13.6 C
Tirana
E martë, 20 Maj, 2025

Bashkia Kamëz, 105.874 mijë pemë dekorative të mbjella në territorin e saj

Bashkia Kamëz kap shifrën e 105.874 pemëve dekorativë të mbjella në territorin e saj.
Kjo shifër sigurisht përbën një vlerësim për kujdesin që Bashkia i ka kushtuar mjedisit, krahas urbanizimit dhe shërbimeve të tjera në infrastrukturë.
Kamza është qyteti më i ri i vendit, ku është investuar në mbi 210 segmente rrugore në territor, si Bulevardi Blu, bulevardi “Berisha”, bulevardi “Skënderbeu”, bulevardi “Donald J. Trump”, në Kamëz, bulevardi “Abdi bej Toptani” në Valias, bulevardi “Demokracia” në Paskuqan, rruga “Demokracia në Bathore, Parku i Paskuqanit.
Qyteti i Kamzës është një nga qytetet më tërheqës që ka Shqipëria për shkak të ndryshimit rrënjësor të tij.
Kryebashkiaku Xhelal Mziu mban edhe një premtim real në mandatin e tretë për të kthyer buxhetin e Bashkisë në urbanizim dhe gjelbërim të qytetit në çdo cep të tij.

Dokumentet: Si e shkeli Gjykata ligjin dhe favorizoi vjehrrin e Ramës

Gazetari Basir Çollaku ka denoncuar një vendim të Gjykatës së Apelit të Tiranës, i cili favorizoi vjehrrin e kryeministrit Rama, Sulejman Basha. Në vendimin e marrë në datën 28 dhjetor të vitit 2017, Apeli i cilëson dy persona të vdekur prej kohësh si të gjallë, duke marrë një vendim në favor të paditësve.
Gjatë procesit, Gjykata i ka konsideruar si palë mungesë në gjyqin për pronat Fadil dhe Xhemile Toptanin, të cilët kanë vdekur respektivisht në 03.10.2010 dhe 09.11.2014. Duke qenë të vdekur, sipas ligjit duhet që akti i trashëgimisë të ribëhej dhe në gjyq të merrnin pjesë trashëgimtarët.
Vjehrri i Ramës, Sulejman Basha, vëllai i tij Hasan Basha, Muharrem Basha dhe Hyjrie Bali. kanë paditur disa familje Toptani në Agjencinë e Trajtimit të Pronave dhe Zyrën e Regjistrimit të Pasurive, duke kërkuar rrëzimin e vendimit të Gjykatës së Shkallës së Parë, që kishte rrëzuar pretendimet e tyre.
Edhe pse në dosjen gjyqësore ekzistojnë çertifikatat e vdekjes të Fadil dhe Xhemile Toptanit dhe vendimet përkatëse që e provojnë ligjërisht këtë akt, Gjykata e Apelit të Tiranës, i ka konsideruar Fadil dhe Xhemile Toptanin në mungesë, duke i klasifikuar të gjallë dhe ka vijuar procesin, duke shkuar në vendimmarrje dhe duke dhënë një vendim në favor të paditësve Basha.
Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë, në vendimin e saj të vitit 2014, kishte rrëzuar padinë e paditësve Basha, ndërsa Gjykata e Apelit, ka rrëzuar vendimin e Shkallës së Parë dhe ka vendosur në favor të paditësve.
“Kjo ndodh në këtë çështje të nxehtë në Tiranë ku janë duke ndërtuar dhe investuar pallate palët paditëse, ndaj ndoshta Gjykata nuk ka pasur kohë mjaftueshëm, të marrë vendim për të gjallët.
Një histori ku vettingu, mund të marrë përgjigje më të qartë për shkelje të tilla që konsiderojnë të vdekurit të gjallë, shkruan ndër të tjera Çollaku në statusin e tij.

Gjurma e Sorosit në planin e Macronit

F. William Engdahl
Një proces i parashikueshëm i dezintegrimit në të gjithë Bashkimin Europian duket se ka nisur. Ky proces ka fituar vrull jo vetëm nga rezultatet zgjedhore në Itali, ku më shumë se dy të tretat e popullit votuan kundër politikës së kufijve të hapur për refugjatët të nxitur tashmë prej kohësh nga ana e Brukselit. Tani ky vrull nuk vjen vetëm nga vendet se Austria apo vendet lindore si Hungaria dhe Polonia apo nga qeveria e re austriake. Tani, kundërshtimi i aktit “centralist” ndërmjet Berlinit, Parisit dhe Brukselit vjen edhe nga Holanda dhe një grup jo i vogël vendesh veriore të Bashkimit Europian. Çështja në zemër të këtij kundërshtimi përfshin vendet që duan të njihet më shumë shenjtëria e sovranitetit kombëtar përkundër të gjithë atyre që duan t’i zhdukin kufijtë dhe të krijojnë një lloj super-shteti të Bashkimit Europian, i quajtur ndryshe në mënyrë eufemistike “bashkimi gjithmonë e më i ngushtë”. Konflikti do të përcaktojë të ardhmen e të gjithë projektit të Bashkimit Eurpian. Brexit ishte vetëm krisja e parë e gradacelit të madh me emrin Bashkim Europian.

Shtetet sovrane
Gjatë një vizite në Berlin më 3 mars, kryeministri i Holandës, Mark Rutte, u shfaq publikisht kundër trendit të kohëve të fundit të drejtuar kryesisht nga Gjermania, Franca dhe shtete të tjera të Bashkimit Europian për të krijuar një shtet të madh mbikombëtar qendror që një ditë do të çonte drejt projektit të madh të Shteteve të Bashkuara të Europës. I pyetur nga gazetarët atë ditë, ai u shpreh: “Ekziston tashmë prej kohësh një narrativë se bashkëpunimi gjithmonë e më i ngushtë është i paevitueshëm në një shtet federal të Europës”. Por kryeministri nuk e mbylli me kaq, madje zgjidhi të tregohej më i drejtpërdrejtë: “Këtë gjuhë të tmerrshme që përdoret për termin ‘Bashkim gjithmonë e më të ngushtë’, nuk e pëlqej aspak. Gjatë 20 ose 30 viteve të fundit, kjo gjuhë është distancuar plotësisht nga bashkimi i ngushtë i popujve të Bashkimit Europian që bashkëpunojë ngushtësisht në çështje të përbashkëta që vendet anëtare nuk e kanë të mundur t’i trajtojnë individualisht. Tani është kthyer në një qëllim madhor”. Më pas, Rutte i bëri thirrje frazës që është kthyer në tabu të vërtetë në radhët e Brukselit: “shtet sovran”. “Nuk mund të harojmë kurrë faktin se jemi një shtet sovran, për asnjë arsye. Kjo nuk është aspak një lëvizje në vetvete, është thjesht diçka që duhet kujtuar më shpesh dhe duhet nxjerrë në shesh sa herë që lind nevoja. Bashkimi më i ngushtë është shndërruar nga një përpjekje kolektive, në një qëllim madhor. Kjo është tërësisht e gabuar!”

Përçarja Veri-Jug
Tani, përveç përçarjes në rritje të shpejtë ndërmjet Lindjes dhe Perëndimit në Bashkimit Europian ndërmjet Polonisë, Hungarisë nga njëra anë dhe Berlinit e Parisit nga ana tjetër, është duke u hapur qartësisht edhe përçarja e re ndërmjet Veriut dhe Jugut. Fshikullimi i Rutte në Berlin u ndoq tre ditë më pas edhe nga një mbledhje e tetë ministrave të Financës së shteteve veriore të Bashkimit Europian, përfshirë këtu edhe Holandën më 6 mars.
Në këtë mbledhje ministrat e shteteve përkatëse dolën me një deklaratë të përbashkët që i drejtohet qartësisht Planit Macron franko-gjerman për të krijuar një Bruksel gjithnjë e më të centralizuar. Hapi i parë i këtij plani do të ishte emërimi i një ministri të bërshkat të financave për të gjithë Bashkimin Europian. Ministrat e Financave të Holandës, Danimarkës, Estonisë, Finlandës, Letonisë, Lituanisë dhe Suedisë e paraqitën deklaratën e tyre të përbashkët nga Den Haag, aty ku u zhvillua edhe mbledhja. Macron, me një mbështetje të hapur nga koalicioni i ri i Gjermanisë, u bashkua me presidentin e Komisionit të Bashkimit Europian Jean-Claude Juncker për të bërë thirrje për një buxhet të përbashkët të Eurozonës dhe një ministër financash të përbashkët, si hapi i parë drejt një bashkimi fiskal qendror, i cili natyrisht do të kontrollohej ngushtësisht nga Brukseli. Macron propozon që plani të konkludohet me miratimin e plotë të unionit fiskal të Bashkimit Europian, me një sistem taksimi dhe shpenzimi të përbashkët për të gjithë Europën, i kontrolluar nga lart poshtë, plan me të cilin shtetet sovrane anëtare të unionit fiskal do të humbisnin plotësisht sovranitetin e taksimit të vendit të tyre. Plani i Macronit është një përpjekje e kamufluar me shumë finesë për të krijuar një union fiskal të Bashkimit Europian ku taksapaguesit gjermanë, bashkë me ata holandezë dhe të vendeve të tjera konservatore të BE-së, do të ofronin shpëtim financiar për vendet e tjera të Europës Jugore, përfshirë këtu edhe Greqinë dhe Italinë, ku bankat franceze janë më të ekspozuara. Macroni e shpalosi planin e tij në shtator të vitit 2017, në kohën kur po zhvilloheshin zgjedhjet gjermane. Ai e promovoi atë si një mënyrë për të gëzuar një Europë “sovrane, të bashkuar dhe demokrate”, diçka që nuk është.

Gjurmët e Sorosit në sfond
Përpjekja për të krijuar një Bashkim Europian të drejtuar vetëm nga Brukseli, me një pushtet qendror për të lëshuar “eurobondet” për të gjithë eurozonën, ka qenë qëllimi madhor i spekullatorit miliarder amerikan të fondeve, Xhorxh Soros. Nëse diçka e tillë do të bëhej realitet, Bashkimi Euriopian do të kthehej lehtësisht në një shënjestër të madhe financiare për spekullatorin e monedhës dhe do të kthente Gjermaninë dhe shtetet e tjera kursimtare të Europës në shlyesit e borxheve të shteteve më të dobëta si Greqia, Italia dhe Spanja në krizën e ardhshme financiare, një tjetër qëllim i Sorosit. Kriza e ardhshme financiare është mëse e mundur për vetë faktin se qeveritë europiane nuk kanë bërë praktikisht asgjë, që pas krizës financiare të vitit 2008, për të reduktuar rrezikun sistematik. Politika e interesit zero të Bankës Qendrore Europiane e mbajti flluskën të fryrë në të gjithë eurozonën. Që kur Banka Qemdrore Europiane prezantoi programin e paprecendet të blerjes së borxheve për vendet e eurozonës në vitin 2015, banka ka blerë plot 2.3 trilionë euro letra me vlerë deri në fund të vitit 2017. Të gjithë janë dakord se diçka e tillë është e paqëndrueshme. Pyetja është: Çfarë duhet bërë? Sipas raportimeve në media të ndryshme ndërkombëtare, më 14 nëntor të vitit të kaluar, Soros kërkoi të zhvillohej një mbledhje private e pareklamuar me Benoît Coeuré, anëtari ekzekutiv i bordit të Bankës Qendrore Europiane. Sipas ditarit të Coeure të publikuar në shkurt të këtij viti, në këtë mbledhje ata diskutuan “thellimin e zonës së euros”, një zëdhënës i Bankës Qendrore Europiane tha për “Reuters” se në mbledhje, në të cilën ka marrë pjesë edhe përfaqësuesi i fondit spekullativ të Sorosit dhe një tjetër zyrtar i Bankës Qendrore Europiane, do të diskutohej një buxhet i përbashkët për eurozonën dhe Unioni Fiskal i Bashkimit Europian.

Mjaft i çuditshëm ishte edhe vendimi i vitit të kaluar nga ana e kancelares gjermane, Angela Merkel, për të “ngjitur lart” ministrin e vjetër të Financave të respektuar dhe konservator të CDU-së, Wolfgang Schauble. Kjo ishte një mënyrë për t’i hapur rrugën ardhjes së një ministri i ri të Financave për Gjermaninë, një ministër më të hapur ndaj ideve të Macronit, të cilat Schauble i refuzonte fuqimisht dhe publikisht. Me Wolfgang Schauble të larguar nga detyra, rezistanca ndaj këtij plani të madh është dobësuar ndjeshëm në aksin gjerman, duke i liruar rrugën krijimit të “unioni i transfertave” të Eurozonës, sipas të cilit vendet veriore të Bashkimit Europian, mbi të gjitha Gjermania, bien dakord për transferta të mëdha fiskale dhe taksore ndaj shteteve të zhytura në borxhe të jugut të eurozonës. Fitimtarët kryesorë të kësaj skeme të qëndisur me elegancën që karakterizon francezët, do të ishin pikërisht bankat franceze. Pas formimit më në fund të Koalicionit të Madh të Gjermanisë, Merkel dhe Macron, kanë vendosur ta shtyjnë për pak kohë sipërmarrjen e tyre për reformat e Macronit, të paktën deri në samitin e Bashkimit Europian pas disa javësh. Pretendimi i palës gjermane është se kjo nuk është koha e përshtatshme që koalicioni i ri i Gjermanisë të shqyrtojë çështje të tilla dhe se i nevojitet kohë të përgatitet. Pritet që plani i Macronit të marrë një shpejtësi marramendëse gjatë muajit maj. Sipas një raporti të agjencisë së lajmeve online të Shteteve të Bashkuara, Politico, zëvendës/presidenti i Komisionit Europian, Valdis Dombrovskis, ka bërë të ditur planet për të propozuar krijimin e të ashtuajturve “Bono të Sigurta Europiane” (BSE) ose të “Fonde të Mbështetura nga Bonot Sovrane” (FMBS), propozime që pritet të hidhen në muajin maj gjatë samitit të Bashkimit Europian.
Bonot shtetërore të shteteve të ndryshme të Bashkimit Europian do të shndërroheshin kështu në fonde të reja dhe do të shiteshin.

Siç thekson edhe agjencia e vlerësimit të Shteteve të Bashkuara, Standard and Poors, “Bonot e sigurta europiane (BSE-të) janë propozuar si një mjet për të rritur ofertën e aseteve të denominuara euro ‘AAA’ dhe për të reduktuar rrezikun sistematik, duke lehtësuar bankat nga mbajtja e bonove të mëdha të lëshuara nga qeveritë e tyre sovrane”. Realiteti në fakt është e kundërta. Me pak fjalë, bonot gjermane do të përziheshin me bonot më të rrezikshme të vendeve si Italia ose Greqia, në përpjekje për të shitur borxhin e rrezikshëm të Greqisë bashkë me një fond të sigurt gjerman. E sqaruar në këtë mënyrë, nuk mund të mos mendosh se është një ide vërtetë gjeniale, por fatkeqësisht jo aq e mirë për taksapaguesit gjermane. Pas shfaqjes së krizës së aseteve të mbështetura nga qeveria amerikane në vitet 2007-2008, skemat e tilla për të përzier borxhet e rrezikshme me borxhe më të sigurta si ato të Gjermanisë, sjellin pasoja shkatërrimtare pas shpërthimit të krizës së vërtetë. Siç ka paralajmëruar edhe kryeministri holandez Rutte, mos i besoni operatorëve amerikanë të fondeve spekullative që ju ofrojnë dhurata të mëdha dhe mos i besoni përpjekjeve tinzare për të gërryer sovranitetin fiskal të vendeve europiane, me qëllimin final për të stabilizuar bankat e falimentuara franceze dhe ato të eurozonës në përgjithësi.
Përgatiti
KLARITA BAJRAKTARI

Përplasja e Rusisë me Perëndimin ka të bëjë me gjeografinë, jo me ideologjinë

Në daçën e tij, duke qëndruar përpara një harte të Bashkimit Sovjetik të sapozgjeruar menjëherë pas dorëzimit të Gjermanisë në majin e 1945, Josif Stalini tundi kokën i pakënaqur. Barriera e gjerë që kishte nxjerrë nga Europa Lindore e pushtuar prej sovjetikëve do ta mbronte tani perandorinë e tij ndaj Napoleonëve dhe Hitlerëve të ardhshëm. Stalin hoqi llullën nga goja, duke e tundur drejt rrëzës së Kaukazit. Tundi kokën dhe shfryu. “Nuk më pëlqen kufiri këtu”, u tha ndihmësave të tij, duke treguar zonën ku republikat sovjetike të Gjeorgjisë, Armenisë dhe Azerbajxhanit takoheshin me fuqitë armiqësore të Turqisë dhe Iranit. Gjatë një viti e gjysmë në vazhdim, marrëdhëniet amerikano–sovjetike do të kolapsoheshin teksa Stalini i ushtronte presion Ankarasë dhe Teheranit për lëshime territoriale dhe Presidenti amerikan Harry S. Truman u kundërpërgjigj, duke dërguar një flotë detare në Mesdhe. Në shkurt të 1947, një Britani e katandisur keq i tha Departamentit të Shtetit se nuk mund ta mbronte më qeverinë greke në luftën civile të saj me rebelët komunistë e mbështetur nga jugosllavët, duke e nxitur Truman që t’i premtonte ndihmë ekonomike dhe ushtarake amerikane për Athinën dhe Ankaranë. Stalini, vendi i të cilit po luftonte për ta marrë veten nga shkatërrimet naziste, u tërhoq në mbrojtje. Qëllimi i tij tani do të ishte që të mbante zonën e re të sigurisë në Europën Lindore dhe t’i ndalonte Shtetet e Bashkuara nga kontrolli i armikut të përbetuar sovjetik: Gjermanisë. Në marsin e 1947, Sekretari i ri i Shtetit, George C. Marshall hyri në një seri 6 javëshe cfilitëse negocimesh në Moskë me homologun e tij sovjetik, Vyacheslav Molotov rreth të ardhmes së Gjermanisë të pushtuar. Me asnjërën nga palët të gatshme që të pranonte mundësinë e një vendi të tillë të rrezikshëm strategjik nga pikëpamja e vendndodhjes që të mos bëhej aleat i palës tjetër, bisedimet përfunduan në ngërç. Megjithatë, Stalini ende besonte se Truman në fund do të detyrohej që ta pranonte bashkimin gjerman sipas termave sovjetike – reparacione masive dhe një strukturë politike e favorshme për komunistët – me qëllim që të përmbushte premtimin e paraardhësit të tij Franklin D. Roosevelt për t’i larguar trupat amerikane nga Europa brenda 2 vitesh pas përfundimit të luftës.

Marshall e la Moskën i bindur se bashkëpunimi me sovjetikët kishte mbaruar. Gjermania dhe pjesa më e madhe e Europës Perëndimore po shkonte drejt një kolapsi ekonomik e social dhe marksiste leniniste “sa më keq, aq më mirë” dukej se ishte përgjigja e Stalinit. Kishte ardhur koha, vendosi Marshall, për veprim unilateral amerikan që të sigurohej qeverisja demokratike kapitaliste në pjesët e Europës akoma jashtë kontrollit sovjetik. Në një fjalim të paharruar në Harvard University më 5 qershor 1947, ai paraqiti skeletin e atij që do të bëhej një skemë ndihme masive 4-vjeçare amerikane në mbështetje të rindërtimit dhe integrimit europian: Planit Marshall. Stalini e denoncoi planin si një komplot të ndyrë amerikan për të siguruar dominim politik dhe ushtarak të Europës. Ai kishte frikë se mos humbiste kontrollin jo vetëm të Gjermanisë, por edhe të Europës Lindore. Përpara lançimit të Planit Marshall, Stalini nuk kishte qenë kurrë dogmatik rreth formave të socializmit të ndjekura nga vendet brenda sferës sovjetike. Bullgaria, Çekosllovakia, Hungaria, Polonia dhe Rumania, qenë lejuar të gjitha të formonin qeveri koalicionit në një mënyrë apo në një tjetër. Kërkesa e tij kishte qenë besnike me politikën e jashtme të Moskës. Shpejt, kjo gjë do të ndërronte. Nga fundi i 1948, Stalini i kishte kooptuar apo i kishte shtypur elementët e mbetur jokomunistë në qeveritë e Europës Lindore. Truman kishte dashur ta përdorte Planin Marshall si një mjet për të reduktuar komplikacionet e sigurisë amerikane në Europë, por Departamenti i Shtetit i kishte kushtëzuar 13.2 miliardë dollarët (më shumë se 135 miliardë me dollarët e sotëm) në grante për përfituesit që i integronin ekonomitë e tyre, duke u lënë atyre që të objektonin se humbja e mbajtjes me forcat e tyre do t’i bënte më të brishtë ndaj ngacmimeve dhe kërcënimeve sovjetike (dhe gjermane). Kështu që Presidenti ju nënshtrua kërkesave franceze e britanike që ndihmës së Marshallit t’i jepej një shoqërim ushtarak. Më 4 prill të 1949, një vit pas nënshkrimit të legjislacionit të ndihmës Marshall, Truman nënshkroi marrëveshjen themeluese të North Atlantic Treaty Organization (NATO).

Në muajin në vazhdim, Shtetet e Bashkuara, Britania dhe Franca pranuan Kushtetutën për një shtet të ri gjermanoperëndimor. Sovjetikët u përgjigjën me krijimin e shtetit të tyre gjermanolindor në tetor. Kufijtë europianë të Luftës së Ftohtë do të qëndronin të ngrira për 40 vitet e ardhshme. 4 dekada më vonë, më 9 nëntor të 1989, turma frenetike gjermanolindore u mblodhën në Murin e Berlinit, duke thirrur “Tor auf!” (“Hape portën!”). Kur një roje kufiri i frikësuar dhe i hutuar e hapi, dhjetëra mijëra u derdhën në Perëndim. Miliona do të pasonin në ditët në vazhdim. Në Dresden 6 javë më pas, një turmë përshëndeti Kancelarin gjermanoperëndimor Helmut Kohl me thirrjet “Einheit! Einheit! Einheit!” (“Bashkim!”). Aty afër, një oficer 37-vjeçar i nervozuar, por i vendosur, i KGB-së kishte kaluar javë duke djegur male me dokumenta në pritje të sulmeve të mundshme ndaj zyrës prej turmave të zemëruara. Vëllimi i madh i hirit e shkatërroi furrën e ndërtesës. Vite më vonë, gazetarë rusë e intervistuan ish-oficerin lidhur me punën e tij në Gjermani. “Ne qemë të interesuar për çdo informacion rreth kundërshtarit kryesor”, shpjegoi Vladimir Putin. Ky kundërshtar, NATO, do të vazhdonte t’i obsesiononte liderët rusë në vitet në vazhdim.
Në fillimin e 1990, komunistët gjermanolindorë, në kolaps prej peshës së përbuzjes popullore dhe luftës së brendshme, qenë një forcë politikë e shuar dhe Sekretari i Përgjithshëm sovjetik, Mikhail Gorbachev kishte filluar që ta pajtonte veten me ribashkimin gjerman. Ajo çka ai ende kërkonte ishte që Gjermania e ribashkuar të mos ishte pjesë e Aleancës Atlantike. Anëtarësimi i vazhduar gjerman në NATO, u tha ai gazetarëve gjermanë dhe sovjetikë, duhej “përjashtuar absolutisht”.

Gorbachev dhe pasuesit e tij sovjetikë kanë theksuar se qenë mashtruar rreth faktit nëse aleanca duhej të zgjerohej drejt Lindjes. NATO, thoshte udhëheqësi sovjetik, ishte “një organizatë e konceptuar qysh nga fillimi që të ishte armiqësore ndaj Bashkimit Sovjetik”. “Çdo zgjerim i zonës së NATO-s”, i tha ai Sekretarit të atëhershëm të Shtetit, James Baker, për pasojë do të ishte i “papranueshëm”. Megjithatë, kur Gjermania u ribashkua në tetor, ai qe i pafuqishëm ta ndalonte pjesën lindore që të dilte nga Traktati i Varshavës dhe të hynte në NATO. Me rënien e Gorbachev dhe të Bashkimit Sovjetik në 1991, Presidenti rus, Boris Yeltsin, vazhdoi që t’i mëshonte kësaj çështjeje me homologun e tij amerikan. Shtetet e Bashkuara, i tha ai Presidentit të atëhershëm Bill Clinton, po “mbillnin fidanët e mosbesimit” nëpërmjet shpalosjes së anëtarësimit në NATO para syve të ish-vendeve të Traktatit të Varshavës. Që një lider rus të “pranonte që kufijtë e NATO-s të zgjeroheshin drejt atyre të Rusisë”, i tha ai Clinton gjatë një takimi të vitit 1995 në Kremlin, “kjo do të përbënte një tradhëti të popullit rus”. Ministri i Mbrojtjes, Pavel Grachev i parashikoi liderët polakë se bashkëkombasit e tij e shikonin Aleancën si një “përbindësh të drejtuar kundër Rusisë”. Kreu i Shërbimit të Inteligjencës së Jashtme, Yevgeny Primakov, që më pas do të bëhej ministër i Jashtëm dhe Kryeministër, argumentonte se zgjerimi i NATO-s do të shkaktonte një qasje më të fuqishme mbrojtje ruse. “Kjo nuk është vetëm një çështje psikologjike për ne”, i këmbëngulte ai diplomatit amerikan, Strobe Talbott në 1996. “Është një çështje sigurie”. Këshilli në Politikën e Jashtme dhe të Mbrojtjes i Moskës paralajmëronte se, zgjerimi i NATO-s do t’i bënte “shtetet Balltike dhe Ukrainën…. një zonë rivaliteti strategjik mjaft intensiv”.Rezistenca e Rusisë i la Clinton 2 opsione të arsyeshme.

Ai mund ta injoronte dhe të këmbëngulte në zgjerimin e NATO-s në mënyrë të fuqishme, sipas logjikës se “Rusia do të jetë gjithmonë Rusi” dhe do t’i ngacmonte e dominonte fqinjët e saj nëqoftëse nuk frenohej nga kërcënimi i forcës ushtarake. Ky ishte pozicioni republikan në atë kohë, i nënvizuar në “Kontratën me Amerikën” e partisë të vitit 1994. Opsioni tjetër ishte që të qëndrohej fort derisa sjellja ruse të tradhëtonte premtimet e saj për respektimin e sovranitetit të fqinjëve. Ky ishte pozicioni i George Kennan, ish-ambasadorit amerikan në Bashkimin Sovjetik. Por Clinton, duke qenë Clinton, zgjodhi opsionin e tretë, që ishte ai i zgjerimit të NATO-s me kosto sa më të ulët – sipas logjikës që aleanca nuk përballej me asnjë armik real. Në vitin 1996, Ronald Asmus, që shpejt do të bëhej një zyrtar me influencë i administratës Clinton, argumentonte se kostot e zgjerimit të NATO-s do të ishin modeste përderisa “premisa [ishte] shmangia e konfrontimit me Rusinë, jo përgatitja për një kërcënim të ri rus”. “A do të jemi realisht në gjendje që t’i bindim europianolindorët se po i mbrojmë, … ndërkohë që bindim rusët se zgjerimi i NATO-s nuk ka të bëjë aspak me Rusinë”, pyeste i habitur Senatori demokrat Sam Nunn në një fjalim përpara oficerëve ushtarakë. Talbott paralajmëronte në një memo të brendshme se “Një NATO e zgjeruar që përjashton Rusinë nuk do të vlejë për të frenuar impulset e prapambetura ekspansioniste të saj”. Përkundrazi, argumentonte ai, “do t’i provokonte më shumë ato”. Por Richard Holbrooke, i Dërguari Special i atëhershëm i Clinton në Ballkan, nuk e mori parasysh këtë paralajmërim. Shtetet e Bashkuara, shkruante ai në World Policy Journal më 1998, “Vite më pas… njerëzit do të hedhin sytë nga debati dhe do të habiten se për çfarë qe gjithë kjo zallamahi. Do të vërejnë se asgjë nuk ka ndryshuar në marrëdhënien e Rusisë me Perëndimin”.Holbrooke nuk kishte si të ishte më gabim. “Ne jemi angazhuar që të mbrojmë një seri të tërë vendesh”, i tha 94-vjeçari Kennan Tom Friedman, editorialistit të New York Times më 1998, “edhe pse nuk kemi as resurset, as qëllimin që ta bëjmë seriozisht një gjë të tillë”. Do të rezultonte se kishte të drejtë. Gambiti i Clinton do ta vendoste një NATO jo të mirëpajisur kundër një Rusie akoma edhe më të acaruar e më autoritare.

Disa ditë pasi Republika Çeke, Hungaria dhe Polonia ju bashkuan NATO-s në marsin e 1999, Aleanca nisi një fushatë 3- mujore bombarduese kundër Serbisë, e cila, njëlloj si Rusia, është një shtet ortodoks sllav. Sulmet ndaj një vendi vëlla i tmerruan rusët e thjeshtë, sidomos përderisa nuk po bëhej në mbrojtje të një vendi anëtar të NATO-s, por për të mbrojtur popullsinë myslimane të Kosovës, në atë kohë krahinë serbe. Sulmet e NATO ndaj ish-Jugosllavisë – në Bosnje në 1995, si edhe në Serbi në 1999 – u ndërmorrën për qëllime fisnike: të ndalohej masakrimi i të pafajshmëve. Megjithatë, zgjerimi i NATO-s në vendet e ish-Traktatit të Varshavës nuk mund të garantonte aspak që rusët do ta shikonin në të njëjtën mënyrë. Moska e dinte se ish-vasalët e saj, nëpërmjet bashkimit me Aleancën, e kishin lidhur veten me mbështetjen e politikave perëndimore që sfidonin interesat ruse. Sa më në lindje të zgjerohej NATO, aq më kërcënuese do të bëhej.
Kjo u duk jashtëzakonisht e qartë, kur vendet anëtare të NATO-s filluan të ndërmarrin veprime armiqësore ndaj Rusisë, veprime që do t’i kishin ndërmarrë kurrë po të mos ishin brenda saj. Për shembull, në 2015 Turqia rrëzoi një avion luftarak rus që kishte shkelur hapësirën ajrore të saj nga Siria, ku po bombardonte kundërshtarë të regjimit të Bashar al-Assad. “Hapësira ajrore turke … është hapësirë ajrore e NATO-s”, i deklaroi kërcënueshëm Rusisë ministri i Jashtëm turk pas sulmit. Rusia mbajti shënim. “Tuqia nuk ka ngritur veten” si aktor, “por Aleancën e Atlantikut Verior në tërësi”, tha Kryeministri Dmitry Medvedev në një intervistë për revistën Time. “Kjo është jashtëzakonisht e papërgjegjshme”.
Në orvatjen për të siguruar rusët se NATO nuk përbënte kërcënim, administrata Clinton e kishte marrë si për të mirëqenë se interesat legjitime ruse, në një epokë që pasonte Gllasnostin dhe Perestrojkën, nuk do të përpasej me interesat me NATO-n. Por kjo pikëpamje presupozonte se Lufta e Ftohtë ishte shtyrë nga ideologjia dhe jo gjeografia. Halford Mackinder, babai i gjeopolitikës, do ta kishte shpërfillur këtë pikëpamje. Mackinder, që kishte ndërruar jetë në 1947, vitin që qenë shpallur Doktrina Truman dhe Plani Marshall, tërhoqi vëmendjen e politikëbërësve për centralitetin strategjik e “Tokëzemrës” të gjerë euraziatik, që dominohej nga Rusia. “Kush sundon Europën Lindore, komandon Tokëzemrën; Kush sundon Tokëzemrën, komandon Ishullbotën; Kush sundon Ishullbotën, komandon Botën”, shkruante ai në vitin 1919. Qenë idetë e Mackinder, dhe jo të Marksit, ato që shpjegonin më mirë Luftën e Ftohtë.

Frika e përjetshme e pushtimit e Rusisë e shtyn politikën e jashtme të saj atëhere dhe vazhdon ta bëjë njëlloj tani. “Në thelb të pikëpamjes neurotike të Kremlinit ndaj çështjeve botërore qëndron ndjenja tradicionale dhe instiktive e pasigurisë ruse”, shkroi Kennan në Telegramin e Gjatë të tij të 1946. E pafundme, pak e populluar dhe me sfida të mëdha transporti, Rusia ka një tendencë natyrale ndaj copëzimit. E parë nga jashtë, Rusia ishte një “tokë që nuk e ka njohur kurrë një fqinj miqësor”. Tipari dallues i saj ishte pamundësia e mbrojtjes. Asnjë vargmal apo trupë ujore nuk i mbron kufijtë perëndimorë të saj. Për shekuj me radhë, ajo ka pësuar pushtime të përsëritura. Ky reliev dhe kjo histori ka inkurajuar shfaqjen e një lidershipi tejet të centralizuar dhe autokratik i obsesionuar me sigurinë e brendshme e të jashtme. Komunistët kanë qenë thjesht një varietet i një lidershipi të tillë, të veçantë në epokën që u shfaqën.
Kufijtë perëndimorë të vendit kanë qenë gjithmonë jashtëzakonisht të cënueshëm. Masa tokësore perëndimore europiane e kufijve të Rusisë përbën një gadishull të madh që rrethohet nga Deti Balltik dhe Deti i Veriut në Veri, Oqeani Atlantik në Perëndim dhe Deti i Zi në Jug. Në kontrast, Rusia ka pak pika detare. Oqeani Arktik është larg nga qendrat e saj të populluara. Portet e pakta të vendit në pjesën më të madhe të tyre janë të papërdorshëm në dimër. Ujërat turke në Jug, ashtu si ujërat nordike në Veri, mund të bllokohen lehtësisht. Gjatë Luftës së Ftohtë, bazat ajrore norvegjeze, britanike dhe islandeze e pengonin gjithashtu aksesin rus në det.
Por probleme të tilla nuk qenë të kufizuara vetëm në shekullin e XX-të. Në gjysmën e dytë e shekullit të XIX-të, Rusia kishte qenë frenuar nga Franca dhe Britania — në Ballkan, Lindje të Mesme, Indi dhe Kinë – shumë kohë përpara Kennan ta bënte “frenimin” një fjalë familjare. Opsionet mbrojtëse të saj qenë të kufizuara, doktrina ushtarake e saj historikisht kishte qenë sulmuese. Ajo kishte kërkuar që të dominonte fqinjët e saj si një mjet për parandalimin e kufijve që të përdoreshin kundër saj prej fuqive të tjera. Ndërsa Perëndimi e shikon frikën e Rusisë ndaj pushtimit si të pabazuar, historia u ka treguar udhëheqësve rusë se qëllimet e huaja janë zakonisht të fshehta ose fluide. Çdo epokë sjell një kërcënim të ri ekzistencial; do të ketë gjithmonë një Napoleon apo një Hitler tjetër.
Pas Luftës së Dytë Botërore, nga perspektiva e Kremlinit, kërcënimi ishte rrethimi kapitalist i drejtuar nga Uashingtoni dhe kukulla e tij gjermanoperëndimore. Inkorporimi i Ukrainës e Bjellorusisë (1922), vendeve Balltike (1940) në Bashkimin Sovjetik dhe krijimi i shteteve barrierë më në lindje, e fuqizuan sigurinë e Rusisë ndaj asaj të Perëndimit. Në vitin 1949, ndarja e kontrollit të Gjermanisë krijoi një ekuilibër të qëndrueshëm, ekuilibër që mbijetoi për 4 dekada. Megjithatë, sapo Moska e humbi kontrollin e Berlinit në 1989, kufiri mbrojtës i Rusisë ra, duke e detyruar që të tërhiqej në kufij më në Lindje sesa kishin qenë qysh nga shekulli i XVIII-të.

Në fjalimin e tij të 2005 për gjendjen e kombit, Presidenti rus Vladimir Putin, ish-oficeri i KGB-së që kishte qenë në vijat e para të përpjekjeve të fshehta të Moskës kundër NATO-s gjatë viteve ’80, e përshkroi rënien e Bashkimit Sovjetik si “katastrofën më të madhe gjeopolitike” e shekullit të XX-të. Pjesën më të madhe të mandatit të tij si president i qe kushtuar rivendosjes së elementëve të hapësirës ekonomike dhe të kufirit të sigurisë së Bashkimit Sovjetik përballë zgjerimit të NATO-s dhe Bashkimit Europian, si edhe parandalimit të pjesëve përbërëse të perandorisë së vjetër sovjetike nga minimumi i interesave të Rusisë së sotme.
Ndërsa konfliktet ushtarake në Moldavi, Gjeorgji dhe Ukrainë u janë atribuar përpjekjeve agresive të Kremlinit për të ringritur elementë të perandorisë sovjetike, është e njohur se Rusia nuk ka aneksuar asnjë prej rajoneve separatiste – me përjashtim të Krimesë, e cila strehon Flotën ruse e Detit të Zi. Arsyeja nuk është thjesht mohimi, por gjithashtu edhe fakti që aneksimi i territoreve proruse do t’i kishte fuqizuar forcat properëndimore në pjesët e mbetura e secilit vend. Aneksimi do ta minonte objektivin parësor të Rusisë, që po i mban vendet jashtë sferës së institucioneve perëndimore që duket se kërcënojnë interesat ruse. Prania e konflikteve të ngrira në të 3 vendet praktikisht i bllokon ata nga hyrja në NATO. Aleanca i ka refuzuar gjithmonë vendet aspirante me probleme kufitare të pazgjidhura, konflikte të brendshme territoriale dhe kapacitete të pamjaftueshme ushtarake për të siguruar një mbrojtje të besueshme kombëtare.
Në rastet e Gjeorgjisë dhe të Ukrainës, sinkroni i ndërhyrjeve ruse përkoi me arritjet e kritereve të prekshme të këtyre vendeve në rrugën drejt anëtarësimit në NATO. Territoret e kombinuara separatiste, nën kontrollin efektiv rus, tani formojnë një hark të vyer mbrojtës përgjatë kufirit perëndimor dhe jugperëndimor të Rusisë. Ashtu si Stalini e fuqizoi barrierën mbrojtëse e Bashkimit Sovjetik në kundërpërgjigje të Planit Marshall, të cilin ai priste Uashingtonin që ta plotësonte me forcë ushtarake, edhe Putini e ka fuqizuar barrierën mbrojtëse e Rusisë në kundërpërgjigje të zgjerimit të NATO-s.

Pikëpamjet e Putinit ndoshta janë kapur më mirë nga një bisedë që ai pati me ish-Presidentin izraelian Shimon Peres pak përpara vdekjes së tij, në 2016. “Për çfarë e duan [amerikanët] NATO-n?”, kujton Peres, që ta ketë pyetur ai. “Cilën ushtri duan të luftojnë? Ata mendojnë se unë nuk e di që Krimea është ruse dhe se Khrushchev ia dha Ukrainës si dhuratë? Nuk e vrava mendjen, deri kur ju donin ukrainasit në NATO. Për çfarë? Unë nuk i preka ata”.
Këtu nuk janë as fjalët e një ideologu, as nuk janë reflektim i një lideri rus jashtëzakonisht mizor. Në fund të fundit Gorbachev, jo tifoz i Putinit, mbështeti si aneksimin e Krimesë, ashtu edhe aksionin ushtarak rus në Gjeorgji. Perëndimi, shkruan ai në kujtimet e tij, ka qenë “i verbër ndaj llojit të ndjenjave të shkaktuara në Rusi prej ekspansionit të NATO-s”.
Liderët perëndimorë nuk ka nevojë që të simpatizohen me Rusinë, por nëqoftëse duan që të bëjnë politika të jashtme efektive, ata duhet që ta kuptojnë atë. Komunizmi mund të jetë zhdukur nga Europa, por gjeografia e rajonit nuk ka ndryshuar. Rusia është, siç ka qenë gjithmonë, shumë e madhe dhe shumë e fuqishme për t’u përfshirë brenda institucioneve perëndimore pa i ndryshuar thelbësisht ato dhe tejet vulnerabël ndaj infiltrimit perëndimor sa për të pranuar në heshtje përjashtimin e saj.
Plani Marshall, që çimentoi Luftën e Ftohtë, kujtohet si një prej arritjeve të mëdha të politikës së jashtme amerikane jo thjesht se qe vizionar, por edhe pse funksionoi. Funksionoi për shkak se Shtetet e Bashkuara pranuan realitetin e një sfere influence ruse, në të cilën nuk mund të penetronin pa sakrifikuar kredibilitet dhe mbështetje publike.
Aktet e mëdha të shtetarisë janë të mbështetura tek realizmi më shumë sesa tek idealizmi. Ky është një leksion që Amerika ka nevojë ta rimësojë.
(Shkrimi është marrë nga libri i ri “The Marshall Plan: Dawn of the Cold War” i autorit Benn Steil, i cili është Drejtor i Ekonomisë Ndërkombëtare në Council on Foreign Relations)
Përgatiti
ARMIN TIRANA

Berisha denoncon skandalin: Ja si Rama shpërblen kryehajdutin e pronave në Vlorë, e bën drejtor ALUIZNI në Tiranë

Ish-kryeministri Berisha shkruan në një postim në Facebook se, Rama ka emëruar drejtor tek ALUIZNI në Tiranë hajdutin e pronave në Vlorë. Berisha ka publikuar mesazhin e një qytetari, cili shkruan se, Rezart Elmazi, te cilin Rama e perfshiu edhe ne listen e zeze ka grabitur e falsifikuar toka e prona ne Narte, Uji i ftohte, Radhime, Borsh, Palase, Karaburun.
Hajduti i tokave te Vlores dhe Bregut shperblehet nga Rama duke e emeruar drejtor!”, shkruan Berisha.
“Edvin Rama ka emeruar Drejtor tek Aluizni Tirane kryehajdutin e hipotekes Vlore Rezart Elmazi, te cilin e perfshiu edhe ne listen e zeze. Ka grabitur e falsifikuar toka e prona ne Narte, Uji i ftohte, Radhime, Borsh, Palase, Karaburun. Eshte pjese e bandes tepelenase te pronave te bregut drejtuar nga Alket Hyseni, deputet, krahu i djathte i Rames per vjedhjet ne qarkun e Vlores. Rezarti ka hesape personale ne Vlore. Do e degjoni.
Hajduti Alket Hyseni paska kercenuar opoziten sot me reformen ne drejtesi. Ai me bastardin Rezart Elmazi, ish drejtor i hipotekes Vlore dhe banditet e tjere tepelenas kan grabitur toka ne bregdet. Megjithse e kemi denoncuar nuk po e permend askush”, shkruan qytetari.

Bylykbashi ironizon Veliajn/ Këpucët me baltë si çorapet e grisura të Enverit

Deputeti demokrat Oerd Bylykbashi ka ironizuar Kryebashkiakun e Tiranës, Erjon Veliaj, lidhur me mbjelljen e pemëve. “Kjo puna e 100.000 pemëve të Erionit është si ajo e gënjeshtrës së 28.000 dëshmorëve të Enverit. Madje këpucët me baltë të Erionit në studio TV ishin fiks si çorapet e arnuara të Enverit të ekspozuara te muzeu te Piramida”, shkruan Bylykbashi. “Amon mer, majani lopatën këtij Erionit se pastaj do lodhet t’u shpyllzu pyllin orbital për me dhon leje për noi pallat!? ?Kjo puna e 100.000 pemëve të Erionit është si ajo e gënjeshtrës së 28.000 dëshmorëve të Enverit. Madje këpucët me baltë të Erionit në studio TV ishin fiks si çorapet e arnuara të Enverit të ekspozuara te muzeu te Piramida. Përpiqet të flasë edhe me dialekt tironc që të bëhet më i besueshëm. Ama Erioni gjymës ?llafi s’e thotë qerratai për 170 e kusur lejet e pallateve dhe kullave të betonit që ka mbjellë në mes të Tiranës gjatë “moratoriumit” të tij të ndërtimeve. Shih kur të na e mbushi mendjen se është pyll vertikal. Punë mashtruesish!”

De Bruyne i lodhur nga krahasimet

Ylli i Manchester City, Kevin de Bruyne, është i lodhur nga krahasimet me Lionel Messin dhe Cristiano Ronaldon. “Është e pamundur t’i krahasosh Messin dhe Ronaldon me mua. Pozitat tona janë krejtësisht të ndryshme. Ata janë shumë më të lartë në fushë dhe shënojnë dhjetë herë më shumë se unë. Nëse unë shënoj 10 gola në një sezon, ata realizojnë 100. Por, pastaj, unë kam detyra të tjera në fushë”. Trajneri i Manchester City, Pep Guardiola, ka sugjeruar gjatë sezonit aktual se De Bruyne është në rrugën për t’u ngjitur në lartësi të ngjashme me Messin dhe Ronaldon. De Bruyne ka qenë në gjendje të mbajë standardet e tij gjatë gjithë sezonit, pavarësisht se bëhet një objektiv i dukshëm për kundërshtarët, që përpiqen ta ndalojnë me të gjitha mënyrat. Ai, ndonjëherë, mund t’i nënshtrohet trajtimit të përafërt, por kjo është pjesë e argëtimit për një futbollist në kulmin e fuqive të tij.

Plani i Murinjos për të marrë Neymarin

Jose Murinjo po konsideron një ofertë për Neymarin me një shifër rekord botëror prej 260 milionë paund, ndoshta duke dërguar Paul Pogba te PSG-ja si pjesë e marrëveshjes. Të paktën kështu pretendon “Diario Gol”. Me yllin brazilian, mesa duket i palumtur në “Parc des Princes”, trajneri i Manchester United është i prirur për të shtuar një sulmues të klasit botëror në radhët e tij, pasi ka parë që Alexis Sanchez nuk po “ngjit” në “Old Trafford”. Ndërsa edhe Real Madridi është i lidhur ngushtë me Neymar, “Djajtë e Kuq” janë të interesuar, gjithashtu dhe mund të dërgojnë Pogba nga ana tjetër, për ta tunduar PSG-në në shitje. Ndërkohë, Neymarit mund t’i ofrohen deri në 30 milionë paund në vit për të kaluar në “Old Trafford”.
Në fakt, verën e kaluar, megjithatë, kishte shumë lëvizje, por Manchester United nuk kishte më shumë para për të trajtuar punësimin e një lojtari si Mbappé apo Neymar. Ishte PSG-ja, ajo që i mori ato. Murinjo u vendos për Lukaku dhe Alexis në merkaton e dimrit, lojtarë të nivelit, por që nuk janë të thirrur për të vendosur lojëra të mëdha. Ata nuk do të zbresin në historinë e futbollit. Është pikërisht për këtë arsye që, përballë merkatos së ardhshme, propozohet që të ketë një spastrim te Manchester United. Pra, të sigurohen para nga disa shitje lojtarësh aktualë dhe të nënshkruhet me njërin nga yjet e mëdhenj. Dhe ylli më i ndritur është Neymar, ardhmëria e të cilit te PSG-ja nuk është fare e qartë. Dihet se ylli brazilian nuk është i kënaqur në klubin e tij aktual. Dihet, gjithashtu, se dyert e Barcelonës janë mbyllur dhe se Real Madridi duket të jetë i vetmi klub, me një plan për ta kapur lojtarin brazilian për imazhin e së ardhmes.

Koncesioni 30-vjeçar i lojërave të fatit, zbardhet përqindja e aksionerëve

“Moligix” është kompania që po ndërton dhe do të mbikëqyrë Sistemin Qendror të Monitorimit Online të lojërave të fatit sipas një kontrate 30-vjeçare lidhur me qeverinë shqiptare. Kompania është regjistruar në Qendrën Kombëtare të Biznesit më 7 qershor 2017, me një kapital total prej 500 mijë lekësh. Aksionerë të saj janë tre kompani, të cilat janë të njohura për publikun nga procesi i garës që parapriu përzgjedhjen e fituesit mbajtur nga Ministria e Financave në fillim të vitit të kaluar. Fitues të koncesionit, sikurse u njoftua, ishin bashkimi i Përkohshëm i Shoqërive “Admiral Sportwetten”GmbH & “ATSI Spolka Akcyjna”& “MC Networking”sh.p.k. Por edhe pse diheshin emrat e kompanive fituese të koncesionit 30-vjeçar, deri më tani nuk është bërë publik ndonjë detaj mbi peshën që ka njëra apo tjetra brenda kësaj sipërmarrje apo aksionet që zotëron secila. Referuar ekstraktit të Qendrës Kombëtare të Regjistrimit rezulton se të paktën 98 për qind e aksioneve janë nën zotërim të Mc Networking, dy kompanitë e tjera “Admiral Sportwetten”GmbH dhe “ATSI Spolka Akcyjna” kanë secila nga një përqindje simbolike prej 1 për qind në aksionet e “Moligox”.

Koncesioni u kundërshtua në Gjykata
Procedura ku Financat shpallën fituese, në mars të 2017 bashkimin e shoqërive “Admiral Sportwetten”GmbH &”ATSI Spolka Akcyjna”& “MC Networking” sh.p.k. për ndërtimin e sistemit online të lojërave të fatit është shoqëruar me kundërshtime në të paktën tre Gjykata. Fillimisht ishte Shoqata e Shoqërive të Lojërave të Basteve Sportive, ajo që e çoi çështjen në Gjykatën Kushtetuese, duke kërkuar shfuqizimin e të paktën tre pikave që sipas saj binin ndesh me Kushtetutën. Por, pavarësisht argumenteve të sjella nga kjo shoqatë, në çështjen e regjistruar më 6 qershor 2017, një ditë para themelimit të kompanisë së përbashkët, Gjykata rrëzoi këtë kërkesë me një vendim që u bë publik në fillim të këtij viti. Edhe operatori i renditur i dyti në garën për Sistemit Online të Monitorimit, bashkimi i Përkohshëm i Shoqërive “Qualysoft”GmbH &”Comtrade” d.o.o & “Starsat International” shpk. & “Communication Progress” shpk. ka paraqitur një padi në Gjykatën Administrative të Shkallës së Parë dhe më pas në atë të Apelit.

Tarifat e vendosura për monitorim
Në prill të vitit të kaluar ashtu sikurse parashikohej në ligj, qeveria miratoi me një vendim të veçantë tarifat që do të aplikohen nga ana e koncesionarit mbi lojërat e fatit në funksion të shërbimit që lidhet me ndërtimin dhe mirëmbajtjen e sistemit. Por cilat janë tarifat që do të aplikojë koncesionari mbi pikat e basteve, kazinotë elektronike dhe Lotarinë Kombëtare. Sipas vendimit, tarifa ditore për çdo pikë bastesh në vend do të jetë 0.70 euro, ose 21 euro në muaj. Kjo e çon totalin që do të paguajë një pikë basti në 252 euro në vit. Aktualisht sipas shifrave të deklaruara nga Shoqata e Shoqërive që operojnë në fushën e lotove dhe basteve sportive në treg janë rreth 3 mijë pika. Kjo do të thotë që totali që do të paguajnë pikat e bastit te koncesionari është 756 mijë euro. Kategoria e dytë që do të paguajë tarifë për sistemin e monitorimit është ajo e kazinove elektronike që do të jetë 1.25 euro për çdo aparaturë apo makinë loje. Kjo do të thotë që për një aparaturë në muaj do të paguhet 37.5 euro, çka në një vit e çon detyrimin për t’u paguar në 450 euro. Deri në vitin 2013, zyrtarisht rezultonin në treg 2200 aparate të instaluara brenda kazinove elektronike. Me këtë shifër, detyrimi total që ky segment do paguajë është 990 mijë euro nëse do të kemi të njëjtën sasi makinash. Lidhur me Lotarinë Kombëtare, tarifa që është parashikuar për t’u paguar është 1 euro në ditë për njësi. Sipas të dhënave të faqes zyrtare të Lotarisë Kombëtare të llogaritura në korrik 2017 në të gjithë vendin rezultonin rreth 425 njësi që tregojnë lojërat e kësaj kompanie. Kjo do të thotë që çdo njësi do të paguajë në muaj 30 euro dhe në vit 360 euro ndaj koncesionarit. Në total, gjithë njësitë do të paguajnë 153 mijë euro për sistemin e monitorimit. Duke mbledhur të ardhurat nga të tre segmentet rezulton që koncesionari do të arkëtojë rreth 1.9 milionë euro. Të gjitha llogaritjet nuk kanë të përfshirë Tatimin mbi Vlerën e Shtuar.

Mbrojtja shtylla e ekipit

Kombëtarja kuqezi vijon përgatitjet në Durrës, në prag të miqësores së 26 marsit me Norvegjinë, në “Elbasan Arena”. Pavarësisht shirave dhe kohës së keqe të këtyre ditëve, trajneri Panucci nuk e ka ulur ritmin, duke dashur t’i “karikojë” maksimalisht të tijtë në aspektin fizik. Në konferencë për shtyp ka dalë edhe Mërgim Mavraj. Ky i fundit, mes të tjerash ka nënvizuar: “Në kombëtare e kemi dëshmuar shumë herë se edhe mbrojtja ka qenë shtyllë e ekipit. Me rivalë të fortë kemi dalë shumë mirë. Lojtarët e rinj besoj do të na ndihmojnë për të zhvilluar edhe ne të vjetrit. Ekipi dhe mbrojtja do të jetë në formë për ndeshjen e ardhshmen. Pas largimit të Canës, kujt i ka rënë përgjegjësia e liderit? Këto janë gjëra, që për mediat luajnë rol. Ekipit të suksesshëm i duhen 11 liderë. Liderin nuk e ka bërë Loriku dhe askush tjetër, por të gjithë bashkë. Duhet të marrë çdo lojtar përgjegjësitë përsipër. Jemi shumë mirë. Të afruarit do të kontribuojnë për të qenë të suksesshëm. Nuk është ky ekipi përfundimtar. Jemi në fillim të zhvillimit tonë. Kemi kohë për të formuar ekipin përfundimtar. Lënia jashtë e lojtarëve ndikon përgjithësisht për mirë. Ku ndryshon De Biazi me Panuccin? Mosha e tyre është ndryshimi. De Biazi ka qenë më i qetë. Panucci është më shumë entuziast. Ai me mish e me shpirt e përjeton situatën. Në futboll flet suksesi. Nëse nuk ke sukses, do të ballafaqohesh me kritikat. Tani luajmë me më shumë guxim, sepse kemi më shumë eksperiencë. De Biazi ka shumë kontribut në këtë pjesë. Futbollistët e rinj? Është një shans shumë i madh për ta. Të gjithë kemi qenë në këtë situatë. Kanë pak emocione, por me siguri do të krijojnë besim dhe do të japin më të mirën.

Skemat e Panuccit? Shqipëria i ka potencialet për të luajtur siç do trajneri i kombëtares. Normalisht, jemi në zhvillim. Nga një ditë në tjetrën mund t’i ndryshosh dhe planifikosh skemat. Është gjë normale, por duhet kohë. Ndonjëherë sistemi që ke zgjedhur nuk funksionon. Kemi shumë lojtarë, që janë në dispozicion. Kemi konkurrencë të madhe, çka kontribuon për t’i mësuar këto skema. Europiani i ardhshëm? Siç e ka treguar e kaluara, po u paraqitëm mirë, çdo kundështar do ta ketë të vështirë me Shqipërinë. Nëse japim maksimumin, mund të fitojmë ndaj kujtdo”. Portieri i Atalantës në Seria A ka folur edhe për rivalitetin e tij me Thomas Strakoshën në kuadratin kuqezi. Mes të tjerash, ai nënvizoi: “Po rikuperohem nga një dëmtim. Unë ndihem mirë, por do të jetë stafi, ai që do të vendosë nëse do të luaj apo jo ndaj Norvegjisë. Personalisht, besoj se do t’ia dal dhe do të jem i gatshëm për të luajtur. Seancat stërvitore kanë shkuar mirë dhe grupi është shumë i motivuar për të bërë më të mirën në këtë ndeshje. Jemi të gjithë optimistë dhe besoj se do të vazhdojmë të tregojmë një formë të mirë. Ka kohë për të menduar për Izraelin, për Skocinë dhe për Ligën e Kombeve. Përqendrimi ynë për momentin është vetëm te sfida ndaj Norvegjisë, pasi duam të vazhdojmë të paraqitemi në të njëjtën mënyrë si ndaj Turqisë dhe pse jo, të fitojmë. Liga e Kombeve? Jemi në një grup, që na jep mundësi kualifikimi. Skocia është një kundërshtar i vështirë, ashtu si edhe Izraeli, megjithatë, mendoj se e kemi forcën për t’i mposhtur këto dy përfaqësuese dhe për ta kaluar grupin. Rivaliteti me Strakoshën? Thomasin e njoh që nga koha që kam qenë te Lazio dhe gjithmonë kam patur një marrëdhënie shumë të mirë me të. Gjëja më e mirë në kombëtare është konkurrenca. Kushdo që të luajë, porta do të jetë e garantuar. Unë apo Strakosha është trajneri që vendos”.