19.5 C
Tirana
E martë, 6 Maj, 2025

Propozimi i kryeministrit të Serbisë, Nikolla Pashiq për Nexhip Dragën lidhur me kufinjtë e “shtetit shqiptar”

Nga dr. Hasan Bello

Në vjeshtën e vitit 1912 pas përfundimit të luftës italo-turke, qeveritë ballkanike me nxitjen e Rusisë i shpejtuan përgatitjet politiko-ushtarake. Kur koalicioni i aleancës ballkanike ishte në përfundim e sipër, kryeministri i Serbisë, Nikolla Pashiq provokoi një takim me Nexhip Dragën. Ai realizua në Beograd. Në këtë takim, Pashiqi i propozoi deputetit dhe personalitetit të njohur nga Kosova, një bashkëpunim midis shqiptarëve dhe shteteve ballkanike në luftë kundër Perandorisë Osmane.
Por kur Nexhip Draga e pyeti Pashiqin mbi kushtet e bashkëpunimit, ai i dha një përgjigje të çuditshme, e cila pasqyronte boshtin e politikës serbe para dhe pas pavarësisë së shtetit shqiptar. Sipas tij, shtetet ballkanike (më saktë Beogradi) kishin rënë dakord midis tyre për një Shqipëri që do të shtrihej midis lumit Mat dhe Vjosës. Kjo linte jasht pjesën dërrmuese të trojeve shqiptare, duke krijuar një mikroshtet, i cili mund të shembej vetvetiu.

Për këtë arsye, Nexhip Draga i dha një përgjigje tepër të guximshme: “Sa për një Shqipëri të tillë ne shqiptarët preferojmë të luftojmë krah për krah me turqit kundër jush”

Ai niset menjëherë drejt Stambollit për tu takuar me miq e bashkëpunëtorë, politikanë të njohur me të cilët kishte kontakte personale. Në bisedimet me ta, ai vuri re se nuk kishin asnjë informacion për aleancën e shteteve ballkanike. Madje, fjalët e tij nuk i morën aspak në konsideratë. Kjo e zemëroi aq shumë Nexhip Dragën sa që para largimit nga Stambolli i deklaroi “S’kini faj ju, por fati ynë që na ka bashkuar me ju”.

Rezultati i ngjarjeve që u zhvilluan pas pak ditësh tashmë dihet. Masakra, spastrim etnik dhe mijëra të vrarë nga radhët e popullsisë shqiptare…

(Në foto personaliteti i njohur dhe deputeti shqiptar në Parlamentin osman Nexhip bej Draga)

Sa arra duhet të konsumoni në ditë dhe sa është sasia e duhur, ja ç’duhet të dini

Arrat janë shumë të shëndetshme për organizmin por nëse e teproni me to, do të përballeni me dhimbje koke, fryrje të stomakut dhe diarre.

 

Konsumi i tepërt i arrave në një periudhë afatgjatë mund t’ju shëndoshë, thonë ekspertët. Sipas të dhënave të bazuar në studime të nutricionistëve, racioni ideal ditor i arrave është 28 gramë ose 7 arra.

Efektet anësore të ngrënies së tepërt të arrave

Probleme me stomakun

Fibra është shumë e mirë për sistemin tretës dhe mirëqenien tuaj. Një grusht me arra ofron 2 gramë fibër, një sasi që nuk shkakton probleme në organizëm.

Por nëse ju tashmë keni nisur një regjim ushqimor të pasur me fibër, atëherë arrat nuk janë një zgjedhje e mençur. Konsumi i tepërt i fibrës mund të stresojë sistemin tretës dhe të shkaktojë gazra, diare dhe fryrje.

Shtimi në peshë

Arrat konsiderohen si një ushqim që sjell shumë energji. Një filxhan me arra ka 765 kalori. Megjithatë, falë yndyrnave të shëndetshme dhe fibrës, arrat arrijnë ta ngopin njeriun shumë shpejt. Nëse ju e teproni me arrat atëherë me siguri do të shtoni në peshë por do të keni dhe dhimbje koke gjithashtu.

Ekspertët thonë se çelësi i suksesit në mirëmbajtjen e një peshe trupore është të ndaloni së ngrëni sapo të ngopeni. Nëse ju hani arra dhe më pas sforcoheni për të mbaruar pjatën në tryezë edhe pse nuk jeni të uritur, do të merrni shumë kalori.

Niveli i duhur i kalorive ditore për gratë dhe vajzat është nga 1600 deri në 2,400 ndërsa për burrat dhe djemtë është nga 2,000 deri në 3,000.

Reagimet Alergjike

Nëse jeni alergjikë ndaj arrave, atëherë duhet të tregoheni shumë të kujdesshëm. Kujdesi nuk është kurrë i tepruar edhe nëse jeni alergjikë ndaj një arrori tjetër.

Simptomat reagimeve alergjike ndaj arrave përfshijnë skuqjen e lëkurës dhe kruarjen e saj. Megjithatë, në këto raste nuk përjashtohen: diarea, dhimbjet abdominale, tështima, kolla e thatë dhe bllokimi i hundëve.

Nëse këto simptoma shoqërohen me dhimbje të kraharorit, rrahje të ulëta të zemrës dhe rënie të tensionit atëherë shkoni me urgjencë tek mjeku.

“Mbetjet e rrezikshme ende në det të hapur”- DW: Kontejnerët e rikthyer në Shqipëri dyshohet se përmbajnë lëndë kancerogjene

Kontenjerët e nisur nga Shqipëria në Tajlandë më 4 korrik dhe të kthyer në Durrës së fundi, mbahen të sekuestruar nga prokuroria e Durrësit. Organizata ndërkombëtare BAN dyshon se bëhet fjalë për lëndë kancerogjene.

 

Pasi përshkoi dy porte të Bashkimit Europian, një në Afrikën e Veriut dhe një në Afrikën e Jugut e së fundi përfundoi në Azi, 102 kontenjerët me mbetje të rrezikshme – për të cilën ka dyshime se përmban lëndë kancerogjene – u rikthye sërish në Shqipërinë portin e Durrësit, aty nga u nisën më 4 korrik të këtij viti.

Katër muaj më parë, ngarkesa u nis drejt kompanisë “Copper Metal Company Ltd” në Tajlandë, kompani pa kapacitetin e nevojshëm për trajtimin e mbetjeve të tilla. Por një informacion i marrë përmes një burimi konfidencial nga “Basel Action Network” (Rrjeti i Veprimit të Bazelit), organizatë mjedisore me bazë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ngriti alarmin se ngarkesa përmbante mbetje të rrezikshme.

Mbetjet e rrezikshme, tranzit në disa porte
“Mbetjet lëvizën fillimisht drejt Italisë. Aty sasia u ngarkua në dy anije të ndryshme tregtare të kompanisë “Maersk”: “Maersk Candor” dhe “Maersk Campton”. Të dyja anijet përshkuan të njëjtin itinerar, por ato lundruan shumë ditë larg njëra-tjetrës. Nga Italia udhëtuan drejt Maltës, Marokut, Afrikës së Jugut dhe më pas Singaporit. Mendohet që ato kaluan përmes bregut perëndimor të Afrikës për të shmangur zonën e Detit të Kuq, për shkak të piraterisë Houthi. Anijet kishin vendosur të ankoronin në Afrikën e Jugut por pasi ne njoftuam qeverinë, aëherë ato fikën fenerët lokalizues deri afër Singaporit. Kjo “zhdukje në errësirë” ishte shumë e pazakontë “– thotë për Deutsche Welle Jim Puckett, drejtori ekzekutiv i BAN.

Frika e BAN lidhej me përmbajtjen e pluhurit të këtyre kontenjerëve, të cilët i përkasin “Kurum”, kompanisë turke të industrisë së përpunimit të çelikut në ish-Kombinatin Metalurgjik të Elbasanit. “Ne druhemi se kjo ngarkesë përmban lëndën që pretendon burimi ynë konfidencial: pluhur çeliku që çlirohet nga furrat me hark elektrik. Nga BE është përcaktuar si mbetje e rrezikshme. Hiri që grumbullohet në filtrat e furrave përmban kryesisht metale të rënda të rrezikshme si plumbi, kadiumi, zinku, nikeli etj. Por përmban gjithashtu elementë toksikë, që shkaktojnë kancer, si për shembull dioksinat, furani, hidrokarburet aromatike policiklike” – sqaron Puckett.

Vetë kompania “Kurum” nuk e ka pranuar deri tani se ngarkesa i përket kompanisë. Në një reagim për mediat më 21 gusht të këtij viti, pasi BAN ngriti alarmin për lëndën e dyshuar, kompania tha: “Kurum International nuk ka eksportuar asnjëherë mbetje të rrezikshme, ndaj edhe në këtë rast kjo ngarkesë për të cilen bëhet fjalë nuk është eksportuar nga Kurum International”.

Mbetjet nga “Kurum” rezultuan të ishin blerë nga kompania eksportuese “Sokolaj” – tashmë nën hetim nga prokuroria e Durrësit – e cila pretendon se nuk ka eksportuar mbetje të rrezikshme.

Gjatë gushtit, përmes një njoftimi të përbashkët për mediat, ministria e Mjedisit dhe ajo e Infrastrukturës, u shprehën njëzëri kundër rikthimit të sasisë së mbetjeve që ishin nisur drejt Tajlandës. “Shqipëria nuk mund të pranojë apriori rikthimin e ngarkesave të tilla, aq më tepër vetëm mbi bazën e dyshimeve e të spekulimeve, pa realizimin e analizave shteruese dhe provave ligjore të besueshme dhe të verifikueshme”.

Kontaminim i mjedisit dhe shëndetit
Valbona Mazreku, biologe dhe njëkohësisht drejtore ekzekutive e “Milieukontakt Albania”, organizatë që bashkëpunon me shoqërinë civile në çështjet mjedisore, është pjesë e grupit të organizatave që po bashkëpunon me BAN për transparencën e plotë të kësaj ngjarjeje që tashmë ka marrë përmasa ndërkombëtare.

“Përpara se kontenjerët të ngarkoheshin në anije, është vënë re qe pirgu i mbetjeve ka qenë në ambient të hapur dhe nën veprimin e faktorëve atmosferikë, ka ndotur mjedisin përreth – ajrin, tokën dhe ujin – por edhe shëndetin. Gjithsesi, vetëm pasi të bëhen analizat mund të flitet më shumë në lidhje me të. Por besohet që këto mbetje në kontenierë janë ende të hapura dhe do të kenë nevojë që të bëhet paketimi i tyre sipas llojit të mbetjes dhe protokollit përkatës, domethënë në ambalazhe tepër të sigurta dhe që nuk korrodohen nga faktorët atmosferikë dhe nuk lejojnë kullime të mundshme” – argumenton Mazreku për DW.

Sipas Mazrekut, marrja dhe analizimi i mostrave duhet të bëhet nga subjekte të specializuara dhe të licensuara. “Kërkon jo vetëm profesionalizëm, por mbi të gjitha transparencë dhe informim të plotë të publikut dhe të partnerëve ndërkombëtarë” – thekson ajo.

Transparencë kërkoi edhe BAN, por kërkesa e tyre është refuzuar deri tani nga ministria e Mjedisit. “Jemi takuar me zv.ministrin e Turizmit dhe ai nuk pranoi kërkesën tonë për të qenë të pranishëm në marrjen e mostrave nga kontenjerët. Ai na referoi tek prokuroria, e cila po heton çështjen. Ne do t’ia dërgojmë kërkesën prokurorëve” – thotë Puckett.

Hetime ndërkombëtare
Hetimet kanë kaluar këtë herë kufijtë e territorit shqiptar. OLAF, Zyra Anti-Mashtrim e BE-së, duket se është përfshirë në hetimet e ngarkesës me lëndë të dyshuar të rrezikshme. Dokumentacioni shoqërues për eksportin e 2100 tonelatave mbetje, të cilat kanë kaluar tranzit edhe në dy portet europiane, pritet të zbardhë shumë detaje ende të paqarta nga e gjithë kjo histori.

Deutsche Welle kontaktoi zyrën e shtypit të Komisionit Europian, për një koment në lidhje me ngjarjen dhe i pyeti ata nëse institucionet e BE-së janë përfshirë në hetime. Deri në çastin e publikimit të këtij shkrimi, KE nuk iu përgjigj interesit tonë.

“Direktivat e BE-së, gjithnjë e me shumë po bëhen më të rrepta në lidhje me eksportin e këtyre mbetjeve drejt vendeve jo-BE, që nuk kanë kapacitetet për riciklimin apo trajtimin përfundimtar të tyre, duke e ndaluar plotësisht një gjë të tillë. Dhe besoj biem të gjithë dakord që Shqipëria kërkon të jetë pjesë e BE-së jo vetëm me fjalë por dhe me vepra” – thotë Mazreku./DW

Tre gola larg rekordit, Myrto Uzuni udhëheq sulmin e Granadës në Spanjë

Myrto Uzuni po spikat në La Liga 2 këtë sezon. Sulmuesi i Kombëtares është padyshim lojtari i momentit nga Granada, pasi ka asistuar 6 gola dhe ka asistuar një tjetër.

 

Ndërkohë që kujtojmë se sulmuesi i Kombëtares shqiptare i regjistron këto numra në 11 ndeshje ku ka luajtur. Asnjë nga ekipi i Uzunit nuk ka bërë më mirë se ai, te liga e dytë për nga rëndësia në futbollit spanjoll.

 

 

Pas 29-vjeçarit te Granada është Riçard Sançes dhe Lukas Boje me nga dy gola. Uzuni po ashtu është 3 gola larg barazimit të rekordit, si golashënuesi më i mirë në historinë e Granadës. Rekord që mbahet aktualisht nga marokeni Jusef El Arabi me 44 gola.

“Ç’janë këto veshje, këto bizhuteri, këto këngë?!”- Refleksionet e shkrimtarit të njohur, për festivalin e 11-të: Enver Hoxha i vrenjtur, iu drejtua Nexhmijes…

Nga Skifter Këlliçi

-Prapaskenat e festivalit të 11-të të këngës në  RTSH, (22-25 dhjetor 1972): Nga Enver Hoxha e Nexhmija, te Ramiz Alia, Todi Lubonja, Nefo Myftiu, MihalI Luarasi, etj.-

Prolog
Është e katërta herë, që po shkruaj për Festivalin e 11-të Kombëtar të Këngës në Radio Televizionin Shqiptar, (22-25 dhjetor 1972), aq sa ç’kam shkruar para disa kohësh për Konferencën e Tiranës, (16-20 prill, 1956). Edhe këtë radhë për të njëjtën arsye: për mungesën e saktësi historike të disa ngjarjeve që lidhen me këtë festival, të cilat Ramiz Alia, ish-sekretar i parë i parë i PPSh-së, pas vdekjes së Enver Hoxhës, i përshkruan në librin e tij të fundit “Jeta ime” (2010), ndonëse në të ka pohime objektive, të sinqerta, sidomos  kur ai dëshmon  për gabimet e rënda që sollën në dështimin e sistemit komunist në Shqipëri, të drejtuar nga Enver Hoxha, ku edhe kërkon falje. Por në përshkrimin e figurës së tij, Ramiz Alia është shpesh herë kontradiktor, sidomos në kapitullin; “Lufta kundër liberalizmit”, ku ndalet te Festivali i 11-të i Këngës në Radio Televizionin Shqiptar (22-25 dhjetor 1972).

“Njerëz të ndryshëm,- shkruan ai në këtë libër, – më kanë bërë pyetjen: “A i dëgjonte Enveri shokët dhe ai pyeste ata, apo vepronte në kokë të të vet”? Të tilla pyetje  bëhen, sepse propaganda e kundërshtarëve politikë, sidomos pas ngjarjeve të viti 1990, e përshkruan Enverin, si diktator të egër. Përgjigja ime për pyetjen e mësipërme është: “Po, Enveri i dëgjonte shokët, këshillohej me ta për probleme të ndryshme dhe vepronte sipas vendimeve që merreshin kolegjialisht”, (faqe 166).

Mirëpo, në kapituj të tjerë të librit, që do të analizoj në këtë dossier, me dëshirë, ose pa dëshirë, Ramiz Alia pohon për herë të parë, ashtu si edhe për veprime të tjera të Enver Hoxhës, të paktën pas vitit 1956, pra pas Konferencës së Tiranës, se ato nuk ishin aspak kolegjiale, aspak mendime të shtruara në mbledhje të Byrosë Politike, ose të Komitetit Qendror, të cilat gjatë kësaj periudhe u bënë edhe më shumë instrumente që ai i vërtiste në duart e tij si ‘t’ia kishte qejfi, por vendime të marra prej tij dhe vetëm prej tij, duke dëshmuar kështu, se nuk ishte veçse një diktator i egër i tipit hitleriano-stalinist.

Dhe këtë, siç do ta shohim, pas ngjarjeve tragjike të Konferencës së Tiranës, e dëshmoi qartë me Festivalin e 11-të të Këngës në RTSh,(22-25 dhjetor 1972), që pati pasoja gjithashtu tragjike, sepse ai nuk goditi vetëm këtë festival, nuk goditi vetëm artin, letërsinë, artistë e shkrimtarë, por më pas hobeja në duart e Enverit “Goliath”  u vërtit, po aq vdekjeprurëse në fushën e ushtrisë, ekonomisë, duke bërë kurban anëtarë të Byrosë Politike, (midis të cilëve siç e pohon vetë, mund të kishte qenë edhe ai, por… u fal nga diktatori), të Komitetit Qendror, komunistë të thjeshtë, duke mbjellë tmerr te njerëzit e thjeshtë, me burgosje e internime, ose me të ashtuquajturin qarkullim kuadri.

Dhe për këto pasoja – shkruan Ramiz Alia në librin  e tij “Jeta ime”, ku madje zbulon se Enver Hoxha vuante, siç shprehet ai; “nga një farë paranoje, prej meje e justifikuar”, (faqe 199). Mirëpo, nga ana mjekësore, me fjalën “paranojë” (paranoja), nënkuptohet një psikozë e karakterizuar nga një delir kronik (gjendje e turbullt mendore), bazuar në një sistem bindjesh që nuk përkojnë me realitetin, si pasojë e persekutimit ose madhështisë që shfaqen tek i sëmuri. (Kjo fjalë vjen nga greqishtja e vjetër “paravous”- jashtë mendjeje, çmenduri). (“Webster’s & Dictionary and Thesaurus, United States Ëordle Atllas”, faqe 574).

Ja pra se në ç’gjendje mendore ndodhej prej vitesh Enver Hoxha,të cilën e pohon edhe vetë Ramiz Alia. Ç’ishte atëherë kjo paranojë,(gjithnjë sipas përcaktimit të Ramiz Alisë), që ndezi edhe më shumë trurin dhe mendjen e tij  pas mbarimit të Festivalit të 11-të të Këngës në RTSh?  Përse goditja që solli ndaj këtij festivali, nuk ishte e menjëhershme, siç kishte ndodhur dhe do të ndodhte në ndonjë rast edhe më pas, kur “vigjilenca” e tij, kishte qenë e rrufeshme edhe në fushën e artit dhe letërsisë, për të asgjësuar çdo dukuri që cënonin sipas tij; “mësimet e Partisë dhe te parimet e realizmit socialist”? Përse…?! Le ta shpjegojmë këtë dukuri, duke kundërshtuar plotësisht shprehjen e Ramiz Alisë, se; “Enveri i dëgjonte shokët, këshillohej me ta…”, pra nuk ishte diktator…!

Nën dritën e disa fakteve…!

“Në shfaqjen e dramës ‘Rrethimi i bardhë’, që u dha parmbrëmë në Korçë – më shpjegonte një pasdite shkurti të vitit 1964, shkrimtari Naum Prifti, ai, – ishte edhe shoku Enver. – Isha edhe unë në sallën e teatrit. Gjatë dhe pas shfaqjes ai duartrokiti, por kur doli në sallon, ai kishte pamje të ngrysur. Duke biseduar me shokët e Komitetit të Partisë që e rrethonin, u tha atyre se drama kishte të meta të mëdha ideore, ndaj nuk duhej të shfaqej më. Veç kësaj, ai shtoi ai, edhe kritika duhej të mbante qëndrim ndaj autorit dhe regjisorit Pirro Mani”! Dhe kështu ndodhi me të vërtetë. Kjo shfaqje u ndalua dhe kritikat në shtypin letrar, me sa mbaj mend, e ndoqën të ziun Naum për vite më radhë. Në fillim të nëntorit të vitit 1969, Mihal Luarasi, me dramën “Njollat e murrme”, të dramaturgut Minush Jero, të vënë si për ironi të fatit sërishmi në teatrin korçar, kishte fituar çmimin e parë në Festivalin Kombëtar të teatrove profesioniste, që kishte përfunduar para disa ditësh. Madje vetë kryeministri, Mehmet Shehu i kishte dhënë flamurin Teatrit “Çajupi”, duke e cilësuar këtë dramë; “me vlera të mëdha ideoartistike”.

Në librin “Kur kujtohem që jam”, (1997), poeti i njohur, Fatos Arapi, shkruan kështu lidhur më këtë dramë: “Kryeministri, Mehmet Shehu, ngriti dollinë, por më parë falenderoi autorin, Minush Jeron, që kishte pranë, lavdëroi dramën… me dorën e djathtë vizatoi një hark nëpër ajër. “Kjo është mjeshtëria e shkrimtarit. Ai ka ditur të kapë esencialen…”! Dhe foli gjatë e lirshëm. Në numrin e saj të 9 nëntorit të viti 1969, gazeta “Drita” dilte me një artikull të shkruar nga vetë kryeredaktori: “Një njollë e zezë” dhe për ne ishte fare e kuptueshme, se më shumë se sa për autorin e dramës, goditja e fyerja publike, i bëhej kryeministrit, Mehmet Shehu, të cilit nuk i lejohej të hynte “aq thellë” në rrethet e botës artistike, (faqe 266).

Ç’kishte ndodhur?! Pas disa ditësh në Teatrin Popullor, këtë shfaqje e kishte parë Enver Hoxha dhe e kishte cilësuar si; “vepër me të meta të dukshme ideoartistike”. Po përse atëherë Enver Hoxha, nuk veproi në të njëjtën mënyrë me Festivalin e 11-të, të cilin edhe atë, ai po e ndiqte atë natë të 22 dhjetorit të vitit 1972, në vilën e tij komode, në Vlorë?! Po përpiqemi ta rindërtojmë këtë skenë të hamendësuar, të cilën edhe unë e kam përshkruar në romanin tim; “Festivali i Njëmbëdhjetë”, botuar më 2003. Enver Hoxha, ndjek me vëmendje natën e parë të festivalit. Pranë duhet të këtë pasur pa tjetër të shoqen dhe bashkëpunëtoren e tij më të ngushtë, për të gjitha problemet, Nexhmijen.

Në ekran shfaqen dy drejtuesit e festivalit, Bujar Kapexhiu dhe Edi Luarasi, e shoqja e Mihalit, që është edhe regjisor i këtij festivali. Pastaj, në skenë dalin këngëtarë e këngëtare të veshura disi ndryshe, me fustane të gjata, unaza e byzylykë nëpër duar e, vathë të mëdhenj në veshë. Pjesa e mirë e këngëve, përshkohen nga ritme të gjalla. Këngëtarët, gjithashtu përpiqen t’u përshtaten më së miri këtyre ritmeve. Befas Enver Hoxha, i vrenjtur, i drejtohet Nexhmies edhe ajo e vrenjtur, si dy vëllezër siamezë: -“Ç’janë këto veshje, këto bizhuteri, ç’janë këto këngë”?! -“Vërtet, ç’po ndodh kështu në këtë festival”?! -befasohet Nexhmia. Logjikisht kështu duhet të këtë ndodhur, përderisa më pas u mor vesh se; udhëheqësi i madh, nuk e kishte pëlqyer festivalin.

Atëherë me të drejtë lind pyetja. “Përse ai nuk veproi si në dy rastet, kur me të parë dramat “Rrethimi i bardhë” e “Njollat e murrme”, dha urdhër që ato të mos shfaqeshin për arsyet që përmendëm, ndonëse dramën e dytë e kishte pëlqyer vetë Mehmet Shehu?! Përse, pas përfundimit të natës së parë të Festivalit të 11-të nuk mori menjëherë në telefon Ramiz Alinë, që ishte shefi i propagandës në Komitetin Qendror e nuk i tha:-“Ramiz, e pe natën e parë të festivalit”? Pas përgjigjes së tij pohuese, ai do të vazhdonte:-“Po si e ke lejuar këtë hata të zezë”?! Që nesër tërë këngëtarët të dalin me veshje të thjeshta, e ritmet e këngëve të bëhet ç’është e mundur, të zbuten”? A kishte mundësi ta bënte diktatori këtë veprim? Sigurisht. Çdo të kishte ndodhur më këtë rast?

Ramiz Alia do të kishte njoftuar menjëherë Todi Lubonjën, drejtorin e përgjithshëm të RTSh-së në atë periudhë, shokun e tij të ngushtë, që në vitet e fëmijërisë, që të merreshin masat e mësipërme. Si pasojë, që të nesërmen në mëngjes, drejtori artistik i Festivalit të 11-të, Nikolla Zoraqi, regjisori, Mihal Luarasi dhe organizuesit e tjerë, me Todi Lubonjën dhe Nefo Myftiun, drejtoreshë Radios (e shoqja e Manush Myftiut, anëtar i Byrosë Politike), do të kishin marrë masat më të mundshme, për të shpëtuar atë që mund të shpëtohej në tri netët e tjera të Festivalit të 11-të.

Atëherë, pas mbledhjesh e diskutimesh, që do të nisnin nga organizatat bazë të partisë, të Komitetit të Partisë së Tiranës e më lart, për drejtuesit e RTSh-së do të merreshim disa masa e me kaq çdo gjë do të merrte fund. Cilat mund të ishin këto masa? E shumta, Todi Lubonjës mund t’i jepej një vërejtje e rëndë, ose mund të transferohej të punonte diku në një sektor tjetër. E njëjta gjë mund të ndodhte me Nefo Myftiun, drejtoreshë e Radio Tiranës, Mihal Luarasin regjisor i festivalit…! Vetëm kaq.

Për të mos prishur atmosferën, kjo nuk do të ndodhte para Vitit të Ri, por, menjëherë pas tij. Mirëpo nuk ndodhi kështu…! Në kapitullin “Lufta kundër liberalizmit”, që përfshihet në librin “Jeta ime”, (botim i vitit 2010), Ramiz Alia, duke u ndalur te Festivali 11-të Këngës në RTSh, shkruan kështu: “Natën kur u bë festivali, unë e ndoqa atë drejtpërsëdrejti në sallën e Teatrit të Operës dhe Baletit. Më tërhoqi vëmendjen mënyra “e re” e qëndrimit në skenë të artistëve, veshja e tyre dhe veçanërisht manierizmat në ekzekutimin e këngëve.

Në pushimin e pjesës së parë dhe të dytë, bisedova me Todi Lubonjën, atëherë Drejtor i Përgjithshëm i RTSh-së. I thashë se festivali i ishte kaluar kufijtë dhe binte në kundërshtim  me vijën e partisë, qoftë përsa  përket mënyrës së ekzekutimit të këngëve, qoftë përsa i përket  veshjes së këngëtarëve. Ai pjesërisht më kundërshtoi, pjesërisht ishte dakord për ndonjë ‘ekzagjerim’. Të nesërmen bisedova edhe me Hysni Kapon e Mehmet Shehun dhe asnjeri nuk kishte ndonjë vërejtje të veçantë”. (faqe 262). Mirëpo, në librin e tij “Nën peshën e dhunës”, (botim i tretë, 2010), Todi Lubonja, këtë ngjarje e paraqet krejtësisht ndryshe.

“Natën e fundit, – shkruan ai, – asistoi Ramiz Alia. Ishim ulur së bashku në lozhë. Gjatë gjithë shfaqjes, bëri vetëm një vërejtje: “Të pëlqen ty ky fustan”? Vërtet, ishte një këngëtare që kishte veshur një fustan që nuk i shkonte fare…! Kur mbaroi shfaqja, me të dalë nga Teatri i Operës, Ramizi lëshoi një fjalë që as atëherë, as tani, nuk arrij ta kuptoj: – “Mos janë këto bonbone të veshura me sheqer, që mbajnë brenda helm”?! – “Jo, nuk besoj të ketë këtu ndonjë gjë me qëllim të keq”. – “Jo”,-u përgjigj edhe ai dhe iku. Ishte hera e parë, që më fliste kinezçe. Pa e prishur qetësinë, nuk bëra ndonjë vlerësim kushedi se çfarë për festivalin, por nuk e quajta as kataklizëm kombëtare”, (faqe 303,304 e veprës së mësipërme).

Që Ramiz Alia ka bërë një pyetje të tillë pas natës së fundit të këtij festivali, pra: “Mos janë këto bonbone…”, këtë ma ka pohuar mua personalisht, vetë Todi Lubonja. Kjo ndodhi kur në janar të vitit 1991, kur i bëja vizita në shtëpi, për të mësuar nga ai vetë ngjarje që lidheshin me Festivalin e 11-të, që do të më duheshin për të shkruar romanin me të njëjtin titull, që përmenda më sipër.

Madje te zbërthimi i kësaj pyetjeje, ndalet edhe Mihal Luarasi, në artikullin i tij; “Ballë për ballë, me vejushën e zezë”, (Rikujtim pa dashje i Festivalit të 11-të…pas 30 e ca vjetësh”), kur shkruan: “Fraza e mësipërme e Ramiz Alisë, shpreh edhe dyshim-mosbesimin e përhershëm, të gjerakëve të lartë partiakë ndaj artistëve dhe shkrimtarëve, frikën se mos ata në çdo kohë, mund t’i punojnë ndonjë rreng partisë, t’i futin ujë nën rrogoz”. (“Kujtesa që nuk fle”, faqe 205). Edhe unë ka bindjen, se kur ka bërë këtë pyetje, Ramiz Alia, në  një mënyrë a në një tjetër, këtë qëllim ka pasur, por edhe nuk e ka zgjatur, aq më tepër kur pohon se pasi kishte biseduar me Hysni Kapon dhe Mehmet Shehun, “asnjeri nuk ishte pasur vërejtje të veçantë”!

Pra, del se veç bisedës së mësipërme, Ramiz Alia nuk ka thënë tjetër rreth Festivalit të 11-të, sepse, po të kishte qenë ndryshe, pra sikur ai të  kishte bërë vërejtje të ashpra për këtë festival, me fjalë të tjera, sikur të kishte thënë se: “Ai bie në kundërshtim me vijën e partisë”,  atëherë do të ndodhte ajo që që kam shkruar më sipër: Që të nesërmen, Todi Lubonja dhe të tërë organizuesit e festivalit, do të kishim marrë masa të menjëhershme, që të këto të meta të mënjanoheshin. Pa le, pastaj, sikur vetë Enver Hoxha, të kishte bërë vërejtje nga Vlora…! Por kjo nuk ndodhi!

Edhe diçka tjetër: Ramiz Alia, siç e pamë, shkruan në librin e tij se e kishte parë natën e fundit të Festivalit të 11-të në sallën e TOB-it (Teatri i Operës dhe Baletit), duke pasur pranë Todi Lubonjën, të cilit në pushimin midis pjesës së parë dhe të dytë, i kishte thënë se; “Festivali, binte në kundërshtim me vijën e Partisë, qoftë përsa i përket mënyrës së ekzekutimit të këngëve, qoftë përsa i përket veshjes së këngëtarëve”!

Sipas këtij pohimi del se Ramiz Alia, ndryshe nga Enver Hoxha, nuk ka parë tri netët e para të këtij festivali në Radio-Televizion. Se po t’i ishte parë, vërejtjet e mësipërme, të cilat e përsëris, i hedh poshtë Todi Lubonja në librin e tij; “Nën peshën e dhunës”, duhej t’ia kishte bërë menjëherë pas natës së parë, të dytë ose të tretë  të festivalit. Por vështirë të ketë ndodhur kështu. Ai i duhet t’i ketë ndjekur tri netët e para nga ekrani i RTSh-së-së dhe nuk ka bërë asnjë ve vërejtje, veç atyre të mësipërmve. Memorie.al

Rrufeja godet një kamp refugjatësh, humbin jetën 14 persona, 34 të plagosur

Katërmbëdhjetë persona kanë mbetur të vdekur nga një goditje rrufeje në një kamp refugjatësh në Ugandën veriore, ka bërë të ditur policia të dielën.

 

Ngjarja ndodhi të shtunën në lagjen e largët të Lamwo. Zëdhënësi i policisë Kituuma Rusoke ka thënë se 34 persona të tjerë janë lënduar. Viktimat ende nuk janë identifikuar, raporton AP.

Banorët e kampit të vendbanimit Palabek, i cili strehon kryesisht refugjatë nga Sudani i Jugut, po ndiqnin një shërbim lutjeje në strukturën e improvizuar metalike kur ra rrufeja.

Rrufeja vdekjeprurëse raportohet zakonisht në këtë vend të Afrikës Lindore gjatë stinëve të lagështa.

Rindërtimi në lagjen 5 në Durrës në vendnumëro

Rreth 5 vite pas tërmetit tragjik, banorët e lagjes numër 5 në qytetin e Durrësit nuk kanë hyrë ende në banesat e tyre, Verifikimi i Faktoje.al në terren dhe informacionet e siguruara nga Bashkia e Durrësit tregojnë se në këtë zonë ka përfunduar vetëm një pallat, ndërkohë që ende nuk ka nisur puna për rindërtimin e 8 të tjerëve. Bashkia e Durrësit argumenton se nuk ka fonde, ndërsa është në pritje të mbështetjes nga institucionet e qeverisjes qendrore.

Në maj të vitit 2023, kryetarja e Bashkisë së Durrësit, Emiriana Sako premtoi ndërtimin e pallateve të dëmtuar nga tërmeti i 26 nëntorit të vitit 2019, në lagjen numër 5 të qytetit bregdetar.

“Në takim me banorët e njësisë nr. 3 ku u angazhuam që pallatet DS5 të lagjes nr. 5 të rindërtohen në të njejtin vend”- shkroi në Facebook, kryebashkiakja Sako.

Postimi i kryebashkiakes së Durrësit Emiriana Sako në Facebook, 8 maj 2023

Faktoje vendosi të verifikojë këtë premtim, duke iu drejtuar fillimisht me një kërkesë për informacion Bashkisë së Durrësit. Zyrtarisht ky institucion bën të ditur se në lagjen numër 5 të njësisë administrative numër 3 janë në total 9 pallate me shkallë dëmi DS5. Ndërkohë, është rindërtuar pallati nr.30, rruga “Hysen Myshketa”.

Kjo u konstatua nga Faktoje.al edhe gjatë një verifikimi në terren në lagjen numër 5 të qytetit bregdetar më 17 tetor, ku pamë nga afër ecurinë e procesit të rindërtimit aty. Në këtë zonë vetëm një pallat kishte përfunduar, ndërkohë që pallatet e tjerë të dëmtuar nuk ishin shembur dhe nuk kishte gjurmë të nisjes së punimeve për rindërtimin e tyre.

Mirëpo, Bashkia nuk ka një datë kur mund të nisë puna për ndërtimin e pallateve të tjera, duke theksuar se procesi nuk varet vetëm prej tyre.

“Nëse nga institucionet përkatëse të qeverisjes qendrore nuk do të lëvrohen fonde për këtë proces, Bashkia Durrës do të vlerësojë mundësinë e përfundimit të këtij procesi me fondet e saj duke filluar nga viti që vjen. Rindërtimi i këtyrë objekteve është një proces, i cili nuk varet vetëm nga institucioni ynë, por që kryhet dhe realizohet në bashkëpunim ndërinstitucional”, argumenton Bashkia e Durrësit.

Por kur pritet që në pallatin e vetëm që ka përfunduar në këtë lagje, banorët të mund të hyjnë në shtëpitë e tyre? “Aktualisht në pallatet e rindërtuara, akomodimi i banorëve parashikohet të realizohet deri në fund të këtij viti”, bën të ditur Bashkia. Edhe një vit më parë, në një reagim për Faktoje.al , Bashkia e Durrësit njoftonte se banorët do të futeshin në shtëpitë e reja brenda vitit.

Banorët pa bonus qiraje

Prej marsit të vitit 2023, banorët e prekur nga tërmeti i 5 viteve më parë, nuk po marrin as bonusin e qirasë.

“Na kanë lënë si mos më keq. Shtëpi nuk kemi, bonus qiraje ka më shumë se 1 vit e gjysmë që nuk po marrim. Përgjigje nuk na japin kur do na i bëjnë shtëpitë. Kemi bërë takime me kryetaren dhe na thuhet e njëjta gjë, do nisim punë sa më parë. Deri më tani, nuk kemi parë asgjë konkrete”, thotë Bona, banore e njësisë 5 në qytetin bregdetar.

E pyetur nga Faktoje.al, Bashkia e Durrësit thekson se e ka miratuar listën e banorëve që përfitojnë bonus qiraje, por nuk jep asnjë informacion nëse këta banorë do ta marrin bonusin dhe as çfarë do bëhet me qiratë e prapambetura prej më shumë se 1 viti e gjysmë. Sipas këtij institucioni, ndërpreja e fondeve nga Ministria e Financave ka krijuar këtë problematikë, pasi Bashkia nuk ka buxhet për mbulimin e kostove për qiratë e banorëve të prekur nga tërmeti i vitit 2019.

“Nga momenti i ndodhjes së fatkeqësisë natyrore dhe deri në muajin mars të vitit 2023, bonusi i qirasë është financuar nga Ministria e Financave dhe Ekonomisë. Ndodhur në këto kushte Bashkia Durrës ka bërë vetëm miratimin e listës perfituese të banorëve me vendim këshilli bashkiak. Nëpërmjet shkresës nr.5897 të Ministrisë e Financave dhe Ekonomisë, të gjitha bashkitë janë njoftuar se subvencionimi i qirase mbas muajit Mars 2023, nuk do të financohet më nga Ministria e Financave dhe Ekonomisë, por duhet parashikuar nga buxheti i Bashkisë”, bën të ditur Bashkia.

Prej vitesh, procesi i rindërtimit në Durrës është zvarritur dhe kjo është verifikuar nga Faktoje.al në një sërë artikujsh.

Nga verifikimi në terren dhe informacionet e grumbulluara, vendosëm që premtimin për rindërtimin e pallateve në lagjen 5, ta kategorizojmë Të Pambajtur.

Faktoje, e mbështetur nga National Endowment Democracy (NED) po monitoron 10 bashki në vend dhe po verifikon nëse janë mbajtur ose jo premtimet e dhëna nga kryebashkiakët.

Viktor Orban: Një fitore e Donald Trump detyron Evropën të rimendojë ndihmën për Ukrainën

Evropa duhet të rimendojë mbështetjen për Ukrainën nëse Donald Trump zgjidhet president i Shteteve të Bashkuara, ka thënë të dielën kryeministri hungarez, Viktor Orban, meqë, sipas tij, “kontinenti nuk do të mund të përballojë vetë luftën”.

 

Orban kundërshton ndihmën ushtarake për Ukrainën dhe e ka bërë të qartë se Trump ka qëndrime të njëjta, dhe do të negocionte një zgjidhje paqësore për Ukrainën.

Ai përkrah ish-presidentin Trump, kandidatin e republikanëve për president, në garën kundër nënpresidentes aktuale, Kamala Harris, kandidate e demokratëve për presidente.

“Ne [në Evropë] duhet ta kuptojmë që nëse do të kemi një president pro-paqes në Amerikë, dhe unë jo vetëm që besoj, por po shoh edhe shifrat në atë drejtim.. nëse ndodh ajo që presim dhe Amerika do të jetë pro-paqes, atëherë Evropa nuk mund të jetë pro-luftës”, ka thënë Orban.

Ukraina do të jetë lart në agjendën e liderëve evropianë, të cilët takohen javën që vjen në Budapest, ka thënë ai, duke iu referur Komunitetit Politik Evropian dhe një takimi tjetër më joformonal të liderëve të BE-së.

“Evropa nuk mund të mbajë vetëm barrën e luftës, dhe nëse amerikanët i kthehen paqes, atëherë edhe ne duhet të adaptohemi, dhe këtë do ta diskutojmë në Budapest”, ka thënë Orban.

Rezultati zgjedhor në Shtetet e Bashkuara pritet të ketë ndikim të madh në luftën në Ukrainë dhe sigurinë e kontinentit evropian.

Orban e ka zemëruar së fundmi Brukselin, për shkak të lidhjeve të ngushta me Rusinë dhe kundërshtimet e tij për ndihmën për Ukrainën, e cila përballet me pushtimin rus prej shkurtit të vitit 2022.

Ministri i Jashtëm hungarez, Peter Szijjarto, ka thënë në korrik se Qeveria hungareze e sheh Trumpin si “mundësues të paqes” në Ukrainë.

Në korrik, Orban dhe ekipi i tij i ka ndihmuar ekipit të Trumpit rreth politikave për familjen dhe migrimin. Ai e ka telefonuar Trumpin të enjten për t’i uruar fat në zgjedhjet e 5 nëntorit./REL

“Çfarë e patët atë rreckë me një sorrë në mes që ngritët në majë të pallatit”- Ish-i burgosuri i Spaçit tregon bisedën me Feçor Shehun! Ja si ia ktheu Nuri Stepa

Tash në pleqëri, ndjej detyrim të rrëfej të vërtetën time, ashtu siç e jetova. Të flas për burrat modestë, që s’u mburrën ndonjëherë me bëmat e tyre dhe për të tjerët që regjimi u mbylli gojën e, i groposi në skërkat pa emra. Në asnjë rast s’marr përsipër, të uzurpoj monopolin e së vërtetës apo, të pretendoj dafinat për një ngjarje, ku qeshë i pranishëm rastësor, ndonëse u rreka me shpirt të ndihja sadopak miqtë e mi, që më shmangën me takt dhe me dashamirësi: “Byrazer, hap sytë… mos u përzje… se edhe dy muaj e pak të kanë mbetur”! Merak që m’u qep si hajmali, nga mëngjesi i datës 21, 22 dhe 23, maj 1974, madje më ndoqi edhe muajt në vijim, gjersa më liruan. Sidoqoftë, gjithë ç’ pashë dhe dëgjova ato tri ditë, s’do doja t’i merrja në varr.

Mica e Shtjefën Lacukut

Trashëgimia më e vyer që la filohelenisti i shquar Vas Gavoçi, mbas daljes nga burgu, veç veprave të klasikëve dhe morisë së heronjve të Homerit, pa diskutim ishte “Pisi-pisi”, një mace larushe e bardhë në të zezë, me sytë si sumbulla ari. “Pisi-pisi” ishte produkt i një çiftëzimi bizar, mëma ishte me origjinë nga Repsi, ndërsa ati, një maçok i egër. Kur na transferuan, Vasi futi macen në thes, e maskoi brenda dyshekut rrulo dhe ua hodhi policëve.

Kështu “Bardhoshja” mbërriti në Spaç, ku u përshtat mirë e bukur, me gjahun e bollshëm, (minjtë e galerive shtoheshin më shpejt dhe më të majmë). Sa u njoh me mjedisin, “Bardhoshja” doli jashtë rrethimit të eksploronte rrethinat, ku ndeshi një maçok të zi, që na e solli kollovar. Sapo u çiftëzuan, daci u bë firar, ndërsa “Bardhoshja” pas ca muajsh lindi tri kotele larushe, që shtuan gëzimin e krejt kapanonit.

Por një mëngjes, Vasi gjeti dy kotele të ngordhura dhe të tretën të plagosur. Duket “Bardhoshja” harroi përkujdesjen për të vegjlit, e mësuar me ngordhalaqët e Repsit, minjtë e Spaçit siç përmenda, ishin të shëndetshëm e tepër agresivë dhe sipas gjasave, i kishin mbytur. Pas ca kohe edhe “Bardhoshja” u zhduk, lajthiti apo, e shqyen minjtë, s’i dihet! Kësisoj; “Pisi-pisi” përfundoi jetime.

Tashmë gjithë dashurinë e hodhi te Vasi, që kujdesej dhe e ushqente me merakun e prindit. Kotelja larushe shëtiste shtrat më shtrat dhe iu fërkohej të gjithëve, por gjumi e zinte vetëm mbi gjoksin e tij. Sapo avitej “Pisi-pisi”, Vasi linte klasikët mënjanë dhe luante me të, gjë e pazakontë për filohelenistin e dhënë pas autorëve të antikitetit. Kështu vijuan gjer ditën e lirimit, kur bashkë me klasikët, i mbeti Tefës trashëgim.

Humbja e kontaktit më të zot, e bëri “Pisi-pisin” melankolike. Ajo grimpohej mbi kartoserë dhe mjaullinte majë çatisë, si t’i thërriste padronit. Tefa e ndillte: “Pisi-pisi”, po ajo vijonte vajet, gjersa bindej se s’do kthehej i zoti, pastaj zbriste me përtesë, i fërkohej pas gjunjëve dhe shtriqej sy-picërruar, me ronrone të zgjatura.

“Tani që të la Vasi pendët, të rrojë macka spiune bre Tef”! – e cyste Xhelal beu, pas ritit të përditshëm. – “Paj, pasha Zotin Xhelal bej, ma qari më del, m’u marr me micën, se me Akilin tat”! – ia kthente Tefa hazër xhevap (duke nënkuptuar Akil Kurbinin) dhe të qeshurat e shakatë tundnin kapanonin.

“Tarti”

Më se një vit para Revoltës, në kapanonin mbi abis, kumbisi një këlysh i vockël dhe i dobët, sa të ngjallte mëshirë. Fiqiri Muho, i sajoi një kolibe nën dritare, ia shtroi me kashtë e me rrecka dhe e ushqeu me biberon, gjersa nisi të hante me gojën e vet. Bubi rritej dhe zbukurohej, por s’ishte i prerë për burg, sepse dilte jashtë rrethimit dhe kthehej në strofkë, sa herë i tekej. Kësisoj u bë një tip emisari, që nxirrte brengat tona dhe sillte një grimë lirie.

E thërrisnim “Bubi”, aventurierin e vogël dhe ai na përgjigjej me “ham-liame” gazmore. Por duket ky emër, s’i ngjiti Fiqos sepse, kur po lexonte një ditë Dodë-në, iu tek ta pagëzonte “Tartarin” në respekt të taraskonasit të famshëm. Qysh atëkohë, e thirrëm njëzëri “Tarti”.

“Tarti” u rrit me ne, u bë pjesë e jetës sonë dhe miku më i mirë. Për të hiqnim çapën nga goja, ama edhe ai na e shpërblente me ledha dhe ojna. Aq u lidhëm, sa do ta kërkonim zgëqeve të kampit apo, do ta ndillnim gjersa të rikthehej, kur s’e gjenim në strofkë, po edhe ai e braktisi racën e vet dhe s’na ndahej, nga mëngjesi në darkë, në apel, në banjë, në mensë, madje gjer në hyrjen e galerive.

Duke u rritur fitoi ca reflekse të veçanta, shoqëronte njërin turn dhe priste tjetrin kur linte punën, me aq saktësi, sa mund ta krahasoje me një sahat perfekt. Kur qëllonte të na mbanin më gjatë, “Tarti” zinte hyrjen dhe bulurinte, gjersa shihte të dënuarit. Prezenca e tij i acaronte policët, që e përzinin dhunshëm, po ai kthehej dhe ua riniste ulërimave.

Ata e qëllonin me gurë dhe e sakatonin, ne e mjekonim dhe të nesërmen përsëritej avazi, gjersa lindi një antipati e ndërsjellë që u kthye dora dorës në armiqësi të rreptë. Sa pikaste rrobën e policisë, i ngrihej qimja drizë, skërmiste dhëmbët dhe i sulmonte ku mundte. Në këto pozita i gjeti revolta. “Tarti” përfaqësonte kafshën më të çuditshme e, më inteligjente që kam rastisur të shoh apo të dëgjoj.

Çudia lidhet me instinktet e kultivuara gjenetikisht, ndonëse s’i përkiste ndonjë race të zgjedhur, ai përftoi vetitë më të vyera të species së vet; ishte besnik dhe s’largohej nga strofka edhe kur mund t’i gërryenin zorrët, gati-gati si ne të burgosurit që shpesh flinim barkthatë dhe hanim veten; priste gozhdë në acarin dimëror spaçian, bash si ne në birucat e akullta, po s’bënte këmbë më tej, strukej në rrecka e kashtë dhe ruante vigjilencën; ndonjëherë kuiste i sëmurë si ne, nga gripi spanjoll, po sërish do ishte i përpiktë në orarin e pritje-përcjelljeve të turneve.

“Tarti” kishte intelekt perfekt. Pa ndihmën e instruktorit apo trajnerit personal, kapi përsosmërinë, kur të ngjashmit i sistemonin në shkolla dhe akademi me personel të specializuar, ku s’mungon shërbëtori kuzhinieri, mjeku, gjer te trajneri, instruktori, profesori, madje edhe akademiku.

Sot operojnë shkolla special, për trajnime me metoda bashkëkohore, ku përgatitin qenë për gjah kafshësh, shpendësh dhe peshkimi, qenë anti-mina, antidrogë, anti-eksploziv, qenë që gjurmojnë të mbijetuarit nga ortekët, që zbulojnë të zhyturit nën rrënojat, etj., etj., për të cilët lipset një mori vite punë, personel dhe natyrisht qenë udhëheqës, që përcjellin traditën nga brezi në brez.

“Tarti” ynë, s’kishte asnjërën; i mungonte ushqimi, hante krunde dhe supë burgu me ne, më shpesh ish i uritur; i mungonte komoditeti, shtrihej mbi byk dhe mbi rreckat plot parazitë; i mungonin: shërbimi, specialistët, trajnerët, instruktorët, s’po flas për pedagogë dhe akademikë të fushës përkatëse. Me gjithë këto mangësi dhe të tjera që s’i përmenda, ai rrethohej nga dashuria dhe përkushtimi human.

Por ama, edhe ai na e kthente shumëfish dashurinë, sidomos Fiqos, që e njihte për zot dhe prind! Natyrisht s’mund të komunikonte, por sytë dhe gjestet, flisnin sa dhjetë gjuhë! Kur ndokush zinte shtratin dhe rënkonte nga zori, “Tarti” shtrihej përfund jatakut dhe vigjilonte e do kuiste vajtueshëm për ndihmë, kur ishte rëndë, apo do lehte hareshëm, kur shihte përmirësim.

Bashkëjetesa me të dënuarit, qysh se hapi sytë, kish stimuluar te ai instinktin e vetëmbrojtjes dhe të kundërveprimit. Dallonte që tej policin agresiv, nga ai paqësor, siç pikaste kapadainjtë e kapardisur që ndëshkonin për teka, nga ata që zbatonin ligjin. Kur hynte në kamp Xhevdet Balla apo Preng Rrapi, ai do fshihej nën shtretër apo gjetkë, ku të mundte dhe do t’i ndiqte me sy dyshimtar. Pastaj, o do strukej më thellë, në varësi të rrethanave, o do t’iu ndukte këmbët dhe do t’i kafshonte ku mundte.

Kur në kamp apo në zonën minerare hynin dy Markët, “Mustakuqi” apo “Gjiganti”, do t’iu avitej dhe do t’iu fërkohej pas çizmeve. Veç ushtarakëve, “Tarti” bënte dallim edhe mes të dënuarve. S’thashë kot se ishte tepër inteligjent. E kishte grurë me të tërë, veç pak spiunëve qe ndonëse s’i sulmonte, s’iu afrohej as kur e ndillnin për të luajtur, as kur i hidhnin ushqim, përkundrazi, s’ua hidhte fare sytë dhe largohej indiferent.

Kur ndodhte të lidhnin ndonjërin pas shtyllës, “Tarti” i qasej tinës, në pamundësi të zgjidhte telin, i lëpinte gishtat si të shprehte solidaritetin në mënyrën e vet. Dhe kur përfundonin në birucë, zvarritej nën telat e rrethimit, i avitej derës dhe gërvishte llamarinën me putra, si për t’iu thënë: “S’ju lë vetëm! Jam këtu të bëj çmos, për t’iu lehtësuar ndëshkimin”!

Dhe bënte korrierin, sapo nderte tisin nata, gjersa ndrinte agu. “Tarti” vente e vinte, nga kapanoni në dhomat e izolimit, zvarritej rrëkesë së Ulsi Pashollarit, kur shqeu dyert e qelive dhe iu çonte të ndaluarve ndonjë strajcë ushqim, për të vrarë urinë, ndonjë batanije apo tesha, për t’i mbijetuar acarit spaçian.

Kësisoj “Tarti” fitoi statusin e “politikanit” dhe të “armikut të partisë”! Të paktën me këtë sy e shihnin ushtarakët, që s’e honepsnin pa e ditur ç’luhej në prapaskenë, pale të pikasnin veprimtarinë “armiqësore”, do ta kishin pushkatuar, që para revoltës!

Mëngjesin 21 majit, “Tarti” ishte krah Pal Zefit dhe ballë policëve. Mbase nuhati me intuitë, se do ngjiste diç e veçantë, ndaj dha kushtrimin me angullima. Kur policët mësynë Palin, ai u vërsul i tërbuar dhe i xhallaviti me dhëmbë nga duart e kërcinjtë, duke u bërë barrierë e pakalueshme. Gjatë përleshjes, qe më aktivi, u grisi teshat, i gjakosi dhe ua shqeu kapelat retra-retra.

E vetmja ditë që braktisi detyrën, që nuk shoqëroi as turnin e parë, as të dytin, në dalje apo hyrje, por zuri zgripin e tarracës dhe vrojtonte brenda e jashtë kampit, si roje vigjilent. Pastaj gjer kur Revolta u shtyp, ndihu miqtë dhe veprimtarinë “armiqësore” ndaj regjimit, e pagoi me jetë, u rendit “martiri i pestë”, në piedestal!

Mëngjes pa bilbila dhe pa tellall

S’di sa mund të kishte shkuar ora, kur më doli gjumi, për herë të parë pas pesë vjetësh, që s’më zgjuan bilbilat e policëve dhe zgurra e Malos. Nën shkallët e dusheve, hasa Zef Ashtën dhe Kolën nga Malësia e Madhe.

“Si keni ndje burra”? – i përshëndeta në dialekt.

“Paj, ka dashtë Zoti, si n’liri”! – ma ktheu plaku mustaqepërdredhur – “Kam tash tridhjetë vjet, që s’ndihem kësisoj”! – Zefi më blatoi një buzëqeshje atërore. – “Kush e ka humb, ia din vlerën Lirisë! S’ka gja ma t’bukur, me e gzue qoftë edhe dy ditë! Kena tash tri dekada skllav, të ndrym mes telave me gjemba, nën kërbaçin e policëve xhahilë, të regjimit mizor”.

Kur po ndaheshim më shkuan sytë instinktivisht në katit e tretë mungonte Flamuri!

“O Zot, e paskan rrëmbyer”?! – s’di ç’ngjyrë do kem marrë nga tronditja.

“S’e grabiti kush o bir, e hoqëm vetë”! – ma ktheu Zefi i qetë.

“Si ta kuptoj; ‘E hoqëm vetë’?, kur vetë e ngritëm”? – iu shkreha i nervozuar.

“Bir, ngritja e Flamurit, asht detyrë patriotike, ruajta asht sakrificë! Të parën e kryem me nder, të dytën do t’ia lamë kohës”.

“S’kena si me e rujt Bajrakun, duar thatë”? – ndërhyri tjetri, duke tundur duart në hava.

“Ka hak Kola! – pohoi Zefi dhe shtoi: – Jena përballë makinerisë ushtarake të regjimit të pabesë, që janë kail me na shue gjer tek i fundit. E pra, e kena të humbur davanë, veç me duar dhe me zemra, gjithsesi e bamë detyrën, iu treguam katilëve, se Liria rron edhe mes telave, se atdhetarizmi asht në anën tonë dhe tradhtia, në krahun e tyne. Po dorëzojmë vetveten, por jo simbolin.

Ushtrisë që i rrëmbejnë Flamurin, e ka humbur betejën! E ke ndi besoj, kur bije flamurtari, rendin dhjete me e zëvendësua? E pra, qindra dëshmorë bien në betejë, për me e ruajt pa prekun! Por s’jena në kushte barazie, ndaj lipset me e mbrojt, me çu mjet! Kësisoj dolëm në përfundim se; o duhet me e lshue, o me e shpëtue”!

“Domethënë e hoqën me mirëkuptim”? – e ndërpreva i paduruar.

“Jo veç me mirëkuptim, por edhe me vendim, or bir”!

“Cili e hoqi”?

“Meqë bezja u gjet në shtratin e Rexhep Lazrit, e hoqi ai”! – hodhi ca çapa dhe u kthye sërish: – “Hap sytë, mos u përziej se edhe pak burg ka mbetur” – dhe ndoqi tjetrin.

Sapo u shkëputa prej tyre, ndesha Zaken, syskuqur nga pagjumësia. “Paske logoritur me lot gjaku, o Riza bej Kamenica”! – e nguca si përherë.

“Leri shakatë bre djalkë, se na kanë rënë halle të rënda! Ti si më je, bre”? “I turbullt fare”!

“Hap sytë xhan i Zakes, mos u përziej… se edhe dy muaj të kanë mbetur”!

“Po ju, pse më drejtoheni të gjithë me këtë gjuhë”?!

“Mirë bëjmë bre, ti je djalë i ri dhe duhet të lironesh, pa neve na mori peropia”!

“Si do t’i vejë filli kësaj pune, Zake”?

“Më keq se ç’jemi, ku do vemi! Po ti mos u përziej…se edhe dy muaj të kanë mbetur”! – përsëriti.

“S’më the ç’ndodhi, gjatë orëve që isha duke fjetur”?

“Ore, s’marrke pyka ti! Të thashë, mos u përzie, se edhe dy muaj të kanë mbetur bre”! – “Të lutem, shuama kuriozitetin”!

“Mirë mo, mirë! U mblodh Këshilli Ndërkrahinor në mensë dhe morën ca vendime me peshë…”! – “Për shembull”?

“O-hu-a, ik ce, s’janë për tyja këto punë bre”! – dhe mori të përpjetën. – “S’iu përgjigje pyetjes, or mik”? Ndali në shkallaren e mesit dhe më hëngri me sy.

“Po ja, morën vendim të hiqnin Flamurin, për ta ruajtur nga xhelatët, përpunuan platformën dhe përpiluan një promemorie, me ca kërkesa që do t’ia parashtrojnë qeverisë”.

“Për kur bëhet llaf”?

“O-hu-a, pse ore unë e kam në dorë”!? – hodhi ca hapa dhe shtoi: “Ik rre djalkë, ce s’janë për tyja këto punë”! – dhe iu drejtua kapanonit “L”. Karakolli nën banja, ish mbushur plotë me ushtarë, ca me automatikë, ca mbanin mitraloz të lehtë, kurse të tjerët, baritnin përfund monopatit që shikonte rrethimin, për në shpatin përballë. Na e kallte datën ajo prani ushtarakësh të armatosur deri në dhëmbë, mbase edhe projektuesit e këtij skenari, i kishin pozicionuar kësisoj për këtë qëllim.

Por për forcë zakoni, u ktheva te lekani i kuqërremtë, nga sulina pikonte ndryshk si gjak. “S’dihet sa viktima do kenë hedhur në depozitë”?

“Si the”?

“Hiç!”

U ktheva majtas-djathtas të shihja me kë kisha folur, isha vetëm. Duket truri kish pësuar skizmë! “Mblidh mendtë bir, se kokërr gruri është, fluturon fiu dhe…”! Iu largova lekanit dhe iu drejtova kuzhinës private, në vatrat e së cilës diç po gatuanin katër-pesë vetë. I përshëndeta pa u përqendruar dhe iu drejtova vatrës së fundit, ku po gatuante Tomor Balliu.

“Ç’po na bën, o Tomçe”? – e pyeta për adet.

“Një kaçamak misri, se siç duken bathët, s’ka për të na zënë dhëmbi bukë”! Aroma e kuzhinës më stimuloi urinë.

“Vonohet shumë”? – po më gërryenin zorrët.

“Do edhe nja dy orë të ziejë”, – avulli erëkëndshëm gufoi nga vrima që shpoi ai me lugën e drurit dhe më xixëlloi hundët.

“Hajt prit edhe dy orë, o qyq”! – qava veten.

“Merri të thyesh urine”! – Sherif Allamani më zgjati dy fije petulla nga vatra përkarshi.

“Të falem nderit”! – i ndava përgjysmë dhe i gllabërova me katër kafshata, por ishin të nxehta dhe më përvëluan.

“Avash, or cull dhe ruhu se edhe pak të ka mbetur” – mbas këshillës, u largua me tasin në një dorë dhe në tjetrën tiganin.

Sherif Allamanin nga Mati, e pata shok krahu për gati dy vjet, në kapanonin mbi abis. Edhe pse kohët e fundit shiheshim rrallë, sepse flinin në dhoma të ndryshme, e ruanim miqësinë dhe respektin.

“Vini re! Vini re”, kuisi si qen i rrahur, hinka në shtyllë.

“Ika të shoh ç’po ndodh”! Pa hedhur hapin, Tomorin më këshilloi:

“Byrazer, dëgjoji miqtë që të duan të mirën dhe hap sytë se edhe pak të ka mbetur”!

“Vini re! Vini re”, tashmë kriq-friqet të çirrnin veshët.

Mësyva sheshin qendror dhe hyra mes turmës.

“Vini re! Vini re”, ushtoi sërish megafoni dhe të gjithë ngritën kryet.

Ballë kuzhinës kolektive, iu bashkova Muharrem Dylit, Pavllo Lakos, Rustem Gojkës, Tomor Allajbeut, Krenar Kajos dhe Ali Hoxhallarit.

“Ç’po ndodh”? – pyeta me një frymë patriotët.

“Pritet takimi mes përfaqësisë sonë dhe autoriteteve”, – ma ktheu Muharremi.

“Mos po i çojmë si cjapi te kasapi”? – kjo dilemë më brente prej dy ditësh.

“S’i detyroi kush, o bir? Të gjithë dolën vullnetarë, këtyre iu ra në hise”! – me ç’duket xha Rustemi ishte i mirë informuar.

“Komunistët janë të pabesë, druhem mos i mashtrojnë dhe i ekzekutojnë”!

“Kush do t’i pengonte të na masakronin edhe këtu ku jemi? Por i druhen reagimit të brendshëm, sidomos opinionit të jashtëm, ndaj synojnë të na ndajnë fije-fije, që të na nënshtrojnë më lehtë”.

“Tash, me ç’dukej, po përditësohej profecia e doktor Astritit: “Me sa i njoh, komunistët do bëjnë namin”!

“Ama kjo ngjarje, duhej të ndodhte medoemos, për t’i rrëfyer botës, se liria nuk vdes edhe pse lëngon prej tridhjetë vjetësh, nën dhunën me të egër që ka njohur njerëzimi! Historia kombëtare do pasurohet me një fakt unik, që do t’i japë efektet prapa, do tronditë themelet e regjimit dhe do afrojë fundin e tij”!

I kish rënë në të doktori! Revolta u shndërrua në kryengritje dhe tashmë jehona e saj, i kaptoi gjerdhet gjembaçë të burgjeve politikë dhe mbërriti në qeveri, mbase do t’iu gërvishtë veshët të mëdhenjve në skajet e kontinenteve, që të dëgjojnë klithmat dhe aktet e popullit të shumëvuajtur. Kësisoj të lidhurit me pranga e zinxhirë, po realizonin aspiratën e mbi dy milion të lirëve!

Ngjarja precipitoi shpejt dhe i kapi të papërgatitur qeveritarët që sollën disa mijëra ushtarë përgjatë natës dhe rrethuan kodrat e Gurth-Spaçit, gjer në kojkën më të lartë, ndërkaq nisën zëvendësministrin e Brendshëm, që të qetësonte gjendjen ose, të vinte situatën nën kontroll. Hera e parë në tridhjetë vjet, që regjimi ulte hundën dhe pranonte bisedime me të dënuarit politikë, paçka sa produktive do të ishin. Po trokiste momenti i ballafaqimit të lirisë me krimin!

Sakaq turma e dënuarve u ça në dysh, duke formuar një shteg në të cilin parakaluan Paulin Vata, Hajri Pashai dhe Nuri Stepa. Dërgata kaptoi portën e llamarintë, kurse matanë telave gjembaçë, prisnin një grup ushtarakësh, të prirë nga zëvendësministri i Brendshëm, Feçorr Shehu, siç dëgjova të thoshin.

Pompoziteti dhe arroganca e tyre, të ngjethte mishtë, ndërsa prezenca e mijëra ushtarëve, me tyta drejtuar mbi shtatëqind të çarmatosur paqësor, të kallnin datën. Një angështi e paprovuar më drodhi zemrën dhe luta me shpirt: “Mbroji o Zot, miqtë tanë”! Pa zënë dërgata kreun e shkallëve, zëvendësministri u shkreh:

“Ç’e patët atë rreckë në majë të pallatit”?

“Flamurin e Ismail Qemalit”! – ia ktheu Nuri Stepa me një frymë.

“Po atë sorrë në mes”? – qesëndisi ofiqari.

“Shqipja dykrenore e Skënderbeut”! – ia pati Paulin Vata.

“Do ta zhdukim atë shkarravinë, nga faqja e dheut”! – ulëriu zëvendësministri.

“Jo zotëri, ajo është në vendin e vet dhe mes njerëzve të duhur”! – ia preu Hajro Pashai.

“Kush qenka ky vend dhe cilët jeni ju”?

“Vendi quhet katakombet spaçiane, ndërsa ne, të dënuarit e ndërgjegjes”! – duket ironia ngjiti sepse, paskëtaj sundoi një heshtje varri, sa ndiheshin edhe gër-fërret e astmatikëve. Ne prisnin çdo ndodhte më tej, teksa ushtarakët e humbën toruan. Memorie.al

Nga Shkëlqim Abazi

FOTO/ Tifozët e Spartës së Pragës shfaqën Kosovën si Serbi në stadium, sulmuesi i tyre reagon me shqiponjën dykrenare

Sparta e Pragës luajti dje kundër Banik Ostravës, sfidë që e humbi me rezultatin 1 me 3. Tifozët e Spartës në një moment gjatë ndeshjes hapën mesazh në mbështetje të Veljko Birmançeviç, lojtar i tyre. “Mbështetje për Birmën”, tregohej ndërsa gjithçka ishte në rregull deri këtu.

supr

Çfarë është sërish problem në stadiumet e Çekisë janë flamujt, që tregojnë Kosovën si Serbi. Dhe në mesazhin për Birmançeviç, tifozët e Spartës së Pragës i kishin të pranishëm.

s

Kujtojmë ndërkohë se te Sparta luajnë katër lojtarë shqiptare, bëhet fjalë për Ermal Krasniqin, Qazim Laçin, Indrit Tucin dhe Albion Rrahmanin.

Ky i fundit, i afruar në verë, ka ripostuar në rrjetet sociale një mesazh të “Dardanëve” në ndeshjen Kosovë – Qipro. “Ëndrra e të gjithëve, realiteti ynë”, shkruhej në të ndërsa shoqërohej me hartën e Kosovës dhe shqiponjën dykrenare.

Një reagim ky pas asaj që treguan në stadium tifozët e Spartës së Pragës në Çeki.

all

PANORA