21.5 C
Tirana
E hënë, 19 Maj, 2025

Izraeli pranon përgjegjësinë për një sulm ajror në Siri

Ushtira izraelite pranoi të mërkurën përgjegjësinë për një sulm ajror të vitit 2007, që shkatërroi një objekt në Siri, i cili mendohet se ishte reaktor bërthamor. Izraeli publikoi video të sulmit në objektin që ndodhet në rajonin Deir al-Zour, për të cilin Tel Avivi tha se do të ishte së shpejti aktiv. Siria ka mohuar se po ndërtonte një reaktor bërthamor në atë zonë.
Shefi i Shtabit të Forcave Mbrojtëse të Izraelit tha se sulmi ajror shërben si paralajmërim se Izraeli nuk ka për të lënë që disa aktivitete të ndikojnë tek siguria e vendit. Izraeli ka kryer një numër sulmesh ajrore në Siri, që mendohet gjerësisht se synojnë të mos lejojnë kalimin e furnizimeve tek grupi Hezbollah në Liban.

Kosovë, në pritje të lëvizjes së lirë, pa viza

Me 80 vota pro, 11 kundër dhe asnjë abstenim, Kuvendi i Kosovës ka ratifikuar Marrëveshjen e Demarkacionit të kufirit me Malin e Zi. Seanca e jashtëzakonshme e Kuvendit të Kosovës për ratifikimin e demarkacionit u zhvillua nën tensione e masa të shtuara të sigurisë. Lëvizja Vetëvendosje tentoi që ta pengojë ratifikimin e demarkacionit përmes hedhjes së gazit lotsjellës. Hedhja e gazit lotsjellës dhe ndërprerja e seancës në katër rastet kur është provuar të votohet për ratifikimin e demarkacionit, ka sjellë si rezultat largimin e deputetëve të Lëvizjes Vetëvendosje nga salla e Kuvendit nga Policia e Kosovës. Gjatë procedimit të votimit, nga Vetëvendosje mbeti vetëm shefi i Grupit parlamentar, Glauk Konjufca. Shtatë deputetë u shoqëruan në polici, kurse të tjerë u përjashtuan apo nuk u paraqitën fare në sallë gjatë aktit të votimit. Pas ratifikimit të Marrëveshjes së Demarkacionit, Kryeministri Ramush Haradinaj tha se tani Kosova pret që Bashkimi Evropian të bëjë pjesën e vet, “që më në fund qytetarëve të Kosovës t’u mundësohet lëvizja e lirë në BE, si të gjithë evropianëve tjerë”.
Vendimin e Kuvendit, e ka përshëndetur edhe kreu i këtij institucioni, Kadri Veseli.

“Urime dita e parë e pranverës. Sot merr fund dimri i gjatë politik dhe nga sot fillon pranvera e re për të gjithë”, u shpreh figurativisht kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli. Ai ka falënderuar ambasadorin amerikan, Greg Delawie dhe shefen e Zyrës së BE-së, Nataliya Apostolova, si dhe LDK-në për mbështetjen që i dhanë ratifikimit të marrëveshjes. Veseli u shpreh i bindur se pas ratifikimit të demarkacionit, Kosova e përmbushi kriterin kryesor të Bashkimit Evropian për liberalizimin e vizave. “Jam i sigurt që brenda vitit do të kemi lëvizjen e lirë të qytetarëve të Kosovës”, theksoi Veseli. Zhvillimet në Kuvend, i ka përcjellur nga afër edhe ambasadori amerikan në Prishtinë, Greg Delawie. Ai tha se është i zhgënjyer me veprimet e Lëvizjes Vetëvendosje. Ndërkaq, pas ratifikimit të marrëveshjes ka uruar deputetët dhe Kuvendin e Kosovës. Me qëndrime të ashpra kundër vendimit të Kuvendit të Kosovës është paraqitur kryetari i Vetëvendosjes, Albin Kurti. “Sot 80 deputetë të Kuvendit të Kosovës iu bashkuan tradhtisë së presidentit Thaçi dhe shkeljes së integritetit dhe Kushtetutës së Kosovës”, tha Kurti. Ai e ka cilësuar si shumë të dëmshëm për Kosovën ratifikimin e demarkacionit, duke e arsyetuar kështu edhe veprimin e deputetëve të partisë së tij për hedhjen e gazit lotsjellës në Kuvend.

Ndërprerja e seancës me anë të gazit lotsjellës është dënuar nga pjesa tjetër e spektrit politik që përfaqësohet në Kuvend. Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Blerta Deliu-Kodra, ka thënë se aktet e tilla, si hedhja e gazit lotsjellës në sallën ku po zhvillohej seanca, janë të papranueshme dhe bien ndesh me parimin e demokracisë. “Duke e ditur rëndësinë e seancës së sotme dhe duke qenë e vetëdijshme se koalicioni qeverisës tashmë i ka siguruar votat e nevojshme për ta kaluar këtë marrëveshje jetike për qytetarët e Republikës së Kosovës, Lëvizja Vetëvendosje edhe një herë dëshmoi që është po ajo e njëjta, me akte, të cilat i përsëriti pas tre vjetësh debati në Kuvendin e Republikës së Kosovës”, ka thënë deputetja Deliu-Kodra. Shefi i Grupit parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Avdullah Hoti, ka thënë se votimi për ratifikimin e Marrëveshjes për Demarkacionin do të marrë fund sot dhe se nuk duhet dorëzuar para akteve të tilla, sikurse hedhja e gazit lotsjellës që shkaktoi ndërprerjen e seancës. “Është fatkeqësi për vendin. Mesazhe të tilla nuk duhet t’iu dërgojmë miqve tanë ndërkombëtarë. Nuk do të dorëzohemi para kërcënimeve të tilla, para formave të tilla të prishjes së rendit të punës në seancën e Kuvendit”, ka thënë Hoti. Ndërkaq, deputeti i partisë Nisma, Milaim Zeka tha se Vetëvendosje kishte hedhur gazin lotsjellës në momentin kur e kishte kuptuar se u siguruan 80 votat për ratifikimin e demarkacionit. Sipas tij, në sallë në atë moment ishte paraqitur edhe deputeti i komunitetit goran, Adem Hoxha, i cili është pjesë e Listës Serbe, por që kishte shprehur vullnetin ta votonte marrëveshjen. Në atë moment, sipas deputetit Zeka, Vetëvendosje kishte parandaluar procedurën e votimit përmes gazit lotsjellës.

“Personalisht mendoj që ky është turpi më i madh që po ndodh në Kuvendin e Kosovës. Ky është terrorizim i Parlamentit. Ku është gazi i botës dhe turpi i këtyre njerëzve. Do të thotë që përmes metodave më barbare, të sillesh në këtë mënyrë është turp”, tha Zeka.
Deputetja e lëvizjes Vetëvendosje, Albulena Haxhiu e ka arsyetuar hedhjen e gazit lotsjellës në seancë duke thënë se veprimi i Lëvizjes Vetëvendosje është për të mbrojtur territorin e Kosovës. “Ne kemi thënë që Lëvizja Vetëvendosje është konsistente në kundërshtim të demarkacionit”, ka theksuar deputetja Haxhiu. Votimi për demarkacionin pason debatin prej rreth nëntë orëve që u zhvillua të martën në seancën e jashtëzakonshme, e cila përfundoi në orët e hershme të mëngjesit të ditës së mërkurë. Marrëveshja e Demarkacionit të kufirit me Malin e Zi është nënshkruar në gusht të vitit 2015 në Vjenë. Pas ratifikimit të demarkacionit, Kosova pret që Komisioni Evropian, qysh në muajin qershor, të konfirmojnë gatishmërinë e BE-së për lëvizjen e lirë, pa viza.

Dash Shehi shpërthen ndaj Ramës: Këtu u merren lekët gjithë fukarenjve dhe u jepen 10 zengjinëve

Deputeti Dashamir Shehi i ftuar në “Arena” në Ora News, tha se Shqipëria kaloi nga komunizmi në një sistem të egër kapitalist.
Shehi: Në qoftë se edhe ato 5 lekë që fitohen do të kishin një shpërndarje më të drejtë… sepse kemi ardhur nga komunizmi në kapitalizmin më të egër në Evropë. Këtu u mblidhen lekët fukarenjve dhe u jepen 10 zengjinëve.
Përtej këtij trishtimi, duke ia zhveshur edhe këtë komponent politik. Kur u disktutua ligji i buxhetit bëra një propozim që buxheti të jetë për herë të parë proaktiv. Psh: Të bëjmë një fond për shtëpi, për çiftet e reja. Këtu po ikin edhe mësuesit. Burrë dhe grua. Burrë dhe grua marrin 1 mln gjithsej dhe do të blejnë një shtëpi. Më e lira shtëpi në periferi bën 50-60 mijë euro. Sa vite do t’i duhet këtij? Ai do të punojë gjithë jetën si skllav dhe nuk ka për t’u bërë kurrë me shtëpi në Tiranë. Prandaj vendosin të ikin. Ne duhet t’i japim mundësinë ta marrin shtëpinë për 35 vjet, me 3 ose 2 % që i riu të ketë kurajo ta ëndërrojë shtëpinë dhe të rrijë këtu.
Ditën që do i bësh proletarë ata do të ikin. Proletari nuk ka atdhe, nuk i ke dhënë asgjë as shtëpi, as mall. Për të ulur kurbën e emigracionit duhen politika afatgjatë. Por nëse shteti nuk tregon asnjë dëshirë, cçfarë pret. Projekt pilot këtu pilot aty, kemi 30 vjet. 30 vjet pilot… po hajde të bëjmë diçka të strukturuar.

Shehi: Ministria e Diasporës është një letër!
Deputeti Dashamir Shehi i ftuar në “Arena” nga Dritan Hila duke diskutuar çështjen e emigracionit të shqiptarëve, thotë se Ministria e Diasporës nuk ka lidhje me emigracionin.
Shehi: Ajo që ka bërë kjo qeveri nuk ka lidhje fare me emigracionin. Ajo ka bërë thjesht një ministri për Diasporën. Një ministri për emigracionin duhet të ketë 20 veta në staf. Ti ke punuar në ministri të Punës. Emigracioni kishte 30 veta. Ajo është një letër atje. Ma thuaj ti çfarë prodhon kjo ministri. Ndonjë rregullore për emigracionin, ndonjë vendim.

Protestë në Shkup për rastin “Almiri”

Protestues nga Shkupi dhe zona të tjera të Maqedonisë shprehën të mërkurën pakënaqësinë e tyre para ndërtesës së qeverisë, pas vendimit të Prokurorisë shtetërore për rikualifikimin e akuzës në rastin e njohur “Almiri” në Kumanovë. Protestuesit kërkuan dorëheqjen e Kryeprokurorit të Përgjithshëm Lubomir Jovevski, të prokurorëve dhe gjykatësve të përfshirë në gjyqin që ka të bëjë me vrasjen e 4-vjeçarit Almir Aliu para më shumë se një viti. Po ashtu, kërkuan përgjegjësi nga qeveria për zvarritjen e reformave në gjyqësor. Rikualifikimi nga vrasje me paramendim në aksident trafiku me pasojë vdekjen, ka indinjuar shumë shqiptarë, ndërsa aktivistë të të drejtave të njeriut e organizuan përmes thirrjeve në rrjetet sociale protestën, të cilës iu përgjigjën qindra njerëz. “Pa përgjegjësi nuk ka drejtësi, pa drejtësi nuk ka qetësi!”, brohoritnin protestuesit, disa prej të cilëve mbanin lodra fëmijësh që i lanë në rrethojat e oborrit të qeverisë. Aktivistja Diana Tahiri paralajmëroi ngritjen e kallëzimeve penale ndaj prokurores së rastit, Suzana Kusigerska, ndaj gjykatëses dhe përfaqësuesve të tjerë gjyqësorë të përfsirë në këtë lëndë, “për mosparaqitjen e fakteve dhe dëshmive për çka dëshmoi i gjithë opinioni publik”, u shpreh ajo.

Nëna e Almirit, Myxheverja tha se kishte dalë në protestë jo vetëm për të birin e vrarë “por për të gjithë fëmijët që mund të rrezikohen nga ai kriminel, të cilin shteti ynë po e lë të lirë”.
Boban Iliç është personi i akuzuar për shtypjen me makinë të Almir Aliut. Rastit i kishte paraprirë një zënkë verbale midis të akuzuarit dhe babait të 4-vjeçarit. Në një prej videoregjistrimeve të publikuara në internet duket se si makina me shpejtësi të madhe në një rrugë të ngushtë godet bashkëshortët Aliu dhe fëmijën e tyre katër vjeç. Avokatët e familjes së viktimës thonë se dëshmitë tregojnë qartë për vrasjen me paramendim. I akuzuari u lirua para pak ditësh nga paraburgimi. Ai me të dalë nga burgu kërcënoi një gazetar, ndërsa vëllai i tij bëri gjeste ofenduese ndaj familjes së viktimës. Prokurori i Përgjithshëm, Jovevski ka hedhur poshtë akuzat ndaj Prokurorisë për prirje dhe anime mbi baza etnike në këtë rast.
Rasti ka marrë dhe dimensione politike. Ministri i Drejtësisë që vjen nga radhët e BDI-së, Bilen Saliji ka njoftuar dorëheqjen, për shkaqe morale, siç thotë, dhe “për shkak se besimi në gjyqësor po lëkundej”. Saliji thotë se nuk ka pasur trysni ndaj tij, ndërkohë që fajëson kryeprokurorin Jovevski për ndërhyrje në rikualifikimin e lëndës së Almirit. Por kritikët dhe kundërshtarët vlerësojnë se dorëheqja e ministrit është pjesë e riformatimit të paralajmëruar të kabinetit qeveritar të Zoran Zaevit.

Trump mbron vendimin e tij për të uruar Putinin

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump ka mbrojtur vendimin e tij për të uruar presidentin rus, Vladimir Putin për fitoren në zgjedhje, duke thënë se marrëdhëniet e mira me Rusinë janë të domosdoshme për të zgjidhur disa prej problemeve të botës. “Media e lajmeve të rreme është çmenduar sepse ata duan ta dëmtojnë atë. Ata e kanë gabim. Raportet e mira me Rusinë dhe të tjerët është gjë e mirë, jo gjë e keqe”, ka shkruar presidenti Trump në Twitter. “Ata mund të ndihmojnë në zgjidhjen e problemeve me Korenë e Veriut, Sirinë, Ukrainën, (Shtetin Islamik), Iranin dhe madje edhe garën e armëve”, ka shkruar Trump në një postim tjetër në Twitter. Trump është kritikuar pasi ia ka uruar Putinin gjatë një bisede telefonike më 20 mars, për rizgjedhjen e tij si president.

Revolta në Shkodër/ Banorët e përmbytur përplasen me ministrin Peleshi: Ne jena të mytun ju nuk sillni asnjë eskavator

Ministri i Bujqësisë, Niko Peleshi është përballur me revolt nga banorët e zonave të përmbytur në zonat e NënShkodrës. Disa prej tyre thanë se kanalet shkarkuese nuk janë pastruar që në vitin 2010 dhe se sona e tyre nuk përmbytet vetëm nga shiu.
Peleshi: Kjo përmbytje nuk vjen nga shkarkimet, por nga reshjet e mëdha.
Banori: Një muaj me ra shi në Shkodër, nuk ka përmbytje. Asnjëherë nuk ka ba vaki, por ka ardhur prej digave.
Peleshi: Pse shkarkohen digat? Shkarkohen prej digave.
Banori tjetër: Qysh në 2010-n nuk ka vu kush dorë. Janë grykat atje dhe nuk e ka vu kush një kokë eskavatori se me qenë grykat e hapura.
Peleshi: Sot do të bëjmë analizat?
Banori: Me më pru shteti një kile vaj nuk kam nevojë se kam punuar vet për familjen. Që në fillim të muajit e kam tokën në ujë. I kam mbjellë për me ba silazhin e verës.
Peleshi: Ke shumë të drejtë. Prandaj është shteti. Kemi garantuar ushqimi për sa ditë do të ketë përmbytje.

Një tjetër banor iu drejtua Peleshit se përmbytja vjen nga keqmenaxhimi i digave.
Banori: Jena duke u mbyt…
Peleshi: Nuk është punë partish.
Banori: Ky është ujë dige, nuk është ujë shiu.
Peleshi: Pse vjen uji i digave?
Banori: Vjen ngaqë nuk e keni menaxhuar mirë ju. Dini gjë ju? T’isha kanë vetë kryeministër di unë çfarë ishte bërë. Ne jena të mytun.
Banori tjetër: Mendoni për bagëtitë se për ne, ne kena çfarë me hangër…

5 mijë ha nën ujë dhe qindra banesa të izoluara, nevoja për ujë dhe ushqime
Shkon në 5 mijë ha sipërfaqja e tokës së përmbytur në Shkodër, ndërkohë që qindra shtëpi vijojnë të mbeten të izoluara nga uji. Kërkohet ndërhyrje emergjente në disa argjinatura, ndërsa prezenca disa ditore e ujit ka dëmtuar rëndë disa rrugë ku nevojiten tabela orientuese për të mundësuar qarkullimin. Gjithashtu raportohet për prezencë uji në disa shkolla.
Një problem tjetër mbetet furnizimi me ujë të pijshëm, shumica e Ujësjellësave të zonës së Nën-Shkodrës janë jashtë funksionit. Sa i takon energjise elektrike, raportohet për disa shtylla elektrike të rrëzuara ku kërkohet ndërhyrja e OSHEE.
Situata sipas njësive administrative, 22 mars 2018
Në njësinë administrative Dajç janë 1750 ha tokë e përmbytur. Kërkohet të ndërhyhet për lartësimin e argjinaturës së Pentarit, Shirqit dhe Darragjatit. Rruga Shirq- Darragjat , rruga Belaj- Pentar, Rruga Bishti i Qarrit dhe Urrela jane te bllokuara. Ne disa shkolla ne ambientet e brendshme te shkolles ka prezence uji.

Kane rene disa shtylla te energjise elektrike ne rrugen e Dajçit. Kerkojme nga OSHEE nderhyrje emergjente duke marre masat perkatese. Paraqitet shume e nevojshme vendosja e shenjave orientuese ne rruge per te bere te mundur kalimin. Jane mbi 300 shtepi te rrethuara nga uji. Kerkohet furnizim me uje te pishem per banoret.
Njësia Administrative Ana e Malit ka 1300 ha tokë të përmbytur.Ujesjellesi Oblika 1 dhe Oblika 2 jane jashte funskionit. Kerkohet furnizimi me uje te pijshem per banoret dhe nevojiten çizme te gjata per banoret. Lagjia Gorice eshte totalisht e izoluar. Jane 177 shtepi te rrethuara nga uji , 150 ne Obot dhe 27 ne Gorice.
Në njësinë administrative Bërdicë janë mbi 1280 ha tokë e përmbytur. Stacioni i pompave te Ujesjellesit ne Trush si pasoje e permbytjeve eshte jashte funksionit. Jane 100 shtepi te rrethuara nga uji.
Në njësinë administrative Velipojë janë të përmbytura mbi 410 Ha tokë. Në fshatin Luarz del uji nën argjinaturë. Ndersa ne ate te Çasit paraqiten shume probleme.Kerkohet nderhyrje emergjente. Rruga nacionale eshte e pakalueshme. Fshati Luarz eshte pa energji elektrike.Paraqitet shume e nevojshme vendosja e shenjave orientuese ne rruge per te bere te mundur kalimin.

Në njësinë administrative Rrethina janë të përmbytura 70 Ha tokë. Në zonën e Livadheve (Nj.ad.Rrethina) janë 17 shtëpi të rrethuara nga uji. Në 3 shtëpi ka hyre uji brenda.
Në njësinë administrative Gur i Zi vazhdon gërryerja e tokës në fshatin Juban, në afërsi të Malit të Vukatanës. Paraqitet shume problematike kjo dukuri pasi mund te rrezikohet argjinatura.
Qyteti Shkodër: Në zonën e Livadheve janë të përmbytura 135 ha. Në këtë rrugë ndodhen mbi 70 shtëpi me prezencë uji afër oborreve të tyre. Me shume veshtiresi kalohet me makine ushtrie , ndersa ne disa zona kalimi behet i mundur vetem me varke. Në lagjen Ajasëm janë rreth 3ha tokë e mbuluar nga uji. Në 13 banesa ka prezencë uji. Bashkia Shkoder ka bere evakuime te banoreve dhe gjese se gjalle kur jane paraqitur nevoja. Ne kete moment jane 69 persona te akomoduar ne konvikt. Gjithashtu Bashkia Shkoder ka bere te mundur edhe levizjen e banoreve dhe akomodimin e tyre tek te afermit e tyre.
Specialistët tanë janë në terren, dhe po bëjnë vlerësimet e dëmeve të shkaktuara. Nevojat për bazë ushqimore afatgjatë, për blegtorinë, në zonat e përmbytura janë Immediate.
Sipas Bashkisë, baza ushqimore e ardhur nuk eshte e duhura (ka ardhur elb).
Nga ana tjetër, duhet të merren masa për furnizim me klor për dizefektim për zonat e përmbytura pas tërheqjes së ujit.

Lumë droge nga Shqipëria në Itali, sekuestrohet 440 kg hashash dhe 10 kg heroinë, arrestohen 16 shqiptarë

Policia italiane ka sekuestruar reth 440 kg drogë të llojit hashash dhe 10 kg Heroinë dhe ka vënë në pranga 16 shqiptarë. Lënda narkotikeishte future nga Shqipëria dhe, sipas burimeve të policisë italiane, po transportohej nga Italia drejt Zvicrës.
Sipas mediave italiane, droga vinte nga Shqipëria në Itali ndërkohe që ështe arrestuar e gjithë banda. Policia Financiare e komandës provinciale Milano ka bërë publik njoftimin për finalizimit e hetimit të lëshuar nga prokurori publik i Republikës Como kundër 17 personave të hetuar në mënyra të ndryshme, për trafik droge.
Hetimi, i udhëhequr nga prokurori i republikës Como, Nicola Piacente, dhe zëvendës prokurori Antonio Nalesso, kanë zbuluardërgesat e drogës disa në Itali dhe Zvicër, dhe janë arrestuar në flagrancë 16 persona dhe është konfiskuar rreth 440 kg marihuanë, e rreth 10 kg heroinës dhe rreth 200 kg substancës e për perzirjen e heroines.
Gjatë hetimit, të kryer nga Policia Financiare e Milanos, u konstatua se të dyshuarit, të gjithë shqiptarët kanë importuar drogë nga Shqipëria për rishitje, tjetërsim në Itali dhe Zvicër, duke përdorur procedurat e fshehta të komunikimit dhe lidhjeve për të fshehur trafikun. Aksioni është në vijim e sipër.

Një ditë më parë 19 persona u arrestuan në Romë dhe Napoli pas një aksioni të policisë italiane, në të cilin janë përfshirë 200 karabinierë dhe është dashur ndërhyrja e helikopterit dhe njësisë së specializuar.
Bëhet fjalë për dy grupe kriminale, njëri i lidhur me organizatën Camorriste, ndërsa tjetri që bashkëpunonte me grupin ‘Ndrangheta’. Mes të arrestuarve është edhe një grua si dhe disa persona me origjinë shqiptare, por ende nuk bëhen me dije emra.
Ka qenë investigimi i një grupi në Romë, ai që ka rënë në gjurmët e dy organizatave kriminale, të lidhura me narkotrafikun dhe armët dhe të dyja në raporte të ngushta mes tyre. Bëhet fjalë për një grup të lidhur me klanin Camorrist dhe drejtuar nga vëllezërit Salvatore dhe Genny Esposito, djemtë e Luigit të ashtuquajtur ‘Nacchella’, ndërsa grupi tjetër kishte në krye Vincenzo Polito dhe ishte i lidhur me eksponentë të ‘Ndrangheta’ në provincën e Kalabrisë.

Një ditë më parë, Antimafia italiane i kë dhënë një tjetër goditje mafias vendase, duke shkatërruar një rrjet të trafikut të lëndëve narkotike nga Kolumbia, Shqipëria, Maroku e Spanja. Gjatë operacionit janë sekuestruar drogë, bomba, municion e armë.

Rudi Giuliani: Trump po rezulton një President më i mirë nga sa e kisha menduar, po ndryshon Amerikën

Një nga miqtë më të afërt të President Trump dhe këshilltar jo zyrtar për Sigurinë kibernetike, Rudi Giulani thotë se është surprizuar nga Presidenca e Trump. “Ai po rezulton një President më i mirë nga sa kisha menduar. Po hap vende të reja pune, po zhvillon ekonomikisht Amerikën. Nuk më interesojnë se çfarë thonë të tjerët, por ajo që ai po bën për Amerikën.” Giulani tha se e ka shumë mik Presientin Trump dhe e takon shpesh dhe bisedon me të.
Ai ka mbërritur në Shqipëri për të parën herë dhe sikurse ka pranuar, muxhahedinët apo njohur ndryshe si refugjatët iranianë, kanë qenë qëllimi i kësaj vizite.
RG: Si fillim dua të them që ai është një mik shumë i ngushtë. Për 30 vjet.
BF: Keni 30 vjet që e njihni?
RG: 30 vjet. Nga Nju Jorku. Dhe mund të them se tani kemi zhvilluar një miqësi shumë të ngushtë.
BF: Kur e keni takuar për herë të parë?
RG: E kam takuar kur, besoje ose jo, kur ai po riparonte parkun Ëollman Rink. Parkun për të bërë ski. Ai dhe kryebashkiaku Ed Kaç u grindën për emrin e parkut. Dhe ai vendosi të më mbështeste mua për kryebashkiak.
BF: Ai ishte një nga mbështetësit e tu?

RG: Ai ishte një nga mbështetësit e mi më të fortë, më besnikë dhe më të qëndrueshëm. Edhe pse në atë kohë ai i mbështeste si republikanët ashtu dhe demokratët. Por ne kishim një këndvështrim të ngjashëm. Ai më mbështeti kur unë garova për president. Sigurisht që dhe unë e mbështeta atë. Dhe ai pati sukses.
BF: Ti ishe mbështetësi i tij më i rëndësishëm brenda partisë republikane?
BF: Z. Giuliani, çfarë do ndryshojë në politikën e presidentit Trump kundrejt Iranit?
RG: Mendoj se kjo politikë do jetë një ri-shqyrtim shumë i detajuar i marrëveshjes. Një mundësi e mirë që ata të zbulojnë se Irani nuk po e zbaton siç duhet marrëveshjen gjë e cila do të thotë se Iranit do i vendosen përsëri sanksione. Kjo do të ishte shkatërrimtare për ta sepse edhe me sanksionet të cilat i hoqëm, me qindra milionat që u kemi dhënë atyre, ekonomia e tyre nuk është përmirësuar. Pra, ne u vendosim atyre sanksione.
BF: Shikoni ju një ndryshim në Iran gjatë këtyre viteve të shkuara në lidhje me ekonominë?
RG: Unë mendoj se presidenti Trump inkurajohet nga fakti që në Iran po ndodhin protesta. Mendoj edhe se ai ndjeu se sekretari Tillerson, sekretari i tij i shtetit, nuk po vepronte mjaftueshëm shpejt. Prandaj e zëvendësoi me kreun e CIA-s.
BF: Është i aftë populli i Iranit që ta ndryshojë regjimin pa ndihmë nga jashtë?

SOS në Shkodër nga përmbytjet banorët: Qeveria na ka braktisur

Është rritur frikshëm sipërfaqja e përmbytur në Shkodër, ndërsa qeveria nuk ka marrë asnjë masë për t’u ardhur në ndihmë banorëve. Vetëm në zonën e NënShkodrës janë më shumë se 600 shtëpi me prezencë uji dhe shumë të tjera të përmbytyra totalisht. Po kështu, sipërfaqja e tokave të përmbytura ka shkuar në rreth 5 mijë hektarë. Të dhënat janë bërë të ditura nga Bashkia e Shkodrës, e cila kërkon ndërhyrje nga qeveria dhe shpalljen e emergjencës në këtë zonë. Po kështu është në rrezik shembja e argjinaturave.
Bashkia Shkodër ripërsërit kërkesën e vazhdueshme për shpalljen e emergjencës civile në një pjesë të territorit të Bashkisë së Shkodrës, pasi situata e krijuar është rezultat i shkarkimeve të mëdha në sasi dhe për një kohë të gjatë në kaskadën e lumit Drin.
Vetëm në Njësinë Administrative Dajç janë 1550 ha të përmbytura. Dhjetëra banesa janë të rrethuara nga uji, përkatësisht në fshatin Shirq, 21 në Mushan, në fshatin Belaj 21, në fshatin Darragjat 50, në fshatin Samrisht të Vjetër 17, në fshatin Suka 18, në fshatin Samrisht i Ri 16 banesa, në Rrushkull 18 banesa, Pentar 26 banesa. Kërkohet të ndërhyhet për lartësimin e argjinaturës së Pentarit, Shirqit dhe Darragjatit.

Në Njësinë Administrative Ana e Malit janë 1300 ha të përmbytura. Në total banesat që janë të rrethuara nga uji janë 150 në Obot dhe 40 në Goricë. Në 10 banesa në Muriqan ka hyrë uji brenda, 12 në Obot dhe 4 në lagjen Gallube.
Në Njësinë Administrative Bërdicë janë mbi 1280 ha tokë e përmbytur. Janë të rrethuara nga uji 60 shtëpi në fshatinTrush, 15 Bërdicë e Sipërme, 8 në Bërdicë e Madhe dhe 1 në Bërdicë e Mesme.
Në Njësinë Administrative Velipojë janë të përmbytura mbi 375 ha tokë. Janë të rrethuara nga uji 28 shtëpi. Në fshatin Luarz në 3 vende del uji nën argjinaturë.
Në Njësinë Administrative Rrethina janë të përmbytura 70 ha tokë. Në zonën e Livadheve janë 17 shtëpi të rrethuara nga uji. Në 3 shtëpi ka hyrë uji brenda.
Në qytetin e Shkodrës janë 110 ha tokë e përmbytur në zonën e Livadheve. Në këtë rrugë ndodhen mbi 40 shtëpi me prezencë uji afër oborreve të tyre. Në lagjen Ajasëm janë rreth 3 ha tokë e mbuluar nga uji. Në 13 banesa ka prezencë uji.
Në Njësinë Administrative Gur i Zi konstatohet fenomeni i erozionit në tokat bujqësore. Vazhdon gërryerja e tokës në fshatin Juban, në afërsi të Malit të Vukatanës. Janë të përmbytur rreth 10 ha tokë në fshatin Kuç.

Dajçi dhe Ana e Malit, më të goditura nga përmbytjet
Zona e NënShkodrës vijon të përballet me situatë të vështirë, ndërsa sipërfaqja e përmbytur këtë të mërkurë shkoi rreth 5 mijë hektarë. Dajçi e Oboti, janë zonat më të prekura, ku banorët thuajse janë dorëzuar dhe kërkojnë ndihmën e shtetit. Ndërkohë, qeveria dhe Bashkia e Shkodrës u përplasën sërish sot, pas vendimit për të shtuar mbështetjen dhe praninë e ushtarëve në zonat e përmbytura, por pa shpallur gjendjen e emergjencës.
Banorët e NënShkodrës dhe forcat e ushtrisë bënë roje gjithë natën, pasi prurjet e fuqishme e kanë dëmtuar rëndë argjinaturën e Pentarit në Njësinë Administrative të Dajçit.
Mëngjesin e kësaj të mërkure nën ujë ishin rreth 5 mijë hektarë tokë dhe disa qindra shtëpi të izoluara.
Banorët e Dajçit po mundohen të shpëtojnë çfarë të mundën nga shtëpitë, si dhe gjënë e gjallë.
Por përballë nivelit të ujit janë të pafuqishëm.
Banori: Gjithmonë kjo rrymë uji na futet brenda. Zoti e bëftë mirë.
Në Obot prej ditësh, lëvizet vetëm me varka.
Banorët kërkojnë reagim të qeverisë dhe të mundësojnë sigurimin e bazës ushqimore për bagëtitë.
Banori: Kam dele, qingja, dhi dhe ishalla s’po shtohet më të m’i kapë.
Parashikimet nuk janë optimiste dhe shpresa e vetme e këtyre banorëve është që niveli i ujit të mos rritet më shumë, pasi në të kundërt situata do të shkojë e ngjashme me vitin 2010 dhe 2011.