16.5 C
Tirana
E enjte, 19 Qershor, 2025

“Vrasja nuk paguhej me para”, gazetari tregon çfarë përdornin kriminelët në Matrix

Një operacion i koordinuar ndërkombëtar, i udhëhequr nga autoritetet e Francës, Holandës, Gjermanisë, Italisë, Lituanisë dhe Spanjës, ka çuar në zbërthimin e aplikacionit të koduar “Matrix”, i përdorur nga kriminelët për aktivitetet e tyre të paligjshme. Europol njoftoi përfundimin e operacionit më 3 dhjetor, duke zbuluar më shumë se 2.3 milionë mesazhe të deshifruara në 33 gjuhë.

Gazetari Lavdrim Lita tha se Matrix është ndryshe nga platformat e tjera të ekriptuara si SKY. Ai shtoi se  Matrix kishte dhoma komunikimi ku mund të gjurmosh të gjithë komunikimet e tyre.

Ai tregoi se Europol ka monitoruar 3 muajt e fundit gjithë akseset në 33 gjuhë nga 8 mijë përdorues.

“Komunikimet janë në 33 gjuhë nga 8 mijë përdorues, pasi të selektohen secili vend do marrë folderin e vet, përfshirë SPAK. Kemi  dijeni që ka shqiptarë vrasës me pagesë që e kanë përdorur por nuk përjashtohet të jetë përdorur nga biznesmenë. Të gjitha sistemet e kriptuara mund të dekriptohen nga shërbime inteligjente shumë të fuqishme. Një nga veçoritë e kësaj platforme është se pagesat për vrasjet nuk bëheshin as në lekë as në euro por më kriptomonedha. Ne kemi shumë pak dijeni teknike në vendin tonë për kriptomonedhat, për pagesat online, nuk kemi shumë ekspertizë, dhe këtu duhen fokusuar edhe trajnimet e reja”, tha Lita për “Euronews Albania”.

“Zbulohen” beqarët dhe të divorcuarit e kryeqytetit! Statisikat, sa është numri i banorëve të martuar e të ve

Popullsia e Tiranës në vitin 2023 llogaritet në 598,176 banorë me një dendësi prej 539 banorë/km2, përkatësisht pothuaj 25% e popullsisë së Shqipërisë.

 

Sipas të dhënave të marra nga rezultatet e Cens për  vitin 2023, të bëra publike në tetor 2024.

Sipas relacionit të projektbuxhetit të Bashkisë Tiranë për vitin 2025, Popullsinë më të madhe e ka Njësia Administrative Nr. 5. Kjo lidhet edhe me faktin që kjo Njësi ka sipërfaqe të madhe në krahasim me Njësitë e tjera Administrative të Bashkisë Tiranë. Numrin më të vogël të popullsisë e kanë Njësitë Administrative Shëngjergj dhe Krrabë respektivisht me 0.23% dhe 0.34% të totalit të popullsisë, dhe me dendësi respektive 6.67 banorë/m2 dhe 108.59 banorë/m2. Në Tiranë 51.85% të popullsisë e përbëjnë femrat ndërsa 48.15% meshkujt.

Sipas statusit martesor, 251,914 banorë janë beqarë, 299,669 banorë janë të martuar, 10,513 banorë janë të divorcuar dhe 36,080 banorë janë të ve, ku vihet re se gratë e veja përbëjnë 85% të personave të ve, ndërsa ato të divorcuara përbëjnë 66% të personave të divorcuar. 2.4% e banorëve të bashkisë tonë kanë vendlindje shtet tjetër nga Republika e Shqipërisë.

Të lindurit në territorin e Qarkut Tiranë përbëjnë 51.84% të banorëve aktualë me vendbanim të zakonshëm Bashkinë e Tiranës (sipas fotografisë demografike të datës 18 shtator 2023, ora 00:00).

Pas të lindurve në Qarkun Tiranë, banorët e lindur në qarqet Dibër, Korçë, Fier e Berat përbëjnë përkatësisht 6.5%, 6%, 5.06% dhe 5.05% të banorëve më të shumtë në numër brenda kësaj bashkie.

pop1

Sipas relacionit, Bashkia Tiranë tashmë vlerësohet si qyteti i shumë mundësive, gjë që reflektohet edhe për arsyen se 13,432 banorë të cilët kanë jetuar jashtë shtetit janë kthyer në Tiranë në periudhën 2019 – 2023.

Nga 598,176 banorë, 46,077 janë fëmijë në moshë për të ndjekur kopshtin apo çerdhen, pra më shumë se ¼ e fëmijëve në të gjithë vendin. Gjithashtu janë 31,136 fëmijë që aktualisht janë duke ndjekur arsimin fillor (25.44% e gjithë fëmijëve që ndjekin arsimin fillor në Republikën e Shqipërisë), 25,593 fëmijë që po ndjekin shkollën 9-vjeçare dhe 20,059 fëmijë që ndjekin shkollën e mesme (23.3% e të rinjve që ndjekin arsimin e mesëm).

Numri i familjeve është 171,785, ku 53,136 familje janë çifte të martuara ose që bashkëjetojnë pa fëmijë, 98,897 familje janë çifte të martuara ose që bashkëjetojnë me fëmijë dhe 19,752 familje janë familje të përbëra nga prindër të vetëm.   Pjesa më e madhe e popullsisë rreth 67% i përket grupmoshës 15-64 vjeç, grupmoshë kjo që ka vlerë në llogaritjen e forcave të punës.

po2

Sipas rezultateve po të Cens 2023, 25,788 banorë të grupmoshave të ndryshme janë me aftësi të kufizuar.

Bashkia e Tiranës me një sipërfaqe totale prej 1,110.03 km2 kufizohet në veri me bashkitë Vorë, Kamëz dhe Krujë, në  verilindje me bashkinë Klos, në lindje me bashkitë Bulqizë dhe Librazhd, në jug me bashkitë Elbasan dhe Peqin dhe në perëndim me bashkitë Rrogozhinë, Kavajë, Durrës dhe Shijak.

Kjo bashki përbëhet nga 24 njësi administrative si dhe 3 Lagje, të cilat janë: 11 Njësitë Administrative Urbane,  zonat  rurale  si  Petrela,  Farka,  Dajti,  Zall-Bastari,  Bërzhita,  Krraba,  Baldushku,  Shëngjergji, Vaqarri, Kashari, Peza, Ndroqi, Zall Herri, Lagja 12, Lagja 13 dhe Lagja 14. Në territorin e kësaj bashkie ka gjithsej 135 fshatra./Monitor

Sëmundja misterioze që shkaktoi vdekjen e 143 njerëzve në Kongo

Një sëmundje e ngjashme me gripin që ka shkaktuar vdekjen e dhjetëra njerëzve brenda dy javësh është duke u hetuar në Kongon jugperëndimore, thanë autoritetet lokale.

 

Vdekjet u regjistruan mes 10 dhe 25 nëntorit në provincën Kuango. Simptomat përfshijnë ethe, dhimbje koke, kollë dhe anemi, u tha gazetarëve gjatë fundjavës ministri i shëndetësisë në këtë provincë, Apollinaire Yumba.

Zëvendësguvernatori i provincës, Rémy Saki, i tha agjencisë së lajmeve Associated Press të martën se 67 deri në 143 njerëz kanë vdekur si pasojë e sëmundjes.

“Një ekip ekspertësh epidemiologjikë pritet të shkojnë në rajon për të marrë mostra dhe për të identifikuar problemin”, shtoi ai.

Zoti Yumba këshilloi popullatën të tregohet e kujdesshme dhe të përmbahet nga kontakti me trupat e të vdekurve. Ai u bëri thirrje partnerëve kombëtarë dhe ndërkombëtarë që të dërgojnë furnizime mjekësore për t’u marrë me krizën shëndetësore.

Organizatës Botërore të Shëndetësisë tha se Kongo tashmë po vuan nga pasojat e epidemisë e lijës së majmunit, që dyshohet se ka prekur mbi 47,000 njerëz dhe ka shaktuar vdekjen mbi 1,000 vdekje në këtë vend të Afrikës Qendrore.

OBSH-ja është në dijeni të sëmundjes së paidentifikuar dhe ka një ekip në terren që po punon me shërbimet lokale shëndetësore për të mbledhur mostra, sipas një punonjësi të organizatës i cili foli në kushte anonimiteti./VOA

Qëlluan me plumba ndaj njëri-tjetrit, prokuroria jep pretencën për ish-kreun e Njësisë Administrative dhe bashkëfshatarin e tij dy vite pas përplasjes me armë! Ja sa vite burg u kërkua

Prokuroria e Lezhës ka dhënë pretencën për ish-kreun e Njësisë Administrative dhe bashkëfshatarin e tij, Besnik Simoni.

 

Për zyrtarin e pushtetit vendor, organi i akuzë ka kërkuar dënimin e tij me 12 vite burgim.

Ndërsa për Altin Markun ka kërkuar 28 vite pas hekurave dhe dënimi të kryhet në një burg të sigurisë së lartë.

Pretenca e Prokurorisë së Lezhës: 

Deklarimin fajtor i pandehuri Altin Marku, per vepren penale “Vrasja me paramendim”, parashikuar nga neni 78/1 i Kodit Penal dhe dënimin e tij me 22 (njezete e dy) vite burgim.

Deklarimin fajtor i pandehuri Altin Marku, për veprën penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe municionit”, parashikuar nga neni 278/1 i Kodit Penal dhe dënimin e tij me 6 (gjashtë) vite burgim.

Në zbatim të nenit 55 të Kodit Penal, bashkimin e dënimeve ne një të vetëm duke e dënuar perfundimisht të pandehurin Altin Marku me 28 vite burgim.

Vuajtja e dënimit për të dënuarin Altin Marku të bëhet ne një burg te sigurisë së lartë.

Deklarimin fajtor i pandehuri Besnik Simonaj për veprën penale “Vrasja ne kapercim te kufijëve të mbrojtjes se nevojshme”, parashikuar nga neni 83 i Kodit Penal dhe dënimin e tij me 6 (gjashtë) vite burgim.

Deklarimin fajtor i pandehuri Besnik Simonaj, për veprën penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe municionit”, parashikuar nga neni 278/1 i Kodit Penal dhe dënimin e tij me 6 (gjashtë) vite burgim.

Në zbatim të nenit 55 të Kodit Penal, bashkimin e dënimeve ne nje të vetëm duke e denuar perfundimisht të pandehurin Besnik Simonaj, me 12 vite burgim.

Vuajtja e dënimit për te dënuarin Besnik Simoni, te bëhet ne nje burg te sigurisë së zakonshme.

Dinamika e ngjarjes

Konflikti me armë zjarri ndodhi në muajin prill të vitit 2022. Sipas dosjes hetimore ka qenë Altin Marku, i cili ka qëlluar me armë zjarri plot 9 herë në drejtim të ish-funksionarit të pushtetit vendor, Besnik Simoni, ndërsa ky i fundit i është përgjigjur me armë zjarri duke qëlluar 19 herë me armë zjarri.

Nga të shtënat të dy personat mbeten të plagosur, por 41-vjeçari Besnik Simoni ka mohuar të ketë qëlluar ndaj bashkëfshatarit të tij, ndërsa arma nuk është arritur të gjendet.

Përplasja me armë zjarri ndodhi mesditën e 1 prillit, në rrugën që lidh fshatin Kallmet me superstradën Lezhë-Shkodër. Fillimisht, Policia raportoi se ishte plagosur në një atentat zyrtari i pushtetit vendor Besnik Simoni, por 4 orë me vonë blutë gjetën të plagosur në një banese në fshatin Kallmet të Lezhës dhe autorin, shtetasin Altin Marku.

Pas veprimeve paraprake hetimore, Policia doli në konkluzionin se të dy personat kanë qëlluar në drejtim të njeri-tjetrit dhe për pasojë, ata u vunë në pranga. Pas 6 muajsh, ish-kreu i Njësisë Administrative të Kallmetit, Besnik Simoni, u lirua nga paraburgimi, pasi Gjykata ndryshoi masën e sigurisë nga ‘Arrest në burg’ në ‘Arrest në shtëpi’.

Por me vendimin nuk u pajtua prokurori i çështjes, Françesk Ganaj, i cili bërëi ankim në Gjykatën e Apelit në Shkodër, duke kërkuar që i pandehuri të rikthehej në burg.

Ndërsa në dëshminë e dhënë para hetuesve, Altin Marku ka thënë se kishte qëlluar me armë zjarri për vetëmbrojtje. Por deklarimet e tij nuk i kanë bindur hetuesit, pasi nga dëshmitë e mbledhura në vendin e ngjarjes është konkluduar se ka qenë pikërisht Altin Marku, i cili e ka nisur konfliktin me Besnik Simonin, me të cilin kishin pasur probleme prej më shumë se 1 viti.

Presidenti i Koresë së Jugut shpalli gjendjen e jashtëzakonshme ushtarake për disa orë, ministri i Mbrojtjes kërkon falje dhe jep dorëheqjen

Ministri i Mbrojtjes i Koresë së Jugut, Kim Jong-hyun kërkoi falje dhe ofroi dorëheqjen pas përpjekjes së Presidentit Yoon Seok-gil për të vendosur ligjin ushtarak.

 

“Më vjen shumë keq dhe marr përgjegjësinë e plotë për konfuzionin dhe ankthin e shkaktuar në publik nga ligji ushtarak, i kam ofruar dorëheqjen presidentit”, tha Kim në një deklaratë.

Qyteti me 9 milionë banorë, e nisi ditën normalisht, me trafik normal në trena dhe rrugë, pasi presidenti pezulloi ligjin ushtarak që kishte shpallur, duke i dhënë fund përpjekjes së tij për të ndaluar aktivitetet politike dhe për të vendosur censurën mediatike.

Megjithatë, shumë banorë të Seulit janë ende në gjendje shoku pas ngjarjeve, të cilat shkaktuan rënien e tregut të aksioneve të Koresë së Jugut, ashtu si edhe monedha kombëtare e vendit.

Koreja e Jugut ka qenë nën ligjin ushtarak rreth 10 herë që nga themelimi i Republikës së Koresë në vitin 1948, por hera e fundit ishte më shumë se katër dekada më parë kur gjenerali Chun Duhëan mori pushtetin dhe sundoi vendin që nga viti 1980 deri në vitin 1988.

Yun shpalli gjendjen ushtarake gjatë fjalimit të tij të transmetuar drejtpërdrejt në televizion të martën. Ai e pezulloi vendimin e tij pasi parlamenti refuzoi ofertën e tij për të pezulluar të gjithë aktivitetin politik dhe për të vendosur censurë të rreptë mediatike.

Zyra e presidentit njoftoi se shpallja e gjendjes ushtarake u zgjodh të bëhej gjatë natës në mënyrë që të “kufizonte ndikimin në ekonominë kombëtare dhe jetën e njerëzve”.

Ushtarët e pajisur me armë, jelek antiplumb dhe syze për shikimin e natës hynë në parlament duke thyer xhamat. Mijëra njerëz protestuan jashtë parlamentit gjatë natës, duke kërkuar që vendimi i Yun të anulohej dhe arrestimi dhe dorëheqja e tij pasuese.

Pothuajse dy të tretat e parlamentit prej 300 anëtarësh votuan me emergjencë për të hedhur poshtë ligjin ushtarak.

Ushtroi dhunë ndaj bashkëjetueses, vihet në pranga 28-vjeçari

Policia ka arrestuar një 28-vjeçar, i cili dyshohet se ka ushtruar dhunë ndaj bashkëjetueses së tij.

 

“Komisariati i Policisë Pogradec arrestoi në flagrancë shtetasin I. Sh., 28 vjeç, banues në Pogradec, pasi dyshohet se ka ushtruar dhunë ndaj bashkëjetueses së tij, e cila u pajis me urdhër mbrojtjeje”, njoftoi policia.

Ndërsa komisariati i Policisë Maliq referoi materialet në Prokurori, ku filloi procedimi penal për shtetasim Y. G., 64 vjeç, banues në fshatin Libonik, Maliq, pasi ka goditur me shuplakë një shtetas të mitur, për motive të dobëta.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Korçë, për veprime të mëtejshme.

“Heshtja e grupimit të Berishës për buxhetin, e turpshme”/ Sidi Hasanaj: Edi Rama i qetë në ‘dhjamosjen’ e oligarkëve

Nga Sidi Hasanaj

Opozita heshti me turp gjatë diskutimeve për Buxhetin e vitit 2025, duke shmangur debatet për thelbin , ekonominë dhe shpenzimet publike, ndërsa u përfshi në folklorizëm dhe tema të parëndësishme. U fol për flokët e mbjellura të Shalsit, nuk mungoi dhe fjalimi i deputetit Korreshi ku u ankua për mungesën e “nuseve” në fshatrat e Myzeqesë dhe si pasojë uljen e martesave dhe… lopëve.

Ndërkohë, qeveria Rama zërin kryesor në Buxhetin e 2025 ka vendosur tja japë Ministrisë së Infrastrukturës ku ka alokuar 74 miliardë lekë, ku 33.4 miliardë lekë janë destinuar për transportin rrugor.

Në fokus qëndrojnë disa projekte rrugore me kosto të jashtëzakonshme, për të cilat opozita dhe Sali Berisha hesht turpërisht:

1. Rruga e Arbrit: Nga një planifikim fillestar prej 70 milionë eurosh, kostoja ka arritur në 350 milionë euro, me një rritje prej 500%. Fondet e vitit 2025 shtojnë koston totale në rreth 383 milionë euro.

Dje Berisha heshti për këto fonde shtesë mbi shtesa.

2. Milot-Morinë: Me një kosto prej 1 miliard eurosh, qeveria ka shtuar 720 milionë lekë të tjera në buxhetin e 2025, me aksin e “abuzimit të çmendur” Milot-Balldren, 17.2 kilometra i gjatë, ka kushtuar 213.6 milionë euro, me një mesatare prej 12.42 milionë euro për kilometër.

Përsëri Berisha heshti edhe për këto fonde (720milionë lek) shtesë.

3. Thumanë-Kashar: Kosto totale prej 244 milionë eurosh për 21 kilometra, ose 12 milionë euro për kilometër. Megjithëse rruga është me pagesë për tu aksesuar, për arsye mirëmbajtjeje, qeveria ka parashikuar 5.6 milionë euro të tjera për mbështetje shtetërore në vitin 2025.

5.6milionë € që as nuk u përmendën nga opozita!

Këto projekte paraqesin shembuj të qartë të mbifaturimit dhe mungesës së transparencës, që rëndojnë buxhetin publik. Megjithatë, asnjë fjalë nuk u ngrit nga opozita për këtë shpërdorim të parasë së qytetarëve shqiptarë.

Pse ky bashkëpunim heshtjeje mes qeverisë dhe opozitës?
Përse Sali Berisha nuk përmend Oligarkët e këtyre aferave?

Ata i detyrohen shqiptarëve një përgjigje për këtë mosveprim të turpshëm dje!
Ndërkohë Edi Rama vazhdon i qetë në përpirjen e taksave të shqiptarëve, për dhjamosjen e oligarkëve!

Lulzim Basha merr pjesë në Forumin Ndërkombëtar të Demokracisë në SHBA

Kryetari i Partisë Demokratike-Demokratët Euroatlantikë, Lulzim Basha, mori pjesë në Forumin e Unionit Ndërkombëtar të Demokracisë (IDU) në Uashington. Gjatë aktivitetit, ai u takua me drejtues të Partisë Popullore Europiane, presidentin Weber, dhe figura të tjera të rëndësishme si Presidenti i Institutit Ndërkombëtar Republikan, Daniel Twining, dhe eurodeputetë të njohur.

Basha theksoi rëndësinë e bashkëpunimit ndërkombëtar për sfidat globale, si siguria, marrëdhëniet transatlantike dhe paqja në rajon, duke nënvizuar bashkëpunimin e ngushtë me SHBA-në.

Postimi i plotë i Bashës:

Kënaqësi të marr pjesë në Forumin e Unionit Ndërkombëtar të Demokracisë (IDU), i cili përfaqëson aleancën globale të partive të qendrës së djathtë. Ky Forum do të bashkojë ligjvënës, liderë dhe ekspertë për të diskutuar sfidat gjithnjë e më komplekse globale dhe për të shkëmbyer praktikat më të mira.

Në pritjen hapëse të Forumit të IDU në Washington pata kënaqësinë të takohemi dhe bisedojmë me drejtues të Partisë Popullore Europiane, presidentin Weber, me Presidentin e Institutit Ndërkombëtar Republikan Daniel Twining, me legjislatorë të Parlamentit Europian si Davor Ivo Stier dhe kolegë nga partitë simotra me të cilët bashkëpunojmë prej kohësh në institucione ndërkombëtare për çështje të nxehta të sigurisë si lufta në Ukrainë dhe paqja e stabiliteti në rajonin tonë.

Forumi i IDU në Washington do të jetë gjithashtu një mundësi për të diskutuar të ardhmen e marrëdhënieve transatlantike, sigurinë dhe sfidat me të cilat po përballet bota si dhe forcimin e bashkëpunimit me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe administratën e re të Presidentit Trump.

 

 

Mirela Karabina: Banka Botërore i “vë vulën” e zezë dështimit të “reformave” të Ramës në Arsimin e Lartë

Nga Mirela Karabina

Një tjetër vlerësim ndërkombëtar, Banka Botërore 2024, rrëzon propagandën e Ramës për Arsimin e lartë: cilësi e dobët, kurrikula të vjetra dhe larg tregut të punës, kështu është Arsimi i Lartë në Shqipëri cilësuar në raportin e BB.

Një situatë alarmante e paralajmëruar ndër vite, e sot qeveria po na thotë që do ndërmarrë reforma për “zgjidhje”.

Vetëm propagandë dhe dështim fatal për vendin!

Nga një anë vlerësimi i ulët “PISA 2022” për nxënësit 15 vjeҫarë dhe tani BB për Arsimin e Lartë.

Arsimi është në emergjencë kombëtare!

“Një skemë e re shërbimesh dhe finacimesh”, do ta propagandonte Rama më 2014-ën Reformën në Arsimin e Lartë duke e konkretizuar me Ligjin 80/2015 i cili u kundërshtua nga stafet akademike asokohe, por ҫdo mendin kundër u shpërfill me arrogancë.

Protestuan studentët më 2018-ën, thërritën, kërkuan arsimin cilësor e kushte normale, por qeveria i mashtroi përseri, i riktheu në auditor dhe sot ja ku jemi, edhe më rëndë.

10 vite reformë e dështuar në Arsimin e lartë, me pasoja afatgjata, të rinj të larguar për arsimim të mirë jashtë vendit, të rinj jo mirë të formuar që nuk i përgjigjen nevojave të tregut.

Edi Rama premtoi financimin në arsim në nivelin 5% të PBB që më 2013-ën, por nuk arriti dot ta ngreje nivelin e financimit as sa Kosova e Maqedonia, duke rrënuar universitetet në emër të reformës me rënie të numrit të studentëve pasi largohen jashtë vendit, mbyllje programesh apo shpikje programesh për të mbijetuar. Ndërsa për kërkimin shkencor nuk flasim fare, interesi zero dhe financimi i papërfillshëm. Pagesa për një student planifikuar në buxhet është e ulët, 500-600 euro, krahasur me 18 -20 mijë për student në vendet e OECD-së, diferencë e madhe që dëshmon ndryshimin e madh.

Nënfinacimi për arsimin për 2025-ën nuk premton përmirësim, nuk është as sa gjysma që pat premtuar Rama 10 vite më parë, është 2,36% e PBB.

Financim në arsimim do të thotë pedagogë të mirëinformuar e të kualifikuar, infrastrukturë që i përgjigjet nevojave të studentëve, praktika profesionale e shërbime përmes lidhjes së universiteteve me institucione e kompani prodhuese, trajnime për studentët e orientim me tregun e punës, programe prioritare dhe investimi për to.

Dhe kjo arrihet me vullnet politik përmes një buxheti, të paktën në nivelin 5% të PBB.

Dëmi është i madh në Arsimin e Lartë i cili duhet të jetë promotor i zhvillimit, por ka përgjegjës, i pari është Edi Rama i cili duhet të shpjegojë dështimin e Refomës, dhe më pas ministret e tij në këto 10 vite: Lindita Nikolla, Besa Shahini, Evis Kushi, Ogerta Manastirli. Ministre këto që i mbajtën ison kryeministrit duke gënjyer për suksese imagjinare dhe lanë Arsimin e Lartë në këtë gjendje.

Dhe sot, krahas vlerësimit nga profesionistët tanë edhe Banka Botërore ia vuri vulën e dështimit “reformave” propagandistike të Edi Ramës në Arsimin e Lartë.

Paparashikueshmëria, prova e pavarësisë së drejtësisë

Nga Blendi Kajsiu 

Heqja e masës “arrest shtëpie” ndaj Sali Berishës nga Gjykata për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar (GJKKO) krijoi pështjellim në sferën tonë publike. Reagimet e shumta ndaj vendimit, herë me hare dhe herë me trishtim, kishin një emërues të përbashkët; hutimin.

Ky hutim vihej re së pari në kampin berishist ku Berishën e pritën me hare, sikur të ishte shpallur i pafajshëm. Pyetja që trazonte festën berishiste ishte, “si ka mundësi që drejtësia e Ramës e la të lirë Berishën pikërisht para zgjedhjeve parlamentare? A nuk u bë refroma në drejtësi thjesht për të hequr qafe opozitën, d.m.th. doktorin?”

Përgjigjen e parë përballë hutimit berishist e dhanë komisarët mediatik të berishizmit që i paralajmëruan militantët të mos e tepronin me festimet sepse me siguri Berishën e liruan për ta goditur edhe më fort, ndoshta edhe brenda familjes. Sipas kësaj llogjike SPAK-u i Ramës liroi Berishën për të dënuar Jamarbërin, Argitën, Lirinë ose Shkëlzenin.

E megjithatë ky sqarim lehtësues për fabulën berishiste, se SPAK u ngrit thjesht për ti rënë doktorit, nuk shpjegonte përse duhej liruar Berisha për të arrestuar familjarët e tij. Nëse SPAK dhe GJKKO janë vegla qorre të Ramës, siç janë të bindur berishistët, ata pa pikë turpi mund ta fusin në burg të gjithë familjen Berisha.

Pa përmendur faktin që llogjika elektorale e lirimit të Berishës për të futur në burg Zenin mbetet më misterioze se triniteti i shenjtë. E thënë ndryshe, pyetja se çfarë fiton elektoralisht dhe politikisht Rama nga lirimi Berishës dhe burgosja e Zenit, mbetet pa përgjigje.

Natyrisht u hodhën edhe shpjegime të tipit “Berishën e liroi presidenti Trump”, nga njerëz pranë Berishës por shumë larg llogjikës. Ndaj nuk ia vlen barra qiranë të ekspozojmë absurditetin e tyre. Majfton të sqarojmë lexuesin se Trump ende nuk është president i SHBA-ve.

Si përfundim, llogjika e mpakur politike e berishizmit nuk arriti ta shpjegonte lirimin e Berishës nga GJKKO e Ramës. Ndoshta për këtë arësye berishistët u përqendruan tek festimi i vendimit si një fitore e madhe politike, por që politikisht nuk shpjegohet dot.

Një fenomen i ngjashëm u shfaq edhe në kampin anti-berishist dhe ramist. Disa u ankuan se vendimi ishte i dyshimtë se vinte pas protestave berishiste. Të tjerë u trishtuan sepse gjykata tregoi dobësi përballë Berishës. Ndërkohë shumica filloi të argumentonte se në fakt Ramës i leverdis Berisha në fushatë elektorale dhe jo si hero i burgosur në shtëpi.

Edhe këtu llogjika politike ose nuk e shpjegon dot, ose nuk ka të bëjë fare me vendimin e GJKKO. Idea se Ramës i duhet Berisha në gjendje të lirë për të legjitimuar fitoren në zgjedhjet parlamentare të vitit 2025 mund të shjegojë efektin e vendimit të GJKKO, por jo vetë vendim-marrjen.

Ndonëse ka shumë pak gjasa që Rama të jetë i shqetësuar se fitorja e tij në vitin 2025 mund të delegjitimohet nga mos-pjesmarrja e Berishës në fushatën elektorale. Mjafton të kujtojmë që Rama legjitimoi fitoren në zgjedhjet lokale të vitit 2019 pa pjesmarrjen e PD-së, kur kjo drejtohej nga Lulëzim Basha që në atë kohë nuk ishte as non-grata dhe as në hetim për korrupsion.

Berisha del nga izolimi, vendimi surprizë i gjykatëses Floriana Davidhi

Fitorja e PS-së në vitin 2025, që tashmë duket e sigurt, do denoncohet njësoj nga Berisha si në arrest shtëpie si në gjendje të lirë. Vështirë të mendosh se Rama shqetësohet se Berisha mund ti delegjitimojë atij fitoren në vitin 2025, sidomos përballë një komuniteti ndërkombëtar që prej kohësh i ka vënë vizën Berishës dhe berishistëve.

Është akoma më e vështirë të imagjinosh që GJKKO përpara se ta lirojë Berishën nga arresti shtëpiak ka marrë parsysh, apo ka analizuar, efektet politike që ky vendim do kishte në llogaritë elektorale të Ramës. Ndaj edhe në këtë rast llogjika politike nuk e shpjegon dot vendimin e gjykatës.

Sa më shumë stërhollohen shpjegimet politike të vendimeve të drejtësisë, aq më i qartë bëhet fakti që gjithnjë e më shumë këto vendime nuk shpjegohen dot sipas llogjikës politike por sipas një llogjike juridike, që është më e mira sepse është më e thjeshta. Parimi i Ockham-it në filozofi thotë se nëse për një fenomen ka shumë shpjegime të ndryshme, atëherë shpjegimi më i mirë është ai më i thjeshti.

Në rastin konkret përballë spekullimeve politike kemi një shpjegim juridik, sa të thjeshtë edhe bindës. Berishës ia hoqën arrestin shtëpiak sepse hetimi përfundoi dhe çështja është në gjygj. Pra ai tashmë nuk mund të manipulojë provat, nuk ka rrezik që të arratiset, ndaj nuk ka arësye që të mbahet në gjendje arresti.

Është një shpjegim shumë më i thjeshtë dhe bindës se spiralet e konspiracioneve politike që tek vendimet e SPAK dhe GJKKO përpiqen të gjejnë gjurmët e zgjedhjeve parlamentare të vitit 2025. Në fakt, prej kohësh këto institucione marrin vendime që shpjegohen më lehtë juridikisht se sa në funksion të llogaritjeve politike.

E tillë ishte edhe masa me arrest shtëpie e Berishës. Nuk u bë me urdhër të Ramës për të hequr qafe Berishën, por thjesht sepse ky i fundit në mënyrë publike dhe me vetëdije shkeli detyrimin ligjor për paraqitje. Nëse Berisha do e kish respektuar këtë detyrim ligjor, sikurse shumica dërrmuese e shqiptarëve të thjeshtë, atëherë masa e arrestimit në shtëpi nuk do ish dhënë. Kaq.

Për të shpjeguar këtë ngjarje kaq të thjeshtë berishizmi ka ngritur një fabul sa konspirative edhe absurde se SPAK i merr urdhërat nga Rama për të hequr qafe Berishën. Arrestimet e zyrtarëve të lartë socialist, arrestimet e aleatëve politik të Ramës, arrestimet e grupeve kriminale me të cilët Rama ka marrë vota në Elbasan, Durrës dhe Shijak, të gjitha reduktohen në strategji për legjitimimin e arrestimit të Berishës.

Mbetet mister i madh se përse Rama duhet të sakrifikojë bashkëpunëtorët e tij të ngushtë, të humbasë miliona euro në afera korruptive, të njollosë qeverisjen e tij, të hedh në erë modelin Tirana, të heqë qafe aleatë të vyer politik si Lefter Koka, apo të godasë grupe kriminale që sipas vetë berishistëve i sigurojnë fitoren në terren, thjesht për të eleminuar Berishën nga gara elektorale.

A nuk e ka më kollaj Rama ta mundë Berishën në zgjedhje me milionat e aferave korruptive, me grupet kriminale në krah, me bashkëpunëtorët e tij të ngushtë në qeveri dhe me aleatë të vyer që i sjellin vota?

Në fund të fundit popullariteti i Berishës dhe i Metës nuk përbëjnë ndonjë rrezik elektoral që PS-ja të sakrifojë kaq shumë ministra, kriminelë, para dhe deputetë për arrestimin e Berishës. Aq më tepër kur e gjithë kjo sakrificë ka shkuar kot sepse Berisha sot mbetet i lirë të bëjë fushatë elektorale në zgjedhjet e ardhëshme.

Boshllëku i shpjegimeve politike të vendimeve të gjygjësorit buron nga fakti se për herë të parë në historinë e shtetit i shqiptar drejtësia po merr vendime që nuk mund të parashikohen politikisht. Për të kuptuar këtë mjafton të kujtojmë se sa politikisht të parashikueshme ishin vendimet e gjygjësorit shqiptar, të paktën që nga koha e komunizmit deri sot.

Në komunizëm politikja ishte identike me juridiken. Ndaj një dënim politik ishte identik me një dënim juridik. Dënimi që të jepte Partia e Punës thjesht vulosej nga gjykata. Për këtë arësye llogjika politike shpjegonte 100% vendimet e gjygjësorit.

Me rënien e komunizmit politikja dhe juridikja u ndanë teorikisht por jo në praktikë, sidomos në nivelet e larta të politikës. Gjatë qeverisjes së parë Berisha (1992-1997) sistemi i drejtësië i merrte vendimet me sytë dhe veshët nga doktori që në cilësinë e tij si President i republikës ishte edhe Kryetar i Këshillit të Lartë të Drejtësisë.

Nëse përfaqësues të gjygjësorit i rezistonin imponimit politik të ekzekutivit ata largoheshin me dhunë.  Ky ishte rasti i ish kryetarit të Gjykatës së kasacionit, Zef Brozit që jo vetëm u shkarkua në vitin 1995 nga Berisha por edhe u kërcënua fizikisht nga SHIK-u. Ndaj sistemi i drejtësisë vazhdoi të ishte një vegël e ekzekutivit që merrte vendime thellësisht politike

Rasti më famshëm ishte arrestimi i kryetarit të Partisë Socialiste, Fatos Nano më 30 korrik të vitit 1993. Në momentin që Nano u arrestua nuk kish asnjë dyshim që do dënohej. Jo sepse akuza ndaj tij ishte solide por sepse ai përbënte një rrezik politik për Berishën, i cili orientonte në mënyrë direkte vendimet e sistemit të drejtësisë.

Vetëm një vit më parë Partia Socialiste me në krye Fatos Nanon e kish mundur bindshëm Partinë Demokratike të Sali Berishës në zgjedhjet lokale të 28 korrikut 1993. Ky ishte mëkati i madh i Fatos Nanos që u dënua nga prokurorë dhe gjygjtarë që udhëhiqeshin nga interesat politike të Berishës shumë më tepër se nga parimet e drejtësisë. Llogjika politike iu mbivendos asaj juridike.

Për të njëjtën arësye akuzat e forta për korrupsion të Fatos Nanos kundër Ilir Metës dhe ministrave të tij gjatë fushatës për katharsis në vitin 2001 nuk prodhuan asnjë procedim penal. Drejtësia nuk u vu në lëvizje nga akuzat e Nanos sepse operonte sipas një llogjike thellësisht politike.

Për sistemin e drejtësisë ishte e qartë që fushata për katharsis e Nanos i shërbeu këtij të fundit të qeveriste me të njëjtët ministra që pak kohë më parë i kish akuzuar për korrupsion. Në këtë rast mos-veprimi i gjygjësorit ishte aq i parashikueshëm politikisht saqë as nuk u vu re nga mediat tona, ku askush nuk habit, dhe pakkush u ankua, se përse nuk u hap asnjë procedim penal pas aq shumë akuzave të rënda për korrupsion.

I njëjti arësyetim politik e shpjegon edhe pafajësinë e Fatmir Mediut dhe Shkëlzen Berishës pas shpërthimit të Gërdecit. Askush nuk dyshonte se pushteti i tyre politik do i ofronte mbrojtje dhe paprekshmëri nga gjygjësori, edhe pse përfshirja e tyre direkte në krimin e Gërdecit ishte dhe mbetet një sekret publik. Edhe në këtë rast sistemi ynë i drejtësisë u udhëhoq nga kalkulimi politik dhe jo nga llogjika e drejtësisë.

Ashtu sikurse ndodhi edhe me aferën korruptive të Ilir Metës të kapur me zë e figurë nga i ndjeri Dritan Prifti. Askush nuk kish dyshim tek korruptimi i Metës, duke përfshirë edhe demokratët. E megjithatë askush nuk u çudit që sistemi i drejtësisë i dha pafajësinë, sepse duhej mbajtur në këmbë qeveria Berisha-Meta.

Të gjitha janë vendime juridike që mund të shpjegohen vetëm politikisht. Në fakt ky ka qenë parimi kyç i funksionimit të gjygjësorit tonë, sidomos në çështje të profilit të lartë politik. Në këto raste vendimet e gjygjësorit janë përcaktuar pothuajse në tërësinë e tyre nga interesat politike të pushtetit.

Ndaj sot ka shumë pështjellim, nervozizëm e hutim kur diçka e tillë nuk ndodh. Analizat politike kanë humbur çdo kapacitet për të shpjeguar dhe parashikuar vendimet e drejtësisë së reformuar. Sot askush nuk mund të parashikojë me siguri vendimin që do marrë GJKKO nesër në rastin Berisha. Kjo është prova më e madhe se drejtësia e re nuk është vegël e interesave politike të pushtetit dhe aq më pak e shantazhueshme nga opozita.

Natyrisht kjo nuk do të thotë që pavarësia nga politika garanton automatikisht vendime juridike cilësore apo të mirë-arsyetuara. Kjo pavarësi thjesht do të thotë që vendimet e gjygjësorit tonë janë gjithnjë e më të paparashikueshme politikisht. Dhe ky është një lajm i keq për ne analistët politik, por shumë i mirë për qytetarët.