16.5 C
Tirana
E mërkurë, 7 Maj, 2025

Ilir Meta – Monika Kryemadhi, të përdorësh pushtetin për të vjedhur shtetin

Analiza nga ABCnews

Në 34 vjet pluralizëm në Shqipëri, është dikush që ka provuar pothuajse të gjitha detyrat më të rëndësishme shtetërore.

Nga viti 1992 Ilir Meta, është zgjedhur pa ndërprerje deputet në të gjitha legjislaturat e Kuvendit të Shqipërisë.

Ka qenë 4 herë zëvendëskryeministër dhe për 4 vjet kryeministër. Ka provuar të drejtojë tri ministri, atë të Koordinimit Qeveritar për një vit, të Punëve të Jashtme dy herë, dhe të Ekonomisë, Tregtisë e Energjetikës. Ka drejtuar Kuvendin e Shqipërisë dhe në fund është zgjedhur edhe President i Republikës së Shqipërisë.

Pra ka provuar gjithçka. Pa përmendua Partinë që e themeloi vetë, e iu rikthyer me një emër të ri, pasi u largua nga posti i Presidentit.

Sot, ky njeri që për vite e vite me radhë ishte në krye të vendit, po provon skutat e errëta të shtetit, qelinë e paraburgimit 313.

Hetimi ndaj ish-presidentit të Shqipërisë, Ilir Meta, i cili u arrestua më 21 tetor 2024 për korrupsion, nisi pas një kallëzimi të vitit 2018 nga Romeo Kara, jurist i Operatorit të Shpërndarjes së Energjisë. Në atë kohë, kallëzimin e mori në dorë Prokuroria e Krimeve të Rënda dhe pas shkrirjes së saj, me krijimin e institucioneve të reja të drejtësisë, i kaloi për hetim SPAK-ut. Në këtë kallëzim pretendohej për akte korruptive nga ana e Metës, gjatë kohës që mbante detyrën e ministrit të Jashtëm, e më pas të Ekonomisë, mes viteve 2009-2013.

Por ky nuk ishte kallëzimi i vetëm. Dy te tjerë u depozituan më vonë në Prokurorinë e Posaçme. Më 10 qershor të vitit 2022, ishte ish-deputeti Halit Valteri që paditi Metën në SPAK, me pretendimin se në kohën që drejtonte partinë Lëvizja Socialiste për Integrim, kishte firmosur kontrata lobimi me kompani në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, duke shpenzuar shuma të konsiderueshme parash, disa prej të cilave nuk janë deklaruar.

Ndërsa në shtator të po atij viti, ishte avokati Idajet Beqiri që kallëzoi çiftin Meta Kryemadhi, me pretendimin se kishte shpenzuar shuma të mëdha parash për shërbime mjekësore dhe të kirurgjisë estetike, që nuk justifikoheshin me të ardhurat e tyre.

Në vitin 2022, SPAK i regjistroi këto kallëzime në një vend. Ndërsa në shkurt të vitit 2023, Ilir Meta u thirr për herë të parë në Prokurorinë e Posaçme për të dhënë deklarime. E ndonëse për të gjithmonë kishte qenë e rëndësishme ruajtja e qetësisë, pasi doli nga SPAK pas afro tri orësh Ilir Meta nuk dukej edhe aq i qetë. Madje në ditët në vazhdim nuk do ta fshihte me shqetësimin, duke shënjestruar vetë kreun e SPAK Altin Dumani.

Metës nuk i doli e keqja as ditën që u arrestua, kur bëri rezistencë dhe forcat e Policisë u detyruan ta nxirrnin me forcë nga makina për ta prangosur e madje as në sallën e gjyqit, kur u përball me 3 prokurorët e çështjes, Sotir Kllapin, Altin Dumanin dhe Arben Krajën. Edhe pse “inatin” e kishte vetëm me njërin në veçanti. Me Altin Dumanin.

Për ditë me radhë të gjithë zgjodhën të komentojnë momentin e arrestimit të tij, nëse e meritonte një ish-president atë lloj shfaqje. Madje edhe vetë Monika Kryemadhi nuk nguroi të sulmonte policët që e arrestuan.

Ndoshta jo pa qëllim ishte kjo zgjedhje, për të lënë disi në hije dosjen me akuzat e ngritura ndaj Ilir Metës, Monika Kryemadhit, Pirro Xhixhos e Ema Çokut. Por edhe sa mund të zgjaste kjo. Fashikujt e një dosje voluminoze të SPAK herët a vonë do të bëheshin publike. Ashtu sikurse edhe ndodhi.

Një javë nga arrestimi i tij në rrugë në Tiranë, Ilir Meta nisi mbrojtjen përmes rrjeteve sociale, në pamundësi të mjeteve të tjera. E para ishte mënyra e prangosjes, që Meta preferoi ta krahasojë me një politikan italian, ish – kryeministër në disa mandate apo poste ministrore, Aldo Moro. Por nga ana tjetër, nuk hezitoi që të adresojë akuzat kundër Monika Kryemadhit, si për shpenzimet shëndetësore, ashtu edhe për favoret ndaj biznesmenit shqiptaro-amerikan, Adrian Shatku.

Ilir Meta: A nuk e rrëmbyen edhe Aldo Moron, brigadat e kuqe me uniformë policie do t’i pyesja të gjithë ata pseudoanalistë, që janë të shqetësuar nga kundërshtimi im ndaj këtij akti kriminal dhe mafioz, pa asnjë dokument juridik, pa etikë dhe duke përdorur një forcë kafshërore, që vjen nga instiktet shtazore të atij që i urdhëron. Rrëmbimi i Ilir Metës nga mafia në pushtet, me urdhër të tre mercenarëve të saj, Altin Dumani, Arben Kraja edhe Sotir Kllapi, u bë me qëllim që të më pamundësojë sa më shumë mbrojtjen në publik, në media e debate nga akuzat qesharake dhe të stisura të cilat nuk përmbajnë asnjë fakt apo provë penale kundër meje.

Janë të paktën 6 episode, që Prokuroria e Posaçme ka gjetur prova të korrupsionit dhe pastrimit të parave dhe ka ngritur akuza ndaj Ilir Metës e Monika Kryemadhit.

Të gjitha këto do i trajtojmë në këtë episod të “Gjerat Tona”.

Afera që shoqëroi Ilir Metës që prej vitit 2009 e në vazhdim, ishte ajo e marrëveshjes ÇEZ – DIA, për të cilën Kastriot Ismailaj bëri 9 vite burg. Sot, Prokuroria e Posaçme e konsideron Metën si arkitekt të kësaj afere, pa çka se gjatë gjithë periudhës që Ismailaj qëndronte në burg si i dënuar, pa çka se prokurorët e mëparshëm nuk kishin shkuar dot deri te emri i tij. Sipas SPAK, në cilësinë e ish-ministrit të Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjisë, Ilir Meta ka influencuar në lidhjen e kontratës mes DIA-s dhe ÇEZ-it.

Prokuroria e Posaçme, mbi bazën e akteve të procedimit penal nr.14, viti 2018, të transferuar nga Prokuroria për Krime të Rënda, ka regjistruar procedim penal nr.55, viti 2019, për veprat penale “”Ushtrim i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”, “Shpërdorim i detyrës” dhe “Korrupsion pasiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose i të zgjedhurve vendor”. Ky procedim është regjistruar mbi bazën e kallëzimit penal të Romeo Kara, i cili ka depozituar në Prokurorinë e Përgjithshme ndaj, Ilir Metës, Sali Berishës, Kastriot Ismailaj, Tomas Pleskash dhe Bujar Nepravishta, për akte korruptive në lidhje me çështjen ÇEZ – DIA, duke filluar nga lidhja e kontratës së parë, datë 01.09.2010 dhe në vijim.

Ilir Meta ka favorizuar dhe mbështetur shtetasin Kstriot Ismailaj të krijonte kontaktet me përfaqësuesit e ÇEZ – Pragë dhe për më tepër, të krijonte besueshmëri para tyre si njeri i besuar i qeverisë shqiptare, rrjedhimisht duke qenë kështu njeriu i favorizuar për të marrë kontratën për mbledhjen e borxheve nëpërmjet DIA-s, sikurse rezultoi më pas. Këtë favorizim të shtetasit Kastriot Ismailaj rezulton se, shtetasi Ilir Meta e ka kryer kundrejt kërkimit apo marrjes së një përfitimi të parregullt prej shtetasit Kastriot Ismailaj.

Pas gjithë të dhënave të administruara në dosje, SPAK cilëson se të çojnë në konkluzionin se mes Kastriot Ismailajt dhe Ilir Metës, ka pasur një marrëdhënie të ngushtë dhe kjo shpjegohet nga numri i konsiderueshëm i komunikimeve mes tyre. Për më tepër, në dy numrat celularë në përdorim nga Ismailaj, rezulton se ai bashkë me Ilir Metën, gjatë periudhës prill 2010 – 17 shtator 2010, kanë komunikuar mes tyre në të paktën 115 raste. Periudha në fjalë korrespondon me kohën kur fillon të diskutohet dhe më pas krijohet shoqëria DIA për të përfunduar më 17 shtator 2020, ku tashmë Meta ishte bërë ministër i Energjisë.

Është administruar kopje e procesverbalit të transkriptit të bisedave të datës 28 qershor 2009, ku ndër të tjera rezulton se më 22 qershor 2009, ora 17:27, nga numri që përdorej në atë kohë nga Ilir Meta, është dërguar një sms në numrin që përdorej nga Kastriot Ismailaj me përmbajtje:

“Nesër në darkë duhet të takohemi patjetër. Më duhen 200 mijë patjetër. Mos Harro”.

Nga hetimi i deritanishëm janë grumbulluar të dhëna dhe prova që krijojnë dyshimin e arsyeshëm se Ilir Meta ka kërkuar dhe ka marrë përfitim të parregullt nga Kastriot Ismailaj në shkëmbim të ndihmës së dhënë për përfitimin e kntratës që kompania e të gjykuarit Ismailaj, DIA, të lodhje me shoqërinë ÇEZ.

SPAK thotë se të dhëna të rëndësishme janë përftuar nga një procesverbal i datës 23 shtator 2021, i transkriptit të bisedave, video dhe audio të regjistruara në 2 USB të shtetasit Elvis Mataj. Në këtë regjistrim, Elvis Mataj, ish-kreu i LRI, në cilësinë e drejtorit ekzekutiv të DIA, dëshmon për një serë rrethanash lidhur me çështjen ÇEZ – DIA, shtetasin Kastriot Ismailaj, njohjet e tij me shtetasin Ilir Meta dhe marrëdhëniet me të. Duke cituar dëshminë e ish-shefit ekzekutiv të ÇEZ Josef Hejsek dhënë para arbitrazhit në Vjenë:

Kontraktimi i DIA-s erdhi pas një diskutimi me përfaqësuesin e METE-s, ku qeveria shqiptare propozoi për të instruktuar një person, i cili kishte njohuri të mira biznesi në Shqipëri. Qazim Tepshi, pas diskutimeve me eprorin e tij Ilir Meta, rekomandoi shtetasin Kastriot Ismailaj si mbledhës borxhi. Kam dijeni mbi premtimet për shuma parash që Kastriot Ismailaj i kishte bërë disa personave , një prej të cilëve ishte Ilir Meta. Kastriot Ismailaj i kishte premtuar edhe Petrit Ahmetit dhe anëtarëve të bordit të ERE shumën prej 500 mijë eurove, me të cilën do të sigurohej ulja e çmimit të energjisë që ÇEZ blinte nga KESH. Ismailaj i premtoi Petrit Ahmetit që do i paguante 15 milionë lekë, shumë e cila iu pagua pjesërisht.

Elvis Mataj ka dhënë detaje edhe rreth takimit që Ilir Meta ka bërë me ÇEZ-in gjatë një vizite që ka zhvilluar në Çeki.

Ilir Meta, gjatë vizitës së punës që ka pasur në Çeki, është takuar me përfaqësues të ÇEZ. Në këtë takim ka qenë i pranishëm edhe Josef Hejsek, Kastriot Ismailaj dhe numri dy i ÇEZ-it në Pragë. Në këtë takim, Ilir Metaj e ka prezantuar Ismailajn si mikun e tij, duke i siguruar kështu mbështetje para ÇEZ-it për të marrë kontratën për mbledhjen e borxheve të ÇEZ. Për mbështetjen, Ismailaj i kishte premtuar Metës 1.5 milionë euro dhe mbështetje për zgjedhjet e vitit 2011. Por me gjithë këtë premtim, Ismailaj nuk po e mbante fjalën dhe po i fshihej Metës dhe mund t’i ketë dhënë ndonjë “lek të vogël”.

Sipas SPAK ky deklarim i Elvis Matajt përputhet me të dhënat e përfituara nga intervista e bashkëshortes së Kastriot Ismailajt, Vojsava Ismailaj, e cila tregon se Ilir Meta i kërkonte para Kastriotit.

Elvis Mataj ka treguar se në lidhje me mbështetjen për fushatën politike, që Kastriot Ismailaj i kishte premtuar Ilir Metës, ai ka kryer pagesat 116 milionë e 800 mijë kundrejt shoqërisë së Agron Çelës.

Romeo Kara, nga shpjegimet që ka dhënë në Prokurori, shpjegon se Ilir Meta i ka kërkuar Kastriot Ismailajt që ÇEZ duhet t’i japë si shpërblim shumën 5 milionë euro, për ndërhyrjen që Meta ka bërë te ERE për të ulur çmimin e blerjes së energjisë nga KESH. Për këtë ndërhyrje ka qenë në dijeni edhe bashkëshortja e Ismailajt, Vojsava, e cila në një intervistë të dhënë shprehet se këtë kërkesë ia kishte Ilir Meta bashkëshortit të saj gjatë një darke në shtëpinë e Metës, ku sipas saj Ismailaj duhej të komunikonte me drejtues të ÇEZ-it për t’i dhënë këtë shumë.

Me një shkresë të datës 27 shtator të vitit 2015, Komisioni i Sigurisë i ka dërguar informacion Prokurorisë së Përgjithshme, Presidentit të Republikës, kryetarit të Kuvendit të Shqipërisë dhe Ambasadës Amerikanë, në lidhje me informacionin për destabilitet që mund të krijohet për shkak të kërcënimeve në lidhje me kontratën ÇEZ – DIA. Nga ana tjetër, edhe Drejtoria e Policisë së Shtetit, me një shkesë të datës 9 tetor 2015, ka dërguar aktet proceduriale në lidhje me detyrat e lëna për marrjen e deklarimeve të Vojsava Ismailajt, Tom Doshit, Dritan Priftit, etj. Ismailaj, Doshi dhe Prifti pranonin që ishin takuar, por jo se ishin kërcënuar apo të kishin bashkëpunuar për ndonjë organizim apo krijim destabiliteti. Pranonin se ishin takuar dhe kishin biseduar për Kastriot Ismailajn që ndodhej në burg, por sipas tyre nuk ka pasur biseda të karakterit destabilizues apo të kishin ushtruar presion ndaj njëri-tjetrit dhe të kenë kërcënuar ndonjë person.

Në cilësinë e kryetarit të Komisionit të Sigurisë Kombëtare, Spartak Braho ka dhënë deklarime më 3 nëntor 2023, për shkak të një letre që u kishte drejtuar disa zyrtarëve të lartë të shtetit për ekzistencën e një skenari destabilizimi mes Tom Doshit, Dritan Priftit, në lidhje me Kastriot Ismailajn dhe bashkëshorten e tij, Vojsavën.

Mbaj mend që në atë kohë, para letrës, unë kam pasur një bisedë me Ilir Metën, i cili ishte kryetar i Kuvendit. Në bisedë më tha që unë, në cilësinë e kryetarit të Komisionit të Sigurisë Kombëtare, duhej të informoja institucionet kryesore, pasi po flitet për jetën e disa personave të rëndësishëm të shtetit, ndër të cilët ishte edhe vetë ai. Në bisedë me Ilirin, ai më tha se pati marrë kërcënime nga Tom Doshi. Iliri më pati thënë se po i kërcënohet jetë atij vetë, bashkëshortes së tij Monikës, si dhe gruas së Kastriot Ismailaj. Nuk më shpjegoi konkretisht burimin e konfliktit që kishte me Tom Doshin, por për këto arsye, ai parashtroi shqetësimet e tij dhe kërkoi që unë, me cilësitë që kisha, të informoja organet kryesore. Dhe kështu unë më pas, duke i besuar këtyre shqetësimeve që ai kishte, e kalova në rrugë zyrtare, duke bërë edhe informacionin përkatës.

Sipas Prokurorisë, kjo është një e dhënë tjetër që mbështet dyshimet mbi Ilir Metën, pasi ai në atë kohë, duke qenë i interesuar për të larguar vëmendjen e përfshirjes së tij në çështjen e asaj kohe ÇEZ – DIA, i ka kërkuar Spartak Brahos që t’i drejtohej me letër institucioneve kryesore, që t’i informonte mbi një skenar apo kërcënime nga personat në fjalë.

SPAK ka arritur në konkluzionin se ka dyshime të arsyeshme të bazuara në prova se personi nën hetim, Ilir Meta, duke kërkuar dhe marrë prej Kastriot Ismailajt shuma të konsiderueshme parash, në kohën që ka qenë ministër i Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës. Ministri që kishte si detyrë funksionale, një pjesë të procedurës së privatizimit të ÇEZ, mbikëqyrjen e kontratës nëpërmjet caktimit të përfaqësuesve në Këshillin Mbikëqyrës, si dhe mbikëqyrjen e veprimtarisë, duke kërkuar dhe pranuar shuma monetare nga Kastriot Ismailaj, i cili njëkohësisht ishte dhe administrator i DIA-s, që ka lidhur një kontratë fitimprurëse me ÇEZ pikërisht në sajë të influencës dhe imponimit të ministrit Ilir Meta.

Shpenzimet familjare të pajustifikuara Meta – Kryemadhi

Prokuroria e Posaçme ka hetuar një sërë faktesh penale dhe konkretisht burimet financiare të kontratave të lobimit dhe konsulencës së subjektit politik Lëvizja Socialiste për Integrim të kallëzuara nga ish-deputeti Halit Valteri. Burimet financiare të tyre, financimi i shërbimeve mjekësore të marra nga anëtarët e familjes së Ilir Metës dhe Monika Kryemadhi, fakte të kallëzuara nga Idajet Beqiri. Sipas kallëzuesve, shpenzimet në fjalë janë financuar me të ardhura të siguruara nga burime jo të ligjshme, kryesisht të përfituara nga korrupsioni.

Sipas kallëzuesve, këto pretendime janë të bazuara dhe në faktin se shpenzimet në fjalë nuk janë deklaruar në deklaratat vjetore të pasurisë nga çifti Meta – Kryemadhi, të cilët kanë pasur detyrim për deklarimin në zbatim të ligjit dhe shpenzimet e lobimit dhe të konsulencës në favor të LSI-së nuk janë deklaruar në deklarimet periodike para Komisionit Qendror të Zgjedhjeve.

Në këto rrethana, pjesë e hetimit është bërë edhe hetimi financiar – pasuror i Ilir Metës dhe Monika Kryemadhit, si dhe anëtarëve të tjerë të familjes së tyre, apo personave të tjerë me të cilët kanë rezultuar transaksione financiare. Për këtë qëllim i janë dërguar disa letërporosi autoriteteve gjyqësore të disa vendeve, si në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Qipros, Austrisë, Italisë, San Marinos, Britanisë së Madhe, etj.

Në kuadër të veprimeve hetimore dhe kontrolleve të ushtruara, janë sekuestruar 25 dokumente, përfshirë këtu edhe një celular i-Phone, i cili i është nënshtruar ekspertimit teknik kompjuterik në Sektorin e Ekspertizës në SPAK. Nga akti i ekspertimit ka rezultuar se ky telefon është përdorur nga Monika Kryemadhi për periudhën 2013 – 2015 dhe numri i fundit i përdorur në këtë telefon na qenë një numër që përfundon me 077. Në telefon ka qenë i instaluar aplikacioni WhatsApp dhe nga të dhënat e ruajtura në telefon janë evidentuar biseda të zhvilluara mes Monika Kryemadhit dhe shtetasve: Ilir Meta, Adrian Shatku, Ema Çoku, Edmond Haxhinasto, Pirro Xhixho, Ermal Topalli, etj.

Nga bisedat rezulton se Meta dhe Kryemadhi janë angazhuar në favor të kompanisë UNIFI Communication INC dhe UNIFI Holdings INC, dega Shqipëri, me president shtetasin Adrian Shatku, me qëllim që kjo kompani të marrë leje për të shtruar në akset rrugore të vendit rrjetin e fibrave optike të internetit, punime që deri në atë kohë, bazuar në urdhrin e datës 23 gusht 2010 të ministrit të Punëve Publike, Transportit dhe Telekomunikacionit, i ishin njohur ekskluzivisht kompanisë ATU sh.p.k. Po kështu Meta e Kryemadhi janë angazhuar për të mundësuar lidhjen e një kontrate interkonieksioni ndërkombëtar. Ky fakt vërtetohet nga të gjitha komunikimet me e-mail dhe mesazheve që Adrian Shatku ka bërë me Monika Kryemadhin, Edmond Haxhinaston, Ema Çokun, që është kushërira e Shatkut, Pirro Xhixhon, ish kryetar i AKEP, Ermal Topallin, ish-drejtor i Drejtorisë së Licensimit dhe Rregullave të Ndërtimit në Ministrinë e Transportit dhe Infrastrukturës dhe Rudolf Papës, ish-shef Kabineti i kryetarit të bordit të AKEP, si dhe nga dokumentet shkresore të siguruara gjatë hetimit.

Bazuar nga të dhënat e përfituara nga celulari i Minika Kryemadhit, është dokumentuar që prej datës 4 maj 2011, Adrian Shatku i ka dërguar me e-mail Kryemadhit linkun e një qendre mjekësore, llixhë, në Lanserhof. Nga hetimi ka rezultuar se Ilir Meta, Monika Kryemadhi dhe familjarët e tyre kanë frekuentuar këtë qendër disa herë për periudhën 2013 – 2022.

Më datë 1 prill 2014, në mesditë, Adrian Shatku i shkruan Monika Kryemadhit se është në kafe me Ermal Topallin, i cili në vijim rezulton se ka luajtur një rol aktiv në funksion të dhënies së lejes për kompaninë UNIFI Holding INC, dega Shqipëri, për të shtruar rrjetin e fibrave optike në akset nacionale. Në vijim, Monika Kryemadhi ka njoftuar Adrian Shatkun me sms:

“U firmos dhe u shpërnda tek të gjithë ministrat”

Adriani i përgjigjet: “Urime, punë e shkëlqyer!”

Nga hetimi ka rezultuar se me gjithë përpjekjet për miratimin me VKM, ky projekt nuk i ka shkuar për miratim qeverisë, pasi nuk është dakordësuar nga ministrja Milena Harito. Kjo kundërshti nga ana e ministres Harito, rezulton dhe nga mesazhi i datës 11 prill 2014 që Adrian Shatku i ka dërguar Monika Kryemadhit, ku i shkruan se: Ajo që thotë Milena është “Bizare”. Ato përveç prishjes së monopolit duhen ndjekur për dëme financiare.

Më 19 qershor 2014, Adriani e pyet Monikën nëse ka folur me Ëngjëllin lidhur me projektin e BIN. Lidhur me temën e shtrimit të fibrave optike, rezulton se Adrian Shatku për një farë kohe nuk është interesuar më tej për të marrë një zgjidhje problemi i shtrimit të fibrave optike.

Më 17 qershor, Darren Farber i ka dërguar një e-mail Adrian Shatkut ku e pyet nëse projekti i kabllit nënuajor është gati për financim.

Nisur nga ky e-mail, Shatku fillon përsëri bisedat me Monika Kryemadhin dhe e pyet se si po ecën problemi me kabullin: Ka ndonjë të re me kabullin? Investitorët po humbasin besimin. Duhet vepruar tani.

Ndërsa Monika i përgjigjet: Besoj këtë javë. Mi bëj një kërkesë zyrtare Mondit që ta japi të drejtën për të vendosur fibër në akset e rrugës. Me letër, jo elektronike, ta printojmë.

Shatku e pyet nëse duhet t’i dërgojnë një kopje Ramës, Metës, Milenës ose Ambasadës Amerikane dhe Monika i përgjigjet: JO.

Më 24 shtator 2014, Monika Kryemadhi i shkruan Adrian Shatkut se ka shkuar në San Marino, në nëntor do të shkojë në Lanserhof dhe se Bora do të vazhdojë Universitetin në Angli, jo në Amerikë. Të nesërmen, Kryemadhi ndërsa ndodhet në San Marino, ka tentuar të bëjë blerje në “Ferreti Boutique”, por karta American Express nuk kishte punuar dhe për këtë fakt informon nëpërmjet një mesazhi në WhatsApp. Nga këqyrja që iu bë llogarisë bankare të Monika Kryemadhit, rezulton se më 25 shtator 2014, ajo ka bërë blerje në dyqanin “Ferreti boutique”, në vlerën 3 mijë euro, paguar me kartën e lidhur me llogarinë e saj bankare, e cila është debituar. Në vijim ajo ka bërë blerje në një tjetër dyqan por karta përsëri nuk është pranuar. Lidhur me këtë refuzim, Shatku i thotë se kompania e kartës ka menduar se ka qenë e vjedhur dhe pasi bën një telefonatë i thotë Monikës që ta përdorë. Dhe pasi sërish nuk funksion, Shatku i thotë se kjo mund të ndodhë ngaqë nuk e ka përdorur asnjëherë. Më pas i thotë se kompania bëri reset të kartës dhe mund ta përdorte. Nga bisedat rezulton se pagesa për blerjen 12 mijë euro është kryer me sukses.

Sipas Prokurorisë, nga bisedat mes Adrian Shatkut dhe Monika Kryemadhin, është arritur në konkluzionin se jo vetëm Kryemadhi, por edhe Ilir Meta janë angazhuar në funksion të sigurimit të lejes për shtrimin e fibrave optike, por i kujtojnë Shatkut që të jetë i kujdesshëm dhe mos t’i përmendë emrat e tyre.

Më datë 16 maj 2014, Adrian Shatku dhe Monika Kryemadhi shkëmbejnë mesazhe për të mbyllur çështjet e hapura. Ndërsa Kryemadhi bie dakord, duke e porositur që të interesohej për universitetin e vajzës së saj, Borës.

Shatku: Vajti ok? Nga java tjetër është mirë të jem andej? Të mundohemi të mbyllim çfarë është hapur? Berisha përdor ofensivën si diferencë. Mos i shkoni në agjendën e tij. E di mirë ti…

Kryemadhi: Po shumë mirë, hajde.

Kryemadhi: Për Berishën Varja. Mendo ca universitete për Borën.

Shatku: Ok, shihemi javës që vjen. Me Borën flasim andej. Do ishte mirë të vije këtej për ca ditë.

Kryemadhi: Po patjetër, por kur të vish që t’i fiksojmë të gjitha dhe më pyet pak si mund të sigurojmë bursë, se ne bëjmë edhe deklarim.

Shatku: Dakord. Gjithçka është e mundur. Flasim Atje.

Duke mbajtur parasysh të dhënat e mësipërme, SPAK ka arritur në konkluzionin se ka dyshime të arsyeshme, bazuar në prova se Monika Kryemadhi përveç ndikimit që ka ushtruar tek Dietlof Mare, CEO i atëhershëm i Vodafone, me qëllim lidhjen e kontratës, ka pasur interes të informohet edhe për fitimin bruto që kompania Unifi Holdings INC, dega Shqipëri, realizon për çdo muaj dhe këtë interes ajo e ka shprehur në komunikimet që ka pasur me Adrian Shatkun. Shatku ka ndarë të gjitha problematikat që janë shfaqur si para lidhjes së kontratës me Vodafone, ashtu edhe pas lidhjes së saj, me Monika Kryemadhin, si dhe i ka dërguar asaj edhe të dhënat e ndarjes së fitimit nga aktiviteti i interkonieksionit, ku Monika ka përfituar përkatësisht 34 638 euro për muajin korrik dhe gusht 2014 dhe në total ka përfituar afto 69 mijë euro. Në muajin shtator 2014 fitimi neto ka qenë 102 277 euro, por nuk dihet nëse fitimi është ndarë sipas skemës:

Megjithatë, fakt është që për muajin shtator Monika ka kërkuar ballafaqim për shifrat. Ndërsa më 4 nëntor 2014, Kryemadhi i ka shkruar Adrian Shatkut që të marrë në telefon Ilir Metën, sepse e ka kërkuar.

Në lidhje me hetimin, i është marrë deklarim edhe Theodhori Çamit, aksioner i kompanisë “Lespot”, që është përmendur në komunikimet mes Monika Kryemadhit dhe Adrian Shatkut.

E kam njohur Monika kryemadhin në vitin 2010 kur erdhi komshie në Lalëz, ngjitur me shtëpinë time. Monika ka hyrë për të banuar në shtëpinë e saj në vitin 2011. Njohjet me Monikën dhe Ilirin vazhduan në vijim si komshi, ku pinim kafe, luanim volejboll. Në vitin 2014, Monika më takoi në plazh në Lalëz dhe më tha që të ndihmojmë pak Emën, se ka një kushëririn e vet me emrin Adrian Shatku, që ka një kompani shumë të madhe në fushën e interkonieksionit, se do që të marrë pjesë në këtë biznes. Më kërkoi që ta ndihmoja që të bënte një takim me drejtorin e Vodafone.

Sipas SPAK, bazuar nga të gjitha të dhënat. Monika Kryemadhi ka përfituar të ardhura nga aktiviteti i kompanisë Unifi Holdings, dega Shqipëri, si dhe ka përfituar pagesa për të mira materiale nga Adrian Shatku. Përfitimet konsistojnë në pagesa për udhëtimet dhe akomodimet e Monika Kryemadhit në Amerikë dhe Angli, pagesa për blerje në dyqanet “Maccapani”, me vlerën 12 mijë dollarë, pagesën në shumën 3200 euro për shpenzime arsimi për Bora Metën, etj. Gjithashtu, Monika Kryemadhi ka përfituar një kartë krediti Amerikan Expres, e cila është lëshuar nga kjo kompani. Llogaria bankare nga e cila është rimbushur karta, nuk është identifikuar ende nga autoritetet gjyqësore të Britanisë së Madhe. Nga të dhënat e bisedave dhe e-mail-eve, është vërtetuar se Kryemadhi ka përfituar edhe nga aktiviteti ekonomik i Unifi Holdings Inc, dega Shqipëri dhe në të paktën dy raste është përfituese e dy shumave prej 34 638 euro.

Monika Kryemadhi dhe Ilir Meta kanë përdorur pushtetin e tyre politik për të mbajtur nën kontroll dhe për të urdhëruar kryetarin e AKEP, Pirro Xhixho, që të krijojë të gjitha kushtet, me qëllim që kompania Unifi Holdings të lidhte kontrata interkonieksioni me kompaninë Vodafone. Si dhe të përfitojë sa më shumë minuta për tranzitim.

Shpenzimet e padeklaruara në “klinikën e jetëgjatësisë”

Me shkresën e datës 10 tetor 2022 i është kërkuar autoriteteve gjyqësore- austriake, të dhënat dhe dokumentacionin shëndetësor që lidhet me pacientët Ilir Meta, Monika Kryemadhi, Bora Meta, Besar Meta dhe Era Metaj, të dhënat për dokumentacionin financiar duke përfshirë fatura shpenzimi, mandate arkëtimi, mandate bankare, identifikim të numrave të llogarive bankare nga ku janë bërë transfertat, informacion mbi mbajtësin e llogarive bankare, etj. Këto të dhëna u kërkuan të merren pranë klinikës private “Goldenes Kreuz” dhe në spitalin shtetëror të Vjenës.

Nga verifikimi i llogarive bankare që Monika Kryemadhi ka në bankat e nivelit të dytë në Shqipëri, nuk rezulton asnjë pagesë në vlerën 7984 Euro në vitin 2014. Iu kërkua autoriteteve gjyqësore te Republikës së Austrisë informacion mbi shpenzimet financiare te kryer në qendrën (llixhën) Lanserhof nga Monika Kryemadhi, Ilir Meta, etj. gjatë periudhës 21 Mars 2013-16 Maj 2013, ndërkohë që një pjesë e shpenzimeve me shumë mbi 300 mijë lekë duhet të deklaroheshin si zë më vete.

Nga këqyrja e aktit të ekspertimit rezultoi se në 6 Tetor 2014, zyra e rezervimit të qendrës Lanserhof i ka kërkuar Monika Kryemadhit nëpërmjet e-mail- it, që të bëjë parapagim për rezervimin dhe bashkëlidhur e-mail-it i ka dërguar të dhëna për llogarinë bankare të Lanserhof.

Nga bisedat e zhvilluara nga Monika Kryemadhi, rezulton se Monika ka kryer trajtime mjekësore në Lanserhof prej datës 2 Nëntor 2014 deri në 16 Nëntor 2014. Pacienti Bora Meta… ka paguar cash në datën 22 Mars 2013, shumën prej 8.114 Euro nga të cilat 6.000 Euro parapagim.

Ilir Metaj, ka qenë i shtruar në klinikën Konfraternitat nga data 21 Mars 2013 deri në datën 25 Mars 2013 dhe për trajtimin mjekësor që ka marrë, ka paguar cash në datën 22 Mars 2013, shumën prej 7.341 Euro nga të cilat 6.000 Euro parapagim.

Monika Kryemadhi ka qenë e shtruar në klinikën Konfraternitat nga data 22 Mars 2013 dhe për trajtimin mjekësor që ka marrë, ka paguar shumën prej 1.474 Euro. Pagesa nuk jep detaje për mënyrën se si është kryer.

Nga shqyrtimi i deklaratave periodike/vjetore të shtetasve Ilir Meta dhe Monika Kryemadhi për vitin 2013 rezulton se janë deklaruar pakësim i gjendjes cash me 10.000 Euro dhe pakësim i gjendjes së llogarisë së pagës në vlerën 243.000 lekë. Në rubrikën shpenzime të deklarueshme nuk kanë deklaruar shpenzime mjekësore në vlerën 17.429 Euro të shpenzuara

Në përgjigje të letërporosisë është informuar se për periudhën 28 Korrik 2013 -15 Tetor 2023, Ilir Meta, Monika Kryemadhi dhe Bora Meta kanë qëndruar në Lanserhof (që reklamohet si klinika e jetëgjatësisë) gjithsej 8 herë. Sipas dokumenteve të qëndrimit, pagesave për rezervim dhe pagesave për trajtimin, rezultoi se këta shtetas kanë shpenzuar për qëndrimin e tyre në këtë resort, shumën prej 98.677 Euro e ndarë sipas viteve si më poshtë:

Nëna pensioniste e Kryemadhit, futi në sistem 846 mijë euro

Sinkron- Fatime Kryemadhi në dalje te SPAK 11 Prill 2024: Çdo gjë e kam me banke, kam punuar gjithë jetën…

Edhe pse Fatime Kryemadhi, nëna e Monika Kryemadhit, pretendoi përballë mediave se kishte punuar gjithë jetën për të vënë pasuritë që kishte, për SPAK, nga analiza e pasurisë dhe transaksioneve, zonja rezulton pa burime të ligjshme për transaksionet që ka kryer.

Për hetuesit është e pabesueshme që puna e një jete për zonjën Fatime Kryemadhi të konkretizohet dhe bëhet e dukshme gjatë viteve 2008-2010, kohë kur ka një numër të lartë transfertash bankare, shpesh me burim të padeklaruar.

Zanafilla e transaksikoneve merr jetë për blerjen e një apartamenti Dublex, i deklaruar nga çifti Meta-Kryemadhi sini blerë për 400 mijë euro me burim shitjen e një banese në Golem dhe një kredi bankare.

Pasuria e llojit apartament me sipërfaqe prej 200 m2 ndodhur në rrugën “Vaso Pasho” nuk është financuar nga 200.000 Euro të cilat shtetasit Ilir Meta / Monika Kryemadhi, kanë deklaruar se i kanë pasur gjendje cash nga shitja e vilës në Qerret-Kavajë dhe 200.000 Euro kredi bankare, por burim i financimit janë 100,000 Euro nga kredia në vlerën 335.000 Euro e marrë në datën 29 Mars 2010 prej shtetases Fatime Kryemadhi, 100.000 Euro nga para të depozituara cash nga Fatime Kryemadhi në datën 17 Maj 2010, dhe 200.000 Euro kredi bankare. Kjo dhe për faktin se jo vetëm që nga Ilir Metj dhe Monika Kryemadhi deri në këtë kohë nuk është deklaruar ndonjëherë gjendje cash, por dhe për faktin që në këtë periudhë kohore me gjithë transkasionet financiare të kryera, nuk ka asnjë depozitim cash nga Monika Kryemadhi dhe Ilir Meta. Ndërkohë që vetë Fatime Kryemadhi dhe 1 vit më parë, rezulton se ka pasur pamundësi financiare.

SPAK thotë se për të fshehur burimin e vërtetë të parave që janë përdorur për të blerë apartamentin, i cili në të vërtetë ka kushtuar më shumë se 400 mijë euro, janë përdorur kreditë bankare, që më pas janë shlyer nëpërmjet kreditimeve të llogarive me para kesh dhe burim të padeklaruar.

Lidhja e kontratës me shtetasen Kozeta Fino nga ana e Fatime Kryemadhit, marrja prej saj e kredisë bankare, si dhe financimi me këto të ardhura i një pjese të apartamentit të blerë nga Ilir Meta e Monika Kryemadhi, ndërkohë që vetë Fatimja në këtë kohë ishte pensioniste, krijon dyshimin e arsyeshëm se është bërë me qëllim për të futur në sistemin bankar shuma monetare që burojnë nga veprimtari të paligjshme sikurse është dhe vepra penale e “Korrupsionit”. Me qëllim për të mos përdorur për blerjen e apartamenteve këto shuma parash me origjinë korruptive, është përdorur si truk marrja fillimisht e dy kredive bankare, dhe më pas shlyerja e kredive nëpërmjet depozitimit Cash pa burim të ligjshëm nga Fatime Kryemadhit, me deklarimin e burimeve të paqena sikurse është rasti i shtetasit G.S., me qëllim shlyerjen e kredive, është arritur që të futen në sistemin bankar një shumë e pajustifikuar parash prej 846,000 Euro.

Hetuesit e posaçëm rendisin 14 arkëtime cash me shuma që nisin nga 2 mijë euro deri në 246 mijë euro të kryera në dy vite nga Fatime Kryemadhi. Për shumën e fundit që deklarohet burim blerja e një toke nga një kompani private, SPAK ka dalë në përfundimin se zonja Kryemadhi ka gënjyer.

Nëpërmjet depozitimeve cash, Fatime Kryemadhi rezulton të ketë shlyer edhe një kredi të marr nga Monika Kryemadhi, si dhe nëpërmjet kartës së vet bankare, që hetuesit thonë se nuk është deklaruar, ajo ka bërë pagesat për shkollën e mbesës në Britaninë e Madhe.

Nga shtetasit Ilir Meta dhe Monika Kryemadhi nuk është deklaruar në deklaratën e interesave periodike/vjetore të vitit 2018 (e dorezuar në mars 2019) dhe në vazhdim, llogaria e përbashkët që Era Meta ka me gjyshen, Fatime Kryemadhi, dhe as shuma prej 100.000 Pound që ndodhen në këtë depozitë. Kjo llogari bankare nuk është deklaruar në asnjë prej deklaratave vjetore të interesave private prej subjekteve Ilir Meta dhe Monika Kryemadhi. Shuma prej 44.000 Pound është financuar nga paratë që Tahir Çelmanaj ka blerë apartamentin ish pronë e Fatime Kryemadhit dhe konsiderohen si produkt i pastruar i veprës penale. E njëjta vlen edhe për shumën prej 11.554 Pound të paguara nga Fatimja për llogari të arsimimit të Bora Metj.

Magjia e zhdukjes së burimit të 369.785 dollar për lobime

Lobimi, një mjet i vënë në duart e grupeve të interesit për të ndikuar në politikë bërje dhe që e ka origjinën nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, që nga koha kur biznesmenë por jo vetëm në lobin e një hoteli pranë Shtëpisë së Bardhë takonin presidentin për të shtyrë para projekte të tyre, duket se i ka krijuar problemin më të madh ish-presidentit Ilir Meta.

Ai dyshohet nga SPAK se nuk ka deklaruar fatura të majme lobimi në SHBA dhe se pagesat i ka kamufluar përmes kompanive offshore dhe miqve të tij, duke pastruar kështu para dhe fshehur origjinën e tyre.

Hetimi për lobimin u shtri në kalimin në sitë nga ana e SPAK të 3 kontratave të lidhura nga Lëvizja Socialiste për Integrim, në atë kohë e drejtuar nga Ilir Meta.

E para ajo me kompaninë GSIS, në fuqi nga janari 2016 deri në dhjetor 2017, tregoi se realisht LSI, kishte paguar mbi 463 mijë dollarë për takime dhe njohje me anëtarë të qeverisë amerikane, por në të vërtetë kishte paguar nga llogaria e saj 93 mijë dollarë dhe po kaq kishte deklaruar pranë Komisionit Qendror të Zgjedhjeve.

Nga krahasimi i të dhënave lidhur me shpenzimet e kryera nga Lëvizja Socialiste për Integrim për qëllime konsulence dhe lobimi të administruara në tre burime: Departamenti i Drejtësisë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Lëvizjes Socialiste për Integrim dhe bankave të nivelit të dytë, rezulton se Lëvizja Socialiste për Integrim në periudhën janar 2016-dhjetor 2017, i ka paguar kompanisë GSIS LLC për qëllime konsulence dhe lobimi 463 546 dollarë dhe ka deklaruar shpenzime për kosulencë pranë Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, si dhe i ka paraqitur grupit të hetimit vetëm tri fatura të paguara në shumën 93 761 dollarë. Diferenca prej 369 785 dollarë është paguar nga një entitet i padeklaruar nga LSI.

Në korrespondencën që SPAK ka kryer me autoritetet amerikane dhe që e sqaron për gjyqtarin e hetimit paraprak, burimi i kësaj shume është edhe për ta i pa identifikueshëm.

Adrian Shatku, shfaqet sërish. Biznesmeni amerikan, i cili në komunikimet e gjetura në një telefon të Monika Kryemadhit, sekuestruar në banesën e nënës së saj, krijon idenë e një lidhje të ngushtë të çiftit Meta-Kryemadhi, rezulton të ketë paguar dhe lëvizur gurë për të krijuar lidhje që ai i konsideron të rëndësishme për ta.

Në cilësinë e një miku-këshilltari dhe bashkëpunëtori, Shatku rezulton të ketë paguar shërbime të tjera për personat që kanë ardhur në Shqipëri si rezultat i marrëveshjeve të lobimit të lidhura mes LSI dhe kompanisë amerikane GSIS.

Adrian Shatku dhe kompania UNIFI Communication Inc kanë kryer pagesa në shumën 253 285 lekë për llogari të partisë Lëvizja Socialiste për Integrim me qëllim mbulimin e shpenzimeve që lidhen me ekzekutimin e kontratës së këshillimit që LSI kishte lidhur me kompaninë Global & Innovative Strategies LLC.

Këto pagesa lidhen me faturat e qëndrimit në një hotel në qendër të Tiranës, për 3 personaliteteve që vinin nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës në Shqipëri për takime me përfaqësues të LSI të organizuara nga kompania lobuese.

Pagesa 100 mijë dollarë nga një kompani Offshore

Në janar të 2017-ës, edhe pse e lidhur me një kompani tjetër lobimi që zgjaste deri në fund të të njëjtit vit, Lëvizja Socialiste për Integrim, lidh një tjetër kontratë me kompaninë MCkeon Group inc.

Kjo kontratë ishte 6-mujore dhe pagesa ishte 15 mijë dollarë në muaj. SPAK thotë se pas një muaji nga lidhja e kësaj kontrate, ajo është ndërprerë në shkurt, por pavarësisht kësaj, në dy muaj të tjera, Ilir Meta dhe LSI kanë marrë shërbime pasi për llogari të tyre është lidhur një kontratë me kompaninë Dorelita Limited.

Dorelita Limited ka angazhuar Grupin McKeon, për të kryer aktivitete politike në emër të Ilir Metës dhe se aktivitetet lobuese te Grupit McKeon të zhvilluara në muajin Prill 2017, u kryen në mbështetje të Ilir Metës. Grupi McKeon ka sqaruar në deklaratën me shkrim se në 14 Shkurt 2017, kishte ndërprerë regjistrimin e tij në FARA në emër të LSI-së dhe Ilir Metës. Në datën 24 Mars 2017, Dorelita Limitet kishte angazhuar Grupin McKeon për të kryer aktivitete politike në emër të klientit të saj Ilir Meta, anëtar i LSI-së. Nisur nga fakti se kontrata midis Dorelita Limited dhe Grupit McKeon ka zgjatur dy muaj dhe tarifa mujore e përcaktuar në kontratë ishte 50 mijë USD, arrihet në konkluzionin se Dorelita Limited ka paguar 100 mije USD, rrjedhimisht Ilir Meta ka paguar 100 mijë USD, para të cilat nuk janë deklaruar nga Ilir Meta ne Deklaratën e Interesave Private Vjetore të vitit 2017, dhe nuk janë pasqyruar në pasqyrat financiare që partia LSI ka depozituar në KQZ.

Miqtë nuk lënë në baltë LSI-në

Miku i mirë duket në ditë të vështira dhe duket se ish-presidenti dhe ish -bashkëshortja e tij, Monika Kryemadhi kanë ditur të zgjedhin miqtë. Edhe për një tjetër kontratë lobimi e lidhur nga LSI me kompaninë JPM Strategic Solution, SPAK thotë se janë paguar para nga njerëz të lidhur me ta, si Ardian Shatku dhe shtetasja Ema Çoku, kjo e fundit e marr nën hetim.

Hetimi i kryer, ka treguar se LSI ka deklaruar pagesa për këtë kompani gjatë vitit 2017 dhe 2019, ndërkohë që prej vitit 2016, ajo që ka pagesa të rregullta ndaj kompanisë së lobimit është kompania e Ardian Shatkut.

Më herët se viti 2013, rezulton se edhe Ema Çoku nëpërmjet kompanisë së saj B.S.K SHPK ka bërë pagesa që sipas SPAK janë bërë prej saj për llogari të Lëvizjes Socialiste për Integrim dhe që lidhen me çështjet e lobimit.

Lidhjet, grupi i hetimit i bën edhe nga të dhënat që kanë rezultuar nga komunikimet që Monika Kryemadhi ka me shtetasin Ardian Shatku, ku në njëri prej tyre flitet për ardhjen në Shqipëri të shtetasit John Moreira, drejtuesi i kompanisë së lobimit JPM Strateguic Solution.

Mesazhi i Arian Shatkut për Monika Kryemadhin: E kisha John në Tiranë jo vetëm për të prezantuar sesionin e strategjisë që është shumë kritike për ju dhe IM pasi tregon vizionin, punën ekipore dhe metrikat për ta matur atë. Ai do të inkurajojë të gjithë ministrat dhe drejtorët që të punojnë së bashku nën një vizion të IM. Ju lutemi bëjeni të ndodhë që John të mund të qëndrojë edhe një ditë ose dy.

Duke grumbulluar të dhëna nga sistemi TIMS, por edhe komunikimet e Monika Kryemadhit me Eriol Brahimllarin, hetuesit thonë se kanë konfirmuar që Moreira ka shërbyer për LSI që prej vitit 2015.

Moreira ka kryer aktivitet për llogari të LSI-së edhe në vitin 2015 dhe kohë kur është shoqëruar nga Eriol Brahimllari (në datën 22 Tetor 2015, ora 10.24, me automjetin me targa AA164BX). Nga ana e organit procedues është dokumentuar se për vitin 2013 dhe 2015, John Moreira është shoqëruar nga një funksionar i LSI-së, rezervimi i qëndrimit në Hotel Rogner për periudhën 2014-2017 është kryer në emër kompanisë Unifi Comunication INC dhe një pjesë e shpenzimeve për vitin 2015 dhe 2016 janë paguar nga Adrian Shatku.

Por miku i mirë i LSI-së nuk është vetëm biznesmeni Shatku, por edhe Ema Çoku. Kjo e fundit përveç një pagese për kompaninë JPM Stragic Solution, prej 12 mijë dollarësh, rezulton të ketë paguar edhe aktivitet për partinë dhe dhënë hua dhe shuma parash familjes Kryemadhi.

Ema Çoku është lidhje e afërt familjare me shtetasit Ilir Meta dhe Monika Kryemadhi. Kjo shtetase nëpërmjet punonjëses së saj, Vera Bazi, ka paguar në vitin 2013, për aktivitet argëtues të LRI-së, shumën 4 103 605 lekë, ka paguar në vitin 2013 me derdhje cash në bankë për llogari të Hotel R., ka bërë donacione në vlerën 7 000 Euro. Kompania B.S.K shpk e Ema Çokut, ka paguar në vitin 2013, shpenzimet e akomodimit në Hotel Rogner për shtatë shtetas të huaj midis të cilëve edhe John Moreira dhe Patrick Faust, shumën 1 142 000 lekë. Janë dokumentuar edhe pagesat e kryera nga shtetasja Vera Bazi, (e punësuar pranë kompanisë B.S.K shpk) për llogari të Lëvizjes Rinore për Integrim. Në datën 30 prill 2013 ka derdhur cash ne llogarinë e Hotel Rogner, shumën 10 000 Euro për shërbimin “ushqim dhe pije, banket i LRI-së”. Gjithashtu, Vera Bazi në datën 11 qershor 2014 ka derdhur cash në një bankë shumën 300 000 lekë për shërbimin “event i organizuar ne datën 10 qershor 2013 nga LRI” dhe në datën 25 shtator 2014, ka derdhur cash shumën 363 910 lekë për shërbimin “event i organizuar ne datën 10 qershor 2013 nga LRI”.

Prej disa muajsh, madje edhe në sallën e gjyqit, kryeprokurori i SPAK, që është edhe një nga prokurorët e çështjes, Altin Dumani, po sulmohet rregullisht nga Ilir Meta. Por vetë Dumani, mori bekimin nga Meta, si President i Republikës, më 19 dhjetor 2019, kur mori detyrën. Por pas këtij shtrëngimi duarsh, gjithçka do të ndryshonte për Ilir Metën dhe familjen e tij.

“Ndiq paratë”. Kjo frazë nisi të bëhej e famshme pas filmit të vitit 1976, “All the President’s Men”. Aty dëshmohej se si mund të zbulohej korrupsioni politik duke shqyrtuar transfertat e parave.

Sot, kjo frazë është teoria thelbësore e luftës kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, tashmë e vënë në praktikë nga SPAK. Të fuqishmit po bien një e nga një nga froni. Tetorin e vitit 2023 ishte radha e ish-kryeministrit Sali Berisha, dhëndrit dhe familjes së tij. Fiks një vit pas tij, edhe Ilir Meta e Monika Kryemadhi patën të njëjtin “fat”.

Dy prej familjeve më të fuqishme për vite e vite me radhë, sot po japin llogari para drejtësisë. Berisha që vuri gjithë shtetin në shërbim të familjes së tij dhe Meta që përdori pushtetin për të vjedhur shtetin. Në të dy rastet, emëruesi i përbashkët është korrupsioni./abcnews.al

Analiza e VOA: Pse Karolina e Veriut është një nga shtetet fushëbetejë dhe me rëndësi kyçe në garën presidenciale mes Harris dhe Trump

Karolina e Veriut është shfaqur si një shtet i rëndësishëm në betejën zgjedhore për president që kur Nënpresidentja Kamala Harris zëvendësoi Presidentin Joe Biden si kandidate e Partisë Demokrate. Në korrik, Presidenti Biden doli pas kandidatit republikan Donald Trump në sondazhe me pothuajse shtatë për qind diferencë, sipas “Cook Political Report”.

Por, zonja Harris fitoi terren, duke e kthyer atë nga një shtet që voton kryesisht republikanët në një shtet “fushëbetejë”. Karolina e Veriut, shtet bregdetar juglindor, ka parë një fluks të të ardhurve të rinj në vitet e fundit, gjë që ka ndryshuar hartën e saj politike. Aty janë shpërngulur më shumë të rinj dhe pakica, të tërhequr nga sektori teknologjik në rritje, duke shtuar mbështetjen për demokratët edhe në zonat periferike.

Ekziston gjithashtu një popullsi e konsiderueshme afrikano-amerikane që janë entuziastë për kandidaturën e zonjës Harris. Në të njëjtën kohë, Karolina e Veriut ka një popullsi më të madhe rurale nga shtatë shtetet fushëbetejë, një segment që është bërë gjithnjë e më shumë republikan.

Demokratët shpresojnë se mund të fitojnë zgjedhjet presidenciale në këtë shtet për herë të parë që nga viti 2008. Ekipi i fushatës së zotit Trump e sheh Karolinën e Veriut si me rëndësi kritike për rrugën e tij drejt fitores.

Disa muaj më parë, Karolina e Veriut konsiderohej një shtet ku dukej që fituesi i zgjedhjeve presidenciale do të ishte kandidati republikan. Ish presidenti Donald Trump kryesonte në sondazhe.

Por pasi Nënpresidentja Kamala Harris u bë kandidatja e demokratëve epërsia që kishte krijuar zoti Trump filloi të bjerë.

Tani, Karolina e Veriut konsiderohet një shtet fushëbetejë, një nga shtatë shtetet që ka të ngjarë të përcaktojnë fituesin e zgjedhjeve.

Karolina e Veriut është një vend i larmishëm, i njohur për malet dhe plazhet e saj; sektorin bankar, bujqësinë dhe popullatën me prejardhje të ndryshme.

Profesori i shkencave politike Eric Heberlig analizon situatën në këtë shtet të pavendosur.

“Karolina e Veriut është shtet i pavendosur, sepse ka shtetas nga të gjitha komunitetet. Këtu janë të gjitha grupet demografike që janë me rëndësi kritike për votat e të pavendosurve”, thotë profesori Heberlig.

Por kandidatët republikanë për president kanë fituar 10 nga 11 zgjedhjet e fundit në Karolinën e Veriut. Pse demokratët mendojnë se mund të sigurojnë fitore këtë vit?

“Ka një popullsi në rritje dhe më të re… Demokratët nuk ishin shumë të entuziazmuar me kandidaturën e Joe Bidenit, veçanërisht votuesit më të rinj. Kamala Harris është më e re, sjell më shumë energji, çka është pritur mirë nga votuesit e rinj. Karolina e Veriut ka një përqindje të konsiderueshme pakicash, veçanërisht afrikano-amerikanë. Ata e pritën shumë mirë kandidaturën e Harrisit… Ne kemi një sektor teknologjie në rritje, një popullsi hispanike dhe aziatike në rritje”, thotë me tej ai.

Shumë prej këtyre të ardhurve të rinj po shkojnë drejt periferisë, duke i bërë këto zona më pak republikane, me kalimin e kohës. Në vitin 2020, zoti Trump fitoi Karolinën e Veriut me një diferencë prej vetëm 1.3 për qind ndaj zotit Biden.

“Ka gjithashtu pensionistë të racës së bardhë që shkojnë për të jetuar në zonat më rurale. Pra, arrihet një lloj balancimi midis qarqeve urbane, ku ka rritje të demokratëve dhe qarqeve më rurale që janë më shumë republikane, të dyja të nxitura nga migrimi”.

Karolina e Veriut ka popullsinë më të madhe rurale nga shtetet fushëbetejë, me afërsisht një të tretën e banorëve të shtetit që jetojnë në to.

“Fitorja e Obamës në vitin 2008 është dëshmi e vërtetë se çfarë sfide është për demokratët e Karolinës së Veriut të fitojnë zgjedhjet presidenciale këtu. Ne e mendojmë atë si një fitore të madhe për Obamën, por ai e fitoi atë me një total prej 13,000 votash, që është një shifër e vogël. Kjo fitore u arrit vërtet fal asaj që gjithçka shkoi si duhet për Obamën pasi ai kandidoi në kohën kur vendi ishte përfshirë në një luftë për të cilën fajësoheshin republikanët. Kishte edhe një recesion”, thotë profesori Heberlig.

Ashtu si votuesit në nivel kombëtar, shqetësimi kryesor i tyre është ekonomia. Një tjetër çështje është emigracioni.

Demokratët e kanë bërë abortin një pjesë kyçe të fushatës së tyre. Por, kjo çështje mund të mos jetë aq e rëndësishme për të fituar votat në Karolinën e Veriut.

Një sondazh i fundit zbuloi se vetëm 11% e votuesve në Karolinën e Veriut e quajn abortin si çështjen e tyre më të rëndësishme. Kjo është përqindja më e ulët e çdo shteti fushëbetejë.

“Do të jetë një gjë interesante të shihet se sa i nxisin demokratët çështje si aborti ose ruajtja e demokracisë për të votuar këtu”.

“Kjo zakonisht nuk ndodh, sepse procesi për t’u përfshirë në fletën e votimit në Karolinën e Veriut është më i vështirë sesa në shtetet e tjera. Sapo patëm miratimin nga Gjykata e Lartë të vendimit të Gjykatës Supreme të Karolinës së Veriut që pranoi kërkesën e kandidatit të tretë Robert Kenedy Jr. të hiqte veten nga fleta e votimit. Pra, kjo zvogëlon mundësitë që ai të marrë vota nga zoti Trump”, thotë profesori Haberlig.

Disa demokratë shpresojnë se një skandal i fundit që përfshiu garën për guvernatorin e shtetit do të përmirësojë mundësitë e tyre.

Kandidati republikan i mbështetur nga zoti Trump, Mark Robinson bëri deklarata ofenduese në internet.

Profesori Heberlig thotë se kjo mund të dëmtojë kampin republikan.

“Robinsoni do ta ketë të vështirë për të mbledhur fonde. Po ashtu, paratë nuk mund të shpenzohen për fushata të tjera që do të ndihmonin republikanët e tjerë të fitonin, siç është fushata e tyre ‘Dilni dhe votoni’”.

Këshilltarët e zotit Trump mendojnë se fitorja në Karolinën e Veriut është me rëndësi kritike për suksesin e tij në këto zgjedhje. Që kur zonja Harris hyri në garë, ish Presidenti Donald Trump ka bërë fushatë atje më shumë se në çdo shtet tjetër, përveç Pensilvanisë./voa

Goli i tij kualifikoi Rejnxhërs në finalen ndaj Sëlltikut, Bajrami: Jam entuziast, do të jetë një ndeshje e madhe

Nedim Bajrami po lë shenjë gjithnjë e më shumë në radhët e Rejnxhërs, duke u kthyer shpejt në një nga futbollistët më të rëndësishëm të skuadrës skoceze. Sot, goli i tij i solli fitoren 2-1 Rejnxhërs me përmbysje përballë Madhëruell, duke i siguruar praninë në finalen e Kupës së Ligës, që do të luhet pas një muaji përballë Sëlltikut.

“Ne treguam cilësitë tona sot dhe për 90 minuta besuam. Shënuam dy gola të këndshëm dhe në fund jem në finale. Është gjithmonë e vështirë kur pëson gol ndaj skuadrash të tilla, por ne treguam durim në pjesën e dytë.

Mund të shënonim edhe më shumë gola në pjesën e dytë dhe kjo është mënyra se si duhet të luajmë. Kemi ende kohë nga tani e deri te finalja ndaj Sëlltikut, por mendoj se do të jetë një ndeshje e madhe ndaj jam i entuziazmuar”, tha Bajrami pas ndeshjes.

“Goli? Ky ishte një kundërsulm i mirë dhe një pasim i mirë nga Vaclav gjithashtu, mendoj se ishte edhe një finalizim i mirë nga unë dhe se po mundohem të ndihmoj ekipin në çdo ndeshje., Po mundohem t’i marrim ndeshje pas ndeshje, pasi kemi shumë të tilla përpara. Pas tre muajsh këtu po ndjehem mjaft mirë me shokët e skuadrës dhe mundohem të ndihmoj me gola dhe asiste.

Ne duhet të nisemi nga kjo fitore dhe të vazhdojmë këtë rrugë, pasi na presin shumë ndeshje, kemi tani Olimpiakosin dhe do të shkojmë atje të japim më të mirën dhe të fitojmë”, ishin fjalët e mesfushorit shqiptar.

Vuani nga hipertensioni, ja ushqimet që ulin presionin e lartë të gjakut

Presioni i lartë i gjakut, ose hipertensioni, është një nga shkaqet kryesore që rrisin rrezikun e goditjes në tru dhe sëmundjeve kardiovaskulare.

Nëse dëshironi të zvogëloni rreziqet për goditje në tru dhe të mbani presionin e gjakut në një nivel të shëndetshëm, mund të bëni ndryshime të vogla dhe të thjeshta në dietën tuaj.

Dieta mesdhetare

Dieta mesdhetare është e njohur për shumë arsye. E pasur me ushqime të shëmdetsheme dhe mbushin pjatën tuaj me shije, mund të zvogëlojë rrezikun e goditjes në tru. Vendosni drithëra, fruta, perime dhe shumë peshk në pjatën tuaj për të përmirësuar shëndetin tuaj kardiovaskular.

Drithërat

Nëse dëshironi të mbani nën kontroll presionin e gjakut, drithërat janë zgjidhja më e mirë për ju. Krundet, tërshëra, orizi kaf dhe buka me grurë integrale ofrojnë lëndë ushqyese që ndihmojnë në uljen e kolesterolit dhe mbajnë nivelet e presionit të gjakut në nivele të shëndetshme.

Frutat

Frutat janë të pasura me antioksidantë dhe fibra, të cilat ndihmojnë në reduktimin e inflamacionit dhe mbrojtjen e shëndetit kardiovaskular. Portokalli, dardha, mollë dhe boronica janë disa nga frutat që ju vijnë në ndihmë për të mbajtur në ekuilibër inflamacionin dhe presionin tuaj.

Perimet

Perimet janë të pasura me vitamina, minerale dhe fibra që mbështesin shëndetin kardiovaskular. Karota, brokoli, lakra etj., ndihmojnë për një zemër të shëndetshme dhe uljen e presionit të gjakut.

Proteina

Përfshini ushqime të pasura me proteina në dietën tuaj, të tilla si mish pa dhjamë, peshk (p.sh. salmoni dhe sardelet), fasulet, thjerrëzat dhe arrat. Këto ushqime mund të zvogëlojnë rrezikun e goditjes në tru duke ndihmuar enët tuaja të gjakut të qëndrojnë të forta dhe të shëndetshme.

Lumi i Fierit merr ngjyrë të zezë, alarmohen banorët! Ja çfarë e ka shkaktuar katastrofën ambientale

Prag-katastrofe natyrore edhe në Fier.

Ndoten ujërat e lumit Gjanica. Kundërmon nga era e rëndë e mbetjeve hidrokarbure, ndërsa ujërat e tij janë shndërruar në ngjyrë të zezë.

Çdo muaj nëntor kjo është panorama e lumit që përshkon qytetin, i cili ndotet jo vetëm nga llumi i mbetjeve hidrokarbure, por edhe i fabrikave të vajit. Kjo situatë nuk rrezikon vetëm faunën në ujëra, por edhe shëndetin e banorëve.

Sipas informacionit të marrë pranë Agjencisë Rajonale të Mjedisit, do të identifikohet origjina e ndotesve, vendi nga janë hedhur dhe autorët e përfshirë, për të marrë edhe masat ndëshkuese, siç ka ndodhur edhe në precedentët e kaluar.

Mbi-diagnostifikimi: Një progres apo regres i psikiatrisë?!

Nga Neli Demi

Në fund të veprës së tij “Studime mbi histerinë”, Sigmund Frojd shprehet se: “…do të ishte një arritje e madhe në qoftë se ne do të mund të transformonim mjerimin histerik në një palumturi normale. Në një jetë mendore që rikthehet në të shëndetshme, ju do të jeni të pajisur më mirë me mjete për të luftuar këtë palumturi.”

Sigurisht që Frojdi këtë përcaktim ia atribuon synimit që psikoanaliza ka si mision kryesor në trajtimin e problemeve mendore të njerëzve, por në kontekstin e diskutimit të paraprirë nga titulli i këtij shkrimi, ky përcaktim merr një rëndësi të veçantë pasi tendenca gjithnjë e në rritje e komunitetit të profesionistëve të shëndetit mendor e sidomos e psikiatërve është “simptomatizimi i diagnozave”. Ky togfjalësh, në fakt, është një “shpikje” e imja në mungesë të një shprehjeje tjetër të vërtetuar shkencërisht (e ndryshme por e mbivendosur në kuptim me shprehjen “epidemia e diagnostikimit” e përdorur nga Allen Frances) për të përcaktuar këtë fenomen që, në mendimin tim, ushqehet nga një “dëshirë” për të përcaktuar një diagnozë për çdo formë të re të shprehjes së gjendjeve mendore që prodhojnë një disfunksion në jetën e një individi.

DSM (Diagnostic and Statistical Manual for Mental Disorders) dhe ICD (International Classification of Diseases) në versionet e tyre më të freskëta, sipas mendimit tim (dhe jo vetëm), po bëhen gjithnjë e më tepër “viktima” të kësaj tendence. Kjo dukuri është e shpërndarë pothuajse në të gjithë spektrin e çrregullimeve, por është akoma më e dukshme në grupin e çrregullimeve të shëndetit mendor të fëmijëve dhe adoleshentëve. Rritja eksponenciale e diagnostikimit me çrregullime të tilla si: ADHD (çrregullimi i defiçitit të vëmendjes dhe hiperaktivitetit), autizmit, çrregullimit Bipolar II, PTSD apo çrregullimeve të personalitetit (sidomos atij borderline/kufitar) është pasuar—me të drejtë, sipas mendimit tim—nga diskutime në qarqe akademike që hedhin “dyshime” jo domosdoshmërisht mbi ekzistencën e këtyre diagnozave në kuptimin e veçantësisë patologjike, por kryesisht në fillin e hollë që ndan patologjiken nga reagimet ndaj situatave të vështira jetësore të përkohshme në jetën e individit.

Diagnoza është një përcaktim/përfundim mjekësor që në të njëjtën kohë përpiqet të japë informacion mbi shkaqet, simptomat dhe trajtimin e një sëmundjeje. Fatkeqësisht, në psikiatri, dihet akoma shumë pak në mënyrë të vërtetuar shkencërisht mbi shkaqet e sëmundjeve mendore. Kjo gjë është akoma më e vërtetë në qoftë se psikiatrinë, siç ndodh shpesh, e reduktojmë në një disiplinë ekskluzivisht biologjike. Derisa neuroshkenca nuk do të jetë në gjendje të na konfirmojë ekzaktësisht biomarkerat për çdo lloj çrregullimi mendor, ne si profesionistë të fushës do të vazhdojmë të jemi “peng” të dilemës VEZA apo PULA, por edhe në qoftë se do të vijë ajo ditë e konfirmimit të biomarkerave specifikë, veçantësitë familjare, sociale e kulturore të individëve do të vazhdojnë të kenë shumë peshë si në diagnostikim ashtu edhe në ndërhyrjet terapeutike. Në këtë “boshllëk” etiologjik, praktika diagnostikuese psikiatrike (e pranishme gjithnjë e më tepër) që mbështetet kryesisht në një “check-list” simptomash e ku psikiatrit po harrojnë gjithnjë e më tepër të përdorin armën më të fuqishme që kanë në dispozicion, DËGJIMIN (jo në kuptimin shqisor por në kuptimin e funksionit mendor), diagnostikimi jo vetëm që nuk jep informacione të sakta mbi shkaqet e çrregullimit por as kontribuon sa duhet në trajtimin e duhur.

Shumë akademikë të fushës së psikiatrisë e shohin këtë tendencë hiper-diagnostikuese si të lidhur pikërisht me këtë “prapambetje” të psikiatrisë në krahasim me disiplinat e tjera mjekësore, ku shkaqet e çrregullimeve janë shumë të qarta e më të studiuara. Pra, një lloj “kompleksi inferioriteti!” Dhe, si çdo lloj kompleksi inferioriteti, mund të prodhojë “deluzionin” që dimë më shumë se ç’mund të dimë në realitet.

Mendimet e radhitura në këtë shkrim kanë shëtitur prej më shumë se një dekade në mendjen time në një formë më të pastrukturuar, por leximi i kontributit të Joel Paris (shih më poshtë), më dha të drejtë brenda meje në ndjesitë e mendimet e mia!

Overdiagnosis in Psychiatry: How Modern Psychiatry Lost Its Way While Creating a Diagnosis for Almost All of Life’s Misfortunes, by Paris Joel
Oxford University Press, 2015

Basha: PD nuk është klubi Partizani që të privatizohet nga familja Berisha

Kreu i PD-Demokratët Euroatlantikë, Lulzim Basha, në intervistën për gazetën “Tema” foli edhe për vulën e PD ku rikonfirmoi angazhimin për t’i shkuar deri në fund rrugës ligjore. Ai theksoi se Partia Demokratike nuk është klubi partizani që të rrëmbehet nga një person.

Basha gjithashtu tha se është e domosdoshme që shqiptarët, pavarësisht përkatësisë politike, të kenë një alternativë përballë qeverisjes aktuale. Ai shtoi se programi i demokratëve euroatlantikë që është esencialisht kombëtar dhe euroatlantik, do të jetë para të gjithë shqiptarëve.

“Nuk mund të pranojmë padrejtësinë të kthehet në një standart në këtë vend, aq më shumë kur bëhet fjalë për diçka që nuk mund të privatizohet apo të rrëmbehet nga një person i vetëm. Nuk mund ta pranojmë këtë. Partia Demokratike nuk është klubi partizani. Kështu që ne do të bëjmë betejën tonë ligjore deri në fund, dhe njëkohësisht do të ndjekim të gjitha hapat që alternativa jonë, që është një alternativë esencialisht kombëtare dhe euroatlantike, të jetë para të gjithë shqiptarëve. Që shqiptarët, të djathtë, të majtë qofshin, të zhgënjyer me këtë qeverisje, të mllefosur me këtë qeverisje mos të mbeten në kafazin o Rama, o Berisha. Do të ketë alternativë, alternativa do të jemi ne me programin tonë dhe me ekipin tone” – u shpreh Basha.

Tiranë, 65% e meshkujve të grupmoshës 25-34 vjeç janë beqarë

65% e meshkujve të grupmoshës 25-34 vjeç që jetojnë në qarkun e Tiranës janë beqarë.

Këtë tregojnë të dhënat e detajuara të Censit të publikuara së fundmi, sipas së cilit ndonëse popullsia e qarkut Tiranë dominohet nga gjinia femërore, numri më i lartë me statusin beqar është tek meshkujt.

Për sociologen Entela Binjaku, të tilla të dhëna reflektojnë fenomenin e rritjes së moshës së martesës që në pamje të parë lexohet si formë pjekurie, por në brendësi ka edhe një sërë faktorësh që po i bëjnë të rinjtë të hezitojnë të martohen.

“Nuk është vetëm ky shkaku i vetëm, nevoja për të qenë më të pjekur, zakonisht pas shkaqeve që janë në shtyrje të moshës së martesës është pasiguria; pasiguria për të siguruar ekonomikisht familjen, një strehë dhe shpeshherë meshkujt hezitojnë pasi janë të pasigurt.”, tha Entela Binjaku per TV Klan.

Për pasojë, edhe lindjet në shoqërinë shqiptare kanë rënë dhe gjendur në këtë situatë propozohen disa politika mbështetëse.

“Po të kishte më shumë politika mbështetëse, jam e sigurt që nuk do kishte këtë hezitim. Financime për të blerë banesën e parë, makinën e parë.”, tha ajo.

Ndërsa meshkujt dominojnë si beqarë, numri më i lartë i të divorcuarve që jetojnë në qarkun e Tiranës janë të gjinisë femërore.

Hackerimi/ “Alarmi” koreano-verior, Komisioni “Braçe” mbulesë e tenderit 12.5 mln euro

Drejtori i Autoritetit Kombëtar të Sigurisë Kibernetike (AKSK), Igli Tafa, deklaroi se aktorë të lidhur, me shumë mundësi, me Korenë e Veriut, kanë tentuar të ndërhyjnë në infrastrukturën teknologjike të një spitali privat në Shqipëri, duke e konsideruar këtë rast si “terrorizëm kibernetik”, gjatë një mbledhje të Komisionit të Posaçëm Parlamentar të Dezinformimit, të drejtuar nga socialisti Erion Braçe dhe pa pjesëmarrjen e opozitës.

Ky ishte një zhvillim i ri dhe këtë e shprehu edhe Braçe, i cili shoqëroi deklarimet e drejtorit Tafa me batutën “ah, janë shtuar edhe këta, nuk mjaftuan iranianët??!!”, duke iu referuar sulmeve kibernetike nga aktorë të lidhur me Iranin, në verën e vitit 2022.

Pa dhënë detaje se si u arrit në përfundimin që problematika e vërejtur në spitalin privat (të paidentifikuar) kishte burim Korenë e Veriut, Tafa doli tek pika më nevralgjike e kësaj mbledhjeje-nevoja për investime në teknologji, për t’u mbrojtur nga sulmet kibernetike.

Pak ditë pas këtyre deklaratave në Komisioni “Braçe”, Autoriteti Kombëtar i Sigurisë Kibernetike publikoi në Regjistrin e Parashikimeve të Prokurimeve Publike se ka vendosur të zhvillojë brenda muajit Dhjetor 2024 tenderin me objekt “Produktet teknologjike te inteligjences artificiale per sigurine kibernetike”.

Në foto: Tenderi 12.5 mln euro i AKSK-së në Regjistrin e Parashikimeve të Prokurimeve Publike 

 

Fondi për këtë procedurë është 1.250 miliardë lekë të reja ose rreth 12.5 milionë euro, shuma më e lartë e përdorur në tendera publikë për çështje kibernetike.

Për momentin, nuk ka të dhëna të tjera se çfarë parashikohet të realizohet me këtë tender gjigant dhe cilat janë masat e reja që synohen të ndërmerren për të parandaluar sulmet kibernetike.

Nga “iranianët” tek “koreano-veriorët”

Komisioni i Posaçëm Parlamentar për Dezinformimin ishte një nismë e prezantuar nga kryeministri Edi Rama, si një mekanizëm për të trajtuar dhe marrë masat e nevojshme ligjore përballë ndërhyrjeve kibernetike nga vende të treta jo-miqësore.

Emrat e këtyre vendeve nuk u përmendën asnjëherë, por, me shumë mundësi i referohen Iranit, Koresë së Veriut dhe Rusisë, tre vende të cilat konsiderohen jo-miqësore nga aleatët kryesorë strategjikë të Shqipërisë.

Komisioni i drejtuar nga Erion Braçe dhe i bojkotuar nga opozita, u krijua pas ndërhyrjes kibernetike të identifikuar në platformat shtetërore në vitin 2022 dhe që besohet se u realizua nga grupe të lidhura me Iranin.

Sulmi kibernetik “iranian” mbi institucionet shqiptare ka një lloj logjike, pasi Shqipëria po strehon prej vitesh anëtarët e grupit “Muxhahedin”, opozita iraniane, për të cilët Teherani zyrtar beson se janë autorë të goditjeve hakerimi mbi platformat shtetërore iraniane. Pra, e gjithë besohet se mund të jetë një lloj hakmarrjeje “sy për sy”.

Në foto: Kampi i Manzës, në Durrës, ku strehohen përfaqësues të opozitës iraniane 

 

Por, për momentin, është e pakuptueshme se për çfarë arsye të qenësishme, aktorë të lidhur me Korenë e Veriut, mund të vendosin në shënjestër platformat elektronike në Shqipëri.

Ndoshta, për faktin se vendi ynë është pjesë e NATO-s dhe pjesë e aleancës kundër terrorit ndërkombëtar. Por, pesha e Shqipërisë në arenën ndërkombëtar është fare minimale dhe rezultatet e hackerimit janë tërësisht të papërfillshme.

Për më tepër që, siç pohoi drejtori i Autoritetit Kombëtar të Sigurisë Kibernetike, Igli Tafa, shënjestër e sulmit “me shumë mundësi nga Korea e Veriut”, nuk ishin institucionet shtetërore, por një spital privat, i cili nuk kishte filtrat e duhur për mbrojtjen nga ndërhyrjet në sisteme.

Megjithatë, “terrorizmi kibernetik” që pretendohet se është konsumuar nga aktorë të lidhur me Korenë e Veriut, nxiti Autoritetin e Sigurisë Kibernetike të shpenzojë miliarda lekë.

Miliardat “lumë”

Në Korrik dhe Shtator të vitit 2022, platformat elektronike të institucioneve shqiptare, u gjendën nën një sulm masiv kibernetik. Investigimet e kryera nga autoritetet shqiptare, në bashkëpunim me aktorë dhe kompani të mëdha kibernetike, arritën në përfundimin se sulmi dashakeqës ishte kryer nga aktorë të lidhur me qeverinë e Iranit.

Në vijim, qeveria shqiptare, e përkrahur edhe nga aleatët strategjikë ndërkombëtarë, mori masën drastike për ndërprerjen e marrëdhënieve diplomatike me Iranin.

E gjithë kjo histori u shndërrua nga kryeministri Edi Rama në një strategji propagandistike, në të cilën e paraqiste veten dhe qeverinë e tij si “viktima” të suksesit të politikës së saj ndërkombëtare.

Dhe, natyrisht, ku ka “luftë”, krijohen premisa të mëdha për shpenzime të larta “lufte”.

Në Shkurt të vitit 2024, Rama ishte i pranishëm në “Samitin Botëror mbi Rolin e Teknologjisë në Adresimin e Sfidave të Qeverisjes”, i zhvilluar në Dubai.

Nga një panel që drejtohej nga ish-kryeministri britanik, Toni Bler, që shërben edhe si këshilltar “pro bono”, shefi i qeverisë shqiptare Edi Rama deklaroi se “Shqipëria është përballur me një sulm mjaft masiv nga Irani disa kohë më parë dhe duke qenë një objektiv i përhershëm i sulmeve kibernetike nga Irani ne e dimë jo vetëm logjikisht, por e dimë në lëkurë se sa e rëndësishme është të kemi të dhëna të sigurta”.

Ai deklaroi më tej se “po punojmë për zgjidhjet e inteligjencës artificiale, për të cilat jemi mjaft optimistë që do na japin një nxitje mjaft të madhe për ta ndjerë të ardhmen shumë më pranë sesa sot”.

Në foto (nga e majta): Ish-kryeministri britanik, Toni Blair dhe kryeministri shqiptar, Edi Rama, në Samitin Botëror në Dubai, shkurt 2024 

 

Pra, gjithçka lidhet me paratë. Por, a janë aq vulnerabël sistemet teknologjike shqiptare, për të cilat ndër vitet e fundit janë shpenzuar miliarda lekë në tenderat e zhvilluar nga Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit (AKSHI)?

Hetimi mbi ndërhyrjet iraniane në vitin 2022 tregoi se sistemet ishin ‘OK”, ato ishin të afta të përballonin sulmet, por gjithçka çaloi tek koordinimi mes institucioneve.

Mungesë totale koordinimi

Në Korrik të vitit 2022, Prokuroria e Tiranës nisi hetimet për “ndërhyrje në të dhënat dhe sistemet kompjuterike”, menjëherë pasi u identifikua sulmi i parë kibernetik mbi platformat elektronike qeveritare shqiptare.

Hetimi penal u mbështet nga një investigim konfidencial i Agjencive Partnere të Investigimit. Ekspertiza teknologjikë tregoi se aktorët kibernetikë shtetërorë iranianë patën akses fillestar në platformën “administrata.al”, i stacionuar pranë Departamentit të Administratës Publike (DAP), afërsisht 14 muaj përpara se të nisnin sulmin shkatërrues kibernetik, pra diku rreth muajit Maj 2021.

Sulmi kibernetik përfshinte një kodues skedari të stilit ransomëare dhe një malëare për fshirjen e diskut. Ndërhyrësit mbajtën akses të vazhdueshëm në rrjet për afërsisht një vit, duke aksesuar dhe shfrytëzuar periodikisht përmbajtjen e postës elektronike.

Në përfundim të hetimeve të ndjekura nga prokurori Bledar Valikaj, në gjyq shkuan pesë punonjës të Sektorit të Teknologjisë së Informacionit të Departamentit të Administratës Publike. Ata u akuzuan për “shpërdorim detyre”, pasi nuk kishin marrë masat për evidentimin e problematikave në sistemin kompjuterik.

Sipas prokurorisë, stafi i Teknologjisë së Informacionit (IT) i Departamentit të Administratës Publike, “mund dhe duhej të kërkonte raportim nga ana e operatorit ekonomik të kontraktuar prej DAP-it për implementimin dhe mirëmbajtjen e sistemit “administrata.al”, lidhur me gjendjen në të cilën ndodhej ky system”.

Në foto: Prokuroria kërkoi shpalljen fajtor të 5 punonjësve të IT së DAP për “Shpërdorim detyre” 

 

Në Shkurt të vitit 2024, gjykata e Tiranës shpalli të pafajshëm pesë punonjësit, pasi nuk u evidentuan përgjegjësi ligjore të tyre.

Në vendimin e siguruar nga “Boldnews.al”, gjyqtarja Migena Laska, kuptohet qartësisht se përgjegjësia nuk ishte e punonjësve të IT, por “ndërhyrja kibernetike” ndodhi për shkak se institucionet nuk ishin koordinuar mes tyre, duke krijuar “çarje” për sulme dashakeqëse.

Në foto: Gjykata e Tiranës shpalli të pafajshën punonjësit e IT të DAP në Shkurt 2024 

 

Sipas vendimit të gjykatës “…Sistemi ‘administra.al’ është prokuruar me fonde të IPA-s. Ai nuk është implementuar, menaxhuar apo ndjekur nga AKSHI, por vetëm është hostuar fizikisht pranë Datacenter-it Qeveritar. Projekti është implementuar dhe ndjekur nga ana e Departamentit të Administratës Publike”.

Në vendimin e gjykatës thuhet se të pandehurit, pra pesë punonjësit e IT së Departamentit të Administratës Publike “nuk kanë patur asnjë dijeni dhe nuk kanë qënë pjesë e stafit të përfshirë dhe të kontraktuar për zbatimin e kontratës, së lidhur për implementimin e sistemit administrata.al”.

Në vijim, në vendim thuhet se: “Sipas AKSHIT dhe Prokurorit në këtë gjykim, ndonëse këta punonjës IT, të punësuar pranë DAP, nuk kanë patur asnjë detyrë konkrete, të ngarkuar ndaj tyre për zbatimin e kësaj kontrate, do të duhej që “apriori” në kushtet kur ata kanë kryer detyrën e IT, pranë DAP, të kontrollonin dhe të raportonin në AKSHI, si dhe t’i bënin me dije Operatorit Ekonomik të kontraktuar nga DAP, gjëndjen (e brishtë) të sistemit, dhe nevojën konkrete për azhornimin, update – imin e tij, me qëllim mbrojtjen e sistemit dhe mirëfunksionimin e tij me parametrat e kohës”.

Në foto: Gjykata konstaton se punonjësit e akuzuar për “shpërdorim detyre” nuk kanë përgjegjësi 

 

Pra, duket qartë se “vulnerabiliteti” i platformës elektronike të DAP-it nuk ka ardhur për shkak të sistemit, por për faktin se “administra.al”, për shkak të moskoordinimit ndërinstitucional, ishte lënë pa zot, pa një staf specialistësh që do ta menaxhonte dhe do të konstatonte problematikat e mundshme.

Pse nuk ishte problem sistemi?

Në vendimin e gjykatës së Tiranës jepen edhe disa detaje, të cilat dëshmojnë se “sulmi iranian” ishte i parandalueshëm nga sistemet aktive elektronike që janë në funksion në Shqipëri.

Aktivizimi i opsionit ekstra të sigurisë në raste sulmesh kibernetike detektoi aktorët kërcënues, të cilët kishin penetruar në sistem. Pas evidentimit nga ana e tyre dhe bllokimit të përhapjes së aktiviteteve keqdashëse, ata ndryshuan metodologjinë e sulmit duke tentuar përmbushjen e objektivit final: fshirjen e të gjithë sistemeve digjitale. Menjëherë pasi u detektua procesi i fshirjes, nga AKSHI u mor masa drastike e izolimit të të gjitha sistemeve, me qëllim parandalimin e zgjerimit të aktivitetit”, citohet në vendimin e gjykatës.

Në foto: Pjesë nga vendimi i gjykatës 

 

Të dhënat e përmendura në vendimin gjyqësor dëshmojnë se sistemet mbrojtëse elektronike ishin efikase për t’u mbrojtur nga sulmet, pasi, siç citohet në dokumentat e gjykatës, AKSHI pati mundësinë që të parandalonte dëmin më të madh. Gjë që tregon se edhe parandalimi ishte i realizueshëm, në rast se institucionet do të merreshin vesh mes tyre.

Tashmë, ai “moskoordinim” shndërrohet në një parajsë shpenzimesh financiare, siç është edhe tenderi 12.5 milionë euro i raportuar së fundmi nga Autoriteti Kombëtar i Sigurisë Kibernetike.

Nga Boldnews.al

PD-së së Berishës i ka humbur populli, jo kauza

Nga Ben Andoni

Kauza e PD-së e këtij momenti dhe e gjithë kësaj fushate, pak muaj para zgjedhjeve të përgjithshme të vitit 2025, është kërkesa për “Qeveri teknike”, që do të çoj në zgjedhje të ndershme. Pavarësisht se zgjedhjet e fundit janë njohur me të gjitha moritë e problematikave dhe me dosjet e ankesave të tyre, PD-ja me të gjithë të drejtën e saj këmbëngul që kjo rrugë është më e mira për të shkuar drejt një palë zgjedhje të pakundërshtueshme nga palët! Kuptohet se kjo mbetet për t’u gjykuar, pasi në asnjë rast kur ka humbur (veç rastit të fundit të vitit 2013, që e pranoi de jure dhe pastaj de facto u përpoq që ta hidhte poshtë), nuk ka pranuar verdiktin apo të ketë bërë Mea culpa për militantët e përkrahësit e saj.

Në asnjë situatë paszgjedhore, nuk është bërë analizë, paçka se zyrtarët e saj të thonë se kanë bërë analiza të thella në bazë. E kupton kur flet me njerëz të PD-së se janë të paqartë, ashtu si vetë njerëzit që e drejtojnë. Për fatin e keq, mendjet e qeta dhe të hapura jo vetëm që nuk kanë arritur ta drejtojnë atë, por çkado fjalë që është thënë dhe shprehet nga Berisha atje kthehet sakaq në normë dhe rrjedhë narracioni. Që nga ofendimi për SPAK-un, që tashmë “paradoksalisht” është në kreditet më të larta; mbështetja për arrestimin e ish-presidentit Meta (jo procedurën e arrestimit të tij, që mbetet një nga momentet më të këqija të institucioneve të shtetit); mbrojtjen pa kushte të Belerit, pavarësisht problematikave që përmbledh emri i tij; apo problematikat më të mëdha që lidhen me individin shqiptar, që nga pensionet, deri te çmimet e kështu me radhë, kemi një opozitë që vuan më shumë për të përcjellë zërin e saj tek njerëzit.

Jo më kot, ende nuk kanë një zë për diasporën, që duhet të drejtonte një nga sfidat më të mëdha të procesit zgjedhor të viteve të fundit dhe ku Rama e ka nga prioritetet kryesore. Për të gjitha këto dhe jo vetëm, si edhe me zërat cinikë të drejtuesve të saj, Noka-Bardhi-Paloka drejtuar publikut për mefshtësinë apo indiferencën, duhet të shikojnë sesi kanë humbur njerëzit, ndërkohë që kauzat janë aty dhe po ndihen shumë më tepër falë SPAK-ut dhe medias, por më shumë nga të gjitha, ato që njerëzit i ndjejnë dhe i vuajnë në kurriz. Ndaj, më shumë se çdo gjë në këto muaj të fundit para zgjedhjeve, PD-së i duhet populli, ai që i është larguar nga politika e tyre prej diferencës së të ashtuquajtur elita dhe klaneve, nga ngulfatja e Berishës mbi çdo strukturë dhe mbi të gjitha nga ajo që publikut nuk i jep më shpresë.

Eh sa për zgjedhjet, nuk ka njeri që të besojë plotësisht se PD do të bënte zgjedhje të mira. Janë ende të hapura shumë nga bëmat e tyre, ashtu si edhe tandemit të tyre, PS, me të cilin tashmë po konfliktohen. Harrojnë se njerëzit besojnë më shumë në variantin e Mark Twain: “Nëse votimi do të bënte ndonjë ndryshim, ata nuk do të na linin ta bënim fare”.