28.5 C
Tirana
E enjte, 19 Qershor, 2025

Edhe sikur të mos ekzistonte ‘Sali Berisha’, socialistët do duhet ta shpiknin atë

Nga Namir Lapardhaja

Fakti që ai vijon të jetë prezent në skenën politike, është kapitali elektoral më i madh për një mazhorancë të korruptuar, me një mori skandalesh nëpër këmbë, me çështje penale të hapura dhe me një konsum të thellë nga vitet e pushtetit të gjatë.

Berisha është garanci se sistemi vijon të jetë i fortë përballë drejtësisë, se oligarkia do vijojë të pasurohet sipas parimit pushtetin llokmën e madhe, ndërsa ‘opozitës’ së Berishës llokmën e vogël – për të mbijetuar dhe për të vijuar ‘luftën’ – se media dhe analistët do zihen me njëri-tjetrin për gjithçka, por do dakortësojnë te paprekshmëria penale e politikanëve të llojit të Berishës, Metës, Veliajt apo Ramës.

Me këtë kapital të madh elektoral që kanë përballë, socialistët ia bëjnë ‘kabull’ edhe batutat e lodhura nga pesha e viteve në shpinën e kërrusur të Doktorit, të cilat shërbejnë vetëm si lugë bosh për të mbushur barkun e zbrazur të militantëve, edhe propozimet e tij për një minutë heshtjeje për profesor Sami Repishtin, sepse ata do ishin të gatshëm edhe për njëqind minuta heshtjeje për të gjithë armiqtë apo ish-armiqtë politikë të tij vetëm me kushtin që Berisha t’i shërbente si ‘armik’ apo si ‘gogol’, me të cilin do të mobilizonin elektoratin e majtë dhe do të mbanin larg nga opozita elektoratin gri apo të pavendosur.

Në këtë kuptim, ata janë gati t’i falin atij gjithçka, përfshi edhe kohë të palimituar në foltoren e Kuvendit, mjafton që ai të jetë aty dhe në zgjedhje Edi Rama të tregojë sërish me gisht: Votoni PD-në, merrni Berishën. Siç bëri në zgjedhjet e fundit dhe rezultati u pa si vajti.

Krimi në panik/ Pas Sky Ecc dhe Enchrochat, Europol çmonton aplikacionin “MATRIX”, rrjet global komunikimi për krimin e organizuar

Një operacion i përbashkët i Francës, Holandës, Gjermanisë, Italisë, Lituanisë dhe Spanjës ka çuar në zbërthimin e një tjetër aplikacioni që përdoret nga krimi, konkretisht platformës “Matrix”.

Për tre muaj, autoritetet ishin në gjendje të monitoronin mesazhet e personave që përdornin këtë platformë, të cilat tani do të përdoren për të mbështetur hetime të tjera.

“MATRIX, një shërbim mesazhesh i bërë nga kriminelët për kriminelët, u zbulua për herë të parë nga autoritetet holandeze në telefonin e një krimineli të dënuar për vrasjen e një gazetari holandez në vitin 2021”, thuhet në njoftimin e Europol.

Pas këaj, autoritetet filluan një hetim në shkallë të gjerë për shërbimin e mesazheve.

Shumë shpejt u bë e qartë se infrastruktura e kësaj platforme ishte teknikisht më komplekse se platformat e mëparshme si Sky ECC dhe EncroChat.

Themeluesit ishin të bindur se shërbimi ishte superior dhe më i sigurt se aplikacionet e mëparshme të përdorura nga kriminelët.

Përdoruesit mund t’i bashkoheshin shërbimit vetëm nëse merrnin një ftesë.

Duke përdorur teknologji inovative, autoritetet mundën të përgjonin shërbimin e mesazheve dhe të monitoronin aktivitetin për tre muaj. Më shumë se 2.3 milionë mesazhe në 33 gjuhë u përgjuan dhe u deshifruan gjatë hetimit.

Mesazhet që u përgjuan lidhen me krime të rënda si trafiku ndërkombëtar i drogës, trafiku i armëve dhe pastrimi i parave.

Si e mori krimi tenderin 7 milionë euro të kanalizimeve të Elbasanit

Në maj të vitit të kaluar Shoqëria Rajonale e Ujësjellës Kanalizimeve të Elbasanit shpalli një tender me vlerë 7 milionë euro me objekt “Rikonstruksion dhe ndërtim i rrjetit të kanalizimeve të zonave informale: Harmës; pjesërisht Krastë e Vogël, pjesërisht Lagjja: Dyli Haxhire” dhe, pjesërisht Lagjja: Katund i Ri”.

Që në fillim tenderi ngriti dyshime të forta për paracaktim të fituesit. Sipas dokumentave, në kapitullin e kritereve të veçanta të kualifikimit kompanive u kërkohej të kishin dy inxhinierë ndërtimi me profilin konstruktor/strukturë edhe pse nuk bëhej fjalë për ndërtime strukturash, por thesht për kanalizime. Paralelisht kërkohej që kompanitë të kishin 2 inxhinierë hidroteknikë, 3 topografë, 2 gjeologë, 9 hidraulikë, 4 saldatorë, 7 muratorë etj.

Të gjithë këta punonjës nuk lejoheshin të kontraktoheshin nga jashtë, por duhet të ishin pjesë e listëpagesave të kompanisë të paktën 3 muaj para shpalljes së tenderit. Por nuk mbaronte këtu.

Pjesa tjetër lidhej me makineritë e kërkuara. Në dokumenta kërkohej që kompanitë të kishin 39 lloje makinerish, për të cilat ishte përcaktuar në detaje sasia dhe tonazhi sa duhet të peshonin apo çfarë kapaciteti duhet të kishin. Në atë kohë disa kompani ndërtimi u ankuan se një pjesë e makinerive të vendosura në DST si kritere të domosdoshme kualifikimi nuk i lidhte asnjë funksion me procesin e ndërtimit të kanalizimeve, por ishin vendosur aty për të kufizuar konkurrencën.

Mës vonë u zbulua se kishte një arsye të madhe se pse Kanalizimet e Elbasanit i kishin qepur kriteret e tenderit në atë mënyrë. Kontrata lobohej nga banda e Suel Ccelës. Shumë kompani ndërtimi u paralajmëruan paraprakisht që të mos hynin në tender. Disa prej tyre madje edhe u kërcënuan. Jo vetëm nga krimi, por edhe zyrtarë.

Gjithsesi, në tender u paraqitën dy oferta. E para ishte e bashkimit të shoqërive BE-IS dhe Curri, të cilat ofruan çmimin 6.2 milionë euro. Ndërsa oferta e dytë ishte ajo e lobuar nga banda e Suel Çelës përmes bashkimit të kompanive Meteo, Totila dhe Alba Konstruksion. Ky bashkim kompanish ofroi çmimin 6.97 milionë euro. Pra sa 99.5 për qind e fondit limit dhe gati 800 mijë euro më shtrenjtë se oferta e para.

Kanalizimet e Elbasanit e skualifikuan ofertën më të lirë me argumentet e kritereve. Si rezultat kontrata iu dha bashkimit të kompanive Meteo, Totila dhe Alba Konstruksion, ashtu siç ishte porositur nga banda, të cilat sigurisht kishin pjesën e tyre të madhe në kontratën e majme. Nën zë flitet se kompanitë fituese i paguan gati gjysmën e kontratës bandës.

Tashmë që SPAK ka mbyllur dosjen e parë për organizatën kriminale të Elbasanit, që dyshohet se drejtohej nga Çela e ka më të lehtë të shohë edhe kontratat e majme që krimi merrte nga institucionet publike. Hetimi nuk është shumë i vështirë.

Mjafton të thërrasin për të pyetur pronarin e kompanisë Meteo ose administratorin e shoqërisë rajonale të Ujësjellës Kanalizimeve të Elbasanit. Dhe nëse këta nuk tregojnë për shkak se janë kërcënuar, atëherë mund të shohin veprimet e keshit të kompanive fituese para dhe pas kontratës. Se të lëvizësh 3 milionë euro kesh, nuk fshihet dot.

Megjithatë kjo e kanalizimeve të Elbasanit është një nga rastet me flagrante. Por ka shumë raste të tjera se si buxheti pasuron krimin dhe pastron paratë e tij./Kapitali.al

Sezoni i qumështit të bletës, shëruesi magjik i shumë sëmundjeve

Përdorimi i qumështit të Bletës po njeh një zgjerim të konsiderueshëm në tregun shqiptar. Çdo pikë qumështi i bletës është jetë. Vlerësohet si nektari i perëndive për nga vlerat e jashtëzakonshme shëruese që ka për shëndetin.

 

Pikërisht qershori është muaji në të cilin ky produkt prodhohet dhe fillon të shitet nga bletarët, prandaj dhe këshillohet që të konsumohet në këtë periudhë.

I njohur ndryshe me emrin “Xhelatina Mbretërore” qumështi i bletës është ndër më të kërkuarit në botë. Sot ai është shndërruar në një biznes fitimprurës për bletarët shqiptarë krahas prodhimit të mjaltit.

Sipas të dhënave të AgroWeb.org, vitet e fundit, qumështi i Bletës po njeh një zgjerim të konsiderueshëm në tregun shqiptar.

Ashtu si në çdo vend të botës ai shitet në sasi shumë të kufizuar ndaj dhe vlera e tij përherë e më shumë bëhet më e shtrenjtë. Ai ambalazhohet në minishishe qelqi dhe shitet në gramatura shumë të vogla.

Sipas të dhënave të AgroWeb.org çmimi mesatar për vetëm një gram qumështi të bletës shkon deri në 1 mijë lekë (të reja).

Nisur për nga vlera e lartë dhe fitimprurëse, bletarët shqiptarë kanë fokusuar biznesin e tyre prej disa vitesh edhe në shitjen e qumështit të bletës ndërsa e vlerësojnë këtë mënyrë biznesi edhe më fitimprurës se sa shitja e mjaltit.

Kërkesa për qumështin e bletës në rritje
Bletarët shprehen për AgroWeb.org se kërkesa për qumështin e bletës është gjithnjë në rritje ndaj dhe ata janë duke i kushtuar vëmendje përherë e më të lartë nxjerrjes së këtij qumështi të artë.

Vjelja e qumështit të bletës kërkon një mjeshtëri të posaçme pasi i gjithë procesi është shumë delikat.

Qumështi i bletës që prodhohet nga gjëndrat e bletëve punëtore shërben për të ushqyer larvat gjatë tri ditëve të para si dhe për të ushqyer mbretëreshën.

Ky ushqim e mban mbretëreshën në jetë për 8 vjet, një fakt interesant ky, duke ditur që një bletë e zakonshme, e cila ka lindur nga e njëjta vezë me mbretëreshën, jeton vetëm 21 ditë.

Qumështi i bletës ka ngjyrë të bardhë në të verdhë, është si krem, ka shije të thartë dhe pak aromë.

Vlerat kurative për shëndetin

Vlerësohet si një super ushqim i fuqishëm për shkak të vlerave që ai mbart. Qumështi i Bletës përmban ujë, lëndë minerale, yndyrna, proteina, karbohidrate, vitamina etj.

Ai mund të përdoret për kurimin e një sërë sëmundjesh si: Hipertiroidisem, Diabeti, Hiperkolesterolemi, hipertrigliceridemi (kolesterol dhe trigliceride të larta), sëmundje të zemrës dhe enëve të gjakut, sëmundje kronike të mushkërive, sëmundje të gojës, probleme me mishrat e dhëmbëve, probleme të fytit, sëmundje të veshkave, artrite reumatoide, probleme me riprodhimin, ndihmon në periudhat e premenopauzës etj

Ai rekomandohet që të përdoret herët në mëngjes duke e marrë nën gjuhë. Kjo pasi aty ka mjaft enë gjaku që bëjnë thithjen e menjëhershme dhe kalimin në gjak.

Zgjatja e kurimit është e ndryshme dhe varet nga shkalla e sëmundjes ose qëllimi për të cilin përdoret, por asnjëhere më pak se një muaj.

Ka efekt qetësues dhe çlodhës, ul nivelin e hormoneve të tiroides. Ai është një pastrues fantastik për organizmin nga toksinat.

Ndihmon funksionimin e veshkave, rrit jetëgjatësinë e njerëzve, duke ruajtur rininë e enëve të gjakut. Zgjeron enët e gjakut, ndihmon në uljen e kolesterolit dhe triglicerideve dhe rrit imunitetin.

Ky qumësht ndihmon në formimin e rruazave të kuqe të gjakut, këshillohet në anemi dhe ndihmon në mikrohemorragji. Në lëkurë, rregullon prodhimin e yndyrës.

Përdoret në kozmetikë, sepse ndihmon në pastrimin dhe rinimin e lëkurës. Përdoret si agjent antibakterial dhe antivirusal lokal për probleme të ndryshme të lëkurës. Te fëmijët e sapolindur ndihmon në rritjen në peshë.

Qumështi i bletës, nxit gjëndrat riprodhuese, ndihmon prodhimin e vezoreve, gjatë shtatzanisë, duke rritur nivelin e progesteronit në gjak.

Rrit nivelin e testosteronit në gjak, duke ndihmuar në problemet e potencës mashkullore. Stimulon gjëndrat mbiveshkore dhe ndihmon në sëmundje si artriti ose lodhja kronike.

Ndihmon në funksionimin e mëlçisë dhe sëmundjet e saj, hepatite dhe rigjeneron strukturën e mëlçisë.

Rekomandohet që kura duhet të zgjasë një muaj, maksimumi tre muaj, ndërkohë që dozat kurative duhet të ndërmerren sipas specifikimeve përkatëse.

Vlerësohet se asnjë ilaç nuk mund të zëvendësojë vlerat kurative të Qumështit të Bletëve.

Lufta në Ukrainë, kreu i NATO-s: Putini po përshkallëzon retorikën dhe veprimet e tij të pamatura! Nuk është i interesuar për paqe

“Putini po përshkallëzon retorikën dhe veprimet e tij të pamatura,” tha Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte në një konferencë shtypi përpara Samitit të Ministrave të Mbrojtjes të NATO-s në Bruksel.

 

Ai vuri në dukje se Ukraina po hyn në një dimër tjetër kritik dhe se agresioni rus nuk tregon asnjë shenjë zbutjeje, por të kundërtën.

Ai deklaroi se Rusia po përdor Ukrainën si një terren testimi për raketat e saj eksperimentale dhe kthimin e ushtarëve të Koresë së Veriut për këtë luftë të paligjshme.

Mark Rutte gjithashtu nënvizoi se Putini nuk është i interesuar për paqen, ndërsa tha “ai po ushtron presion duke u përpjekur të kapë më shumë territor”.

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s theksoi gjithashtu se është e rëndësishme të rritet ndihma ushtarake për Ukrainën.

Plane apo përralla për destabilizim në Maqedoninë e Veriut?! Analiza e REL: Politika ndez fitilin! Kush po i hedh benzinë zjarrit

Përpjekjet që të destabilizohen marrëdhëniet ndëretnike në Maqedoninë e Veriut ndodhin gjithmonë kur kjo i nevojitet një partie, thonë analistët politikë për Radion Evropa e Lirë, pas një serie incidentesh që ndodhën ditëve të fundit.

 

Më 28 nëntor, në festimin e Ditës së Flamurit Shqiptar, në vende të ndryshme në Maqedoninë e Veriut u përdhos flamuri shqiptar dhe ai maqedonas. Lidhur me këtë policia arrestoi 17 persona.

“Jemi një shoqëri ku qartë luhet me ndjenjat e përkatësisë etnike. Edhe pse duket se beteja është se kush është shqiptari më i madh mes shqiptarëve, ashiqare, ngjarjet kanë pasoja në shoqërinë më të gjerë. Kur kryhen akte të dhunshme, është thelbësore që institucionet të bëjnë punën e tyre, pra të veprojnë shpejt, paanshëm dhe në mënyrë jo selektive”, thotë për Radio Evropa e Lirë analisti politik Aleksandar Krzhalovski.

Rasti i djegies së veturave dhe një objekti biznesi në Kumanovë mëngjesin e 2 dhjetorit, nga të cilat njëra është e prokurorit publik Xhelal Bajrami, ish-ministër i Punës dhe Politikës Sociale nga BDI-ja, tani në opozitë, dhe tjetra është e një këshilltari në Komunën e Kumanovës nga kjo parti, ndërlidhet me incidentet e përdhosjes së flamujve në Ditën e Flamurit.

Kush hedh benzinë në zjarr?

Partia opozitare nga blloku politik shqiptar, BDI, nuk mund të përjashtohet nga ngjarjet që mund t`i nxisin tensione ndëretnike, komentojnë analistët me të cilët bisedoi Radio Evropa e Lirë.

Për disa, fajin për këtë e ka pushteti, pasi bëri koalicion me grupimin VLEN nga blloku politik shqiptar. Por, analistë të tjerë fajin e hedhin mbi BDI-në sepse nuk mund të pajtohet me humbjen pas 20 vjetësh në pushtet.

Pas zgjedhjeve, VMRO-DPMNE si partner në pushtet ftoi koalicionin VLEN, ndërsa BDI-ja konsideronte se ajo ishte përfaqësuese legjitime e shqiptarëve. Kryeministri Mickoski tha se koalicioni VLEN me rezultatin prej 107.000 votash në zgjedhjet parlamentare, është partner i besueshëm në qeverinë e ardhshme dhe e dërgoi BDI-në në opozitë.

Marrëdhëniet ndëretnike përdoren kur autoritetet nuk mund t’i realizojnë politikat dhe rezultatet që kanë premtuar, thotë për Radion Evropa e Lirë Sefer Selimi, drejtor ekzekutiv i Democracy Lab.

“Qeveria aktuale po humb perspektivat për integrimin evropian dhe nuk arrin të realizojë ndryshimet kushtetuese. Prandaj është e interesuar ta mashtrojë publikun edhe me rrezikun e përkeqësimit të marrëdhënieve ndëretnike, si tema më e ndjeshme politike. Është përkeqësuar klima e përgjithshme dhe kjo, jo në relacionin maqedonas-shqiptarë, por në marrëdhëniet shteti-shqiptarët, sepse shqiptarët në institucione përballen me përjashtime nga puna”, deklaroi Selimi.

Ndërkohë, analisti politik dhe ish-ministri i Financave, aktualisht anëtar i Këshillit të Sigurisë i Presidencës maqedonase, Xhevdet Hajredini, përmes rrjetit social Facebook, dënoi përdhosjen e flamujve shtetëror gjatë festimit me rastin e 112- vjetorit të pavarësisë së Shqipërisë.

“Nuk është shenjë trimërie të shkelësh me veturë flamurin e shtetit në të cilin jeton”, shkroi Hajredini.

Stefan Buçakovski, profesor në fushën e shkencave të sigurisë, vlerëson se ngjarjet në tërësi nuk kanë një komponent të organizuar klasik, por ai konsideron se këto ngjarje i përgjigjen një strukture të caktuar politike, në këtë rast BDI-së, që t`i shfrytëzojë për qëllime të veta. Sipas tij, edhe pse në publik ndihet tension, ai nuk mund të shndërrohet në konflikt, sepse “konfliktet janë kohë e kaluar”.

“Një parti e caktuar politike, për të qëndruar në pushtet, përkatësisht për të fshehur aktivitete kriminale të lidhura me veprimtarinë shumëvjeçare, përpiqet ta bëjë këtë në çdo mënyrë. Ne në kriminalistikë vendosim versione. Njëri version është se edhe vetë mund të shkaktojë gjendje negative që do të ndikojnë në opinionin publik. Mendoj se ajo parti ka një sistem të mirë të përpunuar të ndikimit negativ politik mbi gjendjet për të ardhur përsëri në pushtet, dhe ky skenar i përshtatet”, thotë Buçakovski.

Qeveria kërkon qetësi, opozita – takim liderësh dhe dorëheqje

Kryeministri Hristijan Mickoski dërgoi një mesazh për qytetarët për unitet dhe qetësi duke i porositur të mos bien pre e provokimeve.

Sipas Mickoskit, gjëra të tilla do të ndodhin edhe në të ardhmen, sepse, siç tha ai, “këta njerëz janë të frikësuar për milionat që kanë fituar në kurriz të popullit të thjeshtë dhe tani e dinë se po vjen koha për drejtësi”.

“E di se ekziston një grup i izoluar politik, i cili këta pesë – gjashtë muaj e ka vështirë të mësohet të jetw në opozitë pas më se dy dekadash në pushtet. Por, ajo që i shqetëson ata është fakti që ndoshta drejtësia është e ngadaltë, por ngadalë po u afrohet. Do të ketë edhe përpjekje të tjera për përshkallëzim, për tensione ndëretnike, madje edhe kjo që ndodhi disa ditë më parë nga ana jonë u parandalua dhe u paralajmëruan të gjithë faktorët përkatës dhe partnerët tanë strategjikë”, tha Mickoski pas incidenteve me flamujt më 28 nëntor.

Koalicioni i partive shqiptare VLEN, e dënoi përdhosjen e flamurit shtetëror maqedonas dhe e quajti aktin “të turpshëm dhe të papranueshëm”.

“Pas festimit deri tani të paparë të 28 Nëntorit, ndërsa kënga dhe vallja shqiptare jehonin në të gjithë vendin, është e qartë se kjo atmosferë festive nuk u përgjigjej atyre, të cilëve iu prish komoditeti nëpër kolltukët e pushtetit. Në fund të ditës, u paraqitën këto qarqe, që dëshirojnë ta destabilizojnë shtetin. Jo pse e duan shtetin, por sepse u mungon pushteti”, thanë nga koalicioni VLEN.

Ky koalicion gjithashtu njoftoi se janë siguruar fotografi që dëshmojnë se të rinjtë që dogjën flamurin shtetëror janë bashkëpunëtorë të afërt të ish-zëvendëskryeministrit nga BDI-ja, Artan Grubi. Grubi përgënjeshtroi lidhjen dhe paralajmëroi padi.

BDI-ja kërkoi dorëheqjen e menjëhershme dhe të parevokueshme të ministrit të Punëve të Brendshme, Pançe Toshkovski, dhe zëvendësit të tij, Astrit Iseni, për incidentet në Ditën e Flamurit. Nëse nuk ndodhin dorëheqjet, partia paralajmëroi interpelancë në Kuvend kundër tyre.

Pas incidentit në Kumanovë me djegien e makinave të ish-zyrtarëve të BDI-së, partia bëri thirrje për ndërhyrje të menjëhershme nga komuniteti ndërkombëtar për të ndaluar, sikurse kumtuan spiralen e rrezikshme të dhunës dhe urrejtjes që kërcënon paqen dhe stabilitetin në vend.

LSDM-ja, nga ana tjetër, bëri thirrje për një takim liderësh.

“Qytetarët duan t`i shohin politikanët së bashku në tryezë, të gjithë liderët e partive parlamentare, të gjithë së bashku të dërgojmë një mesazh ku do të themi se mbetemi një shtet i qëndrueshëm dhe se jemi të përkushtuar për paqen dhe bashkëjetesën”, tha Sekretari i Përgjithshëm i LSDM-së, Aleksandar Dimitrijeviq, në një paraqitje televizive.

Sa u përket qëndrimeve të kryeministrit Mickoski, për destabilizimin e shtetit, Dimitrieviq tha se nuk duhet të hyhet në përallën e destabilizimit.

Pas zgjedhjeve parlamentare të majit të këtij viti, kur BDI-ja shprehu pakënaqësi me mospërfshirjen në qeverinë e udhëhequr nga VMRO DPMNE-ja, ajo paralajmëroi protesta në shtator, por deri më tani nuk i ka mbajtur.Kryeministri Mickoski këtë verë njoftoi se ka informacione të marra nga disa kanale, se udhëheqësia e BDI-së do të ndërmarrë hapa drejt destabilizimit të shtetit për të mbrojtur kapitalin e krijuar në 20-22 vjetët e fundit.

Pas incidenteve të 28 nëntorit dhe atyre të së hënës në Kumanovë, të shoqëruara me retorikë të ashpër mes partive politike, krerët e bashkësive fetare në Maqedoninë e Veriut bënë thirrje për bashkëjetesë.

“Zoti ka dashur që ne të jetojmë në një shtet të përbashkët. Prandaj, ne, krerët e Kishës Ortodokse Maqedonase – Arqipeshkëvia e Ohrit, Bashkësisë Fetare Islame, Kishës Katolike, Kishës Evangjeliste Metodike dhe Bashkësisë Hebraike, u bëjmë thirrje të gjithë qytetarëve maqedonas që të mos bien pre e përpjekjeve të caktuara për të prishur bashkëjetesën, por të gjithë së bashku të vazhdojmë të ruajmë respektin për njëri-tjetrin për simbolet shtetërore të atdheut tonë dhe për simbolet e të gjitha bashkësive etnike në të”, thanë bashkësitë fetare./REL

Infermieria e Juventusit plot, ja kur rikthehen lojtarët e dëmtuar

Barazimi ndaj Leçes sa ka shtuar më shumë presionin për Motën i cili është me sytë nga infermieria me shpresën se po rikthehet ndonjë nga të dëmtuarit. Sipas të dhënave, situata e çdo lojtari po monitorohet ditë pas dite, duke përjashtuar këtu Bremer dhe Kabal që sapo janë operuar dhe kanë mbyllur sezonin.

 

Gjithashtu edhe Milik i cili po rikuperohet dhe ende i duhet pak kohë për t’u rikthyer. Kështu në fokus janë pjesa tjetër e lojtarëve të cilët mund të kthehen nga momenti në moment, pasi janë përjashtuar dëmtimet serioze dhe më shumë kanë lodhje muskulore.

Gjithçka varet nga dhimbjet e çdo individi. Megjithatë trajneri shpreson të jetë në gjendje të takojë sërish sa më shpejt Vlahoviçin, golashënuesi më i mirë i Juves, i cili është jashtë që prej 18 nëntorit kur u dëmtua para përfundimit të ndeshjes SerbiDanimarkë. Numri 9 i Juventusit ka dy javë që është jashtë. Duglas Luiz e gjen veten në të njëjtën situatë, pasi ndjeu një dhimbje para ndeshjes Juve-Shtutgart më 22 tetor. Të fundit që u ndalën, sërish për shkak të lodhjes së muskujve, ishin Nikolo Savona, gjatë Aston Vila-Juve dhe Ueston Mekeni.

Për të dy këta lojtarë do të jetë e vështirë që të rikthehen që të shtunën, megjithatë shumë varet nga dhimbja e cila është subjektive. Niko Gonzalez dhe Adziç janë dy lojtarët e tjerë. Argjentinasi ka dy muaj që është jashtë për shkak të një dëmtimi të kofshës së djathtë, ndërsa malazezi pësoi një dëmtim më 8 nëntor. Por kur mund të rikthehen këta lojtarë? Për Vlahoviçin ka shpresa se do të rikthehet në sfidën e radhës ndaj Bolonjës. Për pjesën tjetër edhe pse mund të kthehen nga momenti në moment dyshimet janë se mund të mos arrijnë dot të kapin sfidën e radhës.

js

Bëri shqiponjën më 28 Nëntor, nën hetim ushtari malazes! Reagime të shumta në Malin e Zi

Një ushtar i ri i Ushtrisë së Malit të Zi, David Gorvokovic, e festoi ditën Ditën e Flamurit të Shqipërisë, më 28 Nëntor, me ushtarë shqiptarë.

Ushtari, që është aktualisht pjesë e një misioni të NATO-s në Bullgari, është fotografuar duke bërë me duar simbolin e shqiponjës dykrenare, gjë që ka shkaktuar reagime të shumta në Mal të Zi.

Lajmin e raportoi gazeta malazeze “Vijesti” me titullin: “Pjesëtari i Ushtrisë së Malit të Zi bën ‘shqiponjën dykrenare’”.

Ministri i Mbrojtjes i Malit të Zi, Dragan Krapoviq, konfirmoi për “Vijesti” se informacionet janë të sakta dhe se po kryhet një hetim për të mësuar më shumë detaje rreth këtij rasti. Ai foli po ashtu edhe për një incident tjetër që përfshin dy ushtarë malazezë të arrestuar në Kosovë. Ata u ndaluan në Deçan pasi në automjetin e tyre ishte shkruar “Kosova është Serbi”.

Ministri nënvizoi se autoritetet do të veprojnë në përputhje me ligjin për të trajtuar këto situata. Për dy të ndaluarit, Gjykata Themelore në Pejë vendosi një muaj paraburgim . Prokurori atje i akuzoi ata për veprën penale “nxitje të urrejtjes”.

Shkrimet që e paraqesin Kosovën si pjesë të Serbisë, autoritetet kosovare i trajtojnë si provokim. Partitë politike proserbe në Mal të Zi, si dhe Kisha Ortodokse Serbe, nuk e njohin Kosovën si shtet të pavarur, por e konsiderojnë si territor të Serbisë.

“Iu nënshtrua torturave çnjerëzorë në qelitë e diktaturës”- Historia e trishtë e agronomit të famshëm të diplomuar në Francë: E çonin në një vend të panjohur, ku i vinin litarin në qafë dhe me kërcënimin që do e varnin…

Jeta e Adem Belit, një prej agronomëve të rëndësishëm shqiptarë, e rrëfyer përmes përshkrimit të të birit, dokumenteve zyrtare dhe fotove domethënëse. Një jetë e ndarë mes kontributit të vyer në disa sektorë të bujqësisë dhe torturave çnjerëzore në qelitë e diktaturës komuniste të Enver Hoxhës. Rryma elektrike në veshë dhe goditjet në shputat e këmbëve, i lanë dëmtime të pariparueshme e megjithatë, pas daljes nga burgu, ai vazhdoi të shërbente aty ku ua kishin nevojën, dijeve dhe përvojës së tij! Tulipanët dhe Gladiolat, eksportoheshin me sukses në Holandë, por ato nuk mund të “tregonin” për torturat që ishin bërë ndaj agronomit të tyre, si dhe padrejtësitë e tokës ku rriteshin.

 

E kush e ka menduar që Holanda e Tulipanëve, në vitet ’70-të, një pjesë të luleve të saj simbolike i importonte nga Shqipëria! E bashkë me Tulipanët, Irisë, Zymbyla, Zambakë e Gladiola…! Kultivimi i tyre, mbikëqyrej nga Stacioni Eksperimental i Flori-kulturës, drejtues teknik i të cilit, në vitin 1971, u emërua agronomi Adem Beli. Ademin e caktuan në këtë stacion, që rezultoi shumë i suksesshëm, për të plotësuar vitet e punës, pasi kishte dalë në pension të parakohshëm, për shkak të gjendjes shëndetësore, si shkak i viteve që kishte kaluar në qelitë e Sigurimit dhe kampeve dhe burgjeve të regjimit komunist në fuqi.

Shqetësimi kryesor ishin këmbët që, të gangrenizuara dikur prej torturave në birucat e hetuesisë dhe punës për tharjen e kënetës së Maliqit, ishin acaruar më pas, nga ecja, terreni i thyer i kooperativave bujqësore ku e caktonin me punë dhe çizmet e llastikut, që nuk iu ndanë gjatë viteve kur ai shërbeu nëpër fshatra.

Siç thuhet në jetëshkrimin e tij, që i biri, Arben Beli, na ka mundësuar, shtëpia ku, në vitin 1909, u lind Ademi, në Korçë, ishte një nga qendrat e Lëvizjes Kombëtare Shqiptare, pranë oxhakut të së cilës mblidheshin patriotë të shquar, si; Sali Butka, Mihal Grameno, Spiro Bellkameni etj.

Ai ishte një nga nxënësit e shkëlqyer të Liceut Francez, ku filloi të studionte në vitin 1921 dhe më 1924, nisi Shkollën Ushtarake Mbretërore në Tiranë, të cilën e përfundoi në vitin 1931. Punoi për pak kohë si oficer dhe në fillim të vitit akademik 1935, nisi në Itali, Fakultetin e Mjekësisë Veterinare. Mbaron vitin e parë aty dhe zhvendoset në Universitetin e Tuluzës në Francë, ku përgatitet si inxhinier agronom.

U diplomua në vitin 1939 dhe në fund të atij viti u kthye në atdhe. Ademi ishte një i ri aktiv që u përfshi në veprimtaritë antifashiste dhe ndihmoi në mbledhjen e kontributeve financiare për të mbështetur Luftën Civile të Spanjës gjatë kohës që ishte në Tuluzë e Paris.

Në Shqipëri, u emërua kryeinspektor i bujqësisë, në prefekturën e Vlorës. Ai kishte ide nacionaliste, për një demokraci liberale perëndimore. Edhe këtu, vazhdoi të ishte njëkohësisht i angazhuar në punën shkencore dhe në zhvillimet kombëtare. Ndërsa trajtonte kulturën e ullinjve të bregdetit, zyra e tij në Vlorë, u shndërrua në qendër të organizimit të demonstratave antifashiste.

Bashkëpunonte me nacionalistët Skënder Muço e Hysni Lepenica dhe mori pjesë në luftën e Gjormit, si dhe veprime të tjera luftarake. Megjithatë, pikën kulmore të acarimit, marrëdhëniet e tij me pushtuesit italianë e arritën kur ai refuzoi të firmoste shitjen atyre, të fushës së aviacionit. Emri i tij u shtua në listën e internimeve në Ventotene, që Ademi i shpëtoi duke u hedhur në ilegalitet.

Në Vlorë la pas një bazë të saktë të dhënash, për çdo rrënjë ulliri, të ndërtuar sipas modelit francez. Jo vetëm kaq, por organizoi edhe punën për ndërtimin e Stacionit të Parë Sinoptik të Vlorës. Mbas tetorit të vitit 1943, rikthehet në detyrë, si kryeinspektor i përgjithshëm i Ministrisë së Bujqësisë.

Pas luftës, kur Shqipëria po përgatiste kuadrot e rinj në sektorë të ndryshëm, Adem Beli drejtoi kurset e para për formimin e mekanikëve, traktoristëve dhe drejtuesve të bujqësisë në fermën e Xhafzotajt, pasi ai kishte marrë në Tuluzë edhe dy diploma plotësuese, për traktorist dhe manovrator të makinerive bujqësore. Më pas transferohet në Berat, ku angazhohet ndër të tjera, me problemin serioz të karkalecave, që shkatërronin të mbjellat e asaj periudhe.

Vitet e reja të mbrapshta

Kishte vetëm shtatë vite që ishte kthyer në Shqipëri, kur e arrestuan. I vunë prangat më 31 dhjetor të vitit 1946. Të nesërmen për të, do të niste një vit dhe një jetë e re, e kundërta e asaj që zakonisht njerëzit janë të prirur të shpresojnë me optimizëm, në fillim të një viti. Jo vetëm për të, por edhe për familjen. Në këtë kohë Ademi ishte martuar me Shadije Alizotin dhe prej dy vitesh, ishte bërë baba i një vajze.

Adem Belin e akuzuan për tradhti në bashkëpunim me grupin e deputetëve, të kryesuar nga Riza Dani. 37-vjeçari provoi mbi trupin e tij, disa nga torturat më të egra të manualeve që hetuesve shqiptarë, u kishin rënë në dorë: goditje elektrike me fije të vendosura në veshë, goditje me shkopinj në shputat e këmbëve, mbushja e birucës me ujë, ku, prej plagëve të hapura e të patrajtuara, shumica e gishtërinjve, po i shkëputeshin. Për një vit të tërë, hetuesit, me në krye Nevzat Haznedarin dhe Stavri Xharën, nuk u lodhën së e torturuari. E lëshonin vetëm atëherë kur era e këmbëve të gangrenizuara iu bëhej e padurueshme.

Nuk merreshin vetëm me trupin, por edhe me shpirtin. E torturonin psikologjikisht, duke e çuar në një vend të panjohur, ku i vinin litarin në qafë, me kërcënimin që do e varnin po të mos tregonte bashkëpunëtorët. I fusnin spiunë në birucë…! Megjithatë, ai nuk e hapi kurrë gojën.

Akuza e tij dhe e një grupi të tërë të arrestuarish, ishte se; “kishin formuar komitete të ‘Ballit Kombëtar’, se kishte ekzekutuar vendimet e Komitetit Qendror, të përbashkët dhe nëpërmjet funksionarëve të UNRRA-s, janë lidhur me kriminelët e arratisur në Itali, Mid’hat e Mehdi Frashëri, Ali Këlcyra etj., prej të cilëve kanë marrë udhëzime, ndihma dhe u kanë dhënë informata”.

Morali i fortë, stoicizmi që buronte nga vlerat familjare dhe patriotike, besimi në Zot, i dha atë forcë të paimagjinueshme për t’u rezistuar të gjitha përpjekjeve të tyre që të pranonte fajin. I mbetej të priste ekzekutimin, që ia kishin premtuar më shumë sesa një herë, mirëpo kur doli në gjyq, në janar të vitit 1948, u dënua me 20 vjet heqje lirie dhe punë të detyruar, i akuzuar “për organizimin e komiteteve, kundër pushtetit popullor”.

Meritën për ndryshimin e akt-akuzës dhe vendimit të dënimit, e kishte ndërhyrja e të vjehrrit, Ali Demir Alizotit. Emrin e tij e gjejmë në përshkrimet e hershme, si një nga themeluesit e Fabrikës së Trikotazhit në Korçë, ku bashkëshortja e Koçi Xoxes, kishte qenë drejtuese teknike, për disa vjet. Kjo njohje e vjetër, bëri që Ademit t’i falej jeta, por nuk ishte ndërhyrja e vetme, që e ka shpëtuar mrekullisht jetën e tij, gjatë viteve të dënimit dhe përndjekjes.

Këtë të dënuar me këmbë të gangrenizuara, e çuan në kampin ku të dënuarit punonin me këmbë të zhytura në baltë, për tharjen e kënetës së Maliqit. Gjendja e tij u rëndua, por me ndihmën e çmuar të doktor Isuf Hysenbegasit, plagët iu mbyllën. Megjithatë, veçse i shurdhët nga veshi i djathtë dhe pjesërisht nga i majti, prej goditjeve elektrike, ai mbeti përgjithmonë i dëmtuar, edhe nga këmbët.

Gjatë vitit që torturohej në hetuesi, qeveria shqiptare vazhdonte reformat e saj, të cilat do të preknin edhe familjen e Ademit. Fabrika e Trikotazhit të të vjehrrit, ku në vitet e para ishte angazhuar edhe bashkëshortja, Shadija, do të shtetëzohej. Pasuritë e luajtshme dhe të paluajtshme të Ademit, u sekuestruan si pjesë e dënimit. Të gjitha këto ia vështirësuan edhe më shumë jetën bashkëshortes së tij, e cila kishte mbetur e vetme, me vajzën e tyre dyvjeçare, Zanën.

Gangrenë në këmbë, gladiola në shpirt

Në vitin 1952, Adem Beli lirohet me kusht dhe çohet, sigurisht i survejuar, të punojë si i burgosur, në Gjazë të Lushnjës. Nga aty e çojnë në burgun e artizanatit në Tiranë, për të përkthyer literaturë nga italishtja dhe frëngjishtja. Në këtë kohë, ndodh sërish një nga ato ndërhyrjet mrekullibërëse që i jep lirinë agronomit, të cilin regjimi kishte vendosur ta kalbte në burg.

Drejtori i burgut, Laze Sulejmani, nga Vlora, e cili e njihte që në vitet e punës së Ademit në Vlorë, habitet kur e sheh dhe i premton se do të fliste me vlonjatin tjetër, Hysni Kapon, për ta nxjerrë që aty. Hysni Kapo, i cili njihte kontributin e Ademit në Francë, e më pas në qytetin e Vlorës, arrin që ta lirojë përfundimisht nga burgu. Nga viti 1954, deri në vitin 1971, kur doli në pension të parakohshëm, Ademi punoi si agronom në kooperativa të ndryshme të Shkodrës, Lezhës, Krujës e Tiranës.

Gjatë këtyre viteve, ai implementoi metoda origjinale të suksesshme, siç ishte ajo e plehërimit të kombinuar, për të cilat dekoratat shkonin në duart e gjoksin e kryetarit të kooperativës ku ai shërbente. Megjithëse Ademi arriti të kthehej në profesion, nuk ishte e thënë se “reja” e përndjekjes, u largua nga ai.

Në vitin 1957, e caktuan pedagog në Shkollën e Kuadrove të Kooperativave Bujqësore, por me ta marrë vesh drejtori, se kush ishte, bëri çmos, derisa e pushoi nga puna. Me të njëjtin trajtim të padrejtë, u godit dhe familja e tij, megjithëse ata patën fatin, të mos internoheshin.

Bashkëshortja, megjithëse një ish-liceiste ekselente dhe njohëse e disa gjuhëve të huaja, nuk mundi të ishte më shumë sesa edukatore kopshti. Vajza e madhe, Zana, megjithëse mbaroi me rezultate të larta shkollën Pedagogjike, punoi deri në rrëzimin e regjimit komunist, vetëm nëpër fshatra. Djemtë e tij, të lindur pas daljes nga burgu, Lirimi dhe Arbeni, pavarësisht aftësive intelektuale (Lirimi ishte një nxënës ekselent, siç thekson i vëllai), – nuk vazhduan dot studimet e larta, si bashkëmoshatarët e tyre, por u dërguan në repartet e punës, “ku kishte nevojë atdheu”. Ashtu si kishte shkuar gjatë gjithë jetës së tij, edhe Adem Beli.

Agronomi Adem Beli, e mbylli karrierën në sektorin e kultivimit të luleve bulbore, që kontrastonte për nga bukuria dhe ngjyrat me gjendjen e tij. Jeta e Ademit, ishte krejt e kundërta e një fushe me lule. Kishte mes tyre, megjithatë, një lule që përputhej me shpirtin e agronomit: Gladiola, që në shumicën e kulturave, simbolizon forcën e karakterit, ndershmërinë, integritetin dhe të mos dorëzuarit kurrë. Më 1996-ën, dy vite para se të ndërronte

Ushqimet që të mbushin me energji njësoj si kafeja

Një nga sfidat më të mëdha për shqiptarët gjatë pandemisë ishte pamundësia e shqiptarëve për të shijuar kafenë siç ua kishte ënda përpara këtij realiteti të ri.

 

Për më tepër, dëshira për të marrë dozën e energjisë së nevojshme i shtyu shumë shqiptarë të ndërmerrnin akte ‘rebelizmi’ duke shkelur edhe orarin e kufizimit të lëvizjes.

Pavarësisht dëshirës për kafe, dita ditës po shtohen pretendimet se kafeja nxit ankthin tek disa njerëz, dhe në këto ditë sulmet e ankthit dhe të panikut duhen shmangur sa më shumë.

Ekspertët e AgroWeb.org kanë përpiluar një listë praktike me dhuratat bujare të nënës Natyrë të cilën kanë të njëjtën veçori si kafeja në aspektin e energjisë.

Ushqimet Që Të Mbushin Me Energji Njësoj Si Kafeja

Avantazhi që kanë këto produkte është jo vetëm se janë natyrale por nuk kanë efekte anësore sa i përket ankthit dhe stresit.

Tërshëra

Ky drith ka një nivel të ulët glicemi dhe ofron energji afatgjatë dhe të qëndrueshme për të gjithë paraditen.

Tërshëra për më tepër ndihmon edhe në prodhimin e serotoninës që na ndihmon të shmangim stresin dhe të kemi një kujtesë më të mirë.

Nenexhiku

Barishtet si nenexhiku, rukola e të tjerë janë të plotfuqishme përsa i përket energjisë që i japin organizmit. Vetëm aroma e kësaj barishteje ofron një energji të menjëhershme, largon lodhjen dhe rikthen vëmendjen.

Për më tepër, një studim pretendon se njerëzit që nuhasin erën e nenxhikut çdo dy orë humbasin mesatarisht 2.5 kg në muaj nga pesha.

Farat e Susamit dhe Chia

Këto fara janë plot me magnez i cili kthen sheqerin në energji.

Fibra dhe yndyrnat e shëndetshme ndihmojnë në stabilizimin e nivelit të sheqerit në gjak dhe sigurojnë një energji të vazhdueshme.

Farat Chia gjithashtu janë ofruese të energjisë sepse përmbajnë fibër, proteinë dhe yndyrna të shëndetshme.

Fasulet, Avokado, Qiqrrat.

Të gjitha produktet e pasura me Vitaminën B mundësojnë rritjen e energjisë, ndërsa enzimat folike të B9 janë të pazëvendësueshme për sintezën e ADN-së dhe funksionimin e mirë të trurit.

Vitamina B9, B12 dhe B6 kosiderohen tre musketierët e vitaminave që janë përgjegjës për mbajtjen nën kontroll të niveleve të larta të homocistinës që shoqëron sëmundjet e zemrës.

Hurmat e Arabisë

Ato janë të mbushura me sheqerna natyralë që përfshijnë: fruktozën, sukrozën dhe glukozën.

Kjo i bën ato një ushqim të favorshëm për ata që kanë nevojë të rrisin nivelet e energjisë.

Fibra që ato përmbajnë do të parandalojnë shpërthimet e pakontrolluara të sheqerit në gjak siç ndodh me ëmbëlsira të tjera.