16.5 C
Tirana
E martë, 6 Maj, 2025

“SPAK do hetojë, stuhia do ngrihet”/ Preç Zogaj komenton progres raportin e KE: Realist! Integrimin e përcakton forcimi i drejtësisë

Presidenti i Institutit Pashko, Preç Zogaj, në një intervistë me Skype në rubrikën Opinion në News 24 tha se raport progresi i KE për Shqipërinë është realist. Zogaj theksoi se korrupsioni ka qenë dhe mbetet një plagë e shoqërisë shqiptare.

Zogaj theksoi se SPAK po lufton korrupsionin dhe se beson se do ta hetojë çdo individ, pavarësisht se kush është ai. Sipas Zogajt, integrimin e vendit në BE e përcakton forcimi i drejtësisë.

Preç Zogaj, president i Institutit “Pashko”Jam optimist për të ardhmen europiane të Shqipërisë. Ky raport vjen pas hapjes së grup-kapitujve për vendin tonë. Rruga për integrimin në BE është e gjatë. Korrupsioni është problem themelor në Shqipëri. Bashkohem me këtë shqetësim të raportit. Ka një sërë çështjesh, që duhet të zgjidhen. U vlerësua roli i SPAK, se ka kryer hetime ndaj të gjithë funksionarëve në të gjitha nivelet. SPAK është kthyer në institucion të shpresës së shqiptarëve për luftën ndaj korrupsionit. Pogres raporti i KE në tërësi ishte realist për Shqipërinë. SPAK po ngre stekën në luftën ndaj korrupsionit, por pritet më tepër nga ky institucion. Kërkohet nga SPAK që të arrestojë çdo person që ka kryer korrupsion ose është pjesë e krimit të organizuar, pavarësisht kush është ky individ. Rama thotë se më 2030 do jemi në BE. Kapja e kësaj date kërkon forcimin e drejtësisë.

Për anëtarësim në BE, kërkohet punë në çdo fushë të jetës. I bëj thirrje opozitës që të besojnë tek SPAK, sepse ky institucion po godet pandëshkueshmërinë. Nuk mendoj se SPAK vendos në raport me politikën. SPAK bën hetime dhe akuzë, drejtësinë e bën gjykata. Nuk mund të ndalet SPAK në hetime ndaj personave vetëm pse janë kryetarë partish. SPAK duhet inkurajuar që mos ndalet. Nuk shoh dy standarde nga Struktura e Posaçme. Për hetimet e SPAK, stuhia do ngrihet, çdo ditë po thërrasin deputetë e zyrtarë të lartë të opozitës e të partisë në pushtet.

“Show i bashkisë Vlorë”, Gjergji Nika: Pasi pritën shiun të lante rrugët pas përmbytjeve, tani i pastrojnë me mjete të mara borxh

Kryetari i degës së Demokratëve Euroatlantikë në Vlorë, Gjergji Nika, shprehet se bashkia e qytetit po bën show me pastrimin e rrugëve pas përmbytjeve të fundit.

Ai vëren se, pas një muaji pritje, bashkia vendosi të përdorë mjete larëse të marrë borxh nga qytete të tjera për të pastruar rrugët, duke e bërë këtë në një atmosferë të mbushur me prezencë zyrtarësh që jepnin intervista.

Sipas Nikës, pastrimi është bërë në mënyrë simbolike, ndërsa rrugët e lagjeve vazhdojnë të mbeten të ndotura dhe me baltë.

Ai thekson se është e rëndësishme të parandalohen situata të tilla në të ardhmen, përpara se të ndodhin katastrofa, duke kritikuar gjithashtu mungesën e përgatitjes dhe efikasitetit nga ana e bashkisë.

Postimi i plotë i kryetarit të Demokratëve Euroatlantikë dega Vlorë, Gjergji Nika:

Bashkia, show-n e radhës në Vlorë!

Pasi pritën një muaj se mos binte shi që të lante rrugët, të hiqte pluhurin dhe mushkonjat të ngordhnin, sot bashkia e Vlorës u kujtua se duhet të pastronte më në fund rrugët nga balta.

Për këtë mori borxh edhe disa mjete larëse nga Durrësi, Fieri, Himara e Selenica dhe nisi që në pikët të mëngjesit larjen me llastik të rrugëve nën praninë e shtuar të drejtuesve të lartë, të cilët lanë shtretërit e ngrohtë për t’i ndenjur punës në kokë!

Dhe, ndërkohë që rrugët laheshin me llastik me ujë zyrtarët bashkiakë jepnin intervista pa fund dhe së bashku me shoqëruesit e tyre shikonin me vëmendje ata pak punëtorë që pastronin me ujë e fshesa ndonjë trotuar dhe baltën e hidhnin ose në cep të tij, ose e linin në një mënyrë të tillë që ajo me shiun e parë të mbllokonte përsëri kanalizimet…

Sot, një muaj pas përmbytjes, e cila ishte katastrofike dhe që mund të bëhet edhe film nga Kinostudioja “Shqipëria e re”, u kujtuan të bëjnë show-n e radhës përpara qytetarëve vlonjatë në prani të kamerave dhe në prezencë të ministrit!

Kjo tregon se sa “shumë” punon bashkia!

Përpara përmbytjes me mospastrimin e kanalizimeve, marrjen e masave dhe efiçencën e hidrovorit dhe pas përmbytjes me vonesën një mujore të kthimit të qytetit në normalitet, pra të pastrimit të tonelatave të baltës e të pluhurit vetëm nga rrugët kryesore.
Sepse rrugët brenda nëpër lagje vazhdojnë të jenë plot baltë të tharë, pisllëk, mbeturina dhe vatra epidemish të mundshme.

Në mjekësi thonë: “Më mirë të parandalosh, se sa të kurosh!”

Dhe bashkia dhe zyrtarët e saj më mirë do të ishte të punonin dhe të parandalonin paraprakisht situata si ajo e datës 4 tetor, se sa të kujtohen “të punojnë e t’i përkushtohen qytetit” si “kofini pas të vjelit”.

Megjithatë, sot me ca llastikë lanë disa rrugë.

Deri në përmbytjen e ardhshme kur justifikimet përsëri do të jenë prurjet katastrofike dhe Ujësjellës Kanalizimet do të justifikohen zyrtarisht me bejten e radhës: “Erdhi uji nga mali, nuk e përballoi dot kanali”!
Dhe pastaj t’ja shtrojnë me ndonjë drekë të mirë…

Zakonet që ju shkaktojnë dhimbje koke dhe mënyrat për t’i shmangur ato

Sa herë e keni përjetuar atë dhimbje koke bezdisëse që shfaqet papritur? Pavarësisht nëse është një shqetësim i lehtë ose një dhimbje më e fortë, dhimbjet e kokës janë një përvojë e zakonshme për të gjithë ne.

 

Në fakt, shumë herë i shkaktojmë vetë pa e kuptuar, nëpërmjet zakoneve të përditshme. Nëse shpesh e gjeni veten duke pyetur veten “pse po më dhemb koka përsëri?”, atëherë është koha të shikoni disa gabime të zakonshme që mund të bëni.

Më poshtë do të gjeni pesë zakone që kontribuojnë në dhimbje koke dhe sugjerime se si t’i shmangni ato.

  1. Nuk konsumoni mjaftueshëm ujë:

Dehidrimi është një nga shkaqet më të zakonshme të dhimbjes së kokës. Kur trupi nuk merr mjaftueshëm lëngje, enët e gjakut në tru ngushtohen për të mbajtur ujin, gjë që mund të çojë në dhimbje koke. Kjo ndodh kryesisht në ditët kur jeni shumë i zënë dhe nuk pini ujin, ose kur konsumoni kafeinë, e cila mund të përkeqësojë dehidratimin tuaj.

Si ta parandaloni:

Mbani gjithmonë një shishe uji me vete dhe përpiquni të pini sasi të vogla gjatë gjithë ditës. Nëse keni probleme me kujtimin, ka aplikacione që mund t’ju dërgojnë njoftime për të pirë ujë, ose mund të vendosni rikujtues në telefonin tuaj.

  1. Ju kaloni shumë kohë para ekraneve:

Ju mund ta dini tashmë: përdorimi i vazhdueshëm i pajisjeve elektronike, si kompjuteri ose telefoni celular, mund të çojë në lodhje të syve, gjë që mund të shkaktojë dhimbje koke. Kur shikoni një ekran për një periudhë të gjatë kohore, sytë tuaj janë të tendosur dhe kjo “lodhje” e muskujve mund të ndikojë në trurin tuaj, duke shkaktuar dhimbje koke.

Si ta parandaloni:

Ndiqni rregullin 20-20-20. Për çdo 20 minuta që kaloni para një ekrani, bëni një pushim prej 20 sekondash dhe shikoni diçka 20 këmbë (6 metra) larg. Për më tepër, sigurohuni që të rregulloni ndriçimin e ekranit tuaj dhe ta mbani dhomën të ndriçuar mirë për të mbrojtur sytë nga tendosja.

  1. Anashkaloni vaktet:

Është shumë e lehtë të humbasësh sensin e kohës kur je i zënë dhe para se ta kuptosh, mund të kenë kaluar orë pa ngrënë. Kjo mund të jetë “receta” perfekte për një dhimbje koke. Mungesa e ushqimit mund të çojë në një rënie të sheqerit në gjak, gjë që shpesh shkakton dhimbje koke. Trupi juaj ka nevojë për energji dhe kur nuk e merr atë nga vaktet, mund të reagojë me dhimbje koke.

Si ta parandaloni:

Sigurohuni që të hani vakte në intervale të rregullta, edhe nëse ato janë pjesë të vogla ose ushqime të shëndetshme. Është një ide e mirë të mbani me vete shufra drithërash, fruta ose arra, në mënyrë që të keni gjithmonë një mundësi të lehtë kur mendoni se energjia juaj është e ulët.

  1. Nuk flini mjaftueshëm:

Gjumi është jetik për restaurimin e trupit dhe mendjes. Kur nuk bëni gjumë të mjaftueshëm ose cilësor, trupi juaj lufton të funksionojë siç duhet dhe një mënyrë e zakonshme që e manifeston këtë lodhje është përmes dhimbjeve të kokës. Mungesa e gjumit ndikon në nivelet e hormoneve dhe presionin e gjakut, gjë që mund të çojë në dhimbje koke.

Si ta parandaloni:

Vendosni një rutinë të qëndrueshme gjumi dhe përpiquni të shkoni në shtrat në të njëjtën kohë çdo natë. Është e rëndësishme të flini të paktën 7-8 orë çdo natë. Përveç kësaj, është mirë të shmangni përdorimin e ekraneve para gjumit, pasi drita blu mund të ndikojë negativisht në prodhimin e melatoninës, hormonit që rregullon gjumin.

  1. Qëndrimi i gabuar:

Qëndrimi i dobët, veçanërisht kur kaloni orë të gjata ulur në një tavolinë ose në divan, mund të çojë në tension të muskujve në qafë dhe shpatulla. Ky tension shpesh shkakton dhimbje koke tensioni të lidhura me qafën. Përkulja para kompjuterit ose përdorimi i jastëkut të gabuar gjatë gjumit mund të kontribuojë gjithashtu në këto dhimbje koke.

Si ta parandaloni:

Shikoni qëndrimin tuaj, veçanërisht kur jeni ulur për periudha të gjata. Sigurohuni që ekrani i kompjuterit tuaj të jetë në nivelin e syve dhe të keni mbështetjen e duhur të shpinës. Gjithashtu, sigurohuni që të bëni pushime të shkurtra për të shtrirë trupin dhe për të relaksuar muskujt e qafës.

“Jam katër gola larg kthimit në legjendë”, Myrto Uzuni: Më mungon ish-klubi, një ditë padyshim do kthehem

Myrto Uzuni po bën mirë me Granadën në Spanjë. Kështu ka tërhequr sërish vëmendjen e gazetarëve në Hungari, pasi kujtojmë se para transferimit te Granada ishte pjesë e Ferencvarosh.

 

Në një intervistë për mediat hungareze, Myrto Uzuni lë të hapur mundësinë e rikthimit te Ferencvaros. Po ashtu vë në dukje rekordin e 44 golave të Jusef El Arabi, që mund të thyejë te Granada, ndërsa aktualisht është në kuotën e 40 golave.

“Ndihem shumë mirë në Granada. Qyteti, tifozët dhe skuadra janë të mrekullueshëm. Fatmirësisht, po shkon mirë, kam shënuar 40 gola deri tani, jam 4 gola larg për t’u bërë golashënuesi më i mirë në historinë e klubit. Jam afër që të përmendem në legjendat e klubit”, u shpreh Uzuni fillimisht.

Ferencvaros- “Sigurisht që më mungon. Kanë kaluar 3 vite qëkur u largova, por gjatë kësaj kohe e kam ndjekur skuadrën sa kam pasur mundësi, kam parë dhe ndeshje. Më mungon stadium, tifozët dhe çdo gjë që e rrethon Ferenvarosh. Do të ketë gjithmonë një vend në zemrën time. Kurrë nuk do t’i harrojë momentet kur tifozët këndonin me emrin tim pas ndeshjeve me Ujpest, Dinamo Zagreb apo Molde. Janë kujtime të paharrueshme.

Mund ta deklaroj që do rikthehem. Kur erdha nga Budapesti para 3 viteve, ajo “mirupafshim” nuk ishte përgjithmonë. Mbaj kontakte me presidentit Tamas Hajnal dhe Gabor Kubatov. Dhe ato më shkruajnë rregullisht dhe unë i uroj gjithmonë kur arrijnë rezultate të mira dhe suksese. Jam i sigurt që një ditë do të rikthehem te Ferencvaros, nuk ka dyshime”, tha ndër të tjera Uzuni.

Zgjedhjet për Shtëpinë e Bardhë dhe pritshmëritë evropiane! VOA: Të shqetësuar për rezultatin, si edhe ndikimin që mund të ketë mbi të ardhmen e NATO-s

Evropa po përgatitet për kthimin e mundshëm të ish-presidentit Donald Trump në pushtet, ndërsa rivalja e tij demokrate Kamala Harris mbetet kryesisht e panjohur. Siç njofton korrespondentja e Zërit të Amerikës, Lisa Bryant nga Parisi, shumë evropianë janë të shqetësuar për rezultatin e zgjedhjeve presidenciale amerikane dhe ndikimin që mund të ketë mbi të ardhmen e NATO-s, luftën e Rusisë në Ukrainë, marrëdhëniet tregtare dhe të ardhmen e demokracive të tyre.

Shumë evropianë nuk kanë kujtime të mira nga presidenca e zotit Trump. Në Francë, marrëdhënia që fillimisht ishte miqësore midis Presidentit Emmanuel Macron dhe homologut amerikan, u ftoh shpejt.

Tensionet midis Evropës dhe Uashingtonit u rritën mbi tregtinë, Iranin, ndryshimet klimatike dhe qasjen e zotit Trump ndaj NATO-s.

Nëse kthehet në pushtet, ish Presidenti Trump thotë se do të vendosë tarifa të larta ndaj Evropës, do të kërkojë negociata për t’i dhënë fund luftës së Rusisë në Ukrainë dhe do të zvogëlojë mbështetjen amerikane për Kievin. Këto qëndrime, drejtuesit evropianë i kundërshtojnë fuqishëm.

“Ekziston një ndjenjë se ai është më i ashpër, më radikal dhe më i rrezikshëm. Ka shqetësime për të ardhmen e Evropës, NATO-s dhe mbrojtjen dhe solidaritetin e nevojshëm për tu përballur me Rusinë”, thotë analistja politike franceze Nicole Bacharan.

Bashkimi Evropian njoftohet se po përgatitet për të zbutur ndikimin e mundshëm të një fitore të zotit Trump.

Në të gjithë Evropën, njerëzit janë të shqetësuar.

“Trumpi na frikëson sepse shpreh urrejtje, gënjen dhe ne mendojmë se ai sillet si një despot, si diktator”, thotë banori i Parisit, Herve Villemont.

Analistët thonë se evropianët kryesisht duan fitoren e Nënpresidentes Kamala Harris, për të cilën ata shpresojnë se do të vazhdojë lidhjet transatlantike që u forcuan gjatë administratës së Presidentit Biden. Megjithatë, analistët thonë se këto lidhje mund të dobësohen pavarësisht se kush i fiton zgjedhjet, pasi prioritetet amerikane po zhvendosen diku tjetër.

“Unë mendoj se një fitore e zonjës Harris do të krijonte një lehtësim të madh në Evropë….Megjithatë, ajo nuk ka thënë diçka thelbësore, kur bëhet fjalë për politikën e jashtme…Prandaj ajo mbetet deri diku një mister për shumë evropianë”, thotë Gesine Weber nga Fondi Gjerman Marshall.

Ndërkaq ish Presidenti Trump ka disa mbështetës evropianë. Kryeministri i Hungarisë Viktor Orban thotë se do të festojë nëse fiton zoti Trump.

Gjuha e ashpër e zotit Trump ndaj imigracionit gjen përkrahje mes partive populiste, të së djathtës së skajshme në Evropë.

“Jam e shqetësuar për demokracinë, nëse fiton Trumpi këto zgjedhje do të kenë ndikim edhe në Evropë”, thotë Carolina E. Santo, portugeze që jeton në Paris.

Disa analistë besojnë se një mandat i dytë i zotit Trump mund të nxisë Evropën që të forcojë mbrojtjen e saj ushtarake dhe ekonomike, një lëvizje që kritikët thonë se blloku duhet ta kishte bërë vite më parë./VOA

Kryebashkiaku i Shkodrës, Benet Beci paraqitet në SPAK

Kryebashkiaku i Shkodrës, Benet Beci është paraqitur në SPAK. Nuk dihen ende arsyet se përse Beci është thirrur në SPAK.

Ndërsa po futej në ambientet e SPAK, Benet Beci u pyet nga gazetarët se për çfarë është thirrur. Kryebashkiaku i Shkodrës u përgjigj “Ja ta shikojmë”.

Benet Beci u zgjodh në zgjedhjet e kaluara kryetar Bashkie në Shkodër. Në zgjedhjet parlamentare të 2021 ai u zgjodh deputet.

Ai ka qenë Drejtori Ekzekutiv prej 13 vjetësh i Fondit Shqiptar të Zhvillimit, më pas drejtoi Korporatën Elektroenergjitike, KESH. Ende nuk dihet se përse SPAK e ka marrë në pyetje.

Shqipëria ka numrin më të lartë të të diplomuarve në IT, por janë më të keqpaguarit në rajon!

Sektori i Teknologjisë së Informacionit (IT) në Shqipëri është ndër më pak konkurruesit mes vendeve të Europës në zhvillim, sipas indeksit të Konkurueshmërisë së IT-së*, përpiluar nga Emerging Europë.

Shqipëria renditet në vendin e 21, mes 23 vendeve, duke marrë një vlerësim total 36.37 pikë në 4 seksione (Talenti, Infrastruktura e IT-së, Ndikimi ekonomik dhe Mjedisi i Biznesit), shumë më poshtë Kosovës dhe vendeve të tjera të Ballkanit.

RENDITJA

Shqipëria renditet e 21-ta në kategorinë e Talenteve me rezultatin 10.06, duke reflektuar sfidat e vendit për përmirësimin e arsimit në IT dhe zhvillimin e fuqisë punëtore. Megjithatë, iniciativa të tilla si futja e kodimit në shkolla dhe zgjerimi i programeve të shkrim-leximit dixhital po ndihmojnë në ndërtimin e një themeli për rritjen e ardhshme. Sistemi arsimor i Shqipërisë po përqendrohet gjithnjë e më shumë në kurse të lidhura me IT-në dhe numri i studentëve që hyjnë në këtë fushë po rritet vazhdimisht.

Në vitin 2022, Shqipëria pa një progres të rëndësishëm në arsimin e IT, me një kulm prej 8293 studentësh të IT të regjistruar, dhe shumica e këtyre studentëve morën pjesë në programe bachelor dhe kurse.

Shqipëria renditet e dyta për numrin e të diplomuarve në IT për 100 mijë banorë. Por nga ana tjetër ata që punojnë në këtë sektor janë ndër më pak të paguarit në rajon.

“Për këtë vit, vendet kryesore për nga numri i studentëve të TIK-ut për 100,000 banorë të moshës 15-64 vjeç janë Kosova, Serbia dhe Estonia, të ndjekura nga Letonia dhe Ukraina.

Në vitin 2022 kishte 372 studentë TIK për 100,000 banorë të moshës 15-64 vjeç në të gjithë rajonin. Ukraina, Shqipëria dhe Estonia janë në krye të listës së numrit të të diplomuarve për 100,000 banorë të moshës 15-64 vjeç në 2022”, thuhet në raport.

STUDENT-TE-DIPLOMUAR

Paga mesatare bruto e njerëzve të punësuar në TIK në të gjithë rajonin është 2,115 euro, që është pothuajse 14.3 për qind (ose më shumë se 264 euro) më shumë se një vit më parë.

Pagat më të larta janë ende në Lituani dhe Estoni, si në 2020 dhe 2021, të ndjekura nga Çekia; ndërsa pagat më të ulëta janë në Azerbajxhan, Shqipëri dhe Kosovë. Mesatarisht, Lituania, Estonia dhe Çekia ofrojnë paga pothuajse 48 për qind më të larta se ato në Europën në zhvillim në tërësi, ndërsa Azerbajxhani, Shqipëria dhe Kosova mesatarisht kanë paga që janë më shumë se 2.5 herë më të ulëta se mesatarja e rajonit.

PAGA

Infrastruktura e IT-së: Transformimi dixhital në progres

Infrastruktura e IT-së e Shqipërisë renditet e 15-ta, me notën 8.52. Vendi ka bërë hapa të rëndësishëm në zgjerimin e infrastrukturës dixhitale, të mbështetur nga iniciativa të ndryshme qeveritare që synojnë përmirësimin e lidhjes me internetin dhe rritjen e aksesit në shërbimet dixhitale. Pavarësisht se është relativisht e vogël në krahasim me vendet e tjera në Evropën në zhvillim, Shqipëria ka plane ambicioze për të modernizuar infrastrukturën e saj IT.

Projektet kryesore përfshijnë laboratorët inteligjentë në shkolla, zgjerimin e shërbimeve dixhitale dhe promovimin e qeverisjes elektronike.

Deri në vitin 2023, mbi 95 për qind e aplikimeve për shërbime publike po dorëzoheshin online nëpërmjet portalit e-Albania, duke treguar angazhimin e vendit për të përqafuar transformimin dixhital.

 

Ndikimi ekonomik: I qëndrueshëm por në rritje

Shqipëria renditet e 19-ta në kategorinë e Ndikimit Ekonomik, me notën 8.19.

Ndërsa sektori i IT në Shqipëri është ende në zhvillim, vendi ka bërë përparim të dukshëm vitet e fundit, veçanërisht në eksportet e IT.

Eksporti i shërbimeve të TI-së, përfshirë shërbimet kompjuterike, është rritur vazhdimisht, me vlerën e eksporteve të shërbimeve të IT-së që është rritur nga 68.4 milionë euro në 2018 në 155.3 milionë euro në vitin 2022. Kjo paraqet një rritje të ndjeshme të kontributit të IT-së në ekonominë kombëtare.

Sektori i IT-së në Shqipëri vazhdon të tërheqë investime të huaja, veçanërisht nga kompanitë që kërkojnë zgjidhje me kosto efektive në zhvillimin e softuerit dhe shërbimet e IT.

Qeveria ka prezantuar politika që synojnë krijimin e një mjedisi të favorshëm për investitorët e huaj, veçanërisht në sektorin e IT, i cili pritet të kontribuojë më shumë në ekonomi në vitet e ardhshme.

Mjedisi i biznesit: Mbështetje për startup-et dhe inovacionin

Shqipëria renditet e 19-ta në kategorinë e Mjedisit të Biznesit, me notën 9.60. Ndërsa vendi ende përballet me sfida në tërheqjen e investimeve në shkallë të gjerë, ekosistemi i tij fillestar po evoluon me shpejtësi. Programet qeveritare si Albania Tech dhe iniciativa të ndryshme sipërmarrjeje po nxisin inovacionin dhe mbështesin rritjen e bizneseve fillestare.

Shqipëria ka prezantuar disa strategji për të përmirësuar mjedisin e saj të biznesit, duke përfshirë stimujt tatimorë për firmat e IT dhe rritjen e mbështetjes për sipërmarrjet e drejtuara nga teknologjia.

Strategjia kombëtare e sigurisë kibernetike (2020-25) nënvizon më tej angazhimin e qeverisë për të siguruar një mjedis të sigurt dhe mbështetës për lulëzimin e bizneseve të IT./Monitor

Tri bimë që ju ndihmojnë të detoksifikoni trupin në mënyrë natyrale

Trupi i njeriut ka mekanizma detoksifikues, por është e vërtetë që kërkon ndihmë. Barishtet dhe erëzat i japin shije ushqimit tonë dhe në të njëjtën kohë promovojnë shëndetin tonë. Përveç kësaj, ato na ndihmojnë të reduktojmë konsumin e kripës, sheqerit dhe yndyrës.

 

Megjithatë, aktiviteti i tyre nuk kufizohet me kaq. Ka shumë dëshmi që konfirmojnë efektin e dobishëm të bimëve dhe erëzave në dietën e përditshme, të cilat vijnë nga dëshmitë historike si dhe nga një sërë studimesh klinike dhe epidemiologjike.

Bimë për detoksifikimin natyral

Trupi i njeriut ka mekanizma natyralë të detoksifikimit, megjithatë kërkon mbështetje të vazhdueshme ushqyese. Miratimi i një diete të ekuilibruar, me konsum të kufizuar të ushqimeve të përpunuara dhe shtimin e bimëve dhe erëzave specifike, mund të çojë në rezultate të shkëlqyera.

  1. Koriandër

Për shkak të elementeve fitokimike që përmban, ka aftësinë për të lidhur metalet e rënda dhe toksike, duke lehtësuar largimin e tyre nga trupi. Kur këto metale grumbullohen, ato mund të arrijnë nivele të rrezikshme, duke shkaktuar simptoma të ndryshme dhe gjendje kronike.

  1. Luleradhiqe, e njohur edhe si luleradhiqe

Kjo është një tjetër barishte që kontribuon në detoksifikimin efektiv dhe natyral të trupit. Veprimi i tij i njohur përfshin rritjen e diurezës, ndërsa studimet e hershme kërkimore tregojnë se mund të përmirësojë funksionin e mëlçisë dhe biliare. Zakonisht, ajo konsumohet në formën e zierjes.

  1. Gjembaku

Është ndoshta bari më i njohur në këtë kategori. Kontribuon në funksionin e mëlçisë, ndërsa substanca e tij kryesore aktive, silymarina, është treguar se stabilizon membranat qelizore dhe aktivizon proceset e detoksifikimit metabolik.

Basha: Mosbindja civile, dështim spektakolar. Nuk fshehin dot bashkëpunimin mes Ramës dhe Berishës

Kreu i PD-Demokratët Euroatlantikë, Lulzim Basha, në emisionin “Shqipëria Live” tha se mosbindja civile e shpallur nga grupi i Sali Berishës, është një dështim spektakolar. Sipas tij, bashkëpunimi mes dy liderëve shihet edhe te arrestimi i Ervin Salianjit, të cilën ai e cilëson si padrejtësi.

“Mosbindja civile, dështim spektakolar. Gjithçka bëhet për të hequr si shije të hidhur bashkëpunimin mes Ramës dhe Berishës. Kjo tregon se në çfarë krize besimi e ka zhytur Berisha Partinë Demokratike.
Nuk mendoja se do guxonin të shkonin deri këtu. Të njëjtën gjyqtarë morën vendimin për t’i dhënë vulën Berishës. Rama dhe Berisha, dy faqe të së njëjtës monedhë. Të dy po braktisen, njërit në protesta që nuk i shkon njeri”- shpreh ai.

Për sa i përket zërave se Argita Berisha mund të marrë drejtimin e PD, Basha u shpreh se “koha është ilaç i mirë, Berisha gjithçka e ka bërë për veten e tij, me kosto të madhe për PD. E njëjta gjë vlen edhe për familjarët e tij, për të njëjtat arsye.”

Ndërsa nëse do të thërritet në SPAK për “21 janarin” a do të paraqitej, Basha deklaroi se po, sepse “do të bëja detyrën time para ligjit me bindjen time që nuk është opsion, por detyrim. Një ngjarje që duhet hetuar tërësisht pa asnjë ndikim politik. Ky moment i dhimbshëm rikthehet në institucione, sepse është keqpërdorur në mënyrën më ekstreme dhe makabër”.

“Krimi është bërë njësh me politikën e lartë”, Basha për masakrën në Shkodër: Shteti është dorëzuar para krimit

Në intervistën për “Shqipëria Live”, Lulzim Basha, ka folur për masakrën në Shkodër ku një nga viktimat është edhe djali i kryetarit të Këshillit Kombëtar të Demokratëve Euroatlantikë, Xhemal Bushati. Basha tha se përtej këtij dimensioni personal, ajo që bie në sy të çdo shkodrani dhe cdo shqiptari, është dorëzimi i shtetit para krimit.

Ai më tej tha se bilanci tragjik i këtij krimi të përbindshëm, rëndon tërrësisht në duart e shtetit dhe është tashmë një fakt që e di i madh dhe i vogël që në Shkodër, është bërë njësh me politikën e lartë dhe ka vënë nën kontroll policinë e shtetit.

Pjesë nga intervista:

Pyetje: Fillimisht dua t’ju pyes dhe më bën sens për shkak të gjithë informacioneve të marra edhe të njohura më herët të marrëdhënies tuaj me zotin Xhemal Bushati, dhe do doja një koment nga ana juaj për atë që ndodhi në Shkodër.

Lulzim Basha: Sigurisht ka dimensionin personal dhe professional, për të cilin fjalët nuk i bëjnë drejtësi dhimbjes që ndjejmë për kolegun tonë. Por përtej këtij dimensioni personal, ajo që bie në sy të çdo shkodrani dhe cdo shqiptari, është dorëzimi i shtetit para krimit. Bilanci tragjik i këtij krimi të përbindshëm në Shkodër, rëndon tërrësisht në duart e shtetit dhe është tashmë një fakt që e di i madh dhe i vogël në atje që krimi i organizuar në Shkodër, është bërë njësh me politikën e lartë dhe ka bërë zap, ka vënë nën kontroll policinë e shtetit. Kjo ka krijuar një ndjenjë pasigurie të thellë, pakënaqësie të thellë tek shkodranët dhe tashmë tek të gjithë shqiptarët. Sepse është fundi të shohësh njerëzit me uniformë që paguhen nga taksat e shqiptarëve, për të luftuar krimin të dhunohen në këtë mënyrë, të merren peng pikërisht nga përfaqësuesit e krimit të organizuar çka është një problem shumëvjeçar në Shkodër dhe që shpërfaqet herë pas here me dimensione tragjike si ky që ndodhi para disa ditësh.

Pyetje: Ju keni pasur mundësi të flisni me zotin Bushati?

Lulzim Basha: Po kam qenë pranë tij edhe dje, edhe pardje sapo ndodhi ngjarja.

Pyetje: Si e vutë re, situatën përreth?

Lulzim Basha: Shkodra është jo thjesht në zi, është një qytet ku ka pllakosur një dramë shpirtërore e gjithë qytetarëve. Sepse raste si ky, ku nuk kursehen as kalimtarët e çastit, ilustrojnë që në Shkodër, sikundër edhe në pjesë të tjera të Shqipërisë, e ke kokën në satër në çdo moment. Pra, është rënia përfundimtare e shtetit, është shkrirja në një e krimit të organizuar me shtetin.