne shqiptarët me zgjedhje të lira, po kalojmë, nga absurditeti S në absurditetin D.

Nuk e shihni ju tanimë që Saliu godet kundërshtarët për ato që ai ka bërë vetë? Dhe, a nuk e shihni që Rama e mban Saliun, sepse këtë nuk e do populli?

Pse, a nuk jemi këtu në një absurditet të kulluar që nuk ka lidhje me zhvillimin shoqëror?

Pse, a nuk jemi këtu thjesht e plotësisht në absurdutetin tetëdhjetëvjeçar që ka sunduar shqiptarët dhe ka drejtuar Shqipërinë?

Siria një fushëbetejë botërore. Pse u ndez përsëri?

Të gjitha arsyet përse Siria është një pikë e nxehtë gjeopolitike, me rëndësi të jashtëzakonshme

Lufta Civile Siriane nuk është thjesht një konflikt midis qeverisë së Asadit dhe kundërshtarëve të saj. Siria është bërë praktikisht një fushë beteje ndërkombëtare – ku përfshihen SHBA, Turqia, Rusia, Irani, Katari, Izraeli dhe aktorë të tjerë rajonalë.

Boshti i Rezistencës

Siria është pjesë e Boshtit të Rezistencës të udhëhequr nga Irani, një qendër logjistike e rëndësisë parësore, për furnizimin e Hezbollahut në Liban. Një mbështetëse e gjatë e kauzës palestineze dhe një mburojë kundër zgjerimit të ndikimit politik të Izraelit në Lindjen e Mesme.

Luftë e Ftohtë gjeopolitike

Kjo e vendos Sirinë në ballë të Luftës së Ftohtë gjeopolitike, midis aleancës SHBA-Izrael dhe Iranit. Nëse SHBA dhe Izraeli ia dalin të rrëzojnë Assadin, lëvizja e tyre e radhës logjike do të ishte rrethimi dhe mbytja e Hezbollahut. Irani nuk mund të lejojë që kjo të ndodhë.

Rusia

Siria ka gjithashtu një rëndësi parësore për praninë e Rusisë në Lindjen e Mesme, duke qenë se aty ndodhet baza detare Taurus dhe baza ajrore Khmeimim. Rusia gjithashtu ka interes për shtypjen e grupeve xhihadiste në Siri. Shumë nga këta militantë vijnë nga Azia Qendrore dhe Kaukazi.

Turqia dhe Katari

Turqia dhe Katari kanë qenë dy mbështetësit më të fortë të militantëve/terroristëve anti-Asad, duke përfshirë Ushtrinë Kombëtare Siriane dhe Hay’at Tahrir al-Sham. Të dy vendet kërkojnë të zgjerojnë ndikimin e tyre në rajon, duke ndihmuar grupet e lidhura me Vëllazërinë Myslimane që të marrin pushtetin.

Kurdët

Turqia kërkon gjithashtu të kufizojë fuqinë e grupeve të armatosura kurde, të tilla si Forcat Demokratike Siriane (SDF) dhe Njësitë e Mbrojtjes Popullore (YPG). Turqia ka një pakicë të konsiderueshme kurde, të cilët janë rebeluar kundër shtetit turk në shumë raste.

Aspekti ekonomik

Ka edhe një aspekt ekonomik, Lufta Civile Siriane. Rusi-Iran dhe Katar-Turqi kanë projekte konkurruese të tubacioneve të naftës në Siri.

Bota.al

Kërkesat për azil në BE/ Shqipëria dhe Kosova kryesojnë vendet e Ballkanit, ja sa ishte numri vetëm për muajin shtator

Shtetasit nga Shqipëria dhe Kosova vijojnë të kryesojnë me një diferencë të dukshme se vendet e tjera të rajonit të Ballkanit për nga kërkesat për azil në vendet e Bashkimit Europian.

EU azil

Sipas të dhënave më të fundit të Agjencisë Europiane për Azilin (EUAA) gjatë muajit shtator të këtij viti u paraqitën 586 kërkesa të reja për azil nga Shqipëria dhe 584 kërkesa nga Kosova.

Numri i kërkesave për azil të shtetasve shqiptarë nga Kosova dhe Shqipëria gjatë muajit shtator është dukshëm më i lartë krahasuar me vendet e tjera në rajon ku nga Maqedonia e Veriut janë paraqitur në një nga vendet e Bashkimit Europian 286 kërkesa për azil, nga Serbia 252, nga Bosnjë Herzegovina 252 dhe nga Mali i Zi vetëm 46 kërkesa.

Numri i kërkesavë për azil të shtetasve shqiptarë në vendet e Bashkimit Europian në nëntë muajt e parë të këtij viti ka shkuar në në rreth 5500.

Nga të dhënat e publikuara më herët nga Agjencia Europiane për Azilin rreth 2700 kërkesa të shtetasve nga Shqipëria të mbledhura gjatë vitit të shkuar janë në pritje për t`u shqyrtuar.

Kërkesat për azil të shtetasve shqiptarë në numrin më të lartë vijojnë në dy vendet fqinje Itali dhe Greqi, por edhe në Francë dhe në Gjermani.

Agjencia Europiane për Azilin (EUAA) tha se autoritetet për azilin në Bashkimin Europian morën 84,000 kërkesa për azil nga shtetas me kombësi të ndryshme në shtator të këtij viti.

Kërkesat janë në shifra të qëndrueshme të këtyre muajve të fundit, por me një të tretën më pak në krahasim me kulmin e vjeshtës së kaluar, thotë Agjencia europiane për Azilin.
Sipas EUAA numri i çështjeve në pritje të një vendimi të shkallës së parë vazhdoi të rritet, duke arritur në 969,000 në fund të shtatorit 2024, që është më i madhi në këto tetë vitet e fundit.

Agjencia për Azilin tha se deri në fund të shtatorit 2024, rreth 4.3 milionë persona përfituan nga mbrojtja e përkohshme në Bashkimin Europian pasi u larguan nga pushtimi i Ukrainës nga Rusia. Shumica e përfituesve u pritën nga Gjermania dhe Polonia, por Çekia priti më shumë përfitues për frymë, thotë Agjencia Europiane për Azilin./VOA