21.5 C
Tirana
E martë, 6 Maj, 2025

Rrëfimi i Azgan Haklajt: Si më torturuan me urdhër të Ilir Metës. Berisha dhe Paloka e dinë mirë, se i arrestuan dhe ata

Azgan Haklaj rrëfeu një nga përplasjet më të forta që ka pasur me ish-presidentin Ilir Meta në vitet 2000.

Zoti Haklaj tregoi se si është arrestuar me urdhër të Metës dhe është torturuar nga forca policore, duke iu djegur trupi me cigare dhe i janë shkulur thonjtë.

“Edi Paloka, Berisha dhe dhjetëra demokratë janë arrestuar nga Meta në protestën që kemi organizuar disa vite më parë në Tropojë.

Po ashtu edhe unë si kryetar i Tropojës, jam arrestuar në mënyrë të dhunshme me qindra forca policore, duke shkelur ligjet e shtetit dhe të drejtat e njeriut.

Më kanë arrestuar në orën dy të mesnatës, pa komunikim të urdhër-arrestit. Dhunuan gjithë familjen, madje dhe vajzën e vogël e qëlluan me shkelma dhe e hodhën nga korridori.

Ngjarja është regjistruar në raporte prestigjioze, të cilat kanë reaguar, po ashtu edhe Departamenti Amerikan i Shtetit, OSBE/ODIHR, që kanë reaguar për mënyrën e arrestimit të Azgan Haklajt.

Unë nuk ika, madje kam pritur në zyrë por Meta më arrestoi në mesnatë, duke më trajtuar në mënyrën më çnjerëzore.

Më ka djegur trupin me cigare dhe më ka shkulur thonjtë, për hakmarrje, zbathur dhe zhveshur, për mitingun e 20 shtatorit të vitit 2000.

Kjo ka qenë një nga përplasjet e mia me Metën”, tha Azgan Haklaj në Dritare TV.

PROFIL/ Donald Trump, një rrugëtim i pazakontë drejt presidencës

Në pak më shumë se nëntë vite, ish-presidenti dhe ndoshta presidenti i ardhshëm Donald Trump ka reformuar Partinë Republikane në një vend gjithnjë e më të ndarë. Korrespondentja e Zërit të Amerikës, Tina Trinh, i hedh një vështrim përpjekjeve të ish-Presidentit Trump për një rikthim politik historik.

“Tani mund të themi se ish-Nënpresidenti Joe Biden është zgjedhur president i Shteteve të Bashkuara…”, njoftohej në mediat amerikane.

Ky duhej të ishte fundi.

Por kur fundi erdhi, Donald J. Trump, presidenti i 45-të i Shteteve të Bashkuara, nuk ishte i gatshëm ta pranonte humbjen.

“Nëse numëroni votat e ligjshme, unë fitoj lehtësisht. Nëse numërohen votat e paligjshme, ata mund të përpiqen të na i vjedhin zgjedhjet”, tha atëherë ish-Presidenti Trump.

Ai u bëri thirrje mbështetësve që ta pengonin Kongresin të certifikonte rezultatet më 6 janar 2021.

“Do luftojmë me gjithçka. Dhe nëse nuk luftoni me gjithçka, nuk do ta keni më vendin tuaj”, tha ish-Presidenti Trump.

Ajo që rezultoi ishte një skenë e paimagjinueshme më parë në Amerikë, që çoi në ngritjen për herë të dytë të akuzave në Kongres për shkarkimin e tij. Mospranimi i humbjes nga zoti Trump, ishte në përputhje me refuzimin e tij të vazhdueshëm ndaj të zakonshmes.

“Mendoj se ajo që shihni është dikush që ka besim të jashtëzakonshëm në intuitën e tij”, thotë Russ Buettner, nga gazeta “The New York Times”.

Russ Buettner dhe Susanne Craig janë gazetarë investigativë në gazetën ‘The New York Times’ dhe bashkëautorë të librit “Lucky Loser”, një vështrim jo i këndshëm i rrethanave se si zoti Trump e shndërroi veten në një miliarder që mbështetet në forcat e tij.

“Që nga fillimi i viteve ‘80, ai nuk u ka besuar vërtet njerëzve që kanë ekspertizë të fushës në pothuajse çdo gjë. Ai gjithmonë kërkon ta rrëzojë mendimin e tyre dhe t’i bëjë gjërat siç i dëshiron ai që të dalin”, thotë gazetari Buettner.

Ndërtesat e zotit Trump mbartnin emrin e tij me gërma të mëdha të arta, një shfaqje e guximshme e ambicieve të tij.

“Kur po jepte një intervistë për gazetën ‘The New York Times’, kishte një pasuri prej 200 milionë dollarësh. Kjo ishte rritur në një miliard kur ai po fliste një dekadë më vonë për emisionin ‘60 Minuta’,” tregon gazetarja Susanne Craig, nga “The New York Times”.

Zoti Trump shkëlqente në tërheqjen e vëmendjes dhe kultivimin e një imazhi për veten e tij si mundësues i marrëveshjeve. Ai fitoi miliona dollarë vetëm nëpërmjet licencave për përdorimin e emrit të tij.

Por pas suksesit qëndronin telashet. Kompanitë e tij shpallën falimentimin gjashtë herë. Kazinotë e tij humbën të ardhura dhe u mbyllën. Zoti Trump u rimëkëmb me spektaklin e tij televiziv, “The Apprentice”, që mundësoi edhe rolin e tij më të madh deri më tani.

“Zonja dhe zotërinj, unë po kandidoj zyrtarisht për president të Shteteve të Bashkuara dhe ne do ta bëjmë vendin tonë sërish madhështor”, deklaroi ai në qershor të vitit 2015.

I vendosur dhe pa doreza, zoti Trump ishte një kandidat polarizues dhe nacionalist.

“Kur Meksika dërgon njerëzit e saj, ata nuk dërgojnë më të mirët e tyre… Ata po sjellin drogën, po sjellin krimin, ata janë përdhunues dhe disa, supozoj, janë njerëz të mirë”, tha zoti Trump.

Si president, ai emëroi tre anëtarë të Gjykatës së Lartë që ndihmuan në rrëzimin e të drejtave federale për abortin.

“Numri i vdekjeve në SHBA është tani mbi 150,000”, njoftonin mediat gjatë pandemisë.

Në fillim të vitit 2020, pandemia COVID-19 sprovoi ish-Presidentin Trump. Ai përshpejtoi prodhimin e vaksinave për të shpëtuar jetë njerëzish. Por ai gjithashtu u duk se sugjeroi që shkencëtarët të studionin injektimin e klorinës për të vrarë virusin.

Me mbi 9 milionë amerikanë të infektuar dhe me numrin e vdekjeve që i kaloi 230 mijë, votuesit atë nëntor zgjodhën Joe Bidenin si presidentin e tyre të ardhshëm.

Pas lënies së detyrës, ish-Presidenti Trump u përball me padi të shumta penale dhe është ish-presidenti i parë që është gjendur fajtor për një vepër penale.

E megjithatë, ai kurrë nuk ka qenë më popullor se tani.

Duke i mbijetuar dy atentateve këtë vit,… ai vetëm e ka forcuar lidhjen me mbështetësit e tij.

“Zoti ka një plan për Trump-in. Dhe ai absolutisht u kursye për disa qëllime dhe arsye. Dhe shpresojmë se do të bëhet presidenti i 47-të”, thotë mbështetësja Pam Smith, nga Pensilvania.

Politika amerikane nuk ka qenë më e njëjta që kur Donald Trump-i u bë pjesë e saj.

Dhe njeriu që dikur ishte bashkautor i librit “Arti i Rikthimit”, tashmë mund të jetë duke realizuar një nga rikthimet më të mëdha në historinë amerikane.

Shovinizmi i tifozëve të saj ndaj Kosovës, UEFA dënon Serbinë me 52 mijë euro gjobë

UEFA ka dënuar me 52,500 euro Federatën e Futbollit të Serbisë, këtë të premte, për shkak të sjelljeve të tifozëve, që nuk respektuan himnin e Zvicrës, përhapën thirrje Anti-Kosovë dhe përçuan mesazhe me sjellje raciste apo diskriminuese.

Zvicra pësoi humbje në përballjen ndaj Serbisë në muajin tetor në kuadër të Ligës së Kombeve, por ndeshja në Leskovac mori vëmendje për shkak të sjelljeve jo të mira të tifozëve vendas, që tashmë janë të përsëritura ndër vite.

Në përballjen e 12 tetorit prezent ishte edhe Aleksandar Vuçiç, aty ku u shfaqën parulla kundër Kosovës, u ofendua himni i Zvicrës dhe pati gjatë gjithë kohës thirrje raciste.

Ndeshjet mes Serbisë dhe Zvicrës ndër vite janë karakterizuar me probleme, kjo më shumë për shkak të prezencës së lojtarëve me prejardhje nga Kosova, si rasti i fundit, Granit Xhaka.

Federata e Serbisë do të jenë nën mbikëqyrje që nëse raste të njëjta përsëriten gjatë dy viteve të ardhshme, atyre do t’u mbyllet një pjesë e stadiumit.

Dënimet nga UEFA-s:

1. Të gjobisë Federatën e Futbollit të Serbisë me 25,000 euro dhe të urdhërojë mbylljen e pjesshme të stadiumit të Federatës së Futbollit të Serbisë, i cili do të përbëhet nga të paktën 4,000 ulëse, gjatë një (1) ndeshjes së radhës të garës së UEFA-s në të cilën luan Federata e Futbollit të Serbisë. si shoqatë pritëse, për sjelljen diskriminuese të mbështetësve të saj. Mbyllja e pjesshme e stadiumit pezullohet për një periudhë provuese prej dy (2) vitesh, duke filluar nga data e këtij vendimi.

2.Të gjobisë Federatën e Futbollit të Serbisë me 10 mijë euro për shkak të trazirave gjatë intonimit të himneve kombëtare.

3.Të gjobisë Federatën e Futbollit të Serbisë me 17,500 euro për transmetimin e një mesazhi provokues të papërshtatshëm për një ngjarje sportive.

Shënim: Masat disiplinore nën një periudhë prove nuk janë të efektshme menjëherë, por mund të zbatohen nëse “një shkelje e mëtejshme e natyrës së ngjashme kryhet gjatë periudhës së provës” (Neni 26(3) i Rregullores Disiplinore të UEFA-s).

Becchetti përlan 130 milionë euro të Shqipërisë/ Gjykata e Brukselit urdhëron Eurocontrol të kalojë paratë e bllokuara tek biznesmeni italian

Me gjithë përbetimet e Edi Ramës se Francesco Becchetti nuk do të merrte asnjë qindarkë nga paratë e shqiptarëve, biznesmeni italian ka marrë të drejtën për të konfiskuar 130 milionë euro nga paratë që mbante të bllokuara prej disa vitesh në llogarinë e Shqipërisë në Eurocontrol. Gjykata e Shkallës së Parë në Bruksel ka urdhëruar agjencinë Eurocontrol të ekzekutojë vendimin duke kaluar fondet e bllokuara në llogarinë e përmbaruesit të Becchettit.

“Në një vendim të datës 17 tetor 2024, gjyqtari i sekuestrimeve i Gjykatës së Shkallës së Parë Frëngjishtfolëse të Brukselit konfirmoi se vendimi duhet të zbatohej menjëherë dhe vendosi se Eurocontrol, që mban fonde për Republikën e Shqipërisë, ka detyrim ligjor për të transferuar fondet e ngrira për përmbaruesin e Becchettit,” zbulon Eureporter.

Me këtë vendim, përmbaruesi i Becchettit do të konfiskojë 108 milionë eurot e gjobës së arbitrazhit kundër Shqipërisë plus interesat dhe kamatat, të cilat në total arrijnë në rreth 130 milionë euro.

Dhe sipas vendimit, tashmë qeveria nuk ka më asnjë instrument për ta ndalur konfiskimin.

“Gjykata vendosi më tej se çdo apel nuk do të kishte një efekt pezullues në vendimin e konfiskimit,” zbulohet në vendim.

Gjyqi

Në prill të vitit 2019,Gjykata Ndërkombëtare për Zgidhjen e Mosmarrëveshjeve të Investimeve në Uashington (ICSID), pjesë e Bankës Botërore, e dënoi qeverinë shqiptare që të paguajë 108 milionë euro gjobë për llogari të Francesco Becchettit për sekuestrimin e Agon Channel.

Menjëherë pas këtij vendimi, biznesmeni italian iu drejtua një gjykate në Belgjikë për të autorizuar ekzekutimin e gjobës. Becchetti kishte piketuar paratë që Shqipëria fiton nga hapësira ajrore të cilat kompanitë e fluturimit i depozitojnë në Eurocontrol dhe ky i fundit ja kthen Albcontrolit shqiptar.

Në dhjetor të vitit 2020, gjykata belge urdhëroi bllokimin e menjëhershëm të llogarisë së Shqipërisë në Eurocontrol. Që nga ai moment, Albcontrol nuk ka mundur të tërheqë dot asnjë qindarkë nga të ardhurat e përdorimit të hapësirës ajrore të Shqipërisë.

Sipas pasqyrave financiare të shoqërisë rezulton se deri në fund të vitit 2023, Albcontrol kishte rreth 10.3 miliardë lekë ose mbi 103 milionë euro të bllokuara nga Becçhetti në Bruksel.

Përpjekje të dëshpëruara
Qeveria shqiptare u përpoq për katër vite rresht në një betejë të dëshpëruar gjyqësore në të dy frontet, si atë të arbitrazhit ashtu dhe në gjykatat belge, për të ndalur konfiskimin e parave.

Fillimisht, në vitin 2021, Avokatura e Shtetit e apeloi vendimin e Arbitrazhit të Uashingtonit duke kërkuar anullimin e tij. Por kërkesa për anullim u rrëzua. Dy vjet më pas, qeveria kërkoi po nga e njëjta gjykatë rishikimin e gjobës. Edhe kjo kërkesë u rrëzua.

Ndërkohë në frontin belg, qeveria e apeloi vendimin e sekuestrimit të parave në Apel dhe e humbi. Më pas u mundua të ndalonte konfiskimin e tyre nga përmbaruesi, por dy javë më parë e humbi edhe këtë padi.

Aktualisht Shqipëria ka në vazhdim dy padi të tjera gjyqësore për këtë çështje. E pari është në Gjykatën Supreme të Belgjikës, ku qeveria ka kërkuar imunitet për paratë e Albcontrol, me argumentin se ato nuk mund të sekuestrohen pasi janë të rëndësishme për sigurinë kombëtare, por edhe të 41 vendeve të cilët janë pjesë e Eurocontrol.

çështja e dytë është në Gjykatën e Apelit të Parisit, ku qeveria ka kërkuar anullimin e vendimit të arbitrazhit nga ICSID.

Por pavarësisht këtyre dy çështjeve, gjykata në Belgjikë ka urdhëruar konfiskimin e menjëhershëm të parave duke i dhënë të drejtën e pa apelueshme përmbaruesit të Becchettit për të konfiskuar paratë e bllokuara dhe t’i kalojë ato në llogarinë e biznesmenit italian.

Përgjegjësit

Humbja e 130 milion eurove nga qytetarët shqiptarë ka emra konkret përgjegjësish. Ato gjendet të gjithë në vendimin e Gjykatë së Arbitrazhit. I pari është kryeministri Edi Rama me deklarimet e tij publike kundër biznesmenit italian, të cilat gjykata i cilësoi si prova të persekutimit politik të Becchettit.

Deklarimet publike te Rames qe u perdoren si baze per vendimin e Arbitrazhit

Ky është dëmi më i madh financiare, që u është shkaktuar taksapaguesve shqiptarë. Por veç Edi Ramës, ky dëm ka dhe dy bashkëautorë të tjerë. I pari është Erion Veliaj, i cili dërgonte SMS kërcënuese, kur gazetarët e Agon i filmuan dasmën në Kalanë e Gjirokastrës.

SMS e Veliajt per gazetaret e Agon Channel qe u perdor si baze per vendimin e Arbitrazhit

Bashkëautori i dytë është Engjëll  Agaçi, sekretari i Përgjithshëm i Kryeministrisë. Ky gjatë një dreke në ish restorant Berlinin në Tiranë, e kërcenoi Becchettin me mesazhe mafioze.

Kercenimi i Agacit qe u perdor si baze per vendimin e Arbitrazhit

Të tre këta, me veprimet e tyre iu morën qytetarëve shqiptarë 130 milionë euro, në këmbim të asgjëje.

Para gropës Becchetti edhe inceneratori duket një biznes i ndershëm, pasi të paktën Zoto me Mërtirin mbollën disa pemë në Sharrë, kurse biznesmeni italian mori paratë falë Ramës, Veliajt dhe Agacit duke iu lënë shqiptarëve Noc Rrokun e kryeministrit.

“Berisha duhet të ishte larguar nga politika”, Topi: Nuk i kanë numrat të rrëzojnë Ramën! E katandisi opozitën në…

Ish presidenti Bamir Topi, i ftuar në emisionin “Kjo Javë” në News24 ka deklaruar se kryetari i partisë Demokratike Sali Berisha duhet të ishte larguar tashmë nga politika.

Ai u shpreh se opozita e ka të qartë se nuk i ka numrat e nevojshme për të rrëzuar nga pushteti kryeministrin Edi Rama, ndaj detyrohen të bëjnë marrëveshje, siç sipas ish-presidentit ishte edhe marrëveshja për mbylljen e listave.

Ata që kanë bllokuar demokracinë duhet të ishte larguar nga politika, do t’i bënte nder vetes dhe opozitës. Nëse nuk je koshient kure e ke katandisur opozitën të bie poshtë inspirimi për mosbindje.
Historia e pushtetit është vetëm mirazh. Numrat në pushtet nuk janë për të rrëzuar Edi Ramën.
E dinë shumë mirë ata, ndryshe nuk do të bënin marrëveshje për mbylljen e listave”,
tha Topi.

Zbulohet një vatër e gripit të shpendëve në Tiranë! Varianti i rrezikshëm që kalon tek njerëzit dhe shkakton infeksione serioze

Analizat e kryera nga Instituti i Sigurisë Ushqimore dhe Veterinarisë kanë identifikuar një variant të rrezikshëm të gripit të shpendëve, i cili mund të kalojë edhe tek njerëzit dhe të shkaktojë infeksione serioze.

Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural njoftoi se Instituti i Sigurisë Ushqimore dhe Veterinarisë (AKVMB) ka konfirmuar praninë e sëmundjes së Influencës Aviare me patogjenitet të lartë (H5N1) në një fermë familjare në fshatin Mëzez të Tiranës.

“Për kontrollin efikas dhe të menjëhershëm të situatës në terren, mëngjesin e sotëm, përfaqësues të MBZHR dhe AKVMB inspektuan nga afër vatrën e identifikuar si pozitive, në fshatin Mëzez, Njësia Administrative Kashar,” thuhet në njoftimin për shtyp të Ministrisë së Bujqësisë.

“Shërbimi Veterinar mbikëqyri dhe monitoroi, nëpërmjet kampionimit, edhe ferma të tjera të vogla familjare, të pranishme në zonën e mbrojtjes dhe të mbikëqyrjes, për t’i dërguar ato pa vonesë në Laboratorin e Referencës – ISUV,” shtohet në njoftim.

Ministria e Bujqësisë informoi se shërbimi veterinar i AKVMB ka karantinuar vatrën dhe zonat e mbrojtjes dhe mbikëqyrjes, me qëllim izolimin dhe parandalimin e përhapjes së infeksionit.

“Është njoftuar Instituti i Shëndetit Publik për të kryer procedurat e nevojshme për kontrollin dhe vlerësimin e riskut,” theksoi Ministria e Bujqësisë.

H5N1 është një nga viruset e gripit që shkakton sëmundje respiratore tek shpendët dhe mund të transmetohet duke shkaktuar sëmundje edhe tek njerëzit.
Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH), infeksioni nga virusi i gripit të shpendëve (H5N1) mund të shkaktojë një gamë të gjerë sëmundjesh tek njerëzit, nga të lehta deri te të rënda, dhe në disa raste mund të jetë edhe vdekjeprurës.

Që nga viti 2003 janë regjistruar afërsisht 900 raste të infektimit të njerëzve, gjysma e të cilave kanë qenë vdekjeprurëse.

Varianti H5N1 i influencës është zbuluar në vitin 1996 dhe që nga ai vit janë identifikuar shpërthime dhe vatra të ndryshme. Që nga viti 2020, një variant i këtij virusi ka shkaktuar ngordhje masive të zogjve të egër në Afrikë, Azi dhe Europë. Që nga viti 2022, janë raportuar raste në rritje të H5N1 edhe mes gjitarëve.

Sipas OBSH-së, pothuajse të gjitha rastet e transmetimit të këtij virusi tek njerëzit janë regjistruar kur këta të fundit kanë qenë të ekspozuar në kontakt me zogj të ngordhur ose mjedise të infektuara me H5N1.

OBSH thekson se vezët dhe mishi nga zona të infektuara me H5N1 mund të konsumohen, por duhet të përgatiten në mënyrë të duhur, ndërsa qumështi duhet të jetë i pasterizuar.

Në një sondazh të Universitetit të Këlnit në Gjermani, i publikuar në prill 2024 – ku morën pjesë 187 shkencëtarë, 57% mendojnë se gripi i shpendëve mund të jetë burimi i pandemisë së ardhshme globale./BIRN

Lufta ndaj kriminalitetit ka nevojë për klimë normale politike, institucione të pavarura dhe guxim të reagimit të qytetarëve duke i refuzuar në masë si fenomene!

Nga Alban Daci 

Kriminaliteti nuk luftohet vetëm me policë dhe prokurorë. Kur fenomenet e kriminalitetit depërtojnë thellë në në shoqëri nuk janë më vetëm çështje të sigurisë, por janë çështje të gjithë qytetarëve pa dallime! Lufta ndaj krimit të organizuar në Itali pati rezultate, kur qytetarët filluan të reagonin e të mos e pranonin!

Ngjarjet e vrasjes së Falcones e më vonë të Borselinos dëshmuan qartë sesa e rëndë ishte situata.
Fjalimet sidomos në ceremoninë mortore të Borselinos brenda në Kishë ishin shkëndijat e para që shoqëria duhet të reagonte!Kriminaliteti në Shqipëri nuk luftohet vetëm me policë e prokurorë. Mbi të gjitha vendi ka nevojë për një atmosferë normaliteti politik.

Sa më shumë politika bëhet konfliktuale brenda llojit aq më shumë goditen institucionet e shtetit dhe aq më e rrezikshm bëhet klima e siguris dhe e rendit.
Me një situatë të tillë politike konfliktuale që ka vendi, bota kriminale fitoj terren dhe bëhet akoma më agresive. Gjithashtu qytetarët duhet të reagojnë për ngjarjet që rënda si dhe po ashtu duhet të reagojnë në mbështetje të drejtësisë. Shteti duhet të reagojë gjithashtu duke dëshmuar se forcë dhe ndëshkueshmëri. Forca e ligjit duhet të mbizotërojë në çdo cep të territorit të Republikës.

Nuk ka luftë ndaj kriminalitetit në vend nëse kemi një politikë që mbron pandëshkueshmërinë duke sulmuar çdo ditë institucionet e drejtësisë per halle personale!
Nuk mund të ketë luftë ndaj kriminalitetit nëse nuk ka institucione të forta dhe të pavarura të drejtësisë.

Nuk mund të luftohet kriminalitetit nga një klasë politike që është vetë subjekt i drejtësisë më pak dallime me ata të botës së krimit.
Nuk mund të ketë luftë ndaj kriminalitetit kur ndarja mes të mirës dhe të keqës është një fije floku!
Lufta ndaj krimit nga politika ose duhet të jetë e sinqertë dhe reale me distancime konkrete, ose është thjeshtë një hipokrizi që nuk e ndihmon rendin dhe sigurinë në vend.
Për të luftuar kriminalitetit duhet të rritet besueshmëria tek institucionet dhe kjo e fundit bëhet kur janë sinjale të qarta se janë të pavarura dhe se luftën ndaj krimit të organizuar e kanë çështje serioze.

Me rritjen e besueshmërisë së institucioneve, që politika duhet të rroj larg, rritet edhe guximi i qytetarëve për të reaguar e për t’a mos pranuar si fenomen.

Pyetje nga publiku për Edi Ramën: A ishin ftesa dhe biletat për Zahon dhe Rean në ndeshjen e NBA?

Nga Ilir Dako

Fotografitë e percjella për publikun me fotot e Edi Ramës në një ndeshje basketbolli të NBA ndezën reagime të shumta në opinionin publik. Çmimi super i shtrenjtë i një bilete të këtij niveli për një kryeministër të një vendi të varfër që është ekuivalenti i pagave të 60 pensionistëve përbën një skandal duke përllogaritur që shpura e vizitorëve ishte shumë herë më e madhe. I vënë me shpatulla për muri nën akuzat e mësipërme, Kryeministri Rama porositi një “opinion” te Fevzua, ku me përgjigjen e tij pataksi opinionin publik.

Kryeministri shqiptar deklaroi se ishte një biletë dhe ja kishte bërë dhuratë një mik.

Tani që kjo qeveri shtë ngopur me dhurata nuk ka diskutim. Dhuratë i bëri Samir mane gjysmës së qeverisë me bifzekun e Nusretit. Dhuratë i bëri Biznesmeni turk që fitoi tunelin e Llogarasë Ramës dhe Ballukut që u dorovit me 40 milionë euro nga fondet e shqiptarëve. Dhuratë është “avioni Naim” që qarkullon kryeministri shqiptar me “kuç dhe maç”, nuk flasim për vilat dhuratë që kanë marrë nga strategjikët apo koncensionaristët. Edi Rama është mësuar me dhurata të rënda dhe i duket qindarka bileta e NBA.

Duke ju referuar sqarimit “shterrues”të KM shqiptar, opinioni publik duhet të qëndrojë memec kur Edi Ramamerr dhuratë po themi një vizitë me jaht 1 miliardë euro për një javë nga një oligark, dhuratë mund të konsiderojmë Sazanin përshëmbëll që ja dhuron Donald Trump dhe merr si shpërblim mbështetjen për tu bërë sulltan i Shqipërisë. Logjika e dhuratave është një justifikim vanitoz i një kryeministri që e ka ngritur fjalën dhuratë në lajtmotiv të çdo qelize të shtetit shqiptar.

Kështu, fjala dhuratë funksionon në hipotekë ku të marrësh çertifikatën e pronës tënde do japësh dhuratën, e njëjta gjë në inspektoriate, drejtori apo dhe në tenderime që ska asgjë të keqe që të dhurosh 25 përqind që të fitosh tenderin.

Për KM dhuratë është mënyrë qeverisje dhe nuk ka si ti bëjë përshtypje një gjë kaq meskine si kjo historia e NBA.

Nëse për KBashkiakun e New Yorkut konvertimi i një bilete u konsiderua korrupsion dhe është në bangon e të akuzuarit, për KM tonë kjo është një ftesë inocente.

Për tu rikthyer te foto e NBA, ja vlen ti bëjmë një pyetje Kryeministrit tonë të nderuar.

Mirë për ty ishte ftesë nga një mik ilegal që si thua dot emrin, po për Zaon dhe Rean ishte ftesë apo biletë e blerë?

Po për ekipin shoqërues që të kishin ardhur si obortarrë nga pas kush e kishte bërë ftesën?

Letra nga burgu i Burrelit / Bardhyl Belishova: Kurrë sa të jem gjallë as nuk do të hesht e as nuk do të nënshtrohem

“Në këtë heshtje varri vazhdimisht kam dëgjuar trokitjen e vdekjes në portën time të hapur. Në këtë burg tashmë vdekja ka hyrë, kufomat e para kanë dalë, kufoma e një të burgosuri në grevë urie është gati për të dalë, dhe ndoshta edhe radha ime po afrohet.”

“Ndër torturat më shtazarake që pësojmë në burgun e Burrelit, së pari është tymi i druve ose i qymyreve që ndizet në mangall, mbush dhomën ku vuajmë dënimin; së dyti zhurma që nuk pushon ditë as natë. Nuk pretendoj të kemi banjo, ashtu sikurse thuhet se kemi, as kërkoj të na çlirojnë nga shpullat, grushtet e fyerjet e përditshme, por ju lutem, urdhëroni autoritetet e Burrelit të na çlirojnë nga zhurmat që na shkatërruan sistemin nervor”

“Letra nga Ferri” titullohet ekspozita e organizuar nga IKKK, ku publikohen letra të të burgosurve politikë drejtuar familjarëve të tyre, por edhe letra ankese dhe proteste drejtuar organeve të diktaturës. Letrat rrëfejnë dimensionet e dhimbjes, tregojnë ashpërsinë e diktaturës, por edhe dinjitetin njerëzor në kushtet e terrorit në kufijtë e të pabesueshmes. Tema ka zgjedhur dy letra të dërguara nga burgu i Burrelit nga të dënuarit politikë Dom Simon Jubani dhe Bardhyl Belishova. Në këto letra rrëfehet ana e errët dhe ashpërsia ekstreme e diktaturës ndaj armiqve të regjimit komunist. Dom Simon Jubani dhe Bardhyl Belishova tregojnë torturat çnjerëzore në qelitë e burgut dhe sjelljen e ashpër të drejtuesve të regjimit.

Përgjigja që u vjen dy të dënuarve politikë është po aq domethënëse. Autoritetet e diktaturës nuk marrin në konsideratë asnjë ankesë apo protestë për shkeljen flagrante të të drejtave të njeriut brenda qelive të burgut, por urdhërojnë ashpërsimin e dënimit dhe torturave ndaj tyre. Më poshtë, gazeta Tema publikon tekstin e letrave, të shoqëruar me faksimilen e letrave origjinale.

Burrel, 26 tetor 1974
Drejtuar Byrosë Politike dhe KQ të PPSH
Presidiumit të Kuvendit Popullor të RPSH
Këshillit të Ministrave të RPSH
Prokurorisë së Përgjithshme të RPSH

Ju drejtohet Bardhyl Belishova nga burgu i Burrelit.

Para tre muajsh kam pasur shenjat e një hemorragjie të brendshme dhe më vonë simptomat e një sëmundjeje që mjeku i burgut nuk mundi ta përcaktonte. Megjithë kërkesat verbale dhe me shkrim të paraqitura komandës së repartit, kryetarit të degës dhe përfaqësuesve të prokurorisë së rrethit, akoma jo vetëm që nuk më është dhënë ndihma mjekësore, por nuk kam marrë asnjë përgjigje. Si njeri që kam humbur çdo besim në drejtësinë e këtij shteti dhe i mërzitur nga kërkesat dhe protestat, të cilat pothuajse të gjitha kanë mbetur pa përgjigje, kisha vendosur që këtë çështje ta zgjidhja pa iu drejtuar organeve më të larta të këtij shteti.

U bënë vite që mbahet një heshtje varri ndaj gjithë pretendimeve dhe kërkesave të mia. Në këtë heshtje, vazhdimisht kam dëgjuar trokitjen e vdekjes në portën time. Heshtja e fundit tregon se vdekja po e hap këtë portë. Në këtë burg tashmë vdekja ka hyrë, kufomat e para kanë dalë, kufoma e një të burgosuri në grevë urie është gati për të dalë, dhe ndoshta edhe radha ime po afrohet. Në këto kushte dhe pas gjithë kësaj pritjeje kaq të gjatë e të vrazhdë, të vazhdosh të heshtësh do të thotë të jesh frikacak dhe të përdorësh heshtjen dhe nënshtrimin për t’iu shmangur rrezikut. Unë kurrë nuk do t’ia lejoj vetes një gjë të tillë. Kur është çështja për dinjitetin, jeta e humbet vlerën e saj. Ata që urdhëruan dënimin tim të parë në anën e një procesi të falsifikuar dhe më vonë ridënimin për letrën që i kisha dërguar Byrosë Politike më 11 shtator 1972 le ta dinë se unë kurrë, sa të jem gjallë, as nuk do të hesht e as nuk do të nënshtrohem.

Sa më sipër po shkruaj, sepse ata janë në radhët tuaja dhe vetëm me urdhër apo pëlqimin e tyre mund të më refuzohet ndihma mjekësore në këtë formë ose të më dërgojnë në botën tjetër.

Kohët e fundit, në kuadrin e përgjithshëm të ashpërsimit të luftës së klasave, kryeministri ka predikuar: “Partia na ka edukuar dhe na mëson që ai të cilit i dridhet dora për të pushkatuar me dorën e tij një ose dhjetë kundërrevolucionarë njëherësh, nuk është komunist por frikacak dhe oportunist.”

Sa më sipër po e trajtoj jo për të vërtetuar se trimat nuk merren me pushkatime, as që një predikim i tillë i përgjigjet jo vetëm moralit komunist, por as normave të moralit njerëzor të një kohe, por për të vënë në dukje se pas këtij predikimi, të burgosurit dhe kundërrevolucionarët mund të bien viktima të punonjësve të organeve të punëve të brendshme, të prokurorisë dhe ndoshta edhe të atyre të mjekësisë, të cilët duke pasur frikë se mos akuzohen për frikacakë dhe oportunistë, mund të sulen mbi ne për të kryer akte “trimërie”. Shenjat e para në këtë drejtim janë dukur.

Fakti se çdo protestë më ka sjellë vuajtje të reja më bën të mendoj se dikush mund të jetë i interesuar që unë të drejtohem me këto protesta të ashpra që pastaj të më godasin edhe më rëndë. E kam shumë të qartë se përderisa i jam kundërvënë Enver Hoxhës dhe Mehmet Shehut, askush nuk guxon të dalë në mbrojtjen e të drejtave të mia. Megjithatë, në mënyrë të ndërgjegjshme kam protestuar dhe do të protestoj për çdo padrejtësi që do të më bëhet, dhe do të kërkoj me shumë këmbëngulje të më jepet gjithçka që më sigurojnë ligjet. Të mos protestosh kundër padrejtësive do të thotë të bësh një jetë jo dinjitoze, akoma më tepër kur këtë e bën i imponuar nga frika.

Ata që më kanë dënuar padrejtësisht do të bëjnë gjithçka për të më nënshtruar, që të hesht ose për të më zhdukur. Drejt varrit unë mund të shkoj, por drejt nënshtrimit dhe heshtjes kurrë!

Bardhyl Belishova

 

Drejtuar: Komitetit Qendror

Ndër torturat më shtazarake që pësojmë në burgun e Burrelit, së pari është tymi i druve ose i qymyreve që ndezet në mangall brenda dhomës ku vuajmë dënimin; së dyti, zhurma që nuk pushon ditë as natë. Nuk pretendoj të kemi banjo ashtu sikurse thuhet se kemi, as kërkoj të na çlirojnë nga shpullat, grushtat dhe fyerjet e përditshme, por ju lutem, urdhëroni autoritetet e Burrelit të na çlirojnë nga zhurmat që na shkatërruan sistemin nervor, së paku të mos kemi zhurmë kur flemë.

Për arsyet e lartpërmendura janë bërë greva urie, shumë veta kanë dalë nga dhomat për të shkuar e për të pushuar në birucë, pa tesha, mbi çimento për ditë e net të tëra. Shumë protesta dhe ankesa janë drejtuar deri në Tiranë, por, mjerisht, burgu i Burrelit vazhdon të mbetet simbol i terrorit brenda e jashtë atdheut.

I burgosuri Dom Simon Jubani

Tiranë, më 3.XII.1974

Prokuroria e Përgjithshme, drejtuar Komisionit të Veprimit Hetimor,
Prokurorisë së Rrethit
Sh. Rexh Metra
Burrel

Ngjitur po ju dërgojmë dy letra të të dënuarve Simon Jubani dhe Bardhyl Belishova, drejtuar Komitetit Qendror. Siç do të shihni, përmbajtja e tyre është armiqësore, sidomos e Simon Jubanit; prandaj të bisedoni me shokët e Degës së Brendshme dhe ndaj Simonit të merren masa procedimi për akuzën e parashikuar në nenin 72/1. Ndërsa për Bardhyl Belishovën të paralajmërohet se, po vazhdoi të shkruajë letra të këtij karakteri, do t’i bëhet përsëri ndjekje penale.

Drejtor i Kontingjentit të Veprimit Hetimor
Sotir Vaso

Lulzim Basha uron Kemi Badenoch për zgjedhjen si lidere e Partisë Konservatore në Mbretërinë e Bashkuar

Kryetari i Partisë Demokratike – Demokratët Euroatlantikë, Lulzim Basha, ka uruar Kemi Badenoch për zgjedhjen e saj si liderja e re e Partisë Konservatore në Mbretërinë e Bashkuar.

Me anë të një postimi në X, Basha shkruan se kjo është një arritje e jashtëzakonshme, dhe se shpreh optimizmin për një partneritet të fortë për sfidat dhe qëllimet e përbashkëta.

Urimi i Bashës:

Urime, @KemiBadenoch, për zgjedhjen si liderja e re e Partisë Konservatore! Kjo është një arritje e jashtëzakonshme, dhe presim të ndërtojmë një partneritet të fortë teksa punojmë së bashku për të përballuar sfidat e përbashkëta dhe për të promovuar qëllimet dhe vlerat që bashkëndajmë.